Pak histori Qyteti i Beratit është ndër më të vjetrit në Shqipëri, fillimet e të cilit i gjejmë në një vendbanim në formë fortese -Kalaja, e cila ka ekzistuar që prej shekullit IV para Krishtit një jetë të pandërprerë deri në ditët e sotme. Qendra Historike e qytetit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s në 8 Korrik 2008 si ‘’ një shembull i rrallë i një karakteri arkitektural tipik i periudhës Otomane ‘’. Berati është shpallur Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare. Qyteti është i njohur për trashëgimine e tij kulturore, arkitekturën historike dhe bukurinë natyrore dhe njihet si ‘’qyteti i një mbi një dritareve ‘’ për shkak të numrit të madh të dritareve të shtëpive të vjetra që shikojnë mbi qytet. Është një qytet i mrekullueshëm skenik me ndërtesa të bukura shumë interesante nga pikëpamja arkitektonike dhe historike.
Berati mbart dëshminë e bashkëjetesës së feve të ndryshme dhe komuniteteve të shumta kulturore përgjatë shekujve. Pjesa e vjetër historike përbëhet nga tre lagje të ndara nga lumi Osum: Kalaja, Gorica dhe Mangalemi. Qyteti ka gjithashtu Qendrën Mesjetare e cila përbëhet nga monumente të vjetra fetare të sektit Bektashi dhe një xhami të shek.XV.
Pika të tjera me interes Kisha e Shën Mari Vllahernes (shek.13 )Është kisha më e vjetër ekzistuese në Berat. Kjo Kishë është restauruar në shek. 16 dhe afresket e saj janë pikturuar nga artisti Nikolla, djali i Onufrit. Kisha e Shën Kollit (Shek. 16) - Gërmimet arkeologjike kanë treguar se muret e kësaj Kishe janë ndërtuar në shekullin e 16. Brenda në Kishë gjendet një kapitol i përdorur për ritualet fetare i cili përbën një element të arkitekturës paleo -kristiane. Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës – Kisha është një kapelë e cila përfundoi në vitin 1644. Ajo ka një tavan me elementë dekorativë dhe afresket e saj prezantojnë skena nga martirizimi i Krishtit. Kisha e Shën Triadhës – (Shek.13-14). Është ndërtuar pranë mureve te dyta rrethuese të Kalasë. Dallohet për afreske të bukura bizantine dhe muret e saj janë ndërtuar duke përdorur teknikën e klausonazhit .
Akropoli – Është i vendosur në pjesën më të lartë të Kalasë dhe përbën rrethimin e dyte te mureve brenda saj. Ne brendësi të tij gjenden rrënojat e banesave të garnizoneve të ushtrisë Turke, Rezidenca e Pashait dhe rrënojat e Xhamisë së Bardhë ndërtuar në periudhën Otomane. Cisterna e ujit (Shek. 13-14).Është përdorur për ruajtjen e ujit gjatë periudhës së Mesjetës së vonë. Një tunel prej guri u ndërtua në anën jugore për të sjellë ujin nga lumi direkt në kullë. Xhamia e Kuqe -(Shek. 15) –Xhamia është një ndër më të vjetrat në Shqipëri. Në fillimet e saj u shërbeu karvaneve që vinin nga Lindja në drejtim te Perëndimit dhe më vonë u shërbeu garnizoneve Turke. Xhamia Mbret- Xhamia Mbret është një nga xhamitë më të rëndësishme në qytet. Ajo është pjesë e Qendrës Islamike dhe u ndërtua në f und të shekullit 15 nga Sulltan Bajaziti II. Teqeja e Helvetive-(shek. 15) Teqeja e Helvetiveu ndertua ne shekullin 15 dhe u rindër tua nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1782. Karakteristikë për këtë Teqe është tavani prej druri i dekoruar sipas barok i adoptuar në artin Islamik me piktura të përshkruara si ndër më te bukurat e asaj kohe.
Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit. Ajo ka ruajtur të pandryshuar planin e saj original të shekullit IV para Krishtit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI,VIII, XV dhe XIX. Ajo nuk është vetëm një nga Kështjellat më të mëdha të banuara ,por një arkiv në gurë, e cila ofron një varietet stilesh dhe kontribute të epokave të ndryshme: Romako-Bizantine, Shqiptare dhe Otomane. Ndërtesat brenda Kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturëssë tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha Bizantine si dhe disa xhamitë ndërtuara gjatë epokës Otomane e cila filloi në vitin 1417. Kalaja e Goricës ka qënë njëtjetër kala në qytet e cila i përket së njëjtës periudhe (IV para Krishtit), e pozicionuar në kodrën përballë. Sot ekzistojnë vetëm rrënojat e kësaj kalaje. Lagjet e vjetra të Mangalemit dhe Goricës pergjatë lumit, të lidhura me njera-tjetrën me Urën e Goricës, janë zona të ruajtura mirë me ndërtesa me arkitekturë karakteristike me një numër të madh dritaresh, rrugica plot sharm dhe objekte religjioze. Ura e Goricës është një monument i rëndësishëm kulture që dallohet për elegancën e saj. U ndërtua prej druri në vitin 1780 nga Ahmet Kurt Pasha.
Ky dokument është publikuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian . Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Bashkisë Berat dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat dhe në asnjë rrethanë nuk mund të merret si reflektim i pozicionit të Bashkimit Europian.