EKSPLORO SHPELLAT E
PEJËS
SPELEOLOGJIA Hulumtimi i nëntokës dhe zbardhja e pasurive nëntokësore apo ndryshe që njihet si “SPELEOLOGJIA” është ndër aktivitetet e cila po ashtu është mjaft e zhvilluar në Komunën e Pejës. Qyteti i Pejës njihet për ekspeditat dhe hulumtimet e shumta që bëhen nga speleologët profesional nga Peja. Pothuajse çdo vikend organizohen aktivitete të ndryshme për speleologjinë, të cilat ofrojnë mundësi avanture për të gjithë adhuruesit të cilët janë kureshtarë të fshehtësive të nëntokës. Sa i përket aktivitetit të Spelologjisë, Peja njihet për numrin e madh të shpellave të cilat gjinden në rajonin malor të Bjeshkëve të Nemuna - kryesisht në Grykën e Rugovës dhe në regjionin e Podgurit nga pjesa e Radacit. Ndër shpellat që kanë aritur të hulumtohen deri me tani dhe kanë një pasuri të madhe me stalaktite, stalakmite, ujvara e lumenj brenda tyre, liqej të vegjël dhe atraktivitetin natyror në komunën e Pejës mund të veçojmë: 1. Gryka e Madhe e cila gjendet në Grykën e Rugovës 2. Shpella e Radacit e cila gjendet afër ujëvarës së Drinit të Bardhë
SHPELLA GRYKA E MADHE Shpella “Gryka e Madhe”, e cila është një nga atraksionet më të mëdha turistike në komunën e Pejës, është lokalizuar në maj të vitit 1992 nga pesë speleolog sllovak, të cilët ishin në kalim e sipër përgjatë Grykës së Rugovës. Shpella gjindet në kilometrin e 8-të në anën e majtë të kanjonit, 50-60m mbi lum, në thembrën e një shkëmbi gjigant, i cili ka një lartësi prej rreth 350 m. Tre vjet më vonë hulumtimet vazhduan, në vitin 1995 ku një grup prej katër speleologësh, pas një pune pesë orëshe në heqjen e gurëve prej burimit të poshtëm të ujit , arritën që të futeshin në pjesën e poshtme të shpellës, ku hasën në një lum të brendshëm dhe në një sifon. Në hyrjen më lartë ata shkuan edhe shumë më larg pasiqë këtu nuk kishte ujë që t’i pengonte dhe arritën të futeshin disa qindra metra në brendi të shpellës, ku në disa vende duheshin të ngjitnin disa shkallë të vogla prej shkëmbinjëve. Pasi kaluan disa korridore të çara dhe të larta, që i ngjante një kanjoni nëntoksor, arritën tek një gjysmë-sifon, ku rrymimi i ajrit dhe jehona e zërit premtonin depërtim të mëtutjeshëm. Në shkurt të vitit 1996 u ndërmorr një ekspeditë tjetër,
me ç’rast u bënë matjet e kësaj shpelle. Grupi prej 12 speleologësh arritën që ta kalojnë gjysmë-sifonin, dhe hyjnë në një korridor oval me një labirinth dy nivelesh, ku distanca direkte ishte 700 metra në brendi të shkëmbit. Nga matjet që u bënë, arritën që ti vëjnë në hartë rreth 6 km të korridoreve të shpellës.Ndërkohë,ekspeditat hulumtuese vazhduan gjatë viteve 1996 dhe 1997. Në pjesën e mesme të korridorit kryesor u bë ngjitja në disa oxhaqe, të cilat prapë lidheshin me disa nivele sub-horizontale dhe disa kalime të gjëra. Në pjesët më të thella të shpellës, në një oxhak u arrit lartësia më e madhe e ngjitur lartë e që ishte +296 metra në krahasim me hyrjen në shpellë, dhe shpella tanimë i kaloi 8 km të korridoreve të hulumtuara. Në vjeshten e vitit 2002 shoqata ”Aragonit” së bashku me grupin e speologve sllovak filluan hulumtimet e mëtutjeshme të kësaj shpelle gjigante dhe madhështore e cila është një trashëgimi natyrore e papërsëritshme e Pejës. Që nga ajo kohë në shpellë u bënë mjaft hulumtime dhe ngjitje nëpër disa oxhaqe dhe degëzime tjera ku u arritë lartësia relative +250m, +240m, +165m për ndryshim nga hyrja. Në njërën nga këto ekspedita u bë edhe hulumtimi i zonës sifonale (apo të liqenit) në nivelin e lumit nëntokësor. Edhe në ditët e sotme hulumtimet e kësaj shpelle janë duke vazhduar dhe në bazë të ekspertëve speleolog kjo shpellë do të radhitet në një nga dhjetë shpellat atraktive në Europë.
MORFOLOGJIA DHE GJENEZA Shpella “Gryka e Madhe” është një sistem kompleks tipik. Kalimet e shpellës në pjesën më të madhe janë të ashtuquajtur paleo-sifone, në formë të gjurit me një lartësi 20-30m. Këto korridore kanë profil oval, por me shume eliptik, dhe të dimensioneve të ndryshme, të cilat kanë karakter të një kanjoni të vazhdueshëm nëntokësor, me mure mjaft të larta. Shpella Gryka e Madhe është e përbërë nga 5 nivele. Niveli i parë është niveli i lumit i cili është mjaft aktiv. Ky nivel arrin lartësinë prej 66m prej hyrjes. Shkalla më e lartë i ka 3m, dhe është e mundur që në disa vende të zbritet në shtratin e lumit, përmes disa kanaleve të ngushta në formë të gypave të pjerrtë. Niveli i lartë, i cili është edhe kryesori, ka karakter gati sub-horizontal, dhe në një lartesi +80m dhe gjatësi prej 1 km ka vetëm disa shkallë, prej të cilave më e larta i ka 10m. Kalimet këtu janë të gjëra, dhe është e mundur që të ecet në to. Ky nivel, mesatarisht 15-20m përmbi rrjedhën aktive, është pothuajse kopje e nivelit të lumit nëntokësor. Një pjesë e veçantë dhe unike e shpellës është edhe i ashtuquajturi Tobogani, një sifon i pjerrtë origjinal-freatik, ku me zbritjen e rrjedhës së ujit, duke kaluar nëpër disa shkallë të shkëmbinjëve, me kohë janë krijuar ngushtica të mrekullueshme, të pjerrëta, dhe të lëmuara. Një fakt i çuditshëm në këtë shpellë është se deri sa në pjesën e parë apo frontale mungojnë dekorimet (përveç të koraleve të formuara nga rrymimi i ajrit) në hyrje të shpellës, pjesa tjetër pas gjysmë-sifonit të ashtuquajtur të Milicisë, është për mrekulli i dekoruar, ndosh-
ta me të gjitha llojet e mundshme të speleo-dekorimeve apo speleo-temave, çka është vështirë të imagjinohet për një zonë e cila gjindet në një mes të kushteve nëntokësore të Europës dhe Mediteranit. Këtu ka shtylla të mëdha dhe të larta, deri në disa metra të gjatë shkopinjë të sodes, stalaktite dhe perde të gjata apo drapëri, stalagmite të grumbulluara, penda të vogla nga shkëmbinjë, liqej me kristale dhe margaritarë nga kalciti. Një gjë tjetër e papërshkrueshme janë edhe govatat me ujë të mbuluara me kristale të kalcitit dhe grupe të gjëra të kristaleve. Poashtu është interesant edhe rëra e ngurtëzuar në një formë dhe madhësi të topave, lartë mbi nivelin e ashtuquajtur“Harku i Ylberit”. Në kalimet hyrëse të ashtuquajtur “Kalimi i Leopardit”, janë disa pika dhe leqe të shpërndara të vermikulitit në formë të lëkurës së leopardit (prej nga ka marrë edhe emrin ky kalim). Karakteristikë tjetër e shpellës janë disa hapësira indirekte në të cilat zakonisht ka disa rrjedha të vogla të ujit. Këto janë më të rrafshta, por kalimet në to janë mjaft të pjerrta gati si oxhaqe, me një pjertësi prej më shumë se 60-shkallë, dhe përfundojnë me disa penda-shkëmbinjësh, të vogla të mbushura me ujë. Në këto oxhaqe, të cilat me siguri e kullojnë ujin nga sipërfaqja e rrafshënaltës së Gurit të Kuq, rrjedha e ujit mund të ngritet nga decilitrat deri në më shumë se 20-të herë, me një ushtimë të një lumi të pasur. Përparimi edhe me lartë dhe më thellë është ende i mundur në këtë shpellë, dhe mesiguri se në një lartësi të caktuar këto kalime
të pjerrëta do të lidhen aksidentalisht me nivele tjera sub-horizontale. Disa kalime të tilla janë gjetur dhe janë të njohura mirë në pjesën e dytë të shpellës, pas gjysmës së saj në një lartësi rreth 150-170 metra për dallim nga lartësia e hyrjes. Horizonti me i lartë në shpellë njihet me emrin “Dyshemeja e Ngjitësve”, në një lartësi rreth 260-270 metra për dallim nga pika e lartësisë në hyrje të shpellës. Shpella është e krijuar në Gëlqerorin e Triasikut të Mesëm, në përgjithësi me një ngjyrë hiri të mbyllet, ndërsa në bazë me një ngjyrë të kuqe-vjollce, me disa arterie të mermerizuara. Në rrafshënaltë janë vërejtur karbonate të kohës së Gjurasikut, si p.sh. të ashtuquajtur “Motley-Breccia”.
KUSHTET HIDROLOGJIKE Niveli më i ulët i rrjedhës së ujit nëntokësorë në stinën e dimrit, është rreth 15 l/s. Ndërsa niveli i shtuar i rrjedhës këtu është matur prej 800 ose 1000 l/s, dhe mund të supozojmë lirisht së ky nivel i kësaj rrjedhe mund të arrijë edhe 2-3 metra-kub/ sekond. Kjo shpellë hyn relativisht thellë në masivin shkëmbor, nëpërmjet një kalimi relativisht të vogël, me një bazë kryesore të kulllimit apo mbledhjes së ujit, ngjajshëm me shumë shpella tjera të Ballkanit dhe Turqisë. Gjithashtu këtu janë krijuar disa sifone të ngritura, një inspirim interesant për speleo-zhytësit. Sasia më e madhe e ujit në oxhaqe, është vërejtur në të ashtuquajturat Banjot e Pejës. Pas të rreshurave më të medha të shiut në siperfaqe, në këtë vend pas disa dhjetra orësh kjo lajmërohet në formë të vërshimit të papritur, ku rrjedha arrin në 20 l/s.Edhe në pjesë tjera të shpelles janë vërejtur rrjedha të ngritura prej 5 l/s në 10 l/s. Nëse konsiderohet së në lumin kryesor pati 40-herë më shumë ujë në atë kohë, është më së e mundur që burimi i rrjedhes së ujit nëntokësor të kësaj shpellë formon disa qindra degë të oxhaqeve, hulumtimi i të cilave do të sjellë me dhjetra kilometra të hapësirave të reja. Hulumtimet do të vazhdojnë në të ardhmen në bazë të mundësive të hulumtuesve, të ngjitësve-alpinist me përvojë, por edhe guximit të speleo-zhytësve, të cilët do të vendosin që ta kalojnë liqenin e fundit sifonal me një gjatësi rreth 100 metrash dhe me siguri deri në 25 metra i thellë, dhe se a do të zbulohet këtu një sistem-karstik (shkëmbor) i veçantë, kur dijmë se teoritikisht lartësia e kalimeve të kullimit të ujit është më e madhe se 1500 metra. Në një mënyrë kjo shpellë është analogji e sistemeve të thella alpike, por se kjo është e njohur prej së poshti d.m.th. prej burimit.
SHPELLA E RADACIT Shpella e Radacit gjindet afër ujvarës së Drinit të Bardhë. Shtrihet në pjesën veri-lindore të vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna. Shpella është e thelluar në shkrepa të cilët e përbëjnë majën e Rusolisë, me lartësi mbidetare 2381m ndër të cilën shtrihet fusha e Drinit te Bardhë. Me vetitë e veta morfologjike është e radhitur me disa degë dhe galeri, salla, korridore dhe kanale. Si shpellë e lumit, me formimin dhe funksionimin, ajo dallohet me pjesët e thata dhe të lagështa të liqejve dhe të galerive. Formimi i shpellës është i lidhur me evolucionin hidrologjik të pjesës perëndimore të krasit gëlqeror të majës së Rusolisë. Rjedha nëntokësore ka formuar kanale më të mëdha të cilat janë ndërtuar në kohën e para Levantit, kanalet më të mëdha të shpellës janë krijuar në kohën e liqejve më të ulët, kur edhe është formuar galeria e dytë e shpellës. Me shpërthimin e ujit të pa lëshuar të barrierës është mundësuar që edhe më tej të bëhet lëshimi vertikal i burimit të Drinit të Bardhë. E pasuruar me dekorime prej çfarëdo shpelle në shkrepat e ketij territori, shpella e Radacit me lidhjet e shumta të kanaleve nëntokësore, galerive të lehta për ecje, dhe kushteve dhe vetive mikroklimatike, paraqet nje objekt mjafttërheqës turistik.
VETITË MORFOLOGJIKE TË SHPELLËS Kjo shpellë përbëhet prej katër elementeve morfologjike: 1.galeritë kryesore, 2.galeritë e majta, 3.galeritë e poshtme dhe 4.kanalet vertikale. Gjatësia e përgjithshme e të gjitha kanaleve të shpellës është 1420m, ndërsa kanalet horizontale janë të gjata 680 m.Galeria kryesore përbëhet prej tri pjesëve: kanalit hyrës, sallës qendrore dhe kanalit të vaskave. Kanali i parë fillon në lartësinë prej 578 m me hyrjen e hapur që ka formën e trekëndëshit të parregullt. Salla qendrore fillon diku në 55m nga hyrja, dhe ajo përbëhet prej korridorit të ngurtë, në fund të të cilit paraqiten një tërësi e blloqeve, nga të cilat të qojnë disa korridore të ngushta në galerinë e ultë të majtë. Galeria qëndrore paraqet një udhëkryq të rregullt. Nga kjo nisen tetë korridore dhe kanale të cilat në nivele të ndryshme lidhen me galerinë fqinje. Tri kanalet e djathta, dy anësore dhe një vertikal e lidhin sallën qendrore me galerinë e poshtme. Dy korridore paraqesin lidhjen me galerinë e majtë. Një kanal qon kah dalja më e lartë në daljen e shpellës, ndërsa dy kanale paraqesin lidhjen me kanalin hyrës me vaska. Salla qendrore është e formës së parregullt. Rrethi i gjatë në drejtim të shpellës është 38m ndërsa i shkurti 18m. Fundi i sallës shtrihet 14m mbi lartësinë në hyrje të shpellës. Në pjesën qendrore të sallës gjindet një shtyllë e masivit gëlqeror e lartë 12m. Kanali me vaska paraqet vazhdimin e galerisë të sallës qendrore, dhe gjatësia e saj është 76m, ndërsa gjërësia prej 4-8m, dhe lartësia në mes të 3-5m. Vaskat janë të radhitura dhe në pjesën e poshtme kanë dimenzione më të vogla, shpesh janë dyshe e treshe që kanalit i japin një pamje të mozaikut. Thellësia e vaskave është më e madhe se 3m, lartësia e harqeve sillet edhe deri në 6,5m, ndërsa kërcimet në mes të disa vaskave janë 3,5m. Shumica e vaskave janë pa ujë, mirëpo në disa mbesin liqejtë gjatë tërë vitit. Salla e madhe i takon të njejtës galeri, dhe nga kjo sallë degëzohen korridoret në të gjitha anët. Korridori kryesor vertikalisht lëshohet në drejtim të galerisë së poshtme, ndërsa të tjerat përbëjnë një thyerje të labirintëve të vendosur në mes të galerive kryesore të shpellës, të pamjes së yllit të gjërë dhe të gjatë 32m. Salla e madhe është e mbushur me shtylla dhe dekorime shumëngjyrshe të shpellës. Fundi është i mbuluar me rërë dhe me material ndër të cilat gjinden blloqet gelqerore. Hyrja në galerinë e majtë ndodhet afër hapjes së galerisë qendrore në lartësi prej 580 m, dhe ajo e ka gjërësine 2,6m kurse lartësinë 1,2m.
SHPELLAT TJERA NË PEJË Sa i përket shpellave tjera të cilat janë në hulumtim e sipër dhe të cilat janë mjaft atraktive për zhvillimin e turizmit janë: 1. Sistemi i shpellave të Mretëreshës 2. Shpella e Demajve 3. Shpella me tri vrima 4. Shpella e Kallabës 5. Shpella e Borës 6. Shpella e Lumbardhit 7. Sistemi i shpellave në Lipë 8. Shpella Gërshërët e Zeza-Karamakaz Andaj të gjitha këto shpella të cilat u përmenden më lart janë duke u hulumtuar dhe duke u vlerësuar për mbrojtjen e tyre dhe për zhvillimin e turizmit në të ardhmën. Tani në sistemin e shpellave të Mbretëreshes është zhvilluar edhe shtegu i hekurt apo “Via Ferrata” e cila i lidh këto 4 shpella në mes veti, ku faktet që shihen në to tregojnë se këto shpella dikur ishin të banueshme.
JETA E GJALLË NË SHPELLA Bukuritë e krijuara përgjatë miliona vite dhe zhvillimi i evolucionit të natyrës kanë bërë që në këto shpella të jetë e pranishme edhe jeta e gjallë unike të cilat zhvillohen në këto kushte. Mirëpo sa më thellë që të depërton përbrenda shpellave aq me e rallë është jeta në to. Prandaj, kjo edhe e ndan zhvillimin e florës dhe faunës në afërsi të shpellës, brendësinë fillestare si dhe pjesët e thella të shpellës.Andaj edhe në shpellat që gjinden në komunën e Pejës janë hasur insekte të ndryshme të cilat janë duke u studiuar nga ekspert të huaj të zhvillimit të jetës në shpella. Deri me tani kryesisht hulumtimet janë bërë në shpellën “Gryka e Madhe” dhe atë të Radacit ku përveç lakuriqit kanë hasur edhe në insekte tjera si marimangat, karkaleci i shpellës, njëqindkëmbëshi dhe insekte tjera nga familja e troglobitëve, troglofilëve, etj. Poashtu në pjesën hyrëse të shpellës së Radacit është gjetur një lloj i kërpurdhës specifike të cilat rriten nëpër hyrjet e shpellave.
KUJDESI NË SHPELLA - Shpella mund të përmbytet nga ujrat. Mos u futni menjëherë pas reshjeve të shiut. - Gjithmonë me vete mbani nga dy llamba elektrike dhe bateri rezervë, rekomandohet të keni bateri dore dhe që vendoset në kokë. - Çdo herë para udhëtimit brenda shpellës informoni personin e besueshëm për kohën kur do të ktheheni dhe numrin e pjesmarësve. - Para se të qaseni në shpellë, veshni rroba dhe këpucë kundër lagështisë dhe baltës. Veshja e pambukut nuk preferohet. - Kujdes nga rokullisjet e shkëmbinjëve dhe tavaneve të ulëta, andaj helmeta është e pashmangshme. -Nuk ekzistojnë markimet në sistemin e koridoreve në shpellë. Andaj kjo shpellë u mundësohet vetëm njërzëve me eksperiencë dhe profesional. - Kërkohet që të keni litarë dhe paisjet për ngjitje. - Gjithmonë keni kujdes gjatë ecjes në shpellë pasiqë mund të jenë vendet me humnerë dhe të rrëshqitshme. - Mos tentoni të merrni me ju asgjë që gjinden brenda shpellës. - Mos leni asnjë gjurmë prapa jush ( mos hudhni mbeturina ne shpellë)
Komuna e Pejës Drejtorati për zhvillim Ekonomik – Sektori Turizmit Tel: +381 39 423 949 Web: www.pejatourism.org Email: pejatourism@yahoo.com Shoqata e speleologëve Aragonit – Pejë Tel: + 377 44 221 365 +386 49 168 566 Tel Int.:+447801947007 Web: www.aragonit-speleo.com Facebook: www.facebook.com/aragonitkosovo Email: fatos64@gmail.com mentorbojku@yahoo.com Fotografitë: Fatos Katallozi Me qëllim të mbrojtjes, vetëdijësimit, promovimit të vlerave të trashegimisë natyrore si dhe prezantimin e potencialeve turistike, Komuna e Pejës –Drejtorati për zhvillim ekonomik – sektori i turizmit së bashku me shoqatat të cilat veprojnë në komunën e Pejës, kanë ndihmuar projektin për promovimin e potencialeve dhe atraksioneve turistike.