Direktiva e vlerësimit të ndikimit në mjedis v2

Page 1

Direktiva e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis Studim mbi përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivën e vlerësimit të ndikimit në mjedis: cilësia e raporteve, pjesëmarrja e publikut dhe aksesi në drejtësi

Versioni 2 (12 shtator 2017)

Av. Besmir Beja, LL.M (CEU)


Përmbajtja: I. Hyrje ........................................................................................................................................................... 3 II. Përkufizimi i procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis ......................................................................... 5 III. Përjashtimi nga fusha e zbatimit i projekteve të mbrojtjes dhe emergjencave civile ............................. 6 IV. Përcaktimi i projekteve që i nënshtrohen Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (Screening) ....................... 7 V. Aftësia e ekspertëve ............................................................................................................................... 10 VI. Njoftimi dhe pjesëmarrja e publikut...................................................................................................... 11 VII. Shtojca III .............................................................................................................................................. 13 VIII. Aksesi në Drejtësi................................................................................................................................. 14 IX Përfundime dhe Rekomandime .............................................................................................................. 16 Përfundime ............................................................................................................................................. 16 Rekomandime ......................................................................................................................................... 17


I. Hyrje Vlerësimi i ndikimit mjedis (“VNM”) është një nga instrumentet kryesore që ka ndikuar në përcaktimin e politikave mjedisore në vendet e Bashkimit Evropian si dhe, vitet e fundit, edhe në Shqipëri. Procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis garanton parandalimin, minimizimin dhe kompensimin e dëmeve në mjedis, nga projekte të propozuara që përpara miratimit të tyre për zhvillim. Ky proces është i ndërtuar mbi premisën që mbledhja e informacionit përpara miratimit të projekteve garanton mbrojtjen më të mire të mjedisit. Nëpërmjet këtij procesi autoritetet publike marrin informacion mjedisor nga disa burime të ndryshme, duke përfshirë publikun dhe organizatat mjedisore. Rregullat e zbatueshme për vlerësimin e ndikimit në mjedis, në nivel komunitetit, përcaktoheshin nga direktiva 85/337/KE, datë 27 qershor 1985 "Mbi vlerësimin e efekteve të projekteve publike dhe private mbi mjedisin", e cila është ndryshuar nga direktiva 97/11/KE 1, direktiva 2003/35/KE 2 si dhe direktiva 2009/31/KE 3. Direktiva 85/337/KE, datë 27 qershor 1985 si dhe tre ndryshimet e saj janë kodifikuar 4 nga direktiva 2011/92/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 13 dhjetor 2011, “Për vlerësimin e ndikimeve që shkaktohen në mjedis nga projekte publike dhe private”. Direktiva 2011/92/EU u ndryshua me 16 prill 2014 nga direktiva 2014/52/EU e cila hyri në fuqi me 15 maj 2014. Direktiva 2014/52/EU kishte si qëllim të thjeshtonte rregullat për të vlerësuar efektet e mundshme të projekteve duke autorizuar shtetet anëtare për thjeshtimin e procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedis, përcaktimin e afateve kohore për çdo fazë të kësaj procedure, qartësimin e kritereve që përcaktojnë se cilat projekte duhet t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, rritjen e cilësisë së raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, si dhe detyrimin e zhvilluesve për të marrë masa që, në rast se ka efekte negative, të shmangin, parandalojnë dhe minimizojnë këto efekte. Në Shqipëri, vlerësimi i ndikimit në mjedis rregullohet nga ligji nr. 10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” (i ndryshuar) (“ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis”) si dhe nga aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave të cilat përcaktojnë rregullat për 1

Direktiva 97/11/KE e solli Direktivën 85/337/KE në përputhje me Konventën e ESPOO mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekstin ndërkufitar. Gjithashtu, zgjeroi fushën e saj të veprimit duke shtuar numrin e projekteve që mbuloheshin nga kjo direktivë dhe numrin e projekteve që i nënshtrohen VNM të thelluar të përcaktuar në Shtojcën I, si dhe vendosi kritere të reja në përcaktimin e projekteve të cilat shtetet anëtare mund të zgjidhnin për t’ia nënshtruar procedurës së VNM-së. 2 Direktiva 2003/35/KE solli dispozitat e direktivës 85/337/KE në përputhje me Konventën e Aarhusit për pjesëmarrjen e publikut dhe aksesin në drejtësi për çështjet mjedisore. 3 Direktiva 2009/31/KE ndryshoi shtojcën I dhe II të direktivës 85/337/KE duke shtuar projektet që lidhen me transportin, kapjen dhe ruajtjen e dioksidit të karbonit. 4 Kodifikimi është procesi i bashkimit të një akti legjislativ dhe i ndryshimeve të mëvonshme të tij në një akt të ri. Akti i ri kalon në të gjitha procedurat legjislative duke shfuqizuar aktin e vjetër dhe ndryshimit e tij dhe duke krijuar një akt të ri me përmbajtjen e akteve të shfuqizuara. Për më shumë shikoni http://ec.europa.eu/dgs/legal_service/codifica_en.htm (vizituar për herë të fundit me datë 21.07.2017)


zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis 5, për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore 6, vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar 7, dhe metodologjinë e vlerësimit të ndikimit në mjedis 8. Sipas shënimit të tij, ligji nr. 10440 është përafruar plotësisht me direktivën 85/337/KE të ndryshuar, ndërkohë që VKM nr. 686, datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore” ka synuar të bëjë përafrimin e plotë të Direktivës 2011/92/EU të ndryshuar me Direktivën 2014/52/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 16 prill 2014. Sidoqoftë, gjatë ndryshimeve të ligjit nr. 10440 në mbledhjen e datës 24.02.2015 është diskutuar 9 në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mundësia për përafrimin e plotë të këtij ligji me direktivën 2014/52/EU. Ky studim përbën një vlerësim të mënyrës dhe nivelit të përafrimit të legjislacionit shqiptar për vlerësimin e ndikimit në mjedis si dhe në rastet kur për çështje të caktuara çmohet që ka nevojë për ndryshime në ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis ose të akteve nënligjore në zbatim të tij propozon ndryshime në to në përputhje me parashikimet e direktivës 2014/52/EU. Sidoqoftë, duhet vënë në dukje që ky studim nuk propozon një përafrim të plotë të direktivës por ka analizuar vetëm ato çështje që çmohen të nevojshme për përmirësimin e legjislacionit dhe praktikës së kryerjes së vlerësimit të ndikimit në mjedis me një vemendje të veçantë në cilësinë e raporteve, pjesëmarrjen e publikut si dhe aksesin në drejtësi. Studimi ka një strukturë të tillë: fillimisht parashtron çështjet për të cilat çmohet që është e nevojshme të përmirësohet legjislacioni shqiptar duke u bazuar në rregullat e vendosura nga direktiva 2014/52/EU më pas, për çdo çështje (a) vendoset dispozita përkatëse e direktivës së vitit 2014 (b) vihen në dukje ndryshimet që ka pasur ky dispozitë në krahasim me direktivën e vitit 2011 (c) identifikohen rregullat në fuqi të legjislacionit shqiptar (ç) për disa çështje jepen raste praktike në të cilat janë cënuar rregullat mbi VNM (d) vlerësohen nëse këto rregulla janë në përputhje me përcaktimet e direktivës së viti 2014 dhe së fundmi (dh) propozohen nenet që duhet të ndryshohen në legjislacionin shqiptar.

5

VKM nr. 686, datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore” 6 VKM nr. 247, datë 30.04.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore” 7 VKM nr. 598, datë 01.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin e ndikimit në mjedisin ndërkufitar 8 VKM nr. 912, datë 11.11.2015 “Për miratimin e metodologjisë kombëtare të procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis” 9 Për më tepër shih https://www.parlament.al/wpcontent/uploads/2015/11/komisioni_i_veprimtarise_date_24_02_2015_21335_1.pdf (vizituar për herë të fundit me datë 21.07.2017)


Në këtë mënyrë, studimi mund të shërbeje si një udhërrëfyes për Kuvendin dhe veçanërisht Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në rast se shqyrton nisma ligjore mbi ndryshimin e ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Studimi është kryer në kuadër të projektit HELP – CSO i zbatuar nga Milieukontakt Albania, EcoAlbania dhe Lex Ferenda i cili mbështetet nga programi ACHIEVE i zbatuar nga REC Shqipëri dhe i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

II. Përkufizimi i procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis Neni 1(2)(g) 4 “vlerësimi i ndikimit në mjedis” kupton një proces i cili përbëhet nga: (i) përgatitja nga zhvilluesi i një raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimit të nenit 5(1) dhe (2); (ii) kryerja e konsultimeve sipas përcaktimeve të nenit 6 dhe ku është e zbatueshme, edhe nenit 7; (iii) vlerësimi nga autoriteti përgjegjës i informacionit të paraqitur nga zhvilluesi në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis si dhe në rast se është e nevojshme të çdo informacioni shtesë të paraqitur sipas nenit 5(3), dhe të çdo informacioni tjetër të rëndësishëm të marrë nëpërmjet konsultimeve të parashikuara nga neni 6 dhe 7; (iv) vendimi e arsyetuar të autoritetit përgjegjës mbi efektet e rëndësishme të projektit mbi mjedis, duke marrë në konsideratë rezultatet e vlerësimeve të përcaktuara në pikën (iii) dhe, ku është e përshtatshme, vlerësimet e veta shtesë (v) përfshirjen e përfundimeve të arsyetuara të autoritetit përgjegjës në ndonjë prej vendimeve sipas nenit 8a.

Vlerësimi i ndikimit në mjedis nuk ishte vendosur si përkufizim në direktivën e vitit 2011. Sidoqoftë, nevoja për t’u përfshirë ka lindur si pasojë e çështjes C-50/09 10 të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në të cilën u përcaktua që vlerësimi i ndikimit në mjedis është një proces në të cilin kanë bashkarisht përgjegjësi zhvilluesi dhe autoriteti përgjegjës. Ligji nr. 10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” (i ndryshuar) në nenin 6 pika 3 e përkufizon "Vlerësimi i ndikimit në mjedis (VNM)" si procesin që kryhet për vlerësimin 10

Për më shumë shiko vendimin në linkun: http://curia.europa.eu/juris/document/document.jsf;jsessionid=9ea7d0f130d5fb607af380de40ecab40e5d7531ea e5d.e34KaxiLc3eQc40LaxqMbN4PaN4Se0?text=&docid=84209&pageIndex=0&doclang=en&mode=lst&dir=&occ=fi rst&part=1&cid=736993 (vizituar për herë të fundit me datë 21.07.2017)


e përgjithshëm të ndikimeve të rëndësishme negative, të drejtpërdrejta ose jo, në mjedis, nga projekte të propozuara publike dhe private. Në kushtet kur përkufizimi i parashikuar nga ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk përfshin të gjithë elementët e vendosur në përkufizimin e parashikuar në direktivën e vitit 2014, është e këshillueshme që pika 3 e nenit 6 të ndryshohet sipas direktivës së vitit 2014.

III. Përjashtimi nga fusha e zbatimit i projekteve të mbrojtjes dhe emergjencave civile Neni 1(3) Shtetet anëtare mund të vendosin, rast pas rasti dhe në rast se është e përcaktuar në legjislacionin kombëtar, të përjashtojnë nga fusha e zbatimit të kësaj direktive të projekteve ose pjesë të projekteve të cilat kanë si qëllim të vetëm mbrojtjen kombëtare, ose të projekteve të cilat kanë si qëllim të vetëm përgjigjen ndaj emergjencave civile, në rast se e çmojnë që zbatimi i kësaj direktive mund të pengojë përmbushjen e këtyre qëllimeve.

