2 minute read
1. Parathënie
Një sistem vlerash
Libri me dëshmi të familjarëve të të pagjeturve është i dyti në kolanën e AIDSSH me dëshmi të të mbijetuarve nga diktatura komuniste. Ai mbështetet mbi përvojën e botimit të parë, dëshmitë e të mbijetuarve të ish-kampit të internimit në Tepelenë, një përmbledhje me histori, personazhe, foto dhe artefakte, që ndikoi edhe debatin publik të hapur mbi këtë kamp. Vëllimi që keni në dorë është një ndër produktet e projektit AIDSSH-ICMP “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Qeveria e Zvicrës, dhe bëhet i mundur pas punës të bërë nga Autoriteti e partnerët, në përgjigje të kërkesave të familjarëve të të zhdukurve të komunizmit, për qartësimin e fatit të të afërmve të tyre, njohjen e rrethanave të vdekjes si dhe vendvarrimin të fshehtë apo të pashenjuar. Sipas përcaktimit të ligjit 45/2015, kemi regjistruar dëshmitë e tyre, mbledhur materiale vetjake, kujtime, objekte, në plotësim të dosjeve të të ekzekutuarve, me dhe pa gjyq, për ta sjellë historinë e atyre që ende sot nuk u dihet vendvarrimi, me të gjitha përmasat e saj. Prandaj ky libër sjell histori nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, që nga pasardhësit e firmëtarëve të Pavarësisë, tek ata të kryeministrave shqiptarë, te njerëzit e thjeshtë e njëherësh të mëdhenj, dinjitozë, të gjithë ende të pagjetur. Historitë e mbledhura në të gjithë Shqipërinë, 30 vjet pas rënies së komunizmit, janë unike, po aq sa të ngjashme. Familjarët dëshmojnë për të dashurit e tyre, me ngarkesën që sjellin vitet e gjata të kërkimit, me ankthin e mosgjetjes, me nevojën për ta treguar historinë e plotë dhe për t’i bërë të njohura edhe ato grimasa që të gjithë druhen se do të humbasin, bashkë me kujtimin e të dashurve që nuk u vënë dot një lule te varri. Disa prej të intervistuarve ndërruan jetë pak muaj pasi dhanë dëshminë për AIDSSH. Jo rrallë, është një fjalë e fundit, por sidoqoftë është një amanet për kthimin e të pagjeturve pranë familjeve të tyre. Është zëri që ngrihet për t’u dëgjuar, është sfidë konkrete me institucionet dhe shoqërinë që iu detyrohen për heshtjen e gjatë. Solzhenicini, në ceremoninë e pranimit të çmimit Nobel për paqe, thotë se “Bota, njerëzimi, nuk mund të ekzistojë përballë dy sistemeve të vlerave, sepse ne do të copëzoheshim nga kjo pabarazi ritmi, kjo pabarazi vibrimesh. Ashtu si një njeri me dy zemra nuk është për këtë botë, as ne nuk do të mund të jetonim kështu krah për krah, në një tokë.” Prandaj le të adoptojmë një sistem vlerash, atë të një bote të qytetëruar, ku garantohen të drejtat njerëzore, sepse kjo do të na lidhë më shumë me njëri-tjetrin. Le t’i njohim e të trajtojmë të drejtat e mohuara të pagjeturve dje dhe të familjarëve të tyre sot, duke u distancuar nga indoktrinimi, stigma e luftës së klasave dhe ideologjia, me zemër të hapur dhe pa nënvlerësuar asnjë rast. Dr. Gentiana Sula Kryetare e Autoritetit
Advertisement