3 minute read

Librat – si miqtë tanë

Librat – një stil i jashtëzakonshëm arti që ka ekzistuar që nga krijimi i vetë shoqërisë. Duke u nisur nga piktogramet e thjeshta kuneiforme dhe shumëngjyrëshe të gjetura në pllaka balte dhe mure ndërtesash të lashta, papiruse misterioze, copëza faqesh të ngjitura në lidhëse të thjeshta dhe dalëngadalë duke u evoluar në kryevepra të mrekullueshme si në pamje ashtu edhe në përmbajtjen e mrekullueshme që fshehin brenda vetes. Librat i kanë mundësuar njerëzimit të përcjellë njohuritë dhe mençurinë e grumbulluar gjatë gjithë historisë dhe madje i kanë rezistuar së kohës duke vazhduar ende të qëndrojnë në shtëpitë tona, pavarësisht nga fakti se sot ekzistojnë mjete më bashkëkohore dhe më të përshtatshme të edukimit dhe informacionit.

Është e vërtetë që, interneti dhe kompjuteri mund të ofrojnë qasje më të lehtë dhe një sasi pothuajse të pafundme të dhënash, por nuk ka gjë më të mirë sesa të shfletosh shtyllën e rrudhur të kopertinës së librit i cili e tregon historinë e tij mijëra herë. Nuk ka gjë më të mirë sesa ta nxjerrësh nga rafti, të vendosesh në një ulëse komode, të hapësh sërish këtë vepër arti dhe të ndjesh atë erën e veçantë të faqeve – ngushëlluese dhe madje joshëse. Në ato faqe - fjalë. Këto kombinime të pafundme simbolesh të zeza që fshehin botë të tëra në to. Ju filloni të lexoni dhe libri fillon t’ju tregojë sekretet e tij. Ju prezanton me vende fantastike, mendime njerëzish që kanë kaluar prej kohësh, dijen e mbledhur nga breza e breza autorësh të panjohur dhe madje histori dashurie të guximshme dhe drama qesharake…

Advertisement

Të kënaqemi nën shoqërinë e një libri të mirë do të thotë të kënaqemi me paqen që krijohet rreth nesh, teksa ne ngadalësohemi në këtë botë moderne që gjithmonë duket se po nxiton për diku. Shumë shpesh, ne e gjejmë veten në këtë shoqëri progresive ku një religjion krejtësisht i ri e ka fituar përkushtimin tonë si asgjë më parë – kulti i ekranit. Duke qenë e disponueshme për ne në shumë forma dhe formate, media arrin të na hedhë thellë në vrimën e lepurit duke e shtrembëruar realitetin dhe duke na bërë të humbim orë të tëra duke parë paraqitje joreale të jetës së përditshme. Shpesh, ne jemi të ekspozuar ndaj një sërë imazhesh dhe videosh të pafundme që paraqesin një realitet që ekziston në skenaret e njerëzve nga të cilët sigurojnë jetesën duke na treguar se çfarë duhet të na pëlqejë dhe çfarë duhet të ëndërrojmë - një trup perfekt, shtëpi të mëdha, pushime ekzotike, pajisjet më të reja dhe miliona gjëra materiale tjera të shtrenjta.

Dhe në gjithë këtë stres të panevojshëm dhe stuhi ngjyrash vezulluese dhe zhurmash, ne e gjejmë veten duke zgjatur dorën e miqve tanë më të vjetër - atyre që na mësuan fjalët e para dhe numrat, ata që na ngushëlluan me përralla në netët e qeta, kur përqafoheshim me prindërit nën komoditetin e shtretërve tanë, ata që na mësuan për artin, historinë dhe të gjitha gjërat në dukje të pashpjegueshme që ndodhin në këtë botë… Teksa arritjet teknologjike dhe digjitalizimi luajnë një rol kyç në përparimin e shoqërisë sonë, ne nuk duhet të harrojmë kurrë se ku filloi gjithçka - shkarravitje të thjeshta në copa letre dhe e gjithë historia e mbajtur në kurrizin e asaj shtyllës së vjetër e të rrudhosur të kopertinës së librit.

Marija Marinkovicj

Përkthyese: Dora Arifi

This article is from: