TIRANA PËR QYTETARËT NJË PLATFORMË – NJË VIZION
IDE MBI ZHVILLIMIN DHE VIZIONIN E TIRANËS CO-PLAN, INSTITUTI PËR ZHVILLIMIN E HABITATIT PRILL 2015
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion “Tirana për Qytetarët” duhet të jetë Tirana e ideve të freskëta, vizionare, transformuese, moderne dhe gjithëpërfshirëse; Ideve që tejkalojnë debatin politik, si një qasje e vjetëruar në manaxhimin e qytetit; Ideve që promovojnë shoqëri civile të vërtetë, komunitet dhe demokratizim shoqëror. Me një territor të ri, tejet të zgjeruar dhe të larmishëm në burime e probleme, një platformë zhvillimi për Tiranën do të jetë padyshim komplekse. E pasur në programe dhe projekte për të ardhmen, kjo platformë reflektohet në kosto zbatimi dhe nevojë bashkëpunimi dhe partneriteti ndër-institucional e shumë-aktorësh. Një koncept modern i qeverisjes në shumë nivele do të mundësojë që kjo platformë me 6 programe të hedhë shina të qarta e të qëndrueshme për të ardhmen e një Tirane të jetueshme. Kjo platformë është konceptuar nga Co-PLAN dhe nuk merr përsipër të shterojë programe politike apo menaxheriale të qeverisjes vendore. Kjo platformë merr shkas nga reforma administrative-territoriale e ajo e planifikimit, dhe ofron ide themelore mbi zhvillimin e Tiranës e vizionin e saj. Është një kontribut për axhendat elektorale të kandidatëve në këto zgjedhje vendore, dhe synon të ushqejë kontratën e kandidatit apo kryetarit të ardhshëm me qytetarët e tij.
Programet 1. TIRANA NYJE GRAVITETI NË RAJON: Vizionet Ballkanike dhe Europiane të së ardhmes, shpesh e kanë lënë jashtë Tiranën nga hartat rajonale të zhvillimit. Ndërsa Shqipëria përpiqet të mbërthehet në rrjete, korridore e qendërsi Europiane, Tirana duhet të fuqizojë profilin e saj ndërkombëtar. Tirana ka nevojë të përshfaqet me një identitet të spikatur dhe unik rajonal. Ndonëse historikisht Tirana është një qytet i ri, identiteti i saj duhet të ndërtohet mbi funksione konkurruese dhe plotësuese në rrjetën Europiane. Me një territor të gjerë dhe zonë urbane të pashfrytëzuar ende në mënyrë efiçiente, tejet e favorizuar për të aksesuar tregjet dhe nyjet e transportit, Tirana do të jetë qendër e fuqishme logjistike, e panaireve, cluster-ave dhe inovacioneve në parqe teknologjike, si dhe arsimit universitar e profesional. 2. NJË VIZION I RI PËR TERRITORIN – TRANSFORMIMET E MËDHA Hapësira urbane e Tiranës është përditë dhe më e ngarkuar me energji të aktivitetit njerëzor, frustrim trafiku e parkimi, dhe ndotje të ajrit. Ndërsa qendra gëlon në zhurmë, ndotje dhe energji, periferitë ngjajnë përherë e më tepër me fjetore, shoqëria sa vjen e shtresëzohet duke u mbyllur në enklava territoriale, dhe hapësirat rurale e natyrore ndihen gjithnjë e më të largëta. Ky fragmentim territorial rrezikon thellim të ndarjeve sociale dhe apati hapësinore.
1
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
Ka ardhur momenti, që Tirana të kthehet në qytetin e operacioneve të mëdha transformuese të hapësirës urbano-rurale. Në funksion të një balance të shëndetshme dhe një vizioni mbi mendësinë e re shoqërore të zhvillimit të territorit, vijnë 5 projektet e transformimeve të mëdha: 2.1 Metropoli radial: Uniciteti strukturor i Tiranës e ka gjenezën në rrjetin e saj rrugor. Ndërsa aglomerimi urban është rritur në 25 vitet e fundit, rrjeti rrugor nuk i është përgjigjur ritmeve të kësaj shtrirjeje në territor. Zonat e reja të banimit dhe bërthamat rurale vuajnë nga lidhje të shpejta e cilësore me zemrën urbane të Tiranës, apo me shërbimet që ajo afron në pjesë të ndryshme të territorit. Mungesa e lidhjeve dhe aksesit në territor është faktor për ndarje sociale dhe thellim të varfërisë në disa zona. Lidhjet e shpejta të zonave rurale përmes akseve të luginave dhe qafave panoramike Pezë, Zall Bastar, Baldushk, Ibë, Qafë Mollë dhe Verri, do të sjellin banorët e këtyre zonave afër shërbimeve dhe do të çlirojnë energjinë e qytetit drejt kurorës së tij. Për të respektuar terrenin dhe për lëvizje efiçiente, radialet do të ndërlidhen përmes unazave dhe orbitaleve. Unaza e madhe do të largojë trafikun e tranzitit nga zonat e banimit dhe do të lidhë të bërthamat e vendbanimeve të reja të krijuara rreth Tiranës. Orbitalet e Shkozës, Surrelit, Çollakut, Farkës dhe Lundrës do të lidhin të gjitha vendbanimet juglindore të Tiranës, ndërsa paralelet e Kasharit do të lidhin Autostradën Tiranë-Durrës me Vaqarin dhe Kombinatin, duke u zgjatur deri në Arbanë dhe Stërmas. Bulevardi i veriut do të jetë gjithashtu një prioritet për zonën urbane veriore të qytetit si promotor i transformimit urban të saj dhe lidhje e drejtpërdrejtë mes parkut të Paskuqanit dhe parkut të madh jugor të qytetit. 2.2 Rrjeti i shumëfishtë dhe multimodal i lëvizjes: Tirana ka nevojë për stacionin e saj multimodal dhe dy degëzime rrugore/hekurudhore që shtrihen gjatë luginave të Erzenit dhe lumit të Tiranës për tu mbyllur me stacione dytësore në Sauk/TEG dhe Tufinë. Çdo segment i rrjetit rrugor do të shërbehet me transport publik: brenda unazës së vogël dhe përgjatë bulevardit Veri-Jug (Korpusi qendror universitar – Lumi i Tiranës) do të funksionojnë kryesisht linjat e tramit; radialet kryesore dhe unaza e madhe do të furnizohet nga sistemi i autobusëve të shpejtë. 2.3 Metabolizmi funksional: Jo vetëm rrjeti i largimit të ujërave të zeza duhet të shtrihet në çdo bërthamë të ndërtuar, por ujërat e zeza nuk do të derdhen më në lumenjtë e Tiranës. Devijimi i tyre nga ujërat e lumenjve do të kryhet përmes investimeve të rrjetit kryesor. Sistemi i kanalizimeve do të përfundojë në impiantin e trajtimit të ujërve të zeza, që i ka munguar Tiranës në vite. Me zgjerimin e territorit të bashkisë, një përgjegjësi e re dhe e rëndësishme është ajo e mirëmbajtjes së sistemit të kullimit dhe vaditjes. Sistemi do të rimëkëmbet për t`i shërbyer në mënyrë efektive territoreve të mbrojtura të bujqësisë organike rurale dhe asaj urbane. 2.4 Shpërthimi i qendrës: Investimet e munguara në periferi e kanë mbajtur enegjinë e Tiranës peng të qendrës së ngjeshur urbane. Ndërsa qendra vuan nga dyndja, periferitë rrezikojnë depresion zhvillimi dhe në mjaft raste “getoizim”. Shpërthimi i qendrës dhe eleminimi i “mentalitetit të sheshit qendror”, do t`i japë frymëmarrje qytetit. Ky operacion hapësinor, sëbashku me rrjetin rrugor do të kenë ndikim vendimtar në shërimin e problemeve sociale të Tiranës. • Qendra duhet të lirohet nga trafiku përmes rrugëve të reja dhe fuqizimit të lidhjeve tërthore paralele mes radialeve brenda unazës së vogël, me qëllim shërbim më të mirë për qytetarët dhe promovim të hapësirës vetëm për këmbësore.
2
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
•
• •
Tirana këmbësore dhe Tirana e biçikletave do të jetë moto e operacionit për një hapësirë publike funksionale. Një rrjet sheshesh publike të lidhura nga transporti publik dhe trasetë e biçikletave do të shtrihet brenda unazës së vogël dhe përgjatë bulevardit. Blloku dhe rruga Myslym Shyri do të jenë hapësirat e reja këmbësore të Tiranës. Kjo do t`i japë frymëmarrje bizneseve të zonave, do të zgjerojë territorin aktivitetit rekreativ urban dhe do të çlirojë qendrën nga trafiku dhe ndotja (ajri dhe zhurmat). Një strategji dhe rrjet parkimi publik duhet të shtrihet nëpër të gjithë Tiranën urbane. Qendrat Kombinat, Misto Mame, Ali Demi, Uzina e Autotraktorëve, Kinostudio, Medreseja, ishStacioni i Trenit, Lapraka dhe Komuna e Parisit do të shenjojnë atraktorët apo hapësirat e reja gjeneratore të zhvillimit urban në Tiranë.
2.5 Densifikim dhe Mix: Tirana vuan nga pajisja me rrjet infrastrukturor dhe standardet e hapësirës publike, por ndërkohë territori i saj urban nuk është shfrytëzuar në mënyrë efiçiente. Një pjesë e zhvillimit urban është shtrirë në toka bujqësore e natyrore të një cilësie të lartë dhe peisazheve të mrekullueshme. Kjo i kushton Tiranës kosto në infrastrukturë dhe mjedis. E ardhmja e Tiranës urbane është ajo e densifikimit të zonave urbane brenda unazës së madhe, sipas një strategjie zhvillimi të paraprirë nga investimi në infrastrukturë dhe të pasuar nga investimi në struktura. ADN-ja e biznesit të ndërtimit duket se përfaqësohet nga “mix-i” urban (në funksione, aktivitete biznesi dhe tipologji ndërtimi). Kjo cilësi pozitive duhet të promovohet, duke i shtuar edhe tiparin e munguar të standardit të hapësirës urbane edhe në zonat e reja për zhvillim – Tirana veriore (zonat poshtë lumit të Tiranës), sektori midis dy unazave që kornizohet nga rruga e Kavajës dhe e Durrësit, si dhe sektori në jug të qendrës spitalore deri në ndarjen natyrore të Lanës. 3. NJË EKONOMI DINAMIKE DHE VETËPËRSHTATËSE 3.1 Rrjeti i Tregjeve: Tirana ka nevojë për një rrjet hierarkik të tregjeve të cilat funksionojnë nga niveli rajonal dhe deri tek lagjet lokale, duke ofruar një gamë tejet të larmishme të produkteve dhe shërbimeve. Për të qenë sa më produktive dhe të qëndrueshme, këto tregje duhet të qarkullojnë veçanërisht produkte vendase, duke përballuar nevojat e banorëve të Tiranës, konsumatorëve shqiptarë, dhe klientëve të rajonit. Bashkia duhet të ndërtojë një strategji të shtrirjes së tregjeve dhe konturimit të tyre fizik në varësi të produktit dhe hallkës që tregjet plotësojnë në zinxhirin e vlerës të cilit i shërbejnë. 3.2 Business Improvement District (BID): Për të mbështetur biznesin dhe anasjelltas investuar më shumë në cilësinë e hapësirave dhe shërbimeve urbane, BID vjen si një iniciativë e suksesshme e shumë vendeve të botës. Blloku mund të pasurohet më tej me lehtësira të strukturave dhe hapësirës publike cilësore, të kthehet në hapësirë këmbësore me akses të shkëlqyer në parkim, dhe të pasurohet me shërbime 24-orëshe. Këto shërbime mund të jepen kundrejt taksave më të larta për përdoruesit. Një BID i ardhshëm mund të gjejë hapësirë në qendërsinë që do të krijojë bulevardi verior i Tiranës. 3.3 Drejt një Ekonomie të re rurale: Tirana nuk mund të jetë qytet me aktivitet intensiv bujqësor, por mund të jetë përfaqësuese e denjë e paradigmës “Një ekonomi e re rurale”. Zonat rurale të saj kanë potencial për bujqësi organike, urbane, dhe parqe bujqësore; turizëm të të gjitha formave dhe alternativave; aktivitete ekologjike, shkencore dhe rekreative. Një strategji integrale e territorit, do të garantojë që këto tentative sektoriale të gjejnë përkthimin e duhur në territorin dhe burimet e Tiranës. 3.4 Turizmi i Tiranës për të gjithë Shqipërinë: Tirana duhet të përqafojë për turizmin e saj paradigmën e “the traveller`s concept”. Përmes kësaj, Tirana i ka të gjitha mundësitë të ofrojë eksperiencën turistike urbane, rurale, agro dhe eko,
3
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
e kulinarisë, kulturore dhe historike, familjare, elitare dhe malore, përfshirë aksesin e shpejtë në bregdet, brenda një kohe të shkurtër dhe një oferte të vetme. Konpceti i ofertës turistike për banorët e Tiranës mund të përkthehet në një strategji për “Tiranën e fundjavës, jashtë Tiranës”. Itineraret për ecje në Malin me Gropa, Shpella e Pëllumbasit, itineraret e Erzenit, Dajti, etj. janë energjizuesit e kësaj oferte turistike. 3.5 Rivitalizimi i ish-zonave industriale: Këto zona (kombinatet dhe uzinat) përbëjnë asete territoriale me vlerë. Bashkia mund t`i ripërdorë në projekte të zhvillimit ekonomik, strehimit social, krijimit të qendërsive të reja urbane, promovimit të mix-it urban, etj. duke garantuar më parë cilësinë mjedisore të territorit të tyre.
4. AGJENDAT E ZHVILLIMIT TË LAGJEVE 4.1 Konkursi i ideve për hapësirë të jetueshme: Qyteti ndërtohet nga njerëzit për njerëzit. Ndërsa qytetarët presin ofertën e institucioneve, duhet të tregohen proaktivë dhe të mprehin kërkesën e tyre në funksion të realizimit të hapësirave të jetueshme në qytet. Bashkia duhet të organizojë konkurse të ideve qytetare/komunitare për hapësira dhe qytete të jetueshme. Çdo ide fituese do të jetë subjekt i një projekti zbatimi me fonde të bashkisë dhe sipas rastit bashkëfinancim komunitar. 4.2 Fondi i konkurrencës së zhvillimit: Krijimi i hapësirave publike, mirëmbajtja e tyre apo edhe e hapësirave të përbashkëta (veçanërisht ato të jashtme) në ndërtesat e banimit, janë projekte të kushtueshme. Bashkia nuk mund të përballojë me sukses kërkesën sepse fondet do të jenë gjithnjë më të pakta krahasuar me nevojën. Për më tepër, komunitetet shpesh tregohen armiqësore edhe me hapësirat në të cilat janë kryer investime dhe nuk tregojnë vëmendjen e duhur për t`i mirëmbajtur ato. Suksesi i cilësisë dhe jetëgjatësisë së një projekti për hapësirë publike të jetueshme, bazohet tek ndjenja e pronësisë dhe përgjegjësisë ndaj investimit. Bashkia duhet të krijojë fondin e zhvillimit të lagjeve që promovon këto projekte dhe shpërndahet mbi baza konkurruese. Faktor suksesi për projektet do të jetë jo thjesht cilësia e projekteve të propozuara, por edhe: agjenda strategjike e zhvillimit të lagjes në të cilin mbështetet ky projekt; raporti kosto/përfitim (ose përfitues); si dhe aftësia apo gatishmëria e banorëve për bashkëfinancim. Komunitetet do të nxiten të bashkëfinancojnë deri 20-50% të vlerës së projektit.
5. TIRANA E SOFTWARE SOCIAL RIPËRTËRITËS 5.1 Tirana e dijes: Kampusi universitar i Tiranës duhet të zgjerohet më tej përmes lehtësirave të ofruara në realizimin e investimeve përkatëse. Bashkia duhet të jetë një aktor aktiv në lehtësimin e bashkëpunimeve me projekte dhe universitete Europiane për shkëmbimin e dijes dhe ofrimin e hapësirave për evente rajonale me fokus edukimin. Gjithashtu, duhet të mbështeten me lehtësira dhe infrastruktura, iniciativa për shkolla rajonale profesionale të kulinarisë, kopshtarisë dhe peisazhit, dhe çdo fushë që promovon punësim dhe biznese në kuadër të zhvillimit rural. 5.2 Tirana e Shkencës, Natyrës dhe Teknologjisë: Bashkia duhet të ofrojë hapësira për inkubatorë biznesi, veçanërisht në funksion të produktit të shkollës profesionale dhe iniciativave innovative. Një muze për shkencën, natyrën dhe teknologjinë i ka munguar Tiranës, jo vetëm për banorët e saj, por edhe si një kryeqytet Europian.
4
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
5.3 Tirana Kryeqyteti i Kulturës: Tiranës i nevojitet një atmosferë dhe jetë kulturore e artistike e gjallë dhe intensive. Për këtë duhet të diversifikohet oferta dhe të shtohen ndjeshëm opsionet duke u shtrirë me aktivitete edhe fizikisht jashtë qendrës, për të prekur sa më shumë stresa shoqërore dhe për të emancipuar kapitalin social të Tiranës. Festivalet e filmit dhe teatrit, opera dhe baleti jo vetëm në teatrin kombëtar, por edhe në qendra artistike komunitare, arti eksperimental, krijimi i hapësirave dhe lehtësirave strukturore për shprehjen e artit komunitar, zinxhiri i programeve kulturore për fëmijët, dhe arti e aktivizmi kulturor urban duhet të kthehen në “rutinën” e parapëlqyer të banorëve të Tiranës, qofshin të qendrës, periferisë apo fshatit. 5.4 Tirana e qytetarëve: Rreziku që sjell varfëria dhe ndarja sociale e nxitur nga territore të pazhvilluara dhe hapësira armiqësore, veç operacioneve fizike të territorit, do të eleminohet edhe përmes një programi serioz të komunikimit dhe transparencës me publikun. Bashkia duhet të fuqizojë procesin e llogaridhënies sociale për ta kthyer në një mentalitet të qeverisjes; të zhvillojë një rrjetë komunikimi shumë-formësh me qytetarët përmes edhe përdorimit të teknologjive inovative; dhe të promovojë rilindjen e shoqërisë civile dhe rrjetin e organizatave me bazë komuniteti. 6. ECO-HAPËSIRA: NJË TERRITOR – NJË ORGANIZËM 6.1 Kurora e gjelbër: Suksesi i Tiranës qëndron në aftësinë e qeverisjes dhe qytetarëve të saj për të bashkëjetuar në harmoni me hapësirën dhe habitatin. Tirana urbane ka nevojë për shërbimet që i ofron ekosistemi dhe Tirana natyrore ka nevojë për shërbimet dhe aktivitetin ekonomik njerëzor. Tirana urbane është një gadishull që depërton nga veriu në kurorën e gjelbër të përfaqësuar nga masivet kodrinore të perëndimit dhe jugut, dhe vargmalet e lindjes dhe jug-lindjes. Kjo kurorë i jep Tiranës mushkrinë e gjelbër, peisazhin e mrekullueshëm, itineraret turistike të fundjavave të aventurës dhe ecjes në natyrë, dhe balancën e funksioneve jetësore. Pas ravijëzimit përfundimtar të zonave që do të klasifikohen si kurorë e gjelbër, asnjë ndërtim nuk do të lejohet në këtë hapësirë, ndërsa ajo do të jetë subjekt i programit të bashkisë për promovimin e turizmit në Tiranë. 6.2 Parqet e mëdha: Tirana ka nevojë për parqe periferike shumë-tematike, që ofrojnë shërbime sportive e rekreative për qytetarët, pa vendosur kosto të përjashtimit. Hapësirat aktuale janë të vogla për kërkesën e qytetarëve që sa vjen e rritet. Një park i ri që shtrihet nga kodrat e Saukut, përfshin kopshtin botanik dhe hapësirën e atij zoologjik, parkun e liqenit artificial, hapësirën e gjelbër të liqenit të Farkës dhe shkon deri në Surrel, do t`i ofronte Tiranës të gjithë hapësirën periferike të gjelbër dhe rekreative për të cilën qytetarët kanë nevojë. 6.3 Ballkoni i Dajtit: Dajti është perla e Tiranës por deri më sot kjo hapësirë natyrore ka qenë tejet e shkëputur nga realiteti i përditshëm i qytetit. Integrimi i Dajtit me qytetin lehtësohet nga teleferiku, por investimi për të ripërtërirë hapësirën natyrore të ballkonit të Dajtit dhe shtrirja e itinerareve të sigurta e të çertifikuara të ecjes së lirë në natyre drejt majës së malit është strategjia për të nisur realizimin e integrimit. 6.4 Bujqësi organike dhe urbane: luginat e Tiranës (Baldushku, Peza, Farka) dhe territoret e reja rurale kanë potencial për bujqësi organike. Ndërsa territori bujqësor i Tiranë është i vogël për bujqësi intensive, toka dhe mikroklimat mund të shfrytëzohen për të promovuar iniciativa të bujqësisë organike dhe asaj urbane nëpër periferitë me dendësi të ulëta ndërtimi. Ndërsa Tirana sot ushqehet nga importi, i ka të gjitha potencialet për t`u furnizuar nga tregjet e veta fshatare, të pastra dhe me produkte cilësore. 6.5 Rrjeti limfatik: Tirana ka një nëntokë të pasur me ujëra dhe konturohet nga amfiteatri i lumenjve të saj. “Rrjeti limfatik” është programi që synon rehabilitimin e lumenjve Erzen, Lana, Lumi i Tiranës, duke realizuar: kthimin e lumit nga një
5
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
barrierë fizike në një hapësirë natyrore e integrimit të qytetit dhe territorit; pastrimin e ujërave nëntokësore nga ndotja që lumenjtë përvetësojnë aktualisht nga sipërfaqet urbane; krijimin e korridoreve natyrore të tipit park dhe hapësira rekreative shumë-tematike; ndalimin e erozionit dhe rreziqeve që pasojnë prej tij; rigjenerimin e zonave ripariane.
QEVERISJE NË PARTNERITET Vizioni i Tiranës ka nevojë për nje qeverisje të modernizuar, të pajisur me mentalitet të ri dhe instrumente efiçiente e kreative. Tiranës i duhet një plan hapësinor strategjik për menaxhimin e territorit të saj të ri. Ky plan duhet të kapërcejë dobësitë dhe hendeqet e eksperiencave të deritanishme në planifikim në disa drejtime: • Së pari, do të jetë një plan për të gjithë territorin, urban-rural, bujqësor-natyror që përfaqëson bashkia e Tiranës. Si i tillë, ai duhet të konsiderojë në mënyrë të njëjtë si prioritetet ekonomike dhe ato sociale e të ekosistemit. • Duhet të jetë plan i interesave të qytetarëve dhe jo i grupeve të ngushta, në të kundërt pabarazitë ekonomike, mungesa e sigurisë civile dhe fryma antisociale do ta mbytin Tiranën. • Duhet të jetë një instrument i aftë të lëvizë lirshëm midis objektivave strategjike e vizionare dhe instrumenteve praktike të menaxhimit të tokës dhe garantimit të barazisë së trajtimit të pronarëve, qytetarëve dhe zhvilluesve.
6
Tirana për Qytetarët Një Platformë – Një Vizion Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit _________________________________________________________________________________
• •
Duhet të shoqërohet me një plan real dhe të zbatueshëm të investimeve kapitale, ambicioz dhe të dakordësuar mes aktorëve, përfshirë konsensusin mes nivelit qendror dhe lokal. Ky plan duhet të mbyllë përfundimisht epokën e mbajtjes peng të qytetit nga debati dhe retorika politike.
Për të hartuar planin dhe menaxhuar territorin dhe burimet e saj, Tiranës i nevojitet një sistem informacioni solid, i integruar, i bazuar në ligj, por i aftë të përshtatet dhe të kapërcejë vështirësitë burokratike e ligjore të momentit në lidhje me pronësinë, infrastrukturat, etj., në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetit dhe gjenerimit të të ardhurave. Tiranës i nevojitet të komunikojë 24 orë në ditë dhe çdo ditë të vitit me qytetarët e saj, përmes një sistemi me shumë alternativa – takime, forume, on-line, e-governance, etj. Me këtë qeverisje të hapur, jo vetëm rritet transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve, por nxiten qytetarët të jenë po kaq të përgjegjshëm në formulimin e kërkesave të tyre dhe në rolin e tyre për qytetin. Tiranës i nevojitet një sistem, protokoll dhe administratë efiçiente në grumbullimin e taksave dhe në ofrimin e shërbimeve. Ky sistem duhet të lidhë në mënyrë transparente shërbimin me çdo qindarkë të paguar nga qytetarët në taksa vendore. Administrata duhet të jetë e aftë të mirëpresë qytetarët dhe të ofrojë zgjidhje dhe përgjigje për të gjitha shqetësimet e tyre në kohë reale dhe pa vonesa. Qytetarët duhet të rifitojnë besimin e humbur tek bashkia e tyre; duhet të ndiejnë se një institucion i përgjegjshëm kujdeset për ta dhe sigurinë e cilësinë e jetës së tyre.
7