Intervistoi: Diana Bunjaku Bota sot: Si i shihni zhvillimet e fundit, që ndodhën në Kumanovë? Kumanova është maja e Ajsbergut e gjithë asaj piramide dështimi politik dhe marrëdhëniesh etnike me prapavijë sjelljen etnocentrike të qeverisë Gruevski që nga ardhja e tij në pushtet. Rasti i Kumanovës i tregoi opinionit vendas e ndërkombëtar përdorimin e dyshimtë dhe brutal të forcave të sigurisë. Bota sot: Si do ta kualifikonit ju aksionin dhe kush mund të ketë qenë prapa kësaj? Ne ende nuk kemi një adresë të saktë. Nëse është fjala për aksionin e policisë dhe forcave të tjera të sigurisë së Maqedonisë, kuptohet se formalisht drejtuesi i saj ishte ish-Ministrja e Brendshme Jankullovska. Ajo, së bashku me shefin e sigurisë, Mijallkov dhanë dorëheqje duke lënë pas mjegullën e administrimit të kësaj ngjarjeje dhe unë kërkoj edhe një herë një hetim ndërkombëtar të pavarur. Ndërsa përsa i përket pretendimit të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë mbi ekzistencën e një grupi të armatosur, që kërkonte destabilizimin e Maqedonisë, kjo duhet hetuar po ashtu nga agjensitë e specializuara ndërkombëtare. Deri më tani, theksoj se as NATO, as BE dhe as SHBA nuk i ka cilësuar ata si “grup terrorist”, prandaj sa më parë të zbardhet ngjarja në Kumanovë, aq më i lehtë do të jetë dialogu politik për daljen nga kriza. Natyrisht, kjo ngjarje ka vënë në vështirësi marrëdhëniet mes Shkupit e Prishtinës, njëjtë si në ngjarjen e Smillkovcit ku u pretendua se kishte persona nga Kosova të involvuar. Prandaj insistoj që një palë e tretë, pra faktori ndërkombëtar të hetojë dhe zbardhë ngjarjen e Kumanovës nga gjitha këndvështrimet. Bota sot: Personalisht, mendoni se ka qenë i rastësishëm apo jo ky aksion i armatosur? E thashë edhe më lart se është një ngjarje shumë e komplikuar, ndërsa sjellja e shtetit ndaj civilëve të pafajshëm ka qenë indinjues. Ata janë lënë në mëshirë të fatit, në mes të kryqëzimit të plumbave të të gjitha llojeve të armeve dhe më pas janë keqtrajtuar nëpër ambientet e policisë. Edhe persona invalidë janë keqtrajtuar. Kjo, mendoj duhet hetuar dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi, përfshi edhe patericën e Gruevskit, BDI dhe liderin e saj, Ali Ahmeti, të cilët për tre ditë me radhë u fshehën nga sytë e popullit.
Bota sot: Pavarësisht këtyre njerëzve të armatosur, a kanë mundur t’i shmangen forcat maqedonase një sulmi brutal mbi shtëpitë e shqiptarëve, nisur nga fakti që grupi i armatosur është dorëzuar? Të gjitha të dhënat e deritanishme, dëshmitë e banorëve të zonës dhe personaliteteve të tjera, përfshi edhe deklaratat e kreut të BDI-së, zotit Ahmeti, tregojnë se kjo ngjarje e dhimbshme ka patur të gjitha mundësitë për t’u shmangur. Po ashtu, BDI me përfaqësuesit e saj në strukturat e shtetit dhe të sigurisë, ka mundur të jetë parandaluese e kësaj ngjarje të rëndë për shqiptarët. Bota sot: Si e trajtoni sulmin e forcave maqedonase kundër Grupit të UÇK-së dhe faktin që sulmi u ndërmor brenda një lagjeje të populluar, duke mos anashkaluar as civilët? Aksioni i policisë, në pjesën më të madhe të tij u zhvillua në dhunim të konventave ndërkombëtare mbi të drejtat e civilëve. Përsa i përket ballafaqimit me armë me personat e armatosur, kjo mbetet një mister që hetimi ndërkombëtar do ta zbardhë. Kumanova është rast i vecantë, ku policia ndërhyn pa paralajmërim në një lagje ku civilët janë në gjumë dhe ndërmerr një sulm me të gjitha llojet e armëve. Për t’ju kujtuar, shumica e vendeve demokratike, në raste kur kanë të dhëna për objektiva që duhet t’i godasin apo t’i arrestojnë, bashkëpunojnë me popullatën, e informojnë atë dhe në rastin më të keq, mbrojnë civilët dhe vazhdojnë ndjekjen në lokacione të tjera, me qëllim ruajtjen e civilëve nga dëmtimet e cfarëdolloji. Gruevski-Ahmeti, pritën të reagojnë derisa lagjja shqiptare u shkatërrua plotësisht.... Bota sot: Cilat janë rreziqet më të mëdha në Maqedoni? Rreziku më i madh që kërcënon të ardhmen e Maqedonisë është projekti tashmë i njohur i Gruevskit për një Maqedoni pa shqiptarë. Mjafton të kujtojmë këtu zbatimin e projektit “Shkupi 2014”, “Enciklopedinë maqedone” që fyen shqiptarët dhe i cilëson ata ardhacakë, mosregjistrimin e popullsisë, rastet e njëpasnjëshme të dhunshme ndaj shqiptarëve si rrahjet e të rinjve shqiptar në Shkup nga policia civile, shpërnguljet e shqiptarëve nga lagjet e Shkupit si rasti i Radishanit, vrasjet enigmatike të ish-ushtarëve të UÇK-së etj, të gjitha këto së bashku me bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE përbëjnë rrezik për të ardhmen e Maqedonisë. Sa më gjatë të qëndrojë në pushtet dyshja Gruevski-Ahmeti, aq më thellë futet në krizë dhe qorrsokak Maqedonia.
Bota sot: Ku e shihni tani e tutje rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni? Faktori politik shqiptar deri më tani ka qenë spektator në gjitha këto zhvillime regresive ndaj shqiptarëve. Me rastin e Kumanovës, definitivisht, ky faktor ka humbur besueshmërinë për të përfaqësuar shqiptarët. Madje edhe në rastin e fundit në takimin me Kryeministrin Rama dhe Kryeparlamentarin Meta, fatkeqësisht nuk dolën me një qëndrim unik për të ardhmen e shqiptarëve dhe të Maqedonisë. Sot është momenti më shumë se kurrë që intelektualët e guximshëm dhe qytetarët me vetëdije të lartë kombëtare, të bashkohen për të cuar përpara të drejtat e shqiptarëve. Bota sot: Në rrethanat aktuale çfarë mund t’i pres e ardhmja faktorët politik shqiptarë. Do të jenë më të konsoliduar apo më të përçarë nga gjithë ky skenar? Ajo cfarë ndodhi me skenarin e Kumanovës, dëshmoi se dy partitë e vjetra BDI e PDSH janë besnike të politikave personale të Nikolla Gruevskit. Ajo që duhet të ndodhë tani e tutje është që opozita e re shqiptare në Maqedoni duhet të konfirmohet sa më parë dhe unë pres që dy Universitetet tona në Tetovë të luajnë një rol të rëndësishëm. Koha është që rinia studentore të bëjë ndryshimin e pritshëm! Bota sot: Si shihni përkrahjen e protestave nga ana e shqiptarëve pa ndonjë adresë, në kuptimin që në to nuk po marrin pjesë asnjë nga subjektet politike shqiptare? Në protestën e fundit të opozitës maqedonase të LSDM-së kishte shqiptar, por jo përfaqësues politik. Kjo ka ardhur për faktin se shqiptarët ende janë të lënduar nga ajo cfarë ndodhi në Kumanovë dhe nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë janë në dilemë; të vazhdojnë të mbështesin Gruevskin, Zaevin apo popullin e tyre. Mendoj se shqiptarët kanë nevojë të organizojnë vetë një protestë të madhe kundër BDI e PDSH, për t’u treguar zhgënjimin e tyre gjatë këtyre viteve. Bota sot: Besoni se pas skandaleve me përgjime, autoritetet maqedonase duhet të lirojnë shqiptarët e arrestuar të pafajshëm si për rastin Monstra, Sopoti etj? Përgjimet vërtetuan pikë së pari objeksionet dhe vërejtjet ligjore që avokatët kanë paraqitur për këto raste. Po ashtu këto përgjime dëshmuan prapavijën politike të drejtësisë në Maqedoni. Vihet re se 90 për qind e përgjimeve kanë qenë sharje e fyerje ndaj shqiptarëve (përfshi edhe përfaqësusit tonë politik e institucional) dhe vetëm 10 për qind kanë qenë për aferat korruptive mes ministrave të Gruevskit apo për vjedhjen e zgjedhjeve, që ai ka bërë me ndihmën e shërbimit sekret dhe policisë.
Personalisht propozoj që të ketë amnisti për të gjitha rastet ku shqiptarët janë denuar pa prova. Bota sot: Si i vlerësoni protestat e përbashkëta? Protestat e përbashkëta ndihmojnë në afrimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, për aq kohë sa ata nuk përdoren për interesa të ngushta partiake. Bota sot: A duhet t'i besohet aq shume Zaevit, apo a do te kishte qenë më mirë një marrëveshje paraprake dhe kush duhet ta bëjë atë marrëveshje. Dy forcat politike nuk kanë mbështetur zyrtarisht protestat? Zaev është një lider që ka para vetës shumë sfida. Një ndër to është sjellja e tij e ardhshme me shqiptarët si faktor paqe, stabiliteti dhe shtetformimi në Maqedoni. Mendoj se marrëdhëniet me të nuk duhen parë nga raportet personale, por nga platforma që ai do të ofrojë për të gjitha ato cështje që Gruevski ka vepruar gabim. Këtu është fjala për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, hetimin e rasteve të montuara, dënimin e korrupsionit edhe tek përfaqësusit shqiptarë, ofrimin e investimeve në zonën me shumicë shqiptare dhe të drejta të tjera që lidhen me një Maqedoni europiane, ku shqiptarët e maqedonët janë faktor kryesor për të ardhmen e saj. Bota sot: Si e parashikon epilogun e protestave dhe mos arritjen e marrëveshjes së katër liderëve politik? Personalisht mendoj se protestat do të vazhdojnë derisa kjo qeveri të largohet. Uroj që të mos ketë konfrontime, sic po kërkon të bëjë Gruevski, i cili me antimitingjet e tij synon trembjen e opozitës dhe popullit opozitar në Maqedoni. Liderët do të dakordohen një ditë për një qeveri kalimtare, zgjedhje të parakohshme dhe qeverisje legjitime me lehtësimin e ndërkombëtarëve.