Grabjani rrëzë kodrave. Pjesa e parë

Page 1


Grabjani rrëzë kodrave

LEKË TASI GRABJANI RRËZË KODRAVE

1


Grabjani rrëzë kodrave

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Lekë Tasi

Grabjani rrëzë kodrave

Skena, personazhe, historira nga fshati i internimit në vitet ‘70-’80

Tiranë, 2018

3


4

Lekë Tasi —

Titulli: GRABJANI RRËZË KODRAVE Autori: LEKË TASI @ i këtij botimi Iskk, Autori 2018 Design & Layout: Grafika Elzana Shtypur në Shtypshkronjën “Kristalina. KH” ISBN 978-9928-168-91-7 Të gjithë librat e botuar nga ISKK janë miratuar nga Bordi Drejtues, pas recensioneve me shkrim të anëtarëve të Këshillit Shkencor të Institutit Botuar në Tiranë, Shqipëri


Grabjani rrëzë kodrave

5

Dy fjalë për romanin “Grabjani rrëzë kodrave” të Lekë Tasit

Janë shkruar edhe të tjera dëshmira letrare mbi vuajtjet e popullit tonë ndën Komunizëm. Po ky tregim i gjatë, në trajtë ditari, ka diçka të veçantë. Autori është vetë një nga personazhet, që vuan edhe ai si shumë e shumë të tjerë dënimin e padrejtë të një internimi çnjerëzor që kapërcen kufijtë e çdo imagjinate të mundshme dhe që jepet me një kthjelltësi e konkretësi të mahnitëshme në një varg skenash e episodesh rrënqethëse, me të gjitha ngjyrat e mugëta të një ferri dantesk. Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve po kërkon e zbulon në analizat e tij të gjata, të kujdesshme, të thella e të hollësishme psikollogjike, politike, fillosofike rrënjët e fshehta që i motivojnë. Dhe, falë një stili të shtruar e të qetë si ai i një shkencëtari që heton me durim, kërrusur mbi mikroskopin e tij, viruset e sëmundjes, e bën edhe lexonjësin të kuptojë, të shohë, të prekë, të marrë pjesë shpirtërisht në gjithçka. Në këtë e ndihmon , dhe jo pak sipas mendimit tim, edhe familjariteti i tij me pikturën që i lejon të përkthejë më lehtësi në një gjuhë tabllorash, simetrirash, prospektivash dhe ngjyrash të gjitha ato mbi sa ndalet, me një zemërshtrëngim të dhimbshëm, me një kureshtje pothuajse të “sëmurë”, vëmendja e tij e palodhur dhe syri i tij i mprehtë. Asnjë nga të dënuarit nuk e di veten fajtor, në mos qoftë thjesht e vetëm fakti i të qënurit krejt i pafajshëm sipas Drejtësisë, sipas Zotit, por jo veç sipas Padrejtësisë që qeveriste vendin, sipas djallit,“la bestia feroce trionfante”, të cilit duket se është dhënë (edhe s`dihet për sa kohë akoma...) një pushtet i pakufishëm. Ka pasazhe në roman kaq të nginjura me poezi, sa mund të vështrohen si sprova të një virtuozizmi poetik të rrallë. Dhimbja shkul ofshama Weltschmerz-i të pangushëllueshëm jo vetëm në planin shoqëror, por edhe në atë kozmik dhe metafizik. Shfaqet para nesh, si në një fazmatagori të frikshme, një galeri personazhesh mjeshtërisht të skalitur, që japin e marrin ditë e natë në një dyluftim të rrezikshëm dhe të pabarabartë me djallin, duke u përpjekur të shpëtojnë jetën


6

Lekë Tasi —

e tyre , dhe më shumë se jetën, dhe më shumë se çdo gjë tjetër, shpirtin e tyre të pavdekshëm. Thotë Krishti në Ungjill: “E ç`i vlen njeriut sikur të fitojë qoftë edhe tërë botën, por të humbasë shpirtin e tij?” Dhe sa e vështirë, sa ishte pothuajse e pamundur të mos e linje të shuhej atë shkëndijë qiellore në atë kaos Ferri ku i Ligu, përmes përfaqësuesve të tij të tejzellshëm (njerëz të Sigurimit, spiunë, provokatorë, shkurt një ushtri e tërë me pleh njerëzor të këtij lloji...) thurrte rrjetat, ngrinte i palodhur, me një mendjepjellori të pashterrshme, grackat e tij dinake, të holla, të paparashikueshme, kjo pikërisht përbën një nga temat qendrore të romanit, të cilës Autori i kushton një përqendrim të veçantë. Fjala e tij shndërron si një shkop magjik gjithçka prek në ar poetik. Prania dhe pjesëmarrja e tij thuajse mbinjerëzore, si ajo e një shenjti, në të gjitha vuajtjet e imagjinueshme dhe të paimagjinueshme, të cilave u nënshtrohen shokët e tij fatkeq të internimit është kaq e gjallë, kaq thellësisht e ndjerë dhe e vërtetë dhe kaq komunikuese, sa pas leximit të romanit, të këtij procesverbali krimesh të padëgjuara të kryera pas mburojës së ligjit mbi viktima krejt të pambrojtura, si dhe të pasojave të tyre katastrofale psikollogjike, s`qendron dot më indiferent dhe pasiv ndaj së Keqes në botë, ndaj asaj që Leopardi e quante në terma poetikë “...il brutto Poter che ascoso, a commun danno impera...” Ndjen se diçka ka lëvizur, se diç ka ndryshuar për të mirë në thellësinë e shpirtin tënd. Kaq e madhe është fuqia sugjestionuese, bindëse dhe purifikonjëse e këtij shkrimi. Petro Zheji


Grabjani rrëzë kodrave

Ia kushtoj këtë libër kujtimit të dashur të nënës time Aleksandra, që me makinën e saj qepëse na rriti neve, fëmijët e saj dhe na shkolloi, mbajti gjallë të burgosurit tanë në kampe dhe mbeti deri në fund shembull qëndrese dhe dinjiteti. Teftës, motrës trime, që me karakterin dhe guximin e saj, qe për ne të gjithë udhërrëfyese në kohë të vështira. Autori

7


Grabjani rrëzë kodrave

9

Ditar 18 Tetor 1975 U mbushën katër ditë sot që ndodhemi të internuar në Myzeqe. Grabjan i thonë fshatit, nja 20 km nga Lushnja por larg rrugës nacionale, në drejtim të perëndimit, veçse det nuk shohim me sy, e kemi të fshehur, prapa një vargu kodrash. Na kanë dhënë dy dhoma në një kapanon të mbuluar me llamarina, i cili strehon veç nesh edhe dy familje të tjera po nga Tirana. U ngushtua edhe më rrethi, çarku. Vetëm burgu ndodhet përposht nesh tani... Por çuditërisht e kam zemrën të lehtë, me shpresë. Dua t`i shënoj ngjarjet që do vijnë, si një spektator i mënjanuar; që me to të formoj më pas një histori, një nga të shumtat e kësaj epoke, që është e mbushur me të tilla, fate njerëzish në qytet e në fshat dhe sidomos në vendet e mbyllura, burgje e kampe, një sferë kjo mjaft e njohur për familjen tonë nga e cila ishim shkëputur prej disa vitesh dhe që tani po na gllabëron sërish. Në Tiranë kam bërë një jetë monotone vitet e fundit, deri diku të rehatshme; tani filloi të lëvizë prapë indikatori, gjilpëra.....Të rrish mënjanë e tua regjistrosh këtyre “bëmat”, kjo më nxit mjaft megjithëse nuk është kaq e thjeshtë ( kjo frymë pikniku e ditëve të para, ka për të na lënë së shpejti, kjo dihet ). Sidoqoftë vlen t`i hyj kësaj pune, është e vetmja mënyrë për të mbajtur një lidhje me gjërat por edhe me veten time. Nga të tjerat s’ do të jem fort i ndryshëm nga një automë, i dëshiruar për gjumë. Kjo histori filloi në datën 14 kur na u komunikua vendimi i Komisionit Qëndror të Dëbim- Internimeve. Kemi dëgjuar për 60 familje të hequra, që i kanë shpërndarë në të katër anët. S’di sa e vërtetë është kjo shifër, disa thonë janë më shumë. Mund të them vetëm që në rrugën e Durrësit, kur dolëm atë mëngjes, të datës 15, kishte edhe makina të tjera, para e mbrapa nesh.


10

Lekë Tasi —

Mëngjesin e së djeshmes, të datës 14 isha nisur si përditë me biçikletë nga dhoma ime përtej Laprakës, për të vajtur në punë (që këto tetë muajt e fundit ka qënë në Fermën e Perimeve ngjitur me stacionin e trenit). Si përherë, bëra një ndalesë tek im’më për të veshur robat e punës. Gjeta Teftën, time motër, që më priste tek dera por jo si zakonisht. Ndërsa po lija biçikletën, diçka ndjeva tek sytë e saj. Bëra të hyj me një dëshirë të papërcaktuar për të shmangur atë që donte të më thoshte. Por ajo ma dha lajmin aty me të butë për të mos më alarmuar: Po na internojnë Lekë. Pesë vjet në një fshat të Lushnjës....Të kanë thirrur edhe ty, të paraqitesh menjëherë. Fjalët e saj nuk më ndalën por kur zgjata dorën të marr rrobat prapa derës, kuptova përnjëherë se dita ime po bënte një kthesë të fortë dhe se për të gjithë ne po rifillonin havazet. Brënda gjeta mamanë të ulur në një cep; më vështroi me pikëllim U ula: “Ja ç’paskan qënë fjalët që qarkullonin. Për ne paskan qënë... thashë pa frenuar dot një sarkazmë të hidhur për verbërinë tonë. Dhe ne flinim gjumë” Ato më shikonin pa bërë zë. Dhoma e rregulluar për bukuri, me atë sistemim rrënjësor që i bëmë tamam këto ditët e fundit. Të gjitha kot... Njëzet vjet n’atë bodrum, vetëm tani, këtë muajin e fundit me ndarjen e pallatit karshi, e kishim hequr shpresën definitivisht se do na jepnin hyrje dhe i kishim bërë një revizion të thellë bodrumit (deri edhe me kartë të ngjitur në mure për të mbuluar njollat e lagështirës.) U çova në këmbë:- “S’ka gjë ! Ky mund të jetë fillimi i fundit!” u thashë për të reaguar disi dhe për tu dhënë zemër. “Një palë kërkon të hedhë palën tjetër, për ti veshur krimet e bëra. Prandaj vetë vala që po na merr, mund të jetë menduar si klimë e egër, si shtrat i ngrohtë për të larë hesapet me kundërshtarët...” Shpresojmë që diçka e mirë të dalë, një kthesë që e kërkon koha. Vëllai im i madhi, Napoloni në Shkodër, është jashtë rrezikut deri sot. Pata një gjysmë shprese se edhe i vogli, Ylli i transferuar në Librazhd qysh në prill do të shpëtonte. Por s’mu vërtetua; e sollën në mbrëmje me polic. Peripecitë e tij kanë qënë më të shtrira në hapësirë se e ne të tjerëve. Para gjashtë muajsh kur ishte në Kukës për një punë, e pushuan dhe e dërguan puntor së bashku me mua (që më pushoi ndërmarrja ime) në Bonifikim. Pastaj urdhri u prapsua, sepse si duket u erdhi ne mend internimi që po pritej, por ndërkohë atë e dërguan në Librazhd për tu zgjidhur edhe një problem tjetër të ngutshëm që kishin.


Grabjani rrëzë kodrave

11

E hidhur është kur kërkon shënja vërtetuese të asaj që je i bindur se po ndodh në thelbin e situatës dhe në vend të tyre të vijnë shuplaka të tilla. Eshtë një duel me telepati, sikur ata e kuptojnë që ne i biem në të sëmundjes së vërtetë të tyre dhe na ndërshkojnë për këtë. Tani më duket se po paguaj për një optimizëm mjaft mëndjelehtë që kam shpalosur në këto dy - tre vjetët e fundit. Jo se më tronditet besimi. Më tepër është kjo tjetra, që kuptoj se faktori kohë në të gatuarit e ngjarjeve është i tillë që ta bën pothuaj të pavlefshme gjithçka ke pikasur, i shtyn, i largon tej e më tej ato që ti i llogatitje të afërta. Ajo është një kohë “politike”, historike, shumë më e gjërë se e jona dhe tani duhet ti jap të drejtë atij shokut tim që entuziazmit tim rreth kursit të ngjarjeve para dy vjetëve iu kundërvu me një të qeshur gati tallëse: “Rrudhat tona s’mund të hahen me ato të sistemit...”Aq më tepër i jap të drejtë tani që erdha këtu dhe më pret bujqësia, që sa për rrudha e di vetë si i hap e i thellon së bashku me brazdat që do të na vënë të hapim. Por prapë s’mund të rri pa shpresë. Më mjafton që kjo e jona është bazuar në gjëra të vërteta, të ndodhura, e jo si në vitet e para. Afatet fundja s’dihen, ka edhe të papritura.... Gjeta në korridorin e ngushtë të Këshillit një tjetër fatkeq si unë që po priste. Sa e pashë mendova me vete: Ja një nga ata, për të cilët dëgjojmë “ e futën brënda filanin, e hoqën me kamion filanin”. Edhe vetë emri i tyre sikur ndjell gjëra të tilla, ca emra si Burimi, Bregu etj ato janë kalamitat e luftës së klasave gjatë dekadave, gjithmonë po ata. Sa i pambrojtur, i pakët m’u duk atë çast, i dënuar qysh në fillim të ekzistencës së tij (do të ish nja 30 vjeç), të pozojë përherë në rrumbullaken e shënjestrës së tyre. Priste të hynte dhe kur më pa që po ngjitja shkallët bëri buzën në gaz si i turpëruar që e kapa aty në këtë rol që po lozte aq gjatë, përtej çdo lezeti. Pale, u dashka pritur! mendova me gjakun në kokë përnjëherësh. Edhe tani që po na heqin qafe brënda 24 orëve duhet të rrimë e të presim përjashta! Është ajo teknika bajate tanimë e mjediseve policore, e shkundjes psikologjike që ua kanë lënë trashëgim ustallarët moskovitë dhe që synon ti japë kujtdo që ka punë me ta një të përzier të lezetshme në stomak. Nga i mërzitur u ktheva gati në qejf .. shtyva derën dhe vetëm çastin e fundit një farë serioziteti ndaj vetes më frenoi që mos ta filloja me ndonjë të tillë si “Hajër ishalla” ose “Hë ç’kemi?” i vështrova me një


12

Lekë Tasi —

ngrysje ku përbuzja, besoj, dukej hapur. Të katër muret e zyrës ishin zënë me njerëz të ulur në karrige rresht, që asistonin në aktin e komunikimit dora - dorës, të vendimeve. Ishin aq ngushtë të shtërnguar saqë brrylat e secilit kërkonin vend në ijët e tjetrit pranë. I kishin thirrur sigurisht si bashkëpërgjegjës. Ndoshta disa mund të ishin ndër ata që kanë raportuar emrat tanë këto javët e hartimit të listave, por s’m’u dukën fort të kënaqur që po i ballafaqonin me viktimat. Vështronin si të ngurosur përpara dhe asnjë s’guxonte të fliste ose të ndizte cigare, si ata të dy ne krye të tryezës. Njëri prej të cilëve, i vogli i vëllezërve Kondi, Shima, një tip kokëvogël përfaqësonte Ministrinë. Tjetri, Kryetari i Lagjes, i vetmi që aktivizohej, nja 40 vjeç, i pashëm, i bëshëm dhe fare i çkujdesur si një viç që ka shumë kohë para vetes gjersa ti vijë ora e thikës. Më komunikoi vendimin për pesë vjet jetë bujqësore në Grabjan të Lushnjes. Vazhdoi me arrogancë : “Nuk do të lëvizni nga shtëpia se jeni nën vërejtje: Nesër ju vjen makina” dhe vazhdoi të shfletonte dosjen. - “Kam nënën sëmurë, dua një shtytje” tentova unë fare pa shpresë, por me një ton sa më të shkoqur e duke vështruar në tavan. Ata rrotull m’i kishin ngulur sytë, kurse ai me sytë përsëri në shkresa, e kishte spuntuar emrin tim dhe ma ktheu pa më vështruar: “Ka doktorë edhe atje.” U ktheva mendueshëm drejt derës, shumë ngadalë e pa i hequr sytë nga tavani. E tërë rezistenca ime u reduktua në kaq gjë, meqë s’më mbetej ç‘të bënja më. I ndodhur n’atë pikë si duket preferova ritiratën sesa një palë hekura në duar. Fundja çdo gjë që të thoshnja s’vlente. Kjo është tatëpjeta e të gjithëve (edhe e atyre që rrinin ulur ngjitur me murin;) dhe çastin e fundit si për tu justifikuar me veten time, mu kujtua që ‘heshtja është më dinjitoze’. Dola që andej dhe shpejtova hapat për në shtëpi. Në 24 orë duhet të ngrenim plaçkat, t`i bënim gati. Nga t’ia mbaja? I pazoti vetë të ngul një gozhdë, s’më mbetej veç tu drejtohesha të tjerëve si përherë, meqënë se jeta paska prapë për ne kamiona e policë të armatosur që presin te dera; “ Ylli duhej patjetër tani” thashë me vete i ndodhur ngushtë tani për paketim, për të mos përmendur atë që na pret atje poshtë, kush e di çfarë, çati që pikojnë, brava që s’mbyllen, soba që nxjerrin tym, gjëra këto që i kam parë të rregullohen gjithmonë prej tij. Kur u ktheva në shtëpi bëmë një program pune me mamanë dhe Teftën. Të dyja ato u vunë të grumbullojnë plaçkat e vogla, ndërsa vetë


Grabjani rrëzë kodrave

13

shkova njoftova Engjëllin (kushëririn) e pastaj vajta në shtëpinë time njoftova gruan (që atë javë ish turn i dytë). Vendosëm që ajo të vazhdojë punën gjersa neve të stabilizohemi. U dëshpërua shumë por unë s’kisha kohë të rrinja më gjatë. Janë të dyja shtatzanë ajo edhe e shoqja e Yllit. Pastaj u hodha në ndërmarrje ku mora librezën dhe bëra likuidimin. Kur u ktheva në shtëpi gjeta një polic te dera. Në ato pak orë që na mbeteshin, jo vetëm nuk mund të delnim më nga shtëpia deri sa të vinte makina, por edhe askush nuk mund të hynte po të mos ish i rrethit familjar.Më vonë në vend të policit erdhën të tjerë, çuna të lagjes që ndenjën roje te dera gjithë natën, dy nga dy, me turne. Por para se të vendosej mirë kjo bllokadë, pasdite përfitova nga një gjysmë leje e policit dhe dola për të fundit herë me biçikletë në rrugët e Tiranës.Vinte rrotull për shi, vesonte herë pas here prandaj dielli që shfaqej me hope në muret e ndërtesave, më dukej edhe më i shtrenjtë si vetë orët e pakta të lirisë që më mbeteshin. Galloshet duheshin ngjitur - mendim naiv ky po ta gjykoj me këtë det balte që na priti këtu ku ka rrezik të fundoset çizmja - pedalet difektoze të biçikletës duheshin ndërruar, ca punë të tjera pezull duheshin mbaruar... Gjeta njerëz plot te gomistët por në cepin e tejmë të banakut ku u mundova të çaj, një shok i ushtrisë, një krutan i lindur për tregti grosiste i katandisur tani të presë çizme e galloshe të vjetra, më njohu mbas 20 vjetësh dhe me gjithë rrëmujën zgjati dorën. Ia lashë me një përshëndetje që s’ma dëgjoi dhe ika vrap te biçiklistët. Edhe aty njerëz plot vinin rrotull nëper shiritat e verdhë të dritës së diellit që hynte nga dritaret e mëdha horizontale, secili duke kërkuar diçka në tokë për vete. I pata zili për atë jetën e tyre të muzgët që do të zgjatej përtej nisjes sime. Të kish të kthehej si për mrekulli urdhri, premtoj të çoja një jetë të thjeshtë, të përkushtuar këtyre gjërave të vogla, lojrave të motit e të dritës dhe të gjitha ngjarjeve të parëndësishme që më ndodhin afër, veç pa problemet e ngutshme që urrej, siç është të nxjerrësh një këmbë nga balta ose të zësh rradhe në një dyqan të qelbur fshati. Zërat e internimeve ishin hapur me shpejtësi si duket. Iu afrova përgjegjësit një djalë sportiv mjaft i ngrysur që më kishte thënë “jo” nja dy herë kohët e fundit për pedale. Ruajta rastin dhe i fola në emër “Ke gjëkundi ndonjë palë pedale se më duhen shumë” dhe pa i lënë kohë të


14

Lekë Tasi —

përgjigjet shtova me zë të ulët “Po nisem familjarisht”. Më nguli sytë një çast, pastaj më ktheu kurrizin dhe u zhduk te dera në fund. Mbas pak erdhi me dy kuti me ngjyra të ndezura e mi dha pa asnjë fjalë. Pagova dhe ika. Kur u ktheva në shtëpi gjeta Engjëllin, kushëririn që kish filluar punën. Për fat na u ndodhën ca dërrasa. Me ato bëri arkat për plaçkat e për librat. Në atë bodrum jetuam plot 20 vjet. Dy dhoma të thella vërtet por jo fort të këqija, sidomos të bollshme. Shihnin në një oborr të vogël dhe dy dritaret e tyre të ulta por të gjera, e fusnin diellin brenda deri në mesditë. Kishin pakëz lagështi por ne s’mund të kërkonim më të mira. Kemi ndërruar shtëpi disa herë këto 30 vjet, duke i rënë qark Tiranës dhe duke u ulur në kuotë; nga kati i tretë në 45-ën, kishim kaluar rregullisht në katin e dytë, pastaj në të parin, derisa përfunduam në 54- ën në një dhomë të nëndheshme me mur betoni si bunker përfund një pallati afër stadiumit Dinamo. Po kur më 55-ën pallati vetë u zbraz për të futur në të specialistët sovjetikë të Ministrisë së Brëndshme, qeraxhinjve të mbitokës u dhanë hyrje, kurse neve na kaluan nga ai bodrum në këtë. Një vit e gjysmë më vonë i erdhi radha dëbimeve të 56-ës. Pak javë mbas Hungarisë u njoftuam se hiqeshim nga Tirana! Mbaj mend atë vigjilje Krishtlindjesh kur vajta në zyrat e lagjes për të marrë vendimin. Ankesave të mia edhe kryetari i atëhershëm si ky i tanishmi, nuk deshi ti përgjigjej fare. Por atë radhë nuk ish internim ishte dëbim. Të jepej afati dhe ti duhet të largoheshe vetë. (Në atë rast së paku nuk u përdor heqja me kamion, si disa herë në të kaluarën, kur na hiqnin nga shtëpia me zor.) Librat e shtëpisë ishin akoma në fuqi dhe kushdo që shkelte rregulloren e tyre dënohej me gjobë; nga ana tjetër lidhja që ka sot secili me punën të detyronte të largoheshe pa tjetër, sepse veç shtëpisë që të hiqej, ndërmarrja të kishte pushuar automatikisht. Por neve na ndodhi ndryshe. ndërhyrjet e qëndrave të punës (unë isha në orkestër, Ylli në Fabrikën e Tullave) dhe nevoja që kishin për ne akoma, bënë që të mbeteshim të dy ndërsa anëtarët e tjerë të familjes jo. Kjo ndarje ka qënë gabimi ynë, që po e paguajmë edhe kush e di sa kohë akoma por ç’të bënim, Ylli ishte në Universitet dhe unë s’doja të hiqja dorë nga violonçeli.


Grabjani rrëzë kodrave

15

Tefta vajti në Shkodër, zuri një dhomë me qera. Mamaja shkoi me të, pastaj u kthye dhe qëndroi me ne, por e fshehur. Ishim beqarë atëherë. Vëllai i madh, i pa-pashaportizuar (sapo kishte dalë nga burgu) rronte kantiereve, herë në Shkodër dhe herë i fshehur këtu në Tiranë. Natyrisht, shtëpia na mbeti por kur ne dy legalët vinim në punë, perdet rrinin të ulura për ata që ishin brenda dhe në fazat e shtërngimit të madh, dera e kyçur nga jashtë. Të fshehurit, mamaja dhe vëllai i madh (shumë herë dhe Tefta kur mërzitej të rrinte vetëm në Shkodër dhe vinte) duhet të na pritnin neve për çdo gjë që u duhej, për të mos vënë në dyshim policinë dhe spiunët e mëhallës që e informonin. Kjo ndrydhje brënda, në një banesë nën nivelin e tokës dhe shpesh pa hapur dritaret kishte pasoja. Ajri bëhej i rëndë, shtohej era e mykut. Veç këtyre kishte edhe probleme të tjera. Banja ishte në oborr, i fshehuri s’mund të shkonte veçse natën, ose me kujdes të madh; ujin e pistë që grumbullohej poshtë lavamanit në kuzhinë detyroheshim ta ngjitnim me kova dhjetë këmbë shkallë për ta derdhur në një pusetë jashtë. Zakonisht këtë veprim e kryenim unë ose Ylli, të tjerët duhet të na prisnin neve ose të rrezikonin. Por shtërngesat kanë qënë me hope. Herë zbuteshin, pastaj rifillonin. Kur doli babai nga Burgu (Tetor 64), u strehua aty pa ndonjë telash të madh por mbas pak me rastin e vizitës së Çu En Lait, na detyruan ta largonim dhe kështu krejt 65-ën ai e kaloi në Shkodër. Ia kishim marrë dorën kësaj jete aq sa në fazat më të lirshme tentonim dhe i thyenim rregullat, p.sh çonim Teftën në kinema. Ishte koha para televizionit, e filmave të parë të huaj dhe kur delte ndonjë gjë e re, ajo patjetër duhet ta shihte. Ne e shoqëronim duke kaluar nëpër rrugica të errta dhe e fshihnim me trup kur përshkonim një kryqëzim të ndriçuar; biletat i blinim që më parë dhe hynim në sallë me drita të shuara... Por kishim edhe befasira. Si atëherë kur polici e kapi vëllanë e madh duke nxjerrë kovën në oborr.E çoi në rajon, kështu qëndrimi i tij aty mori fund me një gjobë dhe qysh atëherë ai u detyrua të rrinte në kantier. Tefta vinte më shpesh, sidomos në dimër se klima e Shkodrës është e fortë dhe s’kishte instaluar sobë në dhomë. Prandaj atë e kanë gjobitur edhe më shumë.


16

Lekë Tasi —

Po ta heqësh burgun e vëllait të madh, ajo është ndjekur më shumë nga ne të tjerët, për vetë natyrën e saj jo fort elastike. Në kohën që kishim njerëz në burg, iu vunë ta rekrutonin për ta pasur si levë informative brënda një rrethi të gjërë familjar e miqsh ku patjetër do tu shërbente shumë, por sigurisht pa sukses. Atë inat që s’e bënë dot spiune ia nxorrën duke e lënë pa punë e larg familjes. Vetëm pesë - gjashtë vitet e fundit, nga 68-a e tëhu u zbut gjëndja dhe ne arritëm një farë qetësie; Tefta filloi të delte lirisht por gjithmonë pa të drejtën të kërkonte punë. Tani ishim pa njeri në burg, xhaxhai kishte vdekur në burg në Burrel më 61, kurse babai më 66-ën, 20 muaj mbas lirimit tij. Të nesërmen e varrimit, i plotfuqishmi erdhi në shtëpi, më mori në rajon dhe më njoftoi zyrtarisht të largoja tre të palejuarit, mamanë, Napolonin, Teftën. I mërzitur siç isha e prita me apati këtë urdhër, i thashë po dhe nuk u binda, duke menduar se ish thjesht presion e nuk do ta bënin të gjatë, të paktën në atë rast. Mirpo kur të nesërmen më thirrën përsëri dhe më kërcënuan që po ti mbaja brënda, do të bënin kontroll dhe do të na proçedonin, kuptova që dikush i kishte informuar e nxitur, prandaj i përcolla në mënyrë të dukshme për në Durrës, për ti dhënë mundësi mëhallës të njoftojë që urdhri u zbatua. Kur u normalizua gjëndja në 68-69 , librat e shtëpisë u hoqën dhe Tefta erdhi e u vendos këtu, vëllai i madh kishte dy vjet që banonte në dhomën që ajo la në Shkodër ku dhe ish martuar. Megjithatë, më 72, me inisiativën e Sekretares së Lagjes, nuk di me ç‘rast egërsie të momentit, u rifreskua edhe një herë praktika e vjetër, dërguan një të plotfuqishëm kur ne s’ishim aty dhe donte ta niste Teftën me kamion. Por ajo nguli këmbë të takohej me Yllin. Vetëm mbasi e takoi në ofiçinë, e shoqëruar me policin dhe gjithmonë me kamion vajtën pastaj të tre në rajon të Policisë, ku u arrit marrëveshja që të nisej mbas disa orësh por me tren. Kjo ish hera e fundit. Gjëndja u normalizua vërtet në 68-ën por ndërkohë mua më kishin larguar nga orkestra dhe mbas disa spostimesh në punë të ndryshme përfundova punëtor në bujqësi. Kaq për të kaluarat që të ketë një fillim kjo histori. Gjatë dites erdhën disa të dërguar nga Lagjja për të parë përgatitjet. Ndër ta ishte dhe një ushtarak që banon pak më poshtë në rrugën


Grabjani rrëzë kodrave

17

tonë. Kur e thirrën Teftën herët në mëngjes ky, si aktivist ishte ndodhur aty. Duke u ankuar Tefta kishte thënë ndër të tjera: Na latë 20 vjet të kalbemi në bodrum dhe tani na jepni vetëm një ditë afat. Janë gjithato plaçka e libra. Ku ti vëmë në 24 orë? U hodh një nga antarët: “shitini me kile”, ndërsa ushtaraku (që na njeh pak a shumë, e ëma kishte një përshëndetje me mamanë) ndërhyri me një gjë të “zgjuar” për ti bërë të qeshin: “s’dukesh fort e kalbur...”Të parit Tefta iu përgjegj: S’janë libra për të shitur me kile, kurse të dytit: tha: Nuk gjykohet njeriu nga paraqitja; ne jemi të gjithë me migrenë’. Ai për ta ndrequr tha: Shko se nuk do tua hedhim në rrugë; do vij unë andej më vonë dhe shohim ç‘nevoja kini. Kur erdhi për të parë ishte vetëm. E pa me sytë e tij ç‘është të jetosh nën nivelin e tokës dhe meqë s’kishte dëshmitarë foli më njerëzishëm duke u munduar të zbusë dhe internimin që na priste. Por Tefta i foli rreptë: “Ne, sido që të vemi, më mirë se këtu do të jemi nga kjo anë, sepse do të dalim mbi sipërfaqe të tokës, por s’qe serioze fjala që thatë në Këshill. E kalbur o e shëndoshë qofsha, as unë s’kam fuqi të kudërshtoj as ju të internoni, çdo gjë vjen nga lart, prandaj për ju është më dinjitoze heshtja...” Dhe duke i thënë këto shtrëngoi me dy gishta buzët e saj, njëra me tjetrën. Ai e vështroi dhe s’bëri zë. Gjatë ditës vazhduam paketimin e plaçkave derisa erdhi Ylli në ora 6. E kishin thirrur në Polici në Librazhd dhe e nisën të shoqëruar pa e lejuar të merrte gjë. E shoqja me djalin, Hektorin, ndodhej në Tiranë ato ditë. Kështu, dhoma e tyre në Librazhd mbeti e kyçur dhe çelsat ia dhanë ndërmarrjes. Natën e kaluam me punë. Zbrazëm raftet, teshat i lidhëm dëngje, enët i futëm në kova plastike e në arka.Në arka vumë edhe librat edhe plaçkat e tjera. Krevatet i shkrehëm, i palosëm. Data 15 erdhi me shi. Nisja u bë nën mbikqyrjen e Këshillit të Lagjes dhe të oficerëve të rajonit. Dy zgavra të errëta ngjanin dhomat tani kur mbetën bosh në mëngjesin e vrenjtur. Në tavan varej teli pa portollambë. Armikja jonë e vjetër që na kish ndjekur këmba- këmbës, Maria e famshme, motra e Pal Mëlyshit, sekretare e lagjes, zbriti shkallët për ta çuar deri në fund fitoren e saj, por efekti që i bëri pamja qe disi i ndryshëm nga ç‘priste. I ngadalësoi hapat në atë gjysmë terr dhe kur pa mamanë, i shpëtoi një pyetje pak e habitur: “Pse, këtu kini banuar ju moj?”


18

Lekë Tasi —

Për të ngarkuar makinën këshilli na dha për ndihmë disa djem të mëhallës. Vajtje - ardhjet u bënë në heshtje. U mblodhën kureshtarë. Gratë e komshinjve na shikonin secila te dera e vet.( Disa prej tyre e kishin ditur që ne ishim në listë. Plaka tiranase, me të cilën na ndante muri i oborrit, e kishte thirrur Teftën disa ditë më parë, ishte matur t’ia thoshte, por s’mundi se i vinte keq..) Nga ora tetë mbaruam me bartjen e plaçkave, makina u mbush. Siguruam mamanë midis shoferit dhe shefit të rajonit që do na përcillte deri në destinacion dhe vetë hipëm në karroceri, në një vend që e kishim lënë bosh në ballë të saj, mbi kabinë.Aty u ul dhe polici i armatosur që na ruante. Kështu me shiun përjashta ( por që na hynte herë herë nëpër të çarat e mushamasë) dhe me gjithë katandinë tonë brënda n’atë kub lëvizës, u nisëm ngadalë drejt jetës së re. Në trotuar ime shoqe tundte dorën e djalit duke na përshëndetur. Gjatë rrugës u bënë dy ndalesa, e para pak më poshtë ambasadës Jugosllave, nja dyqind metra para se të delnim nga qyteti. Internimet gjithmonë janë bërë natën.Ky i yni u bë ditën dhe me bujë. Ç’mund të nxirret nga kjo? Ndofta gaboj, por mendja më thotë se ka filluar një fazë e re: plagët nuk fshihen më, ato zbulohen që ti shohë bota. Ndalesën e dytë e bëmë në Lushnje, përpara Degës së Brëndshme dhe shumë më të gjatë.Moti që u keqësua deri në Kavajë, ishte hapur tani, dielli shkëlqente dhe ne mbështollëm mushamanë. Njerëzit vështronin me kureshtje dhe ne në majë të raqeve e ndjenim veten si të dalë nga një kataklizmë, ku rreziku dhe shpëtimi kishin ndodhur shpejt e shpejt. Ishim vërtet të lagur dhe na vinte mirë që dielli na e ngrohte kurrizin, duke nxjerrë prej tij avuj. Të ekspozuar siç ishim shikimeve, udhëtimi ynë tani i ngjante atij të ariut në kafaz, megjithatë sytë e botës, dhe njolla e deklasimit që na i ngjisnin nuk na i hiqnin dot ca kënaqësi si këto. Fundja, s’do skuqur fort, kemi një jetë të tërë ashtu...Mua bile, në një damar cipë- plasur, të mundja, do t’ia shkelnja syrin ustait të cirkut që na heq me zinxhir: “jam ashtu si më ke katandisur por edhe ti mbete një zgjebarak i sikterisur nga bota.” Kur lëvizëm nga vendi më në fund, aty nga ora 12, makinat u kthyen andej nga kishin ardhur por mbas dy kilometrash kthyen majtas në drejtim të fushës. Grabjani është i mbështetur në palat e kodrave që ndajnë fushën e Myzeqesë nga fusha e Divjakës.Në Çermë që është pak më në veri


Grabjani rrëzë kodrave

19

kam qënë më 66-ën për punë fizike. Atëherë më kishte pëlqyer fusha me rrugët e kanalet e saj, që zgjateshin deri në horizont dhe prapë, megjithëse qëndruam vetëm tri javë, ditët e fundit s’më durohej sa të iknim. Këto kodra në horizont i kam parë gjithashtu sa herë udhëtoja në Përmet e kthim, në fillim me kënetën në plan të parë, pastaj mbas 55ës me fushën e bonifikuar, po për çudi, me herën e fundit tamam dy muaj mbushen sot kur kthehesha me gruan e djalin nga plazhi i Vlorës, qëndrova gjatë në dritare të trenit duke i soditur pa vënë fije dyshimi për të nesërmen (si ndonjë mëllenjë që çapitet e shkujdesur në afërsi të grackës, duhet të them sot) dhe bile mendohesha se si do të ishte vallë të jetosh atyre pyjeve dhe arave në ndonjë shtëpi të vogël të bardhë.. Vendi është vërtetë i bukur, s’kam ç‘them, dhe nga larg palat e pyjeve duken si të kadifenjta... Kur afroheshim makina lëvizte shumë ngadalë - qetësia e fushës, shtrirja e saj dhe një erë e lehtë vjeshtore më dha një ndjenjë përtëritjeje por edhe disi fshehtësie. Kallamat e kanalit të madh përgjatë rrugës fëshfërinin. S’kishte frymë njeriu gjëkundi. Hidhja sytë nga të gjitha anët. Siç ishim lart me kuotë, gati tre metra mbi tokë, pamë një tren andej nga jugu dhe mu duk si një lodër fëmijësh. Zhurma e tij s’na arrinte, i heshtur krejt, dhe përnjëhersh u zhduk, i përpirë ndofta nga ndonjë pyll fushor ose i fshehur në një ultësirë të lehtë. Ia bëra me shënjë Yllit që të mos na kuptonte polici. “Mirë jemi!” i thashë me zë të ulët, mjaft të vazhdojë siç e ka nisur dhe ke për të parë do të jemi mirë!.. Ai s’ma vari, se s’do t’ia dijë fare për hamëndje e parashikime. Udhëtuam edhe ca në këtë frymë në bisht të autokolonës. Koha e mirë, makina na përkundte por shumë ngadalë, ishim si mbi deve. Entuziazmi më ra ndonjë gjysmë orë më vonë kur iu qasëm edhe më kodrave. Shtrirjet e mëdha me misra të tharë, të pakorrur, uji i kanalit në ngjyrën e qiellit, fëshfërimat, e të tjera spunto për mbresa zemërpërkëdhelëse, ia lanë vëndin një vargu erërëndë me kavaleta plehu, që punëtorët po u jepnin formë piramidash të gjata me sfurqet e tyre në anë të rrugës. Dy qerre të ngarkuara rëndshëm edhe ato me pleh na dolën përpara; qerrexhinjtë kthyen kokën., dhe kur makina jonë ngadalësoi dhe më për të kaluar në llucë pranë qeve të ngathët, ata na i ngulën sytë me një kërshëri fshatarake. Mund të them që ky qe çasti i vërtetë i takimit me


20

Lekë Tasi —

destinacionin tonë, meqë ishte kontakti i parë me materialin e gjallë, banorët; ky takim s’më ndolli gjë të mirë. Hymë në Grabjan pikërisht në orën kur delnin fëmija nga shkolla. Mizëri. Kollona e makinave bëri një rrotullim të plotë nëpër dy rrugët kryesore të fshatit për të ndaluar pothuajse në pikën ku kishte hyrë, veçse me turinj në drejtim të kundërt. Ky mu duk demonstrim i fundit i turneut tonë dhe shfaqja e parë që dhamë për publikun e këtushëm. Siç morëm vesh më vonë, fshati këtu e dinte prej dy javësh ardhjen tonë, nga punimet që u bënë në kapanonin ku kemi rënë. Me këtë rast është hequr këtej për në një vend tjetër mensa e punëtorëve dhe janë ngritur muret ndarës, duke përftuar në këtë barrakë me tek- tullë, tri hyrje. Llaçin e punimeve e gjetëm të porsatharë në dysheme. Me të ndaluar kamionat, oficerët, policët dhe shoferët zbritën dhe zunë të shmpiheshin. Zbritëm edhe ne. Dy kamionë të tjerë ndaluan në një barrakë tjetër, 50 metra më tutje. Rrotull na u grumbulluan plot kalamanj. Ky fshat është vend internimi i vjetër, i presin të ardhurit, i përcjellin. Kështu vazhdon kjo punë. Para disa vjetësh siç më thanë kanë qënë këtu disa vajza me moral të dyshimtë, që janë kthyer në Tiranë aty nga 70-a. Por më të shumtit natyrisht janë për politikë; ata mbeten këtu. Ndarja e hyrjeve nuk u bë thjesht e pa fjalë. Sepse secili oficer deshi të favorizonte familjen që kishte shoqëruar. Unë hyra te dera e parë dhe dola me përshtypje jo të këqija: dy dhoma gati katër me katër, me tavan pak të dëmtuar dhe me dritare të vogla. Dyshemeja prej çimentoje, jo fort e sheshtë, ka ceduar humbellës që ka nën të siç duket. Po matesha ti propozoja Yllit dhe Teftës kur oficeri që shoqëroi Luanin, komshiun tonë, deshi të më mbushë mëndjen se kapanoni tjetër afër lëmit është më i mirë. Qesh gati të shkonja edhe atje për të parë por s’arrita, se oficeri ynë, Avniu, Shefi i Rajonit 2 e pa bisedën time me të dhe më detyroi gati me forcë të rri aty. Ky Avniu është një burrë i shkurtër me një fytyrë të vendosur. Disa vjet më parë, në kohën kur babai ishte shtruar në spital, kishin thirrur Teftën në rajon. i bënë presion për të nënshkruar një deklaratë ku të zotohej se si e dëbuar nuk do të shkelte më në Tiranë pa leje, gjë që në praktikë do të thotë të mos vinte më kurrë. Kjo ndodhi në një dhomë të vogël pritjeje të mbushur me tym duhani dhe mbas një qëndrimi të saj aty prej orës shtatë deri në ora një. Bashkë me Avniun


Grabjani rrëzë kodrave

21

kishin hyrë dhe katër të tjerë për ti bërë këtë gjyq, mes tyre dhe Mersin Kalemi i Komitetit Ekzekutiv, armik i tërbuar i yni si dhe një prokuror me emrin Sali. Tefta ish ulur përballë shefit Avniut, kurse të tjerët vinin vërdallë nëpër dhomë të nervozuar sepse nga ora një deri në 2 e 30 asaj s’po i mbushej mëndja të firmoste. Saliu nga një herë i afrohej dhe gati sa se godiste duke e vështruar me urrejtje. Tefta përsëriste të njëjtin kundërshtim të prerë, pa i vështruar fare ata. Shefi heshte. Puna mori fund - për inatin sidomos të këtyre të dyve që thashë- me një fletë të bardhë që Avniu ia vuri përpara: Shkruaj ç’të duash se na le pa drekë! Dhe Tefta shkroi: Do të vij në Tiranë sa herë të kem nevojë, dhe firmosi. Kështu, u detyrua të iki në Shkodër por nuk u lidh me një deklaratë që pastaj ata do t’ia paraqitnin gjyqit kur ajo do të detyrohej ta shkelte. Ndërsa isha i drejtuar pra për te kapanoni nr.2 ky, Avniu, e ndjeu lojën e oficerit tjetër dhe më doli përpara me rreptësi: “Futu brënda dhe mos luaj” E kuptova në sytë e tij si qëndronte puna dhe bëra prapa kthehu. Kështu mbetëm ne këtu, si të parët që vumë këmbë në këtë prag. Luani ka marrë dy dhomat pranë, pak më të vogla se këto tonat. Mbas Luanit në një dhomë të vetme, ka hyrë një shofer, Qazimi të cilin Ylli e njeh se ka punuar me të në Librazhd. E shoqja, Vera, ka qënë edhe më përpara i internuar se kish babanë të arratisur (Hysni Dema). Kanë një djalë gjashtë vjeç. Kapanoni përfundon me një hyrje të rregullt ku banon një i lirë nga Librazhdi. Në kapanonin tjetër janë strehuar familjet Kulla, tre vëllezër korçarë më prindët dhe Kurti, katër vëllezër, me prindër lushnjarë nga origjina, por banues në Tiranë të dy palët, prej shumë vjetësh. Me një kamion të gjashtë kanë prurë dhe të motrën e Petrit Dumes, Myneverin (udhëtoi pak e vonuar, prapa nesh) por e kanë çuar tek hyrja e familjes së saj që përbëhet nga kunata, e shoqja e Petritit dhe katër vajzat; njëra prej të cilave është ndarë nga burri dhe ka një vajzë motake.Këtu afër kemi furrën si dhe një çezmë. Uji nuk është i keq, por ai i Selitës duhet qarë me lot. Dy ditë na u deshën për të futur plaçkat dhe ti rregullonim. Banjë nuk kemi. Nevojtoret e ish mensës janë në fund të kapanonit nga ana e prapme por s’hyhet dot brënda, të bllokuara në pisllëk... Kemi filluar të ndërtojmë mbrapa shtëpisë një farë banjë së bashku me Luanin dhe


22

Lekë Tasi —

do ta ndajmë me mur. Dje hapëm gropën në afërsi me kanalin e ujrave të zeza që kalon aty, i zbuluar! Lodhem shpejt, duhet të marr frymë në çdo pesë lopata. Në ndërmarrjen time këtë behar bënim vetëm prashitje e gjëra të lehta dhe tani e shoh që paskam një kalitje të mangët. Sot filluam murin. Mjeshtra janë Luani me Yllin, kurse unë bëj llaç. Apelin na e bëjnë dy herë në ditë, më gjashtë të mëngjesit dhe më pesë e gjysëm të mbrëmjes. Qysh ditën e dytë që erdhëm, u mblodhëm me oficerët e Degës te sheshi para shtëpisë. Na prezantuan me përgjegjësin e apelit dhe na komunikuan kufizimet. “Kini të gjitha të drejtat veç lirisë për të lëvizur. Jashtë tokave të sektorit do të dilni vetëm me lejen e Degës dhe vetëm për nevoja me rëndësi (shëndetësore ose kur ju thërrasin organet etj). Ankesat, kërkesat për lejet bëhen nëpërmjet përgjegjësit të apelit i cili raporton në Degë. Edhe për çështje pune, po të kini pakënaqësira, do të na drejtoheni neve’. Këto fjalë na i tha më i madhi i tyre në rang dhe në trup, një lab zeshkan me hundë të shtypur Ismaili. Pranë kishte operativin, një djalë i gjatë kuksian s’ja mora vesh emrin. Pak më tej ishte një qimeverdhë më një kostum bojë duhani të prerë mirë, Nuri Manoku, siç më thanë, vëlla me një të madh në Ministri. Guri Shuli, përgjegjësi i apelit, pak më i shkurtër se mesatarja, s’e hapi gojën megjithëse Ismaili e ftoi të fliste për të na sqaruar edhe më. Bën punën e magazinierit por thonë se është më i fortë se përgjegjësi i sektorit, si njeri i sigurimit që është. E shoqja Nuria është shefe e fuqisë puntore (Pardje na shoqëroi në Lushnjë për analizat në ambulancë, s’foli e nuk i folëm asnjë fjalë rrugës) Mbas prezantimit e fjalimit paraprak Ismaili na pyeti a kemi nevojë për sqarime. Asnjë s’foli në fillim. Pastaj komshiu ynë kërkoi leje a mund të instalojë televizorin, të cilin e quajti mjet të edukimit masiv... Ne kërkojmë leje edhe për gjëra të lejuara.Leja u dha menjëherë me bujari nga Ismaili si një gjë e drejtë afërmendësh dhe ndërkohë atmosfera ishte bërë më e afrueshme, nga e ftohtë formale që ishte në fillim dhe kështu u shpërndamë të inkurajuar, gati të gëzuar për rregullat e reja të jetës. Qysh më pesë të mëngjesit, natë akoma, na zgjon megafoni që transmeton muzikë popullore. Dalim në kërkim të një nevojtoreje. Mamanë e çojmë ndër komshinj por kanë filluar të bezdisen.


Grabjani rrëzë kodrave

23

Ditët e para kur i patëm plaçkat jashtë na kanë vjedhur një trapano të Yllit, ndoshta qysh orën e parë që shkarkuam. Lajmëruam Gurin i cili na tha që këtu ka shumë hajdutë. Ditën e dytë, ndërsa po bënim rregullimet, erdhi e hodhi një sy operativi kuksian. I thamë për instalimet elektrike, që ishin të papërfunduara. Na siguroi që do të dërgonte njerëz; dhe në fakt erdhën pas pak. Por na habiti me një fjalë që na tha para se të ikte, si pa i dhënë rëndësi, duke vështruar jashtë... “Me furnizim do të jini mirë këtu, por sa për njerëz, kini për ti njohur vetë, dhe ktheu kokën e na vëshroi në sy.” Demek, kini mendjen.

20 Tetor ’75. Sot erdhi djali i Qazimit, komshiut që banon mbas Luanit dhe na ftoi në shtëpi. Vajtëm dhe takuam dy veteranë të internimit, Viktorin dhe Bardhin. Napoloni, vëllai ynë i madh ka qënë në burg me të dy. I kanë baballarët jashtë (Hasan Dostin dhe Abaz Kupin respektivisht si dhe një vëlla i pari dhe dy i dyti ). Viktori që ka marrë motrën e Bardhit banon në Gradisht, ndonjë gjysmë ore më këmbë prej këtej. Është bashkë me tre vëllezër të tij aty, dy prej të cilëve Tomorrin dhe Lekën i njoh se kemi qënë ushtarë bashkë. Natyrisht puna e parë këtu është bujqësia, por Viktorit autodidakt i fortë, ia kanë nevojën për gjëra mekanike dhe elektrike dhe kështu e marrin ne ofiçinë kur ua do puna për ndonjë difekt. Bardhi është këtu në Grabjan familjarisht prej 8 vjetësh, dhe punon në ndërtim. Një fletë rrufe është afishuar në adresë të tij këto ditë. I kërkon llogari pse nuk ka vajtur në aksion por preferon të mbledhë bimë medicinale të djelave dhe të merret me bletët. Një jetë e tërë që janë në internim. Nuk dalin në apel prej kohësh por kjo s’do me thënë se mund të lëvizin kudo, mbasi janë me masë “dëbimi”, një status i ndërmjetëm midis lirisë dhe internimit: vetëm Lushnjen dhe Fierin e kanë të lejuar. Për ta nuk është gjë e vogël, sepse kanë motrat në këto rrethe si dhe miq të tjerë dhe kështu mund të venë. Biseduam ndonjë orë dhe kur u ndamë na dhanë disa orientime të vlefshme rreth ambientit, kë duhet të evitojmë nga të internuarit dhe në përgjithësi nga të deklasuarit. Ky ishte qëllimi i takimit, të na “vaksinojnë” paraprakisht, sepse një fjalë e papeshuar në veshin që


24

Lekë Tasi —

s’duhet, të fik. Si këta të dy që mund ti quajmë të internuarit e orës së parë ose të 45-ës (vetëm se ky cilësim u shkon më tepër familjeve të tyre, duke qënë se këta vetë bënë nga një 5- vjeçar burg secili në kryen e herës) si këta pra, ka dhe të tjerë nga shumë krahina, sidomos devollinj të ngritur nga fshatrat kufitare në vitet e fillimit ose në 49-ën, mirpo ata janë një shkallë më lart, banues të detyruar këtu, por të lirë të lëvizin kudo. Edhe ata quhen të deklasuar, triskën e frontit s’e kanë, s’i ftojnë në mbledhje, i diskriminojnë por prapë i shikojnë me sy më të mirë se sa këta që kanë të arratisur me emër. Do më pëlqente të bëja një historik të shkurtër të krejt kësaj kategorie, me ndarjet dhe nëndarjet e saj dhe me historira të veçanta po të jetë se gjej dëshmi të mjafta si dhe dëshmitarë të gatshëm të më përshkruajnë kampet, vajtje- ardhjet nëpër ta, punët, lirimet në kohën e Hrushovit, riinternimet më vonë, me një fjalë një indeks të shkurtër mbi këta 30 vjet që po vazhdojnë edhe sot. Në Tiranë i dija këto nga një jehonë e vagët që na vinte; tani jam vetë në mes të kësaj vorbulle, që ka Tepelenën si pikënisje, ose të them si rrënjë, dhe Myzeqetë e Fierit dhe të Lushnjes si vazhdim ose degëzime kryesore. I pyeta larg e larg në këtë drejtim por nuk pashë ndonjë dëshirë të madhe për të folur rreth të vjetrave. Mora vesh vetëm se kufizimet që kanë qënë shumë të shtërnguara në kampet e fillimit, janë lëshuar mjaft nga 60-a e tëhu, më thanë bile se ata delnin në Lushnjë bile punonin aty dhe Bardhi mbaroi dhe gjimnazin natën, duke qënë me apel(!) Aty në gjimnaz edhe u fejua. Mua menjëherë më goditi një farë ngjashmërie me romanet e lexuar për jetën në Rusinë e pas revolucionit. Kam ndërmend ta pyes hollësisht rreth kësaj, sepse pa këtë anë të qetë të jetës, kjo historia ime rrezikon të bëhet e mërzitshme, e mbushur vetëm me vuajtje, nga të cilat vuajnë disa memorje që kam lexuar. S’kam ndërmend ta mbush vetëm me anën e keqe.

21 Tetor ’75. Ky fshat është qëndër e sektorit të NB dhe të gjithë e quajnë sektor, jo fshat, si për t’i dhënë rëndësi vetës). Në mes të sektorit është një shesh. Në ndërtesë e gjatë dy katëshe që e kufizon sheshin nga ana e kodrës, midis katit të parë dhe të dytit, është shkruar me gërma të kuqe, të larta


Grabjani rrëzë kodrave

25

sa një bojë njeriu ‘TË JETOJMË SI NË RRETHIM!’ Sa mirë thashë me vete, tani e tutje do të jemi të rrethuar nga të rrethuarit. Brinja e djathtë e sheshit ka dyqane me rradhë kurse në brinjën e majtë është posta, një dhomë përdhese ku rri një librazhdas i gjatë me mustaqe të gjata të dredhura, i sigurimit. (Ruhuni fort prej tij na kanë thënë.) Ngjitur me të vjen çerdhja dhe kopshti i fëmijeve dhe me poshtë, klubi. Midis këtyre të dyve në një hapësirë të lirë, po i bëjnë vend edhe mensës që u hoq nga kapanoni ku u futëm ne. Brinjën e katërt të katrorit të sheshit ajo që vështron nga fusha, e zë kinoklubi me një sallë mjaft të madhe shfaqesh dhe me dy më të vogla për lexim dhe për lojra, si dhe një dhomë ku mbahen librat. Në sallë është televizori i sektorit por më thanë që është i prishur. Janë gjithsej nja katër- pesë televizora nëpër shtëpira, njërin prej tyre e ka Thomai. Thoma Karamelon e njohim që në Tiranë. Ka qënë në Ministrinë e Brëndshme në fillim. Mbas 50- ës filloi rënia e tij. Si e hoqën nga ministria e çuan nëpër ndërmarrje ose në arsim dhe më 66-ën e sollën të internuar këtu. Vepra nr. 10 e Enverit kritikon duke e përmendur me emër dhe kjo ia mbyll perspektivën për lirim. Veç kësaj ka vajtur “thike e brisk” me disa ish kolegë të tij. Ky është 5 - vjeçari i dytë që po heq këtu. (Koço Dilo e M. Spahiu, me të cilët erdhi janë liruar qysh më 72ishin.) Një prej armiqve të personalë të tij është dhe ministri i Komunikacioneve që i ka zënë shtëpinë në Tiranë (një vilë që posa e kish blerë afër stadiumit). Kur e larguan atëherë, në 66- ën (nëna dhe motra e tij erdhën me të), disa plaçka ndërmjet të cilave dhe një sasi rakie në disa damixhana e shishe vere nuk i mori me vete por i kyçi në birucë. Mbas disa kohësh ministri, (korçar dhe ai si Thomai dhe ish shok me të gjatë luftës) Milo Qirko zbriti shkallët dhe e hapi këtë birucë (më tepër i etur se sa kurioz) duke shkallmuar drynin dhe kështu kur motra e Thomait Efigjeni, vajti të shohë mallin e vet, konstatoi se çdo material që mund të klasifikohej si alkool, kishte avulluar. Që andej shkoi në këshillin e lagjes dhe mbajti një proçes-verbal por kjo histori s’pati asnjë vazhdim. Po kështu dhe për gjëra të tjera që kanë të bëjnë me çrregullime e me dorëzime pakosh etj (që i vijnë nga i ati e i vëllai nga Amerika) shkurt ai është në marrëdhënie të këqia edhe me instancat e ulta. Por edhe prokuroria dhe gjyqi ia injoron ankesat. Me një fjalë është krijuar një


26

Lekë Tasi —

rrethim armiqsor ngaqë shumë duan të përfitojnë prej tij meqë përndiqet nga ata lart dhe njëkohësisht është në gjëndje të mirë ekonomike.

22 Tetor ‘75. Sot fillova nga puna. Më kanë caktuar në brigadën më të largët. U nisa me të tretin nga katër vëllezërit Kurti, të kapanonit tjetër. Nja 30 vjeç, me trup të lidhur, ka punuar mekanik në kombinatin ushqimor. Me ne ish dhe një djalë vendas, nja 15 vjeç Llazari. Shi nuk bie më por ka baltë shumë dhe galloshat më ngjiteshin në llucë duke mu shkëputur nga këpuca. Mezi ecja. Ferdinandi; ( kështu e quajnë shokun tim) më priste, më i lehtë nga unë, se kishte opinga. Kurse Llazari që ish me çizme, na la mjaft mbrapa. Mundoheshim të mos na zhdukej nga sytë se s’dinim rrugën; punëtorë nuk na zinte syri në tërë atë hapësirë Si kaluam dy kodra të buta, rruga ra në fushë. Por përpara nesh doli një kanal i gjërë, kanali kullues që u vjen për anash kodrave; e kaluam duke shkelur në disa gurë në një vend të cekët, si punë vau. Mbas një ore rrugë arritëm në parcelën ku do punonim. S’kishim sosur mirë kur Jorgji, brigadieri, sikur na mbiu mbrapa si hije. Na tregoi punën, pastaj qëndroi dhe po na vështronte ndërsa punonim, por me një lloj shikimi hetues. Parcela është një pellg i madh me ujë, diku më i thellë e diku më i cekët, ku dalloheshin vijat e misrave të korrur. Puna jonë ishte të fusnim në thes kallinjtë e vjelur të bërë grumbuj e ti nxirrnim pastaj në krye të parcelës, një rrip toke i pambuluar nga ujët por mjaft i lagur që i thonë ovrat. Zetorët s’hyjnë dot që të ngarkohen se ngecin në baltë, kështu çdo gjë duhet mbajtur në kurriz. Thesin e shtrydhnim mbas çdo rruge që bënim, megjithatë kurrizi na u lag mirë që rrugën e parë. Për fat kishte diell dhe ia ndjenim ngrohtësinë kur ia kthenim krahët. Dhe në këmbë më hyri ujë; por koha është e butë. Brigadieri iku mbas pak, por në kohën e drekës erdhi prapë, ashtu pa u ndier. Nuk fliste, vetëm shikonte. I shkurtër me sy bojë qielli, e mbajnë nga më të zotët e sektorit. Kisha marrë një vezë midis dy fetave, por s’kishim ku të uleshim. Hëngrëm në këmbë, në prezencë të tij dhe vazhduam menjëherë punë. Punuam tërë ditën pa parë një punëtor me sy. Tani në darkë na thirrën në magazine dhe na dhanë çizme të përdorura e me mjaft pulla.


Grabjani rrëzë kodrave

27

25 Tetor ’75 Ky vend paska qënë një nga limeret ku fshihej Hamit Matjani. Kështu më tha Llazari, djali i vogël i brigadës. Por nuk mund ta pyes më tej, si ishin marrëdhëniet e tij me banorët, besim reciprok, apo frikë reciproke… Dje pasdite u ngjita në pyll kodrën e pyllëzuar mbi fshat. Desha të shihnja detin, por e llogarita keq kohën që më ndante nga apeli. Kur u ktheva, në shtëpi ishin shqetësuar. Dushk e shkozë. U ngjita deri te një farë lirishte ku kanë ngritur një pus, jo nafte, por gazi. Këtu nxjerret gazi, që me anë tubash çohet në uzinën e Fierit. Edhe pusi që u dogj para ca vjetësh, këtu afër ka qënë. Ka disa baraka për punëtorët nëpër pyll, sidhe një klub me televizor. Rinia e Grabjanit vijnë këtu për të parë ndeshjet se kapet Italia mirë. Dola pastaj në një rrugë që kalon mbi kurrizin e kodrës në sens gjatësor, por nuk gjeta një vend të lirë nga degët, prej nga të dukej deti. U ktheva i ngutur, se po të vonohemi na flet përgjegjësi. Guri është shumë strikt në orar.

26 Tetor ’75 Apelin e kemi në vend të shëtitjes së mbrëmjes. Me ardhjen tonë, jemi afro njëzet veta, rituali i apelit ka dalë nga një farë letargjie. Efektivë të apelit kemi gjetur vetëm tre vetë, Thomanë dhe dy vëllezër Zharkanllinj, nga Voskopoja këta të fundit, kanë bërë 9 vjet i pari, 12 të dytët. Deri dje meqë kishin mbetur pak, mbeturina të një rrethi më të gjërë që u liruan dora-dorës, ata mblidheshin, por Guri i kontrollonte nga larg, dhe ua bënte me dorë “ikni”. Tani, bashkë me ne që mblidhemi në formë rrethi, detyrohen dhe ata të rreshtohen në rreth dhe të presin sa të vijë Guri, i cili edhe vonohet herë herë. Nuk më duken të mërzitur nga kjo, sepse këmbejnë ndonjë muhabet me të ardhurit e rinj. Këtu ndodhet dhe familja e Petrit Dumes, që prej një viti. Nuk janë me masë internimi, por vetëm me dëbim, lejohen të lëvizin. Vetëm motra e Petritit, Myneveri, që erdhi me ne, del në apel, sepse është me masë. Kështu brënda një shtëpie ekziston ky shartim “internim-dëbim”, i cili s’është çudi me kohë ta kthejë të tërë familjen në të internuar,.


28

Lekë Tasi —

30 Tetor ’75 Luani që rri ngjitur me shtëpi e ka mbiemrin Kurti, dhe është kushëri me Kurtët e tjerë, katër vëllezrit. I ati është ekzekutuar qysh në fillim këtu në Lushnjë. Historinë e tij ma tregoi Ferdinandi, shoku im i punës. E arrestuan më 45-ën dhe e dënuan lehtë; pastaj erdhi nga Tirana urdhër tjetër, për ta pushkatuar, dhe kështu ia bënë gjyqin përsëri.(!) Luani i ka vëllezërit në fshatin e origjinës afër Lushnjës, kurse ai vetë, në këta 30 vjet, e kishte marrë veten në mes të Tiranës, me punë të mirë si teknik në një ndërmarrje. Por ja që i vjen ky internim i papritur... Edhe Ferdinandi, kushëriri i tij jetonte mirë në Tiranë me vëllezërit dhe prindërit, lindur e rritur atje fshatin e tyre, ngurzën as e njihnin, megjithse kanë qënë pronarët më të mëdhenj atje, si shtëpi e parë. I madhi inxhinjer, i dyti topograf, dy të vegjëlit mekanikë. U erdhi krejt i papritur ky internim. Me të vetmen njollë një xhaxha të pushkatuar prej një shekulli, por të ndarë një jetë të tërë prej tij, a duhet të trembeshin? Edhe më pak e kuptueshme del heqja e tyre po të kuptosh që nënën e kanë nga familje dëshmori dhe me rreth komunistësh të fortë. Këto mistere i di Ministria. Në brigadë kam dhe Fejziun, më i riu i vëllezërve Kulla. Janë nga Zemblaku (fshat i Korçës që së bashku me Bozhigradin mbahet si kalaja e reaksionit), por të rritur në Tiranë. Ishin shkulur nga fshati qysh në vitet e para, për t’i shpëtuar përndjekjeve si shtresë e pasur (atje kanë lënë një shtëpi shumë të madhe që tashti strehon gjimnazin e zonës);vuajtën keq disa vjet në Korçë, ku u morën babanë në burg dhe punonte vetëm e ëma për t’i mbajtur. Pastaj erdhën në Tiranë dhe si punëtorë të palodhur që janë, arritën brënda 20 vjetëve dhe me sakrifica të mëdha mundën të ngrejnë shtëpinë më të mirë në afërsi të Urës së Kamzës, me plot hurma dhe hardhi, dhe me një studio të vogël ku i vllai, Selimi, ka punuar një bust të bukur allçie, të cilin e kanë prurë këtu meqë i dhimbsej ta linte atje në shtëpinë e mbyllur. Fejziu thotë se ia kanë pëlqyer disa prej artistëve të njohur, por s’ka mundësi ta ekspozojë ngaqë është me origjinë kulake, megjithse, ironi e rrethanave, të drejtën për të vazhduar shkollën e artit natën e fitoi duke punuar si murator në katin bunker të Ministrisë së Industrisë, nën dhe, ku dhe u sëmur nga stomaku. Ekuacion i habitshëm meritash dhe njollash ky, që tani është transferuar në Myzeqe, për të pasuruar me


Grabjani rrëzë kodrave

29

larmi përzgjedhjen e Ministrisë. Ditën që i hoqën nga shtëpia, ndërsa po transportonin plaçkat, një aktivist i lagjes doli nga masa e popullit që asistonte në heshtje dhe i propozoi babait të tyre, Xha Tefikut, t’ia jepte atij shtëpinë, por jo me pare në dorë, bile pa asnjë kapare, po ashtu.. me shpresë që t’i mbledhë paratë e t’ua dërgojë… I dhanë një përgjigje të prerë; Jo. Çastin kur do të niseshin, oficeri i Policisë mbylli shtëpinë dhe u dorëzoi çelsin duke u thënë shkoqur: “Kjo është pronë e juaj”. Por pardje u ka ardhur një letër nga aktivisti plak, i cili megjithëse s’ka qënë në marrdhënie të përzemërta me ta, përkundrazi, në një mbledhje në lagje i kishte akuzuar se vështrojnë aeroplanet në qiell me shpresë se mos janë amerikanë, insiston në ofertën e tij. S’i kanë kthyer përgjigje. Duket, i ngrati e dëshiron me zemër atë shtëpi, prej kohësh. Tani po përgatisin një lutje në qeveri ku do të ankohen se ky internim ishte kurdisur nga njerëz të interesuar, me paramendim që të shtien në dorë shtëpinë e tyre; dhe mendojnë të bashkangjisin edhe letrën, si dhe prova të tjera të armiqësisë së lagjes. Mua kjo lutje e tyre më duket si të ankohesh te mbretëresha e grerzave, pse të pickuan disa sosh. Në brigadë kam dhe të dytin e vëllezërve Zharkanllinj, Jorgjin. Punëtor i fortë. Kam gjithashtu dhe dy nga ish të internuarit Bashkimin (nga Leskoviku, por është hequr nga Tirana) dhe Mamerin nga Bozhigradi. Nga ata me përbërje të mirë, janë Enveri, Memini, traktorist që punon përkohësisht në bujqësi dhe Sadiku, të gjithë vendas. Është dhe Thanasi, një çoban i gjatë që rri me ta. E ka vëllanë në burg, por për çudi nuk e ka marrë njollën e deklasimit (kjo është përshtypja ime). Janë dhe disa harixhinj, njeri prej të cilëve që ditët e para që vajta më kërkoi tela për kitarë. I thashë s’kam, janë për violonçel. S’ka gjë tha, më bëjnë. Të tjerët janë të rinj vendas ose malokë, të ardhur nga Martaneshi. Mes këtyre të fundit, Allamani nga Kostenja më duket më interesanti. 25 vjeç është tifoz i madh sporti, flet shumë, tepër, por gjithmonë me origjinalitet dhe ka një sjellje të afrueshme ndaj nesh. Një ditë fliste me shokët e tij më të rinj rreth një ankete që u kishin bërë para disa kohësh (besoj në 72) me disa pyetje të habitshme si p.sh sa derra do mund të mbanit në shtëpi e të tjera gjëra të një privatizmi të pacipë. I shkëlqenin sytë kur i tregonte, “Por s’u bë gjë...” tha pastaj me keqardhje. M’u duk e pabesueshme.


30

Lekë Tasi —

5 Nëntor ’75 Kur ngryset dita, në sheshin e Sektorit mblidhen punëtorët në grupe. Qëndroj aty një cop’herë mbas apelit, ngandonjeherë. Muzgu është i kuq këto ditë. Djemtë e rinj futen nëpër dyqane, te Ushqimorja, te bulmetorja por më tepër në Mapo dhe Kinkaleria. Rrijnë të mbështetur në banak. Parapëlqejnë të vijnë këtu, më mirë se sa në klub (se sa për kinoklubin, ai hapet rrallë për ndonjë film të vjetër)sepse këtu ka pastërti, dritë të fortë luks (enët shkëlqejnë në rafte). Kur vjen ndokush për të blerë, mezi çan rrugën për te shitësi, dhe prej çunave të shumtë që kanë mbushur dyqanin. Edhe blerja e një tubi sobe ose e një furnelle, është një ngjarje në të cilën asistojnë të gjithë. Vijnë edhe vajza, por dy nga dy, asnjëherë vetëm. Murmurisin një “si u ngrysët” (jo mirëmbrëma) duke vështruar drejt përpara. Jashtë në shesh dominoja e filluar që mbasdite, vazhdon deri vonë në mbrëmje, përtokë. Më tutje, po në tokë, pagatorët japin rrogat. Sot ishte dita. Punëtorët u rrinë grumbull përreth. Por mbrëmja ka rënë tanimë, dhe kështu ndonjëri ndez një shkrepse për të gjetur emrin ne bordero.

7 Nëntor ’75 Grupi i gjeneralëve Myneveri, motra e Petrit Dumes kaloi para shtëpise dhe e ftuam brënda. Ishte shumë e alarmuar. I ka ardhur fjala se i kanë ekzekutuar. Janë në tension me gjithë familjen e tij, gruan, çupat, sepse nuk është shpallur zyrtarisht. Kishte nevojë për një fjalë, siç është e natyrshme në raste të tilla ankthi. Rrinte kokë-ulur, e pikëlluar. Edhe ne të heshtur. Para disa javësh, nuk do ta besonim kurrë se do të ndodhte një skenë e tillë në shtëpinë tonë. Kur e morëm vesh në Tiranë para një viti rënien e gjeneralëve, e shikuam thjesht nga ana politike, mendonim çfarë do të sillte për gjëndjen tonë, tani po shohim anën njerëzore. Politika është e paanshme vetëm në dhembjen që shkakton me goditjet e saj, në çdo sektor qoftë. Sot erdhi vërtetimi. Tani mbasdite mbas apelit, na mblodhën në kinoklub dhe na komunikuan ekzekutimin e grupit të Beqir Ballukut.


Grabjani rrëzë kodrave

31

Qe një mbledhje si lëkura e iriqit, me të thirrurra nga presidiumi e me të çjerrurra e duartrokitje nga salla. Ne rrinim si të ngurtësuar mes tyre. Megjithqë këto spastrime bëhen në fushën e tyre, nuk na e qaste stomaku këtë demonstrim makabër. Një spiun na i kishte ngulur sytë që po rrinim pa lëvizur. Beqir Balluku ka pasur një vilë këtu afër, dhe kur vinte për të gjuajtur nëpër këto pyje, kushdo që e shihte nga larg (pale ai që rastiste të këmbente një fjalë me të) bëhej me emër në klub atë natë. Tani brohorasin që e vunë në dhe.

10 Nëntor ’75 Mbas këtyre tri javëve që e bëjmë rrugën me këmbë,prej disa ditësh u duk makina. Na çon nga një rrugë e largët nëpër fushë, gjë që e dyfishon distancën, por së paku nuk arrijmë në punë të lodhur nga balta e udhës. Vetëm se makina nuk vjen përditë, por me raste, për difekt ose për plan tjetër. Tani bëjmë pastrime me drapër, përgatisim tokat për plugim. Traktorët kanë filluar me kohë të plugojnë në parcelat më tutje. Nëpër ovrate është një bar me kërcell si tel, në ngjyrën kaltëroshe të labotit (ndofta është tamam labot, po i rritur) që përhapet në të gjitha drejtimet mbi sipërfaqe të tokës, duke formuar një shtresë të dendur posi dyshek. Këto ditë kemi bërë pikërisht pastrimin e ovrateve nga këto barëra. Mbasi u munduam boll me drapinj, duke prerë ç’na delte përpara e duke u lodhur kot, kuptuam se mjafton të presësh kërcellin-trung të themi, tamam rrënjën, dhe pastaj e tërë masa, me degë e nëndegë, e shtrirë në një sipërfaqe të gjërë, është në dorën tënde, ta mbështjellësh ashtu si një qilim, duke e lënë tokën krejt të pastër. Kjo më jep kënaqësi, si çdo proçes ku puna ka dukë. Si punuam disa orë rresht, u ulëm me Ferdinandin dhe Fejziun, bëmë pushim. Mbas pak, na erdhi Jorgji, shoku i apelit. Filluam një bisedë për gjëndjen e të internuarit. E pyeta për një fshatar të tij, me të cilin kam qënë ushtar. Më tha se ka përfunduar keq familjarisht, vetë i dënuar me burg, i vllai po ashtu, familjet e tyre në internim. Shkak


32

Lekë Tasi —

qënka bërë para 20 vjetësh arratisja e një vëllai të tretë në Greqi. Plasoti emri i tyre. Ndërsa po flisnim erdhi Jorgji tjetër, brigadieri, dhe u ul me ne. Gjatë këtyre javëve, rrallë kemi shkëmbyer fjalë me të. Nuk na sillet keq si të rinj që jemi, por punën e kërkon gjer në fund, sidomos orarin. Para një jave u nxeh me disa çuna që e kishin lënë punën herët. Na u drejtua neve e na tha rreptë: Mos merrni shembullin e tyre, demek ju dua në fushë deri në katër. Natyrisht, kur erdhi e u shtrua me ne, ne e ndërruam temën e bisedës, kaluam tek mbjelljet. Kjo është një temë që përsëritet gjer në mërzi çdo vit e në çdo fshat, këtë e di që në Tiranë, nga ferma e Vorës ku kam punuar… Plugimi është bërë mirë ose keq, gruri ka filluar të mbijë, ose jo vende vende, ka nevojë për një shi etj. Të përjetshme këto tema, por më parë bujqit ishin të interesuar vetë, kurse tani, puntorët i thonë veç për t’i bërë qejfin brigadierit (ose dhe për t’ia hequr vëmendjen nga ndonjë paudhësi që kanë bërë). Dhe vërtet, pse të interesohen për grurin dhe për misrin, që janë të tjetërkujt? Ditën do ta marrin si do që të bëhet. Këto gjëra tani janë hall vetëm për ata që drejtojnë, që kanë përgjegjsinë; punëtorët janë indiferentë, dhe sa më të rinj-aq më pak u bëhet vonë. Përjashtim i vetëm është Allamani, i cili flet gjatë e gjërë për grurin që prodhuan këtë behar, dhe flet tërë krenari për brigadën! E ka nga një bujari e natyrshme e tij fshatarake; duket sikur bollëku i shkakton një gëzim gati trupor: vetëm sa t’ia përmendësh malet e verdha të grurit në lëmë, atij i çelet fytyra dhe ia nis me një përrua fjalësh, gati një hymn, por me shprehje gjithmonë të reja, asnjëherë nuk përsërit! Në kohën që po flisnim me brigadierin, dy punëtorë Enveri me Muamerin bënin thyerje plisash në vijat kulluese të parcelës. Hiqnin shpejt e shpejt me dorë plisat nga vija, pastaj i coptonin me lopatë. Punonin shpejt, aq sa mua më ngjanin si automate. Enveri është nja 35 vjeç, por duket burrë i thyer, eshtak i ligur, kurse Muameri është më i ri, nja 30 vjeç, edhe ai i lodhur. I vështrova mirë, ndërsa përreth meje bisedohej, pastaj vështrova brigadierin, i qetë, ulur këmbëkryq, i zhytur thellë në muhabet. Sistemi mu shfaq i qartë, si një mekanizëm i thjeshtë, i kurdisur dhe i lënë aty që të funksionojë: ata që punojnë atje-hallka bazë e prodhimit, ky këtu-njeriu hallkë i kontrollit. Unë nuk di, nëse në fillim, dua të them mbas revolucionit, brigadieri për hir të


Grabjani rrëzë kodrave

33

barazisë fillestare po themi, ka qënë punëtor i thjeshtë me mëditje, dhe ngarkohej herë-herë të bënte matjen, dhe pastaj e shkëputën krejt nga puna duke i lënë veç drejtimin, apo hyri drejt e me defter në dorë, dua të them kjo burokraci nisi qysh me Leninin, sepse e parashikoi mendja e tij aparatin kontrollues. Sido që të jetë, organizimi i shtetit komunist, me këtë ndarje të detyrave i ka rënë pikës, sepse pikërisht me anën e kësaj figure kyç, brigadierit, të nxjerrë nga gjiri i punëtorëve dhe i klasës fshatare, shteti i mban në grusht edhe njerëzit edhe prodhimin. Po si? Ja me anën e ndarjes së interesave! Sa më besnik e kërkues të jetë ai që rri në krye të kësaj njësie, brigadës, aq më i madh është akumulimi, aq më zap mbahen punëtorët. Ky kontroll shkallëzohet, komandohet shtërngo-liro, si të duan ata lart, por vjetët e fundit ka ardhur vetëm duke u shtërnguar. Çdo brigadier, para se të bëhet i tillë, ka qënë punëtor dhe patjetër s’do që të kthehet te kazma; prandaj s’ka fare dobësira në rolin e tij. Ai përbën aristokracinë e re të fshatit sot, por pa autonominë që karakterizonte aristokracinë e parë; është më tepër shërbëtor besnik dhe kënaqet të jetë padron mbi ata pak punëtorë që ka nën vete. Duke i menduar këto gjëra, kaq të studiuara mirë, çdo sistem tjetër dhe aq më tepër ai i mëparshmi, duke e parë në krahasim, m’u duk fare i lëshuar, naiv, kaotik, krejt tjetër gjë.. disa duke punuar në arat e tyre, disa me tregti, disa me kurbete, disa pa punë e duke u menduar si t’ia bëjnë, tamam si fije që rrijnë të hallakatura; ato fije që tani janë mbledhur e shtërnguar mirë për të formuar një qilim të ngjeshur e solid, me të njëjtën disenjo kudo! Uniformitet i hekurt. Përnjëherë e kuptova dhe ardhjen tonë këtu, edhe punën tonë bryl me bryl me devolliun, harixhiun, malokun, çobanin, vendasit. Atëherë m’u sqarua edhe ajo shprehja e fytyrës e oficerave të Degës ditën e parë kur na dhanë udhëzimet, rregullat e internimit, seriozë e pak rutinorë, dhe se si na kthyen shpinën pastaj, të qetë e pak të lodhur, shprehja e një njeriu që posa ka vënë rregull në sirtarin e vet: një shoqëri e re por e rregulluar nga zyra, me një sistem komandimi,asnjë ndjeshmëri tjetër përveç asaj të shifrave, një përtëritje e skllavërisë, por mbi baza burokratike.


34

Lekë Tasi —

11 Nëntor 1975 Kemi kaq javë këtu dhe s’kishte ardhur vaj-guri. Sot u shit. I tërë fshati ishte aty. Në një dyqan me teneqe në mes të baltrave. Vargu i bidonave vajti 20 metra; burrat mënjanë, gratë në anën tjetër. Me orë të tëra priti Tefta për të marrë (sepse asaj i mbetet të bëjë pazarin). Kalova andej kur u nisa për në punë, dhe m’u mblodh një nyje në fyt kur e pashë: një shesh ku kanë kaluar traktorët në të gjitha drejtimet, baltë kudo, ajo në mes të grave, pa luajtur. Ndalova pak, por ajo ma bëri me shenjë “ik”. Kur u kthyem pasdite na e rrëfeu ditën e saj; atje qysh më 6 e gjysëm deri më 11, futjet pa rradhë të nënpunsave, vargu që s’mbaronte, të shtyrat e forta te sporteli, aty ku s’mund të lëvizësh në asnjë anë, nga balta. Kishte një shprehje shumë të preokupuar. Ajo nuk dekurajohet kurrë, por si i bëhet hallit për të blerë ato që na duhen? Populli duket i mësuar me këtë gjëndje, e duron pa ndonjë vuajtje. Këtu qëndron e keqja: nuk ka shpresë se do të përmirësohet. Pesë vjet si kalohen?

12 Nëntor 1975 Ime shoqe erdhi me djalin. Dhomën e ka kyçur; më von do të vejë të marrë plaçkat dhe të likuidojë. Me pushimin tim nga Instituti vjet, e kaluan nga ekonomiste në puntore, këto muaj ka punuar në ngarkimin e tullave. Na tha se janë bërë mbledhje nëpër lagje, ku u bënë pyetje nga populli rreth fajit tonë, pse jemi hequr nga Tirana. Në lagjen tonë, siç i tha një shitëse, kishin pyetur presidiumin e mbledhjes edhe veçan për familjen tonë (Tefta duke u nisur atë ditë, i kishte folur mëhallës; Mirupafshim këtu prapë! Tani pyesin ç’ka dashur të thotë me ato fjalë). Kurse Fejziu më tha që në lagjen e tyre janë thënë fjalë të mira për familjen e tyre, si një lloj qortimi ose autokritikë pse i hoqën. 14 Nëntor 1975 Sot ne tre të ardhurit na caktoi me gratë në pambuk tek një parcelë që i thonë Pusi i Bocit.


Grabjani rrëzë kodrave

35

Kishim dy futa secili, të lidhura pas mesit, njeri shkonte përpara e zgjidhte të mirin, dy të tjerët prapa mblidhnin ç’mbetej. Bënte një zagushi që të merrte frymën? Në rreshtat pranë, gratë të palosura krejt mbi fute punonin me të dyja duart dhe flisnin pa pushim, një murmurim, një buisje, që së bashku me vapën më godiste në tru. Më erdhi si të fikët, një farë asfiksie. Më ora 9 e gjysëm u shtuan dhe mushkonjat. Ndjehesha keq, dhe ndalova në vend. Pastaj mushkonjat papritmas u prenë si me thikë. Është vend i ulët dhe me ujra afër. Ky duhet të ketë qënë shkaku por më habiti zhdukja e menjëhershme e mushkonjave, sikur të kishin marrë një sinjal. Ka ca ligjësi të habitshme.

14 Nëntor 1975 I erdhi radha edhe belit. Para se të plugohen, parcelat duhet të kullohen. Në njërën nga këto parcela, të quajtur Ana e Malit, filluam sot kullimin. (Quhet Anë e Malit sepse ndodhet përgjatë kanalit kullues, dhe përtej këtij kanali është mali, ato kodrat që kam thënë, por që këta i quajnë mal, një mal si ata që vizatojnë fëmijët, me diellin që del mes dy majave, një mal që nuk i arrin 200 metrat!) Në qafë të Kasharit, kur isha në NB Vora më 67-ën kam arritur të bëj një normë të plotë, por atje ishte toka e shkrifët, këtu është mjaft argjilore, të ngjitet në lopatë. Vija e kullimit duhet të bëhet 40 cm e thellë, norma është 56 metra. Bëra 14 metra.. Fejziu pranë meje bëri 25. Edhe të tjerët, puntorë të mirë, s’bënë shumë, më i forti 40 metra.

22 Nëntor 1975 Operativin kuksian e ka zëvendësuar Nuriu, ai që vishet mirë. Ky aktivizohet nganjëherë me të internuarit, shkon edhe në fushë, flet me ta mjaft i sjellshëm. Por pyetjes kryesore të tyre “Pse na kanë prurë?” nuk i përgjigjet. “Varet nga situata sa do të qëndroni” na tha njëherë mbas apelit, “pesë vjet, apo dy. Apo njëzet” shtoi pastaj për të mos na e ushqyer fort shpresën. (Por neve na zë vend shifra e vogël).


36

Lekë Tasi —

Një ditë i tha Teftës: “Kjo është një shoshë e madhe; përpiquni të qëndroni në krye”. Mirpo nuk dimë si ta marrim; varet çfarë quan ai “shoshë” dhe çfarë pikërisht “të qëndrosh në krye” Tefta ia ktheu: “Filxhani i kafesë tregon rrugë.. Si është puna, a do të ikim? Ai iku duke qeshur. Ne kemi shpresë vërtet por shpresës që vjen nga krahu i tyre, s’para i besojmë. Bardhi që ka qënë në një klasë me të në shkollën e natës, thotë se ka qënë nxënës shumë i mirë, i sjellshëm, i dashur, por qysh atëherë ka pasur dorë të mbarë edhe në rekrutimin e informatorëve në radhët e të deklasuarve, dhe këto daljet e tij në fushë, them se këtë qëllim mund të kenë.

29 Nëntor 1975 Po kalon edhe Nëntori. Misrin e mblodhëm, e ngarkuam në qerre, në makina; morëm drapinj të gjatë dhe pastruam tokat, dora-dorës që traktori na vinte nga mbrapa duke pluguar e diskuar, ndërsa më tutje të tjerë mbillnin. Veç këtyre punëve kemi vjelur dhe pambuk, kemi mbajtur dhe njomishte me tezgë në brigadën foragjere, kemi hedhur dhe superfosfat. Koha është ftohur mjaft dhe shpesh tani qielli mbulohet me re të dendura. Është koha e: Ja se ku dinak e i voçërr Dërdëllet diku një çoçërr Por herë ka dhe ditë të bukura vjeshtore që nuk ke ç’e do beharin para tyre. Makina është prishur. Me rrugën jam mësuar, herë me baltë e herë jo, mirëpo lodhja e saj i shtohet asaj të punës dhe kështu, në darkë jam i vdekur.


Grabjani rrëzë kodrave

37

Vendi dhe pak histori Kur dal nga shtëpia në mëngjes, bashkohem me shokë, i ngjitemi një të përpjete dhe dalim te xhadja që shkon në Divjakë. E kalojmë dhe atë por unë me një dhembje në zemër (e di që duke shkuar pas saj do të delnja në qafë pak më tutje, dhe do të më përfshinte era e detit). Kështu na fillon dita me të ecur.. I kam mësuar tani etapat e rrugës së gjatë: një qafë, taracat e qershive, një kanal i vështirë, i rrezikshëm për të kaluar me anët e tij të rrëshqitshme, pastaj një dru frashëri i vogël nga e djathta, e me radhë gërmadhat e kishës, pusi i Bocit dhe më tutje një pyll i lezetshëm frashëri përtej kanalit, pyll fushor e moçalik, dhe më në fund rruga mbi argjinaturë, e pasosur. Të gjitha këto kodrina në të majtën time kanë qënë të mbuluara me pyje dhe pjesërisht janë dhe sot. Deri para 20-25 vjetësh, pylli zbriste mu te këneta. Fshati atëherë ishte i izoluar nga bota, fshatarët jetonin si në ishull. Kasollet i bënin me baltë, lopët i lëshonin në pyll, livadhe e lirishte, peshkun e zinin në gjol: kjo ishte rrojtja e tyre. Në Lushnjë delnin me lundër. Çonin rrogoza dhe i shitnin. Kishin toka por jetonin në prapambetje ngaqë s’merrnin vesh nga bota, se sa për beun, nuk i ndihej fort vula; merrte ç’t’i jepnin këta. Kështu më ka thënë një plak me thjeshtësinë më të madhe. Kur arrijmë te kodra e fundit, pak para se të zbresim te kanali, në të majtë është një pyll i vogël me dushqe shekullorë. Ky vend quhet “kisha”, në fakt është vendi i saj, sepse kisha vetë është zhdukur, nuk i gjenden as themelet. Varret janë, kanë mbetur, me pllaka të jeshiluara, me emra të gdhendura në to, por të mbuluar gati krejt nga ferrat. Nga kjo varrezë që ne i kalojmë anës, si pikë e lartë që është hapet një pamje e gjërë mbi fushë. Këtu bëhej dhe panair, festohej Shën Kolli, shenjti që i jep emrin fshatit më të afërm. Priftin e shoh herë-herë nëpër Sektornjë plak eshtërmadh gati i verbuar, që e heq e shoqja prej dore. Kisha ku ky meshonte rregullisht, ajo e Grabianit, ka qënë përmbi Sektor, në një vend të lartë. S’di emrin e cilit shenjtor mbante. Edhe prej saj s’ka mbetur asgjë, përveç katër qiparisave të vegjël; vendi i saj punohet e mbillet (!) Ma merr mendja gurët do t’i kenë rrokullisur q’andej lart për të bërë shtëpi poshtë. Një puntor i brigadës më tregonte një ditë me një farë gazmorie orët e shkatërrimit të saj, si u grabitën sendet e


38

Lekë Tasi —

vlefshme, enët e liturgjisë dhe çdo copëzë e saj, si u shkallmua e tëra shpejt e shpejt. Ishte një rrëfim me të vërtetë i trishtë. Mu përfytyrua si ato skena të pikturuara në freskat e kohrave të vjetra, që tregojnë popullin mëkatar në rrugë drejt Ferrit, me një ndriçim të mbrapsht në fytyrat e shtrëmbëruara, me shprehje të pacipa e sy të vengëruar. Por s’është i drejtë ky përfytyrim. Këtu puna ka qënë më e thjeshtë. Populli nuk arriti në fakt në aktin e rebelimit ndaj Zotit, nuk duhet ta mendojmë si një mëkatar të dëshpëruar, por më tepër si një viktimë e një kurthi të përbindshëm që e çoi me mashtrim tek një derë, e cila doli se ishte e një vathe derrash... Padije dhe izolim, këto dy fjalë e shpjegojnë më mirë atë çoroditje që i ndodhi popullit, ajo mund të krahasohet më drejt me një degë peme që i ka rënë pjesërisht sëpata, dhe ashtu thahet ngadalë. E megjithatë, e kaluara, edhe e afërt, ka pasur një zemërbardhësi, një devocion që shfaqej me një bukuri të thjeshtë në fshatrat tona atje poshtë, dhe s’ka pse të mos ishte dhe këtu. Sëpaku atje ku e kam jetuar vetë, ishte një jetë që mund ta quash edhe normale në rrugën e Zotit. Mbi të gjitha më kujtohen fytyrat e mira të plakave kur na mësonin me durim mirësinë e butësinë ndaj njëri-tjetrit. Nga se vinte ajo qetësi e tyre? Nga qetësia shoqërore, nga mosacarimi i marrëdhënieve, tamam e kundërta e asaj që njohim sot. Ishte ritmi i jetës i qetë, ndaj dhe kishte mirësi. Në atë frëngji të rrethuar me mjergull, siç më duket fëminia ime sot, i shoh me mall fytyrat e njerëzve, kishte një frymë dashamirëse mes tyre, sepse nuk kishte shkak pse të ishin armiq, ishte e tërë një frymë kudo, dhe kështu çdo instikt i egër i yni për të munduar njëri-tjetrin, ose dhe këlyshat, kafshët, qoftë edhe bimët, zbutej nga mirësia e gjysheve, e më të mëdhenjve. Kjo nuk qe gjë tjetër veçse ndikimi mirëbërës i fesë. Përhapej mirësia, bujaria tek kushdo që trokiste te porta e oborrit, zanatçinj ambulantë, fshatarë të largët, lypsa, familje të shpërngulura nga lufta figura përallore të atëhershme që i sillnin fëminisë sonë të habitur erën e mjerimit për të parën herë. Që ato plaka ishin në lidhje të vazhdueshme me Zotin, këtë e kuptonim me kujdesin që vinin për ikonat, si i ndiznin e faleshin para tyre, e ndjenim te syri i tyre i vëmendshëm e njëkohësisht i largët, kur, të pastruara me kreshmë të gjata, trupërisht dhe shpirtërisht, i gatiteshin kungimit, të veshura me ato rroba të zeza që mbanin erë sënduku me trëndeline. Ajo kohë e bukur më vjen edhe më e gjallë kur sjell në mend


Grabjani rrëzë kodrave

39

vrullin e shkëlqyer të djemve më të mëdhenj tek hidheshin nga shkëmbi në ujrat e akullta të lumit në palcën e Janarit kush e kush të kapë i pari kryqin. Ose në garën e burrave te ankandi i ikonave për t’i ofruar ndihmën kishës. Festa, panaire, zakone, dasmat, vizitat, vetë jeta me dhëniet e marrjet e saj në treg e në mëhallë, tregonin se e përditshmja kishte edhe një refleks shpirtëror, siç duhet ta ketë çdo shoqëri njerëzore, dhe që sot është mbuluar e fshirë nga prania e kudondodhshme e grindjes, e dizarmonisë së qëllimshme.

26 Nëntor 1975 Ka disa ditë që transportoj pleh me zetor. Jam me një djalë të ri çoban që s’flet fare, tërë ditën. As edhe një fjalë. E ka nga që e kanë porositur, apo nga natyra e tij e heshtur, këtë s’e di. Jemi si dy të shurdhër pranë njëri-tjetrit. Vegla e kësaj pune është cfurku, po ne s’kemi as unë as ai. Punojmë me lopatë, e cila mezi futet në masën lëmsh prej bajge, barishtesh e kashtrash. Lodhem mjaft se dua të mbaj po atë ritëm si ai. Por një pjesë të kohës e kalojmë lart në rimorkio kur e çojmë ngarkesën në peshore, e pastaj në kavaletë që shkarkojmë. Sidoqoftë jam më mirë se në brigadë, më i pavarur.

11 Dhjetor 1975 Ndërmjet të internuarve s’mund të thuash se ka marrëdhënie të ngushta, solidaritet etj. orët e para e shikonim njëri-tjetrin me një farë zori e ftohtësie, siç i ndodh kujtdo që e zë halli dhe nuk i pëlqen të ketë spektatorë afër. Kjo më ra në sy sa zbritëm nga makinat ditën e parë, bile qysh në makinë, kur “lundronim” pranë e pranë. Në shikimet tona përzihej një lloj turpi për vete me një kureshtje pakëz të “paturpshme” për të tjerët- dhe vazhdoi më vonë me sondazhet që tentojnë disa për të marrë vesh, sidomos gratë, punët e tjetrit. Unë zakonisht mundohem ta shmang këtë gjëndje me anën e një bisede fare të përgjithshme, ku pyetjet s’prekin kurrë atje ku “i djeg” tjetrit. Veç kësaj, e di që kjo fazë e njohjes së fillimit kalon shpejt dhe i ruhem rrezikut tjetër, familjaritetit


40

Lekë Tasi —

të tepruar. Sepse kështu ka ndodhur kudo, në çdo kolektiv ose shoqëri që më ka rënë rasti të bëj pjesë, ku ftohtësia fillestare, kthehet brënda pak javësh në një intimitet shpesh të bezdisshëm. Nga ky kalohet pastaj dhe në konflikte. Është dreq kjo punë, të merr malli të shohësh marrëdhënie të mbajtura në distancën e duhur. Të rrish pak larg nuk do me thënë aspak të mos e duash tjetrin. Sidoqoftë, qoftë miqësi e ngushtë ose distancë, këtu tek neve, grindja i ka shanset të mëdha… Provë është kjo e dy shokëve të mi tiranas. Janë ftohur me njëritjetrin, s’flasin. Ndodhem pak ngushtë në mes tyre, sepse brigadieri na cakton të punojmë gati përditë bashkë të tre. Nuk përpiqem fare t’i pajtoj, sepse nga disa tentativa që bëra larg e larg, e kuptova që as njëri as tjetri s’heq dorë një santim nga e tija! Habitem veç dhe më vjen për të qeshur sa rehat e ndjejnë veten ata, të ulur pothuaj as dy metra larg njëri nga tjetri, pa çarë kokën fare për prezencën e “hasmit”, të dy duke folur me mua, me turne. Mbaron njëri, pastaj fillon tjetri; unë u jap xhevap. Bile edhe te radha e qepve në dyqan, rastisëm të tre bashkë. E unë isha në mes...

Kullat Punoj prej disa ditësh me Fejziun, vetëm të dy. Jemi hapur. Nga ç’më tregon, ky internim u ka ardhur jo vetëm nga origjina si fshatarë të pasur, por më tepër nga një fakt i veçantë, që kanë pritur Zogun në shtëpi më ’39 dhe para se ai të delte në Greqi. Nami i asaj dreke që hëngri ai në shtëpi të tyre, i ndjek qysh atëherë, ua përmendin, në çdo rast. Por ka dhe një gjë tjetër, dhe kjo është më e rrezikshmja. Në Korrik ’46, Preng Previzi, akoma në arrati, tok me shoferin e tij besnik, Llazi Sterjo, që prej gati 2 vjetësh punonte në një ndërmarrje, u ka vajtur për tu strehuar në Zemblak një natë kur po kërkonte të delte matanë! Një kokëkrisje e vërtetë: të marrësh makinën e ndërmarrjes dhe të nxjerrësh një super të kërkuar nga Tirana në kufi. Por tamam atë natë, Kullat kishin një njisi të ndjekjes brënda, dhe i ati i Fejziut, Xha Tefiku që u doli te dera, nuk i futi fare, por i përcolli në një vend më të sigurt. Prenga e kaloi kufirin shëndoshë e mirë dhe shoferi u kthye në Tiranë pa rënë fare në sy.


Grabjani rrëzë kodrave

41

Për dy tre vjet kjo etapë e tyre e shpejtë në Zemblak nuk u mor vesh, mirpo pastaj doli me rastin që u bënë ca arrestime në Tiranë: Një prift katolik, i cili kishte bërë një meshë për shpëtimin e Prengës me porosi të familjes dhe e kishte shënuar në ditar (!) në torturë e sipër nxori porositësin, i cili, i arrestuar dhe ky, nxori shoferin, dhe ai po ashtu, Kullat. Por meqë ishte koha e “Kthesës” së 48-ës Xha Tefiku u dënua lehtë, vetëm pesë vjet. Të mos kishte ndodhur kthesa, s’është çudi ta pushkatonin. Interesante më duket edhe një gjë tjetër që më tregoi. Mëngjezin që i internuan, 14 Tetor, Selimi, i vëllai, piu një kafe me një shok në klubin e Minierës së Valiasit. Të dy vllezërit punonin në atë minierë, njëri piktor, tjetri tornitor. Shoku dinte të shtinte fall në kafe, dhe i paratha një fatkeqësi të afërt, një farë rrëmuje në shtëpi. Në fakt, nuk kaluan as dy orë dhe erdhi nëna te postblloku i ndërmarrjes dhe i kërkoi të dy djemtë, për t’u thënë se kishte vajtur policia në shtëpi për t’i internuar.

12 Dhjetor 1975 Nga shirat e shumta, nja dy parcela kanë mbetur pa u mbjellë. Sot e Diel, i tërë Sektori ishte në aksion. Rregulli është që kur del një punë urgjente, përgjegjësi të mobilizon të vesh ku është nevoja. Na caktuan secilit nga një copë dhe filluam të mbulojmë grurin që hidhnin disa të tjerë; veç jo me shatë, por me lopatë (!) Nuk mjaftonte që frynte një erë e akullt dhe binte llokë, por duhet të bënim edhe eksperimente se a mbulohet më mirë me lopatë (!) kur ka baltë është e pamundur të mos lësh tek tuk farë të zbuluar, kështu patëm ca debate me brigadierët. Në masën e punëtorëve ishte dhe Bardhi me të shoqen, Lirinë. U kalova pranë por nuk qëndrova.. Nuk duhet të tregojmë afërsi në sy të tjerëve, kështu e do puna. Kurse në mbrëmje jemi afruar, familjarisht. U shkojmë e na vijnë shpesh. Në shtëpi Bardhi ka nënën dhe një motër, dhe katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem. Liria është nga Përmeti. Diçka më tepër për të kaluarën e familjes së tyre. Nga tre djem që ka Abaz Kupi, dy i mori me vete në ‘44. Bardhi, që është i mesmi, mbeti këtu sepse i ati i ngarkoi përgjegjësinë e familjes.


42

Lekë Tasi —

Kështu, fati i caktoi rolin më të vështirë, atë të jetës peng në dorë të komunistëve, plus me barrën e familjes në kurriz. Na tregon shumë gjëra nga ky 30 vjeçar i zorshëm. Me kalimin e brigadave në Jugosllavi në 45-ën, e mobilizuan dhe e çuan atje. Atëkohë ruhej një farë fryme aleance me elementat nacionalistë, gjë që në fakt mbulonte me tym lojën që do të delte më vonë në shesh. Ashtu u krye pa tronditje të madhe ai ndryshim që dikush i cili figuronte “partizan” në 44-ën, më 45 të futej në burg si armik. Kjo i ndodhi edhe Bardhit. Nga qëndrimi në Jugosllavi na tregoi një kuriozitet: Një oficer sovjetik i misionit ushtarak pranë partizanëve të Titos, e mori disa herë në komandë dhe e pyeste për të jatin. Ky fliste, ai i shkruante të gjitha, shumë i interesuar. Bardhi ka shumë admirim për të jatin. Na thotë gjëra krejt të panjohura rreth tij: Mbas luftës që bëri në Durrës në 7 Prill (këta e kanë reduktuar atë luftë te figura dhe episodi i Mujo Ulqinakut, i cili ishte një vartës i tij), Bazi e vazhdoi luftën ne mal, në kushte shumë të vështira, dhe kjo zgjati shumë a pak që nga 39-a deri në fund të 44-ës, me intervale të shkurtra. Mund të thuash është i vetmi me një stazh kaq të gjatë arratie. Italianët e ndiqnin pa iu ndarë. Në dimrin e ashpër të 42-it ka vuajtur veçanërisht sepse ndjekja që i bëhej u intensifikua dhe më. Kështu kaloi dimrin në shpella. Në 40-ën doli ca kohë me familjen në Jugosllavi. Jugosllavët duhej ta mbanin mirë si të arratisur politik dhe si njeri që i luftonte aktivisht italianët. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi t’i bëjnë një “shaka” të dobët (duket ngaqë e dinin që ai s’do t’u shërbente kurrë qëllimeve të tyre në Shqipëri as sot as nesër, si bie fjala ndonjë Myslim ose Haxhi – në shtëpi të këtij të fundit në Dibër kishte rënë): Erdhën disa nga qeveria dhe i thanë “dorëzo armët”. “Kjo ndodhi në një dhomë ngjitur me tonën” thotë Bardhi. “Presioni zgjati disa orë, dhe kur u kthye në dhomë s’e kisha parë kurrë kaq të tensionuar”. Nuk u dorëzua natyrisht, dhe fitoi (duke marrë vendim menjëherë të kthehej në Shqipëri) por u kishte thënë më vonë të bijve “për pak qemë duke shkuar në dreq të gjithë” sepse për një çast, kur ata e shtuan presionin, i shkoi dora në revole. Por pastaj, ata hoqën dorë dhe puna mori fund me kaq. Mendimi i tij i vetëm kishte qënë “Si do tu linja juve në dorë të tyre”. Jo se deri atëherë,


Grabjani rrëzë kodrave

43

dhe më vonë mbas kthimit në Shqipëri familjen e ka pasë të siguruar, por sëpaku ishte në dorë të Italianëve, ndryshe. Italia mbas zbarkimit ia çoi familjen në Himarë, kurse mbas kthimit nga Dibra e Madhe i hoqi në Itali ku kanë ndenjur në një vend afër Sienës, ndërsa ai vazhdonte në arrati. Për ca kohë i vunë të banonin në një burg të errët (kështjellë mesjtare). Në timon të familjes atëherë kishin nënën (që sot ka zënë shtratin); motrat dhe vëllezërit ishin të rinj fare. Por sado të mëdha të kenë qënë ato vuajtje që hoqën atje, duke i krahasuar me të mëvonshmet duken si pralla të bukura të librave (vetë përfytyrimi i atyre vendeve duket sikur t’i zbut të gjitha: mjafton të shqiptosh: Siena!) Unë i kërkova të na flasë për ato vende. Trajtimi nuk ishte i mirë vërtet, megjithatë fashisti më strikt mbetet prodhimi i atij vendi, dhe s’mun të dalë jashtë një lloj standarti. Dhe në fakt, tregimi i Bardhit arrin në një pikë ku vllai i tij i madh, Petriti (student i liceut të Korçës) i shfryn në frëngjisht zemërimin e tij rinor për këtë kufizim çnjerëzor drejtorit të burgut, pikërisht një fashisti të orës së parë. Dhe atëherë.. çdo gjë ndryshon dhe punët mbarojnë më së miri (meqë jeta i ngjan çuditërisht filmave atje, shumë më tepër nga ç’ndihet nevoja këtu për t’u hedhur sytë filmave, qoftë në beze). I nxjerrin nga kështjella dhe me njerëzi të madhe u kërkojnë të falur duke u dhënë një shtëpi në afërsi të qytetit. Kjo mund të jetë edhe politike, por pse të mos jetë ajo politike edhe këtu, ku populli ynë nuk njihet për egërsi ndaj grave e fëmijve, përkundrazi? Mirpo ec e foli një drejtori të këtushëm ato që i foli Petriti italianit dhe të shohim ç’bëhet. Jo, ky shembull, mendoj unë më tepër se dy popujt, ilustron dy sistemet, dhe i fituar del ku e ku fashizmi, sëpaku ai italian. Bardhi ka qënë mjaft i rritur në atë kohë, prandaj ka kujtime të drejtpërdrejta nga ngjarjet e luftës. Tërë personazhet e kohës në fjalët e tij dalin në një dritë të re, krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i dëgjojmë: M.Peza, M.Kaçaçi, Mustafa Gjinishi, Gjin Marku dhe natyrisht vetë Enveri si dhe anglezët. Të katër këta që përmenda të parët kanë qënë besnikë të Bazit. Myslimi i kishte dhënë besën (“Vetëm vdekja më ndan prej teje”) por pastaj ra në rrjetën e komunistëve që i dërguan komisarë dhe s’kishte më nga të luante. Por edhe tre të tjerët që ishin më të aftë dhe më të afërt me të, nuk shpëtuan dot prej tyre, me përfundimin që dihet. Çudia se si u lidh edhe Shqipëria e Mesme me komunistët them


44

Lekë Tasi —

se ka të bëjë me rolin e madh, deçiziv të propagandës. Atë e luajti një dorë mjeshtërore, me përvojë ndërkombëtare në të futurit në kllapë zona problematike të ndryshme, dhe çdo gjë e realizoi sipas planifikimit. Manevra më e goditur ishte ajo që u siguroi kontrollin e Pezës, një pikë strategjike e cila veproi pastaj si kalamite për rininë. (por sa për këtë fazë, rolin kryesor e lojtën këngët, të cilat krahu nacionalist s’mundi t’i vlerësonte, kjo dihet. Çfarë gjë mund të ketë më tepër efekt tek rinia studenteske sesa një melodi e fabrikuar diku në një piano të dridhshme sllave së cilës i shtohen fjalë të tilla “Dalngadal na vjen behari/ po na vjen, bota zjen/ Shokët tanë lufta po na i rrëmben/ A mund t’i rezistohej kësaj?) Më vonë vendimtar u tregua roli i Anglisë, e cila ua mohoi përkrahjen nacionalistëve në tërë 44-ën. Kjo del e qartë nga bisedat e Abazit me oficerat anglezë, siç më thotë Bardhi, dhe i vërteton me librin e Amery-t, të cilin e ka lexuar (ia ka dhënë Thomai). E shumta që mund të thuash për ta-për oficerët anglezë- është se si persona disa prej tyre ishin në favor të nacionalistëve, por patën qeverinë e tyre kundra. Aq shumë ruhej ajo që të mos i komprometonte këta oficerë me Bazin, sa që në dhjetor të 44-ës kur mbaroi gjithçka, i urdhëroi të mos e marrin në barkë! Ai iku më vonë me dy të bijtë, dhe mezi doli matanë nga prishja e motorrit. Bazi s’ka qënë i lidhur në fakt me askënd thotë Bardhi. As me Zogun fort. Nuk donte t’u bënte qejfin aleatëve verbrazi, pa marrë garancira prej tyre për të ardhmen e vendit, gjë që ata s’ja jepnin; megjithatë ka bërë aksione, edhe të forta, kundër italianëve dhe gjermanëve, por i bënte me keqardhje, me dy mendje, se s’donte të digjeshin fshatrat. Kështu s’ke si fiton.. Kurse pala tjetër, komunistët, ata po, sa për të bërë bamp, e për të ikur, dmth për të rrezikuar vendin ishin të vetmit, dhe dinin të lidheshin, jo vetëm me një ortak, por me të gjithë, deri edhe më gjermanët! Ja një rast i qartë: Në rastin që gjermanët sulmuan në Qafë Shtamë, Bazi ishte brënda zonës së tij, por bënte pjesë akoma në një front me komunistët. Kështu që, dërguan dhe ata një çetë për të mbuluar një sektor. Mirëpo ndërsa ai me forcat e veta luftonte në sektorin e tij, partizanët e ardhur për ndihmë u hapën shteg gjermanëve dhe papritmas një kollonë e këtyre i doli nga prapa shpine. Vetëm gjakftohtësia e tij në çastin vendimtar e shpëtoi forcën e vet. Me atë nuhatjen e tij të njohur luftarake e ndjeu dobësimin e zjarrit nga ai krah,


Grabjani rrëzë kodrave

45

u kthye andej nga po vinin ata, dhe në çast vrau gjermanin e parë duke sprapsur të tjerët. Kështu evitoi rrethimin dhe u tërhoq në pozicione më të sigurta. Mbas përpjekjes kapi nja 12 partizanë, mes tyre dhe komandantin e formacionit. Nuk u bëri gjë, vetëm i pyeti pse vepruan ashtu. Komandanti i tha mënjanë se kishte urdhër nga shtabi tu lëshonte rrugë gjermanëve. I liroi të ikin por ç’e do, sa u kthyen në çetat e tyre, shtabi e pushkatoi këtë që kishte folur. Bazi i kishte thënë rri me mua, por ai s’pranoi... Kjo është çudia e asaj kohe: me zemër ishin me të, e megjithatë s’qendronin. Kjo çudi, që tërë rinia më e zgjedhur u hodh me komunistët shpjegohet me atë valë idealiste që i tërhiqte përtej dhe larg modeleve të njohura. Paria, krerët e vjetër, qoftë edhe ata të sprovuarit, që njiheshin për ndershmëri e aftësi (shih: Mit’hat Frashëri), u dukeshin të vjetëruar. Mirpo kjo kthesë në orientim ndodhi në një moment të caktuar të asaj periudhe si për efekt të një sinjali misterioz që u dha nga diku posi një erë që fryu. Unë mbaj mend mirë harkun kohor para se kjo të ndodhte. Më kujtohet me çfarë respekti hynin gjimnazistët e klasave të larta në librarinë e Lumo Skendos në rrugën Mbretnore, sesi festohej dita e Flamurit e plot gjëra të tjera; çdo gjë tregonte se punët do të shkonin në atë drejtim. Papritmas pastaj, rinia e hodhi gjetkë pëlqimin e saj.. Në të drejtën e saj ishte... Veçse, kur bëjnë bilancin aposteriori dhe thonë se disfata erdhi për pazotësinë e nacionalistëve, s’mund të mos i lësh një pjesë të fajit edhe asaj, rinisë, e cila zgjodhi ashtu siç zgjodhi. Jo për tjetër, por sepse Titoja dhe Stalini nuk thanë ndonjëherë që do na jepnin Kosovën, dhe të rinjtë nuk ishin as të verbër as të shurdhër që të mos e kuptonin. Deshën ashtu dhe ashtu u bë. Më vonë ajo rini u vra (dhe jo vetëm nga plumbi gjerman) që të mund ta pyesësh tani se si u bë ajo lajthitje e habitshme. Ndonjë që ka mbetur pa u vrarë, nuk mund ta quash të gjallë, aq sa të presësh prej tij të flasë. Sepse pothuaj i tërë ai brez e humbi zërin krejt, me dëshirën e vet dhe kështu edhe në foltë, s’ka ç’të marrim vesh prej tij, s’i ka prej vetes ato që thotë.


46

Lekë Tasi —

4 janar 1976 Bezditë S’ia kam marrë dorën mirë lopatës. Sot na çuan në brigadën e Yllit, ku është brigadiere Sofia, vajzë e re e posaemëruar. Eshtë nga Martaneshi dhe në fakt quhet Safie. Por gratë lale ia kthejnë emrin në Sofi. Neve na urren mjaft. Para disa javësh, kur nuk ishte akoma brigadiere por zëvendëse, i punoi një reng Yllit. Me qënë se maste punën ajo dhe të internuarit duhej të largoheshin për në apel, Ylli deshi t’i japë një shënim me dimensionet e punës së bërë, që të mos i mbetej pa matur. Ky sipas tyre ishte faj i madh, sepse i paskësh hyrë në kompetenca! Ia raportoi sekretarit të partisë për bujqësinë, Likës, dhe ky doli të nesërmen në plan dhe e demaskoi. Ylli sapo ishte ngritur nga gjumi dhe s’po kuptonte ç’gabim kishte bërë që po i derdhnin tërë atë vrer. “Ke fotografuar punën!” “Inxhinjer kontrabandë!” “Je mësuar të japësh urdhra!” Këto ishin disa nga akuzat që i bëri. Fshatari është xheloz për lapsin që i ka rënë në dorë, dhe kjo xhelozi e tij arrin kulmin kur ka përpara ata që lapsin e kanë profesion. Atëherë bëhet i lig si qeni me kockën. Për këtë mjafton ta shohësh këtë brigadiere me zhalonin në krah, për ta kuptuar se sa e lidhur është me të. I trajton gratë me përbuzje dhe mjerë ajo që guxon të vërë në dyshim matjen e saj ose që provon ta prekë zhalonin për ta matur vetë punën më përpara se të vijë ajo, ose për ta verifikuar. Fillova punë pra sot dhe pranë kisha Fejziun. Sofia erdhi, e vrenjtur dhe na pyeti a kishim spango (por neve as na kish thënë kush se duhet) S’më pëlqeu shikimi i saj. U mundova tërë ditën, por vija më doli pak shtrëmbër. S’ishte ndonjë katastrofë, por ajo s’ma pagoi. S’të merret në dorëzim!” tha dhe iku pa e zgjatur.

12 Janar 1976 Një udhëtim i gëzuar Sot u kthyem në shtëpi nga An’e Malit, me kamion. Më pëlqeu shumë. Rruga ka kthesa të panumërta nëpër pyll, herë në kurriz të kodrës herë duke iu ngjitur brinjëve, herë në lugina të


Grabjani rrëzë kodrave

47

errëta. Makina gulçonte me pistonat e saj asmatikë, dhe me sorollatjet e saj pambarim më ngjante si një gjilpërë e makinës qepse që bën tegele kaotike në një copë të gjelbër, ose si një krimb i ngutur në një fletë mani, i vendosur ta grijë të tërën (megjithse në hartë po ta shohësh pylli ngjan më tepër me një gjethe dushku..) Kisha përshtypjen se e merrnim shumë të ndërlikuar rrugën. Vinim vërdallë me ca zigzake e leqe në drejtime të kundërta, herë na delte përpara deti me plazhet e tija të shndritshëm, herë na afrohej dhe gati na hipte mbi kokë një pllajë e errët e mbushur me tuba të ndryshkur (këtu ka shumë puse gazi). Po ngrysej dhe isha i eksituar nga kjo befasi. Nuk është e pakët të vish me mendjen se po shkon në një fushë me moçale, dhe të gjendesh papritur në një labirinth të tillë tërë relieve, nga njëra anë me pamje të gjëra mbi Pishën e Divjakës e detin pa kufi ku mbretëron e kuqja e perëndimit, dhe aty për aty i futur në mëngë të errëta që s’di ku të çojnë. Ndjehesha gati i privilegjuar ndaj atyre që shëtisin në rrugët e asfaltuara të kryeqytetit. U kalonim pranë dushqeve të skuqur nga dimri, shkozave të kaltëruara, përshkonim pllaja të shkreta me terrin e ngrohtë që hapej prapa drurëve të radhitur nga të dyja anët, ndërsa motori uturinte në rrugën që zbarthte në muzg. I tërë udhëtimi kishte diçka të thjeshtë, fëminore; karakatina që na hidhte e shkundte, duart e nxira nga të ftohtit, faqet e kuqe të vajzave, arnat në trikot e tyre.. Ato qeshnin pa pushim, disa këndonin, të nxitur nga fryma e piknikut. Unë shikonja vazhdimisht jashtë ku çdo gjë kthehej nga e kuqërreme në gri, dhe rruga para nesh në një çast u zverdh nga feneri i vetëm i makinës që u ndez me një mëndjemadhësi fshatare. Më pushtoi po ajo çkujdesje e gëzim që provova ditët e para në sheshin e Sektorit kur binte mbrëmja dhe puntorët rrinin grupe-grupe (Kjo më ndodh vetëm në mbrëmje, është një pajtim gazmor me fatin që vjen nga lodhja dhe nga një lloj “mbyllje e qarkut”; mëngjezi ka të kundërtën me atë shqetësimin e tij të ankthshëm..) Kështu kur më në fund, nëpër degët e drurëve na doli fshati në një gropë, pamja e tij e mjeruar me tymrat e ndyrë të oxhaqeve e të sobave që rrëmbeheshin prej shkulmeve të erës, m’u duk si një folé e dëshëruar.


48

Lekë Tasi —

16 Janar 1976 Kullat kanë marrë vesh se lagjja ua paska hapur shtëpinë (kanë thyer drynin) dhe kanë strehuar Çerdhen në dy dhoma si edhe dy qeraxhinj në të tjerat. Drejtësi proletare mbi armikun e klasës. 13 Shkurt 1976 Rrethi ynë i apelit u zgjerua me tre antarë të rinj. I pari është tropojas, afro 40 vjeç, Aliu, fytyrë-hequr me mustaqe, dy të tjerët një çift nga Mokra (i është arratisur i vllai) Zyhdiu me të shoqen. Mamaja ka filluar nga puna me të qepura. Në mes të klienteve edhe një vajzë që e ka të vllanë kryetar të këshillit. Çdo gjë bëhet fshehurazi. 1 Mars 1976 Rreth popullsisë së këtushme. Kam përshtypjen se tipari myzeqar i sektorëve të fermës, jo vetëm këtu po edhe në Savër, Çermë, Pluk, Gjazë e me rradhë është zbehur shumë këto dekada sepse këto vënde fushore me prodhimtari të lartë janë populluar me shumë të ardhur, sidomos nga malësitë e Librazhdit, Gramshit, Elbasanit. Vendësit po shkojnë duke u bërë pakicë. Gjithsesi ata janë prej tre fisesh, ose trungje familjare, njeri prej të cilëve, Ndonët përbëjnë 9/10 e tyre. (Ngado që të kthesh kokën e ke një Ndon përpara. Dhe kur pyet ndonjerin prej tyre ç’e ke këtë ose atë Ndon? të përgjigjet: kemi qënë një zjarr.) Tjetri janë Shurdhaqët dhe i treti Kukat. Vendës mund të quhen edhe disa të tjerë që janë shpërngulur nga një fshat këtu afër që quhej Plemër dhe sot nuk ekziston më. Ky fshat ndodhej në një palë tjetër të kodrës (ose gji mund ta thuash më mirë, kur e dimë që për shekuj liqeni vinte deri në rrëzë të saj). Mbiemrat e këtyre janë Buzi, Xhepaxhiu, Qorri, Qerozi, Tako, Murrizi. Të ardhurit e largët, ata nga malësitë, kanë mbërritur mbas tharjes së Tërbufit, aty nga 60-a. kurse çobenët pak më vonë, nga Jugu. Ka dhe harixhinj mjaft, të shpërngulur brëndapërbrënda Myzeqesë, nga rrethi i Lushnjes dhe i Fierit. Deri këtu “të mirët”. Kurse të deklasuarit (ish të internuar ose të ardhur me një farë pahiri, si dëbim ose transferim) janë shumica nga


Grabjani rrëzë kodrave

49

Devolli, por ka dhe nga Skrapari, Leskoviku ose Dibra si dhe një familje nga Gostivari. Ndonjë sociolog do mund të fliste për efektet imediate dhe të mëvonshme të kësaj brumosjeje. Kontributi im do të ishte thjesht në disa vrojtime: Ndihet njëfarë rivaliteti midis grupeve. Kjo është e natyrshme në kushte të ngushticës ekonomike, si i thonë edhe zorrët e barkut ngairohen mes tyre, jo më shqiptarët në një copë sektor ku leku del me aq zor. Një ditë dëgjova djemtë e rinj që grindeshin si me shaka, duke lëvduar secili anën e vet. Malokët mburreshin se kanë zënë vendet kyç, lalët duke u përgjigjur se në dorë të tyre është mekanika, ofiçina etj. Edhe gratë bëjnë fjalë te rradha e dyqanit ose në çezmë: “Shyqyr që erdhët të ngopni zorrën!” u thonë vendëset malokeve; ato u përgjigjën: “Ikni moj, të rritura me ujë zhabash!” Këto janë mbeturina në kalim. Brezi i ri po i shkrin. Të bijt e të ardhurve flasin të gjithë dialektin e vendit (përveç Allamanit, që mban atë të malsisë po të thyer pak) për të mos përmendur martesat e përziera midis të gjithë grupeve pa përjashtim. Vetëm harixhinjtë janë veç; ata shtohen me forcat e veta, brënda fisit, dhe shumë me shpejtësi. 11 Mars 1976 Brigadieri im ka inat të Dielën Jorgjin, brigadierin tim e bëjnë boll të aftë në zanatin e tij. Ka marrë vazhdimisht rendimente të larta. Di ta ndajë punën dhe nuk e harxhon lekun atje ku s’ia vlen. Është nga ata tipa që i dëgjon edhe kritikat pa u nxehur fort, dhe pastaj as e ndjen nevojën të të japë përgjigje. Është i rrahur me këto punë, p.sh. e lë një proçes edhe përgjysmë kur s’paraqet leverdi. Koha i ka dhënë të drejtë. Por është i ftohtë me puntorët; sidomos me të deklasuarit. Me ta është zbatues vigjilent i luftës së klasave. Në fillim u përpoqa t’i mbaja marrëdhëniet të rregullta me të, sepse diçka më pëlqente tek ai, një shprehje naïve në fytyrë herë-herë po më tepër se dua të jem i durueshëm, të mos prishem me ta pa qënë i shtërnguar nga një arsye e fortë. Fundja them me vete, ata janë prodhim i këtyre kushteve këtu. Mos do t’i ndryshoj unë? Mirpo tani ka filluar të bëhet agresiv. Kërkon të dalim në punë pa bërë asnjë pushim, as edhe të dielave. Këtu s’pranon diskutime!


50

Lekë Tasi —

Por edhe unë me Fejziun nuk mund të rrijme pa bërë një ditë pushimi në javë, për të mos folur për anën fetare të çështjes që këtu as mund të zihet në gojë dhe (që përbën ndofta shkakun e këmbënguljes së tij, të porositur mbase nga lart). Kështu s’ia kemi bërë qejfin dhe kanë ndodhur ca fërkime. Apo ndofta ka një inat personal me këdo që bën pushim pa lejen e tij. Kur dalim në plan të hënën mbasi kemi bërë pushim të djeshmen, ai na vështron sikur të jemi agallarë dhe na flet me një përbuzje të hapur a thua se kemi kryer një akt të rëndë mossolidarizimi me shokët (Një herë më pyeti: Je revolucionar ti? I bindur se do të më vinte në sedër. Jo .. i thashë. Po ç’je? –I internuar jam ..) Disa ditë na e ka paguar ditën mbrapa të djelës pushim me shifra qesharake: 17 lekë të vjetra. Në lidhje me dallimin që u bëhet në pagë të deklasuarve, Fejziu më tha një gjë që ia ka treguar njëri këtu. Para disa vjetësh, një brigadier i binte në qafë një djali të ardhur me “masë”, nuk i jepte atë që i takonte, e demaskonte e bezdira të tjera. Atëherë ai e zuri brigadierin vetëm për vetëm në misër të madh dhe i tregoi kazmën: “Unë do të vete në Bulqizë i tha, po ty ama do të të zhduk!” qysh atëherë brigadieri nisi ta paguante në rregull. Por nuk zgjati shumë dhe një ditë djali rebel humbi nga qarkullimi për të dalë më vonë në Spaç.

19 Mars 1976 Grindja Sot në apelin e mbasdites erdhi Ismaili i Degës së Brendëshme. Kishte punë me Thomanë, mbasi ky vazhdon të mos paraqitet në punë megjithse posa ka mbaruar një dënim pune të detyruar për mosdalje në punë. Për të nisur gojën me një tjetër, iu drejtua Teftës me një ton të ashpër: “Pse s’del në punë ti?” – iu përgjigja unë: “E kini thënë vetë që gratë s’e kanë të detyruar..” Ai s’ma vari fort. Iu kthye Thomait menjëherë me të njëjtën pyetje, por me një ton edhe më të egër. Ndodhi një skenë nervozizmi shumë e shpejtë, nga e cila mbaj parasysh fytyrën e skuqur të Thomait dhe sytë e tij të egërsuar, që donin të përpinin Ismailin. Mbas disa replikash, kur ky i fundit për t’i bërë presion e kërcënoi se do t’i hidhte hekurat, Thomai iu turr “Hë pra,


Grabjani rrëzë kodrave

51

m’i hidh!” duke i treguar duart të bashkuara por me një lëvizje kaq të nervozuar sa neve na u duk se do ta qëllonte. Ismaili s’dinte ç’të bënte, sepse jo vetëm s’kishte hekura me vete, por sepse ishte i ngarkuar të bënte presion e jo t’i bënin. Mbeti keq para të gjithëve, ktheu kokën këtej nga ne si i fyer e qefprishur dhe murmuriti nëpër dhëmbë “Psikopat!” tamam sikur Thomai të kishte marrë për keq një shaka që deshi t’i bënte. Fakt është që Thomait i është mbaruar durimi me “shakatë” që i bëjnë sot e nëntë vjet Ministria dhe Dega, dhe s’ka nevojë për gjë të madhe që të marrë flakë; sa i sheh larg, i ngrihen nervat. Me kaq u shpërndamë ndërsa Ismaili tundte kokën me kërcënim në drejtim të tij. Mars `76 Pylli që kemi në afërsi është një “anë pozitive”, kështu thonë të gjithë.Këtë na e kanë shumë zili fshatrat e mes-fushës. Mund të thuash se disa kanë ardhur e ngulur këtu vetëm nga kjo, që të mund të bëjnë dru kollaj. Mua më pëlqen si vend për të shëtitur , por i jam nënshtruar edhe kësaj “anë pozitive”. Këtë dimër kemi djegur dru prej tij; pak dru në fakt, më tepër bujashka. Shkojmë me thes por pa sëpatë, për të mos patur telashe me rojet. Para disa javësh kanë gjobitur me 10 mijë lekë tre djem të deklasuar me motivacionin se kishin prerë filiza. Ne mjaftohemi me copat që kanë mbetur. Nuk është vetëm nga frika, por s`na bën zemra të presim pemë të gjalla. Një ditë vajtëm me familjen e Bardhit dhe të Qazimit. Të vegjlit mblidhnin ca lule të hershme dhe ca kokrra të kuqe të disa bimëve me gjethe shume të gjelbra por që të çpojnë me majat e tyre ( me emrin prrallë më tha një bari).Ishim si në piknik por me diçka të pezmatuar në shpirt, si prej refugjati. Marsi shum pak e ka ndryshuar pyllin, por meqë vijmë rrallë, si rrënjëdale e të pangulur akoma, e me dy mendje për fatin tonë, e ndjejmë ose më mirë e ndiellim diçka të re,të lehtë në atmosferë; duam sikur të gjejmë në natyrë përligjjen e shpresave tona: një erë e tjetër, paksa më e ngrohtë , gjethi që fillon të dalë, aromat e lehta që lëshon natyra në zgjim, ende e hirtë, na shkundin më thellë, ndofta edhe se vetë pranvera që do vijë, dhe na shtyjnë të besojmë në këtë drejtim - që ngjarjet do të marrin një kurs të favorshëm...


52

Lekë Tasi —

Por realiteti ësht më i ngurtë, nuk varet nga nuanca të tilla.Shija e internimit na sjell në vete si një erë e ftohtë që na vjen papritur ose si një mërzi e shkaktuar nga një hiç. U shfletua një vit - ja kjo është tëra! Së shpejti do t`ia ndjejmë vapën, ashtu sikundër këto fletë të njoma , të vogla sa një majë thoi, që do të rriten, fishken e bien pa na rënë në mend neve për to. E mira nuk të vjen kur ti je më i gatshëm, më i ndjeshëm për ta pritur; përkundrazi, më e vërtetë është ajo tjetra, që fati të kthehet për mbarë kur është vonë për ta gëzuar... Po ndërkaq ne i dorëzohemi iluzionit. Ecim të mallëngjyer nëpër drurë, shikojmë nga deti, nuhasim me mall erën e ndonjë zjarri që ka ndezur dikush, i padukshëm, me një fjalë vimë vërdallë me mendjen të ngritur se dishka e mbarë po na vjen. Dhe njëkohësisht mbledhim bujashka. Këto vajtje në pyll na bëjnë mirë se shkëpusin monotoninë. Kur i kujtoj mbas shumë kohe i futur në rëndomësinë e gjërave, ato më tërheqin dhe dua t`i përsëris. Vërtet shpresat s`po na vërtetohen, dhe ne mund të dalim rregullisht të mashtruar prej asaj që ndjemë gjat shëtitjeve, por unë nuk dua t`i vlerësoj për këtë sigurisht ( do të ish një vetdënim shtesë) por për atë, sa na mbajën gjallë shpirtërisht në këta muaj të errët. Të mbështetesh te shpresa mund të jetë e dëmshme kur kjo të pengon të veprosh. Por ne s`kemi asnjë mundësi të tillë: të mbrehur në zgjedhë siç jemi, s`kemi si të mos veprojmë, duke rëmuar nëpër ara...

2 Prill 1976 Kubikët Ministria e Bujqësisë ka vendosur që një pjesë e mirë e pambukut të mbillet me kubikë. Radio dhe gazeta vetëm për këto flasin. E kanë marrë nga kinezët këtë përvojë (si punën e fekaleve që i bënin komposto para 10 vjetëve ). Sot vajtëm në parcelën që do të mbillet me kubikë. Në fillim mua më caktoi të sheshonja vendin, pastaj meqë s’kishin ardhur qerret me torfë dhe superfosfat, vuri në sheshim ata që do të gatuanin brumin dhe mua më çoi në thellim vijash. Qerret erdhën vonë, afër drekës. Orë të çmuara shkuan dëm. Jorgji është organizator, por është ky centralizim që i ngec punët. Thuhet se


Grabjani rrëzë kodrave

53

një punë do të fillojë në një orë të caktuar dhe fillon mbas 5 orësh, ose të nesërmen; veglat s’janë aty megjithë planifikimin për të qënë, tezgat po ashtu, brigadierët nuk ua sigurojnë puntorëve, por lënë që ata vetë t’i bëjnë si të munden. Sa herë nis një punë e re, unë konstatoj se faktori socialist (brigadieri) mbështetet tek faktori privat (interesi i puntorit) për ta organizuar punën, dhe kur ai e ka ngritur mirë e bukur, ndërhyn për ta vjelur. Mendja e do që së paku bazën materiale ta siguronte ai, dhe në fakt e siguron por të një cilësie skadente. Është e habitshme. Në dy ferma që kam punuar në Tiranë, veglat i kemi pasur fare të këqija, të pafiksuara, të pamprehura. Vetëm puntorët që i sillnin nga shtëpia i kishin të mira. Në depo gjenje vetëm të shkatërruara. Sekretari i partisë i atjeshëm në një mbledhje një herë i nxiti puntorët me këto fjalë: Flisni, ç’të meta ka, a janë veglat në rregull apo jo? Problemin e dinte prej vjetësh, kovaçin e kishte aty, dhe kërkonte sugjerime nga puntorët (!) Dhe prapë gjëndja nuk u ndreq mbas asaj mbledhjeje, si përherë. Nga kjo mund të nxjerrësh një konkluzion që prek absurdin, por sipas meje shumë të ngjashëm: nuk është vetëm neglizhencë por ka dhe diçka tjetër: duan të frenojnë punën për të mos dhënë lekë. Efektiviteti; ja armiku kryesor i socializmit tonë të izoluar, e pa kapitale. Brumi gatuhet me torfë, pleh organik, superfosfat dhe ujë. Mua më kanë vënë t’i furnizoj me ujë grupet që gatuajnë. E marr në kanal me një kovë të keqe dhe ua çoj. Mbasi gatuhet, brumin e marrin të tjerë dhe e çojnë te vendi i sheshuar. Sadiku, puntori që drejton punën e hap brumin, e shtreson brënda në një kallëp me të pasmen e lopatës. Peta që përftohet, 10-12 cm e lartë, mbasi thahet pak, pritet me thikë në copa 6 me 6 duke përdorur për vizor një dajak. Hiqet kallëpi, pastaj vijnë gratë dhe e mbjellin duke futur në çdo kubik 3-4 fara pambuku.

14 Prill `76 Pranvera ka hyrë mirë. Kur zbresim tatëpjetën mbas Pyllit të Kishës (një lëmsh bimësie të harlisur që ka brënda tempullin gërmadhë dhe varre të vjetra) dhe kalojmë vaun, parcelat e brigadës tonë , 200 ha gjithsej i kemi të rreshtuara nga e djathta përgjatë kanalit kullues, kurse kodrat që i shkelëm gjersa mbrritem te ky va, fillojnë të largohen majtas, nga ana


54

Lekë Tasi —

e Perëndimit. Ecim për kilometra në argjinaturën e kanalit kullues, dhe kështu e kemi anën e përtejme, ara e kodrina si brënda një kornize, një tablo që na shoqëron nga e majta derisa arijmë te vendi i punës. S`di të them sa e bukur është kjo anë e përtejme, vargu i bregoreve, pyjet me kufi të prera që i mbulojnë, ara me ngyrime të ndryshme, unë e mbaj kokën vazhdimisht të kthyer andej, sidomos kur bën mot i mirë dhe e kaltra e qiellit është e kulluar ose e ndërprerë qart me re të bardha që hedhin hijen e tyre në tokë; jam si para një pikture gazmore. Por nuk është vetëm natyra e bukur në vetvete që më tërheq , është pengesa për të kaluar matanë që i jep asaj një privilegj të përhershëm. Dishka e tillë më ndodh sa herë jam në një breg lumi ose kur ekziston një ndalesë çfardo mes meje dhe pamjes që sodit, mur, kangjella etj. Dishka e papërcaktuar më vjen nga ky fakt, që objekti më është i afërt dhe njëkohësisht i paarritshëm. E pata kapërcyer nja dy herë tash sëfundi për pak minuta kanalin nëpër vaet e tij, kurse sot u futa thellë, kalova nja dy orë andej në mesditë, pa pyetur për rregulloren që na ndalon daljen nga tokat e fermës. Kushdo që u vë rëndësi këtyre gjërave, dua të them ai që ndien një farë vartësie prej asaj që sheh (pikërisht vartësi është, unë kam qënë jashtzakonisht i tillë, i varur, më kujtohet sa i lumtur paksa, por edhe herë-herë i zymtuar, ndjehesha kur ndërronim shtëpi, sipas kësaj mbrese fillestare të ambjentit që gjenim në banesën e re. Një njollë lagështie në murin e dhomave përdhese tiranase me oborr të errësuar nga fletët e manit o të hurmave, ose ato korniza të murrme të ditareve, më jepnin një ndrydhje që mezi kalonte me muaj, dhe të mësohesh me këto kushtëzime është vërtet pjekuri, por njëkohësisht edhe humbje ndjeshmërie, gjë që jeta e kërkon. Me një fjalë, ai që don të ruajë sa më të paprekura kënaqësitë nga natyra, ose që të jemi më realistë, që don të mos humbasë një farë iluzioni, s`duhet ta kapërcejë atë sinor që ka para vetes. Ngaqë ai praktikisht ësht një farë filtri zbukurimi; më të shumtën e herës, sa hyn në “zonën e penguar”, objekti i admiruar të zhgënjen. Në rastin tim: me tu hedhur matanë më dolën dobësitë e para.; baltrat s`të lënë të ecësh, vijat e ugarit s`e kane atë rregullsi që të çfaqej prej këtej, ai grumbull kaq i hirshëm i druve të frashrit qënka i përmbytur i tëri në një moçal, një pus me grykë të thurrur me trinë, të del i qarkuar me llucë dhe s`ke ku vë këmbët , dyqani me atë suva të rrëzuar ku dalin


Grabjani rrëzë kodrave

55

binarët dhe me drynin te dera, të lë mbresën e një jete të braktisur.Çdo gjë që nga larg të dukej e vogël, nazike, si e vënë me dorë në një skenë rustike që të joshte të kalosh një jetë të lumtur, të gjitha, kur u afrohesh, të duken të mjera, gjen fëmij të zbathur në sheshin e fshatit, qurrashë, qen që të vështrojnë me dyshim, qerre të ngarkuara me pleh që marrin të përpjetën me një mefshtësi të sëmurë.. Megjithatë, si shpërblim për mundimin e rrugës dhe si shpagim për zhgënjimin, ndodh dishka e pashpresuar. Ti kthen sytë andej nga erdhe , dhe atëhere loja përmbyset.Para teje hapet pamja e gjerë e fushës, e paanë e njëkohësisht e qëndisur në çdo cep të saj, me rregullsinë e sinoreve të drejta e me blloqet e saktë të ngyrave, si gjurma të një vullneti madhështor dhe misterioz në atë mungesën e tij ; kurse më tutje, kodrat e malet, që marrin shkallëzime ngjyrash e tonesh sipas kulturave, ullishtave, vreshtave, e bokave që kanë mbi vete , të murrme e të çelëta, dhe sfondi i largët i patinuar nga kaltërsia e distancës. Veç kësaj, këtu je në lartësi jo më shumë se disa dhjetra metra mbi nivelin e fushës, megjithatë fryn një erë tjetër. Ti mund të bësh jo më shumë se gjysëm ore rrugë në qofte se ke vendosur t`i heqësh vijë punës për sot. Gjysëm ore nëpër pyllin e freskët ta kthen edhe më gëzimin e jetës. Dhe si ngjitesh edhe ca, ti del në kurrizin e kodrës, ku fryn vërtet erë deti dhe të çfaqet ai vetë,deti!

29 Prill 1976 Kubikë do të mbillen në çdo brigadë. Meqë është punë që bëhet për herë të parë, vijnë agronomë dhe normistë nga administrata për të kronometruar kohëzgjatjen e çdo proçesi, që pastaj të caktojnë normën. Një herë pëshpëritjet e puntorve që grindeshin në sordinë duke nxitur njëri-tjetrin të punojnë sa më ngadalë që të caktohet norma sa më e ulët, arritën deri tek unë. Duroja, një djalë i shkurtër prej familjeje komuniste gati u thirri shokëve i nxehur: “Pse, shpejt po punoj? Më ngadalë ku të vejë!”-“Sht!!” ia bënë të tjerët, dhe vështruan nga grupi i agronomëve… Këto janë grimca të shkëlqyera nga jeta e gjallë për të kuptuar socializmin. Sa do të donja t’i dëgjonte Marksi!


56

Lekë Tasi —

10 Maj 1976 U bënë tri javë që vazhdojmë te kubikët. Më e rënda është prerja. Sepse duhet të punosh përmbys, i sforcuar. E provova dhe unë sot. S’majfton vështirësia, me rrogën e fundit pamë dhe shkurtime në pagë. Dhanai, e shoqja e Yllit kishte prerë me mijra në Brigadën e saj. Në pagë i dolën të përgjysmuara.

12 Maj 1976 Ylli i ka bërë letër Degës pse ia vonojnë lejen për në Librazhd. Shoku i tij që kishte çelsin është transferuar dhe lajmëroi që çelsin ua ka dhënë dy teknikëve që i futën në dhomë. Ylli i telegrafoi përgjegjësit të kantierit “Ruani plaçkat se do të vij” mirpo s’ka marrë përgjigje.

15 Maj 1976 Me kubikët kemi mbaruar. Tani po bëjmë prashitje në Lule Dielli. Pambuku i kubikëve ka mbirë, është rritur, veçse ai tjetri, i mbjelluri me makinë (dhe me një të mijtën e mundimit!) si për inat të Kinës dhe të Ministrisë është dhe më i rritur, i bukur fort. Por mundimin më të madh me kubikët e kemi akoma përpara.. Duhen prerë, duhen transportuar me tezga, që të mbillen përfundimisht në parcela (mundimi do të bëhet dymijëfish). Nuk besoj të ketë punë më antiekonomike se ky pambuk me kubikë, por asnjeri s’guxon të flasë, se shihet si gjë politike: i duhet çuar në vend fjala Kinës. Ndërkaq filizat (tek ovrati i Kubikëve) po i mbyt bari dhe asnjë s’kujdeset që t’ua heqë. Brigadieri e di që janë kubikë të rëndësishëm, kubikë politikë do të thoshnja(!) por edhe nuk do të harxhojë lekë të tepërta, prandaj ka lënë një punëtor vetëm sa për t’i vaditur, që të mos thahen. Ky vaditësi është për çudi i internuari i ri nga Mokra, i cili flitet se i ka dhënë një sasi rakie për ta lënë në një vend të rehatshëm.. (Interesa të mëdha me të vogla u mplekskan në këta kubikë, Kina, rakia, ndofta edhe Sigurimi që mund të ketë edhe ai pjesën e vet me anën e një rekomandimi siç flitet)


Grabjani rrëzë kodrave

57

20 Maj 1976 Kemi disa ditë që po i mbjellim kubikët. Punoj me Fejziun. I presim me thikë edhe një herë, i ndajmë nga toka edhe nga njeritjetri, pastaj i ngarkojmë me tezga, dhe shkojmë i mbjellim në rreshta. Janë ditë të egra! Çdo punë që kemi bërë deri më sot, në krahasim me këtë, më duket lojë. E çojmë tezgën të ngarkuar me tri radhë kubikë. Bëhet e rëndë për mua sidomos, por rëndohet edhe më në pikat ku do të kalojmë vijën e ujit, nga balta ku shkelim. Tani punojmë zbathur. Kur jemi në fillim të rreshtave, puna ecën shpejt, shkojmë, mbjellim, vijmë me shkathtësi, por kur kalon gjysma e rreshtit, përnjëherësh na duket sikur jemi të ngecur në vend. Edhe vetë mbjellja është e vështirë. Me një dorë fusim kubikun, me tjetrën e mbulojmë me shatë ose me dorë, e ngjeshim. Brigadieri kërkon cilësi, kubiku të mbulohet me dhe të shkrifët, por kur vendi është i thatë, ne mjaftohemi ta mbulojmë me ç’të jetë. Duam vetëm të nxjerrim rreshtat! Një shi duhet pa tjetër, por shiu afrohet, gatitet, hedh ndonjë pikë dhe largohet. Veç vapës, janë dhe grindjet. Jemi të ndarë në çifte grabitqare që lëvizin si ca milingona të tërbuara posht e lart nëpër parcelë, herë ngadalë nën peshën e tezgës, e herë me vrap kur kthehemi bosh. Luftojmë të marrim kubikë sa më afër, por i akaparojnë të tjerët, zihemi për rreshta sa më të butë, ruhemi nga brigadieri mos na gjejë ndonjë kubik të pambuluar mirë, hapim sytë mos na ndrrojnë tezgën… Në mbrëmje vijmë të dërrmuar. Dhe kur e di që është punë e kotë, mundimi është dyfish i rëndë. Piro Dodbibën e kanë hequr vetëm për këtë shkak, se foli kundër kubikëve. S’jam mirë në këtë brigadë, edhe nga shoqëria. Jemi grindur disa herë. Jam i penduar që nuk e reklamova qysh në fillim ardhjen këtu në brigadën më të largët. Tani është vonë.

24 Maj 1976 Breshëri Shiu erdhi më në fund, por me breshër. Po mbillnim me Fejziun, kur qielli u mbulua krejt. Ishim në mesin e parcelës. Në ora 11 u errësua shumë. Gërsheta resh të zeza vareshin


58

Lekë Tasi —

mbi ne por ne donim të nxirrnim edhe ato 50-60 metra. U duk që do të fillonte shpejt, era u ftoh, megjithatë asnjë s’largohej. Ranë pikat e para, gjarpëruan ca vetëtima, e ne vazhdonim. Pastaj Fejziu drejtoi shpinën dhe vështroi nga pylli. “Shko merr rrobat!” më thirri me alarm, se po i mbjell unë këto që mbetën. Sa shkova në ovrat, ia nisi! Në mes të rrëmujës së përgjithshme ku secili kërkonte teshat e veta, unë e kisha bërë gjysmën e rrugës për te stalla, dhe Fejziu pas meje. Në çastin që u futëm, ia dha rrebeshi, dhe menjëherë e ktheu në breshër ndërsa puntorët nxitonin me xhaketë në kokë. Disa të mbetur larg, u futën nën urën e kanalit te rruga për në Gërmenj. Për gjysmë ore në fushë s’dukej tjetër veç një mjegull e dendur që gati na futej brënda në depon e silazhit me një afsh të ftohtë e të lagësht. U zbraz qielli! Pastaj pushoi. U kthyem te rreshtat tona në ora 12 për të marrë kazmat. Nga kubikët, të mbjellë e të pambjellë s’kishte mbetur asgjë, tezgat i kishte mbuluar balta, dhe e vetmja shenjë nga filizat ishin disa copa të vogla gjethesh e kërcelli nën bardhësinë e breshërit. Nga puna e kaq javëve s’ngeli asgjë, megjithatë s’na erdhi keq fare. Përkundrazi, u gëzuam që mori fund kjo histori. Në sektor erdhëm që në orën 1. Rrugët i gjetëm të lara, dhe shtëpitë me ngjyra të gjalla. Janë dëmtuar mjaft parcela të Sektorit, aty ku kaloi, meqë e bëri rrugën në formë zik-zake, ka rrafshuar grurë, pambuk dhe pjesërisht lule diell. Parcela jonë e posambjellë me kubikë shkoi dëm e tëra.

25 Maj 1976 Radio tregon dëmet. Stuhia paska kaluar mbi tokat tona tamam kur ishte në kulmin e saj, por tani po marrim vesh se disa brigada fqinje kanë shpëtuar pa u prekur fare, kurse në disa parcela, gruri ka mbaruar krejt. Tërë parcelat e dëmtuara do të plugohen dhe do të mbillen me misër hamullor. Vetëm lule-dielli mund ta marrë veten, se është bimë rezistente.


Grabjani rrëzë kodrave

59

27 Maj 1976 “Telegram” nga Zoti U gëzuam për kubikët, por kur ndodhin të tilla fatkeqësi të natyrës, prapë jemi ne që do t’i paguajmë të thyerat, me punë edhe më të mërzitshme, por që paguhet edhe më pak. Na kanë çuar në brigadën e pestë ku dëmi në grurë është më i madh. Kanë ardhur zyrtarë nga Rrethi dhe nga Qeveria. Vetura plot. Është një atmosferë e rëndë keqardhjeje e zymtësie për “dëmin në bukë”. Ç’janë të mëdhenj rrinë të brengosur, të vegjëlit vështrojnë punën e tyre, as i djeg as i ftoh. Në të vërtetë, edhe të mëdhenjtë s’e vrasin fort, pavarsisht nga fytyrat që tregojnë. Ky është nga ata raste e pakët kur nuk u kërkohet llogari, dëmi pranohet si forcë madhore. Por tani duhet vepruar shpejt: të plugohen tokat, të mbillen menjëherë, që të përfitohet të paktën misri hamullor. Ishim ulur me Fejziun dhe me Bardhën e Dumeve, dhe pranë kishim Marsin, një harixhi të moshuar. Një jetë të tërë që merret me të lipur, por tani e kanë mobilizuar edhe atë për të përballuar vështirësinë. Korrim ato pak fije që kanë mbetur në këmbë mbas kombajnës, pavarësisht se kalliri i tyre është fare pa peshë. Pastaj qëmtojmë kallinj në tokë, një këtu një mbas dhjetë metrash. Herë-herë drejtojmë shpinën, vështrojmë njëri-tjetrin, këmbejmë ndonjë fjalë nga larg, dhe sa largohet brigadieri ulemi e rrimë në një anë vije me gjysëm kile kallinj në fute. Kryesorja është të mos rrimë në shtëpi, or të vijmë këtu, t’i përgjigjemi thirrjes. Ishim ulur pra në një mezhdë, dhe Marsi na bënte për të qeshur? Njëherë përmendi Zotin. Fejziu u bë serioz dhe filloi ta pyesë gjoja i habitur: “Zoti? Pse, ka Zot? Ku e ke? Mos e ke parë gjë, ao të ka dërguar ndonjë telegram?” – “Telegram?” Ia ktheu Marsi dhe vështroi rrotull. Po, pse, kjo ç’ishte?” dhe tregoi grurin e rrëzuar.

Në rrugën Pluk-Grabian Maj 1976 Do të mjaftonin krriçat, viçat e vegjël, sytë e pastër dhe turinjtë e njomë të tyre, që të qasen me besim në anë të rrugës kur ti u jep gjësend në pëllëmbën e dorës, do të mjaftonin këto krijesa të buta për të na bërë


60

Lekë Tasi —

të besojmë se e mira është shumë e përhapur në botë. Le qingjat e kecat pastaj, që vetëm me pamjen e tyre na bëjnë fajtorë. Por edhe kjo mëllagë e bollshme, që i hap fletët e shumta me një dashuri e lakmi naive. Dhe kjo pemë e hollë që dridhet në puhizën e mbëmjes që fryn, fushës së gjerë të pafund nën një qiell të kulluar, drurët që durojnë në heshtje mundimet që u punojnë fëmijët në oborret e shkollave të fshatrave, me britmat e tyre të gëzuara tek hipin e zbresin në degët e tyre, tek i presin me thika për të nxjerrë fyej. Të gjitha këto më bëjnë të ndihem brenda një mirësie të madhe, që si erë e butë ndërsa po eci në fushë, më kalon në trup, më përshkon tejpërtej dhe shkon të mbushë botën.

29 Maj 1976 Jemi kthyer në prashitje. Dje ishim te Pusi i Bocit, parcela më e afërt e brigadës sonë. Toka është tërë gropa. Plugimi i keq dhe lagështira e gjatë na e vështirësojnë punën, sepse rreshtat janë të mbushur me bar. Admirova Muamerin kur, pa i thënë gjë unë, erdhi e më tregoi si bëhet prashitja. Më pëlqeu sidomos shpejtësia me të cilën godiste rreth bimës. Të gjithë këtu kanë saktësi, por kryesorja, ajo që më tërheq, është vendosmëria e goditjes. Profesionalitet. Kjo u jep dhe sigurinë. Ajo u vjen patjetër nga praktika e gjatë, po dhe ngaqë nuk e çajnë kokën fort të ruajnë bimën. Ngutja për të bërë normë e tejkalim brënda orarit, i detyron që në asnjë mënyrë të mos e ngadalësojnë ritmin, dhe kështu mësohen ta lënë mënjanë çdo kujdes të tepërt. Pra, profesionalizmi është shuma e shprehive të sakta plus automatizimi d.m.th kujdesi minimal për hollësirat. Kurse fillestarët si unë (mbasi prashitjen prej 3-4 muajsh në Tiranë s’mund ta quaj stazh), nga përqëndrimi që i kushtojmë secilës bimë, humbasim kohë e sidomos prishim ritmin, gjë që sjell tension dhe lodhje. Për mua ka dhe një arsye tjetër pse dua ta arrij ritmin në prashitje: ajo goditje e rregullt, lëvizjet automatike do më lejojnë të heq mëndjen. Një kazëm djathtas, një majtas dhe kalo tutje, kështu mendja merret me punët e saj. Dhjetë orë nuk kalohen me vëmendje të tendosur. Fundja, po i re bimës dhe e pret, shëndoshë! Gropose aty, ose fute në xhep që të mos e shohë brigadieri. Kjo vlen sidomos për pambukun, që është bimë me vlerë.


Grabjani rrëzë kodrave

61

Vendi është i keq pra, i tëri gropa-sopa si i thonë këtu, punëtorët “ia shkelën”, por a kanë faj? A mund të rrinë me 100 lekë, vetëm se u leverdis traktoristëve ta bëjnë punën shkel-e-shko? Sot u binda se unë dhe ata janë plotësisht në të drejtën e tyre kur e prishin cilësinë. Në mbrëmje më thirrën në shkollë për analizën mujore të punës. Ka ndodhur diçka që jep shpresë. Thuhet se në Fier (Bardhi e ka motrën në Shtyllas-prej tij e morëm vesh) është hapur fjala se kryeministria ka hapur një anketë, në ç’masë duhen ulur normat në mënyrë që të bëhet puna me cilësi (!) Ata të Fierit kthyen ca përgjigje gjysmake, të ndrojtura, por kryeministria ua paska kthyer mbrapsh: ulini dhe më. Nga ana tjetër flitet se Nexhmije Hoxha ka thënë në një mbledhje të mos ketë më pagë më të ulët se 200 lekë (edhe për më të dobtin). Gjëra që premtojnë, apo janë kurthe? Mbledhja në mbrëmje e tregoi … U grumbulluam në një klasë, por i deleguari s’kishte ardhur. E pritëm boll, pastaj filluam pa të. Mbas fjalëve të zakonshme të hyrjes, u fol për cilësinë e keqe të punës. (Duhet thënë që fajin e mekanikës që përmenda më lart, brigadieri në fakt ua lë puntorve ta lajnë) prandaj dhe sot, si gjithnjë, këta duhet të jepnin llogari. E tillë është pozita e brigadierit si shtresë, si “klasë”: duhet të favorizojë mekanikën, jo neve-krahun e punës; ia do puna të godasë neve e jo ata. Sepse për brigadierin, kompromisi me ta (ose më mirë me përgjegjësin e tyre) është më i leverdisshëm se çdo marrëveshje me ne për punë të mirë dhe mirëpagim: ata t’ia plugojnë tokat në kohën e duhur, dhe ky t’i paguajë mirë, dhe bile bën një sy qorr për ndonjë shkelje të cilësisë tek-tuk, sepse hershmëria e plugimit (krahasuar me brigadat e tjera) i siguron fitime në rendiment aq sa të shlyejë me të tepër dëmin që i vjen nga ndonjë cep i punuar keq prej tyre. Këta cepa ua lë puntorëve t’i ndreqin me shatë duke hequr të zitë kur të vijë koha. Dhe kur këta, puntorët, e prishin cilësinë për të nxjerrë ditën, ky s’i paguan fare! Pse jo? Nuk është i varur ai nga ata, ata janë varur prej tij! Veç kësaj, duke mos i paguar, u hyn në qejf të mëdhenjve sepse nuk e harxhon të plotë fondin e pagave, pra shton efektivitetin financiar. Këto tri pika janë kyçet e punës të një brigadieri të “zgjuar” në shoqërinë tonë: mirë me drejtorinë, mirë me traktoristët e specialistët që planifikojnë, keq me puntorët. Po të mbajë këtë taktikë, ai rron gjatë! Natyrisht, në sfond është gjithmonë sigurimi prezent.


62

Lekë Tasi —

Mbas disave që diskutuan siç ia donte qejfi atij, d.m.th duke sharë veten për punë të keqe, foli Muameri-siç kam thënë, i deklasuar dhe pak naiv (i ka dëgjuar si duket fjalët për ulje normash), u ngrit dhe bëri një propozim të ndrojtur në këtë drejtim: “Tokat kanë bar, janë të padiskuara mirë; puntori s’bën dot normën, prandaj shkel cilësinë. Brigadieri ta shohi këtë punë, duke ulur pak normën”. Shkurt, ky ishte diskutimi i tij. Jorgji sikur e priste këtë. Iu lëshua me ton kërcënues, duke e akuzuar se po i nxit puntorët të bëjnë punë të keqe. “Si thua ti e pyeti, sepse qënka e vështirë parcela, u dashka shkelur cilësia? Jo, neve s’na vlen ajo që thua ti, është tezë armiqësore. Mbas tij u ngritën dy tre servilë për t’i bërë qejfin, midis tyre edhe një i deklasuar. Ky i fundit m’u duk edhe më i pabesë, sepse përdori një argument të drejtë në këtë kontekst të padrejtë. “Mirë këtu, tha duke iu drejtuar me një ton sfidues Muamerit (e dinte që sytë e presidiumit ishin mbi të), mirë këtu që ka bar, por javën e kaluar që s’kishim bar, pse u punua shkel-e-shko? Këtë si e shpjegon? “Muameri s’dinte ç’të thoshte, sepse ajo fjalë e fuste në thelb të çështjes. Që t’i përgjigjeshe duhet të hidhje poshtë krejt sistemin. Në fakt, puntori tanimë bën hile jo vetëm aty ku puna është e vështirë, por edhe ay ku është e lehtë, sepse të tilla janë marrëdhëniet me punëdhënësin, i cili s’i jep as një çerek të asaj që i takon, me një fjalë e shfrytëzon, prandaj ky mundohet të zhvatë kudo që të jetë. Nuk ka marrëdhënie mirkuptimi me të, por pikërisht antagoniste! Në këto e sipër hyri i deleguari (një llogaritar fytyrë-thatë që punon në kooperativën pranë dhe banon këtu). Pyeti si është puna dhe brigadieri e informoi mes heshtjes se përgjitshme për fjalën e Muamerit. “Punë armiqësore” tha ai menjëherë si ndonjë papagall i mësuar vetëm me një batutë. Atmosfera u bë shumë e disfavorshme për Muamerin. U ngrita dhe u mundova ta lehtësoj duke u kapur pas një fjale që na ka thënë vetë brigadieri jo shumë ditë më parë kur rreshtat ishin plot me bar, punoni mirë ju, se sa për pagën e shohim.. “Pikërisht këtë kërkon dhe Muameri u thashë, ta shihni dhe t’ia thoni puntorit qartë para se të hyjë në parcelën e keqe: e ke normën kaq, 300 po e zëmë, e jo 500. Atëherë ai punon mirë e pa merak, dhe ju mund t’i kërkoni cilësi. Mirpo ata s’mund ta pranonin këtë sepse, po të lidhet brigadieri me një marrëveshje të tillë, puntori ia kërkon gjithnjë, fiton të drejtën të


Grabjani rrëzë kodrave

63

diskutojë normën, gjë që s’e duan në asnjë mënyrë. S’më lanë të vazhdoj. Me ndërhyrjen time, nuk arrita gjë veç se të më shikojnë edhe mua me po atë sy si Muamerin. Pastaj u ngrit Fejziu dhe ia hodhi fajin mekanikës që nuk i plugon mirë tokat dhe kështu bëhet shkak që të mbijë bari që e mbyt kulturën. Ka punuar në bujqësi në Tiranë prej kohësh dhe i di këto mirë, se këto probleme janë kudo. Në këtë drejtim folën dhe të tjerë. Kjo lloj kritike u pranua nga presidiumi, nuk u kundërshtua së paku, jo për gjë, por se në atë formë nuk u prish punë. Ajo në fakt nuk i nxjerr në shesh allishverishet brigadier-traktorist, nuk i vë gishtin plagës. Shaje mekanikën, atyre s’u bëhet vonë. Përderisa numuri i traktorëve është i vogël, brigadierët do t’i bëhen lutës përgjegjësit të tyre, dhe natyrisht ka për të akaparuar traktorin në kohën optimale ai që është më i aftë të shkelë radhën, pra më i pandershmi. Pastaj ç’dobi mund të sjellë një kritikë që bëhet dy-tre muaj mbasi është bërë plugimi e diskimi dhe e paadresuar në emër? Ndryshe do të ishte të ngriheshin puntorët e t’i thonin brigadierit: ne s’futemi në parcelë; le të venë ta prashitin traktoristët, filani dhe filani, dhe ti vetë që i ke paguar. Por kjo do të ishte grevë… Mbledhja mbaroi ashtu si donin ata të presidiumit. Kam vënë re që këta kërkojnë sa më shumë diskutime nëpër mbledhje kjo ka qënë dhe në fermën e Tiranës. Presidiumi i nxit puntorët të ngrihen, bile i merr me radhë siç janë ulur, duke i detyruar të flasin. Meqë burrat në përgjithësi s’e kanë qejf rolin e nxënësit që dërdëllet mësimin përmendësh, atëherë ngrihen vajzat njëra pas tjetrës për të mbushur numurin e diskutimeve. Hedhin flokët prapa dhe fillojnë: Jemi mbledhur këtu për të.. Shprehem dakord me ato që u thanë në raport, kritikojnë veten për punë jo të mirë dhe përfundojnë përsëri njësoj: Zotohem se do të punoj mirë që nesër e tutje, nuk do të bëj mungesa etj. Të gjithë ç’janë aty e dinë që këto janë fjalë kot; asgjë nuk do të ndreqet nesër më tepër nga ç’është ndrequr me vjete. Por s’është dhe kaq e kotë. Për presidiumin kjo ka rëndësi sepse ripohon nënshtrimin. Nesër puna do të vazhdojë e njëjtë si deri sot, megjithatë ata e kërkojnë këtë formalitet, si ai që bën një ritual për të larguar xhindet. Dhe në fakt, me një kolektiv të tillë që shprehet sipas kallëpeve të paracaktuara s’kanë pse të trëmben. Ç’do të ndodhte po të ngrihej ndonjeri (por jo i deklasuar)dhe me naivitet e thjeshtësi të flasë atë që


64

Lekë Tasi —

mendon, jo për politikë (atë jo!) po pikërisht për punën, e t’u lërë radhën të tjerëve të bëjnë po ashtu!? Vetëm duke e dëgjuar, pa e aprovuar, atyre të presidiumit do tu delnin avaze me ata më lart… Por edhe që mbledhja të kalojë e tëra në heshtje, të mos flasë askush, edhe kjo i shqetëson, se do t’u kujtonte që salla është e mbushur me të deklasuar që dallohen për heshtje. Prandaj që të mos ndodhin këto variante, nxisin vajzat, dhe qysh atëherë ky zakon ka zënë vend, i njëjti gjithmonë. Si mbaroi mbledhja disa shokë më qortuan që fola. Tanimë ësht një gjë e pranuar nga kategoria jonë, dhe bërë zakon, që s`duhet folur nëpër mbledhje, as mirë as keq. Nuk nxjerr gjë me të folur thonë, dhe ndofta kanë të drejtë. Por edhe s`dihet them unë, vallë nuk nxjerrim gjë më të folur, apo sepse s` kemi folur qysh në krye, prandaj s`kemi nxjerrë gjë? Edhe nëse nuk arrihet gjë me fjalë, prapë më duket pakëz i tepëruar ky përcaktim i qartë i kufirit mes nesh dhe atyre, kjo dorëheqje e plotë. Duhet edhe pak “paqartësi”, rrëmujë ose improvizim. Ta ndiejnë edhe ata se nuk ësht kaq e thjeshtë. Përndryshe, ne mbetemi po duke u tërhequr, ata vër një kufi çdo herë që duan, dhe ne respekto...

31 Maj 1976 Sot në mëngjes sa dola nga Sektori, gjeta brigadierin dhe e bëra rrugën me të. “Ç’të duhej ty më tha menjëherë, që i dole në mbrojtje atij?” Toni i tij ishte këshillues, gati dashamirës. S’dinja a t’i besoj, se nuk e njoh plotësisht. Kam shpresuar nga fizionomia që të ishte, në mos i sinqertë, por së paku i bindur në të vetën. Mbase ky nënshtrim total ndaj sistemit, fanatizmi me të cilin kërkon punën i ka bërë vend si një bindje e sinqertë, si e vetmja mënyrë për të jetuar, meqë është ky sistem dhe kjo qeveri që ka tharë kënetën, që solli traktorët dhe fundja që e ka bërë brigadier, pra që e ka vënë në një vend të rehatshëm por edhe me anën e të drejtës.. Ekziston një bindje tek njeriu mesatar se kur punët ecin mirë për atë vetë, mirë duhet të jenë edhe për të tjerët, dhe kush e prek këtë rregull është armik. Për ata s’ka faje të vogla ose të mëdha, kështu që ai që propozon diçka kundër normës, zbulon qëllime të këqija njësoj si ai që djeg grurin po e zëmë.


Grabjani rrëzë kodrave

65

Desha ta prek në sedër, dhe në vend t’i përgjigjesha, i thashë me një farë tahmie: “S’bëre mirë që e sulmove Muamerin. Me puntorë si ai ti nderohesh; duhet t’i mbash, jo t’i luftosh”. Nuk m’u përgjigj por s›vura re ndonjë efekt siç mendonja. Më hidhte shikime të vëmendshme dhe mbas ca kundërshtimeve të tjera e ca fjalëve pa ngjyrë (për të mos u shpallur hapur as unë as ai) arritëm në parcelë ku më caktoi punën. Nuk u ndamë keq, po pikërisht për këtë them se do të më luftojë tani me mënyrën e tij të fshehtë dhe sikur s’po bën asgjë. Unë e studioja, por më tepër ka rëndësi që më ka studiuar ai, dhe ka shumë mundësi edhe për hesap të tjetërkujt… Këtu brigadierët janë kush më tepër e kush më pak, të gjithë informatorë, dhe sigurisht asnjërit nuk i bën fort përshtypje që ndonjërin mund ta kenë prurë këtu të pafajshëm, dhe që vuan pa të drejtë. Kjo është një kategori mendimi e panjohur për ta. Veç kësaj as e kanë idenë e vuajtjes, sepse janë vetë të kalitur, e kanë normale punën në fushë ose, edhe nëse e urrejnë, nuk e mendojnë tjetrin qoft pakëz si veten e tyre. Me një fjalë ky është një vend i ashpër. Një ditë ky brigadieri im po i bënte ca vrejtje mistrece një punëtori brënda në kanal, po kaq të tepruara sa ai i bërtiti i nervozuar: “E sheh si jam bërë, tërë djersë? Kurse ti më rri aty..” “Po të isha aty-ia ktheu ky si pa gjë të keqe-do të isha dhe unë me djersë”. Unë qesha me këtë përgjigje, dhe ai më vështroi me atë të qeshurën e tij naive e njëkohësisht tërë djallëzi. Me një fjalë i ka të qarta punët e tij, kjo është e keqja, dhe ashtu vazhdon, pa ndonjë lëkundje.

2 Qershor 1976 Kaluan dy ditë nga mbledhja dhe sot erdhi vazhdimi. Jorgji patjetër ia bëri raportin Byrosë Sektorit, kështu që sot na vjen Lika, sekretar i partisë për bujqësinë. Brigada ishte mbledhur te sheshi për të marrë planin. “E shihni këtë?” tha duke treguar Muamerin me gisht. Toni i tij ra si thikë, u ndje menjëherë se do të bëhej demaskim. Vazhdoi: “Ne i kemi dhënë dorën, ai vjell vrer. Është gjarpër! E kemi liruar nga internimi, po s’heq dorë, se është armik, nuk i pëlqen shoqëria jonë, s’i pëlqen Socializmi!


66

Lekë Tasi —

Po mos kini merak! Dikatura e proletariatit ia shtyp kokën, këtij dhe atyre që mendojnë si ky (ma hodhi mua). U kemi dhënë të drejtën e punës, të drejtën e dyqanit (kupto: të drejtën për të blerë në dyqan), po këta e duan ndryshe. Ja ku po ju them: norma është ligj! Dhe të hapni sytë me këta. Kur të tjerët të derdhin djersë, këta të derdhin gjak!” Muameri kokëulur, me duart të lidhura prapa, vinte buzën në gaz, por ishte i prerë, bërë dyll në fytyrë. Një herë bëri një ndërhyrje të ndrojtur si për të zbutur punën, sikur po e hidhte në shaka, sepse i vinte turp që po e shikonin veç brigadës edhe të tjerë, kureshtarë aty rrotull, njëherë bile zgjati dorën ta kapte prej mënge Likën, po ky u ndez më keq dhe gati e shtyu. Norma është e shenjtë-mjerë kush e prek atë! Kjo doli nga ky demaskim. Dhe a mund të mos thuhet tani që fjala e hapur në Fier është kurth nga lart, që të krijohen tema të tilla, dhe pastaj të vijë grushti që t’i vërë në vend gjërat?

14 Qershor 1976 Te gruri Vazhdon korrja e grurit. Na kanë çuar në tarracat përmbi Sektor. Bën vapë, por në këtë parcelë kemi një favor, se toka është e pjerrët dhe kështu, e zëmë punën poshtë e shkojmë lart, nuk na dhëmb fort mesi, përkulja është më e pakët. Ditën e parë, mëngjes herët, do të fillonim në një ngastër të rrethuar nga tri anë me pyll. Ishte një cicërimë zoqsh, një freski, një vesë, dhe s’na bëhej të ngriheshim dhe të fillonim. Jemi të tre bashkë me Ferdinandin dhe Fejziun. Të nesërmen zbritëm më poshtë, afër rrugës për Divjakë.përgjatë tarracave ka qershi, por natyrisht s’ka mbetur asnjë kokërr. Varim trastat me gjithë pagure në ndonjë degë me hije, u vëmë një dorë gjethe përsipër, dhe e zëmë punën me sulm, me pahir. Ndryshe s’bëhet. Pak më lart se këto tarraca, nga ana e rrugës këmbësore e Divjakës, që pret shkurt, janë nja 4-5 rreshta lajthi, të mbjella kush e di në çfar hov entuziazmi nga ndonjë agronom. Sigurisht askush s’ka menduar më qysh atëherë për t’i punuar. Janë rritur vetë deri në një farë lartësie, por të mbytura nga barërat dhe ferrat.. As i ka kush në hesap. Vetëm fëmijët i vjelin rregullisht, por gjetëm edhe ne ca kokrra.


Grabjani rrëzë kodrave

67

Nuk e kaluam keq. Kur bënim pushim sot te gjineshtrat (që i përdorim për të lidhur duajt), na vizitoi dhe një gjarpër, i cili na shkoi fare afër pa ndërruar rrugë. Por këto tri ditë do të më mbeten në kujtesë, përveç se për atë mëngjesin e shkëlqyer të ditës së parë, edhe për një gjë tjetër. Fejziu kishte me vete radion e dorës dhe në një pushim që bëmë dëgjova të recituar nga Vittorio Gasman një poezi që fliste për testamentin që një baba i lë të birit në kohën e okupacionit gjerman (s’e kapa dot emrin e autorit, por më ngjan se ishte grek). Mbyllej me këto fjalë: “ Edhe unë e shqiptoj po-në e përditshme të nevojës, por mbaj brënda meje të gjallë Jo-në e paepur te rezistencës!” ua përktheva shokëve, dhe pastaj mendoja me vete: Vallë a na ka mbetur edhe neve, ndopak jo, të zhytur siç jemi nje jete të tërë në këtë po që s’mbaron kurrë?

17 Qershor 1976 Këto javë mbas demaskimit të tij, Muameri na është larguar, sidomos mua dhe Fejziut. Por pardje më habiti mjaft, se mu afrua në një mënyrë të tepruar. Duke u kthyer me makinë nga puna, erdhi e zuri vend pranë meje te spondi, dhe filloi të fliste, herë-herë edhe me zë të lartë për të mbuluar zhurmën. Unë vështronja rrotull se mos po na dëgjonte kush, sepse ajo që po më thoshte ishte delikate në mos e rrezikshme, sidomos për atë vetë. Dhe mjaft e çuditshme. Më konfidoi se tamam të djeshmen e demaskimit të tij e kishin thirrur në Byro. Caci, sekretar partie i Sektorit me Liken (ai që e demaskoi të nesërmen), dhe i kishin folur me ton shumë të butë, duke e quajtur djalë të mirë, puntor dhe të ndershëm. “I njohim edhe ata që duan të bëhen të “mirë” me ne dhe të sulmuan ty” i thanë. Fjala është për atë të deklasuarin që bëri polemikë me të në mbledhje). “Ai është më i goditur se ti nga partia, por shitet sikur na do”. Ti bëre gabim-i thanë-që fole për normën, sepse atë e ka vendosur qeveria dhe partia, ne s’kemi në dorë ta diskutojmë megjithse ti e pate me qëllim të mirë..” Tani pyes unë, pse vjen e m’i thotë mua këto. Vërtet ka mendim të mirë për mua, por kohët e fundit e kishte prerë çdo kontakt. Nga frika sigurisht. Por tani, pse ky guxim? Nga ana tjetër jam kureshtar


68

Lekë Tasi —

të shpjegoj sjelljen e atyre të dyve në takimin me të, dhe pse kthesa e Likes të nesërmen. E para duket si një inkurajim për të deklasuarit e ndershëm dhe përbuzje për servilët. Po demaskimi të nesërmen, pse?

19 Qershor 1976 Sot desha t’i vë në provë marrëdhëniet e reja me Muamerin. I shkova afër dhe i fola. Të tjerët ishin më tutje. Pa më vështruar në sy, kokëulur, mërmëriti diçka dhe u largua. Mbeta keq me këtë sjelljen e tij. U habita më tepër sepse me Ferdinandin, jo vetëm flet por është bërë dhe llafazan, bile shumë i bezdisur, aq sa ai ia preu një ditë keqas, faqe të gjithëve. Megjithatë Muameri e duron mospërfilljen e hapur me të cilën e trajton ai, i flet, i flet pa pushim, sikur do t’i mbushë mendjen për ndonjë gjë. Nganjëherë pastaj i shoh në një bisedë të qetë, bile konfidenciale dhe të përzemërt. Nuk di si e kanë punën.

25 Qershor 1976 Na ka ardhur një përgjegjës i ri. Është i treti që ndërrohet qysh kur jemi ne këtu. (I pari ka qënë një që u bë brigadier pastaj, i dyti një lushnjar që e hoqën shpejt). Ky i riu hipi sot në makinën tonë kur po ktheheshim nga fusha. Mu duk i sjellshëm, foli me ata që kishte afër rreth tokave. Kishte dalë për të parë parcelat. Më thanë që ka pasë luajtur mirë futboll, por të jep përshtypjen edhe të intelektualit.

26 Qershor 1976 Eshtë hapur një fermë e re në afërsi të Karavastasë, larg kodrave tona, në tokat e bregdetit që po çkripëzohen. Bedat quhet vendi. Të gjithë flasin për të si për një fermë me perspektivë. Kanë nevojë për krahë pune dhe prandaj kanë ngritur 10 ndërtesa 4-katëshe. Kush kërkon, i japin hyrje. Por nuk ka ujë, e çojnë me autobot; kjo i vë në ngurrim njerëzit. Veç kësaj s’ka dhe pyll për dru zjarri, dhe ma merr mëndja atje të fshin era e detit. Disa thonë se po bëhet lista dhe do të çojnë me zor. Të tjerë kanë kërkuar


Grabjani rrëzë kodrave

69

me kohë t’i çojnë, por nuk i shpien se janë të deklasuar. Në fakt, atje ka të internuar, por i ka çuar Ministria. Ca harixhinj po bëhen gati të shkojnë; por s’po u vjen leja. Parulla “Ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia” si duket zbatohet me hile. Atë që do populli, partia e bën dhe s’e bën, kurse atë që thotë partia, populli do ta bëjë me një këmbë. Por dhe populli shumë herë bën si i thotë koka. Shëmbull: Mamaja është rrobaqepëse. Këtu puna private është dhe më e ndaluar se në Tiranë. Mirpo, klientët nuk mungojnë, ca vijnë natën, me frikë; ca vijnë ditën, hapur fare.

28 Qershor 1976 Më demaskuan dhe mua. Ma kishin nisur që ditën e mbledhjes, këtë e ndjenja kohët e fundit në ndryshimin e shikimeve të njerëzve të partisë, dhe sebepin e gjetën me një gjë qesharake. Para pak ditëve patëm punuar me Fejziun afër një harixhiu. Ky është nja 35 vjeç, e ka lënë gruaja, dhe shpesh vjen pa bukë në punë, sepse e gënjejnë e i marrin paratë gjoja për t’i gjetur nuse. Kishim marrë rrogë të djeshme”, dhe ky, Agim e thonë (e ka ndërruar nga Et’hem në Gimi, qysh kur vajti një herë në Tiranë, i duket më moderne) na tha që i mungonin 5 ditë. Është ndër më të rregulltit në brigadë, prandaj u habitëm për këtë ndalesë. I mora në shënim datat, dhe vura re që i ishin hequr pak a shumë ato ditë që kishte punuar afër nesh; duket një harresë e Jorgjit. Faji im qëndron pse interesohem në zyrën e llogarisë. Pse të pyes për ditët e tjetërkujt… Ia thashë dhe Jorgjit. Ia ke harruar pesë ditë Gimit. Të garantojmë ne që ka punuar ato data se e kemi pasur afër. Si erdhi mirë. Por gafa jonë e madhe ishte që i thamë: mos ki merak, nuk ia themi tjetërkujt, vetëm shkruaja herën tjetër. Na dëgjoi me një shprehje ironike në fytyrë dhe s’na u përgjegj aty për aty, se e ka zakon të godasë me anën e Sektorit. E ndjeva që aty që shkelëm gabim. Edhe këtë radhë e bëri me anën e Likes, ngaqë çdo gjë duhet raportuar në parti. Dje në mëngjes, ndërsa po pritnim të merrnim planin erdhën të dy, dhe pas tyre llogaritari që më tregoi shifrat atë ditë. Ky i fundit ishte i mërzitur që duhej të merrte pjesë në atë skenë. Foli i pari duke bërë autokritikë (që pse më sqaroi për pagën e tjetërkujt), por dukej sheshit që e kishin shtërnguar.


70

Lekë Tasi —

Pastaj Lika, sekretar partie, m’u drejtua mua: “Kush të jep të drejtën të vesh në llogari e te kërkosh ditët i puntorëve?” Iu përgjegja: “Pashë ditët e mia, pastaj dhe të tijat, se e di që ia kanë harruar, dhe është i pashkollë, prandaj” “Ka partinë ai! S’ka nevojë nga ti t’ia gjesh të drejtën.” “S’ka asgjë të keqe” iu përgjigja. Toni im i qetë e nxehu, sepse i thoshte mendja që duhej t’i kërkoja të falur. M’u vërsul i skuqur: “Shkoi koha jote (pata një përshtypje aty për aty se më kujton nga ata të Beqirit)? Pastaj iu drejtua brigadës duke më treguar me gisht. “Këta janë plehra që i ka hequr fshesa nga Tirana!” “Këtë fjalë nuk e pranoj” i thashë, po ti përfiton se ke postin. M’u përgjegj: “Po të duash, e lë dhe postin, dhe e gjejmë ndryshe” (d.m.th me grushta). U trondita nga ky ekspozim që më bëri në sy të gjithëve, dhe po të kisha një shans të vogël, do ta pranoja me qejf atë që propozonte, por ajo s’bëhet. Vajta iu ankova Gurit, por pa rezultat. Ky shkon keq me të, i përkasin tarafeve kundërshtare), por sigurisht s’mund të marrë anën time kundër tij. Më tha: “Ti mund të kesh të drejtë, por ai përfaqëson partinë, ka gurin dhe arrën”. Pasdite takova Thomanë, dhe ia tregova. “Jeni në përpunim, më tha, prandaj jua bëjnë këto. Kini mendjen se do t’ju bezdisin edhe më.” Kjo shprehje në “përpunim” është siç më shpjegoi, faza kur Sigurimi i bie në qafë sistematikisht dikujt për ta bërë vegël. Prerje page, kritika të dendura, friksime, demaskime, që të demoralizohet dhe t’u kërkojë mbrojtje. Këto i dinja që në Tiranë, Thomai tani vetëm sa m’i rifreskoi, se Tefta dhe Ylli i kanë provuar, e para qysh në kohën e shkollës, bile dhe me ca ditë burg, e pastaj përjashtim nga rinia dhe nga çdo punë tërë jetën, kurse i dyti veç rinisë, dhe një vit burg në Bulqizë për një refuzim të ashpër që i bëri këtij “përpunimi”. Kisha ndërmend të kërkoja takim operativit, por pas kësaj fjale, ngurrova pak, sepse është pikërisht kjo që kërkojnë ata. Por prapë, në qoftë se nuk ankohem, ata do të mendojnë se jam trembur dhe do të shtojnë dozën. Duhet t’ua heq këtë mendje qysh në fillim, përndryshe do të vazhdojnë presionet.


Grabjani rrëzë kodrave

71

29 Qershor 1976 Pasdite erdhi Nuriu dhe bënte xhiro para klubit, në dispozicion të cilitdo që do te donte t’i fliste (tamam ajo që tha Thomai). Iu afruam me Yllin. Na priti shumë mirë. Ia tregova çështjen, dhe e pyeta a mund ta ngre në gjyq për fyerje, dhe si bëhet. Nuk m’u përgjigj menjëherë, por më tha: “S’ke bërë asgjë në kundërshtim me ligjin. Asgjë të keqe s’ka të interesohesh për një puntor tjetër, ata bile duhet të të falenderojnë që i sinjalizove për këtë çrregullim, që ua lehtësove punën.. Por Lika, shtoi, do që të mbulojë ato dallaveret e tij-dhe bëri një gjest me dorë, prandaj të sulmoi. Sa për gjyq, s’ta këshilloj. Ti po deshe, bëje, por s’fiton”. Me një fjalë, s’arrita gjë. Por, i befasuar nga kjo gjuhë e tij e hapur, nuk insistova, se e kuptova që nuk do të nxirrnja gjë (ata mund edhe të mos e çojnë fare padinë, ose “të ma gjejnë ndryshe”) As e pyeta se si ndoth që të kem të drejtë dhe gjyqi të mos ma japë, as edhe se si ata e ditkan ç’dallavere bëjnë, dhe prapë i mbajnë në poste. Nuk më binte mua t’i bënja këto pyetja; prej kohësh është vendosur ai rregull që mund të ankohesh për ndonjë gjë, por kurrë të kërkosh llogari… Ai ndërkaq vazhdoi të na fliste, për partinë, për drejtësinë e vijës etj. dhe meqë toni i bisedës ishte me mirëkuptim, ai e sillte si jashtë diskutimi edhe aprovimin tonë. Kjo s’më pëlqennte, dhe po e digjonja pa fort pjesmarrje. Ai e ndjeu ndoshta dhe më hodhi një “më kupton?” “Jo” i thashë me mirësjellje. Më vështroi një copëherë me ngulm, pastaj vazhdoi në të tijën, veçse pak më vonë e ndërpreu fjalën sikur u kujtua për diçka, dhe na tha si me kunjë: “Shikoni, se mos e lexoni shtypin së prapthi!” dhe filloi të përmendë nga pak edhe luftën e klasave. Pavarësisht nga këto presione indirekte, me tonin e tij dukej një farë respekti. Bile nga një frazë e tij u duk që ishte informuar posaçërisht për familjen tonë (në favor) prandaj më ra dyshimi se donte të bënte përpunim. Donja t’i besoj, dhe me gjithë shenjat që më bënte Ylli për ta mbyllur me kaq, unë e zgjata, sepse nuk donja të kujtonte se i hëngrëm të gjitha ç’na tha. Ç’kuptim ka të na hiqni nga profesioni, të na shkulni andej dhe pastaj të na dorëzoni te këta këtu, që të bëjnë ç’të duan me ne?” Ai s’mu përgjegj për këtë pikë, s’kishte se si, por me gjithë naivitetin e pyetjes sime, mu krijua përshtypja se sa më inteligjentë të


72

Lekë Tasi —

jenë elementët – i tillë është ky – aq më me qejf e luajnë rolin e butë tani. Kurse kur shkojnë e raportojnë atje, duhet ta kenë të vështirë të lozin luftën e klasës. Gjithsesi ky takim më la një shijë të keqe dhe u pendova që e bëra.

5 Korrik 1976 Rradha e qumështit zihet që me natë.. Tani ka hyrë në modë të bëhet me listë. Listën e bën ai që shkon më herët ose një që e merr përsipër të mbajë rregull për atë javë. Para ca ditësh e bëri Tefta listën, por një Librazhdas ia mori nga dora dhe ia grisi (i internuari nuk ka të drejtë të bëjë asnjë detyrë shoqërore). Sot e thirrën Teftën në këshill që t’i kërkonin llogari pse nuk i përgjigjet thirrjes së Sektorit për të dalë në fushë. Ishin mbledhur këshilli dhe ca brigadierë. Aty brenda ishte dhe ky element. Tefta e dalloi prapa një antari dhe nuk priti ta fillonin ata fjalën. Ia tregoi me gisht Jovanit, kryetarit të këshillit, duke i thënë: “T’i hiqni vrejtjen këtij se sillet arrogant me popullin” dhe e rrëfeu ndodhinë. Reagimi i Jovanit qe i butë, bile i qeshur, kurse disa të tjerë e vështronin egër. Kurse për punën në fushë ua preu shkurt që nuk del. Dy gra të tjera ndër to Myneveri, u treguan të gatshme, por ngarkesa e punëve që kanë në shtëpi nuk mund të krahasohet me të Teftës.

10 Korrik 1976 Në Stravec, matanë kanalit, tek faqja e kodrës që ka një ultësirë në mes, kooperativa ka ngritur një kapanon të gjatë për pula. I bërë me dru të holla qarri, duket sikur mezi mbahet në këmbë, i mbuluar me bar. Ka disa qindra pula e zoga, të gjitha të bardha. Kur prashitim në parcelat e afërta, shohim një vajzë fare të re që vjen e u hedh pulave; pastaj shkon ulet në një gorricë të vogël pak më tutje e thurr triko. Kjo skenë më pëlqen shumë. E kam provuar dhe vetë një herë në ushtri këtë lloj pavarsie, kur shërbenja në një stallë kuajsh. Brënda një lugine të mbyllur, i vetmuar krejt.


Grabjani rrëzë kodrave

73

Dy gjëra po shoh nga ky internim: shpresa më vjen nganjëherë, ashtu pa e kërkuar, si një valë nga brenda që të qetëson dhe të thotë se nuk do të vazhdojë gjatë kjo punë. E dyta është për mbrëmjen. I jam mirënjohës këtij cikli të vogël lodhjeje dhe ripërtëritjeje që është 24 orëshi. Ai më ndihmon të jetoj, ma thërmon shkëmbin që më është caktuar të mbaj. Matem përdit me një cefël të tij, dhe sa për pjesën që mbetet, ajo rri fshehur tek ditët që vijnë, e përzier gati gjithmonë me një kaltërsi shprese. Më mjafton të mendoj për këto që kam përpara, dhe këto që kam përpara, mbarojnë sonte.

13 Korrik 1976 Dyqani po na mundon, se na ha kohë dhe na bën me fjalë. Tefta kthehet e lodhur, por sidomos e mërzitur andej; kjo është e përditshme. Zakoni i tyre është të zënë radhën dhe të ikin. Vijnë më vonë dhe hyjnë e marrin. Shokët e tyre ua njohin radhën. Kështu nga tre-katër veta që gjen Tefta aty kur dyqani s’është çelur dhe ajo zë radhën, arrin e bëhen pesëmbëdhjetë kur fillon shitja. Pastaj, afrohet për të marrë mbas disa orësh, kur vijnë dhe të tjerë njëri pas tjetrit dhe i futen para. Demoralizohesh ta shohësh veten larg e më larg shitësit, sepse veç atyre që e kanë radhën, futen të tjerë duke përfituar nga shoqëria. Dhe po të protestosh, të bëhen të gjithë kundra. Furnizimi është i mirë por në sasi të pakët, prandaj bëhet lufta. Në mbrëmje dyqani boshatiset duke lënë rregullisht klientë duarthatë. Shitësit i shërbejnë jo fort me qejf dorës tonë, për të mos thënë se ne gëzojmë antipatinë e tyre. Por faji është i presionit që ushtrohet mbi ta dhe i dizinformimit që u bëhet për ne. Sikur të lirojë dorën qeveria, mirkuptimi vjen , sepse do të mbizotëronte tipari i thjeshtë i fshatit, që do shokë. Një pjesë nga të deklasuarit kanë gjetur një mënyrë për të shmangur dallimin: Përzihen, hyjnë në muhabet me ta, i lënë të marrin pa radhë. Kjo e rëndon jetën e atij që proteston për çrregullimet, se mbetet vetëm. Preokupacioni më i madh pra, është të blesh në dyqan! Janë gati dymijë banorë me një shitës perimesh dhe një ushqimesh. Pra, puna në bujqësi me të gjitha vështirësitë, me shiun, lodhjen dhe diellin nuk është dënimi kryesor. Për mua dënimi është ky i të priturit te dera e


74

Lekë Tasi —

dyqanit! S’është vetëm pritja, mërzia, por ky organizim i mbrapësht, sikur të fyen vazhdimisht, të tërbon.

16 Korrik 1976 Sot u bë arrestimi i një djali kosovar. (Është një familje e ardhur këtu qysh nga viti 60, vllanë e ka brigadier) Mbasdite te Çezma e Ëmbël, në vendin ku dalim për të pritur makinën, erdhën dy gaze. Zbritën oficerët e Degës, nja 5 a 6 dhe u përhapën. Ishin tri brigada që prisnin. Ismaili na kaloi afër, unë isha me Fejziun, dhe për luftë nervash më hodhi një shikim të egër, kurse Fejziut i pyeti emrin. Hajdari (djali kosovar) ishte pak më tutje. E thirrën me një gjest të dorës dhe e veçuan. Para se ta fusnin në makinë, na mblodhën rresht dhe e “demaskuan” duke e akuzuar se ka folur kundra pushtetit. Kur po vinim rrugës, disa gra flisnin mes tyre, që … nuk rrinte urtë, shoqërohej me gjithfarë njerzëzish; kishte vajtur gjer në Librazhd!!! E vërteta është se ka bërë një kurs për elektriçist dhe nuk donte të punonte në bujqësi, prandaj kërkonte punë jashtë, ku të gjente.. Por, më pëlqeu kur i vunë hekurat. Nuk iu tremb syri. I vështronte drejt në sy dhe egër bile.

18 Korrik 1976 Në fund të tokave të Sektorit është kanali i madh. Si një lumë, shumë i rregullt (që na ndan nga Çerma). Po prashitim misër, dhe këtë kanal e kemi fare afër. Sot i mbuluar me polenin e verdhë të misrit, që të ngjitet në trupin e djersitur dhe të bën të kruhesh, u futa në ujë. Si u freskova mirë, hëngra bukë dhe formova një hije në misër për gjumë.

20 Korrik 1976 Në kohën e drekës sot, brigadierët ishin brënda në kasolle (kishin ardhur për një konsultë a eksperiencë.. nuk e di). Kurse unë isha shtrirë jashtë kasolles, në hijen e strehës.


Grabjani rrëzë kodrave

75

Mbas mbledhjes rrëfente njëri prej tyre se si kishte vajtur mik në këto fshatra rrotull dhe thoshte: “.. si hëngrëm drekë, më kapi syri ca gjalpë në një qyp. Më mbeti pishman që s’i kërkova ndonjë kile. Do më jepte se ma ka interesin”…

22 Korrik 1976 Vijmë nga puna, lahemi, vishemi dhe dalim në apel me një kureshtje dhe një lloj sfide. Na duket sikur do të ndodhë diçka, sikur do të matemi me ta. Vjen shpesh Ismaili ose Nuriu, ose të dy. Afrohen të tre me Gurin. Heshtje. Vështrojnë gjatë. Guri pyet nëse ka kush ndonjë kërkesë, ose gjë tjetër. Përsëri heshtje. Është një moment me tension të veçantë, dhe gati na vjen keq që merr fund. Sepse është aty që presim lajmin që do të na lirojë, por edhe çdo gjë tjetër, një ndryshim, një komunikim çfarëdo, mjaft për të patur një lëvizje që do të na ndryshojë në këtë fushë-shahu me gurë të fiksuar. Kjo pritje është e përgjithshme. Kam vënë re që edhe vëndasit janë të etur për ndryshime. Duken si të fjetur, sikur s’vënë re gjë, por po të thotë kush një fjalë të pazakonshme në fushë siç janë të rreshtuar në mezhdë e po hanë bukë, zgjat kokën ai i fundit, që s’e kapi mirë, dhe pyet: Çfarë? Si the?

24 Korrik 1976 Ka ardhur një grup studentësh të Universitetit për aksion, djem e vajza. I kanë strehuar në kinoklub. Ne bëjmë rrallim misri hamullor, ata prashitin po aty. Në mbrëmje shëtisin nëpër sektor, hyjnë nëpër dyqane shkojnë në çesma, lahen. Janë të veshur si për kamp pushimi, me kapele e sandale plastike, vajzat me pantalona. Shumë nga të rejat e këtushme duan t’i imitojnë dhe një ose dy kanë guxuar ta heqin fundin që këtu në fshat është i detyrueshëm mbi pantallonat e punës. Këmbehen shikime midis tyre dhe vendësve, midis tyre dhe të internuarve. Vajzat sidomos shikojnë me kureshtje analoget e tyre (studentesha të kthyera në puntore elegante si prej katalogu mode) kur


76

Lekë Tasi —

bëhet apeli. Disa njihen mes tyre qysh në Tiranë por nuk guxojnë të flasin.

28 Korrik 1976 Para ca ditësh ka qënë në Pluk Hysni Kapo. U paska lënë porosi të sillen mirë me të deklasuarit, se janë bërë teprime dhe s’duhen përsëritur. Kjo ka ngjallur shpresa, megjithëse në praktikë nuk shohim asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre. Vendësit që na kanë në dorë,duan të shohin gjëra konkrete për ta ndryshuar sjelljen. Për ta, ne jemi veç të hedhur poshtë, dhe nuk duan t’ia dinë për ç’arsye. I vetmi dallim që shoh është një konsiderate për të rrëzuarit e vonë (dua të them grupin e B. Ballukut, P. Dumes) se e kanë të freskët imazhin e autoritetit të tyre. Por shumica kanë një ide të paqartë rreth kategorive të tjera. Para disa vjetësh kishin prurë këtu një familje me shumë vajza, hequr për imoralitet nga Tirana (jevga). Me sa më thonë, ardhja e tyre e gjallëroi mjaft “jetën e natës” atë periudhë. Kështu që Ministria nuk i mbajti shumë, i riatdhesoi nja dy tre vjet para se ta vinim ne, që të rivendoste paqen në shumë familje. Vagabondazh, imoralitet, huliganizëm, këto kanë qënë motivacionet e internimeve këto dhjetë vjetët e fundit, kurse politikanët kanë stazh më të vjetër se 67-a. prandaj, disa nga të këtushmit, duke na parë pak ndryshe si dhe pa mobilje luksoze, janë në mëdyshje për përkatësinë tonë. Njëri kishte thënë për Kurtet “S’më ngjajnë si moralista këta” (kupto:imoralë). Me sa kam kuptuar unë, sektorët kamp të Myzeqesë mund të profilizohen me kategori të ndryshme: “Politikanë” të vjetër që u internuan më ‘45 në Tepelenë dhe u prunë këtu rreth ‘54-ës (Savër, Pluk, Gjazë, Gradisht) politikanë të rinj (të ‘66, ‘72, ‘73) dua të them (komunistë të rrëzuar), dhe politikanë të vjetër por të internuar rishtas, që jemi ne (Grabian). Çerma ka komunistë të rrëzuar dhe huliganë, kurse Bedati vetëm huliganë. Për Fierin nuk di gjë, por më duket se Shtyllasi përmbleth një numër të madh të kampit të Tepelenës (i tërë fisi i Ndreve) dhe më vonë kanë çuar atje mjekun dhe shkrimtarin e njohur Astrit Delvina.


Grabjani rrëzë kodrave

77

1 Gusht 1976 Tefta ishte pardje në Lushnjë por u rrëzua dhe vrau gishtin e vogël të dorës, dhe i ka mbetur i shtrëmbëruar.kishte vajtur për te dentisti por njëkohësisht që të kërkonte leje në Degë për Yllin, se puna e Librazhdit po zgjatet shumë. Kryetari, Tahir Malo e priti mirë. Prezent ishte dhe Ismaili, i ulur anash, jashtë rrezës së shikimit të saj, për të komunikuar me kryetarin me shenja. Kjo është vendosja klasike e tyre nëpër zyra. Mbasi parashtroi kërkesën e saj, kryetari deshi ta sondojë terrenin me disa fraza larg e larg, siç e kanë zakon, aq më tepër kur preja u vjen në shteg. Tefta i hodhi poshtë këto oferta por me mirësjellje dhe pa u kushtuar shume emocion, përderisa toni i tij ishte i qetë. Ndërhyri Ismaili për të bërë presion: “Kini makinë qepëse?” “Po” u përgjigj Tefta duke kthyer kokën nga ai. “Qep ti?” ia priti ai përsëri me ton të vrazhdë. “Jo” iu përgjigj Tefta, “unë jo; qep mamaja,” dhe vazhdoi; “Më vjen keq që nuk di të qep, se do të qepnja unë më shumë, se ajo është plakë”. Ai po bëhej gati të përgjigjej, por diçka në sytë e tij i dha Teftës të kuptojë se eprori i tij i kishte bërë me shënjë “Lëre”.

5 Gusht 1976 Është një kohë e shkëlqyer. Po prashitim sot dhe era e freskët frynte aq e fortë, sa na i merrte këmishat lartë duke na lënë lakuriq. Në tërë parcelën ishim vetëm ne të dy, unë me Fejziun. Isha i gëzuar nga ky fresk si në breg të detit. Flisnim mbarë e prapë, me zë të lartë. Ishim nga 30 metra larg njëri nga tjetri. Fejziu ma bënte me shenjë “Jo kaq fort!” pastaj qeshte.

10 Gusht 1976 Kam hyrë në korrje lule dielli. Proçes i rëndë. Gruri është i vështirë, por je disi më i lirë, mund të pushosh. Tek lulja, të hiqet dhimbja e mesit, por të shtohen gjëra të tjera: 12 veta me kominoshe ose xhaketa të mbërthyera gjer në fyt që të mos futet pluhuri e lëmizhdet në trup, korrim para kombajnës në piskun e vapës dhe nën një zhurmë


78

Lekë Tasi —

shurdhonjëse. Me njërën dorë korrim, me tjetrën mbajmë kuleçët dhe ia hedhim hedrit të kombanjës që na vjen mbrapa. Ritmi është i lartë, s’mund të rrijmë një çast, se na shtyp hekuri i hedrit në shpinë. Gjithë ditën, kjo punë. Vetëm kur mbushet bunkeri, çlodhemi pak minuta sa të shkarkohet në makinë. Te pusi i Bocit parcela është e çrregullt, të mbyt bari i lartë. Mezi çajmë përpara dhe nganjëherë këmba ngec nëpër gropa. Duart, fytyra na gërvishen nga degët e thata. Por si kompensim, mund të them se kurrë nuk e kam ndjerë si tani kënaqësinë e banjos së nxehtë. Sidomos ajo djegia e vendeve të vrara të lëkurës..

8 Gusht 1976 Mbrëmë na e bënë apelin edhe në mesnatë. Paskëshin marrë vesh se Thomai nuk ndodhej në shtëpi. Kurse aty u tha që kishte vajtur në vaditje me urdhër të brigadierit (centralizmi i tyre doli difektoz). Na thirrën nëpër shtëpira dhe dolëm të përgjumur te sheshi. Kur na erdhi Shyqo (i postës) rëndë–rëndë, Fejziu i tha prerë që kjo është e para dhe e fundit herë që ndodh kjo, dhe s’ka për të dalë më natën. Duhet të kenë punuar telefonat pastaj. Se sot në mëngjes, Shyqo i dha të drejtë Fejziut. “E kishte mirë ai shoku” tha gati duke i kërkuar ndjesë. Më habiti.

16 Gusht 1976 Misri është i madh; bëjmë vetëm prerjen e barërave të rritur. Më pëlqeu kjo punë qarkullimi nëpër këtë pyll, ku e digjon tjetrin mbyturazi dhe nuk e sheh. Krisma e kazmës së tij të vjen si nga nëntoka. Ti punon me orë në rreshtat e tu, duke shkaktuar fëshfërimat e fletëve të gjëra, pastaj ndalon dhe të ngjan sikur fme fëshfërimën e fundit, u zhduk edhe një prani e panjohur që të vjen pas dhe që të fshihet sakaq kur ti pushon lëvizjen!


Grabjani rrëzë kodrave

79

30 Shtator 1976 Jemi në korrje misri. Javën e kaluar shkuam në brigadën e atij që iu arrestua vëllai. (kosovari). Na mati punën pa ndonjë fjalë për cilësinë dhe pa bezdira të tjera. Është në ditët e fundit të funksionit. Dihet që do ta heqin, bile thonë se e kanë hequr por s’ka dorëzuar akoma. (ka një koherencë në këtë punë që s’të fal. U fut një në burg? Edhe i vëllai ose i afërmi pushon së qëni i mirë për punë drejtuese.) Unë e vjel misrin, pastaj e korr, kurse urdhri është të bëj të kundërtën. Dje dhe sot kemi qënë te Sofia. Po vazhdonja me atë timen, kur ajo erdhi dhe më hoqi nga puna, sepse s’paskësha bërë sipas udhëzimit. Vetkuptohet që bashkë me volumin e sotëm , nuk ma shkroi as të djeshmin. Dola në xhade dhe gjeta dy brigadierë me shefin e mekanikës. Ua thashë, por ata ngritën supet. Erdha me këmbë nga Tri Urat. Në darkë Televizioni tregonte një punëtore të dalluar në Lezhë që punonte tamam si në mënyrën time!

4 Tetor 1976 Korrje misri Ne të tre të internuarit na kanë çuar në Brigadën e pestë. E treta ditë sot, por s’kemi matur punën. Erdhi Gjeku dhe na ktheu. “Kini lënë misër mbrapa” na tha. Në fakt kishim punuar me kujdes, se na ka ardhur fjala që është bërë shamatë për kallinj të lënë, dhe ishim me frikë. Si e djelë sot s’mund të rrinim shumë, dreka po afronte. Ç’të bënim? Mbaruam rreshtat dhe iu kthyem punës në tërësi për një kontroll. S’gjetëm kush e di çfarë në tokë, gjithsej 4-5 kallinj, por prapë u vonuam dhe ç’është më e keqja, ai s’ishte aty të na shihte që ia çuam fjalën në vend. Arritëm më 1 e 30 në shtëpi se s’na morën zetorët. Në darkë mora vesh që s’na i ka marrë në dorëzim. E kishte vendosur që para se të na fliste, por donte njëkohësisht edhe ta kontrollonim punën që s’do të na paguante... Të shkretët brigadierë, duan të kursejnë shtetin në kurrizin tonë, por edhe të mos lëvizin nga cilësia.


80

Lekë Tasi —

15 Tetor 1976 Rrinim të tre në hije te kallamave për pushimin e drekës. Sot u mbush viti nga dita që kemi ardhur. Megjithatë ishim në damar për shaka dhe unë, duke marrë shkas nga një bisedë e bërë pak më parë me një qerrexhi plak, në të cilën kishim shpalosur gjysëm seriozisht e gjysëm me ironi gjithë njohuritë tona bujqësore, u thashë: të shihni mbas 10-15 vjet se ç’bujq të mirë do të jemi bërë.. nuk do të na punojë mendja veçse për grurë, misër e për norma. Dhe kur të vijë ndonjë nga rruga e largët, ne të plakur e me një gisht mjekër, duke dredhur një cigare me copa gazete, do ta pyesim me interesim të madh Pash Zotin, sa e paguajnë atje tek ju dynymin e prashitjes? Që përgjegjen e tij pastaj t’ia përsërisim shokut: E, a s’të thashë unë? Pastaj i zumë me rradhë kënaqësitë e jetës në fushë. “Vërtet, pyeti Fejziu duke u bërë serioz, cila është puna më e keqe në bujqësi?” “Më e keqja?” tha Ferdinandi: “Ajo që je duke bërë tani! Gjithmonë!” Ferdinandi është i fortë, pak i ngadalshëm, me fytyrë të kuqe. Kur rri ca ditë pa rruar, i del një mjekër e bukur gështenjë, e dendur. Ç’do punë e bën pa ndonjë sforcim të madh, me cigare në gojë, po ti e kupton nga larg se me sa mërzi e ka. Kurse Fejziu, me trup të lidhur dhe ai, por pak më i vogël, mobilizohet i tëri në punë sepse është mësuar ashtu, ka punuar qysh në kohën e shkollës. (Kur shokët bënin pushimet e verës, ky futej punëtor transporti. Veç kësaj, fshati i tij është afër me Devollin (insiston që Zemblaku nuk është Devoll) dhe ashtu si ata atje, ka zgjedhur shatë në vend të kazmës që kemi ne, dhe punon i përkulur mjaft, si ata të Fushë Korçës. Marredhëniet mes tyre janë normalizuar disi, por acarohen herë herë. Grindjen e fundit e kanë pasur për Gogolin, shkrimtarin, filan tregim është i tij, jo s’është i tij etj. Atë shprehje që përdora “mbas 10-15 vjetësh” natyrisht, e pata me shaka. Jo vetëm s’ka për të vajtur puna kaq gjatë, po unë mendoj se këtë 5 vjeçar s’e ngrysim këtu, e kam të sigurt; por me ta nuk shprehem kaq shpresëplotë, mbasi këtu te gjithë e kanë zakon të tregohen pesimistë dhe ta hedhin poshtë me tallje çfarëdo argument të kundërt që të përdorësh. Në fakt, në mbështetje të kësaj perropie që sheh kudo zi, flasin plot shembuj ridënimesh që pesëvjeçarit të parë i kanë shtuar një tjetër e një tjetër..


Grabjani rrëzë kodrave

81

Por sepse është bërë kjo deri sot, nuk do të thotë që medomosdo kjo do të vazhdojë në infinit. Punët kalojnë në ujra të reja, pa le të duken njësoj këtej. Fjala e Hysniut në Pluk s’e tregon? Por kryesorja është ndikimi, trysnia e faktorit të jashtëm. Fundja pa shpresë nuk jetohet. Por këtu ka një hile. Edhe ata që hiqen se nuk shpresojnë, i mendojnë këto që thashë, sepse në këto kushte është e pamundur të mos e mbash mëndjen aty. Në apelin e mbrëmjes, mbasi kryhet ceremonia, mblidhemi shpesh në rrethe të ngushta dhe flasim si do të vejë puna. Por nga ç’shoh gati të gjithë jo vetëm këtu, por në përgjithësi njerëzit, ngulin këmbë se s’ka shpresë. Nuk di si mund të merret kjo. Them se po të heqësh ndonjë me mëlçi o tëmth të sëmurë, të tjerët e kanë si një lloj bllofi. Duke mbajtur këtë qëndrim “skeptik”, duan t’u thuash fjalë të mira, d.m.th nuk duan të “shesin” po të “blejnë”. Po më e keqja është se, mbasi të dëgjojnë, i hedhin poshtë ato që u the. Ndofta që ti t’u thuash të tjera... Ose mund të jetë një përzjerje e të dyjave, e temperamentit të pashpresë me taktikën e marrjes së kurajos nga të tjerët. Në shtëpinë tonë, Tefta dhe unë jemi gjithmonë me shpresë, dy të tjerët më pak, duan fakte për të besuar. Dhe sa për këta rrotull, katër motrat Dume janë të ndara tri me një në favor të pesimizmit (e vogla, Vera, ka një shpresëtari të zjarrtë, bile përmend edhe Krishtin), Kurtet janë të padepërtueshëm, por anojnë nga pesimizmi: Kullat janë, dy të mëdhenjtë optimistë, kurse i vogli, Fejziu, pesimist. E kështu me rradhë. Për Thomanë s’mund të them se e ka gabim të jetë pesimist; me një internim 10 vjeçar kundrejt një viti që kemi ne, a nuk ka të drejtë t’i shohë punët keq? Megjithatë është i papërkulshëm. Nuk e di, nuk e shpjegoj dot, por shpresa qënka e rrallë,e pakët në botë. Këtë e kam vënë re kudo; edhe në mjedise shumë më të rehatshme, pjesa më e madhe insistojnë të të bëjnë të besosh se u kanë rënë letra të këqija; kurrë të gëzuar, gjithmonë përmbys, le të jenë shumë më mirë se ti. Bile edhe kur u thua një lajm me të vërtet për t’u gëzuar, rrinë pak si të mpirë, a thua se nuk u vjen mirë. Puna është se e morën vesh, e inkasuan! Dhe pastaj, disa të vështrojnë edhe me ironi, me një gëzim të lig, dhe kërkojnë një kleçkë tek ajo që u the, të ta “çmontojnë” gëzimin edhe ty.


82

Lekë Tasi —

19 Tetor 1976 Në apelin e mbasdites, sot erdhën Ismaili me Nuriun e me dy të tjerë. Pa na thënë përse ishte fjala, na urdhëruan të hyjmë në zyrën e këshillit. Të 25-tët sa jemi u nisëm, lajmëruan bile dhe mamanë bashkë me plakat e tjera; hipëm shkallët në heshtje duke vështruar njëri-tjetrin ç’të jetë kjo? Mos ndonjë lirim? Po kur u rreshtuam të gjithë në të katër muret e zyrës, ata na vunë një copë letër mbi tryezë që ta firmosnim. Ishte njoftimi se gjëndja civile na ka ardhur nga Tirana, dhe këtej e tutje do ta kemi në Divjakë. Disa e treguan zhgënjimin e tyre me një zemërim të hapur. Vëllezërit Kulla bile s’donin ta firmosnin. U bë një debat i ndezur. Atëherë Ismaili, që deri n’atë pikë mbahej rëndë, meqë arriti efektin që deshi, e braktisi atë pozë, dhe Yllit që e pyeti përse bëhet kjo, iu përgjegjj shumë thjesht: “Hiç mor, po të jetë se ju vjen ndonjë lirim, s’ju a mban dot këtu kjo firmë që po hidhni në një copë letër…”

1 Nëntor 1976 Meqë Tefta ishte pa qejf, emrin te rradha e qumështit e shënoi Mamaja. Po kur vajti të merrte, ishin mbledhur dhe ia kishin hequr emrin. Në vend të saj kishin shkruar një grua tjetër nga të apelit. Ajo rrinte aty pa bërë zë. Si mbeti pa gjë, mamaja iu drejtua shitëses (që është e shoqja e ish përgjegjësit). Ajo iu përgjegj me zemërim: S’të jap!

10 Nëntor 1976 Kaluam një çast shprese të madhe me rastin e Kongresit, që përfundoi me një zhgënjim edhe më të madh. Radio –Italia tha atë mëngjes se do ta linte Enveri dhe do ta merrte Mehmeti. Ndërsa lexohej raporti në megafon, ne prisnim ndonjë shenjë, por asgjë.. tani ka dalë puna e kushtetutës. Të shohim a do të nxjerrë gjë.


Grabjani rrëzë kodrave

83

20 Nëntor 1976 Bezditë vazhdojnë. Në dyqan kur vjen ora e apelit, detyrohemi ta lëmë radhën për të vajtur. Sot Tefta kur u kthye në dyqan nga apeli, ca vajza mbrapa saj s’donin ta pranonin. Mezi u fut, por n’atë çast mori pa radhë Vjollca, një antare partie, dhe u shkaktua një rëmujë, gjatë së cilës ato vajza përfituan që ta nxjerrin Teftën. Tefta atëherë iu drejtua shkaktares: “Ti Vjollcë futesh pa radhë dhe na prish radhën.” Ajo ia ktheu me të tallur: “Merr dhe ti, unë s’të pengoj”. Por kur erdhi radha, shitësja nuk deshi t’i jepte meqë kishte dalë arka e fundit, më e mira. Ua dha vajzave që ishin prapa saj.

1 Dhjetor 1976 Stravec quhet një kodrinë e sheshtë jo më e lartë se 3-4 metra mbi nivelin e fushës. Ka tri stalla viçash përmbi dhe një çezmë uji të ftohtë rrëzë saj. Rrotull saj janë disa nga parcelat tona. Kur ndodh që t’i punojmë për të prodhuar silazhin që do të ushqejë viçat atje lart, më vjen në mend një krahasim me bujqit e mesjetës që punonin për kështjellën që u rrinte mbi kokë majë kodrës. Ne mbjellim tërfil, hasëll, jonxhë, perko; e korrim e grumbullojmë me tezga dhe ua çojmë viçave pastaj me qerre. Si shpërblim pijmë nga çezma e tyre, dhe na lejojnë nga një herë të hipim në autobuzin e tyre, kur jemi të urtë.. Ky autobuz është fare i rregullt, sepse merr dhe kthen në sektor turnet e bareshave e të mjelseve. Njihet si “autobuz i viçave” ose thjesht “Viçi” (erdhi Viçi!). dhe kryesorja, e kemi si vend mbrojtjeje, për të vazhduar paralelizmin: kur na zë shiu në punë, hedhin tutje lopatën, ose krehrin dhe e mbajmë vrapin lart në Stravec, i cili na hap dyert që të futim kokën, të lagur e të përbaltur siç jemi nga rrebeshi dhe nga rrugët e rënduara të qerreve. Hyjmë në këto stalla ku sundon gëlqerja por, mirënjohës, nuk shkelim thellë brënda me çizmet e ndotura, rrijmë duke u dredhur aty te hyrja dhe për aq kohë sa vazhdon shiu. Punëtorët e stallës me të bardha na vështrojnë me një përzjerje mëshire dhe mëndjemadhësie. Është privilegj të të caktojnë këtu me punë. Punëtoret e blegtorisë janë të gjitha gra ose vajza me përbërje të mirë, të shoshitura nga ana


84

Lekë Tasi —

politike. Të deklasuara këtu s’ka! Sepse kanë të bëjnë me një sektor delikat të pasurisë së popullit, viçat, ku fare lehtë armiku mund të dëmtojë me ndonjë helm!

1977 3 Janar 1977 Me sa përtim muarëm rrugën e stallës sot në mëngjes. Plani këtë ditë është pastrimi i deshëve nga rodhet. Norma është katër kokë njeriu. Punova me Fejziun. Futemi të dy në stallën me çati shumë të ultë. Sheshi është i mbuluar me një shtresë të lartë kakërdhish dhe me pellgje shurre. E kapim dashin nga brirët dhe gjithmonë të përkulur se mos përpjekim kokën në trarët e çatisë, luftojmë ta nxjerrim jashtë. Ai reziston shumë, dhe duhet ta mbërthesh fort, por është i fuqishëm e nganjëherë ta jep me kolpo. Kur e nxjerrim në vathë, fillojmë punën, të dy me njërën dorë sepse njëkohësisht me tjetrën e mbajmë nga brirët; ia heqim rodhet që s’janë pak. Mbi një orë mban kjo punë, dhe e bëjmë ulur me bisht, sepse vendi është pis dhe s’mund të ulemi në shesh, por edhe sepse dashi është i lartë dhe s’e arrijmë dot. Na janë bërë gishtat plagë, se lëkura e pulpave hollohet shumë. Ka nga ata që janë stërvitur në këtë proçes, por edhe ndihmohen ata të blegtorisë njëri me tjetrin, ia zgjedhin shokut dashin më pak të mbushur. Kështu bëjnë normën. Një vajzë bile iku në shtëpi fare, sepse ka vëllanë brigadier dhe ia japin ditën pa punuar, për hatër të tij. Kjo bëhet haptaz. Me Fejziun bashkë, bëmë 6 desh, kurse dje 5.

5 Mars 1977 Sot ishim përtej Stravecit, afër hidrovorit. Bëmë vija në një tokë të lagur. Na kishte lënë autobuzi, dhe kështu e bëmë rrugën më këmbë (me Fejziun dhe Bashkimin), gjë që do të thotë gati dy orë lodhje para se të fillosh punën. Toka ishte torfike, lopata futej menjëherë, pa sforcim. Eqremi (Bregu) një puntor për të cilin kam respekt se është i 14


Grabjani rrëzë kodrave

85

metërshit të përditshëm erdhi e zuri punë në vijën pranë. Njihem fare pak me të se punon në brigadën pranë, të 7-ën. Sa erdhi, duke më parë që po punoja shpejt, më pyeti: “Me se ke ardhur lart?” Nuk e mora vesh ku e kishte fjalën. Isha gati t’i tregoja historinë se si na la makina, po nuk m’u duk “lart” ajo ultësirë ku ishim, dhe në çast e kuptova që donte të thoshte se sa thellë e kisha ngulur që po iknja kaq shpejt. Kështu u nguta t’i përgjigjem në zhargonin profesional “Me një majë beli” dhe ndjeva krenari që u inserova në atë mënyrë të foluri.. (Vija e kullimit mund të bëhet sipas rastit me bel të plotë kur plugu i traktorit që e ka “çarë” sefte nuk është ngulur aq sa duhet. Kryqarja, që është vija e thellë që i pret tërthor të 40-50 vijat kulluese të një parcele dhe ua kullon ujët për ta nxjerrë në kanal, bëhet me dy bela. “Një bel ose bel i plotë” është kur e fut lopatën deri te këmbëza, “majë beli” është kur ngul vetëm lopatën dhe këmbëza mbetet jashtë. Tani po mësohem edhe me punën edhe me terminologjinë. Gjithashtu me shqiptimin e vendësve. P.sh e kuptoj menjëherë kur thonë “brankanal” (brënda në kanal) ose “është e barë” (është e bërë, ose punë e vjetër, e bërë d.m.th s’paguhet, të cilën më parë e kuptoja sikur “ka bar” dhe çuditesha kur e shihnja pa asnjë fije!) etj. Në drekë Eqremi u afrua dhe hëngrëm bashkë. Zeshkan me dhëmbë të bardhë, flokët i bien në fytyrë. Kur e hoqën nga Tirana, e çuan në Lushnjë. Aty i pushkatuan një vëlla për një çrregullim në preventiv të ndërtimit, më duket kot, dhe kështu i hodhën këtu dy vëllezër dhe kunatën, (të venë e vëllait të vrarë) me tre fëmijë të vegjël. E ka syrin të iki këtej. Dhe do andej nga Bedati, por s’i kanë dhënë përgjigje.

9 Mars 1977 Yllit i dhanë dy dit leje për në Librazhd. Sot u kthye, por pa mbaruar punë. Nuk gjeti ata që kanë çelsin e dhomës. Personi të cilit ia kishte dorëzuar, ia paska dhënë një tjetri që tani është me leje, ndërsa vetë punon gjetkë, i transferuar. Gjeti të panjohur atje. Erdhi më këmbë nga Lushnja, tani vonë, i bërë tërë baltë, shumë i nevrikosur dhe me dhimbje koke. Ka rënë të flejë. Është e habitshme si e hodhën poshtë kaq shpejt, duke qënë një nga inxhinjerët që ka bërë më shumë punë. Ca kohë e përgëzonin edhe


86

Lekë Tasi —

antarë të Byrosë (dy nga ata që u pushkatuan) kur përuroheshin linja, presa ose reparte të projektuara dhe të realizuara prej tij. (megjithëse fletën e lavdërimit ia jepnin kolektivit..) pastaj bëri një vit në Bulqizë sepse dha disa dollarë për të bërë nder. Nuk tregoi se të kujt ishin (të kushurinjve tanë), dhe për këtë u dënua. Qysh atëherë ata që e luftonin në ndërmarrje e patën më të lehtë, e lanë pa strehim, e çuan nëpër rrethe në vende të vështira, dhe s’i vlejti që atje zgjithte probeme të zvarritura prej vitesh. Transferimi në Librazhd mund ta kishte shpëtuar, do t’u ishim mirënjohës por ata s’ishin të kënaqur as me atë. Kështu kur Ministria i kërkoi ndërmarrjeve dhe lagjeve emra për listën e internimit, ato e kishin gati emrin e tij dhe kështu policia vajti e mori atje. Nga kushërinjtë tani marrim vesh që në ndërmarrjen e tij atmosfera është zbutur mjaft. Mekanika dhe administrata, një pjesë e mirë e simpatizonin, tani flasin mirë të gjithë pa përjashtim, deri dhe drejtori e merr si shëmbull për të kritikuar inxhinjerët që s’nxjerrin gjë nga dora. Por nga kjo nuk duhet patur shpresë. Nuk ka për të ndodhur që t’i kërkohet Ministrisë kthimi i tij, siç ka ndodhur shpesh për të tjerë që i kanë nxjerrë edhe nga burgu. Për Yllin as mund të mendohet; do të shkaktonte tronditje… Prandaj dhe sebepçinjtë sot flasin fjalë të mira për të. Ndiejnë si duket nevojën që të mos ndahen nga punëtorët në këtë valë simpatie, ndofta edhe të “pendohen” tani që janë të sigurt që asgjë s’e kthen më atje.

24 Prill 1977 Dy familje u liruan njëra pas tjetrës, Kurtët dhe Kullat. Nuk dijmë ç’përpjekje kanë bërë, por duhet parë ç’pasojë do të ketë për ata vetë, dhe për ne. U nisën djemtë në Tiranë për t’u përpjekur për kthimin atje.

12 Maj 1977 Gëzimi i tyre s’mbajti shumë. Nga përçapjet që bënë, del se do ta kenë të vështirë të kthehen. Është puna e njollës që iu ngjit në këto gati dy vjet internim. Askush s’i pranon më atje. Kurse Kurtët të rezervuar


Grabjani rrëzë kodrave

87

siç janë nuk merret vesh se çfarë bëjnë. Këtu gjithkush bën përçapjet e tij, dhe nuk do të rrezikojë duke folur .. Ferdinandi më ka lënë të kuptojë se taktika e përdorur prej tyre ka qënë të kërkonin minimalen: heqjen e apelit, që pastaj, duke qënë të lirë, të ndjekin punën në Tiranë se kanë rreth dhe kështu të gjejnë mundësinë për t’u larguar. Mirpo ka rrezik që më vonë t’u thonë: “rrini aty, e kini kërkuar vetë”. Në skajin tjetër qëndron Thomai. Kur në 72-in u liruan dy shokët e tij, Koço Dilo dhe Muamer Spahiu, që ishin internuar tok me të, i ofruan edhe Thomait të zgjidhte një vend për të vajtur, me përjashtim të Tiranës. Ai s’pranoi, jo vetëm se kërkonte shtëpinë e vet, por edhe sepse mendonte që në rrethet e tjerë, me armiqtë që ka, do t’i sajonin një arrestim. Kanë kaluar 5 vjet qysh atëherë; vallë a e mban këtë bindje të tij akoma, apo i del gjumi natën “pse s’pranova”…?

14 Maj 1977 Kam shpresë të hyj në ndërtim. Herë pas here zgjerohet fronti i punës, dhe marrin puntorë pa kategori. Po ngrihet një depo plehu. Më ka thënë Bardhi se do të flasë për mua.

20 Maj 1977 Kemi bërë bahçe! Thurrëm një vend përreth shtëpisë dhe kemi mbjellë domate. Si dashnor i pyllit që jam, kur filluam punën me Yllin, unë mora përsipër të sjell hunj për gardhin, si dhe driza. Është pak e rrezikshme se rojet kanë vënë gjoba të rënda, por unë marr një sopatë të vogël, e fus në thes dhe i besohem fatit. Shpesh i kam gjetur dhe të prera, të lëna këtu e atje, sepse kush i pret merr të trashat dhe lë degët. I lidh mirë dhe ngarkohem në një vend të pjerrët. Ndjej kënaqësi kur ia sjell Yllit që t’i ketë me bollëk. Ai i ngul, i lidh me tel, kurse drizat i përdor për të veshur gardhin nga ana e jashtme. Ylli ka gjetur dhe një kone të vogël për roje.


88

Lekë Tasi —

Kemi fare pak tokë, 30 a 40 m2 gjithsej por i kemi hyrë me qejf, na duket si lojë. Kanalin e kemi aty, mund të vaditim, nuk është ajo rrëke e kulluar fshati që do të donja, e kundërta, por s’ka gjë, prej tij do të marrim vetëm dobinë- ujin e tij tër pleh të zi duke e hequr ndonjë shishe të thyer ose bidon plastmasi o këpucë të vjetra që komshinjtë i hedhin përditë në këtë drejtim, drejtpërdrejt nga dritarja ose me farashkën e plehrave. Domatet i kemi mbjellë në mes, fasulet përgjatë gardhit. Përpara shtëpisë, në pjesën e caktuar si oborr kemi një lehë me borzilok. Këtu kemi ngulur një stol në tokë. Në anën tjetër, aty ku ndahemi me Luanin, kemi kotecin e pulave. Përreth shtëpisë, në rrëzë të trotuarit të ngushtë kemi mbjell disa fara sfungjeri, nga ata që kur rriten marrin formën e trangujve. Farën na e kanë dërguar nga Tirana. Këta “tranguj”, thahen dhe mund të përdoren si sfungjerë-shparsë për të larë trupin.

23 Maj 1977 Na u vërtetua që një i apelit (s’po ia vë emrin) është agjent i Gurit. Mbrëmë vonë Ylli, kur po kthehej nga dyqani, pa dy hije te cepi i kinemasë. Ata nuk e ndjenë që po afrohej dhe kështu zëri i Gurit i erdhi i qartë që po i thoshte tjetrit: “Provokoje, të shohim ç’do të thotë”. Ylli vazhdoi rrugën drejt sikur s’kishte dëgjuar gjë. Gurin e njohu që larg, por edhe tjetrit ia shquajti siluetën se kush ishte, megjithëse i kthente shpinën dhe s’hapte gojën. E prenë fjalën menjëherë, por sot ky i dyti po e vështronte ndryshe Yllin, sikur donte ta pikaste në shikim a kishte kuptuar gjë mbrëmë.

30 Maj 1977 Me Jorgjin jemi ftohur krejt. Na mban deri vonë në punë. Për mua kjo lloj lufte është gati më e keqe se shkurtimet në pagë. Sepse nuk e ndjej mbrëmjen fare. Një ditë ishim mbledhur në argjinaturën e kanalit të madh. Makina s’po vinte. I thashë: “Po të duash orar veror, sill makinën në kohë!” (Orari veror, që nga Maji në Tetor është 10 orë, por pa llogaritur rrugën)


Grabjani rrëzë kodrave

89

Të gjithë janë të pakënaqur nga kjo, por nuk bëjnë zë; përveç Fejziut, Allamanit dhe dy grave, të tjerët nuk e hapën gojën. Kështu, kërkesa nuk pati efekt. Dua të ndërroj brigadën, por nuk bëhen lehtë transferimet; Përpos nga brigadieri, jam i pakënaqur dhe nga kolektivi. Armiqësor mund të thuash; dhe janë të gatshëm t’i mbajnë ison atij. Nga episodet e hidhura në Odisenë e familjeve të internuara qysh në fillim, është ajo e dy bashkëshortëve që u vranë në një aksident rrugor. Po transferohej kampi i tyre nga Berati në Tepelenë, dhe në ato rrugë të këqija u batua makina në një skarpatë. S’pati të tjera viktima veç këtij çifti, i cili mbeti në vend. (Petrela mbiemri) Gruaja ishte motra e madhe e Bardhit. Martuar me një tregtar tiranas. Këtë histori e kam nga Vera Kuca, komshija jonë, ka qënë prezente në atë skenë të lemerishme. Gratë e tmerruara të asaj makine i mbanin katër fëmijt e vegjël, çuna, që qanin mbi prindët e vrarë, burrat hapnin varrin, si të mundnin. Rojet nuk deshën t’i merrnin kufomat me vete, që të varroseshin në destinacionin ku ishin nisur. Siç duket, edhe vegla s’kërkonin dot nëpër fshatra, që të mos e merrnin vesh aksidentin popullata përreth, kështu që varri u hap aty nën rrugë, tamam me thonj.

4 Qershor 1977 Sot ishim përtej Gërmenjit për aksion në ndihmë të kooperativës. Hapje kanali vaditës në kodër. Të dy neve me Fejziun na ra një bryl 12 metra linearë gjithsej, por vende-vende donte edhe gjashtë bela thellim. Ngjitur me ne kishte zënë Allamani. Kur u futëm thellë në tokë na dogji dielli, dhe paguret na ishin mbaruar që herët. Kështu na erdhi mirë që matja u bë pa vonesë. Ikëm të kënaqur, veçanërisht unë, që bëra për të parën herë normën, dhe në tokë të fortë! (I kënaqur, po rrugës më shkonin këmbët si të dehurit) Për punimin e drekës u ngjitëm lart në pyll të tre me Allamanin. Kur e ke me vete atë, s’ka nevojë të hapësh gojën. Vetëm dëgjo. Ka një muhabet të pashterrshëm. Na tregonte këtë radhë për kohën kur ishte 16 vjeç dhe posa kishte hyrë në punë. I çonin me makinë në depon qëndrore në Lushnjë për të stivosur thasë; “Kishte lekë atëherë” tha, “dhe prandaj lakmonim të ngarkoheshim njësoj me ca harixhinj të fortë.


90

Lekë Tasi —

I merrnim thasët nga poshtë siç i linte makina dhe i çonim lart në skela. Unë hanja inat me burrat e mëdhenj dhe zura të vë edhe unë nga dy në kurriz, por kur arrinja në shkallët e sipërme, oj nane, më dridheshin leqet e këmbëve!” Ka një zë të trashë, të ngjirur, por i tregon gjërat përherë me një shprehje të çiltër në fytyrë dhe shumë të gjallë (sidomos pa asnjë shtirje ose teprim mburravec, përkundrazi, me një farë vetë-ironie), çdo gjë e sheh si një sfidë gazmore; dhe kur e fiton, kjo i jep një gëzim të fortë edhe tani sikur atëherë që ndodhte. Pastaj bën një të qeshur burrnore tërë zhurmë sikur shpërthen një granatë, dhe ajo shprehja e tij bëhet dhe më e çiltër. Meqë është nga Martaneshi, një ditë i bëra pyetjen a e ka dëgjuar Këngën e Gjorg Golemit. Më tha “po”, ashtu si pa e pasur mendjen, por s’di a e pati me gjithë mend, sepse më ngjan e pabesueshme për moshën e tij ta ketë ndeshur, dua të them të këndohet vallë më atje, por s’desha ta pyes prapë, sepse sa herë flas me të, ai është për mua si një lumë i rrëmbyer ku çdo tentativë për të saktësuar diçka të ngjet përnjëherësh prozaike, dhe kështu s’e ngas. I tërë personi i tij, me fytyrën e hequr prej malësori, por me qafën e trashë mbi kafazin e gjërë të kraharorit e me këmbët e tij të holla, s’di pse, më sjell ndërmend grykën e Shkumbinit, me ato malet e egra nga dy anët, një vend që më është fiksuar në mend si krahina jonë fatale, ija e dobët që e çpon thika tinëzi, rruga prej nga hyri helmi sëpari. Kjo s’është plotësisht e saktë. Jo vetëm aty, por edhe gjetkë, dhe jo vetëm atëherë por gjithmonë. Helmin e kemi pasur në gjak bashkë me çiltërsinë që shoh në fytyrën e këtij. Sidoqoftë, ky më duket pasardhësi tipik i atyre që dolën në çetat e para e zunë shtigjet e hordhive të sulltaneve, pa pyetur fare se ç’mund të jenë taborret e pasosur dhe sa do të zgjaste ajo luftë, kur mbrapa kanë lënë kullat pa bukë dhe arat e djegura. Dhe kjo ngjitje e shkallëve të depos me thasë në shpinë dhe inatin e të tjerëve që e nget të vazhdojë kundër fuqive të mbaruara ma kujton atë sfidë, por ma kujton me një dhimbje edhe më të fortë, sepse shoh tek ajo të simbolizuar degradimin e kohërave dhe damarin tonë kryeneç që vë inat në kauza përherë të gabuara ose të parëndësishme, dhe vetminë tonë të pashpresë.


Grabjani rrëzë kodrave

91

19 Qershor 1977 Punojmë në lëmë prej disa ditësh. Transport, që do të thotë hamallëk. Tek hyrja e lëmit rri roje Lavdija! Tjetër tip kjo! Është një grua e bëshme, sakate, por ka një zë kaq të fortë, dhe e përdor me kaq vendosmëri sa e shtang në vend, edhe 50 metra larg, këdo që mund t’i ketë shpëtuar për një çast vëmendjes së saj, për tu futur në brendësi. Sidomos është tmerri i kalamanjve! I përket asaj kategorie grash këmbëngulëse që nuk sprapsen para asgjëje për t’ia arritur qëllimit. Tek dyqani i qumështit futet përherë pa rradhë, dhe bërtet e para ajo për të bërë zap çdo kundërshtim. Dhe në fakt asnjëra nga gratë s’guxon të protestojë, i bëjnë vend menjëherë. Partinë nuk e heq nga goja. Kur ka ndonjë ankesë shkon në Lushnjë te sekretari i parë, dhe menjëherë vjen urdhri t’i jepet ç’kërkon. Është vërtet nga shtresë e varfër, ka pesë vajza dhe burrin epileptik, por çdo gjë që fiton e ka me zotësinë e gojës. Asnjë nga këshilli nuk dëshiron të ketë punë me të, kështu që ata, ca nga frika se u nxjerr ndonjë të palarë aty për aty, ca se e dinë që kjo do të shkojë patjetër lart, parapëlqejnë t’i lënë rrugë të lirë. Pastaj ka një avantazh që i vjen nga oratoria plus zëri i fortë: ankesat ajo i shpall me zë të lartë, kudo që të jetë, me auditor tërë fshatin! Dhe çdo pakënaqësi të sajën e paraqet si goditje që i bëhet partisë! Mund të thuash që Grabiani ka pjesën e tij të shtypit skandalistik nëpërmjet Lavdies.

21 Qershor 1977 Kooperativistët i luftojnë tek furra. Vijnë nga fshatrat përreth dhe nganjëherë edhe marrin, por pastaj shtërngohet puna, dhe s’u japin më. (Në fshat bukën e kanë të misërt, prandaj vijnë..) Por vjen stina dhe rryma ndërron drejtim, pa shkulet Sektori për ndonjë qepë ose patate që shet Kooperativa. Një ditë Tefta takoi një grua nga Shën Kollasi, dhe e pyeti Ç’kini andej nga dyqani juaj? Mirpo ajo ishte e nxehur se po sa e kishin përzënë nga furra, dhe ia ktheu: Mut ka!


92

Lekë Tasi —

23 Qershor 1977 Yllin e transferuan në brigadën e Gurit, në kodra. Ky është bërë brigadier nga magaziner që ishte. Po te Guri kanë transferuar edhe Thomanë me një tjetër të apelit. Thomani nuk pranoi, se mendon që po i përgatitet ndonjë kurth, meqë Guri po i del shumë i pabesë. Kurse tek puntorët Guri gëzon nam të mirë, se paguan mirë. Është dhe inisiator: ka sistemuar një çesmë në fushë, e cila deri tani së fundi ishte burim i bërë moçal. (Në pika të ndryshme të fushës ka ca ujra të tilla që dalin vetë, por askush nuk kujdeset nga brigadierët për t’i sistemuar veç këtij).

28 Qershor 1977 Ferdinandi është kthyer nga Tirana Kur i erdhi lirimi si familje, ky nuk u ngut të vinte menjëherë, shkoi më vonë, dhe kjo ishte hera e dytë. Por si duket, nuk u kanë dhënë shpresë për kthim. Rri i mërzitur dhe s’kam mundur të marr vesh gjë prej tij. Nuk zgjati fort internimi i tyre si masë formale, as dy vjet; kjo është një njollë që nuk shlyhet lehtë, dhe shërben si një barrierë. (Nga një anë, ne të paliruarit dalim më të fituar, i kemi të prera rrugët me ato gjëra, të paktën nuk ndjejmë ngacmime hëpërhë. Më vonë s’dihet). S’më ngrohin fort këto lirime me kusht. Ajo që pres është një ndryshim politik e jo të tilla masa gjysmake. Dje na afroi puna. Ishim për aksion në një brigadë tjetër, zuri rreshta pas meje. Prashitëm krah për krah nja dy rreshta. Ia hodha fjalën për ndryshimet në Tiranë, për njerëz që i njohim të dy etj, më tepër për të thyer heshtjen. Mu përgjigj mbyturazi. Pastaj, mbas ca metrash, ndaloi dhe filloi të më hapet: “Isha si i huaj. Farefisi kanë frikë. Secili vështron punën e tij. Kam takuar edhe shokë, por s’është më ajo shoqëri e parë. S’ka si të jetë.. Jo se më evitonin. Ndonjëri edhe mund të rrijë me mua çerek ore ose dhe një orë me mua, të pyesë shëndetin e dokrra të tjera, por kur mbarojnë këto s’kemi ç’flasim më. I jepnja dorën unë i pari, se s’kam nevojë për keqardhje, kurse për ato që na lidhnin më parë as më bien në mend”. Është i ri, por internimi e zuri në kohën pak a shumë që do të fejohej


Grabjani rrëzë kodrave

93

(ishte bile pak me vonesë sipas mesatares) një gjë që tani as mund ta mendojë seriozisht. Në rreshtin e apelit, por edhe përgjithësisht në kategorinë e të deklasuarve (shembull Muameri), kemi djem e vajza që janë kapur në lak pikërisht në këtë fazë të beqarisë që po bëhet peshë e rëndë. Kujt t’ia qajnë hallin? Degës apo Ministrisë? Që tu vijë pastaj ndonjë ofertë siç dinë ato... Kjo është vërtet një mokër. Thjesht nuk ka dalje. Gjithkush e ka një ide të atij ngushtimi shpirtëror që mbërthen beqarët e përdhuntë në kohë normale, por kur i sheh nga afër rastet e veçantë brënda atij çargu që quhet dhunë shtetërore, atëherë e kupton si zymtësinë e tyre ashtu dhe kollajllëkun e pashpirt të atyre që me një të rënë të lapsit bëhen arbitra të fatit të tjetrit meqë fati vetë s’mjaftoka. Ky vendi ynë është i fortë nga kjo anë, nuk do nuanca, e ka inat ndjeshmërinë e tepëruar në të zgjedhur. Vetë populli të thotë: E mo`, merr një dhe mbaroi puna.. Ose nuk i quan probleme fare, është me parimin se çdokush i zgjidh punët e tij vetë! Nga kjo m’u kujtuan ca raste njerëzish të vetmuar që u ndeshën me këtë shoqëri, dhe dolën të mundur. Unë të të shkatërroj jetën me masa administrative, kurse problemet e tua zgjidhi vetë. Rasti i parë: i një beqari të vjetër, të riatdhesuar nga Amerika mbas 43 vjet kurbeti. Kishte shëtitur gjithë botën si gjellëbërës nëpër vapore, kthyer nga malli për vendin, por më tepër për të parë varrin e nënës. Mua më ra rasti ta njoh, se ishte dhe pak muzikant. Bisedonja me të ndonjëherë, kur i vinte dëshira për të treguar diçka nga jeta e tij (por shumë rrallë i ndodhte kjo, d.m.th kur e lëshonte një apati e mbushur me neveri) dhe më kishte thënë se veç detit, njihte mirë dhe udhëtimet në tokë, dhe që e kishte kaluar shpesh kufirin kanadez me çantën e ekskursionistit në shpinë. Një ditë e pashë rrugës që po ecte i vetmuar si gjithmonë, por këtë rradhë m’u duk se fliste me vete. Ishte ajo orë e urryer e mbasdrekës së hershme të së djelës, kur rrugët mbushen me ushtarë në liridalje e matrapazë që bëjnë pazar, ora më e trishtë e javës, kur jabanxhiu do me dëshpërim të jetë diku në një vend të mbyllur me veten e tij. U ndala me të dhe ai më tregoi arsyen e habisë së tij: kishte vajtur në hotelin ku banonte që të pushonte mbas drekës, dhe dëzhurni i kishte kumtuar që dhomat janë të mbyllura. – Po pse? pyeti. – Se më ora 4 fillon mitingu! Iu përgjigj ai shkurt. Qeshte dhe po habitej “ç’lidhje


94

Lekë Tasi —

ka shtrati im me mitingun!!? Mbas një përvoje kaq të gjatë udhëtimesh, kalimi i një pragu dhome po i hynte tani në tru si një problematikë më se konkrete (fundja beqaria e tij mendova unë, mund të ketë qënë e lidhur pikërisht me këtë, me dëshirën për të qënë i lirë në lëvizjet e tija. Kurse këtu i duan të gjithë të martuar, d.m.th të ngecur ose beqarë por në burg e internim.) Më von ai ra në burg, se deshi të kthehej në Amerikë (kushdo mund të vinte bast për këtë). Nuk e mbajtën shumë, vetëm 4vjet dhe si doli andej, vdiq (s’pati çfarë të bënte më i ziu, u mërzit). Kufirin donte ta kalonte me të pyetur nëpër fshatra… Dikush, nga ata pak njerëz që e njohën këtu, e quajti naiv, për të mos e thënë budalla, dikush tjetër tha se nuk është faj të emigrosh në moshën 15-vjeçare dhe që varri i nënës vazhdon të ketë një thirrje të fortë për shumëkënd. Sido që ta marrësh, kjo e tija është një vëth në vesh për gjithë ata që mendojnë se mund të kihet mall për vendet prej nga mungojnë gjatë dhe për të cilat dëgjojnë fjalë shumë të mira… Një tjetër, rasti i dytë, u riatdhesua se donte të shihte nënën e sëmurë para se të vdiste, kërkesë më e arsyeshme kjo. U paraqit në postën e kufirit me pasaportë në dorë. Nuk i thanë gjë. Por kur mori drejtimin për në shtëpi, gjeti një rrugë të heshtur, kërcënuese (Ka dekada që edhe gurët e rrugëve në Shqipërinë tonë të dashur gërthasin me pëshpërima: Ik! ik! Shpëtoo!) Me një frikë të keqe në zemër eci dhe ca hapa. Pastaj, një thes iu hodh në kokë (Të gjitha të vërteta këto!) Thesi në kokë është mënyrë arrestimi për të çmëndur të rrezikshëm. (Dhe me të drejtë thonë disa: të vish me këmbët e tua, a nuk është çmënduri?_ Medet.. ia kishte prurë rrotull fjalën në këtë drejtim ambasadori ynë në Jugosllavi, prej nga u nis ky njeri i malluar (ai ambasador, Bato emri i tij, që më von vrau veten i kapur dhe vetë në lak). Por malli i nënës është i fortë.. Bëri 10 vjet burg dhe ndërkohë nëna i vdiq pa e pasur pranë. Ndofta rasti i tretë është dhe më i habitshëm, megjithatë, vetia e këtij shteti nuk është të habitet, por përkundrazi, të presë në pusi me thikë në dorë këdo, qoftë ky burrë që ngjall dyshime ose fëmi që mbledh manushaqe. Katër djem fare të rinj u nisën me barkë nga Korfuzi, të dëshëruar për të parë komunizmin (në Greqi propagandohej shumë kjo ide, dhe vazhdon akoma…) dhe rrugës i luteshin Shën Mërisë që t’i ndihmonte për ta realizuar këtë dëshirë. Bukur fort. Çfarë panë? U arrestuan sa zbritën në tokë (Sepse: kujt do t’ia hedhin ata? Neve?). Ata


Grabjani rrëzë kodrave

95

kaluan disa vjet këtej; dhjetë gjithsej me burg e me internim. (një shok i im i njohu në një fshat të Fierit) dhe janë riatdhesuar tani vonë, burra, të regjur në punë të rëndë dhe me një përvojë të mirë përsa i përket mikpritjes sonë shqiptare, por komuniste! Por le t’i lëmë këta fatkeqë, këta zoq shtegtarë që patën shortin dhe “fajin” të shkelin një hop në këtë shkrep të hidhëruar, gardiani i të cilit na e paska gjumin të llahtartë prej orgjive të tij të panjohura të rinisë. Por, të jetë vallë vetëm frika shkaku? Po ata të tjerët, vendësit, që janë kapur tamam ditën e dasmës tyre? Kush mund të jetë më i shtruar dhe i bindur ligjeve se ai që vendos të krijojë familje? Jo. Duhet të ketë diçka tjetër, e jo vetëm frika ose nevoja për siguri, në themel të kësaj takse që s’njeh përjashtim, të kësaj urie minotauri që e kërkon përdit e në çdo fshat prenë. Që të kthehemi te çështja e beqarisë, më vjen ndërmend historia e asaj vajze të kaluar në moshë që i doli fati për tu martuar jashtë dhe bëri kërkesë në Kryesinë e Organizatës së Gruas (Ku gjetkë?) Letra e shpirtit binjak që e ftonte të lidhte martesë, vinte nga një vend komunist i Ballkanit dhe ishte përfundimi logjik i një letërkëmbimi të dendur trevjeçar, gjatë të cilit ishin njohur mirë të dy, dhe kishin vendosur vetë se bënin njëri për tjetrin. Kryetarja e Org. Gruas vendosi të mos e japë lejen e vizës, por për t’ia komunikuar së interesuarës këtë refuzim, e priti në audiencë, gjatë së cilës shijoi shfaqen që dhanë shpresa, ankthi dhe më në fund zemërimi i pafuqishëm në fytyrën e saj. Pikërisht këtu duhet të dalim në hetimin tonë psikologjik. Që në këtë ecuri gjërash, edhe qejfi kërkon pjesën e vet, jo vetëm rreptësia e sistemit. (Të mos harrojmë që ky është vendi në të cilin kur bie nga posti një anëtar byroje, shkulen dy të tjerë po të byrosë dhe venë e mbajnë sehir nga penxherja e drejtorisë – e dokumentuar dhe kjo - se si vjen vërdallë si bisha në kafaz në oborrin e burgut.) Si përfundim pra të këtij kapitulli mund të themi se revolucionet janë ata që janë – llokoçitje sociale të historisë o në daç dënime nga Zoti, ose hope cilësore, merre si të duash, por në planin e parë të skenës (në sejcilin prej tyre) bien në sy fytyrat protagoniste, ato që i karakterizojnë me vetitë e tyre, njerëzore ose çnjerëzore, burrnore ose burracake etj. janë këto figura që i përdorin në një masë të madhe këta revolucione sipas qëllimeve dhe modeleve të tyre intime, sepse ata veprojnë


96

Lekë Tasi —

pashmangërisht sipas farkës së vet personale. Në shumicën e këtyre përmbysjeve, turbullira qetohet me kohë mbasi të ketë zier kazani dhe të jetë përzier gjatë njerëzia, fashiten inatet, dhe punët marrin një pamje normale. Fatkeqësia është të të bjerë për hise të jetosh në ato vende ku figura që vë vulën, diktatori i dalë nga revolucioni është i një tipi të rrallë, që shijon vetëm nxjerrjen e inateve dhe kështu e përdor revolucionin për këtë punë dhe gjen mënyrat për t’i nxjerrë prej tij kënaqësira të reja. Puna është se ai e ka kërkuar dhe e ka arritur atë majë fuqie me këtë qëllim të vetëm (dhe jo se është “prishur rrugës” siç thuhet për të tjerët) Ai e shterr lojën e hakmarrjes dhe prapë e rinis artificialisht atë, duke futur në të më shumë e më shumë “armiq”, deri sa përfundimisht i fut të gjithë! Artificialisht për ne, për atë jo! Ai i ka urryer në fakt qysh në rini të gjithë. Tani s’bën tjetër veçse ta zbulojë brënda vetes këtë urrejtje në të gjithë shtrirjen e saj, dhe ta shijojë pak nga pak kur hap dosje, lexon letra, dëgjon përgjërime. Ai e di mirë që sa më thellë t’i fusë armiqtë e tij të panumërt, aq më shumë urrejtje do t’i kthejnë ata së thelli,dhe kjo ia shton edhe më dëshirën që t’i tallë nga lart atje në gropë. Për të ky është çasti i aspiruar, i revolucionit të ëndërruar.

20 Korrik 1977 Prej tri javësh jam punëtor ndërtimi në depon e madhe që po ngrihet në fund të lëmit, prapa koçekëve. Shpëtova nga bujqësia dhe nga Jorgji. Është bërë një ndërrim. U nevojitën krahë pune sepse janë larguar disa çuna që s’ishin të kënaqur me pagën këtu, fitojnë më mirë në fushë. Kështu u bë një listë provizorësh nëpër brigada, por mund të qëndrojmë edhe të përhershëm. Më ka regjistruar Bardhi me shokët e tij. Ka hyrë dhe Selimi si usta.

27 Korrik 1977 Me ca përjashtime të pakta, këtu të gjithë janë të deklasuar, shumica korçarë. Pak e çuditshme kjo, sepse ky kantier është një vend i rehatshëm, afër shtëpisë, me 8 orësh të garantuar, në dimër s’të zë shiu etj. Në fillim nuk e kuptonja këtë nder, por arsyen e mora vesh më vonë:


Grabjani rrëzë kodrave

97

ndërtimet në sektor ndahen në dy brigada që varen nga ndërmarrja. Kjo që kam hyrë unë quhet NN, varet nga Lushnja dhe s’merr lekë; tjetra, e investimeve të bujqësisë, varet nga Sektori, merr lekë dhe pothuaj s’bën punë. Ajo është plot me të privilegjuarit e Sektorit. Puna që bëjmë është ajo e zakonshmja në ndërtim, shkarkojmë tulla silikate, afrojmë gurë të mëdhenj për themelet, ashtu dhe rërë me karrocë ose thasë çimentoje. Ajo me të vërtetë është më e rëndë se në fushë dhe duhet të jesh gjithmonë gati për t’iu përgjegjur thirrjes së ustait për material (llaç, tulla), por sidoqoftë jam i kënaqur se kthehem herët në shtëpi. Tri orë plot më herët se kur isha në fushë. Vetëm tre katër puntorë i kemi me përbërje të “mirë”, ndër ta natyrisht dhe brigadieri. Ky është Stiri, djalë i ri, i pavajtur ushtar. Ky 17 vjeçar ka në vartësi 40 e 50 vjeçarë, me kategori të 5-të, të 6-të dhe të 7-të, të gjith ish të internuar. Disa prej këtyre nuk punojnë tamam mirë, duket se i kanë hyrë zanatit nga e keqja dhe me hope, herë në bujqësi herë në ndërtim. U rri afër mbasi bëj furnizimin dhe i shoh lëvizjet e tyre jo të shkathta. U është mërzitur puna në fushë prej kohësh dhe prandaj janë gati të marrin më pak por afër shtëpisë. Vetëm Bardhi me Selimin kanë të 7-tën. Të dy janë ustallarë të mirë. I dyti është i fortë dhe i shpejtë në mur tulle, i pari është më i zoti në mur guri, se ka punuar në vende malore ku ka qënë i internuar dhe atje praktikohet shumë ky lloj muri. Bëjmë një orë pushimi në drekë në shtëpi, dhe çasti më i hidhur për mua është kur ngrihem nga ajo çerek ose gjys’ ore gjumë për të vajtur nëpër vapë. Rrijmë ca në hijen e koçekëve deri sa mblidhen të gjithë. Biseda këtu është e ndryshme nga ajo e fushës, më e shtruar, por gjithmonë e vëmendshme. Si grup i deklasuar që janë, i ruajnë ca kufiza. Kanë të gjithë bletë, dhe sa herë afrohet ndonjë vesh kureshtar, ia nisin me “pjellje” e “korniza” e spërkatje. Në përgjithësi janë në gjëndje ekonomike më lart se mesatarja, prandaj mund të rrijnë nën normë këtu kur mungojnë materialet. Ekonomia e tyre shtëpiake artikulohet në disa fronte; e tërë familja, sidomos e devollinjve, lufton me krejt efektivin: qepin fustane, qëndisin, bëjnë reçele, shtrojnë turshi, kujdesen për pjergullën, zjejnë raki, hedhin zahire të tjera etj. Stiri është djalë jo i keq megjithëse i rëndë. Ka udhëzimin të jetë vigjilent, por kjo nuk e bën mistrec, ka karakter. Ndër të “mirët” nga përbërja është dhe një me mbiemrin Shuli, fis i Gurit, Llaneja. Ky është një burrë shumë i shkurtër që mban një rekord


98

Lekë Tasi —

të veçantë në këtë fshat, atë të grave që ka marrë, deri tani 13! Nuk është se i merr dhe i lë; më tepër e lënë,dhe ai merr të tjera. Pak muaj mbajnë martesat e tij, ose disa javë (më e shkurtra tri ditë!) aktualisht është në fazën e beqarisë, por i ka çuar fjalët në 3-4 vende për nuse. E dyta a e treta, nuk e di mirë cila, i ka lënë një vajzë 4-5 vjeçe. Në galerinë e njerkave të saj të shumta përfaqësohen të gjitha kategoritë e racat, duke përfshirë dhe jevga nga qyteti e harixheshka nga gabuxhinjtë shëtitës. Vajtëm një ditë si brigadë në fushë për të çimentuar një kanal vaditës, dhe kishin ardhur dhe ustallarët nga Gradishta. Filluan ta ngacmojnë, mirpo Llaneja përgjigjej pa i ardhur zor fare. Është inteligjent, “ha shaka” si thonë, por fytyra, syri i tij është i ftohtë, i trishtuar. Kur njeri prej tyre e nxori kampion në krahasim me një harixhi, që dhe ai ka ndërruar shumë gra, ky u përgjegj mendueshëm dhe modest, si i dorëzuar para fakteve: “Jo, ai ma ka kaluar..” – “Pse, Sa ka marrë ai?” pyetën menjëherë ata rrotull. Ky përsëri mendueshëm: “E po …ai ka të 17-ën në dorë me sa di unë” dhe bëri një buzëqeshje ironike shumë fine. Është vërtet shumë i shkurtër, por kokën e ka në madhësi ndoshta edhe mbi normalen, posi të një statuje, sybardhë e me kaçurrela të gjëra gështenje që po fillojnë t’i thinjen. I zë dora nga të gjitha. Ka sajuar një gur zmeriljo në shtëpi dhe ngjit çizme me lekë. Kur e përfytyroj në konakun e tij, atje brënda mëhallës me rrugina të padredhura të malokve, ndërsa i jep me këmbë çikrikut – e bija duke luajtur përtokë afër tij – ai më fanitet si ato fatitë e lashta, Moirat, me syrin e tij të bardhë, gati si të verbër të fiksuar drejt para në errësirë, sikur po tjer fijen që do t’i caktojë asaj një nënë të re.

30 Korrik 1977 Vazhdojmë te depoja. Mjaft mirë, jam i kënaqur. Sot, nga vapa e madhe ramë dakord të gjithë dhe, me të lënë punën, shkuam në rezervuarin e Plemres. Kishte dhe 4-5 orë ditë akoma, por nuk ndejtëm shumë. Unë vetë fare pak, sa për t’u freskuar, se ujët është pakësuar dhe ka shumë krende; ka me javë të tëra pa rënë një pikë shi dhe ngaqë e përdorin për vaditje, niveli bie vazhdimisht. Vendi në buzë të ujit ishte baltë. Mbasi u lava, mora dy gurë, u ula te njeri dhe mbasi shplava këmbët, mbatha këpucët te tjetri. Pastaj u vesha,


Grabjani rrëzë kodrave

99

ashtu i lagur dhe shkova u ula nën një plep duke u kënaqur me erën e lehtë që filloi të frynte. Gjithmonë më ka pëlqyer të futem në çdo lumë, liqen o det që më del para, Banjo jo me përgatitje e programe por ashtu si të rastisë, duke i lënë rrobat në një shkurre. Dua vetëm kontaktin freskues me ujin, dhe kjo të bëhet pa asnjë ndërmjetësi të qytetëruar. S’kam lënë plazh pa vajtur, me përjashtim të ShënGjinit e Sarandës, qoftë për një ditë ose disa orë. Urrej pushimet e organizuara. Tani, Divjakën e kemi vetëm 10-15 km, larg, por s’lëvizim dot. Sidoqoftë e quaj veten të fituar që të paktën mund të freskohem nganjëherë në këta rezervuarë e kanale që na ka krijuar socializmi real dhe i jam mirënjohës. Dolën edhe të tjerët, dhe së bashku morëm të përpjetën e vreshtave, ndërsa dielli digjte ende dhe na i zhdukte njollat e mëdha që uji i trupave kishte formuar në këmisha.

4 Shtator 1977 Jam i kënaqur me këtë punë. Shoqëria eshtë e qetë. Puna ndërpritet herë-herë, ka dhe ndonjë mosmarrëveshje, por edhe problemet zgjidhen pa fort tension. Bisedat janë të shtruara, toni serioz dhe çdo gjë bëhet me mirësjellje. Deklasimin e tyre – ta themi kështu – mund ta barazoj me një kualifikim që u vjen nga vuajtja, nga përpjekjet për të përballuar përherë diçka, meqë kanë qënë vazhdimisht në vështirësi, por edhe nga ndonjë libër që kanë kënduar vjedhurazi. Në fakt tema e bisedave përfshin deri edhe prejardhjen e fjalëve, ose të toponimeve! I furnizoj me karrocë dore, por shumë herë ata përvishen vetë dhe i bëjnë tok punët e rënda, grumbullimet e gurëve etj. Ata nuk kërkojnë fort prej meje, po edhe unë mundohem t’u dal para në çdo kërkesë që kanë, me një fjalë jemi në një garë fisnikërie për të mos lodhur njëri – tjetrin. Shpesh bisedojmë edhe duke punuar. Vetëm kur afrohen çunat, biseda merr tema më të sforcuara, sado që edhe deri atëherë as largazi s’prekej politika. Fakt është se vetë toni i “çpenguar” tingëllon pak si i pavend për veshët e tyre. (Kur isha te Jorgji, një ditë më erdhi te kasollja Muameri me një statistikë të shiut në viset e ndryshme të vendit, dhe më kujtohen sytë e brigadierit, që na vështronte më një mënyrë sikur të kishte ndonjë hile në atë mes).


100

Lekë Tasi —

Më pëlqen fjala e Mehdiut. I shkurtër, zeshkan, përherë në roba pune e sandale të bëra vetë. Ka një mençuri praktike dhe një ndjenjë shoqërore shumë fine, të bashkuara këto edhe me oportunizëm, që për çudi nuk më bën fort efekt të keq, sepse e kuptoj, e ndiej, se i është zhvilluar në ngushticën e një internimi të gjatë. Është martuar i ri, ka katër vajza të rritura dhe dy djem të vegjël. E pëlqej për atë shikimin e tij inteligjent dhe për fjalën e matur, përherë të goditur sipas rastit. Bardhi e çmon dhe më ka thënë që është i besës. Kjo fjalë vlen veçanërisht për rastin e tij, sepse vëllai më i madh që banon ngjitur me të dhe ka bërë 10 vjet burg qëndron në skajin tjetër; ka lojtur rolin kryesor në një gjyq të bujshëm para 20 vjetësh, “Grupi i Devollit”, flluska më e madhe që është fryrë në këta 40 vjet në anët e Korçës, në mbyllje të të cilit u pushkatuan një numër i madh fshatarësh e intelektualësh të asaj ane. S’ka lënë njeri pa futur brënda edhe gjatë kohës së burgut, duke dalë dëshmitar djathtas e majtas në çdo gjyq që planifikohej nga Ministria. Ka dhe një vëlla tjetër, të verbuar qysh në vogëli nga një bombë e mbetur; e mban Mediu. Devolliu tjetër është Qemali. Ka një palë mustaqe tartari të vendosura në qëndër të një fytyre gati prej qoseje, që çelet nganjëherë me një buzëqeshje të mirë por edhe me nënkuptime. Një vëlla i tij është arratisur aty nga 50-ta në Australi (ky u bë shkak i internimit të familjes). Këtu janë tre vëllezër. Sipas opinionit unanim të këtushëm, dy të vegjëlit eklipsohen nga i madhi i tyre, Avziu, një burrë me një profil madhështor, me flokë e mustaqe të thinjura, që ecën ngadalë si me spazëm të shkaktuar prej një farë difekti në kyçe. Merret vetëm me prerje ferrash së bashku me të shoqen, një grua e hollë e gjatë që është goditur nga një melankoli e fortë dhe nuk e hap gojën asnjëherë. Shkojnë rrugës të dy, ai përpara ajo mbrapa dhe nuk i afrohen asnjëherë brigadës në të cilën bëjnë pjesë. Ai mban një lidhje minimale me brigadieren, Sofien, aq sa i duhet për të marrë planin e punës, dhe sa për pagën, merr aq sa i jep ajo. S’do fjalë të tepërta, i ka punët e prera. Por edhe Sofia, që është pipericë me gjithë të tjerët, përpara tij ndihet si e çarmatosur nga qëndrimi i tij dinjitoz e i ngrysur.


Grabjani rrëzë kodrave

101

10 Shtator 1977 Qemali mundohet të bëjë mur, por nuk ia thotë fort. Qejfi i tij është miniera (!) Ka qënë për një kohë të shkurtër në Krrabë, ka kaluar mirë dhe qysh atëherë profesioni i minatorit i rri si objektiv i dëshiruar. Kjo s’realizohet, sepse as për atje nuk i japin letër këshilli. Një devollit tjetër është Seati, usta me kategori të 6-të. Kryen punën e shefit teknik. Është më i ri se këta dhe pi mjaft. Ndër ustallarët është dhe një lab, Myqo. Janë tre vëllezër këtu. S’kanë qënë asnjëherë të internuar, mirpo e kanë një farë deklasimi në veten e tyre, ngaqë dy të tjerët më të mëdhenj se Myqo kanë bërë burg, pavarsisht që njëri sish ka qënë dhe partizan. (Kështu që pata një zhgënjim se kisha kujtuar që gjeta më në fund lebër të pa lidhur me luftën) Myqo ka kaluar një operacion të rëndë në shtyllën kurrizore, kur i lëvizi një rrotullë nga një peshë që ngriti. Një ditë po ngrinim thasë çimentoje dhe unë i thashë: nuk ke frikë se të dëmton? -Jo, me shpresë të Zotit ma ktheu. Pastaj qeshi dhe tha si shqiptar që është: E di si jemi bërë tani? Si ai që shurroi qershitë dhe pastaj vinte me shpresë kur i hante, edhe kjo jo, edhe ajo jo... Edhe unë, këtë radhë jo e këtë radhë jo... gjersa të vemi atje... në kodër...

15 Shtator 1977 Pritet një seleksionim i puntorëve. Meqë materiali po mungon shpesh, do shkurtohen një pjesë. Përgjegjësi i punimeve vjen me të rallë nga Lushnja, më tepër për të kërkuar llogari, jo për të zgjidhur situatën. Asnjë objekt nuk mbarohet në afatin e caktuar, dhe kështu duhet që dikush ta ketë fajin... Ai dikush nuk mund të jetë ai vetë, as ata që janë mbi të e mbi ata që s’çojnë materialet, patjetër duhet të jemi ne këtej. Shokët më thanë të mos i bie fort në sy, sepse më kanë marrë gjysmë kontrabande, dhe kur vjen faza e shtërnguar, patjetër që mua më ha plumbi më lehtë. Por unë s’kam si bëj që të mos bie në sy, veçse të bëhem trasparent. Kështu që i kam rënë në sy, dhe ai më ca shikime sikur më thotë, vazhdo dhe ca ti gjersa të kujtohem unë…


102

Lekë Tasi —

21 Shtator 1977 Depoja nuk do dhe shumë për të përfunduar, por është vënë re që sa arrijnë në këtë fazë objektet kudo në Shqipëri, afatet zgjaten në dyfishin e kohës që u desh për t’i prurë deri këtu. Ustallarët i kanë çuar dy herë nëpër vende të tjera, në stallat e derrave ose në Pluk për të nxjerrë ditën. Në këto raste mua më lënë roje. Marr një libër dhe futem në hije! Mirpo një ditë erdhi Nuria dhe më pyeti ku janë puntorët. Kështu pozitës time iu dha dhe një e shkundur dhe e ndiej se po më afrohet fundi.

25 Shtator 1977 Depoja si bina mbaroi. Tani po fillojmë shtresën e çimentos në dysheme, por me mungesën e materialit izolant, kanë dalë ca fërkime që ma prishën tablonë idilike të marrëdhenive që kisha formuar me shoqërinë këtu. Selimi (Kulla) si i liruar tanimë, dhe shumë i zoti nga ana profesionale, është bërë brigadier teknik. Ia kanë besuar këtë detyrë, por devolliu që ishte më parë, ai që pi, me pretekstin se s’mund të rrihet pa punë, i kërkoi që të fillohet shtrimi edhe pa izolim (meqë bitum s’ka), sigurisht që Selimi të kapet në gabim. Selimi s’pranoi në asnjë mënyrë, i njeh fort mirë këto hile. Kështu që po bëjmë ca punime të vogla sa për t’u quajtur në punë. Tetor 1977 Erdhi përgjegjsi dhe na bëri mbledhje. Përsëri e njëjta histori. Kërkon rendiment pa dërguar furnizim. Të bëjmë punë, po me se?! Është tamam nga ata tipa që i shohim në estrada ose që flitet në ca artikuj në shtyp. Flet i vrenjtur para të gjithëve, i preokupuar, “parimor”, kërkues por kur e zë mënjanë, në rreth shokësh, çelet përnjëherësh në fytyrë, bile me një farë qësëndie të thotë: Pse, mbarohen punët e shtetit?… Kufirin klasor nuk e harron kurrë. Më kishte lënë ca ditë pa paguar kur ishin ustallarët në Pluk. E shkela porosinë e shokëve dhe i kërkova arsyen para se të fillonte mbledhja, dhe pastaj s’mi hidhte sytë fare megjithse i kisha dalë karshi. Me siguri tani më ka vënë vizën.


Grabjani rrëzë kodrave

103

13 Tetor 1977 U vendos. Na kanë çuar përsëri në bujqësi. Jo vetëm mua, të gjithë. Për ustallarët me kategori kjo është provizore, deri sa të vijë materiali, kurse për mua e Selimin, definitive. Por jam shumë më mirë nga ç’kam qënë te Jorgji.

26 Tetor 1977 Tokat e brigadave janë rrypa të së njëjtës gjerësi (700 metra) që shkojnë nga kanali rrëzë kodrës deri te kanali i madh që na ndan nga Çerma, me gjatësi dy kilometra e ca. Brigada e tetë ku bënja pjesë para gjashtë muajve është në të majtë, afër fshatrave, kjo ku jam tani është në të djathtë, dhe një kanal i ndan. Brigadier kam Destanin, vërçan. Ka vetinë më të mirë që mund të dëshirohet: është indiferent. I mungon fare zelli për të futur hundët, për pasojë shpresoj edhe për të shërbyer si vegël. Jorgjin e shihja nganjëherë me ata të Degës, kurse ky duket sikur përton të flasë. Nuk është as antar partie. Do Zoti nis një periudhe e qetë, pa ngjarje. Shokët e punës i kam të mirë. Ndër ta Meleqi nga Bilishti, me fytyrë fëminore dhe i sjellshëm (ish i internuar), Halili, një dibran bjond me hundë shqiponje dhe trup atletik si edhe Pëllumbi nga Familja Kurti që u lirua, vlla me Ferdinandin. Janë punëtorë të fortë. Unë ia kam marrë dorën mjaft lopatës, por prapë jam larg tyre; ndaj rri modest dhe i gatshëm të nxë prej tyre çdo gjë që ka të bëjë me punën, pa përjashtuar edhe ndonjë hile. Shoqëria është dashamirëse dhe e distancuar njëkohësisht. Por kryesori, ai me të cilin shkoj e vij, ha bashkë dhe flas mbarë e prapë është Selimi. E kam thënë që ka mbaruar shkollën artistike natën, duke punuar si murator ditën, dhe që pastaj ka punuar një bust udhëheqësi (modeluar e derdhur vetë në allçi) të cilin nuk ia kanë ekspozuar megjithëse shumë nga artistët me emër ia pëlqenin. Nga fundi i periudhës kur punonte bustin, Ministria e Industrisë, prej së cilës varej ndërmarrja e tij, e mori si specialist të zgjedhur për t’i bërë armaturën e strehimit të saj nëntokësor. La skulpturën dhe u fut nën dhé vetëm për hatër të drejtorit të tij shumë të mirë. Pesë muaj punë


104

Lekë Tasi —

intensive në dritën e reflektorëve dhe në lagështi të fortë, por dy javët e fundit, kur ngriu betoni dhe e dizarmoi, puna e tij e pahile dhe ambjenti tepër i lagësht e sëmurën nga stomaku. U shtrua menjëherë dhe bëri operacion, sepse i ishte shkaktuar ulçera. Tani është mirë por i ka mbetur zakoni të hajë nga pak në çdo 2 – 3 orë. Në fakt nuk ka kaluar shumë kohë midis operacionit dhe internimit. I them me të qeshur: “Edhe Herkuli u hynte punëve të tilla, mirpo mbreti i ngarkonte të tjera si shpërblim..” Ai nuk qesh, sepse ka një tjetër lloj koncepti për shakanë, madje skuqet përnjëherësh në fytyrë dhe merr një shprehje sikur do të vrasë njeri. Fushata e zgjedhjeve për këshillat popullorë ka filluar. Dje Fejziu më tha që kishte dëgjuar dy çuna duke folur. Shanin kandidatët dhe thonin që ... duhen njerëz të ngritur, të mirë që t’ia zgjidhin hallet popullit, e jo si këta.. M’u duk interesante sepse janë djem komunistësh, bile e habitshme. Të jenë spontane? S’besoj.

27 Tetor 1977 Por le të mos çajmë kokë! Ndërkohë që bëhen këto manevra elektorale, unë po shijoj atmosferën e qetë dhe të shtrirë që kam gjetur në këtë brigadë. Po vajte vonë, nuk ndodh qameti, as kur ikën herët!... Destani është i ngadalshëm, i shtruar. (E kam dëgjuar me kohë punën e tri grave shtatzëna që flinin në kulmin e punës, dhe që ai u kalonte pranë dhe bënte sikur nuk i shihte) Një ditë po rrinim grumbull. Kishim vajtur vonë dhe, veç kësaj s’duhej ndonjë sy i mprehtë për të kuptuar që s’kishim filluar nga puna: lopatat ishin pa ndotur fare. S’mjaftonte kjo, por ishim mbledhur të gjithë te vija e njërit dhe bisedonim. U duk Destani në argjinaturë, i pazakonshëm për atë orë. Unë u ndjeva ngushtë, kurse gjithë të tjerët jo dhe aq. Sidoqoftë nuk lëvizëm (sepse është më keq të lëvizësh. Kur brigadieri të gjen ulur, vazhdo rri, është më e natyrshme, si me qenin që s’duhet t’i tregohesh i trëmbur). Ai erdhi ngadalë, na u afrua me duar në xhepa, vështroi i ngrysur një djalë pranë meje, gati egër, e unë prisnja se do të bërtiste. Një çast heshtje, pastaj tha: Ku e ke blerë këtë? Dhe i zuri trikon me dorë… Donte të blinte edhe vetë.


Grabjani rrëzë kodrave

105

Jam vërtet rehat. Shiu më lag, nuk them, gishtat më mërdhijnë në mëngjez, por kam një qetësi brënda, me një fjalë këtu nuk vështrojmë rrotull me shqetësim të madh se kush do të na vijë, etj. Edhe me pagë s’dal fort keq. Dëshira ime e vetme është që të mos më masë punën “antari i partisë” (çdo brigadë e ka të domosdoshëm një antar partie në efektiv). Ky i yni është një burrë i shkurtër, i pakët dhe mjaft i pafjalë, por tip mistreci në mënyrën e vet: s’i jep dora. Nuk të shton asnjë santim, përkundrazi, shkurton. Për fat të mirë, matjen zakonisht nuk e bën ky, por Kadriu, një djalë i mirë, jevg kosovar, i cili ka hall të fitojë vetë, megjithatë nuk lë dhe të tjerët pa gjë. Destani s’mat kurrë vetë, por natyrisht, fjala e fundit i mbetet atij. Kur përgatit borderonë. Halili, djali me trup atletik që kam thënë, është puntori më i fortë së bashku me Kadriun, por edhe të tjerët nuk janë fort mbrapa. Halili po bën shtëpi, prandaj kërkon të fitojë sa më shumë, por njëkohësisht puna ia do të iki sa më herët nga fusha. Një ditë bëri 30m3, që bëjnë tri norma e pak, matur natyrisht me bollëk të madh, me qëllim që të mungonte të nesërmen e të pasnesërmen për tu marrë me shtëpinë. Kadriu ia shkruan, por kjo bëhet pa dijeninë e brigadierit, mbasei punëtori s’lejohet të marrë më tepër se një normë e gjysmë (13,5m3). Ka mbaruar koha e dy e tri normave; mbas 66-ës, d.m.th që kur doli parulla “me forcat tona”, normisti nuk mund të të shkruajë më tepër se kaq. Halili është i parafundit i një vllazërie që shkon nga një 55 vjeçar deri tek një 15 vjeçar (janë me dy nëna), të ardhur këtu sepse u është arratisur një vëlla. Shkaku: pakënaqësia që s’i dhanë të drejtën e studimit; por janë të lirë. Edhe në këtë kolektiv më pëlqen niveli, si atje në ndërtim. Janë të zgjuar por edhe kërkojnë informacion, të cilin e shkëputin me vështirësi nga burimet e pakta që mund të ofrojë ky mjedis i varfër. Bibloteka e Sektorit nuk u jep fort, më tepër rri mbyllur; filma e TV shohin rrallë, janë abonuar në ndonjë revistë. Në ato pak biseda kam vënë re një gjë të mirë; nuk u bëjnë përshtypje gjërat e bujshme por thelbësoret. Kjo është përshtypja ime dhe guxoj të them se sikur kjo këtu të përfaqësonte mesataren e fshatit tonë, mund të jemi të kënaqur. Mirëpo kam frikë se nuk është ashtu, nuk e përfaqëson, dhe njëra nga arsyet është se nuk ka kudo të internuar ose të themi një pakicë të kalitur me vështirësi dhe me një farë fryme qytetarie. Ose, edhe atje ku ka të tillë, ata nuk shërbejnë si


106

Lekë Tasi —

tharm për masën tjetër. Shkaku është ky vçim që është imponuar midis njerëzve. Meleqi, ai me fytyrë fëminore e me një qëndrim disi të ndrojtur është nga Bilishti, edhe ai nën tridhjetat. Edhe ky lexon, por pavarësisht nga modestia e ndrojtja e dukshme, ka një farë natyre kokëfortë që shpesh e bën si tepër të ngulur në të tijën. (Kur e ndërpreva njëherë për t’i korrigjuar me takt një gabim të sigurt, ai me la të flas, por pastaj e vazhdoi fjalën atje ku e kish lënë dhe tamam si e kish lënë, sikur unë të mos kisha folur fare!) i pëlqen profesioni i mësuesit. Këtë ma tha kur e pyeta një ditë se cila është dëshira e tij, duke menduar se do të ngutej t’i vinte gishtin ndonjë profesioni nga ato të qytetit. I vëllai, e quajnë Ëngjëll (në fakt janë omonime) 4 –5 vjet më i madh, e ka kryer gjimnazin, kurse ky Meleqi nuk e pati këtë fat megjithë dëshirën e tij të madhe, sepse kur i erdhi mosha, familjen e tyre e larguan nga Savra për në Kryekuq, një fshat i humbur këtu mbas kodrave, d.m.th i çuan nga porta e Lushnjes në pikën më të largët të rrethit. Meleqi është sistematik në punë, ka kujtesë shumë të mirë (përmend hollësira të ndodhura muaj më parë, t’i radhit kulturat që janë mbjellë në të gjitha parcelat këto 3 – 4 vjetët e fundit. Nuk më hapet fort. Kur e pyeta – me takt natyrisht – për etapat e ndryshme të internimit të tyre dhe për trajtimin që u kanë bërë, ai m’u shmang, me takt edhe ai, duke i rënë shkurt e me një buzëqeshje të lehtë pak të turpshme. Por kjo sjellje e tij e rezervuar, ra ndesh mbas disa ditësh me një shikim të tij gazmor që më lëshoi kur përmblodhi gjithë ata që shkruajnë nëpër revista me një përemër “Këta” ku dukej çmimi i pakët që u jepte dhe një ironi e hapur. I lexon revistat rregullisht, jo për gjë, por se s’ka tjetër nga aktualiteti. Kërkon gjëra me vlerë, ka një koleksion librash të mirë dhe i ruan me zell. Edhe i vëllai po ashtu, e njoh më pak atë, por më duket edhe më i përgatitur. I pashëm, i sjellshëm dhe veçanërisht i saktë në shprehje, tamam një intelektual i munguar. Një ditë Meleqi më tregonte se si të dy kanë punuar, të rinj fare, në hapjen e kanaleve sekondare. Kjo ka ndodhur aty nga 65a, një punë e tëra me lopatë, safi punë krahu (meqë eskavatorë kishte pak aso kohe dhe çanin vetëm kanalet kryesore). E hidhnin dheun tri herë: ai që punonte në thellësi ia hidhte të dytit në rampë, dhe ky të tretit i cili e


Grabjani rrëzë kodrave

107

nxirrte jashtë. Të hapësh një seksion 6 – 7 metra të gjërë dhe 4 ose 5 të thellë në tokë të fortë, kjo të jep idenë se ç’punë është bërë në Tërbuf kur hapej dhe kompletohej rrjeti i kullimit nga këta djem që ndryshe nga shumica dërrmuese e qytetarëve do ta bënin me qejf e zotësi detyrën e mësuesit nëpër cepa të largët të vendit; këta djem që kur kthehen në shtëpi të lodhur, edhe sot nuk rrinë pa i zënë librat... Më kujtohet që më ‘51 sollën për ca kohë nga Burreli babanë dhe xhaxhanë bashke më shumë të tjerë në burg të ri dhe u ngarkuan të përkthenin libra.. Për pak kohë medet. E di që është poshtëruese të punosh në kulturë duke qënë i ruajtur në polici. Por as kjo mëndje s’i pëlqeu diktatorit. Parapëlqeu të veniteshin atje në Burrel brënda një amullie që u vdirte trupin dhe shpirtin. Por prapë s’fitoi; Për shtresën tonë Burreli quhet dhe do të quhet Universitet i Shqipërisë Nacionaliste. Edhe puntorët e tjerë më duken të mirë. Kjo ndofta sepse kryesorët, Halili dhe ata që përmenda e që përbëjnë një farë kryesie, janë seriozë, i japin tonin kolektivit në këtë drejtim dhe nuk lejojnë prishje të rregullit. Shakatë bëhen me kripë jo si në brigadën tjetër; kështu nuk arrin puna në grindje. Shumë varet dhe nga brigadieri, që këtu, fat i rrallë, është paqësor, nuk nxit për keq; pra horrat, edhe në qofshin, rrinë urtë. Një tip që bie në sy është dhe Dulla, një harixhi që flet shumë, vazhdimisht duke bërë shaka. “Kur isha i ri” tha një ditë “1500 lekë më bënte të ecurit. Isha tamam si ministri i mbrojtjes popullore! 1500 deri te klubi, kursederi te Ushqimorja, 2000 lekë!” Një herë tjetër tha: “Të kesh të jetosh me erë lulesh! Të mos vesh fare në punë!” Ka vrarë një njeri aksidentalisht dhe për këtë bëri ca vjet burg. Qysh atëherë i është bërë kompleks zhargoni gjyqsor, kodi Penal, neni kaq, neni aq etj dhe i përdor vazhdimisht.

10 Nëntor 1977 Me vjeshtën që avancon, nuk e mbaj dot zakonin e gjumit pas buke. Mund të ketë edhe ndonjë ditë të butë, me diell, por kur të kot gjumi, atëherë e ndien sesa ftohtë është. Puntorët, me të ngrënë bukë, shtrohen e lozin domino. Unë rri aty pranë dhe pas pak më përkulet koka. S’më lë të fohtët të vazhdoj. Zgjohem, shkundem dhe rri ashtu i mardhur, e përsëri më vjen gjumi.


108

Lekë Tasi —

Disa herë përsëritet kjo lojë, deri sa vendos të ngrihem: vetëm puna ma heq gjumin bashkë me të ftohtët. Puntorët vazhdojnë dominonë, ua digjoj të thirrurrat nga larg. Pastaj, kur unë kam bërë ca metra, ata e lënë lojën dhe shtrihen. S’pyesin për të ftohtë (kam parë disa të flinin edhe kur vesonte). Pastaj ngrihen të mardhur, ndezin zjarr. Mblidhen, marrin një valë dhe shpërndahen secili te vija e vet. Pushimin mund ta kenë bërë trefish më të gjatë se unë, por unë as që u jam afruar: ata mbi 50 metra qysh para dreke, unë te 40 – at tani. Kurse në verë fle mirë. Ekonomizoj kohën e pushimit; ha shpejt ato që kam marrë dhe vihem të rregulloj vendin. Sheshoj tokën me shatë, dendësoj hijen mbi kokë duke i hedhur misrit ose shkurres nën të cilën do të pushoj, ndonjë thes plasmasi që gjej nëpër parcelë, dhe shtrihem. Në brigadën tjetër kam qënë më mirë nga kjo anë, kishte ullinj përtej kanalit për hije. Të gjithë e quajnë veten të fituar kur flejnë në fushë. Puntorë, traktoristë, ndihmësa, barinj, roje: të gjithë shtrirë përmbys ia kërcasin gjumit me t’u ardhur rasti, si për inat të dikujt. Sepse lodhja është e madhe. Prandaj këtu, gjumi zë një pjesë shumë më të madhe të 24 orëshit se sa në qytet. Edhe buka po ashtu, zë një vend mbizotërues në ushqim. Me mëngjes me drekë, shumica e puntorëve mund të hanë dhe një kile bukë! Kurse si gjellë, më të përdorurat janë djathi, speci, qepa dhe sidomos kosi. Televizioni na mbush mbrëmjen, por kam harruar të them se drita këtu pritet shpesh, jo vetëm kur është kohë me erë dhe shi, por edhe kot nganjëherë, e presin për kursim. Mbrëmë na la përgjysmë në film në pikën kulminante. Ndihet një dhunë e hidhur në këtë ndërprerje; i shpërnguluri qytetar preket veçanërisht shumë, si pjesë e kapriços që t’i bëjnë ç’t’u teket.

1 Dhjetor 1977 Me zgjedhjet që u bënë doli kryetar këshilli Zoi, një burrë i thatë me këmbë të harkuara dhe hundë me majë, që deri sot ka qënë antar. Na pat ardhur një herë për të asistuar në apel, si përfaqësues i


Grabjani rrëzë kodrave

109

pushtetit, natën që u bë alarm për mungesën e Thomait. E kam parë dhe në një mbledhje me popullin para dy vjetësh me temë diskutimin e bursave. Fliste qartë si mësues i vjetër që është (madje kur do të fillonte një fjali të varur, bënte një pushim me një lëvizje të kokës mënjanë dhe njëkohësisht mbyllte sytë, si për të theksuar që do të kthehet sërish tek ajo që la). Kjo më pëlqeu atëherë, dhe si i pa përvojë në ambjentin e ri, mendova se s’do të ish e vështirë të merreshim vesh si njerëz. Në fakt, sintaksi, dua të them shprehja inteligjente, komunikimi i qartë, ashtu si edhe mendimi i përbashkësisë së gjumit të natës (tek i cili kridhemi të gjithë dhe i cili na çarmatos përkohësisht nga angazhimet dhe ligësitë) por edhe pamja e fëmijve të çerdhes – sidomos kjo – të cilët fëmijë fare të pa dredhi e të kapur njëri pas grykëses së tjetrit ecin para syve tanë me një pafajsi që të njëson kushdo që të jesh, e pra ky lloj njësimi mendova se mund të ruhet si marrëdhënie e fundit, mes të dy palëve. Diçka analoge e kam menduar dhe një herë tjetër në teatër kur m’u puq shikimi me atë të një udhëheqësi të partisë e të shtetit në një moment admirimi për një këngëtare. Por (i hoqa menjëherë sytë, sepse pavarësisht nga këto arsyetime) realiteti ka kohë që ka humbur thjeshtësinë. Qëllimi këtyre ka qënë të egërsojnë çdo gjë. Kështu, me të hapur sytë në mëngjez, edhe kundër natyrës, që të fton në një lloj ngadalësie, ne nisim grindjen. Ky Zoi, me që erdhi fjala, ka qënë më i vendosuri në përdorimin e drurit në shkollë, këtë ma thonë puntorët e rinj, të posadalë nga bankat e saj. Mirpo bie ndesh me një gjest të tij më vonë. Kur u ankova te ky si antar këshilli për hedhjen e gurëve që hidhnin kalamanjtë dhe na dëmtonin çatinë, ai i thirri por në vend që t’i qortonte, i ndihmoi me sugjerime – tamam para syve të mi – se si të përgjigjeshin, dhe në fund më përcolli me një buzëqeshje të kënaqur. Më erdhi keq për hesap të tij të them të drejtën, por edhe pak turp që pse pritnja i bazuar në përshtypje të thjeshta. Në një tablo më të gjërë ky lloj zhgënjimi bën që t’i fsheh nga të tjerët këto hamëndje të mira për dikë, sado që e di se kanë diçka të vërtetë.

Dhjetor 1977 Punojmë në lëmë këto ditë. Mua kjo punë më duket mundim i kotë, një nga ato angari që mund të evitoheshin me pak planifikim. Ja


110

Lekë Tasi —

konkretisht pse: vjet misri u bë shumë, s’kishin ku ta vinin, prandaj ngritën nga 30 koçekë të rinj jashtë lëmit, në afërsi të depos plehut ku punova dhe unë në këtë behar. Prodhimi erdhi nga fusha në lëmë, dhe si u përpunua në tharëse, duhej tani të kalonte në koçekë ku të depozitohej. Mirpo kanë rënë shira, dhe makina s’e bën dot transportin prej baltës së madhe që është krijuar. Papritmas doli në shesh që kanë harruar të bëjnë rrugën lëmë – koçekë! Në fakt, nuk duhet gjë e madhe, vetëm 100 – 150 metra kalldrëm, si dhe një urë fare e vogël; por ja që s’ekzistojnë! Për pasojë na kanë vënë neve të mbajmë misrin me thasë në kurriz. Duhet të kesh çizme të mira, se nganjëherë mund të zhytesh gjer në gju, dhe këmba duhet të jetë e shtërnguar brënda në çizme, përndryshe mund të mbetesh zbathur kur ngec. Marrim një thes (disa marrin dy) e mbushim tek grumbulli i madh në shesh (i lagur, pra puna e tharëses vajti dëm…) dhe kalojmë para një gruaje që na shënon rrugët. Nisemi, njëri pas tjetrit, dalim nga sheshi i lëmit dhe futemi në baltë. Tek gjurma e thellë e të parit, do të vërë këmbën i dyti e me radhë të tjerët, por me kujdes secili, që të ruajë ekuilibrin. Kur bën ndonjë lëvizje të sforcuar për t’u shqitur nga lera, me peshën që ke në kurriz, mund të marrësh një vrull të tepërt dhe përfundon në llucën e paprekur aty pranë. (një djalë i vogël u përlye keq mes zgërdhive të shokëve). Kemi vështirësi të këmbehemi me ata që vijnë në drejtimin e kundërt duke u kthyer. Disa të padurueshëm shpejtojnë, tentojnë pista të reja, i bien për shkurt, por dalin me zorr. Brigadieri, një burrë i gjatë nga Buzët, përherë i ngrysur, rri e na ruan që ta mbushim thesin mirë, sepse ndokush mund të përfitojë duke çuar më pak nga pesha mesatare (6 thasë për Kv, d.mth 16 – 17 kg thesi). Për këtë, kap ndonjërin tek – tuk dhe e çon në peshore. Po t’i dalë thesi me peshë më të vogël, të gjitha rrugët e ditës i shkruhen në atë peshë. Më kapi dhe mua së bashku me një jevg. Në peshore, thasët na dolën, mua 15, atij njeri 15, tjetri 12. Filloi t’u bërtasë gjithë varganit të punëtorëve: Mbushini mirë! Digjoni? Se s’u jap normë! Rrugët e tjera ky që u kap gabim me mua i mbushte mirë dhe kur kalonte para brigadierit i thërriste me një maraz të tepruar: Hajde! Vemi në kandart??. Por ai s’ia varte më se ia shihte kurrizin të përkulur mirë. E katërta ditë sot. Misri është i lagur dhe na e bën xhaketën qull e


Grabjani rrëzë kodrave

111

pis.. im vëlla është sëmurë se s’ruhet fort, bëhet me djersë dhe sot u gdhi me temperaturë. Por edhe unë në ato ujra jam..

11 Dhjetor 1977 Sot e Djelë, erdhi dhe Ylli me mua në brigadë. Na ka hyrë dhe neve zakoni tani që mungesat ose defiçitet e javës t’i mbushim të dielave. Bëmë secili nga një grykë duke punuar deri në drekë. Ylli punon shpejt dhe nuk shmanget fare nga drejtimi i vijës që nis, sikur ta ketë piketuar me instrument; edhe skarpatën e bën me një pjerrësi ideale, punë me të vërtetë artistike. Edhe unë kam filluar të punoj drejt tani, por më duhet t’a kontrolloj shpesh me sy, bile duke dalë nga vija për ta përfshirë mirë me sy të tërën. Brigadieri erdhi aty nga dreka, ora 11, e pa punën dhe s’foli. Ajo që për ne është punë e shkëlqyer, që të entuziazmon, për ta është e zakonshme, thjesht kullim uji dhe metra kub. Mua sidoqoftë, sot e kuptova mirë, lopata më pëlqen më shumë se çdo proçes tjetër. Këto ditë kemi bërë dhe pastrimin e parcelave nga mbeturinat e pambukut. Nuk marrim as 100 lekë ndofta për ato 4 – 5 kile pambuk të keq që mbledhim secili, mirpo shtetit varfanjak i intereson, sepse edhe neve na quan të paguar dhe për vete grumbullon dy kuintal pambuk të zi që dreqi e di se për se i hyn në punë në ato punishtet e tij të muzgëta.

12 Shkurt 1978 Dimri po kalon, por bashkë me të, kam frikë se do të na ikë qetësia e muajve të fundit. Sot erdhi përgjegjësi në brigadë e bëri mbledhje për të na thënë se së shpejti do ta heqin Destanin. Arësya: se s’paska shkollë (!) “Deri tani e mbajtëm, por jo më tutje!” tha me një ton teatral duke hapur krahët sikur të kishte kundërshtime ose sikur t’i paskëshin kërkuar llogari pse nuk e kishte hequr më parë. Në të vërtetë askujt nuk i bëhet vonë për shkollimin e brigadierëve, por ka ardhur udhëzimi që të vënë brigadierë të rinj, sidomos vajza. Dhe në fakt ai propozoi Lavdien, një vajzë nga Gramshi që posa ka mbaruar të mesmen (para dy


112

Lekë Tasi —

javësh na mati punën dhe Selimi e “ndihmonte”, ajo duke bërë llogaritë e ai duke i sugjeruar veprime të tilla si 4 herë 7 = 42, arriti të na shtojë nga 2 metra kub për shok.) Për këtë gocë përgjegjësi kërkoi miratimin e masës, dhe aty për aty tha që ky miratim nuk është i nevojshëm: “Më parë duhej pëlqimi i masës na shpjegoi, por tani ndërroi pllaka (tamam fjala e tij). Ne ju a kërkojmë mendimin se duam të dimë, por për të vendosur, tani vendos organizata bazë”. (kush mund t’a dijë pse e nxorri kaq troç diktatin e partisë kur gjithmonë e kanë theksuar sovranitetin e popullit qoftë për formë. Fijet e këtyre punëve janë të fshehura, ndofta i vënë në dukje për të patur popullin dëshmitar më vonë për shtrëmbërimet sektare të bëra). Brigada nuk foli, veç dy tri vajzave si gjithmonë. Destani s’dukej fort i mërzitur që po e heqin, e aq më pak për mënyrën “pa doreza” që e bëri të pashkollë faqe të gjithëve. Flitet se i kanë gjetur një vend të rehatshëm në sektorin e derrave ku do të peshojë ushqimin e tyre. Me atë indiferentizmin e tij dukej sikur thoshte: Më vër atje të dredh zinxhirin, pa ti gri ç’të duash me këta. Kush dëmtohet në këtë mes jemi ne, që po humbasim këtë njeri të qetë e pa nerva, dhe sidomos unë, që s’e gëzova shumë paqen, e që tani duhet t’u përgatitem llafeve e zënkave përsëri. Brigadierja e re s’premton fort për keq. Por mos tjetër, është ky ndërrim brezash i sforcuar që më shqetëson. “Sa më i moshuar të jetë brigadieri thotë Selimi, aq më shpresë mund të kesh se t’i kupton hallet.”

27 Shkurt 1978 Lavdia, brigadierja, ka të mesmen bujqësore, por veç të tjerave, moshë e re dhe pa praktikë, nuk e ka as idenë e punëve të fushës! Me një përvojë zero, me njohuri të marra prej një teksti të mësuar përmendësh atje në shkollë, deri tek drejtimi i 40 vetëve dhe administrimi i 200 hektarëve, distanca është e madhe. Si njeri sështë e keqe, por shume impulsive, dhe ka filluar t’i nxjerrë huqet nga pak, u bërtet punëtorëve për hiçgjë. Qysh para se të vinja në këtë brigadë, vjet në verë kam qenë dëshmitar i një grindjeje të saj me shoqet e punës, ku mu duk tepër inatçore. Kur erdhi përgjegjësi para një muaji për të kërkuar mendimin e kolektivit, ai bëri edhe një


Grabjani rrëzë kodrave

113

pyetje: Si e njihni ju, mos është gjë gjaknxehtë ose hakmarrëse? I paske rënë pikës, thashë me vete: dhe mu kujtua ajo kacafytje e vjelmë e saj me shoqet e çakërdisura, gjatë së cilës shqiptarkat e reja ndukeshin nga flokët dhe në fund ia hodhën njëra-tjetrës çantat në lërë. Aty s’mund të flisja; edhe të mos isha i internuar, zakoni ynë është të heshtim, prandaj na shkojnë punët siç po na shkojnë. Megjithatë, të shohim... mund të jesh hakmarrës në nerva e sipër, ose për një të drejtë tënden që të hanë, por neve na intereson kryesisht si do të jetë në mbrëmje kur të shkruajë borderonë, dokumentin nga e cila varet kafshata e një rrethi të gjërë gojësh. Shumë manipulime bëhen n’atë çast, shumë inate nxirren, edhe me gjak të ftohtë, dhe plot hatëre gjejnë realizimin e tyre. Prandaj më duket me vend ajo që thotë Selimi për brigadierët e pjekur në moshë. Ata e dinë mirë sipas tij së paku ç’do të thotë të mbash familjen me pagën e fushës. Se po ta mbash shpresën te kontrollet ose frika e revizorëve ose e agronomëve, s’ke gjë, ata kanë hall të mos jepet lek i tepërt, kurse po të jepet i mangët, s’thonë gjë.

1 Mars 1978 Një barceletë nga të Shkodrës. Një malësor pyeti njërin: Ç’është ky Konfuci që po i bien kaq në qafë? – Filozof. – Po ç’ka bërë? – Po ja, më tepër ka thënë se ka bërë, dhe i ka thënë … 2500 vjet më parë. – Dreq! Dhe kujtohen tani ta shajnë? ...

20 Mars 1978 Bëra fjalë me brigadieren e re, ose më mirë të them ajo më mbyti me një lumë të sharash, vetëm se mora trastën dhe u nisa të ik para shokëve për të arritur apelin. U detyrova t’i drejtohem të atit për t’ia mbledhur gojën. Ky është një karrocier verçan, një burrë i arsyeshëm. E kërkova që atë natë në klub dhe ia thashë. Tundi kokën rreptë se s’i erdhi mirë. Mos ki merak më tha (Ajo është 18 vjeçe dhe thonë se ha dru prej tij akoma). Sot ngarkuam pleh kimik. Depoja është një kapanon i zi, me strehë cilindrikë të lyer me zift, me dritare të vogla. Male me superfosfat në dy anët e tij. Bën shumë ftohtë. Fusim rimorkion në mes dhe e mbushim


114

Lekë Tasi —

me lopatë. Duhet hedhur me kujdes se të mbyt pluhuri. Por sado me terezi ta hedhësh, katër lopata njëkohësisht ngrejnë një re që përhapet kudo e të futet në hundë, me një erë djegëse si të gëlqeres. Në pushimin e drekës Haxhiu (Agalliu), një burrë nja 40 vjeç, ish i internuar më tregoi historinë e tij. Ka bërë dy herë burg, të parën në moshën 16 vjeç për tentativë arratisjeje (nismë e tradhtuar qysh pa filluar nga shoku i tij), të dytën për grindje. Është bir i Dilaver Çorogjafit, i arratisur me nam në vitet 50, që mbeti shumë kohë në male pa rënë në dorë, ndërkohë që familja ish në internim, dhe që i dha fund jetës në Rajcë të Korçës kur dy shokët iu vranë në rrethim zjarri, duke çarë rrethimin me këto fjalë: Shihni si vdesin burrat! Kur flet ka një ton të apasionuar, dhe ti e kupton që ka trashëguar mjaft nga ai baba. Aty nga mesi i dënimit të parë, pak ditë mbasi kishte dalë nga biruca ku e patën futur për një grindje, i dobësuar por gjithmonë i paepur i ra grusht një arsimtari matjan (spiun i drejtorisë) sepse po tallte faqe tij si për ta sfiduar një plak fatkeq, burrë dinjitoz por të katandisur keq nga uria e burgu i gjatë. E çuan te Hazbi Lamçja – drejtor i njohur kampesh, i cili futi sëpari teknikat e reja në trajtimin e të burgosurve, teknika të bazuara në lëshime, komprometime e kompromise, prej të cilave përfitonte vetë me dy duart por zbuste edhe regjimin e egër të burgut komunist. (Meriton kjo figurë një kapitull më vete, po të gjej lëndën e duhur më vonë). Në fillim të bisedës, Hazbiu e trajtoi butë, duke ia bërë qejfin për kurajon dhe indinjatën e drejtë ndaj paburrësisë së matjanit, por edhe duke e ngacmuar për shëndetin e tij tepër të dobët e për rininë e tij prej fëmie të paarrirë. Ngadal – ngadal shakatë u ntrashën, sepse ky “fëmi” nuk po i bindej lojës standarte të tij (që konsistonte siç e kanë zakon në “thyerjen nga mënyrat e buta kur s’ke marrë vesh të fortat”) dhe po i përgjigjej insinuatave për origjinën e tij me kundërshtime të zemëruara. Deri sa Hazbiu, qejfprishur, dhe për ta çuar gjer në fund provën, e quajti tradhtar me gjith baba e farefis. Haxhiu kërceu në këmbë dhe ia ktheu fyerjen me këto fjalë: “Ne që na quan tradhtarë ti o Hazbi Lamçe, do të vijë dita që do t’ju hamë të gjallë, dhe s’kini nga të na shpëtoni!” Hazbiu u ngrit në këmbë, i zverdhur dhe thirri policin: “Merre, tha dhe fute në birucë këtë armik!”


Grabjani rrëzë kodrave

115

Kjo ndodhi në 31 Dhjetor. I tërë Janari e atij viti mbajti shumë ftohtë. Rojet që ndërroheshin te dera e qelisë së tij, e vetmja e zënë në kampin e Tiranës së Re, rrinin me kokore dhe kapotë të mbërthyer deri lart. Haxhiu e kaloi atë muaj vetëm me kanotjerë dhe këmishë. (kjo ngjan e pabesueshme, por unë dhe i tërë fshati këtu jemi dëshmitarë dhe sot, që Haxhiu shkon e vjen në fushë me këmishë në mes të dimrit). Duke u ushqyer me bukë e ujë. Më 29 Janar - dënimi në qeli mbante një muaj – i sollën një provokator vetëm një natë me qëllim ta thyenin moralisht. E pyeti për shëndetin (. . .)i shprehu solidaritetin e tërë burgut, por kur Haxhiu me një zë të dobësuar por të vendosur i tha: Ja, dhe dy dit dhe e hedh dënimin e atij qenit, ai i tregoi si me keqardhje se Hazbiu u kishte komunikuar në mbledhje që kishte vendosur ta linte të vdiste, si armik të betuar. “Bëj diçka Haxhi, se do të zgjasë shumë..” E mbajtën në birucë 42 ditë. Katër – pesë ditët e fundit ai preu bukën. Dhe kur humbi ndjenjat, rojet e shtrinë në një batanije, të katandisur tanimë kufomë, dhe e çuan në infiermeri ku ndejti disa ditë pa ardhur në vete. Infermieri sa për të bërë borxhin, i nisi një serum. Ato ditë rastisi të vinë për inspektim dy oficerë nga Ministria e Brëndshme dhe kur u futën në infiermeri, gjetën dy shokë të Haxhiut që po i bënin shërbim. Hazbiu që i shoqëronte oficerët, kaloi para dhe duke u hedhur një shikim të tmerrshëm sikur do t’i përpinte dy të burgosurit, vuri dorën në ballin e të sëmurit dhe u tha oficerëve. Ja, kemi këtë djalë që i bie të fikët shpesh. Pastaj iu kthye Haxhiut: E mor djalë, a je më mirë tani? Dhe tundi kokën me keqardhje. Haxhiu nuk ishte në gjëndje të reagonte, kurse dy shokët e tij nuk u ndjenë. (Këtu supozohet që Hazbiu të trëmbej nga ata të Ministrisë, gjë që është e diskutueshme; më tepër mund të ishte prirja e tij për lojra. I kishte korruptuar tërë krerët e Ministrisë. Por ndofta, këtu vjen dhe dobësia e tij. Në fakt rivalitetet me të tjerë brënda Sigurimit e sollën fundin e tij më vonë, natyrisht duke gjetur sebep te ky liberalizëm i tij vjedhës e hakmarrës). Tri katër dit më vonë Haxhiut filloi të merrte veten dhe shokët, i tërë burgu, bënë garë për ta ushqyer me të gjitha të mirat nga trastat e tyre. Ditën që ai mendoi se mund të shkonte në banjë pa ndihmën e shokëve, erdhi kapteri dhe e urdhëroi të zbresë te oficeri i rojës. “U ngrita nga shtrati me parandjenjën se më kishte ardhur fundi – më tregoi Haxhiu. Zbrita shkallët me vështirësi të madhe, dhe kur


116

Lekë Tasi —

hyra në zyrë, u mbajta te dera. Tryeza e Hazbiut ishte në një distancë të rrezikshme për mua në ato kushte. . Bëra dy hapa, dhe pastaj me hapa të vogla, shkova u përplasa te tryeza, duke vënë dy brrylat në syprinë se gjunjët po më përkuleshin. Hazbiu u zmbraps paksa”. Sytë e djaloshit ishin po ata të gjashtë javëve përpara. U vështruan me ngulm të dy, dhe meqë drejtori s’po vendoste të fillonte; ky i nxori dorën gati para fytyrës së atij dhe i thirri: Folë! Hazbiu e kuptoi se s’mund të bënte më lojra me të. Mbasi tundi kokën me një të qeshur gjoja të zbavitur, e porositi të ketë kujdes gojën. Kështu u vendos një pakt mes tyre, që Haxhiu le të mos` punonte por ama të mos grindej më me njeri.

22 Mars 1978 Sot pata një sukses që vlen ta shënoj në analet e mia: bëra një vijë kullimi të shkëlqyer në parcelën për lule – djelli. Sidomos gryka më doli e përkryer, e drejtë dhe e thellë! Kullimi është një proçes që më pëlqen. Më jep kënaqësi ta shoh vijën të pastruar me ujin që rrjedh me vrull tatëpjete. Sidomos momentin e heqjes së pragjeve të dheut dhe të lëshimit të ujit shkoj e shoh edhe tek vijat e shokëve pranë. “Do ta presim shiritin?” u them. Njëri prej këtyre shokëve, Myfiti, një arixhi i pashëm me dhëmbë të bardhë, qeshi me zemër kur i thashë për shiritin. Më vështronte i habitur ç’gjenja kaq të jashtëzakonshme tek rrjedhja e ujit. E unë iu ktheva: Pse? Nuk të ngjan me lirinë kjo? Kur erdhi brigadierja afër drekës, kisha arritur mbi 40 metra. Ndaloi te gryka, e shikoi gjatë, pastaj m’u afrua. – Sot e ke bërë edhe grykën? Më pyeti. – Po, iu përgjigja pak si indiferent, por me një gëzim brënda, se u kuptua qartë që i kishte pëlqyer. Në fakt, as që mund të krahasohem me puntorët e mirë, por jam i sigurt që sot jam ngjitur mjaft si klasifikim në sytë e saj. Nuk është thjesht për sedër, si mund ta kem pasur në qytet kur punonja në bujqësi. Dua të dal mirë edhe për një lloj revanshi ndaj trajtimit që po na bëjnë, dhe e dua pikërisht në fushën e tyre, në lopatë. U largua me duar mbrapa, si ndonjë gjeneral në fushën e luftës. Pavarësisht që merr kot ngandonjëherë, ka mjaft anë të mira, është


Grabjani rrëzë kodrave

117

serioze, bile e sertë dhe, më e rëndësishmja, nuk u është larguar shoqeve tani që u gradua. Megjithatë, qetësia e këtij dimri nën skeptrin e Destanit mori fund një herë e mirë. Një ditë para dy javësh për pak desh e përsëriti grindjen e parë. Ishte mëngjez dhe ajo po rrinte me dy shoqe në anë të parcelës; unë po vinja kanalit, isha vonë, por me pretekstin e apelit që bëhet më ora 7 e 30 po ecnja i qetë drejt tyre. Pa arritur mirë m’u drejtua me arrogancë: Tani të doli gjumi ty? – Jo i thashë qetë – qetë, ka nja një orë... U skuq në fytyrë dhe matej të më kthente në shtëpi, por ndërkohë qeshën dy shoqet e saj me këtë përgjigje që më doli, kështu ra tensioni dhe e la atë punë. Mbasdite moti u bë i shkëqyer. Re të mëdha të bardha ishin stivosur mbi kodrën e pyllëzuar, qielli ishte bërë i kulluar. Kur e mbaroj punën e ditës ta zëmë me 50 metra vijë plus grykën, ka pse te jem i kënaqur, se mund të jenë aty edhe 11-12 metra kub. Sot, siç thash është një nga këto raste. Atëherë e lë punën, laj lopatën në një gropë uji duke e fërkuar me bar. E bëj këtë me ngadalsinë e kënaqsinë e një ustai që mbyll dyqanin; laj dhe çizmet, i hedh nje shikim të fundit vijës dhe nisem anës kanalit. Retë ishin si pufka pambuku të rëna mbi kodër, me një bardhësi shpërthyese sikur u binte drita e një reflektori gjigand te fshehur atje mbrapa. Ana e kanalit është pak e ngritur mbi nivelin e fushës. Grupe punëtoresh delnin nga shumë anë dhe drejtoheshin për në sektor duke shkelur në qilimin e grurit në një blerim të ndritur, disa afër, disa larg, të gjithë duke iu afruar një qëndre. Lopatat e lara në sup u vetëtinin herë herë si llamba. Përtej zetori që spërkaste parcelën me atë vrapin e tij të ngutur e torollak, herë të rendur herë të penguar, bashkonte dhe ai tymin e tij te kaltër në ketë tablo festive. 23 Mars 1978 NJE KONTRADIKTE TIPIKE SOCIALISTE Në njërën nga parcelat lulja s’ka mbirë gati fare, prandaj kanë futur per ta ndihmuar impiantin dhe vaditjen. Kalua është traktorist dhe e vetmja punë që i bie të bëjë është të nxjerrë ujin nga kanali, pastaj rri i shtrirë në mezhdë. Punëtorët, Halili, Pëllumbi, Meleqi e te tjerë bëjnë gjithë punën tjetër, trasportojnë tubat, i lidhin, montojnë sprucatorët. Punojnë me turne 24 orësh dhe rrobat e tyre janë tërë baltë.


118

Lekë Tasi —

Mora vesh që janë grindur me Kalon sepse urdhëri është të lëvizën tubat një herë në 4 orë dhe ata e zbatojnë mbasi toka është e etur për ujë dhe do kohë që të njomet fara, kurse Kalua i cili do të raportojë sa më shumë sipërfaqe te vaditur per të përfituar vetë, u thotë ta bëjnë ndërrimin pa u mbushur as dy orë. Këta nuk pranonin dhe kështu përfundoi puna në sherr. Ai s’pyet a mbin fara a s’mbin kurse këta kanë përgjegjsi para agronomit dhe brigadierit. Është një zënkë tipike mes të privilegjuarit dhe të deklasuarëve prandaj e tregova. Por çudia është që në mbrojte te prodhimit dalin te dytët! Nuk e di se si do të shihte Lenini këtë punë, dua të them këtë konflikt brenda sistemit me protagonist negativ anëtarin e partisë pararojë. Sa për ne, nuk habitemi. Traktoristi, jo vetëm s’bëhet merak per prodhimin, por as dhe trëmbet që mund te merret vesh pse-ja e shamatës së tyre. Tërë puna varet nga interesi. Ai dhe shumë të tjere si ai, gjithmonë ashtu shkel e shko e fiton lekun dhe askush s’merr masa kundër tij: I ka të gjithë miq duke u dhënë ndonjë “kafe” në lokal… Është vërtet një nga plagët e sistemit: puna e pandërgjegjshme. Nuk ke një traktorist të vetëm që në plugim ta ngulë plugun tërë kohës aq thellë sa duhet, kurse në plehërim ata mërziten ta shpërndajnë në mënyrë unike kudo superfosfatin; ka raste qe madje e hedhin në kanal ose e groposin. Raportimi i sipërfaqeve te tepërta dhe punët fiktive janë të zakonshme për ta. Në qoftë se merret vesh u heqin një vërejtje ose bëjnë sikur i kritikojnë në kolektiv, dhe vetëm kaq. Krejt ndryshe e kanë punën punëtorët e thjeshtë dhe sidomos të deklasuarit. Këta dhe punën e bërë rrezik t’ua hanë, jo më ta lënë pa bërë. Ka një kundërshtim interesash midis dy kategorive, tamam të themi si midis ty turneve që duan të shkeputin sa më shumë (por secili per vete) nga një pronë, fryti final i së cilës nuk u përket. (Letërsia jonë real-socialiste nuk i sheh fare këto probleme, se shkrimtarët u ngjasin traktoristëve siç i komentuam më lart, qe përfitojnë nga djersa e të tjerëve, veçse në një masë ku e ku më të madhe përsa i përket përgjegjësisë që marrin mbi vete). Një herë më tregoi Meleqi se kur ishte punëtor agregati, traktoristi ia bënte me dorë vazhdimisht nga kabina ta ngrente plugun nga kabina por ky s’pranonte. Atëherë ai si hakmarrje e la tërë natën mbrapa në agregat në vend që ta dërgonte në shtepi, siç bëjnë gjithë traktoristët me punëtorët e tyre kur zë të ftohtët e natës. Traktoristi e manovron edhe


Grabjani rrëzë kodrave

119

vetë plugun që nga kabina, por në këtë rast, ai donte komplicitetin e Meleqit se trembej nga raportimi. Klasa kemi pasur, klasa kemi! Ky është përfundimi qe mund të nxjerrësh nga vrojtimi i fshatit. Veçse një dallim klasor mes dy palë reckamanësh. Lufta e klasave praktikisht nis qysh me ndarjen e punës nga brigadieri (me të lehtë per të “mirët”, më të vështirë për të deklasuarit) por kjo nuk ka aq fort karakter politik, të mos e teprojmë, ajo bëhet më tepër për të favorizuar secili brigadier rrethin e tij. Kështu, në kategorinë e dëmtuar hyjnë në fakt gjithë ata që s’kanë miq, dallimi me një fjalë nuk bëhet për të na dëmtuar neve, por qe fitimi t’i shkojë sa më i madh atij që ka rradhën të ndaj punën. Kjo e nxjerr luftën e klasës si një pretekst të një pjese përkundrejt gjithë masës. Kjo “kullesë” ku ka rënë barazia e reklamuar kaq shumë, ma merr mendja nuk ishte e vështirë të pikasej që para se të fitonte ky sistem; megjithatë popujt nuk ranë rehat pa e provuar. Por në fazat e egra del në shesh dhe diskriminimi i hapur, i deklaruar, politik, qe na bëjnë neve me porosi të Degës. P.sh në periudha të shtërnguara, “valë egërsie” siç i themi ne këtu, ndërsa gjith të tjerët i çojnë në një proçes me fitim, ne na dërgojnë në punëra me pak lekë, në rrallim me gratë etj. (Disa nga dora jonë e kanë gjetur rrugëdaljen nga çdo formë lufte ekonomike tek rryshfeti. Nuk i kam parë me sy, por flitet se shumë brigadierë marrin nën dorë – kjo thuhet botërisht- dhe nga ana tjetër x e y nga të internuarit marrin mirë, atëherë del vetiu se i mitosin. Megjithatë nuk është një hamendje ose një thashethem, mi tregoi njeri rrumbullake disa raste. ) Ndër te tjera, për luftën e klasave kam koleksionuar edhe një definicion tjetër, jo aq grabitqar dhe diskreditues si do të formuloheshin të mësipërmet, por përkundrazi, disi antikonformist, “humanitar”. Ish përgjegjësi, Rustem e kishte emrin, që pak muaj mbas ardhjes tonë e hoqën nga përgjegjsia dhe e çuan brigadier, dhe më vonë iku këtej e zuri një post me rëndësi në vendin e tij të origjinës andej nga Jugu. Një herë i patën bërë një pyetje në rreth te ngushtë: Si e zbaton ti luftën e klasave? Ai duke qeshur si babaxhan u përgjegj: “Njëra prej formave qe unë praktikoj është të marr nga paga e të deklasuarve dhe t’ia shtoj asaj të fshatarëve të varfër”.


120

Lekë Tasi —

Këtu vërtet nuk del ndonjë fitim për vete. Kjo formë mund të shihet më tepër si një vetgjyqësi humanitare per të ndrequr difektet e shoqërise me klasa që rezistojnë akoma, sikur ligji i zbatuar favorizon akoma te deklasuarit dhe prandaj Rustemi zemërmadh del dhe e korrigjon atë në favor të varfanjakëve me një të rënë të lapsit ashtu si Robin Hudi qe moti me shigjetë. Të themi të drejtën, një pjesë nga të deklasuarit e vjetër, si nikoqirë të rregullt dhe kursimtarë, janë shumë më rehat ekonomikisht nga masa tjetër, dhe kjo mjafton të tërheqë mbi ta antipatinë e shumicës. (Si u bëka ne të jemi me partinë, dhe këta të vishen e të hanë më mirë?) Veç kësaj është dhe një smirë e veçantë, do ta quaja fshatarake, që kushdo që bën prokopi me djersë dhe sakrifica, ia nget zilinë komshiut më tepër se çdo mirëqënie e prejardhur nga rrugë të tjera, trashëgimi ose dhe gjëra të dyshimta (shpërdorime e grabira). Për këto të fundit mund të kenë edhe respekt, kurse rehatia e fituar me te njëjtat mjete që i kanë pasur dhe vetë në dorë e që s’kanë mundur e ditur t’i shfrytëzojnë e t’ua shohin dobinë, këtë s’ta durojnë fort. Nga këto që thashë për dy kategoritë, nuk duhet menduar se të deklasuarit janë ëngjëj me fletë, respektues të ligjit etj. Jo! Për të vjedhur, vjedhin dhe ata por janë të kujdesshëm, rrojnë me frikë, kësisoj nëse bëjnë gjë, e bëjnë me marifet. Kjo është e natyrshme po të marrësh parasysh kushtet në të cilat janë rritur. Prandaj brigadierët kur presin ndonjë kontroll nga lart, ua ngarkojnë atyre punët që i duan të mbaruara me cilësi dhe në afat, dhe flejnë mendjen. Firo do te ketë por me karar. Së fundi ka dhe disa arsye të vogla që ushqejnë luftën mes kategorive. Do të sjell një ngjarje karakteristike që më treguan për vëllanë e Meleqit, Ëngjellin, një grindje me brigadieren e tij. Zilia per të shoqen që mbahet mirë, që s’ia ul hundën asaj, bënte që kjo grua t’ia shkruante punën por pastaj të mos ia paguante! Meqë kjo u përserit disa herë, ky i kërkoi hesap me shënime në dorë. Atëherë ajo ia ktheu: “Haj ato të thatat njëherë…” (Nënkupto: ti ke flori mënjanë). Engjëlli iu turr i nxehur në kulm, dhe qe gati duke e goditur. Por të gjitha ankesat e tij në Sektor shkuan kot; nuk e gjeti të drejtën e tij për sa kohë ajo grua mbeti në atë post. Në fshat lufta e klasave është plot me të tilla mërira, që po ti shohesh nga afër s’kanë asgjë klasore ose politike, por janë thjesht


Grabjani rrëzë kodrave

121

vogëlira personale; pa këto, ajo nuk do te ndihej fort. Prandaj dhe nga lart nuk i zbutin mërirat, përkundrazi. Vërtetimi: Po qe se të bie rast të takosh dy gra klasash të ndryshme por që u shkon muhabeti dhe shija e të marrurit në gojë të tjerët, aty ke shëmbëlltyrën më të goditur të harmonisë ndërklasore dhe sa për luftën e klasave, “e mira”e të dyjave do ta fillojë luftën klasore vetëm kur t’i dalë ndonjë sebep personal që të prishet me shoqen “e keqe”.

