Një natë të errët dhe të frikshme, Makbethi, lord dhe gjeneral skocez, tek udhëtonte me kalë bashkë me Bankon nëpër një moçalishte, ndalet në mes të rrugës nga tri shtriga, të cilat nxisin ambicien e tij duke i parathënë se do të bëhej mbret. Këtë të fshehtë, ai ia thotë së shoqes dhe atëherë Ledi Makbethi e shtyn të vrasë mbretin Dunkan. Krimi kryhet një natë kur Dunkani vjen në kështjellën e Makbethit, që kështu bëhet mbret. Por qetësia në zemrën e tij merr fund njëherë e përgjithmonë. Për të fshehur krimin e kryer, ai nis të bëjë krime të tjera duke kërkuar të vrasë edhe Bankon, mikun e tij, i cili ishte i vetmi njeri që dinte të fshehtën e vrasjes së Dunkanit. Në këtë mënyrë Makbethi bie përherë e më poshtë si njeri. Makbethin dhe të shoqen e tij nuk i zë gjumi natën nga krimet që kanë kryer. Ajo çmendet, ndërsa i shoqi bekon vdekjen që i jep në fushën e betejës dora e Makdafit, të cilit Makbethi i kishte masakruar tërë familjen. Pas kësaj, në fronin mbretëror hipën Malkolmi.