Ky nen ka ngushtuar rastet kur mund të përjashtohet nga fusha e zbatimit projektet e mbrojtes për shkak se nuk ishte e zbatueshme për një pjesë të projekteve, por sidoqoftë, ka shtuar rastin e emergjencave civile. Legjislacioni shqiptar 11 ka përjashtuar nga fusha e zbatimit të ligjit të VNM projektet e hartuara për qëllimet e mbrojtjes kombëtare dhe njëkohësisht ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin që rast pas rasti të përcaktojnë projektet e mbrojtjes kombëtare që përjashtohen nga kryerja e procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis por sidoqoftë, rekomandon masat e nevojshme për parandalimin apo minimizimin e ndikimeve të rëndësishme negative. Në nenin 5 të ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, si edhe në rastin e projekteve për mbrojtjen kombëtare, duhen përjashtuar nga fusha e zbatimit të këtij ligji edhe projektet që kanë si qëllim të vetëm përgjigjen ndaj emergjencave civile. Në përcaktimin e kuptimit të termit emergjenca civile, ligjvënësi duhet të marrë në konsideratë përkufizimet e ndryshme të dhëna në ligjin nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile” (i ndryshuar), për emergjencat civile, emergjencat civile kombëtare, fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

11

Neni 5 i ligjit nr. 10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” (i ndryshuar)


IV. Përcaktimi i projekteve që i nënshtrohen Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (Screening) Neni 4(3) Në rast se kryhet një vlerësim rast pas rasti ose vendosen nivele kufi ose përcaktohen kritere në përmbushje të qëllimit të pikës 2, duhet të merren në konsideratë kriteret përzgjedhëse përkatëse të përcaktuara në Shtojcën III. Shtetet anëtare mund të përcaktojnë nivele kufi ose kritere për të vendosur rastet se kur nuk është e nevojshme që projektet t’i nënshtrohen vlerësimit të përcaktuar në paragrafin 4 dhe 5 ose t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis si edhe shtetet anëtare mund të përcaktojnë nivele kufi ose kritere për të vendosur rastet se kur një projekt i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis pa iu nënshtruar vlerësimit të përcaktuar në paragrafin 4 dhe 5.

Neni 4(4) Në rast se shtetet anëtare vendosin për të kërkuar një vlerësim për projektet e listuara në Shtojcën II, zhvilluesi do të jetë i detyruar të japë informacione mbi karakteristikat e projektit dhe efektet negative që mund të ketë në mjedis. Lista e detajuar e informacionit që duhet të jepet nga zhvilluesi përcaktohet në Shtojcën fIIA. Zhvilluesi merr në konsideratë, në rast se është e përshtatshme, rezultatet e vlerësimeve të tjera për efektet mbi mjedisin që mund të jenë kryer si pasojë e zbatimit të çdo akti ligjor tjetër të Bashkimit Evropian. Zhvilluesi mund të paraqesë edhe çdo karakteristikë të projektit ose/dhe çdo masë tjetër të parashikuar që mund të shmangë ose parandalojë ndikimet negative të mundshme në mjedis.

Direktiva e vitit 2011 (neni 4 pika 2) i njeh të drejtën shteteve anëtare për të vendosur nëse projektet e listuar në Shtojcën II të saj duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis ose duke i shqyrtuar rast pas rasti, ose duke vendosur nivele kufi dhe kritere. Gjithashtu, shtete anëtare mund të zgjidhnin për të kombinuar të dy procedurat me qëllim që të përcaktohen rastet kur një projekt duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis. Direktiva e vitit 2014 ka ndryshuar pikën 3 dhe 4 të nenit 4 të direktivës. Neni 4(3) i jep të drejtën shteteve anëtare që në listën e projekteve të parashikuar në Shtojcën II të parashikojnë nivel kufi ose kritere për ato projekte të cilat nuk i nënshtrohen paraprakisht një procedure për të përcaktuar nëse procedura duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis por i nënshtrohen drejtpërdrejtë kësaj procedure duke i bazuar kështu me projektet e Shtojcën I të direktivës. Gjithashtu, shtetet anëtarë mundet që projekte të caktuara të aneksit II duke u bazuar në nivel kufi ose kritere kanë të drejtë të mos ia nënshtrojnë as procedurës që përcakton nëse projektet duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis (screening) dhe as vetë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis.


Neni 4 (4) i direktivës së vitit 2014 ka listuar informacionet e detyrueshme që duhet të jepen nga zhvilluesi për të gjitha ato projekte që shtetet anëtare kanë vendosur që t’i nënshtrohen procedurës që përcakton nëse projektet duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Shtojca IIA INFORMACIONI I REFERUAR NЁ NENIN 4(4) (INFORMACIONI TЁ JEPET NGA ZHVILLUESI PЁR PROJEKTET E RENDITURA NЁ SHTOJCЁN II) 1. Një përshkrim të projektit, ku përfshihet veçanërisht: (a) një përshkrim të karakteristikave fizike të të gjithë projektit dhe, në rastet kur është e përshtatshme, puna për shembjen/gërmim; (b) një përshkrim të vendndodhjes së projektit, me kujdes të veçantë për ndjeshmërinë mjedisore të zonës gjeografike që do të preket; 2. Një përshkrim i aspekteve të mundshme të mjedisit që do të preken dukshëm nga projekti. 3. Një përshkrim të çdo efekti të mundshëm, për aq sa janë të disponueshme të dhënat për efektet e tyre, të projektit mbi mjedisin që vjen si pasojë e: (a) mbetjet e pritshme, çlirimi i gazrave dhe prodhimi i mbeturinave, kur është rasti; (b) përdorimi i burimeve natyrore, në veçanti dherat, toka, uji dhe biodiversiteti. 4. Kriteret e Shtojcës III duhet të merren në konsideratë, kur janë me rëndësi, kur përgatitet informacioni në përputhje me pikat 1 dhe 3.

Pra, direktiva nuk e bën të detyrueshme për shtetet anëtare që çdo projekt të parashikuar në Shtojcën II të direktivës t’ia nënshtrojnë procedurës që përcakton nëse projekti duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit të mjedis (procedura e screening) apo edhe vetë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis. Megjithatë, legjislacioni shqiptar e ka bërë të detyrueshme që çdo projekt i listuar në Shtojcën II të ligjit t’i nënshtrohet më së paku procedurës paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Në përputhje me nenin 7 të ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis çdo projekt privat apo publik, listuar në shtojcat I dhe II, bashkëlidhur këtij ligji, i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas procedurave për të përcaktuar në këtë ligj si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Ligji e ka ndarë procedurën e ndikimit në mjedis në dy hallka (a) në procesin paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe (b) në procesin e thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Procesit paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis i nënshtrohen projektet publike dhe private të listuar në shtojcën II të ligjit dhe në përfundim të tij Agjencia Kombëtare e Mjedisit (“AKM”) përcakton nëse projekti duhet apo jo t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të VNM-së. Nëse


AKM-ja vendos se projekti nuk duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të VNM-së, në vendimin e saj përcakton arsyet dhe konsideratat kryesore ku është mbështetur mendimi, mendimin e institucioneve të konsultuara, përshkrimin, sipas rastit, të masave kryesore që duhen marrë për të shmangur, për të reduktuar dhe, nëse është e mundur, për të korrigjuar ndikimet negative të mundshme në mjedis. Ndërkohë që procesit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis i nënshtrohen të gjitha projektet publike dhe private të listuar në shtojcën I të ligjit si dhe për ato projekte të shtojcës II për të cilat AKM ka vendosur që është e nevojshme që të kryhet procesi i thelluar i vlerësimit të ndikimit në mjedis. Sistemi i mësipërm jo domosdoshmërisht është në përputhje me direktivën e vlerësimit të ndikimit në mjedis pavarësisht se në shënimin e ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis është përcaktuar që ligji është përafruar plotësisht me direktivën 85/337/KEE të Këshillit, datë 27 qershor 1985 “Mbi vlerësimin e efekteve të projekteve publike dhe private mbi mjedisin", të ndryshuar si dhe në shënimin e VKM nr. Nr. 686, datë 29.7.2015 “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore” është përcaktuar se vendimi synon të bëjë përafrimin e plotë të Direktivës 2011/92/EU të Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 13 dhjetor 2011, “Për vlerësimin e ndikimeve që shkaktohen në mjedis nga projekte publike dhe private”, të ndryshuar me Direktivën 2014/52/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 16 prill 2014. Përkatësisht, në të njëjtën linjë edhe me rekomandimet e misionit të asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mjedisit (IBECA) 12, është e këshillueshme që të ndryshojë procedura për të përcaktuar se cilat projekte duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe cilat nuk duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure. Pra, duhet të ndahet procedura e screening nga procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Siç u përmend më sipër, screening ka si qëllim të përcaktojë se cilat projekte të Shtojcës II të Direktivës duhet t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis. Procedura kryhet në bazë të informacioneve që jepen nga zhvilluesi të cilat janë të përcaktuara në Shtojcën IIA të direktivës së vitit 2014. Vlerësimi paraprak i ndikimit në mjedis, sipas legjislacionit shqiptar, vendos një barrë të shtuar mbi zhvilluesit dhe autoritetet shtetërore dhe nuk përmbush qëllimin që ka procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pra që sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, nëpërmjet parandalimit, minimizimit dhe kompensimit të dëmeve në mjedis nga projekt propozimet, para dhënies së lejes së zhvillimit, të garantojë një proces të hapur vendimmarrjeje, përshkrimin e vlerësimin e ndikimeve negative mjedisore në kohën e duhur dhe përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara. 12

Për më shumë shih faqen 354 e vijuese të Raportit të Tretë të Ndërmjetëm për peridhën 1 korrik – 31 dhjetor 2016 në linkun http://www.ibeca.al/pages/docs/Interim%20Report%203_Final_full%20version.pdf


Siç është vënë në dukje edhe në raporte të tjera 13, përkthimi i listës së shtojcës II të direktivës në shtojcën II të ligjit të vlerësimit të ndikimit në mjedis ka sjellë që në raste të caktuara të kërkohet kryerja e procedurës së vlerësimit paraprak të ndikimit në mjedis edhe për një shtëpi 14. Duke i nënshtruar procedurës paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis të gjitha projektet e listuara në Shtojcën II, autoritetet shtetërore mbingarkohen dhe vendosen në pamundësi për të kontrolluar cilësinë e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis të përgatitur nga ekspertët si dhe në të njëjtën kohë shtohen kostot për zhvilluesit. Në fakt, shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur nivele kufi për projektet e listuara në shtojcën II që i nënshtrohen procedurës së screening (pra përcaktimi nëse projekti duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis). Nivelet janë të shprehura në njësi matje (metra ose kilometra) në peshë (ton), në metër katror për sipërfaqet si dhe në kilovat. Është e këshillueshme që e njëjta praktikë të ndiqet edhe në Shqipëri. Në këtë mënyrë, si shembull, për projektet e zhvillimeve urbane të përcaktuar në pikën 10 (b) të shtojcës II të ligjit mund të përcaktohen në bazë të metrave katror të ndërtimit dhe jo duke përfshirë çdo lloj ndërtimi për zhvillimin urban.

V. Aftësia e ekspertëve Neni 5(3) Në mënyrë që të sigurohet që raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të jetë i plotë dhe me cilësi: (a)zhvilluesi duhet të garantoj që raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të përgatitet nga ekspertë të aftë; (b) autoriteti përgjegjës duhet të garantoj që ka, ose ka aksesin e nevojshëm në ekspertizë për të kontrolluar raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis; dhe (c) kur është e nevojshme, autoriteti përgjegjës duhet të kërkojë nga zhvilluesi informacione shtesë, në përputhje me Shtojcën IV, e cila është e lidhur drejtë për drejtë për të arritur në përfundimin rreth ndikimeve të mëdha të projektit në mjedis.

Ky është një nen i ri i parashikuar nga Direktiva e vitit 2014. Ne përputhje me përcaktimet e tij shtetet anëtare duhet të plotësojnë dy kushte në lidhje me cilësinë e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis (1) shtetet duhet të garantojnë që raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis të përgatitet nga ekspertë të aftë dhe (2) autoritetet përgjegjëse që shqyrtojnë raportet e paraqitur nga zhvilluesit duhet të kenë aftësinë e nevojshme teknike për të kontrolluar raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis ose, autoritetet duhet të kenë akses në ekspertizën e nevojshme teknike. 13

Shih ibid Shih rastin e një Vendimi për VNM paraprake: http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/VNM_2016/VP_Nevzat_Tarelli.pdf 14


Legjislacioni shqiptar është pjesërisht në përputhje me këtë nen të direktivës. Përkatësisht, ndryshimet që iu bënë ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis në vitin 2015 ka parashikuar detyrimin për të licencuar personat fizik ose juridik që janë përgjegjës për hartimin e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe gjithashtu, detyrimin që raportin e VNM-së ta hartojë duke krijuar grup specialistësh të kualifikuar, sipas fushave përkatëse që trajton raporti i VNM-së. Megjithatë, në kushtet kur raporti i progresit për Shqipërinë për vitin 2016 ka vënë në dukje që “Shqipëria është në një fazë të hershme në ndërtimin kapaciteteve administrative për zbatimin e legjislacionit. Cilësia dhe zbatimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis duhet të përmirësohet, veçanërisht, në sektorin e hidro energjitikës dhe minierave” 15 është e nevojshme që gjatë fazës së forcimit të kapaciteteve administrative, autoritetet përgjegjëse duhet të kenë akses në ekspertizën e nevojshme teknike. Për këtë shkak, në përputhje me praktikat e mira evropiane 16 është e këshillueshme që të krijohet një sistem i dyfishtë i kontrollit të cilësisë së raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Si hallkë e parë, zhvilluesi përzgjedh një person fizik ose juridik të licencuar për hartimin e raportit të VNM-së i cili e harton këtë raport duke krijuar një grup specialistësh të kualifikuar. Më pas, autoriteti përgjegjës ka të drejtë që të përzgjedhë një ekspert ose grup ekspertësh të licencuar posaçërisht për kontrollin e cilësisë së raporteve të VNM-së, të cilët kontrollojnë cilësinë dhe përshtatshmërinë e raportit të hartuar nga zhvilluesi (të dhënat e përdorura, aspektet sociale, mjedisore dhe ekonomike, alternativat dhe planet monitoruese e rehabilituese).

VI. Njoftimi dhe pjesëmarrja e publikut Neni 6(2) Në mënyrë që të garantohet pjesëmarrje efektive e publikut të ndikuar në procedurat e vendimmarrjes, publiku duhet të informohet elektronikisht dhe me shpallje publike ose me mjete të tjera të përshtatshme, për çështjet e mëposhtme herët në procedurat e vendimmarrjes mjedisore duke iu referuar Nenit 2(2) dhe të paktën, të jepet informacioni sa më shpejt që të mundet: (a) kërkesa për leje zhvillimi; (b) fakti që projekti është subjekt i procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe, kur është me rëndësi, fakti që këtu zbatohet Neni 7; (c) detaje për autoritetet përgjegjëse për marrje vendimi, ato autoritete nga të cilat mund të merret informacion, ato ku mund të dërgohen komente ose pyetje dhe detajet për afatet kohore të 15

Raporti mbi Shqipërinë 2016, Komisioni Evropian, Bruksel, 9.11.2016 SWD(2016) 364 final, https://ec.europa.eu/neighbourhoodenlargement/sites/near/files/pdf/key_documents/2016/20161109_report_albania.pdf 16 Për më tepër shih raportin e Justice and Environment http://www.justiceandenvironment.org/fileadmin/user_upload/Publications/2016/EIA_good_practices_collection. pdf


dërgimit komente dhe pyetje; (d) lloji i vendimit të mundshëm ose, kur ka, draft-vendimi; (e) të dhëna për vënie në dispozicion të informacionit të mbledhur në përputhje me Nenin 5; (f) të dhëna rreth orarit dhe vendit në të cilin dhe mënyrat me të cilat informacioni i rëndësishëm do t’i vihet në dispozicion publikut; (g) detajet për masat që merren për pjesëmarrjen e publikut janë bërë në përputhje me pikën 5 të këtij neni. ... Neni 6(5) Masat e detajuara për informimin e publikut, për shembull duke vendosur shpallje brenda një rreze të caktuara ose duke e publikuar në gazetën lokale dhe për konsultimin me qytetarë të interesuar, për shembull duke marrë opinione me shkrim ose me anë të anketave, duhet të caktohet nga Shtetet Anëtare. Shtetet Anëtare duhet të marrin masat e nevojshme që të garantojnë që informacionet e rëndësishme të jenë të aksesueshme nga publiku elektronikisht, përmes të paktën një portali qendror ose pika me akses të lehtë, në nivelin e duhur administrativ.

Direktiva e vitit 2014 në ndryshim nga ajo e vitit 2011 e ka bërë të detyrueshme njoftimin elektronik të publikut. Siç përcaktohet në nenin 6(2) ky njoftim ka si qëllim të garantojë pjesëmarrjen efektive të publikut të ndikuar në procedurat e vendimmarrjes. Gjatë njoftimit elektronik, publikut duhet t’i bëhen me dije një së sërë çështjesh të parashikuar në nenin 6 pika 2 të direktivës. Megjithëse Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr. 247, datë 30.4.2014 “Për përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore” pjesëmarrja efektive e publikut të ndikuar gjatë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis është vlerësuar si një nga çështjet më problematike të kësaj procedure. Në dukje, rregullat e parashikuara nga VKM nr. 247 janë në linjë me rregullimet e vendosura nga direktiva, sidoqoftë, në praktikë ka probleme me përfshirjen e publikut. Si shembull, edhe çështjet gjyqësore mjedisore që janë paraqitur në gjykatë nga organizatat mjedisore dhe publiku (si shembull mund të përmendet çështja e Hidrocentralit të Poçemit dhe e Luginës së Valbonës) në thelb kanë pasur argumente që lidhen me pjesëmarrjen e publikut gjatë këtyre procedurave. Në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja efektive e publikut, duhen të kryhen rregullime në zbatimin në praktikë të dispozitave të VKM nr. 247. Si shembull, publiku duhet të ketë njohuri (nëpërmjet fushatave të informimit) për informacionin që publikohet elektronikisht në faqen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit si dhe informacioni duhet të jetë lehtësisht i gjindshëm në faqe. Gjithashtu, duhet të garantohet pjesëmarrja efektive e publikut të ndikuar, nëpërmjet përcaktimit


të rregullave të cilat garantojnë që publiku ka marrë efektivisht dijeni për projektin e propozuar. Si shembull, në përputhje edhe me përcaktimet e nenit 6(5) të direktivës, mund të vendosen shpallje brenda një rreze të caktuar, duke e publikuar njoftimin në gazeta lokale si dhe duke njoftuar nëpërmjet postës publikun e ndikuar nga projekti.

VII. Shtojca III SHTOJCA III KRITERET E PЁRZGJEDHJES REFERUAR NЁ NENIN 4(3) (KRITERET PЁR PЁRCAKTIMIN NЁSE PROJEKTET E RENDITURA NЁ SHTOJCЁN II DUHET T’I NЁNSHTROHEN VLERЁSIMIT TЁ NDIKIMIT NЁ MJEDIS) 1. Karakteristikat e projektit Karakteristikat e projektit duhet të konsiderohen, me fokus të veçantë në: (a) përmasa dhe projektimi i gjithë projektit; (b) akumulimi me projekte të tjera egzistuese dhe/ose të aprovuara; (c) përdorimi i burimeve natyrore, në veçanti toka, dherat, uji dhe biodiversiteti; (d) prodhimi i mbetjeve; (e) ndotja dhe zhurmat; (f) risku i aksidenteve madhore dhe/ose katastrofave që janë me rëndësi për projektin, përfshirë ato të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike, në përputhje me njohurit shkencore; (g) rreziku për shëndetin e njerëzve (për shembull në ndotjen e ujit dhe të ajrit). 2. Pozicioni i projektit Ndjeshmëria mjedisore e zonës gjeografike që ka mundësi të ndikohet nga projekti duhet konsideruar, me fokus të veçantë në: (a) përdorimi tokës egzistuese dhe të aprovuar; (b) sasia relative, disponueshmëria, cilësia dhe kapaciteti regjenerues e burimeve natyrore (përfshirë dherat, tokën, ujin dhe biodiversitetin) në zone dhe në nëntokë; (c) kapaciteti përthithës i mjedisit natyral, më vëmendje të veçantë te: (i) ligatinat, zonat bregore, grykderdhje e lumenjve; (ii) zonat bregdetare dhe mjedisin detar; (iii) zonat malore dhe pyjore; (iv) rezervatet natyrore dhe parqet;


(v) zonat e klasifikuar ose të mbrojtura sipas legjislacionit kombëtar; zonat Natura 2000 të caktuara nga Shtetet Anëtare në përputhje me Direktivën 92/43/EEC dhe Direktivën 2009/147/EC; (vi) zona në të cilat standartet e cilësisë mjedisore nuk janë përmbushur në projektet e mëparshme, të përcaktuara në legjislacionin e Unionit dhe të lidhura me projektin , ose në rastet kur vlerësohet që ka problematika të ngjashme.36

(vii) zona me densitet të lart popullsie; (viii) pejsazhe dhe zona me rëndësi historike, kulturore ose arkeologjike. 3. Tipet dhe karakteristikat e ndikimeve potenciale Efektet me rëndësi më të mundshme të projekteve mbi mjedisin duhet të konsiderohen në lidhje me kriteret e vendosura nga pikat 1 dhe 2 e kësaj Shtojce, me fokus në ndikimet e projektit në faktorët e specifikuar në Nenin 3(1), duke marr parasysh që: (a) madhësia dhe shtrirja hapësinore e ndikimit (për shembull zona gjeografike dhe numri i popullsisë që ka mundësi të ndikohet); (b) lloji i ndikimit; (c)lloji ndërkufitar i ndikimit; (d) intensiteti dhe kompleksiteti i ndikimit; (e) probabiliteti i ndikimit; (f) kur pritet fillimi, zgjatja, shpeshtia dhe kthyeshmëria e ndikimit ; (g)akumulimi i ndikimit me ndikime të tjera nga projekte egzistuese dhe /ose të aprovuara. (h) mundësia për të zvogëluar efektivisht ndikimin.

