Stina e divorceve - Skender Temali (Novele)

Page 1



SKENDER TEMALI

Stina e divorceve (Novelë)

Shkodër, 2014


Autori: Skender TEMALI Titulli i origjinalit: Stina e divorceve ISBN: 978-9928-161-44-4

© Të gjitha të drejtat janë të autorit

Novela, e plotë ose me fragmente, në botime të ndryshme apo në formë elektronike, mund të publikohet vetëm me lejen me shkrim të autorit.

Çdo ngjashmëri me emra realë apo ngjarje të kësaj novele, janë krejt të rastësishme.

Web: www.skendertemali.com e-mail: skendertemali@yahoo.com

Design dhe kopertina: Ergys TEMALI


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I PARË Atë dridhje të celularit ajo e priste. Qe e bindur se duhej të ishte Fredi. Ngadalë, që të mos tërhiqte vëmendjen e mësuese Netës, e hapi kapakun e celularit dhe lexoi mesazhin që i erdhi: “Megi, je shpirt!”. Seç ndjeu atë çast në tërë qënien e saj. Trupin erdh e ia pushtoi një valë e ngrohtë, që sa vinte e rritej. S’e kishte provuar kurrë më parë një ndjesi të tillë. Pat lexuar romanin “Pritja” dhe e kishte kuptuar se ç’peshë të madhe kishte, se sa ndikonte në konstruksionin shpirtëror të njeriut, por tani, tani që ajo e kish pushtuar prej 24 orësh, gjërat erdhën e iu ngatrruan sa as kujtonte autorin, as vajzën që vuante nën peshën e pritjes të të dashurit të saj. Veç 24 orë dhe portreti i Fred Saraçit i shfaqej parasysh sekondë pas sekonde, zëri i tij i vibronte në tërë trupin, i hynte thellë në skutat më të fshehta të shpirtit, e turbullonte dhe e kthjellonte njëkohësisht. E në këtë vorbull ku qe përfshirë e nga e cila po bindej se nuk dilte dot, përpiqej të rikujtonte deri në detaje ditën e djeshme, të fiksonte edhe grimasat më të holla të fytyrës së Fredit sa herë që ai e shikonte, pasi i ngjante se 3


SKENDER TEMALI

donte ta përpinte. Në to, ndryshe nga herët e tjera, dallonte diçka krejt të veçantë, e cila nuk kish ndodhur më parë në takimet mes tyre. Edhe qëndrimi i tij kur qëndruan herën e fundit përballë në tavolinë, edhe çdo vështrim, edhe çdo fjalë që i hidhte, ishin ndryshe herëve të tjera, sikur fshihnin një nëntekst, kodet e të cilit për t’i zbërthyer nuk mjafton një çelës, por vetëm një zemër e dashuruar. Po pse e mendonte këtë? Mos edhe ajo kishte nisur të ndjente për Fredin se ai i kish hyrë thellë e më thellë në shpirtin e saj!? E gjithçka kulmoi kur u ngritën nga tavolina. Teksa grupi i të rinjve po shprishej e gjithkush po shkonte në punë të vet, Fredi, kur i dha dorën, i afroi kokën që të mos e dëgjonin të tjerët dhe i pëshpëriti se do t’i thoshte diçka të rëndësishme. “Çfarë?” - e kishte pyetur ajo. Ai i kishte mbajtur më shumë se herët e tjera gishtërinjtë në dorën e saj dhe me sy i kishte thënë dje shumë e shumë më tepër se ato tri fjalë në celular. Tani, që kishin kaluar plot 24 orë dhe disa veprime e përgjigje të saj i gjykonte më me ftohtësi, Megi e kuptoi se mbase gaboi kur e pyeti se çfarë ishte ajo “e rëndësishmja” që donte t’i thoshte, pasi, me sa kishte lexuar e dëgjuar, kurioziteti i femrës në të tilla raste përballë partnerit nuk është gjë tjetër veçse një urë ku më pas ajo do të ecë drejt tij. Mira, shoqja e bankës, e pa me bisht të syrit si erdh e u bë prush dhe kuptoi se ato që fliteshin për një lidhje të mundshme të Megit me Fredin mund të ishin të vërteta. Ajo u kollit lehtë dhe Megi u ndez edhe më shumë. Shkurt Mira ia pat zili. Fredi qe një nga këngëtarët më të preferuar të rinisë dhe kush nuk donte ta kishte në krah? 4


STINA E DIVORCEVE

Qe një djalë simpatik, tepër simpatik…Ja, pra, përse Mira ia pat zili Megit. Po, në fund të fundit, edhe ajo, si shoqe banke, do të njihej një ditë me të, përmes tij mund të njihej edhe me artistë të tjerë, me… “Uf, ç’mendonte kështu të tilla budallallëqe!...Megi kish rrugën e vet në jetë e ajo të sajën...Qenë shoqe banke, po kjo s’kish gjasa që të dyja të ecnin në të njëjtën rrugë jete...”. Njohja me Fredin nuk ishte e gjatë...Punë javësh, po ditë pas dite e fytyra e tij Megit i shfaqej edhe mes rreshtave të librave që lexonte, sa erdh duke shuar të gjitha të pathënat mes tyre. Aq sa po i trondiste edhe vendimin të cilit i pat qëndruar strikt që pa kryer maturën të mos krijonte lidhje me asnjë djalë, kushdo të ishte ai...Se kish një bankë përpara, Zanën...Vjet qe ndër më të mirat në mësime, po sa u fejua...Vjen pa detyra, notat në pikjadë...Bridh këtu e bridh atje me të fejuarin... Megi lëviz në bankë, herë ngre duart mbi syprinën e saj, herë seç përpush ashtu më kot në çantë, mandej sjell celularin nëpër duar, duke u përkulur sa në njërin bërryl në tjetrin. Mësuese Neta diçka ka nuhatur, ndërsa shetit mes tavolinave, ndalet pak pranë Megit, e pyet me sy, ia sheh purpurin që i mbulon fytyrën, pulit qepallat pasi e ka të qartë se nxënësja e saj është jashtë mësimit, po nuk i thotë gjë. Në fund të fundit edhe ajo dikur ka qenë e re dhe fluturime të tilla rinore shoqërojnë çdo gjimnazist. Mbase sot ia ka zili Megit…Se edhe mësuese Neta dashuroi një djalë qëkur ishte maturante... Troket dera e klasës. Hyn nxënësi dezhur dhe përcjell 5


SKENDER TEMALI

një urdhër të drejtorisë. Ora e gjashtë nuk do të bëhej, pasi mësuesi i ri i fizikës nuk vinte. -E palejueshme! – dëgjohet zëri i Ridit, që mezi ç’priste të avullonte nga orët e mësimit. -Ridi! - i tërheq vëmendjen mësuese Neta. -Ridi-Ridi, apo mësuese-mësuese, ne këtu na çojnë babi dhe mami për të bërë e jo për të mos bërë mësim! Në klasë shpërthen gazi pas thënieve humoristike të Ridit e mes atij gëzimi të beftë që i ka pushtuar të gjithë për moszhvillimin e orës së fundit, ose e orës së mundimeve, siç e pat cilësuar një racional i klasës, Enea, orën e gjashtë. Ai madje pat kurajon që në një diskutim të lirë të organizuar nga drejtoria arsimore të dilte me propozimin që në çdo ditë të mos bëheshin gjashtë orë, por pesë, se mësuesit në orën e fundit ishin të lodhur e nuk jepnin as gjysmën e rendimentit të orëve të para... Pa kaluar as edhe dy-tri minuta nga njoftimi i dezhurit, Megi merr mesazhin e dytë nga Fredi: “Meqë orën e gjashtë nuk do ta bëni, më thuaj ku të pres?”. Ajo nuk është aq naive sa 24 orë më parë, kur ai i tha se kishte diçka të rëndësishme për t’i thënë, të mos kishte kuptuar se mbase Fredi do të hidhte atë hap e t’i shfaqte dashurinë. Kishte jetuar në këtë ditë atë që s’e kish jetuar asnjë herë më parë. Mendonte gjëra të cilat edhe e lumturonin, edhe e dyzonin. Një “jo” e saj mund të shembte gjithë atë kështjellë lumturie që kishte ndërtuar në ëndërra këto ditët e fundit për Fredin, një “po” e saj...Dilemë të tillë nuk kishte provuar kurrë...Mos si dilema hamletjane?... “Të rrosh apo të mos rrosh-të dashurosh apo të mos 6


STINA E DIVORCEVE

dashurosh?”...Po ç’ishte dilema? E dinte. Po, po, e dinte fort mirë se dilema jetonte mes shtratit të po-së dhe të jo-së...Dy të kundërta, prej të cilave duhej zgjedhur vetëm njëra, pasi përjashtohej çdo zgjidhje e tretë... Hedh sytë sërish nga ekrani i celularit. Edhe në ato fjalë e ndjen forcën e magnetike të Fred Saraçit. Mosardhja e mësuesit të ri të fizikës në orën e fundit s’qe asgjë tjetër veçse kurdisje e Fredit, që t’i hapte rrugë takimit të tyre. Kaq forcë të kishte ai? Ky veprim i dukej disi kalorsiak, por edhe pak si...si, çfarë? Pak si veprim mafioz?! Kurrsesi jo! Më aq sa ka dëgjuar e lexuar, e di se dashuria bën mrekullira që s’arrin t’i realizojë asnjë mendje e kthjellët, detin e bën lumë e lumin e bën det...Një zë i brendshëm sikur i thotë t’i përgjigjet një sekondë e më parë...E rrëmben vala...Edhe pse ishte dhënë urdhër i prerë se kush të zihej me celular të aktivizuar do të gjëndej në drejtori, gati gjysma e klasës rrëmon nëpër celularë. Mësuese Neta kollitet. Ca koka ngrihen, ca as çajnë kokën fare, pasi me mësuese Netën e kanë mirë të gjithë. E dijnë se prej saj nuk të vjen asnjë e keqe. Ridi, si gjithnjë në bankën e fundit, nxjerr nga xhepat dy celularë. -O trap! – dëgjohet zëri i Ridit që komunikonte, siç dukej, me ndonjë shok. – Ke qenë dhe mbetesh koqe kandari!... Klasa shpërthen, se janë mësuar me zhargone të tilla prej tij e që s’ka mësues ta bëjë zap, edhe pse disa prindër në takimet e të enjteve të fundit të muajit kishin bërë ankesa për fjalorin e pakontrolluar të disa djemve, por pa e vënë gishtin tek asnjëri. Kishin diskutuar ashtu, në përgjithësi, 7


SKENDER TEMALI

në parim... Megit i dridhen gishtërinjtë dhe as e ka mendjen fare tek ato që thotë Ridi. Zemra i rreh me forcë. Gjinjtë i dallgëzojnë. Ç’përgjigjeje t’i kthejë Fredit, apo të mos i kthejë fare? Që edhe t’i japë të kuptojë se nuk ka pritur pas derës trokitjen e tij, por edhe se... Sërish mendimet i ngatrrohen, gërmat e mesazhit gjithashtu. Shkruaj e fshij. Fshij e shkruaj. Po ndërkohë në ekran të celularit të saj shfaqet ai, sikur të mos ish diku larg, po në drejtorinë e shkollës që dha urdhërin për mos zhvillimin e orës së gjashtë... “Megi, po të pres tek Prenk Jakova, pas orës së pestë”. Në të vërtetë, me këtë emër nuk ka ende asnjë barkafe në qytet, po Fredit i kanë treguar se në atë lokal me një emër italian, siç ia kishte vënë pronari me katër klasë shkollë, dikur pinte kafe kompozitori i së parës opera shqiptare. Thuaj njërit kështu e tjetrit ashtu, të pres tek “Prenk Jakova” dhe pronari i lokalit plotësoi dokumentat për t’ia ndrruar emrin lokalit. Ky emër i madh i muzikës shqiptare qe i bindur se si me magnet, ditë pas dite, do të thithte sidomos artistët e rinj. Dhe këtu nuk u tregua me atë fillore katundi... Megi e sheh edhe njëherë ekranin e celularit dhe ende nuk don ta besojë se mes saj e Fredit do të nisë një marrëdhënie që e bën të ndjehet në një tjetër botë, zemra i rreh më me forcë, sytë e tij edhe ëndrrimtarë, edhe të ëmbël, sikur i depërtojnë në tërë qënien. E shpirti i saj tani është si një det i trazua Ato fjalë i duken si dallgë që e marrin me vehte, dhe në çast kur mendon se do ta përplasin për 8


STINA E DIVORCEVE

shkëmbinjtë e bregut, i zgjatet një dorë, një tjetër e merr në krahë…është Fredi… Instinktivisht kthen kokën dhe sheh nga Ridi. Ridi, një pasarelë mes saj e Fredit. Ngaqë klasa ka mbipopullim, Ridi gjithnjë preferon të qëndrojë nga fundi dhe rraset ku e ku më shumë me dy vajza që veç kukurisin sa herë i ngacmon. Mira një ditë i tha se Ridi është Donzhuan. Se sot e shihte në shoqërinë e një vajze e nesër të një tjetre, sot në një lokal të qendrës e nesër të periferisë. Mira ka kunatën “beqareshë”, meqë i vëllai ka gjashtë muaj në Angli, dhe sa për t’i mbushur asaj kohën e sa për t’u argëtuar, e shoqëron kudo që ajo dëshiron pasdrekeve të pijë një kafe. Ridi dihej se edhe pa para nuk ishte, pasi pëshpëritej se kur e braktisi shkollën në klasë të tretë e shkoi një vit në Itali, pat guxuar të mirrej me miellin e bardhë... Pra, i grumbulloi ca para të mira dhe, çuditërisht, nuk i bëri rrush e kumbulla të gjitha...Qe aq i zgjuar sa të mos mendonte vetëm për sot...Se kush i kishte thënë kur u kthye të lidhej me njerëz të biznesit e me artistë...Me të parët mund të shtonte paratë, me të dytët qejfet...Pat një avantazh në shoqëri: në takimet e para të imponohej...Të imponohej me xhentilensën e tij, me gatishmërinë për të shërbyer nëse i shfaqeshe për ndonjë shërbim, duke të miratuar mendimet, qofshin ato edhe të gabuara. Nxitonte për të paguar kur të tjerët kruanin xhepat kinse donin të shlyenin faturat që linin kamarierët mbi tavolinë...Të gjitha këto së bashku ia kishin zgjëruar rrethin shoqëror, mes të cilëve edhe me Fredin, këngëtarin e rinisë. Ridi gjeti te Fredi urën drejt elitës kulturore të qytetit e Fredi 9


SKENDER TEMALI

gjeti tek Ridi njeriun praktik e që dinte të mos mirrej me cikërrima. Duke u shoqëruar thuajse çdo pasdreke sëbashku, Ridi arriti të zbulojë se sa i dhënë ishte Fredi pas së bukurës, ose siç e konceptonte ai, pas bukurosheve të qytetit...Duke qenë edhe më i vogël në moshë, Ridi i qëndronte gatitu Fredit për t’i plotësuar çdo dëshirë... Megit nuk iu desh shumë kohë të kuptonte se prezantimi që Ridi i bëri me Fredin ashtu si rastësisht në manifestimin e rinisë në pallatin e sportit, i krijoi përshtypjen se shoku i saj i maturës nuk qe si të tjerët, jo vetëm se ishte dy vite më i madh në moshë, pasi pat mbetur edhe në vit të parë, pra gati 21 vjeç, por edhe sepse dinte që në rrugët e jetës të ecte me një siguri e lirshmëri që s’shihej tek maturantët e tjerë. Këto “avantazhe” ia kishin siguruar koha kur shkoi tek një daja i tij në Itali, po se ai e përzuri për ndonjë proçkë, se e mori vesh se po mirrej me shitjen e drogës a se iku pasi u mërzit, këtë nuk e dinte askush. Gjithsesi ai vit i kishte shërbyer diçka, siç i shërben gjithkujt që shkon në vatrën e huaj. Që të ecte në rrugët e jetës pa paterica e, kur ia lypte interesi, edhe për të pasë dikë si çadër që të mos e lagte rrebeshi i kohës. Përpiqet edhe njëherë të rikujtojë deri në detaje momentin se si Ridi e kish njohur më Fredin, po nuk arrinte dot. Veçse i kujtohej fortmirë se sytë e tij dhe sytë e saj krijuan një urë lidhëse që po i çonte drejt shpirtit, se në çastin kur e Ridi e njohu me Fredin ato qenë disa shoqe. Fredi ua jepte dorën me lirshmëri të gjithave, të shoqëruara nga nofkat e Ridit për secilën: “Mira-kunata e shtëpisë”, “Rozae bija e Kontit të Monte Kristos”, “Fjoralba-ishulli i vetmuar”, 10


STINA E DIVORCEVE

“Megi-Missi pa kurorë”... I kujtohen këto dhe sytë e mendjes blerojnë të gjitha ato pak momente që ka ndarë me Fredin. Arrin në pak sekonda ta shohë vehten edhe nuse në krah të tij, me një vel të gjatë e të gjatë, kindat e të cilit mbahen jo nga fëmijë të vegjël, po nga shoqet e shokët e klasës që bëjnë gallatë me njëri-tjetrin...Mandej fryn një erë, ia merr velin nga koka dhe veli bëhet re puplore... Megi e ka pasion filozofimin. E tërheq mendimi i thelluar, që nga Aristoteli e Kanti. Ka shfletuar shumë, falë edhe bibliotekës së shtëpisë e pasionit të babait për të pasë çdo libër që dilte, madje duke gjuajtur edhe libra në anglisht e italisht të shkrimtarëve romantikë e realistë, pasi ishin dy gjuhë që njiheshin nga të katër pjestarët e familjes: ajo, babai, nëna e vëllai. Po tani ka një turbullim, që nuk e di se nga i vjen, kur në vetvete duhej të ishte më e kthjellët se kurrë e të mirrte një vendim që të mos pendohej nesër. A mos atë propozim të Fredit për t’u takuar ta konsultonte më përpara me të ëmën? A s’kishte diskutuar me të çdo gjë? Të gjente një sebep, të dilte nga mësimi e ta mirrte në telefon...E ndërsa është bërë gati t’i kërkojë leje mësuese Netës për një problem ashtu, pendohet...Në fund të fundit me Fredin do të jetë një kafe e vetëm aq. Në atë takim nuk do të ketë as po e as jo, edhe sikur ai të bëjë ndonjë propozim. Ka një kaos pështjellimi marramendës. Ja, ja tani në dërrasën e zezë të klasës, një dorë e padukshme shkruan: Fredi-Megi. Pulit qepallat dhe gjithçka fshihet. Dy vajzat që po rrinin në bankën e fundit më Ridin 11


SKENDER TEMALI

kukurisin si zakonisht. Po kjo kukurisje tashmë qe rutinore edhe për shokët, edhe për mësuesit. Se profesorët e kishin kuptuar se të mirreshin më Ridin, do t’i thonin lamtumirë orës së mësimit, prandaj bënin sikur as shihnin e as dëgjonin. Fundmaji u ka hequr disa vajzave xhinset e u ka veshur minifundet, ndaj Ridi hidhte enkas stilolapsen në tokë e zgjatej ta mirrte, aq sa ua shihte edhe tangat e mes qetësisë së klasës, thoshte: “Të zeza” apo “Të kuqe” dhe e gjithë klasa shpërthente gazit. Megi sheh sërish nga dërrasa e zezë dhe tani i shfaqen emrat e Fredit dhe të Ridit, të rrethuar me dhjetra pikëpyetje. Pikëpyetjet hidhnin valle, me një ritëm tam-tamesh...Vallë përse me një ritëm tam-tamesh e jo me ritëm daulleje?...Përse?...Një ditë Ridi, duke u mburrur në një tavolinë plot me vajza, kishte treguar lidhjen me Fredin e se si ai e kishte marrë me stafin e tij në një turne në Gjermani?...Atëhere Megi e besoi, më pas pat ndërtuar një pistë tjetër, se Ridi, si akrobat njohjesh, t’i ishte qepur Fredit nga pas dhe tani nuk i shqitej dot. Nuk qe fort e lehtë, pasi duhej të nxirreshin edhe vizat në ambasadën gjermane, që shumë nga kërkesat, sidomos të të rinjve, i kalonte në vrimë të gjëlpërës...Po Fredi e pat kanalizuar grupin e tij artistik përmes ministrisë së kulturës, pas një ftese që mori prej andej për pjesëmarrjen në një festival rinie...Mbase atje me të Ridi...Jo, s’donte të mendonte të tilla gjëra, s’kishte përse!...Ajo ka arritur tashmë të kuptojë se emri botë mund të kishte dhe sinonimin mister, se vërtetë bota, njerëzimi e gjithçka që e rrethonte ishte një mister. Misteri i së panjohurës edhe tani që është njohur me 12


STINA E DIVORCEVE

Fredin, sikur e rrethon e bëhet edhe më i pushtetshëm. Propozimi i Fredit për t’u takuar në një lokal iu duk i shpejtuar, i parakohshëm, por më pas, si e bluajti në mendje disa herë, i dha karar t’i përgjigjej ftesës së tij, e cila, në fund të fundit, nuk ishte ftesë për t’iu hedhur në qafë, edhe pse çdo djalë atë ka finish. E ndërsa vorbulla e mendimeve e pushton të tërën, i duket se ndjen zërin e së ëmës, porositë e saj. Sa, ngaqë këto kohët e fundit ia përsërit si shpesh, i duken edhe demode, edhe të flakura tej nga koha. “Megi, shpirt i mamit, tashti je rritur, shihi në rrugë si të përpijnë me sy...Kujdes në çdo hap që hedh...Se vajza është si gastarja...thyhet e nuk ngjitet më...Këtu na njohin të gjithë...Qimja bëhet tra...njëshi bëhet dhjetë...Ti e di se kush të ka kërkuar deri tani...”. Po dhe kundërshtimet e saj: “Uf, moj ma, boll se po më çmënd! Le ta shkallmojnë mblesët derën e shtëpisë po të duan! Unë do të vazhdoj të lartën, do të bëhem mjeke dhe as më bie ndërmend të lidhem më kënd! Pikë!”. “Po dëgjo, ne s’po të imponojmë, ne s’po ta presim rrugën, po zgjidhe shoqërinë gjithmonë...Gjithmonë mes të tjerëve...Se delen e ha ujku kur ndahet prej tufe..”. “Aman se po më çmënd! Akoma me ujq e me tufa! Po ka ikur ajo kohë, moj ma...!”. “Ne sot kemi mbetur pa kohë, shpirt, koha është e turbullt, shteti është në zgrip e s’të del askush për zot...Përditë dëgjojmë se si grabiten e shiten vajzat jashtë...Kushdo qofshin ato, janë bija nënash...” Po përse ajo që Megi e quante folklor të së ëmës i erdhi tani në kujtesë? I kishte shpërfillur gjithnjë këshilla të tilla, pasi ato përsëriteshin nga të gjitha nënat, por sot, me hapin 13


SKENDER TEMALI

që po hidhte, i gjëmonin fort në timpanët e veshëve.... Sheh orën e dorës dhe akrepi i sekondave të sahatit i ngjet me një dembel Stambolli, që ecën ngadalë-ngadalë, pa ia ndjerë fare rrahjet e zemrës së saj. Një gjysmë ore mjaftonte të qëndronte sot me Fredin në lokal, kështu që pas njëshit do të nisej për në shtëpi dhe askush nga të familjes nuk do të dyshonte se ajo nuk vinte nga shkolla, pasi përkonte me mbarimin e orës së gjashtë. Se si i dukej që po ta pyesnin, të gënjente. Nuk ka gënjyer kurrë në jetë dhe këtë edukatë ia kishin dhënë prindërit qëkur ishte në kopësht. Mësuese Neta diçka thotë, se çfarë nuk është në gjëndje ta riprodhojë as të fragmentarizuar. E ashtu, në mënyrë të pavullnetshme, ka kapur dorën e shoqes se bankës, Mirës…Ajo e shikon dhe vë buzën në gaz... “Megi, Megi, ku je?!”, sikur e pyesin sytë e saj… Dikur edhe zilja bie, ndjehen përplasje karrikesh, dyer që hapen e mbyllen, zëra që mbushin koridoret, celularë që aktivizohen, shtyrje gati si pa qëllim tek dera e klasës ku djemtë e harbuar u ngjesheshin vajzave, të cilat, më sa duket, e presin atë ngjeshje. Sidomos vajzat që nuk janë të zëna. Megi dhe Mira kanë qëndruar në fund dhe janë mësuar me këtë ritual. Nuk e durojnë atë të shtyrën tek dera. Sidomos Megi. Po edhe djemtë, ngaqë është shumë simpatike, sikur kanë frikë t’i ngjeshen si të tjerave, mbase i tremben një fjale të saj, pasi askush nuk e beson se ajo nuk është e zënë, si dhe asnjë nuk është në gjëndje të thotë se kush e ka atë fat të thithë buzët e saj si prej mulateje, të mbështeste kokën në gjoksin që i kundërmonte çetinë al14


STINA E DIVORCEVE

pine. Bukurinë ia shijojnë nga larg, ashtu si maleve që u shihet epërsia ndaj malave të tjera nga larg...Ende s’është mburrur kush se ka arritur t’ia mbajë gjatë duart e saj në të tijat, se t’i jetë ngjeshur në ndonjë rast si padashje e mos, o zot, t’i ketë futur duart gjatë vallzimeve në pabe. Tani e dijnë se të fundit fare nga klasa do të mbesin Genta më Titin, se Genta do t’i sillet më shpullë e ai do ikë nëpër mesoret e bankave, derisa më në fund do “dorëzohet”, do pranojë goditjet e saj sapo të ikë dhe nxënësi i fundit nga klasa, ta mbërthejë e t’ia japë një tegel të shpejtë të puthurash. Dy vajzat qeshen tek i shohin që rendin pas njëri-tjetrit dhe dalin që t’i lënë në lumturinë e tyre. Mira e kupton se Megi sot nuk e do shoqërinë e saj në rrugën për në shtëpi, ndaj dhe bashkohet me dy vajza të cilat banojnë diku pranë saj, të cilat seç llafosen me njëratjetrën. Megi lë çantën tek dyqani i një kushëriri dhe nxiton drejt “Prenk Jakovës”. Teksa ajo kalon, një grup të rinjsh në trotuarin përballë ndal bisedën. Njëri nga djemtë vërshëllen, tjetri bën kryq, secili prej tyre mund të shndrrohet në kamikaz të ndonjë flirti, mjafton që ajo t’u japë një buzëqeshje… “O kumbull!”, e gërget njëri prej tyre, mbase ose më tuci a më praktiku... Fredi e sheh t’i afrohet lokalit dhe i del përpara. Veprimi i tij jo vetëm i bën përshtypje, por dhe ndjen ta pushtojë një emocion i veçantë. E pra kushedi sa herë është takuar më të, po gjithnjë ka patur dhe të tjerë përkrah, shoqe e shokë, ndërsa tani… Ai i jep dorën dhe ajo si fllad i kalon pranë, hyn në lokal dhe ulet në një nga tavolinat ku i prin ai, në një qoshe, 15


SKENDER TEMALI

larg banakut. Fredi e shikon drejt e në sy dhe Megi e ndjen vehten të tradhtuar. -Isha i bindur! -Për çfarë? – e pyet ajo. -Që do të vije… Megi zihet ngushtë. Është takimi i parë në jetë me një djalë, kështu, vetëm për vetëm. Diçka nuk sundon në lëvizje, me dorë hedh flokët pas shpine, zëri i dridhet pak… -S’kishe përse të mos vija, - i përgjigjet dhe sekondë pas sekonde vjen duke kapërcyer malin e emocioneve. - Unë nuk e kam për gjë të rri në një klub me shokë e me shoqe. Fredi e pushton me vështrimin e tij e këtë ajo e ndjen. Megjithatë reziston. -Edhe kështu, vetëm për vetëm, siç po qëndrojmë tani? -Pse? Ç’të keqe ka? – e pyet Megi. -Jo, nuk ka ndonjë të keqe, po ne s’jemi në Tiranë!… Ka të vërteta në atë që thotë Fredi. Provinca shpesh prodhon regres. Mbase më shumë se progres. Ashtu siç nxjerr në pah edhe yjet. Megi ende nuk kishte arritur të njihte një artist a shkrimtar të madh që kishte lindur në Tiranë!...Mbase edhe gabohej, po të gjithë të mëdhenjtë e kulturës shqiptare kishin ardhur nga provincat, nga Shkodra e nga Gjirokastra, nga Korça e nga Lezha, nga Tropoja e nga Pogradeci! Mbase edhe vetë Fredi nesër do të kishte një gjeoartistikë të tillë, e, për të cilin, flitej se një nga kompozitorët më të mirë të kohës do i besonte këngën e tij për festivalin kombëtar. Kishte të vërteta në ato që mendonte. Pikërisht në 16


STINA E DIVORCEVE

shkollën e muzikës të Shkodrës shpërthyen kushedi sa talente, mes të cilëve edhe ai i Fred Saraçit. Nga këto rrugë, zëri i tij pushtoi hapsirat mbarëshqiptare përmes radiove e ekraneve televizive, jehoi në skenat, diskot, pabet, klubet…Emri i tij njihej tashmë nga mbarë rinia…Në një koncert që ishte dhënë në pallatin e sportit, kur doli në fushën e improvizuar si skenë, vajzat që ndodheshin në rreshtat e parë e “shpërthyen” kordonin e sigurisë dhe morën përpara gjithë organizatorët, derisa arritën ta preknin këngëtarin e zemrës së tyre. Disku i tij i parë thuhej se e kishte nxjerrë nga falimentimi një shtëpi diskografike në Tiranë që mori rriskun e prodhimit. Reklama e Arian Çanit, një gazetari televiziv në emisionin e tij, qe trampolinë e vërtetë. Aq u desh që tirazhi i shitjes së disqeve të rritej në progresion të paimagjinueshëm… Megi u drodh. Disku gjëndej mbi tavolinë. Sigurisht që ai e kishte sjellë për t’ia dhuruar. T’i thoshte Fredit se e kishte, se e vinte çdo ditë ta dëgjonte, qëkur zgjohej e gjithë pasdreken…sikur do të shpallte kapitullimin... Porsa u ul në tavolinë, veç sigurisë, e pushtoi edhe një fllad i ngrohtë, një ndjesi njerëzore që...mbase e kish emrin dashuri...Ndofta ai i parathoshte ardhjen e pranverës në jetën e saj. Këto kalime të saj, nga frika tek triumfi i ndjenjave, tani i përngjasonin zig-zakeve të shiritit të ekagesë që shihte sa herë që gjyshja, nënëdaja, kishte probleme me zemrën. Gjithsesi nuk e donte vehten të tillë. E as ta mendonte frikën e pse-në e pranimit të ftesës së Fredit, aq edhe të qënit e privilegjuar të ndodhej në shoqërinë e tij. Aq më shumë që syri i Fredit ç’prej kohësh e ndjente se diçka 17


SKENDER TEMALI

donte t’i shprehte, mbase dhe atë që i tha në celular “Megi, je shpirt!”. Ndërsa ajo, teksa ai po komunikonte me kamarierin, mendoi: “Jo unë, po ti Fredi je shpirt!”. Lokalin e pushton një trombë. -Të pëlqen? -Shumë! – përgjigjet ajo. – Është Armstrong! – shton, si për t’i treguar Fredit se edhe ajo kishte njohje jo të cekta në fushën e muzikës. Madje i duket në këtë çast se shpirti i saj shkrihet njësh me gurgullimet e trombës. E shikon Fredin. Është hera e parë që e ka përballë sa t’ia ndjejë frymëmarrjen e t’ia shohë edhe ninëzat e syve. Në lokal hyjnë një grup gjimnazistësh dhe të gjithë shikojnë nga tavolina e tyre. Ndjen trazim të lehtë…po ia behë shpejt një grup tjetër dhe vëmendja sikur shtrin krahët aty e këtu…Megjithatë tavolina e tyre, edhe pse larg banakut, kthehet në epiqendër vështrimesh...E Megit ato i bëhen dallgë... -Është më mirë kështu! – thotë ai. -Për çfarë?! – pyet ajo. -Që të mos takoheshim në ndonjë klub të periferisë... Se mua më njohin të gjithë dhe...do të dilnin fjalë për ty... E vërteta e fjalëve që thotë Fredi është porti ku ankorohet mentaliteti e psikolgjia e trevës, por edhe një lloj deliri madhështie i tij që për një vit kishte kapur majat e suksesit! Megi do ta donte më modest, më të thjeshtë, edhe pse ajo që tha Fredi ishte e vërtetë. Por atë le ta pohonin të tjerët... -Megi, je këtu?! – e pyet ai duke hetuar përhumbjen e saj. 18


STINA E DIVORCEVE

-Po, po, Fredi... -Ridi më ka folur për ty, Megi. Më ka folur aq shumë se unë tani të njoh mbase edhe më mirë se ç’e njeh ti vehten! -Vërtetë? – se si pyet ajo. -Habitesh? -Shumë, Fredi! Dhe thjesht se unë përditë udhëtoj drejt vehtes. -Edhe për këtë më ka folur Ridi, përse ta fsheh! Ka kohë që ai më flet për ty... -Ridi? – pyet aq shpejt, instinktivisht, edhe pse Fredi e përmendi disa herë emrin e tij. -Po, po! Ai ka qenë syri im në maturën tuaj... -Ashtu?! – bëlbëzon ajo e shkujdesur, duke shfaqur nga nuanca që i dha pyetjes, një antipati për Ridin, që më shumë, për të, kishte luajtur rolin e informatorit se sa të një shoku të klasës. -Ai më ka folur me superlativa për ty e në ato çaste shpirti më mbushej me petale pranvere...Se ti, Megi, e di fort mirë se shpirti i një artisti është i ndryshëm nga ai i të tjerëve...Edhe një rreze ia bën dritë gjithë jetën, edhe një re ia afron rrëbeshin... Vërtetë që Megi ka lexuar e dëgjuar shumë për ndjeshmërinë e shpirtit të artistit, po tani, tek e dëgjon, dallga e emocionit e përfshin të tërën. Çdo fjalë e tij sikur ka një muzikalitet të veçantë, i hyn thellë në zemër. Ai flet dhe asaj i duket se shket në autostradën e një sinqeriteti ku di të ecë veç shpirti i tij. Megjithatë edhe mendohet. I ngrihet si sfinks një pikëpyetjei sa herë që ai përmend Ridin...Aq më shumë që Fredi mbështetej tek një karakter i tillë i 19


SKENDER TEMALI

dyshimtë...Don një herë t’i thotë dy fjalë për Ridin, por tërhiqet...S’ka përse ta bëjë një gjë të tillë që në takimin e parë, mbase në një kohë të mëvonshme do ia skicojë portretin e tij... Fredi nis të flasë për një këngëtare të re kosovare. Megi e dëgjon, ndërsa ai e përpin të tërën me sy. Mbase enkas dikush nga djemtë e shërbimit të lokalit e ngrë volumin e qendrës së zërit dhe tromba e Armstrongut kthehet në një gjëmim shpirti. Kamarieri sjell porosinë dhe ajo e dallon se si i drejtohet ai Fredit, krejt ndryshe nga klientëve të tavolinave të tjera. Fredi, pas këngëtares kosovare, hap bisedën për një këngëtar italian dhe mrekullohet kur dëgjon prej Megit edhe gjëra që ai vetë nuk i dinte. Mandej ai zë në gojë një film që po shfaqej tek “Milleniumi”. Megi e nuhat se ajo nuk qe e rastësishme, mbase Fredi edhe donte t’i propozonte të shkonin në kinema sëbashku në një nga seancat e asaj pasditeje. Po se si Megi bën një pyetje për një problem të letërsisë romantike franceze, ai e ndjeu vehten bosh e sikur u turbullua, e humb fillin e mendimit, diku pra sfumohet edhe “Milleniumi”…Megjithatë ka aq përvojë sa të mos e humbasë rastin dhe ta lëshojë pëllumbeshën që i kishte ardhur në dorë. -Takohemi nesër paradreke? E shtunë dhe ti s’ke mësim, - i thotë ai. Të refuzojë, se si i duket, t’i thotë po, sërish ndjehet keq. Ngurron. Dikur i thotë: 20


STINA E DIVORCEVE

-O Fredi, po ti e di se unë jam në valën e përgatitjeve për provimet...Mandej nuk është pak shpejt? Ai e shikon sa e bën të drithërohet. I ka marrë dorën në të tijën dhe i thotë: -Mua më duket tepër vonë… -Jo, jo, - kundërshton Megi. -Ke frikë?! Ajo mes turbullirës dhe kthjelltësisë, i përgjigjet: -Frikë s’kam përse të kem, po më mirë një ditë tjetër. -Nëse nuk ke frikë, takohemi nesër para bibliotekës në ora 11. Do të jem me “Bensin” tim. Fredi është këmbëngulës. Po ndërkohë që bëhet gati t’i thotë edhe diçka tjetër, kanë hyrë në lokal një grup të rinjsh. Kuptohet fare lehtë se janë të shkollës së muzikës, pasi mbajnë në duar vegla muzikore. Njëra nga vajzat, me një çantë të vogël krahaqafë dhe si më e mprehtë në shikim, një lozanjare me një pale xhinsa të puthitur sa s’ka pas kofshëve e me gjoksin gjysëm të zbuluar, e ka parë Fredin dhe i drejtohet: -Çao, Fredi! Ç’kemi shpirt?! Edhe të tjerët e përshëndesin mes një afiniteti të dukshëm, secili në mënyrën e tij. Me një ecje sportive, lozanjarja vjen drejt tavolinës, i jep dorën Megit dhe e puth Fredin. Megi drithërohet, po nuk jepet. -Ma ke dhënë fjalën, - thotë vajza më një lehtësi të habitshme, sikur t’i thotë “mirëmëngjes” dhe Megi ndjen një krisje në brendësi të shpirtit. “E po këto të shkollës së muzikës kështu, të shkalluar kanë qenë gjithnjë”, se si i vijnë në mendje fjalët e nënës së Fjoralbës, një shoqes së klasës, e 21


SKENDER TEMALI

cila para dy vitesh, pat një flirt jo fort të këndshëm me një maturant, pianist të kësaj shkolle. Fredi i buzëqesh. -Hadje, mos ma dridh mua, se e di vetë pastaj...! – vazhdoi lozanjarja në të sajen, sikur tani, në këmbim të fjalës së dhënë kushedi për çfarë, mund të lëshonte edhe ndonjë predhë tjetër kërcënuese. Dikur, duket sikur vendoset paqa midis palëve. Fredi lëshon pé i pari. -Kur e kanë aktivitetin? – pyet ai, më tepër duke dashur të heqë atë mjegull që përhapte vajza e panjohur për Megin me ato pyetje të befta ekuivoke. -Nesër, në njëmbëdhjetë... -Kur? – se si pyet ai. -Në njëmbëdhjetë, pra! -Oh, veç në njëmbëdhjetë jo! Në njëmbëdhjetë kam lënë një takim tjetër e nuk vij dot... -Ja fut kot, plako, po ti ma ke dhënë fjalën njëherë. Fredi nuk ia mohon. Megit ai sapo i la takim në atë orë. Po në fund të fundit mund të takohen edhe në ora 12, se nuk bëhej nami! Lozanjarja është këmbëngulëse. Nuk tërhiqet. Atëherë Megi, me marifet, sa të mos bjerë në sy të saj, i zë dorën nën tavolinë Fredit. Ai bashkim gishtërinjsh e elektrizon djalin. E ka marrë mesazhin. -Çfarë të të bëj ty, Vesa! – thotë ai dikur dhe ajo, sa merr fjalën e tij, ia këput një të puthur telegrafike dhe nxiton të bashkohet me tavolinën e të sapoardhurve në lokal. Tërheqjen e kapërceu, të puthuren në prani në Megit 22


STINA E DIVORCEVE

Fredi duhet ta sqaronte. Nuk donte që qysh në takimin e parë të shkaktonte ndonjë keqkuptim të padëshirueshëm, edhe pse Megi qe një vajzë e emancipuar. Ridi, i ka thënë për të se është perëndesha e sinqeritetit dhe e bardhësisë, por dhe e formimit intelektual, sa bënte gisht në tërë shkollën... -E njeh Vesën? Megi bën indiferenten. Se, në fund të fundit, s’ka përse të bëjë të kundërtën. -Si fytyrë e parë, më duket… -Është mësuese muzike, po mirret dhe me organizimin e koncerteve. Ia ka marrë dorën… -Kaq e re?! -Vjet kreu konservatorin... -Ka ndonjë koncert? – se si pyet ashtu më kot Megi, sa për muhabet. -Është përvjetori i një shkolle dhe unë ia pata dhënë fjalën që më përpara… Megi desh ta pyeste nëse këtë e bënte për para ose jo, por u rezervua. Më shumë nuk donte ta fuste veten në kanale të tilla. I dukej se në momentin që do të shqiptohej fjala “para”, diçka do të humbiste nga ajo mrekulli intime që po provonte qysh në takimin e parë. Ndërsa meditonte kështu, i erdhi parasysh sërish Fjoralba, shoqja e klasës. Në vitin e dytë ajo u pat lidhur aq fort me maturantin-pianist sa s’kishte skutë shpirti që të mos i kishin hyrë njëri-tjetrit. Megi e donte Fjoralbën për sinqeritetin dhe naivitetin e saj e mbase, më shumë, kjo e dyta, fëmijëriteti i jepte nje nur edhe më të bukur në fytyrë. 23


SKENDER TEMALI

Rastësisht një ditë, ato hynë të parat në klasë dhe, ndërsa po prisnin shokët, Fjoralba ia dha vajit me ngashërima. Aty ajo i tregoi se pianisti i kish thënë lamtumirë duke u hedhur në krahët e një tjetre, ndaj, në ato ditë pas ndarjes, kur Megi i shkoi në shtëpi Fjoralbës që të mos e linte të vetme e t’ia largonte dëshpërimin, nëna e Fjoralbës, si të qe Kasandra, iu pat drejtuar Megit: “Ndigjo edhe ti, moj Megi, mos dashuro kurrë një artist...se ata u ngjajnë bletëve që mbledhin nektarin lule më lule...”. Ndofta atëherë u pat mjaftuar me ca fjalë ngushëlluese që i kishte thënë Fjoralbës, po qëkur nisi flirtin me Fredin, jo njëherë i kish ardhur në kujtesë se si kish ndryshuar gjëndja shpirtërore e Fjoralbës, se si pas “divorcit” me pianistin pasqyrohej frenimi i saj para çdo aktiviteti që bënte matura, si stepej e tërhiqej kur në rrethin shoqëror futej ndonjë djalë më i madh në moshë se ato, i afërmi i këtij apo asaj. Tanimë Fjoralba, kuptohet, nuk mund të hidhte një tjetër hap të gabuar. Po përse pikërisht tani i erdhi në mend historia e Fjoralbës, përse? Përse të trembej? Ajo e kishte atë formim sa të mos i fuste të gjithë artistët në një thes e të pohonte se në marrëdhëniet njerëzore edhe djalli është më i mirë se ato, siç i thoshte me mllef nëna e Fjoralbës sa herë i shkonte në shtëpi! Kishin kaluar dy vjet që atëhere, trazimi në shpirtin e shoqes së klasës erdhi duke u shuar, e megjithatë ajo stepej dhe i largohej kontakteve të rastësishme me djem të panjohur. Shfrimet e nënës së Fjoralbës për pianistin i kuptonte, por s’kishte përse t’u vinte të gjithë artistëve atë damkë. Po ajo? A kishte se si dhe historia e saj t’i ngjiste asaj 24


STINA E DIVORCEVE

të Fjoralbës? Vërtetë që pianisti i Fjoralbës thuhej se shkëlqente edhe tani në konservator, po nuk kishte kurrë portretin artistik të Fredit. Dhe, më kryesorja, ajo çfarë i ngjau Fjoralbës s’kishte përse t’i ngjiste Megit, jo vetëm se gjurmët e asaj historie ecnin në një rrugë dy vite më parë, kur edhe kthejelltësia e mendimit dhe e veprimit të një adoleshenti kanë kufizimet e veta moshore, por edhe sepse njohja e shoqërimi i tyre qe bërë me dredhinë e një këngëtareje, të cilën e patën në klasë dhe që andej nga prilli ia mbathi me një pasaportë të fallsifikuar drejt Italisë. Megi ndjen sërish një drithërimë...Është gati e njëjta skemë, po me të tjera personazhe...Shoqja e klasës, këngëtarja, e njeh Fjoralbën me pianistin, Ridi, shoku i maturës, e njeh Megin me Fredin... -Megi... Ajo përmendet. Zëri i Fredit është tjetër, seç ka një timbër krejt të veçantë. Duket se gurgullon. O Zot, a ka se si që nën këtë gurgullimë ajo të kalojë një jetë të tërë?...Po përse mendonte kështu?...Ajo i njihte Fredit vetëm anën artistike, kurse jetën reale?...Përse ai paska të drejtë që përmes Ridit të dinte gjithçka për të, ndërsa ajo të mjaftohej vetëm më sukseset e tij skenike?...Se, në fund të fundit, jeta nuk është skena...Dhe këtë e di fortmirë. Diçka i turbullohej, diçka sërish i kthjellohej... Dikur e sundoi vehten. Duhej ta sundonte. Tani lokali qe plot e përplot. Fillimisht desh ta shumëzojë me zero opinionin që mund të krijohej rreth saj, por sa hodhi sytë e pa se tani jo ai, por ajo ishte në qendër të të gjitha vështrimeve dhe e pat të vështirë të mos e 25


SKENDER TEMALI

tradhtonte vehten në disa veprime të pakontrolluara e në mënyrë të veçantë në hedhjen tash e parë me dorë të flokëve prapa... Për vetë moshën që kishte, ndjehej krenare që s’arrinte ta fshihte se me kë po rrinte e vetme në një tavolinë...Mos qe në ëndërr?...Jo, jo...Ai ishte Fred Saraçi, të cilin kushedi sa herë e kishte duartrokitur në skenë...Ishte pikërisht ai që e shihte drejt në sy, herë-herë e ndjente gjurin e tij që i takonte të sajin, si largohej, si i afrohej… Jashtë lokalit u ndje një buri makine…Megi u drodh…Iu duk si të ishte e makinës së babait të saj…Jo se ai qe konservator, por edhe këtë liri…Në fund të fundit në lokal nuk ishte e vetme…Gjithsesi iu duk se nxitoi që pas prezantimit që i bëri muajin e kaluar Ridi dhe disa takimeve si të rastësishme në rrugë e në lokalin përballë gjimnazit, ajo i pranoi Fredit të takoheshin tek “Prenk Jakova”. -Çfarë ke? – e pyeti ai, sigurisht pasi ka parë një ngrysje e stepje të saj, pas gjithë atij gazmendi kur u takuan. -Hiç, kot, të betohem, ashtu kot! Ai nuk e sheh, thjeshtë, siç mund të shohë një shoqe, por e përpin të tërën dhe pasi merr përgjigjen e saj, i thotë: -Ti as të gënjesh nuk ditke, moj Megi!... Ajo skuqet e në vend të vazhdimit të dialogut, ndjen se si gjuri i tij i shkakton një elektricitet që s’e ka provuar kurrë më parë. -Nuk e di, Megi, po atë natë që u prezantuam… Ai nuk e mbaron mendimin, njëri nga muzikantët e rinj duke kaluar me kontrabas, ka ndeshur kamarierin dhe disa gota fluturojnë në dysheme. -Ugur! Ugur! – bën humor dikush e plas gazi në 26


STINA E DIVORCEVE

tavolina, ndërsa Megi falnderon atë përplasje e thyerje gotash, të cilat u bënë shkak që Fredi të mos e vazhdonte mendimin e tij. Mjaftohet ta shikojë me sy, por Fredi, siç duket, qe si puna e gjeologëve, të cilët e ndjejnë kënaqësinë sa më thellë zbresin në damarët e mineralit e në shtresat e tokës. -Pra ka një muaj që imazhi yt nuk më është hequr nga sytë…- thotë ai, duke ia ngulur edhe më thellë vështrimin. Megi tronditet. Ka ndjerë sidomos në dy vitet e fundit fjalë të hedhura nga djemtë anës rrugës, të një maturanti vjet që iu qep keq e s’linte ditë pa i hedhur një romuze a një fjalë, të një mësuesi të sapo diplomuar që tash e parë niste një të afërmin e tyre për t’i kërkuar dorën...ndërsa tani më Fredin sikur ndryshonte gjithçka. -Sytë e tu të kaltër më ngjajnë si një det ku unë u mbyta qëkur të njoha, - thotë ai dhe bën një përpjekje ta vërë dorën mbi të sajën. Megi pushtohet nga një fllad në tërë trupin. Por edhe ka frikë, ka shumë frikë se mos ai fjalë të tilla ua ka thënë edhe vajzave të tjera, që jo me kaq sa ç’i tha asaj, por me një propozim fare të thjeshtë do ta mbështesnin kokën në gjoksin e tij. -Të dija këngëtar, - thotë ajo, - dhe jo poet. Tha kështu dhe u pendua, edhe pse e di fort mirë se fjala e plumbi nuk kthen më në fole. Më parë pat një dyshim të vogël për formimin e tij e tash, si pa dashje, si për inerci të asaj që i tha Fredi, e bëri edhe poet! Megjithatë, le t’ia falte vehtes këtë lapsus! Fredi diçka ka lënë mbi tavolinë. I ngjet me albumet 27


SKENDER TEMALI

ku dhe babai i Megit mbante fotot e fëminisë së saj e të të vëllait, ca albume të herëshme fotografishë që tani as ishin në qarkullim. Ai e kupton se Megi do të mësojë se çfarë do ai album në takimin mes tyre dhe nxiton t’a sqarojë, më shumë për të rritur afinitetin me të dhe në bisedat që do të bënin të mos jetonin pauzat vrastare. -Ata të revistës “Art” po përgatisin katër faqe për mua dhe më kanë kërkuar edhe disa foto të fëmijërisë e të adoleshencës, se ato të skenave të sotme i kanë. Do ua nis menjëherë me Ridin në Tiranë. Ke qejf t’i shohësh? -Oh, sigurisht, - thotë ajo, edhe kurioze, edhe krenare që kishte të bënte me një artist të tillë që po pushtonte edhe revistën më të kërkuar në treg. Fredi i vë përpara albumin dhe afron karriken që sëbashku të bënin përzgjedhjen për revistën. Megi ngazëllehet, pasi Fredi që në krahët e së ëmës kishte qenë një fëmijë aq i këndshëm e i qeshur, sa ta mbushte shpirtin plot. -Ja, kjo më pëlqen aq shumë, - thotë Megi, - duke e venë gishtin mbi një foto bardh e zi, ku Fredi duhej të ishte nja tre vjeç, në mes të një lulebore. Në fakt asaj i pëlqeu më shumë një tjetër foto, Fredi motak, ku në faqen e djathtë i krijohej një quk, që ia shtonte edhe më shumë bukurinë. Po nuk iu duk me vend t’i bënte një propozim të tillë, pasi fotoja e Fredit me luleborën, sikur e lidhte edhe më shumë me këngën aq të njohur “Luleborë”. Mandej të dy bashkë zgjedhin edhe një tjetër foto, Fredi në një festival të fëmijëve dhe një të tretë në një koncert në 28


STINA E DIVORCEVE

shkollën e muzikës. Megi e kupton se Fredin e ka përkëdhelur fati që të vogël. Falë zërit të tij, por dhe pasionit për të mësuar sa më shumë nga pedagogët në degën e kantos, ai ka ecur më përpara se parashikimi i tyre. Më optimistët ajo i kishte dëgjuar të thonin se ai do të ishte një shpresë e skenave shqiptare e më gjërë. Ndërkohë që ajo mediton, Fredit i bie zilja e celularit dhe ai si e sheh se kush e kërkon, merr tri fotot dhe Megi e kupton se jashtë kishte ardhur Ridi për t’i marrë ato dhe për t’i çuar në revistën ilustrative të Tiranës. I kërkoi leje dhe doli. Ngaqë mbeti vetëm, në ato pak minuta, sa të shohë nga tavolinat e tjera apo nga banaku i klubit si e përhumbur, e gjykon më të arsyeshme që t’i hedhë një sy albumit, që nga fleta e parë. E megjithatë sytë i kanë mbetur tek fotoja e Fredit motak, mbase mjeshtërisht fotografi Angjelin Nenshati e kishte zënë në një pozicion ku jepej edhe portreti, edhe ngazëllimi i fëmijës me atë qukun në faqe! Se si i shkrepi! Të bënte një gjë që nuk e kishte bërë kurrë: t’ia “vidhte” këtë foto Fredit. Që më vonë t’ia bënte surprizë, mbase duke i realizuar edhe ndonjë fotomontazh! Ndofta kur të kishte ditëlindjen! Ndofta... E heq me kujdes foton nga albumi dhe, ngaqë ajo qe e vogël, 6 x 9 cm, nuk e pat të vështirë ta fuste me kujdes në xhepin e xhinsave. -Artist ky Ridi! – thotë Fredi sa ulet në karrike e mjaft entusiazt për shokun e saj të maturës. Se në ç’nivel artisti ishte Ridi, Megi e dinte fort mirë, 29


SKENDER TEMALI

por tani që ai pat shërbyer si urë mes saj e Fredit, sikur kishte humbur disa nga prapsitë që ia dinin të gjithë. -Ridi si Ridi! – plotëson ajo, më shumë për t’i dhënë të kuptojë se e njihte me rrënjë e me degë, ndërkohë që shikon orën e dorës: -Bobo, u bëra vonë! – shfaq shqetësimin e saj. -Megi! Ajo nxiton të ngrihet. Për të mos e fyer, sheh edhe njëherë nga ora, si të dojë t’i thotë se qëndrimin më tej e ka të pamundur pasi duhej të respektonte kohën për t’u kthyer në shtëpi… -Atëherë, nesër në dymbëdhjetë… Me atë shtërgim të dorës të para disa minutave nën tavolinë ai sikur e ka marrë po-në e saj. -Kam shumë për të të thënë Megi… Fredi ngrihet pas saj i shoqëruar nga vështrimet e nxënësve të shkollës së muzikës e lozanjares dhe e përcjell deri tek dera e lokalit, pasi ajo me një kthim fin ka qëndruar në vend e pa e fyer i ka zgjatur dorën. Mandej, si drenushë, ka përshkuar rrugën dhe ka kapur trotuarin për të shkuar tek dyqani i kushëririt ku pat lënë çantën e shkollës.

30


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I DYTË Ka aguar një ditë e bukur, gjithë diell. Megi hap pak sytë, pastaj i mbyll dhe ëndërron. I vjen para sysh fytyra e ëmbël e Fredit, seç ndjen thellë në shpirt, pushton jastekun…O Zot, nuk i komandonte lëvizjet, i duket se ka pushtuar Fredin…Ose thjesht e kupton se ai e ka pushtuar të tërën. Ka ndryshuar gjithçka tek ajo në tri ditët e fundit, pas dy takimeve tek “Prenkë Jakova”. Nuk përqëndrohet dot në studim, në biseda, ti i thua diçka, ajo të pohon me mirësjellje dhe po t’ia kërkosh se çfarë ke thënë, nuk di fare…është jo në një det, por në një oqean ndjenjash ku s’ka kapiten anijeje të dalë në breg… thjesht e ka humbur busullën…për të s’ka më as jug e as veri, as lindje e as perëndim, por veç një drejtim: drejt tij, drejt tij e vetëm drejt tij. Dashuria është ajo magji që t’i humb të gjitha kordinatat. Lum kush di të ecë në labirinthet e saj! Ka lexuar shumë, shumë. Mbase më shumë se të gjithë nxënësit e tri maturave. Letërsia ia di pasionin dhe e ushqen me libra. Ndofta edhe për një arsye tjetër: mësuesi është poet dhe ajo, me ato sy që turbullojnë një shkollë, i shërben si muzë, edhe pse asnjëherë nuk e ka shfaqur vehten si admirues i saj. E përmes gjithçkaje ka shfletuar, e ka kuptuar 31


SKENDER TEMALI

se ajo që po i ngjet me Fredin nuk ka emër tjetër veçse dashuri. Një ndjesi që s’e ka provuar kurrë më parë, aq sa po bindet se njeriu dashuron vetëm një herë në jetë, të tjerat janë si matrjoshkat ruse... Nëna e thërret nga kuzhina, po Megi ka dëshirë të qëndrojë edhe pak me imazhin e Fredit. “Po, po”, kthen përgjigje si me mundim. E pushton fort jastekun, fort, fort. “Fredi, Fredi, shpirt!...” -Do ta mbyllin derën, moj bijë! - dëgjohet sërish zëri i së ëmës, pasi edhe ajo nxiton të dalë në punë. Atëherë Megi kujtohet, shikon orën, flak batanijen dhe nxiton të bëjë tualetin e mëngjesit. -Pije këtë gotë qumështi, të keqen! – e lut e ëma, si dikur kur e përcillte në shkollën fillore. Kur doli e kuptoi se përpara luleboreve të një lulishteje në krah të shtëpisë, kishte çelur shpirti i saj. Qe e bindur se diku, ndofta pas kthesës, do i shfaqej Fredi. -O kumbull! – dëgjon romuzen e një djali, i cili iu duk se e ndoqi nga pas. Atë zë e atë romuze e kishte dëgjuar edhe një ditë më parë. Nxitoi hapat, aq sa dikujt mund t’i dukej edhe se po vraponte. Meqë ndjekësi nuk u ndje më, ajo i ngadalsoi hapat dhe eci me ritmin e zakonshëm, që gjithsesi, nuk qe i ngadaltë. Por, pa rrena, ngacmimet që i bënin djemtë e trotuareve, sikur e turbullonin, po jo sa për të mos vërejtur një makinë që frenon, një derë që hapet e një zë që e fton të hyjë brënda. Është Fredi. Pra ai e paska ndjekur qëkur doli nga 32


STINA E DIVORCEVE

shtëpia. Tani turbullimi i saj është edhe më i madh. E di fort mirë se rruga ka sy e gojë. Po sikur t’ia refuzojë ftesën, mos marrëdhëniet e tyre do të merrnin një tjetër rrjedhë dhe do ta humbëte atë?...Përse ta refuzonte, përse? Asnjë vajzë në Shkodër s’do ta bënte një veprim të tillë. Në fund të fundit ajo s’ish në atë moshë e s’ish e lënë sa ta mirrte dikush përdore e ta njihte me një djalë që mund nesër edhe të bëhej bashkëshorti i saj...Po a s’kishte një ëndërr që të bëhej mjeke?...Mësuesi i letërsisë qe vrá në fytyrë kur ajo ia tregoi në një bisedë të lirë mes disa të rinjve...Ai kishte menduar se nxënësja e tij më e mirë, Megi, do të vazhdonte fakultetin ose për letërsi ose për filozofi... As vetë nuk e kuptoi se kush e urdhëroi të ulej, jo në sediljen përpara, ku Fredi hapi derën, po në derën e prapme, e bindur se aty do të ishte më e mbrojtur nga shikimet e llapallapëve të qytetit. Fredi e ka kuptuar mirëfilli veprimin e saj dhe disi e justifikon. E ka parashikuar që ajo të hynte në sediljen e parë, në krah të tij dhe duke u anuar, siç edhe ndodh rëndom kur hyn në çdo makinë, ai ta puthte, qoftë edhe në faqe, por ta puthte e t’i vinte një vulë ëndërrës për ta pasë Megin të tijën. -Prita se mos më çoje mesazh! – e ngacmon ajo. Akulli që shtresoi kur ajo hyri në derën e pasme, pas asaj që tha, erdhi e u shkri dhe Fredi e ndjeu vehten mbret në fron. -Të kam thënë se jam hutaq, harroj ta vë telefonin në karikim dhe çfarë të të them... I hedh një vështrim që ka vlerën e një përqafimi, Megi 33


SKENDER TEMALI

turbullohet sërish dhe ai vjen e rritet kur dora e Fredit i kap dorën e saj të vënë mbi mbështetësen e sediljes së parë. -Fredi... -Pas orës së pestë...ashtu si të premten – thotë ai me besimin se ajo mezi do të presë zilen e orës së parafundit. -Po ne u takuam të shtunën, biseduam gjatë...Pastaj ti e di, mo Fredi, nuk na e çelin derën... Ai e shikon nga lartësia e një të pushtetshmi. -Unë e njoh mirë drejtoreshën, se më është drejtuar disa herë për aktivitetet e shkollës. T’i them në telefon që të japë leje? -Ç’thua? -Do apo s’do? -Jo, jo, - thotë ajo e vendosur. - I kam bërë vend vehtes sa të më japin leje një orë pa kërkesën e prindërve. Sakaq Fredi ka ndalë makinën pa mbrritur tek shkolla dhe Megi zbret me nxitim. Ai e thërret, duke hapur derën e parë në krahun e pasagjerit. Ajo kthehet dhe fut kokën në makinë që të mësojë pa e dëgjuar rruga se çdo t’i thotë e ndërkohë provon zjarrin e buzëve të tij në qafë. -I poshtër! – i thotë Megi dhe bëhet erë. Taman si sorkadhja që duhet të trembet kur i bëjnë fermë zagarët e gjahtarëve dhe turren pas saj duke lehur...Fredi...Zagarët...Gjahtarët...I duket se njerëzit që ecin në rrugë në punën e tyre ia shohin të puthurën që i ka mbetur si fletë trëndafili në qafë...E ashtu instinktivisht çon edhe dorën aty ku kanë mbetur buzët e Fred Saraçit... Nxiton drejt shkollës, sa pa u mbyllur porta. Janë ditët 34


STINA E DIVORCEVE

e fundit të maturës dhe mandej do të kyçet për provimet. E ka ndarë mendjen të marrë vetëm dhjeta, ndryshe nuk e kapte ëndërrën e saj: mjeksinë. Ndërkohë e ndjen celularin. Për një çast mendon se mos është Fredi dhe ka diçka për t’i thënë. Po kujtohet se celulari i tij ende nuk ka bateri, edhe pse ai i tha se do ta ushqente në lokalin ku do të pinte kafenë me një shok...Sigurisht dikush tjetër... Megjithatë nuk ndalet, e kapërcen prakun e derës së shkollës dhe në oborr, në ecje e sipër, e lexon. Por nxitimi i saj ka një kufi. Fjalët e atij mesazhi e ngurrosin, vjen një mjegull dhe ia errëson pamjen: “Jam një nga ish të dashurat e Fredit...Me të kam një djalë, por ai s’ka burrërinë të bëjë ADN-në...Nuk jam e para e as e fundit dashnorja e tij...Në radhë tani je ti...Më thërrasin Didi...Mos paç fatin tim!” Të gjithë ata që kanë dashuruar me pastërtinë e shpirtit, e dijnë se si të ndez zjarri i atyre fjalëve. Nuk sheh askënd, gjithçka është turbull. Turbull fjalët, turbull përshëndetjet e shokëve e të shoqeve, pa kurrfarë vlere një e ndeshur e qëllimshme e ndonjë garipi nëpër shkallë...Frymëmarrja i është shpeshtuar...S’ka oksigjen...Mezi ngopet me frymë...Muret e koridorit të shkollës i shkojnë dhe i vijnë, dyshemeja mes tyre s’është më me pllakat e ngrëna e të plasaritura, po me një foto të deformuar të Fredit, mandej të një fytyre femre, mandej të një tjetre...Fjalët e mesazhit të përhapura mbi to: “...Me të kam një djalë, por ai s’ka burrërinë të bëjë ADN-në... Mos paç fatin tim!”. Gjithçka ajo kish ndërtuar me imagjinatën e saj për Fred Saraçin u çbë e u rropos në disa hone të 35


SKENDER TEMALI

frikshme...Nuk e sundon dot vehten, nuk i sundon dot veprimet, as hapat, as frymëmarrjen, as vështrimin, asgjë... Tani është më në atë moshë sa të dijë se dashuria vdes nga verbëria, fajet dhe tradhëtitë. Po a ishte treguar aq e humbur sa të mos dallonte tek Fredi donzhuanin? Zemra ia donte që ajo, Didi, e cila i dërgonte mesazhin, të qe ndonjë intrigante apo mashtruese... Megi ndal hapat, ndërsa dy mësues ndërpresin bisedën dhe e vështrojnë. Me siguri kanë parë një tjetër Megi, se kush nga këshilli pedagogjik nuk e njeh atë, jo vetëm si maturanten më të mirë, por edhe si një nga vajzat më simpatike e që të impononte respekt. Nuk e kuptoi në i përshëndeti a jo kur u kaloi pranë, as si e përshkoi koridorin e gjatë, si hyri në klasë e si u ul në bankë, përkrah Mirës… Somnambul…Somnambul…Somnambul… -Megi, çfarë ke kështu? – e pyet Mira, e habitur sa s’ka nga sjellja e saj krejt e ndryshme nga ditët e tjera. Jo vetëm ajo, por edhe të tjerët e kanë kuptuar se diçka nuk shkon, aq sa njëri nga djemtë, që shquhej për humorin e hollë, Gerti, tha: “Edhe pse jashtë shndrit dielli, po u prishka moti”. Mbase të thoshte se do bjerë shi apo do qajnë retë, mund të ndillte edhe tek Megi vajin, po ajo diti ta mbajë vehten e t’i shtërngojë dorën shoqes së bankës, si për ta siguruar se ishte aty e gjithçka do të kthjellohej. Orën e parë kanë letërsi. Genci, që për nga lëmshi që bënte në klasë ia kalonte edhe Ridit, ende mësuesi pa përfunduar apelin, i bën një pyetje. Të gjithë, edhe mësuesi, e dijnë se atë pyetje ia ka formuluar dikush tjetër. Mësuesi 36


STINA E DIVORCEVE

bën ta kapërcejë, po Genci është këmbëngulës. Madje i kujton mësuesit edhe thënien e tij që të mos zbresin në përsëritjen e pyetjes së radhës pa përvetësuar të mëparshmen. Kështu do s’do, mësuesi nis të japë spjegimet. Megit nuk i durohet. Me marifet, që të mos e shohë profesori, aktivizon celularin. Nuk i besohet. E lexon edhe një herë mesazhin e fundit. Tronditet sërish. Përmes atyre gërmave ngrenë kokën ca gjarpërinj...Përpiqet t’i largojë me kthjellimin e mendjes, po gjithçka është si disa minuta më parë: turbull, turbull...Sytë i janë mbushur më lot dhe ato i zbresin nëpër mollëzat e faqeve. Nxiton t’i fshijë më trinën e dorës që të mos bëhet objekt në klasë. I duket se ka zbritur në një tjetër planet. Gjen forcë. I thërret vehtes. Ndjehet ajo që është. Mbase atë ia jep një dridhje e lehtë e gishtërinjve, një shpërqëndrim në të shikuar, një lëvizje e pandërprerë e këmbëve, sikur mijëra gjëlpëra e shpojnë në të gjithë trupin. -Megi, çfarë ke? -Kush, unë? – i gjegjet Mirës pa qenë e ndërgjegjshme se kush, ajo apo dikush tjetër e artikuloi atë pyetje. -Ç’të ka ndodhur? Mblidhe vehten...- i thotë Mira, teksa i shtërngon dorën si të dojë t’i thotë se atë do ta ketë përkrah. -Asgjë...të betohem, asgjë... Mira e shikon dhe vë buzën në gaz, pasi Megi është ndezur në fytyrë si një lulkuqe në një fushë të gjërë. -Vajza! – u drejtohet letërsia dhe ato përqëndrohen. Por është vetëm një çast. Megi lundron në një det që s’di se nga shkon, rob i valëve dhe i erërave që fryjnë...Mesazhi i ardhur nga vajza me emrin Didi e ka 37


SKENDER TEMALI

shprishur të tërën...Shpirti i saj hallakatet sa andejkëndej...Shtërngimi i dorës së Mirës sikur e lidh më botën ku jeton! -Megi, ty të janë mbushur sytë me lotë, - pëshpërit ajo lehtë dhe nga xhepi i xhinsave i zgjat një shami të bardhë. Në jetë, edhe në ditët më të stuhishme, janë disa veprime të thjeshta njerëzore, të një shoku a të një miku, që të japin forcë shpirtërore e të mbeten gjatë në kujtesë. Me atë shtërngim dore e me atë shami, Megi pa dritën në fund të tunelit dhe sekondë pas sekonde erdhi duke e marrë vehten. Të kthente mbrasht orët e ditët e atij muaji qëkur ishte njohur më Fredin, të vinte në peshoren e saj fjalët, marrëdhëniet mes tyre e me botën jo artistike. Dikush, andej nga mesi i klasës, i përgjigjet një thirrjeje telefonike, çka e irriton mësuesin, që nis të debatojë me shokun e maturës. Përfiton nga rasti dhe në nxitim e sipër, përmes një nervozizmi nga lëvizjet që bënte, formulon mesazhin. “Fredi, kush është për ty një vajzë më emrin Didi?”. Mos u nxitua? Po përse të mos priste edhe pak, sa të fashitej stuhia shpirtërore, ta diskutonte mesazhin e ardhur me Mirën e me Fjoralbën... Mbase edhe ajo kur kish zbuluar tradhtitë e pianistit kish marrë të tilla mesazhe...të mos nxitohej e ta bisedonte edhe me nënën...Gjithsesi tani Fredi e kish marrë mesazhin që i dërgoi dhe rrahjet e zemrës së saj ishin sekondat e pritjes që i bëheshin këmbanë. Më mirë të mos ia çonte atë mesazh, po të priste e në takimin e parë, ballë për ballë, të sqaronte çdo gjë... I duket se një qënie e padukshme i lëviz në të gjithë 38


STINA E DIVORCEVE

trupin, sa arrin ta pyes se kush ia shkroi mesazhin për Fredin, kush? Ishte e bindur se shpirti i saj jo. Seç kishte një parandjenjë se ajo, Didi, e bënte atë nga cmira, se këngëtarët qenë ëndërra e shumë vajzave...Po përse i qe drejtuar ajo Megit, përse, përderisa nuk kërkonte ndonjë gjë, duke aluduar se po i mirrte dashnorin apo, apo dhe atë më të rëndën, babain e djalit të saj?! Ku e kishte marrë vesh ajo lidhjen e re me Fredin e si i kishte mësuar numurin e celularit të saj? Pret, një minutë, dy, pesë...Përse ai vonon aq shumë, kur për mesazhe të tjera kthente përgjigje brenda tri minutave? Dikur e ndjen sinjalin e ardhjes së mesazhit, po ka pranë mësuesin që spjegon me sytë nga ajo. Dikur mësuesi largon sytë e Megi e lexon mesazhin që i dërgoi Fredi: “Didi është thjesht një emër, madje i gjinisë mashkullore...”. Ajo sikur qetësohet. Si qetësohet deti pas një furtune. Po diku, në horizont, sekondë pas sekondi e minutë pas minute afrohen disa re të zeza, që vijnë e rriten, që ecin, jo nuk ecin, po rendin si të marra, me flokë të shprishura. Kështu shprishet edhe shpirti i Megit. Nis prap trazimi, si dallgët në një det të egërsuar. E ka të madhe dallgën e parë, po gjithnjë njeriu e kapërcen atë, pa e ditur se e dyta do të jetë edhe më e madhe se e para, se e treta do ta fundosë...Seç i erdhi një mendim në ato çaste. As e ka mendjen fare se ku është mësuesi, me sytë nga ajo apo nga dikush tjetër në klasë. Gishtërinjtë e Megit dridhen tek shtypin butonat në tastën e celularit. Mesazhi i saj është nervoz. “Edhe emri im, Megi, është i gjinisë mashkullore...Kush është Didi?” 39


SKENDER TEMALI

Genci kërkon leje të dalë jashtë, për një problem ashtu...Dikush qeshet, dikush bën me kokë se në fund të fundit edhe ai është njeri dhe mund ta ketë të ngutshme të shkojë në tualet...Të gjithë e dijnë se ai nuk mund të qëndojë pa tymosur një gjysëm ore... Është gati edhe ajo t’i kërkojë leje të dalë. Nuk i bën zap emocionet që e kanë pushtuar. Tani trazimi shpirtëror është edhe më i madh. Fjalët e vajzës së mesazhit, të panjohur për të, po tani jo të panjohur për Fredin, ia rrethuan me njëmijë pikëpyetje ëndrrën e saj për dashurinë. Të paktën kaq arriti të kuptojë nga përgjigja e tij. Ka dëgjuar poshtë e përpjetë të flitet për flirtet e artistëve të të gjitha kohërave, po s’do ta besojë se Fredi i saj të kishte pasur aq shumë, sa ajo, Didi e panjohura, të mos ishte e para, por as e fundit, e të kishte fëmijë me të...Edhe pse ka një memorie të rrallë, nuk i kujtohet saktë nëse ka lexuar se edhe Hygoi, apo një tjetër klasik i madh francez, mbante disa dashnore njëkohësisht, madje se njëren e kishte në katin e sipërm të apartamentit ku banonte...Se edhe Balzaku shetiti lule më lule deri sa përfundoi në krahët e konteshës Hanska...Po pse edhe ajo ta kishte një rrisk të tillë, përse? “Përse, përse, përse?”. Pse-të e kishin rrethuar si pezhishkë merimange dhe ajo përpëlitej në pëlhurën e saj. “O budallaqja e budallaqeve! O fyçkë e fyçkave! Mblidhe vehten, dreqi ta hajë, se ti ende nuk je e dashura e Fred Saraçit! Je një e njohura e tij dhe aq, mbase një mikeshë!” – i flet vehtes dhe duket se ato fjalë i japin forcë e kurajo për të mposhtur gjithë shqetësimin që e ka pushtuar. “Fshije 40


STINA E DIVORCEVE

nga kujtesa, Megi, fshije, ja, siç po fshin Fjoralba dërrasën e zezë tani...Po pse pikërisht Fjoralba e jo dikush tjetër po e fshin dërrasën e zezë...? Jo, ajo nuk është një dërrasë e zezë, është një e kaluar e zezë e saj që ajo e fshin përmes një nervoziteti që sa vjen e rritet, duke lënë pas një re të bardhë pluhur shkumësi...” Në klasë hyn Genci. Mësuesi e vështron, i bindur se ka hyrë sërish t’ia prishë përsëritjen e asaj pyetjeje provimi, ndaj që ta paraprijë këtë i bën më shenjë të ulet në vendin e tij dhe reciton e komenton edhe vargjet e fundit të poezisë së Naimit, duke u dhënë edhe modelin e një eseje: -Dashuria, dashuria e vërtetë është Everesti i jetës! Pa dashurinë e vërtetë jeta do të kish një stinë. Imagjinoni: sikur të kish vetëm verë, çdo gjë do të thahej nga nxehtësia, sikur të kish vetëm dimër, çdo gjë do të bëhej kallkan. Vjeshta me gjethe të rëna, si mendime të venitura, pranvera që sjell petale, por jo fruta. Edhe atëherë kur vajza e gruaja mbulohej me perçe të zezë e nuk e kalonte prakun e shtëpisë, Naimi i madh i thur hymne dashurisë dhe bëhet kurban i saj. Poezia e tij i ka të katër stinët e jetës: “Do të shkrihem/ Të venitem,/ Si kandili kur s’ka vaj,/ Balt’ e pluhur/ Do të bëhem,/ Të më shkelnjë këmb’ e saj/ E të prehem/ Duke puthur/ Atë këmbë pasandaj!” Tani imagjinata e Megit ka marrë krahë. Dhe në gjithë ato kompozime kozmike për kohën e që mësuesi i klasifikonte si vargje erotike, vërtitet portreti i Fredit, kësaj herë përdhe, si iu bë në koridor, duke e shkelur dhjetra këmbë Dida-sh, ndërsa ai përpiqej të kapte e të puthte njërën prej tyre. Mbase qe purgatori i dashurisë së saj. 41


SKENDER TEMALI

Aq e kishte humbur, sa një shkelje e këmbës që i bëri Mira e drithëroi të tërën, pasi iu duk se atë ia ceku Fredi. -Megi! Mira nuk e ka parë kurrë në atë gjëndje shpërqëndrimi. Ka një bindje të brendshme se Megit diçka e rëndësishme t’i ketë ndodhur me Fredin... Mbase pas njohjes me të ajo të ketë pësuar ndonjë deziluzion...E kupton se diçka i fsheh, por...a ka të drejtë ajo si shoqe të ecë në ato shtigje intimiteti ku mund të ecë vetëm vetvetja, e thënë ndryshe vetëm Megi!? Në klasë krijohet një pauzë, një qetësi e përkohëshme dhe Ridi, që s’lë rast pa shfrytëzuar, i drejtohet mësuesit më kërkesën që të përsërisë tri vargjet e fundit dhe, do s’do, duke psikologjisur me një vështrim se kjo kërkesë ishte e tërë klasës, risolli edhe njëherë vargjet tronditëse për kohën: “E të prehem/ Duke puthur/ Atë këmbë pasandaj”. Megi i përjeton thellë ato vargje...Se si, po i është ngulitur komenti i mësuesit se dashuria e vërtetë është Everesti i jetës. Në kokë i sillen personazhe të ndryshme të veprave letrare, dramat e tyre në dashuri. A mos edhe ajo po përjeton një të tillë me Fredin? Mesazhi i vajzës më emrin Didi jo vetëm e ka tronditur, por edhe e ka bërë të jetë më kërkuese ndaj vehtes, të masë çdo hap që do të hedhë tash e mbrapa. Në fund të fundit duhet të jetë më realiste, më e kohës...Nëqoftëse Fredi me të e ka seriozisht, po dhe nëqoftëse ka patur dikur një flirt, kjo s’do të thotë se e ka tradhëtuar Megin. Është ndryshe, krejt ndryshe nëse mban lidhje paralele më të dhe më dikë tjetër...Ai është një djalë 42


STINA E DIVORCEVE

diku rreth të njëzet e pestave. Pra, ajo, Didi, ndofta nga cmira apo kushedi se çfarë motivi tjetër, edhe mund të përdorte hiperbolën smadhuese në marrëdhëniet që mund të ketë pasë me Fredin, të shpifte përtej imagjinatës, që Megin ta nxirrte nga shinat e dashurisë...Dashurisë? Vërtetë, ajo që ndjente për Fredin e kishte emrin dashuri? Diçka sërish i turbullohet...Ç’është gjithë ky turbullim? Tutje ngrihej Everesti, mandej si një fantazmë një vajzë më emrin Didi...Me një fëmijë në krah... I shkrep një mendim: Ta takojë Didin e të flasë gojarisht më të, pavarësisht nga “çmimi”, pra edhe nëse Fredi e merr vesh një hap të tillë të saj. Tronditet sërish e dridhet, si ta kishte zënë korenti, aq sa këtë dridhje e ndjeu edhe dora e Mirës që u mbështet në gjurin e saj, pa marrë pse-në e gjëndjes shpirtërore të shoqes së saj të bankës. Zëri i mësuesit sikur artikuloi Didi. Gjoksi i gufon...Didi...Dritëro...Mësuesi ka përmendur Agollin. Dritëroi është bektashi si Naimi...- thotë ai. -Dritëroi ka qenë komunist! – dëgjohet një zë në klasë. -Genci! – i drejtohet mësuesi. -S’thashë gjë të pavërtetë, profo! -E vërteta është se Dritëroi është liriku më i madh i kohës sonë, - definon mësuesi, i bindur se i ka vënë pikën çdo interpretimi tjetër që ia prishte rrjedhën orës së mësimit. Po megjithatë e qeshura pushton klasën. E vetmja që ngryset edhe më shumë është Megi. O Zot, gjithçka i ngjet sikur sillet rreth saj. Sërish një mesazh. Nuk ka guxim ta hapë kapakun e celularit e ta lexojë. I druhet se mos është një tjetër Didi...Po 43


SKENDER TEMALI

dikur e sundon vehten. Sytë e saj të përlotur turbull arrijnë të lexojnë: “Nesër mund të marrësh një tjetër mesazh, Megi. Cmira dhe intriga kanë lindur bashkë me dashurinë. Të puth fort, Fredi”. Sikur ngrohet. Po ç’kishte kështu? Tash ndjen nxehtësi e tash bëhet akull. I duket se gjithçka ngatrrohet. Ngatrrohen fytyrat në klasë, stinët, lëndët, Naimi, Dritëroi, Genci, Mira, mësuesi, Fjoralba, nëna e saj më këshillën rënqethëse... Ridi...Ridi i shfaqet më shumë...Sillen...Si në një kaleidoskop...E mes portreteve të tyre, konfiguron edhe atë të një vajze të panjohur me emrin Didi... Mandej vjen një moment kthjellimi. Arsyetimi. Sqarimi i Fredit mund edhe të mos bëhej. Sikur donte të justifikohej...Po përse të justifikohej? “Sigurisht se diçka është e vërtetë” – mendon vetmevedi...Po edhe sikur të jetë e vërtetë, ajo i përket së kaluarës së tij, kur ende nuk njiheshin...Në fund të fundit ende nuk i ka thënë “po”, nuk është e tija...Ndërsa ai, edhe përmes atij mesazhi e konsideron si të dashur...Madje e puth fort, kur edhe e puthura që i mori kur e përcolli dje në makinë qe “aksidentale” për Megin, e pavullnetshme. Shkurt e vjedhur. Bën një lëvizje që nuk ia tha shpirti. E çaktivizoi celularin dhe vendosi të dëgjojë mësuesin. Po zëri i tij, edhe pse më një timbër të veçantë, diku pranë emfazës së një aktori, sikur humbiste në shpirtin e saj e saj të tronditur si tromba e Armstrongut...

44


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I TRETË Është e bindur se Fredi do jetë duke e pritur me makinën e tij apo të ndonjë shoku. Ndrrimi që ai u bën makinave, i ndjell diçka të keqe, sikur kërkon të fshihet e të mos lërë gjurmë. Apo?!...apo e ndrron makinën e tij me të të tjerëve për t’i ikur syrit të të dashurave të tjera, ashtu si Don Zhuani ndrronte dashnoret. Po edhe ajo e ka zakon të ndrrojë xhinsat përditë e kjo s’do të thotë se...ç’krahasime të marra që bën...Si të jetë adoleshente...Po ajo adoleshente ishte...Jo, s’ishte adoleshente...Madje i dukej fyes kategorizimi që u bëhej maturantëve...sikur ajo që quhej dje diplomë pjekurie e piqte apo nuk e piqte një njeri?...Ja, përpara kishte Besmirin...Kakareç e shkuar kakareçit...Pas disa vitesh me siguri do të marrë edhe diplomën e së lartës së edukimit fizik, po kakareç do të mbetej...Ishte atlet i “Vllaznisë”. Edhe pse ajo nuk e kishte parë asnjëherë në pistë, thuhej se fluturonte si era dhe ishte shpresë e atletikës shqiptare, por...kakareç e shkuar kakareçit! Hej, dreq, ç’prralliste kështu me vehte...edhe ajo fjalë, disi e rrallë në përdorim, ka-ka-reç sikur i sillte diçka të vjetër me vehte...E ngjashme me krra-krranë e korbave...Ka-ka-reç...Ia dinte mirë kuptimin, pasi gjyshi nga nëna e përdorte shpesh për 45


SKENDER TEMALI

të vëllain... Sheh sërish nga Besmiri. Qe djalë me një shpirt flori...Ia ka marrë mendjen aq shumë atletika, sa që i duket se nuk e jeton rininë e tij...Është e bindur se në çantë nuk ka asnjë libër, po këpucët me thumba të garave...Apo mos është e gabuar?...Mbase atje, në ekipet e femrave, ai ka ndonjë që është jashtë syve të klasës... Ndofta jashtë syve të saj edhe Fredi...Edhe ai mund të mbante një të dytë, një të tretë...Në fund të fundit Fredi s’kish përse të kish pritur të njihej më të që të dinte se ç’shije kish e puthura, se ç’magji kish dashuria, se ç’tallaz ndjenjash të zgjonte në shpirt... I është shkëputur në dalje nga shkolla Mirës, e bindur se do të dëgjojë nga pas burinë e një makine, një derë që do të hapet në ecje e sipër, një zë që do e ftojë... Dhe kështu ngjet, si një aktor që zbaton mekanikisht ç’i ka thënë regjisori, edhe Fredi i ka rënë burisë, ka hapur derën dhe e ka ftuar të hyjë brënda...E di se dikush është duke e parë...Tani sikur nuk pyet fare për këtë...kërkon të zbulojë një të fshehtë, që mund të mos jetë e tillë...që të shuaj magmën që po e djeg brenda shpirtit...Që të zbulojë nëse Fredi është i sinqertë, siç ajo e kishte imagjinuar gjithmonë përmes këngëve të tij?...Të marrë vesh nëse ajo Didi vërtetë ka qenë e dashura e tij... Ai i jep gaz makinës. -Ku shkojmë? – se si pyet ajo, po kësaj herë pa e shikuar në sy. -Askund! – thotë ai prerë dhe Megi për një çast nguroset. As që e mendonte të ishte fyer aq shumë nga shkëmbimi i atyre mesazheve. Priste që ai të niste të 46


STINA E DIVORCEVE

shfajësohej, çka ishte krejt e natyrshme dhe e përligjur. -Si askund? – pyet ajo, ndofta se në atë çast nuk gjeti fjalë më të përshtatshme. -Askund, - përsërit ai, duke parakaluar njërën makinë pas tjetrës me një shpejtësi marramendëse, sidomos pasi la pas klubin e “Bezhistenit” dhe i drejtohet Urës së Bahçallëkut. -Fredi! Ku shkojmë kështu?! – dikur i thotë ajo, gjysmë me lutje e gjysmë me notë kritike, sikur ta qortojë për shpejtësinë e rrezikshme kur parakalonte të tjerët. E ndërsa dialogon më vehten, Fredi e ka ndalur makinën në një cep rruge, pranë një klubi në Bahçallëk, pas vendqëndrimit të autobuzit urban dhe e shikon në sy. Syri i tij e turbullon më shumë se sa fjalët që thotë: -E di ku shkojmë ne, shpirt?! Megi drithërohet. S’ka forcë t’i japë përgjigje, ndërkohë që në gjithë ato orë pas mesazhit të vajzës me emrin Didi ajo ka përgatitur kushedi sa pyetje për t’i bërë... -Ne shkojmë drejt njëri-tjetrit, Megi...Unë kam me qindra fansa e fanse...Didi mund të jetë një psherëtimë e dëshpëruar...Nesër mund të të ndalë dikush tjetër në rrugë, të marrë në shtëpi në telefon, të nisë një mesazh... -Dhe të më thotë se me ty ka një djalë?...- zgjohet ajo me këtë pyetje të beftë. -O Megi! Ti duhet të dish se çfarë fshihet pas kësaj? Ka plot vajza që sot shkojnë me një e nesër me një tjetër dhe kur mbeten shtatzënë kërkojnë që një të njohuri t’i mbesin në dorë... -Këto i di, Fredi, po di edhe tjetrën, se sot ka plot masa 47


