Vizitë e përfaqësisë së Federates Panshqiptare “Vatra” në AIDSSH Më 21 prill 2021, një përfaqësi së Federatës Panshqiptare “Vatra” vizitoi Autoritetin për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kryetari i “Vatrës”, z. Elmi Berisha, znj. Nazo Veliu, sekretare e shoqatës, Dr. Pashko Camaj, z. Mondi Rakaj, z. Anton Raja dhe z. Adriatik Spahiu, anëtarë të kryesisë, u njohën me veprimtarinë e Autoritetit, shtyllat ku mbështetet puna e institucionit dhe sfidat e përditshme. Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula dhe ekipi bënë një pasqyrë të zgjeruar të aktivitetit të AIDSSH, që nga kërkesat individuale, studimore dhe institucionale, te projektet aktuale që institucioni koordinon në bashkëpunim me partnerë dhe përballja me të shkuarën, me të gjitha aspektet e saj që ndikojnë të sotmen e të ardhmen tonë. Në takim, znj. Sula e vuri theksin edhe në çështjen e mijëra të zhdukurve me forcë në komunizëm dhe veprimtarinë e AIDSSH për qartësimin e fatit të tyre. Përtej hapave konkretë në këtë drejtim dhe projekteve të ndërmarra, po koordinohet me institucionet që të lehtësohet procesi i kërkimit, identifikimit dhe zhvarrimit të viktimave dhe bashkërendohet puna e gjithsecilit. AIDSSH dhe “Vatra” bashkëpunojnë që kur institucioni u krijua, bashkëpunim që është konsoliduar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit në aktivitete të ndryshme të diasporës në SHBA, të organizuara nga “Vatra”. Po ashtu, zbatimi i projektit të dëshmive gojore mbi përndjekjen e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të realizuara në marrëveshje me Zërin e Amerikës.
87