Direktiva e vitit 2014 ka ndryshuar një pjesë të kritereve të cilat përcaktojnë nëse projektet e renditura nё shtojcёn II duhet t’i nёnshtrohen vlerёsimit tё ndikimit nё mjedis. Për këtë qëllim, Shtojca I e vendimit Nr. 686, datë 29.7.2015 “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore” duhet të ndryshohet në përputhje me shtojcën III të direktivës së vitit 2014.

VIII. Aksesi në Drejtësi Neni 11 (Direktiva e vitit 2011)


Shtetet Anëtare do të sigurohen që, në përputhje me sistemin përkatës ligjor kombëtar, anëtarët e publikut: (a) që kanë një interes të mjaftueshëm, ose (b) që mund të dëmtojnë një të drejtë, në rastet kur e drejta procedurale administrative e një Shteti Anëtar e kërkon këtë gjë si parakusht, kanë akses në një procedurë rishikimi përpara një gjykate ose përpara ndonjë organizmi tjetër të pavarur dhe të paanshëm, i përcaktuar me ligj për të sfiduar ligjshmërinë substantive ose procedurale të vendimeve, akteve ose rishikimeve që janë subjekt i dispozitave të pjesëmarrjes së publikut në këtë Dispozitë. 2. Shtetet Anëtare do të përcaktojnë se në çfarë etape mund të sfidohen vendimet, aktet apo rishikimet. 3. Ajo çfarë përbën interes të mjaftueshëm dhe dëmtim të së drejtës do të përcaktohet nga Shtetet Anëtare në mënyrë të vazhdueshme, me objektivin e dhënies së një aksesi të gjerë drejtësie tek publiku i interesuar. Për këtë qëllim, interesi i çdo organizate jo-qeveritare që plotëson kërkesat të cilave u referohet Neni 1(2) do të konsiderohet si të mjaftueshme për qëllimet e nën paragrafit (a) të këtij Neni. 4. Dispozitat e këtij Neni nuk do të përjashtojnë mundësinë e një procedure fillestare rishikimi përpara një autoriteti administrativ dhe nuk do të kenë ndikim mbi kërkesat e realizimit të procedurave rishikuese administrative përpara fillimit të procedurave rishikuese gjyqësore, ku ekziston një kërkesë e tillë sipas ligjit kombëtar. Çdo procedurë e tillë duhet të jetë e barabartë, e drejtë, duhet të shërbehet në kohë dhe nuk duhet të jetë aq e shtrenjtë sa të pengojë ushtrimin e saj. 5. Në mënyrë që të çohet më tej efektiviteti i dispozitave të këtij neni, Shtetet Anëtare duhet të sigurohen që informacioni praktik i lidhur me aksesin në procedurat e rishikimit administrativ dhe gjyqësor të bëhet i njohur për publikun.

Në zbatim të konventës së Aarhusit, Direktiva e vitit 2011 ka parashikuar një dispozitë të posaçme për aksesin në drejtësi për të sfiduar ligjshmërinë substantive ose procedurale të vendimeve, akteve ose rishikimeve që janë subjekt i dispozitave të pjesëmarrjes së publikut. Direktiva i jep të drejtë shteteve anëtare të përcaktojnë se në çfarë etape mund të sfidohen vendimet, aktet apo rishikimet si dhe të përcaktojë se çfarë përbën interes të mjaftueshëm dhe dëmtim të së drejtës duke marrë në konsideratë objektivin e dhënies së një aksesi të gjerë drejtësie tek publiku i interesuar. Megjithatë, direktiva ka parashikuar detyrimin që çdo procedurë e tillë duhet të jetë e barabartë, e drejtë, duhet të shërbehet në kohë dhe nuk duhet të jetë aq e shtrenjtë sa të pengojë ushtrimin e saj. Neni 25 i ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis (i ndryshuar në vitin 2015) ka parashikuar që çdo palë e interesuar, subjekt i këtij ligji, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative te ministri ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve të ministrisë dhe AKM-së, sipas Kodit të Procedurave Administrative. Neni 129 i Kodit të Procedurave Administrative e ka parashikuar si kusht paraprak shterimin e ankimit administrativ për ngritjen e padisë në gjykatën kompetente


për çështjet administrative. Ankimi administrativ duhet të paraqitet në përputhje me nenet 130 e vijues të kodit të procedurës administrative. Pas shterimit të ankimit administrativ, padia mund të ngrihet në përputhje me ligjin Nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” (i ndryshuar). Ligji për gjykatat administrative ka parashikuar afate të posaçme për gjykimin brenda një afati të arsyeshëm të mosmarrëveshjeve administrative. Si shembull, neni 48 pika 2 i ligjit parashikon që Gjykata Administrative e Apelit gjykon çështjen brenda 30 ditëve nga data e ardhjes së ankimit nga gjykata ku është paraqitur ankimi. Pra, dispozitat ligjore për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative janë në përputhje me Konventën e Aahrusit dhe nenin 11 të Direktivës. Sidoqoftë, në praktikë ndodh e kundërta; gjykata administrative e apelit, si e vetmja gjykatë administrative apeli në Republikën e Shqipërisë, për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve dhe numrit të madh të çështjeve administrative që duhen gjykuar nuk e respekton dot afatin e përcaktuar nga ligji për gjykatat administrative. Kohëzgjatja mesatare e një çështje në gjykatën administrative të apelit është 343 ditë. 17 Në këtë mënyrë, kjo praktikë bie ndesh me nevojën për të patur një gjykim të shpejtë të përcaktuar në direktivë dhe në konventën e Aahrusit.

