Kopertina: Uliksi dhe Penelopa, Tablo e piktorit italian, Francesco Primaticcio, 1568
1
2
ODISEJA E PAFAJSISË Roman i jetuar
3
Botime tё autorit PROZË Gjeneral Prenk Pervizi nӫ shtypin shqiptar, Bruksel, Dorian, 2009. Gjeneral, Bruksel, Dorian, 2015. Dhimitӫr Frangu, Veprat e lavdishme tӫ Skӫnderbeut, (Pӫrkthim),Tiranë, Arbëria, 2005. Paolo Jovio, Skӫnderbeu dhe sulltanӫt e Turkisӫ (Pӫrkthim), NY, Lulu, 2012. Eduard Schneider, Pellazgӫt dhe pasardhӫsit e tyre (Përkthim), 2008. Nӫ vorbullӫn e skӫterrӫs (Tregime), Bruksel, Dorian, 2014. Dans les cercles de l’enfer (Récits), Paris, L’Harmattan, 2014. Repertorio albanese, (Shkrime italisht-shqip), Dorian, 2014. Koleksioni i revistës Kuq e Zi (9 vӫllime), Bruksel, 1993-2013. Odiseja e pafajsisë, Bruksel, Dorian, 2017.
POEZI Ankimi i zanave, Lezhë, Botimet Gjergj Fishta, 2000. Gjurmӫ tӫ humbura, Tiranë, Arbӫria, 2002. Complainte de nymphes, Paris, Thélès, 2005. Il grande lamento, Milano, Lampi di Stampa, 2006. Pétales de rose, (Frëngjisht-shqip), Paris, L’Harmattan, 2010. Petalo di rosa, (Italisht-shqip), Milano, Lampi di Stampa, 2010. Psherӫtima e erӫs, NY, Lulu, 2011. Lahutari shqiptar (Poezi rapsodike), NY, Lulu, 2011. Lahutari kӫndon (Poezi rapsodike), NY, Lulu, 2011. Tingӫllime tӫ vona, Bruksel, Dorian, 2014. Labirintet, Bruxelles, Dorian, 2014. Antologji në vargje, Bruksel, Dorian, 2017.
4
Lek Pervizi
ODISEJA E PAFAJSISË
Roman i jetuar
5
6
Vёllait tim, Valentinit, qё pёrballoi për afro gjysmë shekulli persekutimin komunist, i ndarё edhe nga grueja e tij italiane, Maria Gorizia, që e priti po kaq gjatë kthimin e tij nё Itali.
«…Libertà vo‘ cercando, ch’è si‘ cara, che solo sa chi per lei vita sofferse…» Dante
7
8
VALENTIN PERVIZI (Skuraj 1920 – Bolonja 1999)
9
10
PARATHANIE
Nuk asht lehtë me shkrue për një pjestar të familjes, sepse tregimi mund të ndikohet nga ndjenja të thella dashunie e të jetë i njëanshëm, tue paraqit vetëm anët e tij të mira dhe vlerësimet. Edhe lexuesit e këtij libri mund të gjykojnë kështu, përderisa kёtu flitet për tim vёlla. Por askush tjetër nuk mund të shkruejë për Valentinin, sepse shokët, miqt dhe ata që e kanë njohë, qysh në bankat e shkollës e gjatë gjithë jetës, nuk jetojnë ma. Askush nuk mund ta paraqesë atë në dritën e vërtetë të jetës dhe veprimtarisë së tij, si i lirë apo si i dënuem, nga ajo makineri shtypëse, që i kapërcente kufijt e arsyes e kalonte në ato të absurditetit, të mohimit e të mizorive, të shkallës antinjerëzore dhe antishqiptare, siç ishte diktatura komuniste në Shqipni. Valentini lindi dhe u rrit në një mjedis patriotik, ku në çdo pëllambë toke, në çdo gur e në çdo lis fliste historia e lavdishme e kombit. Ai u shkollue dhe u formue në shkollat ma të mira europiane, mbaroi edhe akademinë ushtarake, dhe ishte i gatshëm për me i shërbye denjësisht atdheut. Pas 15 vjetësh studimi, tashma oficer me përvojë luftarake, vendosi të kthehet në trojet amtare. Në tetorin e vitit 1944, ai do të gjendet në qytetin e Shkodrës, bashkë me gruen e tij italiane, Maria Gorizia. Por në dhjetorin e po atij viti, ai arrestohet, burgoset dhe internohet përjetësisht, pa pasë kohë me krye asnjë faj apo shkelje ligji kundra shtetit. Ai po dënohej vetëm për emnin që mbante, pra, si bir i Prenk Pervizit. 11
Historia e tij asht një roman i jetuem, një tragjedi e vërtetë, sepse atij i shkatërruen rininë dhe familjen e sapokrijueme, kur secili thur andrra e shpresa për të ardhmen; atë e ndanë nga grueja e tij. Një ndarje e dhunshme që do të zgjaste 47 vjet, ma shumë se dyfishi i vjetëve të Uliksit të Homerit. Nëse mbreti і Itakës u kthye pas 20 vjetësh te Penelopa e tij besnike, Valentinit iu deshën 47 vjet për t’u kthyer në Itali, ku e priste Maria e tij. Odiseja e Valentinit nuk ishte shkapetja nëpër brigje e ishuj të panjohun nga stuhitë detare, por nga terrori, mundimet dhe vuejtjet fizike e shpirtnore pafund. Tirania staliniste e E.Hoxhës e përplasi atë, pa mëshirë, 47 vjet rresht nëpër burgje e kampe internimi, prej të cilëve mezi shpëtoi, me shembjen e komunizmit, për të arritë në një Itakë, jo si ajo e Uliksit, por simbolikisht, vërtet, një Itakë, ku do të bashkohej një ditë me Penelopën e vet, që e kishte pritë, si në epokën homerike, po kaq gjatë…
12
Vendlindja
Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore nëpër kodrën e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullijt e Gjin Pjetrit, kullën dykatëshe të Ndrecës, vëllait ma të vogël të tij, e pastaj ndesh në një brez shkambor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore. Këto janë kullat historike të Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit dhe një nga ata që kontribuen për fitoren dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipnisë më 1912. Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën që formohet nga bashkimi i lumejve Mat e Fan (degë e Matit) e deri në Milot. Kjo ngjan me një kala që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese, të cilat mund të depërtonin nga ajo grykë, derisa të ndeshnin në murin e maleve të Skurajt. Këto kulla ishin djegë herë pas here prej pushtuesve të huej, kryesisht prej turqve, e po kaq herë ishin rindërtue përsëri. Zjarret e fundit kishin qenë ato të hordhive turke më 1881 dhe 1911. Por ky fis shqiptarësh të panënshtruem i kishte rindërtue edhe ma të mira se të parat. Nga perëndimi shtrihej lugina e lumit Mat, kurse nga lindja ngrihej masivi i maleve të Skurajt, me Malin e Thatë, të kunorzuem nga maja e Lartishit. Ma tutje ngrihej Trodhna e Pishkashit plot me pyje pishash. Nga jugu shtriheshin vargmalet e Skënderbeut, që nisnin pikërisht në malin e Skurajt. Nga veriu naltësohej mali shkambor i Dervenit, i cili përfshinte Ferrë-Skurajn dhe Shkopetin, ku dukeshin rrënojat e një kalaje të vjetër, ajo e Pervizit të 13
Madh të Skurajve, princ e komandant trim, që kishte luftue ushtritë turke. Aty, mes Shkopetit e kodrës së Lekbibajve, formohej një kanion i ngushtë që përfundonte në grykën e Matit, prej ku, me vrull të rrëmbyeshëm, lumi shpërthente e përhapej në fushën e gjanë zallore dhe bashkohej me lumin Fan, që zbriste nga veriu, Kthella e Mirdita. Nga vetë struktura e natyrës, kullat e Gjin Pjetrit merrnin përmasat e një kalaje të rrethueme nga të dyja anët prej grykës së Urdhazës e asaj të Shkopetit, duke formue një trekandsh me malet e ashpra dhe fshatin i lashtë Skuraj, në mesin e tij. Emni e Pervizit asht i lidhun ngusht me atë të Skurajt, si vend e si gjak, prej kohësh të lashta. Vend malor me mbrojtje natyrore, Skuraj i ka shërbyer edhe Gjergj Kastriotit si një bazë e fortë, prej ku ndërmerrte sulmet mbi ushtritë osmane. Skuraj ishte dikur dhe qendër e principatës së Skurajve, që sundonte mbi krahinën e Kurbinit, por që mori fund me pushtimin turk, pas vdekjes së Skënderbeut. Si paraardhësit, edhe prindi ynë, Prenk Pervizi, ishte krenar për vendlindjen dhe donte që ajo të bahej pjesë e identitetit dhe e kujtesës së trashëgimtarëve të tij. Prandaj te tre, ne bijtë e tij, lindëm në Skuraj, e jo në Tiranë, Shkodër, Korçë ose në ndonjë një shtet të huej, ku familja jonë kishte jetue kohë pas kohe. Prindi ynë, ndonse i ngarkuem me detyra e pozita ushtarake të randësishme, i kushtonte përparësi të madhe ruejtjes së traditave. Kështu, sa herë që vinte koha me lindë fëmijë, ai e niste nanën tonë te këto kulla. Dhe, i pari ndër ne, Valentini lindi këtu në Skuraj, më 1 korrik 1920. 14
Vitet e para
Valentini i kaloi vitet e para të fëminisë me familjen, e cila ishte vendosun në Tiranë qysh më 1924. Me hapjen e shkollës « Naim Frashëri », në vitin 1926, ai e vazhdoi atë deri në klasën e tretë, ku iu bashkangjit edhe, vëllai i dytë, Genci, në klasën e parë. Vitet 1920 janë shoqërue me ngjarje politike që kanë ndikue në jetën e familjes sonë dhe në shkollimin e Valentinit. Kështu, gjatë grushtit të shtetit të qershorit 1924, im atë me pjesën ma të madhe të oficerëve të ushtrisë dhe të xhandarmërisë morën anën e Zogut, asokohe Kryeministër, dhe kaluen 23 me të në Jugosllavi. Baba e nisi familjen në Skuraj për t’i shpëtue ndjekjes së pushtetarve të rij fanolistë. Këta kishin dhanë direktiva që kundështarëve politikë t'u digjeshin shtëpitë dhe familjet të internoheshin. Ky udhëzim i dhanë, çuditnisht, nga vetë Fan Noli, duket se ndjek politikën e terrorit që po zbatohej asokohe në Rusi. Forcat fanoliste arritën deri te kullat e Gjin Pjetrit, por nuk gjetën njeri në banesën tonë. Familja ime ishte strehue në mal, në stanet e fisit. Komandanti kishte urdhën të digjte kullën e Prenk Pervizit. Tue qenë se te tria kullat, e jona dhe e dy të afërmve, ishin të ngjituna njena me tjetrën, ai nuk e zbatoi urdhnin, që të mos damtoheshin edhe dy banesat e tjera. Pas krizës së 1924-ës, gjendja u normalizue përsëri. Familja u rikthye në Tiranë dhe Valentini vazhdoi shkollën fillore. Përveç studimit, ai kishte pasion për futbollin dhe luante shpesh me shokët e tij, ndër ta, Llushta, i cili u ba ma vonë futbollist me famë. Valentini 15
tregonte se Llushta kishte vizatue një rreth në mur me shkumës dhe stërvitej për ta gjuejt topin brenda këtij rrethi. Në një ndeshje me top, Valentini, aso kohe 9 vjeç, rrëzohet e thyen krahun e majtë. Atë e operoi doktor Sinani, kirurgu ma i mirë i kohës në Shqipni, që ishte doktori i Pallatit Mbretnor. Operacioni doli me sukses dhe krahu i shpëtoi. Mbas 23 vjetësh, pikërisht ky krah, me shenjat e plagës së qepur prej rreth 20 cm, do të bahej shkak për ta shpëtue nga një rrezik tjetër. Në vitin 1929, pasi mbaroi detyrën pesëvjeçare si zonë-komandant i Tiranës, im atë dërgohet në Shkollën e Luftës në Torino. Ai mori me vete edhe familjen atje dhe dy vllaznit e mi, Valentini e Genci u futën në kolegjin San Giovanni Bosko, në Lanzo Torinese, ku studionin fëmijët e dinastisë Savoja, si dhe bij fisnikësh italianë e të huej. Me mbarimin me sukses të studimeve në Torino, im atë u caktue si inspektor i studentëve shqiptarë në Itali e Francë. Ai u gradue nënkolonel dhe u vendos në Firence. Në vitin 1935 ai kthehet në Shqipni dhe caktohet me detyrë në Korçë. Por, siç duket, ky transferim ishte ba nga Ministria e Mbrojtjes, pa dijeni të mbretit Zog. Kështu që, po në atë vit, ai kthehet prapë në Tiranë me urdhën të tij. Ndërkohë, dy vllaznit e mi vazhdonin shkollën në Itali dhe vinin për pushimet verore në Shqipni. Im atë na çonte me i kalue këto pushime në bjeshkët e Skurajt, në malin e Lartishit e të Trodhnës së Pishkashit, vende të bukura e klimaterike. Valentini shquhej për aftësitë e tij atletike e sportive. Që atëherë ai tregonte edhe një talent prej ushtaraku. Ai bënte ngjitje mbi malet shkambore, qitje në shej me pushkë e në gjueti, gara mundje me të rij të vendit, si dhe merrte pjesë në lojna të tjera popullore, në të 16
cilat dallohej për guxim e ernegji. Kështu, atij i doli nami si djalë i shkathët dhe i aftë. Ai ishte edhe një i ri i pashëm e shtalidhun. Nga viti 1935, familja jonë banonte në Korçë, ku im atë ishte komandant i qarkut. Pikërisht në këtë kohë ai dërgohet të përfaqësojë Shqipninë në një komision vëzhguesish ndërkombëtarë në luftën e Abisinisë dhe pas kësaj, ai ndjek edhe manovrat e mëdha të Italisë. Në këto dy misione jashtë shtetit, ai pati rast të qëndronte pranë shtabeve të gjeneralëve tё njohun si, Badoljo e Graziani, ku kishte edhe oficerë shtatmadhorë, ish-shokë të tij në Shkollën e Luftës të Torinos. Ishte vera e 1936-s. Atë vit pushimet i kaluem në Korçë së bashku me fëmijët e prof. Luigj Muzhanit, moshatarë me ne. Nën drejtimin e Valentinit u morëm me kompletimin e dy albumeve të mëdha me fotografi mbi luftën e Abisinisë dhe udhëtimin e gjatë, që përmbante dokumente të randësishme. Aty u përfshinë edhe relacione qё im atë u kishte kushtue atyne ngjarjeve, si dhe takimet me Duçen (Benito Musilinin) dhe mbretin e Italisë, me vëzhguesit dhe oficerët shtatmadhorë të huej në Manovrat e Mëdha, e të tjera fotografi të asaj kohë. Këto foto ishin të shoqnueme me shënimet e tim eti, që përbanin një përshkrim të asaj lufte dhe eksperience në një vend afrikan të prapambetun, si në kohën e gurit. Nga kёto takime ai kishte marrё vesh shumё mirё rrezikun qё e priste Shqipninё pas Abisinisё. Për këtë qëllim, im atë kishte pasë dy audienca të posaçme me mbretin Zog (mbi luftën në Abisini dhe Manovrat e Mëdha) dhe i kishte tregue për kontaktet me gjeneralët Badoljo e Graziani e të tjerë ushtarakë të naltë në atë luftë. Nga fjalët dhe 17
shprehjet e tyne dilnin qartë qëllimet pushtuese të Musolinit edhe ndaj Shqipnisë. Ai i kishte kërkue Zogut komandën për organizimin e mbrojtjes së vendit. Mbreti nuk e kishte vlerësue këtë informacion. Përkundrazi, ai i ishte përgjigj se lidhjet me Italinë ishin shumë të mira dhe nuk mund t’u vinte asnjë e keqe prej saj. «Po të paraqitet ndonjë rrezik nga ajo anë, vetëm ty do ta besoj komandën e mbrojtjes.» Por ky premtin nuk u mbajt kurrë. Valentini merrte pjesë në këto biseda mes të rritunve, ku mendimet dhe supozimet nëse Duçja do ta tradhtonte besën shqiptare merrnin përgjigje të ndryshme. Arsyen se pse mbreti nuk përfillte paralajmërimet e një shtatmadhori me përvojë, patriot, besnik e me influencë të madhe në ushtri e në popull, askush nuk arrinte ta kuptonte. Aq ma tepёr, kur u muer vesh se si Prenk Pervizi, oficeri me pregatijen ma tё naltё, qё lipsej tё qёndronte pranё qeverisё e mbretit, nё njё kohё qё ndihej rreziku nga Italia fashiste, e kishin largue nё Korçё. Ky mënjanim i tij nuk ishte një veprim i pamenduar...
18
Valentini në Shkollën Ushtarake të Romës (1936-1939)
Si i ati dhe i biri
Në Shqipni doli një vendim qeveritar për të dërgue një kontingjent studentёsh nё Shkollёn Ushtarake nё Romё. Por kandidatët duhet tё kishin mbarue gjimnazin. Im atё e thirri Valentinin dhe i tha të pregatitej të jepte provimet e maturёs, nёse donte tё vazhdonte shkollёn ushtarake nё Romё. Valentini e andrronte karrierën ushtarake dhe premtoi të jepte provimet. Atëherë im atë, në marrëveshje me shkollën e Torinos, i caktoi një kurs special për të pregatitë maturën. Këtë Valentini e kaloi me sukses dhe në shtator të vitit 1936 ai filloi shkollën 19
ushtarake të Romës. Ai ishte ma i riu në grupin e studentëve shqiptarë, ku banin pjesë gjithashtu edhe Lek Vuksani (Vojvoda), Asim Zeneli, Avdi Mati, Minella Naçe, Abdyl Këllezi, Fiqret Hoxha, Hamit Taga, Xhevat Hysa, Ali Ohri, Ernest Gjeçi, Shaban Begolli, Thoma Frashëri, Nuri Nuçi, Stefan Bumçi etj. Për të qenë afër njeni-tjetrit, Genci erdhi nga Torino në Romë, për ta krye aty gjimnazin në Institutin Santa Maria. Më 1937, edhe mue më dërguen në këtë institut, në klasën e tretë fillore. Pra, të tre ne vllaznit u bashkuem në Romë. Më 28 Nandor 1937 u vendos të kremtohet 25-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Kështu që të gjithë nxanësit shqiptarë të shkollave e të akademive ushtarake italiane u mblodhën në Tiranë për parakalimin e madh. Sigurisht, edhe Valentini erdhi bashkë me ta. Atyre u kishin dhanë 10 ditë leje. Mbas festimit dhe parakalimit, ne u bashkuem të gjithë në shtëpinë tonë të Laçit. Prindët ishin të ftuem në mbramjen festive në Pallatin Mbretnor. Im atë e kishte prezantue Valentinin në Tiranë me miq e dashamirë, si dhe me mbretin në një takim që ai pati me studentët ushtarakë. Nga ana e tij, mbreti Zog e përgëzoi Valentinin që po ndiqte rrugën e të atit dhe e uroi të bahej po aq i zoti sa ai. At nandor të 1937-s e kaluem për bukuri. Ishte një rast i rrallë që ne pjestarët e familjes gjindeshim të gjithë së bashku. Shtëpia ishte plot me miq që vinin për urimin e festës kombëtare. Valentini e Genci e kalonin kohën në dhomën e miqve në biseda me ta. Nё dritaret e shtёpisё valonte flamuri kuq e zi. Vizitorёt shpraznin edhe batare pushkёsh në lulishten para shtëpisë. Nga posta e 20
xhandarmërisë u përgjigjeshin me breshëri të tjera. Për qejfin tim, si ma i vogli i shtëpisë, Ndue Pali, nip i Gjin Pjetrit, që rrinte me ne, më la me gjuejt dy herë me gjashtshen e tij. Unë mezi e tërhoqa kambzën e kobures me dy gishtat e të dyja duerve. Ishte kambёz pёr gisht burrash dhe jo fëmijsh. Por pёr njё fёmi, si puna ime, ky gjest ishte njё kujtim i bukur dhe i paharrueshёm. Koha kaloi shpejt e bashkë me të edhe leja jonë.
Shkolla ushtarake e Romёs nё 7 prillin e 1939-s
7 prilli 1939 na gjeti ne të tre në Romë. Tri të diela ma parë kishin ardhë në shkollën tonë, bashkë me Valentinin, edhe disa nga shokët e tij. Ata vinin, si zakonisht, çdo të diel pasdreke me na marrë e me na zbavitë nëpër qytetin e madh të Romës. Unë me Alfred Bonatin, si të vegjël që ishim, përfundonim në ndonjë kinema, kurse të mëdhejt shëtisnin dhe kalonin kohën edhe nëpër baret e kafenetë. Por kësaj radhe ata u ngujuen në qoshen e një lokali, bashkë me Gencin e Nikolla Bonatin, ku ndejtëm edhe unë e Alfredi. Aty dëgjuem të flitej se diçka po ndodhte, diçka po kurdisej në dam të Shqipnisë. Aty u përmend mbreti, ushtria, qëndresa, lufta, patriotizmi, heroizmi, megalomania e Duçes, kotësia e Viktor Emanuelit, fashizmi, poshtërsia, tradhtia, padrejtësia, Lidhja e Kombeve, Anglia, Amerika, Gjermania, Hitleri, konflikti i pritun botnor, e tjera e tjera. 21
Kompleksi i Shkollës Ushtarake të Romës.
Si përfundim, ata nxorën dokumentet personale, fotografi, orë dore, zarfa të mbyllun e sende të tjera dhe ua dorëzuen Gencit e Nikolla Bonatit. Këta i futën në një çantë dore të bleme kastile. Çështja ishte serioze. Po të ndodhte ndonjë incident me Shqipninë, italianët mund të merrnin masa drastike edhe ndaj studentëve të shkollave ushtarake. Në disa raste, në shkolla të tjera civile dhe universitete si në Romë, Napoli, Torino etj, studentёt shqiptarë kishin tentue me i zbavitë në forma të ndryshme për me tërheqë vëmendjen nga ajo që po organizohej kundër vendit tonë. Kurse me shkollën e Romës e shkollat e tjera ushtarake nuk kishin veprue kështu. Dihej se në atë të Romës ishte grupi ma i vendosun i studentëve shqiptarë, të lidhun fort midis tyne e besnikë të mbretnisë, si bij të familjeve ma të mira zogiste. Prandaj ata mendonin të protestonin e të banin qëndresë, nëse do të sulmohej Shqipnia nga ushtria fashiste italiane, siç flitej në shtyp 22
dhe në opinionin publik. Në fakt, vetë Musolini që e kishte shpreh një qëllim të tillë. Ai e kishte gjithë fuqinë shtetnore të Italisë ne dorë, kurse mbreti Viktor Emanueli III ishte vetëm një kukëll, me të cilën Duçja luente sipas qejfit. Në këto kushte, studentët shqiptarë kishin frikë se mund t’i arrestonin dhe internonin, tue parashikue se çdo sulm ndaj Shqipnisë do të gjente qëndresën e vendosun të popullit shqiptar, e patjetër, në radhë të parë, të baballarëve të tyne, që ishin me funksione shtetnore apo ushtarake me randësi. Situata ishte e ndezun afro dy javë përpara ditës së zezë të 7 prillit. Prej asaj dite të dorëzimit të dokumenteve personale, ata nuk i lejuen ma me dalë, e ne nuk dinim asgja për ta. Lajmi i sulmit dhe zbarkimit të ushtrisë italiane në Durrës, që u shpall me bujë të madhe nga radiot dhe shtypi italian, pati efekt negativ edhe në shtresa të ndryshme të popullit italian, i cili po kuptonte, por tepër vonë, se në çfarë aventure të rrezikshme po e fuste Duçja… Ne e morëm vesh sulmin e 7 prillit në lajmet e orës tetë të mëngjesit, në mensën e shkollës, ku ishin mbledh konviktorët me profesorët e tyne. Pas lajmit, ra një heshtje e randë, si heshtje varri. Ne qëndronim kokulun e si të shastisun. Ishim vetëm katër shqiptarë midis 200 konviktorëve e profesorëve italianë. Të gjithë e ndërprenë ushqimin dhe qëndruen në heshtje. Prania jonë aty sikur e kushtëzoi dhe qëndrimin e tyne, që mori kuptimin e njëfarë solidariteti të heshtun. Shkolla jonë njihej për mospërfilljen ndaj fashizmit dhe mbahej në shënjestër. Shokët na shikonin mue dhe Alfredit me bisht të synit, në heshtje e të pezmatuem. Edhe ata e kuptonin atë trishtim 23
të madh që na kishte pushtue zemrën e mendjen tonë. Disa nxënës nga Kalabria e Sicilia, me origjinë arbëreshe, na qëndronin ma afër, tue shprehun pikëllimin e tyne. Genci dhe Nikolla ishin nxi në fytyrë e s’guxonte kush t’i vështronte e jo ma t’u thoshte një fjalë. E mbaj mend si sot, se ata të dy ndejtën tre ditë pa shti gja në gojë ! Sikur kishte ra zija në gjithë kolegjin. Në ato tre ditë, pushtimi i Shqipnisë kishte marrë fund, pa hasë në asnjë qëndresë. Ne morëm vesh nga radiot se mbreti Zog kishte ikë në Greqi nga Korça. « Po prindi ynë, që ishte komandant në atë qytet, mos vallë edhe ai ishte largue pas mbretit ?! » Këto pyetje kishin mbetë pa përgjigje në mendjen tonë. Kurse Valentinin me shokë, që prej dy të dielave nuk i kishin lejue me dalë në qytet, as me takue njeri. Ne nuk dinim asgja ma shumë ato ditë. Telefoni nuk punonte. Ma vonë i morëm vesh të gjitha. Sa nuk na ra pika kur dëgjuem nga radiot italiane emnat e disa personaliteteve shqiptare që përshëndesnin pushtimin fashist, i cili, sipas tyne, « vinte me i shpëtue shqiptarët nga sundimi i satrapit Zog. » Me emnat e tyne u mbushën faqet e shtypit italian. Po na dridhej zemra kur dëgjonim emna të njohun. Na hyni tmerri se kushedi ç’bahej tani në Shqipni. Për njerëzit tonë s’dinim asgja. Pas tre ditësh, u shpall pushtimi përfundimtar dhe u deklarue zyrtarisht ikja e mbretit në Greqi. Na vinte turp dhe, nga marazi, na dilnin lot prej syve. Ç’po ndodhte me shqiptarët? Edhe pse të vegjël, gjithë këtë peshë shtypëse të pushtimit e ndjenim thellë dhe na vinte ndërmend shprehja historike e mbretit Brenno të galëve, kur pushtuen Romën, para dymijë vjetëve: « Vae victis! » 24
Mjerë të mundunit! Por romakët iu përgjigjën me shpatë në dorë dhe i dëbuen galët barbarë. Si do të përgjigjeshin shqiptarët? Komunikatat italiane ishin entuziaste. Në orën 6 të mëngjesit të 7 prillit, forcat italiane kishin sulmue Shqipninë në Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë. Nuk kishte pasë asnjë qëndresë të organizueme. Brenda dy orëve ato kishin pushtue Durrësin, Vlorën, Shëngjinin e Sarandën. Vetëm 11 ushtarë italianë kishin mbet të vramë. U muer vesh ma vonë për qëndresën vetmohuese të Mujo Ulqinakut. Askush tjetёr s’e kishte shkrep pushkёn, as pёr hava. Po atë ditë, forcat italiane ishin nis drejt Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës, Fierit e Beratit, ku kishin hy të nesermën në mëngjes të pritun me lule e duertrokitje (!) Pas tre ditëve, Shqipnia ishte pushtue. Ushtria shqiptare nuk kishte rezistue askund. Populli ishte revoltuem dhe kërkonte armë. Njerëzit kishin dalë në rrugë me thirrjet kundër tradhtisë. Depot e armëve ishin bosh! Topat pa gjylpana! Gjthçka kishte marrë fund! (Këto e të tjera i morëm vesh ma vonë). Në Shkollën Ushtarake të Romës, të mbyllun prej dy javësh në fjetoret e tyne, studentët shqiptarë nuk dinin asgja se çfarë kishte ndodhë. Pa radio, pa shtyp, pa asnjë kontakt, të ruejtun me karabinierë të armatosun, e të izoluem, ata nuk dinin as si të vepronin. Një shok i tyne italian, arriti t’u çojë një pusullë, ku i informonte se Shqipnia tashma ishte pushtue. Ne këto kushte, ata vendosën të zbresin një nga shokët me anë të çarçafëve, prej katit të gjashtë, ku i kishin mbyllë. Ai quhej Dull Osmani, një kavajas kokëkrisun, që ma vonë u ba pilot i njohun. Dulla zbriti dhe bleu në një kioskë të gjitha gazetat që gjeti, të reja e të vjetra. 25
-E pamundun të dorëzohet Shqipnia, pa shkue gjaku deri në gju! - kishte thirrë Lek Vuksani, malësor nga Dukagjini. Kur gazetat u shpalosën para tyne, ata nuk po u besonin syve! As qëndresë, as gjak, as rezistencë. Veç tradhti, poshtërsi, dobësi, frikacakë, lapanjozë. Ku ishte ushtria shqiptare, ndera e kombit? Ku ishte mbreti, trimi me fletë, shpëtimtari i atdheu? Ku ishin oficerët shtatmadhorë të Shqipnisë, që ata i adhuronin dhe i kishin mbajtë si simbole e heroj? Asim Zeneli, që ishte ma i madhi në moshë ndër ta, kishte folë ashpër dhe kishte shprehë habinë se si kishin përfundue ata komandantë të njohun të ushtrisë si Muharrem Bajraktari, Prenk Pervizi, Fiqri Dine, Hysni Dema etj. Po mbreti Zog? Aq keq ishte katandisë Shqipnia, sa mos me ba rezistencë askund, as ushtria shqiptare, me në krye mbretin, e as populli trim e luftëtar? Diçka kishte ndodhë, që njerëzit akuzonin për tradhti. Po kush, vallë, mund ta tradhtonte atdheun e vet? Zemërimi i të rijve arriti kulmin, kur ata lexuen në faqet e para të gazetave emnat e disave që përshëndesnin hyrjen e Italisë! Tradhti! Tradhti! Vdekje tradhtarëve! Aty për aty, ata krijuen grupin « Dora e zezë » për eliminimin i gjithë tradhtarëve që kishin emnat në ato gazeta. Ky ishte i pari organizim kundra pushtuesit e kundra atyne që shitën atdheun. U zgjodh edhe një komitet drejtues. Valentini ishte ndër kryesorët. Në krye të këtij organizimi antifashist e patriotik të Shqipnisë ishin po ato shokë të ngushtë: Asim Zeneli, Valentin Pervizi, Lek Vuksani, Hamit Taga, Avdi Mati, Abdyl Këllezi, Fiqret Hoxha, Shaban Blloshmi, Minella Naçe, Xhevat 26
Hysa, Ernest Gjeçi, Stefan Bumçi, Ali Brahimi, Ali Ohri, Ndue Lala, etj. U ndanë detyrat për vrasjen e tradhtarëve që u kishin dalë emnat në gazetat italiane. Njenit ndër ta i kishte dalë në gazetë emni i axhës. Ai e mori përsipër vetë eliminimin e tij. Nuk po і përmend emnat e tyne. Sepse një gazetar italian, që kishte miqësi me shqiptarët e Shkollës , u kishte tregue se ato emna ishin botue prej vetë italianëve, me u justifikue para oipnionit se shqiptarët « i kishin thirrë vetë me i shpëtue sundimi і mbretit satrap e tiran Zog, që e shtypte popullin shqiptar. » Megjithatë, ajo punë e kurdisun u kushtoi atyne shumë shtrejt. Siç dihet, komunistët do të gjenin pretekst me i pushkatue, burgos e internue. Në këto rrethana, grupi « Dora e zezë » nuk e vuni në zbatim planin e vrasjeve, sepse u vërtetue se asnjë prej atyne nuk ishte shpreh në favor të pushtimit, veç kishte qenë një mashtrim i fashizmit italian, me çorodit shqiptarët e të huejt. Mbasi morën vesh gjithçka, studentët mbajtën një grevë urie treditore. Komanda e shkollës i nxori nga izolimi, por ua ndaloi liridaljen edhe për dy javë të tjera. Ata mbanin uniformën e shkollës, por ua hoqën bajonetat e bukura që mbanin. Pastaj ata mundën me dalë dhe erdhën me u takue me ne dhe morën sendet që ua kishin lanë në ruetje Gencit e Nikollës. Por studentët shqiptarë kishin edhe një provë tjetër të vështirë. Italianët kishin vendos që ata, sikurse të tjerët e akademive ushtarake, të banin betimin. Betimi do të bahej në oborrin ose sheshin e madh të shkollës. Filluen provat për ceremoninë që do të mbahej, ku do të merrnin pjesë personalitete të nalta të hierarkisë fashiste dhe të qeverisë e ushtrisë italiane. Provat konsistonin në lëvizje të 27
caktueme, parakalim, formim i kuadratit të nxanësve shqiptarë, paraqitje, për nder armë etj. Kishin ftue edhe disa oficerë shqiptarë të dalun prej këtyne shkollave, për t’i dhanë ma randësi kësaj ngjarje. Komiteti i studentëve vendosi që provat të baheshin të gjitha rregullisht, deri në ceremoninë e betimit. Por në çastin që do të lexohej formula e betimit, në vend të përgjigjes: « Betohemi! » ata nuk do të flisnin fare dhe të gjithë do të hidhnin armët për tokë. Ky ishte një akt i guximshëm që mund të kishte pasoja. Ata mund ta paguenin me ndëshkim, por ata s‘donin t‘ia dinin. Provat shkuen në rregull, por para se të bahej betimi, italianët vendosen të bajnë një provë të përgjithshme. Me sa duket, dikush kishte informue përplanin e tyne. Por shqiptarët nuk e kishin parashikue këtë poshtërsi. Ata u paraqitën në provë, që e dinin si formalitet, pra pa angazhim betimi, dhe ndoqën programin që ishte vendos prej komandës italiane. Por u doli një e papritun. Aty në provë ishin të pranishme edhe disa autoritete të nalta fashiste, të qeverisë dhe gjeneralë të ushtrisë italiane, gazetarë e fotografë. Aty ishte edhe kapiteni shkodran, Luigj Mikeli, me dy oficerë të tjerë shqiptarë. Çfarë donin këto personalite e gazetarë në prova? Çfarë po ndodhte? Prova vazhdoi dhe oficeri italian, një kolonel, u tha studentëve se tani do të bahej prova e betimit, pra, se si ata duhet të përgjigjeshin, kur të lexohej formula. Kjo qe një befasi e një kurth për ta. Si të vepronin? Menjëherë e qarkulluen fjalën që askush të mos përgjigjej. Kështu, kur përfundoi recitimi i formulës, koloneli thirri: « Betohuni!». Por pas tij nuk u dëgjue askush dhe ra një heshtje varri. Afro njëqind studentë e akademistë shqiptarë rrinin gatitu 28
me armët në dorë, por kokulun. Koloneli italian iu drejtue kapitenit Luigj Mikeli: - Zotni kapiten, si duket këta nuk e kuptokan italishten. Ju lutem, përkthejeni shqip si duhet të përgjigjen. Kapiteni ia ktheu: -Në qoftë se këta nuk e kuptojnë italishten, unë nuk e njoh fare! Komanda dhe hierarkët fashistë u tërbuen. U banë presion studentëve për të zbulue se kush e kishte organizue këtë rebelim. Por nuk mësuen asgja. Pas do kohë u morën disa masa. Abdyl Këllezit i kishin gjet disa materiale komuniste dhe e internuen në Ventotenne, ku kishin mbyll edhe disa udhëheqës komunistë italianë. Një nip i Musa Jukës vrau veten në një hotel të Romës. Masa të tjera nuk u morën. U lejue vazhdimi i studimeve. Për Valentinin dhe grupin e shokëve të tij ishte viti i fundit i shkollës ushtarake të Romës. Jeta tashma po ndiqte rrjedhën e saj. Shqiptarët, të zanë në befasi e pabesi, u detyruen t’i përshtaten kohës, përderisa nuk mundi të kundërshtojë me armë okupatorin shumë ma të fuqishëm. Përgjegjësia për këtë ra mbi mbretin Zog, i cili, në vend që t’i printe popullit kundra pushtuesit, ia mbathi jashtë shtetit. Në këtë situatë, studentët shqiptarë të shkollave ushtarake u lejuen me vazhdue akademitë në specialitetet përkatëse, kryesisht në Akademinë Ushtarake të Modenas, si dhe në ndonjë akademi tjetër italiane. U muer vesh se italianёt do ta mbanin ushtrinё efektive shqiptare siç ishte, me kuadrot e saj, si dhe me uniformёn me simbolin e kunorёs sё Skёnderbeut. Ajo do tё qёndronte si e pavarur e pasive gjatё kësaj periudhe. 29
Akademia Ushtarake e Modenas.
Valentini në Akademinë e Modenas.
30
Akademia ushtarake e Modenas
Në qershorin 1939-s, Valentini me shokë përfundojnë Shkollën Ushtarake të Romës dhe në shtator fillojnë studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas, ma e randësishmja në Itali. Ai zgjodhi armën e kalorësisë bashkë me Ali Ohrin dhe Stefan Bumçin.Të tjerët si Asim Zeneli, Ernest Gjeçi, Ndue Lala, Fiqret Hoxha, Minella Naçe, Avdi Brahimi, Shaban Begolli, Nuri Nuçi, Hysen Hysa etj, armën e kambsorisë, kurse Lek Vuksani atë të karabinierisë, Avdi Mati Akademinë e Marinës, Dull Osmani atë të Aviacionit etj. Ata ishin konviktorë dhe u jepej liridalje të dielave. Me këtë rast, Valentini shkonte shpesh në Bolonja, qytet historik, i madh dhe i randësishëm, mjaft i bukur, ku kishte mundësi t’argëtohej. Kështu kaluen dy vjetët e akademisë dhe në qershor të 1941-shit ai u diplomue oficer me gradën nëntoger dhe caktohet me shërbim në regjimentin e kalorësisë « Lancieri Vittorio Emanuele II », me qendër në Bolonja. Ai priste të caktohej në Shqipni, si të tjerët, por meqë ushtria shqiptare ishte përfshi në atë italiane, emnimet jepeshin nga Ministria e Luftës e Italisë. Përfundimi i akademisë dhe emnimi tij oficer u prit me gëzim dhe u festue në familjen dhe shoqëninë tonë në Tiranë, Laç e Skuraj. Kështu, edhe për Valentinin nisi karriera ushtarake. Në Bolonja, ku u caktue me detyrë, ai mori një dhomё me qira në shtëpinë e familjes Manini. Zonja Manini, asokohe e ve, jetonte me vajzën e saj të vogël, kurse katër të tjerat ishin të martueme. 31
Maria Gorizia Manini, Gori, e fejuemja e Valentinit.
E vogla quhej Maria Gorizia, por e thirrnin shkurtimisht, Gori. Ajo kishte mbarue gjimnazin dhe vazhdonte universitetin për histori e letërsi. Gori ishte një vajzë e bukur, me një trup të përsosun, ose siç themi ne, me figurat e folklorit, një « shtatselvi » me « sytë si ulli e vetullat gajtan ». Sigurisht, midis dy të rijve lindi simpatia dhe Valentini e shoqnonte shpesh nëpër akvitetet argëtuese, duke tregue respekt e mirësjellje prej fisniku. Ai kishte njohun vajza të tjera si në Romë, ashtu edhe në Modena e Bolonja, por kjo kishte fillue me i hy në zemër. Ai e mori punën seriozisht dhe vendosi që ajo të bahej grueja e tij. Dhe erdhi momenti që Valentini t’i propozonte asaj.
32
Ishte ditë vere dhe ai e ftoi Gorin me kalue darkën në një lokal veror me lulishte dhe orkestër. Nuk ishte hera e parë që i kalonin mbramjet në atë lokal, kafe-restorant, ku kishin shkue edhe me nanën e saj. Darka kaloi për bukuri dhe ata ndejtën edhe më gjatë aty së bashku. Një çast, Valentini nxori nga xhepi një kuti të vogël e të bukur dhe iu lut që ta pranonte si dhuratë nga ana e tij. Vajza buzëqeshi dhe e mori kutinë dhe e falënderoi për mirësjelljen që po tregonte ndaj saj. Por, kur e hapi ajo mbeti e befasueme : aty ishte një unazë e bukur me një gur vezullues. Propozimi ishte pa fjalë, por fakt i kryer. Valentini priti me emocion se si do të reagonte Gori. Ajo buzëqeshi me një « grazie » që tingëlloi me ambëlsi në veshët e tij. Ai e mori unazën dhe ia vuni asaj në gisht duke i thanë se e donte shumë dhe e pyeti nëse ajo pranonte të bahej grueja e tij. Gori ishte skuq në faqe dhe kishte murmurit me një gjysmë zani « si ! », duke ia hedh krahët në qafë shumë e lumtun. Dhe ky përqafim ishte fillimi i dashunisë së tyne që do t’i shoqnonte gjithë jetën. Pas këtij takimi, në shtëpi u ba festë dhe u shpall fejesa. Aty erdhën motrat me burrat dhe fëmijët e tyne, miq e dashamirë, si dhe fqinj të lagjes. Për çiftin u shtrue darkë në Pallatin e Oficerëve, ku morën pjesë edhe eprorë e kolegë të Valentinit. Kjo ngjarje e lumtur mbylli atë pjesë të jetës së Valentinit dhe do të mbetej gjithmonë në kujtesën e tij. Ma vonë, në kushtet e vuejtjeve të papërfytyrueshme në burgjet dhe kampet e Shqipnisë, do t’i kujtoheshin vargjet e Dantes : « …Nessun maggiore dolore che ricordarsi del tempo felice nella miseria ! » (Nuk ka pikëllim ma të madh se sa me kujtue kohën e lumturisë në mjerim !) 33
Ndërkaq, Genci, vëllai i dytë, që kishte zgjedh karrierën ushtarake, atë të aviacionit, dhe vazhdonte Shkollën e Aviacionit në Forli, qytet afër Modenas dhe Bolonjës, erdhi dhe u njoh me Gorin dhe familjen e saj. Kështu që ndodhte që ata rrinin shpesh së bashku. Lajmin për fejesën e Valentinit na e solli Genci gjatë pushimeve verore, bashkë me disa fotografi për ta njohun vajzën që ai kishte zgjedh. Në u gëzuem, sidomos nana dhe gjyshja, kurse t’im eti nuk i kishte pëlqye fort kjo punë, sepse kishte plane të tjera për Valentinin. Miqt e tij në Vjenë e Budapest i kishin kërkue ta çonte djalin atje dhe ata do t’i gjenin atij një nuse të përshtatshme ndër familjet fisnike me të cilat kishin miqësi. Gjatë asaj kohe, në Bolonja organizoheshin edhe gara me kuaj me pjesmarrjen e oficerëve të rij nga njësitë e kalorsisë. Dihej se shumica e oficerëve të kësaj arme vinin nga familje fisnike me tituj si kontë, markezë, baronë, alfierë etj.
34
Oficer në armën e kalorësisë, Bolonja, qershor 1941.
Në një nga këto gara të randësishme Valentini ishte dallue dhe kishte fitue vendin e parë. Atij iu dorëzue çmimi i caktuem nga duka i Bergamos, i Shtëpisë Savoia, që vinte pas princit trashëgimtar, Umbertos. Kështu që Valentini kishte fitue respekt dhe admirim në regjimentin e tij dhe në radhët e armës së kalorësisë. Sigurisht, edhe Gori ndihej e lumtur për sukseset e Valentinit. Ajo ishte një vajzë e urtë, e dashtun dhe familjare. Duke qenë e tillë, edhe në lagjen e saj ishin gëzue për fejesën e saj me një djalë të pashëm që ajo e donte. Ana jo e pëlqyeshme e kësaj historie ishte lufta, e cila kishte kapërthye mbarë 35
botën. Ajo rrezikonte edhe Italinë e lidhun me Gjermaninë, krejt ndryshe nga Lufta e Parë Botërore, kur ato kishin qenë fuqi kundërshtare.
Me gruen, Maria Gorizia, Bolonja,1942.
*****************************************************************
36
Kapitullimi i Italisë dhe pasojat
Gjatë qëndrimit në Bologna, Valentini kryente fillimisht një detyrë pranë komandës së regjimentit « Lancieri Vittorio Emanuele II ». Në maj të vitit 1942 ai gradohet toger dhe caktohet në Merano, qytet i vogël turistik, në kufi me Austrinë. Gjatë qëndrimit aty ai shfrytëzonte çdo rast me u takue me Gorin. Por shërbimi në ushtri i ndërpriste herë pas here kontaktet mes dy të rijve, që nuk u bahej të rrinin asnjë çast pa njeni-tjetrin. Pas disa muejsh stërvitje e manovra në shkretinën e Pordenonës, regjimenti i tij dërgue me një tren special në Romë. Në fakt, regjimenti ishte caktue në frontin e Libisë, për të pengue përparimin e forcave aleate, që kishin zbarkue në Marok e Algjeri. Ushtria italiane po pësonte disfata njena pas tjetrës dhe nuk i vlejti as ndihma e Hitlerit, i cili dërgoi në Afrikën e Veriut trupa gjermame nën komandën e feldmarshallit Romel. Zbarkimi i Aleatëve në Sicili i ndryshoi planet dhe regjimenti do të vendosej në rrethinat e Romës. Natën që u shkarkue Musolini, më 25 korrik, regjimenti e kishte kalue stacionin e Riminit, prej ku do të nisej në mëngjes. Valentini nuk kishte pasë mundësi me u shmang në Bolonja sa me u përshëndet me Gorin. Të nesërmen herët treni niset dhe gjatë rrugës, populli nga Rimini deri në Romë, i bani regjimentit një pritje triumfale. Makinisti e kishte ngadalësue ecjen e trenit qëllimisht. Gëzimi i njerëzve për rrëzimin e Duçes ishte i papërshkrueshëm : ata sikur po festonin për mbarimin e luftës. Populli po i bante një të tillë pritje regjimentit, si 37
përfaqësues i ushtrisë, e cila, sipas tyne, ishte faktori kryesor i rrëzimit të Duçes dhe si rrjedhojë edhe i rënies së regjimit fashist. Me pak fjalë, entuziazmi i madh që kishte përshi qytetarët jepte me kuptue se për Italinë lufta kishte marrë fund. Mjerisht, lufta e vërtetë po fillonte ; ajo luftë që Italia nuk e kishte njohun akoma, as nuk e kishte provue. Deri atëherë, lufta ishte zhvillue larg territorit të saj, por tani ajo ishte zhvendosun brenda vendit dhe do të ishte shumë ma e randë dhe e ma e tmerrshme se sa mendohej e përfytyrohej. Në qershorin e vitit 1943, divizioni i blinduem « Ariete », nën komandën e gjeneralit Karbone (Carbone), ku gjëndej edhe regjimenti i Valentinit, u caktue në zonën e Romës, nga ana e Tivolit, me detyrë mbrojtjen e Romës. Po prej kujt duhej mbrojtun?! Askush nuk e dinte se nga vinte rreziku: prej fuqive aleate apo prej gjermanëve. Regjimenti u caktue në rrethinat e Tivolit, pikërisht në pikat ma strategjike në lindje dhe veri-lindje të Romës Grupi i parë prej tre skuadronesh tankiste u caktue në zonën e Montorsit, një fshat i vogël. Skuadroni i parë kishte urdhën të mbështeste, në rast nevoje, plotonin e parë nën komandën e Valentinit. Plotoni i tij ishte caktue në pikën ma të përparueme, pra ma të rrezikshme në krejt rreshtimin e divizionit. Ai kishte detyrën me njoftue menjëherë komandën me anë të një motoçiklisti, që kishte në dispozicion, për të gjitha informatat e nevojshme ushtarake.
38
Beteja e Tivolit, më 8 shtator 1943
Valentini duhet të ndalonte, vetë personalisht, në kryqëzim të rrugës, çdo mjet ushtarak, gjerman apo italian qofshin ata. Natyrisht, ai duhet të sillej me shumë kujdes me komandantët e ndryshëm të kolonave dhe të merrte me kujdes informatat e nevojshme. Kolonat e mjetet e ndaluna mund të kalonin, vetëm kur të kthehej motiçklisti me urdhnin përkatës të kalimit nga ana e komandës. Në ato kondita, ai e sistemoi mirë plotonin që komandonte. Dha urdhën që topi i njenit tank të ishte i drejtuem mu aty te postoblloku, ku do të ndaleshin mjetet për verifikim. Në rast rreziku apo vrasje, tankisti do të hidhte në erë mjetin e parë anmik, që ishte vetura e komandantit të autokolonës.
Komandant plotoni tankist në betejën kundra gjermanëve në Tivoli (Romë), 8-15 shtator 1943.
39
Gjendja ishte e acarueme. Mendohej se Komanda e Naltë Italiane kishte si qëllim të mbronte Romën nga çdo anmik i mundshëm. Por opinioni i përgjithshëm ishte se atë donin ta pushtonin gjermanët! Për disa kjo dukej e pabesueshme! Në fakt, ato ditë flitej se Italia do të rreshtohej me forcat aleate. Një kthesë e tillë, ose ma mirë me thanë, kjo « tradhti » që po kryhej ndaj gjermanëve do t’i kushtonte shumë shtrejt popullit italian. Të kthehemi në Montorsi, aty te kryqëzimi dhe postoblloku, ku ishte caktue Valentini, ku mund të shfaqej rreziku i parë i sulmit të anmikut. Kjo detyrë e posaçme i ishte caktue atij nga vetë komandanti i regjimentit të blinduem, koloneli Guido Raby. Koloneli kishte qene shok shkolle me t’im atë. Kur dy eprorët e tij, nënkoloneli Amiçi Grosi (Amici Grossi), komandant i grupit, dhe kapiteni Boçi (Bocci), komandanti i skuadronit u paraqitën te komandanti i regjimentit për të caktue detyrat, që në fillim, koloneli kishte thanë se te « kryqëzimi », në pikën ma delikate, do të caktohej toger Pervizi, tue shpreh besim të plotë tek ai. Në atë detyrë të rrezikshme, ai pati rast të ndalojë katër herë mjete ushtarake gjermane dhe pesë-gjashtë herë mjete italiane të forcave fashiste. Sa herë ndalonte mjetet gjermane tue ngrit dorën nalt, oficerët gjemanë nervozoheshin dhee shprehnin pakënaqësi të madhe për vonesën dhe pengesat që u baheshin. Në një rast, një komandant gjerman kishte bërtitë : – Ç’asht kjo ndalesë ? Atje në Sicili po luftojnë e vdesin… ! Në mbramjen e 6 shtatorit, komandanti i tij, kapiteni Boçi e njoftoi Valentinin që të bahej gati për të 40
nesërmen. Sa të agonte dita, ata do të largoheshin në një pozicion tjetër. Aty u caktue një shok i Valentinit, italian, edhe ai toger e komandant plotoni, i cili ndoqi shembullin e tij, i vendosi tanket po në atë pozicion dhe në gati për të goditë, në rast rreziku. U nisën duke dalë drita mbi autostradë, pa e ditur për ku do të ndaleshin. As kapiteni nuk e dinte. Gjatë rrugës kapiteni lidhej me anë të radios me oficerët e tjerë. Valentini e kuptoi drejtimin, sepse i njihte ato vende. Po shkonin drejt liqenit Braçiano, ku u vendosën jashtë qytetit të vogël, me po atë emën. Në mëngjesin e 8 shtatorit 1943, erdhi korrieri i dërguem urgjentisht nga nënkoloneli Grosi, me lajmin befasues të shpalljes para botës të kapitullimit të Italisë nga marshalli Badoljo. Aty ishte dhe urdhni për kapitenin Boçi, për t’u nis menjëherë e me u vendos në Montorsi. Aty pritej të vinte një kolonë e blindueme gjermane, sepse kishin fillue luftimet dhe ishin shkatërrue disa tanke të skuadronit të dytë. Në urdhën thuhej që forcat të vendoseshin në kodrat e Montorsit për të mbështetë dy skuadronet e tjere që luftonin. Sa mbërritën atje, kapiteni i vendosi te tre plotonët në pozicione të volitshme. Skuadroni i dytë kishte pësue damtime të randa. Dy-tre tanke ishin hedh në erë. Kishte të vramë e të plagosun. Ndryshimi i vendeve kishte qenë fatal për italianin që zëvendësoi Valentinin në atë detyrë. Të nesërmen në mëngjes, para postobllokut ishte paraqit një autokolonë gjermane e blindueme. Oficeri rojes, që zëvendësoi Valentinin, i kishte dalë përpara veturës së komandantit gjerman. Ai e njoftoi se kishte urdhën nga komanda e tij që të mos lejonte kalimin e autokolonës. Në çast, komandanti gjerman kishte nxjerrë revolverin dhe e 41
kishte vra oficerin italian. Njësiti tankist kishte ndërhy menjëherë duke e hedhun në erë veturën me gjithë oficerët gjermanë. Atëherë, një kamion gjerman plot me dinamit ishte lëshue drejt postobllokut duke e shkatërrue atë krejtësisht. Dhe aty kishte fillue ajo që u quejt beteja e Tivolit. Kështu u ndez beteja midis dy ushtrive, deri para një dite, aleate. Divizioni i blinduem gjerman sulmoi nga të gjitha anët, kurse ana italiane kishte zanë pozicionet mbrojtëse. Strategjia e komandës italiane doli e sukseshme dhe regjimenti pati mundësi t’i bante ballë sulmit të parë të fuqishëm të gjermanëve. Por kjo rezistencë nuk mund të shkonte gjatë. Gjermanët kishin tanke « Pantera », që vetëm mund të goditeshin në zinxhirë, sepse predhat e topave të tankeve italianë nuk e shponin dot veshjen e tyne prej çeliku. Kështu u veprue dhe plotoni i Valentinit mundi me bllokue disa tanke gjermane nga zinxhirët. Por gjermanët hodhën në sulm trupa të specializueme kundra tankeve. Ata u dilnin nga mbrapa mjeteve dhe vendosnin mbi anët e tankut disa pllaka dinamiti që hapnin një vrimë, ku gjermanët hidhnin bombat e dorës me pasoja shkatërruese. Valentini i kishte dallue nga larg dhe kishte dhanë urdhën të gjuhej pa pushim mbi ta. Kështu gjermanët u fshehën në një kanal të thatë e nuk e ngrinin ma kokën prej aty. Në këtë mënyrë, nga ai krah u përballue sulmi i anmiqve. Kjo bani që komandanti i regjimentit të lëshonte një komunikatë me anë të radios, ku lavdërohej veprimi i kapitenit Boçi dhe i togerit Valentin Pervizi, të cilët kishin arritë të bllokonin gjermanët në krahun e tyne, pa pësue damtime. 42
Kapitullimi i dytё
Papritmas, ndodhi kapitullimi ose ai qё quhet armistizio i dytё i Italisё. Me anë të radiove u dha urdhni që të ndërpriteshin menjëherë luftimet dhe të gjitha skuadronet të mblidheshin në fushën e Tivolit. Aty do të rreshtohej regjimenti me tanket dhe të gjitha mjetet e tjera. Të gjithë ishin të çuditun nga ky ndryshim. Çfarë do të ndodhte më pas ? Nuk vonoi dhe u mor vesh edhe përfundimi. Sipas një marrëveshje midis autoriteteve italiane dhe gjermane, regjimenti i blinduem, « Lancieri Vittorio Emanuele II », duhet të dorëzohej me nderin e armëve ! Në atë grumbullim të jashtëzakonshëm u komunikue se nënoficerët dhe ushtarët ishin të lirë të ktheheshin në shtëpitë e tyne, kurse oficerët do të mbaheshin nën roje, derisa të vinte ndonjë urdhën tjetër nga komanda e naltë gjermane. Para se të largoheshin nënoficerët dhe ushtarët, çdo oficer mblodhi repartin e tij për t’u përshëndet me ta, meqë kishin shërbye nën komandën e tyne. Këto ishin çaste tepër emocionuese. Edhe Valentini u nda nga shokët me lot në sy. Pas një ore fusha mbeti bosh. Me këtë rast, komanda e regjimentit i dorëzoi secilit oficer një dokument. Një i tillë iu dorëzue edhe Valentinit, ku shkruhej : Toger Valentin Pervizi ka qëndrue në regjimentin e sipërpermendun dhe ka krye plotësisht detyrën e tij, deri në çastin që komandanti e ka lirue nga shërbimi me urdhën të premë. Si u shpërnda i gjithë regjimenti, gjermanët i vendosën oficerët në një kamp provizor të rrethuem me 43
një gardh me tela me gjemba, nё Fraskati, një zonë me vreshta, pa u dhanë ushqime. Të burgosunit, rob lufte, ushqeheshin vetëm me rrush. Ndërkohë, u muer vesh se gjermanët do t’i nisnin për në kampet e Gjermanisë oficerë që nuk pranonin të shërbenin në forcat fashiste të Musolinit, i cili kishte krijue Republiken e Salos, pranë liqenit Garda. Valentini tregonte se asnjë nga oficerët nuk e kishte pranue një propozim të tillë. Pra, gjendja ishte kritike për këta ushtarakë, sepse mund t’i merrnin në çdo moment për t’i nisur në kampin e Dakaut, për të cilin flitej aso kohe. Valentini vet i treti, me dy italianë, vendosën të ikin dhe arritën të arratisen natën, nëpër një kanal ujrash të zeza që kalonte pranë rrethimit. U deshën katër orë që ata të përshkonin ato njëzet metra kanal barkas, tue rrëshqit mbi baltë si kërmij, për të mos shkaktue asnjë lloj zhurme. Rojet shëtisnin poshtë e nalt përgjatë rrethimit, mu në buzë të kanalit. Ma në fund, ata e kaluen zonën e rrezikut dhe u nisën drejt Romës. Kalimtarët habiteshin duke pa këta oficerë të baltosun, që vraponin midis qytetit dhe ua banin njerëzve me gisht që të mbyllnin gojën. Ata arritën në banesën e njenit prej tyne, ku u strehuen për disa ditë aty. Dy shokët i propozuen Valentinit që të shkonte me ta në Napoli, ku ata kishin familjet. Ai nuk pranoi, sepse kishte të fejuemen në Bolonja. Ma vonё, ai do tё kujtohej se kishte gabue në zgjedhjen që bani. Po të shkonte me shokёt, ai do tё siguronte veten. Pastaj me trupat aleate do të arrinte nё Bolonja, ku do të bashkohej me tё fejuemen. Dhe fati tij mund të kishte shkue krejt ndryshe... Ai u nda nga shokёt dhe u nis pёr në Bolonja, në një udhëtim të rrezikshëm, tue u fsheh në vagonat e mallnave. 44
Dy shokët i kishin dhanë një revolver « Beretta ». Po ta kapnin me armë dhe si dezertor, atë e priste pushkatimi. Kur zbriti nga treni dhe u përzie me udhëtarët e tjerë, ai mori vesh se mbi Bolonjë kishte ndodhë një bombardim ajror, i cili kishte shkaktue me mija viktima. Kjo fatkeqësi ishte shkaktue, ngaqë ushtarakët që kontrollonin radarët kishin braktis shërbimin. Kështu që bombarduesit amerikanë, që i quanin « kala fluturuese », i ishin afrue qytetit pa ra sirenat e alarmit. Me pak fjalë, pas 8 shtatorit në Itali ishte krijue një pasiguri e çrregullim i madh. Së paku, ata që shërbenin te radarët nuk duhet të ishin largue. Duke qenë edhe ditë e shtunë, kur bahej pazari, njerëzit kishin dalë për t’u furnizue me sende ushqimore. Rrugët e sheshet ishin mbush me njerëz, madje aty kishin ardhë edhe banorë që ishin strehue në fshatnat përreth. Kështu që bombardimi kishte ba kërdinë. Bolonja nuk kishte njoh gjatë luftës një ditë ma të kobshme. Edhe stacioni kishte pësue damtime të randa. Disa vagona me municione ishin hedhë në erë. Treni ishte ndalue pak jashtë qytetit dhe, kur pasagjerët filluen me hy në Bolonja, u gjetën para skenave rëqethëse, me kufoma njerëzish kudo e rrënime të mëdha. Blloqe të tana pallatesh qenë rrëzue. Një tragjedi e vërtetë. Valentini nuk kishte gjet njeri në shtëpi, sepse familja e të fejuemes kishte shkue në fshat për ma siguri. Por kujdestarja, që e njihte, i kishte dhanë çelësin e apartamentit, ku ai mundi të pushonte, pas një dite shumë të lodhshme e të trishtueshme. Të nesërmen kishte dalë në qytet drejt stacionit, kur i del përpara Gori. Ajo i hidhet në qafë me lot gëzimi. Ardhja e Valentini, në atë situate, ishte për të një mbështetje e madhe. Gori u gëzue kur pa se 45
shtëpia e tyne qëndronte akoma në kambë. Të nesërmen shkuen në fshat ku qëndruen disa ditë.
Bombardimet ajrore
Në Bolonja, Valentini qëndroi i strehuem pranë familjes së Gorit. Në kushte ilegale, ai ishte gjithnjë në rrezik për t’u arrestue. Gjatë kësaj kohe, forcat aleate që kishin zbarkue në Sicili gjetën aty një qëndresë të fortë nga trupat gjermane. Atyne iu desh ta pushtonin pëllambë për pëllambë territorin që mbante anmiku. Kështu që me frontin e ri, që përfshiu Italinë gjatë dy vjetëve, italianët u gjetën para realitetit të hidhun të luftës në territorin e tyne. Edhe për ata po fillonte e keqja ma e madhe. Bombardimet u shtuen dhe kudo nuk shikoje gja tjetër veçse vuejtje e mjerime, mungesa e çrregullime të çdo lloji, vdekje e tragjedi. Valentini dilte jashtë shumë rrallë, vetëm kur paraqitej ndonjë nevojë e domosdoshme. Dy herë rrezikoi të arrestohej. Një ditë, kur kishte hy në një dyqan me ble një paketë cigaresh, iu afruen dy milicë. Meqë ai kishte moshën për t’u rithirrë në shërbim ushtarak, atë e morën dhe e çuen në një rrugicë qorre, ku ishin grumbullue qindra të rij, të cilët ruheshin nga agjentë fashistë të armatosun. Disa ruenin nga dritaret përreth me armët të drejtueme mbi turmën, ku ishte përfshi dhe Valentini. Për fat, para se ta fusnin në grumbullin e të tjerëve, prej ku do t’ishte zor me dalë, kalon aty një kapiten që e njihte, shok shkolle, i cili kishte pranue me bashkëpunue me milicinë 46
fashiste të Musolinit. Kur e pa Valentinin, ai menjëherë ndërhyni dhe e liroi. Një herë tjetër, policia kishte bllokue rrugët për të arrestuar disa njerëz të dyshimtë, por kishin harrue me ruejt kishën, ku Valentini u fut dhe doli nga një derë e dytë, në anën tjetër të rrugës. Me ramjen e Musolinit në korrik, italianët kishin kujtue se ma e keqja kishte kalue dhe se do të vinin ditë ma të mira. Ndërsa ajo ngjarje po sillte kaos, anarki e shkatërrime. Në ato kondita, Valentini dhe Gori vendosën të martohen zyrtarisht. Martesa u ba në komunë dhe në kishën e lagjes. Ky vendim u muer nga të dy të rijtë, tue konsiderue rreziqet e mëdha që vinin nga bombardimet e përditshme. Së paku, në qoftë se fati i tyne ishte me përfundue nën rrenojat e bombave, të vdisnin si burrë e grue. Valentini shkruen në shënimet e tij se bombardimet ishin të vazhdueshme, dhe se dy-tri herë ai vetë kishte qenë në rrezik të vritej, por kishte shpëtue rastësisht. Një herë që dëgjoi zhurmën e madhe të « kalave fluturuese », ai desh të futej në një strehim afër një stacioni, por ndërroi mendje dhe vrapoi deri te një pallat i madh, ku po hynin njerëzit pas sinjalit të alarmit nga sirenat. Por aty kishte shumë njerëz dhe ai vrapo përsëri ma tutje dhe hyni në të parin strehim që gjeti vend. Bombardimi ishte shum i randë dhe kaloi në tri valë. Kur ranë sirenat e largimit të rrezikut, të strehuemit dolën jashtë. Por mbetën të befasuem me ato që panë. Pikërisht në pallatin ku desh të hynte Valentini, që mbahej si strehimi ma i sigurt, kishte ra një bombë njëtonëshe. Valentini tregonte për pamjen makabre që kishin para syve : kafka, gjymtyrë e kufoma njerëzish ! 47
Një tmerr i vërtetë ! Por rrezikun ma të madh do ta kalonte te shtëpia e Gorit. Një natë, kur kishin ra me fjetë, sirenat dhanë alarmin dhe të gjithë u turrën poshtë shkallëve për t’u strehuar nëpër bodrume. Bombardimi vazhdoi gjatë dhe dëgjoheshin tronditjet e mëdha që shkaktonin bombat që binin aty afër. Kur ranë sirenat pas kalimit të rrezikut, ata u nisën me dalë, por e panë veten të bllokuem. Ishin shembë pallatet përreth dhe e kishin bllokue strehimin e tyne. Ata ishin në rrezik të vdisnin të asfiksuem nga mungesa e ajrit. Të gjithë qëndronin përdhe gati duke humbë ndjenjat. Valentini kishte mundë me durue ma tepër, ndërsa e shoqja tashma pushonte në krahët e tij e mezi merrte frymë. E ama ishte shtri për tokë si e vdekun. Ashtu edhe njerëz të tjerë. Ishin me të vërtetë çaste dramatike. Të pafuqishëm për çdo veprim, ata vetëm prisnin që dikush do t’u vinte në ndihmë. Dhe ja, për fatin e tyne, u dëgjue zhurma e pistoletave të shpimit. Pas pak, rryma e ajrit nisi të depërtojë aty nga një vrimë që kishin hap punëtorët. Kjo situatë e rrezikshme, tashma e përditshme, e bani Valentinin me mendue seriozisht se si me shpëtue prej saj. Në këtë gjendje lufte, të cilës nuk i dihej fundi, ai gjykoi se do t’ishte ma mirë me u kthye në Shqipni. Nga lajmet kishte mësue se atje ishte krijue një qeveri kombëtare dhe thuhej se vendi kishte ma shumë siguri për jetën.
48
Pamje e qendrës së vjetër të Bolonjës me dy kullat mesjetare.
Në këtë rrugë të Bolonjës, Massimo d’Azeglio, nr. 49, ishte shtëpia ku banonte Valentini me të shoqen dhe nanën e saj në periudhën, 19411944. Pas vitit 1991, ata banonin në rrugën SS Annunziata, nr. 19.
49
Udhёtimi pa kthim
Pra, Valentini rrezikohej jo vetëm nga bombardimet, por edhe nga arrestimi prej gjermanëve ose fashistëve. Pas disa ditësh, atë vjen dhe e takon një shok i tij, Nuri Nuçi, i cili po nisej me të shoqen për në Shqipni. Valentinit iu mbush mendja, por s’kishte dokumente. Në bashkëpunim me Nuriun, qё njihte njё person qё merrej me falsifikime, ata u pajisёn me pasaporta si studentë, me emna të rremë, sigurisht. Ata morën viza nga komanda gjermane. Edhe Nuriu ishte martue me një italiane, të cilën do ta merrte me vete. Në fakt, Valentini desh t‘ia mbushte mendjen Gorit që ajo të mos nisej me të, por ta priste në Bolonja. Sipas premtimit të tij, ai do të vinte ta merrte atë, sapo të mbaronte lufta. Gori nuk pranoi dhe kështu ata vendosën të merrnin udhëtimin për në Shqipni të dy bashkë. Ata u nisën në muejin gusht të vitit 1944. Në rrugëtimin e tyne u ndalën në Verona, ku Gori kishte një motër të martueme me drejtorin e filialit të Mondadorit. Burrë e grue u munduen t‘u mbushnin mendjen që të mos shkonin në Shqipni. Madje u thanë të qendronin tek ata sa të donin, derisa të merrte fund lufta. Por dy të rijt nuk ndryshuen mendje. Dhe ata u ndanë me parandjenjën se nuk do shiheshin kurrë ma me njeni-tjetrin. Ata arritën me tren në Vjenë, ku u desh të paraqiten në polici. I priti një oficer gjerman, të cilit i thanë se kishin vazhdue studimet në Universitetin e Napolit, por nuk mund të shkonin, 50
sepse atje ishin trupat aleate. Prandaj ma mirë për ta ishte me u kthye në vendin e tyne në Shqipni. - Mirë, - u kishte thanë oficeri. -Por deri në ditën e nisjes jeni të detyruem me u paraqitë çdo ditë këtu. Dhe mund të niseni vetëm kur të na vijë autorizimi. Ndërkaq, ata filluen të marrin informata mbi gjendjen në Shqipni nga shqiptarё qё ishin largue qё andej. Ata u treguen se gjendja atje ishte si mos ma keq. Nuk mjaftonte lufta kundra pushtuesit, por kishte nis lufta midis kundërshtarëve politikë, pra lufta civile. Komunistët kërkonin me marrë pushtetin me çdo kusht dhe kishin fillue me ba krime. Nga këto që dëgjuen, ata vendosën me u kthye prapë në Itali. Prandaj shkuen në konsullatën italiane për t’u lejue atyne kthimin, por atje u thanë se pa autorizimin e policisë gjermane nuk mund të ktheheshin në Itali. Kështu që ata shkuen në polici, me shpresë se do t’i lejonin me u kthye në Itali. Oficeri, që i kishte prit edhe herën e parë, u foli me një nënqeshje ironike : - Mbasi nuk doni të vazhdoni udhëtimin e nisun, jeni të detyruem me zbatue ligjet në fuqi të shtetit tonë. Ju do tё punoni ty ku ju caktojnë autoritetet vendore. Në qytet nuk ka vende pune, prandaj duhet te shkoni të punoni në fabrikat tona, në periferi të qytetit. Aty do të paguheni mirë. Nesër në mëngjes pres përgjigjen përfundimtare. Sipas informatave që morën, fabrikat bombardoheshin vazhdimisht nga flota ajrore amerikane. Të nesërmen ata shkuen dhe i thanë oficerit se s’kishin nevojë me punue, sepse kishin me se të jetonin. Ai iu përgjigj në mënyrë të preme: 51
- Tani për ju ka dy rrugë: ose të vazhdoni udhëtimin për në Shqipni, ose, në të kundërt, brenda tre ditëve, duhet të regjistroheni në fabrikat ku do të caktoheni. Zgjidhje tjetër nuk k a. Po tё kishin qenё pa mjete financiare, ata do tё kishin pranue tё punonin nё ato fabrika. Ndёrkohë, ata do të pёrpiqeshin me gjet njё mundёsi qё tё ktheheshin nё Itali, edhe në forma tё fshehta, e me çdo lloj mjeti, deri dhe me kambё. Lajmet qё kishin marrё pёr Shqipninё ishin gjithnjё e ma tё kёqija. Por s’kishte tjetër zgjidhje. Kёshtu qё u detyruen t’i nёshtroheshin situatёs. Ata i komunikuen oficerit do të vazhdonin udhëtimin. Oficeri u shpjegoi se ata duhet të prisnin leje-kalimin që vinte nga komanda. Dhe dokumenti për lejen arriti pas dy muejve. Gjatë kësaj kohe atyne iu desh të shisnin disa sende me vlerë tё grave për të shtyrë ditët në atë qytet të bukur e madhështor, por, mjerisht, të pushtuem… Erdhi dita të vazhdonin udhëtimin. Ata morën trenin për në Zagreb. Qyteti i bukur ndahej në qytetin e vjetër e qytetin e ri. Ky i fundit kishte shumë ndërtime të stilit vjenez, madje teatri ishte një kopje e Teatrit të Operas së Vjenës. Nuk dalluen shenja shkatërrimi, siç kishin parë në Itali, sepse Zagrebin nuk e kishte prekë lufta. Por ai dukej si një qytet i braktisun, sepse kishte pak lëvizje njerëzish. Ata nuk munden me vazhdue për në Beograd, sepse urat e trenave ishin shkatërrue prej aviacionit amerikan. Kështu që të nesërmen u kthyen në Vjenë, prej ku u nisën për në Budapest. Aty treni nisej në drejtim të një linje hekurudhore në veri të Jugosllavisë, për në Esseg, e prej andej në Beograd. Në Esseg u detyruen me zbrit, se 52
kishte alarm ajror, por pjesa ma e madhe e ushtarakëve ndejti në tren. Avionët kaluen mbi zonën për të goditur objektiva të tjerë. Pastaj ata u nisën përsëri dhe arritën në Beograd. Qyteti ishte kthye në gërmadha. Mungonin dritat, uji, gazi e çdo gja. Gjatë atyne tre ditëve që ndejtën aty, ata takuen disa italianë që i këshilluen të mos shkonin në Shqipni, sepse atje ishte ma keq se në Jugosllavi. Beogradi ishte rrënue nga bombardimi i aviacionit gjerman në ditë e para të pushtimit. Të gjitha ato shkatërrime ishin shkaktue në një natë të vetme. Sipas banorëve, atë natë kishin humbë jetën mbi 27 mijë njerëz. Për çudi, i vetmi grataçiel i qytetit, me 20 kate, kishte mbetë në kambë, i paprekun. Qyteti ishte krejt bosh. Rrallë dukej ndonjë kalimtar. Krejt ndryshe nga këshillat e italianëve, të dyja çiftet u nisën drejt Shkupit, me qëllimin me kalue në Greqi e me arritë në Athinë. Plani ishte mendue mire, por fati do tё vendoste ndryshe. Pas 40 km u desht të zbrisnin, sepse ura hekurudhore mbi lumë ishte prishë nga bombardimet. Ata e kaluen lumin me kambë dhe arritën në qytetin Kralievo. Ma vonё do tё kujtoheshin se aty kishin gabue. Ata duhet tё ishin kthye me trenin nё Shkup, ku mund tё qëndronin e tё gjenin njё mёnyrё me kalue nё Greqi. Por nё atё situatё, ata nuk e merrnin me mend se çfarë i priste edhe nё Shqipni. Nё fund tё fundit, mendonin ata, do kishin tё banin me shqiptarё. Aq ma tepёr, ata vinin pothuej si tё huej nga qёndrimi i gjatё nё Itali pёr studime. Pastaj, si oficerё akademistё, ata ishin nё gjendje t’i shёrbenin atdheut. Kёshtu, si mbetёn nё rrugё, të katërt menduen të shkonin në qendër të qytetit. Kralievon e gjetën krejt të 53
boshatisun. Hynë në një lokal mjaft të madh, i mbushun me karrika e tavolina. Vendosen me kalue natën aty, duke bashkue tavolinat e duke i mbajtë fare pranë valixhet. U kishin thanë se në atë krahinë bahej luftë e rreptë civile midis komunistëve dhe nacionalistëve. Saqë, kur kalonin andej repartet gjermane nuk i trazonte njeri. Atë natë nuk i zuni gjumi nga frika se mos vinte kush me i vjedh. Të nesërmen, ata dolën në rrugën kryesore me shpresë mos kalonte ndonjë mjet gjerman. Banorët u kishin thanë se pikërisht në atë periudhë kalonin shpesh mjete ushtarake gjermane. Ata pritën një kohë të gjatë aty, derisa erdhi një kolonë gjermane. Kamionët ishin pothuaj bosh. Siç dukej, po shkonin me marrë trupa e materiale në Shqipni. Gjermanët po tërhiqeshin, ndonse me shumë ngadalësi. Por mjetet gjermane nuk shkonin nё Greqi, e cila do tё kishte qenё njё zgjidhje e favorshme pёr ta me kalue nё Itali. Valentini e Nuriu u paraqiten te komandanti dhe i thanë se donin të shkonin në Shqipni. Pa u folë fare, ai u kishte tregue me gisht një makinë, ku ata u sistemuen. Pas një ore autokolona vazhdoi udhëtimin. Deri atëherë, me përjashtim të dy rasteve të alarmit ajror në tokën hungareze, ku ishin detyrue të zbrisnin e të shpërndaheshin nëpër kaçube e ferra, nuk kishin kalue asnjë rrezik nga ndonjë sulm ajror. Kësaj radhe, pas dy orë udhëtimi, andej nga mbramja, një avion gjuejtës i bardhë, sigurisht anglez, u duk pas një kodrine. Kolona u ndal e të gjithë zbritën, tue kërkue ndonjë vend me u fshehë. Kur gjuejtësi filloj të mitralojë, Valentini me Gorin ishin ulur pas trungut të një peme. I kishin dëgjue fishkëllimat e plumbave t‘u kalonin afër, duke ngrit pluhun e copa dheu 54
përreth. Avioni kaloi në anën tjetër për t‘u rikthyer, gjithashtu edhe çifti kaloi në anën tjetër të trungut. Gjermanët iu përgjigjen me mitroloza e me pushkë. Kësaj here, plumbat kaluen ma afër e njeni shpoi peliçen e Gorit, por ajo nuk e kishte kuptue. Gjuejtsi kaloi edhe dy herë andej-këndej e pastaj u zhduk. Nja katër a pesë mjete ishin damtue, një kishte marrë flakë dhe dy ushtarë ishin plagos, por jo randë. Nuk vonoi dhe autokolona u nis përsëri. Vetëm pas një ore, Gori e pa vrimën në peliçen e saj prej astrakani, që ishte një provë e rrezikut që kishin kalue. Ata udhëtuen gjith natën, por me frikë se mos sulmoheshin nga ndonjë grup partizanësh, që vepronin atyre anëve. Ma në fund, ata arritën në Prizren. Këtu morën vesh shumë gjana, por nuk kishin ma mundësi kthimi. Ndërkohë, Valentini u njoh me disa banorë të qytetit. Ata kishin ndigjue për babën tonë, kur ai kishte qenë në Kosovë për organizimin e ushtrisë dhe të forcave vullnetare kosovare. Siç dihet, ato do të vepronin në mbrojtje të kufijve veriorë të shtetit etnik të krijuem pas pushtimit të Jugosllavisë nga ana e gjermanëve. Ata i folën me admirim e vlerësim për gjeneralin, siç e thirrnin tim atë, dhe i ndihmuen katër udhëtarët për ato dy ditë sa qëndruen në Prizren. Ata patën fat të hypnin në një tjetër kamion gjerman dhe pas dy ditësh udhëtimi, sigurisht, me ndalesa e pengesa rrugës, arritën në Shkodër.
55
Mbrritja në atdhe
Ata arritën në Shkodër më 10 tetor 1944. Nuri Nuçi kishte një kushri aty dhe ata pyetën për adresën e tij. Ndërkaq, drejt tyne afrohet duke buzëqesh një oficer. - Më falni. Në mos gabohem, ju jeni Valentini, djali i gjeneral Prenk Pervizit. Valentini, i befasuem, ia ktheu: -Po, unë jam. Po ju, zotni, si më njohët? Kush jeni ju? -Un jam Ded Lufi dhe qëndroj në shtabin e gjeneralit. Të kam njohun në Tiranë, para tre vjetëve, kur ishit në një mbledhje oficerësh. Ju kishit ardh për pushimet verore. Po juve, pse keni ardhë këtu në këtë kohë? Pse nuk qëndruet në Itali? Apo nuk dini gja për babën e familjen tuej? - Gëzohem që u takova. Tani po kujtohem se kush jeni. Unë s’di gja për familjen. Tani sapo mbrrita në Shqipni. Kjo asht grueja ime. Valentini i prezantoi atij Gorin. Kapiteni vazhdoi shpjegimin : - Unë jam dërgue nga gjenerali me takue disa njerëz këtu. Ai ka dalë në mal me shtabin e tij dhe asht bashkue me misionin anglez në Skuraj. Familja juej, gjyshja, nana e dy vllaznit, Genci e Leka, janë strehue te Nikoll Llesh Gjoka. Unë kam qenë do kohë me ta. Po me vjen keq që keni ardh në një kohë të papërshtatshme. Asht fol për ju. Por askujt nuk i shkonte mendja që ju të jeni në Shqipni. Për ma tepër, bashkë me gruen. Duhet të ruheni edhe këtu. Sepse po ju diktuen gjermanët, mund ta pësoni keq! Unë do të kthehem prapë te gjenerali dhe do t’i them 56
për ju. Po të keni letër, unë ia çoj në dorë. Po a e dini se këtu në Shkodër ju keni Gjomarkajt, kushrijt e nipat tuej? Ejani me mue se po ju shoqnoj deri te shtëpia tyne. Unë nuk mund të qëndroj ma gjatë me ju, sepse duhet me u nis patjetër. Kështu foli oficeri, duke i lënë ata, vërtet, të habitun. Ata u ndanë nga Nuri Nuçi dhe e shoqja për të mos u pa ma kurrë me ta. Fatet e tyne do të merrnin drejtime te ndryshme. Nuriu, që e nxiti të vinte në Shqipni, e gjeti mënyrën dhe u rikthye prapë në Itali, madje pa telashe, më 1945. Kurse Valentini mbeti në atdhe për me jetue deri në fund fatin e tij të hidhun nëpër burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Ata hynë në një kafe, ku Valentini shkruejti shpejt e shpejt një letër për babën. Pastaj Ded Lufi mori një karrocë dhe i përcolli deri te shtëpia e Gjomarkajve. Aty u përshëndet me ta, por para se me u largue, ai nxori një sasi napolonash dhe ia dha Valentinit. Sa u largue kapiteni, ata trokitën në derën e madhe. I pritën dy vajzat e kapidan Gjonit, Marta dhe Bardha, dhe tre djemt, Lleshi, Deda e Nikolla. Ata u përqafuen me përmallim. Në dhomën e madhe të pritjes erdhi edhe nanë Mrika, kushrina e babës. U përfalën me të me dashuni. Pastaj erdhi kapidan Gjoni me Nduen, djalin e dytë. Djali i madh, Marku, ishte në studion e tij. Sa mori vesh, ia behu dhe ai dhe i takoi përzemërsisht. Marku u tërhoqi vërejtjen se si kishin guxue me u kthye në Shqipni, ku gjithçka po merrte fund. Të gjithë ishin të befasuem e të çuditun me ardhjen e Valentinit. 57
Siç ishte rasti, biseda e tyne u ndal në shumë gjana, derisa Valentini mori leje me u largue me Gorin. Asnjenit nuk i shkoi mendja me pyet se ku do të shkonin këta dy fatkeqë! Aq shumë ishin të shastisun nga ky takim i papritun, saqë harruen t’i mbanin edhe për drekë! Jo ma që t'u thoshin që të rrinin aty, si në shtëpinë e tyne. Edhe Valentini, i çoroditun nga si i kishin shkue punët, dhe i emocionuem, nuk u kërkoi atyne që t’i vinin në ndihmë në ato çaste aq kritike. Kështu, ata u larguen si të kishin qenë në një vizitë të çastit. Me sa duket, fati i kishte kurdisë mirë intrigat e veta. Ata dolën në rrugën kryesore të Shkodrës dhe arritën para Kafes së Madhe. Aty takohen rastësisht me Ernest Gjeçin, shok i Valentinit, me gradën kapiten. Sapo u ulën në kafe, Ernesti u tha, i alarmuem, se nuk po u besonte syve të vet. Si me ardhë në Shqipni? E me grue italiane! A e din se familja, baba…? -Duhet të largoheni sa ma parë prej këtu ! Gjermanën janë të inatosun me gjeneralin. Po ju diktuen, e keni keq! Të marrim në telefon Lek Vojvodën (Vuksanin). Duhet me u strehue tek ai, në Theth. Ernesti i përcolli deri te komanda e xhandarmërisë, prej ku u lidhën me telefon me Lekën. Ai ishte qark komandant i zonës së Dukagjinit dhe Malsisë së Madhe. Ai u tregue i gatshëm me i marrë atje. Ranë dakord që të shoqëroheshin nga dy xhandarë. Ernesti bisedoi me ata të komandës dhe gjithçka u rregullue me u nis të nesërmen në mëngjes. Atë natë qëndruen nё shtëpinë e Ernestit. Të nesërmen u nisën për në Theth. Ernesti i përcolli deri në njëfar vendi. Kur arritën në Theth, takimi u ba 58
festë e madhe. Lek Vuksani ishte miku ma i ngushtë i Valentinit. Ai njihej si burrë besnik dhe oficer i zoti. Kishte mbarue akademinë me Valentinin në Modena për armën e karabinierisë. Në atë kohë, Leka, me gradën kapiten, siç thamë, ishte komandant i xhandarmërisë për krejt Dukagjinin me qendër në Koplik. Kurse shtëpinë e tij e kishte në Theth. Kur e mori vesh largimin e Valentinit nga Gjomarkajt, Marku u kishte folë ashpër motrave dhe vllazënve që i kishin lanë me ikë. Ku do të përplaseshin ata, kur gjenerali me familjen kanë marrë malin ?! Ky reagim i Markut i mobilizoi të gjithë : motra, vllazën e shërbëtorë, të cilët u vunë në kërkim të çiftit. Ata i ranë kryq e tërthor Shkodrës, por askush nuk dinte me u thanë gja. Takimi me Ernestin dhe vajtja në shtëpi të tij, pa e dit njeri, i kishte humb gjurmët e dy bashkëshortëve. Ngjarjet ishin rrokullis aq shpejt, saqë ata sikur ishin zhduk, si me një veprim magjik. Ma vonë, Marku e mori vesh se ata gjëndeshin në Theth, dhe u kërkoi që të ktheheshin në Shkodër. Valentini nuk mund të merrte më vendime vetjake. Po të ishte kthye në Shkodër, mbase ai do të shpëtonte, sepse kapidan Gjoni me Nduen do të niseshin, pas gjermanëve, për në Itali. Dhe me siguri, ata do t’i kishin marrë me vete edhe Valentinin me të shoqen. Ata gjendeshin në Theth. Gorin e bëri për vete ky vend malor, sjelljet dhe akonet e malësorve. Natyra ishte e bukur, njerëzit të thjeshtë e mikpritës. Asaj i pëlqente ushqimi natyral dhe uji i mrekullueshëm. Ajri ishte i pastër dhe klima e shëndetshme. Sa qëndruen aty, koha mbajti mirë. Ishte vërtet një vend ideal për pushime turistike. Dhe do të kishte qenë një eksperiencë e bukur, 59
po mos të kishin ndodh disa ngjarje të shëmtueme të shkaktueme nga arroganca kriminale e brigadave partizane, që po depërtonin drejt Shkodrës, Dukagjinit e Malësisë së Madhe. E keqja po afrohej çdo ditë e ma tepër dhe kjo rrezikonte vetë Lek Vuksanin dhe malësorët trima e patriotë. Tani doli problemi se si me i shpëtue mysafirët. Ata duheshin rikthye në Shkodër patjetër. Edhe Mark Gjomarkaj kishte telefonue që ata të zbrisnin në qytet sa ma parë. Po si do të lëviznin, kur komunistët qarkullonin kudo? Lek Vuksani do të qëndronte në mal, me forcat e veta, për një qëndresë të fundit. Në këto rrethana, një mik u zotue me i ndihmue në rrugëtimin e tyne për në Shkodër. Ky ishte profesor Kol Prela, i cili ishte përfshi në lëvizjen NÇL si komunist me pozitë drejtuese. Ai e mori përsipër përcjelljen e çiftit. Gori duhej nisun e shoqnueme prej disa malsorëve, burra e gra. Ajo do të paraqitej si një qytetare memece, që po kthehej në Shkodër te njerëzit e saj. Kurse Valentinin e merrte përsipër ta shoqnonte vetë Kola, që do të zbriste në Shkodër për detyrën që kishte. Por ai do të nisej ma vonë. Dhe ashtu u veprue. Gori arriti mirë në Shkodër dhe u strehue te Gjomarkajt. Ndërkohë, kapidan Gjoni vendosi të largohej nga Shqipnia me djalin e dytë, Nduen. Ai e ftoi Gorin të nisej me ta, por ajo nuk pranoi. Ajo nuk donte të ndahej me Valentinin. Nga ana tjetër, Marku me Lleshin do të dilnin në malet e Mirditës, për të organizue qëndresën kundër komunizmit. Familja do të strehohej në rrethinat e Shkodrës te disa miq besnikë. Në shtëpi do të rrinin dy djemt ma të rij, Deda dhe Nikolla. Marku i dha Gorit një sasi të mirë paresh. E mbetun vetëm, ajo u 60
strehue te një mik i Ernest Gjeçit. Kjo ndodhi në fillim të nandorit. Nga fundi i muejit zbriti edhe Valentini. Kol Prela kishte arritë me kapërcye momente të vështira në atë udhëtim të rrezikshëm. Në Shkodër, çifti gjeti një dhomë te një familje. Disa miq shkodranë i kishin ndihmue. Qyteti kishte ra tashma në dorë të komunistëve, të cilët filluen arrestimet, burgosjet e pushkatimet. Çdo ditë në zallin e Kirit ekzekutoheshin me dhjetra burra pa gjyq. Forcat partizane nën komandën e Mehmet Shehut vendosën në dhjetor gjendjen e shtetrrethimit. Frika nga terrori i kuq pushtoi pothuej gjithë banorët e qytetit. Tani pushkatimet baheshin jo vetёm nё lumin e Kirit, por edhe brenda nё lagjet e rrugicat e qytetit. Me sa duket, E.Hoxha i kishte dhanë liri të plotë M.Shehit për të përdorur, pa mëshirë e pa dallim, mjetet ma të dhunshme, mjafton të shtypej e të vihej nën kontroll popullsia nё Shkodёr, e njohun si kundёrshtare e komunizmit. Për disa ditë me radhë nuk u lejue qarkullimi ditën as natën. U krijuen disa skuadra të armatosuna partizane, që kishin urdhën me kontrollue gjithë popullatën shtëpi për shtëpi. Këto skuadra ndihmoheshin nga një ose dy këshilltarë në çdo lagje. Këta këshilltarë, që i njihnin mirë banorët, ishin komunistë e besnikë të regjimit. Brenda një kohe të shkurtër u arrestuen qindra njerëz. Burgjet u mbushën plot e përplot. Aq sa edhe disa banesa private dhe kuvendi i françeskanëve u kthyen në burgje. Shumë klerikë katolikë u arrestuen, u vunë në tortura egërsisht dhe u pushkatuen pa gjyq. Ishte java e fundit e dhjetorit 1944. 61
Arrestimi dhe burgosja
I ashtuquejtuni çlirim i vendit nisi në Shkodër me një shtetrrethim të plotё. Çdo qytetar apo familje duhet tё vinte emnin nё derё tё banesёs. Valentini e Gori ishin mbyll nё dhomёn e tyne. Njё parandjenjë frike i kishte mbёrthye, sepse Valentini mbante akoma revolverin e tij « Browning“. Fëmijët e shtëpisë ku banonin, e panë duke ardhë skuadrën e kontrollit dhe i lajmëruen Valentinin e Gorin. Duke qenë se në ato ditë me shi e borë u ishin lagë rrobat, ata i kishin varë ato në një litar të fiksuem në murin e dhomës, ndër to edhe pardesynë e Gorit. Ishin shumë të shqetësuem për revolverin. Nuk dinin se ku ta fshihnin. Valentini u ba gati ta hidhte diku nga dritarja. Partizanët kishin fillue kontrollin poshtë, por këshilltari i lagjes u tha të mos merreshin me atë familje, por të ngjiteshin në katin e sipërm. Ai e dinte mirë se kush ishte Valentini. E kështu ato filluen të ngjitin shkallët. Valentini ishte tensionuem. Hapat u afruen dhe ata trokitën në derë. Në atë çast Gori e mori revolverin dhe e futi në xhepin e pardesysë së vet të lagun. Partizanët hynë dhe filluen kontrollin. Ata nuk banë pyetje. Siç duket, ata nuk e kishin lexue emnin nё derё. Megjithëse çifti kishte pak tesha, kontrolli u ba i imtë. Një vajzë partizane, që kontrollonte, pa që pardesyja ishte e lagun dhe e kaloi tutje. Pas pak, kontrolli mbaroi dhe ata dolën nga dhoma. Valentini e Gori morёn frymё lirisht duke mendue se i kishin shpёtue rrezikut. Por nё katin e parё këshilltari u tha diçka partizanёve dhe ata u kthyen përsëri. Mbi derë ishte 62
shkrue « Valentin Pervizi ». Siç duket, këshilltari zemërlig u kishte tregue se bir i kujt ishte Valentini. Një nga partizanët i kërkoi dokumentin e identitetit dhe zbriti poshtë me gjithë të tjerët. Pas pak, një djalë u ngjit nalt dhe i tha Valentinit se partizanët e kërkonin poshtë. Ata po pinin kafe me nga një gotë raki. Njeni prej tyne e pyeti se çfarë e kishte Prenk Pervizin dhe i tha se duhej të shkonte me ta deri te komanda për disa sqarime. Pastaj do të kthehej prapë në shtëpi. Kjo ishte njё metodё e njohun e tyne pёr arrestimin e njerёzve. Valentini e përmbajti emocionin dhe u ngjit me qetësue Gorin, e cila nisi të qante. Ishte momenti i ndarjes. Uliksi i ri, Valentini, po nisej pёr luftё, jo si ajo e Trojёs, por po aq e rrezikshme dhe e stёrgjatun, qё nuk i dihej mbarimi, as mundёsia e kthimit te Penelopa e tij e dashun. Valentini u përqafue me Gorin dhe u nis pas partizanëve. Kur arritën të dera e oborrit, një partizan i shprehu keqardhjen se po i vinte prangat. Fqinjët, që po rrinin jashtë me Gorin, ja nisën edhe me qa. Këto ishin çaste tronditëse për të gjithë ata që e shihnin këtë skenë. Ma në fund, skuadra arriti te komanda. Kryetari i Degës së Brendshme e priste në zyrën e tij. Sapo e pa, i hodhi një vështrim djallëzor dhe i foli me ironi: - Malli për atdheun të shtyu me ardhë këndej apo jo? - Sigurisht! u përgjigj Valentini. Dhe ai foli përsëri: - Por, si duket, atdheu nuk të ka pritun mirë? Ti duhet të ishe bashkue me partizanët e Italisë, për me dhanë edhe ti kontributin e duhun për kauzën e përbashkët. Si thue? 63
- Nuk kisha ndërmend me lanë lëkurën time në një tokë të huej, - vazhdoi Valentini. - Ajo nuk asht një arsye e pranueshme, - përfundoi kryetari dhe u dha urdhën partizanëve me e çue në burgun e gestapos. Ky burg ishte një banesë që gjermanët e kishin kthye në burg, duke e pajisë me biruca të ngushta prej betoni. - Pa shiko, pa shiko! - i tha drejtori i burgut, sa mori vesh se kush ishte dhe vazhdoi: - E kam njohun babën tand, kur kryeja shërbimin ushtarak në garnizonin e Korçës, ku ai ishte komandant. Ai ishte një njeri që gëzonte respektin e të gjithëve, përveç tones. Ai nuk e pranoi ofertën që i bani udhëheqja jonë me u bashkue me forcat partizane. Ai ia hoqi prangat Valentinit dhe e përcolli me njё polic deri te dera e një prej dhomave të mëdha. Kur u hap dera, atë e përfshiu një mjegull tymi cigaresh dhe duhma e qelbun, sa me t’ardhë me vjellë. Polici e shtyu me dorё dhe Valentinit iu desh të hynte aty brenda. Pjesa ma e madhe e atyne që ishin mbyllë në atë dhomë ishin shkodranë. Kur dera u mbyll me zhurmën e shulave prej hekuri, pothuejse të gjithë sa ishin aty, u kthyen me e shikue me kureshtje. Ai ishte një fytyrë e re dhe e panjohun për ta. Ashtu në kambë për do kohë, ai nuk po dallonte një vend të lirë për me u rreshtue edhe ai me të tjerët. Një prej tyne i bani me shej që të afrohej e të ulej pranë tij, ndërsa të tjerët u shtrënguen me i lirue pak vend. Valentini ishte tepër i pikëlluem, por u mundue të mos e tregonte gjendjen e tij shpirtnore. Ai që e ftoi afër tij, ishte një kapiten e xhandarmërisë dhe quhej Pjetër Gurakuqi. Kur e mori 64
vesh se kush ishte, ai u tregue i përzemërt duke i dhanë kurajo. Mbas pak kohe, në pamundësi me u shtri, ata u mbështetën pas njeni-tjetrit me fjetë, ndërsa të tjerë kishin fillue me gërhatë. Natyrisht, kur tё burgosunit morёn vesh se kush ishte dhe se kishte ardhё bashkё me gruen italiane, atyne u erdhi shumё keq. Atij iu desh t’u përgjigjej pyetjeve të tyne, sepse familja jonë ishte e njohun, sidomos im atë, e po aty në atë qeli kishte nga ata që kishin shërbye me të. Iu desh me shpjegue arsyet që e kishin shty me braktisë Italinë e me ardhë në Shqipni, me gjithë pengesat e rreziqet që kishte përballue gjatë udhëtimit. Pjetri, e kishte pickue pakëz për t‘i dhanë me kuptue që t‘i peshonte mirë fjalët, se ato mund të interpretoheshin edhe për së mbrapshti, mbasi aty mund të kishte edhe spiunë të futun nga komunistët për me raportue. Të nesërmen, Pjetri, si përgjegjës i dhomës, ua mbushi mendjen rojeve që të lironin një dhomë tjetër, se aty ishin ngushtue shumë dhe nuk shtriheshin dot me fjetë. Ngjit me atë dhomë ishte një tjetër me materiale të ndryshme. Rojet bashkë me partizanët dhe disa të burgosun e liruen atë, kështu që gjysma e të burgosunve kaloi atje. Pjetri e mbajti Valentinin pranë. Kjo e përmirësoi pak gjendjen. Ditën tjetër, para se të binte nata, disa familje kishin arritë me marrë një leje të posaçme për me u sjellë veshje e mbulesa në burg. Edhe Valentinit i sollën nja dy batanije. Ishte dita e katërt e shtetrrethimit që vazhdonte t’ishte në fuqi. Ditën e pestë shtetrrethimi u hoq, kështu që të dielën e parë u lejue takimi dhe me të burgosunit. Edhe Gori pati mundësi të shihej me Valentinin prapa hekurave. Ajo i dha me kuptue se 65
dikush i dërguem nga i ati, i kishte sjellë asaj lekë dhe përshëndetjet e gjithë familjes, që qëndronte e fshehun në mal. Personi i dërguem quhej Bibë. Valentini e kishte kuptue se ishte fjala pёr Bib Brozin, një bashkëpunëtor besnik i prindit tonë. Në fakt, Valentini e kishte marrë vesh se baba kishte dalë në mal, ku rrinte me anglezët dhe se familja jonë ishte strehue te fisi shumë besnik i Nikoll Llesh Gjokës, në malin e Skurajt. Por ngjarjet ishin zhvillue të atilla, saqë kontaktet e tij me ta ishin ba të pamundshme. Kur kishin marrë vesh ardhjen e Valentinit në Shkodër me gjithë gruen, të gjithë familjarët ishin mërzitë shumë. Si ishte e mundun që ai kishte ardhë këtu në atë kohë aq të rrezikshme ? Si mund të lidheshin ata me djalin e tyne ? Ata ishin vetë si mos ma keq, të fshehun e të ndjekun nga forcat partizane që kishin urdhën me i asgjësue. Pavarësisht nga këto kondita të rrezikshme, im atë e kishte thirr një ditë Bibë Brozin dhe i kishte besue detyrën e vështirë me shkue në Shkodër dhe me u takue me Valentinin. I kishte dhanë edhe porosi gojore për disa miq dhe oficerë që kishin shërbye me të. Kështu Bib Brozi kishte arritë në Shkodër pikërisht në ditët e shtetrrethimit. Njohës i mirë i zonës dhe i shkathtë në veprimet, ai kishte hy natën në qytet, pa e diktue nga patrullat dhe rojet partizane, që lëviznin ngado. Aty kishte disa miq të tij, ku mori informata për burgosjen e Valentinit dy ditë ma përpara. Me shumë kujdes dhe pa e pa kush, ai kishte shkue te banesa ku banonte Gori. Kjo, krejt e trembun dhe e tronditun, kishte pyet italisht: « Chi bussa, chi siete? » Biba iu përgjigj: « Amico, amico, venire da gjenerale. » Ajo e kishte hapë pakëz derën dhe Biba i kishte thanё prapё 66
po ato fjalё: « Venire da gjenerale Pervizi ». Gori e kishte lejue me hy brenda. Ai i kishte tregue (e fliste pak italishten) se ishte besnik i familjes dhe kështu u morën vesh. Ai i dorëzoi edhe një letër që kishte shkrue Genci, ku shpjegonte gjithë punët dhe gjendjen e familjes. Letrën Genci kishte shkrue italisht, në mënyrë që ta lexonte edhe Gori. Kështu ajo e mori vesh krejt situatën e familjes dhe rreziqet qe e prisnin edhe në t’ardhmen prej komunistëve që kishin marrë në dorë pushtetin dhe kishin fillue me vendosë terrorin kudo. Ndërsa Gori i tregoi Bibës gjithë historinë e udhëtimit, deri në Shqipni, të arrestimit të Valentinit, dhe se si ai kishte shpëtue rastësisht pa ia gjetë revolverin, që do ta kishte rrezikue ma tepër gjendjen e tij. Biba ishte çuditë se si Gori ishte tregue një grue burrneshë dhe e shkathët, që i kishte shkue mendja me e fshehë revolverin në pardesynë e lagun të varun në tel. Ai e mori me vete revolverin, sepse prania e tij e frikësonte shumë Gorin. Ana ma e mirë e këtij aksioni guximtar të Bibës ishte se i dorëzoi një sasi të mirë napolonash kartmonedhë, që e shpëtonin Gorin për një kohë nga gjendja e mjerueshme ku ishte katandisë. Biba i dha kurajo e shpresë, sepse ndoshta punët rregulloheshin mbas hovit të parë të masave shtypëse të komunistëve. Ndoshta edhe aleatët mund të ndërhynin. Ata kishin premtue se do të vepronin për normalizimin e gjendjes, kishte vazhdue Biba, duke e qetësue italianen, e mbetun tashti në vend të huej e mes katër rrugëve. Atë natë Biba fjeti aty, sepse ishte tepër vonë dhe ishte rrezik i madh me u kap nga patrullat jashtë. Ai ishte largue pa dalë mirë drita. Gori mori pak kurajo nga ky takim, qё e 67
lidhte me familjen e Valentinit, ku ajo do të bante pjesё tash e tutje. Ajo i dha Bibёs edhe një letër të gjatë që kishte pasë shkrue Valentini për ne, ku tregonte historinë e tyne, derisa kishin arritë në Shqipni. Nga një anë u gëzuem që Biba kishte gjet Gorin, por nga ana tjetër u mërzitëm për Valentinin që e kishin burgosë. Të pafuqishëm, siç ishim, qanim hallim ma shumë të Gorit, si një grue e re dhe e huej, pa mbrojtje e pa mundësi jetese në ato kushte. Pra, në atë takim me Gorin te burgu, Valentini u qetësue disi, kur mori vesh se ne kishim hy, ma në fund, në kontakt me Gorin, duke i çue asaj një ndihmë të mirë për konditat në tcilat ajo jetonte në Shkodër.
N’ato kondita të vështira dhe fillikat e vetme, Maries i dolën mike të vërteta vajzat Fabiani, që u kujdesën për të deri në ditën e riatdhesimit të saj n’Itali.
68
Tragjedi burgjesh
Valentini u ba i vetёdijshёm se burgu do të ishte fati i tij dhe ai duhej t’i pёrshtatej jetës me privacacione që e priste. Në dhomën qё u lirue nga gjysma e njerëzve, të burgosunit u sistemuen ma mirë, me ato pak gjana që kishin, duke zanë secili një vend prej katёr pëllambësh. Në këtë mënyrë, ata mund të shtriheshin, së paku, me pushue e me fjetë. Ndërkohë, Valentini kishte zanë miqësi me një mësues shkodran, që i vlejti shumë, sepse në atë ambient ai e ndiente veten krejt të huej. Ai quhej Gjon Harusha. Atë e kishin arrestue kot, si të gjithë të tjerët. Ai kishte punue si mësues prej ma shumë se dhjetë vjetësh dhe e respektonin si njeri të mirë. Të burgosunit kishin kalue dy javë në pritje që përfaqësuesit e autoriteteve t’u komunikonin arsyen e arrestimit të tyne. Por do të kalonin muej e muej, me radhë, pa i marrë njeri në pyetje. Duket se makina e diktaturës e kishte fillue punën e saj mizore. Herë pas here i merrnin disa të burgosun nga birucat në katin poshtë dhe i çonin në zallin e Kirit, ku i pushkatonin pa gjyq. Arsyen e dinin vetëm xhelatët e sigurimit të shtetit. Këto pushkatime hynin në programin e spastrimit, para se të fillonin me punue gjyqet speciale, që do të dënonin publikisht të gjithë ata që dyshoheshin se ishin kundërshtarë të regjimit të ri të diktaturës komuniste. Një oficer i sigurimit i kishte thanë në mirëbesim një të burgosuni se ato spastrime konsideroheshin të nevojshme. Qëllimi ishte për të eliminuar të gjithë ata që dyshoheshin, si të rrezikshëm, ose që kishin dhanë prova si ishin të tillë. 69
Sipas tij, për këta individë të padëshirueshëm nuk ishte nevoja të mbahej ndonjë proces ose gjyq! Një të diel, pas takimit të burgosunve me familjarët e tyne, Pjetri i ishte afrue Valentinit duke ndejtë i heshtun dhe i tronditun. Kishte marrë vesh një lajm të keq për veten e tij. Një mik nga Berati u kishte thanë të vetëve se sigurimi kishte thirrë njerëz të ndryshëm me marrë informata mbi Pjetrin. - Ja, - i kishte thanë Pjetri, - nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të më çojnë në Berat me më gjykue atje. Ai kishte qenë në Berat komandant xhandarmërie në kohën e gjermanëve, me gradën kapiten. Gjatë detyrës ishte mundue me i ardhë në ndihmë popullit dhe kishte fitue simpatinë e qytetarvë. Madje ai kishte shpëtue me dhjetra jetë të rijsh dhe kishte evitue shkatërrimin e qytetit prej gjermanëve. - E di, - kishte shtue, - se beratasit do më dalin në mbrojtje. Por çdo gja që bahet në favorin tim, më rrezikon ma tepër. Në sistemin komunist popullariteti për mirë asht një minus i madh. Pikërisht se kam një opinion shumë të mirë në Berat, kam parandjenja se kanë me më pushkatue. Nuk kaluen dhjetë ditë dhe Pjetrin e çuen në Berat, ku, siç e parashikoi ai, e pushkatuen, pavarësisht se shumë beratas dolën dëshmitarë në favor të tij. Gijotina e diktaturës tashma priste koka njerëzish pa mëshirë. Nga mesi muejit janar, burgu u mbush plot me malësorë nga anёt e Postribёs. Atje me 9-13 janar kishte nisё njё kryengritje nga fshatarsia e disa katundeve. Shumica e fshatarёve nuk kishin armё. Forcat komuniste nёn komandёn e M. Shehut kishin ndërhy menjëherё dhe 70
e kishin shpartallue lëvizjen qysh në nisjen e saj. Si hakmarrje, pati djegie shtёpish, tё pushkatuem e tё arrestuem, qё mbushёn qelitё e burgjeve. Edhe brenda nё Shkodёr u banё arrestime e burgosje intelektualёsh, me akuzën se kishin qenë tё lidhun me kryengritёsit. Ma vonё, nё burg sollёn disa prej atyne qё i shpёtuen pushkatimit. Ndёr ta ishte Osman Haxhia, qё nё gjyq kishte folë me krenari pёr kryengritjen, ku ai vetё kishte qenë ndёr kryetarёt. Për këtë qëndrim burrnor e kishin dënue me burg tё pёrjetshёm. Aty kishin sjellë edhe intelektualin Sami Repishti, dënue me 15 vjet, qё e çuen pastaj nё burgun e Burrelit, bashkё me Osmanin. Kёshtu u shue kryengritja antikomuniste e Postribёs. Nё kёto rrethana, në burg nisi të zbatohej ligji i revolucionit francez. Pa dalë mirë dita, në korridore dëgjoheshin hapat e rojeve dhe njerëzit i zinte ankthi. Befas, hapej dera dhe lexoheshin emnat e atyne që i priste vdekja. Sa e tmerrshme është, kur shikon shokun pranë të çohet e të vishet shpejt e shpejt dhe, kur e përqafon, ai të thotë në vesh : « Mos na harroni. Mirupafshim në botën tjetër! » Ky duket si njё ngushёllim i çuditshёm. Apo ishte njё bindje e vёrtetё?! Me vdekë, ishte si me shpёtue nga kjo jetё e mjerё, me kalue nё njё botё shpirtnore tё gёzueshme, aty ku mund tё takoheshe prapë e përjetësisht me tё dashunit, shokёt e miqtё, me të cilët po ndahesh për së gjalli. Valentinit i kishte ndodh sa herë që t’ia merrnin shokun në krah. Tashma burgu ishte kthye për shumëkend në një dhomë pritje pёr vdekjen. Emnat që thirreshin, kalonin nga dhoma në dhomë. Kështu i rastisi 71
Valentinit të dëgjonte persona, që ai kishte njohun aty në burg. Sapo ishte hap fjala e ardhjes së tij prej Italie, në atë kohë të frikshme, disa të burgosun, miq e të njohun të prindit tonë, vinin dhe e takonin. Ata ishin kryesisht ushtarakë, por edhe klerikë katolikë si Gjon Fausti, Daniel Dajani, Gjon Shllaku, Ndre Zadeja e të tjerë, që u pushkatuen. Burgu ishte vërtet një paradhomë e vdekjes. Herё pas here, nё mëngjes përsëritej e njëjta skenë në të gjitha dhomat e qelitë e burgut. Askush nuk e ndjente veten të sigurt për ditën tjetër. Por ata banin shaka e talleshin se kujt do t’i vinte radha. Veçanërisht në dhomën e tij, profesor Guljelm Deda, ose Lemi, i cili kishte ndjenjën e humorit. Ky ishte një humor që vinte nga thellësia e shpirtit, me largue ankthin që kishte pushtue të burgosunit. Hej, thoshte Lemi, po jetojmë e po vdesim si në kohën e revolucionit francez. Por me një ndryshim : s’na presin kokën. Të paktën, në botën tjetër të shkojmë me kokën tonë… Në atë dhomë, Valentini u njoh me Lemin dhe axhën e tij, kolonel Lin Dedën, me vllaznit e Prek Jakovës, Dedën dhe Çeskun, italianin At Jak Gardinin, Dom Nikoll Mazrrekun, mësuesin nga Kosova, Zef Agimin, prof. Angjelin Saraçin, me disa oficerë si Gjysh Sheldinë, Luigj Mikelin, Qazim Komanin, Fuad Dibrën etj. Valentini jetonte aty me emocione dhe tronditje shpirtnore, si gjithë shokët e tjerë, duke qenë në pritje të asaj që nuk mund të përfytyrohej, por që mund të ndodhte. Të gjithë ata bashkëvuejtës, miq e shokë të dashtun, që një fuqi e kobshme vinte me i marrë, duke i nda përgjithmonë prej të tjerëve, ishin ma tepër se vllazën. Dëshpërimi ishte i madh për vdekjen e tyne, sepse këtyne 72
martirëve nuk u tregohej asnjë faj apo arsye, sado e pabazë qoftë, për pushkatimin e tyne. Kur u hap fjala se do të krijoheshin gjyqet speciale, thuhej se të burgosunit do të kishin « privilegjin » të pushkatoheshin tash e tutje “zyrtarisht”, pra me një dokument. Madje Guljelm Deda kishte gjetë shkak me ba humor me këtë barbari të regjimit të ri. -Tashti po, gjyqi special! Nder і madh! Me pushkatim special! Ku ta marrësh? Shën Pjetri e hap derën e parrizit menjëherë për shpirtnat specialë! Një ditë, kishin sjellë në dhomën e Valentinit dy malësorë nga zona në kufi me Jugosllavinë. Njeni ishte i gjatë rreth 1.90 m, me trup të lidhun e muskuloz, me një fytyrë të rregullt, që shprehte një natyrë krenare. Ndërsa tjetri, pak ma i vogël, me një fytyrë të ashpër, që tregonte egërsi të madhe. I pari quhej Gjergj Luli e tjetri Gjek Marashi. Të dy ishin nga Kelmendi, qendra kryesore e asaj krahine malore. Në dhomë ishte njeni që i njihte mirë, që quhej Pjetër, i cili i kishte pa një ditë që i morën në pyetje në zyrën e burgut. Ai tregonte se ishin dy burra shumë trima dhe të besës, që rrallë gjendeshin në kohën e tanishme. Kishin luftue me trimni të madhe kundër forcave partizane, në orvatjen mos me i lanë me hy në malësi. Kur erdhën në fuqi komunistët, ato qёndruen në mal. Pasi kaluen disa muej, komandanti operativ i zonës, u çoi fjalë se kishte marrë urdhën me ua djegë shtëpitë dhe me internue familjet e tyne. Ai u kishte dhanë 48 orë afat me vendosë: ose me u dorëzue ose me ndejtë të arratisun. Për rastin e dytë, masat ndaj familjeve të tyne do t’ishin të ashpra. Prandaj të vendosnin. Për të shpëtue familjet dhe shtëpitë, ata pranuen të dorëzohen, me kusht që të mos i 73
prekte njeri me dorë. Komandanti partizan e kishte pranue menjëherë kushtin. Kështu, pasi u kishin tregue shokëve të burgut historinë e tyne, ata kishin shtue edhe këto fjalë : - Ne jemi në pritje me na pushkatue. Do vdesim me ndërgjegje të qetë se po shpëtojmë familjet dhe shtëpitë tona. A do të ketë, vallë, akoma njerëz të tillë në botë, me kaq kurajo e forcë morale, me këtë karakter e shpirt vetmohues ?! Një ditë, Gjeka i ishte afrue Valentinit dhe i kishte thanë : - Nëse e dëgjon një kangë që vjen nga jashtë, ajo asht një shej me të cilin një kushri i imi më lajmëron se nesër në mëngjes do të na pushkatojnë. Dhe vërtet, kanga e largët s’vonoi dhe u dëgjue. Kur ra nata, ai e luti Valentinin të luenin një domino katërshe. Valentini thirri profesor Angjelin Saraçin dhe Gjon Harushën që të bashkoheshin në atë lojë. Ata luejtën deri natën vonë, derisa Gjeka u tha shokëve ta falnin se donte me fjetë. Ma vonë, ishte çue dhe i kishte folë Valentinit : - Shikoje Gjergjin se si asht katandis në gjumë. Gjergji, ashtu i shtrimë, dukej krejt i skuqun dhe i mbuluem me djersë. Kushedi çfarë andrrash të tmerrshme e mundonin, të fundit në gjallje të tij ! Valentini deshi të pushonte, por nuk mundi me mbyllë sy atë natë. Disa herë, gjatë natës, e kishte pa Gjekën të çohej e të merrte leje me shkue në banjo, që gjëndej ngjitun me murin e rrethimit. Por më kot. Edhe po të kishte pasë flatrat, ai nuk 74
mund të kishte ba asgja me u arratisë, sepse mbi tarracën e burgut kishte roje të armatosuna me automatikë. Të nesërmen, pa zbardh mëngjesi erdhën dhe i morën të dy. Kur njeni nga rojet lexoi emnat, të gjithë u çuen në kambë me u përfalë me ta për herë të fundit. U përqafuen me lot ndër sy. Gjergji hoqi trikon e leshit të punueme bukur dhe ia dha Valentinit, duke e falënderue, sikur ky ia kishte dhanë ta mbante veshun. Në fakt, fanela ishte e tij, por si njeri i mirë që ishte, ia dha në një mënyrë, që rojet të mos e kuptonin se po ia linte si kujtim, përndryshe Valentini mund të kishte pasë një keqtrajtim për pranimin e saj. Ata do t’i pushkatonin në një vend afër Shkodrës, pikërisht në Koplik, ku Llesh Marashi kishte luftue kundra forcave partizane të M. Shehut nё janar 1945. Mbasi nuk ishte ma larg se 7-8 kilometra i kishin çue në kambë, sepse një ditë ma përpara i kishin njoftue gjithë partizanët dhe banorët përreth që të vinin me i pa se çfarë “kafshësh” ishin këta që do t'i pushkatonin. Partizanёt ishin rreshtue nga dyja anët e rrugës, që thërrisnin e shanin, si të çmendun, këta heroj të vërtetë. Kur i kishin çue në vendin e ekzekutimit, ku ishin mbledh gjithë njerëzit që i njihnin të dy, i kishin mbështetë pas një muri ashtu të prangosun. Gjeka ishte lëkundë në breshëritë e para, kurse Gjergji e kishte mbajtë në krahët e tij të fuqishëm, derisa të dy ishin rrëzue së bashku, me trupat shoshë nga plumbat. Në kohën e pushtimit italian, dilte një revistë, në të cilën ishte botue disa herë fotografia e Gjergjit, si prototipi shembullor i racës shqiptare, jo vetëm për trupin e tij prej 75
atleti, por edhe për bukurinë e fytyrës me trajta të rregullta, gati të përsosuna. Por sistemi komunist ishte kundra çdo gjaje të bukur e fisnike, qoftë të përmasave të njeriut apo të përmasave historike, kulturore e të traditave ma të mira shqiptare. Me këtë përçmim për bukurinë njerëzore, ai tregonte se ishte një sistem antishqiptar dhe antihuman. Nuk kaluen dy javë dhe në qelinë e Valentinit, erdhën e morën tre të tjerë për me i pushkatue. Ndër ta, ishte edhe një fshatar i quejtun Hasan Bërdica. Sa ndigjoi emnin e tij, ai u çue në kambë dhe u vesh. Pastaj u kthye nga shokët dhe u tha: -Me thanë të drejtën, nuk e prisja një fund të tillë. Nuk e ndiej veten fajtor për asgja, sepse nuk i kam ba keq kuj. Por, më sa po kuptoj, në librin tim asht zoti që e ka vu fjalën “fund”. Të më falni, nëse ju kam mërzitë. Mirupafshim në botën tjetër! Kjo ishte përshëndetja e zakonshme e të gjithë të dënuemve me vdekje. Hasanin e pritshin në oborr edhe gjashtë të tjerë. Ata i përcollën me roje të forta deri të vendi, ku do të bashkoheshin me gjashtë të tjerë të sjellun nga burgu i vjetër. I hypën në një kamion, ashtu siç ishin të lidhun, dy nga dy. Hasani, që kishte mbetë vetëm dhe i fundit me hypë në makinë, me një lëvizje të shpejtë ishte shkëputë dhe ia kishte dhanë vrapit. Partizanët, të armatosun deri në dhambë, kishin mbetë të befasuem, por menjëherë kishin fillue me gjuejt mbi të breshëri plumbash. Por ai me shkathtësi ishte futë nëpër rrugica dhe u kishte shpëtue. Ishte një mrekulli, sepse nuk e kishte goditë asnjë plumb. Pas kësaj skene, makina u nis dhe të 12 viktimat e tjera iu banë fli idhullit komunist, sipas ritit 76
makabër që kryhej gati për çdo ditë mbi zallin e Kirit. Përsa i përket Hasanit, Valentini kishte marrë vesh nga malësorë të tjerë të sjellun në burg, se pas gjashtë muej qëndrimi në mal, forcat e ndjekjes e kishin pasë rrethue në një arë misri dhe, pas një luftimi të rreptë, e kishin vra atë. Një ditë që Gori erdhi me e takue Valentinin, si zakonisht, i tha se disa miq e kishin këshillue që ai të shkruente biografinë e gjithë jetës së tij, deri ditën e arrestimit, që do t’i drejtohej M. Shehut dhe një kopje drejtorit të burgut. Valentini iu vu punës dhe arriti ta përpilojë autobiografinë e tij Po pse duhej kjo autobiografi me kaq urgjencë? Një agjent i sigurimit i kishte tregue një shoku të tij, që ishte mik i familjes Pervizi, se këto organe kishin qëllimin të kurdisnin një proces kundër Valentinit, për me e dënue randë ose me e eliminue edhe fizikisht. Nga shumë akuzat që do të baheshin kundra tij, në këtë proces, njena dukej se ishte krejt qesharake. Sipas saj, Valentini ishte dërgue në Shqipni nga ana e disa eksponentëve politikë në mërgim të Partisë së Legalitetit. Abaz Kupi dhe Mehdi Frashëri e kishin thirrë në Romë me i propozue një mision special. Ai duhet të shkonte në Shqipni dhe të angazhohej për bashkimin e forcave nacionaliste në luftën kundër komunizmit. Gjithnjë sipas kësaj logjike, Valentini e kishte pranue misionin dhe, sapo kishte ardhë në Shnqipni, ai kishte shkue në Kelmend, Dukagjin dhe Mirditë. Madje, ai kishte marrë pjesë edhe në luftime të përgjakshme kundra forcave partizane etj. Me një akuzë të tillë, ai do të kishte marrë një dënim shumë të randë nga gjyqi komunist. 77
Sigurisht, Valentini nuk kishte si të mos brengosej nga metoda të tilla presioni dhe kurthesh kriminale, që përdoreshin për me thye moralisht njerëz të ndershëm e të pafajshëm. Por Gorit nuk ia shfaqte mendimet dhe parandjenjat e tij të zymta. Nuk donte që ajo të rëndohej ma tepër shpirtërisht, sepse jetonte e vetme në një vend të huej. Kurse atij shokët e burgut i jepnin zemër…
Prek Cali
Koha kalonte dhe nuk jepte shenja të mira. Egërsia e komunistëve sa vinte e shtohej. Një ditë prej ditësh, nё fillim tё marsit 1945 në qelinë e Valentinit sollën një burrë malësor shtatnaltë, i pashëm, me një palë mustakë të thimë. Ky malësor ishte i famshmi Prek Cali, krenaria e malësisë, që mbahej si prototipi i racës iliro-shqiptare. Njerëzit e njihnin dhe e çmonin për patriot e luftëtar trim, por edhe si burrë mentar. Valentini kishte dëgjue për të qyshkur, e ma tepër, kur kishte qëndrue disa muej në Dukagjin te shoku i tij i ngushtë, Lek Vuksani. Prek Calit i takoi me zanë vend përbri Valentinit. U miqësuen shpejt, sepse Preka e kishte njohun prindin tonë dhe kishte pasë punë me të. Ai kishte një përshtypje të mirë për dhe e admironte për aftësitë e tij ushtarake. Pavarësisht nga gjendja e mjerueshme ku ishin, Valentini dhe të burgosunit kishin rastin të merrnin vesh se si ndodhi që Prek Cali ishte dorëzue. Megjithëse komunistët kishin marrë pushtetin, qëndresa e fundit 78
kundër bolshevizmit, në Kelmend, kishte vazhdue nën udhëheqjen e Prek Calit. Një ditë, Valentini e pyeti: - Po si u dorëzove ? A nuk e dijshe se një njeri i randësishëm, si ti, do ta kishte shumë të vështirë ose të pamundshme me ia dalë me komunistët? - Po, ke të drejtë, iu përgjigj Preka, por janë disa rrethana që më sollën deri këtu.
Prek Cali (1872-1945)
79
Dhe ai kishte tregue çfarë i kishte ndodhë. Aty ishin afrue edhe tё burgosun tё tjerё me dёgjue rrёfimin e tij. Pasi kishin marrë fund luftimet kundër forcave, shumë ma të mëdha komuniste, në njerëz e armatime, shumë prej trimave kishin qëndrue në mal, mos me u dorëzue. Ai përmendi edhe dy malësorët, Gjekën e Gjergjin, që u pushkatuen në Koplik. Ai vetë me nja dhjetë malësorë kishin arritë me u strehohue në një shpellë të sigurt në maje të një mali. Herë pas here, njeni prej tyne shkonte me i furnizue me ushqime. Kështu kaluen disa muej. Tue hedhë vështrimin mbi ato djem të rij, më ngushtohej zemra nga dhimbja që ndjeja për ta, që kishin pranue me më shoqnue dhe bile edhe me dhanë jetën për mue. Një mëngjes tё mesit tё janarit ata e kuptuen se ishim rrethue. Si e kishin marrë vesh partizanët ku gjendeshim ne? Sigurisht, i kishte sjellë ndonjë vendas që e njihte mirë zonën dhe shpellën tonë. Komandanti i atij reparti special u kishte kërkue te dorëzoheshin. Po ata ishin përgjigjë me pushkë dhe luftimi kishte vazhdue disa ditë Ndërsa luftimet vazhdonin, një ditë komandanti u kishte folë nga larg me za të naltë: - Or Prek Cali, ta merrni vesh se jeni rrethue e nuk keni asnjë mundësi shpëtimi. Prandaj qëndresa juej asht krejt e kotë. Ju baj të ditun se në qoftës se nuk dorëzoheni, autoritetet e krahinës kanë marrë urdhën për internimin e familjeve dhe djegien e shtëpive tueja. Prek Cali kishte ndërhy me ia mbushë mendjen komandantit me gjetë një zgjidhje, në mënyrë që t’u falej jeta atyne të rijve që rrinin me të. I kishte thanë komandantit me folë me M. Shehun se ata kishin vendosë 80
me u dorëzue vetëm në dorë të tij. Dhe Mehmeti erdhi vetë deri aty. - Po t’ishte për mue, tregonte Prek Cali aty në qeli, nuk do t’isha dorëzue deri në fishekun e fundit, por në atë shpellë mendova për jetën e atyne të rijve dhe për familjet tona. Kur erdh Mehmet Shehu, fola me të nga larg, tue i thanë se do të dorëzoheshim, po të na jepte besën si burrat. Ai ishte përgjigjë tue na sigurue se do të na falte jetën, edhe t’imen, mandej m’u drejtue: - Po pse nuk u bane me ne, or Prek Cali, dhe tashti do t’ishe një burrë i nderuem e hero i lavdishëm, me dekorata të larta. - Nuk kisha si me u ba me ju, që ishit lidh mish e thue me shkijet e Serbisë, kundra të cilëve kemi shekuj që luftojmë. Për fjalën e fundit, falja e jetës, unë mbeta i çuditun dhe nuk po i besoja veshëve, prandaj i thashë që ta përsëriste edhe njëherë. Dhe ai e kishte përsëritë. Pastaj i kërkova mos me na prekë kush me dorë, qoftë gjatë rrugës, deri në Shkodër ose në qelitë e sigurimit. Edhe për këtë, Mehmeti na siguroi. Kështu, ne u dorëzuem. Na pyetën një nga një, pa na prek, dhe djemtë i çuen në burgun e vjetër, kurse mue këtu me ju. - Të përgëzojmë që ta paskan falë jetën! - i tha Valentini. Pas tij e uruen edhe të burgosunit e tjerë. - Sigurisht, Mehmet Shehu ma ka dhanë fjalën e nderit dhe nuk besoj se do ta hajë. Preka, si malësor, ishte i bindun se Mehmeti do ta mbante besën. Valentini e të tjerët aty nuk ndërhynë për mos me e randue, por ndër veti ishin të bindun se Mehmeti s’do ta mbante fjalën që u kishte dhanë. 81
Dorёzimi i Prek Calit kishte ndodhë me 15 janar 1945. Aty në burg Prekёn e sollёn javёn e parё tё marsit. Si kaluen dy javё, nё njё mëngjes herёt, pa zbardh dita, u dëgjuen zhurma e britma në korridor. Rojet hynin në qeli të ndryshme dhe lexonin emna. Të burgosunit ishin mbledh e mbulue në shtresat e tyne prej frike, ndërsa zemrat u rrihnin fort. Kush e kishte radhën, vallё? U dëgjuen hapa të shpejta dhe, pas pak, dera e qelisë u hap me zhurmë të madhe. U duk aty një hije e zezë polici, i cili me një kandil vajguri ndriçonte një copëz letër, që mbante në dorë. Cilët emna ishin shkrue në atë letër të zhubravitun?! Kur ja, polici pasi e afroi letrën nga sytë, ngriti kokën e thirri me za të naltë: Prek Cali! Në qeli kumboi vetëm ky emën. Të gjithë mbetën të tronditun. Por për Prekën vetë ishte ma e tmerrshme. Ai nuk e priste kurrë që M. Shehu do ta hante fjalën. Si malësor, ai nuk mund ta konceptonte një gja të tillë. Por ai harronte se Mehmeti nuk ishte si burrat e malësisë që, kur jepnin fjalën, e mbanin edhe me çmimin e jetës. Ai ishte një karrierist i paskrupullt e mizor, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me shkelë besën dhe çdo virtyt njerëzor. Ndërsa po përfaleshin për të fundit herë, ai i tha Valentinit në vesh: - Po djemtë? - Jo, jo, nuk i gjen gja, ishte përgjigj Valentini, me i dhanë kurajo. Sepse Preka do të pikëllohej ma tepër po t‘i pushkatonin edhe të rijt, që kishin luftue me të. Duke dalë thirri: - Ma bani hallall, o burra! Mirupafshim n’atë dynja! Në korridor ishin edhe 9 të burgosun të tjerë të prangosun, ndër ta, edhe Dom Ndre Zadeja, dy vllaznit 82
Beltoja dhe një prift. Ata i pushkatuen të gjithë te zalli i Kirit, që u ba tmerri i Shkodrës. Ishte 25 marsi, java e shejtё e pashkёve.
E bukura dhe përbindshi
Megjithëse i burgosun dhe me jetën në rrezik, për shkak të pushkatimeve pa gjyq, për të cilat askush nuk jepte llogari, mendja e Valentinit rrinte gjithmonë edhe te Gori. Gjendja e tij e komplikonte edhe fatin e saj. Kishte edhe shqiptarё tё tjerё tё martuem me italiane, por nё rastin e Gorit ndikonte për keq se ajo ishte grueja e tё birit tё Prenk Pervizit. Për këtë arsye Valentinin s’do ta lironin, sepse i shqetësonte edhe prania e saj në Shqipni. Ai mbahej peng jo vetёm për shkak të atit, por edhe të grues. Aq ma tepër që ajo binte në sy kudo. Jo vetëm se ishte e bukur, por edhe nga veshja dhe sjelljet ajo manifestonte një kulturë dhe edukatë të naltë, atё të botёs sё qytetnueme, kapitaliste e borgjeze, tё cilёn komunistёt e urrenin. Ata e kishin shpallun këtë botё si të dënueme nga historia, “të vjetёr” dhe, si e tillё, ajo “duhej shembë” me anë të revolucionit proletar. Në këto rrethana, e këshillueme nga disa miq, Gori vendosi të takojë Mehmet Shehun, i cili kishte ardhë në Shkodër për drejtimin e operacioneve luftarake. Kur ajo u paraqit tek oficeri i rojës, që dinte pak italisht, i thanë që të priste dhe kishte shkue me njoftue M. Shehun. Mehmeti e kishte pranue dhe Gori kishte hyrë në zyrën e tij. Si nё të gjitha zyrat e pushtetarve të regjimit të ri, edhe aty 83
qёndronte fotografia e Stalinit nё njё kornizё tё bukur, veshun si gjeneral. Asaj iu duk, pёr një moment, se edhe ai merrte pjesё nё atё takim, me njё nёnqeshje ironike, deri dhe sarkastike. Kryebolsheviku dukej sikur pyeste se çfarë donte ajo zonjё aty. Kur Gori hyni në zyrën e numrit dy të regjimit, ai nuk lëvizi fare nga kultuku ku ishte fundos. Ai e njihte mirë italishten, sepse kishte studiue në shkollën ushtarake të Napolit. Mbasi i hodhi një vështrim asaj femne të bukur, që i rrinte përpara, e kishte ftue me njerëzi të ulej dhe e kishte pyetë se çfarë halli e kishte shty me ardhë aty. - Si është puna zonjë, nёse mund t‘ju pёrgjigjem? - Më falni për shqetësimin, zotni gjeneral. Siç e shihni, une jam italiane, e martuar me një oficer shqiptar. Nuk ka dy muej që kemi ardhë në Shkodër prej Italie. Unë e ndoqa burrin tim me të cilin isha lidhun për të mirë e për të keq. Ai vetë nuk ka jetue në Shqipni, sepse të gjitha shkollat, deri kur doli oficer, i ka krye në Itali dhe atje u caktue edhe me shërbim. Tue qenë se ai iku prej një kampi gjerman dhe rrezikohej, ne vendosëm të vijmë në Shqipni për të gjetë shpëtim e me jetue normalisht. Sa gjetëm një dhomë, ku banonim provizorisht, më arrestojnë burrin, krejt të pafajshëm, pa dhanё asnjё arsye. Tani ai gjendet në burg. Kjo mua më duket një padrejtësi e madhe, prandaj unë kam ardhë t'ju lutem që ta lironi bashkëshortin tim. M. Shehu i kishte dëgjue me vëmendje fjalët e saj. Ai e mori me mend se diçka e padrejtë i ishte ba asaj, por, në kushtet e gjendjes së shtetrrethimit, mund të ndodhnin edhe gjana të tilla. 84
- Ashtu? Më falni, zonjë, po si quhet burri juej? kishte pyetë ai. - Valentin, iu përgjigj Gori me një fije zani. - Valentin? Po kush është ky Valentin? Si e ka mbiemrin? - kishte insistue ai me kureshtje. Iu duk se e kishte ndigjue diku këtë emën. - Valentin Pervizi, - kishte shqiptue Gori me ankth të madh. - Valentin Pervizi? Mos është i biri i gjeneral Prenk Pervizit? Mehmet Shehu ishte ngrys në fytyrë dhe ishte mbështetun pas kulltukut në pritje të përgjigjes së saj. - Si urdhnoni, zotni gjeneral. Ky është djali i madh i tij me të cilin unë jam martue. - Zonjë e nderuar, në vend që të na falënderoni se nuk e kemi pushkatuar, ju vini e na kërkoni lirimin e tij, ia kishte kthye Mehmeti me një shprehje fodullëku në fytyrë. Një përgjigje e tillë e një përfaqësuesi të naltë të regjimit, sigurisht që asaj i bani shumë përshtypje, duke ngjallun zemërim e frikë njëkohësisht. - Nuk e prisnja prej jush një shprehje një të tillë! Unë kërkoj drejtësi për burrin tim të pafajshëm, kurse ju më kërkoni t’ju falënderoj që nuk e keni vra! Kjo për mue asht e pakuptueshme! Ndërsa fliste ashtu, ajo nisi të qajë nga frika për fatin e të shoqit. Shehu kishte replikue gjithashtu me tonin e tij të ashpër: - Mos kujtoni se do të na përmalloni me lotët tuaj? Kёto fjalё ishin vërtet cinike. Gori nuk kishte mundun me durue dhe i kishte folë krejt me mllef: 85
- E kisha marrë me mend një pritje të tillë, e denjë për një njeri të pashpirt si ju... Sa kishte thanë ato fjalë, ajo ishte çue e kishte dalë duke e përplasë derën, ndërsa Mehmet Shehu ia kishte dhanё tё qeshurit nga pas. Nga muri, Stalini sikur ishte kënaqun edhe ai nga kjo skenё, ku spikaste arroganca e njё shefi komunist, brutal dhe kriminel. Shehu ishte vёrtet njё bir i denjё i tij. Kjo ngjarje u muer vesh dhe bani përshtypje. Njerëzit e kishin dënue, në heshtje, atë sjellje të ashpër të Mehmet Shehut ndaj një grueje të huej e fatkeqe. Por nga ana tjetër, përgjigja e Mehmetit shprehte një të vërtetë tronditëse. Pra, Valentini ishte i gjallë falë rastësisë, sepse atë mund ta kishin pushkatue partizanët, pa marrë asnjë qortim, nga askush, pёr vrasjen e tij. Pasi mori vesh si kishte shkue takimi, Valentinit iu mbush mendja se Gori duhet të riatdhesohej sa ma parë. Ndoshta vinte ndonjë përmirësim i gjendjes. Përndryshe, atë nuk do ta lironin kurrë nga burgu. Ose edhe atё do ta mbyllnin nё njё kamp internimi me familjen e tij. Asaj nuk i tha asgja, sepse e dinte se një fund i tillë mund t’i shkaktonte një dhimbje edhe ma të madhe. Ai mendoi me pritë një rast të volitshëm. Me ia lanё kohёs të sillte vetë ajo këshillimet e saj. Edhe disa miq të familjes mendonin se largimi i saj, qoftë edhe i përkohshëm, ishte në të mirën e të dyja palëve. Sa kohë që ajo ishte akoma e lirë, asaj i thanë tё riatdhesohej me italianёt e tjerё, qё po ktheheshin nё Itali me ndihmёn e Circolo Garibaldi nё Tiranё, qё merrej me atё punё e gёzonte besimin e qeverisё shqiptare. Qëndrimi i saj nё Itali, mund të ishte edhe i pёrkohshёm, sepse 86
besohej se gjendja nё Shqipni do tё normalizohej dhe do tё krijoheshin kushte qё ajo tё bashkohej me Valentinin pёrsёri. Por këto këshilla dashamirëse për largim të përkohshëm në atdheun e saj, ajo s’kishte guxim me ia shprehë Valentinit. Kjo i dukej asaj njё gja gati fyese dhe e randё për të dy. Sepse, duke pranue ndarjen, megjithëse nga rrethana të imponueme e jashtë fuqisë së tyne, dashunia e tyne dilte si diçka e kotё dhe si e paqenё...
Një personazh misterioz
Një njeri i çuditshëm, me një fytyrë të vrazhdë e trup mesatar të lidhun, e vizitonte herë pas here burgun, i veshun si ushtarak pa grada. Kur hapeshin dyert e burgut dhe ai hynte brenda, të gjithë shpërndaheshin dhe secili shkonte e u shtrinte në vendin e vet, në heshtje, duke e mbajtun shikimin në boshllëk. Por i mbanin veshët pipëz me kuptue diçka, sepse ky njeri nuk hynte në burg pa qëllim. Zakonisht, ai e merrte me vete një të burgosun, siç vepron kasapi me berret që ther. Ky tipi i vizitonte të gjitha qelitë. Ai ndalohej te dera, nuk fliste ndërsa shikonte një nga një të dënuemit. E dinte shumë mirë se në cilën qeli ndodhej fatkeqi që do të bahej viktima e tij e radhës. Pastaj viktima dilte me të, ai para dhe i burgosuni prapa, të cilin e mbyllnin në një birucë të izolueme. Rojet dhe ushtarakët e tjerë, kur ai kalonte andej, i lironin rrugën dhe e nderonin, ndërsa ai nuk denjonte t’i përgjigjej nderimit dhe kalonte në heshtje. Ky njeri i çuditshëm u shtinte frikën të burgosunve. Nuk ia dinin 87
emnin jo vetëm ata, por ndoshta as rojet. Ai vizitonte burgun e ri dhe të vjetrin. Ma vonë, ia zbuluen emnin, por nuk morën vesh kurrë se ç’detyrë kishte. Natën vonë, pas orës 22.00, kur të gjithë ishin shtri me fjet, dëgjoheshin britmat e viktimës që e kishin mbyllë pasdite në birucën e veçueme. Njeriu misterioz, që quhej Llambi, e godiste fatziun vazhdimisht me një dru nyjenyje dhe me grushta e shkelma, derisa atij i binte të fikët. Pastaj e nxirrte me forcë jashtë, te dera e qelisë. Kjo skenë përsëritej çdo herë që ai vinte e merrte të burgosun. Askush nuk e dinte, as e kuptonte për ç'arsye baheshin ato tortura mbi njerëz të pafajshëm. Ndërkaq, koha e fillimit të gjyqeve speciale po afrohej. Qindra njerëz që mbushnin burgjet rrinin në ankth, sepse askush nuk e dinte se ç’kategori do të përfshihej, dhe nuk kishin asnjë ide se si do të shkonin punët e ç’dënim do t’u jepnin. Të burgosunit vërtet nuk dinin dënimet që i prisnin, se ato caktoheshin ma përpara në zyrën e kryetarit të Degës së Brendshme në bashkëpunim me oficerët hetues, sipas urdhnit qё u vinte nga partia-shtet. Kryetari i gjykatës dhe prokurori i merrnin dokumentet, ku ishin shënue dënimet e atyne që do të gjykoheshin. Siç dihet, edhe anëtarët e tjerë të gjykatës ishin kukulla në këto procese politike të montuara. Të burgosunit e kishin kalue një gjyq qysh në birucë, ku i kishin mundue me të gjitha llojet e torturave, presioneve e metodave ma satanike, për të cilat oficerët e sigurimit ishin mjeshtra. Kjo bahej me i detyrue me firmos procesin që oficeri hetues kishte përpilue sipas udhëzimit që kishte marrë nga eprorët. Ata që nuk pranonin me 88
firmos një proces të rremë, mbi ta vazhdonin torturat me metodat ma shtazarake. Nëse edhe në këtë rast dilnin pa sukses, procesi mbetej pa firmën e të burgosmit, i cili dёnohej ma randё se sa duhej. Sigurisht, nё tё shumtёn e rasteve s’hynte nё punё as procesi me firmë, sepse dënimet vendoseshin paraprakisht dhe gjyqi ishte veçse një farsë teatrale. Valentini po i përcillte këto procese dhe nuk kishte kalue në torturat e shokëve. Dhe kjo i dukej çudi. Por, sipas miqve të tij të burgut, letra që kishte shkrue dhe takimi i grues së tij me M. Shehun, pavarёsisht nga karakteri i tij kriminal, kishin ndikue që atë ta linin ashtu, pa i dhanë arsye, deri në ndonjë vendim të mavonshëm. Por ai mbeti si një dëshmitar i mirëfilltë i shumë ngjarjeve të trishtueshme, si dhe përjetoi vdekjen e shumë të burgosunve nën plumbat e skuadrave të pushkatimit, apo tё atyne qё vdisnin nё duert e xhelatёve nga torturat e papërballueshme. Një ditë, në dhomën e tij sollën një ish-oficer nga një familje e njohun shkodrane. Ai quhej Halit Kazazi. E kishin kapë si t’arratisun në mal dhe fati i tij dukej i pashpresë. E thoshte ai vetë. Para se me e sjellë aty, e kishte pyetë e torturue një kriminel i vërtetë. Tani ai priste që ta pushkatonin. Ai shoqnohej e bisedonte me Valentinin, sepse i thoshte se familjet e tyne ishin të lidhuna me miqësi dhe ai, si oficer, e kishte njoftë dhe kishte qenë në shërbim me Prenk Pervizin. Nuk kaloi asnjë javë dhe erdhën dhe e morën. E pushkatuen bashkë me dy të tjerë. Në fillim të vitit 1945, ishte njoftue se gjyqet speciale kishin fillue punën e tyne në gjithë vendin, pra 89
edhe në Shkodër. Vendi për zhvillimin e gjyqeve ishte caktue kinema Rozafa. Ishte njoftue po ashtu se të gjitha seancat gjyqësore do të jepeshin edhe me altoparlante. Ndërkaq, komanda kishte lejue që në burg të futeshin gazetat kryesore, ku jepeshin informacione mbi gjyqet speciale. Vetëm në gjyqin special të Tiranës ishin dënue me pushkatim 17 vetë, ndër ta njerëz që Valentini i kishte njohun si gjeneralët Aqif Përmeti e Gustav Mirdhashi, kolonelët Tahsim Bishqemi e Daut Çarçani, kryeministra, ministra e funksionarë të njohun e të nderuem si Maliq Bushati, Terenc Toçi, Bahri Omari (kunati i Enver Hoxhës) etj. Nga një anë, instalimi i trupave gjyqësore dukej sikur i jepte zgjidhje gjendjes së të burgosunve. Sepse asnjë prej tyne nuk ishte, as nuk e ndjente veten fajtor për ndonjë vepër penale. Dhe ata mendonin se me anë të gjyqit mund të tregonin se ishin të pafajshëm. Por nga ana tjetër, duke mendue se ç’ishte komunizmi, - dhe gjyqi special i Tiranёs po e tregonte natyrën e tij të vërtetë thellësisht kriminale, - ekzistonte dyshimi se edhe ndaj tyne mund të priteshin vetёm dënime të randa. Sidoqoftë, ata mendonin se ishte ma mirë me i dhanë fund gjendjes së padurueshme, dhe jo me ndejtë në një pritje të pashpresë. Kjo e fundit ishte kthye për ta një torturë e vërtetë, ku të burgosunit rrinin në ankth të vazhdueshëm, në pritje që të thirrej emni i tyne me përfundue te zalli i Kirit, ose diku tjetër, pas ndonjë muri. Pasditën e një të diele i kishin lajmërue ata që do të paraqiteshin në seancën e parë të gjyqit special. Në burgun e Valentinit lexuen emnat e dhjetë vetëve e po ashtu në burgun e vjetër. Të hanën, herët në mengjes, ata i 90
prangosën dhe, të shoqnuem me partizanë t’armatosun, i çuen te kinema Rozafa. Aty ishte grumbullue një turmë e madhe njerëzish, por shumica do të rrinin përjashta, sepse aty nuk kishte vend për të gjithë. Turma përbahej kryesisht nga njerëz të lidhun me pushtetin komunist, kështu që ajo i priti të burgosunit me sharje e thirrje anmiqsore, sipas të cilave këta anmiq të popullit do të jepnin tani llogari për të këqijat e padrejtësitë e tyne. Çdo ditë i çonin dhe i sillnin deri në pasditen e së enjtes. Kurse të premten prokurori paraqiti akuzat dhe kërkoi dënimet për secilin prej tyne. Të nesërmen, të shtunën, kryetari i gjyqit lexoi vendimin, ku, përveç dënimit, u vendos edhe konfiskimi i pasunive të tundshme e të patundshme të personave të dënuem, që u shoqnue me duertrokitje e britma të mëdha nga turma e ekzaltueme nga propaganda komuniste. Prokurori i Shkodrës ishte Aranit Çela, një kriminel e xhelat i regjun, i cili, kur pushkatoheshin të dënuemit, shkonte dhe i qëllonte edhe vetë me revolverin e tij. Madje ai kishte pushkatue me dorёn e vet sa e sa fatkeqё, pa gjyq. Gati në çdo seancë gjykimi me 20 të burgosun, dënoheshin me vdekje gjashtë vetë, por kurrë ma pak se katër prej tyne. Këto gjyqe javore vazhduen me muej, derisa i erdhi radha javës së fundit të gjyqit special, që kishte vendosë për pushkatimin e afro 300 shkodranëve, si dhe kishte dënue me burgime të ndryshme mbi 1000 të tjerë. Ndër to kishte intelektualë, patriotë, priftën katolikë e njerëz të njohun në popull. Kështu, i erdhi radha edhe grupit të dhomës së Valentinit, ku ishin përfshi miqtë e tij: Zef Agimi, Guljelm 91
Deda, Mark Temali, Kolë Mjeda e Nush Deda. Ata iu nënshtruen pyetjeve njeni pas tjetrit, deri ditën e premte, kur do të mbahej pretenca nga prokurori A. Çela. Ndërsa prokurori lexonte pretencën e tij të stërgjatun e me akuza absurde, të akuzuemit pyesnin veten se cili prej tyne do të dënohej me vdekje e cili jo. Njeni prej tyne, Zef Agimi, mësues kosovar, e kishte në maje të gjuhës një fjalë, që ia tha në vesh shokut pranë, Guljelm Dedës: - Më vjen keq me ta thanë Lem, por unë të kam vu në listën e të gjashtëve, prandaj mbaju si burrat dhe mos e lësho veten kur prokurori të lexojë emnin tand. Dhe Lemi iu përgjigj: – Pa shiko, pa shiko! Edhe unë ta kisha vu emnin në listë: tandin të parin, pastaj ato të Markut, Kolës, Nush Dedës dhe në fund t’imin. Kjo bisedë me za t’ultë shkaktoi gazin e të akuzuemve. Prokurori që ishte në zjarrin e pretencës ishte nervozue dhe, duke u kthye nga populli, kishte bërtitë: - I shikoni këto të pandehun? Mjafton të shikoni sjelljen e tyne këtu, për të kuptuar se sa njerëz të këqinj, borgjezë e reaksionarë janë që ofendojnë edhe gjyqin e popullit! Siç duket, ata nuk kanë respekt për institucionet tona që përfaqësohen nga i nderuari, kryetari i gjyqit, të nderuarit anëtarë dhe shumë i nderuari publik i sallës! Fjalët e tij u shoqnuen nga një zhurmë e madhe dhe britma të çdo lloji. Ndërkaq filloi leximi i kërkesës së dënimit nga prokurori dhe emnat e parë dolën siç e kishin parashikue Zefi e Lemi: Guljelm Deda, Zef Agimi, Mark Temali, Kol Mjeda e dy të tjerë. Atyne po iu dridhej zemra. Por doli krejt e kundërta. Në kundërshtim me prokurorin, 92
gjykata i dënue ata me nga gjashtë vjet burg secilin. Kjo seancë ishte e vetmja që doli pa gjashtë dënime me vdekje dhe e fundit. Me të u mbyllën seancat e gjyqit special në Shkodër.
Heroizёm nё burg
Një prej të dënuemve me vdekje ishte Ndue Pal Mirashi. Valentini e kishte njohë atë në kohën e qëndrimit të tij te Lek Vuksani, kur partizanët sulmuen Dukagjinin. Sa herë që kalonte pranë dritarës, i shikonte ata që i priste një fat i tmerrshëm, të mbështetun pas mureve, ndërsa N.Pali rrinte në mes, dhe e përshëndeste me buzëqeshje, pastaj vazhdonte ushtrimet fizike. Shokët përreth e vështronin me çudi e me trishtim Ç’i hynin në punë ato ushtrime, përderisa së shpejti trupi i tij do të përfundonte atje në zallin e Kirit? Një ditë prej ditësh, Ndue Pali i ishte afrue dritares dhe u kishte thanë:«Mos na harroni ». Të afërmve u ishte dhanë leje me i takue. Kur baheshin këto takime, rojet i mbyllnin të gjitha dyert e qelive të tjera me shul. Erdhën edhe prindët e Ndue Palit. Ai u paraqit para tyne i buzëqeshun, sikur s’do të ndodhte asgja. Të vetët, tue e pa ashtu, nuk mundën me hap gojë nga emocioni. Porta e derës së Valentinit nuk ishte fort larg, kështu që ai mund të shikonte nga frengjia e derës dhe të dëgjonte gjjithçka flitej matanë. Ajo skenë e takimit i kishte mbetë në kujtesë dhe nuk e harroi kurrë. 93
Ndou ishte mundue me i qetësue të vetët me fjalë të mira, por edhe të forta e gjithë zjarr. Ai u thoshte: -Tash jam gati me e kalue pragun për në botën tjetër. Zoti do më pranojë, sepse kam qenë gjithmonë një besimtar i mirë. Mandaj ai kishte folë akoma ma me pasion : -Mos u dishproni ! Unë do të ringjallem në një jetë ma të mirë, shumë ma të mirë se kjo e jueja këtu plot vuetje. Prandaj, të dashtun, mirupafshim në atë botë ! Janë shumë të pakët njerëzit që mund t’i shqiptonin të tilla fjalë në gjendjen që ishte ai. T’afërmit, të mbytun nga dënesa e lotët, nuk mund të thoshin asnjë fjalë. Edhe të burgosunit, që kishin dëgjue dhe kishin ndjekë atë skenë të jashtëzakonshme, nuk e përmbanin përmallimin. Pas këtij takimi dramatik, ishte afrue një njeri tjetër te hekurat. Ai ishte një i ri rreth 20 vjeç, i pashëm e shtatnaltë. E quenin Caf Meti. Ai kishte qenë polic dhe, për fatin e tij të keq, kishte marrë pjesë në arrestimin e një komunisti. Eprori, që e kishte urdhnue, ishte dënue pesë vjet, kurse vartësi i tij duhej ta paguente me jetën! Ishkomisarit të policisë, që ishte aty në burg, nuk i fliste kush, sepse mbahej si spiun. Qelia e të dënuemve me vdekje rrinte gjithmonë e mbushun plot. Mbasi dënoheshin nga gjyqi special famëkeq, ata duhet të prisnin do kohë para ekzekutimit, sepse familjet e tyne banin lutje për falje presidentit të presidiumit, kuvendit popullor dhe instancave të tjera të shtetit. Prandaj herë pas here merrnin nga pesë a gjashtë prej tyne dhe i pushkatonin. 94
Një mëngjes herët, kur akoma ishte errësinë përjashta, ndodhi një ngjarje dramatike. Fillimisht, u dëgjue zhurma e hekurt e bravave dhe shulave të qelive. Me sa duket, do të merrnin edhe disa të tjerë. Të burgosunit prisnin se kush e kishte radhën. Policët, pasi i mbyllën të gjitha dyert, u ndalën para qelisë së vdekjes, ku njeni prej tyne lexoi vetëm dy emna: Ndue Pal Mirashi e Caf Meti. Kurse të tjerëve të grupit të tyne u kishte ardhë falja. Ata të dy u ngritën nga shtresat, u veshën dhe pritën në kambë, aty midis qelisë. Të dy u kthyen nga shokët e tyne, që ishin çue dhe rrinin kokulun, të pushtuem nga emocioni, që po ua merrnin shokët aty para syve, ndërsa ata do të liroheshin. Ndue Pali e kuptoi gjendjen e tyne shpirtnore dhe u tha: -Mbahuni burra! Ju patët fatin me u kthye në familjet tuja. Kjo asht kryesorja. Kurse ne po i japim lamtumirën kësaj bote me shkue në botën tjetër. Mos na harroni! Në fund të fundit, të gjithë bijt e vdekjes jemi. Sa tha këto fjalë, ai kishte hapë kambët dhe krahët duke ndejtë në pritje. - Çfarë bëni? - kishte thirrë një nga oficerët e policisë. – Dilni shpejt nga qelia. Ndue Pali u përgjigj që le të vinin ata me i marrë. Oficeri me një polic kishin ba disa hapa drejt tyne. Të dy herojt ishin hedhë mbi ta me egërsi të madhe me dy thika të bame nga fërkimi i lugëve me betonin e birucës. Aty nisi një përleshje mes tyne. Nga britmat, aty vrapuen edhe policët e tjerë me shkopij. Të dy të burgosunit, që ishin truplidhun e shumë të fortë, po u banin ballë shtatë policëve dhe i kishin plagosë dy a tre me thika. 95
Por njeni nga policët thirri: -T'i shtyjmë drejt derës nga fundi! Dhe kështu vepruen. Në këtë mënyrë e nxorën Cafin në oborrin e vogël, ku ishte roja i armatosun që i drejtoi automatikun. Cafi shau me za të naltë dhe i mallkoi këta kriminelë. Kurse brenda policët arritën ta mposhtin edhe N.Palin, që kishte humbë ndjenjat nga goditjet e shkopijve. Pastaj ata iu sulën Cafit dhe e goditën edhe atë me shkopij, derisa i ra të fikët dhe e tërhoqën zvarrë. Ashtu, pa ndjenja, i hodhën në një karrocë si t’ishin thasë. Nuk kaloi shumë dhe u dëgjuen krismat e armëve. I kishin pushkatue diku aty, afër burgut. Të nesërmen e kësaj ngjarje, kishte ardhë kryetari i degës së Shkodrës, i cili u ishte çjerrë policëve e rojeve, duke bërtitë me dëgjue të burgosunit: - Po ju, more derdimena! Pse nuk i keni vra të gjithë aty brenda në qeli? Të gjithë duhet t’i kishit ekzekutue, pa mëshirë! Të gjithë! Emni i këtij xhelati ishte Pjetër Bullati, i cili u pushkatue, ma vonë, si tradhtar i partisë së vet, më 1949. E akuzuen se kishte qenë agjent i jugosllavëve. E vetmja akuzë e vërtetё. Shefat e sigurimit vinin shpesh brenda burgut dhe kishin kënaqësi të madhe, kur i shihnin të burgosunit të katandisun si mos ma keq. Pastaj, për të njëqintën herë, u thoshin atyne të mos shihnin andrra se një ditë mund të ndodhte ndonjë kundërrevolucion ose se mund të kishte ndonjë ndërhyrje nga jashtë me rrëzue regjimin në fuqi, sistemin e tyne.
96
Portret i Valentinit nga një i burgosun shkodran, burgu i Shkodrës, 1945
Nga njeni burg në tjetrin Një ditë e njoftuen Valentinin me ba gati plaçkat, sepse do ta transferonin në burgun e vjetër, bashkë me të dënuem të tjerë. Kështu që në burgun e ish-gestapos qelitë ishin mbushë me të dënuem për shkaqe të ndryshme. Shtatë prej nesh, thoshte Valentini, kishim mbetë të fundit, pa proces. Atë ditë i erdhi në takim e shoqja, të cilës i tha se po e transferonin në burgun tjetër. I morën të lidhun, dy nga dy, nëpër qytet të shoqnuem me roje të armatosuna. Gorizia e kishte përcjellë gjatë gjith rrugës, ashtu si dhe familjarët e të burgosunve të tjerë. Në burgun e vjetër e vendosën në një dhomë në katin e parë, ku rrinin nja 97
pesëmbëdhjetë vetë. Vetëm pak prej tyne ishin në pritje procesi, të tjerët e kishin kalue e pritshin të dilnin para gjyqit të popullit. Kishte edhe nga ata që nuk kishin pranue me firmos procesin, me gjithë torturat e çdo lloji që u kishin ba. Të ardhunit e rij rrinin vetëm kalimthi në pritje që t’u bahej procesi dhe të dilnin në gjyq. Pas dënimit, ata i mbyllnin në dhomat poshtë, që ishin prej betoni. Kaluen disa muej pa asnjë ndryshim e në të njëjtën dhomё. Akoma nuk dihej se ç’do të banin me Valentinin. Kishte kalue ma se një vit që hetonin mbi të dhe rezultati ishte se atë nuk e njihte njeri. Si mund ta njihnin një djalë të ri, kur gjithë jetën e kishte kalue në Itali me studime e detyra? E shoqja vinte çdo ditë para derës së burgut, por këtu nuk mund të shiheshin nga larg, as nga afër, sepse dera nuk ishte përballë, por anash zgarava metalike, pas të cilave rrinin të burgosunit. Kur ishte ndonjë roje e mirë, Gori mund t’i çonte ndonjë copë letër të shkrueme. Në fakt, aty ishin dy roje, kushërij midis tyne, që silleshin ma njerëzishëm me të dënuemit. Këta i përkisnin një familje reaksionare, që i kishin mobilizue në brigadat partizane. Dikush i këshilloi me pasë kujdes se edhe midis tyne kishte spiunë të futun nga sigurimi. Ndër të tjera, në një kohë që ishte ndalue hymja e gazetave, këto dy djem u binin lajmet që u interesonin të burgosunve. Kjo duket e çuditshme, por në vitet e para kishin ndodh raste të tilla si ky, ku të rij «të prekun politikisht» kishin arritë me hy me punë në polici, ushtri e gjetiu. Të burgosunit mendonin se ato dy roje do t’ishin të dobishme në rast ikje ose kryengritje kundër regjimit. Këto ishin fantazime, sepse në burg ku nuk të shkon mendja. Por 98
shërbimi i sigurimit ishte organizue në mënyrë të tillë, që kontrolli ishte vendosun kudo dhe vështirë të imagjinohej organizimi i grushteve ose lëvizjeve kundër pushtetit të komunistëve. Kundështarët kyesorë ishin eliminue pothuasje krejtësisht. Një pjesë e tyne ishin largue jashtë shtetit ose ishin strehue në mal, me idenë e një rezistence të mundshme me ndihmën anglo-amerikane. Kurse shumica e tyne, siç kemi tregue deri këtu, ose ishin pushkatue, ose gjendeshin në burg, ku do të vuenin dënime të gjata. Në këtë mënyrë, duke asgjësue me një dhunë të paparë kundërshtarët e tyne të natyrshëm, antikomunistët, autoritetet e regjimit do të banin kujdes se mos dilte dikush nga radhët e tyne si disident. Organet e diktaturës, pushteti qendror e lokal, sigurimi, policia, ushtria; të gjitha nën drejtimin e PKSH, ishin në gjendje vigjilence të vazhdueshme, me një ushtri spiunësh, që kishin rekrutue nga të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare. Një ditë, aty në derën e tyne, dikush foli: -A thue do të ketë një vend për mue këtu? - Patjetër, – iu përgjigj Valentini, që ishte veterani i dhomës. U përshëndetën me t’ardhunin e ri. Ky ishte një djalë i pashëm, rreth 22 vjeç, me të cilin Valentini doli kushëri. Ai quhej Ndue Fusha dhe ishte i biri i ish-majorit Gjon Fusha nga Bulgëri. Megjithëse nuk njihej ma përpara me të, por e dinte se kishin një lidhje gjaku nga ana e nanës tij, që ishte e bija e Gjon Markagjonit. E ftoi të rrinte pranë tij, duke shty pakëz shokët e tjerë. Babën e tij, Gj.Fushën, ish-major i mbretnisë, ia kishin vra fqinjët në 99
kohën e gjermanëve. I riu vinte nga birucat e sigurimit, ku ishte torturue në mënyrë çnjerëzore, sepse i kërkonin informacion për Mark Gjomarkun, i arratisun në malet e Mirditës, dhe i konsideruem si një anmik i rrezikshëm i regjimit. Me ardhjen e tij aty, mendohej se e kishte krye punën e hetuesisë, por nuk kishte qenë ashtu. Të nesërmen, atë e morën përsëri me e çue në birucën e torturave, megjithëse e kishin zanë ethet dhe e kishte temperaturën mbi 39 gradë. E prangosën dhe e çuen para hetuesit në orën 21 të darkës dhe e sollën në dhomë, pothuejse pa pikë fuqie, në orën 3 pasmesnate. E kishin torturue deri edhe me korent. Por, për çudi të çudive, atij i ishte ulë temperatura, si për inat të xhelatëve. Kështu ai u shërue, paçka se me trup të dërrmuem. E çfarë nuk ndodhte në ato rrethana të skëterrshme! Edhe ethet iknin nga frika e torturave...
Plaku i Mirditӫs
Ndoj rrëfeu historinë e një plaku mirditor, i cili mori pjesë në një mbledhje të fshatit me përfaqësues të partisë e të pushtetit. Fjalën e kishte marrë një aktivist i partisë nga një fshat aty pranë. Pas ma shumë se një orë fjalime, të pranishmit u ftuen me ba pyetje, vrejtje, propozime, me kërkue shpjegime etj,. Si zakonisht, askush nuk guxonte me u ngritë dhe kështu vazhdoi një heshtje e plotë. Në sistemin komunist, me marrë fjalën duhej të kishe shumë kujdes; çdo shprehje 100
duhej peshue mirë, sepse për një gjysmë fjale, të shprehun edhe pa qëllim, të merrte dreqi. Me gjithë orvatjet e shokëve të podiumit, askush nuk po çohej me folë. Atëherë sekretari i partisë iu drejtue një plaku 70 vjeçar, që quhej Pal Doda. Ky respektohej jo vetëm për moshën, por edhe se ishte shumë i zgjuet e kuvendar i hollë. Në këtë mbledhje, Pali nuk donte me u çue, por sekretari kishte ngulë kambë: -Hajde, Pal, çohu e na thuej diçka ! Plaku u çue, e kruejti pak kokën dhe e shkundi mbi pëllambën e dorës çibukun, pastaj tha se nuk ishte i përgatitun dhe s’kishte çka me thanë. -Po unë të njoh mirë, - kishte folë oratori, - dhe e di se ti nuk ke nevojë për përgatitje. Prandaj mos na nxjerr pretekste. Fol lirisht, çka të bjeri ndërmend, mos u druej për asgja. Plaku u përgjigj : -Po ti e din, shoku sekretar, se mund të më shpëtojë ndonjë fjalë ose shprehje jo aq e pëlqyeshme. Të pranishmit qeshën, sepse e njihnin mirë Palin se ç’plak shejtan ishte. -Fol, fol, or Pal, e thuej ç’të duesh! - kishte vazhdue sekretari, pak si i penduem që e nxiti me folë atë plak. Pali, pasi i fërkoi mustakët e tij të bardhë e të gjatë, nisi me folë: -Për fatin e keq tonin, ne shqiptarët, dhe pikërisht të parët tanë, janë detyrue me iu nënshtrue zgjedhës, mundimeve, dhunës dhe padrejtësive të çdo lloji, duke fillue me turqit, për pesë shekuj me radhë. Shtypja e tyne ishte e padurueshme. Herë pas here bahej ndonjë kryengritje, por shtypej me egërsi të madhe. Pesëqint vjet 101
janë pak si shumë. Po mos të kishim pësue atë periudhë t’errët, Shqipnia nuk do të kishte mbetë vendi ma i prapambetun i Evropës. Populli nuk duronte dhe e mallkonte çdo ditë e ma tepër atë pushtues barbar e të pamëshirshëm. Ai luste zotin me e shpëtue dhe lirue nga ajo fatkeqësi e tmerrshme. Aq sa, nga dëshprimi thoshin, ma mirë të na qeverisë djalli vetë se sa Turkia. Ma në fund, erdhi dita e andrrueme e u shpall pavarësia e Shqipnisë me 28 nandor 1912. Por fuqitë e mëdha, që na i quejmë të shtatë krajlitë, tue mendue se nuk ishim në gjendje me u qeverisë vetë, na çuen një princ gjerman, princ Vidin, që populli nuk e honepste. Dhe prapë thoshin, ma mirë të na kishin pru dreqin se sa këtë princ të huej! Nuk kaloi shumë dhe erdhën pushtues të tjerë, malazezë, serbë, italianë, francezë, grekë, e për të gjithë populli shprehej. Ma mirë të vinte djalli i mallkuem se ky apo ai tjetri, e kështu, me radhë. Sigurisht, ne shqiptarët i kemi disa shprehje që nuk mund të përkthehen në asnjë gjuhë tjetër. Dhe kjo e thirrjes se djallit me i shpëtue nga një e keqe tjetër, ma e madhe, nuk asht tjetër veçse një mënyrë të shprehunit me një ironi të hollë, me tregue pakënaqësinë ndaj një regjimi e sistemi, qoftë i huej apo vendas, që merrte nëpër kambë të drejtat dhe nevojat e një populli. Pali vazhdonte me folë në heshtjen e madhe, që kishte përfshi gjithë të pranishmit. Ata ishin kureshtarë me dijtë se ku donte me dalë me fjalën e tij. Sekretari i partisë kishte fillue me u ba nervoz. -Por ja që, ma në fund, na erdhi një burrë azgan, Ahmet Zogu. Ai filloi me qeverisë si kryeministër, e pastaj 102
i përkrahun nga ushtria e disa oficerë të zotë u shpall nga parlamenti « President i Republikës Shqiptare ». Bukur fort! Por oreksi iu shtue dhe u vetshpall Mbret me titullin, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarve. Por populli filloi me u mërzitë, megjithëse ishte një shqiptar që i qeveriste, por po i qeveriste keq, jo siç kishte pritë. Sepse Zogu filloi të rrethohet me njerëz injorantë e servilë, batakçij, madje edhe tradhtarë. Kjo nuk durohej dhe në popull filloi të qarkullojë fjala e vjetër: Ma mirë të na sundojë dreqi se ky batakçi! Le ta thejë qafën! Dhe ja ku erdhi Italia me bukë e makarona, me 7 prill 1939. Në vend që të mbathte opingat e të lëshonte kushtrimin për luftën popullore, mbreti ia mbathi me brekë nëpër kambë në Greqi, ku thonë se e mbrojti dhe e përcolli një mik e besnik i vjetër i tij, se ndryshe italianët do ta kishin kapë gjallë. Sa për italianët, sido që të silleshin, si njerëz të qytetnuem e të zhvilluem, prapë se prapë ishin pushtues dhe populli nuk mund t’i honepste. Ma mirë të na vinte dreqi se ky pushtues breshkaman. Dhe ja që pushtuesi e humbi davanë, Duçja thej qafën dhe italianët u kthyen në vendin e tyne, pasi lanë shumë koka këndej. Gjoba duhej pague ! Kur nuk vonoi dhe erdhi gjermani, para të cilit dridhej bota. Shqiptarët po e shihnin veten keq e ma keq, pushtues pas pushtuesi. Edhe një mbret shqiptar që patën i braktisi në ditën ma të zezë. Por gjermani nuk durohej, tepër i egër e tepër i rreptë. Populli nuk duronte : - Ma mirë dreqi i kuq me brina se gjermanët ! - Edhe gjermanët na morën të keqen dhe ikën. Vendi u çlirue nga pushtuesit dhe erdhi partia dhe u vendos 103
qeveria që kemi. Tashti s’kemi çka me kërkue dhe unë s’kam çka me shtue ma ! Pasi e mbylli fjalën e tij, Pali u ul, e mbushi llullën me duhan dhe e ndezi, duke nxjerr tym nga goja e nga hundët, me kënaqësi. -Po pastaj? - ndërhyni sekretari. - Çfarë pastaj? - ishte përgjigjë Pali, s‘kam çka me shtue tjetër. -Po pse ashtu e mbylle fjalën ? Nuk ke asgja tjetër me shtue ? Gjermanët i përzumë. Po pastaj ? -E pastaj asgja, ata u shporrën dhe mjaft. Ç’mund të shtoj tjetër, shoku sekretar? -Po, së pakut, na thuej nëse populli asht i kënaqun pas vuejtjeve që ka pësue, - kishte shtue sekretari. - Patjetër që asht i kënaqun. Atë që ka kërkue e dëshirue gjithmonë e ka gjetë. S’ka çka me kërkue ma, tha Pali. Sa përfundoi këto fjalë, kishin shpërthye duertrokitje, brohoritje e të qeshuna. Sekretari e pa veten keq, e nuk mund ta fshihte zhgënjimin e tij të madh. Ç’iu desh me i dhanë fjalën atij plaku mirditor, duke e njohun mirë se ai fliste me nënkuptime të thella. Në fillim, asnjenit nuk i kishte shkue mendja se ku donte me dalë plaku. Në përmbyllje, si një artist i vërtetë i satirës dhe i ironisë, ai kishte shfaq krejt dramën që po përjetonte populli, tashti që kishte ardhë vetë djalli i kuq me brina me sundue mbi shqiptarët. Tash popullit i kishte mbetë fjala në fyt, sepse nuk ishte çka me thanë. Ç’dreq tjetër me kërkue, kur vetë dreqi ishte ulë kambëkryq në votrat e tyne?! 104
Sa për Ndue Fushën, pas do kohe ai u sëmur randë nga tuberkulozi. E hoqën nga dhoma e Valentinit dhe e shtruen në spital, ku ai vdiq në lule të jetës. Kur të burgosunit e dhomës tij e morën vesh, u mërzitën, sidomos Valentini, që e kishte dhe të afërm nga familja, dhe mori ngushullimet e të burgosunve. Historia e Pal Dodës ishte si një kujtim i fundit që ai ua la shokëve të dhomës. Këtë tregim të Ndout, Valentini e kishte përfshi në kujtimet e tij të burgut.
Burgu i vjetër
Burgu i vjetër ishte shumë ma i madh, dhomat ishin ma të gjana e me dysheme prej betoni. Nuk kishte shtretën, kështu që të burgosunit, kur shtriheshin natën, ishin aq të shtrënguem, saqë nuk mund të kthenin as trupin. Në një nga këto dhoma rrinin bashkë rreth njëqind vetë. Nga frika se mos ndikonin te njerëzit me doktrinën apo me metodat e tyne, klerikët katolikë (nga besimet e tjera nuk kishte pothuajse fare), i kishin izolue në një lloj qelie të mbyllun, pa dritare e vetëm me një vrimë në derë, ku nuk mund të kalonte as dora. Të tjerët që nuk ishin marrun akoma në pyetje, nja pesëmbëdhjetë vetë, rrinin në dhomën e Valentinit. Kishte kalue ma se një javë nga koha që ndodhej në burgun e madh, kur e shoqja i çon një letër Valentinit me anë të njenit nga dy rojet, që quhej Remzi, e ku i thoshte se do të merrte një leje të posaçme për takim. Pas tre ditësh, e 105
thërret roja e takimeve dhe, duke i hap derën e hekurt, i thotë se grueja e priste në sallonin sipër. U ngjit shkallëve dhe u gjet para Gorit që iu hodh menjëherë në qafë, duke qa nga përmallimi. Nuk mundi të hapte gojën për sa kohë ishte përqafue me Valentinin, derisa u hap një derë dhe u duk drejtori, i cili desh të tregohej i sjellshëm dhe i ftoi me hy në zyrën e tij. Nuk dihet nëse drejtori e merrte vesh italishten, sidoqoftë aty vazhduen të flasin pa ndërhymjen e tij. Ndër të tjera, ajo i përsëriti që ishte i domosdoshëm riatdhesimi i saj, që do t’i jepte mundësi, mbase edhe atij, të dilte nga burgu. Nuk kishte zgjidhje tjetër ma të mirë. Çfarë mund të banin ata me atë fat, që i kishte katandisë në atë gjendje të mjerueshme e të pashpresë? Kur po ndaheshin, Gori i tha se po t’i dilte leja për riatdhesim, do të merrte përsëri një leje speciale me u takue me të. Siç bante gjithmonë, edhe kësaj here ajo u nda prej tij duke qa me ngashërim. Shokët e burgut kishin ndodhë në oborrin e vogël dhe e kishin ndjekë skenën me emocion, sepse tashma dihej prej të gjithëve se Valentini ishte një viktimë krejt e pafajshme e fatit. Nga ky takim, Valentini kishte kuptue se asaj do t’i jepej leja e riatdhesimit, për ta largue njëherë e mirë prej tij. Dhe sipas opinionit të shoqnisë së burgut, me largimin e grues, edhe ai, Valentini, nuk do të pësonte ndonjë dënim të randë. Tashma ajo punë kishte marrë rrugën e duhun. Nëse Gori do të kthehej në Itali, Valentini do të ndihej ma i çliruem nga ana shpirtnore, meqë ai e kishte sjellë në Shqipni. Sigurisht, në vendin dhe kohën e gabueme.
106
Një gjyq vërtet special
Ato ditë u mor vesh se kishin arrestue shumë njerëz, ma të shumtit klerikë katolikë, me akuzën se gjoja këta paskan krijue një organizatë kundërrevolucionare. Gjithashtu kishin hapun lajmin se në lterë e Kishës së Madhe në Shkodër ishte gjetë e fshehun një sasi e madhe armësh e municionesh. Ky fakt do ta randonte gjendjen e të arrestuemve. Sigurisht, për të burgosunit që i njihnin metodat dhe veprimet e komunistëve, këto lajme ishin krejtësisht të pabesueshme. Por « masa » i besonte, pra një pjesë e mirë e popullit, që ishte e mashtrueme dhe e dehun nga propaganda komuniste. Këto ngjarje shërbenin për të gjallnue bisedat e tyne. Nuk kaloi shumë kohë dhe u muer vesh se i ashtuquejtuni gjyq special do t’i hapte përsëri dyert në kinemanë Rozafa. Kësaj radhe ishte fjala për klerin katolik dhe të tjerë të përfshimë në atë proces. Do të gjykoheshin njëzet vetë, ndër ta edhe dy misionarë italianë, atë Gjon Fausti dhe atë Jak Gardini, fretënt shqiptarë Gjon Shllaku, Daniel Dajani e shumë të tjerë. Dy italianët jetonin në Shqipni prej shumë vjetësh dhe jepnin mësim në liceun e jezuitëve të Shkodrës. Të tjerët i përkisnin klerit katolik shqiptar, ma e shumta e tyne, gjakoj e ndonjë laik. Tashma dihej si do të zhvillohej e do të mbyllej edhe ky proces gjyqsor. Ishte po e njëjta histori tragjike që luhej. Akuzat ishin të njohuna, dëshmitarët e rremë, por viktimat kishin emna e mbiemna të tjerë e të vërtetë. Në fund të javës përfundoi gjithçka me gjashtë dënime me vdekje dhe të tjerë me dënime të randa me burg. Të dy 107
misionarët italianë, njerëz që kishin shërbye për misionin fetar, u dënuen me vdekje bashkë me dy prifta shqiptarë. Nuk kaloi shumë dhe i çuen dhe i pushkatuen për gëzimin e madh të “masës popullore”, që i konsideronte këta të pafajshëm si kriminelë e «anmiq të popullit.» Menjëherë pas shkatërrimit të kësaj «organizate subversive e të armatosun», që kishte qenë e udhëhequn nga dy misionarët italianë tetëdhjetëvjeçarë, i erdhi radha një grupi tjetër të burgosunish politikë, ndër të cilët ishte dhe një ish-agjent i sigurimit, Pjerin Kqira. Si herët e tjera, salla e kinemasë ishte mbushë plot e përplot me «popull», që dallohej për zhurmën e madhe, i gatshëm me himnizue “idhullin” e tij. Kjo ishte një masë e egërsueme, e cila përplaste kambët mbi dyshemenë dhe kërkonte, me thirrje histerike, vdekjen e të pandehunve. Por kësaj radhe të pranishmit nuk mund të përfytyronin se çfarë do të ndodhte me grupin e të pandehunve të rij. Kur erdhi radha e Pjerin Kqirës, ky ishte çue dhe ishte afrue befasisht te mikrofoni, ku me një za të fortë deklaroi, pa qenë i lejuem me folë, pra shpejt e shpejt, saqë s’patën kohë ta pengonin dhe t‘ia hiqnin mikrofonin. - Popull i Shkodrës! Kleri katolik nuk asht aspak fajtor për veprime kundër shtetit. Krejt procesi i tyne ka qenë vetëm një kurdisje. Ata janë të pafajshëm. Armët, që u gjetën nën lter, i kam vendos unë vetë, me duert e mija, me urdhën të krenve të partisë e të sigurimit. Pjerini përfundoi tue deklarue se e gjithë kjo ishte kurdisë me eliminue klerin katolik dhe botën katolike shqiptare. Kur policët mbrritën aty me i hjek mikrofonin, ai e kishte mbarue fjalimin. U ul krej i kënaqun mbi stolin e tij, sepse tashma e ndiente veten të çliruem nga ajo peshë 108
e randë, që shpirti i tij e kishte durue deri në ato çaste. Prandaj e ndjente veten të gatshëm me u paraqitë para zotit, me ndërgjegje të pastër. Ai e dinte mirë se shumë shpejt do të nisej për në botën tjetër. E pushkatuen menjëherë bashkë me disa të tjerë. Episodi i Pjerinit ishte si një bombë e papritun, që e tërboi kreun e regjimit. Sepse ai incident zbuloi hapun mekanizmin vrastar e terrorist të atyne që kishin në dorë pushtetin dhe do ta mbanin atë me çdo kusht, qoftë dhe duke vrarë njerëz të pafajshëm, që i konsideronin të padëshiruem. Disa njerëz të sigurimit morën masa për këtë pakujdesi të madhe. Pas fjalës së Pjerin Kqirës, në sallë ra një heshtje e madhe. Por pastaj filloi përsëri poterja me britma shurdhuese, të drejuem kundër atij njeriu që kishte pasë atë guxim të madh me demaskue publikisht poshtërsitë e sigurimit e të gjykatave të shtetit komunist. Edhe të pandehunit e kësaj seance gjyqsore morën dënime të randa. Kur grupi i të dënuemve doli jashtë, i përcjellun nga policia, mbi ta u lëshue masa për t‘i mbytë me duert e saj, sidomos kundra Pjerinit, por policia nuk i lejoi. Pra, ata njerëz ishin të bindun se ai nuk kishte thanë të vërtetën, por kishte ba deklarata false! Edhe ky grup e pagoi me gjashtë të pushkatuem, ndër ta edhe Pjerin Kqira, që e tregoi veten trim dhe i vendosun, si një shqiptar i vërtetë. I gënjyem dhe i lidhun me partinë e sigurimin, këta e kishin përdor me kurdisë planin e armëve të fshehuna në kishë. Por pas gjyqit të misonarëve italianë e priftave shqiptarë, që pastaj u pushkatuen, Pjerini e kuptoi se kishte hy në rrugë të gabueme, duke u ba shërbëtor i djallit. Kështu, ai priti daljen në gjyq me shfajsue veten duke thanë të vërtetën. 109
Llesh Marashi
Ata po rrinin në dhomë një pasdite tё fundit tё janarit, kur jashtë u dëgjue zhurmë e britma njerëzish. Valentini hypi mbi kurrizin e një shokut dhe, nga dritarja sipër e qelisë, dalloi një turmë të madhe, partizanë e partizane, që vinin rrugës me dy njerëz të lidhun. Të dy ishin trupmëdhej e mjekrrosha, me sa duket, edhe këta malësorë të arratisun të malit që i kishin kapun forcat e ndjekjes. Ato dalloheshin nga turma për nga shtati dhe ruheshin nga njerëz të sigurimit. Sigurisht, ata duhet të ishin njerëz të randësishëm, përderisa ishte grumbullue gjithë ai popull rreth tyne, tue brit e sha, e tue i thur lavde partisë, qeverisë e diktatorit. Rruga bante kthesë dhe turma mori drejtimin andej dhe u zhduk. Valentini zbriti. Pasi u tregoi shokëve se çfarë kishte pa jashtë, ata u banë kurioz me ditë se kush ishin ata dy malësorë të lidhun. Për të mos ra në sy të spiunëve, Valentini porositi një nga shokët e tjerë të pyeste kushrinin e Remzisë, që bante shërbim aty. Morën vesh se ishte fjala për major Llesh Marashin dhe një t’afërt të tij, që i kishin kapë atë mëngjes, pas një luftimi afër Koplikut. Siç dihet, Llesh Marashi ishte ai që andej nga mesi i shtatorit 1945, drejtoi kryengritjen e Malësisё Madhe ose, siç quhet ndryshe, kryengritja e Koplikut, me qëllim pastaj me i ra Shkodrës. Ata që e nisën këtë lëvizje kishin shpresë se do të çoheshin edhe krahinat e tjera përreth, por kjo nuk ndodhi dhe kryengritja dështoi. Lleshi me të vetët u detyrue të fshihej përsëri në male, i ndjekun nga forca të 110
pesëditor në Shkodër. Gjatë kësaj kohe forcatarrestuen qindra vetë si dhe banë pushkatime të shumta pa gjyq. shumta të dergueme nga Tirana nën komandën e M. Shehut. Me këtë rast, M. Shehu vendosi një shtetrrethim.
Major Llesh Marashi Udhёheqёs i kryengritjes sё Koplikut.
Ma vonë, ata morën vesh se Llesh Marashi me nipin Rrok Kanti dhe kushrinin Pjetër Bajraktari, që rrinin të fshehun prej gati një vit e gjysmë në një shpellë, në një faqe mali shkambor, ishin diktue. Në fakt, ata furnizoheshin me ushqime nga njerëz besnikë. Shpella ishte në një vend të fshehtë e të sigurt, që as që mendohej se mund të zbulohej. Por, me sa duket, ndonjë spiun do të 111
ketë vrejtë lëvizjet e njerëzve që çonin ushqime aty, sado që ato ishin mundue mos me ra në sy. Kur forcat e sigurimit e rrethuen vendin, komanndanti kishte kërkue dorëzimin e tyne, por në atë çast nipi i Lleshit, Rroku, ishte lëshue pas një shkambi e kishte fillue pushkën. Nga të shtënat e para mbetën të plagosun dy ushtarakë e megjithëse Lleshi i thërriste nipit që ta pushonte zjarrin, ai nuk donte t’ia dinte dhe kishte vazhdue me luftue me trimni të pashoqe. Por rrethimi sa vinte e shtrëngohej ma tepër. Rroku e pa se i kishin mbetë pak fishekë dhe vendosi me vra veten, mos me ra në dorë të komunistёve. Ai kishte gjuejt veten me revolver. Ndërkaq, komandanti i kishte ba thirrje Ll. Marashit që të dorëzoheshin, se nuk kishte tjetër rrugëdalje për ta. Lleshi iu përgjigj se po t’ishte për atë, ai nuk do t’ishte dorëzue kurrë, por mendonte për jetën e nipit dhe të kushrinit, pra të Rrokut dhe Pjetrit. Në qoftë se ai i garantonte jetën e tyne, atëhere ai do të dorëzohej. Lleshi nuk dinte asgja për Rrokun qё kishte gjuejt veten mos me u dorëzue. Pasi ishte konsultue me komisarin, komandanti i ishte përgjigj se e pranonin kushtin e tij. Kështu Llesh Marashi e Pjetër Bajraktari u dorëzuen dhe i sollën në Shkodër. Kur Lleshi e mori vesh se Rroku ishte vra, ai ishte pendue pёr dorёzimin. Por Rrokun e gjetën të shtrimë, me një plagë të madhe në gjoks; ai kishte humb shumë gjak dhe e kishin kujtue të vdekun. Por komandanti ishte afrue dhe kishte vrejtë se ai ishte akoma gjallë. Ai kishte dhanë urdhën që të përgatisnin një vig me e dërgue atë deri në një vend ku vinte makina. Kështu u veprue dhe Rrokun e çuan në 112
spitalin e Shkodrës. Atë e operuen urgjentisht dhe shpëtoi nga vdekja. Pasi u shërue, Rrokun e morën në hetuesi për me nxierrë nga ai informata të nevojshme, veçanërisht për axhën e vet, por më kot. Ai përballoi torturat, por nuk u tregoi asgja hetuesve. Kurse Llesh Marashin e mbajtёn njё kohё tё gjatё nё qelitё e burgjeve, krejt tё izoluem. Ata donin ta thyenin moralisht e ta banin pёr vete, tue i premtue edhe ndonjё post me randësi. Por Ll. Marashi u tregue i pamposhtun. Atё e ekzekutuen me varje midis Shkodrёs më 1946. Në bisedat e tyne për të, të burgosunit nuk ia falnin aktin e dorëzimit. Një figurë si ai, për ma tepër një ushtarak si Llesh Marashi, nuk duhej të ishte dorëzue gjallë në dorë të forcave të ndjekjes.
Riatdhesimi i Gorit
Valentinit po i afrohej një ditë e trishtë. Atë e thirrën në zyrë me u përshëndet me Gorin. Siç mund të përfytyrohet, ky takim mes tyne ishte tepër prekës, aq sa Valentinit iu duk se u përmallue edhe drejtori. Ai u çue në kambë e filloi të shëtiste poshtë e nalt nëpër dhomë, duke e lanë çiftin vetëm që të flisnin lirisht. Valentini u mundue me e qetësue gruen duke i dhanë kurajo. Drejtori e lejoi zgjatjen e takimit jashtë parashikimit, derisa erdhi çasti i ndarjes dhe ata të dy nuk donin të përfitonin nga mirësjellja e tij. Ata e falënderuen drejtorin, dhe Valentini u çudit kur ai i kishte shtrëngue dorën fort duke i thanë: 113
“Mos u mërzit, se nuk i dihet. Mund të lirohesh e kështu mund të bashkohesh me të.” Ai i la përsëri vetëm dhe ata përshkuen sallonin duke zbritun bashkë shkallët. Kur arritën në fund të shkallëve, ata u përqafuen dhe u ndanë pa folë asnjë fjalë nga emocioni. Valentini u përmbajt, kurse Gori qante me ngashërim. Ajo doli prej burgut krejt e turbullueme dhe e përhumbun. Në njëfarë kuptimi, kjo ishte një ndarje si ajo e njё Penelope të re, qё shёnonte fillimin e peripecive tё dashurisë me Odiseun e saj, Valentinin. Lufta e Trojёs zgjati 10 vjet dhe po kaq, 10 tё tjera iu deshёn Uliksit në udhëtimin e tij plot aventura, derisa u kthye në Itakë. Po sa do tё zgjaste odiseja e Valentinit dhe Gorit? Askush s'mund ta përfytyronte se do të duhej të kalonte një gjysmë shekulli deri në ribashkimin e tyre, në Bolonja të Italisë. Disa ditë pas ndarjes me Gorin, aty erdhi kryetari i Degës së Brendshme të rrethit, Zoi Themeli, i njohun si një njeri i pashpirt. Ai kaloi nga dhoma në dhomë dhe, kur shihte ndonjë fytyrë të njohun, ai ndalej të fliste me të. Erdhi edhe në dhomën e Valentinit. Të burgosunit u çuen në kambë dhe u vendosën në rresht para tij. Pasi e pyeste secilin për emnin e mbiemnin, ai i bante ndonjë pyetje. Kur ishte para Valentinit dhe mori vesh kush ishte, ai e pyeti: -A ke marrë ndonjë lajm prej grues? Dhe, ndërsa priste përgjigjen e tij, pas pak e pyeti nëse kishte ndonjë kërkesë. Valentini nuk kishte droje ndaj askujt dhe, për ma tepër, ishte i mërzitun pas largimit të Gorit. Kështu që ai i tha kryetarit të degës se nuk është e drejtë që ta mbanin 114
akoma në burg, sepse ai ishte krejtësisht i pafajshëm dhe nuk kishte ba asgja kundra regjimit. Aq ma tepër, që ai kishte jetue jashtë shtetit shumë vjet pa ardhë në Shqipni. Zoi Themeli iu përgjigjigj qetë-qetë: - Duhet të dish se po të lironim ty, populli do të vinte me na kërkue llogari. Do të vinin duke protestue pse e kemi lirue djalin e Prenk Pervizit, anmik për vdekje i regjimit... Pasi tha këto fjalë, ai kaloi tutje. Pastaj doli në korridor e para se me zbrit shkallët i tha: -Familja jote është e internueme në Berat, apo jo? -Po, iu përgjigj Valentini. Teksa zbriste shkallët, Themeli shtoi: -Ndoshta edhe ty do të internojmë në Berat. Të nesërmen, Valentini mori një telegram nga e shoqja, ku i thoshte se kishte mbrritë në Bologna dhe gjendej pranë familjes së saj. Kështu kalonin ditët dhe muejt dhe po mbusheshin dy vjet nga dita e arrestimit të tij. Në një mëngjes, atë e thirrën poshtë bashkë me një fotograf të njohun shkodran që quhej Ded Jakova. Ky bashkë me Guljelm Dedën dhe mësuesin Zef Agimi, qysh nga dita kur ishte largue grueja e Valentinit, e ftonin atë me nda bashkë me ta ushqimin që u sillnin familjet e tyne. Ma në fund, erdhi edhe dita kur duhej me dalë në gjyq. Vetë drejtori i burgut u paraqit me një listë në dorë dhe lexoi 15 emna në dhomën e Valentinit e tre në një dhomë tjetër, gjithsejt 18 veta. U tha se të nesërmen do të shoqëroheshin te një sallë gjyqi enkas për ta, pa altoparlanta dhe me pak dëgjues, ma të shumtët t’afërmit 115
e tyne. Valentini nuk kishte njeri të vetin që të vinte në gjyqin e tij. Familjarët i kishte të internuem dhe prindin në arrati, të strehuem në malet e Kurbinit qysh nga nandori 1944, e tani ishte shtatori i vitit 1946. Gjyqi kishte si prokuror Aranit Çelën, i cili, siç dihet kishte çue në pushkatim ajkën e Shkodrës, intelektualë, oficerë, priftën e seminarista, studentë e profesorë, katolikë, myslimanë e ortodoksë, qytetarë e malësorë. Ai ishte një nga autorët kryesorë të një kasaphane të vërtetë. Të 18 vetët u morën në pyetje brenda dy ditëve dhe mbaruen punë me trupin gjykues dhe me prokurorin. Valentinin e kishin lanë të fundit. Kryetari i gjyqit, që zakonisht sa për formalite bante ndonjë pyetje, nuk dinte nga me ia fillue. I erdhi në ndihmë prokurori. Kur A. Çela iu drejtue Valentinit, fytyra e tij u vrejt dhe nisi t’i flasë me za të naltë, sigurisht me i shti frikën e pastaj me e mbyllë me pretencën e tij. Valentini e mblodhi veten dhe iu përgjigj ashtu siç duhet. Siç vepronte edhe me të tjerët, prokurori e nisi pretencën me gjana të sajueme e dëshmi false. Hodhi mbi Valentini akuza të randa. Sikur ai para se me ardhë në Shqipni kishte takue disa të arratisun në Itali si Abaz Kupin, Mehdi e Mithat Frashërin, e të tjerë, prej të cilëve kishte marrë udhëzime me fillue një kryengritje kundër regjimit komunist dhe të tjera absurditete si këto ! Pas këtyne shpifjeve neveritëse të prokurorit, ndërhyni kryetari, i cili iu drejtue Valentinit: -Hë, pra, a je në gjendje me u shfajsue? Hajde, përgjigju! Valentini nisi me folë me qetësi: 116
-Fillimisht duhet të deklaroj para trupit gjykues dhe me përgjegjësinë time të plotë se ato persona që përmendi zoti prokuror, nuk i kam njoh, as takue kurrë në jetën time. Po kështu, nuk kam dëgjue të flitet për ta para se t’arrestohesha. Vetëm në burg, duke lexue shtypin, kam marrë vesh se kush janë ata. Së dyti, duhet të theksoj se të gjitha akuzat që prokurori ka dashtë të m'i ngarkojë mue, janë krejtësisht të pabaza. Po t’ishte se unë do të kisha pasë qëllimin me ardhë e me luftue në Shqipni, siç thotë prokurori, kundër regjimit komunist, nuk do ta kisha marrë gruen me vete, aq ma shumë se ishte e huej! Pas kësaj mbrojtje, prokurori lexoi pretencën e tij për dënimin e secilit prej të pandehunve. Dënimet nisen nga 15 vjet punë të detyrueshme në minierë dhe deri me ato ma të lehtat. Kur erdhi radha e Valentinit, u ba pak pushim, pastaj prokurori kërkoi tre vjet internim për të, që kryetari e aprovoi me vendimin e tij. Kur e kthyen në burg, të gjithë shokët e tij u gëzuen. Ata e uruen, me gjithë zemër, për atë zgjidhje që mori fati i tij dhe që i jepte fund kësaj pritje të frikshme e të padurueshme. Atë do ta internonin, megjithëse ishte i pafajshëm. Padrejtësia e regjimit e kishte godit përsëri djaloshin plot ëndrra për jetën. Por ai kishte fitue diçka: do të ikte nga qelitë e ftohta e të mbylluna hermetike të burgut. Kështu do të kishte mundësinë të takohej e të rrinte me njerëzit e dashtun të familjes, që e prisnin me padurim.
117
Internimi në Berat
Pas disa ditësh, drejtori i burgut e thirri Valentinin në zyrën e tij dhe i komunikoi të bahej gati se do të nisej së shpejti për në Berat. Ai i foli me një ton të njerëzishëm, duke i thanë se atje do të gjente gjyshen dhe nanën, që sigurisht, do të gëzohen shumë. Besoj se je i kënaqun a po jo? -Po zoti drejtor. Nuk di si me e shpreh gëzimin se do t’i takoj jashtë mureve të burgut dhe pas pesë vjetësh ndarje prej tyne. Dhe në fakt, të nesërmen atë e nisën të shoqnuem nga një polic, i cili e trajtoi mirë gjatë rrugës, ndryshe nga disa të tjerë, që ua binin në majë të hundës me sjelljet e tyne të ashpra njerëzve si Valentini, me tregue, vend e pa vend, se ishin të lidhun me partinë dhe i luftonin ata që ishin kundër saj. Polici e përcolli deri te Dega e Brendshme e Beratit. Kur arriti aty, ai dalloi disa njerëz të sigurimit, me uniformë oficerësh. Me sa duket, ata ishin të lajmëruem për ardhjen e tij. Oficeri që merrej me të internuemit, pasi i kishte regjistrue të dhanat personale, i tha se do të paraqitej në degë dy herë në ditë, në mëngjes deri në orën 9 dhe në mbramje deri në orën 19. Kur Valentini doli nga zyra, iu afruen disa njerëz dhe e pyetën se kush ishte e nga vinte. Valentini e kuptoi nga e folmja dhe pamja se ata të internuem ishin nga Veriu. Ai u tregoi se vinte nga Shkodra, kush ishte dhe se aty në Berat kishte nanën dhe gjyshen. Ata u gëzuen shumë dhe pasi i treguen se kush ishin edhe ata, i banë 118
urime për lirimin nga burgu. Ndërkaq një djalë i ri u nda prej tyne për me lajmërue nanën e Valentinit. Kështu u nisën të gjithë së bashku. Pas pak, ai takohet rrugës me nanën, e cila i kishte dalë përpara sapo kishte marrë vesh ardhjen e tij. Sipas përshkrimit të Valentinit, ky ka qenë një takim shumë i përmallshëm, pas pesë vjet ndamje dhe atyne peripecive që kishte kalue rrugës dhe në burgun e Shkodrës. Nanë e bir kishin qa me lot gëzimi. Pa humb kohë, ata u nisën drejt banesës, ku priste me padurim gjyshja. Takimi me gjyshen ishte dhe ma emocionues, ajo e përqafonte dhe e prekte në trup, si me u bind se ishte ai vetë, nipi i saj i dashun. Banesa e tyne në Berat ishte krejt e prishun dhe e vendosun sipër një stalle. Ishte një dhomë me 14 metra katrore, pa tavan e me çati, ku mungonin binarë e tjegulla. Kështu që shiu pikonte kudo. Edhe dyshemeja ishte e prishun; asaj i mungonin disa dërrasa. Era hynte nga të katër anët, sepse muret ishin ça e në disa vende kishin ra tullat. Kështu që në ato ditët e para, atij iu desh me ba vetë disa riparime me mbeturinat, që kishin mbetë nga lufta. Po e ndihmuen edhe shokët e rij që gjeti në internim. Kështu, dhomëza e tyne u rregullue disi. Këtë qytet të njohun për antikitetin e tij, ku spikaste kalaja me mure të fuqishme, me kisha të vjetra, ku ishin ruejtë ikona, mozaikë e libra, deri edhe kodi i famshëm me shkronja të arta, regjimi komunist e kishe caktue si qendër internimi për familjet e mëdha dhe plot të tjera nga krahinat e Veriut. Shumë nga këto familje rrinin edhe në lagjen e kalasë, si dhe në lagjet e tjera si Mangalem etj. Duke qenë se qyteti ishte damtue nga lufta, banesat e shkatërrueme u ishin dhanë për strehim të internuemve, 119
të cilët mundoheshin me u rregullue me mjetet dhe mundësitë modeste që kishin. Komanda ishte mjaft larg, nga ana tjetër e qytetit. Megjithatë, nana dhe gjyshja duhet të paraqiteshin atje dy herë në ditё.
Valentini në vitin 1949 (Foto Xhimitiku, Berat)
Kuptohet se kjo pёr gjyshen, plakё 85 vjeçe, ishte njё torturё e vërtetë. Përveç këtyne rregullave të ashpra survejimi, ata i mundonte edhe varfnia e skamja. Ato duhet të mjaftoheshin me racionin e bukës së misrit që u jepnin, një kile bukë në ditë. Kjo sasi buke u jepej me kompensue mungesat ushqimore. Ato ua shitshin gjysmën beratasve, që edhe ata vuenin nga buka prej krizës ushqimore që kalonte vendi. Atyne u jepej 400 gram për njeri. Ishte krizë e madhe buke, sepse të gjitha tokat bujqësore kishin mbetë pa u punue prej dy vjetësh. Në 120
këto kushte, ndërhyni Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë e Rindërtim (UNRRA), duke sjellë nga jashtë një sasi mielli për të përballue mungesën e madhe të bukës në vend. Edhe të internuemit e tjerë kështu vepronin. Regjimi komunist i kishte dëbue nga vendet dhe pasunitë e tyne, pa u lejue me marrë asgja me vete. Me ato pak lekë nga shitja e një pjese të bukës, të dyja mundoheshin me mbijetue në atë gjendje të pashpresë ku i kishte hedhë fati i jetës. Me ardhjen në Berat, Valentini pati mundësi me i nisë dy kartolina grues së tij në Bolonja. Ai e njoftonte se ishte transferue nga Shkodra në Berat, ku ishte bashkue me familjen. Ai përdori kartolinat, sepse e dinte se letrat censuroheshin me rreptësi nga sigurimi. Për fat, kartolinat kishin mbrritë atje, sepse pas një muej ai mori përgjigje, po ashtu me një kartolinë. Edhe Gori shprehte gëzimin për transferimin e tij në Berat dhe që ishte bashkue me familjarët e tij. Kështu, u hap njëfarë mundësie që çifti të merrej vesh, sado përciptas, se ishin mirë dhe, ku nuk mungonte shpresa e një përmirësimi të gjendjes që të mundësonte ardhjen e Gorit në Shqipni. Por këto ishin ma tepër dëshira dhe andrrime, sepse realiteti ishte i pashpresë në atë drejtim. Ata që mendonin se situata do të qetësohej pas stuhisë fillestare, në të vërtetë, do të mbeteshin shumë të zhgënjyem. Në shoqërinë shqiptare, terrori do të vazhdonte i pamëshirshëm, me gjyqe e pa gjyqe, duke shkaktue vazhdimisht viktima të tjera për shkak të zbatimit stalinist të luftës së klasave.
121
Gjyshja, Mrika Pervizi, dhe nana, Ana Pervizi. Të dyja u internuen nӫ maj 1945 në Berat, pastaj mӫ 1948-1954 nӫ Tepelenӫ, ku gjyshja vdiq mӫ 1950. Nana vdiq në Pluk tӫ Lushnjӫs nӫ prill 1977, pas 32 vjetësh internim.
Në vitet 1945-1948 Berati u ba qendër internimi për familjet e mӫdha tӫ Veriut e shumӫ tӫ tjera qӫ kishin njerӫz tӫ arratisun nӫ mal ose jashtӫ shtetit.
122
Një vështrim retrospektiv
Duhet me ba një analizë ose, ma mirë me thanë, me hedhë një vështrin retrospektiv. Pra, me u kthye mbrapa, pikërisht në kohën e kapitullimit të Italisë, që shënoi ardhjen e gjermanëve në Shqipni. Kjo më duket e nevojshme me u dhanë kuptim e me sqarue ngjarjet që ndodhën në atë periudhë, e që lidhen me tregimin mbi Valentinin dhe familjen tonë. Si një dëshmitar që i kam ndjek dhe i kam përjetue ato rrethana, unë them se tregimi im do të shërbejë për të sqarue shumë punë që janë paraqitë tjetër për tjetër, pra janë deformue e manipulue qëllimisht për interesa t’errta klanore, krahinore, fetare e ideologjike. Unë jam i prirun për me i paraqitë ngjarjet sipas një kandvështrimi sa ma real e të përpiktë. Nuk i çmoj ata që shkruejnë me përfitue privilegje materiale apo morale. Zakonisht, kjo kategori kthehet në ithtare e himnizuese individësh, partish, klanesh, krahinash e besimesh dhe nuk e kanë për gja me ba sajime e trillime të historisë shqiptare. Ka pasë raste që edhe të ashtuquejtuna figura e personalitete të botës shqiptare, të kenë falsifikue qëllimisht fakte historike, të njohuna mirë, me tregimet e tyne, duke përfitue nga emni dhe titujt që mbanin e mbajnë. Po e ilustroj këtë pohim, me disa të dhana konkrete. Kur, më 8 shtator 1943 u shpall kapitullimi i Italisë, po atë ditë prindi im, gjeneral Prenk Pervizi, bashkë me disa oficerë të tjerë madhorë të ushtrisë shqiptare, ndër ta gjeneralët Gustav Mirdashi e Aqif Permeti e nja dy 123
kolonelë, u paraqitën te komanda e ushtrisë italiane, ku patën takim me kryekomandantin e saj, gjeneralin Dalmazzo. Në atë takim, im atë, në emën të ushtrisë shqiptare, i njoftoi atij se kishin ardhë me marrë në dorëzim komandën. Gjeneralit Dalmazzo iu kërkue që të lëshonte urdhën garnizoneve italiane që të dorëzoheshin me gjithë armatimet e tyne pranë forcave efektive të ushtrisë shqiptare ose të atyne të malit, për të mos provokue incidente e viktima, përderisa pushtimi italian në Shqipni kishte marrë fund. De facto, Shqipnia tashma ishte e lirë dhe e pavarun. Dalmazzo e mori përsipër ta kryente atë punë. Ndërkaq, im atë ndërhyni dhe e këshilloi të merrte me vete sa ma shumë italianë me anijet që kishin, sepse gjermanët mund të hakmerreshin me ta, për tradhtinë që u ishte ba. Në këtë takim, Dalmazzo i kishte falënderue ushtarakët shqiptarë për fisnikërinë e tyne. Madje, me atë rast ai i kishte dashtë me i ba si dhuratë e kujtim babës dy kuajt e tij të bardhë. Por im atë e kishte refuzue atë, për të mos krijue keqkuptime me natyrë politike. Kështu komanda italiane i dorëzoi zyrat dhe ndërtesën e komandës, ku zuni vend komanda shqiptare me gjeneral Pervizin në krye. Ky ishte akti i parë i kryem nga ushtria shqiptare, që nuk përmendet, meqë historianët kërkojnë dokumente të shkrueme, që nuk janë shkrue nga ana zyrtare, por që efektivisht akti i dorëzimit u krye me marrëveshje gojore. Në këtë rast, dëshmitari kryesor ishte im atë, bashkë me oficerë të tjerë madhorë të naltpërmendun, dhe kjo ngjarje asokohe njihej nga të gjithë. Duhet theksue se dorëzimi paqësor i ushtrisë italiane u ba pa probleme, sipas kësaj marrëveshje. Pra, u evituen rastet e konflikteve me armë, 124
siç kishte ndodhë, për shembull në Burrel, pak ditë përpara kapitullimit. Atëherë, forcat italiane kishin urdhnin mos me u dorëzue dhe me iu përgjigj me zjarr çdo tentativë sulmi nga ana e shqiptarve. Matjanët, të nxitun kushedi se prej kujt, u bashkuen dhe sulmuen Burrelin. Forcat italiane aty i pritën sulmuesit me breshëri mitrolozash e gjuejtje topash, saqë këta të fundit u larguen të shpartalluem tue lanë të vdekun e të plagosun. Por pas marrëveshjes nuk pati ndodhi të tilla fatkeqe. Ndërsa im atë me disa oficerë madhorë kërkonin me organizue sa ma parë ushtrinë shqiptare, ngjarje të paparashikueme u banë pengesë. Kështu, u hap fjala se gjeneral Prenk Pervizi kishte dalë në mal dhe u bante thirrje reparteve të zonave të veriut me u bashkue me të. Të gjitha repartet u shpërndanë dhe u kthyen pas oficerëve të tyne në krahinat e tyne. Ata plaçkitën depot e ushtrisë italiane dhe morën me vete materiale e armatime. I njoftuem dhe i alarmuem, im atë deshi të ndërhynte, por u gjend para faktit të kryem. Brenda pak ditëve, vendi mbeti pa ushtri. Vetëm në Kosovë, dy regjimente shqiptare të dislokueme atje nuk ishin shpërnda. Kjo që ndodhi u fol se kishte qenë një taktikë e komunistëve për çorganizimin e ushtrisë shqiptare, e cila, mund të paraqiste rrezik të madh për ta. Sepse nacionalistët, që tashma po merrnin pushtetin në dorë, me një ushtri të fortë, nuk do t’u linin shteg komunistëve me përmbushë qëllimet e tyne prosllave. Po kështu, ata nuk do të lejonin kurrë marrjen e pushtetit nga komunistët dhe dorëzimin e Kosovës Jugosllavisë. Thuhej gjithashtu se mund të kishin gisht edhe anglezët, për të mos lejue krijimin e një ushtrie të rregullt e të fortë shqiptare. 125
Praktikisht, kjo e nxirrte jashtë loje misionin anglez. Nga ana tjetër, krijimi i një qeverie nacionaliste do të fuqizonte vendin dhe do të luftonte për bashkimin kombëtar, që ishte në programin e të gjitha forcave dhe partive nacionaliste. Si rezultat, edhe Kosova e Dibra e Madhe do të mbeteshin brenda kufijve politikë të shtetit të ri shqiptar të Pasluftës. Mirëpo, kjo nuk u shkonte për shtat anglezëve, që ia kishin premtue Kosovën Titos. Nuk ishte pa domethanie që Çurçilli kishte dërgue me mision të birin pranë shtabit të Titos. Pra, krijimi dhe forcimi i një ushtrie kombëtare shqiptare, do t’ishte për anglezët një dështim i politikës së tyne ndaj Jugosllavisë. Në këto rrethana, im atë me bashkëpuntorët e vet vendosën me përforcue ushtrinë e Kosovës, që, siç thamë, nuk ishin shpërnda. Ai u emnue ministër i Mbrojtjes Kombëtare. Kjo detyrë i jepte atij autoritetin e nevojshëm në fushën ushtarake. Por me kapitullimin e Italisë, në Shqipni u vendosën forcat gjermane, me gjeneralin Neubacher, ministër për Ballkanin. Që në ndërhymjen e parë që bani, ky deklaroi se Gjermania e njihte Shqipninë të lirë, të pavarun e neutrale. Shqiptarët do të vazhdonin punën e tyne për qeverisjen dhe adminstrimin e vendit. Gjermanët nuk do të përziheshin në punët e tyne, sepse ata « kërkonin vetëm rrugëkalimin nëpër Shqipni dhe asgja tjetër.» Gjermanët zotoheshin se respektonin vetqeverisjen dhe vetadministrimin e vendit, duke qenë se u kishin njohun shqiptarëve lirinë, pavarësinë dhe neutralitetin. Aq e vërtetë asht kjo, saqë ata nuk ndërhynë në punët e shqiptarve, megjithëse nuk kishte familje që nuk mbante në shtëpi italianë të mbetun në Shqipni, dhe asnjë 126
italian nuk u vra, as nuk u arrestue prej tyne. E njëjta gja mund të thuhet për hebrejtë, të cilët nuk pësuen asnjë persekutim dhe Shqipnia njihet si një vend që nuk i dorëzoi ata tek autoritetet gjermane, siç vepruen disa shtete të mëdha në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, duhet thanë se qeveria nacionaliste i kishte marrë masat për sigurimin e tyne, tue i pajis të gjithë sa vinin këtu me dokumente shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u lejue hapja e linjave për bisedime telefonike e telegrafike me Evropën dhe Amerikën. Në vend u vendos rregulli e qetësia, aq sa nuk e teprojmë po të themi se mbretnonte njëfarë demokracie e papame deri atëherë. Shtypi shkruente lirisht, shkrimtarët mund të botonin vepra, që në kohën e Italisë nuk mund të dilnin. Komunistët qarkullonin në Tiranë lirshëm, ku banin propagandën e tyne, me fletushka e me fjalime, pa i trazue kush. Njerëzit shkonin e vinin në punët e tyne, pa kontrolle e pa kufizime, të përligjuna në një kohë lufte. Po pse flitet e shkruhet, atëherë, aq keq për atë periudhë « pushtimi »?! Kjo asht vetëm kambana e komunistëve që bie për të justifikue ardhjen e tyne në fuqi, dhe nuk lejohej, as po lejohet edhe sot të dëgjohet edhe kambana tjetër, ajo e nacionalistëve. Me anë të shtypit të tyne, të librave shkollorë, si dhe të veprave të shkrimtarëve, bashkëpuntorë, konformistë e servilë, si dhe me anë të filmit, teatrit, veprave artistike në pikturë e skulpturë, me shfaqjet e tjera artistike e kulturore, komunistët arritën të krijojnë një imazh heroik e patriotik të paqenë, sipas thanies së Volterit se «gënjeshtra e përsëritun bahet e vërtetë.» 127
Kështu, regjimi komunist që zbatoi një propagandë të tillë shpifjesh, falsifikimesh, gënjeshtrash e mashtrimesh, të paraqituna zyrtarisht nëpër shkolla, universitete, akademi, botime të gjitha llojeve, si dhe nëpër aktivitete kulturore-artistike gjatë një gjysmë shekulli, krijoi një histori kryekëput të deformueme. Dhe, kjo histori gëlltitet si e vërtetë edhe tani, pas kaq vitesh, që regjimi totalitar komunist ka rënë duke lënë pas pasojat e tij tragji-komike.
Vllaznit dhe shtjellime tё tjera
Valentini nuk ishte takue me ne qysh prej vitit 1943. Kur erdhi në Shqipni në tetor 1944, ai mori vesh se ne ishim strehue në mal pas djegies së shtëpive tona në Laç e Skuraj. Ne qëndronim të fshehun me nanën e gjyshen nga frika e terrorit të komunistëve, siç kemi tregue tashma, ku ndejtëm 8 muej të mbrojtun nga familja e Nikoll Llesh Gjokës në Skuraj. Unë dhe Genci u kthyem në Laç, në prill 1945, te shtëpia e djegun dhe prej andej erdhëm në Tiranë, ku zumë një dhomë me qira. Ndërsa nana e gjyshja u internuen në Berat, ku ma vonë u dërgue edhe Valentini. Unë fillova punë në librarinë e çiftit korçar KotePepo, në ish-librarinë italiane Marzoko, e djegun gjatë luftës dhe e rindërtueme prej tyne. Ata më pranuen si shitës, meqë e kishin njohë babën, kur ai kishte qenë me detyrë në Korçë, dhe kishin konsideratë për të. Kjo më vlejti si një mbrojtje, sepse Llambi Kote dhe e shoqja, Vrisidha Pepo, ishin komunistë dhe kishin njohje e miqësi 128
me funksionarë të lartë, ndër ta me Koçi Xoxen dhe me vetë kreun e qeverisë, Enver Hoxhën. Ndërsa Genci mundohej me gjetë ndonjë punë krahu. Kryesorja ishte me shty ditët me shpresë të një ndryshimi apo zbutje të politikës në vend. Asokohe ne mendonim se aleatët angloamerikanë do të banin diçka e do të ndërhynin për të normalizuar situatën, që ishte ashpërsue me ngritjen e gjyqeve speciale dhe masat drastike si pushkatime, burgosje dhe internime të qindra e qindra familjeve, siç ndodhi edhe me familjen tonë. Duke kapërcye rrethana të tjera, po tregojmë se si u ba e mundshme që Gori të riatdhesohej. Ky fakt hyn në rrjedhat e ngjarjeve që shoqnuen jetën e Valentinit. Ajo erdhi në Tiranë me rregullue dokumentet për riatdhesim me anë të Circolo Garibaldi, që merrej me riatdhesimin e italianëve të mbetun pas lufte në Shqipni. Genci siguroi qёndrimin e saj pranё familjeve mike Bonati e Toptani. Gori erdhi në librari për t’u njohur me mue. Unë e prezantova edhe me pronarët, zotin Kote dhe zonjën Pepo, që e morën vesh historinë e saj dhe mbetën shumë të prekun. Me ndihmën tonë, Gori arriti t’i plotësojë dokumentet që kërkoheshin për riatdhesim, por duhej edhe firma e ministrit të Brendshëm, Koçi Xoxe. Nuk dinim si të vepronim. Po të shkonte vetë ajo në takim zyrtar, kishim frikë se mos i ndodhte si me M. Shehun. Në ato rrethana, Gori vjen te libraria, ku do të priste Gencin me shkue diku. Aty ishte edhe pronarja e librarisë, Vrisidha, e cila e ftoi të rrinte me të, derisa të vinte Genci. Kështu ajo e mori vesh problemin e saj.
129
Genc Pervizi
Lek Pervizi
Genci vuejti 10 vjet burg. Me Valentinin u takue pas 15 vjetësh nӫ Kuç, kurse me Lekӫn nӫ Tiranӫ, pas 6 vjetësh. Valentini dhe Leka do të arrestoheshin mӫ 1950 dhe do tӫ kalonin 40 vjet nӫ burgje e kampe të ndryshme internimi deri më 1990.
-Si? Ka mbetur puna për firmën e Koçit? Ma jepni ta shoh dokumentin, -tha ajo. Dhe pastaj vazhdoi: - Këtë punë ka mundësi ta zgjidh unë. Ishte diçka e papritun. E befasueme nga kjo sjellje kaq dashamirëse, Gori u shpreh, gati duke belbëzue: «Grazie… grazie, signora…! Lei è troppo buona!» nxori nga çanta dokumentin dhe ia dorëzoi. Vrisidha i hodhi një sy dhe e futi në çantën e saj dhe i tha Gorit: -Rri e qetë. Do të shkoj vetë te ministri, sa të marr vesh se kur mund ta gjej në zyrë. Zoja Vrisidha e mbajti fjalën dhe të nesërmën, nga ora dhjetë, ajo shkoi në zyrën e K. Xoxest. Unë rrija në pritje të kthimit të saj. Nuk kaloi një orë dhe ajo hyni në 130
librari me një buzëqeshje në fytyrë. Ma tregoi dokumentin e firmosun. - Ia mora firmën qenit! Dhe kaloi te Llambi që, edhe ai, u gëzue shumë. Pastaj na tregoi se si Koçi e kuptoi se Gori i përkiste familjes së Prenk Pervizit dhe i kishte ba vrejtje. Unë i thashë, - tregonte ajo, - se atë grue e kisha një shoqe të ngushtë. I kam dhënë fjalën, prandaj erdha të ma kryesh këtë nder. Atëherë ai e firmosi dokumentin, duke tundur kokën. Nuk vonoi shumë dhe Gori erdhi me Gencin. Nuk përshkruhet gëzimi i saj, ndërsa e falënderonte Vrisidhën shumë e emocionueme. Në Circolo Garibaldi u gëzuen gjithashtu dhe menjëherë i caktuen datën e nisjes pas 10 ditësh. Ajo shkoi në Shkodër, ku e lanë me u takue në burg me Valentinin, siç e kemi tregue. Pastaj ditën para nisjes erdhi me u përshëndet me Gencin dhe mue, si dhe me pronarët e librarisë. Gori ia dedikonte Vrisidhës shpëtimin e saj dhe e quente si një mrekulli. Nuk vonoi shumë dhe në librari erdhi telegrami i saj për Vrisidhën, ku i tregonte gëzimin që ishte bashkue me familjen në Bolonja. Ajo përsëriste se nuk do ta harronte kurrë të mirën që i kishte ba. Këto ishin rrethanat që shoqnuen riatdhesimin e Gorit. Tani Valentini ishte në Berat dhe kishte mundësi të merrej vesh me Gorin me ndonjë letër, por ma tepër me kartolina, duke qenë se letrat pengoheshin dhe nuk vinin në adresën e caktueme. Valentinit nuk i vinin letrat e Gorit dhe ai i pat shkrue që nuk po merrte letra prej saj. Në një kartolinë ajo i thoshte se i kishte shkrue vazhdimisht. Kështu që edhe ajo nisi me përdorë kartolina me pak fjalë. 131
Sigurisht, me largimin e saj, edhe familja jonë u qetësue, por qëndronte problemi sa do të zgjaste kjo ndarje e dy bashkëshortëve të rij. A do të kishte përmirësim të gjendjes?! Njerëzit e shpresonin një gja të tillë, por faktet tregonin ndryshe. Nuk shihej asnjë llojë zbutje. Vazhdonte fushata e terrorit, me arrestime, gjyqe, dënime me vdekje, pushkatime e burgje e internime. Kjo valë përfshinte shtresën e ngritun intelektuale, por nuk kursente as popullatën e thjeshtë, veçanërisht atë të krahinave të Veriut. Berati, na tregonte Valentini, u mbush plot me t’internuem dhe u ba problem strehimi dhe mbajtja e tyne. Një pjesë u transferue në Kuçovë, ku u caktuen me punue për ndërtimin e fushës së aviacionit. Të tjerë u dërguen në fermat e Valiasit e të Kamzës. Siç dihet, në vitin 1948 u prishën marrëdhaniet me Jugosllavinë. Kjo shkaktoi arratisjen e shumë malsorëve nga zonat veriore. Si rrjedhim, shteti ndërmori masa drastike ndaj familjeve të tyne, duke i internue në Berat. Por këtu nuk kishte vend për kaq shumë të intenuem, që mbushnin rrugët e sheshet e qytetit. Atëherë qeveria vendosi të krijojë një qendër tjetër ma të izolueme. Për këtë u zgjodh Tepelena. Jo qyteti, por disa fshatna përreth si Turani, Veliçoti e Memaliaj, ku ishin disa baraka italiane të braktisuna. Ky transferim ndodhi në gusht të vitit 1948. Valentinin nuk e përfshiu transferimi në Tepelenë, sepse atij i erdhi lirimi me mbarimin e tre vjetëve të dënimit. Kurse nana dhe gjyshja u dërguen atje, bashkë me qindra familje të tjera. Numri i përgjithshëm i t’internuemve të Veriut arrinte në rreth 3000 vetë, shumica gra, pleq e fëmijë. Situata u ashpërsue dhe perspektivat e 132
një përmirësimi të gjendjes po zvogloheshin gjithnjë e ma tepër. Mundësia që Valentini të bashkohej me Gorin ishte vetëm hipotetike. Por vuejtja shpirtnore e të dy bashkëshortve rritej dita ditës. Valentini e ndjente veten dyfish të dënuem. Ndërkaq, diçka kishte ndodhë. Im atë kishte arritë me u arratisë në Greqi në shtator 1946. Kështu që ne u çliruem nga ankthi se mos ai kapej ose vritej në mal, ku kishte qëndrue dy vjet. Megjithëse e kërkonin ngado, atë nuk zbuluen kurrë, falë besnikërisë të njerëzve që e mbronin dhe e strehonin. Në këtë arratisje ishim përfshi unë e Genci, si dhe familja e Llesh Gziqit, si dhe i biri, Ndue Lleshi, që e kishin mbajtë të strehuem në shtëpinë e tyne në Sauk, 10 ditë, shumë afër Pallatit të Brigadave. Por, siç e kam përshkrue edhe diku tjetër, heroi i asaj ngjarje ishte shoferi korçar Llazi Sterjo, që e kishte përcjellë ish-komandantin e tij nga Tirana deri në kufinin grek, në zonën e Bilishtit, prej ku im atë kishte kalue në Greqi. Valentini, gjyshja dhe nana e morën lajmin nga vetë shoferi Llazi Sterjo, i cili, mbasi e përcolli tim atë, shkoi në Berat dhe ua dha sihariqin. Por kjo nuk kaloi pa telashe, sepse Genci me Llazin, Ndue Lleshin si dhe zonja Marta Doda, e përfshime në atë punë, u dënuen me nga 10 vjet burg. Kështu që unë mbeta vetëm në Tiranë në mëshirë të fatit.
133
Lirim i papritun
Në dhjetor 1947, komandanti i kampit të Beratit, toger Xhaferr Pogaçe, i njoftoi Valentinit lirimin e tij nga internimi. Ishin mbushë tre vjetët e dënimit të dhanë nga gjykata e Shkodrës. Fillimisht ai desh të qëndronte në Berat pranë gjyshes e nanës, ku mund të gjente ndonjë punë e t'u vinte në ndihmë të dyjave. Por disa miq e këshilluen të largohej, sepse aty do të shikohej e trajtohej gjithmonë si një i internuem. Kështu, në shkurt 1948 Valentini erdhi në Tiranë. Unë u gëzova shumë, sepse tani kisha një mbështetje dhe nuk do të mërzitesha ma nga vetmia. Me këtë rast, ai i mori vesh të gjitha përpjekjet e Gorit me nxjerrë dokumentet e riatdhesimit të saj. Lirimi i Valentinit i gëzoi të gjithë ata që na njihnin. Ai pati rast me falënderue Vrisidhën dhe Llambin për përkrahjen që i kishin dhanë Gorit. Gjithashtu edhe familjet Bonati e Toptani, ku Gori kishte qëndrue gjatë kohës së rregullimit të dokumenteve për afro një muej. Ndërkaq, ai u takue me disa ish-shokë akademistë, që nuk kishin pësue gja dhe ishin punësue si llogaritarë ndërmarrje. Kjo i jepte shpresë të siguronte edhe ai ndonjë vend pune. Pastaj ai mësoi si kishte ndodhë arratisja e prindit tonë, dhe u njoh me ata që e strehuen, Ndue Lleshin, të cilin e kishin lirue nga një falje që u ba me 28 nandor 1947, në 35-vjetorin e Pavarësisë. Edhe të zotët e shtëpisë ku banonim, zoti Qazim Zyma dhe e shoqja, zoja Nurie u gëzuen. Qazimi ish-major në gardën e mbretit Zog dhe, si ai, ashtu edhe e shoqja, e njihnin mirë prindin 134
tonë dhe e treguen atë miqësi tue mos na marrë qira për dhomën që na kishin lirue. Në gjithë sa thamë, ma e randësishmja ishte se Valentinit i jepej mundësia të komunikonte me gruen e tij me letra. Ajo ishte gëzue shumë për lirimin e tij, dhe shprehej për mundësinë e ardhjes së saj me u bashkue përsëri me Valentinin. Por duhej tregue kujdes në këtë drejtim dhe Valentini e mbante Gorin me fjalë të mira për një zgjidhje të tillë. Nga ana tjetër, Gori i shkruente se në Itali ia kishin ndërpre përfitimin nga rroga e Valentinit dhe i kërkonin një prokurë prej tij. Kështu ne u interesuem dhe Valentini e hartoi prokurën te një noter. Por ajo prokurë duhej aprovue e vulosë në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadën e Jugosllavisë, që përfaqësonte Shqipninë. Kjo detyrë më ra mue, sepse Valentini kishte gjetë një punë si mekanik në një ofiçinë automjetesh. Për fat, në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadën jugosllave nuk hasa në asnjë pengesë, dhe kështu dokumenti i shkoi Gorit, e cila u gëzue shumë.
Shpresa tё thyeme
Me ardhjen e Valentinit, unë mora kurajo me provue vazhdimin e mësimeve. Por asnjë shkollë nuk më pranonte. Një vit ma parë kisha depërtue në gjimnazin e mbramjes. Për këtë më ndihmoi Abdurrahim Buza, piktori i shquem, i cili e kishte njoh mirë babën dhe kishte admirim për të. Ai gjeti mënyrën me ndërhy dhe më regjistroi. Unë mësoja dhe vazhdoja punën në librari. Po 135
atë vit, unë përfitova dhe u pajisa me një dokument shkollor. Por rrezikohesha me më marrë ushtar. Pra, më duhej një shkollë e rregullt dite. Ndërkohë Valentini po interesohej me gjetë ndonjë punë ma të përshtatshme. Ai shpresonte mos e ndihmonin edhe disa shokë me pozita si Abdyl Kellezi, i cili ishte forcue shumë në parti e qeveri. Kur shoku i tij, Minella Naçe, i foli për të, ai ishte përgjigj: « Ç’të bësh! Valentini është një viktimë e kohës! » Me këtë frazë cinike, ish-shoku i shkollës i lau duert si Pilati për Valentinin e pafajshëm. Minella kishte mbetë i skandalizuem. «Si ore Abdyl, shokun tand e quen një viktimë të kohës? Mos t’i pafsha ma sytë !» Edhe Valentini ishte i shqetësuem për mue. I thanë se hapej një shkollë e mesme ekonomike. Aty unë arrita me u regjistrue, se nuk po mbushej numri i nxanësve. Por pas dy muejsh më përjashtuen, me ceremoni, bashkë me djalin e Qazim Mulletit, Reshitin. Edhe nga Liceu Artistik më kishin përjashtue një vit ma parë nga konkursi. Po ashtu nga një kurs gjeometrash, ku me kishte largue vetë ministri i Industrisë Abedin Shehu (që ma vonë, gjoja vrau veten). Në atë kohë, jo vetëm unë, por të gjithë studentët nga familje të etiketueme me kriteret e regjimi si « reaksionare » e « të deklasueme » i kishin dyert e mbylluna me u shkollue. Nëse ndonjeni i kategorisë sonë hynte në një shkollë, me t’u marrë vesh se ishte me biografi të keqe, e dëbonin me ceremoni, e në ndonjë rast, edhe me rrahje me shkelma e grushta nga vetë shokët e tyne të organizatës së rinisë. Papritun ndodhën ngjarjet e prishjes me Jugosllavinë. Kështu që ia ngarkuen asaj të gjithë ato masa ndëshkimore që ishin zbatue deri atëherë. Nxanësit e 136
përjashtuem u rikthyen në shkollat ku kishin qenë. Edhe unë mora zemër dhe vendosa me u paraqitë përsëri në Liceun Artistk dhe fitova konkursin. Megjithatë, i banë disa orvatje tërthorazi me më largue. Valentini u gëzue shumë. Pas gjithë atyne të këqijave, që s’po na ndaheshin, u duk se po fillonte një shpresë normalizimi për jetën tonë të përditshme. Letrat nga Italia ishin ma të rregullta. Ne kishim shpresë se Gori mund të na ndihmonte me pako e pare. Me anë të Gorit merrnim vesh lajme edhe për babën tonë, që vazhdonte me qëndrue si emigrant politik në Greqi. Në këto kushte, shoku i burgut i Valentinit, Zef Mazreku, ose Zef Agimi, më ndihmoi të punoja pak kohë si piktor. Ai kishte miqësi me piktorin Fadil Pllumbi, i cili ishte caktue si përgjegjës i ekspozitës së pesëvjetorit të çlirimit, që do të hapej më 29 nandor 1949. Me ndërhyrjen e Zefit, ky më aktivizoi me punue edhe unë aty, bashkë me piktorë të njohun si Sadik Kaceli, Bukurosh Sejdini, Safo Marko etj. Unë fitova ca pare dhe na u ngroh zemra, se me to mund të përmirësonim gjendjen dhe të ndihmonim familjen. Mirëpo, gëzimi ynë qe jetshkurtë, sepse ato ditë morëm lajmin e hidhun për vdekjen e gjyshes në Tepelenë. Ishte marsi i vitit 1950. Andej nga mbramja e një dite të zakonshme, duket në librari një fytyrë, e cila më dukej si e pame diku, po që nuk po e njihja. Ishte Ded Gjomarku, i porsaliruem nga burgu, pas pesë vjetësh dënim. Ai vinte tek unë nga kampi i Lekajt, se nuk kishte se ku të shkonte. Gjithë familja e tij ishte e internueme në Tepelenë. Vëllai në burg, Genci, e kishte drejtue te ne, kushërijt e dajat e tij, 137
që ta ndihmonim. Por sigurimi na ruente nga të katër anët. Ata pritshin që ne të ndërmerrnim ndonjë hap të gabuem, sado të vogël, me na goditë përfundimisht. Dhe doli se Dedën e kishin lirue për këtë qëllimisht. Loja siç duket ishte kurdisë me na marrë edhe ne me vete. Pas vizitës së Dedës, organet e sigurimit na arrestuen mue dhe Valentinin. Në hetuesi na shtrënguen me kallzue se ku mund të kishte shkue Deda, i cili, gjoja, ishte zhdukë dhe ata nuk po e gjenin dot ! Po si kështu ? pyesja veten. Pse luejnë kështu me ne ? Ata më kishin arrestue mue, pikërisht teksa isha me Dedën. Pra, ata më ndanë prej tij. Qëllimi i tyne ishte që ne të bindeshim se ai kishte arritë me u arratisë në mal, me ndihmën tonë ! Na përplasën ndër biruca të ndryshme, derisa na mbyllën, përfundimisht, në kalanë mesjetare të Porto Palermos, bashkë me shumë të tjerë. Kështjella ishte burg e shkue burgut ! Për Dedën nuk kishim asnjë lajm. U hap fjala se Ded Gjomarku kishte dalë në mal me organizue të arratisunit. Ai u kishte ik organeve të sigurimit, ndërsa dy bijt e Prenk Pervizit i kishin arrestue. Plan i kurdisun bukur mirë !
138
Valentini, Ded Gjoni dhe Leka, (Kuç, 1957)
Nga tigani nё zjarr
Kur na mbyllën në kalanë-burg të Porto Palermos, aty gjetëm disa nga familjet ma të randësishme të zonave veriore si Gjomarkajt, Pervizin, Bajraktarin, Dinejt, Demajt, Ndreajt, Topallin, Mirakajt, Kolajt, Spahiajt, Sinajt, Shehajt etj. Aty gjetëm nanën tonë dhe kushrinën Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin ditën që ai kishte mbrritë nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjitha familjet i çuen në kampin e Tepelenës. Kalaja 139
e Porto Palermos u kthye në burg vetëm për burra. Personat e dërguem aty nuk kishin dënime nga ndonjë gjykatë, por ishin futë brenda në mënyrë arbitrare nga sigurimi i shtetit. Aty mbretnonte vetëm errësina e lagështina. Mue me Valentinin na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6-7 metra. Drita mezi hynte nga një dritare në fund të një tuneli prej 3-4 metrash, sa trashësia e murit. Në atë kthinë, si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj, nga ana e lindjes, mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dyja anët, me një shteg kalim në mes, 20 vetë rresht njeni pas tjetrit, me kokë nga muri dhe kambët karshi njeni-tjetrit. Sigurisht, gjaja e parë ishte me u njohë me bashkëvuejtësit tanë. Përballë kishim Vasil Kokalin, një djalë i ri nga Saranda, Shpend Sherifin, ish-toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë, Luigj Marku, Luigj Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk më kujtohen. E kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë në atë kala, po përmend ata që mbaj mend: Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi, Deda, ishte bukëpjeksi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë. Ne jetonim në kushtet e një izolimi të plotë. Aty kalonte vetëm një kamion në muej në rrugën VlorëSarandë. Kur na sollën këndej, mue dhe Valentinin makina na la te posta e policisë, në Himarë, ku fjetëm atë natë nën yje. Të nesërmen, me dengun e teshave në kurriz, 140
erdhëm në kambë deri te kalaja të shoqnuem nga një oficer sigurimi i armatosun. Me mbylljen në kalanë e Porto-Palermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqen. Jo vetëm kaq, por me dashtë me shkrue, aty nuk kishte letër, zarf dhe as kartolina. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër, ne jetonim vetëm me langun e kazanit, që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë prej thekni. Saqë u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin nga 650 në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut, të hanim bukë dhe jo pelte. Njerëzit ishin dobësue nga mungesa e ushqimit. Gjysma e të dënuemve ishin verbue nga mungesa e vitaminave si Ndue Dushi, Mark Dushi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi etj, që ecnin kamba-doras e duheshin mbajt për krahu. Aty u sëmur për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu, që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyne që e ruenin: «Merreni këtë kërmë e hidheni në det!» Përmendëm kapter Ahmetin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qenë roje në burgun e kalasë së Gjirokastrës e që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Porto-Palermo, ai mbeti pa mend nga kushtet tepër të këqija dhe u shpreh haptas se kalasë së Gjirokastrës i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos qenka për t’i qa hallin, shumë ma përdreqe! Nuk vonoi dhe filluen të sjellin ish-të burgosun, që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar si Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një Kalenja nga Mallakastra, ish-shok i Mehmet Shehut, i cili na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë të familjeve Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla etj, nga Devolli e Korça. Sollën disa nga Mirdita e Puka, që ishin arrestue 141
për vrasjen e Bardhok Bibës. Kështu, kalaja do të mbushej mirë me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e përvers: atë të zhdukjes fizike nga mungesa ushqimore dhe trajtimi tepër i keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjenike, as ilaçe e mjekime. Për mjek as që flitej. Siç thamë, nga dobësia njerëzit filluen të verbohen nga sytë. Aty filloj të shfaqej dizanteria. Policia na çoi disave në Himarë me marrë disa pako që kishin ardhë nga familjet e të dënuemve. Mue me kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net që nuk flija. Me atë rast, ma hoqi dhëmballën berberi, i cili kryente edhe detyën e dentistit. Ai shkulte dhambë e dhëmballë me një palë dana të zeza sterrë, pa asnjë mjekim. Dhëmballa u shkul me sukses dhe unë shpëtova. Një ditë unë kërkova një mjek dhe polici më lejoi. Mjekut himariot unë i besova dhe i tregova për verbimin, dizanterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçëve. Ai qëlloi njeri i mirë dhe më tha troç: «E keni pisk, në ato kondita pa shpresë!» Ç’të thoshte tjetër? Ai i kishte thanë të gjitha. Ushqimi ditor ishte mizerabël dhe i pamjaftueshëm. Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambjenti ishte gjithmonë errësinë e lagështi. Ne flinim vetëm mbi rrasat e gurit. Nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave, pinim ujë të kripur e me krimba. Ajo dobësi fizike e të burgosunve, përfshiu edhe Valentinin. Ai ishte zverdh në fytyrë dhe mezi lëvizte. Po çfarë kishte? Unë insistova të më tregonte. Atëherë ai me mori e me çoi te një ndërtesë e rrënueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ajo që pashë aty më tmerroi: dy lunga 142
të mëdha plot me gjak e qelb. Po pse nuk na ke kallzue, Valentin? Duhen shpue urgjentisht, i thashë. Po si me ia ba? Unë shkova dhe mora një gjemb të madh drize, se s’kishim mjet tjetër. Ia shpova dhe ia çava me atë gjemb dhe kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Po, për fat, ai e mori veten dhe gjithçka kaloi. Fatmirësisht, qëndrimi në kala nuk vazhdoi gjatë. Kështu që gjendja ndryshoi. Ata kriminelë që kishin vendosë të na vrisnin aty, larg syve të botës, të fshehun e të izoluem, u detyruen të na heqin që andej urgjentisht. Transferimi nga Porto- Palermo u ba i befasishëm, me nxitim të madh. Sa gdhiu dita, na nxorën nga kalaja me plaçkat tona. Atëherë, ne pamë se aty, ngjitun me bregun ishte një motobarkë e madhe dhe e huej. Aty kishte plot oficerë e policë. Ata nxorën nga barka të prangosun pesë vetë dhe і ngarkuen në një gaz Molotov drejt Vlorës, të shoqnuem me dy xhipsa. Në anën tjetër, me turi nga Saranda, qëndronin katër kamionë të mbuluem. Ne të tjerëve na hypën në kamionë. Udhëtuem gjithë ditën, si duket, në drejtim të Delvinës, dhe arritëm natën në Tepelenë. Aty na stivuen në disa kazerma ciklopike, duke na bashkue me të internuemit e tjerë. Ishte nandori i vitit 1950. Qysh të nesërmen na nisën në mal në punë të detyrueme me ngarkue në kurriz dru e shtylla miniere. Dhe kjo punë na priste tash e mbrapa, çdo ditë, sa zbardhte dita e deri kur binte nata.
143
Skicë e kalasë së Porto Palermos (1950) nga Lek Pervizi.
Para kalasë së Porto Palermos më 2012, pas 72 vjetësh, me gruen time, Xhuliana (Beba).
144
Kampi i Tepelenёs
Kampi ngrihej rrazë kalasë, midis lumejve të Bënçës dhe Vjosës. Kazermat ishin ndërtue nga ushtria italiane gjatë luftës italo-greke. Në kamp ngriheshim në orën 5.00 për apelin, ndërsa në orën 6.00 do të grumbulloheshim para komandës me na caktue punën. Organizimin e punës e bante policia e kampit, e cila në efektivin e saj kishte 15 policë, të gjithë tetarë, rreshterë e kaptera, si dhe dy marshalla. Komandant ishte toger Xhaferr Pogaçe, po ai i Beratit. Një pjesë (gra e burra të moshuem) punonin në perimoren e komandës, prodhimet e cilës shërbenin edhe për qytetin e Tepelenës. Pjesa tjetër, të internuem prej moshës 15 vjeç deri 50 vjeç, që arrinin në 400-500 vetë, transportonin dru në kurriz nga mali i Turanit, rreth 7 km larg. Përveç ngarkesës me dru dhe pllaka guri, gratë mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës dhe e sillnin në kurriz nga disa kilometra larg kampit. Edhe gratë me fëmijë të vegjël i detyronin me punue rreth kampit. Disa punonin tokën me bel, të tjera mbanin shkurre e bezga, që shërbenin për kuzhinën e furrën. Këto i merrnin përtej lumit Vjosë dhe duhej me kalue mbi urën e vjetër që lëkundej. Shpeshherë puntorët ktheheshin nga puna të lagun prej shiut, por nuk kishin rroba të tjera me u ndërrue. Ata ndiznin zjarr në kazermën e shembun me u tha. Kampi kishte 2500 vetë të internuem. Por maksimumi kishte arritë në gusht 1949 me rreth 4000 vetë, kur u internuen qindra familje mirditore pas vrasjes së Bardhok Bibës. 145
Ushqimi kryesor ishte një lugicë çorbë në ditë, me produkte të skadueme si groshë, oriz e bollgur të krimbun. Ndryshe nga Porto Palermo, këtu buka ishte prej gruni dhe piqej mirë. Jepej nga 650 gram për njeri, ndërsa puntorët 750 gram. Ardhja në Tepelenë, na shpëtoi nga trajtimi mizor i Porto Palermos. Por vuejtjet, mundimet e sëmundjet e banin edhe këtu punën e tyne. Zakonisht, nuk kishte ditë që s’vdiste një njeri, kryesisht pleq e fëmijë. Llogaritet se për 9 vjet (me Beratin) 1945-1954, aty kanë vdekë njëmijë të intenuem, prejt tyne rreth 300 fëmijë. Në Tepelenë, unë dhe Valentini u bashkuem me nanën. Atë e sollën, bashkë me të tjerë, nga Lushnja, ku і kishin çue me punue në një fermë. Bashkimi sikur na i lehtësoi disi vuejtjet tona pafund. E ndjenim mungesën e Gencit, se nuk e dinim se në cilin burg ai ndodhej. Qanim edhe hallin e Gorit, e cila, pavarësisht se jetonte midis të mirave, ishte edhe ajo shpirtnisht e dërrmueme nga kjo ndarje. Në Tepelenë, Valentini u mundue me nis ndonjë kartolinë me anë të fëmijëve që vazhdonin shkollën në qytet. Por kjo doli punë e kotë, sepse Dega e Brendshme e kontrollonte postën dhe nuk linte me qarkullue të tilla letra ose kartolina në gjuhë të huej, sidomos kur bahej fjalë për një të internuem të tillë si Valentin Pervizi. Kështu, edhe koha e qëndrimit në kampin e Tepelenës, 1951-1954, ishte një periudhë me vuetje për çiftin fatkeq. Nga viti 1944, me burgosjen dhe ndarjen prej grues e deri më1954, mbusheshin 10 vjet ndarje mes tyne, pikërisht, sa ato të luftës së Trojës. Po edhe sa vjet do t’i duheshin këtij Uliksi modern të shekullit XX që të merrte fund odiseja e tij e të ribashkohej me Penelopën e tij? Sa dënime, vuejtje e mundime do t’i duhej me përballue? A 146
do të mundej me shpëtue i gjallë prej tyne? Po Gori, sa pëlhurë do të thurte e shprishte me fijet e mendimit e të shpirtit të saj të trazuem gjatë kësaj pritje të pafund? Sigurisht, edhe asaj i vinin rrotull bukuroshë me pretendime, si ata të Itakës. Kështu që Valentinin e mundonte pikëpyetja e madhe: Edhe sa vjet do të kalonin në pritje? Maksimumin e kishte caktue Uliksi, 20 vjet, dhe e kishte sanksionue Homeri me mjeshtri në poemën e tij të famshme, Odiseja. Ky duket se ishte një cak i pranueshëm prej të gjithëve. Në jetë mund të ndodhin situata të tilla që i ndajnë njerëzit nga të dashtunit e tyne për disa vite. Kishin ndodhun edhe disa raste të tjera kështu. Kishte shqiptarë që ishin nda nga njerëzit e tyne, sepse ishin arratisë jashtë shtetit. Të tjerë ishin dënue ma tepër se 20 vjet burg. Ne vetë kemi qenë dëshmitarë të tilla rasteve. Një i veçantë, pothuej si i Valentinit, ose ma mirë me thanë, si i Kontit të Montekristos, ishte ai i Gani Lamçes (Starova). Ganiun nga Pogradeci e kishin arrestue ditën e martesës dhe e kishin dënue me 20 vjet burg. E fejuemja e tij, edhe ajo si një Penelopë e vërtetë, e priti 20 vjet në kampin e Plukut, derisa i shoqi doli nga burgu. Ata patën, fatmirësisht, edhe një fëmijë së bashku. Edhe Valentini do të kishte pranue të dënohej 20 vjet, por me mbarimin e dënimit të mund të bashkohej me gruen e vet. Por kjo gjendje e tij ishte pa zgjidhje. Për ma tepër, Valentini i nënshtrohej punës së detyrueme fizike, si dhe gjithfarë stërmundimeve që peshonin mbi t’internuemit, statusi i të cilëve barazohej me një kafshë pune ose një skllav. Pa ndihmë dhe pa gjë prej gjëje, veç me racionin e bukës dhe lugicën e çorbës, të internuemit 147
ishin aq të dobësuem, saqë pati vdekje edhe në radhët e puntorëve. Për me i ba ballë stërmundimit fizik, Valentini si ushtarak, ishte shumë i rregullt dhe e ndante racionin e bukës në tri pjesë. Ai i këshillonte edhe shokët të banin ashtu, sepse ndodhte që nga uria, ata e hanin racionin sa e merrnin, në mëngjes, dhe rrinin pastaj gjithë ditën barkthatë. Ai ishte shembull për të rijtë që ata të mos thyheshin ndaj diktaturës.
Pamje e përgjithshme e kampit të Tepelenës. (Nga vizatimet e Lek Pervizit)
148
Të internuemit në kapanonet e kampit të Tepelenës, pa kushte jetese, veç me teshat e tyne e dikush fare pa to. (Nga vizatimet e L.Pervizit).
