6 minute read
Çështja e Kosovës në Kuvendin e Sh
Prof. Dr. Lush Culaj, Prishtinë
Çështja e Kosovës në Kuvendin e Shqipëris ë në vitët e para të funksionimit
Advertisement
Kuvendarët shqiptarë
Lajmet mbi politikën e dhunës të qeveritarëve serbë në Kosovë prekën thellë ndjenjat e popullit shqiptar në Shqipëri dhe shkaktuan një shpërthim të fuqishëm zemërimi. Në mbështetje të vëllezërve të tyre u ngritën dhe protestuan edhe deputetët e Kuvendit Shqiptar, që në atë kohë quhej Këshill Kombëtar1 .
Që ditën e hapjes së të parit Kuvend shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët (apo senatorët si quheshin atëherë) shprehën hidhërim të thellë, sepse dy pjesë të Shqipërisë , Kosova dhe Çamëria nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar.2 Sigurisht që vënia në dukje e kësaj mangësie ua kujtonte edhe njëherë atyre dhe gjithë shqiptarëve detyrën e vijimit të përpjekjeve për çlirimin e trojeve shqiptare.
Në Kuvendin Shqiptar vend të rëndësishëm do të kishte trajtimi i çështjes shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i vitit 1920 e kundroi problemin kombëtar në gjithanshmërinë e çështjeve, duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare. Mirëpo, në qoftë se në vitin 1920, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve politike që përmenden më lart, Kuvendit iu desh që ta përqendrojë vëmendjen më shumë në probleme të ndërtimit shtetëror, të çlirimit të krahinave të pushtuara dhe të dëbimit të okupatorëve të huaj, në vitin 1921 këto probleme ishin zbutur. Kjo i krijoi parakusht Kuvendit të vitit 1921 dhe 78 deputetëve të tij të përqendroheshin më shumë te problemi kombëtar. Këshilli Kombëtar në pjesën e parë të prillit të vitit 1921 diskutoi mbi mizoritë që po i bëheshin popullit shqiptar të Kosovës. Me këtë rast deputeti Rexhep Mitrovica theksoi: "Parlamenti i prekun prej mizorinave që po i bahen popullit shqiptar jashtë kufijve tonë, kërkon që t'iu lutet me telegram të gjithë shteteve, që të marrin masat e nevojshme për të marrunit fund të këtyne mizorinave".3 Ai do të kërkojë që të dërgohet një delegacion i Kuvendit në Kuvëndet e shteteve të mëdha për të kërkuar të drejta për shqiptarët. Për deputetin Luigj Gurakuqi mizoritë që po bëheshin mbi vëllezërit kosovarë mbulonin me zi zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj pajtohet me mendimin e kolegëve për dërgimin e një grupi të Kuvendit në Evropë për t’u ankuar. 4 Deputeti Sejfi Vllamasi shprehu mendimin se asnjë shqiptar nuk mund t'i durojë më këto mizori, andaj kërkoi nga Qeveria që të ndërmerren masat e nevojshme për mbrojtje të vëllezërve të mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, që është komfor parimeve të Lidhjes së Kombeve.5
Shkaqet pse Qeveria shqiptare nuk mund të ishte aq këmbëngulëse në mbrojtjen e vëllezërve jashtë kufijve, deputeti Mustafa Kruja i shihte në shkaqet që Shqipëria nuk ishte ende e njohur ndërkombëtarisht. 6 Në diskutimin e vet, deputeti Gjergj Fishta mbështet angazhimin për mbrojtjen e vëllezërve të Kosovës. Në mbledhjen e Kuvendit të datës 14 maj 1921, Hasan Prishtina kërkoi nga Kuvendi që t'i sugjerojë Qeverisë që të përkujdeset për shqiptarët që ndodheshin jashtë Shqipërisë.7
1 Parlamenti në kuptimin e vet etimologjik nënkupton institucionin politik në të cilin shqyrtohen apo diskutohen çështjet e ndryshme. Emërtimi i tij rrjedh nga fjala latine parlare, që nënkupton të folurit apo diskutimin. Në kuptimin politik parlamenti nënkupton trupin përfaqësues politik, i cili ushtron funksionin ligjdhënës si një nga shtyllat kryesore të qeverisë së pushtetit shtetëror. Arsim Bajrami,
“Teoria dhe praktika parlamentare”, Prishtinë, 1997, fq.79. 2 Hysen Kordha, “Pikëpamjet e deputetëve të Tiranës në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe të qytetarëve tiranas për çështjen kombëtare shqiptare gjatë periudhës 1920-1924” , dorëshkrim, fq. 2. 32
3 Bisedimët e Këshillit Kombëtar në vijim
BKK, prill 1921, fq. 162. 4 Po aty. 5 BKK, prill 1921, fq. 167. 6 BKK, prill 1921, fq. 170. 7 BKK, 14 maj, 1921 fq. 40.
Mendimi i Ali Këlcyrës ishte që Shqipëria duhet t'i tregonte botës se interesohej dhe i donte shqiptarët e Kosovës dhe Çamërisë.8Kjo do ta mbante lart moralin e këtyre dy krahinave.
Në mbrojtje të këtyre trevave të okupuara doli sërish Hasan Prishtina më 25 maj 1921, duke kërkuar përkujdesje për shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë.9 Me atë rast Hasan Prishtina theksoi: "Me qenë se Imzot Noli po shkon në Lidhjen e Kombeve duhet ta ketë gjithnjë në kujdes çështjen e pakicës."10 Është karakteristike që deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake, ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi kombëtar, bashkoheshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus të plotë. Në këtë rast ata i bashkonte ndjenja kombëtare, që ishte e fuqishme dhe vepruese në ndërgjegjen politike e kombëtare të tyre.
Në mbledhjen e 23-të të Këshillit Kombëtar, më 18 qershor 1921, deputeti i Durrësit, Jusuf Banka, foli për mizoritë që po i bëheshin popullit në Kosovë. Ai u mbështet nga Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja etj.11 Propozimi i deputetit Banka u mbështet nga Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja si dhe deputetë të tjerë. Të gjithë u dakorduan që t'u dërgohej një telegram Fuqive të Mëdha evropiane dhe SHBAsë.12 U mor vendim që telegram t'i dërgohej edhe Kuvendit Jugosllav.
Kuvendi përpiqej që Fuqitë e Mëdha ta ndienin përgjegjësinë për t'i tërhequr vërejtjen Qeverisë së Beogradit për ta ndaluar me gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre. Ishte hera e parë në historinë e popullit shqiptar që përfaqësuesit legjitimë të organit më të lartë të ndërmarrin akt dhe veprim politik të drejtpërdrejtë, duke komunikuar direkt me Kuvendin e Mbretërisë Serbo-KroatoSllovene. Si zakonisht, Beogradi nuk përfillte kërkesa të tilla.
Përpjekjet e pareshtura të delegacionit qeveritar gjatë qëndrimit tremujor në Lidhjen e Kombeve kishin të bënin me largimin e forcave ushtarake jugosllave nga territori i Shqipërisë së vitit 1913, si dhe me përpjekjet për ta detyruar Lidhjen e Kombeve që të ndërhyjë në mbrojtje të popullit të Kosovës, duke e gjykuar ashpër politikën gjenocidiale serbe.13 Për dallim nga vitet 1920-1921, vitet 1922-1923 sollën veçori të reja në luftën kuvendare për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Nëse në vitet 1920 dhe 1921 Parlamenti u angazhua vetëm me protesta drejtuar kuvendeve të botës së qytetëruar, në vitet në vijim, falë favorizimit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të shtetit shqiptar, u krijuan mundësi të reja për ta rritur nivelin e përpjekjeve në favor të sigurimit të rezultateve më të favorshme.
Ministri i Punëve të Jashtme, Iljaz Vrioni, raportoi mbi protestat qeveritare që ishin bërë dhe që bëheshin në mbrojtje të të dy çështjeve, si të Kosovës ashtu edhe të Çamërisë.14 Në emër të kosovarëve të robëruar, deputeti Niman Ferizi i lutet Qeverisë shqiptare për dy gjëra: 1) Të kërkohet nga Qeveria jugosllave që t'i lirojë shkollat shqipe në Kosovë, sikurse i ka liruar Shqipëria në Shkodër e në Vrrakë dhe 2) Të ndërrohet përfaqësuesi i Shqipërisë që ishte në Beograd dhe të hapen konsullata në Prizren e Shkup. 15 Përpjekjet për mbrojtjen e shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi si dhe qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Megjithatë, Luigj Gurakuqi do të theksonte: "Rëndësia e Shqipërisë në politikën e Jashtme është aq tepër e vogël sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t'u bëjmë".16
8 BKK, 14 maj 1921 fq. 41. 9 BKK, 25 maj, 1921 fq. ,60. 10 Po aty. 11 AQSH fondi 246, dosja 43, fq. 6, viti 1921, BKK 18 qershor 1921, fq. 78; Kaliopi Naska, Çeshtja e Kosovës në Parlamentin shqiptar të vitit 1921, në librin Çeshtja e
Kosovës një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, fq. 155. 12 BKK 18 qershor 1921, Kaliopi Naska, pun. cit. fq. 155. 13 Po aty. 14 Po aty, fq. 624-625. 15 Lush Culaj, Shqipëria dhe problemi kombëtar 1918-1928, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2004, fq. 162. 16 Romeo Gurakuqi - Tomi Treska, “Konceptet politiko-juridike të Luigj Gurakuqit mbi shtetin”, “Shkodra në shekuj”, Vëllimi I,
Shkodër 1998, fq. 206.