IX Përfundime dhe Rekomandime Përfundime Sipas shënimeve të ligjit nr. 10440 dhe VKM nr. 686 legjislacioni shqiptar duhet të ishte përafruar plotësisht me Direktivën 2011/92/EU të ndryshuar me Direktivën 2014/52/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 16 prill 2014. Në fakt, siç është treguar në çështjet e marra në shqyrtim nga ky studim, jo vetëm që nuk ka përafrim të plotë të direktivës, por në çështje të veçanta (procedura e përcaktimit të projekteve që duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis – screening), legjislacioni shqiptar nuk është në përputhje me të. Si pasojë, është rritur në mënyrë artificiale kostot e zhvilluesve dhe ngarkesa e autoriteteve përgjegjëse duke ndikuar kështu në përmbushjen e qëllimit të procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis. Rrjedhimisht, shpresohet që legjislacioni i vlerësimit të ndikimit në mjedis të rishikohet duke ndryshuar së paku çështjet e përmendura në këtë studim. Në këtë mënyrë mund të garantohet një mbrojtje më e mirë e mjedisit dhe marrjen e vendimeve nga autoritetet e planifikimit dhe licencimit duke u bazuar në informacione cilësore që garantojnë parandalimin, minimizimin dhe kompensimin e dëmeve në mjedis.

17

Për më shumë shiko faqen 24 të Raportit Vlerësimi i afateve ligjore në shqyrtimin gjyqësor administrativ dhe dorëzimin e vendimeve të qendrës InfoCip https://www.osfa.al/sites/default/files/vonesat-ne-shqyrtimingjyqesor-administrativ-vlerësimi-kombëtar-infocip.pdf


Rekomandime Me qëllim përafrimin e ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis me direktivën e vitit 2014 për çështjet të cilat janë parashikuar më sipër, janë të nevojshme të kryhen ndërhyrjet/ndryshimet e parashikuara më poshtë: -

-

-

-

-

-

Në kushtet kur përkufizimi i parashikuar nga ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk përfshin të gjithë elementët e vendosur në përkufizimin e parashikuar në direktivën e vitit 2014, është e këshillueshme që përkufizimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis të përcaktuar në pikën 3 të nenit 6 të ndryshohet sipas direktivës së vitit 2014. Në nenin 5 të ligjit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, si edhe në rastin e projekteve për mbrojtjen kombëtare, duhen përjashtuar nga fusha e zbatimit të këtij ligji edhe projektet që kanë si qëllim të vetëm përgjigjen ndaj emergjencave civile. Në përcaktimin e kuptimit të termit emergjenca civile, ligjvënësi duhet të marrë në konsideratë përkufizimet e ndryshme të dhëna në ligjin nr.8756, datë 26.3.2001 “Për emergjencat civile” (i ndryshuar), për emergjencat civile, emergjencat civile kombëtare, fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera Në të njëjtën linjë edhe me rekomandimet e misionit të asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mjedisit (IBECA), është e këshillueshme që të ndryshojë procedura për të përcaktuar se cilat projekte duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe cilat nuk duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure duke ndarë procedurën e screening nga procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Duke i nënshtruar procedurës paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis të gjitha projektet e listuara në Shtojcën II, autoritetet shtetërore mbingarkohen dhe vendosen në pamundësi për të kontrolluar cilësinë e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis të përgatitur nga ekspertët si dhe në të njëjtën kohë shtohen kostot për zhvilluesit. Në fakt, shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur nivele kufi për projektet e listuara në shtojcën II që i nënshtrohen procedurës së screening (pra përcaktimi nëse projekti duhet t’i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis). Është e këshillueshme që e njëjta praktikë të ndiqet edhe në Shqipëri. Në përputhje me praktikat e mira evropiane është e këshillueshme që të krijohet një sistem i dyfishtë i kontrollit të cilësisë së raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Si hallkë e parë, zhvilluesi përzgjedh një person fizik ose juridik të licencuar për hartimin e raportit të VNM-së i cili e harton këtë raport duke krijuar një grup specialistësh të kualifikuar. Më pas, autoriteti përgjegjës ka të drejtë që të përzgjedhë një ekspert ose grup ekspertësh të licencuar posaçërisht për kontrollin e cilësisë së raporteve të VNM-së, të cilët kontrollojnë cilësinë dhe përshtatshmërinë e raportit të hartuar nga zhvilluesi si dhe të marrin masa për cilësi të dobta të raporteve, apo dhe penalitete për operatorët që kanë paraqitur të dhëna jo korrekte. Pjesëmarrja efektive e publikut të ndikuar gjatë procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis është vlerësuar si një nga çështjet më problematike të kësaj procedure. Në dukje, rregullat e parashikuara nga VKM nr. 247 janë në linjë me rregullimet e vendosura nga


-

-

-

direktiva, sidoqoftë, në praktikë ka probleme me njoftimin, transparencën dhe përfshirjen e publikut. Në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja efektive e publikut, duhen të kryhen rregullime në zbatimin në praktikë të dispozitave të VKM nr. 247 Gjithashtu, duhet të garantohet pjesëmarrja efektive e publikut të ndikur, nëpërmjet përcaktimit të rregullave të cilat garantojnë që publiku ka marrë efektivisht dijeni për projektin e propozuar. Si shembull, në përputhje edhe me përcaktimet e nenit 6(5) të direktivës, mund të vendosen shpallje brenda një rreze të caktuar, duke e publikuar njoftimin në gazeta lokale si dhe duke njoftuar nëpërmjet postës publikun e ndikuar nga projekti. Shtojca I e vendimit Nr. 686, datë 29.7.2015 “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore” duhet të ndryshohet në përputhje me shtojcën III të direktivës së vitit 2014. Afati i gjykimi të çështjeve në Gjykatën Administrative të Apelit bie ndesh me detyrimin e përcaktuar nga Konventa e Aarhusit për të pasur një procedurë të shpejtë dhe efektive të vendosur me ligj. Për këtë shkak, ose duhet të krijohet një gjykim i përshpjetuar i çështjeve mjedisore në Gjykatën Administrative të Apelit ose duhet shtuar numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.