SKENDER TEMALI

parandaluese që i aplikojnë sidomos ato që i hyjnë kësaj rruge...Pastaj, a qënka kaq e vështirë sa të abordosh?... As ia kish marrë kurrë mendja se mes saj e Fredit kaq shpejt do të përmendeshin të tilla gjëra, se, në fund të fundit, asnjëri nuk i ishte borxhli tjetrit, përderisa ai s’i ka thënë hapur të dua, e as ajo i ishte përgjegjur me të njëjtën fjalë, edhe pse dy takimet e fundit të Megit me Fredin s’ishin asgjë tjetër veçse një “po” e thënë ndryshe, një dashuri që nuk kishte nevojë për asnjë fjalë tjetër...Por erdhi mesazhi i Didit dhe sizmografi regjistroi një tronditje shpirtërore. Hyjnë në lokal dhe zënë një tavolinë. Megi duket si e hutuar. Fredi e ka kuptuar pse-në. E ka aq përvojë sa t’i dalë mbanë çdo situate të ngjashme...Kurse Megi?... Ajo tani s’di se çfarë të thotë e as se si t’i përgjigjet. Si shtjella i vijnë histori dashurie të vajzave të klasës, braktisje, bashkime, ndarje, kërkime. Tani Fredi ia ka zënë dorën dhe dridhja e lehtë e gishtërinjve i përcjell gjëndjen e saj të rënduar shpirtërore, ndaj e gjen me vend që ta pyes edhe njëherë: -Megi, më dëgjon? -Jo, çfarë the? – pyet ajo e përhumbur dhe kjo përhumbje i jep një nur që Fredin e çmënd. Syri i saj i madh, rrethuar më qerpikë që i bëjnë hije, s’ka të tillë emërtesë: është magnet i vërtetë. Ndofta e tejkaloi pakëz masën kur i tha se kishte edhe qindra fanse, duke i lënë të kuptonte se mes tyre kishte edhe që kërkonin t’i hidheshin në qafë pa kurrfarë detyrimi tjetër, po edhe të bënte të virgjërin e eunukun nuk kishte sens. Tek e fundit vajzat harboheshin 48


STINA E DIVORCEVE

pas tij kur këndonte në koncerte. Muaj për muaj ndrronte numrat e celularëve, pasi s’kishte minutë që të mos e shqetësonin thirrjet e tyre, ndërsa numrin fiks të shtëpisë tani e dinin vetëm pjestarët e saj, xhaxhallarët e hallat! Ai ia ka zënë dorën e tenton t’ia puthë, por ajo e largon sikur të dojë t’i thotë se hapi që po hedh është i parakohshëm, se...mes tyre kishte hyrë një e panjohur me emrin Didi...që mbante një djalë të vogël në krahë. Megi e ka menduar. Ndaj dhe i lë në dorën celularin e saj ku ka kërkuar e shfaqur mesazhin e Didit! -Putana! – shfren Fredi si lexon se çfarë Didi i kishte shkruar Megit dhe ajo tronditet nga zhargoni i rrugës në gojën e tij. – Pale, ka arritur të të gjejë edhe numurin tënd të celularit... Megi kaq ishte turbulluar sa këtë detaj aq të thjeshtë nuk e kishte menduar. “Vërtetë, si kishte arritur ajo Didi kaq shpejt të gjente edhe numurin e saj të celularit?...Cili nga shokët apo shoqet e klasës ia kishte dhënë? Cili?...?” Po kjo, përpara asaj që thoshte vajza e mesazhit nuk kishte pikë rëndësie, madje nuk i interesonte tani aspak, sa ajo që në këtë çast do të donte një rrëfim të tij si katoliku të prifti. -Hajde, - thotë ai, si më praktik dhe më me shumë vite përvojë jete. – Fshije këtë dreq mesazhi nga ekrani dhe kujtesa. – Mua edhe njëqind mesazhe të më vinin për ty, s’do humbisja kohën as t’i lexoja! Megi, unë të dua, të dua më shumë se çdo gjë në botë! Të dua dhe të besoj! Tani për mua ti je muzika e shpirtit tim! Qëkurse hap sytë e deri në mesnatë kur flë, fytyra jote më del përpara. Tek çdo këngë që kam kënduar që kur jemi njohur, je ti dhe askush tjetër e 49


SKENDER TEMALI

kështu do të jesh në jetë të jetës për mua! Më beson? Megi është vajzë dhe si bleron pranvera nga ngrohja e motit, edhe ajo s’kish se si të mos gjelbëronte e të lulonte nga fjalët e tij...Po mbi tavolinë ka mbetur celulari e në ekran mesazhi i vajzës me emrin Didi...Ai mesazh që shkaktoi shtërngatë në shpirtin e Megit e që ia rrëzoi të gjitha petalet e çelura nga shoqëria e saj me Fredin, të atij që i shprehte hapur dashurinë me fjalët më të bukura, se ajo ishte muzika e shpirtit të tij...Po ndërkohë që ditë më parë do t’i hidhej në krahë, sot ajo i pret ftohtë, një zë i brendshëm i thotë se ato fjalë Fredi ia ka thënë dikur edhe Didit...Edhe një tjetre... -Fredi, ti s’ke përse më bjen në gjunjë kaq shpejt...shqipton ajo. -Si kaq shpejt?! -Po ti nuk më njeh, Fredi! -Të njoh më mirë se ç’e njeh ti vehten. -Ua, na qënke edhe psikolog! – se si artikulon ajo pak me seriozitet e më shumë me ironi dhe e ndjen vehten më të sigurt e më të mbrojtur nga ajo çfarë i tha së fundi. – Sa kohë ke që më njeh? -Ti tashmë e di, Megi, përmes Ridit, ka gati tre muaj...Mos duhen tri vjet, trembëdhjetë vjet? Mos duhet të plakemi duke gërmuar në të djeshmet e njëri-tjetrit... Fredi e dha goditjen e mbase prej saj edhe përgjigjen. Pra, nënteksti fliste. Megi e shikon drejt e në sy. E pat atë forcë, e cila nuk e kuptoi se nga i erdhi. -Njeriu është kozmos, Fredi! Djali e ndjeu goditjen. Priste që ajo të mos i drejtohej me emër, por i dashur... 50


STINA E DIVORCEVE

Megi vazhdoi: -Sa më shumë depërton tek njeriu, aq më shumë e kupton se kozmosi i shpirtit të tij është më i papushtueshëm se kozmosi i universit. Fredi çdo minutë e më shumë bindet se ajo ka një bagazh më të pasur se të tijin në thuajse të gjitha fushat. Nëse ai kishte zërin, ajo kishte shpirtin e mendjen. Tek bashkimi i tyre Fredi besonte se vuri përkrah një vajzë që do ia bënte jetën edhe më të bukur se ç’e kishte! Por pikërisht në këtë çast kur i dukej se Megin e kishte në krahë, i shfaqet Didi... Megi e shikon në sy. Siç ka dëshirë gjithmonë që të vërtetën ta shohë në sy. Ka arritur t’i frenojë ndjenjat e deridjeshme, por jo dyshimet. Ndaj dhe e don një përgjigje për vajzën me emrin Didi. Përgjigje që ai nuk ia dha, pasi u përpoq të hidhej degë më degë, të shfrente, ta miklonte, t’i propozonte...Po ajo e kishte atë formim sa të mos binte në grackën e mashtrimit... -Fredi, po pres një përgjigje prej teje? Ç’rol luan Didi në jetën tënde? Ai nxiton e gabon: -Oh, Megi, po ajo Didi... -Pra ekzistoka, - godet ajo. -Megi, është një trillim fund e krye, ta thashë edhe njëherë, ndërsa historia e fëmijës është një telenovelë që protagonist kanë vajza që kërkojnë të të mbeten në dorë...Nuk më beson? Megi e shikon sërish drejt e në sy. Sytë e tij s’kanë të njëjtën forcë. 51


SKENDER TEMALI

-Mendova se do të kisha shok, para se të kisha më shumë...- thotë ajo dhe dy pika loti i rrëshqasin në faqe. Ndërkohë në lokal hyn një çift të rinjsh i zënë dorë më dorë. -O Megi, mos bëj kështu! Megi as pyet se çifti i sapohyrë i shikon. Sigurisht që kanë njohur Fredin. Tani zëri i saj është më kërkues, më i vendosur: -Fred Saraçi edhe njëherë po të pyes? Kush është Didi për ty e deri ku shkuar me të? I kujt është ai djalë dhe përse ti nuk i je përgjegjur kërkesës së saj për të vërtetuar atësinë apo shpifjen përmes ADN-së?... Ai nuk e priste kurrë një goditje të tillë. Për një çast e humbi krejt. Asaj iu duk se bëlbëzoi... Po nuk pat forcë, veçse të përtypej. E në këtë çast dyzimi Megi është ngritur nga tavolina, ka marrë celularin dhe është drejtuar nga dera e lokalit. Nga pas dëgjoi një “Megi” të lehtë, po kokën nuk e ktheu nga pas...Veçse rendi, e ndjekur nga vështrimi i çiftit të sapoardhur në lokal. Mbase dhe rastësisht urbani qe në kthim për në qytet, Megi hyri pa u mbyllur dera dhe as ktheu kokën për të parë nëse ai po e ndiqte nga pas. Fred Saraçi mbeti si i ngurrosur. Nuk pat forcë tjetër veçse të ngrinte dorën e të thërriste kamarierin që qëndronte i mbështetur tek banaku. -Një fërnet! – bëri porosinë ai. – Më sill edhe një cigare! “Kuçka e mutit!”, shfren vetmevedi për Didin, i bindur se Megi, me ato pyetje e me atë ikje të beftë i kishte thënë lamtumirë. E ashtu, si pa vetëdije, kapërdiu gati gjysmën e 52


STINA E DIVORCEVE

gotës që i solli kamarieri e ndezi cigaren që s’e kishte pirë kurrë. Si nepër filma, ku kishte parë se spiralet e tymit ndillnin kujtimet, edhe atij, me sytë e ngulur në një pikë si idiot, i erdhën parasysh kushedi sa skena, që tek ajo vajza që pat puthur për të parën herë pas kuintave të një konkursi...Këto kohët e fundit, janë bërë disa...Të përcjella me një lamtumirë...Derisa...Derisa flirtoi me Didin...E pat fshirë nga kujtesa për pak kohë...por ja që ajo e paska mbajtur fjalën...Kërcënimin e saj se do ta kishte pas, si hije...Po ku dreqin iu bë rodhe tani!? Didi...Me Didin kishte kaluar ditë nga më të bukurat e jetës së tij, për gati një muaj...E njohu në plazhin e Shëngjinit...Qëllimisht nuk shkuan bashkë me Ridin në plazhin e Velipojës, po zunë, bashkë me të, një hyrje hoteli në Shëngjin...Më tej, kur u lidh me Didin, Fredi zuri edhe një nga ato kabinat e kohës së monizmit, në skaj të plazhit, pasi e kish atë mundësi financiare të mbante një kabinë qejfi...Në Shëngjin edhe i njihnin edhe s’i njihnin...Ishte ende pa e kapur zenitin e suksesit, por pat nisur që emri i tij dendur e më dendur të përmendej në mjediset artistike, në radio e televizor të transmetoheshin gati ditë për ditë këngët e interpretuara prej tij...Sytë e saj jeshil e patën tërbuar...Ridi e kapi në ajër dëshirën e tij...Kishte kohë që ishte shndrruar në sekser për t’i gjetur drenusha veriore, siç thoshte ai shpesh për vajzat e bukura e simpatike të Veriut...E gjeti rrëfanën se si të hynte në bisedë më Didin...Qe bërë mjeshtër i kësaj pune...Mandej erdhi njohja, takimi i parë një natë e, më pas, një xhiro bregut të detit, deri andej nga Kuneja...Didi qe tip...E shoqërisë...Vetëm një njeriu i ruhej e i druhej: të atit, 53


SKENDER TEMALI

Aliut...Ia njihte kokën...Seç e kishte një damar...Qe i sertë...Mbase edhe nga jeta e mundimshme që kishte bërë dikur, si punëtor krahu e më pas si murator...Liberalizmi në jetën e tij qe i munguar...E pat kapërcyer vehten vetëm kur u njoh me Marien...I përkisnin dy feve të ndryshme, sa i pat lënë gojëhapur të gjithë të familjes e të fisit se si u lidh me të dhe...nuk doli i zhgënjyer...Edhe tani që kishin kaluar dy dekada ai e ruante staturën e tij...Sërish i sertë, sërish konservator e nëse bënte ndonjë lëshim, atë e bënte vetëm për plazhin...Pa plazh nuk i linte asnjë vit...Një kushëri i tij mjek, i kishte thënë se plazhi ishte kura më e mirë për shëndetin e adoleshentëve dhe ai nuk kursehej...Madje plot një muaj...E pas tij edhe një dhjetë ditësh në Razëm...Fatmirësisht këtë turn, kur Didi binte në sy për trupin e bukurinë e saj, në plazh ishte dhe e halla e saj me Mondin, djalin e saj e më shumë prej pranisë së tij në plazh Aliu e kishte mendjen e fjetur, pasi djali, Bleroja, zhdukej gjithë ditën me shokët e tij gjimnazistë. Mondi më së shumti e kalonte kohën në bilardot e plazhit ku thuhej se vinte para të mëdha për çdo lojë e sa, për t’u qetësuar kur humbiste, shetitiste me një varkë apo shkonte për të zënë peshk... Babai zhdukej që në mëngjes në Shkodër ku vinte në punë brigadën e tij të ndërtimit e kthehej pasdreke vonë, sa as i binte ndërmend për plazh, mjafton që gruaja e dy fëmijët të kënaqeshin. Të gjitha këto për Fredin qenë pluse për të krijuar lidhje me vajzën simpatike, pa rënë në sy as të njërit e as të tjetrit. Njohja me Didin ia bënë plazhin më të bukur, edhe pse ajo, me ojnat e saj, po e lodhte sa s’ka...derisa një natë, teksa ndaheshin, ia dha një të puthur në fluturim e kjo mbase Didin 54


STINA E DIVORCEVE

e kishte bërë më të vendosur që të mos i jepte gjithçka, edhe pse ai këmbënguli disa herë...Në takimet e mëvonshme Didi nuk mundi t’i rezistojë, e ngriti flamurin e bardhë të kapitullimit dhe erdhi një çast që as ai e as ajo nuk e kuptonin ditën pa njëri-tjetrin...Ai zgjohej më fytyrën e saj në sy e ajo me fytyrën e zërin e tij...Por erdhi një ditë që deti i syve të Didit u egërsua, sa s’ka e ngriti dallgë në të cilën u mbyt dashuria e tyre. S’qenë dallgë të një deti të egërsuar, po sunam... Ndaj më shumë se kurrë tani Fredi ia ka frikën se Megi mund të takohej me Didin e të mësonte gjithçka, edhe pse e dinte se qe në prag të provimeve e çdo orë e kishte të çmuar, përderisa pretendonte të mirrte vetëm dhjeta. Bën një përpjekje të dëshpëruar, por Megi e ka mbyllur telefonin. E priste. Duart iu drodhën e ashtu, i bëri me shenjë kamarierit që t’i sillte edhe një gotë tjetër. Sërish e mbytën kujtimet. Ashtu siç silleshin disqet e tij që nga fillimi, ashtu iu suall gjithçka qëkur në plazh ia behu për një koncert një grup artistik nga Tirana. Më shumë me vajza të reja e balerina, që lanë kokrrën e namit në plazh, nga tangat një përçik e bikinitë që fshinin vetëm qershinë mbi tortë... Didi, si gjithë bashkëmoshataret e saj pushuese, pat dëshirë të mirrte pjesë në koncertin që grupi i Tiranës do të jepte në mbrëmje në njërin nga klubet e mëdha të plazhit. E kishte parë në një poster të madh në qendër të Shëngjinit se Fredi ishte i ftuar atje, pra dëshira për të vajtur e për të shijuar edhe zërin e të dashurit të saj kur të ngjitej në skenë, ishte e madhe. E këtë ia tha në telefon. Me Fredin ajo ishte në krahët e lumturisë dhe askush nuk mund ta prishte çerdhen e dashurisë që kishin ndërtuar 55


SKENDER TEMALI

në kabinën e qejfit, larg syrit të plazhistëve e pa asnjë komoditet të kohës, ku të dy takoheshin dhe kalonin orë të lumtura...në një krevat të thjeshtë, që edhe atij, edhe asaj, i dukej si krevati i perandorit... E kujton momentin kur i pat dhuruar varësen e florinjtë...Qe një varëse floriri me shkronjën D... “Didi-dashuria ime!”, i kishte thënë ai në çastin kur ia vari në qafën e saj si mjelmë. Mandej e mori në krahë, e hodhi mbi shtrat, e pushtoi aq fort e i dha një të puthur sa ia mori krejt frymën. E kur u çliruan nga ajo mrekulli buzësh, Didi sikur u ngrys pak e tha: -Jemi duke u takuar shpesh e ia kam frikën syrit të ndonjë të njohuri. Ndërsa varësen nuk mund ta mbaj, se do të zgjoj dyshimet e babait, - i thotë ajo...- Nënës ia kam treguar shoqërinë që kemi bashkë, ndërsa babai nuk ta fal. Vëllai është ende tra-la-la e s’është problem. Shtatëmbëdhjetë vjeçar hesapi!... -Sa naive që je, moj Didi, - i qe përgjigjur ai si të qe një ekspert i rrëshqitjes. – Nëna jote i di marrëdhëniet tona dhe ajo le t’i thotë babait po pyeti se i pëlqeu dhe ta bleu ty...Vetë më ke thënë se ajo ka marrë miliona nga disa prona... -Se si më vjen të gënjej, - i përgjigjet vajza. Fredi e merr në krahë: -Budallaqja e budallaqeve! – thotë ai me humor dhe i shtyp hundën. – Nuk ka dashuri pa gënjeshtra. Por janë gënjeshtra pa zarar dhe si të tilla, nuk quhen gënjeshtra. Ja, ti tani i ke thënë nënës se po del me një grup vajzash...Me një grup vajzash je?... Fredi e pat puthur atë ditë Didin më shumë se kurrë; i puthi qafën, gushën, gjinjtë, varësen me shkronjën “D”, pa e ditur se ato do të ishin puthjet e fundit... 56


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I KATËRT Po teksa Fred Saraçi pinte dhe gotën e dytë të fërnetit, Megi qe kthyer në Shkodër dhe i bëri një thirrje në telefon Didit. Sinjali i telefonit sikur e godiste fort në zemër. E në pauzat e pi-pisë telefonike, Megi dyshoi se mos po bënte ndonjë gabim fatal që i telefonoi vajzës së mesazhit, pasi i trëmbej se mund të ishte dhe një trillim i saj e asgjë tjetër...Se ajo mund të ishte ndonjë nga ato të dorës e t’i kurdiste ndonjë grackë...Po ndërkohë që dyzohej, nga ana tjetër e telefonit u dëgjua një zë femëror: -Megi, të prisja se do më mirrje... Ajo për një hop heshtë...Ka kohë sa të pyes vehten se përse Didi ishte aq e sigurt se do ta mirrte?... -Habitesh? – pyet sërish Didi. -Jo, po... – ngurron Megi t’i japë një përgjigje të saktë. -Ta nisa mesazhin se më folën për ty...si një vajzë qelibar...Se nuk dua që edhe ti të kesh fatin tim... Krijohet një pauzë. Po tani kryefjalë është Didi dhe, si e tillë, vazhdon: -Më more që të vërtetoje qënien time, apo se don të bisedosh me mua e të mësosh të vërtetën?... -Vetëm të vërtetën, - pëshpëriti Megi teksa fiton siguri. 57


SKENDER TEMALI

-Ke dëshirë të takohemi? – pyet sërish Didi. -Nëse mundesh, një minutë e më parë, - i përgjigjet Megi. – Edhe pse jam në prag të provimeve... -Mirë, si thua të takohemi tek “Mondiali” pas gjysmë ore? -Mirë...Po si do të njihemi? -Unë të njoh, Megi. Ty të njeh gjithë rinia e Shkodrës si ylli i gjimnazit. Telefona që mbyllen e dy zemra që rrahin fort, fort... Është ora kur “Mondiali” në qendër të Shkodrës nuk ka shumë klientë. Didi ka shkuar më përpara dhe sa Megi shfaqet tek dera, ngrihet në këmbë, duke i dhënë të kuptojë se po e priste dhe se ajo ishte vajza e mesazhit. I jep dorën dhe e fton të ulet. -Ç’dëshiron të pish? – e pyet Didi. -Ti prej meje! – i përgjigjet Megi. -Hajde tani, mos këmbëngul, ti je ende nxënëse, kurse unë jam në punë. Dikur porosisin nga një kapuçino. Megi e kundron. Didi ka sy të jeshiltë si pak kush. E që në takimin e parë, pa dëgjuar asnjë të dhënë të re prej saj, krijoi një përshtypje se ajo ishte një vajzë-viktimë dashurie. -Ke kohë të më dëgjosh? – e pyet për korrektesë Didi. -Po, - i përgjigjet ajo. – Sapo i thashë mamit në telefon se jam me një shoqe e do të vonohem pak. Didi përthyen gishtërinjtë, mbase nuk e di se nga t’ia fillojë. Dikur e merr vehten dhe nis rrëfimin e saj, rrëfim që Megi i regjistron çdo fjalë. Me Fredin Didi qe njohur në plazh, njohje që pas dy 58


STINA E DIVORCEVE

javësh përfundoi në dashuri. Iu dha. Se i besoi. Besoi tek sinqeriteti i tij. Më shumë se tek fama që kishte marrë. E në ato javë me të, jetoi delirin. Vetja i dukej si më e privilegjuara e më me fat nga gjithë shoqet e vajzat që kishte njohur, përderisa e mbështeste kokën në gjoksin e Fred Saraçit. Qe një ditë e zakonshme, kur pas dhjetës, Didi do të shkonte tek hyrja sekrete e tyre, tek kabina e dikurshme nga fundi i plazhit, ku ose ajo, ose ai e prisnin njëri-tjetrin. Për çudi atë ditë qe aq e gëzuar. Sa s’fluturonte duke kryer sëbashku me të ëmën disa punë të shtëpisë. Po ja që një telefonatë e babait ia prishi humorin. Fliste nga Shkodra dhe më shumë se t’i njoftonte, u dha urdhër ta linin atë ditë plazhin dhe të niseshin për në Shkodër, pasi nipi që jetonte në Amerikë s’kish ndeje të gjatë, veç disa orë e donte t’i takonte. Didi u prish në fytyrë. “Ç’pate?”, e pyeti e ëma, pasi ajo më mirë se kushdo e njihte të shoqin dhe e dinte se ai kish vendosur disa rregulla e norma në familje që s’guxonte kush t’i shkelte. Përderisa i shoqi, Aliu, atë ditë i kishte thënë lamtumirë pallatit që po ngrinte, me siguri që nipi mund t’ia mbathte në Tiranë, ku ish në fjalë për t’u fejuar. Megjithatë qe nënë e si e tillë edhe e ndjeshme ndaj dashurisë të së bijës me Fredin. -Mos ke lënë gjë me të? – e pyet të bijën, e bindur se ajo i ka treguar, se e donte Fredin me pastërtinë e shpirtit, por jo se kushedi sa herë gjatë asaj jave ajo pat shkuar fshehurazi në hyrjen “ilegale” të Fredit e qenë kapërthyer duke ndjerë atë kënaqësi seksuale që s’e kishte ndjerë kurrë në jetë. 59


SKENDER TEMALI

-Jo, jo, s’është problem, por sonte është një koncert i madh e ai do të këndojë...Është i ftuar special... -Mbase kthehemi deri atëhere... Nëna njoftoi me telefon edhe të birin, Bleron, ndërkohë që të dyja, nënë e bijë, zunë të përgatiten për të marrë udhë. E ndërsa Didi po vishte fustanin në banjo, i ra zilja e celularit: -E dija që do të më mirrje, Fredi! -Oh, Didi, shpirt!...Të mora që të thoja se unë sot paradreken e kam të zënë me provat e grupit të Tiranës...Besoj, më kupton. Megi, kur në një ditë tjetër do të mërzitej sa s’ka, sot që do të nisej për në Shkodër, ngazëlleu. -Oh, çfarë koincidence, Fredo, pasi edhe unë me mamin e Bleron do të nisemi për në Shkodër të takojmë djalin e xhaxhait. Babai na pret atje, kështu që sot nuk do të jem këtu. Në darkë edhe mund të kthehemi! -Më vjen shumë keq, - i përgjigjet ai. – Po sidoqoftë kemi plot ditë të tjera. Zemër, të pres sonte në koncert! Ai i lëshon një të puthur. -Pafshim, shpirt! -Pafshim! E ndërsa po bënin përgatitjet e fundit për t’u nisur, bie zilja e telefonit të së ëmës. -Ashtu? E po mirë se të vijë! Edhe më mirë...Po, po, po dal të blej levrek... Nëna ngazëllen më shumë se Didi. Edhe ajo dikur ka qënë e re dhe e di se çdo të thotë të jesh larg atij për të cilin të rreh zemra. Didi nuk pat nevojë ta pyeste se ç’qe ai 60


STINA E DIVORCEVE

ndryshim programi. -Iu ndrrua mendja, - dëgjon zërin e babait. - Do të vijmë në Shëngjin...Po do të qëndrojë vetëm për drekë e do të niset për në Tiranë, ku sonte e pret kandidatja për fejesë me prindërit e saj...Do të shkoj edhe unë me të...Se të shkojë vetëm do të duket si i shtëpisë së fëmijës...Bashkë me Didin na bëni drekën gati...Jo, jo, ti e di se mua nuk më pëlqejnë restorantet e plazhit... Didi çelet. E këtë çelje të saj e dallon edhe e ëma, siç kishte vërejtur ngrysjen e së bijës kur i tha për të shkuar në Shkodër. Didi mendon se meqë babai sonte do të qëndronte në Tiranë, ajo do të kishte mundësi që pas koncertit, të dilte bregut të detit me shpirtin e saj. Në kabinë hyn edhe i vëllai, Blerimi, edhe ai me mendimin se do të niseshin për në qytet. E ndërsa e ëma po i tregonte se babai me Tanin, të nipin, do të vinin në kabinën e tyre e do të kalonin drekën së bashku, Didi mezi ç’pret të shfrytëzojë rastin e t’i telefonojë Fredit, që t’i tregojë se shkuarja në Shkodër u anulua, si të kryente provat, edhe mund të takoheshin...Po ai, edhe pse zilja i ra shumë herë, nuk u përgjigj... -Hutaqi i dreqit! - thotë Didi me vehte, - me siguri e ka harruar celularin në hotel... -Didi, sot të dua këtu, - i thotë e ëma. - Duhet të dalim për levrekun e të psonisim në treg... Didi, mbasi Fredi nuk iu përgjegj, njëherë desh të mirrte në telefon Ridin e t’ia thoshte se nëse e shihte Fredin t’i thoshte se nuk po nisej për në Shkodër, por shpejt hoqi dorë. Duke ecur pas së ëmës, nën diellin përvëlues, ajo e 61


SKENDER TEMALI

kupton se nuk mund të jetojë dot më pa të, pa biseduar nja njëzet herë në ditë, aq sa në dy ditë ishte pak një kartë telefoni...Po bankën e pat në kabinë, nënën e saj, që nuk kursehej asnjëherë t’ia plotësonte kërkesat. Didit Fredi i ka hyrë thellë në çdo pore të shpirtit, ia ndjen zërin, madje edhe atëherë kur transmetohen këngëtarë të tjerë, ajo e mendon se si do ta interpretonte atë këngë Fredi i saj. Nënë Maria ka nisur të mos i besojë më Megit se me Fredin ka vetëm shoqëri të ngushtë e vetëm aq dhe kur ajo e ka pyetur të bijën se nëse ishte puthur me të, Didi i ka dhënë këtë përgjigje: “Ka tentuar moj ma, si të gjithë djemtë...”. E kështu e ëma, që edhe vetë pat një rini të trazuar dashurie, shoqërinë e lidhjen e së bijës me Fredin e ka mbajtur fshehur të shoqit, më shumë se atij ia njeh kokën, siç njeh edhe disa kode familjare që i quan si të shenjta, mbase edhe atë se ai duhet t’ia përzgjedhë vajzës shoqërinë. E ka biseduar disa herë edhe me të shoqen. Sikur nuk i pëlqen një grup që vjen të djelave kur ai ka pushim për ta marrë Didin, jo për mbrëmje, jo për shetitje, andej nga Kuneja. S’e di përse e tremb pylli, edhe pse ai ka ardhur duke u rrudhur sa s’ka nga masakrimi i ndërtimeve pa leje e neglizhenca e shtetit për ta mbrojtur pronën e tij! Sytë në ballë i ka dhe e sheh se sa superiore është e bija me bashkëmoshataret e saj. Diçka ka nuhatur, e sheh se Didi prej ditësh fluturon e ndaj dhe një natë e porositi të shoqen që t’i bënte sytë katër. Siç sheh të bijën të fluturojë, ashtu e ka parë vehten e tij në ditët kur ra në dashuri me Marien. E as desh të pyes se ai mysliman e ajo katolike. Dhe ja, sot 62


STINA E DIVORCEVE

janë të lumtur sa s’ka; Maria i dha një djalë e një vajzë si dy yje, jetën e kishin të mirë e të siguruar, sa ai arriti nga mjeshtër murator, të ngrinte një brigadë e të mirrte përsipër ndërtimin e disa shumëkatsheve në Shkodër. Të kishte një firmë ndërtimi. Falë edhe disa milionave që i ranë në hise së shoqes, nga pronat e prindërve të saj e fitimet e tij, ngritën edhe një market në Shkodër e kështu t’i thonin lamtumirë skamit. Nënë Maria është shumë e zonja për të shtruar një tavolinë, si tavolinë mbretërore, me gjithë të mirat. Njeh si kuzhinën tradicionale shqiptare e atë italiane, ka gusto që përpiqet t’ia transmetojë edhe së bijës e ndërsa përfundon një kek, kupton që e bija “vlon”, ka shpërqëndrim e nxitim tek kryen ndonjë punë.. -Jo, jo, jo kështu Didi!...- i drejtohet ajo kur sheh se e bija, ç’i kishte ngarkuar, po e bënte bënte shkel e shko. – E di çfarë, më mirë dil! Tani që kam gjithçka mbi banak e në frigorifer, ia dal edhe e vetme. Didi e përqafon, lan shpejt e shpejt duart tek lavamani, shikohet pak në pasqyrë dhe vesh rrobat e banjos. E ndërkohë bën përpjekjen e dytë duke e marrë Fredin në telefon, kur ai sërish nuk përgjigjej e nuk përgjigjej. Atëhere vendosi të dalë. E ndau mendjen të shkonte tek vendi ku plazhiteshin kushërinjtë. Mbase mund ta mirrte ai në telefon. E teksa s’e kish kaluar prakun e derës, nga lulishta e hotelit, u dëgjua zëri bubullues i Mondit: -Didi, o Didush! Ajo ia njeh mirë zërin, e ka karakteristik, si zë baritoni, aq sa një herë pat menduar se të kish të paktën të mesmen, 63


SKENDER TEMALI

do të bënte spikerin në radio si më i miri. Po ja që ai qe gatuar ndryshe sa i dukej se ngjiste më gladiatorët e dikurshëm, ose me gorillat që mbanin pas vehtes të mëdhenjtë e politikës, badigardët...Për këtë po, ai ishte as...S’i binte askujt në qafë...Po nuk kishte nam të mirë...Njerëzit i shmangeshin, nuk donin të kishin punë më të, edhe pse në Shkodër qarkullonin fjalë se ai tash e parë ndihmonte njerëzit e varfër me ç’kishte në kuletë, falë edhe një pike karburanti të ngritur në periferi e ku pat punësuar dy shokë të tij...Thuhej...Thuhej madje se pas 97-tës i pat qethur mirë disa biznesmenë, me gjobat që u vinte...Po këtë ajo nuk donte ta besonte. I besonte babait të saj rreth kësaj, kur përmendte shpesh thënien e një fqinji të tyre, Hamza Begut, që kur dëgjonte thashetheme të cilat s’mund t’i vërtetonte dot askush, përsëriste “Shkodra-lodra”, “LodraShkodra”... -Didi, ma thirr edhe Bleron e t’i biem pash më pash detit! – dëgjon sërish zërin e Mondit.- Sot s’është ditë për plazh, se pritet shi... Didi ia di pasionin. Ka ardhur edhe dy herë të tjera ta marrë me një varkë me motorr e mandej kanë përfunduar në një restorant që ai e ka aq për qejf, se të ish dikush tjetër do ta pyeste “Shiu nuk bie në varkë?” Didi del në balkon të hyrjes. -Për tri minuta! – i kthen përgjigje -Dy janë shumë! – thotë ai, edhe pse e di se Didit i duhen pesë. - Janë dhe Silvana me Bujarin. Mondi nuk i ndan kurrë. Megi nxjerr celularin dhe merr në telefon të vëllain, i cili shkoi të luante volejboll në 64


STINA E DIVORCEVE

plazh me shokët. -Erdha, - i përgjigjet, pasi kush është ai i ri që nuk dëshironte të shetiste në varkat me motorr, kur ato ishin as sa gishtat e dorës në atë bregdet me dhjetra mijëra plazhistë. Dëgjohet sërish Mondi me atë zërin e tij karakteristik, ndaj nuk ka kohë ta marrë më as Fredin në telefon, jo për t’u takuar me të, pasi është e bindur se është në prova me grupin e Tiranës, po thjeshtë për ta gëzuar se nuk shkuan në Shkodër e se do të ishte sonte në koncert. E ndërsa nxiton që të zbresë nga hoteli, nga njëra hyrje me dyer të hapura vinte zëri i Fredit. Sigurisht ose nga televizori ose nga ndonjë kasetofon dhe kjo ia hap portat e shpirtit. Megjithatë është e gëzuar që sot paradreke mungesën e tij nuk do ta ndjejë gjithaq në shoqërinë e Silvanës e të Bujarit. Ato janë të sapofejuar dhe s’lënë çast pa ia marrë edhe pikën e fundit të lëngut jetës e dëfrimit. Po, ndërsa sa binte muzgu iknin në “drejtim të paditur” andej nga Kuneja e pyjet, gjatë ditës e kërkonin dhe e gjenin shoqërinë e të tjerëve e sidomos të afërmve që në këtë muaj ishin mbledhur si me magnet, pa asnjë organizim të mëparshëm. S’kishte zbritur ende ta takonte Mondin, kur ia bëhu edhe i vëllai, Bleroja e të gjithë sëbashku iu drejtuan varkës të nxjerrë përgjysmë në rërën e bregut. Kuptohet që “kapiten”, si gjithnjë, ishte Mondi. Si zunë vend në varkë, tek kiçi, Mondi tërhoqi fillin për ndezjen e motorrit dhe sakaq fluturuan si shigjetë mbi dallgë, duke tërhequr vemendjen e lakuriqëve të bregdetit. Thirrjet e tyre gazmore tani mbytnin dhe klithjet e 65


SKENDER TEMALI

pulëbardhave, që kushedi pse, atë ditë qenë shumuar në një zonë pas bregut të dytë. Kjo për të rinjtë s’kishte gjithaq rëndësi. E rëndësishme ishte era që u vërshëllente në veshë nga shpejtësia marramëndëse, flokët që i hidheshin Silvanës e Didit dhe gëzimi në fytyrën e grupit, përveç asaj të Didit, e cila donte që në këtë varkë të kishte edhe Fredin e saj...Mbase shpejt do të vinte dita që edhe ato të mirrnin një varkë e të shkonin larg, larg e mbi valët e detit të shkriheshin në krahët e njëri-tjetrit. E ndërsa imagjinata e saj rendte më shpejt se varka, Silvana tha: “Paskan shkuar edhe më larg se ne!”. Dhe, me të vërtetë, ndofta nja dyqind metra përtej, atje ku horizonti po puthej me syprinën e kaltër të detit, lëkundej një tjetër varkë. Dhe sytë e saj melankolikë ranë mbi kushëririn, sikur t’i thoshte: “Shkelja edhe më, Mondi! T’i zëmë e t’i kalojmë lapanjozët!”, i foli vështrimi i saj dhe ai e rriti shpejtësinë në maksimum. Silvana e vështroi e frikësuar, edhe pse kushedi sa herë kishin vozitur me të. Megjithatë, me shpirt edhe ajo donte të shkonte sot sa më larg. “Pra, jepi Mondi!”- i thonin sytë e kushërirave. Tani distanca me varkën që në fillim u dukej e paarritëshme, qe zvogëluar, aq sa të dallonin një çift të kapërthyer në kiç të saj.. Sigurisht që ato nuk vozisnin më mbi dallgë, por në krahët e njëri-tjetrit. E Didi në atë çast e vuri vehten në rolin e asaj vajzës, që i shndrisnin flokët e verdhë nën rrezet e diellit. Ia pati zili. Kështu, taman kështu e mbërthente Fredi i saj. Mondi s’pat ç’të bënte tjetër, veç të mirrte kthesën, i përqëndruar sa s’ka për të shmangur ndonjë skenë të 66


STINA E DIVORCEVE

pakëndshme të çiftit lakuriq në varkë në sytë e dy kushërirave. Nga shpejtësia e madhe varka e tyre iu afrua sa desh e ceku varkën tjetër. Tani qenë aq pranë sa të shquanin fytyrat e çiftit, edhe pse biondina nuk bëri përpjekjen më të vogël të fshihte fytyrën, ndërsa djali...O Zot, Didi nuk donte t’u besonte syve të saj e nga karrikja plastike në varkë, ra në gjunjë e pa kontroll, sa Silvana u tremb aq shumë, ndaj u ngrit vrik në këmbë për t’i ardhur në ndihmë kushërirës, duke harruar se po humbnin drejtpeshimin e varkës. -Didi! – kaq tha me pezm, pasi nuk e gjeti me vend të bënte hipokriten e ta pyeste seç pat, pasi edhe ajo njohu Fredin me një vajzë bionde. S’kishin ku të fshiheshin as njëri e as tjetri. Didi i kishte treguar Silvanës për shoqërinë që kishte me të, po jo se deri ku kishte arritur. Me siguri përtej, ndryshe s’kish se përse e humbëte kështu. Nuk gjet fjalë ta ngushëllonte. Mondi as që arriti të kuptonte gjë, pasi e kish mendjen tek manovrimi i varkës. Edhe Bujari u pre në fytyrë. Sigurisht që Silvana e kishte “tradhtuar” sekretin që i kishte besuar Didi, ia kishte treguar shoqërinë e saj me Fred Saraçin të fejuarit të saj. Ishull jashtë kësaj të vërtete ishte Bleroja, edhe për moshën ende të re që kishte, por edhe si rëndom familjarët që i marrin vesh të fundit dashuritë e vajzave apo motrave të tyre. Megjithatë ai sytë në ballë i kishte sa të shquante se djali në varkë me leshverdhën ishte Fred Saraçi, këngëtari që e motra ia kish sjellë në maje të hundës duke e vënë në kasetofon qëkur zgjohej nga gjumi... Varka mori kthesën dhe po i afrohej bregut, ndërsa shpirti i Didit ishte arratisur s’di se ku! Qe bërë gur sa nuk 67


SKENDER TEMALI

puliste as qepallat e syve! Dikur i vëllai e pa. Tani edhe Mondi s’di se përse e pat ulur shpejtësinë dhe e pyeti: -Didi, s’je mirë?! Të përzihet? Nga ajo e verdhë që i kish pushtuar fytyrën kushërirës së tij, Didit, Mondi mendoi se mbase nga shpejtësia skëterrë asaj i vinte për të vjellë...Ajo nuk mundi t’i përgjigjej. Bashkë me shpirtin, i qenë arratisur edhe fjalët. Silvana nuk dinte se si të vepronte, çfarë t’i thoshte. Shpejt varka zu bregun. Didi sa zbritën ia dha vrapit sikur ta ndiqte kush nga mbrapa e pas saj u vu edhe Silvana, ndërsa Bleroja, Bujari e Mondi mbetën në breg si pikëpyetje. Sigurisht që atje, në det, edhe Fredi qe zënë ngushtë, as e kish menduar nëse ajo e pat ndjekur dhe i ishte vënë nga pas, për ta parë më sytë e saj e të kushërinjve se ai shkrihej në krahët e një tjetre, apo se qe një takim krejt i rastësishëm. E kishte parë disa herë atë goxillën tek e ngiste varkën me shpejtësi marramendëse...Po Didi i tha se po shkonte në Shkodër, ndaj dhe ai shfrytëzoi rastin të dilte një xhiro me varkë me biondinën e grupit të valleve të Tiranës. E si Didi që dikur erdh e u kthjellua, kësaj herë në krahët e Silvanës, edhe Fredi po mendonte të gjente një zgjidhje. Po ngado e rrethonin dallgë të papërballueshme. Mendoi që atë ditë të shmangte takimin me Didin, që ajo të mos i bënte ndonjë skandal para shfaqjes se grupit të ardhur nga Tirana. E atje, si u shkëput një moment nga biondina, i bëri një thirrje Ridit. S’duhej t’ia linte asgjë spontaneitetit. E dinte se atë turn në plazh kishin ardhur nga anë e anës 68


STINA E DIVORCEVE

shumë të fisit të Didit e kushedi se si mund t’i shkonte fundi kësaj historie...Kaq e humbi kur pa Didin, sa nuk njohu kënd tjetër veç të vëllait, Blerimit e si portret atë të “goxillës”. Mbase nga shpejtësia që u kthye varka me Didin, mbase nga që iu errën sytë, vetja iu duk bosh. Biondina për të ishte temë e ditës, ndërsa Didin mund ta mendonte edhe temë të gjithë atij muaji në plazh e mbase dhe përtej...Qe treguar leshko që ra në grackën e balerinës nga Tirana...Që iu bind dëshirës së saj për të dalë me varkë e të mos shkonin në kabinën e dikurshme, pasi çelësin e saj e kishte ai e Didi, e cila e dinte se udhëtonte drejt Shkodrës... Nxitoi të kthehej, edhe pse biondina me lajkat e puthjet e saj i këmbëngulte se nuk ishte ngopur e donte më të qëndronin atje në mes të detit, larg syve të plazhit e të Shëngjinit. Gjithsesi qe i vendosur dhe kjo kthesë e menjëhershme e biseda që bëri me një shok të tij në telefon, biondinës nuk i la shije të mirë. Fredi seç kishte një stres në veprimet që bënte. Biondinën e përcolli deri tek peshkarexha e mbytur, aty ku e priste Ridi.. Donte që asaj dite të mos ishte fillikat dhe kur mbeti vetëm me shokun e tij, ia tregoi jo vetëm ngjarjen shpejt e shpejt, por edhe masat që duhej të merrnin. Ridi i kish në grusht pesë a gjashtë garipa që do i loznin rolin e badigardit, pasi qenë të hurit e të litarit. E porositi t’ua mbushte grushtin me para. E jepte edhe honorarin që i premtoi grupi i Tiranës, veç të mos krijonte ndonjë incident të pakëndshëm. Në atë javë që me Didin u shoqëruan si të qenë të fejuar e më shumë, arriti ta psikologjiste e të kuptonte jo vetëm karakterin, por edhe vendosmërinë që ajo tregonte 69


SKENDER TEMALI

për t’u shkuar gjërave deri në fund. E bash për këtë e dinte fort mirë se Didin e kishte humbur njëherë e përgjithmonë. Megjithatë, mendja i punonte se si të gjente një shteg për të dalë pasi s’donte ta humbiste. I druhej sa s’ka ndonjë incidenti që mund t’i krijohej kur asaj nate të dilte në skenë, se dikush edhe mund ta gjuante me domate apo kushedi se me çfarë, ta vërshëllenin e t’i drejtonin fjalë fyese, ndaj i dha porosi të prera Ridit. E teksa fliste me Ridin, sytë i shkuan nga posteri i madh i vendosur në qendër të plazhit për koncertin që do të jepte në mesnatë grupi i Tiranës dhe atje, me shkronja kapitale vezullonte emri i tij si i ftuar special. Zemra i rrahu fort, krejt ndryshe nga herët e tjera, aq sa pat aritmi, ca bulëza djerse ia mbuluan ballin dhe e ndjeu të nevojshme të hynte në lokalin më të afërt e të ulej në një karrike. E aty, pasi e mori vehten, mendja i shkoi edhe tek një ikje, duke braktisur jo vetëm koncertin e asaj nate, por edhe plazhin. Ridi e nuhati shqetësimin e tij. -Hajde, mos çaj kryet, se për të madhin zot, me shokë i bëj rrafsh përtokë kush të prek ty një qimë floku! – u krekos Ridi, siç dinte të krekosej në raste të tilla, sidomos pas premtimit të Fredit për t’ua mbushur grushtin badigardëve. -O Ridi, ti s’paske marrë vesh asgjë! Unë atje s’dua grusht, dua përgjim të Didit, që nga hoteli i saj tek kushërinjtë që kanë zënë disa hyrje tek “Pulëbardha”. Rastësisht Didi më ka thënë se në këtë turn nga fisi i tyre bëhen disa burra. Atje të kesh syrin e veshin, që ata të mos i afrohen koncertit... -Po ai, kushëriri i saj, Mondi ishte në varkë? – pyeti 70


STINA E DIVORCEVE

Ridi.

-Ishte një goxillë, – përgjigjet Fredi, duke mos fshehur rritjen e frikës që pasqyrohej në fytyrën e tij. – Diçka më ka folur Didi për të... -Mos! – se si i ikën Ridit, duke shtuar panikun tek Fredi. -Ai po drejtonte varkën dhe m’u duk sikur s’më pa...as i kish sytë tek unë, por tek varka që po drejtonte, që të mos përplasej me varkën time...Këtë e pashë fort mirë... -Aaaa, kështu qënka puna!?...Po kështu unë i bëj zap edhe më lehtë...Sigurisht, po qe nevoja... Ndërkohë Didi qe kthyer me turr në shtëpi dhe përmes një ngashërimi të beftë u plandos në divan. E ëma u step. -Didi, Didi, çfarë ka ndodhur shpirt?! – e pyeti ajo me gjak të ngrirë. -Fredi, Fredi, nënë...- mundi të shqiptojë ajo në krahët e së ëmës. -Po çfarë i ka ndodhur, moj bijë, fol se po më çmend! – i tha e ëma, e bindur se diçka e pariparueshme në jetën e tij kishte ndodhur. -E gjeta me një tjetër! – mundi të pëshpërisë dhe ashtu, përmes një turri që s’ish karakteristikë e veprimeve të saj, u kyç në dhomën e fjetjes dhe atje qëndroi deri sa iu shterr loti. As lutjet e së ëmës nuk e nxorrën që andej, e cila i druhej se mos bënte ndonjë marri prej atyre që jepeshin përditë në lajme, të vetvrasjeve të vajzave të reja që pësonin zhgënjime në dashuri. Nga mos hapja e derës, Maria u tremb. E trembte edhe një fakt tjetër: i druhej se mos kishte ndodhur ndonjë zënkë mes tyre në plazh, mes njerëzve, Fredi njihej e i shoqi 71


SKENDER TEMALI

do ta mirrte vesh. -Didi, të lutem! Dikur nga dhoma u dëgjua zëri i së bijës. -Po dal...po dal...Edhe pak... -Ku e pe? – se si e pyet Maria, edhe pse kjo nuk kishte fare rëndësi. -S’e pashë vetëm unë, moj ma, por edhe Bleroja, edhe Silvana me te fejuarin, edhe... -Mos! – se si i shpëton nënës, duke e marrë me mend se Mondi e ftoi për shetitje në det Didin dhe ai kish sinonim fjalën hakmarrje! O Zot! Nuk duhej të rrinte duarkryq. Të thërriste Bleron që të sqaronte me të çdo gjë, pasi edhe ai kishte qënë dëshmitar i asaj skene flagrance. Ndërkohë që e bija s’e kishte çelur ende derën, ajo mori celularin e saj dhe i kërkoi të birit të vinte sa më parë në shtëpi, edhe pse në fillim mendoi që atë ta mbante sa më larg asaj ngjarjeje. I trokiti sërish në derë Didit, iu lut kushedi sa herë që të dilte e aq qëndroi aty sa edhe harroi një tavë që kishte futur për të pjekur. E ku ia gjeti sot që kishin mysafirë!... Dikur ajo doli me sytë e mufatur nga të qarët. Bleroja erdhi duke qeshur, i bindur se e ëma e kërkonte për ndonjë punë përgatitore për drekën e djalit të xhaxhit, por ajo iu ngri në buzë kur pau nënën dhe Didin me lotë në sy. -Çfarë ka ndodhur, ma? – pyeti ai e mbase mendja i shkoi tek ndonjë aksident a diçka tjetër edhe më e rëndë që mund t’i kishte ndodhur të atit, pasi e dinte se me ç’shpejtësi 72


STINA E DIVORCEVE

e ngiste “Bensin”. E ëma nuk dinte se nga t’ia fillonte. Dikur, përmes lotësh, ajo ia tha shkurt se Didi kishte lidhur shoqëri me Fred Saraçin... “Kodoshi!” – shfreu Bleroja dhe solli në mend përnjëherë tronditjen e së motrës pasi kishin parë Fred Saraçin të mbërthyer në varkë me një bjondinë...Po s’kuptonte se përse Didi të tronditej aq shumë...S’qe aq kalama që tani të mos dyshonte se ashtu si leshverdha, edhe e motra mund të kishte qenë dje në krahët e tij... Maria, duke parë tronditjen e të birit, u zverdh, pasi i druhej ndonjë përplasjeje mes tij e Fredit, mes tij dhe...u pendua që ia tha të birit. -Do t’ia tregoj unë, pushtit! – shfreu sërish ai, edhe pse nuk e dinte, veç e hamendësonte se e motra kish shkuar me të përtej një shoqërie të thjeshtë. -Blero, shpirt i nënës, ti duhet të qëndrosh sa më larg kësaj historie! – e porositi të birin, edhe pse ia çmonte shumë vetëpërmbajtjen. E kishte provuar në dy a tre raste të tjera, kur djemtë e trotuareve e patën gërga si pa të keq Didin tek ecte rrugës, ndërkohë që bënin xhiron tradicionale në pedonalen e qytetit e kur ajo shkëputej për të takuar ndonjë shoqe. -As Mondi këtu s’ka punë! Pikërisht për këtë të thirra, – i tha ajo më shumë në formë urdhëri, e bindur se Bleroja shqetësimin e krijuar nuk do ta mbante vetëm për vehte dhe do të kërkonte ndihmën e Mondit, kur ai njihej si dorë e fortë e që s’guxonte kush t’ia shkelte vizën. Blerimi s’dinte se ç’ta pyeste të motrën. T’i thoshte se 73


SKENDER TEMALI

deri ku kishte vajtur me të? I vinte zor. Nuk kish hyrë asnjëherë në biseda të tilla delikate. Po si nuk e kishte nuhatur ai? Këngët e tij që ajo vinte në kasetofon qenë sinjal, por jo aq sa ta bënte të dyshonte, pasi kishte dëgjuar kushedi sa vajza që çmendeshin pas Fred Saraçit. Edhe e ëma i qëndronte së bijës përballë dhe s’dinte se nga t’ia fillonte, kur në ngjarjen e varkës qenë dëshmitarë si Didi e si Bleroja. Djali doli i përcjellë edhe njëherë nga këshilla e nënë Maries që gjithçka ta mbanin brenda familjes, vetëm ata të tre. Maria shikon me dhimbje nga e bija. I dukej disi më e qetësuar, po vështrimi i saj qe ende i trembur. Si mbetën vetëm me të bijën, ajo iu afrua Didit dhe i qëndroi përballë me një karrike. -Deri ku ke shkuar më të, Didi? Sytë e përlotur të vajzës flisnin më shumë se ajo që mësoi e ëma, se ajo kishte shkuar më larg seç mendonte e seç i pat treguar një javë më parë. -I besova verbërisht, nënë! Verbërisht! Maria rrethoi kokën me pëllëmbët e duarve dhe ashtu e përhumbur qëndroi pa ditur se çfarë t’i thoshte hë për hë. -A je ruajtur? – i tha e ëma, duke përmbysur ato barriera që nganjëherë bëhen pengesë për të shkuar tek e vërteta. Didi iu qas në gjoks dhe përmes një ngashërimi të papërmbajtur, arriti të thotë: -Nënë, më fal, ma, të lutem!...Nuk e di... -Si? – tronditet Maria. 74


STINA E DIVORCEVE

Qëndroi disa minuta në gjoksin e së ëmës. Pas furtunës shpirtërore, ai qe limani ku ankoroi dhëmbjen e saj të parrëfyer. Ardhja e babait me të nipin, sikur e ndryshoi atmosferën e rëndë të krijuar. Asnjëherë në jetë Didi nuk kishte interpretuar ndonjë rol, ndërsa tani i duhej të bëhej ajo që s’ishte, të qeshte kur shpirti i qante, që në sytë e djalit të xhaxhait të ishte ajo Didi e zakonshme, e qeshur e me sytë jeshilë gjithë jetë. Pas asaj ngjarjeje, të nesërmen, shpërtheu një stuhi më e fortë se ajo e shpirtit të Didit. Sinoptika jepte shi për tri ditë si ç’mos kurrë në kulmverë, kështu që ato qenë edhe ditët e fundit të turnit e qëndrimi brënda në hyrje ua rriste mërzinë, kështu që sa u kthye babai nga Tirana i thanë se qëndrimi në plazh s’kishte më kuptim, madje edhe në Razëm s’kishin dëshirë të shkonin për shi. Sapo mbrritën në shtëpi, në Shkodër, iu duk se ajo s’qe e zakonshmja, seç kishte një hije jo të mirë e mbase për ta thyer heshtjen që i kishte pushtuar të tre, Maria ndezi televizorin. Si për dreq, qe i fiksuar një nga kanalet lokale që po jepte lajme kulturore. Spikeri i mëshoi zërit më fort apo se ashtu u dukej atyre kur lexoi lajmin për një koncert të dhënë në plazh nga një grup i ardhur nga Tirana përpara mijëra të rinjve e plazhistëve e ku qe i ftuar special edhe Fred Saraçi... Maria nxitoi të ndrronte kanalet, ndërsa e bija po qëndronte tek dritarja e dhomës ashtu, e përhumbur, teksa ai, shpirti i saj binjak, Fredi, i mirrte trajtat e Luçiferrit. E dinte se vetëm një fjalë t’i thoshte Mondit dhe Fredi do të 75


SKENDER TEMALI

gjëndej në ndonjë kanal i bërë për shkals. Tani i flisnin urrejtja e hakmarrja. Po ndërkohë i kumboi në veshë këshilla që nëna i kishte përsëritë disa herë Bleros. Mondi s’duhej ta mësonte kurrë këtë të vërtetë. “Po sikur ta marrë vesh babai?” – qe një pyetje që kushedi sa herë i qe përshkuar nëpër mend Didit, por edhe së ëmës. Dridhej. Po edhe ta mirrte vesh nga të tjerët... Maria, tashmë brënda historisë të së bijës, mendoi se një flirt Fredit edhe mund t’i falej...Se edhe ajo, para se të lidhej shpirtërisht me babain e Didit e Bleros që e kish sot shok jete, në brigadën ku ajo nisi si suvatore, Aliu qe parë të shoqërohej me një normiste...Kaq, se kaq të lejonte koha...Pat kurajon t’ia thoshte në sy...Dhe të vendoste...Me të ose me normisten...Edhe pse Aliu i pat thënë se nuk qe më shumë se një thashethem e një rastësi, kur ai e kish bërë një copë rrugë me normisten me të cilën banonin fare pranë... Nga natyra ajo qe tolerante...E këtë ngjarje, që s’e dinte askush, ajo mendoi se qe çasti i duhur t’ia tregonte së bijës, ndaj ia tha troç: “Ta falte Fredin!” -Kurrë! Kurrë! – tha me një vendosmëri që e trembi Marien – Ti vetëm sa kishe dëgjuar një thashethem për babain dhe u trondite...Po sikur t’i shihje lakuriq, ashtu siç i pashë unë? – pyeti e me turr u sul drejt dhomës së saj, duke e kyçur derën nga brenda. Doli prej andej pas dy orësh. Nëna kishte qarë më shumë se ajo. Lotët nuk i mbante as njëra e as tjetra. -Të mori në qafë sinqeriteti yt! – i tha ajo, e bindur se kishte thënë një të vërtetë, pasi e njihte të bijën dhe shpirtin e saj. 76


STINA E DIVORCEVE

KAPITULL I PESTË Fredi si u qetësua, gjëja e parë qe t’i bënte një thirrje në telefon Didit, por siç edhe e priste, ajo e kish atë të mbyllur. Do i përgjërohej se ai qe hapi i fundit i gabuar i jetës së tij, se nuk ishte ai, por biondina që e joshi, aq sa i dukej se i bëri magji e kryente veprime të pavullnetshme në varkë...Ta bindëte Didin se nëse donte të bënte seks me biondinën, do ta çonte tek kabina sekrete e tyre...Arriti deri aty sa t’i përsëriste me vehte fjalët që do t’i thoshte Didit, por sa më shumë që i përsëriste e aq si përralla me mbret i dukeshin. As të nesërmen, nuk arriti të komunikonte me të, derisa ditën e tretë, e premtja iu bë e premte e zezë. Didi i tha së ëmës që po dilte të takonte një shoqe dhe ia mbathi drejt plazhit me një furgon. E dinte edhe hyrjen tjetër të Fredit në një nga hotel-restorantet më të shtrenjta të plazhit. Një herë edhe aty kish kaluar në krahët e tij orët më të bukura të jetës së saj. U ul në tavolinën e një bar-kafeje diku përballë. Ora po shkonte dhjetë. E dinte se ai, ngaqë rrinte vonë duke kënduar në pabe, zgjohej diku nga nënta. Sytë nuk ia shqiste hyrjes së hotelit, ashtu si dhe të tjerët nuk ia ndanin sytë asaj, pasi ata që punonin në dyqanet që rrethonin hotelin e 77


SKENDER TEMALI

përballë tij, e kishin parë këtë vajzë të shoqërohej me atë që tanimë e njihnin të gjithë, Fred Saraçin. Dikur ai doli nga hyrja, i shpenguar. Në imagjinatën e saj ai u shndrrua në një bishë që po dilte nga strofulla. Njerëz kishte plot, pasi qe koha kur të gjithë dilnin nga hotelet dhe i drejtoheshin plazhit. Zemra i rrahu fort, fort, mbase si zemra e një luftëtari që pret të përballet me kundërshtarin. Ai bajlozi i zi...Didi i doli përpara, i zu rrugën dhe shpërtheu: -Pusht! Imoral! Maskara! Tradhtar! Këto fjalë të thëna me tërë dufin e shpirtit e në zonën më të populluar të plazhit, e bënë Fred Saraçin të zverdhej e të nxihej në fytyrë. I erdhi aq e papritur goditja, sa nuk e përballoi dot, pasi Ridi e kishte informuar se familja e Didit e kishte lënë hyrjen e plazhin. -Didi...Më lehtë të lutem, më qetë...Më fal! - pati forcë të bëlbëzojë e mbase në atë çast pat ndërmend edhe t’i binte në gjunjë, kur ajo shpërtheu sërish: -Don Zhuan i dalë boje! Rreth e rrotull njerëzit bënin sehir dhe me ndonjë tundje koke i jepnin të drejtë asaj vajze me sytë e jeshiltë. -Do të më kesh prapa si hije, gjithë jetën!... Ajo pat shfryrë edhe të tjera fjalë kundër tij, po kërcënimi i fundit, në formë betimi dhe i thënë hapur e qartë, i ka lënë një gjurmë të pashlyeshme...Zëri i saj rebel i jehon rrugë më rrugë e skenë më skenë...Ndërsa me të tjerat që kishte kaluar nëpër duar ndarja kishte qenë e butë dhe ato ecën në shtigje të tjera të jetës, siç ecin delet, njëra pas tjetrës, qoftë edhe në shtegun drejt humnerës... po kjo Didi ia vrau 78


STINA E DIVORCEVE

qetësinë e sigurinë në shpirt...Dikur ai e mori vehten dhe iu kundërpërgjegj: -Ti më propozove e para... -Qënke edhe më shumë se maskara...E ç’rëndësi ka kjo!...Betimet e tua për dashuri të përjetshme u bënë flluska sapuni...Më premtove altarin dhe më dhurove kalvarin e mundimeve shpirtërore... -Na ndanë mendimet e ndryshme...- pati kurajon të shpifte ai, si për të dashur të justifikohej në sytë e soditësve. -Na ndanë dashnoret e tua... -Janë partnere, trioja shoqëruese, balerina...Ti je një xheloze e lindur... -Unë xheloze?! Ti u zure mat më atë rruspijen nga Tirana...Dhe kushedi se sa herë ma ke dredhur kështu...E unë marroqja të besoja si perëndi...Atë ditë, sa e more vesh se unë po shkoja në Shkodër për të takuar nipin e babait të ardhur nga Amerika, ti fluturove në mes të detit...S’kishe se si ta dije se ai ndrroi mendje dhe erdhi edhe të na takonte, edhe të shihte plazhin e Shëngjinit që s’e kishte parë kurrë...Tani e kuptoj se përse më pyesje se si e ke planin sot, si e ke planin nesër, që të m’i vidheshe syrit tim... Ti je bosh Fred Saraçi, bosh!... Po ta përsëris edhe njëherë: Je një donzhuan i shpifur e që më ngjall krupen!...Megjithë atë maskarain që të vjen pas, Rid Tymin!...Mua ma shove rininë, ty t’u shoftë zëri!... Ajo nisi të klithte, nuk e sundonte më vehten...Punë e madhe se me atë ton të ngritur, po tërhiqte edhe më shumë vëmendjen e kalimtarëve që, si zakonin që e ka shqiptari, po shumoheshin për të dëgjuar gallatë në rrugë, kur një vajzë 79


SKENDER TEMALI

po bënte fërtele një djalë që ia kishte dredhur, por...sa afroheshin e identifikonin këngëtarin Fred Saraçi dhe zhgënjimi i tyre për të mirrte dimensione të tjera. Furtuna Didi e bëri rrafsh me tokën...Nuk ia kishte marrë mendja kurrë se ajo kishte një forcë të tillë...Po ndërsa Fredi bënte përpjekje t’i shmangej, Didi edhe në atë gjendje psiqike arriti të dallonte mes zhurmave të rrugës, burinë e makinës së Fredit. Ajo sikur mbiu nga dheu dhe si nëpër filma, prej saj zbritën Ridi me dy të tjerë. Një vërshëllimë e tij e Fredi mori zemër. Aq sa, si ajo bisha e plagosur, iu turr Didit më një fjalor të tillë, të denjë për një rrugaç. -Qyqja! – klithi një grua, kalimtare e rastit. Kushedi se çfarë do të nxirrte tjetër nga goja, sikur Didi të heshtëte për një çast e diçka të mblidhte në gojë. Pështyma e saj, si një masë helmi, krijoi një flurudhë derisa iu ngjesh Fredit në ballë. Nuk e desh vehten për të gjallë, pasi, nëse fjalët plazhistët nuk i dëgjonin qartë prej zhurmave të rrugës kur dialogonin me mllef, xhestin e Didit e shikuan të gjithë. Nxitoi ta fshinte pështymën e saj me shami...O Zot, ishte një nga shamitë që i kishte dhuruar ajo...Plepat përreth rrugës sikur nisën një valle mortore..Një mesogrua tundi kokën, dy vajza u stepen në asfalt sa njëra desh u përplas me një biçikletë...Ndërsa ajo, Didi, qe përplasur me të pabesueshmen, tradhtinë e dyftyrësinë...Dhe ai kishte kurajo t’i kërkonte të falur, në fillim si zvarranik e sa ia behën kalecët e tij, u fry si kaposh e nxorri fytyrën e tij të vërtetë...Tani, tani më shumë se kurrë, ajo ishte e bindur se ai para se të njihej me të kishte kaluar në duart e tij kushedi sa leshverdha...Nuk e njihte siç e njohu 80


STINA E DIVORCEVE

sot, i besoi verbërisht, si atë ditë që i tha “po” e se do të ishte e tija e vetëm e tija. E ndërsa ai nxorri shpirtin e tij të zi, erdh e i gjëmoi në veshë këshilla e nënës së Fjoralbës për artistët. Ridi, si mjeshtër si skenave të tilla, i futi krahun Fredit e gati e tërhoqi zhak drejt derës së makinës. Në timon u ul Ridi, përpara Fredi. Xhirimi i rrotave trembi disa kalimtarë e një polic trafiku, i cili sa herë që ajo makinë përshkohej me turr, bënte sikur po lidhte lidhëcat e këpucëve. Ndërsa hynë në makinë e më shumë që ta spostonte vëmendjen nga përplasja me Didin, Ridi i tregoi Fredit se grupi artistik i Tiranës ia mbathi për në një turne në plazhet e bregdetit e bashkë me të edhe biondina, e cila Fredit i dukej se qe tersi i jetës së tij. As vetë nuk e kuptonte se si aq shpejt ajo iu hodh në krahë. Mbase kështu binte edhe në krahët e të tjerëve. Po punë e madhe fort! Pat siguri të plotë se atë ditë që Didi po shkonte me prindërit në Shkodër, do të kalonte një orë me biondinën pa i parë askush, thellë në det me motoskafin e një oficeri që patrullonte në afërsinë e plazhit, pasi atje kishte më shumë klas e romantizëm se sa në skutën ku shkonte me Didin. Po atje, mjalta e biondinës iu bë helm. -Si thua? - E pyet Ridi, i bindur se do të bënin punën më të mirë që t’i përgjigjeshin sërish ftesës e të shkonin edhe ata pas grupit. Ridi e dinte se në gjithë atë grup nuk mbetej pa gjë. -Si të duash! – i përgjigjet Fredi i përhumbur.

81


SKENDER TEMALI

KAPITULLI I GJASHTË Ngjarja e ndodhur muaj më parë me Didin, Fred Saraçit nuk i qe shlyer nga kujtesa. Tash e parë i shfaqej imazhi i saj i tjetërsuar, aq sa nuk kishte ditë të mos e çonte dorën në ballë, aty ku i qe ngjeshur pështyma që ajo i hodhi... Sigurisht që një ngjarje të tillë nuk kishte se si të mos e diskutonte me Ridin. Pasi kushedi sa herë me të ka shoshitur vajzat më simpatike të qytetit. Në fillim të njohjes, siç edhe ndodh rëndom kur beson se ke takuar shokun e vërtetë, i besuan njëri-tjetrit edhe skutat më të fshehta të shpirtit. Po marrëdhëniet e Fredit me Ridin njohën më pas edhe interesin dhe ku hyn ai, sinqeriteti asfiksohet e vdes. Shoqërisë me Fredin, Ridi ia ka parë hajrin. Nga koncertet e disqet e shitura jo vetëm Fredi e ka patur xhepin plot. S’u ka munguar lokali, as pak pluhur e as femrat. Ridi, sidomos në vitin e fundit, ia ka marrë aq mirë dorën ndërmjetësit me femrat sa të mos mbetej edhe ai pa gjë. Veç me Didin sharra u hasi në gozhdë. Ajo për Ridin qe ndryshe nga të tjerat që inamuroheshin pas Fredit. Madje ia pat thënë edhe Fredit që t’i ruhej asaj, se ajo e pat marrë seriozisht. Ridit as i kishin pëlqyer e as i pëlqenin njerëzit seriozë. Po sidoqoftë kishte kohë që ajo Didi pat dalë nga skena apo ishte fshehur në 82


STINA E DIVORCEVE

kuinta kjo për të s’qe fare e rëndësishme, por që mos i dilte më Fredit përpara, se edhe atij i shtoheshin telashet e nuk donte të tilla e sidomos kur mori vesh se pat një kushëri kryekcyem, Mondin, që s’ta zgjastë shumë, sa të bënte të mos e njihje as vehten. E këtë nxitoi t’ia thoshte Fredit, i cili, kur e mori vesh lidhjen familjare të Didit me Mondin, sa s’i shpëtoi në brekë. Por e mori vehten dhe e kapërceu hë për hë frikën që e pushtoi, kur një natë, pas ngjarjes me Didin në mes të rrugës, Fredi dhe Ridi rastësisht u përballën me Mondin. Siç dukej edhe ai plazhitej sa në Shëngjin e aq në Velipojë, ku erdhën pas grupit të Tiranës. Natyrisht që Mondi i përshëndeti, pasi nga goja e kushërirës kushedi sa herë e kishte dëgjuar emrin e tij. Ridi i ra me bërryl Fredit, si për t’i thënë se Didi nuk i kishte treguar asgjë, megjithatë frika se një ditë do ta mirrte vesh, u flinte në çdo qelizë të trurit. -Fredi, ndodhi ç’ndodhi, por mos harro se këtë e ka kushëri të parë...Ky s’ta zgjat, kushdo qofsh! -Jam i bindur Ridi se ai është jashtë kësaj historie...Gjithnjë ngjarje të tilla i përpinë dheu... -Po ti nuk e njeh mirë, Fred! Edhe unë jam i bindur se ai sot nuk di gjë, po kush na garanton se nesër nuk do ta mësojë? Fredi s’qe budalla që të mos ia dinte të vërtetën atyre pohimeve të Ridit, i cili njihte komplet hartën e xhagajdurëve të Shkodrës. Ndaj dhe, sa qe në plazh, kontrollonte më mirë se kurrë lëvizjet, shmangte të panevojshmet dhe rrugëzat mes kabinave e dyqaneve ku nuk kishte njerëz... Kështu kaloi një kohë e mirë dhe koha, siç e dijmë, 83


SKENDER TEMALI

fashitë shumëçka...Megjithatë Ridi, si tutor ngjarjesh e historishë plot dashuriçka të mëparshme të Fredit, tash e parë, edhe kur e lanë plazhin, ia kujtonte atij Mondin e tmerrshëm. -U bënë disa muaj Ridi...Java e parë ishte e rrezikshme...Bëmë mirë që pas asaj që më ndodhi me Didin nuk u kthyem në Shkodër...Koha, vetëm koha mbyll plagët, Ridi, ta kam thënë njëqind herë... -Po, po...por unë që e njoh kushëririn e saj...Jo në Velipojë e më pas në Itali, por edhe në Honolulu ai të gjen, po të dojë... -Besoj se Mondi s’ka për ta mësuar kurrë atë ç’kam patur unë me kushërirën e tij...Arrita ta njoh Didin...Sa është e vendosur, aq edhe frikacake...S’ka se si ta marrë vesh para të atit...Të atit i trembej ajo....Kushedi sa herë më ka folur për të...Ai vetë nënën e Didit e ka marrë me dashuri, po së bijës përpiqej t’ia kontrollonte veprimet...Qe fat për ne që në këtë periudhë shkoi me brigadën e tij e nuk qëndroi në plazh, por edhe që në atë kohë në plazh qëlloi edhe ai që ti më përmend tash e parë, Mondi, pasi i ati, duke e ditur se kush e njihte ia kishte edhe frikën, e pat mendjen e fjetur për të bijën. Ridi u përtyp. Fredi vijoi: -Hajde, mos jeto më me frikë...Një ditë, rastësisht Didin e kam parë të shoqërohej me një djalë dhe...Duhet të jetë lidhur me dikë tjetër dhe kjo u vë kapak të gjithave... -Mos ka qënë ndonjë nga kushërinjtë e saj? -S’ma merr mendja, pasi u bënë disa muaj që nuk është ndjerë e gjallë... 84


STINA E DIVORCEVE

-Gjithsesi asaj duhet t’i ruhesh, Fredi! S’më hiqet nga mendja se ç’të bëri në plazh! Nesër mund ta bëjë edhe në Shkodër, edhe në një koncert... Jo se këto nuk i kishte menduar Fredi, por se si i ishte ngjallur një vetbesim se Didi do të lidhej me dikë tjetër dhe se nuk kishte asnjë interes t’ia zbulonte petët lakrorit...

85


SKENDER TEMALI

KAPITULLI I SHTATË Didi e pat përjetuar thellë shtatzaninë, në shpirtin e saj u bë një luftë e brendshme që kish bashkëudhëtar të ditëpërditshëm stresin, po-në dhe jo-në, abordimin dhe mbajtjen e fëmijës...Mes kësaj lufte kaluan javët, muajt...Bëri demarshin e parë, thjesht duke i treguar në telefon Fredit se ishte shtatzënë me të, por ai bëri shurdhin dhe as u trondit kur ajo i tha se ishte e gatshme ta bënte ADN-në në çdo kohë që ai ta gjykonte të favorshme... Në muajt e parë të shtatzanisë të vërtetën e dinte vetëm e ëma, e cila i qe lutur ta abordonte, njihte një mjek në maternitet dhe përmes tij mund ta realizonin pa e marrë vesh askush, por ajo erdh një çast që vendosi të mos e bënte atë, pavarësisht kostos që do paguante: së pari me babain, që do ta zbonte nga shtëpia e në opinion. U shtërngua sa s’ka që të mos binte në sy se ishte me barrë, falë edhe stinës së dimrit e veshjeve që maskonin, por andej nga muaji i shtatë i shtatzanisë, kur edhe minareja nuk futej në thes, kurdisi një përfshirje të agjensisë turistike ku punonte në një projekt të huaj për dy muaj, në të gjitha pikat turistike të bregdetit të Shqipërisë, për të mbyllur kështu një kapitull dhe për të vazhduar ajo vetë të shkruante 86


STINA E DIVORCEVE

kapitujt e tjerë të jetës së saj. Pra, kishin kaluar disa muaj që në krahun tjetër Fredi bën jetën e tij normale. Fama i qe rritur edhe më shumë, ndërkohë që Didi i ishte zhdukur nga skena, por jo nga kujtesa. E kujtonte jo veç për kënaqësinë seksuale që i kishte dhënë, por edhe për rebelimin e kërcënimin e dikurshëm. Si asnjë vajzë tjetër me të cilat pat marrëdhënie. E kur atëhere kishte menduar se vërtetë koha shoi gjithçka mes tyre, ajo u shfaq papritur, me një mesazh telefonik për Megin... Nga marrëdhëniet e Fredit me Didin e ngjarjet që i rrethuan, të mësuara prej gojës së “viktimës” së radhës, Megi nuk e pat të vështirë të skiconte në mendjen e saj një tjetër portret të Fredit. Nuk mund të harronte lotët që i rridhnin Didit teksa i fliste për të birin, Drinin. I tregoi edhe se si kishte arritur të siguronte një foto të të birit nga shtëpia e foshnjës në qytetin bregdetar, mbi dyqind kilometra larg nga Shkodra...Malli e këputi. S’e përballonte dot. I pat gënjyer sërish babain e të vëllain...projekti i huaj...U nis që pa zbardhur me një furgon dhe mbrriti në qytetin e vendlindjes të të birit diku nga dreka e punën e parë që bëri, zuri një vend në hotel turizmin e dikurshëm, pasi hoteleve private ua kishte frikën. Nuk e pati të vështirë të mësonte se ku ishte brefetrofi...Qëndroi në një klub përballë tij deri nga ora dy e pasdrekes, e bindur se qe koha kur kujdestaret ndrronin turnet...Iu vu pas një flokëthinjure...E shoqëroi nga pas si hije deri në shtëpinë e saj...Me zemrën që i rrihte e me buzën që i dridhej, i trokiti në derë...Iu lut e iu përgjërua, mjafton që t’i bënte Drinit një 87


SKENDER TEMALI

shkrepje të aparatit fotografik që kishte marrë me vehte, pasi hë për hë nuk donte të shfaqej në brefetrof si nënë e fëmijës...Kujdestarja i tregoi për rriskun nëse vepronte kështu siç i propozonte ajo, kur fare mirë mund të vinte edhe zyrtarisht në drejtorinë e brefetrofit...I tregoi se kjo ishte praktikë e shpeshtë e gjithçka i mbetej anonimatit...Po Didi i druhej sa s’ka dekonsipirimit...E ndërsa hasi në kundërshtimin me kulturë të kujdestares, nuk ngurroi t’i vinte një zarf me euro mbi tavolinë, ndërkohë që i ra në gjunjë kujdeatares së panjohur. Ishte nënë. Edhe kujdestarjanënë. Mbase edhe gjyshe. I rrodhën edhe asaj lotë. E ngriti në këmbë, ia dha zarfin që ta mirrte me vehte dhe të nesërmen i dorëzoi aparatin fotografik me disa shkrepje për Drinin, sa në shtrat e sa në mes të disa lodrave... Ngaqë nuk donte e as që mundte të shfaqej hë për hë si nënë, i digjte nga brenda edhe një fakt tjetër, se mos shteti me ligjet e tij edhe të dënonte kur e braktisje fëmijën...Ndaj sa u kthye në Shkodër iu drejtua bibliotekës së qytetit dhe mori për lexim “Kodin e Shqipërisë”.U drodh kur tek seksioni i IX “Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes”, në nenin 24 lexoi sa u trondit se “Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tri vjet”. E ndjente vehten fajtore. E meritonte çdo dënim, edhe pse nuk e kuptonte ligjin sa i pashpirt që ishte...Nuk e kuptonte...Librat e lexuar prej saj qenë përgjithësisht jashtë sferës juridike dhe në letërsinë shqipe asnjë autor nuk kishte qenë qoftë edhe një Balzak i vogël sa të trajtonte gjërat më 88


STINA E DIVORCEVE

elementare të jurisprudencës...Po pse i erdhi në mendje Balzaku?...Se Balzaku kishte punuar në një zyrë noterie a avokatie këtë tani nuk kujtonte, po gjithsesi, si njëra e tjetra të japin atë ushqim sa për të kuptuar se si ligji që nuk ka shpirt, ashtu bëhet edhe gjyqtari...Ç’logjikë juridike e jetësore kishte që nëna që braktis një foshnje, siç kishte vepruar ajo, të dënohej deri në tri vjet me burg dhe veç tri viteve vuajtjeje, dënohej edhe i biri larg mëmësisë së përditshme...Apo ndofta dhe e lejonin ta mbante në burg? Të ishte për gjobë nëna e saj nuk do të kursehej, sado e madhe të ishte shuma... Ngrysej e zgjohej me fytyrën e të birit e s’kishte ditë që të mos qante deri në ngashërim. Por erdhi një çast që s’duroi më...U nis sërish drejt qytetit bregdetar, prap në kuadrin e atij projekti fantazmë, por kësaj here me të ëmën, me sebepin se ajo do të ndalej në Durrës e t’i bënte vizitë xhaxhait të saj që banonte tek e bija e martuar atje... E dinte se kujdestarja e kishte kryer misionin e saj, por kësaj radhe mendoi një skenar tjetër: e ëma do të hiqej sikur interesohej për të birësuar një fëmijë dhe shoqërohej nga mbesa e saj. Mbase edhe nuk do ta besonin, se “skenarë” të tillë drejtuesit e brefetrofit do të kishin lexuar kushedi sa herë me nëna të tjera që kishin braktisur fëmijët, por e pat llogaritur dhe një dyqind eurosh. Nuk i dukej asgjë përpara asaj që Didi ta mirrte një herë, qoftë edhe dhjetë minuta të birin në prehër. Nuk ia ngarkuan mbi shpinë kujdestares flokëthinjur këtë “mision”; ajo vetëm t’u tregonte e t’u fliste për drejoreshën si njeri e si karakter. E dinin se kishin ardhur ditët e parasë e të rrushfetit, por ndonjëherë sharra haste në gozhdë. Se 89


SKENDER TEMALI

s’ishin të gjithë të përlyer, kishte edhe idealistë, edhe nëpunës të ndershëm të këtij shteti rrumpallë. Fat për ta që kujdestarja u tregua e sinqertë. U foli për drejtoreshën, siç mund të flasë një vartëse ndaj eprores që mban përherë një maskë sinqeriteti në fytyrë. Se drejtoresha ia kish marrë dorën asaj pune dhe tani që po ngrinte edhe një vilë anëdetit, një dyqindqind eurosh këtu e kushedi sa për një tjetër, nuk ishte pak. Kështu që “skenari” i birësimit ra. Kujdestarja u tregoi se ku e kishte shtëpinë drejtoresha dhe ata me zemrën që u dridhej, trokitën në portën e saj. -Duam të bëjmë një bisedë kokë më kokë, - i tha me ndrojtje nëna e Didit, por kur pa sytë e drejtoreshës që kontrollonin shkallët e pallatit se mos ishte kush, siç duket, e mësuar tashmë edhe me vizita të tilla të grave të panjohura, u hapi derën dhe ato i thanë gjithçka pa dorashka. Dihet vazhdimi i bisedës. Nëna e Didit nxorri nga borseti i saj katër pesëdhjetë euroshe. Drejtoresha u tha se po lozte me bukën e gojës të fëmijëve të saj e me sanksione ligjore të rrepta. Më vonë ato patën mësuar se asgjë e tillë nuk kishte për t’i ndodhur dhe se e kishte obligim t’ia vinte një gruaje në prehër fëmijën për t’u shmallur nëse ajo deklaronte se ishte nëna e tij. E lanë të shkonin të nesërmen në mëngjes. Në restorantin e hotelit ku kishte bujtur dhe muaj më parë, Didi s’arriti të kalojë asnjë kafshatë, veçse pinte ujë tash e parë, pasi nga emocionet i thahej buza. Qe nata më e gjatë në jetën e saj. As që fjeti qoftë edhe një minutë, edhe pse e ëma e qetësonte duke i thënë se gjithçka do të shkonte mirë e do t’i gjenin një zgjidhje që ajo 90


STINA E DIVORCEVE

ta kishte përjetë Drinin në krahërorin e saj. E nesërmja zbardhi heret, qiellin e përflakën dikur rrezet e diellit. Si pinë një kafe në barin e hotelit, të dyja, nënë e bijë, u nisën drejt brefetrofit. Momenti kur drejtoresha solli në zyrën e saj Drinin e vogël krijoi drithërima të jashtëzakonshme në tërë qënien e Didit. Zemra i rrahu si kurrë më parë. Aq sa u desh që e ëma ta ndihmonte të ulej në një karrike në zyrën e drejtoreshës. E puthte djalin në faqe, në ballë, në qafë, në duar, i mirrte erë e nuk ngopej. Dhe Drini qeshte e qeshte, duke i spikatur edhe më shumë ai quku në faqe. Ishte një ndjesi e paprovuar. Kishte menduar se kur mbështetej në gjoksin e Fredit dhe kur puthej buzë më buzë me të sa s’dinin të ndaheshin derisa u mirrej fryma se nuk kishte dashuri tjetër më të madhe në botë, por vetëm kësaj here ajo provoi se ç’ishte dashuria e vërtetë. E ndjeu vehten det, e ndjeu vehten pyll, e ndjeu vehten qiell, ku çdo gjë gjallonte e përkundte një dashuri kozmike...por e ndjeu vehten edhe kënetë...Se kishte braktisur frymën e gjakun e saj, shpirtin e zemrën e saj...Dhe për këtë e ndjente vehten kënetë, ujë të ndenjur e të mbushur me lavra, ku dëgjohej veç guaku i bretkosave...Ishte fajtore, apo fajtore pa faj?...Tash e ndjente vehten se kishte bërë një krim, tash se në ato çaste ajo nuk pat rrugë tjetër...Sakrifikoi çdo gjë për dashurinë e vërtetë dhe hasi pabesinë e tradhtinë...Por, si çdo e keqe në këtë botë, edhe ajo e pat të mirën e saj: njohu të panjohurën, fytyrën e vërtetë të atij që i besoi gjithçka. E ëma e shihte Didin tek e puthte aq fort Drinin dhe i rridhnin lotë. S’kishte parë fëmijë më të bukur e më buçko 91


SKENDER TEMALI

se ai! Me sytë me bisht, me qerpikë që shiheshin më shumë tek vajzat se sa tek djemtë. Dhe i vjen keq që tek i nipi dallon disa tipare të atij maskarai që ia nxiu jetën së bijës! Dikur drejtoresha sheh orën si për t’u thënë se koha e blerë prej 200 eurosh kishte përfunduar. Sytë e nënës së Didit i luten, i thonë që t’i lërë edhe disa minuta...! Po ajo i bën me shenjë Maries që t’ia marrë së bijës djalin nga krahët, ta përqafojë nipin e të dalin. Në atë çast u shfaq tek dera kujdestarja. Didi u zhgreh në vaj. Drini në krahët e saj po fluturonte dhe ajo nuk mundi ta marrë vehten. Nëna i lë drejtoreshës disa veshje e lodra që ia kanë sjellë Drinit si dhuratë në njëvjetorin e tij. Dikur Didi kujtohet. Kujtohet dhe përmes lotësh i drejtohet drejtoreshës: -Para se ta lindja Drinin jam regjistruar me emër të rremë, me adresë të rreme...S’më kërkuan asnjë dokument...Seç pat atë ditë një ngjarje tragjike për qytetin tuaj, zonja drejtoreshë, pasi një autobuz u rrëzua me disa ekskursionistë dhe e gjithë shëndetësia vrapoi në spital...Kisha lekë me vehte sa t’i bëja të heshtnin...E di edhe emrin me të cilin jam regjistruar, edhe datën, edhe orën, edhe adresën që u kam dhënë, edhe faqen e regjistrit e kam në kujtesë, 71...Para se të arratisesha nga materniteti i kam pas lënë Drinit një varëse floriri në qafë me shkronjën D. Me atë shkronjë që lashë në një letër të shkruar edhe emrin e tij, Drini, edhe emrin tim, Didi, kur emri im i vërtetë është Sidita. Edhe ditëlindjen time. Do Zoti që të kenë rënë në një dorë që nuk i ka zhdukur... -Oh, ato janë punë të maternitetit e të policisë, moj bijë, - thotë drejtoresha në rolin prindëror që nuk i shkonte 92


STINA E DIVORCEVE

aspak pas marrjes së eurove - dhe janë të gjitha në dosjen e Drin Shkodrës. -Drin Shkodrës?! – pyet Megi e habitur sa s’ka se si kishin evidentuar qytetin nga ishte ajo. -Po kështu është rregulli. Çdo qënie njerëzore ka emër e mbiemër...E ka një listë emrash për raste të tilla gjendja civile...Nëpunësit e saj ia ngjesin emrin e mbiemrin dhe ashtu e regjistrojnë...Ndofta ngaqë ti ke lënë emrin Drini, ata ia kanë vënë edhe mbiemrin Shkodra...Mbase kanë vënë edhe emrin tënd, Didi... Didi e puth fort të birin, e puth fort në ballë, në sy, i merr erë, buzët e saj i vë tek quku që i krijohet në faqe... Kujdestares në prak të derës i rrjedhin lotë. Ajo ka qenë kaq njerëzore me to. -Hajde, tashti, jepja Drinin kujdestares! – urdhëron drejtoresha. -Oh, edhe një minutë! – lutet e kujtohet Didi të nxjerrë nga çanta aparatin fotografik e t’i bëjë Drinit disa foto, ndërkohë që më pas ia jep së ëmës që t’i bëjë disa shkrepje me të birin në krah. Kujdestarja e merr Drinin. Veç drejtoreshës që mezi ç’priste të ulte siparin e asaj skene, tri gratë e tjera nuk mundën t’i mbajnë lotët. Dera pas kujdestares u mbyll. U dëgjua një e qarë fëmije në koridor. Sigurisht qe e Drinit. -Nënë, s’kemi pse ta mbajmë të fshehtë, as dua të pyes për askënd dhe për asgjë...Nuk mund t’i kthej krahët kështu tim biri...- shpërthen Didi. Tani drejtoresha merr seriozitetin e zyrës. Ngryset. 93


SKENDER TEMALI

Ngryset se e di se ... po u vunë gjërat në shinat e ligjit, e Drini edhe ligjërisht shkonte në krahët e së ëmës, xhepi i saj mbetej bosh... -Ka rregulla, moj çupë dhe rregullat janë të forta. Vërtetë ti jep të dhëna se je nëna e Drinit, po shteti është i ftohtë para pretendimeve të tilla. Duhet të hapësh gjyq...Ti e di se si funksionojnë sot këto punë...Ato zgjasin, zgjasin...Sot nuk vjen avokati, nesër nuk vjen gjyqtari...Unë mund të ndihmoj dhe do të ndihmoj sa s’ka... Më shumë se Didi, nëna e saj e kupton karremin që i ka hedhur drejtoresha, pasi do ta bëjë vehten protagoniste në mirësinë e ardhëshme e, kuptohet, të mos mbetej sërish pa gjë...Mbase mizanskena të tilla ka kaluar me bollëk...ndryshe si mund të ndërtohej vila në bregdet?!... -O zonja drejtoreshë, - i drejtohet Didi sërish mes lotëve. - Unë e dua tim bir...Do të arrij të vërtetoj se jam nëna e tij e mbase edhe atësinë, po babain e Drinit nuk e dua kurrë për burrë, edhe sikur të më bijë në gjunjë e të më zvarritet gjithë jetën...

