5 minute read

Më pak punë, rroga e njëjtë - realiste apo utopike?

Sa kohë qëndroni në punë duke mos bërë asgjë? Nëse numëroni çdo pushim për kafe, biseda me kolegët rreth udhëtimeve, takimeve dhe të tjera, mund të vëreni se një pjesë jashtëzakonisht e madhe e ditës ka të bëjë me gjithçka përveç punës aktuale. Kjo nënkuptohet, pasi që njerëzit shpesh kanë kohë për biseda. Shumë studime vërtetojnë se nuk ka nevojë të punohet 40 orë gjatë një jave të punës 5-ditore, pasi që shumica e punonjësve kanë aftësi t’i arrijnë rezultatet e njëjta për një kohë shumë më të shkurtë, nëse punojnë në mënyrë pak më praktike.

Pra, nga rrjedh puna 40-orëshe në javë? Në shekullin e 19-të, gjatë revolucionit industrial, njerëzit punuan dukshëm më shumë në krahasim me standardet e sotshme. Që atëherë, punëtorët filluan të kërkonin orare më të përshtatshëm të punës, gjegjësisht, më pak orë pune. Në shekullin e 20-të, bota perëndimore zhvilloi një javë të punës 40-orëshe dhe ky model tani përdoret në jetën aktuale. Por pse përdoret modeli i javës së punës 40-orëshe? Aktivisti i famshëm për të drejtat e punës Robert Owen tha: "Tetë orë punë, tetë orë argëtim, tetë orë pushim", ai shpiku idenë e një jave pune 40-orëshe. Qëllimi kryesor ishte të arrihet një ekuilibër midis punës dhe kohës së lirë.

Advertisement

Disa shtete kanë filluar të shqyrtojnë çështjen e zbatimit të një javë pune katër-ditore. Për shembull, në Islandë, u zhvillua një provë gjatë viteve 2015-2019, ku 2500 punëtorë kaluan nga një javë pune 40-orëshe në një javë pune 35-orëshe pa zvogëlim të rrogës. Megjithatë, duhet theksuar se nuk ishte domosdoshmërish një javë pune 4-ditore, por vetëm reduktime në orët e punës. Pa marrë parasysh, prova ishte mjaft e suksesshme dhe shumë studime vërtetuan se mund të arrihen rezultatet e njëjta për një periudhë kohore më të shkurtër. Studimet gjithashtu vërtetuan se punëtorët janë më efektivë kur nuk kanë shumë kohë për biseda.

Jo çdo provë për arritjen e një jave pune më të shkurtër ka pasur sukses. Në Gjermani, një kompani e vogël me 16 punëtorë vendosi një orar pune pesë-orëshe, si zëvendësim për një ditë pune të rëndomtë 8-orëshe. Mirëpo në këtë rast, telefonat, rrjetet sociale dhe çdo kontakt me botën e jashtme ishin të ndaluar. Kështu që punëtorët nuk kishin mundësi të komunikonin me familjet e tyre. Ata gjithashtu ndjenin presion të madh dhe kishin përshtypje se koha ishte shumë e kufizuar. Si rezultat i këtyre kushteve, dy punëtorë dhanë dorëheqje. Shkurtimi i orarit të punës gjithashtu limitoi marrëdhëniet shoqërore me kolegët, dhe për këtë arsye nuk kishte frymë ekipore gjatë punës.

Një shembull nga emisionet gjermane tregon se ideja për shkurtimin e orarit të ditës së punës jo gjithmonë ka rezultate të suksesshme. Shkaku mund të jetë se ndonjë nga punonjësit thjesht kanë më shumë obligime se të tjerët. Disa nga punonjësit punojnë tetë orë në ditë marrin pushime të pakta, ndërsa disa nga punonjësit e kompanive të tjera mund të marrin pushime më të shpeshta. Një problem tjetër i cili u paraqit gjatë provave për një javë pune më të shkurtër ishte se punonjësit kishin më shumë kohë të lirë dhe për këtë arsye nuk ishin aq të angazhuar në detyrimet dhe obligimet në punë.

Në bazë të këtyre rasteve, nuk mund të vërtetojmë se një javë pune më e shkurtër është gjithmonë e përshtatshme. Megjithatë, përveç Islandës, janë dëshmuar prova tjera të suksesshme anekënd botës. Për shembull, në Japoni, kompania Microsoft testoi një javë pune katër-ditore pa zvogëlim të rrogës dhe rezultatet dëshmuan se punonjësit ishin pothuajse 40% më produktivë gjatë punës por dhe më të lumtur në përgjithësi. Përveç këtij shembulli, një javë pune më e shkurtër sjell avantazhe të tjera. Vendi juaj i punës do të duket më interesant, dhe do të rritet numri i aplikimeve për vende të punës. Gjithashtu, nëse mendojmë nga aspekti i mjedisit jetësorë, do të ishte shumë më e dobishme për natyrën nëse njerëzit udhëtonin në punë vetëm katër herë në javë në vend se pesë. Për arsye se në këtë rast njerëzit më rrallë do t’i përdornin makinat e tyre apo transportet e ndryshme publike.

Në Maqedoninë e Veriut, nuk praktikohet një javë pune më të shkurtër. Olgica Arsova, e cila punon si TI Help-desk specialiste, nga e hëna deri të premten në Shkup, është e njoftuar me temën dhe thotë: "Shumë do të doja që të zbatohej kjo çështje në vendin tim të punës, si mund të aplikojë?" Puna nga shtëpia zakonisht bëhet në dy ndërrime të punës, të cilat gjithashtu janë 8-orëshe. Olgica punon dhe si freelancere (punë e pavarur) dhe për këtë arsye shpesh punon 16 orë në ditë. Për shkak të këtij orari rigoroz me pushime të vogla, ditët e fundjavës nuk paraqesin pushim të mjaftueshëm. Për këtë arsye Olgica mendon se një javë pune 4-ditore do të ishte më se e mirëpritur. "Mendoj se do të funksiononte kudo. Mund të jetë pak e vështirë dhe e çuditshme në fillim, por çdo fillim është i vështirë, apo jo? Ne mund të përshtatemi dhe mirë të funksionojmë".

Punonjës më të lumtur, më të motivuar, më produktivë dhe kohë adekuate për pushim. Java më e shkurtër e punës dalëngadalë po popullarizohet. Nëse shqyrtojmë historinë tonë, vërejmë se janë nevojitur dekada për të arritur deri në një javë 40-orëshe. Të shohim se sa kohë do të nevojitet të arrijmë deri te një javë pune edhe më të shkurtër.

Katariina Weijo

Përkthyes: Njomza Xhaferi

Burime: Podkasti i karrierës contessa - Argumenti për një javë pune katër-ditore4dayweek.io - Pse duhet punësuar në një javë pune katër-ditore?Yle.fi - Kelpaisiko nelipäiväinen työviikko?

This article is from: