Në vëmendjen Dr. Alessandra Varriale Dr. Martin Nuttall Cambridge International Examinations Cambridge, United Kingdom UDHA E SHKRONJAVE – MODEL LIDER PËR TË GJITHË VENDIN Quhem Albert Frashëri, banues në Umbria (Italy), tashmë titullar në katedrën e matematikës dhe të fizikës në licetë shkencorë të Viterbo, Parma dhe, në 10 vitet e fundit të karrierës, në Liceun Shkencor “A. Volta” në Spoleto. Jam lindur në Shqipëri, (me qytetari italiane që nga lindja), ku kam punuar deri në 1990, si studiues (kërkues) pranë Departamentit të Matematikës të Institutit Kombëtar të Kërkimeve mbi Arsimin. Në vitet e fundit të qëndrimit tim në Shqipëri kam qenë përgjegjës i departamentit. Fushë e kërkimit tim ishte reforma e arsimit matematikor në shkollat e çdo cikli dhe klase dhe që lidhej me përmbajtjet dhe metodologjitë e mësimdhënies. Së fundmi, ka patur kontakte me drejtuesit e shkollës “Udha e Shkronjave” në Tiranë, në mënyrë të veçantë me presidentin e saj prof. Artur Shkurti, pra jam në dijeni të punës që stafi i saj zhvillon për edukimin e nxënësve. Përulësisht do të doja të shprehja disa vëzhgime mbi përvojat e kësaj shkolle. Në njëzetëepesë vitet e fundit shkolla shqiptare, në kuadrin e një procesi të ndërlikuar të demokratizimit të vendit, ka marrë udhën drejt një rinovimi të thellë që përfshin shkollën publike dhe atë private. Ndoshta kjo e fundit ka qenë më pak e kufizuar në zgjedhjet e saj. Në zhvillimin e saj shkolla shqiptare ka konsoliduar një traditë me rrënjë në realitetin kulturor të vendit. Pjesë e kësaj tradite është realiteti fetar tripërmasor me katolikë, musulmanë dhe ortodoksë. Tradita tregon një ekuilibër dhe harmoni në bashkëjetesën paqësore të tre besimeve pa patur kurrë veprime të dhunës kolektive për motive fetare. Në atë univers, megjithë vështirësitë e mëdha të vendit, shkkolla ka patur mundësinë të pjekë (përforcojë) fort një karakter laik duke vënë në pah si funksion të parë të saj formimin e qytetarit dhe pastaj edhe të specialistit. Qytetari, i varfër apo i pasur, punëtor apo intelektual, ka parë tek shkolla të ardhmen e fëmijës së tij. Është e lashtë thënia e katolikëve shqiptarë të Alpeve të Veriut, sipas të cilës kur një burrë me penë takon burrin me pushkë, ku i fundit është i vdekur.
1
Në thuajse gjysmë shekulli të regjimit totalitar, udhëhequr nga një ideologji e deklaruar e vetmja e pranuar me ligj kushtetues, shkolla pati pësuar një politizim të skajshëm. Megjithatë, familja ka vazhduar të besojë në funksionin formues të shkollës, që përmirësonte përgatitjen e nxënësve të saj në kuadrin shkencor, duke varfëruar në mënyrë drastike formimin e tyre kulturor për shkak të një ideologjie asfiksuese dhe kudo e pranishme në jetën e shkollës. Në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit shkolla ka parë ndërhyrje që jo gjithmonë janë të përputhshëm me traditën e shkollës. Ka përmbajtje që njihen universalisht nga shkollat e vendeve europiane, në kuadrin shkencor dhe human, por edhe ndryshime që vijnë prej traditës kulturore të vendit. Besoj që nëse gjatë evoluimit të saj shkolla braktis humusin e saj kulturor, me vështirësi do t’ia dalë të formojë qytetarin të përputhshëm me një shoqëri demokratike dhe realisht të emancipuar. Sepse qenia demokratike dhe e emancipuar nuk është e pavarur nga historia dhe identiteti kulturor i kombit. Nëse i referohemi parimit universalisht të pranuar sipas të cilit funksioni themelor i shkollës bazë (fillore dhe sekondare) mbetet edukimi i qytetarit të ardhshëm, atëherë mundet të nxirret menjëherë përfundimi që një funksion i tillë kërkon të merret parasysh jo vetëm trashëgimia kulturore e kombeve më të zhvilluara, por kryesisht tradita kulturore e kombit të cilit i përket. Në historinë e afërme shkolla shqiptare iu nënshtrua kërkesave të një regjimi totalitar. Çfarë pretendonte totalitarizmi nga shkolla? a. Të arsimonte (jo edukonte) qytetarë të bindur në fushën e ideve dogmatike që justifikonin arsyen e totalitarizmit dhe të identifikonte besnikërinë ndaj regjimit me dashurinë për atdheun dhe ndaj idealit të së ardhmes. b.
Të evitonte shpirtin kritik dhe të tolerancës ndaj ideve të ndryshme dhe jo të përputhshme me dogmën e regjimit.
c. T’u jepte (jo të formonte) të rinjve disa njohuri të tipit thjesht zbatues, në dëm të zhvillimit të personalitetit të tyre, që përkundrazi do të duhej të mbështetej me formimin e tyre shkencor dhe kulturor, më në përgjithësi. Ajnshtajni thoshte: Shkolla duhet të bëjë çmos që një i ri të dalë prej saj me një personalitet harmonioz dhe jo të reduktuar në një specialist. Përndryshe i riu, me atë specializim që ka, do t’i ngjajë më shumë një qeni të stërvitur mirë. [“New York Times”, 5 tetor1952] Në pjesën e fundit të historisë së kohës sonë, regjimi totalitar në Shqipëri in Albania ka ndryshuar të vërtetat historike, filozofinë dhe letërsinë, duke kompromentuar rëndë funksionin formues të shkollës. Mbizotëronte, në atë periudhë, një lloj obskurantizmi që bënte të pamundur të kuptuarin e botës, të realitetit në të cilin jetonte i riu dhe të ekzistencës së vet. Nga ana tjetër, sot, kur më shumë se kurrë teknologjia ofron mjete të jashtëzakonshme zbatimi, bëhet edhe më i rëndësishëm edukimi, formimi i të riut, dhe jo vetëm arsimimi i tij. Jo pak herë formimi i qytetarit të ardhshëm kompromentohet, ndërsa ciklet
e prodhimit të automatizuar kërkojnë punëtorë ose operatorë që nuk mendojnë. Në këtë mënyrë njeriu heq dorë të kërkojë të vërtetat më të thella të jetës dhe të halleve të veta dhe e sheh veten të “paketuar” dhe trukuar si një qënie lumturisht injorante. Ndërkohë që njihja disa nga përvojat e shkollës “Udha e Shkronjave”, nuk mundesha të mos reflektoja mbi funksionin thelbësor të sistemit edukativ dhe të rreziqeve që ai kalon në vendet tona. Nuk mund të mos vë re që sukseset e mëdha të informatikës në jetën e shoqërive tona, shpesh mjegullojnë kthjelltësinë tonë, aftësinë dhe pavarësinë e të menduarit. Jo për faj të informatikës që është thelbësor për mënyrën tonë të jetesës dhe të punës, por sepse ka më pak vëmendje ndaj formimit shkencor të të rinjve. Përfundohet me dixhitalizimin e didaktikës dhe transformimin e një bashkësie njohurish, udhësh, kapjesh të tipit analogjik në flowcharts pa shpirt, me zëvendësimin e idesë së bashkëpunimit me garën individuale, me identifikimin e vlerës së një njeriu me suksesin. Një burrë i urtë thoshte: Mund të gjykoni sa i zgjuar është një njeri nga përgjigjet e tij. Mund të gjykoni sa i urtë është nga pyetjet e tij. Ajnshtajni përsëriste: Urtësia nuk është produkt i arsimimit por e përpjekjes për ta fituar atë, që zgjat tërë jetën. Si rrjedhim, mendoj se duhet të ekzistojë kapja, për ta udhëhequr të riun drejt hapjeve të vërteta mendore, themelore për rritjen e tij. Pse pikërisht shkolla “Udha e shkronjave”? Në prillin e largët të vitit 1970, një mësues i ri i sapoemëruar në gjimnazin “Pjetёr Budi” në rajonin e Matit, unë organizova olimpiadën e parë të matematikës të vendit me nxënës të gjimnazit dhe të shkollave të mesme në tre seksione të ndryshme. Pas kësaj, duke filluar nga 1977, ish profesori im A. Karçanaj organizoi rregullisht olimpiadat e matematikës për shkollën sekondare, në të cilat edhe unë isha një bashkëpunëtor i përhershëm, pastaj nga 1986 unë organizova olimpiadën e parë kombëtare të matematikës për shkollat e mesme. Sipas traditës së shkollës shqiptare çdo institucion organizonte kurse të mbasdites për thellim në matematikë dhe fizikë dhe kurse mbështetëse dhe përmirësimi për nxënësit e tjerë. Kishte, pra, një programim shumë të mirë që përmirësonte ndjeshëm cilësinë e përgatitjes së të rinjve. Mendoj se kjo punë duhet të vlerësohet ende si shumë pozitive. Në rastin e shkollës “Udha e shkronjave” vëmë re me kënaqësi një pozicionim shumë të mirë në kushtet e një shkolle dhe shoqërie që duhet të mendojë jo vetëm për më të shkëlqyerit apo për më të dobëtit, por gjithashtu dhe mbi të gjitha për shumicën 3
e të rinjve, që mendoj se kanë nivel mesatar përvetësimi. Unë mendoj që veprimtaritë didaktike (dhe jo vetëm) të shkollës “Udha e shkronjave” krijojnë një zgjerim shumë interesant në këtë hapësirë jetësore të edukimit. Ata organizojnë çdo vit olimpiada shumëdisiplinore që, mendoj, e shpien nxënësin të ketë motive të forta për studim të të gjitha lëndëve. Këto veprimtari nuk nxjerrin talente të veçanta dhe u ofrohen të gjithëve. Vëzhgimi im i dytë lidhet jo ngushtësisht me aspektet lëndore të përgatitjes së të riut, por me edukimin ose më mirë, formimin e tij si qytetar i ardhshëm. Besoj, që të jetë detyrë e shkollës për ta drejtuar të riun për nga kuptimi i të drejtave dhe detyrave të tij në shoqëri e mbi të gjitha për nga njohja me themel të traditës kulturore të vendit të vet. Kjo e fundit, mendoj të jetë një kërkesë themelore për të pjekur ndjesi dhe vetëdije të përkatësisë ndaj grupit. Epoka e globalizimit duhet ta nxjerrë në pah këtë detyrë si të një rëndësia të madhe. Nxënësit e shkollës “Udha e shkronjave” kur vihen të kërcejnë valle popullore apo të këndojnë këngë patriotike, krijojnë një mjedis shumë sugjestiv dhe emocionues, që rrjedh edhe nga bindja dhe sinqeriteti i tyre. Ata nuk i përkasin shoqërisë formalisht, por edhe me shpirt. Ata kuptojnë dhe mishërojnë arsyet e të qëndruarit së bashku dhe kjo rrethanë, mendoj, e bën më të natyrshëm bashkëpunimin, solidaritetin që në total do të thotë ekuilibër, paqe dhe harmoni. Vëzhgimi im i tretë dhe i fundit: e gjithë puna e stafit për përgatitjen e këtyre veprimtarive do të thotë cilësi në përvetësimin e shumë lëndëve, edukim me punën në grup dhe mbi të gjitha ta bëjnë të qetë dhe të lumtur jetën shkollore të nxënësit. Kjo e fundit bëhet çelësi i suksesit për pjesën më të madhe të të rinjve, që shpesh deziluzionohen nga përvojat e tyre shkollore, duke jetuar me vuajtje moshën e shkollës. I kam lejuar vetes të shpreh disa vëzhgime të mija, sepse në përvojat e shkollës “ Udha e Shkronjave” shikoj një model lider për të gjithë vendin. Në stadin aktual shkolla shqiptare ka braktisur shumë nga funksionet e saj që kanë të bëjnë me formimin e qytetarit të ardhshëm, vetëdijen e përkatësisë ndaj kolektivit dhe formimin kulturor të të rinjve. Urimet e mia më të mira, Dr. Varriale dhe Dr. Nuttall, Terni, 08 Shkurt 2015
Prof. Alberto Fràsher www.albertofrasher.webs.com