94


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I TETË Kthimi në Shkodër qe më i rëndë se nisja. Tani që Didi kishte ndjerë erën gjithë myshk të të birit, që e kish marrë në krahë teksa zemra i rrihte më me forcë se kurrë, malli u bë mal i pakapërcyeshëm. Kyçej në dhomë e qante deri sa i shterrej loti. U shkri aq sa i ati, edhe pse i sertë, e kuptoi se një hall i madh po ia mirrte të bijën. Kaq u dobësua, sa i shihej edhe gllënka e ujit tek e pinte. -Marie, ç’po ndodh me të?...A ke sy të shohësh? Maria i ra në gjunjë. -Çfarë ka ndodhur? – pyeti ai, duke menduar më të keqen, se mos e bija... Dhe atë që mendon, ia thotë së shoes - Mos është lidhur me ndonjë? -Edhe më keq, Ali, edhe më keq...E për të gjitha fajtorja kryesore jam unë...Më bëj ç’të duash... Ai qe zverdhur. -Për ç’të keqe më flet, Marie! Më thuaj se me kë është lidhur?...Përse më bije në gjunjë, përse? Është lidhur me ndonjë vagabond? Me kë...? Ajo dridhet tek thotë: -Didi është nënë, Ali...Nënë... -Si?...Si nënë? – pyeti ai përmes një korenti që i 95


SKENDER TEMALI

përshkoi të gjithë trupin dhe në çast gjithë ai burrë s’peshonte as sa një pupël shpendi. -Ti po më çmend, Marie!...Kemi një jetë sëbashku e nuk të paskam njohur!...Dhe ti ke ditur gjithçka e paske heshtur?...Paske vepruar pas krahëve të mij?... -Ali, më bëj ç’të duash...Më vrit më mirë...Na vrit të dyjave, po deshe...S’ma mori kurrë mendja se punët do të shkonin kështu... Ali Vjerdha e ndjeu vehten të çburrëruar...Dikush ishte tallur me të bijën dhe ia kishte lënë kopilin tek dera...Po Didi, Didi si kishte rënë aq poshtë sa t’i jepej një askushi që i kthente shpinën... -Me kë e ka? – pyet ai, ndërkohë që Maria është e bindur se ai nuk pyet për të shuar kureshtjen, por për t’i shuar jetën një njeriu që i braktiste të bijën me një bebe në krahë... Maria, duke u dridhur, nis t’i tregojë... Ali Vjerdha ka rrethuar kokën me pëllëmbët e tij të ashpra nga puna, sytë i ka ngulur në një pikë në dysheme dhe kushedi se ç’plan bën në kokën e tij. Dikur sheh nga e shoqja. Ka ditë që si e bija, edhe ajo është shkrirë si ç’mos kurrë. Nuk flet, kur Maria kishte menduar se do ta godiste me grushta e me shkelma e po ashtu mund të bënte edhe me të bijën. E sheh me sytë e saj të përlotur e gjithë frikë. -Të pyeta me kë e ka? – bubullon ai. -Me një këngëtar, Ali...Një farë Fred Saraçi...Qysh vjet në plazh...Po Didi e zuri në flagrancë me një tjetër dhe...ia ka vënë vizën...Pas asaj ngjarjeje, ai e ka nxjerrë fytyrën e tij 96


STINA E DIVORCEVE

të vërtetë...jo vetëm të një donzhuani, por edhe të një njeriu të pashpirt e të pa karakter... Dikur ai u ngrit me mundim. Mbase i qenë shterrë fuqitë. Hodhi disa hapa në dhomë drejt derës, u kthye e u nis prapë. Bënte veprime të pavullnetshme. Mandej lëvizi raftin e rrobave. Maria e dinte se do të vinte momenti që ai ta bënte një veprim të tillë, ndaj nuk e la ta çonte deri në fund punën e nisur: -Pistoletën erdhi dhe e mori Mondi para një muaji...Siç e pat sjellë e siç e pat futur pas raftit, ashtu erdhi dhe e mori... -Mos! – tha i shoqi dhe Maria nuk arriti ta mësojë kurrë se nëse e gjente pistoletën pas raftit, kujt do ia drejtonte më parë, asaj, Didit apo... -Ali, pashë të lumin Zot e pashë kryet e fëmijëve, mos bëj ndonjë hap të tillë se do të na marrësh në qafë! Do na e nxish jetën! Ai e shikon si asnjëherë më parë të shoqen. E shikon dhe e pyet: -Edhe më të nxirë se kaq?...Do ta marrë vesh një Shkodër...E si mund të dal unë rrugëve të saj? Si, më thuaj, si? Maria mbase dhe qe përgatitë për një shfrim të tillë të të shoqit, ndaj dhe që të mos e lejojë të vazhdojë më tej, i thotë: -Ka më shumë se një vit që Didi ka lindur një djalë dhe askush nuk e di e s’ka për ta marrë vesh kurrë! -E vërteta vonon, por s’fundoset kurrë në fund të detit...Do të dalë një ditë në sipërfaqe e mandej...mandej ku të futem unë...jo vetëm unë, por edhe ti...? Ku? 97


SKENDER TEMALI

-Po mund t’i gjejmë një zgjidhje, Ali! -O Zot, përse të më dënosh kaq rëndë? Ç’mëkat kam bërë? Unë për Didin hidhesha në zjarr nëse dikush mund të dyshonte se ajo ma dridhte pas ferrave...E mendoja një vajzë me karakter e si e tillë të meritonte një zotni Shkodre... -E tillë është, Ali...Se të mos ishte vajzë me karakter, do të abordonte... -Do të ishte njëqind herë më mirë! -Kushedi sa netë vjet e kemi biseduar nënë e bijë, kemi ngrënë vehten, ia kam shtruar si alternativë e kërkesë, për Didi nuk u thye...Pat mëdyshje, po më në fund vendosi: Nuk mund ta bënte atë krim e ta hidhte fëmijën... -Preferoi t’i hidhte Ali Vjerdhës baltë mbi fytyrë...Këtë deshe të thuash?... -Ali, edhe njëherë, pashë kryet e dy fëmijëve, pashë dashurinë tonë, mos hidh ndonjë hap që të pendohemi gjithë jetën...Unë e di, se nëse këtu nuk ishte pistoleta, sot nuk është vështirë të gjëndet as automatik...Pashë të lumin Zot, mos!...Do ta gjejmë një zgjidhje...Mund të shkojmë edhe në Itali...Në Itali ose në Tiranë, ku nga dendësia e popullit e fshehta është si gjëlpëra në kashtë...Nuk gjendet kurrë... Nuk tha as po e as jo. Veç tundi kokën, mori xhaketën, e hodhi krahëve dhe mori mori të dalë e Maria nuk pat forcë as ta pyeste se ku po shkonte; parandjente furtunë. -Ali, të lutem! – mundi të shqiptojë, edhe pse me mendje donte t’i thoshte që të mos hidhte ndonjë hap të gabuar ai apo me ndihmën e Mondit, pasi ai vetë as njihte ndonjë këngëtar e as më shumë një farë Fred Saraçi... Maria nxitoi të mirrte në telefon Didin në agjensi, t’i 98


STINA E DIVORCEVE

thoshte të vinte një minutë e më parë në shtëpi...Didi e kishte vendosur...Nëse donte të jetonte, donte të jetonte me të birin në krahë, ose ndryshe...Ishte e gatshme edhe të shkonte kudo që të mbulonte gjurmët...Do të jetonte e vetme...Nëqoftëse... Kur i ati u kthye në shtëpi, Didi qe në dhomën e fjetjes. Maria e kuptoi se ai kishte pirë shumë, si ç’mos kurrë. Kundërmonte që larg. Niste të thoshte diçka e nuk e çonte deri në fund. Dikur tha se Mondi edhe për një muaj nuk kthehej nga Gjermania...Po do ta kryente vetë atë punë...Se ç’punë ajo e mendoi, por ai nuk ua tha kurrë...E zu gjumi në divan dhe aty fjeti gjithë natën. Të nesërmen Ali Vjerdha u zgjua heret, si zakonisht, nxorri “Bensin” nga garazhdi dhe u nis për në punë. U kthye pas nja tri orësh, jo me makinë, por në këmbë, duke bërë teta në rrugë. Mezi e gjeti folenë e çelësit të bravës së shtëpisë. Hyri brenda dhe mbeti me kokë na lavaman. Volli gjithë ç’kishte pirë, se nuk qe mësuar kurrë me alkoolin, as në dasma s’e kalonte shishen e birrës. E si u freskua e u kthjellua, qau me dënesë, si fëmijë. Më pas e zuri gjumi në divan, si një natë më parë. Kur Maria u kthye nga tregu i hodhi një batanije përsipër. I vuri një gotë ujë mbi tavolinën pranë. Mandej, të tre, Maria, Didi e Bleroja hëngrën në heshtje, si në drekat mortore. Aliu u zgjua në buzëmbrëmje. -Të bëj një kafe? – e pyet Maria. -Të idhët, pa sheqer! – përgjigjet ai, kur gjithnjë kafen e pinte me dy lugë. Nga dhoma e gjumit dëgjohej ngashërima e Didit, ndërsa Blerimi kishte dalë, si gjithnjë, me shokët. 99


SKENDER TEMALI

Aliu e piu kafen në heshtje. Në shpirt furtuna në shpirt i qe fashitur. Kushedi se si e kish përballuar atë, se ç’mendime të egra e rrethuan e si gjeti shtegun ta çante rrethimin. Mbase në ato çaste i ishte kujtuar edhe lidhja e tij me të shoqen, Marien, se si takoheshin fshehurazi, si humbnin në krahët e njëri-tjetrit në errësirën e lulishtes “Luigj Gurakuqi” e si shpejtuan të ndanin vadën e martesës pasi Maria dyshoi se kishte mbetur shtatzënë, por që u shpik një sebep se nëna e Aliut qe e pamundur e kërkonte sa më parë dorën e nuses. Këtë e dinin veç ai e Maria dhe s’e përmendën asnjëherë. Madje Maria, edhe në ditët, javët e muajt që përpëlitej me të bijën për çfarë i kishte ndodhur, asnjëherë të fshehtën nuk ia tregoi Didit, se nuk donte që ta kishte si mburojë. Tek e fundit Didin e pat lindur në kohë, edhe pse të tjerët e morën vesh se qe shtatanike. Mbase dhe ky fakt e theu Ali Vjerdhën. E atë natë ai vendosi. -Marie, ma thirr pak Didin! – i tha ai së shoqes, e cila nga toni se si i shqiptoi ato fjalë, kuptoi shumë e shumë rrjedhime. Didi hyri në dhomë, me kokën e ulur e më lotë në sy. Desh t’i binte në gjunjë të atit, por ai nuk e la. Nuk e la dhe e mori në krahëror. Tani lotët e tij u bashkuan me të vajzës e të Maries. Pas këtij çasti, Didi me nënë Marien e ajo me të shoqin diskutuan mundësinë e largimit familjarisht për në Tiranë, dhe në atë çast që ai tha “po”, Didi i ra sërish në krahëror...E transferimin e lanë për një kohë të mëvonshme, si babai të sistemonte disa punë me shumëkatëshin... 100


STINA E DIVORCEVE

KAPITULLI I NËNTË Rrëfimi i Didit, për Megin është i sinqertë, plot të vërteta. Ajo qe një femër që po ngrihej me guxim në mbrojtje të dinjitetit të saj e nuk qurravitej pas atij që quhej mashkull, vetëm e vetëm sepse ai paskërka monopolin e vetëvendosjes. Megi shumë gjëra i ka të qarta tashmë. Ndonjë edhe do ta qartësojë. Që t’ia thotë edhe ajo troç lamutumirën...Po përse? Ikja e saj nga lokali në Bahçallëk a nuk qe një lamtumirë e thënë ndryshe? Megjithatë e ka atë “burrëri” sa t’i kërkojë të takohen. Fredi mendon se kjo kërkesë e saj ishte një dorëzim pa kushte...Por megjithatë kur ajo i thotë se po e pret tek “Mondiali”, pikërisht aty ku Megi qe takuar e dëgjoi deri në detaje rrëfimin e Didit, dyshoi se mos ajo kërkonte ta ekspozonte. Po megjithatë me Megin ia vlente të rrezikoje... Ndryshe nga herët e tjera, është ajo që e pret në lokal. I ka hyrë një pune të udhëtojë drejt së vërtetës dhe nuk e ka për gjë të humbasë kohën aq të çmuar në ditët para provimeve të maturës. Vjen Fredi duke tërhequr vështrimet e atyre pak njerëzve që ishin në lokal. I jep dorën Megit, po ndryshe nga herët e tjera, dora e tij është akull. Është akull apo ashtu 101


SKENDER TEMALI

i dukej asaj? Fredi kërkon t’i përkëdhelë dorën, ndërsa ajo e tërheq nën tavolinë. Si për dreq, në klub shfaqet Ridi. -Çau! - i përshëndet që nga dera. Megi stepet, Fredi aspak. -Ta marr pak makinën? - pyet ai, duke bërë tipin e sportistit, ndërsa Fredi, pa mbaruar mirë kërkesën, ia ka hedhur çelësat e makinës: -Jotja është! -Për një gjysmë ore! -Edhe gjithnjë, - ia kthen Fredi ashtu siç e ka zakon të hapet në sytë e të tjerëve. Megi përditë e më shumë po bindej se Ridi qe më shumë se një urë, mes saj e Fredit. -Dukesh shumë e tronditur, Megi! – dikur e theu heshtjen ai. -Edhe më shumë se kaq... -Ikja jote sot në klub, qe një fyerje e hapur ndaj meje, “sulmon” ai, edhe pse ndjehej një lloj çekuilbrimi në ndërtimin e fjalisë, mbase nga gotat e fërnetit që kishte tharë në Bahçallëk... -Vërtetë?! -Vërtetë. Ai e ka kuptuar se Didi ka hyrë në mes dhe se ajo i ka tronditur marrëdhëniet mes tyre. Ndaj tani nuk i bie anash e anash, por hyn drejt e në temë, më tepër për t’i dhënë të besojë asaj sinqeritetin dhe çiltërsinë e tij: -Ajo Didi, që thua ti, ka qenë një fanse që mbaronte pas meje...Po se mos vetëm ajo!... I pat luajtur gjithë gurët 102


STINA E DIVORCEVE

që të njihej me mua...Më ndiqte në çdo koncert që jipja...Njëherë pat ardhur tinës prindërve të saj edhe në Tiranë, madje në hotelin ku bujta...Arriti deri atje sa pat kurajon të më trokiste edhe në derë... Megi e shikon drejt e në sy. Një fakt të tillë Didi as që ia ka zënë me gojë, mbase edhe ia ka fshehur...Ndofta është edhe një trillim i Fredit...Megjithatë e pyet: -Dhe ti iu dorëzove? -Megi, kam pasë në dorë vajza shumë e shumë më simpatike se ajo, misse të vërteta; unë s’kërkoja koketën, por shpirtin...Dhe shpirtin e gjeta...E gjeta tek ti... -Po më parë gjete trupin tim, paraqitjen time, mandej shpirtin... -Çfarë thua kështu, Megi? -Them një të vërtetë... -Ndofta të dyja bashkë...trupin dhe shpirtin... -Jo, Fredi...Ti tek unë, përmes Ridit, pëlqeve pasqyrën time...pamjen time...Mandej atë që ju djemtë e lakmoni aq shumë, virgjërinë...për të cilën Ridi do të këtë hyrë garant, edhe pse kjo mund të jetë ose jo e vërtetë... -Megi... -Pa ç’ka se i virgjër nuk je as ti e kjo s’ka fare rëndësi, për ju, djemtë...Se e rëndësishme është që partnerja të jetë e virgjër... -Megi! Unë s’jam anadollak... -Në këtë pikë djemtë që e pranojnë të kundërtën janë sorra të bardha...Se sikur unë të të them se nuk jam e virgjër, ti si do të reagoje? -Unë? 103


SKENDER TEMALI

-Ty që në këtë përgjigje përemërore t’u tha gjuha! Shpesh të renë nga e vjetra e ndan vetëm një qime floku, si ndershmërinë nga pandershmëria...Se ajo që të akuzon ty për aventurier, Didi, ka pësuar një zhgënjim aq të madh në jetë sa s’ka psikolog ta sjellë në terezi... -Të lutem mos ma përmend më...Ajo është e djeshmja... -Dhe unë jam e sotmja...Mos një ditë më pas do të jem e djeshmja?... -O Megi, të lutem m’i lër këto sofizma...E vërteta është se ti je e para femër në jetën time që unë i kam thënë “Të dua!”...Se të dua me shpirt, siç nuk kam dashur askënd tjetër... -Edhe Didi ty të deshi me shpirt! -Po ti...? Mbase desh ta pyeste nëse Megi ishte takuar me Didin, por vajza u tregua më e shpejtë dhe nuk e la që ai ta përfundonte pyetjen e tij: -Po, Fredi...Unë e takova Didin dhe bisedova sot gjërë e gjatë me të...Se mesazhi i saj më ka tronditur sa s’ka... -Kuçka! – shfreu ai. Megi e shikoi se si ai u tjetërsua, madje çdo tipar i fytyrës se tij i mori një nuancë të re, iu arratis mirësia që çdo kush e konstatonte për se largëti dhe vendin e saj e zuri egërsia, një egërsi prej burri patriarkal. -E ftova unë të takoheshim, - bën goditjen e radhës Megi, - dhe u takuam pikërisht në këtë lokal...Në këtë tavolinë...Në atë karrike ku je ulur ti, unë dëgjova gjithçka nga goja e Didit. 104


STINA E DIVORCEVE

Ai e shikoi dhe nuk donte t’u besonte veshëve. -Vërtetë? -Pse, çka këtu për t’u tronditur aq shumë?! Nëse ti më Didin ke patur një flirt dhe vetëm aq, i imponuar nga ajo si fanse, çdo gjë mbyllet këtu dhe s’ka arsye ta ntrashim... -Të betohem! -Ti nuk më njihje mua kur njohe Didin dhe nuk ke se përse të betohesh! Betimet nuk më kanë pëlqyer kurrë në jetë, që nga ata që betohen para presidentit të Republikës dhe sa zbresin shkallët e presidencës, shkelin me po të njëjtën lehtësi ligjet e kushtetutën... -Pash zotin mos na fut në politikë... -Qe vetëm një krahasim për betimet... -Megi! -T’i jam përgjegjur dashurisë tënde, Fred Saraçi, me pastërtinë e shpirtit; edhe unë si ti të kam kam lënë të kuptoje se të dua, por mbi të gjitha dua të vërtetën. Kjo është edukata e kultura ime, e imja dhe e familjes, e imja dhe e qindra e qindra librave që kam shfletuar... -Po për të cilën të vërtetë e ke fjalën, Megi, se po më çahet krahërori... -Fredi, ti e braktise Didin kur ajo... Një pauzë të vogël që bëri dhe Fredi e shfrytëzoi, ashtu siç edhe kishte bërë ajo pak më parë... -...Ishte shtatzënë me mua...Mos edhe ndofta të ka shpifur të tjera monstruozitete?...Këto përralla i kam dëgjuar prej kohësh prej saj...Madje dhe që ajo nuk e ka aborduar fëmijën, se pasi e ka lindur ka lenë një letër, një emër për të, emrin pa mbiemër dhe ditëlindjen e saj, dhe është arratisur 105


SKENDER TEMALI

nga materrniteti...Përralla! Vetëm përralla që nuk i beson as ajo vetë! -Dhe ti nëse je aq i pastër sa ç’thua, gjithë këtë histori nuk pate kurajon të ma tregoje, qoftë edhe si përrallë? -Po është një diçka që nuk ekziston, moj Megi, absolutisht! Kushedi se me kë e ka dhe do të ma rrasi mua...thjesht se e di kush jam dhe se tani me emër edhe i pasur... -Po as tek Didi nuk janë të varfër...Kanë koxha bisnes!...Babai që ndërton me një brigadë shumëkatshat në Shkodër e në Lezhë, një market të tyrin, nëna me prona nga prindërit e saj... -As e di e as jam i interesuar për gjendjen e tyre...Se nuk më lidh asgjë me të... Sa më shumë që ai flet e aq më shumë pikëpyetje e rrethojnë Megin, ashtu si grethat të rrethojnë po ua prishe çerdhen e po i trazove sadopak. Është e vërtetë se ajo ka dëgjuar vetëm një këmbanë, atë të Didit, se e mëshiroi sa e dëgjoi prej gojës së saj, po edhe vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund sidomos mëmësisë e më pas edhe atësisë së fëmijës, qoftë edhe duke sakrifikuar shumë e shumë nga vetja e saj. Megit i djeg ajo që ka në çantë...E çon edhe njëherë dorën, tashmë jo për ta vërtetuar në është apo jo aty. Për t’ia treguar atë Fredit i ka këmbëngulur Didi...Dhe ajo. Ia ka dhënë fjalën se do ia tregojë foton. -Djali tani është bërë një vjeç! - thotë ajo, e bindur se ai duhet ta ketë llogaritur se aq ishte dhe për të parë reagimin e tij. 106


STINA E DIVORCEVE

-Për ç’djalë e ke fjalën Megi?! Ç’janë këto muhabete, se po më çmend! A nuk ke arritur të kuptosh se janë trillime fund e maje?! Sa herë duhet ta përsëris një gjë të tillë?! Dukej qartë, Fredin e tradhtonte vehtja, zëri i tij melodioz i ka marrë ca nota të reja, është ashpërsuar, buza i dridhej lehtë. Mbase e kujtonte mirë ekstazën me Didin në plazh, në kabinën sekrete në Shëngjin, ku asaj pasdrekeje s’dijtën ku qe as ai e as ajo dhe kur e kuptuan se e kishin kaluar “vijën e kuqe”, ishte vonë. Didi pat qarë aq shumë, po ai arriti ta qetësonte dhe t’i premtonte se nëse ngjitej më barrë, kishte aq forcë sa për ta hequr pa e marrë vesh askush, mjafton që t’i tregonte se nuk i kishin ardhur ato! Didi qe befasuar, sa nuk u besonte veshëve. Në ato çaste dalldie e as në ditët në vijim askush nuk mund ta vërtetonte pakujdesjen në aktin seksual, ato fjalë mbetën pa përgjigje, por më pas i morën një kumbim e kuptim të veçantë. Përse ai mendonte abordin e nuk mendonte...fejesën e më pas martesën?! Po dy javë pas kësaj pakujdesie në marrëdhëniet e tij me Didin, erdhi ngjarja tek varka më biondinën e Tiranës dhe ai nuk e mori vesh të vërtetën, deri kur ajo kishte lindur. Didi e pat marrë vetë Fredin në telefon edhe pse ai e kishte ndrruar numurin e mëparshëm. Se nga ia gjeti numurin e ri, një zot e di! Nuk iu lut, vetëm i tha “Besoj nuk e ke harruar ditën kur gabuam në kabinën e Shëngjinit? Mbeta me barrë, por nuk abordova. Jo se s’kisha mundësi ta bëja një gjë të tillë...Më 6 prill na ka lindur djalë dhe emrin e ka Drin. Unë e ti jemi si brigjet e një lumi që s’do të takohen më kurrë. Po e ndjej për detyrë, që si baba i tij të tregoj emrin e djalit dhe 107


SKENDER TEMALI

brefetrofin ku ai gjëndet. E këtë duhet ta dijmë hë për hë vetëm ne të dy, unë si nënë dhe ti si baba i tij. Kaq. Ti nuk do të jesh kurrë burri im, por do të jesh ai qe je, babai i Drinit!”. Fredi kaq pat dëgjuar, se e mbylli menjëherë telefonin dhe ndrroi sërish numurin. Po gjithsesi ai qe një person publik artistik dhe ngado të shkonte, linte gjurmë. Didi e la të qetë një farë periudhe dhe kontaktet më të, vetëm për vetëm, ishin në kuotën zero. Zemra ia thoshte e ia donte që Didi mos ta bënte kurrë publike një fakt të tillë, pasi në një qytet si Shkodra ku jetonin, “kopili” gjithnjë i mbetej në derë familjes së vajzës, e thënë ndryshe e në mënyrë folklorike “mashkulli lahej (nga mëkatet) me një gjygym ujë, femrën nuk e lante as deti...”. Kur u takua me Megin, Didi i vuri një kusht. Po këto dreq bisedash me kushte Megi i urrente me shpirt, pasi qenë bërë praktika të neveritshme për të zbrazur sekretet, sidomos mes vajzash: “Unë ta them se kë dua, nëse edhe ti ma thua se kë do”, “Unë ta tregoj se e kam parë me sytë e mij filanen duke u puthur me filanin, nëse ti më trego se...”. Pra, kusht i ka venë edhe Didi: Që të mos i fshehë gjithçka në marrëdhëniet e saj me Fredin, Megi në takimin e parë me të, t’i vinte në tavolinë foton e të birit, gjithnjë sipas thënieve të Didit. Kur e pranoi kushtin dhe e mori në dorën foton e Drinit, Megit i shkrepi një ide. Se ajo foto qe e ngjashme si dy pika loti me foton e Fredit motak dhe mund të montoheshin të dyja në një plan, ajo e Drinit dhe e Fredit, po këtë nuk ia tha Didit...Përse? As vetë nuk e dinte...Sinqeriteti në rrëfim i Didit pas çdo fjale të saj ia rriste 108


STINA E DIVORCEVE

dyshimin se Fredi nuk qe aktor i dorës së dytë në tërë këtë dramë, po protagonist, edhe pse, teksa mendonte kështu, ndjente një dhimbje në krahëror dhe nga shpirti, një pulëbardhë që kishte për të, ngrihej nga foleja e trembur e bëhej korb. I ngjante se çdo fjalë e saj e afronte me të vërtetën që mund të zbulonte, se të vërtetën e donte që në embrion kur ishte e tillë. Tani po i trembej vehtes së saj që, siç i kishte shkruar në mesazh Didi, nuk do të ishte viktima e fundit... Në foto Drini ngjante jo si i rritur në brefetrof, mes shumë fëmijëve të tjerë, por i rritur në mes të njëmijë e një të mirave, me ca sy të shkruar, në të jeshiltë si të Didit, çka i solli në kujtesë atë të jeshiltën dominante të Skënder Stricës në peizazhet e tij të alpeve shqiptare. Brun, si Didi, brun si Fredi...Megi ia pat dhënë fjalën Didit se do ia tregonte foton e të birit Fredit që në takimin e parë, prandaj që t’i shkonte sa më pranë të vërtetës i lindi një ide që me dy fotot, të Drinit e të Fredit, të realizonte një polifoto...Ngjashmëria mes dy motakëve qe aq e madhe sa s’ecte në rrugën e rastësisë. Zemra ia thoshte që ky identikt të mos ishte i vërtetë, edhe pse Didi, kur u takuan, jo një herë i përmendi ADN-në, që ajo ishte e gatshme ta bënte, mjafton që Fredi të pranonte pa ndjekur rrugë gjyqësore, që të bindej se ai fëmijë ishte i tij dhe i Didit. Qe dakort që edhe të takohej me Fredin, që të përcaktonin një akord për ta mbajtur të vërtetën sa më larg syrit të medias...Ajo ia kishte vënë vizën si bashkëshort, edhe sikur të provohej atësia e tij, por nuk donte që i biri të mbetej pa baba... Pra Didi nuk kërkonte as më shumë e as më pak se ai t’i njihte atësinë fëmijës edhe përmes ADN-së, s’arrin ta 109


