Konkursi IDE TE GJELBERTA 2016

Page 1

Fituesit e Konkursit Kombëtar

IDE TË GJELBËRTA 2016

Mbështetën


Partnerët Shqipëri organizuan në datat 24-25 maj 2016 në Tiranë, konkursin kombëtar

“Ide të Gjelbërta 2016”.

Ky është viti i pestë që Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs i cili synon të mbështesë nisma biznesi që promovojnë përfshirjen sociale, integrimin, punësimin dhe zhvillimin ekonomik lokal nëpërmjet një qasjeje miqësore ndaj mjedisit. Risia e tij qëndron në bashkëpunimin dhe krijimin e një fondi të përbashkët të krijuar nga dhurime të kompanive vendase dhe institucioneve donatore ndërkombëtare, me mbështetjen institucionale të Fondit Rockefeller Brothers (RBF). Gjatë dy ditëve të konkurimit, gjashtëmbëdhjetë individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt – idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira me të cilat mund të njiheni në vijim. Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800.000 lekë. Bashkëfinancues të këtij fondi janë Fondi Rockefeller Brothers, Banka Credins dhe Telekom Albania. Tre idetë fituese të konkursit kombëtar do të marrin pjesë në Konkursin rajonal që do të zhvillohet nga Fondi Rockefeller Brothers, në korrik 2016 në Serbi.


Kultivimi i Shafranit Fiqiri Guxha është banor i fshatit Daias, në Petrelë, i diplomuar për Agronomi të Përgjithshme në vitin 1983 dhe për Biologji në vitin 2006. Ai ka një eksperiencë të gjatë si agronom dhe së fundmi si mësues. Pasioni për agronominë e ka shtyrë të testojë e kultivojë kultura të ndryshme bujqësore edhe gjatë kohës që nuk punonte më në këtë fushë. Përmes kësaj iniciative, Z. Guxha do të fillojë kultivimin e shafranit në këtë zonë ku mungojnë pothuaj fare iniciativat e vetëpunësimit nëpërmjet prodhimit të kulturave bujqësore. Kultivimi i kësaj kulturë të re me vlera të larta ushqyese dhe kuruese është tërësisht bio pasi nuk përdor pesticide apo elementë të tjerë të rrezikshëm për tokën e shëndetin. Në këtë mënyrë kultivimi i shafranit do t’i shërbejë përmirësimit të cilësisë së tokës e cila është dëmtuar nga përdorimi pa kriter i pesticideve. Fillimisht, do të punësohen 6 gra nga zona, të cilat do të trajnohen për të gjithë procesin që nga kultivimi i bimës e deri në paketim. Suksesi i iniciativës në këtë fshat do të nxisë kultivimin e shafranit edhe në fshatrat përreth duke stimuluar zhvillimin ekonomik të zonës.

Panorama e këndshme që do të krijojnë fushat me shafran do të jetë një atraksion i shtuar duke ndihmuar edhe në zhvillimin e turizmit në këtë zonë.


Komani flet! Kultura e Komanit u gjurmua që në vitin 1898 nëpërmjet zbulimit të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmacës në Koman e më pas me zbulimin e rreth 30 varrezave të ngjashme, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Në këtë zonë prej kohësh vazhdojnë gërmimet arkeologjike që dëshmojnë historinë e këtij vendi. Qytetërimi arbëror i Komanit është një pasuri shumëdimensionale pasi aty ka arkeologji, natyrë të pasur, miniera të vjetra të bakrit të cilat mund të rikthehen të vizitueshme. Ai përbën një aset të jashtëzakonshëm për ekonominë e vendit si edhe shumë i rendësishëm si model qytetërimi për botën. Nëpërmjet kësaj iniciative, Organizata Cospe synon të rigjallërojë Kulturën e Komanit duke u fokusuar në vlerat historike, kulturore dhe natyrore, për një zhvillim ekonomik lokal nëpërmjet angazhimit të komunitetit. Do të realizohen 5 shtigje për turistët të cilat do të evidentojnë pasuritë e zonës, kishat, banesat e mjedisin e mrekullueshëm natyror, duke e lidhur këtë destinacion edhe me zona të tjera si Valbona apo Sarda e duke rritur zhvillimin ekonomik në këtë rajon nëpërmjet gjenerimit të të ardhurave për banorët. Dhjetë të rinj nga Komani do të trajnohen si guida të cilët do të shoqërojnë turistët gjatë vizitave në kisha, varreza e monumente duke u treguar historinë e kulturën e këtij qytetërimi. Organizata do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi “Komani, të dua të mirën!”, e cila do të realizohet në shkolla, me të rinjtë e komunitetin në tërësi për të rritur ndjenjën e përkatësisë, vlerave e pasurive natyrore dhe kulturore të trashëguara nga të parët, dhe përgjegjshmërinë e detyrimin për ta ruajtur këtë kulturë për brezat që do të vijnë.


Agro-turizmi, Eco- Social Farm http://infothedoor.com/

Fondi do të mbështesë organizatën The Door për të fuqizuar shërbimet e “Fermës Ekosociale” të ngritur në fshatin Oblikë, Ana e Malit. Një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj, përdorues të bicikletave, motorcikletave dhe kamperave e të apasionuar pas natyrës që kalojnë përgjatë rrugës nacionale e vizitojnë këtë zonë e cila ofron atraksione të shumta natyrore e kulturore. Por në zonë shërbimet agroturistike janë të pakta dhe Ferma Ekosociale ofron një alternativë të mirë falë vendndodhjes dhe çmimeve konkurruese që ofron. Nëpërmjet kësaj iniciative, organizata do të ofrojë trainim si dhe do të angazhojë 22 persona me aftësi ndryshe, anëtarë të bandës muzikore e cila do të performojë për vizitorët gjatë aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen në Fermën Ekosociale si Lojrat Popullore Fest, Teatri social etj.

Organizata do të zgjerojë shërbimet e Fermës Ekosociale duke punësuar 2 punonjës të rrezikuar nga përjashtimi social, për ofrimin e shërbimeve të kampingut për rreth 170 turistë të huaj dhe 1000 turistë vendas përgjatë një viti. Përveç ofrimit të akomodimit brenda në Fermë, do të ngrihet infrastruktura e akomodimit në çadra, pastrimi dhe shënjëzimi i shtigjeve për ecje, si dhe do të ofrohen shërbime të tjera si “Grila familjare”, guida vullnetare në vendet atraktive rreth fermës, biçikleta me qera etj. Iniciativa do të mbështesë edhe fermerët e zonës dhe rivitalizojë produktet lokale të traditës. Promovimi i Fermës dhe shërbimet e ofruara pritet të ndikojnë në rritjen e numrit të turistëve që do të vizitojnë zonën në vitet e ardhshme.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.