Ligjërimi mbi LGBT - Raport monitorimi mbi programet politike të partive në zgjedhjet e vitit 2017

Page 1

Nisma Mendo Politikisht u zbatua nga organizatat “Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT” dhe “Të Bashkuar Pro Kauzës LGBT” (ProLGBT).


1. Parathënie

Eshtë koha të debatojmë Të dashur miq dhe ju qe nuk na keni kuptuar, Kur ne vendosëm që të bënim një hap konkret, publik dhe të guximshëm, në kulmin e klimës së ashpër të politikës shqiptare, e gjetëm veten në një situatë të parrahur më parë nga lëvizja jonë. Por gjetëm të papërgatitur, ama, edhe vetë politikën shqiptare! Brenda 4 muajve (nga marsi deri në qershor 2013) jo vetëm që ndihmuam lëvizjen tonë të rritet, e mësuam gjëra të reja, praktike dhe të domosdoshme në kuptimin si funksionon politik-bërja në këtë vend, por, - për fatin e mirë të të gjithëve, - besojmë se kemi ndihmuar në një mënyrë modeste që edhe politika shqiptare të rritet si edhe ne. Kuptuam ama, se koha e njerëzve të papërgatitur, përfshirë ne vetë, politikanët dhe gjithë shoqërinë, mund të jetë një status quo që e tillë mund të qëndrojë edhe për dhjetëra vite të tjera. Dhe besuam se mund të bëhemi bashkë, 2, 10, 100 njerëz, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor e mund ta fillojmë, tani, jo më vonë, sot, jo nesër, këtë vit dhe jo pas 10 vjetësh, një debat që të përfshijë në të komunitetin LGBT, shoqërinë shqiptare dhe politikën me një synim që ndërton dhe i përmirëson gjërat, e jo shkatërron; me vizionin që shpjegon, informon dhe ndihmon shoqërinë në edukim dhe jo që ushqen status-quo-në; me bindjen se emancipimi i ne të gjithëve është diçka që mund të fillojë sot, e për pasojë ne të gjithë mund të fillojmë po sot të ëndërrojmë të nesërmen tonë. Testi i parë, i vështirë, ishte të thyenim akullin brenda strukturave të partive politike. Për ne personalisht ishte arritje kur një ditë me zagushi, në mes të orëve të ngarkuara të mesditës, një grup që hartonte programin e FRD-së na priti në zyrë! Kishim monitoruar me vëmendje çdo dokument programor të asaj partie dhe të disa forcave të tjera politike. Në fillim përmes faqeve online, pastaj përmes ndjekjes së vëmendshme të retorikës së tyre. Qëllimi ishte që të gjenim në këtë klimë të acaruar të retorikës elektorale, dyer, dritare, apo çdo hapësirë tjetër përmes së cilës të ndërtonim ura komunikimi me politikën. Atë ditë në zyrën e FRD kemi debatuar jo pak, por dolëm me bindjen, se po, ka mënyra dhe rrugë ku ne mund të shkelim me krenari, me kokën lart e me dinjitet e se në po këto rrugë, të pa eksploruara, mundet, për të parën herë në historinë e këtij vendi, të kemi përkrah edhe përfaqësuesit e popullit në Kuvend! Pastaj mësuam ditë pas dite se duke qenë një rrugë e pashkelur më parë, edhe partitë politike, si edhe ne vetë, kanë nevojë për një ndriçues, për atë hapin e parë që jo vetëm e thyen akullin e indiferencës, por që nis edhe të notojë në ujëra, pavarësisht se vazhdojnë të jenë të ftohta. Kemi dashur të jemi korrektë dhe profesionalë gjatë kohës kur bashkërisht kemi prekur këtë ftohtësi, apo dhe kur ishim dëshmitarë të thyerjeve të para të akullit. Në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, në zyrën e kryeministrit, nuk kishim me vete asnjë mjet për të dokumentuar ato 25 minuta që u thanë në të, veç një celulari smartphone dhe entuziazmit të përmbajtur. Për të qenë profesionalë, na u desh minimalisht ta dokumentonim përmes një fotoje nga celulari atë takim! Pritëm pastaj që zyra e shtypit në Kryeministri të mund të zbardhte minutat e takimit. Gjë që nuk u bë. Menduam, me të drejtë, se takimi në fjalë kishte qenë takim jo vetëm me kryeministrin, por sidomos me kryetarin e


PD-së e vetëm kur u siguruam se në këtë rrugë të pashkelur, “barra” por edhe detyra e të qenit transparentë na binte neve, vetëm atëherë publikuam minutat e atij takimi dhe e bëmë me shumë entuziazëm dhe duke respektuar të gjithë të vërtetën. Akulli ishte thyer, por puna e vërtetë sapo kishte filluar. Inkurajimi më i madh erdhi menjëherë përmes reagimit të komunitetit LGBT. Dhjetëra të rinj nuk u mjaftuan me një foto dhe as nuk u nisën nga një foto për t’u pozicionuar në llogore partiake. Me të drejtë nisi një debat brenda komunitetit, edhe virtualisht përmes mjeteve online të komunikimit por edhe konkretisht. Dhe debati ishte për çështjet, jo për fotot e as për aktin e takimeve tona personalisht me liderët politikë. Në sondazhin tonë shumë të thjeshtë me pyetjen: Nëse një parti mbështet LGBT, do e votonit, 68 për qind e pjesëtarëve të komunitetit që morën pjesë online, u përgjigjën Po, rreth 15 për qind thanë se votojnë për të tjera arsye, rreth 5 për qind u përgjigjën jo dhe pjesa tjetër deklaruan se nuk do të votojnë. Kur ky debat, për çështjet, për çështje parimore, ziente mes komunitetit patëm konfirmimin se kryetari i opozitës z. Edi Rama do të na takonte. Ishte mënyra më e mirë që ne të flisnim hapur me të. Duhet të jemi të sinqertë: ishte dhe një lehtësim për ne, sidomos për të vendosur rregulla të barabarta “loje” për një proces të sinqertë debati. Çfarë mbështet PS-ja dhe deri ku shkon “vija e kuqe”, kjo është ende një çështje në vijim. Pyetjes të tipit Berisha apo Rama, PD apo PS, ne kemi vendosur t’i përgjigjemi me një mënyrë shumë të thjeshtë, por edhe të sinqertë: Ky nuk është ekuacion, e ne të gjithë që luftojmë për të drejtat e njeriut nuk jemi e as nuk do të jemi ndonjëherë pjesë e ndonjë ekuacioni politik. Ne ama, mund të jemi një urë ku politikanët e këtij vendi të gjejnë tek ne mënyrën për të komunikuar me zgjedhësit e tyre. Përtej urës, secili do të vendosë, pasi të jetë bërë pjesë e debatit dhe e një procesi që e lehtëson dhe nuk e vështirëson komunikimin. Dhe në fund të fundit ky është një debat që do të kulmojë nga vetë LGBT, me emër apo pa emër, me foto ose jo, por me përgjegjësinë e votës qytetare. Premtimet e partive kryesore shqiptare për çështjet LGBT, ju do të keni mundësi t’i lexoni dhe studioni vetë në këtë raport të parë. Nëse kjo nismë e përbashkët e jona ka arritur diçka, ajo ka të bëjë sidomos me faktin që më në fund mund të kemi kurajën, guximin, por edhe lëndën e parë mbi të cilën komuniteti LGBT i pari, politikanët e dyta dhe e gjithë shoqëria mund të debatojnë. Tashmë jemi të gjithë në sofrën e debatit, me rregulla të qarta të këtij debate, rregulla që respektojnë më së miri traditën e vendit tonë për të respektuar mendimin e tjetrit, por edhe traditën evropiane me të cilën duam të njësohemi. Le të fillojmë ta bëjmë paqësisht këtë debat. Kristi Pinderi