SKENDER TEMALI

kuptojë se përse Didi, që s’ka më pretendime ndaj Fredit si shok jete, t’i drejtohej asaj...Apo thjesht se i parasheh fundin e dashurisë së Megit me Fredin, mbase dhe të ngjashëm me të sajin? Megi matet e çmatet. Një mendje i thotë ta hedhë atë hap, ta nxjerrë çfarë mban në çantë, një tjetër e ndalon. Është polifotoja e realizuar tek “Foto Jakova” të Drinit e të Fredit një vjeç, që Megi ia pat hequr fshehurazi nga albumi... -Po sikur të vërtetohet atësia e Fredit dhe ai të pendohet e të të vihet në krah? Të të pranojë si grua? – e pat pyetur Megi Didin. – Ti ia fal? -Kurrë! – ia ktheu me vendosmëri. – Kurrë! -Kam dëgjuar se për hatër të fëmijëve janë bërë gjëra edhe më të mëdha, Didi. -Edhe njëherë po të them, Megi, kurrë! E urrej si njeri! E urrej nga thellësia e shpirtit...Megjithatë është babai i djalit tim...Prandaj dhe Mondin, kushëririn tim, e kam mbajtur larg kësaj historie...Unë s’dua burrë me zori, por një shok jete... Ky qe ndërtimi që Megi i bëri gjithë rrëfimit të Didit, por dhe dialogëve të saj me Fredin në atë takim, aty në lokal. Një kamarier ka ardhur pranë tavolinës dhe Megi ka mundësi ta shohë Fredin thellë në sy. Nëse ato që i ka thënë Didi janë të vërteta e jo trillime, Megi e ka bërë gati lamtumirën e saj, pasi i kujtohet thënia e nënës së Fjoralbës, që pas deziluzionit të së bijës me pianistin, i thoshte tash e parë se gabimi i saj qe se dashuroi një artist, se ata, sipas saj, e kishin të nevojshme të marrnin polenin e jetës lule më lule... A mos vallë edhe Megi kishte hedhur një hap të gabuar 110


STINA E DIVORCEVE

dhe qe dashuruar me një artist të tillë? Nga sa ka lexuar, e di se dramat destinohen dhe luhen në skenë, por tani, më sa po dëgjon e sheh, ato u shndrrokan në tragjedi në kuintat e jetës...Këndej duartrokitje e lule, andej pika loti si kokrrat e breshërit... Dora i shkon sërish tek polifotoja e djemve njëvjeçarë. Duhet t’i përmbahet marrëveshjes më Didin. Ia ka dhënë fjalën për t’ia vënë në tavolinë Fredit në takimin e parë më të... Dora hyn në çantë dhe prej andej nxjerr polifoton. E vë mbi syprinën e tavolinës, me aq kujdes sa ta vinte Drinin në shtratin e vogël të tij. Fredi e merr goditjen, tiku nervor e tradhton, megjithatë duket se i ka hyrë një loje që ia di rezultatin përfundimtar të saj. Ka pasë kohë të përgatisë si klishe edhe përgjigjet, që t’i ikë çdo çarku pa u shkrehur. Ndaj dhe nxiton të sulmojë, me shpresën se Megi s’do ta zgjasë më dhe do i venë një herë e mirë kapak asaj meseleje. -Megi! Të thashë e po ta përsëris! Gjithçka në këtë histori që ti beson se ka ngjarë është fund e krye trillim dhe po habitem sa s’ka me ty që i beson kaq verbërisht. Unë vërtetë jam artist i skenës, po s’jam aq nul në jetë sa të mos e dij se si bëhet një fëmijë e se ai që e ka emrin prezervativ të mbron nga shtatzania e padëshiruar. S’kishin hyrë kurrë deri në atë ditë në terma e biseda të tilla. Pra, indirekt ai po e pranonte se me Didin i kishte kaluar kufinjtë dhe se në çdo rast paska përdorur prezervativin! -Megi, më beso, çfarë ke dëgjuar s’është gjë tjetër veç fantazia e sëmurë e një vajze me emrin Didi, që kushedi se 111


SKENDER TEMALI

me kë e ka atë fëmijë! -Është nënë dhe s’kërkon asgjë prej teje, veç atësinë! Ai qeshi. -Asgjë nuk kërkoka! – tha me qësendi. Qeshi prap, po ajo nuk qe e qeshura e gjithmonëshe e tij, po e sforcuar, gati-gati në formën e zgërdhimjes, apo kështu i dukej Megit?! S’kishte kurrfarë nevoje për të tilla interpretime. E vërteta s’ka nevojë për mizanskena që zgjojnë dyshime. S’ka dy të vërteta, por vetëm një. -Ti do të pranoje të bëje ADN-në? – e jep goditjen Megi, edhe pse Didi as e ka autorizuar për një kërkesë të tillë, veçse e ka përmendur për të vërtetuar atë që pretendonte. -Mos merr mendtë e saj, Megi. Bile po më vjen keq që ke rënë kaq lehtë në grackën e mashtrimit dhe i beson qorrazi! -Pra a do të pranoje të bëje ADN-në? – këmbëngul ajo në pyetjen e saj. -Kurrë! – thotë ai më vendosmëri, - sepse ky do të ishte fundi im artistik. Megi e kupton se ia ka hedhur dorashkën, se e ka ftuar në duel, ku do të ndeshej e vërteta dhe e pavërteta, trillimi dhe atësia. Kupton gjithashtu se nuk ka kthim mbrapa e se atë që nisi, duhet ta çojë deri në fund. -Po sikur ajo ta kërkojë në rrugë gjyqësore? Kam dëgjuar se ka raste që gjyqi edhe të detyron të bësh ADNnë. Fredi nuk e kishte pritur ta dëgjonte një version të tillë, që sigurisht s’ish i Megit, por i Didit, edhe pse me vehten e tij me qindra herë e kishte bluar në mendje. Asaj i 112


STINA E DIVORCEVE

druhej. I druhej sa s’ka gazetave, tirazhi i të cilave luhatej pas çdo skandali e flirti të artistëve. I bëhej se nga pas do ta ndiqnin edhe paparacët... Disa prej fotografëve të gazetave e revistave i kishte miq, i pat ndihmuar edhe më foto të tij për të ilustruar reportazhet e gazetarëve. Por sa më shumë që bëhej i përmendur e aq më shumë hidhte vickla pas kërkesave që i bënin gazetat e Tiranës për intervista, madje me dy a tri prej tyre edhe pat shpallur divorcin për ca të pavërteta që servireshin, herë më humor e herë me të hedhur, se, siç thonin ca gojë të liga, Fred Saraçi një natë maji qe parë të hynte tek moteli “Pulëbardha” i shoqëruar me një vajzë me një shall që i mbulonte krejt fytyrën...Inatin e gazetave e kishte mësuar prej një kolegu të tij gjatë një turneu në Maqedoni, se si i ishin qepur dhe si ia kishin nxjerrë kallajin një flirti të tij me një vajzë maqedonase nga Kumanova...Pra e di se nëse Didi do të hedhë një hap drejt zyrave të gjyqësorit, ato dy-tri gazeta do t’i këtë në shpinë... -Ç’pate?! – e pyet ajo tek shesh turbullimin e tij sa përmendi rrugën gjyqësore që mund të ndiqte Didi për të provuar atësinë që pretendonte. -Të betohem asgjë, por ajo më shumë i bën keq vehtes se sa mua...E di se pas kësaj disa gazeta do të merren më trillimet e saj, se atyre do u rritet tirazhi, po si e keqja, ashtu edhe e mira, tek ne jeton vetëm tri ditë... -Sepse është e vërteta ajo që rron e nuk vdes kurrë, shtoi ajo, pak si për të kundërshtuar atë që ai pretendonte, aq edhe për të shprehur bindjen e saj se në këtë histori Fredi nuk duhej të ishte pa gjë. Me reagimet e tij Megit i kishte 113


SKENDER TEMALI

lënë të kuptonte se Didi pat rënë dikur në krahët e tij, por, në fund të fundit, ajo ngjarje i përkiste një të kaluare kur nuk ishin njohur ende me të. Në tavolinë kishte mbetur polifotoja. Fredi as që denjoi ta shihte. -Po kjo fotoja ime një vjeç si i ka rënë në dorë? – pyet ai e përhumbet, si të dojë të kthjellojë kujtesën, i bindur se atë polifoto e kishte realizuar Didi. Megi nuk i tregoi të vërtetën, se pat qënë dora e saj që e shkëputi nga albumi i tij, me qëllimin e mirë që më vonë, shumë më vonë, mbase kur të kish ndonjë përvjetor ditëlindjeje apo...apo edhe kur të lindnin një fëmijë, t’i bënte një surprizë krahasimtare... Fredi i zë dorën Megit. Çuditërisht dora e tij ka pak djersë. Si asnjëherë tjetër. Gishtërinjtë e tij mbi të sajtë, e kanë një vibrim të lehtë, i cili mbase vjen edhe nga turbullimi. -Po ti përse shqetësohesh kaq shumë, Fredi? Nëse kjo ngjarje është e ndërtuar mbi të pavërtetën, atëherë ti s’ke përse i fut vehtes siklet. Fredi sikur merr zemër nga fjalët e saj. Megin ai e ka muzë dhe kjo s’do kallauz. -Megi, sot bota jeton përmes të pavërtetash. Ti a e sheh se çfarë bëhet! Gënjejnë të gjithë! Të gjithë gënjejnë e mashtrojnë! -Mos do të thuash se e gjithë jeta është një mashtrim?! Jo, Fred Saraçi, jo. E vërteta jeton e më shumë në shpirtin e njerëzve të thjeshtë. Njeri i thjeshtë ishe edhe ti, Fredi, kurse sot...sot je një vip - e jep goditjen Megi. – Kur kalon në rrugë në këmbë apo në makinë, të gjithë kthejnë kokën dhe 114


STINA E DIVORCEVE

krenohen kur ti i përshëndetë... -Oh, Megi, unë i thjeshtë kam për të mbetur në jetë të jetëve - thotë gati me emfazë, pasi qyshkur është njohur më të, ka nisur të shfletojë libra artistikë që të mos mbetej si guak para interpretimeve aq të thella që ajo bënte. Madje Megi e kupton se ai ka mësuar edhe disa shprehje përmendësh, pasi i citon edhe vend e pa vend, po gjithsesi ajo ia ka vlerësuar përpjekjen, pasi e di mirë se në shkollën e muzikës bëhesh mjeshtër i një vegle, po mbetesh çirak i kulturës së përgjithshme. Ndofta dhe pa vetëdije, po sytë Fredit i shkojnë mbi polifoto, mbi portretin e vogëlushit. Ai tiku nervor që e shoqëronte kur diçka nuk i pëlqente, e tradhëton. Megi e sheh se nuk ndjehet mirë pas gjithë atyre që dëgjoi prej saj. Qyshkur e vuri atë polifoto mbi tavolinë e qyshse ai as denjoi ta shohë, Megit sikur vjen duke iu forcuar bindja se ai është babai i atij fëmije si pëllumb. E ndërsa Fredi qe bërë gati t’i thoshte që ta hiqte atë polifoto prej aty, Megi iu bë pritë më fjalët e saj: -Po ti, përse ke frikë ta shohësh! Ai është një fëmijë i pafajshëm, i kujdo qoftë! Ti, si artist, je frut i së bukurës si kategori estetike...E ky fëmijë, Drini, por dhe ti përkrah tij, jeni si ikona bukurie...Aq të ngjashëm... -Jo për gjë, por thjeshtë se mua me atë fëmije nuk më lidhë asgjë, - thotë ai dhe ndofta se një shtysë e brendshme e urdhëroi, gishtërinjtë e tij u shkëputën nga ato të Megit dhe e kapën në cep polifoton. Purpuranti nuk ka të tjera reflekse nga ajo që mori fytyra e tij. 115


SKENDER TEMALI

-Pëllumb! – thotë qëllimisht Megi. -Vërtetë, qënka fëmijë i mbarë dhe gjynah të rritet jetim... - shton ai në bindjen e tij mohuese për atësinë. Megi ka edhe një as nën mënge. Mendohet ta përdorë atë apo ta lërë për një herë tjetër. E gjitha ajo që po bën i ngjet një loje që s’e ka bërë kurrë më parë. Një si gjysmë hetuesje, si gjysmë dedektiveje private. A ka Didi të drejtë në gjithë këtë histori? Thellë-thellë në vetvete ajo beson tek Didi dhe, siç ka pësuar zhgënjim ajo në jetë, mund ta pësojë edhe vetë Megi, nëse vërtetohet se Fredi është babai i atij vogëlushi...E nëqoftëse do të rezultonte e tillë, “Çao” gjithçkaje të përjetuar deri në pejëzat më të holla të shpirtit. E kishte vendosur se nëse Drini i përkiste Fred Saraçit, për të Fred Saraçi do të mbetej një emër i zakonshëm, i përgjithshëm, midis njëqind mijë banorëve të Shkodrës. Pra, do t’i vinte zemrës një gur dhe do t’i përkushtohej vetëm studimeve, për të realizuar ëndërrën e saj për të dalë nesër një mjeke e mirë. As-i nën mëngë tani sikur e djeg më shumë se polifotoja. Didi, siç i ka vënë kushtin për atë foto, i ka thënë edhe se ajo mund të ndjekë edhe rrugë tjetër... Kaq do t’i mjaftojë që ai të sjellë në kujtesë kushëririn e saj, Mondin, i cili, po ta mirrte vesh historinë e Didit me Fredin, nuk do ia falte atësinë...E në mos sjelltë atë, do të sjellë në kujtesë shtypin... Gjithsesi i duhej tatuar pulsi. -Kjo është fare e thjeshtë, Fredi, kur një femër kërkon ADN-në, është më burrë se mashkulli që trembet... -Megi, po pse nuk më beson, xhanëm?! Ti e kupton se 116


STINA E DIVORCEVE

përse unë nuk dua të bëj ADN-në? Megi e shikon në sy: -Jo, nuk të kuptoj... -Sepse fjala merr dhenë dhe pas saj karriera ime cënohet rëndë...Jam në kulmin tim artistik... -Bërja e ADN-së, me sa di unë, mbahet sekret... Ai e shikon, si të dojë ta mëshirojë për naivitetin e saj: -Ky është një shtet pa sekrete, Megi. Babai im më ka thënë se sekretet dilnin edhe në kohën e diktaturës, kur edhe fjala futej në kasafortë. Megi është këmbëngulëse dhe nga xhepi i saj, shton: -ADN-në mund ta bëni edhe jashtë shtetit, ku nuk e merr vesh askush...Të dy jeni në atë gjendje sa ta përballoni financiarisht... -O Megi, shpirt, po sikur unë të bëhem dakord të bëj ADN-në, do të thotë se e pranoj se me të kam pasur marrëdhënie intime...Unë kam pasur një njohje si me shumë fanse të tjera...Ky është rrisku i çdo artisti... Megin kjo nuk e bind...Fredi e kupton se gënjen...Po ngaqë gënjen, nuk i mban mend edhe gënjeshtrat...Ka detaje që i ka thënë vetë dhe që i ka harruar qëkur ajo ia hapi atë bisedë...Gjithsesi i duhet të provojë edhe rrugën tjetër...E ndërkohë, si të dojë t’i dalë zot vehtes, Fredi i thotë: -Më përmende edhe rrugën gjyqsore...Pasi ajo mendon se duke ma përmendur atë e ADN-në, më tremb...Po ajo nuk e di se s’ka gjyq civil e kod civil që të detyron të bësh ADN-në... Megi shtanget. Shtanget e bindet se ai ishte interesuar aq sa dhe e dinte se vërtetë në rrugë gjyqsore nuk mund të 117


SKENDER TEMALI

të detyronin të bëjë ADN-në. Ai i zë dorën Megit mbi tavolinë. -Më beso, Megi! -Edhe ti duhet t’i besosh Didit, Fredi...Jemi njerëz dhe si të tillë edhe gabojmë...As ti e as unë nuk jemi të imonizuar nga gabimet...Ti e njeh tashmë Frojalbën, shoqen time, e di dhe flirtin e saj me pianistin...Për mua të ka folur Ridi, ai, garanti i sigurt...Po nga e di ai jetën time private?...Ridi qe një vit në Itali...U kthye dhe iu bashkua maturës sonë...Se si e rregulloi e di ai e për mua nuk ka fare rëndësi...E rëndësishme është se unë për një vit kam qenë jashtë syrit vëzhgues të tij... Ajo nis të flasë dhe e sheh se si Fredi vjen e ngurroset. Po Megi kalëron me fantazinë e saj, për të shkuar tek e vërteta. -E kam dashtë edhe unë para një viti një djalë... -Ti?! – se si i ikën atij ajo pyetje. -Ç’ka këtu për t’u habitur, Fredi...Ne nuk njiheshim, që unë të mbetesha borxh...Ashtu si dhe ti para se të njiheshe me mua ke njohur Didin, dhe s’më ke asnjë borxh...Kjo besoj se është e qartë si drita e diellit... -Një ditë... -Po, po, një ditë unë të kam përmendur edhe virgjërinë time...Dhe të kam pyetur jo më kot nëse ti do të pranoje për shoqe jete një vajzë që s’e ka atë cipë? -Oh, Megi! Ç’janë këto që thua? S’po u besoj as veshëve...Mos me këtë do të thuash se edhe ti si Didi...? Ajo e kupton tronditjen e tij. -Jo krejt si Didi...Unë nuk kam fëmijë, thjesht se u 118


STINA E DIVORCEVE

mbrojtëm...Po s’jam ajo Megi për të cilën ka hyrë garant Ridi... -Nuk e besoj, - kthjellohet ai. – Ti po më bën shantazh...Thjesht se je e ndikuar sa s’ka nga ajo maskaresha... -Po ti, përse tronditesh kaq shumë?...Të tremb e vërteta.?..E vërteta nuk don ADN! Megi e ka atë kulturë e atë formim sa ta kuptojë se nuk po rrahë ujë në havan. Me çfarë trilloi për vehten e saj, arriti t’i zbulojë të tjera tipare Fredit. Dëgjohet një buri makine dhe Fredi, si të dojë t’i ikë atij debati me Megin nxiton të dalë tek dera e lokalit e t’i marrë çelësat e makinës Ridit. E në vetminë e saj Megi ka bërë edhe goditjen tjetër. Është e vendosur që t’i dalë në krahë Didit, pse jo, t’i përmendë edhe kushëririn e saj, Mondin. Por sakaq tërhiqet. Tërhiqet se ajo kurrë nuk e ka pëlqyer dhunën, në çfarëdo forme që të paraqitet ajo. Më mirë të hedhë në tavolinë publikimin në shtyp. Edhe pse e hiqte vehten trim, e ka kuptuar qyshkur se ai i trembej publikimit. Po përse duhet ta bëjë ajo një veprim të tillë, që më shumë merr ngjyrat e kërcënimit e të frikësimit? A nuk ekzistonte mundësia që Didi të ishte e mveshur me mashtrim dhe ajo të humbëte përgjithmonë Fredin? Qe vetëm një çast që ajo mendoi kështu. Dialogu me Fredin për çështjen Didi i la një shije jo të mirë, plot pikëpyetje e pika heshtjeje, dyzime e shprehje nervoze të tij, kur nëse ishte i pastër nuk kishte përse të irritohej aq shumë e të shfrente. Gjithçka tjetër që ajo tha për vehten e saj qe një truk, vetëm e vetëm ta vinte në provë ndërgjegjen e tij. 119


SKENDER TEMALI

Kishte arritur një pikë vlimi sa as të dy nuk ishin të qetë. Mbase ajo, me natyrën e saj femërore e përjetonte më thellë dhe nuk arrinte ta fshihte atë që ndjente, ndërsa Fredi dukej se në këso punësh ishte më i regjur. Gjithsesi Megi kishte hyrë në valle e atë do ta hiqte deri në fund. E tani e kuptonte shumë më mirë se më parë që nuk luftonte thjeshtë për Didin, por edhe për vehte, mbase më shumë për vehte se sa për Didin, për dhjetra e qindra vajza që mashtroheshin e braktiseshin. Ajo nuk donte të kishte shok jete një burracak e një që e dridhte sa me njërën e sa me tjetrën. E kuptonte se çdo njeri, qoftë edhe Fredi, e ka një moment në jetë kur dobësia i ul në prehër të padëshirueshmen, por mbi të ngrihet vazhdimësia, ku triumfi i qëndresës është shprehje e një karakteri solid. E atë moment ajo mund edhe t’ia falte Fredit, t’ia falte gjithë marrëdhënien me këdo tjetër, përfshi edhe Didin, por nuk i falte dredhat që bënte e refuzimin që shprehte për ADN-në. E ndërsa mendonte kështu, i erdhën në mend disa vargje, sikur të qenë bërë enkas për atë që ajo mendonte: “O Zot, në qofsh kund/ e mëkate ke për të më falë,/ mos më fal/ nëse rrëshqas e bëhem ngjalë...”. Fredi u kthye duke vënë buzën në gaz, mbase t’u tregonte atyre që ishin në lokal dhe e shikonin, fytyrën e tij skenike, të qeshur e të padjallëzi, e cila u qe fiksuar. Koha sa takoi Ridin e mori çelësat e makinës, qe e mjaftueshme për të menduar që t’i propozonte Megit që ta mbyllnin atë kapitull, edhe pse i druhej se ajo do të vazhdonte të tirrte historitë e Didit. Polifotoja kishte mbetur aty ku e kishte lënë. Sado kokëfortë e i tjetërsuar të ishte përballë asaj të vërtete, në shpirtin e tij kishte mbetur edhe një oaz. E shikoi portretin e Drinit me 120


STINA E DIVORCEVE

bisht të syrit dhe në zemër diçka i theri. A kishte se si ai të ishte i biri? Dy portretet, e tija dhe e Drinit, sikur qenë një, po ai vështrim i ëmbël e i pafaj, po ai quk në faqen e djathtë, po ai sy e ai qerpik...Ngjashmëria i kujtonte atë pasdreke kur me Didin i qenë dhënë njëri-tjetrit, kur e kishin kaluar të pambrojtur atë që me shaka ai vetë e pat quajtur “vija e kuqe”, po ngjarja me leshverdhën e grupit të Tiranës dhe heshtja e mëpasme e Didit, ia shuan dyshimet, deri atë ditë që ajo e pat marrë në telefon dhe i tha se kishte lindur djalë...Përse ajo nuk qe bërë e gjallë sa e kishte mësuar se kishte mbetur shtatzënë? Mos ndofta e pat me dikë tjetër, e ai dikushi tjetër ta kishte mashtruar duke i thënë se do ta mirrte për grua e tani s’i dilte për zot, duke ia lënë atij dopjo gjashtën në dorë?... Megi e ka nuhatur tronditjen shpirtërore të Fredit, edhe pse ai përpiqej ta mbulonte me një buzëqeshje. -Të pyeta Fredi, përse ti i trembesh ADN-së? -Oh, Megi, jo se i trembem ADN-së, por se ai veprim më shkatërron karrierën time e ti këtë e kupton fare mirë! Megi këtë argument e dëgjoi disa herë prej tij. Tani më shumë se më parë ajo e kupton se Fredi i ka rënë kryq po-së dhe lundron mbi varkën e mohimit, edhe pse e ndjen se nuk ka mol ku të struket. “Dredharak!” – mendon me vehte. “Babamohues!”, i flet një zë i brendshëm. Që spekulon me opinionin për ta baltosur pastërtinë e Didit, si vajzë, por edhe të familje së saj. Don edhe njëherë t’ia provojë vendosmërinë e qëndrimin e tij konstant. -Didin unë e kam penguar t’i drejtohet medias dhe me këtë të kam mbrojtur! – thotë ajo dhe ai tiku nervor e 121


SKENDER TEMALI

tradhton sërish Fredin. E kupton më mirë se kurrë se ai u trembet gazetave. Gazetave apo së vërtetës? -O, Megi, shpirt! Ti duke më mbrojtur mua, ke mbrojtur dashurinë tonë... -Por jo të vërtetën, - e ndërpret ajo. – Përse ti ke nevojë për mbrojtje? Përse? -Ende dyshon? Megi edhe nga dialogu i fundit, plotëson mozaikun e së vërtetës. Në gjoks i mblidhet diçka. Mbase siç vlon magma në gjoksin e vullkanit. Dhe shpërtheu: -Nuk dyshoj, Fred Saraçi... -E dija shpirt!` - nxiton ai të fitojë terren. -Nuk dyshoj, Fred Saraçi, - nxjerr magmën nga krateri, - por besoj. Besoj se Didi nuk trillon e as rëndon. Ajo ka burrërinë të të ftojë për ADN-në, të deklarojë se ti kurrë nuk do të jesh burri i saj, por ai që je: babai i djalit me emrin Drin! -Megi! – thotë ai duke mos arritur ta fshihte shqetësimin që e kishte pushtuar, ndërkohë që disa sumbulla djerse i mbuluan ballin. Ajo ngrihet nga tavolina. -Megi! – mezi mundet të shqiptojë ai. Megi ndalet dhe shikon polifoton mbi tavolinë. I duket se ai vogëlushi i pafajshëm me emrin Drin e falnderon për gjithçka bëri për të, edhe pse në jetë të jetëve ai në regjistrat e gjendjes civile do të mbetej vetëm me emrin e nënës dhe pa të babait... -Megi! Ajo zgjat dorën dhe e merr polifoton. I kthen shpinën dhe del nga lokali, ajri i rëndë i së cilës po i zinte frymën. 122


STINA E DIVORCEVE

EPILOG Është një ditë e vrantë fundshtatori. Vera edhe pse ka disa javë që është divorcuar, rezistoi me temperatura të larta dhe njerëzit mezi ç’pritën t’i thonin lamtumirë, edhe pse e dijnë fort mirë se kur vjeshta të vijë me shira të pandërprera, siç vjen rëndom në Shkodër, do ta kujtojnë me nostalgjinë e gjithë atyre që kërkojnë atë që nuk e kanë. Po jo vetëm vera ishte divorcuar. Me qytetin e lindjes, po divorcohej edhe një familje, ajo e Didit. Komshinjtë, me lot në sy përcjellin për në Tiranë familjen e Ali Vjerdhës. Habiten se si ai po e linte Shkodrën, kur këtu, në kushedi sa pallate ishte kontributi i tij zbatues, i njohur si njëri ndër më të aftët në këtë fushë, ku kishin dhe një market që e lëshuan me qera. Po ikjen e tyre e kanë marrë vesh një ditë më parë, kur një kamion me tendë u ngarkua me plaçkat e shtëpisë dhe u nis drejt Tiranës. “Bensin” Ali Vjerdha e ka shitur, pasi ka blerë një “Ford” të vogël për lehtësi parkimi, të cilin Didi e përdorte prej një muaji për të shkuar përditë në punën e re që kishte nisur në kryeqytet. Komshinjtë, nga një fqinja më e afërt e tyre, kanë mësuar se ajo po i pret sot ku kanë blerë një hyrje pallati. 123


SKENDER TEMALI

Ka ardhur t’i shoqërojë edhe një vajzë e panjohur për ta, por jo për ne: Megi. Qënka stina e divorceve: se më kë, ne gjithashtu e dijmë. Megi po shkon për studime në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e mjekësisë. Pasdrekeve, kur të ketë kohë, do të dalë për shetitje sëbashku me Didin e Drinin e vogël në kodrat e Tiranës, pasi ajo ka arritur që edhe ligjërisht ta marrë të birin, sigurisht pak shpejt, me proçedurë të shpejtuar, por si rëndom në shkallët e drejtësisë jo pa derdhur nën dorë ca maceta. Megi me Didin kanë humbur një dashuri, por kanë fituar një jetë, një jetë që do të ketë në themel të vërtetën. Makina ku udhëtojnë është një furgon-taksi, prodhim i viteve të fundit. Gjysma e tij është me valixhe të familjes e të Megit. Në ndejëset e tjera janë ulur Ali Vjerdha, e shoqja, Maria, Bleroja dhe Megi. Heshtin të gjithë. E shoferi, si të dojë të thyej monotinë, vë një kasetë. Dëgjohet nga altoparlanti zëri i Fred Saraçit. Babai i Didit hap xhamin e furgonit dhe pështyn përjashta. Në atë moment nuk mund të bënte më shumë. Shkodër, qershor-tetor 2013

124




Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.