149
Në kampet e punës në Lushnjë
Në mars të vitit 1952, në kamp erdhën për inspektim një grup oficerësh të Ministrisë së Brendshme. Për çudi, ata erdhën te vendi ku rrinim ne. Ata e pyetën Valentini se çfarë mendonte për konditat e kampit. Ky u shpreh hapun se kampi nuk ishte i përshtashëm për pleq, gra e fëmijë, siç mund ta shihnin vetë. Sipas tij, të gjithë këta njerëz ishin të pafajshëm dhe mbaheshin aty kot. Oficerët s’e kishin vazhdue bisedën dhe kishin kalue pastaj te disa familje të tjera. Pas largimit të këtij ekipi, puna e detyrueme u pezullue. Duket se diçka kishte ndodhë. U hap fjala se në një mbledhje të Kombeve të Bashkuara, në New York, delegacionit të Bashkimit Sovjetik i ishte tërheq vrejtje për mbajtjen e kampeve të internimit në Shqipni. Saqë, atë rast, ishin përmendë edhe disa emna të familjeve që ishin mbyllun aty, përfshirë edhe atë të gjenaral Prenk Pervizit, asoh kohe i arratisun politik. Sovjetikët kishin ndërhy te qeveria shqiptare duke kërkue që të mos mbanin kampe të tilla të mbyllun, sepse një praktikë e tillë e diskreditonte kampin socialist para opinionit ndërkombëtar. Aq ma tepër në një kohë paqeje, 7 vjet pasi kishte mbarue lufta. Kështu, në qershor të po atij viti, e gjithë forca puntore, prej ma se 500 vetësh, të aftë për punë, u transferuen në punë në disa qytete. Valentinin e ndanë prej nesh dhe e çuen në Ҫorovodë, me nje grup për ndërtimin e Degës së Brendshme. Në atë grup ishin edhe Dom Nikoll Mazreku, patёr Jak Gardini, Gjosho Vasija, Gjok Marku etj. 150
Çorovoda ishte edhe si kamp internimi, ku ata gjetën familjen e vëllait të pushkatuem të Sadik Kacelit e të tjerë. Siç thamë, në Tepelenë ishte pezullue puna e detyrueme, sepse kishin mbetë veç pleq, gra me fëmijë e të sëmunë. Pas largimit të punëtorve, u ba një lirim për familjet mirditore e personat e internuem pas vrasjes së Bardhok Bibës. Por kampi u mbush përsëri, sepse aty sollën të internuemit jugorë nga Kamza e Valiasi. Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll përfundimisht dhe u krijuen kampet e punës në bujqësi në rrethin e Lushnjë, që ishte caktue si qendër e grumbullimit të internuemve. Këtu të inernuemit u caktuen në punët bujqësore me pagesë. Racioni i bukës dhe kazani i përbashkët u hoqën. Të internuemit do t’i përballonin nevojat me t’ardhunat që fitonin nga puna e tyne. Gjysma e së keqes. Ata u vendosën pothuej të gjithë në fermën 29 Nandori, ma e madhja në shkallë republike, nga Rogozhina në kodrat e Ardenicës, me 13 sektorë, që ishin edhe kampe internimi. Qendra ishte në Savër, ku rrinte edhe komanda. Ne u caktuem në Pluk, në kampin ku kishin qenë ma përpara grekët që kishin ikë nga Greqia pas shpartallimit të lëvizjes komuniste. Këtu, unë e nana u bashkuem përsëri me Valentinin. Tani kishim pak ma tepër liri me lëvizë e me pasë marrëdhanie me njerëzit. Valentinit iu dha rasti me shkrue një kartolinë dhe fatmirësish mori përgjigje nga Gori, sigurisht, shumë e gëzueme që ata u rilidhën përsëri, pas katër vjetësh pa asnjë lajm prej të shoqit. Gjatë kësaj kohe ajo kishte ndërhy pranë Ministrisë së Jashtme italiane, që kjo e fundit të interesohej për fatin e bashkëshortit të saj, prej të cilit nuk kishte lajme prej 151
vitesh. Ambasada italiane iu përgjigj, me keqardhje, se kishte qenë e pamundun me marrë informata pёr njeriun e saj. Por s’patëm kohë me iu gëzue këtij ndryshimi, sepse mue e Valentinin erdhën e na morën një ditë, bashkë me nja 10 të tjerë t’internuem në Savër. Po tani, ku po na çonin? Na degdisën në kampin e Shtyllasit, ngjit me të burgosunit. Aty na bashkuen me nja 100 vetë, shumica intelektualë që kishin krye nga 10 vjet burg secili dhe, në vend që t’i lironin, i kishin mbledh aty me ba kanal si të burgosunit. Pra këtu po shkeleshin edhe kërkesat e sovjetikëve. Diktatura e Enver Hoxhës nuk hiqte dorë nga metodat e saj shtypëse. Terrori ishte në rend të ditës. Aty Valentini u takue me ish-shokët e burgjeve të Shkodrës, ndër ta me Guljelm Dedën dhe axhën e tij, kolonel Lin Dedën, Mark Temalin, Karlo Çobën, Sandër Saraçin, Zef Shirokën, Ibrahim Sokolin etj. Pjesa ma e madhe ishin shkodranë. Ne do të hapnim kanal me të njëjtën normë si të burgosunit. Nga të internuemit e Lushnjës, kishin marrë, bashkë me ne, edhe disa të Savrës si Viktor e Ernest Dostin, Tomorr Dinën, Fatbardh Kupin, Musa e Tomorr Maçin, Ali Demën, Tefik Pobratin, Lazër Radin, Flamur Sfirin etj. Nga kolegët e miqt e tim eti, aty gjetëm edhe disa oficerë të njohun si Ali Erebara, Luigj Berisha, Ded Jakova, Demir Dema, Isa Kokalari, Lin Deda dhe ish-shokë shkolle të tij në Shkodër e në Austri si Zef Shiroka, Sandër Saraçi, Spiridon Kasaroci, apo në qytete të tjera, si Mithat Araniti, Nedim Kokona, Vasil Avrami, Pandeli Nase, Remzi Çela, Izedin Beshiri, Dilaver Tartari, Mihal Sherko etj. 152
Këta individë ishin një trupë e vërtetë pedagogësh, të aftë me drejtue katedra universitare apo edhe akademi. Por shteti komunist dhe vetë diktatori saj, Enver Hoxha, ishin për zhdukjen e kësaj shtrese intelektualësh të shquar. Kjo për ne të rijtë ishte një surprisë, sepse në të tilla rrethana ne po njiheshim me elitën shqiptare të persekutueme nga regjimi komunist. Ndërkohë, të burgosunit e kampit të Shtyllasit ishin transferue në Radostinë, ku vazhdonte puna për përfundimin e kanalit. Një mëngjes, kur të internuemit u çuen, ata konstatuen, me habi, se të burgosunit nuk ishin ma aty. Ata i kishin transferue gjatë natës. Aty kishte mbetë veç rrjeti i ndarjes dhe karakolli, pa roje, dhe dera prej rrjeti e hapun. Ne u grumbulluem të gjithë në oborrin para barakës. Askujt nuk ia mbante me u afrue te dera, aq ma pak, me dalë prej saj. Pa humb kohë aty vjen një xhips, prej të cilit zbriti një oficer, që të burgosunit e njihnin. Ky ishte koloneli i sigurimit, Shpend Dega, nga Tropoja, i shoqnuem nga dy kapterë të policisë, për çudi, pa armë. Ai doli para grupit të dënuemve dhe na foli me za të naltë : - Dëgjoni ! Partia dhe qeveria kanë vendos me iu lirue nga kampi me tela, sepse asht konstatue se i keni ndërrue kokat dhe jeni përmirësue. Ta dini që ne punojmë për të mirën e vendit e të qytetarve. Prandaj, mbas sodit jeni të lirë me qarkullue brenda zonës së Fierit, me kusht apeli të detyrueshëm dy ose tri herë në ditë. Apelin do ta bajë një kapter që do të caktohet vetëm për ju. Mund të gjeni ndonjë punë, por gjithmonë në dijeni të këtij kapteri. U sigurohet buka dhe një kuti konserve mishi në javë. U morëm vesh ? 153
Siç erdhi, ashtu iku : me njё sjellje prej harbuti. Sa u largue oficeri, shkodranët filluen me u tallë me njenitjetrin. « Si u ba që paskemi ndërrue kokat pa e ditë ? Pse koka të tjera ne kemi tashti ? Këtë e di partia !», ia kthente dikush tjetër nga turma. Pra, qëllimi kishte qenë tjetër gja. Ndërsa po pritshin se mos vinte ndonjë vendim tjetër, me i lirue fare, e me u kthye në shtëpitë e tyne, një mëngjes, në orën e apelit erdhi një kamion. Prej andej zbriti një oficer me një letër në dorë. Edhe ai na komunikoi shpejt e shpejt : - Ata që do të dëgjojnë emnat të marrin plaçkat dhe të hypin në kamion ! Ai lexoi emnat e njëzet vetëve që konsideroheshin të aftë për punë. Ndër ta edhe Valentini, Guljelm Deda, Isa Kokalari, Nikoll Paluca, Pjetër Bardheci, Mithat Araniti, Ibrahim Sokoli, Estref Frashëri etj. Nuk u muer vesh se ku po i çonin. Pas disa kohësh, vjen një letër prej Kuçit të Kurveleshit e dërgueme prej Valentinit. Aty na shkruhej se në Kuç po meremetoheshin dy banesa për ne të gjithë sa ishim këtu. Kështu, pra, qëllimi i kampit të Shtyllasit e kishte përfundimin në izolimin tonë në zonën e thellë të grykës së Kurveleshit, nja 6 orë rrugë e keqe nga Vlora. « Po pse, atëherë, na tha ai oficeri i sigurimit se ne paskemi ndërrue kokat ? Ne po ato koka kemi, s’kemi pas si me i ndërrue! » Pleqtë shkodranë banin humor me ecejaket tona pafund. Po ku e gjenin forcën morale këta njerëz? Kjo ishte një formë rezistence ndaj mashtrimeve dhe brutalitetit të regjimit komunist. 154
Një «akademi» në Kuç të Vlorës
Nuk kaloi as një muej dhe ditën e 28 nandorit 1955 na hypën në dy kamionë të pambuluem. Na nisën nëpër shi për në Kuç, ku mbërritëm natën. Kështu u themelue kampi i izolimit të Kuçit të Vlorës ose i Kurveleshit. Ai i ishte vendosun në dy shtëpi të Gjolekajve të riparueme prej t’internuemve. Fshati і Kuçit me 400 shtëpi dhe 400 oficerë (të gjithë të sigurimit), ishte i lidhun ngushtë me regjimin komunist. Me këtë rast, Valentini kishte pasë mundësi t’i shkruente Gorit nga posta e Kuçit një kartolinë dhe mori përgjigje po me kartolinë. Gori shkruente se e kishte marrë vesh se ku ishte: në një vend të bukur e klimaterik. Ajo shkonte në shtëpinë e oficerëve, ku në një hartë ushtarake e kishte gjetë Kuçin malor, ku po “dëfrehej” Uliksi і saj. Valentini ia kishte kthye se do t’ishte mirë që ajo të vinte e ta « shijonte » bukurinë e këtij vendi bashkë me të. Sigurisht, Gori e kishte kuptue ku gjendej dhe pse e kishin çue atje. Në Kuç nuk ishim të detyruem me punue. Aty na jepnin racionin e bukës për një javë, që vinte nga Vlora, dhe asgja tjetër. Mund të bridhnim nëpër Kuç, deri te klubi i vetëm dhe dy dyqanet e tij. Duke qenë se na jepnin vetëm bukën, për me ble ndonjë send ushqimor, komanda na lejonte me nxjerrë shqopë, që mblidhej kundrejt një pagese. Por duhet të respektonim apelin tri herë në ditë, si dhe mos me u largue nga fshati. Kështu, kampi і Kuçit u kthye në një akademi të vërtetë, ku në 100 vetë, 60 ishin të diplomuem në 155
universitetet ma të mira evropiane dhe mbanin tituj e grada shkencore. Këta njerëz kishin kryer, ma parë, funksione të nalta shtetnore, ekonomike, ushtarake, arsimore etj. Një kuriozitet domethanës, që luejti jo pak rol në diskreditimin e propagandës së regjimit ndaj popullsisë së internueme. Kuçi nuk kishte dritë elektrike. Inxhinier Estref Frashëri i propozoi këshillit të Kuçt, me anë të komandës, se ata ishin në gjendje ta furnizonin fshatin me energji elektrike, nëse ata donin. Propozimi ishte pranue dhe këta « armiq të popullit » sajuen një si hidrocentral të vogël në përruen e Buronjës. Ata ndërtuen një tunel, që uji të vërshonte me forcë, kurse në dalje të tij u vendos një elektromotor i fuqishëm, që e sollën nga Vlora, me kërkesë të inxhinier Frashërit. I rregulluen helikat prej druni dhe kryen lidhjet e përshtashme. Me këtë u ba e mundun që në çdo shtëpi të Kuçit të kishte ndriçim me llampa elektrike, sepse këshilli e kishte krye shpërndarjen e linjës. Kjo punë ua ndryshoi edhe mendimin kuçiotëve, sepse komunistët kishin përhapë mashtrimin se në kampin e Kuçit ishin mbledhun njerëz të rrezikshëm, armiq të popullit e kriminelë. Por ndodhi e kundërta. Banorët e kuptuen se kishin të banin me njerëzit ma të arsimuem e të kualifikuem të shoqnisë shqiptare. Nga ana tjetër, këta njerëz ishin paqësorë dhe korrektë në marrëdhaniet e tyne me popullsinë lokale. Siç kishte ndodhun shpesh edhe ma parë, kampet dhe burgjet ndërronin vend ose zëvendësonin njeni-tjetrin. Kështu, pas tre vjetësh, më 1958, edhe kampi i Kuçit u mbyll. Atëherë u fol se kjo bahej si pasojë e afrimit të 156
Hrushovit me Ajzenhauerin, si dhe me rastin e vizitës së shefit sovjetik në Amerikë. Ne na grumbulluen të gjithë në kampin e Gradishtës, mes moçaleve të Lushnjës, ku na caktuen fillimisht në punët bujqësore. Çfarë ironie dhe marrëzie e atyne që kishin marrë në dorë pushtetin! Në vendin ma të prapambetun e ma analfabet në Evropë, shikoje profesorë, inxhinierë, ushtarakë, mësues, madje edhe akademikë, që prashisnin misër, pambuk e hapnin vija kulluese e kanale vaditëse! Ky ishte një turp і madh, që nuk mund të konceptohej nga njerëzit normalë, por që po realizohej nga disa mendje djallëzore të regjimit bolshevik shqiptar, me në krye klikën e Enver Hoxhës, që urrenin vlerat e qytetnimit evropian. Po të kishe studiue në vendet evropiane, kjo shërbente si një akt akuze të randë, ku mund të gjëndej preteksti me të pushkatue e dënue me burgje e kampe internimi. Ose, në rastin ma të mirë, me të trajtue si bujkrob, skllav e kafshë pune. Si mund ta përfytyronte e shkreta Gori se burri і saj, oficer akademist dhe me perspektivë të shkëqyeshme në një vend demokratik, të rrinte gjithë ditën i krrusun mbi lopatën, kazmën apo belin për një kothere bukë ?! Madje, edhe ma vonë, kur këto histori të jetueme i tregoheshin dhe i shpjegoheshin, ajo nuk arrinte t’i besonte, aq absurde i dukeshin.
157
Valentini, portret me laps dhe skica anash me dis skica t’udhӫtimin e tij prej Italisӫ në ferrin komunist.
Pritje e pafund
Në Gradishtë ne u bashkuem si familje edhe me Gencin, që ishte lirue më 1957, pasi vuejti dënimin prej 10 vjetësh me burg të randë. Ai u fejue me të bijën e Llesh Marashit, Albinën, me të cilën u martue më 1958, po në Gradishtë. Këto kondita të reja i dhanë mundësi Valentinit 158
me i shkrue përsëri Penelopës së tij. Mes tyne filluen me u ringjallë shpresat për përmirësimin e gjendjes. Një përmirësim i përkohshëm në marrëdhaniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, në planin ndërkombëtar, duket se kishte sjell ndikim edhe në zbutjen e luftës së klasave në Shqipëri. Vdekja e Stalinit dhe ardhja e N. Hrushovit në krye të Kremlinit u testue, ndonëse pa rezultat, qysh me konferencën e Tiranës më1956, ku disa “liberalë” e “hrushovianë” e pësuen me jetë, kurse të tjerë përfunduen burgjeve dhe internimeve.
Valentin Pervizi, Viktor Dosti, Guljelm Deda dhe Thabit Rusi, nӫ Kuç (1955-1958). Nga albumi “Nё rrathёt e ferrit” i Lek Pervizit.
Por Hrushovi do të vizitonte edhe Shqipninë në vitin 1960, në përpjekje për të zbutur kursin sektar e stalinist të Hoxhës. Asokohe u vu re mobilizim i madh për pritjen e tij pompoze. Aq sa, nga ky mobilizim e pësuem edhe ne të internuemit. Të gjithë sa ishim burra na hoqën nga puna dhe sektorët afër qytetit të Lushnjës dhe na 159
mbyllën dy javë në kotecët e pambukut e të misrit të sektorëve të largët. Ndër to edhe Gradishti, ku na jepej vetëm racioni i bukës. Ne ruheshim nga policë të armatosun dhe nuk kishim të drejtë qarkullimi jashtë zonës së kotecëve. Ishte verë dhe na kishin shti aty brenda pa shtrojë e mbulojë, veç me rrobat e trupit. Këto masa të jashtëzakonshme ndaj nesh, si « armiq të betuem të popullit e të partisë », merreshin nga frika se mos bënim ndonjë të pabërë. Kjo gjendje terrori vazhdoi gjatë gjithë vizitës së Hrushovit. Pas dy javësh na kthyen në gjëndjen e maparshme dhe në punët që na kishin caktue. Valentini dhe unë me disa të tjerë ishim caktue në sektorin e ndërtimit të fermës. Mue ferma më tërhoqi në sektorin e Plukut si piktor dhe si profesionist i mirë (kështu me kishte dalë nami) në punë ndërtimi, mekanike etj. Kurse Valentini punonte në një brigadë ndërtimi në Çermë, ku i çonin me makinë dhe i kthenin në Gradishtë të dielave, të shoqnuem me policë. Ne që na kishin caktue në Pluk, baheshim nja 10 vetë, flinim në një barake me kallama të suvatuem nga brenda. Unë dhe Petrit Merlika ishim caktue pranë ofiçinës dhe zdrukthtarisë. Petriti, inxhinier, i liruem aty pas 10 vjetësh burg, kryente pune mekanike. Edhe ai e kishte gruen italiane, por ajo nuk kishte arritë me u largue në Itali. Kështu e shkreta Elena, profesore e letërsisë, e kishte kalue jetën në Tepelenë tue bajtë dru si kafshë. Këtë fat do të kishte pasë këtu edhe Gori i Valentinit. Unë figuroja pranë zdrukthtarisë, por kryeja edhe punët e një piktori për emulacionin socialist (siç quhej asokohe propaganda) dhe aktivitete të tjera si ekspozita bujqësore, mjete për muzeume, kabinete 160
agroteknike etj. Në këto kondita, edhe u martova dhe na dhanë një dhomë si banesë për familjen. Valentini rrinte me ne gjatë gjithë javës së punës dhe të dielave shkonte në Gradishtë. Kjo i jepte mundësi me shkue edhe nga qyteti, ku postonte ndonjë letër apo kartolinë. Tani kishte korrespondencë ma të rregullt me Gorin. Por me prishjen e marrëdhanieve me Bashkimin Sovjetik, gjendja politike në vend u acarue dhe lidhja me Kinën e përkeqësoi edhe ma shumë. Letërkëmbimi me Gorin u bllokue përsëri dhe kaloi një kohë shumë e gjatë heshtje mes tyne. Valentini (dhe ne të familjes) ishim të shqetësuem për ndarjen që zgjaste pa fund. E shoqja, Gori, po kështu e merakosun, i ishte drejtue prapë Ministrisë së Jashtme të Italisë. Në përgjigje të interesimit të saj për fatin e Valentinit, ambasada italiane në Tiranë shkruente më 29 shtator 1967 se: “…për sa kohë të vazhdojë regjimi aktual në Shqipëri, mendohet se do të jetë shumë e zorshme që Pervizi, i konsideruar “armik i popullit”, të mund të fitojë lirine”. Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria e Jashtme, nëpërmjet shtëpisë së oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe, ku ai figuronte akoma efektiv (si rob lufte). Ajo ishte tronditë shumë, aq sa kishte kalue në depresion, dhe iu desh të shtrohej disa ditë në spital. Ndërkohë, e ama i kishte vdekë, po ashtu vëllai dhe tri motrat. Asaj i kishte mbetë vetëm njena nga motrat, mjaft e pasun, e cila kujdesej për të. Këto Valentini i mori vesh shumë ma vonë. Ambasada nuk do të kishte arritë kurrë të merrte një informacion të tillë. Por qëlloi që një mikut tonë, sigurisht i lirë, i duhej një dokument për motrën e tij të martueme në Itali. Ai ishte lejue të hynte në ambasadë dhe vetë ambasadori e kishte pyet nëse e njjihte 161
dhe dinte gja për Valentin Pervizin. Miku i kishte tregue se Valentini gjëndej i internuem, pa shpresë lirimi, në Gradishtë. Ky mik banonte në Lushnjë dhe më tregoi për këtë bisedë me ambasadorin italian.
Itaka e Valentinit s’ishte një ishull i humbur, po një qytet histork. Në foto, qendra e lagjes ku banonte dikur. Ai u kthye aty pas 47 vjetësh.
Kthim në Itakë
Siç dihet, vitet 1970-80, të fundit për diktaturën komuniste në Shqipni, u shoqëruen me varfërimin e mëtejshëm të popullsisë, sidomos asaj të fshatit. Dështimi i sistemit totalitar kishte fillue me stanjacionin e ekonomisë së centralizueme, e cila nuk mund t’i bante ma ballë nevojave të konsumit të popullsisë dhe konkurrencës së ekonomisë së tregut të lirë kapitalist. Bashkimi Sovjetik 162
dhe republikat motra socialiste nuk e ndihmonin ma, si ma pare, njena-tjetrën. Rrënimi ekonomik dhe ulja e pashmanshme e nivelit të jetesës në vendet e ish-Bllokut u shtoheshin represionit afatgjatë, mungesës së lirisës dhe shkeljes drastike të të drejtave të njeriut. Prandaj ramja e murit të Berlinit më 9 nandor 1989, po vazhdohej me një valë protestash antikomuniste, që sollën edhe vrasjen e Çausheskut në Rumani. Kjo u kalli frikën edhe sundimtarve të kuq shqiptarë. Në Tiranë, protestat nisën në korrik 1990 me futjen në ambasadat e vendeve perëndimore të qindra e mijra qytetarëve të paknaqun, që kërkonin shpëtim nga skëterra komuniste. Situata po dilte jashtë kontrollit. Sekretari i Përgjithshëm OKB-së, Perez de Kuelar, erdhi në Shqipni dhe imponoi qeverinë të lejonte largimin e qytetarëve që kishin pushtue ambasadat. Po kështu, ai kërkoi që të internuemve në kampe pune, ish-të burgosunve dhe familjeve të persekutueme për motive politike t’u jepeshin liritë e privueme, si dhe pasaportat, si qytetarve të tjerë. Ma në fund, edhe Valentinit iu rikthye shpresa se mund të përfitonte me u bashkue me gruen e tij në Bolonja. Tani letërkëmbimi i tyne ishte ba ma i rregullt, dhe Gori i dërgoi edhe disa pako e dollarë. Nga padurimi, ajo shfaqi dëshirën që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapen dyert e lirisë. Por Valentini, i pasigurt për rrjedhën që mund të merrnin zhvillimet politike në vend, e këshilloi ta priste në Bolonja, ku do të përpiqej të shkonte ai vetë. Dhe ashtu veproi, sapo iu dha rasti. Me t’u pajisë me pasaportë, ai aplikoi për vizë italiane, e cila iu dha menjëherë. 163
Më 20 shkurt 1991, pikërisht në ditën e rrëzimit të statujës së diktatorit, në Tiranë, ai gjëndej në aeroportin e Rinasit, gati për të marrë avionin për në Bolonja. Pas dy orësh, Valentini zbriti në aeroportin e Romës, aty ku e priste me padurim Gori, Penelopa e tij italiane. Në holl, ai qëndroi një copë herë për të dallue gruen e tij që po e priste. Pastaj u drejtue në një vend nga mund të shihte ata që vinin nga jashtë, duke mendue se Gori do t’ishte vonue ose mund të kishte ngatërrue orarin e uljes së avionit. Në anën tjetër të hollit, e shoqja priste gjithashtu mbrritjen e Uliksit të saj me udhëtarët që zbritën. Por ata nuk e dalluen njeni-tjetrin, që në fillim, siç kishin shpresue. Kur vendi u boshatis, ajo dalloi njeriun që po rrinte përkundrejt saj, me shpinë të kthyeme, tue shikue jashtë nga xhamat. Ajo afrohet ngadalë tek ai dhe me një gjysmë zani i foli : « Scusi Signore, lei non è per caso Valentino ? ... » Valentini u kthye menjëherë : « Gori ? » … Dhe të dy u përqafuen pas 47 vjetësh, tashma si pleq. Bashkimi, ndonëse kaq i vonuem, krijoi për të dy një periudhë shmallje e qetësie shpirtnore. Oh, sa shumë kishin me i tregue njeni-tjetrit! Po a do t’u mjaftonin për këtë vitet e mbetuna?! Çfarë mund të andrronin tjetër, përveç ribashkimit? Po. Ata e ndienin mungesën e një fëmijë, e një Telemaku. Po fati kishte vendosë me i lanë ashtu, dy pleq të vetmuem. Në këto kushte, ne që ishim vendosë në Belgjikë, shkonim herë pas here në Bolonja. Pastaj e morëm Valentinin në Belgjikë. Vizituem me të Parisin, Amsterdamin etj. Me Valentinin shkuem edhe në Amerikë, në New York, ku jetonte familja e vëllait tonë të ndjerë, Gencit, i cili vdiq në prag të shembjes së diktaturës, pa e arritë lirinë aq të dëshirueme. 164
Kisha historike e SS Annunziata, në rrugën e shtëpisë ku banonin Valentini dhe Maria Gorizia, pas vitit 1991.
Kujtimet e pambarueme
Në kushtet e lirisë së fitueme, Valentini nisi me shkrue kujtimet e veta në disa fletore, me qëllimin me botue një libër. Kjo punë i dukej me dobi, jo vetëm për nostalgji, me renditë të gjitha episodet e jetës së vet e të Gorit, e cila u ba, si me magji, pjesë e fatit dhe e dramave të tij pafund. Por ai mendonte se historia e tij duhet me u lexue edhe nga një publik ma i gjanë, për me pa aty sa randësi ka nganjëherë zgjedhja apo marrja e vendimeve në jetën e secilit. Çdo vendim i caktuem përjashton një tjetër, i cili mund të jetë ma fatlum ose ma i keq për individin apo çiftin e martuem. Pra, ai mendonte se ma shumë se rrethanat, në këto raste njeriu asht ma mirë të jetë sa ma i pavarun në gjykimet dhe vendimet e veta. Nga një kuptim ma i gjanë politik e social, Valentini e Gori muerën një 165
mësim (në formë ndëshkimi), si qindra e miliona të tjerë, kudo në botë. Arsyeja asht se ata, duke qenë edhe të rij, nuk u thelluen sa duhet në informacionet që ekzistonin asokohe për realitetin politik e luftarak në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e posaçërisht në Shqipni, me kuptue dhe analizue prirjet e zhvillimeve të tij. Tashma ishte ba e qartë se fitorja e aleatëve do të sillte edhe një rikonfigurim gjeopolitik të kontinentit të vjetër, e sidomos të Ballkanit. Për pasojë, ata nuk arritën me kuptue në kohë se çfarë regjimi të ashpër dhe sektar po vendosnin komunistët shqiptarë, sipas modelit bolshevik, para se të nisnin udhëtimin e tyne fatal drejt Shqipnisë. Pra, regjimet përcaktojnë jo vetë fatin e shoqërisë, por edhe të çdo individi të veçantë. Ato janë përgjegjëse për aplikimin e demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut apo të tiranisë e të totalitarizmit, siç ndodhi në kampin social-komunist, ku u përfshi edhe vendi ynë. Por në vitin 1997 Valentini nisi të vuejë nga një sëmundje e randë. Duke e pa se po binte nga shëndeti dhe, pas një operacioni të vështirë që kaloi, ai m'i dorëzoi mue të gjitha shënimet që kishte rreshtue, me porosi që t’i plotësoja për një botim. Punë që unë po e baj me këtë libër. Me kalimin e kohës, sëmundja iu randue dhe ai mbeti i shtruem në spitalin Sant’Orsola e pastaj Malpighi të Bolonjës. Unë i qëndrova te kryet katër muej rresht, derisa ai vdiq më 4 mars 1999, në moshën 79 vjeçare. Ashtu i sëmurë siç ishte, që nuk ngrihej dot nga krevati, mendja e tij duket se udhëtonte dhe nuk i bindej trupit të tij. Një ditë mu drejtue: “Dëgjo Lek, sa të 166
shërohem, do të shkojmë bashkë në Shqipni e t’i rregullojmë disa punë…” Dëshira e tij ishte e parealizueshme, por atë e mbante shpresa e shërimit. Në varrimin e tij morën pjesë oficerët e lagjes, ku banonte në qytetin e Bolonjës, si dhe ato të regjimentit të tij. Historia e tij ishte ba e njohun edhe atje, dhe e tregonin për anekdotë, si atë të Uliksit. Ata që e njohën, e nderonin dhe tregonin respekt ndaj tij. Madje, në shtëpinë e oficerave e thërrisnin “general”. Në fakt, sa ishte gjallë, ai e kishte ba kërkesën për njohjen e karrierës së tij ushtarake dhe marrjen e gradave që i takonin. Mendimi ishte se atij mund t’i njihej edhe grada e gjeneralit, meqë ai kishte qenë në shërbim efektiv, deri në çastin që vetë komanda e kishte lirue nga shërbimi (si gjithë oficerët e tjerë), në armëpushimin e dytë me gjermanët. Po kështu, koha e qëndrimit në Shqipni, si i burgosun politik në diktaturë, i njihej si rob lufte. Por atij nuk iu njoh grada ma e naltë që kërkonte. Dy vjet pas vdekjes, së shoqes i erdhi vendimi për njohjen e gradës së nënkolonelit. Ata të komandës së tij u çuditën dhe u shprehën se ky ishte një vendim i padrejtë. Sipas tyne, Valentinit duhet t'ia kishin njohun gradën e naltë të gjeneralit. Pas vdekjes së Valentinit, ne i rrinim pranë Gorit në çdo rrethanë. Por ajo nuk pranoi me ardhë në Belgjikë, që ne të mund të kujdeseshim ma shumë për të. Si italiane, ajo ishte tepër e lidhun me vendlindjen dhe kujtimet e familjes dhe kishte jetue vazhdimisht në Bolonja. Asaj i dukej një mospërfillje largimi i saj nga ky qytet, ku kishte kalue krejt jetën e saj. Në vitin e fundit, që ishte mjaft e sëmurë, ajo e thirri Bebën, gruen time, që të rrinte me të. 167
Kështu, ime shoqe i qëndroi pranë, pothuej një vit, deri ditën e fundit, kur ajo vdiq në spital, më 30 korrik të vitit 2003. Ma në fund, ata prehen përjetësisht, të dy së bashku, në varrezat e qytetit të Bolonjës, Valentini dhe Gori, ose siç i kam quejt unë, simbolikisht, në këtë roman të jetuem: Uliksi shqiptar dhe Penelopa italiane. Ndonëse me vuejtje dhe privacionet e ndarjes gjysmëshekullore, jeta e tyne mori një kuptim: atë të odisesë së pafajsisё.
FUND
168
Kronologji figurative
Shkodӫr, 1944
Berat, 1946-48
Tiranӫ, 1948-50
Tepelenӫ, 1951 Ҫorovodӫ, 1953
Tepelenӫ, 1951
Kuç, 1954-58
Gradishtӫ, 1958 -1991
1991
nӫ Bolonja 1991
169
1996
1998
Portrete nga Lek Pervizi
Tepelenӫ 1951
Kuç 1955-1958
Pluk, 1962
170
Portrete nga i nipi Leonard Pervizi
Pluk, laps,1983
Pluk, laps,1984
Pluk, tush, 1984
Pluk, laps,1991
171
Pas 47 vjetësh në botën e lirë
Përsëri bashkë nӫ Bolonja, ku u njohӫn, u martuen dhe, ku do tӫ niste odiseja e gjatӫ e ndarjes gjysmӫshekullore.
Bolonja 1992, ma mirӫ vonӫ se kurrӫ.
172
Çifti i lumtun në 50-vjetorin e martesës, 1943-1993.
Nga barakat e kampeve në shtëpinë e tij në Bolonja, pas 47 vjetësh.
173
Pas 47 vjetësh, Uliksi dhe Penelopa bashkë në shtëpinë e tyre, ku edhe mund të vallzonin si dikur….
Nӫ ekspozitat e nipit piktor, Leonardit, nӫ Bruksel, 1994. Në foto: Leonardi, Valentini dhe Beba.
174
Trieste, 1993: Lek Pervizi, Nush Radovani, Valentini e Gjosho Vasija: takim që s’mund të bahej nën diktaturë, në Shqipëri.
New York, Manhattan, më 1992.
175
Nӫ spitalin Sant’Orsola nӫ Bolonja, prej ku kaloi nӫ atӫ tӫ Malpighit, ku ai ndërroi jetë mӫ 13 maj 1999.
Të dy të dashuruarit, të ndarë një jetë të tërë, tani prehen bashkë përjetësisht.
176
Kronologji e jetës së Valentin Pervizit 1 korrik 1920, lindi në Skuraj të Kurbinit. 1926-1941, arsimohet në Itali, përfundon Akademisë e Modenas. 1941, toger, regjimenti Lancieri “Vittorio Emanuele II”, Bolonja. 1942, kurs njëvjeçar për mjete të blinduara në Trieste. 1942, fejohet me Maria Gorizia Maninin në Bolonja. 1943, komandant plotoni tankist në mbrojtje të Romës, 8 -20 shtator 1943, luftime kundër forcave gjermane në Tivoli. 20 shtator 1943, armisitici dytë, rob lufte i gjermanëve me oficerët e tjerë italianë për t’u dërguar në kampin e Dakaut. Arratiset nga kampi i Fraskatit. 1943, martohet me Gorizian dhe qëndron në Bolonja. Korrik-tetor 1944, udhëtimi i kthimit në Shqipni. Dhjetor 1944, arrestohet dhe burgoset si bir i Prenk Pervizit, në Shkodër. 1944-1946, në burgun e Shkodrës. 1946-1948, internim në Berat. 1950-1951, në kalanë-burg të Porto Palermos. 1951-1952, në kampin me punë të detyrueshme të Tepelenës. 1952-1954, në kampin e Ҫorovodës dhe fabrikën e tullave Tiranë. 1954, në kampin e Plukut të Lushnjës. 1954-1955, në kampin e Shtyllasit. 1955-1958, në kampin-burg në Kuç të Vlorës (Kurvelesh). 1958-1991, në kampet e Plukut e të Gradishtës, Lushnjë. 1975-1983, në Gradishtë me punë të detyruar në bujqësi. Shkurt 1991, kthim në Bolonja, bashkim me Gorin, pas 47 vjetësh ndarje. 13 mars 1999, vdes në Bolonja. Më korrik 2003 vdes edhe e shoqja, Gori. 177
178
179
180