Xheni Karaj

“Besuam se mund të bëhemi bashkë, 2, 10, 100 njerëz, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor e mund ta fillojmë, tani, jo më vonë, sot, jo nesër, këtë vit dhe jo pas 10 vjetësh, një debat që të përfshijë në të komunitetin LGBT, shoqërinë shqiptare dhe politikën me një synim që ndërton dhe i përmirëson gjërat, e jo shkatërron; me vizionin që shpjegon, informon dhe ndihmon shoqërinë në edukim dhe jo që ushqen status-quo-në; me bindjen se emancipimi i ne të gjithëve është diçka që mund të fillojë sot, e për pasojë ne të gjithë mund të fillojmë po sot të ëndërrojmë të nesërmen tonë”.


2. Çfarë bëmë, çfarë pamë, çfarë u tha? Në këtë studim kemi identifikuar se cila prej partive ka përfshirë në programin e vet politik çështje të të drejtave të njeriut dhe më specifikisht çështjet të personave LGBT si edhe mënyrën sesi janë trajtuar këto tema Një numër gjithnjë e në rritje organizatash advokimi po punojnë që të sfidojë mitet dhe paragjykimet ndaj personave LGBT. Ky studim vjen në kuadër të përpjekjeve për të krijuar një ambient politik e mediatik më mbështetës ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të personave LGBT në veçanti. Mbi të gjitha, përfaqësimet mediatike të personave të ndryshëm kanë efekte të rëndësishme. Shumë studime tregojnë se përshkrimet në media, veçanërisht portretet e shtrembëruara ndikojnë realisht jetët e personave të caktuar në varësi të perceptimit publik1 . Botimi që keni në duar është një projekt pilot, qëllimi i të cilit është të dokumentojë për herë të parë qëndrimet dhe reagimet e partive politike shqiptare në lidhje me çështjet LGBT, duke synuar në të njëjtën kohë sjelljen e këtyre çështjeve në vëmendjen e politikanëve shqiptarë. Kështu, studimi përpiqet t’i përgjigjet dy pyetjeve kryesore; cila nga partitë politike ka përfshirë në programin e vet çështje të të drejtave të njeriut (me fokus kryesisht LGBT) si edhe si janë trajtuar këto çështje. Duke marrë shkas nga studime të mëparshme që kanë vënë në dukje krizën e përfaqësimit të partive politike në Shqipëri2 dhe duke mbajtur parasysh që viti 2013 është vit elektoral, ne shpresojmë që kjo nismë t’i shtyjë partitë politike të rrisin procesin e llogaridhënies sidomos ndaj grupeve të margjinalizuara. Në të njëjtën kohë, ky studim duke u përqendruar kryesisht në problematika të rëndësishme të komunitetit LGBT si votues të mundshëm, do ta nxisë komunitetin të mendojë politikisht e të marrë pjesë më aktivisht në proceset vendimmarrëse. Gjithashtu ne shpresojmë që kjo nismë të shërbejë si shtysë e mëtejshme për analizimin, avancimin dhe rritjen e llogaridhënies së politikanëve për problematika të të drejtave të njeriut. Në këtë studim kemi identifikuar se cila prej partive ka përfshirë në programin e vet politik çështje të të drejtave të njeriut dhe më specifikisht çështjet të personave LGBT si edhe mënyrën sesi janë trajtuar këto tema. Për ta bërë këtë, për rreth dy muaj kemi monitoruar programet e partive politike, deklaratat e tyre në media si edhe kemi realizuar takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të këtyre partive. Për më tepër kemi monitoruar edhe median e shkruar dhe atë elektronike për të parë sesi trajtohen në media deklaratat politike në lidhje me këto çështje. Gjetjet e monitorimit tonë ishin gjithsesi të pritshme. Partitë politike të monitoruara kanë të përfshira fare pak në programet e tyre elektorale çështje të të drejtave të njeriut, duke mos i trajtuar thuajse aspak çështjet LGBT. Edhe në rastet kur këto tema janë të pranishme në programet politike, përqasja ndaj tyre është diskriminuese e deri kriminalizuese (si në rastin e Partisë Lëvizja e Legalitetit apo Partise Republikane). Megjithëse jo të përfshira gjërësisht në programet e dy partive më të mëdha Partisë Demokratike e asaj Socialiste, krerët e këtyre forceve politike i kanë adresuar duke shprehur mbështetjen e tyre për çështjet LGBT gjatë

1 Dong, Q., & Murrillo, A.P. (2007). The Impact of Television Viewing on Young Adults’ Stereotypes Towards Hispanic Americans. Human Communication, 10 (1), 33-44; Entman, R.M., & Gross, K.A. (2008). Race to Judgment: Stereotyping Media and Criminal Defendants. Law and Contemporary Problems, 71 (93), 94-133 2 Kajsiu, Blendi. "Vdekje Politikës, Liri Popullit! Kriza E Përfaqësimit Në Shqipëri." Polis Journal of the Faculty of Social Sciences, European University of Tirana, no. 5 (2008): 5-26.


takimeve zyrtare me drejtuesit e Aleancës kundër Diskriminimit LGBT dhe Te Bashkuar Pro LGBT. Gjatë monitorimit të medias u vu re se kur media raporton mbi çështjet LGBT, ajo përqendrohet kryesisht në temën e martesave mes së njëjtës gjini, duke anashkaluar tema të tjera më të rëndësishme për komunitetin. Dihet tashmë që mënyra sesi media paraqet një çështje të caktuar (në varësi se cilët elemente theksohen) influencon reagimet e njerëzve lidhur me këtë çështje3. Në këtë mënyrë, duke u fokusuar kryesisht në temën e martesave mes personave të së njëjtën gjini, media ngushton hapësirat për një debat të shëndetshëm rreth çështjeve LGBT. Për më tepër, problematikat LGBT në të shumtën e kohës trajtohen nga këndvështrime partiake e jo nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.

PLL dhe PR kërkojnë kriminalizimin e homoseksualizmit. Partia Lëvizja për Legalitet (PLL) në programin e saj publik, në kapitullin “Politika sociale”, në nënkapitullin për Familjen thekson sa më poshtë: “PLL mendon se nuk duhet lejuar që ligji shqiptar të njohë homoseksualitetin dhe abortin”.

Partia Republikane në kapitullin për Shëndetësinë dhe Ekologjinë, në pikën C të këtij kapitulli kërkon: “Ndalimi me ligj i homoseksualizmit si permbysje e senseve te natyres njerezore dhe i cdo propagande ne favor te perhapjes se drogimeve te ndryshme”.

3

Franklin D. Gilliam Jr. and Shanto Iyengar, "Prime Suspects: The Influence of ... the Viewing Public," American Journal of Political Science 44(3) (2000): 560-73;


3. Metodologjia Ky monitorim është bazuar në mbledhjen e të dhënave përmes monitorimit të programeve të partive politike, mediave me qarkullim më të madh në vend, diskutimeve në forume e sondazhe publike online si edhe nëpërmjet takimeve me aktorët politikë në vend. Materialet e monitoruara janë lehtësisht të aksesueshme online. Është vëzhguar një kampion prej 356 artikujsh nga media e printuar dhe ajo elektronike si edhe programet e partive politike. Këto artikuj janë analizuar në bazë të fjalëve kyç si për shembull: gay, lezbike, homoseksualitet, martesa gay, martesa brenda së njëjtë gjini, trasngjinor, biseksual, heteroseksual, homofobi, anti-gay në të gjitha format e lakimit të tyre. Monitorimi i mediave është kryer në periudhën parazgjedhore, pra kohën gjatë fushatës elektorale (e cila duhet thënë se në mënyrë jozyrtare filloi që në mars). Si projekt pilot, ne shpresojmë që ky botim të shërbejë si shtysë për hulumtime të ngjashme si edhe të shërbejë për ta ngritur debatin rreth çështjeve LGBT në nivele më akademike.

“Një shtysë për punë akademike” Si projekt pilot, ne shpresojmë që ky botim të shërbejë si shtysë për hulumtime të ngjashme si edhe të shërbejë për ta ngritur debatin rreth çështjeve LGBT në nivele më akademike.


4. Monitorimi i gazetave Gjatë periudhës së implementimit të projektit dy grupe prej gjashtë personash secili kanë monitoruar shtypin e shkruar, gazetat Shekulli, Shqip, Gazeta Shqiptare, Panorama, Koha Jonë, Mapo, Shqiptarja.com, Rilindja Demokratike, Zëri i Popullit, Standard si edhe revistat Fenix e Java. Gjithashtu është monitoruar dhe media online si Respublika.al, gazeta tema.net të gjitha versionet online të gazetave të printuara, peshkupaujë.com. balkanweb.com, noa.al, ama-news.al. Në monitorim janë përfshirë dhe televizionet si A1 Report, Tv Klan, Top Channel, Ora News, Channel 1, News 24, UTV, Vizion Plus. Duke u nisur nga rezultatet e monitorimit mund të themi se çështjet e lidhura me LGBT dhe diskriminimin në përgjithësi janë mbuluar në media në formën e raportimeve me një gjuhë të zakonshme të kronikës së një lajmi. Pothuajse asnjë nga mediat e sipërpërmendura nuk ka në mënyrë të qartë një qëndrim të vetin në lidhje me çështjet e ngritura nga lëvizjet në mbrojtje të personave LGBT në Shqipëri. Media raporton lajme, ngjarje, aktivitete mbulon reagime apo edhe njoftime për shtyp në një mënyrë të distancuar dhe përgjithësisht të ekuilibruar përveç faqes respublika.al që në mënyrë të përsëritur ka bërë të ditur qëndrimin pro të drejtave të komunitetit LGBT, revistës Fenix e cila në numrin e datës 18 maj në kopertinën e vet aludon se Shqipëria është vendi i vetëm pa një opozitë intelektuale kundër kauzës LGBT. Fenix e pasqyron këtë numër ndër të tjera me një editorial me titullin: “Pushteti i homoseksualitetit” si edhe me një shkrim tjetër me titull “Shteti nuk mund të mbrojë një sjellje të pashëndetshme”. Përveç medias së sipërpërmendur duhet theksuar se në televizionet shqiptare ka emisione të ndryshme që kanë krijuar hapësira të lavdërueshme për aktivistët LGBT por këto emisione janë të pavarura nga linja editoriale e departamenteve të informacionit brenda vetë televizioneve ku shfaqen. Veçojmë si emisione dashamirëse për të promovuar respektin ndaj komunitetit LGBT : Top Shoë, Natë me Xhaxhiun, Mëngjes në Channel One, Zonë e Lirë, Tonight Ilva Tare. Media nuk ka një qëndrim të vetin, por thjesht raporton “Media raporton lajme, ngjarje, aktivitete mbulon reagime apo edhe njoftime për shtyp në një mënyrë të distancuar dhe përgjithësisht të ekuilibruar përveç faqes respublika.al që në mënyrë të përsëritur ka bërë të ditur qëndrimin pro të drejtave të komunitetit LGBT, revistës Fenix e cila në numrin e datës 18 maj në kopertinën e vet aludon se Shqipëria është vendi i vetëm pa një opozitë intelektuale kundër kauzës LGBT”

4.1. Elementi “konflikt” gjatë raportimit të çështjeve LGBT. Ajo çka kemi vëzhguar në lidhje me median shqiptare gjatë raportimit të çështjeve LGBT ka qenë tentativa në disa raste për të krijuar një element konflikti. Sidomos pas takimeve që përfaqësues të LGBT-së patën me kryetarin e PD-së z. Sali Berisha dhe Kryetarin e PS-së z. Edi Rama. Për shembull në raportimet e datës 22 prill të takimit të përfaqësuesve të LGBT-së me Z. Sali Berisha media në masë nënvizoi që në titull çështjen e martesave mes së njëjtës gjini ndërkohë që kjo çështje realisht nuk ishte ndër parësoret gjatë takimit me kryeministrin. Për më tepër që në njoftimin për shtyp të Aleancës kundër Diskriminimit LGBT dhe LGBT Pro nuk theksohet në asnjë rresht që kryeministri të jetë shprehur pro martesave gay, ndonëse njoftimi thotë shprehimisht se: “Dhe në këtë kontekst e pyetën kryeministrin nëse ai i qëndron akoma idesë për ligjërimin e martesave mes së njëjtës gjini, apo të paktën njohjes së


bashkëjetesës mes një çifti gejsh apo lezbikesh. Kryeministri tha se kishte parë në televizor një çift gejsh, sigurisht të mbuluar dhe shtoi se ai nuk shikon asnjë arsye pse të pengohet e drejta e tyre për të jetuar me njëri-tjetrin”. Gjithashtu pas takimit që aktivistët LGBT patën me kryetarin e Partisë Socialiste, Z. Edi Rama, më datë 12 maj 2013, media më pranë qeverisë u interesua të raportonte për këtë takim ndonëse të njëjtin zell nuk e kishte treguar për takimin me Berishën. Në edicionet e darkës në televizionin Klan dhe ABC Neës u transmetuan kronika rreth këtij takimi ndërkohë që asnjë prej këtyre televizioneve nuk kishte raportuar për takimin që aktivistët LGBT patën me z. Berisha në zyrën e tij. Box: “Në edicionet e darkës në televizionin Klan dhe ABC Neës u transmetuan kronika rreth këtij takimi me z. Rama, ndërkohë që asnjë prej këtyre televizioneve nuk kishte raportuar për takimin që aktivistët LGBT patën me z. Berisha në zyrën e tij”.

4.2.Çështja e martesave lë në hije të gjithë çështjet e tjera Organizatat në mbrojtje të të drejtave të personave LGBT, si pjesë të takimeve të tyre me aktorët kryesorë politikë shqiptarë kanë diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi për komunitetin ndër të cilat veçohen: 1. Çështjet e së drejtës për të pasur akses të barabartë në sistemin shëndetësor sidomos për komunitetin transgjinor. 2. E drejta për të mos u diskriminuar në ambientet e punës, në sistemin arsimor dhe në çdo fushë tjetër. 3. Masat parandaluese për dhunën në familje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT 4. Ndryshimi i kodit penal për sa i përket njohjes së dhunës për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor si rrethanë rënduese si edhe njohja e pasojave që sjellin fjalimet e urrejtjes. 5. E drejta për të krijuar familje Por në raportimet që media ka bërë për këtë proces lobimi të LGBT-së përmendet vetëm çështja e martesave brenda së njëjtës gjini. Kjo gjë ka sjellë gjatë kësaj periudhe reagime të pavend e të nxituara të forcave të ndryshme politike, lidhur më mënyrë të veçantë me çështjen në fjalë. Përmendim këtu rastin e deklaratës së kryetarit të partisë Demokristiane z. Nard Ndoka të datës 17 maj; citojmë pjesë të kësaj deklaratë nga gazetatema.net: “PDK kundër martesave gay, Zoti krijoi Evën dhe Adamin jo Adamin dhe Stefanin”. Një tjetër rast për t’u përmendur është edhe ai i Ministrit të Mbrojtjes njëkohësisht kandidat për deputet i PD-së, Z. Arben Imami, i cili në datën 5 qershor 2013 citohet nga Gazeta Shqiptare të ketë thënë në një takim elektoral se: “Problemi është se a shkon kjo me frymën tonë për të mbajtur një familje të fortë ose jo, a shkon kjo me urdhrat hyjnorë dhe ato natyrorë, a shkon kjo me përpjekjet e njerëzimit për të mbijetuar si njerëzim? Dashuria e burrave është për gratë dhe normalisht e grave është për burrat dhe duhet të ecim në këtë rrugë”.


Rasti i Ekrem Spahisë, i cili gjatë një takimi elektoral në Kukës më datë 10 mars 2013 u shpreh se: “Do të ndalojmë martesat gej dhe abortet, lidhja brenda gjinisë po cenon institucionin e familjes”, duke e quajtur homoseksualitetin imoralitet dhe perversitet. “Kur ne themi të mbrojmë familjen nuk kemi parasysh familjen patriarkale, por një familje të shëndoshë, me të drejta e detyrime të barabarta midis anëtarëve e ku të jetë ashtu siç e ka dhënë Zoti: mashkulli, -mashkull dhe femra, -femër”- shprehet Spahia.

Nard Ndoka dhe shpjegimi i tij i marrëdhënieve burrë-grua, burrë-burrë dhe gruagrua... Citojmë pjesë të kësaj deklaratë nga gazetatema.net: “PDK kundër martesave gay, Zoti krijoi Evën dhe Adamin jo Adamin dhe Stefanin”.

4.3.Përfundime: Nga sa më lart, mund të themi se media në Shqipëri: 1. Mbetet ende në nivelin e raportimit por nuk ka qëndrim të vetin në lidhje me çështjet LGBT; 2. Mediat e pozicionuara politikisht me njërën ose tjetrën palë i kanë trajtuar çështjet e ngritura në këtë projekt në këndvështrime partiake dhe jo në këndvështrime të së drejtës së njeriut; 3. Ekzistenca e konfliktit politik është dashur të zmadhohet edhe në rastet kur krerët e partive kanë pasur saktësisht të njëjtin mendim; 4. Janë lënë mënjanë çështje me rëndësi jetike për lëvizjen LGBT në Shqipëri. Media është fokusuar tek tema e martesave mes së njëjtës gjini, ndonëse kjo çështje ende nuk është artikuluar maksimalisht nga vetë lëvizjet LGBT; 5. Duke u përqendruar në çështje që shkaktojnë debat të fortë në shoqëri siç është martesa, media me ose pa qëllim nuk ka mundur të krijojë hapësira për një debat të shëndetshëm në lidhje me çështjet LGBT; 6. Në përgjithësi media ka krijuar hapësira për lëvizjen LGBT dhe nuk e ka bojkotuar atë siç ndodh në vende të tjera të rajonit.


5. Programet e partive politike Në kuadër të projektit Mendo Politikisht u përzgjodhën disa parti me të cilat vendosëm të nisnim një proces komunikimi por edhe monitorimi, për përqasjen e tyre ndaj çështjeve LGBT. Përzgjedhje u bë duke pasur parasysh disa kritere si për shembull përfaqësimi në parlament, parti të reja me pretendime dhe mundësi reale për t’u përfaqësuar në parlament, parti brenda koalicionit të djathtë, të përfaqësuar në qeveri në nivel zëvendës-ministrash si edhe parti kryesore në të dyja koalicionet. Partitë e përzgjedhura janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Lëvizja e Legalitetit, Fryma e Re Demokratike, Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet, Partia Republikane, Aleanca Kuq e Zi, Partia Ligj dhe Drejtësi, G99, Partia Demokracia Sociale, Partia Social Demokratike. Fillimisht duhet thënë që një pjesë e mirë e partive politike shqiptare nuk duket të kenë programe politike të mirëfillta; shpeshherë ato veprojnë në bazë të statutit të partive. Përgjithësisht mund të themi se kriza e përfaqësimit në të cilën kanë hyrë partitë shqiptare por edhe mungesa e interesit -përveç ndonjë hulumtuesi, askush nuk duket të interesohet për programet e partive- duket se i ka kthyer programet politike në formalitete të panevojshme. Ajo që u vu re nga monitorimi i programeve të partive politike ishte që ndërsa të gjitha partitë përmendin, sado përciptazi të drejtat e njeriut në përgjithësi, shumica prej tyre nuk flasin specifikisht për çështjet LGBT. Për shembull në programin politik të partisë Fryma e Re Demokratike, thuhet shprehimisht se: “FRD është e angazhuar të garantojë në të gjitha drejtimet, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit si dhe në dokumentet ndërkombëtare. Ajo do të jetë Parti e respektimit të lirisë së mendimit dhe veprimit, dinjitetit dhe aspiratave të qytetarëve të lirë shqiptarë, respektimit të të drejtave dhe lirive të besimeve fetare, zhvillimit të vlerave më të mira të familjes shqiptare, forcimit të drejtësisë shoqërore”. Megjithatë, në këtë citim bien në sy nota heteronormativiteti, kur nënkuptohet mbështetja për martesat e familjet heteroseksuale. Gjithsesi, i pyetur nga Xheni Karaj, drejtuese ekzekutive e Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT, sekretari i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa është shprehur se ndërsa FRD nuk ka asnjë fobi për të trajtuar çështje LGBT, këto tema nuk përbëjnë përparësi për momentin4. Ngjashëm si me FRD-në, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e mendon krijimin e familjeve ndërmjet një burri e një gruaje.“(...) Familja është vatra ku formohet solidariteti dhe përgjegjësia sociale. Forcimi i rolit të gruas në familje e në shoqëri është parësor për konsolidimin e vlerave të atdhetarizmit, punës, solidaritetit, angazhimit qytetar, respektit e barazisë gjinore, është një familje që i shërben shoqërisë dhe progresit të saj”. Nga ana tjetër Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet thekson në programin e saj se: “Të drejtat civile janë të pandashme. Këto të drejta janë të njëjtat për të gjithë njerëzit pavarësisht nga kombësia, origjina, raca, seksi, gjuha, besimi fetar, bindjet politike, arsimi, profesioni apo gjendja shoqërore”. Megjithëse orientimi seksual nuk përmendet në mënyrë eksplicite, PDIU deklarohet në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut të sanksionuara në konventat ndërkombëtare si edhe: “(...)është e angazhuar për ndalimin e çdo programi politik që mbështet dhe zbaton dhunën dhe intolerancën qoftë kjo kombëtare, fetare, politike, ideologjike apo racore”.

4

Transkripti i dialogut mes Karaj dhe Oketës gjendet në këtë lidhje: http://historia-ime.com/en/2011-08-0702-59-53/item/1955-xheni-karaj-e-pyet-frd-per-lgbt-pergjigjet-oketa-video.html


E ndërsa partitë e mësipërme thjesht nuk e përmendin temën e homoseksualitetit, ose e pranojnë në mënyrë implicite, deklarata ndoshta më e hapur kundër personave LGBT, vijnë nga Partia Lëvizja e Legalitetit si edhe Partia Republikane, të cilat në programet e tyre bëjnë thirrje për kriminalizimin e homoseksualitetit. Në programin e PR-së thuhet haptazi: “Ndalimi me ligj i homoseksualizmit si përmbysje e senseve të natyrës njerëzore dhe i çdo propagande në favor të përhapjes së drogimeve të ndryshme”. Ndërsa, sipas PLL-së shteti shqiptar nuk duhet lejuar të njohë ligjërisht homoseksualitetin dhe abortin. Për më tepër PLL e konsideron veten si parti të personave: “(...) që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit”. Një gjetje e tillë nuk ka çuditur aspak faktikisht, për shkak se përfaqësues të kësaj partie jo vetëm që janë shprehur edhe më parë hapur në media kundër homoseksualitetit, por kanë përdorur madje edhe gjuhë urrejtje, duke bërë thirrje për ushtrim dhune ndaj personave LGBT5. E vetmja parti që diskuton haptazi në programin e saj politik tematikat e homoseksualitetit është Partia Socialiste. Në programin e saj ajo parashikon masa që luftojnë diskriminimin e LGBT. Më specifikisht, në kapitullin për shtetin e së drejtës, thuhet se do merren masa për: “Parandalimin i viktimizimit të grave, vajzave, fëmijëve, të moshuarve, minoriteteve, personat me aftësi të kufizuara dhe personave me orientim seksual të ndryshëm”. Në kapitullin për Ripërtëritjen e Shoqërisë, thuhet: “Ndaj me një agjendë sociale që na ngarkon të drejta e detyra të gjithëve, së bashku, duam të ndërtojmë shoqërinë ku energjia, kreativiteti e mundi i secilit të gjejnë hapësirë jetësimi, përmes shtetit që ofron shërbime publike sipas nevojës. Është mision i qeverisjes socialiste t’i sigurojë çdo qytetari shqiptar pavarësisht të ardhurave, origjinës, moshës, gjinisë, etnisë, edukimit, orientimit seksual, identitetit kulturor, bindjeve politike e fetare, shërbime publike cilësore. Parimet bazë të shërbimeve publike gjatë qeverisjes socialiste do të jenë: lehtësimi dhe zgjerimi i aksesit, drejtësia sociale, cilësia, standardet profesionale, pavarësi prej financuesit të shërbimeve, harmonizimi i shërbimeve publike dhe private, decentralizimi, pjesëmarrje qytetare, komplementariteti dhe konkurrenca e ndershme”. Gjithashtu, PS mbështet “të gjitha format e jetesës familjare; familjen e lidhur me martesë, bashkëjetesën, familjet me një prind dhe të gjitha format e tjera të partneritetit”. Në programin për të rinjtë parashikohet: “Fuqizim i Zyrës së Komisionerit kundër Diskriminimit duke e kthyer realisht në shërbim të grupeve të diskriminuara apo në rrezik diskriminimi”. Ç’është më e rëndësishmja, në programin për fuqizimin e gruas, PS thotë se “Ne zotohemi që do të garantojmë zbatimin me efektivitet të legjislacionit ekzistues për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore duke siguruar mekanizma edhe institucione efikase që të sigurojnë zbatimin e tyre. Përmirësimet ligjore do të kenë në vëmendje të veçantë grupet e grave të disavantazhuara, duke përfshirë gratë e varfra, gratë e zonave rurale, gratë kryefamiljare, me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës apo trafikimit, gratë e minoriteteve etnike, si dhe ato me orientim seksual të ndryshëm”.

5

Deklaratat e kryetarit të PLL-së, Ekrem Spahia mund të gjendet në lidhjen e mëposhtme: http://www.balkanweb.com/bw_lajme2.php?IDNotizia=84839&IDCategoria=1


5.1. Premtimet e Partisë Demokratike Nga e gjithë puna lobuese, monitoruese dhe procesi i komunikimit me partitë gjatë periudhës mars-qershor 2013, lëvizja LGBT në Shqipëri mori premtime elektorale nga vetëm katër parti. Partitë që u bënë pjesë e këtij procesi komunikimi me lëvizjen LGBT ishin: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Fryma e Re Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Përfaqësues të lëvizjes LGBT patën me drejtuesit kryesor të këtyre partive takime të posaçme në selitë e së cilës parti. Duhet bërë një sqarim që në fillim të këtij paragrafi se: Plani strategjik për mosdiskriminimin e personave me orientim të ndryshëm seksual dhe identitet gjinor nuk është përfshirë në këtë raport si një premtim i PD-së por është konsideruar si një politikë disa-vjeçare e Shqipërisë e drejtuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta pavarësisht partisë në maxhorancë që do të mund të krijojë qeverinë e re. Partia Demokratike e Shqipërisë rezulton se nuk ka asnjë politikë konkrete të shkruar në lidhje me adresimin e çështjeve të ndryshme që ndikojnë me jetën e komunitetit LGBT në Shqipëri. I vetmi burim informacioni por edhe angazhim publik që përfaqëson mendimin e kësaj partie vjen, në këtë rast nga takimi që aktivistët Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi patën më 22 prill 2013 me kryetarin e PD-së Z. Sali Berisha. Gjatë këtij takimi Z. Berisha duke vlerësuar faktin që lëvizja është bërë e zëshme dhe e dukshme, tha: “T’ju them të drejtën nuk më vinte mirë kur flitej për këtë çështje dhe nuk kishte asnjë përfaqësues të komunitetit që të dilte publikisht për të mbrojtur kauzën”. Zoti Berisha është i besimit se format dhe mënyrat e reagimit të lëvizjes LGBT gjatë viteve të fundit kanë qenë plotësisht të drejta. Ai dënoi si të pavend polemikat e krijuara nga zëvendës ministri Ekrem Spahiu duke thënë se, “Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në orientimin intim të individëve” dhe shtoi se “ato deklarata janë të papranueshme jo nga një zëvendës ministër, por nga askush”. Në këtë kontekst ai nënvizoi se asnjë politikan nuk duhet të ketë frikë apo komplekse për t’u shprehur në lidhje çështje që i takojnë komunitetit LGBT që janë të drejta të njeriut. Kjo, sipas kryeministrit, duhet të jetë një përgjegjësi e politikanëve. Gjatë takimit, Kryeministri u pyet nga aktivistët LGBT për perspektivën e miratimit ose jo të ndryshimeve të Kodit Penal ku parashikohet edhe që fyerja me dashje e njerëzve edhe për shkak të orientimit të tyre seksual përmes teknologjisë së informacionit, të dënohet si vepër penale. Berisha i siguroi aktivistët se po e ndjek ecurinë e ndryshimeve dhe se i mbështet ato plotësisht. Dy drejtuesit e LGBT i shprehën më tej shqetësimin kryeministrit në lidhje me nevojën e zbatimit më të plotë të ligjit për mbrojtje nga diskriminimi. Ata i kërkuan z. Berisha që shoqëria civile të ketë më shumë hapësirë në diskutimin dhe propozimin e stafit dhe drejtuesve të institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Kryeministri u shpreh se “Na duhet të shikojmë nga e ardhmja” dhe se “ligji në fjalë është një ligj shumë i mirë dhe jam plotësisht dakord që ai duhet zbatuar deri në fund”. Pinderi dhe Karaj i kujtuan kryeministrit se katër vjet më parë të dy ata nuk njiheshin dhe deklarata e vetë z. Berisha i afroi në atë mënyrë që lëvizja të fuqizohej. Dhe në këtë kontekst e pyetën kryeministrin nëse ai i qëndron akoma idesë për legalizimin e martesave mes së njëjtës gjini, apo të paktën njohjes së bashkëjetesës mes një çifti gejsh apo lezbikesh. Kryeministri tha se kishte parë në televizor një çift gejsh, sigurisht të mbuluar dhe shtoi se ai nuk shikon asnjë arsye pse të pengohet e drejta e tyre për të jetuar me njëri tjetrin.


“Mos harroni”, shtoi në këtë moment, “se puna për të thyer akullin e shoqërisë është një punë që do kërkojë kohën e vet dhe që nuk arrihet menjëherë, por ju jeni në rrugën e duhur”. Më tej, kryeministri u sugjeroi aktivistëve që të shmangin përplasjet apo konfrontimet që nuk sjellin asgjë. Të dy drejtuesit e lëvizjes LGBT i shpjeguan atij se nisma që Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT dhe Pro LGBT kanë ndërmarrë synon që të krijojë rrugë komunikimi me aktorët kryesorë të politikës, pasi vetëm përmes saj mund të zgjidhen problemet e komunitetit. “Ka ardhur momenti që lëvizja jonë të ketë një fizionomi më politike dhe më të pjekur jo thjesht për të ngritur çështjet, por sidomos për t’i zgjidhur ato”, thanë Karaj dhe Pinderi. Në fund të takimit, kryeministri i siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë të drejtat e këtij komunitetit për t’u organizuar dhe për të tubuar, duke iu referuar, në fakt, paradës që lëvizja LGBT ka planifikuar për në muajin shtator. 5.2. Përfundime 1. Kreu i Partisë Demokratike premton më shumë punë në lidhje me zbatimin e ligjit kundër diskriminimit; 2. Kryetari i PD-së është pro bashkëjetesës së çifteve mes së njëjtës gjini 3. Z. Berisha mbështet të drejtën për organizimin e paradës gay.


5.3.Premtimet e PS-së: Nga të gjitha partitë e përzgjedhura, Partia Socialiste na ka pajisur me një pjesë të shkruar të programit të saj elektoral që përfshin angazhime konkrete në lidhje me përmirësimin e jetëve të LGBT-së. Duhet theksuar se pranë PS-së ka qenë më i lehtë identifikimi i një personi kyç për komunikimin me çështjet sociale përfshirë edhe çështjen LGBT. Në rastin konkret ky komunikim është lehtësuar përmes znj. Eglantina Gjermeni, e cila ka qenë e gatshme që në takimet e vazhdueshme me ne në kuadër të nismës Mendo Politikisht të komunikojë, sqarojë dhe diskutojë pikat konkrete në programin e PS që lidhen me kërkesat dhe nevojat e komunitetit tonë. Më tej aktivistët LGBT Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi zhvilluan një takim zyrtar me Kryetarin e Ps z. Edi Rama më 22 maj. Në mesditë, në zyrën e tij në katin e dytë të selisë, kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama priti dy drejtuesit e lëvizjes LGBT në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderin. Ky ishte takimi i parë që kreu i të majtës shqiptare zhvilloi me përfaqësues të komunitetit LGBT. “Në grupet tona sociale dhjetëra pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë pritshmëri të larta ndaj PS-së”, i thanë aktivistët zotit Rama. “Ata janë të vëmendshëm për çdo gjë që ju thoni dhe sigurisht do të ishte zhgënjim shumë i madh në rast se ju nuk mbështesni publikisht të drejtat e LGBT si një grupim që jeton ende mes frikës dhe izolimit”. Zoti Rama u shpreh që në fillim se ka qenë ndër të parët që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve ’90-të, “Atëherë kur këtu të quanin homoseksual nëse flisje për çështje të tilla”. Kreu i socialistëve u shpjegoi aktivistëve se Shqipëria ka nevojë për një debat emancipues në lidhje me LGBT. Zoti Rama është pro të drejtës së bashkëjetesës, kurse në lidhje me çështjen e martesave mes së njëjtës gjini, pranoi se më parë duhet përgatitur shoqëria dhe duhet përgatitur terreni për të pasur debate të frytshme dhe sidomos informim. “Shoqëria mund të mos jetë asnjëherë gati, por është roli i liderëve që ta ndihmojnë dhe ta përgatisin atë”, ishin të mendimit Karaj dhe Pinderi. Zoti Rama u shpreh për një rol më aktiv të institucioneve shtetërore në lidhje me luftën kundër diskriminimit. Ai i siguroi aktivistët se brenda dy viteve të para të qeverisjes socialiste, do të ketë një projekt të planifikuar me kujdes dhe maturi për të integruar komunitetin LGBT, për të eliminuar format e diskriminimit, por sidomos për të informuar dhe kulturuar shoqërinë. Ai shtoi se tashmë është e nevojshme që të organizohen sa më shumë aktivitete publike të komunitetit. “Ju keni avokatë shumë të përkushtuar ndaj kauzës suaj, brenda PS-së”, tha Rama, duke pasur parasysh veten e tij së pari dhe znj. Eglantina Gjermeni, znj. Vasilika Hysi, znj. Olta Xhacka, etj.

Premtimet e FRD: Jemi për martesën tradicionale, por kundër diskriminimit! Në 18 prill, znj. Xheni Karaj u ftua në një takim të FRD-së për prezantimin e programit social. Karaj bëri pyetjen e mëposhtme: Kam një pyetje shumë konkrete dhe të shkurtër. Gjatë këtyre viteve, kemi vënë re një frikë shumë të madhe të partive politike për të folur për të drejtat e komunitetit LGBT. Ajo që do


të doja të dija nga ju zoti Oketa është kjo: a do të trajtohet dhe nga partia juaj me frikë, mbi bazën e ndonjë hierarkie në lidhje me të drejtat e komuniteteve të tjera, apo do ta konsideroni dhe komunitetin LGBT një grup interesi i cili do të ëprfshihet në programin tuaj politik? Përgjigje, Gazmend Oketa: Unë ju falenderoj sinqerisht për ngritjen e kësaj problematike, qoftë ju, qoftë znj. Sevim Arbana. Jemi këtu për të prezantuar një program politik dhe ndoshta disa pika mund të hiqen dhe qëllimisht që ti lemë hapësirë diskutimeve. Do të të jap një përgjigje shumë të sinqertë. Se pari duhet t’ju siguroj ju dhe të gjithë të pranishmëve që nuk kemi asnjë lloj fobie per ta trajtuar këtë cështje, sic po me të njëjtin sinqeritet, mund t’ju them se nuk është një çështje prioritare për momentin. Po i referohem znj. Arbana pasi është një përfaqësuese e shoqërisë civile. Unë jam një përfaqësues politik dhe fjalët e mia mund të komentohen me ngarkesa politike, por po i referohem për përshkrimin që i bëri situatës, qoftë gjëndjes ekonomike, qoftë problematikave të ndryshme (shënim i editorit: më herët znj. Sevim Arbana kishte theksuar që është e rëndësishme të përfshihen në programet politike dhe dy grupe të marxhinalizuara si komuniteti rom dhe LGBT). Eshtë një situatë tepër e rënduar ku familjet shqiptare diskutojnë bukën e gojës, por ju siguroj se nuk kemi asnjë fobi për ta diskutuar këtë çështje. Do të mirëprisnim sugjerime, propozime dhe diskutime, por nuk mund të them që është priopritet i politikës sonë apo i programit tonë për momentin, por juve do t'ju lutesha të na përcillnit sugjerimet tuaja në Kuvendin e ri ku ne do të kemi përfaqësuesit tanë për të diskutuar qoftë për prioritetet e partisë sonë, apo qoftë për prioritete të tjera për çështje të tilla. (në këtë moment bën dhe një batutë për Kuvendin aktual, e cilëson si Kukuvend!)

Premtimet e LSI Me datë 22 maj aktivistët Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi takuan në zyrën e tij kryetarin e Lëvizjes Sociaiste për integrim Z. Ilir Meta. Gjatë këtij takimi kryetari i LSI i siguroj përfaqësuesit e LGBT-së se partia e tij është kundër ccdo forme të diskriminimit dhe ishte i mendimit që duhet bërë më shumë punë për implementimin e ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. Gjithashtu ai shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar me organizatat LGBT për adresimin hap pas hapi të të gjitha problematikave në kuadër të procesit të integrimit. Gjithësesi deri në ditën kur ky raport u përfundua ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare nga kjo forcë politike pas kërkesës sonë zyrtare për ti patur adresimet e ccështjeve LGBT në një formë të shkruar. 6. Forumet online “Nëse një parti mbështet LGBT, do e votonit?” Një aspekt i rëndësishëm i projektit Mendo Politikisht ishte krijimi për herë të parë i një infrastrukture të sigurt për komunitetin LGBT në Shqipëri për të debatuar hapur në lidhje me politikat e vendit në drejtim të përmirësimit të jetës së tyre. Mënyra që zgjodhëm për këtë


arsye ishte përdorimi i forumeve, rrjeteve sociale dhe faqeve të ndryshme online, përmes të cilave ftuam komunitetin që, pa rrezikuar se mund të identifikohej si pjesëtarë të popullatës LGBT, të mund të shprehte mendimin e vet. Përgjatë katër muajve të fundit deri në qershor 2013 ftuam pjesëtarë të komunitetit LGBT të shprehin mendimet në një sondazh anonim dhe të thjeshtë për t’u përdorur online, që synonte të kuptonte nëse ky komunitet është i gatshëm të jetë politikisht aktiv duke votuar (ose jo) një parti politike, në rast se kjo parti adreson direkt në programin e vet çështje të komunitetit LGBT. Më konkretisht, në dy faqe interneti, gay.al dhe historia-ime.com adresuam në formën e një sondazhi online pyetjen: “Nëse një parti mbështet LGBT, do e votonit?” Alternativat ishin përgjigje të mbyllura: -

Po Jo Nuk do votoj Votoj për arsye të tjera

6.1.Rezultatet dhe përfundime Në faqen historia-ime.com votuan 507 vetë në total, ku çdo votë u llogarit si votë e vetme (teknikisht llogaritej si një votë çdo votim që realizohej nga një kompjuter me të njëjtën IP). Rezultoi se 54.5 për qind e pjesëmarrësve në sondazh, do ta votonin një parti nëse ajo adreson konkretisht çështjet LGBT në programin e vet. 13.6 për qind nuk do ta votonin, 4.5 për qind u përgjigjën se nuk do të votojnë, ndërsa 27.3 për qind nga ata që morën pjesë në këtë sondazh, u shprehën se votojnë për të tjera çështje. Në faqen gay.al votuan 237 në total. 71.8 për qind e tyre u përgjigjën se do ta votonin një parti nëse do të kishte në program edhe çështjet LGBT, 9.7 për qind u përgjigjën me “Jo”, 5.8 për qind prej tyre nuk do të votojnë, ndërsa 12.6 për qind thanë se votojnë për arsye të tjera. Ne mund të konkludojmë se pavarësisht pamundësisë për të jetuar lirisht një jetë si të LGBT të deklaruar haptazi, pjesëtarët e këtij komuniteti janë të vëmendshëm për t’u informuar direkt në lidhje me çështje të politikës së ditës. Shumica dërrmuese e komunitetit LGBT në Shqipëri, e fshehur ose jo, janë të gatshëm të shndërrohen në një komunitet të mirëfilltë politik, në kuptimin që të votojnë një parti të caktuar, ose të votojnë kundër një partie tjetër, nisur mbi interesa të lidhura thelbësisht me orientimin e tyre seksual dhe/apo identitetin e tyre gjinor. Nga ana tjetër, një përqindje e konsiderueshme e këtij komuniteti që voton për arsye të tjera, ose më saktë, jo vetëm për çështjet që lidhen direkt me politika në lidhje me mos diskriminimin mbi bazë orientimin seksual apo identitetin gjinor, tregon për një nivel të lartë emancipimi të këtij komuniteti në zgjedhjet e vet politike, edhe pse nuk është i integruar tërësisht me identitetin e vet në shoqërinë shqiptare.

6.2.Pjesëmarrja e të rinjve LGBT në debat


Rreth 3083 individë me një profil në Facebook të cilët janë anëtarë të faqes së Aleancës Kundër Diskriminimit, si edhe 1112 individë që janë pjesëtarë të faqes në Facebook të “Pro LGBT”, patën mundësi që gjatë katër muajve të fundit para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, të merrnin pjesë në debate të nisura nga administratorët e këtyre faqeve më synimin për të stimuluar një debat politik. Në qindra postime në këto dy grupe të rrjetit social më të përdorur në Shqipëri, konstatuam një fenomen që pasqyron në fakt një lloj ndarjeje si me thikë të qëndrimeve politike mes pjesëtarëve të komunitetit LGBT, qëndrime që reflektohen dhe në shoqëri. Qëndrimet personale militanteske ishin të përfaqësuara njësoj mes komunitetit LGBT, ashtu siç ndodh dhe me çdo pjesëtar tjetër të shoqërisë shqiptare, në kuptimin që mes këtij komuniteti ka njësoj admirues në nivelin militantesk për PS-në, ashtu siç ka dhe për PD-në. Synimi i projektit tonë nuk ka qenë të mbështesim asnjë parti në veçanti, por të nisim një dialog të qëndrueshëm me sa më shumë aktorë politikë, për të avancuar çështje të LGBT-së. E megjithatë format militante të mbështetjes së njërës apo tjetrës parti nuk munguan edhe mes komunitetit tonë. KOMENTET Shqiptarët janë në shumicë kundër martesave gej, por janë dakort të ketë deputetë nga ky komunitet “Platforma qytetare–Votëmatësi” është një projekt i realizuar nga “Lëvizja Mjaft”, me mbështetjen e “National Endowment for Democracy (NED)”. Në kuadër të kësaj nisme u realizua online një pyetësor. Kishte dy pyetje në lidhje me LGBT. Pyetja e parë (në formë pohuese) ishte: Martesat LGBT dhe manifestimet e tyre publike duhet të jenë të ndaluara. Për këtë përgjigje, 47.8 përqind u përgjigjën: “Pajtohem plotësisht”. 22.3 përqind u përgjigjën: “Nuk jam dakort”. 15.1 përqind: “Pajtohem pjesërisht”. 13.2 përqind: “Pjesërisht nuk pajtohem”, dhe 1.5 përqind: “Nuk e di/pa përgjigje”. Pyetja e dytë ishte: “Një person me kualifikimet e nevojshme dhe me orientim homoseksual mund të zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë”. Përgjigjet ishin: 39.1 përqind: “Pajtohem plotësisht”, 37.8 përqind: “Nuk jam dakort”, 15 përqind: “Pajtohem pjesërisht”, 6.2 përqind: “Pjesërisht nuk pajtohem”, dhe 1.9 përqind nuk u përgjigjën. Mosha mesatare e të intervistuarve është 34.7 vjeç. Pjesa më e madhe e respondentëve është në grupmoshën 25-34 vjeç (31%). Respondentët me të paktë janë ata të grupmoshës mbi 60 vjeç (5%). Në total me shume meshkuj kanë zgjedhur ti përgjigjen anketës online. Ndarja midis gjinive është 52% meshkuj dhe 48% femra. 786 qytetarë mbi 18 vjeç, zgjodhën të plotësonin anketën në internet perms përdorimit të platformës elektronike të anketimit të instaluar në faqen www.votëmatësi.info. Si njësi kampionimi u përdorën IP unike të secilit prej përdoruesve.



Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.