2 Prill 1978 Në apel na është shtuar dhe një i ri. Ky është Maneja, një burrë trupmadh, bardhosh, nja 40 vjeç, beqar. Është nga shtresë e varfër por ka bërë ca vjet burg, s’dihet për se. Më thanë se ka pasur një grua memece, që e tradhtonte, dhe te cilën e shtypi treni kur ky ishte brënda. Një vajzë që i ka lënë ajo, ia mban e ëma në një fshat tjetër. Rron i vetëm në një dhomë të vogël pa dritare te hyrja e lëmit. Ka vetëm dy kone që e ndjekin nga pas kudo nga vete. Është misterioz, s’flet me njeri dhe ka njëfarë ngulmi në këtë vetizolim. E shoh kur vete në punë, ai përpara, konet mbrapa, vazhdimisht duke u ngutur për tu barazuar me hapat e tij të mëdha, këmbet e tyre si rrezet e rrotës ose si iksa që përseriten pambarim. Kujdeset shumë për to.

30 Prill 1978 KOHA E ARTE Pak histori që degjoj për kohën e 60-ës dhe mbas, kur Sektori ishte në fillimet e tij, i posaformuar, siç i kam vjelur nga goja e një arixhiu tek bënim rrugën për Divjakë, por edhe nga të tjerë. Janë gjëra që tani marrin pak nga legjenda, sepse kanë të bëjnë me një fshat tamam të humbur, të posadalë nga izolimi prej tharjes së kënetës, me një vetmi akoma të paprishur por sidomos me një mungesë kontrolli e gati harresë nga qendra, që duket e pabesueshme me shtërngimin që po shohim sot. Është historia e një fshati krejt të mënjanuar që bëhet papritmas Sektor por edhe kamp përqëndrimi… Nga të gjithë brigadierët e atëhershëm dhe të mëvonshëm, një


122

Lekë Tasi —

mbahet në gojë edhe sot nga populli si më i miri. Ky ishte Zeneli, një lab që u largua ketëj shumë vjet para se të vinim ne. U shkonte punëtoreve në parcelë dhe u thonte: Mjaft punuat o burra, hajdeni, pushoni pak! Kur rreshtat kishin shumë bar ai, jo të mbyllte një sy siç ëndërrojmë më kot ne sot por tamam i detyronte të mos shikonin për cilësi! “Një shat këtu, një shat atje” u thoshte si me inat, “dhe tutje!” Çfarë kohë e artë duhet të ketë qënë ajo! Ky brigadier ishte anëtar partie dhe s’di si mund të shpjegohet kjo sjellje e tij. Nga zemërbardhësia vallë apo mos kishte bërë ndonjë krim në gjak të nxehtë diku dhe donte ta lante këtu me këto të mira që shpërndante? Ose thjesht e kuptonte që kolektivizimi u kishte hyrë në hak fshatarëve, dhe prandaj mundohej të ecte në drejtimin e duhur. S’di si ta thuash… Para tij kishte qënë një tjetër, brigadier dhe ai, një farë Filipi që u jepte dhe ai puntoreve me boll, por ky binte në marrëveshje me ta, u shkruante volum tepër dhe ata me të marrë rrogën i kthenin një pjesë. Bënin ziafete bashkë, hanin e pinin me paret e fituara, por tani këta s’flasin mirë, kurse Zenelin e bekojnë, gjë që tregon se paret e shtetit mund tu bëjnë mirë fshatarëve edhe kur janë harram por i preferojnë më mirë kur janë hallall. Nganjëherë me shkon mëndja se do të ishte me interes të shkruhej një libër, një traktat rreth marifeteve që shpikin njerëzit në Socializmin real, me qëllim që ta përballojnë atë – tamam kjo është fjala e duhur: ta përballojnë – një koleksion i vërtetë teknikash dhe dredhish, përhere të reja, si e si ta zgjerojnë ligjin ose ta ngushtojnë, bile ta shtrydhin atë sipas rastit, ashtu si u vjen më mbarë. Do të ishte një pasqyrë e pasur e vitalitetit njerëzor, ashtu si atëhere kur vrojton nga afër aftësinë e bimëve për të mbijetuar në ambiente të mbyllura ose të helmuara. Vetëm se kjo e mbijetimit është një zotësi shumë më e fortë tek njerëzit se tek bimët, tek një pjesë e madhe e njerëzve, që kanë dhuntinë të shtrihen të parët tek vendi i tjetrit, ose dhe të kacaviren përmbi të në ngjashmërinë me kuskutën ose me ca bimë ekuatoriale që fundi i fundit në botën bimore nuk përbëjne veçse përjashtim. Ferma siç thashë ishte aso kohe në fillimet e saj, me personel drejtues vetëm një përgjegjës, një agronom dhe një llogaritar të pashkollë, dhe gati fare pa plan! Kur fshati u bë vend internimi, gjëndja ndryshoi,


Grabjani rrëzë kodrave

123

erdhën revizorët, u shkurtuan pagat por kjo ndodhi shkallë shkallë deri sa arriti puna që t’ua japin rrogën dhe pastaj t’ua ndalin herën tjetër pjesën e “tepërt”! Kurse nga ana e luftës kundër shpërdorimit, ndryshimi qe më i madh. Vitin e parë kur erdhëm ne këtu, arritën të dënonin një djalë të deklasuar me 10.000 lekë gjobë për një thes pjeshkë. Kjo në kohërat e mëparshme s’mund të ndodhte. Atëkohë punët ishin më të thjeshta. Nuk vinin fare roje me rrogë në vresht me motivacionin se rrushi është pronë e gjithë kolektivit dhe mbrohet nga të gjithë(!) Por kjo bëhej jo tamam për moskokëçarje ose për propagandë. Kishte dhe një anë tjetër praktike. Të mëdhenjtë e Sektorit (ndjesë paçin, disa prej tyre janë edhe sot në fuqi) në fakt vinin roje të fshehtë miqtë e tyre, kështu që edhe rrushi ruhej, por njëkohësisht edhe ata nxirrnin për vete rakinë e vitit. Me të vërtete do te ishte një libër interesant.. Do të fillonte me shpalljen e reformave, të plota dhe universale, me barazi e sinore të drejta, mjete të të gjithë popullit e më the të thashë. Pastaj do të jepeshin ngjyrimet e ndryshme që këto reforma marrin në zbatim e sipër, deri sa pak e nga pak, erdhi e më tu bë kjo që shohim sot. Në kapitullin perfundimtar do të jepej e perkundërta, do të merrej “njeriu i ri” dhe duke punuar me furçë, e herë herë duke i fryrë me gojë si bëjnë arkeologët kur u heqin gjetjeve të tyre mbishtresat e ngjitura, do t’ia nxirrte njeriut të ri fytyrën e vjetër por duke ia vënë pranë gjithë arsenalin e fituar, të qartë e me inventar të rregullt, atë shtresë të shpikur e të kolauduar në ecje e sipër si e si t’i rezistojë çdo rregulli të ri që vendoset, si t’a asimilojë atë me çdo kusht, duke iu përgjegjur hiles me hile dhe dhunës me nënshtrimin e shtirur. Me një fjalë do të ishte historia e ndërlikuar e interesit të pavdekshëm personal në luftë me iluzionin më të bujshëm të kohërave, interesin kolektiv dhe tërë poshtërsinë njerëzore që u orvat ta mbajë më këmbë si të gjallë, me rezultat fitoren e te parit, interesit personal, por në forma të reja fare pa dinjitet dhe tërësisht gllabërues. Që të kthehemi tek ajo kohë e çuditshme, duhet thënë se e tërë toka e Tërbufit ishte torfike, krejt si pluhur qymyri, shumë e lehtë për tu punuar. Posa ishin tërhequr këtej ujrat mijëvjeçare. Kallami mbretëronte anembanë. Po të ndiznje një zjarr diku, toka vazhdonte te digjej nën të me javë të tëra. Edhe sot, kur i bie me shatë në disa vende, të vjen një jehonë e shurdhët nga poshtë. Më vonë, e tërë kjo torfe u shpla nga shirat


124

Lekë Tasi —

dhe nga kullimet e vaditjeve, iku e tëra në det. Nga keqpërdorimi, thonë të gjithë. Brigadieri të vinte në ovrat dhe pyeste sa rreshta ke bërë dhe ti i thonje kaq ose aq me sinqeritet. Ai rrallë futej në thellësi për te kontrolluar. Derdhej leku atëherë, prandaj u shkulën nga malësitë gjithë ato familje. I solli shteti vërtet, por erdhën me dëshirë meqë kishin vuajtur për bukë atje nëpër kooperativa. Erdhën me pak plaçkë por të gëzuar. Ngritën nga një kasolle me kallama e baltë, ata të Skraparit e Përmetit bile, më parë mbollën pemët, hardhitë, punuan bahçet pastaj ngritën shtëpitë duke flejtur ato javët e para si të mundeshin, nëpër plasmasë. Ky Lipja pra që thashë, Filipi brigadier, hëngri sa hëngri, pastaj i hyri frika se mos i delte era asaj pune, dhe iku. Më vonë kur u mblodh leku, normat u ngritën, ia mbërriu kontrolli, ndërkohë kishin prurë devollinj nga zonat kufitare dhe këtu u bë vend internimi e me nam të keq. Qysh nga 60-a e këtej, nëpër Shqipëri u harrua shprehja “Kampi i Tepelenës” dhe doli kjo tjetra “të internuarit e Lushnjes” që vazhdon edhe sot, megjithëse e zbehur ca, mbasi shumica e tyre tanimë janë liruar, kurse ne po ua zëmë vendin me shpërndarje të barabartë në tërë vendin. Por ardhjet nga malësitë e Librazhdit e Gramshit, siç më thonë dhe siç po e shoh dhe vetë, ndikuan përherë e më për keq në gjëndjen e të deklasuarve. Sepse dega e Brëndshme tani përdorte të ardhurit për të mbajtur atmosferën të acaruar. Dallimi midis dy kategorive u bë më i hapur dhe në kushtet e varfërisë grindja shtihet nga lart për të ekuilibruar pakënaqësinë e përbashkët. Një djalë nga Mirakajt, Zefi, u arratis i pari këtej. Kjo ua zmadhoi të internuarve njollën si armiq të rrezikshëm që duhen luftuar, megjithëse s’merret vesh si mund të rrezikosh dikë kur ikën larg tij. Në ata sektorë ku ka vetëm vendës dhe të deklasuar nuk ndihet fort kjo armiqësi, kurse këtu, edhe kur s’kanë porosi nga Dega, ka nga ata që të bien në qafë me kokë të vet, sepse lufta e tarafeve është përherë e ngritur dhe secili do të përfitojë duke goditur të deklasuarit ose duke akuzuar rivalët se gjoja i përkrahin. Kështu në planet e atyre lart, Grabiani e futi veten me meritën e vet në radhën e sektorëve të egër dhe s’iu hoq më ai rol. Edhe furnizimi i mirë me ushqime që bëhet këtu, pikërisht nga kjo rrjedh: është si trajtimi që gjahtari i bën langoit të tij të preferuar për ta ndërsyer kur t’i duhet.


Grabjani rrëzë kodrave

125

3 Maj 1978 Posa erdhëm nga dyqani me Yllin. Muarmë patate! Jemi tërë djersë dhe të shkatërruar nga robat. Patate vijnë rrallë, prandaj rradha është e gjatë, duhet të presësh me ore dhe të luftosh; sepse futen shumë pa rradhë. Grumbullohen shumë tek peshorja dhe kur arrin e merr është edhe më e vështirë të dalësh, duhet të shtysh me kurriz. (Në atë rrëmujë kisha një fytyrë të skuqur plaku, brryli im mu në faqen e tij. Më lutej me sy “mos më nxirr”. Flokë të ngjitura nga djersa, sy të zgurdulluara, era e dhjetra trupave në atë copë vend të ngushtë ku të pjek dielli nëpër xhamat pa perde.

15 Maj 1978 Jam keq me dhëmbë. Duhet vajtur te dentisti në Lushnjë. I kërkova leje Shyqos dhe më premtoi që do të bënte premtimin qysh mbrëmë. Por sot në mengjes Guri (i cili do të pyetet pa tjetër) u bezdis që e prisnja me padurim lejen aty në shesh, iu duk “pa takt” (unë në fakt rrinja nga halli se duhet nisur herët per të gjetur kartotekën hapur). Më foli rëndë: “S’të marr dorën tya, se kur do të ta jap, është punë për mua ta jap, s’ta jap..” Ika dhe vendosa mos t’i kërkoj më. Por dhëmbët po më prishen.

22 Maj 1978 I internuari rishtas herë vjen, e herë jo në apel. Por nuk ia vënë re fort; është sa për numur. Duan të japin përshtypjen se me proletarët sillen tolerantë, prandaj s’marrin masa. Guri pyet nganjëherë: ku është Maneja? Dhe kur të gjithë ngrejnë supet, ai tund kokën sikur thotë S’kam ç’i bëj, është qeveri e butë.. Një ditë kur erdhi më mbrapa te tjerëve, Guri pyeti me zemërim të shtirur: Pse me kaq vonesë ti Mane?! Ai ia plasi një përgjigje banale dhe vazhdoi të mbërthente pantallonat. Para ca ditësh e njoha më nga afër, kur prisnim te radha e gjizës. Disa çuna e bezdisnin se na futeshin përpara pa radhë, deri sa ky u nxe


126

Lekë Tasi —

dhe vuri shpatullat e na shtyu të gjithëve e na bëri petë gjersa i nxori ata. Mban një qëndrim serioz kudo që të jetë. Vështron drejt përpara, përherë i ngrysur, si i inatosur me diçka, dhe s’guxon kush t’i flasë. Dua ta ndjek fillin e këtij të përndjekuri shtresë-ulët që plotëson spektrin social të rrethit tone te plepi. Po më tepër më intrigon si tip, një fare gjigandi me shpirt të thjeshtë.

16 Gusht 1978 Muameri, djali devolli e brigadës 8, ai që bënte sjellje të çuditshme hamletiane është zhdukur. Nuk dihet, e kanë arrestuar apo ku iku: ka dy prindër të moshuar.

20 Gusht 1978 Xhemili vëllai i Qemalit me të cilin kam punuar në ndërtim, u dënua 25 vjet. Tentative për helmim të depos ujit. E pranoi me gojën e vet. Thonë se kanë rrahur të shoqen që të dëshmojë.

15 Shtator 1978 Manen s’e kemi më në apel. Kishte disa ditë që s’dukej por vetëm sot u kujtuam për të, kur na thanë që e kanë futur brënda. Akuza s’dihet, për fjalë a për vjedhje, apo mos i kanë dalë gjëra të vjetra andej nga ka qënë? U fut prapë në atë rrethin e mjegullt e birucave dhe të telave me gjëmba, nga kishte dalë tani vonë. Askush s’di gjë të saktë për të, sepse siç kam thënë ishte i ardhur, pa njeri këtu. As dy konet e tij nuk i shoh më. U zhdukën. Ku do të jenë vallë? T’ia ketë dorëzuar njeriu apo kanë nisur jetën e lirë të qenve pa zot? Këtu ka shumë të tillë që sillen nëpër sektor dhe që kur vjen nata e fshati bie të flejë, mblidhen, të mëdhenj e te vegjël, ndiqen nëpër rrugët e shkreta, ndahen në grupe ndërluftues, kafshohen e klithin e lehin e angullijnë me një deshpërim të madh. ( që herë-herë depërton edhe në gjumin tonë duke na i shndërruar ëndrrat


Grabjani rrëzë kodrave

127

në gjëra të përbindshme). Derisa dalin ata të sektorit e i vrasin ose i helmojnë. Bashkejetesa e ketyre te dyjave me Manen kishte diçka që të kujton familjen. I mblidhte, i ushqente. Dhe ato s’i ndaheshin kurrë. Jam i bindur se po ta sillte rasti ta shihnin brënda telave, ato do t’i suleshin dhe nuk do t’i shqiteshin më, le të jetë kjo në kundërshtim me rregullat. Por kjo s’bëhet. Prandaj, s’u mbetet tjetër këtyre koneve shtëpiake, veçse të ndjekin nga pas të bindura dhe të pikëlluara, bylykun e zagarëve të shthurur që i keqpërdorin dhe i çojnë herë këndej e herë andej nëpër Sektor.

1 Nentor 1978 Gurin e irriton qëndrimi ynë indiferent në apel. Ai na do te jemi të gatshëm, të respektueshëm. Kur vjen ora e apelit, afrohet rëndë rëndë dhe qëndron në një pikë të rrethit, që të na përfshijë me sy të gjithëve. Sipas mendjes tij ne duhet të luajmë nga vendi kur afrohet ai, ose të tregojmë me një shënjë të lehtë, me një shikim, se e pranojmë këtë hierarki. Atëherë mund të bëhet edhe i butë, edhe i begenisur bile edhe modest. Ngandonjëherë hyn edhe në bisedë me disa, si një epror popullor me rrethin e vartësve. Ne qëndrojmë të heshtur, e mbajmë atmosferën formale, disi të nderë. Nga kjo ai bezdiset, nis e gjen kleçka, kerkon përpikmëri absolute, përndryshe na heq vërejtje edhe për një vonese për pak sekonda. Ne i përgjigjemi me heshtje, dhe ditët që pasojnë vijme disa minuta më herët, por edhe kjo s’i pëlqen, na vështron me armiqësi; derisa një ditë, si sot psh gjen rastin t’i bërtasë ndonjërit pse del herët (!) Po kalon dhe ky vit. Ata të Degës vijnë shpesh, por Nuriu ka kohë që s’po duket. Në vend te tij ka dalë Neviti, një fytyrë rrumbullakët, flokë kaçurrelë, kolonjar. Si duket i ka zënë vendin si operativ. Neve na sillet mirë dhe i zgjidhi një konflikt Teftës me shitësen kur ajo i bëri një nga ato rrengjet e saj.


128

Lekë Tasi —

20 Nentor 1978 Çveshje misri në lëmë. Me tepër se në çdo proçes tjetër, ne këtu e ndjejmë veten mëditës. Atje në parcele ne kemi një farë autonomie, kurse këtu jemi pedina të thjeshta. Pa vajtur ora 7, grumbullohemi para zyrës së lëmit, nuk po them me xhaketë hedhur në sup (siç e do stereotipi i atij që shet krahun), se është ftohtë, por sidoqoftë proletarë që varen nga punëdhenësit. Kapulet e misrit janë të mbuluara me brymë, dielli s’ka dalë akoma që të nxjerrë avuj prej tyre. Brigadieri del te dera, na shikon, na mat me sy, dhe na zgjedh duke na ndarë te kapulet e seleksionimit, në mbushje ose në transport sipas muskujve, fuqisë së secilit. S’mund të zgjedhësh o të ndërrosh, do marrësh atë që të jep. Mua më çuan në seleksionim. Mbledhim ca lëpushka, u vemë sipër një thes, ulemi në të dhe fillojmë,. Një pjese e mire e misrit është e paçveshur, e kanë lënë ashtu ata që e korrën në fushë; duhet ta pastrojmë ne. Norma është e madhe: 7kv. Eshtë një e ftohte e hidhur në mëngjes. Duart na bëhen dru nga kallinjtë që zbardhin si prej një cipe niseshteje të akullt. U heqim lëpushkën dhe i hedhim mënjanë, duke veçuar të krimburat. Pak nga pak grumbulli i misrit brutto ulet, lartohet ai i qëruari, kurse rreth nesh masa e lëpushkave që shtohen vazhdimisht dhe e kallinjve te krimbur lëshojnë erën e tyre të thartuar si prej bërsie të ndenjur. Secili nga ne, i ulur në mes të këtyre grumbujve lëviz duart sa të mundet më shpejt. Dielli ngjitet lart, rrezet e tij shpejt fitojn fuqi, aq sa aty nga ora 10 kemi nevojë për diçka në kokë. Muhabeti ia thotë tejpërtej këtyre dallgëve bojë qelibari, që shtrihen në gjithë sheshin e çimentos, të ndërprera me distanca të rregullta nga kokat e njerëzve, çdokush i kredhur në një det lëpushkash: Ndiej diçka ngjitëse në trup si në ato punishte të pluhurosura të dyshekëve ku rehati paguhet me një siklet të hundëve dhe me alergjinë e lëkurës. Familje të tëra punojnë për të formuar një kapule, nëna me bijat e tyre, pleqtë me bijt e nuset. Fëmijë të vegjël vijnë nganjëherë tinëz të kërkojnë mamatë e tyre, të ndjekur nga Lavdia që si një Cerber nuk lejon të papunë të hyjnë në misër! Grupi i agronomëve me përgjegjësin në krye dhe me brigadierin e lëmit që i shoqëron, kalon ngadalë me një farë solemniteti nëpër


Grabjani rrëzë kodrave

129

korridoret e lira. Autoriteti i tyre ka më duk nga fakti që ne jemi të ulur. Megjithatë, s’ka nevojë të lesh muhabetin kur afrohen ata. Edhe pushim mund të bësh. S’të bërtet kush “punò”. E ke me normë, bëj sa të duash. Në daç rri! Por në shtëpi s’mund të shkosh, veçse me leje. Nuk duan vajtje-ardhje të dendura, se janë bërë vjedhje të forta në thasë. Përmbi pullazin e depos kryesore punëtorët e investimeve po ndrrojnë tjegullat e thyera duke përfituar nga koha e thatë. Moti duket behar, jeta gumezhin kudo si një zgjua. Puna në këtë shesh, makinat që ngarkohen, qerret që sjellin misër tjetër, qetë që përtypen ngadalë, ustallarët në çati, laraskat edhe më lart jashtë lëmit, në degët e thata të plepave ku varet ndonjë gjeth i vonë, ja një pamje me tre plane.. Vetëm një aeroplan mungon në qiell, që të plotësohet tabloja si në librat e vjetra të frëngjishtes së shkollës që ilustronin jetën e fshatit.

30 Nëntor 1978 Moti ktheu për keq. Parcelat kanë ujë. Punojmë në kullime ose mbledhim misrin e mbetur. Zetori e sjell rimorkion në afërsi të çdo kapuleje dhe ne në formë rrethi vërvitim kallinjtë lart. Por çizmet i kam të shpuara dhe evitoj pellgjet, nëse mund të behet kjo...

10 dhjetor 1978 Sot arrestuan motrën dhe vajzën e Petrit Dumes. U vajti gazi në shtëpi, me katër oficerë dhe një polic të armatosur. Kur erdhëm nga fusha, kjo gjë flitej në Sektor. Kur zbriti me hekura në duar, Besa, e bija e dytë e Petritit , foli që të dëgjonin populli që ish mbledhur: “Unë s’kam bërë gjë, po këta mbaruan punë me burrat dhe tani kanë filluar me gratë”. Nuria që ishte aty, kishte shfaqur gëzimin e saj. Mirpo bëri përshtypje të shëmtuar dhe thonë se i ka folur i shoqi, sepse popullit i ka ardhur keq. 15 dhjetor Motra e Bardhit është sëmurë me një sëmundje që s’ka shërim: I zë trupi ujë.


130

Lekë Tasi —

12 Dhjetor 1978 Nga Grabjani në Australi Muameri mund të quhet me plot gojën i arratisur. Sesi bëhet kjo, jo nga një fshat kufitar, por nga Grabjani në kërthizë të Shqipërisë, dëng më spiuna dhe me rrugëtarë kureshtarë në çdo udhë e shtek, më duket çudi. Kur ishim bashkë atëherë te Jorgji (me 76 –en ) ishte bërë si i lojtur. Qysh prej atëherë e pata parë shumë rrallë, se pse ika nga brigada por më thonë se vazhdonte te rrinte i veçuar dhe ishte grindur edhe me prindërit. Tani më shkon mendja se mos ka luajtur pjesën, sepse t’u prishësh gjakun dy pleqve të goditur keq nga fati (e kanë djalë të vetëm, një djalë tjetër u ka vdekur para 7 –8 vjetësh) do t`ishte shumë e ulët. Mos e kishte me kohë një plan të tillë ndër mend dhe e maskonte me një çmenduri të shtirur! T’ia ketë hedhur fjalën edhe Ferdinandit për të ikur të dy? E them këtë ngaqë ai e trajtonte shumë keq. Ndoshta për të mos u komprometuar. S’dihet. Siç po flitet i paska thënë të atit se do të shkonte të vizitohej dhe pastaj s’u kthye më. Tani mbas tre muaj e ca vjen lajmi indirekt se paska përfunduar në Australi! Atje ka kushërinj të shumtë (Ana e Devollit e ka preferuar prej kohësh atë kurbet të largët që u jep toka boll dhe ndihma për të filluar, dhe bëhen fermerë me nga 100 hektarë secili). Të dy pleqtë kanë dalë në apel. Por është internimi më i rehatshëm që mund të imagjinohet, pa kamiona, bartje plaçkash etj. Dalin nga shtëpia, paraqiten te Guri dhe kthehen prapë dalëngadalë. E kanë si shëtitje dy herë në ditë. Mund të them bile se Xha Safeti është i gëzuar, dhe në fytyrë mund t’i pikasësh një shikim ironik sa herë vijnë ata të degës. 20 dhjetor 1978 Sot muarmë qepë me Yllin. 6 ore më rradhë. Një mundim të tillë ose pak më të vogël e heq Tefta për ditë. O Zot ç’nerva të forta ka që i duron! Të gjithë mund ta lënë rradhën dhe të hidhen deri në shtëpi kurse kur largohet ajo, gjithmonë ka telashe, se s’ia njohin rradhën. Vetëm Sania një grua nga Qerosët i sillet mirë. Para një jave i erdhi radha dhe shitësja, kilet e fundit të mollëve ia dha një vajze tjetër, pa rradhë. Dumet, dy të arrestuarat i kanë çuar në Tiranë. Hetuesia do t’u bëhet atje, po ashtu dhe gjyqi.


Grabjani rrëzë kodrave

131

24 Dhjetor 1978 Vigjilje Krishtlindjesh, po ne vemi në punë, mbase dhe nesër.. Në Stravec, te plehu, bënte shumë ftohtë, frynte erë. E lamë punën para orës 12, se s’punohej, dhe në pritje që të vinte makina u futëm te depoja, ndezëm zjarr. Afër kisha një harixhi me flokë kaçurrel me emrin Tuti. Ka dhe një vëlla që rrojnë bashkë, e quajnë Luli. (unë ua ngatërroj emrat megjithëse s’janë binjakë, por atyre nuk u mbetet qejfi. “Luli” i drejtohem këtij me shpresën se i kam rënë në të. “Tuti” ma kthen ai nëpër dhembë dhe vazhdon muhabetin). Tjetrit, Lulit i ka ikur gruaja, kanë dhe një vëlla të tretë, i cili punon rregullisht, fiton mirë, se “ ha dasma” me violinë (kështu thonë për atë që merr pjesë në orkestrat e tyre). Violinisti vishet mirë dhe nuk shoqërohet fare me këta të dy, ngaqë këta janë pak të shkatërruar, ma merr mendja se do jenë me dy nëna -“ Do të vete në Durres” me tha papritur Tuti sot afër zjarrit- “Po pse e pyeta?” – që të marr gruan e Lulit – “ Pse ti do ta marrësh, çfarë ka ndodhur?” – “ Ja, i thashë Lulit, puno këtë 15 ditësh në rregull, fito ca lekë, më hiq biletën mua po deshe, me jep edhe një 500lekësh”. – “Po 500 lekëshi plus pse të duhet? Për shpërblim apo që ti mbushësh mendjen asaj? “ – “Jo asaj por atij, do t’ia jap të jatit se ajo do të vijë, por nuk e lë ai.” Sic më shpjegoi çështjen, babai i nuses ua ka bërë edhe herë të tjera këtë, sa herë mbetet keq për para, i dërgon fjalë të bijës sikur është sëmurë. Ajo shkon, por ai s’e lëshon më. Atëherë këta nisen me një bakshish dhe ia marrin prapë.

27 Dhjetor 1978 Ka filluar të duket shpesh këtej një kuadër i ri i Degës, Kristoja. Është i shëndoshë, i tëri rrumbullak, me mustaqe të verdha të kthyera poshtë. Flitet se ka qënë me mision jashtë shtetit por “u doq”, dhe e kanë dërguar si shef sigurimi ne Lushnjë, zëvendëson Ismailin që bëhet kryetar. (Është letër e djegur thonë të rinjtë me një farë respekti meqe vjen nga jashtë). Shefi i ri u beson shumë syve të tij depërtues dhe t’i ngul. Çunat veçanërisht, atje në sheshin e Sektorit e ndjejnë magnetizmin e tyre kur i kalon në revistë me hap të ngadalshëm, dhe i largohen si djalli temjamit. Se është hapur fjala që të fut në zyrë dhe


132

Lekë Tasi —

të zbrun. Ndofta është shefi i zhdukjes se krimeve dhe jo i sigurimit, nuk e di mire. Këtu ka krime mjaft, pula sidomos vidhen shumë. Dalin të dy me Nevitin nëpër Sektor, të shëndoshë dhe impozantë të dy, me duar lidhur mbrapa (Kristoja mundohet ca, e ka pak me veshtiresi, por sidoqoftë, i lidh) dhe mundohen të mbjellin terror.

Janar 1979 Kooperativat e afërta dërgojnë njerëz me lejen e Sektorit në parcelat tona të korrura, që të ngrejnë kashtën e misrit për silazh. Kooperativistët kanë shumë nevojë dhe kështu disa pranojnë edhe ta korrin vetë misrin, pa shpërblim, veç të marrin kashtën. I grumbullojnë degët, i lidhin duaj a mullarë dhe pastaj dërgojnë qerret për t’i tërhequr. Sot kur vajtëm në mëngjez bënte ftohtë (jemi në brigadën e katërt për ndihmë). Ca djem ndezën zjarr dhe merrnin e hidhnin degë nga këta mullarë që i ka bërë gati kooperativa. U afrova të ngrohem edhe unë, kur pamë nga larg brigadierin (është ai që na hëngri punën atëherë me pretekstin e kallinjve). Kujtova se do tu bërtiste, por jo. Ai erdhi pa bërë zë, u ngroh, pastaj kur flaka ra, në vend që të na nxiste të fillonim punë, u tha atyre të marrin edhe ca të tjera, bile mori edhe vetë me një të qeshur fallco, duke u shtirur se po e bënte tinëz. E tërë kjo kot, vetëm për të bërë dëm, sepse s’kishte më nevojë, ne do të fillonim nga puna dhe ai vetë do të ikte, siç iku. Por meqë janë të kooperatives, që është gjysmë private, o burra ta djegim! E kanë hequr nga partia se i vëllai ka marrë grua kulake dhe tani do të rifitojë pozitat… Kooperativistët kanë lopë por mezi i mbajnë, u mungon ushqimi për to. Këta që vijnë këtej janë më tepër nga Divjaka, kërkojnë bar por punëtoret e fermës nuk i presin mirë. “Erdhën kopratolet” thonë me tallje. Në këtë ton përbuzës që përdorin për ta, meqë lypin andej këtej, mund të ketë dhe pak zili, meqë ata kanë lopë, që këtyre nuk u lejohet. Meskinitetet e bujqësisë socialiste… kurse me fshatrat me të afërta, si me Plukun, ka armiqësi të hapur. Kanë ndodhur grindje mes çunave. Një natë në një shtëpi këtu afër, hodhën një shishe benzine në flakë brënda në shtëpi.


Grabjani rrëzë kodrave

133

31 Janar 1979 Shtëpia na pikon. Janë shtuar pika të reja. Çatia prej teneqeje është e vjetër. Këshilli e quan pa leverdi të dërgojë komunalen për ta ndrequr, se e quan shtëpi të pabanueshme, pa e vrarë fort që në fakt banohet.. Jemi munduar ta riparojmë vetë por s’kemi material, s’na e japin as atë; vetëm premtime. Ky kapanon mbahet prej një strukture shtyllash betoni, si ato të vreshtave që tërheqin telat. Mbushja është bërë me tek tulle, kështu që në mes shtyllave diagonale dhe murit mbushës krijohen të çara, prej nga mund të te fryjë era ose të hyjë edhe ndonjë zvaranik. Na u deshën dy ditë atëherë per ti sistemuar të gjitha plaçkat në këto dy të ndara. Që të katër muret e dhomave janë të zënë me mobilje e rangulla. Na ka mbetur fare pak vend për të lëvizur. Cepat janë të paarritshëm. Digjojmë zhurmë miu natën.. Heqim mundim të lëvizim orenditë kur lyejmë me të rrallë. Pluhuri na futet nga rruga, suvaja është e prishur, tavani i shpuar, dhe nje herë pikoi shurra e maceve që grinden atje lart. S’kemi ç’bëjmë. Lagështia merret vesh me errësirën e cepave të nëndollapeve dhe ngjallin se bashku një florë parasitësh që tallet me ne. Problemin kryesor, atë të shiut, Ylli e ka përballuar me disa skela që i ka shtrirë tej për tej. Mbi to vëmë tenxhere e tepsi, që i zbrazim kur mbushen.

13 Shkurt 1979 Janari e Shkurti janë muajt e riorganizimeve. Lëvizin punëtorët nga njëra brigadë te tjetra, bëhen edhe ndryshime brigadierësh; heqin të vjetërit, venë të rinj (sidomos vajza) me motivacionin e shkollës. Të vjetërit vërtet s’kanë shkollë por kanë përvojë; prandaj me këta të rinjtë sa më tepër kalon koha, përherë e më keq po venë punët, në të gjitha drejtimet, në prodhim e në paga. Pakënaqësia është shtuar. Puna e parë që bën kush emërohet i ri, është ta mbajë veten mirë. Del me rrobat e mira, çizme të reja nga magazina, rrypi i trastës bukës i hiqet nga supi, dhe vendin e saj e zë një paketë e vogël që e mban në dorë së bashku me bllokun dhe fletët e punës. Dita e tij ndryshon, bëhet


134

Lekë Tasi —

më e rehatshme. Ai s’ngutet më. Edhe stili i ecjes merr diçka dinjitoze. Pastaj ngadalë-ngadalë (ndonjëherë edhe përnjeherësh) familjaritetin e djeshëm me shokët e punës, e zëvendëson një sjellje më distante, deri sa arrin ajo në ftohtësi dhe shpesh në prerje të çdo konfidence. Por edhe kur nuk e merr këtë rrugë, të shkëputjes së plotë, edhe kur ai mbetet në dukje si ka qënë, prapë, fytyra e të posaemëruarit, e më tepër sytë, tregojnë një farë ironie mirëdashëse ndaj shokëve të vjetër, sidomos ndaj atyre më të thjeshtëve, se sa për të tjerët, ata rrinë vetë ftohtë tani. Zotësia e tij, detyra e tij këtej e tutje do të jetë t’i kapë në gabim. Për hilet që i bëjnë (ose që dyshon se i bëjnë) ai u thotë: “I kam bërë vetë këto, s’ma hidhni dot”. Po pse ai i ka bërë dhe këta s’u dashka t’i bëjnë, për këtë s’e vret fort mendjen. Sidoqoftë, shpjegimi është i thjeshtë: ai është mik me ata të Sektorit, nuk mund të jetë më mik me ish shokët.

25 Mars 1979 Tani kur kthehem nga puna, i lodhur si asnjëhere në jetën time, eci nëpër kodra tamam i pajtuar me fatin, drejt mbrëmjes së barakës sonë: ato pak orë me njerëzit e mi dhe pastaj gjumi, janë bërë qëllimi imi i afërt dhe i largët. Çdo shqetësim për punë të prera përgjysëm, pendime për të kaluarën, mosrealizime, pikturë-muzikë-lexime janë futur në një kuti, u asimiluan në këtë orar ditor të përsëritur që ka etapa të detyruara punën në fushë, bukën të furra, ushqimet në dyqan. I kryejmë të gjitha në mënyrë të vetvetishme, sikur u shkojmë pas ca llampave te vogla që ndrijnë në mjegull. Pakënaqësia, pengu për dështime në të kaluarën po i lë vendin një kënaqësie kafshe, si ajo e plevicës ku përhapet era e grazhdit. Edhe kureshtja e televizorit, e fundit që mbijeton e që mbyll ciklin, mezi çan rrjetat e dendura të gjumit që më rrijnë anash, të gatshme të mi këmbejnë figurat që shoh në ekran me hijen e një shate që godet vazhdimisht para këmbëve të mia... Është e habitshme aftësia që kemi për tu përshtatur. Duket është një prirje e organizmit që kërkon jo vetëm të mbijetojë por edhe të kënaqet, kudo që ta hedhësh. Këto u arritkan vetëm me topitjen e çdo hovi për gjëra të paarritshme, me shmangien e çdo shkrepjeje, qoftë të vezullimit më të vogël që të nxjerr para bilance të disfavorshme. Të gjitha i mbulon një shpresë e pacaktuar, ajo na përcjell nëpër ditë dhe na sugjeron që


Grabjani rrëzë kodrave

135

punët do të venë mirë. Ajo është e aftë të të përpijë vjete, dekada, siç ka bërë deri tani. Por herë-herë kam zgjime të hidhura. Befas kujtohem që në qytet kisha në dorë dhe s’veproja, punoja me hope, ia linja rastit të më çonte te puna, njësoj si ata që kanë diçka në mend, diçka për të bërë, por lejojnë kafenetë, bisedat t’ua hanë kohën. Shuplaka erdhi dhe tani jam i detyruar përfundimisht t’i besohem atij, fatit, por me optimizmin e një kumarxhiu të dobët, që shansin e keq as që do ta marrë ndër sy.

1 Prill 1979 Ndërtesa ku shpresojmë të hyjmë edhe ne, është gati në të mbaruar. Lufta se kush do të hyjë, ka filluar me kohë; edhe ne e kemi bërë një kërkesë me shkrim, sa për të bërë borxhin. Në fazën ku suvatohej, hyra dhe unë si puntor – e dyta herë në ndërtim- por nuk më mbajtën shumë, vetëm tri javë. Tani po bëhen rifiniturat por po zgjatin shumë; ndërkohë listat e atyre që do përfitojnë ndryshojnë me javë, në gojën e fshatit.

1 Prill 1979 Sot kur erdha nga puna, e gjeta biçikletën me një rrotë! S’e patëm përdorur gjatë dimrit dhe e kishim varur në banjë, ku dritarja s’ka xham. Sigurisht ia kishin vënë syrin prej kohësh dhe sot kanë hyrë ditën (se mbrapa s’ka fort lëvizje) dhe e kanë zbërthyer nga trupi me çelës shpejt e shpejt.

Fund prilli 1979 Periodikisht në dyqan zhduket nga një artikull ushqimor. Këto ditë sheqeri, para disa javësh mielli e me radhë të tjerat. Sidomos vezët, që janë gjella kryesore për në fushë, vijnë me hope. Për mishin as që bëhet fjalë, vetëm rrallë. Vetëm qumështi është i rregullt. Puntorët marrin në fushë djathë, qepë dhe kos. Kosin e marr edhe unë, por si gjellë të rregullt 3-4 herë në jave kam vezën. Pavarësisht që ushqimi nuk është ai që duhet, unë e ndiej veten mjaft mirë, përveç


136

Lekë Tasi —

asaj dobësie të lehtë në mëngjes, kur çohem. Por meqë ha vetëm aq sa konsumoj, ndoshta edhe më pak, me siguri më pak, nganjëherë mbetem bosh, tamam si një makinë që i mbarohet karburanti dhe atëherë s’bëj dot një hap pa u furnizuar. Sot në mëngjes të dy me Meleqin, mbasi na la makina, u nisëm me këmbë. Koha ish e freskët, se ka rënë shi. Në tokat e Sofies, përtej kanalit vaditës, po korrnin perkon dhe parcelat e djeshme dhe të pardjeshme lëshonin një erë të keqe. Ndërsa po afroheshim, më erdhën shenjat e para. Ishte ora 9 e gjysëm kur sosëm te parcelat e xhades. Isha i këputur. Si duket, mëngjesi i lehtë që pata ngrënë, më mbaroi aty. Zumë secili nga një vijë duke nisur nga kryqarja. S’bëra as dy metra kur filluan të më dalin ca cula mavi para syve dhe të më dridhen gjunjët. I bëra shenjë Meleqit dhe shkova te trasta, u shtrova në shesh dhe hëngra pavarësisht nga era e qelbur e perkos. Por kur u ngrita s’isha forcuar dhe aq. U ula prapë dhe i dhashë fund kavanozit duke menduar se është më mirë të punosh me stomakun plot se sa t’i rrish besnik orarit. Bëra afro 30 metra deri më 12 (kundrejt 50ave të Meleqit), tani fare në rregull, pa dobësinë më të vogël! Bëmë një pushim të shkëlqyer afër kanalit. S’kishte punëtorë të tjerë në parcelë. …………. Ngandonjëherë kur jam në fushë më shkon mendja në atë që bëhet në botë. Më mjafton një shtysë e vogël. Kur punoj p.sh pranë një kanali, nga ujët poshtë vjen një erë si prej leshteriku dhe menjëherë më kujtohet deti me të gjithë ato të tijat. Ndonjëherë tjetër, sidomos pasditeve, kur jemi më të lodhur dhe nga toka ngjitet një valë nxehtësie, mbi vargun e kodrave nga an’ e detit , hapet një zonë e qiellit me dritë të kulluar. Përmes këtij rripi të shkëlqyer si prej sedefi, dy herë në javë shfaqet gjurma e bardhë e reaktivit që shkon në Greqi, posi një gjilpërë fildishi. Kjo ma ngre mëndjen për matanë.. pasagjerët me kokën të mbështetur në kolltuket e lartë prej sfungjeri, aerodromet ku zbresin, zërat e ultë nga megafonet e qartë, lëvizja nëpër salla me shkallë vetëngjitëse. Ose mizeri e pambarim e pushuesve nëpër plazhe, disa duke dalë nga ujët, me trupa në ngjyrën e bronxit nën rrezet e diellit që zbret ngadalë, siluetat e stërmëdha, madhështore të vaporeve në thellësi, ngjyrë griblozë në sfondin e kuq; ose të tjera turma në qytet, me rroba të lehta, ulur nëpër lokale me tavolina jashtë, duke u kënaqur me larminë e rrugës, ku pak më parë makina e ujit ka lagur asfaltin…


Grabjani rrëzë kodrave

137

Prerja e lidhjeve me botën, të them të drejtën, nuk është se më mundon shumë. Kur jam në gjëndje shpirtërore të lehtë dhe kjo nuk ndodh rrallë, e ndjej veten boll të vetmjaftueshëm. Përpiqem të mbaj parasysh si model ata që i ulin në minimum nevojat për çfarëdo gjë “të jashtme” dhe merren vetëm me brendinë, ose brendësinë e vet. E keqja më vjen se unë nuk e përqëndroj veten në atë lutje të brendshme që ua siguron atyre shkëputjen nga jashtë. Brumi që më është dhënë, është i tëri “pritës nga jashtë” prandaj falenderoj Zotin që s’na kanë dërguar në një minierë por në këtë fushë të bukur me kodrina rrotull (Një herë një shok më qortonte në Tiranë pse dal shumë në vend që t’punoj në shtëpi. I thashë: jam një lloj ene që mbushet nga sytë; po qe se s’dal, mbetem bosh. Kjo vlen edhe për veshët, i kërkoj ngacmimet nga të dyja anët). Por më mungon koha për të krijuar diçka. Vizatimet e fundit i kam të tre vjetëve të shkuara. Vërtet në atë dimër 75-76 vizatova shumë tek tryeza mbas darke, po mbeti me kaq. Dhe s’mund ta ngushëlloj veten se po bëj një jetë të forte dhe akumuluese; thjesht po e shtyj me shpresë, mbetem përherë i etur për gjëra të jashtme por që nuk do t’i kthej në gjëra të vlefshme. E kaloj kohën me ca ndijime nga natyra e televizioni. Është thjesht një rënie. Kujtohem përnjëherësh për këtë kur e gjej veten duke i dhënë një mendje Yllit për bahçen ose kur marr thesin për të vajtur në pyll për dru ose kur nis t’i jap skarpatën një vije kullimi. Koha po shkon me këto gjëra dhe përherë e më pak po m’duken interesante ose “aventurë”. Mënjanë ngulmi për të mos u dëshpëruar, nga ana tjetër zbehja e ndijimeve, kam frikë se vepron tek unë një përshtatje e ngadalshme dhe unë s’di si mund të rekuperoj aftësitë që po humb dita-ditës.

17 Maj 1979 Hektori, djali I Yllit, humbi dje dhe u gjend sot! Ishin të tre në Lushnjë, Ylli me të shoqen dhe djalin, për t’u vizituar vetë dhe sidomos djalin që ka diçka në kockën e këmbës. Aty nga dreka, si mbaruan në ambulance, duke u futur nëpër dyqane, ai u shkëput nga dora dhe nuk u pa më. Ata nuk e kuptuan menjëherë sepse po vështronin në banakë të ndryshëm dhe kujtonin secili se djali ishte me tjetrin. Kur panë që ai


138

Lekë Tasi —

s’ishte, kërkuan rrotull, dolën në rrugë por asgjë. U sollën ndonjë orë nëpër pazar, më në fund vajtën në Degë ku duhej të paraqiteshin për të vistuar lejen. Dega bëri kontrolle, por ora kalonte. Telefonuan në rrethe të afërta. Mbas disa orësh erdhi fjala nga Berati, që është gjetur një çun i vogël, por Ylli s’mund të priste më se leja është për një ditë. Sot na e dërguan me skodën e miellit. Ishte i kënaqur që rrinte pranë shoferit. Vetëm se i mungonte kapelja, dhe sa zbriti deshi ujë. Na tha se në Berat e kishin çuar tek një plakë, që i dha bukë e djathë dhe e vuri në gjumë por se si e kishte humbur babin dhe mamin dhe ç’u bë kapelja, s’dinte të na e thoshte. Si duket do të ketë dalë te vendi i autobusave, i priti atje prindët dhe si nuk erdhën, mendoi se do të kishin ikur në shtëpi. Atëherë hipi dhe vetë për t’u nisur. Veçse autobusi i bukur ishte i qytetit “shumë të shkëlqyer” të Beratit dhe jo i fshtatit të tij të pluhurosur…

20 Maj 1979 Vijnë për të qepur te mamaja, gra, vajza. Jo haptaz, po kur ngryset. Trokasin duke vështruar rrotull me frikë. Neve shuajmë dritën e korridorit dhe i fusim brënda. E njëjta gjë edhe kur ikin. Kanë mbetur të kënaqura, se mamaja qep mirë. (Edhe shumë të tjera duan të qepin por ato s’mundin dot frikën). Disa vijnë me një shoqe, disa i përcjell burri ose i fejuari, që rri e pret jashtë. Herë herë këshilli, që e di se disa gra qepin privatisht, e shtrëngon kontrollin, kërcënon se do të vërë gjoba dhe atëherë të gjitha largohen, me javë, me muaj. Në këto raste, mamaja detyrohet të bëjë jastëkë me lule për vajza që martohen, e që u duhen për të stolisur krevatet. Një model i saj qarkullon dorë më dorë. E pëlqejnë, por nuk e blejnë fort. Ose, kur e marrin, vonojnë të paguajnë, ndonjëherë kjo zgjat edhe me muaj. Para dy ditësh erdhën dy vajza për të bërë provë, por Danaj, e shoqja e Yllit duke dalë për në furrë, pa dy hije që rrinin mënjanë dhe shikonin këtej. I njohu si antarë të rinisë të vënë nga këshilli sepse kanë qarkulluar fjalë që po dalin kontroll mbas një vendimi të organizatës së tyre. U kthye, i lajmëroi. Ato u tmerruan, se ishin prej familjesh që na evitojnë tepër ditën. Kaloi dhe gjysmë ore pa ditur ç’të bëjnë. Pastaj ne


Grabjani rrëzë kodrave

139

u hapëm dritaret në anën e pasme, që zakonisht e mbajmë të mbyllur nga era e kanalit të ujrave të zeza. I mësuam si të kalojnë kanalin, kështu shpëtuan.

21 Maj 1979 Prej sot jemi vartës të Sektorit të Tri Urave, i cili u nda me vete. Përmbledh tokat më të largëta të Sektorit.

24 Maj 1979 Sot shtruam Hektorin në spital, me verdhëzë. Tani po del efekti i asaj dite që kaloi në Berat. Nuria e vononte lejen dhe Ylli me Danajën u nisën me djalin pa leje. (Ajo u detyrua t’i ndjekë nga pas me lejen në dorë).

29 Maj 1979 Dje Danai, mori leje dhe shkoi prapë te Hektori. Kur u kthye ishte shumë e mërzitur që e kish parë djalin në repartin infektiv, prapa hekurave. S’e kishin lejuar ta takojë, ushqimet ia dha me anë të infermiereve. E pa nga larg çunin tek po i çonte në komodinë afër shtratit... U prekëm nga tregimi i saj. Por prapë, siç na tha, takimi kaloi pa të qara. Nuk i ka mbushur 5 vjeç por e kupton edhe ai ç’lejohet e ç’nuk lejohet. Infermierja i tha se ka gjetur një plakë me shami në kokë në cep të sallës. Shkon rri te ajo, se i duket si e gjyshja. Ndërkaq neve na kanë bërë nga një gjilpërë secilit për të na mbrojtur nga infeksioni. Është një masë parandaluese edhe për ambjentin ta merr mendja, por na e bëri qejfin. Kujdesen edhe për ne… Maloku i postës që na bën apelin në këmbë të Gurit, është në shtrat me apopleksi. Meqë Guri ka vajtur në Gramsh për nja dy dasma, tani e zëvendëson një karrocjer, dor’e djathtë e tij, edhe ky i sigurimit. Është i hollë e pak i kërrusur. Na numuron me njërin sy, tjetrin e mban të mbyllur. Meqë është i ri në detyrë, e ka me qejf. Prandaj kur Danaja i kërkoi leje për në Lushnjë, ai e dha menjëherë, të nesërmen, pa


140

Lekë Tasi —

qënë nevoja t’ia kujtonim ne, siç ndodh me të tjerët. E kishte shkruar vetë, me një kaligrafi rrumbullake, fëminore. Duke ia dorëzuar lejen, na e nguli syrin që ka në përdorim, që të shihte ç’efekt na bëri. Dukej i kënaqur shumë që arriti të lëshojë gjëra të shkruara dhe me firmën e tij poshtë! Muajin e kaluar na kishin çuar në brigadën pranë, te Sofia, për të bërë kanal vaditës. Bëra 6 metra linearë, të tjerët 10, por mua s’ma mori në dorëzim për një shmangie të vogël nga aksi. Harxhova dhe dy tri orë të nesërmen për ta korrigjuar por ajo prapë s’ma pagoi. Iu ankova përgjegjësit të ri. Më premtoi, mori shënim por s’bëri gjë. Sot e dyta ditë pagash dhe prapë s’pata gjë në bordero për ato vite pune.

1 Qershor 1979 Kemi disa javë rresht që po prashitim, herë lule dielli, herë pambuk. Sot isha shtrirë në drekë afër vendit ku kisha punën, se s’ka pemë në një rreze kilometër dhe vapa nuk mu duk e madhe. Por kur bie rrafsh me tokën, pritet çdo fresk dhe të pjek dielli; prandaj u çvesha vetëm ne të mbadhura dhe hodha këmishën në kokë, të lagur me ujë. Sapo më zinte gjumi dëgjova një fëshfërimë në barin e dendur, ndonjë metro larg. U ngrita përgjysëm dhe pashë që një thithlopë e vogël e ndjekur nga gjarpri, kishte bërë një gjysmë rrethi përqark vendit ku isha shtrirë dhe të dy po drejtoheshin drejt një kullusme, ajo duke kërcyer, ai duke rrëshqitur pas saj. Hodha dorën të marr kazmën por isha vonë. Njëkohësisht mendova, pse ta kenë bërë këtë dollash? Mos nuk donin të më prishnin rehatin? Jemi aq të lodhur drekave sa biem kudo që të jetë. Ka gjarpërinj nëpër bar, në kullusma, sidomos afër kanaleve. Nëpërkat notojnë në ujë me kokën jashtë, dalin në diell. Një grua të brigadës I-rë e pickoi vjet duke korrur grurë por s’kam dëgjuar qoftë një rast të vetëm që t’i ketë ndodhur gjë e tillë një njeriu në gjumë. Duhet të ketë një rregull, por unë s’e di.


Grabjani rrëzë kodrave

141

15 Qershor 1979 Teftën e thirrën përsëri në zyrat e Sektorit. Është kohë fushate dhe duan forca pune për në fushë. I bëjnë thirrje masës që nuk është në marrëdhënie pune, pensionisteve, shtëpiakeve por pastaj apelin e kthejnë në detyrim dhe jo aq se u duhen krahë por më tepër se duan që çdokush të bindet. Përmbi çdo gjë, syrin e kanë tek disa nga të deklasuarit. Teftës i dhimbte koka. Hyri në zyrë dhe menjëherë u ul në karrige. “Nuk mund të vij u tha, sepse veçse që jam keq me sy, kam nënën plakë, si dhe katër fëmijë të vegjël të vllezërve që duhen mbajtur”. Veç përgjegjësit, aty ishte Nuria si e fuqisë puntore, Meriema, gjykatëse popullore, si kryetare e gruas që është dhe Drita, e shoqja e Filipit, deputete. Fjala e Teftës nuk u tingëlloi e përulur, prandaj ngulën këmbë, por edhe ajo u mbajt në të sajën. Kështu u ngrit toni i bisedës. Përgjegjësi zakonisht është i sjellshëm, jo arrogant, por prania e atyre grave të lidhura me Degën, e çonte detyrimisht të bëhej i tillë. Puna u zgjat dhe në fund Tefta u çua dhe u tha: “Ju thirrmëni po të doni, unë në fushë nuk dal. Bëni ç’të doni; boll punoj në shtëpi e dyqan që po përgatit katër torba për fushë çdo ditë”. Përgjegjësi atëherë që priste ndoshta një pranim formal (siç bëjnë shumica dhe nuk e mbajnë) përdori presionin: “Shiko i tha, s’je në rregull..” – “Ku e kini fjalën? Iu kthye Tefta e nervozuar nga buzëqeshjet ironike të zyrtareve. Mos që jam e internuar? Po unë e kam për nder që jam e internuar”! Dhe doli nga dera. Kështu ra në kurthin e provokimit të tyre.

5 Korrik 1979 Me Selimin e kam ngushtuar dhe më shoqërinë. Shkoj e vij në punë me të; megjithëse ai shkëputet herë-herë për të vajtur në Tiranë. Është shumë energjik dhe e ndjek çështjen e kthimit në shtëpinë e tyre të zaptuar, me kaq kurajo e ngulm, sa që shumë nga zyrtarët që e patën pritur një herë, detyrohen të porositin sekretarët që t’i thonë se s’ndodhen në zyrë. Sepse është shumë i gojës dhe i zë ngushtë.


142

Lekë Tasi —

Ndonjëri prej tyre, për ta përcjellë i tha: Bëj një lutje dhe na e drejto. Ky e nxori nga xhepi, të gatshme dhe ia dha. Mirëpo, pastaj nuk i shqitej më gjersa të merrte përgjigje; kështu ata shtërngohen ta shmangin edhe më, sepse askush në fakt nuk është kompetent për cilëndo punë në regjimin komunist, deri edhe ata që janë vërtet kompetentë. Askush nuk mund ta zbatojë ligjin! Udhëzimi që u vjen nga lart, i detyron që të mos e zbatojnë, sidomos jo për mirë dhe kështu të fëlliqen përdit, pikërisht duke mos mbajtur premtimet brënda ligjit. Ata që kanë pak cipë i fshihen tani, kurse ca të tjerë, e kanë edhe kërcënuar (“Shiko se ka dhe burgje..”). Dhe kjo I ka ndodhur tamam në Prokurori ku kishte vajtur të kërkonte mbrojtje (!) E admiroj për shprehjen e tij të guximshme, që di t’ua zbulojë shkeljet me lezet. Deri tani s’kam njohur njeri që të mbrojë të drejtën e tij me kaq forcë si Selimi. Shfrytëzon parullat e tyre, zhargonin e kohës por pastaj i befason edhe me gjëra që ata i dijnë mirë por që nuk guxojnë t’i shpallin, p.sh që sot rryshfeti ka marrë dhenë dhe është bërë mjet gati legal për të mbaruar punë. Fjala e tij është kaq bindëse sa që ka bërë për vete edhe ca të fortë, zyrtarë, që duan ta ndihmojnë, ndonjëri mbase dhe përpiqet, por pa rezultat deri sot. Edhe mjaltë u ka çuar atyre dashamirësve, ndonjë kryetari dege, të cilin do sinqerisht t’a shpërblejë, por që ai s’mundet… Një gjë karakteristike: përdor një gjuhë të lezetshme devolliçe. Megjithëse është rritur në Tiranë (ka ardhur fare i vogël) të folurën e mban dialektale dhe shumë të figurshme. P.sh për të thënë “e arrestuan”, thotë “e ngjeshën brënda” ose “I zunë kokën me derë”; për ndonjë që është rehat ekonomikisht thotë “ s’e vret këpuca”, kurse për ata që e luftojnë në lagje u shkruan miqve të tij lart: “ A durohen orekset e filanit e filanit?” Një ditë më tregoi historinë e së motrës, e cila banon në një fshat të Fushë-Krujës. 18 vjeçe u fejua me një djalë nga krahina e tyre, filli i vetëm, sepse 4 vëllezër i ka të arratisur në Australi. Sa u fejuan, arrestuan të fejuarin dhe e dënuan 10 vjet. Vajzës iu bënë presione nga të gjitha anët ta linte të fejuarin por ajo e priti derisa u lirua. Edhe mbas martesës nuk I lanë të qetë. Megjithëse pashaportizimin e kishin në Tiranë, kaluan disa vjet tepër të vështira në një fshat të Fierit dhe pastaj në një vend të humbur andej nga bregdeti i Krujes. Vëllai i tyre i madh, Skënderi, i


Grabjani rrëzë kodrave

143

shpinte bukë nga Tirana, çdo javë, duke bërë 10 kilometra shpesh edhe në këmbë, dimër-behar, sepse andej s’gjen fort makina. Adriatik ia kanë vënë emrin këtij vendi, me ndërtesa të reja në mes të fushës, ku kanë futur të internuarit. E përshkruajnë të tmerrshëm dhe sot atë vend: paga të ulta, furnizim I keq. Trajtimi që u bëjnë është i tillë krahasimisht, që neve këtu na quajnë fatlumë.

9 Korrik 1979 Kemi rënë në gjurmë të rrotës. Nipi i Mehdiut, Dylberi i tha Yllit se e ka marrë djali i ish brigadierit tim. Më lër mua i tha, se e rregulloj unë këtë punë.

21 Korrik 1979 Dylberi, nipi i Mediut na bëri shërbimin më të madh që e diktoi hajdutin por presionet që i bëri nuk pinë ujë. U detyrua Ylli i tha të atit, por edhe ai s’donte ta pranonte. Vetëm kur i përmendi Degën, se do ta vinte në dijeni, e detyroi ta dërgonte.

1 Shtator 1979 Sot vajtëm për driza me Fejziun, se kemi nevojë të dy për gardhet që na janë rralluar. Muarmë secili nga një sfurk me vete dhe u ngjitëm lart mbi rezervuar. Fejziu kishte dhe sëpatë të vogël dhe doreza lëkure. Kur mbaruam punë dhe po bëheshim gati të ngarkoheshm, dëgjuam një blegërimë që u përsërit disa herë. Nuk i dhamë rëndësi por pastaj kur u shpeshtua, përherë më e dhimbshme, vendosëm të vemi për të parë. Duke shkuar pas zërit, çdo herë e më i mekur, u afruam dhe gjetëm një kec të shtrirë që mezi merrte frymë, i fryrë si kacek. “Nëpërka!” tha Fejziu dhe menjëherë mendoi ta priste me sëpatë, që të mos shkonte dëm. Mirëpo duhej çuar në Sektor, se patjetër ishte i Blegtorisë dhe duke marrë me mend pyetjet që do të na bënin, vendosëm për jo.


144

Lekë Tasi —

E lamë aty dhe ikëm pa bërë asgjë, bile para se t’i mbaronte ai përpjekjet e tij, çdoherë e më të dobëta. Ndodh që të mbetet në mend një ngjarje e tillë e vogël. Ndoshta sepse është e rrallë, të impresionon. Të tjera, shumë më tragjike, zbehen shpejt se janë të përsëritura, bombardime, gërmadha, akoma dhe fytyrat e viktimave në plan të parë, fëmij të vrarë, nëna që qajnë në ekran; por sigurisht zbehen, tamam se janë në ekran, jo direkt të gjallë… Duke zbritur në digë, me barrën e drizave në kurriz që më shponte herë – herë) kjo e shpuara tjetër në ndërgjegje, më kishte prishur qejfin krejt, kërkoja me një ndjenjë midis dhembshurisë dhe një vetpërçmimi të papërcaktuar, të gjeja arsyen pse disa zona dhe disa krijesa goditen më shumë nga fati. Ky kec i njomë p.sh më bëhej gati emblemë, si viktima e pastër e asaj që e quajnë zakonisht e Keqja në botë, dhe prapa tij me delnin miliona fëmij të Afrikës, Azisë, të goditur nga një llotari e mbrapshtë dhe konstante. Kundërshtia më delte krejt e paarsyeshme: disa këtu, në një klimë të ëmbël, pa tufane e përmbytje, pa epidemira e uri, duke hyrë nëpër birrarira sa herë u teket, qoftë për një etje të shtirur, kurse ata përvit në kthetrat e fatkeqësive, me puse të shterrur dhe pa bërë zë siç i shohim në ekran, me ata sy të medhenj, me atë vijën e gojës të mbërthyer në një pikëllim të përhershëm. Në këtë krahasim dalin fare pa lezet rënkimet e psherëtimat tona. Por pastaj, i shpuar realisht nga një gjëmb në shpinë, rënkova përseri me inat dhe për t’i dhënë vetes të drejtë, e kuptova në çast, që në fakt s’kam asnjë ankesë, me të vërtetë asnjë, veçse për atë liri të bekuar që na mungon, të cilën fundja ka të drejtë ta aspirojë edhe më i mirëqëni në botë.

20 Shtator 1979 Dje pasdite erdhi dhëndëri i Kurteve. E panë me motor dhe fjala u përhap. Këto gjëra hapen shpejt në ambjentet e të internuarve por në rastin konkret, është e destinuar te mbetet vetëm me kaq, sepse Kurtet janë shumë të rezervuar. Mbi këto fakte tiren shumë hamendje, që ndofta e kanë një bazë nga ndonjë fjalë që mund të ketë filtruar. Thuhet se atmosfera është e butë në Tiranë dhe se pregatitet një amnisti për 35 vjetorin. Ka shumë të ngjarë. Me këtë përkon edhe fjala që solli një


Grabjani rrëzë kodrave

145

kushërirë e Zharkallinjve, sipas se cilës këtë Nëntor do ketë lirime të mëdha të burgosurish. Edhe familje te tjera, qe kanë njerëz në burg (çobenë në përgjithësi) kanë marrë letra ku thonë se drejtoritë e burgjeve u kanë dhënë shpresë. Pallati ka mbaruar por nuk po ndahet. Bëhet luftë e fortë atje në këshill. Fliten disa emra, të atyre që janë futur në listë, pastaj dalin të tjera, të pasnesërmen të tjera. Për ne as që bëhet fjalë dhe kërkesat janë aq të shumta sa rrezikohemi të mos na japin as nga shtëpitë që do të lirohen. 22 Shtator 1979 Tani në mbrëmje, mbas apelit u takuam me kryetarin e Degës, por na shkoi puna keq. Mbasdite u hap fjala që kishte ardhur dhe po priste ankesa në zyrën e këshillit, kështu menduam t’i themi për shtëpinë, për një zgjidhje çfarëdo, sipas porosisë që na është dhënë në fillim se çdo ankesë e jona do të bëhet me anë të Degës. I thamë Nevitit që të na caktojë një “audiencë”. Mirëpo ndërkohë Guri që s’i ndahet asnjë çast cilitdo të madhi që vjen këtu, mundi ta informojë se ç’njerëz jemi, sigurisht sipas oreksit të tij. Si pasojë, ai na priti me këmbët e para dhe atëherë puna përfundoi me kërcënime të hapura. Kapllan Shehu ia thonë emrin këtij kryetari që ka ardhur i ri. Është kunat me Kadri Hazbiun, a njëfarë krushku, i gjatë dhe me kokën krejt çil, me një hije të rëndë që të nxjerr mallin e atyre që hyjnë në klubin e Min. Brëndshme afër Sahatit (ata me robë doku e kapele verore), një burrë i paraqitshëm por me një dorë të vogël nga ç’vura re. Sa filloi Tefta t’i paraqesë kërkesat tona, ai e ndërpreu vrazhdë “Po sjellja jote si është?” “Sjellja? Ku e kini fjalën? E pyeti Tefta “Ke thënë se e kam për nder që jam e internuar” “Ju paskan informuar… tha Tefta dhe vështroi nga ana e Nevitit. E kam thënë, se na kini sjellë këtu jo për ndonjë turp. Ju jini komunistë, unë jam nacionaliste, a ka ndonjë të keqe këtu?” Ai s’përgjigjej por e vështronte i bezdisur, po Tefta ia bëri përsëdyti pyetjen. “Ka ndonjë gjë të keqe?”


146

Lekë Tasi —

“Jo” tha mekanikisht me në fund ai, por përnjëherësh u nxeh për këtë kthesë të bisedës dhe s’e la të vazhdonte: “Ku e merr ti këtë guxim? A e di që të çoj atje ku të shohesh vetëm qiell e tokë?” Në këtë pikë folëm të gjithë bashkë si për të ndarë sherrin. Tefta nisi të thoshte ato që ndodhin në dyqan, bezditë e vazhdueshme. Neviti i pyetur, u detyrua ta pranonte me një shenjë të kokës. Kapllani atëherë tha që s’duhet të bëhen dallime por u ngut ta mbyllte takimin me kaq. “Rrini urtë! Tha duke na tundur gishtin, se përndryshe që sot e nis propozimin në Ministri.” Përfundimisht, puna e shtëpisë as që u zu në gojë.

25 Shtator 1979 Efekti i takimit me Kryetarin: Nuria u fut në dyqan dhe i tha shitëses “Deri këtu do të vazhdosh shitjen” dhe vuri dorën tek gruaja para Teftës, “mbylle pastaj se kemi mbledhje”. Tefta doli pa bërë zë dhe u largua mengadalë pa ikur nga sheshi. Dyqani nuk u mbyll fare, por vazhdoi shitja… Kemi vendosur të vemi ne të tjerët në dyqan. Tefta prej kohësh e ka rralluar të vajturit por tani duam që ta presë krejt, se atje çdogjë mund të kthehet në provokim.

29 Shtator 1979 Mamaja kaloi një rrezik të madh. Pati një të ftohur dhe doktori i dha antibiotik. Pardie, ishte ora 10 e mbrëmjes, kishim ngrënë darkë. Vëllai i madh është këtu. Do niset nesër. Ylli përgatiti shiringën. Nuk kaloi një minutë nga çasti që i bëri gjilpërën dhe mamaja e ndjeu veten keq. Fytyra iu nxi, filloi t’i zihet fryma. Penicilina! Tha Ylli, i ka bërë reaksion! Ç’të bënim? Ajo po keqësohej me shpejtësi. U hodha te dera. Doktori


Grabjani rrëzë kodrave

147

nuk e ka larg dhomën po unë se dinja me saktësi ku. U rashë dyerve, zgjova familje, fola me zë të lartë, me shpresë që alarmi të bënte punë në përhapje. Pastaj eca në një korridor të errët dhe nga një derë doli koka e përgjumur e doktorit. Iu luta më shumë nga ç’ishte e nevojshme, se ai kishte filluar të vishej. “Shko, se vij vetë” më tha pak mahmur por unë s’donja ta linja. Nuk më besohej që kutinë e ndihmës së shpejtë, kaq të nevojshme nuk e kishte me vete dhe që do të humbisnin minuta të tjera për ta marrë në ambulancë. Megjithatë, ai u nis në drejtim të kundërt me shtëpinë dhe jo me shpejtësinë që do të donja. U nguta për në shtëpi, po kur u afrova, ndalova hapat (O Zot bëj që të mos…) Hapa derën, mamaja vazhdonte të rënkonte dhe të dridhej në një angushti të madhe. Më vonë na tha që i përvëlonte tabani i këmbëve. Mbas minutash të pambaruara, doktori erdhi, bëri gati shiringën, ampulën e antidotit dhe me duar që i dridheshin u mundua të gjente venën. Përmirësimi erdhi menjëherë. Dridhjet pushuan dhe i erdhi ngjyra në fytyrë. Vëllai i madh atëherë, u ul në cep të krevatit dhe qau me ngashërim. Shpëtoi mamaja! Por sa afër na kishte kaluar rreziku! Si do të kishte vajtur puna sikur atë natë doktori të kishte vajtur në Divjakë ku ka shtëpinë? Ja, kjo do të thotë të jesh në fshat. Posa kishim hedhur rrezikun, e megjithatë unë mendoja për ato “sikur” me të cilat është i mbushur internimi ynë.

2 Tetor 1979 NJË VJEDHJE PREJ USTAI Gjithë natën mbrëmë ra shi. Një shi i fortë por pa bubullima; tamam një natë për gjumë të lezetshëm. Megjithatë dikush, duke sfiduar të lagurit dhe errësirën e plotë ka punuar nëpër rrebesh dhe me fitim! Kështu sot në mëngjes, komshiut tonë, Luanit i doli një bletë mangut. Ia kanë marrë mu brënda në oborr, as një metër larg nga dritarja e tij. Siç na tregoi vetë sot në apel, ai e ndjeu një zhurmë të lehtë aty nga ora 12, u ngrit e doli te praku ashtu i zhveshur por si s’vuri re gjë të dyshimtë, u kthye e ra prapë.


148

Lekë Tasi —

Si duket, hajduti e ka nisur tentativën e tij në atë orë por bëri zhurmë dhe mund të jetë fshehur me vrap prapa kotecit tonë, të cilin vetëm një gardh i dobët e ndan nga oborri i Luanit. Ka pritur ca kohë aty i strukur nën strehë sa hyri brënda Luani e u qetua. Pastaj, duke përfituar nga një vrundull shiu të fortë, ka vepruar me shpejtësi dhe mbase i ka ardhur dhe një ndihmës, që deri atëherë ruante në rrugë. Vetëm për këtë flitet sot në Sektor dhe pa kaluar akoma as 12 orë po jepet edhe një emër. (Është për t’u habitur sa shpejt u del era punëve të ndyra; njësoj si atëherë kur ndonjëri bëhet spiun.) Çuditërisht fjala merr dhenë si flaka. Thonë se guximtari i djeshëm është Asimi i furrës dhe se e ka përcjellë bletën që pa gdhirë jashtë Sektorit. Ç’punëra të organizuara! Por natyrisht, askush nuk ia vë dot gishtin, megjithatë, të gjithë e dinë se ai s’është fillestar në këto hajnira. Dhe se specialiteti i tij janë kosheret, Bardhi ia ka parë sherrin mëse një herë. Vjedhjet janë shtuar shumë kohët e fundit. Të tilla ka kudo, në çdo fshat por askund nuk grabisin njëri-tjetrin si këtu. Në kohët e shkuara me sa di unë, fshatrat ruheshin prej të jashtëmve, kurse këtu ka arritur puna, të të qërojë komshiu! Biçikleta, goma, vegla pune, velenxa e deri triko të varura në tel. Neve sidomos na kanë grirë. Deri dhe zogjt e pulave, të parritura na i kanë marrë; gjersa hoqëm dorë krejt. Më vjen inat dhe turp njëkohësisht si banor i këtij vendi. Dhe jam i bindur se kjo gjëndje vjen si rezultat i marrëdhënieve të punës, që janë të padrejta, me bazë krejt fallco. Sikur këta të beheshin përnjeherësh siç kanë qënë, pronare shtëpie, toke dhe bagëtie, gjendja do të shërohej menjëherë. Edhe urrejtjet mes tyre do të uleshin, edhe bujaria do te kthehej. Kam frikë vetëm se brezi ri nuk do të shpëtonte kollaj nga dembelleku dhe puna qyl. Ditën që do ta shohe veten pronar, i moshuari mund t’i shtrohet punës por i riu (i fermave, jo i koperativave) do ta kete veshtirë të kthejë mentalitet dhe huq.) Me vjen turp por njëkohesisht ndjej dhe kureshtje se si bejnë! Me nxit fantazinë sidomos fytyra e hajdutit, kur është në veprim. Të kesh një kamera të fshehte veç për t’i parë shprehjen e fytyrës... Ditën ai sillet në sektor, ne klub, duke folur me sa më shumë njerëz, por ai e ka caktuar edhe rrethin e aksionit dhe viktimën, dhe ndoshta flet më shumë me atë (bile e le ta rrahi në shah ose në domino, që të ketë një kënaqësi plus kur të hakmerret). Flet me ta për çdo gjë, shtiret indiferent, i qetë, duke


Grabjani rrëzë kodrave

149

prekur edhe me viktimën temën e vjedhjeve, ashtu kalimthi… e bën këtë për një heqje dyshimi në avancë, por më tepër për të shtuar kënaqësinë e suksesit me anën e një fjale të dyshimtë që i hedh bashkëbiseduesitviktimë, i sigurt në pakapshmërinë e vet. Pastaj kthehet në shtëpi, ndërron fytyrën, përqëndrohet në rolin që ka përpara, mediton për detyrën që e pret. (këtë moment më tepër se çdo tjetër do të donja të ma kapte kamera e fshehtë!) Qejfi im për teatrin dhe për natën, me apasionon me këta zhonglerë dhe mbi të gjitha, me sytë e tyre. Çfarë nuk do të jepja që t’i shoh nga afër në ato momente, sepse në fakt aty ndodh e kundërta e teatrit: masken ata e mbajnë ditën, kurse tani nxjerrin fytyren e vërtetë. Prandaj ky është një teatër edhe më interesant, ai që s’është parë ndonjëhere nga publiku! Fikin dritën dhe mbajnë vesh nga dritarja se kur do të bjerë në gjumë viktima. Pastaj hapin derën ngadalë, dhe në majë të gishtave shkojnë e i hyjnë në oborr, të shkathët e të vendosur si helmi! Kur shoku i hajnisë mbrapa, bën ndonjë përplasje diku (zakonisht ky o është ndonjë diletant që do të perfeksionohet në zanat ose ndonjë antar i familjes, që vjen vetëm për fitimin prandaj dridhet i tëri) i kthehen me gishtin te buzet dhe i hakërrohen me sy të zgurdulluar shshsht!!! Rrijnë ca sekonda ashtu te ngrirë në vend si pantonima në pozicione të vështira e me veshët ngrehur. Tre metra më tutje, i zoti i shtëpise përtej murit zgjohet, ngrihet përgjysmë, ia ngul sytë errësirës, përgjon ca, pastaj, i mundur nga gjumi bie pranë gruas e cila mërmërit si nëpër endërr ca fjalë të paqarta që tingëllojnë të forta në qetësinë e natës. Guximtari rri edhe pak ashtu që të sigurohet, i shtangur si balerin i kapur në gabim hapi; pastaj, i qetësuar vazhdon punën, e ngre shumë ngadalë plaçkën e ëmbël dhe të dëshiruar dhe largohet i deformuar nga ecja e tepëruar majë gishtave por me një gëzim të fortë që i shpërthen nga gjoksi para kohe, që ia ndriçon sytë prej maceje grabitqare si ndonjë prush së poshtmi… Kësisoj në Grabjanin nokturn, të shndërruar në skenë fantastike, sendet ndrrojnë vend e pronar, një këtu, një atje, ndonjëherë edhe ne dy ose tre vende njëkohësisht, si gurët ne një fushë të errësuar shahu ose dame, ku njëri prej lojtarëve përfiton me një lëvizje të zgjuar e nga një svisto e kundërshtarit, i cili është kotur një grimë prej lojës së zgjatur.


150

Lekë Tasi —

13 Tetor ‘79 Jemi në korrje misri në parcelat më të largëta. Shkoj në biçikletë. Rruga zgjatet nëpër xhade por kam të mirën që nisem andej menjëherë sa mbaroj punën. S’jam i detyruar të pres makinën.

18 Tetor ‘79 Tefta nuk është më me ne; e arrestuan dje. Në datën 15 i bënë “demaskimin” në sallën e kinemasë; pastaj, dy ditë me rradhë na hodhën gurë në shtëpi dhe dje erdhi gazi e mori. Oborri është plot me gurë, copa tullash, xhama të thyera. i lamë pa fshirë që t’i shihte ndonjë hetues se ç’u punua në kurriz tonë. I bëmë telegram Ministrisë, po të gjitha dolën kot. Ky institucion vendosi kundra nesh. Me rradhë ndodhi kështu: të mërkurën mbasdite kishim dalë në apel me çunat për dore. Pritëm mjaft se s’po vinte njeri të na numuronte si përherë. Ora kaloi, po errej, kur në shesh të sektorit ndaloi një Gaz dhe zbriti Guri. Na hodhi një shikim si grup, i ngutur dhe menjëherë na urdhëroi të futemi në sallë për mbledhje. Deshëm t’i çonim fëmijët në shtëpi, meqë ishte vonë, por ai s’na la. I morëm në sallë por pastaj i çoi Danaj dhe u kthye. (S’di ç’do të kish ndodhur po t’i kishim aty). Populli po mblidhej me shumicë, të sinjalizuar si duket që mbledhja ishte me rëndësi. U ngucëm në mes të gjindjes, dhe Guri na çoi në rreshtin e tretë, tamam përballë tryezës me beze të kuqe të përgatitur për presidiumin. Atmosfera ishte e keqe. Para disa javësh, mund të ketë dy muaj, kanë demaskuar Dumet, para pak ditësh kemi bërë fjalë me Gurin por sidomos fjala e kryetarit të Degës na ndillte për keq. Salla u mbush dhe turma vazhdonte të hynte duke plotësuar edhe hapësirën para të dyja portave. Zuri vend presidiumi, partia e Grabjanit plus Petraq Nushi, sekretar i partisë së ndërmarrjes. Turma gumëzhinte po kur u ngrit Filipi, sekretar i partisë, kureshtja e mundi zhurmën. “Jemi mbledhur sot tha gati i buzëqeshur, që të bëjmë demaskimin politik të Tefta Tasit. Ku është Tefta?” pyeti pastaj. Dëgjova time motër që u përgjegj: “Ketu jam”.


Grabjani rrëzë kodrave

151

“Ngrehu këtu para popullit. Atje te muri, të të shohë populli”. Tefta u ngrit dhe vajti qëndroi tre metra larg presidiumit. Ia dhanë fjalën Petraqit (zeshkan, faqekuq, arrogant). Filloi të lexonte akuzën e tij, të mbushur me fjalë fyese si e “poshtër, reaksionare, amorale, bushtër, kërmë”. Ç’mund të bënim? Të ngriheshim? Ishte vonë, dyert ishin të bllokuara. Ai vazhdoi me ton të lartë dhe vazhdimisht e shtonte zemërimin, nga fundi edhe me shkumë në cepat e gojës … I ati ka qënë ministër i Zogut, i dënuar nga partia si armik i popullit, po ashtu edhe xhaxhai i saj, po ashtu dhe daja, dhe i vellai… janë familje reaksionare. Nuk del në punë, vjell vrer, shan mallin e dyqanit. Duan përmbysjen e pushtetit, duan që të vijë imperializmi. Por populli u ka thyer kokën gjithmonë etj, etj. Populli duartrokiste, brohoriste. Shpesh ia ndërprisnin fjalimin, dhe sa herë bëheshin këto ndërprerje, zëri i hollë i një skraparlliu flokëbardhë delte përmbi zhurmën me një klithmë Rroftë shoku Enver!!. Salla ngrihej në këmbë dhe shpërthente në urra të gjata. Një i rinisë m’u afrua mu në fytyrë duke më zbardhur dhëmbët me zgërdhi. Vendosëm të mos çohemi nga vendi dhe kështu ne të tre këtu dhe Tefta atje ishin të vetmit që nuk rrihnim duart dhe e mbanim gojën mbyllur. Edhe Qazimi mbrapa nesh po ashtu. Të dytën herë që u përsërit kjo, Petraqi e ndërpreu fjalimin dhe tha me ironi: “Pa le, edhe po na sfidojnë, qënkan trima… “ Atëherë Filipi na u drejtua: “Pse nuk duartrokitni ju për shokun Enver?” Ylli iu përgjigj: “Të gjitha këto që thoni për Teftën dhe familjen tonë janë gënjeshtra!” Petraqi ndërhyri: “Pavarsisht, duhet duartrokitur..” (ajo pavarësisht donte te thoshte pavaresisht se janë gënjeshtra). Ylli tha: Do të përgjigjem me vonë.” – “Në të lënçim ne...” ia ktheu ai me tallje. Mbasi mbaroi “akuza”, rregulli do që të përgjigjej Tefta. Por zhurma s’pushonte. Sa kohë kishte zgjatur akuzimi i saj, gjithsej ndonja 20 minuta, Tefta kishte mbajtur një qëndrim të qetë. Ajo vështronte drejt përpara, pa lëvizur fare, dhe një rast kur u shqiptuan fjalët më fyese, kishte vënë buzën në gaz. Ishte e zbehtë. I dhanë fjalën. Sa nisi të fliste, zhurma u shtua dhe më. U dëgjua vetëm: “këto që u thanë këtu nuk meritojnë përgjigje sepse shkelin sjelljen më elementare, por unë do të:... “Zhurma s’e la të vazhdonte.


152

Lekë Tasi —

(M’u kujtua një skenë e ngjashme, kur gjykohej babai, i rrethuar, i mbuluar nga ulërimat…) Tefta, me atë natyrën e saj, që rregullat e debatit i kujton të palëvizura, donte t’ua merrte me rradhë pikat për t’i hedhur poshtë një nga një. Natyrisht, ata ishin të porositur ttë mos e linin. Dhe mbase më mirë. Unë me Yllin në ato moment kishim frikën, ç’rrugë do të merrte puna po të ishte bërë debati. Ajo patjetër do t’i peshonte fjalët por mbi të gjitha toni i saj prej të barabarte do të kishte efekte të paparashikuara. Mund t’ia shtrembëronin çdo gjë që do të nxirrte nga goja, për t’i kurdisur një gjyq: dëshmitarë gjenden plot. Për këtë, dhe për t’ua venë në dukje qartë dhunën e hapur që po përdornin, u ngrita nga vendi dhe i thirra fort por me ton të qetë: “Mos u jep përgjigje fare Teftë! Asnjë fjalë mos u thuaj!” Zhurma u ul. Presidiumi u vështruan me njëri – tjetrin dhe natyrisht nuk ngulën këmbë që ajo të fliste. (për ta nuk ka asnjë shkelje që i akuzuari edhe të mos flasë fare.) Ia dhanë fjalën popullit, por për ne kishte mbaruar çdo gjë; në menyrë demostrative u ngulëm në një qëndrim të heshtur, Tefta atje dhe ne të tre këtu. Të gjithë sa folën, patjeter ishin të porositur, por mënyra se si u zhvillua mbledhja dhe sidomos fakti që ne nuk pranuam ndonjë faj, por reaguam, u dha dorë organizatorëve: Fjalimet e atyre që kishin porositur dolën tamam të zemëruar. Ata shprehën indinjatën sikur ne të kishim shkelur të drejtën! Më i buti prej tyre, më i maturi të themi, një agronom me të cilin Tefta as ka këmbyer ndonjëherë një fjalë, tha: “Unë nuk e njoh personalisht Teftën, por ç’është ai të ecur në rrugë?! Sikur ka çliruar Shqipërinë!!” (ai në fakt me këto fjalë përmblidhte qortimin e rajasë që i bën sjelljes më normale qytetare, dhe në këtë identifikohen shumë nga ata që e kanë ulur kokën përfundimisht në mjedisin tonë mbytës). Pas tij u ngrit vetë Nuria dhe tha: “Kjo këtu merr një fëmijë për dore dhe shkon serbes në postë” (Nënteksti: si guxon të më kalojë para?! Ajo vetë, Nuria, ka një frikë patologjike nga ata të sigurimit, megjithëqë u bën gjithë këto shërbime). Pastaj dy pleq dhe një i ri kërkuan i pari arrestimin e menjehershëm të Teftës, dy të tjerët jo vetëm të sajën por edhe tonin, meqë nuk duartrokitëm. (I dyti kishte një habi të thellë të vizatuar në fytyrë kur pyeste: Të mos duartrokasësh për shokun Enver! Si u bëka!?).


Grabjani rrëzë kodrave

153

Dritat ishin të dobëta në sallë, tymi i duhanit i mjegullonte edhe fytyrat, konturet. Isha shumë i tronditur që të mund t’i kujtoj të gjitha sa thanë. Mbas këtyre të parëve folën një sërë hipokritësh pa rëndësi dhe grash që janë me gisht në Sektor. Njëra prej këtyre, një e shëndoshë me krahë të shkurtër, (për të cilën qarkullon fjala se e ka përpjekur me jaranin majë një mani) tha: “Kjo vë një kapele në kokë (siç duket e ka parë në rastet kur lante kokën), merr një trastë të jashtme dhe na shet mend në dyqan”. Një tjetër (antare partie, më e shëndoshë se tjetra dhe fare e shthurur nga goja, e famshme për grindjet e gjata me lëmin ku lëshon për të kullotur 100 pulat e dy plepave të saj-kotece) u ngrit mes rromuzeve të çunave, e rëndë si një vozë dhe tha me zë burri: “Kësaj nuk i pëlqejnë zarzavatet e shtetit! Ca do qo? Apo do kohën e bejlerëve?” Të njëjtën gjë në thelb, por me një fije të hollë zëri, e emocionuar në kulm e përsëriti shitësja e zarzavateve, ajo që kaq herë nuk i jepte Teftës edhe kur kishte radhën… Pastaj Lika, brigadier dhe sekretar partie u ngrit nga rreshti i parë dhe më tregoi mua me gisht: “Ky këtu nuk paraqitet në punë, ikën nëpër malësira me bletë, rri me javë..” (në malsi unë?… që duhet të dal dy herë ditën në apel...) Me këto e ca të tjera mbaroi mbledhja. Populli u ngrit dhe u mblodh tek porta kryesore. Daljen tjetër e mbanin mbyllur që të mos ndahej masa më dysh dhe i binim shkurt neve për në shtëpi. Duhej të ndodhte në shesh të Sektorit ajo që kishin përgatitur. U futëm dhe ne në turmën që grumbullohej, kur Teftës i erdhi një shtytje e fortë nga mbrapa. Unë që isha përpara ktheva kokën dhe pashë djalin që këto ditë më merrte biçikletën për xhiro. S’desha ta besoj. E pyeta me sy por ai më bëri një shenjë mohuese por në formë tallëse. Kishte përreth shokët e organizatës që e nxisnin dhe ky bëhej trim. Në koridor të gjithë na vështronin ftohtë siç na kishin në mes. Shumë prej tyre duhet t’i kishin gurët në xhepa. Futëm Teftën në mes dhe vazhduam mes të shtyrave. Nga hapësira e portës se jashtme pashë gazin e Degës që s’kishte lëvizur nga vendi. Guri s’kishte ardhur i vetëm atë ditë nga Lushnja por me dy të tjerë, të cilët nuk hynë në mbledhje por e ndiqnin zhvillimin e saj jashtë. Sot morëm vesh që njëri prej tyre, një prokuror me emrin Nestor priti deri vonë dhe paska thënë S’mund të arrestohet njeriu pse nuk duartroket; duket ia propozuan të priste fletë-arrestin që


154

Lekë Tasi —

sa dolën nga kinemaja. Deri dje që u bë arrestimi, kemi qënë në padijeni të këtyre gjërave. Rrinim me shpresë, por sot m’u sqarua që mbledhja u kurdis si provë gjenerale, dua të them vendimin e morën ata lart, por fjalën e fundit e tha ministria vetëm mbasi pa reagimin e fshatit nën nxitjen e krerëve të tij. Me të dalë nga kinemaja, Danajës që kishte mundur të shkëputej e para nga lëmshi i korridorit, i ranë me grusht te qafa dhe u rrëzua. Jashtë ishte errësirë, sidomos poshtë, sepse dritat e klubit përkarshi pengoheshin nga turma që kishte formuar një rreth për të na pritur. Pa ditur se ku vë këmbët, shkova te Ylli që po shpërndante me grushta ata që rrinin rreth së shoqes duke bërë sehir. Njërit i thashë: “Një doktor!” “Shpejt!” Ai ktheu kokën nga ana tjeter dhe e ndjeva që po qeshte. Në të vërtetë, ai vetë, e kishte grushtuar, më thanë sot. Është sekretari i Rinisë, brigadier dhe u paska thirrur çunave të rinisë pak para se te delnim ne shesh, “O burrani, bjeruni! Se nesër kini 250 lekëshin”). Siç më thanë, e tillë qe dhe porosia e P. Nushit kur mbaroi mbledhja, e thënë si senjal e me të qeshur: “Hajt! Përcillini me ceremoni…” Ne s’lëviznim dot, se rrethimi i tyre na shtynte mbrapsh kudo që drejtoheshim. Na shanin “fashistë”, ballistë, tradhtarë”. Pastaj si me sinjal, na liruan një anë dhe ne sulmuam për andej. S’mundëm të vëmë pak distancë me ta, se filluan gurët. Më erdhi një në kokë; vura dorën dhe ndjeva gjakun, dhe menjëherë një gur i madh ne ije më mori frymën. Ylli na thirri të treve të vazhdojmë, ndërsa vetë mori një gur dhe u kthye në drejtim të tyre: U thirri: “Të dalë një këtu more të poshtër!” Ata u stepën. Nuk ua dallonja dot fytyrat. Do të kishte edhe të njohur mes tyre, dua të them nga ata që kemi punuar bashkë por ishin të mbrojtur nga neonet prapa tyre). Sa kthyem krahët, ata vazhduan të na bien në ato njëqind metra që na ndajnë nga shtëpia. Kaluam kanalin si mundëm. i dhashë dorën Teftës e cila për fat s’kishte pësuar gjë të madhe. Por kur arritëm në shtëpi, pamë që Ylli ishte plagosur. Gjaku i rridhte në 5-6 rrëke të holla nga të gjitha anët e ballit, i goditur në majë të kokës. S’mundëm t’i bënim gjë, sepse me t’u futur në shtëpi filloi të kërcasë dera dhe çatia prej llamarine dhe menjëherë u thye xhami i parë. Fikëm dritën dhe zbrazëm tavolinën nga të gjitha ç’kishte. U mblodhëm midis portës


Grabjani rrëzë kodrave

155

dhe murit ndarës. Në çdo vend tjetër kishte mundësi të na qëllonin nga hapësira e dritares, e cila shumë shpejt mbeti pa asnjë xham. Fëmijët, dy të vegjëlit s’merrnin vesh gjë, dy të mëdhenjtë rrinin të habitur, të mbledhur të gjithë te gjyshja e tyre. Ndejtëm të grumbulluar ashtu në errësirë, duke dëgjuar gurët që binin, nga një nga dy, me batare. Disa shkapeteshin edhe brenda në dhomë, në mobilje, në mure ndërsa çatia s’pushonte asnjëherë. Mbas ndonja gjysm’ore u bë një armëpushim. Zëri i elektriçistit të Sektorit na pyeti nga larg a kemi drita. “Kemi ia ktheu Ylli por s’i ndezim se na bien”. Një çerek ore me vonë foli Vasili, kryetar Fronti: “O Ylli! Hape pak..” Gurët kishin ndaluar prapë. Ndezëm dritën dhe e futëm brënda. Ishtë megjith ndihmës mjekun , një tip ironik që hyri me një buzëqeshje sikur s’kishte ndodhur gjë. “Kini nevojë për gjë? “ pyeti Vasili (dhe mua më erdhi t’i thoshnja “Po për një xhamaxhi...) – “Shiko mor këtu, ç’bëhet!” i tha mamaja me inat dhe i tregoi kokën e Yllit, dhomën e shkatërruar. Ai vështroi rrotull me njëfarë keqardhje po nuk guxoi të fliste. Vetëm i bëri shenjë infermierit, i cili hapi çantën e na mjekoi, por gati me mosperfillje. Ky kujdes i tyre, i administratës në përgjithësi, na gaboi rreth qëllimeve të tyre më tej. Me t’u larguar ata, gurët filluan përsëri dhe s’pushuan as të nesërmen që ishte data 16, ditëlindja e Enver Hoxhës. Shkolla me këtë rast i lëshoi fëmijët para kohe dhe kështu festën ata e bënë duke na hedhur gurë... Në mëngjes vendosëm të mos dalim në apel, as bukën të mos e marrim në furrë sa kohë do të vazhdonin gurët dhe këtë ia komunikuam atij që dërguan për të na nxjerrë në apel. Natën vonë, duke përfituar nga errësira, Liria e Bardhit na solli dy bukë por gjatë ditës mamaja na bëri diçka për të ngrënë, pavarësisht nga rrethimi; në dritare kishim mbërthyer dërrasa, megjithatë, ne qëndronim në zona të mbrojtura. Nuk dinim ç’rrugë do të merrte puna. Shpresa jonë e vetme ishte që Tirana ta quante të tepëruar dhe të mos merrte masa më tej. Me sa dimë ne, në asnjë vend s’kanë qëlluar njeri me gurë deri sot; pse duhet t’i shtonin dhe arrestimin? Siç duket, ata lart, u nis që u nis, s’deshën t’ua prishnin të vegjëlve të tyre. Ose ishte e vendosur qysh në fillim. Ky është


156

Lekë Tasi —

dhe kuptimi i një fjale të P. Nushit në përfundim të mbledhjes, që duhet të na kishte tingëlluar si paralajmërim: “Sonte jo, po nesër, pasnesër, pas një jave do të merren masa për këta” (e dyta herë që na dërgojnë një sinjal të tillë dhe ne s’e kapim. E shumta një transferim në Bedat, për të na izoluar, kaq menduam dhe e prisnim gati me qejf. Nuk menduam që dëshira e veglave të tyre pa tjetër duhej çuar në vend. Gjetiu kanë bërë demaskime por në shumë raste, p.sh në Shkodër populli i lagjes ka mbajtur qëndrim të ftohtë dhe prandaj viktimat kanë shpëtuar pa pasoja të tjera.) Ylli doli të nesërmen që në mengjes, i bëri telegram Ministrisë dhe pastaj në drekë postoi edhe një letër. Ishte i fashuar në kokë. Nuk e qëlluan. Gjatë tërë ditës siç thashë fëmijët i kishim nga të gjitha anët. Gurët pezulloheshin kur kalonin antarët e këshillit ose agronomë e arsimtarë, të cilët kur vinin afër u bërtisnin me qortim por sa iknin tutje, askush s’u bindej më. Fëmijët duhet të kenë qënë të eksituar si në një festë. Kushdo vinte, hidhte, ikte. Mbas të rinjve, e kishin rradhën të vegjëlit të edukoheshin me urrejtjen klasore. Kurse të mëdhenjtë fare, të rriturit, nuk dukeshin fort të bindur; vështronin nga larg, pak të habitur nëpër vende të mbrojtura, ndonjëri edhe duke qeshur, gra të lëmit, mekanikë, bile edhe ca që nuk u binte rruga. Ndërkaq Tefta, me marazin që nuk u pergjegj dot në sallë, i shkroi një letër P. Nushit. “përdorimin e fjalëve të ndyra ju e quani demaskim politik? Apo nxitjen e rinisë në rrugën e huliganizmit, e quani edukim?” Bëmë mirë që e postuam para se të arrestohej, më tepër që t’i jepnim Degës (ose Hetuesisë) edhe versionin e vërtetë çfarë u bë në mbledhje. E dimë si vdekja që ai do ta dorëzojë atje edhe sikur ajo letër të jetë dënim për të. Afër drekes, si efekt i telegramit – menduam ne- erdhi operativi. Ishte me Stavrin (i plotfuqishmi) dhe me kryetarin e këshillit. Neviti e pa grumbullin e gurëve në oborr, suvanë e rrëzuar dhe ktheu kokën përgjysmë nga ky i fundit: “Jo kështu, jo kështu!” tha me qortim. I kërkuam të hynte brënda për të parë gjëndjen. Futi kokën te dera dhe shikoi prapë me mosaprovim nga kryetari i këshillit. Para se të iknin, Neviti na tha një fjalë, që tani na duken mashtrim i pastër (në mos tallje) po në atë moment na dha zemër: “Hani, pini dhe argëtoni!” kurse


Grabjani rrëzë kodrave

157

protestës tonë për gurët që po vazhdonin, iu përgjegj me këto fjalë që i shoqëroi me një shikim të papërcaktuar: “Se mos shqetësoni qeverinë!” Pikërisht mbas kësaj fjale, ne I dërguam letrën Ministrisë. Të nesërmen, d.m.th dje, më ora 10 Neviti erdhi prapë. S’kishte polic me vete siç është zakoni kur arrestojnë. Tha: “Ka ardhur Kryetari i Degës dhe do të takojë Teftën.” Ne menduam se donte të bisedonte për ankesat që kishim bërë në letër e në telegram. Tefta u vesh dhe u nisëm të tre. Por kur arritëm në zyrat, na ndanë. Atë e shoqëruan te dhoma e këshillit nga e majta, kurse ne të dy, mua me Yllin, Neviti na çoi djathtas, te zyra e agronomeve. U ul. Tryeza ishte bosh kishte vetëm një rigë. E mori në dore dhe na tha: “Ne Teftën e arrestuam…” Ndjeva një tkurrje të neveritshme në kokë, sikur të më kishin thënë që tani na mori në dorë armiku ynë më i madh dhe këtej e tutje s’mund të presim veçse të këqija. Dora e tij pati një dridhje të lehtë tek po vërtiste rigën dhe kjo më dha për një çast shpresën sikur s’e kishte me tërë mend, sikur mund ta ndreqte. Si nëpër mjegull më erdhën fjalët e tij që do të na vinte në profesionin tonë. U përgjegjëm mekanikisht “nuk duam”. Ishin fjalë të kota, të tijat dhe tonat; e bënte për te hedhur moment i ri, kishte përvojë të na gënjente me diçka si për të larë veten. U ngritëm të tronditur, dolëm në korridor dhe pritëm. Nga zyra e këshillit doli një burrë me bluzë të bardhë, me puçrra në fytyrë: hetuesi. Së bashku me të, me Zoin dhe me një polic më morën, vetëm mua dhe më çuan në shtëpi për kontroll. M’u dhimbs mamaja atë çast kur ia dhashë lajmin; iu ndrrua fytyra. Por e mbajti veten. Kontrolli u bë në heshtje dhe për fat i përciptë. Si mbaruan, u kthyem në këshill, hetuesi bëri proçes verbalin e gjërave që mori, ca fletore të miat, ca të vëllait të madh, firmosëm të dy dhe pastaj unë zbrita poshtë te porta ku gjeta Yllin. Si pritëm dhe pak, një polic tjetër doli në krye të shkallëve dhe Tefta mbas tij, me duart mbrapa në hekura. Vështronte drejt përpara dhe kur na kaloi pranë na hodhi një shikim të qeshur pak ironik por pa folur asnjë fjalë. Kur u afrua te dera e gazit, populli rrotull mbante heshtje, ajo i tha hetuesit: “M’i zgjidh duart, s’ngjitem dot”. Hetuesi s’foli. Ylli atëhere iu afrua dhe i thirri: - “ A e merr vesh ç’po të thotë? S’hipën dot!” - “M’i lidh përpara!” i tha Tefta gati si me urdhër. Për çudi, ai nxori çelsin dhe ia zgjidhi duke i thënë dhe ai me inat: “Ja po t’i heq fare!” Tefta u ngjit dhe u ul mes dy


158

Lekë Tasi —

policëve. Me duar të zgjidhura (se s’ia lidhën më as përpara) na bëri me shenjë të afrohemi dhe na dha porositë: “Kujdes mamanë dhe merrni sandalen e bardhë te këpucari. Pastaj dera u mbyll me forcë dhe Nuria që asistonte triumfuese (kishte zbritur dhe ajo nga zyra, e ngutur me çelsa në duar), i ra xhamit me pëllëmbë dhe thirri e kënaqur Rroftë shoku Enver, por pa ndonjë jehonë tek të pranishmit. Gazi u vonua pak për tu nisur dhe ne arritëm në shtëpi para se ai të kalonte andej. Te ura e kanalit kishin dalë mamaja me të gjithë. Tefta, kur makina po merrte kthesën na e bëri me dorë dhe qeshi që prapa xhamit, si nga një negativ fotografie. U mbyllëm në shtëpi dhe tani s’na binin më me gurë, përveç ndonjë çuni fare të vogël që s’dinte gjë. Rrinim të mërzitur pa folur, kur Hektori përnjeherësh ktheu kokën mënjanë dhe filloi të qajë. “ E mori polici Teta Teftën” tha.

21 Tetor ‘79 Kemi dalë në apel dhe në punë. Ylli vajti dje në Lushnjë me biçikletë. I çoi ushqime, sheqer, reçel, lakror. Gjellën që i bëri mamaja nuk ia pranuan. I çoi dhe tesha për të veshur; kurse shtresa dhe mbulesa nuk lejohen.

23 Tetor ‘79 Nga e gjithë brigada vetëm Selimi, Halili, Pëllumbi dhe Meleqi më flasin njësoj si përpara, të tjerët të rezervuar vetëm kur zihen ngushtë… Kurse Zarifi, një harixhi i vogël, erdhi e punoi me mua dhe vazhdon të më rrijë afër duke treguar kujdes për çdo gjë që më nevojitet. Tre çuna përkundrazi, ata të biçikletës, më kalojnë pranë dhe më shajnë “fashist” , “ballist” kur s’ka të tjerë afër. Kur po haja bukë në mezhdë dje, më erdhën ca plisa. Ishin këta nga ana e kanalit. U detyrova ndrrova vend. Ata me sharje por përpara se të largohem u thashë: “Jini nga 16 vjeç. S’ju ka hije të lehni si kone”. Ata vazhduan me plisa. Ato dy ditë që mbetëm të mbyllur, Tefta na tha se para dy javësh kishte parë Nevitin me Gurin te libraria në cep të lëmit, që vështronin


Grabjani rrëzë kodrave

159

me insistim nga shtëpia jonë. Po ashtu, kur vinte në dyqan ose në postë, ky i fundit e ndiqte me sy. Luftë nervash si duket, por ne nuk u treguam të mprehtë nga kjo anë, për t’iu përgatitur së keqes. Flinim rehat dhe na erdhi papritur. Mamaja shkroi një letër në kryeministri ku i tregon të gjitha. Kërkon të mos e keqpërdorin Teftën por më tepër për të vënë theksin në fjalët fyese që u përdorën në mbledhje dhe gurët pastaj. Është një fije shprese se mos u duket e tepëruar atyre lart kjo egërsi e të vegjëlve poshtë.

24 Tetor ‘79 Sot erdhi një kuadro nga Ministria. Menduam se e kanë dërguar për të hetuar, të shtyrë ndofta nga letra jonë, për ta verifikuar. E njohim dhe na njeh. (është nga vendi ynë). Por mbajti qëndrim armiqësor. E thirri Yllin në zyrë dhe në vend që ta pyeste e ta dëgjonte, ia jepte përgjigjet vetë, ashtu siç ia kishin përgatitur të këtushmit. Bile e deklaroi që në krye: “Mua më intereson ta nxjerr Degën të pastër. Por s’u mjaftua me kaq; deshi të nxjerrë të larë edhe të këtushmit. Minimizoi hedhjen e gurëve: “Një budalla ka hedhur ca e jo në masë siç thoni ju në letër”. Pastaj kur dolën në shesh, u takua me ata, ra dakord me ata në çdo pikë. Ia kishin bërë gati edhe një djalë debil për t’ia ngarkuar atij të gjitha fajet, si i vetmi që hodhi gurë. Por Stavri, polici i pranishëm, që kishte qënë vetë atë natë, si edhe të nesërmen në shtëpi me operativin, ndërhyri me ton të prerë: “Hedhja e gurëve është faktuar”. Kjo fjalë “është faktuar” na jep shpresë se mund të jetë mbajtur proçes–verbal. Bardhi na tha ato ditë që Tirana paska pyetur dhe një informator të vjetër këtu, i cili ua ka raportuar fije e për pe gjërat siç kanë ndodhur (Ia tha vetë Bardhit pa e pyetur ai, kjo më vë pak në dyshim se mos e kanë shtënë për të na qetësuar me iluzionin se do ta shqyrtojnë drejt). Edhe për këtë oficer të Ministrise shpresova në fillim por doli krejt negativ. Ylli ia tregoi të gjitha; së paku u mundua (ai merrte shënime por përciptazi); Ylli insistoi që jashtë kinemasë vendi është plotësisht i pastër, i fshirë, pra ajo që u bë aty nuk ishte spontane, ata kanë qënë të porositur të mbanin gurë me vete. – “Po kush ishin ata?” pyeti ai. Ylli tregoi sekretarin e rinisë1 që i rrinte në krah dhe i hidhte shikime


160

Lekë Tasi —

arrogante. “ I pari ky!” – “Unë? Ia bëri ai, unë s’kam qënë fare në shesh!” duke harruar që pak më parë kishte thënë se ndihmoi duke kërkuar doktor për të shoqen e Yllit. – “E kuptoni që ky gënjen? I tha Ylli oficerit: “ Ky qëpari tha se si anëtar këshilli na ndihmoi; si s’paska qënë në shesh?! Por ai s’tregoi se kapi ndonjë kontradiktë të madhe në këtë mes. Liria e Bardhit na tha se një i njohur i saj kishte udhëtuar në tren me të dërguarin e ministrisë. E dëgjoi që u fliste pasagjerëve të panjohur rreth arrestimit të Teftës.. “Unë s’mund të mos e fus në burg të bijën e Koço Tasit. Ti je i lirë të mos rrahësh duart, por ama s’të lejojnë të flasësh kundër partisë” e ca të tilla. Veç kësaj kemi marrë vesh që hetuesi i Teftës paska ardhur këtu dhe ka bërë mbledhje me popullin në kinoklub. I pyeti ç’faj ka bërë konkretisht Tefta që kërkuan burgosjen e saj. Ata s’dinin ç’të thonin dhe ai u paska bërë një qortim të butë: “Ne do të gjejmë mënyrën që ta dënojmë, po ju ku shkoni me këto kërkesa?… ( I kishte nxjerrë edhe me emra, si psh një djali të organizatës i tha: “Ti Shaban, pse hodhe gurë?” Ai mblodhi supet.) Ç’mund të nxirret nga kjo? Mos duan të thonë indirekt që Tefta është marrë kot fare? Pastaj ajo fjalë “do të gjejmë mënyrën si ta dënojmë”? si mund ta dënojnë deri sa s’ka bërë faj? Këtë e kanë bërë boll herë, por asnjëherë s’e kanë shpallur kaq haptazi. Jo vetëm kaq, vihet re në përgjithësi një rifreskim I të gjitha padrejtësive që janë bërë në këto 30 vjet. Pse?

13 Nëntor ‘79 Selimi na tregoi një histori të tyren që ka ngjashmëri me rastin tonë. Para se të hapej Kongresi i 5-të i thirri lagjja në një mbledhje ku kishin ardhur ca nga komiteti i partisë dhe bile një nga komiteti qëndror. Në atë kohë babai u punonte në fermë. Në një atmosferë frikësimi të madh e akuzuan se kishte derdhur gurkalin për të sabotuar shtetin etj. Xha Tefiku u habit, por bëri gjënë më të mirë për atë rast. Tha vetëm: “Çfarë po thoni ju lutem, se s’para dëgjoj nga veshët”. Kjo e shpëtoi. Kundërshtimi direkt u shmang. Por djemtë i kishte pranë; ata i vunë krahun shpejt dhe e çuan në shtëpi. Çështja u mbyll


Grabjani rrëzë kodrave

161

me kaq, sa u futën tmerrin dhe egërsuan atmosferën e para-kongresit. Këtë shpjegim të lidhur me kongresin ua dha një komunist mik i tyre, kur vajtën atë natë të alarmuar dhe e pyetën. Dhe shtoi se po të kishin kundërshtuar, mund edhe të bënin ndonjë arrest, se në fakt i kishin gati policë të armatosur jashtë sallës. Në atë kongres, K.Hazbiu e përmendi këtë model të ri gjyqi të shpejtë para masës si formë të mirë edukimi dhe që do të vendoset kudo. Pas kësaj, në lagje qarkulluan ca fjalë si “të bijtë nuk u sollën mirë, nuk mbajtën qëndrim ndaj babait të tyre por u solidarizuan me të”, etj. Qysh atëherë u shtua lufta kundër tyre.. Ndër të tjera në mbledhje u përmendën edhe burgun që Xha Tefiku kish bërë si “armik” por në vend që të thonin 5 vjet siç është e vërteta, thanë tre vjet (!)Pasaktësia më duket mua është një armë e tyre e hollë. Me këtë i thonë masës që “ti s’mund të më kundërshtosh as në gjërat më evidente, edhe po të them fluturoi gomari ti duhet të thuash amin” 16 Nëntor ‘79 Sot hodha superfosfat në një parcelë të padiskuar. Prapë një incident. Më caktuan në të njëjtin grumbull plehu me tre çunat që më bezdisin. Ata e shpërdoronin plehun, por pastaj ma hidhnin fajin mua. U qëndroja larg, s’u jepja përgjigje. Përtej kanalit ishin dy traktoristë. Njeri, vëllai i Jorgjit, burrë i urtë; tjetri, nga Librazhdi, ma bëri me dorë, me kuptim “hajde”. Unë vazhdova punën, se e kuptova ku e kishte qëllimin. Më thirri me zë nja dy herë. Ktheva kokën të parën por nuk i dhashë përgjigje më. E dinja se do të me binte në qafë, se e nxisnin të vegjëlit (është udhëzimi që të më nervozojnë). Kur mbaruam punë, u shkunda nga pluhuri dhe vajta në kanal të lahem. “Pse s’erdhe kur të fola?” më tha maloku. “Mirë unë, i thashë, po pse s’erdhe ti?” Pse e hedh plehun me boll?” ia nisi ai. S’iu përgjigja më. Vëllai i Jorgjit s’merrte pjesë. U ktheva kurrizin dhe ika. Jam shumë i mërzitur dhe mëndja më rri te Tefta, ç’bën atje në birucë. Gjithë burrat, Selimi e të tjerët ka ca ditë që bëjnë kanal të ri dhe s’kam me kë flas.


162

Lekë Tasi —

1 Dhjetor ‘79 35 vjetori kaloi bosh fare. Asnjë falje.

22 Dhjetor ‘79 Pallati u nda më në fund. Librazhdasi që banonte në fund të kapanonit tonë mori hyrje dhe kështu dy dhomat e tij na i kanë dhënë neve. Ylli do të bartet atje, unë mbetem këtu ku jam. Njëkohësisht, brenda javës morëm letër nga vllai i madh në Shkodër: I kanë dhënë dhe atij apartament në pallatet që kanë ngritur pas tërmetit. Kjo na gëzoi më shumë, që më në fund doli nga ajo dhomë e vetme ku ishte prej 15 vjetësh vet’i pesti. O Zot, qoftë ky fillimi i një mirësie për ne! Sa do të kënaqet Tefta kur ta marrë vesh.. Ajo do të ishte gati besoj ta paguaje edhe me ca vjet burg lirimin tonë ketej, tani që plotësojme 5 vjetët e masës; unë të isha në vend të saj do të pranonja me kënaqësi, veç familja të çqitet nga ky internim. Por ka gjasë që edhe ajo të dënohet, edhe neve të na e përsërisin internimin. Ky zgjerim që po na bëjnë kur s’na mbeten as 10 muaj, s’më duket premtues.

27 Dhjetor ‘79 Teftën e dënuan 8 vjet. Neve nuk na ftuan fare në gjyq. Sot në mëngjes, tamam në kohën e apelit pamë disa persona që niseshin por nuk e dinim se në mes tyre ishin edhe dëshmitarët për gjyq. Ndër ta Nuria, shitësja e perimeve si edhe i internuari nga Mokra. Një i katërt, një femër flokëkuqe që e njohim, na shmangej (ka ardhur në shtëpi tonë për të qepur, bile edhe këto javët e fundit, mbas arrestimit dhe i jepte kurajo mamasë – prej saj e kemi marrë vesh edhe mbledhjen e hetuesit këtu por tani i kanë premtuar t’i lirojnë të shoqin që po bën 5 vjet brënda dhe sot dëshmoi kundra. Prej kunatit të saj morëm vesh se gjyqi ishte sot, por Guri kishte vajtur me ta dhe ne s’mund të merrnim leje. Prandaj nisa time shoqe. Udhëtoi me karrocë kështu që arriti shumë vonë, nga fundi i seancës dhe pa vetëm Teftën duke i dhënë një përgjigje “jo” me gisht, pa mundur të


Grabjani rrëzë kodrave

163

marrë vesh se për se ishte fjala. I çoi dhe roba e pallto por nuk vlejtën se ishte vonë. Tefta e veshur me tuta iu duk e dobësuar, e zbehtë. Nuk i lanë të komunikojnë por Tefta e pyeti nga larg për shëndetin tonë.

9 Janar 1980 Letra nga Tefta prej kampit ku duhet ta kenë çuar, po vonon. Ylli do të vejë në kamp me ushqime por nuk i japin leje. Jemi në merak. Operativi nuk shprehet. Mundet që e mbajnë akoma në degë. Po pse? Gjyqi ka dy javë që u bë. Po mendojmë si të shesim motorin që ka lënë Ylli te kushërinjtë. Na duhen para urgjentisht por vështirë të gjejmë një blerës këtu ku jemi.

16 Janar 1980 Tefta vazhdon në Degë. Kemi hyrë në një fazë veçimi më të fortë tani. Kudo ku vemi jemi të rrethuar nga një ftohtësi. Fakti që s’bëmë autokritikë dhe sidomos që s’duartrokitëm, i bezdis njerëzit, jo se ata janë me qeverinë, por se nuk ua nxe mendja që të shkosh keq me të. Por nga ana tjetër zgjerimi që qeveria vendosi të na bëjë në banim i lë me mëdyshje. Të internuarit, të deklasuarit dhe mjaft nga populli janë me ne sigurisht, na kanë dërguar të fala edhe nga sektorë të tjerë por disa edhe s’janë dakord, na vështrojnë me sy qortues, ndonjëri bile na ka thënë “po ju ç’ju duhej që u ekspozuat, s’ishte serioze”. Pse s’delte Tefta në punë? Unë iu përgjigja: Po Mynever Dume që nuk bëri si ajo, që u tregua e urtë, pse e arrestuan? Si duket serioziteti për ta kërkon që të gjesh një mënyrë të shmangësh reagimin edhe kur merresh nëpër këmbë fare pa faj. Po kush e gjen atë mënyrë? A mund të jesh pa gjak fare? Tani duhet të bëjmë një llogari më të gjatë me këtë internim, kjo është e sigurtë. Kurthi na u përgatit qysh në fillim kur protestonim në dyqan. Por a mund ta kishim shmangur kur çdo fjalë raportohet dhe ty të trajtojnë vazhdimisht veç të tjerëve, me padrejtësira flagrante? Nervat s’mund ta kalojnë këtë provë, shperthejnë. Përderisa u kurdis ai kurth,


164

Lekë Tasi —

ai do të ndodhte. Tefta është treguar shumë e duruar, këtë e them me bindje, më tepër s’mund të kërkoje prej saj. Edhe mamaja që u dëmtua më shumë nga arrestimi i saj (se s’dihet a do ta shohë më) nuk i vë faj.

14 Shkurt 1980 Ylli u kthye nga Tefta. Kampi është në Kosovë të Dumresë. Mbriti atje kur të burgosurat ktheheshin nga fusha dhe e dalloi Teftën nga fundi i kolonës që ecte me vështirësi e mbështetur në lopatë. E dobësuar shumë. Priti mjaft sa u bë apeli, se ishin me qindra, por nuk e lanë ta takonte nga afër mbasi është përhapur një epidemi në fshatrat përreth. Iu duk e pjekur nga dielli por më shumë pa fuqi. I kërkoi ushqim sepse në birucë ka qënë keq, ia bëri me shenjë se ka kaluar një tremujor të fortë atje... Ylli rri shumë i mërzitur. Më mori mënjanë që m’i tha këto; mamasë ia ka thënë me të zbutura por ajo e ka kuptuar prapëseprapë, se ishte ngritur natën që të mbulonte fëmijët dhe e gjeti syhapur që po mendohej. Dua t’i jap zemër por ai nuk i qas fare shpresat e mia se diçka do të bëhet. E sheh të errët perspektivën. Tani po kërkon leje për në Tiranë. Prej kohësh ka një puçërr në ballë që po i rritet. Është e lëkurës por duhet ta shohi te onkologu. Me këtë rast do të përpiqet të shesë motorrin.

21 Shkurt 1980 Morëm letër nga Tefta. Na siguron për shëndetin dhe vetë toni i saj i vendosur na bëri me qejf përnjeherësh. Nuk ka fort fuqi për punë thotë, por po fillon të mësohet. Një letër në muaj prej një flete gjithsejt, kjo është e drejta e saj, prandaj s’thotë fort hollësira. Ylli me mamanë u vunë menjëherë të përgatisin një vajtje të re. Duhet të gjenden ushqime me pak volum dhe me sa më shumë kalori. Si dhe një valixhe. Po të jetë kohë e mirë do të marrë biçikletën, që ta bëjë rrugën brënda ditës. Por janë gati 100 km vajtje-ardhje, gjysma e tyre me ngarkesë.


Grabjani rrëzë kodrave

165

15 Mars 1980 Zoi u hoq nga fuqia me nje mbledhje të stuhishme, ku i bënë vrejtje të rënda. Tani flitet se vendin e tij do ta zërë Nuria! Ligjërisht; me zgjedhjet, kur populli t’i japë votën.

9 Prill 1980 Motra e Bardhit, Bukuria, vdiq. Disa herë ishte shtruar në spital, por këto javët e fundit, qëkur u kthye nga Tirana, u keqësua shumë. Vajtëm e pamë para një jave. E duroi vizitën tonë me stoicizëm; u mbështet në bërryl që na foli; por e beri me një buzëqeshje kaq të lodhur, saqë unë u pendova sakaq që iu binda një zakoni të tillë absurd, në vend që ta linim në hallin e saj. Ç’vlerë mund të kenë fjalët që shqiptohen në këto raste? Për kurajo e forcë? Dje u bë varrimi. Vetëm të deklasuar kishte nga sektoret e Lushnjes e të Fierit por ishin mjaft sa për të ngjallur mërine e partisë, që vështron shtrembër në çdo rast. E çuam në krah deri lart në kodër, hodhëm grushta dheu kur e zbritën poshtë. Pastaj të gjithë me rradhë, morëm lopatën dhe e mbuluam. Në fund, një nga Kaloshët vazhdoi gjatë duke e sistemuar e lëmuar grumbullin e dheut me lopatë ndërsa të gjithë rrinin pa bërë zë. Të djeshmen, ndërsa po rrinim në një dhomë që i lëshoi një komshi për pritjen e burrave – e kaluam natën aty – hyri te dera Safeti, ai plaku i gjatë që i është arratisur djali. Duke iu drejtuar të gjithëve e asnjërit në veçanti, tha me zë të lartë: Emri i Perëndisë! Më tingëlloi pak ndryshe kjo fjalë nga shumë herë të tjera në jetën time, me diçka tronditëse, si në ata raste kur mblidhen disa rrethana misteriozisht per të na dhënë një të shkundur të papritur rreth asaj që është jeta e vdekja dhe kush i ndan njërën nga tjetra. Ne ishim të rreshtuar anës mureve, të ulur shesh e po bisedonim qetë, kur ai u dha te dera, i gjatë gjer në tavan e me sy të thellë. Pata një ndijim të tmerrshëm, sikur ëngjëlli i vdekjes të kishte kaluar krahun e tij pranë nesh.


166

Lekë Tasi —

20 Prill 1980 Kemi vajtur përditë te Bardhi këto ditë. Familja po e gjen përsëri ritmin që i ishte gati paralizuar javët e muajt e fundit, të mëdhenjtë punën, fëmijët shkollën. Vetëm nëna dhe i vogli janë si të çorientuar, se e kishin përherë pranë.

26 Prill 1980 Këshilli i posazgjedhur në veprim! Ka dalë një urdhëresë – afishuar te dyqani – që i detyron gjithë ata që banojnë në shtëpi shtetërore të zhdukin kopshtet duke I prishur vetë gardhet. Prapa shtëpisë sonë s’ka filluar akoma tërmeti por pritet të bëhet kërdia! Aty është një mish mash i vogël kopshtesh, ose të themi më mirë, oborresh mikroskopike që kanë secili një kasolle në mes për të vënë drutë dhe rrangallat e tepërta. Dikush mban pula, dikush rosa, dikush ka mbjellë edhe ndonjë rrënjë domate. Në këtë rrëmujë kolibesh e copash të thurrura kanë hisen e tyre të pronës banoret e dy ndërtesave të afërta; nuk përbën ndonjë kompleks të bukur, përkundrazi është mjaft i mjerë, por të zotërve u mbaron punë. Mbasditeve dhe sidomos të dielave, secili pronar futet në oborrin e tij dhe merret me mallin e vet; bën ndonjë bisht lopate, çan dru ose thjesht meremeton depon, i ngul ndonjë gozhdë, i vë ndonjë tullë sipër llamarinave të shkallmuara nga era, duke e soditur pastaj punën e tij me kënaqësi. Kurse gratë lajnë rrobat aty, i ndejnë. Ne i kemi gjetur të ngritura këto relike të reckosura të pronës privave kur erdhëm; e shumta mund të jenë shtuar një e dy ndërkohë. Prej tyre na ndan kanali. Ndërtesa mëmë e tyre ose “metropol”, ajo që ka kolonizuar e para në këtë shesh është një dykatëshe matanë, e quajnë “pallat” por nuk është kush e di çfarë, nxin edhe ajo, me dritare të ngarkuara me levere, e populluar dendur (disa hyrje kanë edhe dy familje brënda). Kështu ai që është treguar parashikues, ka ardhur nga ajo ngushticë qysh në vjetët e parë dhe ka ngritur aneksin e vet për të zhdëfryer pak; të tjerët kanë mbetur të ndryrë atje, se vendi është zënë i tëri. Ka popuj o fise që kolonizojnë hapësira të mëdha, historia e tyre tregohet në saga. Këta këtu janë mjaftuar të zënë vend me këto teneqera


Grabjani rrëzë kodrave

167

dhe gardhiqe të kalbura. Kjo e tyrja qe nje dalje shpërthyese nga një dhomë e aneks ose dhe nga një dhome e vetme drejt një gjoja oborri që do t’u jepte iluzionin e një hapsire fshatarake, me ato kotece e ato pak bimë fasulesh që kacavirren nëpër kallama, me ato trungje të zgavruar ku çahen drutë e zjarrit çdo mëngjes. Shumë nga këta pronarë kënaqeshin edhe duke luajtur domino me një shok te hija e kolibes. Deri sot ishte trualli i tyre, hija e asaj prone që nuk mund të gëzojnë. U vjen urdhri tani ta heqin edhe atë. Posi jo! Ta heqin! Drutë le t’i fusin poshtë krevatit. Lopatat, kazmat le t’i vënë në banjë! Pulat le t’i hanë ose t’i shesin. Vezë fundja le të kërkojnë në dyqan. Kur të ketë!! Dhe kohën e lirë le ta kalojnë në shesh të Sektorit, duke luajtur domino ose shah me ata që kanë kohë të lirë (natyrisht, jo me ata që janë duke u shtyrë te rradha e dyqanit!) Është një atmosferë e egërsuar. Kush nuk i heq vetë gardhet, ia heq këshilli. Ismeti i klubit kishte një kopësht shembullor, me një rrethim për merak, s’i bënte dora ta prishte. Vajti kryetarja e këshillit ta shkatërrojë vetë, po bëri dorën gjak. Urdhëresa ka dalë nga këshilli i Ministrave por në fshatrat e tjera as që është afishuar, jo të zbatohet. Në fakt ajo është për qytete. Ne e prishëm vetë, që të mos kemi punë me ta.

29 Prill 1980 Rrafshimi i kopshteve e bëri një kurban: tamam Ismetin e klubit. Duke parë kryetaren e këshillit që po i shkelte lulet dhe të mbjellat, të gjitha të rregulluara si jo më mirë, u zemërua shumë dhe kishte thënë pastaj: tani s’na mbeti tjetër veç të na marrin edhe gratë… I vajti fjala menjëherë Gurit dhe i ka thënë në klub: Po ta them drejt, që të mos thuash se të preva në besë; këtë fjalë unë do ta raportoj. (Kështu edhe detyrën e bëri edhe burrninë e shpëtoi.) Nga klubi e hoqën, kjo qe një goditje e fortë për të, por pritej që edhe ta futnin brënda. Shkaku që shpëtoi siç thonë është se i priste ata të Sigurimit me mezera…


168

Lekë Tasi —

20 Maj 1980 Kanë arrestuar Evgjen Merlikën në Pluk. Kohët e fundit, siç na tha Bardhi i cili shkon nganjëherë tek ata, e bezdisnin shumë, se e thërrisnin në Degë. I kërkonin të punonte për ta. S’ua ka bërë qejfin siç duket oreksi i Kapllanit po shtohet. Nuk di mirë për sektorët e tjerë por 01(‘) në Gradisht ka vajtur rregullisht. Dhe sa herë shkon, merr nga një. Naim Staravecka, dy vëllezërit Mirakaj, Qemal Demën etj.

1 Qershor 1980 Ylli u kthye nga Tefta, e dyta herë. E gjeti mirë. I ka kërkuar një kazmë, prandaj Ylli qysh sot vajti te kovaçi ta bëjë gati, sipas porosisë së saj. Mamaja është e kënaqur që e gjeti mirë por qesh me këtë ide: “Kazmë në pako, do lini nam..” Në brigadën time sikur po normalizohet gjendja. Ka kohë që çunat nuk po më bezdisin më. Herë-herë vështrojnë në drejtimin tim normalisht; bile ma përmendin emrin si pa gjë të keqe, psh të skolina e Lekës, ose e ke rradhën mbas Lekës etj. Unë nuk u kam folur me gojë që prej vjeshtës së shkuar, jo se u mbaj ndonjë mëri por dua të shmang çdo kontakt, që mund të sillte komplikime. Por tani, ai më arroganti në kohën e provokimeve, më mati punën – brigadierja ua jep zhalonin se i ka të organizatës së sajdhe më dha përshtypjen se donte të mos ndahesha i pakënaqur me matjen e tij. E shikonja tek më kalonte para me zhalon duke matur e duke shkruar, dhe kur bëri shumëzimin e fundit e më dha rezultatin, më hodhi një shikim drejt në sy, gati si me pajtim. I bëra një shenjë me kokë “mirë” dhe kaq. Nuk u besoj fort kthesave. Janë nën përpunim të gjithë, sidomos të rinjtë. Nesër – pasnesër, një frymë egërsie dhe prapë i ke kundër.

(‘) Gazi 69 i Degës


Grabjani rrëzë kodrave

169

2 Korrik 1980 Neve të internuarit që punonim në Tri Urat, na transferuan në Sektorin e vjetër, për të na pasur në çdo orë të ditës e të natës në dispozicion të apelit. Shpëtuam nga të shtyrat në autobuse. Kurse nga të tjerat, do të presim të shohim si do jemi praktikisht. 16 Korrik 1980 Deri sot kaluam një javë si punëtorë sezonalë, me dëftesa ditore te një brigadiere mjaft e bezdisshme. Pastaj na shpërndanë nëpër brigada. Mua më kanë çuar (sot u mbushën dy javë) në brigadën e tretë. Këtu kanë punuar si ime shoqe dhe ime kunatë, kurse Ylli vazhdon në brigadën e kodrave. Brigadier kam Likën, atë fytyrëkuqin që më “demaskoi” para katër vjetësh. Ka emër të bukur, Ameli por e thërrasin Like. I paparashikueshëm, herë arrogant por tani më sillet pak ndryshe; shpesh kur i flet brigadës më shikon mua në sy, s’di pse. Thonë se nuk është dorështërnguar në pagë dhe veç kësaj ka dhe një të mirë të madhe: nuk vjen dendur në fushë. Zëvendës mban Shefqetin, një librazhdas me sy të thellë që punon pak, më teper mat. Që ditën e parë kur prashitëm misër, u tregua i afrueshëm dhe në matje, i arsyeshëm. Tokat janë më të rënda këtu (I kam punuar një herë në 76 kur erdhëm bashkë me Yllin një të diel aksion me vëllezërit Kurti) por dhe zënë bar më pak se ato të Tri Urave, këtë e thonë të gjithë. Kodrat e afërta nuk janë të bukura si atje, që ishin gazmore; këtu kemi kufi Spolatën, kooperative kodrinore dhe nga krahu i fushës kufizohemi me Plukun dhe Gradishtën. Nga ana e kësaj të fundit, digjohet treni kur kalon në orë të caktuara, po të vesh veshin, ndërsa në drejtim të xhades, nga ana e Plukut, megjithëse jemi larg, na vjen herëherë shkreptima e xhamave që reflektojnë diellin, të ndonjë makine të padukshme. Në fund të tokave, edhe këtu kalon kanali i madh kullues si atje, por ka kallama anash dhe nuk është i gjërë si atje. Atje, si më afër detit, vendi ishte i hapur, më dukej plot dritë, këtu jemi si më të futur. Këtë përshtypje e ka dhe një grua e thjeshtë, arixhofkë dhe ma tha që ditët e para, duke më bërë të besoj se ndjeshmëria është një veti e përhapur edhe atje ku s’e pret.


170

Lekë Tasi —

Ngjitur me kanalin është rruga. E pashtruar, si rrugët e zonave të thella, e parrahur nga mjetet, të merr malli të shohesh një makinë.. Nëpër këtë rrugë erdhëm para pesë vjetëve dhe nëpër këtë do të kthehemi përsëri po të vijë ajo orë. Por për tashti, kalojmë pushimin e drekës nëpër hijet e plepave të saj, të patrazuar nga pluhuri ose zhurma e makinave, të cilat mungojnë në të dy drejtimet.

18 Korrik 1980 Nga burrat e brigadës, më i moshuari është Qazimi, komshiu ynë. I internuar tjetër është dhe Aliu, tropojasi që ka ardhur mbas nesh në 76. Nga të internuarit e liruar është Tekiu, vlla i Kurteve, i treti i tyre që po gjej në brigadat ku vete, mbas Ferdinandit dhe Pëllumbit. Të tjerët janë në përgjithësi të rinj dhe të lirë. Dallohet ndër ta një djalë me trup të fortë, Peçi, vëlla i Kryetarit të këshillit para pesë vjetëve, Jovanitm, dy vëllezër të atij të fortit, Halilit, që bënte dy norma në brigadën ku kam qënë, si dhe një çermak që ka marrë patentë por punon këtu në pritje që t’i dalë makina. Përveç këtij të fundit që punon me një shok të tij çoban, gjithë të tjerët punojnë secili veç. Kurse gra ka më shumë se burra por këto punojnë në grupe. Dominon “grupi i madh”, i përbërë nga 5-6 gra të reja me përbërje të mirë, gra brigadierësh e traktoristësh dhe prandaj mjaft arrogante e me pretendime. “Plakat”, tri gra nën moshën 50 vjeç por që i quajnë kështu si fshat që jemi, përbëjnë grupin tjetër. Janë të urta e të buta por jo pa nerva e pa gojë kur i nxehin të rejat.. Tri të tjera, pak më të reja, dy çobanka dhe një e deklasuar është grupi i tretë. Pastaj janë vajzat, më vehte dhe ato, nja 5-6, pastaj vajzat e vogla, tjetër grup dhe në fund tri harixheshka të vogla fare. Jashtë këtyre grupimeve, ka ndonjë snaipere e lirë, njëra nga fshatrat e Vlorës që punon pa pushim sepse është shumë nevojtare (para disa vjetësh i është djegur shtëpia) por edhe se ka shumë hyrje dalje nga farefisi; një tjetër po nga Vlora, që vjen vonë në punë, se ka fëmij të vegjël – njëri prej tyre distrofik. Vjen vonë por pa e prishur terezinë, dhe kështu e ka fituar të drejtën. Në përgjithësi e tërë brigada paraqitet vonë në punë, meqë


Grabjani rrëzë kodrave

171

brigadieri është i avashëm për vete. Në këtë gjë ishte me nam edhe brigada që lashë.

21 Korrik 1980 Kur vinim nga fusha, një radio dore që e kishte një djalë para meje, po jepte një muzikë që s’ma kishte marrë mendja ta dëgjonja nga një stacion i ynë. Megjithse jo ritmike, m’u duk një thyerje e rregullit, diçka që tamam nuk shkonte. Vazhdova të eci pa u dhënë të kuptojnë se po më pëlqente nga frika se do të pritej. Ishte një orkestër harqesh por kjo prapë nuk thotë gjë. Po të tentonja ta shpreh, do të thonja që ata harqe jepnin esencën e jetës që bëhet matanë, në botën e gjërë! (edhe kjo mjaft e paadresuar do të ngjajë, por them, meqë ajo “matanë” ka fituar një shifër të dallueshme tanimë për secilin nga ne në këto dekada, me atë sëmbimin e pashmangshëm që shkakton në zemër, mendoj se së paku e kam dhënë idenë). Më dukej sikur një grup njerëzish të veshur me elegancë më vështronin nga lartësia e një verande, burra e gra të bukur e fisnikë, me sy të qeshur e njëkohësisht me një nuancë qortimi. “Ej, ku je ti?!” më thonin sytë e tyre, “Ç’bën aty?”. Nuk ishte ndonjë frazë e thellë, e rëndësishme, përkundrazi ishte e lehtë, e tillë siç janë zakonisht ato muzikat e harqeve por rridhte si me një rrënqethje anash, me ca harmonira, ca timbre farfurie, thoshte gjëra kaq fluturake, ajrore, sa unë dhe duke i shijuar, m’u mblodh njëkohësisht një lak në fyt, sikur m’u bë e qartë distanca e madhe që më ndan nga këto gjëra, dhe kuptova përnjëherësh se jo vetëm vitet tona të vështira këtu por as vetë shpërblimi për to, më i merituari që mund të bëhet dhe në qoftë se do të vijë ndonjëherë, kurrë s’do të ketë të bëjë një grimë me atë muzikë. Shumë herë në fushë digjohen copa muzike ose të folurash nga stacione të huaj, si copa nga planete të largët, që papritmas dolën dy metra afër. Me po atë intensitet që vë veshin të kap diçka (sepse atje kanë një shije të veçantë – kush e ka provuar, e di), po aq shpejt më përfytyrohet edhe vetja si “armik” në sytë e atyre që kam pranë. E di mirë në fakt se ç’mendojnë këta për këdo që pëlqen gjërat e “huaja”. Klishetë i kanë të gatshme, nga shkolla dhe nga puna ideologjike që i bëhet rinisë dhe janë të paimunizuar ndaj tyre. Sepse askush s’u ka


172

Lekë Tasi —

thënë një gjysmë fjale në drejtim të kundërt. E bukura është që edhe kur kanë një pakënaqësi personale me regjimin, ta zëmë një xhaxha në burg, ose një ankesë për një padrejtësi në çështje page e banese, ata s’dinë t’ia gjejnë më thellë e më tutje shkakun, sesa brëndapërbrenda fshatit. Por ama, po qe se ti s’dëgjon Radio Tiranën, muzikën tënde, teatrin tënd në mikrofon, heroizmin tënd në shekuj etj, ti i vë një pikëpyejtje të madhe vetes, të vështrojnë si mall të huaj, gati si ata të “degjeneruarit” e jashtëm! (Unë natyrisht s’mund të nis e tu them se atje jashte gati janë zhdukur kufijtë dhe se motivet qarkullojnë, e aq më pak tu tregoj se para jo shumë, por 20 vjetësh, vetë Radio Tirana jepte 6 orë muzikë sovjetike në ditë!). Por ky fanatizëm i tyre nacionalist nuk do me thënë aspak se nuk e vënë në stacione të huaja me gjëra ritmike; nganjëherë e vënë dhe bile disa i shoqërojnë këngët edhe me lëvizje të trupit, por jo aq se u pëlqejnë, por sepse kanë parë një shok të tyrin në qytet që bën ashtu. Këtu kënga që mbetet në krye të klasifikimit është “Përmbi Tepelenë” dhe e këndon pa pushim, tërë ditën, një djalë nga Librazhdi! Ky fakt që maloku nga Martaneshi pëlqen dhe këndon labçen tregon se koha ecën, megjithatë nuk mund të rrish e t’u shpjegosh si është puna, që ata ta shtrijnë edhe pak më tutje këtë ndryshim të gjërave. Përsa i takon muzikës në përgjithësi, ose të them më mirë, veshëve, këtu jemi me të vërtetë në një gropë oshëtitëse! Daullja bie vazhdimisht, ajo përbën një sfond të pandërprerë. E bashkuar me zhurmën e tharëses së lëmit që nuk pushon kurrë, natë-ditë, ajo futet në gjak, vepron mbi sistemin nervor. Gërneta që e shoqëron ka të shumtën e herës një tingull fishkëllyes (sepse ma merr mendja kallamat i kanë të konsumuara, po punë e madhe, s’ka gjë për ta), kurse kitara që hyn edhe ajo në formacione, për mua është sa për numur, s’e kam dëgjuar asnjëherë. Këto të dyja janë që tundin ajrin: daullja dhe dajra (ajrin dhe timpanin e veshit), kurse gërneta i çpon! Por asaj, si me frymë që është, i duhen sforcime të mëdha që tu rrijë në krah. Harixhiut klarinetist i fryhen damaret e fytit, të ballit. Ai gulçon, mbyll sytë, gati pëlcet që të barazohet me to dhe vetëm kur arrin të ulërijë me akutet më çjerrëse, ai del në krye të atij lëmshi të egër dhe atëherë gërneta bëhet mbretëresha e ahengut siç e dimë të gjithë. Kjo elektrizon turmën. Atëherë harixhiu hedh shikime të kënaqura, vazhdimisht duke i rënë, i etur pret aprovimet që i vijnë nga të gjitha anët, duke i falenderuar me sy që ndrijnë e duke tundur kokën.


Grabjani rrëzë kodrave

173

Nga Prilli në Tetor, që është stina e dasmave, kjo gjë përsëritet për çdo javë dhe epiqëndra e termetit është në distanca të ndryshme nga shtëpia jonë. 24 Korrik 1980 Ylli u kthye nga Tirana ku vizitoi plagën. I bënë disa matje të ekzemës së puçrrës te Onkologjiku dhe duhet të paraqitet prapë mot për të parë avancimin. Atmosferë e butë atje. S’pyet kush se ka të internuar: Harresë e plotë. Edhe arrestimet, që bëhen gjithmonë nuk i ndjejnë fort ata që nuk u bien në kokë ose në rrethin e ngushtë. Motorin do ta shesim por shumë nën vleftë. Sot prashitje. Ishim grup i madh afër kodrave, burra e gra. Në një farë momenti, njëri tha diçka që unë se digjova dhe të gjithë e lanë punën dhe vështronin nga kodra me ngulm. Një djalë po zbriste ngutas nga ana e Spolatës. Filluan të vrasin mendjen si do ta kishte punën. Mos ka vjedhur gjë apo mos ka ngacmuar ndonjë vajzë; u hodhen disa hipoteza. Kjo e dyta fitoi terren. Sepse kur po afrohej ai nxori këmishën dhe mbuloi kokën. Dhe vërtet pas pak, në qafë dolën një grup fshatarësh me kazma në duar që nguteshin edhe ata; por ky e kishte zmadhuar shumë distancën me ta... Me të vërtetë shumë sy të fortë kanë fshatarët. Aty ku një nga qyteti sheh vetëm konture kodrash, ose vendet me pyll ose të zhveshura, ata janë në gjëndje të shquajnë gjithë ato gjëra, psh jo vetëm qenin që gjuan por edhe lepurin ose dhelprën para tij, dinë të të thonë se ku vajti një zog i plagosur, nëpër ç’rrugë ka fluturuar për të rënë aty, me se janë të ngarkuara ato gratë atje larg dhe nga kjo çfarë gjë do të ketë nxjerrë në shitje dyqani i kooperativës etj etj. 26 Korrik 1980 Komshiun tonë Luanin e transferuan në Savër. Kishte kohë që flitej se do ta largonin, por heqja e tij tani që mbeten edhe katër muaj për tu mbushur afati, tregon se mund ta lirojnë kurse neve të tjerëve të na e përsërisin dënimin.


174

Lekë Tasi —

Familja që kanë prurë në shtëpinë e tij vjen nga Savra (i kanë bërë këmbim) përbëhet prej katër vetësh, burrë-grua dhe dy djem, tropojas. U është arratisur djali I tretë. Ditën që erdhën, Aliu tropojasi që është këtu na i ngriti lart si origjinë. Për familjen e e gruas tha bile “burrat e atij fisi gati të gjithë e kanë pasë vdekjen nga pashka”. Të dy djemtë I kanë caktuar në brigadën time.

28 Korrik 1980 Me të ardhur në fushë të posambriturit, që ditën e dytë, brigadieri i ra në qafë të madhit por ai s`e prishi terezinë, ia ktheu gjakftohtë gati me ironi. Ky i madhi, Artani, posa ka mbaruar ushtrinë, tjetri, Beni, është 16 vjeç por më i gjatë. I arratisuri është i mesmi dhe e ka emrin Besnik.

6 Gusht 1980 Jemi miqësuar familjarisht me të ardhurit. Shkurt, kjo është historia e tyre: Babai i Mehmetit, (kështu e quajnë kryefamiljarin), Ali Brahimi, kishte qënë kryetar çete me komunistët, doli me gradën kolonel nga lufta. (Dy nipa të tij ia kanë varur Gjermanët në Gjakovë). Mbas luftës, s’kaloi shumë dhe intrigat e disa armiqve të tij po oficerë, bënë që të dekretohet arrestimi i tij. Sigurimi i vajti në shtëpi ta merrte, dhe ky n’atë kohe kishte këmbën të plagosur. Megjithatë, trim i fortë dhe fizikisht i fuqishëm, mundi e u iku me një truk. Po atë natë, u kthye në shtëpi dhe mori dy djemtë, kurse të tretin, Mehmetin s’e gjeti aty. Sa u kthye Mehmeti në shtëpi, e internuan me gjithë t’ëmën, e cila s’kishte dëgjuar të ikte me të shoqin pa djalin. Kaluan si qindra e mija të tjerë me vjete Tepelenës dhe kampeve të tjerë, dhe u liruan aty nga 60-a duke u vendosur në Savër. Si të lirë që ishin, lejoheshin të shkonin edhe në vendin e tyre, në Tropojë. Ndërkohë Mehmeti ishte martuar e kish bërë fëmijë. Herën e fundit veç, para disa muajve, kur të tre, burrë grua e djali i dytë, ktheheshin një ditë në shtëpi nga një mik, Besniku u nda për të vajtur në fshatin e hallës ku ishte i ftuar për darkë. Që atë ditë nuk e panë më.


Grabjani rrëzë kodrave

175

E ëma u sëmur nga meraku dhe prej atëherë i ka filluar një dhembje koke, e cila vazhdon e shpeshtë dhe shumë e fortë. Disa javë më vonë, mbas disa hetimesh e presionesh (ku e kini djalin, tregoni etj) iu caktuan 5 vjet internim. Kjo i qetësoi për djalin që është gjallë, por jo dhe aq. Vetëm pak para se t’i hiqnin nga Savra, u erdhi lajmi që ai ka mbrritur në Amerikë tek gjyshi dhe axhat por dëmi tanimë në kokën e s’ëmës ishte bërë. (e them këtë nga mendimi ndofta i gabuar, sipas të cilit prej hidhërimesh e ankthesh të mëdha i shpifet njeriut e keqja në trup. Po të jetë e vërtetë kjo lidhje shkaku, ky i kësaj gruaje duhet të jetë një rast i tillë i pastër, meqë dhembja iu shfaq tamam ato ditët e ankthit të madh dhe s’i pushoi më). Tani dikujt i shkon mendja se krejt këtë punë e ka sajuar Sigurimi, duke e derguar djalin atje për qëllimet e tij, ngaqë është shumë i shkathët. E ëma nuk e heq nga goja, sepse për të ishtë më i dashuri, më i urti i të treve. Njëkohësisht dhe më i fshehti! Shton i ati. Mjeshtër i hollë për të prurë në shtëpi gjërat më të mira që ka fusha, me pemtore e perimore (dhe jo me pakice por në sasi të mëdha), gojëëmbël, fjalëpak dhe shumë i shërbyeshëm per t’ëmën, ajo ia ndien mungesën dhe ka një brengë të madhe shpirtërore, me një fjalë i ka rënë për kokë! Ilaçet e migrenës nuk i kanë bërë efekt; duket ka diçka me të rëndë… harrova të them që ka ardhur nga Jugosllavia direkt në Tepelenë vetëm se e kishin fejuar që në vogëli me Mehmetin, dhe s’donte ta shkelte fjalën e familjes. Motrat i ka nëpër Amerikë e Belgjikë si dhe tërë fisin e saj (Mulosmani mbiemri i saj si vajzë).

17 Gusht 1980 Çdo brigadier ka huqet e tij. Perveç Destanit, këta të tjerët janë të bezidsshëm por secili ndryshe. Jorgji tërë merakun e kishte te puna, ishte i lidhur me të, Kurse Lika do muhabet. Kur vjen ora të japë planin e punës per të nesërmen është i padurueshëm.Rregulli është që brigadierët ta japin planin kur mbaron dita e punës, mirëpo ata, qoftë se nuk duan të rrinë aq vonë në fushë, qoftë se s’e kanë të qartë as vetë dhe duan të pyesin këshillin teknik, e japin në mëngjes te sheshi i kinemasë. Kjo u jep dorë të zhduken nga fusha sa herë të duan, duke ua deleguar matjen zevendesve ose duke e


176

Lekë Tasi —

lënë edhe pa matur punën. Por nganjëherë vjen nga lart porosi e prerë “te jepet plani që në darkë” dhe ata detyrohen të binden. Kjo vazhdon disa ditë pastaj çdo gjë bie në zakonin e parë, sepse të gjithë kërkojnë rehatin e vet. Në këto raste të planit të darkës, ne duhet te durojmë Likën të mbarojë së shkrojturi i ulur shesh. Ai i çlodhur, punëtorët të lodhur, jo vetëm i vonon por edhe u bërtet. Të gjitha këto bezdi janë sindroma të një organizimi të shkallmuar, që e ndesh kudo. Por fatkeqësia më e madhe është të mos kesh mundësi të zgjedhësh. Socializmi ynë të thotë o këtë o s’ka. Në qoftë se të lë një ditë pa paguar, s’mund t’i kërkosh arsye, por vetëm t’i lutesh. Sepse, “po të ta harrojë ditën Lika - thonë të gjithë, - quaje të humbur”. Më mirë preferon të të shtojë dy ditë të paqëna, sesa të pranojë gabimin. Në qoftë se s’ta pëlqen punën, s’mund t’i përgjigjesh, as të justifikohesh, por vetëm ta dëgjosh i përulur. Sidomos gratë e kanë ngritur në teknikë këtë. Ai u bërtet, kurse ato pranojnë gabimin menjëherë, ai shaj e ato bëj autokritikë e merre me lajka, arrijnë t’ia ulin zemërimin. T’i dëgjosh në këto raste është një duet i paprerë: Ai fort ato butë. Pastaj ato shkëputen e shkojnë te shoqet per të vazhduar muhabetin ku e kishin lënë, pa emocionin më të vogël për fyerjet që pësuan. I shkruaj këto për të dhënë një tablo sa më besnike të gjëndjes në fshat. Të kisha mundësi do të referonja edhe shumë nga thashethemet që bëhen (ato janë indi i jetës së këtushme) por kush ka kokë... Rri e pres edhe unë bashkë me të tjerët, në heshtje. Ndërsa ai shkruan punëtorët flasin me përshpërima, si nxënësit në klasën e një mësuesi të rreptë. Jo se janë servilë (i kam parë edhe ta shajnë me plot gojën kur u vjen në majë të hundës), por se e tillë është fuqia e brigadierit dhe do t’ia durosh edhe huqet kur nuk ke shkak per tu grindur me të. Disa bile na instruktojnë neve të ardhurit si të sillemi me të: “E di si e ka Lika? Do të mos e kundërshtosh! Me atë i ha kokën.” Por, që të mos i ha hakun, thonë se nuk kërkon qyl. Në klub, po i dhe një raki, s’e le pa të kthyer edhe ai me një tjetër, ndryshe nga mjaft brigadierë që po u dhe një, e duan edhe të dytën prej teje. Këtë zakon e ka pikërisht ngaqë i pëlqen muhabeti dhe kështu e zgjat dhe më të pirët, kurse ata të tjerët duan më tepër të hanë e të pinë se sa muhabetin… Nganjëherë më duket interesant për ndonjë figurë që përdor dhe sepse është i pasur në frazeologji të anëve të tij. Një herë më tha: “Ne


Grabjani rrëzë kodrave

177

fundja, s’ti varëm mëlçitë në qafë” me kuptimin që nuk duam medoemos të të kapim në faj. (Por unë nuk mund të mos mbaj parasysh “demaskimin” që më bëri atëherë kot fare, prandaj i rri larg). Një herë tjetër që ishte në orë të mira dhe brigada vonohej prej muhabetit të tij që të fillonte punën, u bë serioz dhe na lëshoi një paralajmërim me spond: “Dëgjoni, unë nuk ju them rrini! (dmth përgjegjësinë e mbani vetë), kurse një herë tjetër kur puntori që s’kishte bërë punë me cilësi, mundohej të justifikohej me zell e me shpirt të penduar “ mos ki merak, tani do ta bëj mirë!”, ai ia ktheu me tallje: “Pse të bëhem merak? Fëmijët i kam si molla!”

19 Gusht 1980 U bënë më shumë se dy muaj që jam në këtë brigadë dhe vetëm sot njoha nga afër një antar të saj, që ia dëgjonja emrin, por mund ta kem parë gjithsej dy herë. Ky është Shefiti, një harixhi i cili paraqitet me hope në fushë, dmth sa herë i shterron një punë tjetër e panjohur që bën diku. Lika i kërkon shumë pak llogari, jo si gjithë të tjerëve kurse sot i pashë të dy në konflikt e sipër. Brigadieri i ndezur në fytyrë po i thoshte: “Ti do vish në fushë dhe pikë! Boll kam ngrënë fjalë për ty! A po se e vërtit me matrapazllëqe dhe ç’i q.tëmën për punën? E di ti që të hedh hekurat?!” Ai nuk i përgjigjej, vetëm i hidhte ndonjë fjalë nëpër dhëmbë, duke i kthyer kurrizin e duke u marrë me kazmën, i gjatë e pak i kërrusur në trup, me flokë të lëpira anash dhe pak të rëna në ballë, megjithëse i ri. Më pëlqen kjo ardhje e ikje e tij në periferinë tonë (si ndonjë elektron i paqëndrueshëm që kalon në orbita të tjera sa herë i teket) S’kam ide çfarë tregtie bën. Ai sillet vetëm në Myzeqe, megjithatë vagabondazhi i tij më bën ta kem zili.

22 Gusht 1980 Eugjen Merlikën e dënuan. Shtatë vjet. Dëshmitarë i dolën dy shokë të tij. Njëri prej tyre i nxori diçka që kishte thënë per Dostojevskin, e që nuk ishte fort në rregull me vijën. “Po ç’të duhej ty Dostojevski?” i paska thënë gjykatësi si me qortim, ndofta dhe me keqardhje; dhe pastaj e dënoi.


178

Lekë Tasi —

Duhet të ketë qënë me kulturë dy dëshmitarët deri sa supozohet që Evgjeni të ketë bërë vërtet biseda të tilla me ta. Po në Pluk ka ndodhur edhe një tjetër rast i këtij lloji. Një intelektual i ri lushnjar, nga ata që botojnë vjersha e shkrime në shtypin periodik, kishte shoqëri me një ish të internuar. Ia pëlqente bisedën, sepse si shumë nga të deklasuarit, ai kishte një farëlloj tjetër përgatitje, gjë që të rinjtë e rritur në ambjent komunist i tërheq mjaft. Mirëpo Degës i kishte rënë në sy kjo shoqëri (ose të themi më mirë ky shoqërim) dhe kur vendosi ta fuste brënda të deklasuarin në fjalë (Previzi konkretisht është emri i tij) iu drejtua shkrimtarit të ri për një dëshmi, që ta dënonte me diçka pikante, dhe ai nuk ia prishi dot, pranoi. Kështu që, pavarësisht se miqësia e tyre ishte ngritur mbi gjëra të larta, poezi e art, ajo që pësoi ky i deklasuar mbetet një mësim i vlefshëm për çndonjërin nga punëtorët e deklasuar të bujqësisë që të mos i zënë besë inteligjencës së sotme, sado modeste të tregohet ajo duke ia ofruar shoqërinë. Në përgjithësi duhet thënë si rregull: temat e kulturës, të artit e të letërsisë e kanë këtë kurth brenda (ose së paku këtë rrezik), të bëjnë të besosh se ai që të flet për to, qëndron mbi gjërat meskine. Jo, s’duhet besuar në asnjë mënyrë, se vuan pastaj! Kultura është fushë shumë delikate sot, ndryshe nga koha e fashizmit; mund të shkasësh kur të duash. Bardhi më thoshte se kur punonte në fushë para pak kohe (tani vonë, brenda kësaj vale që lëviz Gazi me targe 01), ra në bisedë me një të ri të internuar që interesohet për libra, por që edhe ka dalë dëshmitar ndaj dy vetave në këta vjetët e fundit. Gati duke u skuqur, ky djalë i ri, e me sy që shklqenin nga sinqeriteti, i kërkoi një mendim për Tolstoin. Bardhi ka lexuar mjaft libra, por nuk vë aq pasion pas tyre sa të humbasë mendjen. I tha: “Unë s’mbaj mend ç’hëngra mbrëmë, ti më kërkon…” Dhe në fakt, po ta shohësh hollë, ky është vendi që i mbetet jo vetëm kulturës por çdo bisede tjetër që nuk është ajo më e domosdoshmja, po të duash mos të të marrin për budalla pastaj.

25 Gusht 1980 Ne vend të Vangjelit, oficerit të Policisë që na ka në vartësi nga ana thjesht ligjore (ai që na bëri stërvitore para ca kohe dhe i cili ka dalë në pension), na ka ardhur një tjetër edhe ai i moshuar, Hidaiu. Sa i vrazhdë


Grabjani rrëzë kodrave

179

e formal ishte ai, aq i sjellshëm dhe i hapur është ky. Me flokë e mustaqe të thinjura, me sy të mëdhenj dhe me një të folur burrnorpor edhe me shaka, ndihet se e ka me zorr detyrën. Çdo gjë e bën me të qeshur sikur e hedh në tallje. Gurit ia ndrron emrin, herë Gurali, herë Guro dhe me një konfidencë të tepëruar i fut krahun. Guri është personifikimi i seriozitetit ose më mirë i mungesës së humorit. Nuk e kam parë të qeshë një herë. Por s’ka ç’bën, e ka superior dhe e duron.

27 Gusht 1980 Behar i tmerrshëm për mamanë ky. Mungesa e Teftës ia ka rënduar shumë jetën. Veç punëve të shtëpisë e përballimit të fëmijve, ajo e ndihmonte edhe në të qepurat, i ildiste fustanet, ia hekuroste. Tani duhet t’i bëjë të tëra vetë. Ne të katër jemi në fushë, mundohemi të mos lëmë as të djelat; po kur më shkon mendja se ç’bën ajo atje në shtëpi, më merr vaji. Kaq herë në ditë duhet të merret me të voglin e Yllit, që nuk i mbahet barku; duhet të ngrihet nga makina or’ e çast. Njeri i kërkon bukë, tjetri do të vejë në banjë, i treti te uturaku; i duhet t’i ndajë kur zihen, t’u lajë duart, t’u bëjë për të ngrënë, t’i vërë në gjumë. I futëm ca kohë në kopsht, pa drekë, por tani u mbyll. U hoq ajo formë. Nuk është e fortë më, si para 25-30 vjetëve, kur merrte udhët për t’u shpënë ushqimet burrit, kunatit, vëllait, djalit, nipit, kudo që ndodheshin burgjeve o kampeve, nuk ka më atë takat si atëherë kur arriti e ngarkuar te dera e kampit në Peqin dhe rojet e drejtuan tek porta tjetër e tij, dy kilometra më tutje, kur gdhihej me shoqet e të njëjtit hall atje ku i linte makina; kur e dbuar nga Tirana, u fshihej policëve e hynte ilegalisht për të na parë; atëherë strehohej te një malësore në Burrel, tek një bejlereshë në Elbasan, tek një mësuese në Peshkopi, qepte si të mundej, kudo që ndodhej, për të ndihmuar ata në burg dhe neve në shkollë, bënte me këmbë rrugë të gjata, edhe natën … Tani e ka lënë fuqia por vullneti jo! Unë hap derën kur vij nga puna dhe e shoh të rrethuar nga fëmijët. Më ka kthyer kurrizin e po lyen feta për katër palë duarsh që veç kërkojnë me britma në të djathtën e në të majtën e saj. Ne edhe mërzitemi prej tyre, ajo kurrë. Bën vapë, djersa i


180

Lekë Tasi —

ndrin në ballë, mizat e mundojnë, megjithatë asnjë rënkim nuk nxjerr për këta nipçe që i dhuruam me kaq vonesë; vetëm u gëzohet. Nuk them dot se ka pastërti shembullore në këtë kuzhinë. Pluhuri na hyn çdo çast. Dera është drejt në rrugë, dritarja nga kanali; insekte gjithëlloj, erëra të këqija, perdet shumë shpejt e ndrrojnë ngjyrën. Vetëm kur kjo gjëndje e kalon kufirin, gratë tona e dërgojnë në esfel ditën e punës dhe e vënë kazanin në mes të oborrit, ndezin zjarrin nën të dhe fillojnë nga govata. Sa për ne, Ylli dhe unë, s’kemi rrugë tjetër, e veshim këmishën e larë por të pahekurosur dhe prapë nisemi, pa pyetur për të diela e lodhje. Dhe kur kthehemi, jemi të munduar, të kapitur me fund, që të mund të bëjmë diçka më rrënjësore për shtëpinë, një rregullim, një meremetim. Këto janë kushtet tona në këtë internim. Ai që s’ka një rezervë leku mënjanë këtu, është tamam si lundërtari që i fut ujë barka, dhe duhet pa pushim ta zbrasë për të mbijetuar…

5 Shtator 1980 Sot gjetën djalin e N.Sh të varur në pyll. E pa një bari dhe lajmëroi menjëherë Gurin. Ndihet një tronditje në Sektor, kjo flitet kudo dhe po digjohen gjëra të çuditshme: ishte djalë i urtë, i dashur, por nuk e donin në familje dhe prandaj vrau veten. Nuk me besohet fort ky version. Mbase e teprojnë; pa tjetër këtu hyn ndjeshmëria e adoleshencës, ajo fazë që disa e kalojnë me të rrezikshme se të tjerët, të shumtët. Ishte 17 vjeç , kishte bërë një kurs për mekanik dhe ngulte këmbë për atë profesion, s’pranonte punë tjetër. I ati e trajtonte ashpër, që ta detyronte të vinte në fushë, e fyente por a mund të mendohet se “nuk e donte familja”? S’e shëmbëllej dot si tip, ishte i hollë, i gjatë, me një fytyrë delikate; ishte më i madhi i fëmijës në atë shtëpi. Ka pasë një lëmsh si duket, një nga ato komplekset që duhen trajtuar me kujdes nga rrethi i të afermve për të mos u shkarë nga dora. Por i ati, pa e vrarë fort, i bënte presione (megjithse kur u prish antena tani vonë, atë ngjiti në çati për ta ndrequr, çfarë dëshmon për një raport jo të nderë).


Grabjani rrëzë kodrave

181

Hera-herës nuk e qaste në shtëpi: “O do vesh në punë i thoshte, ose s’ka bukë!” Kjo e largonte dhe e hidhëronte djalin. Jo se s’punonte fare, por mungonte mjaft, ishte i çrregullt dhe i fyer nga kjo ftohtësi thuajse armiqësi e të jatit, shpesh vinte pa bukë në fushë. Shokët i futnin në dorë ndonjë cigare si dhe gjëra për të ngrënë nga trasta e tyre, me takt, por ai rrinte i tërhequr. Sidoqoftë ata prapë s’mundën ta mbanin afër dhe ta shpëtonin. Dhe natyrisht s’kishin sesi, mbasi askush nuk mund t’ia dinte sakt gjëndjen që po kalonte. Sa gjëra do të shmangeshin po të dinin njerëzit ç’ndodh në zemrën e një të riu. Por gjërat shkojnë ashtu si janë nisur dhe mbase ashtu duhet. Ashtu ligështohen e qajnë ata që mbeten, ashtu zbuten zemrat, gjë shumë e madhe, e pallogaritshme; por vetëm mbasi ndodhin gjërat, dhe më shkon mendja se këtu qëndron thelbi i jetës. Sepse, s’dihet, po të ish që të diheshin ato që janë për t’u bërë, mbase ato që janë për t’u bërë, mbase nuk do të delte më as dëshira për t’i shmangur, jeta do të fitonte një ashpërsi Zot ruaje. Eshtë loti që e bën më të dhembshur njerëzinë, dhe që të rrjedhë ai, duhet të ndodhin fatkeqësitë. Deri edhe ky fshat i vetmuar nuk është pa gjë në këtë vështrim. Këto ditë njerëzit të dalin si prapa një qelqi të vesuar. Desha ta sjell në kujtesë fytyrën e tij, sepse nuk ka mundësi të mos e kem rastisur diku. Pyeta një shok për të, dhe ai më tha që unë edhe i paskam folur para nja tri javësh, kur ai më dha një domate që më kish rënë nga trasta rrugës. U mundova ta shëmbëllej, një i ri me sy të butë, që me kokën të mënjanuar më jep diçka si me përtim, e unë, duke i thënë ato fjalët e rastit.

6 Shtator 1980 Po dalin ca hollësira rreth Kelit (Engjëllush e kishte emrin por e thërrisnin shkurt Kel). Komshia jonë, Vera më tha që dy javë më parë, ai i ishte qasur për të ndezur cigaren. Kjo i kishte ofruar dhe një cigare plus nga paketa e saj, se ishte në dijeni të gjëndjes së tij, por ai s’ia kishte marrë. Ditën e vetvrasjes, dmth pardje ai me dy shalqinj të vegjël në dorë u nis në drejtim të pyllit. Rrugës u afrua te oborri i çobanëve dhe u kërkoi


182

Lekë Tasi —

një thikë. Një nuse e shtëpisë, që doli dhe ia nxori, e ftoi brenda por ai s’pranoi; u shtrua pak më tutje në bar që i hëngri të dyja kokrrat dhe vajti të vdiste. Në autopsi vetëm ato i gjetën në stomak. Edhe një gjë tjetër. Pak para se të hynte në pyll, tre shokë të tij vinin në drejtim të kundërt. “ Ku po shkon Kel-o?” i thanë ashtu kot. – “Po shkoj të gjej nusen time dhe do ta shtroj në dru që të mos dijë nga të vejë” u tha duke u larguar, pa kthyer kokën. Ata qeshën dhe vazhduan. Qëndrimi i organizatës bazë është kundër tij. Po ashtu dhe ai i Degës. Sepse vetvrasja është, e di”, tërheqje nga fronti”, pra e dënueshme. Ka dhe një version tjetër, ma tha Thomai që është komshi me ta. Dega paska dashur ta rekrutojë, duke përfituar nga kërkesa e tij për profesion, dhe ai s’pranonte. S’di, mund të jenë të dyja paralele, që e kanë lodhur.

20 Shtator 1980 Kaluan dy javë. I ati i çoi një paketë te varri por më thanë që i kishte dalë në ëndërr, me porosinë që paketën t’ua ndajë shokëve “ se ata më mbanin me cigare”.

23 Shtator 1980 Këto ditë kanë prurë nga Pluku Petrit Merlikën më familje (e shoqja, nusja e djalit, me dy vajza të vogla). Të birin. Evgjenin e kanë çuar në Spaç.

1 Tetor 1980 Në pluk Merlikat kishin përmbi dhjetë vjet dhe ishin rregulluar mjaft mirë: të dy, burrë e grua në pension, djali në ndërtim, nusja në bujqësi. Dega e pati të lehtë t’i sjellë këtu, sepse kryefamiljarit nuk i është hequr ndonjëherë masa e internimit qysh nga 60-a ( e ka kompetencën ta çojë ku të dojë brënda rrethit), por ajo vendosi të veprojë shkallëshkallë. Me burgosjen e djalit, së pari futi në apel dy gratë dhe kështu duke i patur të homogjenizuar, si kaluan dhe ca javë, u vajti në shtëpi.


Grabjani rrëzë kodrave

183

Ishin nja 7-8 vetë me shefin e zhdukjes së krimeve në krye. U tha: “Jeni të transferuar në Grabjan, bëhuni gati për nesër!” Shtëpinë që lanë e kishin të rregulluar për merak, me një oborr të vogël me lule dhe një kopësht për perime. Eugjeni, që i vjen dorësh shumë, i kishte shtuar dhe një dhomë plus. Kërkuan një shtytje të vogël të afatit, por nuk ua dhanë. U vinte keq sidomos per dhomën e bërë vetë dhe brënda 18 orëve e kishin të pamundur ta prishnin për t’i marrë sëpaku materialin për ta pasur këtu. Pikërisht këtë donte të shmangte Dega. Sepse e kishte gati njeriun që do të strehonte aty, dhe ai sigurisht ia kishte vënë syrin ashtu siç ishte, me tri të ndara. Banakieri i Tri Urave, ky ish kandidati (njeri i degës) kishte çfaqur prej kohësh dëshirën që të afrohej në qytet (Pluku në fakt është si një lagje e Lushnjës). Kështu Dega, nuk është çudi që të ketë sajuar edhe arrestimin e Evgjenit për të arritur te ky tramp banesash. Banakieri i la Petritit një dhomë të vetme me kuzhinë të ngushtë këtu, dhe mori atje tri dhoma të mira, veç oborrit dhe kopshtit. Gjat bartjes u fol edhe për dëmshpërblimin që banakieri do ti paguakësh (kundërvleftën e dhomës së tretë), por tani që hyri brënda nuk ndihet më.

13 Tetor 1980 Të porsaardhurit kanë dalë në apel. Na u shtua efektivi! Asnjëherë s’është hapur kaq shumë rrethi ynë. Kryetarja e Këshillit vjen rëndë-rëndë dhe u hedh një sy të ftohtë armiqve të rinj. Ata rrinë si të ngrirë. Nuk i kam njohur më parë por kam digjuar për ta; për ato që kanë hequr (se janë nga të fillimit) sidomos Elena. Është një grua me fizik të dobët, e zbehtë dhe vuan nga zemra. Mbiemrin e vajzërisë e ka Gjika (kur i’a shqipton të plotë emrin Elena Gjika, s’ka si mos të të kujtohet omonimja e saj, që njihet si Dora d’Istria). Lindur e rritur në Itali, ku ka mbaruar universitetin, jeta e saj mori një kthesë të fortë para 35 vjetësh. Viti ’45 e gjeti me një djalë foshnjë dhe me burrin në burg. Mbajti dru nga mali i Bençes së bashku me qindra gra e vajza të tjera të kampit. (Njerëz që i kanë jetuar ato vjet atje më kanë treguar një skenë: aty nga ’49a, kur djali ishtë 5-6 vjeç, erdhi një kamion me urdhrin të merrte një


184

Lekë Tasi —

numër grash për ti çuar në ..... për disa muaj punë. Ndër to caktuan edhe Elenën. Djali qante me ngashërim, donte të vinte me të, por policët nuk e linin. Sa herë ai përpiqej të ngjitej në spond të makinës, ata e shtynin poshtë, derisa më në fund e përplasën në tokë, dhe si dënim për shamatën që bëri, e futën atë natë në birucë. Kur u lirua Petriti, 10 vjet më vonë, i gjeti në rrethin e Lushnjës, djalin e rritur dhe usta në ndërtim, kurse Elenën një nga punëtoret më të mira të bujqësisë, vjelëse e dalluar e pambukut. Për të gjithë kohën që punoi në Myzeqe, ishte kjo me dy të internuara të tjera, Bardhën e Markagjonit dhe Hyrie Kupin që hynte e para në parcelë për të vjelur cilësinë e parë.

14 Tetor 1980 Danain, të shoqen e Yllit e liruan së bashku me mamanë dhe me tri gra që mbarojnë pesë vjetët. Duhen edhe nja dy javë të mbushet afati ynë. Lirimi i tyre nuk na i ka shtuar shpresat. Gratë i lirojnë mbas 5-vjeçarit të parë, kurse burrat i mbajnë.

15 Tetor 1980 Dënimi na u përsërit. Edhe 5 vjet të tjera! Vendimin na e komunikoi Hidaiu me Gurin, te zyra e këshillit. Nuk prisnim lirim në fakt, megjithatë na erdhi keq. Kam vrarë dorën duke kapërcyer një kanal. Më shkau këmba dhe më zuri dora në një kavanoz kur rashë në skarpatë. Plaga s’është e madhe por e kam në pëllëmbë, më pengon të punoj. Doktori s’më dha raport. Po më ikin ditët pa punë, dhe kjo më mërzit, jo si më parë, se tani e dua, e kërkoj punën. Më foli vrazhdë (për çdo budallallëk tuaj do t’ju jap raport?) U nxeha, por e mbajta veten se i kam një detyrim për rastin e parvjelmë të mamasë.

30 Tetor 1980 Ylli u ankua në Degë për lejen që nuk i jepet për të vajtur te Tefta. Neviti e mori nga poshtë me pretekstin e kompetencës dhe e çoi tek kryetari. Ai


Grabjani rrëzë kodrave

185

e priti me mirësjellje, por nuk vonoi t’i bëjë një nga ofertat e tij. I pruri dhe shembullin e një inxhinieri të deklasuar që bashkëpunon me ta dhe gëzon respektin e shoqërisë”... por Ylli ia preu shkurt. Atëherë ai e la mirësjelljen dhe tha me harbutllëk: “Shëndosh teqeja se dervishë gjen plot!”

6 Nëntor 1980 Gazi i Degës, erdhi prapë sot me Kriston dhe Nevitin dhe me dy policë të armatosur. Frikë mos merrnin ndonjërin. U veshëm mirë, gati për çdo eventualitet. Dolëm në apel, por ata na lanë të presim. Vishu sa të duash, kur pritja zgjat shumë të hyn një dridhmë në trup; ashtu pa dashur fillojnë e të kërcasin dhëmbët, dhe atëherë kur duhet t’i përgjigjesh ndonjë pyetje, mund të të tronditet zëri. Më vjen shumë inat të ma diktojnë emocionin në zë, sepse ata e kuptojnë që janë ata shkaku, pushteti i prezencës së tyre. Shumë inat më vjen, por s’kam ç’bej. S’të ndihmon fort të nxehesh në këtë rast, as përbuzja, sepse pasiguria të është futur në palcë që më parë.... Nganjëherë, kur kam punë me ta më shkon mirë, dhe kur fillon mirë, çdo gjë shkon normalisht, pa ndonjë emocion të dukshëm. Kjo veç nuk është gjithmonë e garantuar, se nuk e kam kurajon të barabartë me inatin. Veç kësaj, ata bëjnë të veprojë pasiguria, të lënë të presësh. Pritja të fik. Edhe këtë rradhë ia hodhëm. Si mbaroi apeli, Gazi u nis me të gjithë brenda për Divjakë, e ne morëm frymë. S’është çudi të kenë kaluar këtej vetëm për luftë nervash. S’mund të bazohesh tek rregulli që nuk arrestojnë dy veta në një shtëpi. Ashtu do mund të rrinim të qetë, por ata e kanë shkelur. Në Gradisht kur morëm Mois Mizakën, i vëllai Leka deshi t’i jepte kurajo dhe i tha vetëm kaq – “Mbaju se për fëmijët jam unë”. Kristo iu kthye me ironi – “Ashtu? Qenke ti?...” dhe mbas dy javësh vajti e mori dhe atë.

8 Nëntor 1980 Është një valë e madhe që s’ndihet sa do të mbajë e ku do ta çojë. Shpresoj në një “këputje”, në bazë të ligjit që zullumi kur tepërohet sjell


186

Lekë Tasi —

një përmbysje. Ndërkaq burgjet janë plot. Në Tiranë e Durrës e kudo po bëhet kërdia. Për hiçgjë, për një fjalë, të afrohet gazi, ti duke ecur rrugës, dhe të fut brenda.... Ç’është feudalizmi? bëj këtë pyetje tani. Mos një tipar shpirtëror i njeriut më tepër se një fazë e historisë së tij? Kur isha i vogël e pëlqeja shumë se e shihnja të vendosur në sfondin e tij tërheqës romantik mesjetar, me kështjella e kalorës. Ky pëlqim më vinte pa tjetër edhe nga një prirje e pavetëdijshme: muret e trasha, ti lart, armiku poshtë, ti i mbrojtur, ai jo, dhe po ta rrëmosh ca më thellë, edhe nga dëshira që të tjerët t’i kesh në vartësi, e ti sa më lart përderisa atë e shikoja gjithmonë nga ana e kështjellarit, asnjëherë nga e vasalit. Kjo dëshirë për pushtet si duket zë vend edhe në shpirtin fëminor, për të mos thënë më drejt që ajo ka mbirë me të. Në fantazitë e mia, unë ndjeja kënaqësi në ca pozicione të gjithpushtetshme. E pranoj, dhe më vonë kur shihja filma mbi Afrikën, isha me të bardhët (në mos tjetër për pushkët e shkëlqyera që mbanin dhe për kaskot në kokë, pa e vrarë mendjen më thellë. Qysh atëherë kam ndryshuar shumë pa tjetër, i kam lënë të bien ca gjëra të turpshme së bashku me puplat e panoplitë, ose me revolet me mulli, gjëra që të gabojnë dhe të bëjnë të mos e shohësh si duhet madje edhe historinë. Por prapë jo aq, s’kam ndryshuar aq sa të mos e kuptoj thellë në veten time Nurien sot, kur e shoh që na vështron nga larg, neve, rrethin e apelistëve vasalë, që mblidhemi të urtë e të bindur në tharkun tonë, ku lëmë një vend bosh për ‘katedrën” caktuar asaj, që të vijë e të na numërojë me sy. Dhe kur hetoj pastaj me bisht të syrit, se si niset me hap ceremonial për të zënë vendin, dhe ngandonjëherë e zgjat rrugën për të zënë tamam atë vend, e jo një tjetër çfarëdo si bëjnë përgjegjësat e tjerë, më ndillet diçka nga fëminia. Sepse e kuptoj, e ndiej thellë ç’ngazëllim i fortë ia ngadalëson hapat, që të zgjasë sa më shumë çastin e shkëlqyer që na ka nën pushtet.

9 Nëntor 1980 Po na çojnë aksion natën për të vjelë misrin e vonuar. Fillojmë me dritë, e mbarojmë në errësirë të plotë. Puna bëhet shumë e keqe, por këtë e bëjnë për të raportuar lart që shfrytëzojnë edhe natën.


Grabjani rrëzë kodrave

187

14 Nëntor 1980 Punë e ka emrin edhe kjo që po bëj tani, këtu në thellësi të kanalit, s’mund ta quash ndryshe. Të marrësh baltë nga një si kazan me qiriç dhe ta hedhësh lart, një metër sipër kokës, já kjo është puna... E para herë që vij në këtë proçes pune që e ka emrin “thellim kanali sekondar” (kanalet sekondare janë ata hendeke 1-2 metra të thellë që ndajnë parcelat njërën nga tjetra). Sot s’kishte front tjetër dhe kështu më thanë o atje, o s’ka punë gjetkë. Veç vështirësisë së hedhjes lart, më ra dhe pjesë e keqe, pa ujë dhe kështu më ngarkon lopata. Ajo ngjan tani si ata drurët që përdoren për të përzjerë tutkallin:ajo çon poshtë e lart një goxha peshë, për të hedhur në anë të kanalit një ngarkesë qesharake. E pastroj mbas çdo dy-tri hedhjesh, dhe ajo ngarkohet prapë. Por edhe vetë jam i ngarkuar, bëj lëvizje të ngadalshme mes baltës, duar e këmbë, si ndonjë gaforre. I tërë ky mundim, kjo ngathje, do të merrte fund po të kishte pak ujë. Çdo gjë do të kthjellohej dhe unë do të shihnja përsëri ngjyrën metalike të lopatës, do ta vërtitja përsëri atë me lehtësi, si ndonjë krendë! Tridhjetë metra më poshtë katër punëtorë që u ka rënë pjesë me ujë, po kënaqen duke avancuar me shpejtësi, aq sa kanë filluar edhe të këndojnë. Ua shoh lopatat që shkelqejnë në diell sa herë e vërvitin tutje plisin e larë, të regjur me ujin e tabanit... Kurse ne këtu jemi të ngecur si mizat në ato letrat ngjitëse.

16 Nëntor 1980 U futa në kinoklub. Televizori ndezur, askush nuk i hidhte sytë, të gjithë të përkulur mbi kutitë e shahut. Një grup mbaroi lojën, u ngritën lojtarë e spektatorë, u shtriqën, dhe me vrap dolën jashtë, pa vështruar fare nga ekrani. Vetëm për ndeshje mbushet salla. Më tutje dhoma e librave e mbyllur... Kur erdhëm në ’75-ën këtu shërbente Oli, një vajzë që nuk e respektonte fort orarin, por të paktën ishte e sjellshme. I pata marrë disa libra e revista, shumë rrallë. Me largimin e saj (është martuar në Durrës), vendin e saj e zuri Filipi, sekretar i partisë (i kanë shtuar edhe këtë nëpunësi që të justifikojë ato që merr, mirëpo tani ai nuk justifikon asgjë sepse e mban klubin mbyllur


188

Lekë Tasi —

gjithë ditën). Veç sallës së lojrave dhe TV-së, asnjë aktivitet tjetër s’bëhet dhe askush s’kërkon llogari). Ata që kritikonin Olin se punonte pak, tani s’ndihen fare që ky s’punon hiç. Për ta bërë provë, një ditë që e pashë afër portës vajta dhe i kërkova një libër. Më dëgjoi me një fytyrë sikur i dhimbte stomaku dhe pastaj tha – Jo tani.... Edhe unë s’i vajta më. ( - Asgjë s’funksionon! – më kish thënë një shok në Tiranë dikur, përveç telefonave të Ministrisë së Brendshme dhe shtoi – Nuk e merr dot me mend ç’akustikë kanë!). Nganjëherë ky sekretar del në fushë i shoqëruar nga disa të administratës, sidomos në kohëra fushatash. Formojnë një grup në krye të parcelës me kryeagronomin, brigadierin dhe përgjegjësin e mekanikës ose normistin. Vetë prania e tyre i jep seriozitet atmosferës dhe punëtorët e rinj rrijë urtë e shikojnë cilësinë. Rrallë afrohet por kur ndërhyn thotë gjërat më të rëndomta e më të stërnjohura si p.sh – “Prashitni afër bimës” ose në pambuk “mos lini xhufka mbrapa”. Ai mendon se këto janë ‘këshilla të vlefshme” (fundja edhe udhëheqja kur del s’thotë gjë më tepër) dhe se vajtja e tij “në bazë” është e frytshme “me bukë”, siç ka hyrë në modë të thuhet tani. Por kur vapa shtrëngon, çdo seriozitet bie dhe sado të ngutshme të jenë problemet “që ngre stina” ky anon më tepër nga gjumi në shtëpi dhe kështu mbasdite ne e ndjejmë veten të lehtësuar se ekipin nuk e kemi më aty. Më kanë thënë se ky sekretar nuk është njeri i keq. Megjithëse ishte ky që kryesoi mbledhjen për Teftën, kjo fjalë nuk më habiti. Tani jemi mësuar të dallojmë njerëzit që të dënojnë nga urdhri që marrin, nga ata që urdhrit i shtojnë dëshirën e tyre për të bërë keq. Fundja ndër ato gjëra të shtetit që shkojnë keq, nuk është e thënë të mos ketë edhe nga ata që nuk e përçojnë me qejf të keqen dhe mezi presin të bien në një normalitet pa ngjyrë, ku të mos jenë të detyruar të rrinë armiqësorë me popullin. Por ka edhe nga ata që, të ndodhur në valle, reagojnë me forcë për të mos u përdorur si masha për ta bërë të keqen. Është një çift bie fjala, komunistë që të dy, burrin e kanë përjashtuar nja dy herë nga partia për “gabime” dhe liberalizëm (nënkuptohet se i paguante mirë punëtorët si brigadier), por e kanë pranuar përsëri (s’dihet pse, ndofta ka një mik në komitet të partisë). Thoma Karamelo më ka thënë që këtë brigadier (Thoma e ka edhe ai, Thoma Prifti), ata të Degës e


Grabjani rrëzë kodrave

189

kanë ‘përpunuar” me forcë disa kohë, i ishin qepur ta bënin spiun pa derman, dhe një herë e çuan në pyll e i vunë koburen në kokë, por ai s’pranoi. Qysh atëherë sikur ka mbetur mënjanë. E shoqja, Nia, një grua e gjatë që ka qejf të vishet mirë, kur erdhëm në ’75-ën e gjetëm nëpunëse në postë, sot është brigadiere. Mund ta shohësh shpesh të shoqëruar me skifterët e Sektorit, sidomos gratë e të mëdhenjve, duke folur e qeshur etj, por kur përgatitet ndonjë valë egërsie,si p.sh një kontroll në shtëpitë e ndonjërës që qep ilegalisht ose tjetër gjë, kjo i lajmëron të rrezikuarat një natë ose një orë më parë edhe duke rrezikuar veten. Një herë punova ca ditë në brigadën e saj, bëra kavaleta plehu. Më harroi pa paguar, një ditë pune dhe unë vajta ia kujtova. Aty midis të gjithëve më trajtoi ftohtë, por mbas dy ditësh duke përfituar që do të më lëshonte dëftesë të veçantë më shkroi dyfishin e volumit! Nga ca episode të tilla, por më tepër nga tërësia e përvojës sonë këtu, po ndërgjegjësohem që megjithë anormalitetin e gjëndjes dhe egërsinë që është bërë rregull jete, nuk mund të thuash se ky vend ka mbaruar krejt. Mbeturina jete ka, bile unë habitem se si këto nuk ndikohen nga qelbësira që u rri përreth. Unë do ta krahasoja sjelljen e njerëzve më tepër me një maskim të përgjithshëm. Veçse nuk di sa dëm sjell ky ilegalitet i ndjenjës njerëzore, aty ku edhe një “mirëmëngjes” ose “mirëmbrëma” peshohet të thuhet apo mos të thuhet. Një ditë kur ky teatër të mbarojë dhe të hiqet ai rregull që i vë gjërat kokëtatëpjetë, veti njerëzore edhe do të kenë mbetur, por veti civile asnjë. Dhe pa këto të fundit, ku do të përplasim kokën?

20 Dhjetor 1980 Bllokadën që na ka bërë Kapllani për të mos komunikuar me Teftën përsa i përket furnizimit e kemi përballuar me sukses duke përdorur postën, dmth me pako! Kemi ca vështirësi për të gjetur ushqimet e duhura, por edhe dërrasat e kutisë. Për sa i përket paketimit, Yllit i pjell mendja shumë. Ka arritur edhe vezë ti dërgojë (brenda në kuti dërrase me miell të ngjeshur anash!). Pakot janë specialiteti ynë i vjetër. Një pjesë të mirë të këtyre 35-vjetëve, sidomos 20 vjetët e fillimit, kuzhina e shtëpisë sonë pat qenë vendi ku një herë në muaj përgatiteshin pakot ose trastat për në kampe.


190

Lekë Tasi —

Shtëpia jonë ka qenë edhe stacioni për farefisin që vinin nga Përmeti me drejtim Burgun e Burrelit ose kampet e ndryshme. S’ka rrugë në afërsi të këtyre kampeve, kudo nëpër Shqipëri që të mos jetë shkelur nga mamaja, më vonë nga ne, verës në pluhur dhe dimrit me llucë: Jubë, Peshkopi, Burrel, Ur’ e Bonos, Gos, Lekaj, Thumanë, Rinas... Janë histori të gjata. Vetëm një herë u mashtruam keq, dhe i lamë pa ushqim njerëzit tanë, në mëshirë të fatit. Ishte behari kobzi i Maliqit. Disa gra ishin kthyer pa dorëzuar ushqimet tek dera e kampit, misteriozisht e heshtur dhe me ushtarët e rojet që i zbrapsnin familjet me pretekstin se kampi është transferuar. Telegramet mbeteshin pa përgjigje por njëkohësisht ata kishin vënë në qarkullim fjalët se u arratis kampi me gjithë roja në Greqi!. Ishtë ’47-a dhe ne besonim, rronim me ëndrra. Një perde tymi mbuloi me javë të tëra njerëzit tanë dhe njëmijë e pesëqind fatkeq, ndërsa neve na gënjente mendimi se kishin shpëtuar përtej kufirit.... Ata i kishin mbyllur me tri palë tela dhe po i futnin në dhé të gjallë. Patëm tre veta atë behar atje; xhaxhanë, dajën dhe vllanë, në atë Vloçisht që hëngri 100 veta, të vdekur nga uria ose të vrarë me dru, të varrosur të gjallë. Edhe sot e kësaj dite e kam në vesh zërin e mekur të vëllait tek hekurat e burgut të Tiranës, kur u kthyen atë nëntor dhe na kërkonin bukë, i kam në sy rrudhat rreth gojës... Qysh atëherë mamaja kërkonte rrugët më të mundimshme për tu çuar ushqim, si për të paguar atë gabim, që nuk tentoi, që s’u përpoq të bënte të pamundurën, dhe i la të hanin rrepa të gjalla nga toka.

26 Dhjetor 1980 Sot më ra mirë. Punova me dy harixhinj të fortë që marrin rregullisht mirë. U ndodha herët në shesh të Sektorit dhe atyre u mungoi një shok për të shpërndarë një sasi plehu, kështu që më morën mua. Më favorizoi fati... Sigurisht u lodhëm mjaft se zetoristi nuk donte ta ngiste ngadalë, që ne ta shpërndanim pak e nga pak e sa më uniformisht. Çdo rrugë që bënte donte ta hiqte qafe shpejt dhe e lëshonte plehun në dy – tre kapule. (Kam folur për këtë kapadaillëk të traktoristëve). Na u desh neve ta zëmë për së dyti për ta shpërndarë. Bëmë nga dy norma secili


Grabjani rrëzë kodrave

191

dhe sipas tyre duhet të kemi dalë sot me mbi 350 lekë secili. E para herë për mua! Në kthim hypa mbi në një rimorko ngarkuar me misër, bashkë me të tjerë, por zetoristi mbasi na tha të gjithëve të zbresim insistoi vetëm për mua. Mbas pak më kaloi zetori pranë me të gjithë punëtorët përsipër dhe me të tjerë që kishin hipur ndërkohë.

Janar 1981 Kam një plagë tjetër në dorën e majtë dhe më ka mbledhur. U mundova ta lodh sa më pak, por është e pamundur. Kur ngre lopatën do të marrin pjesë të dyja duart në peshë. E keqja ishte se punonim në kolektiv dhe unë po bëja figurë të keqe. Kam frikë se më mbajnë për punëtor më të keq nga ç’jam në të vërtetë. Me javë të tëra punojmë secili te vija e vet dhe sot që krahasimi mund të më nderonte sepse kishim copa të shkurtra ngjitur me njëri-tjetrin dhe në tokë të butë, po dilja keq duke u vonuar. E mblodha veten dhe i bëra metrat e fundit pa çarë kokën për dhembje. Më dolën djersë të ftohta dhe më erdhi si të fikët. Ata ndërkohë po lanin lopatat (Zgjidhja kishte qënë më e lehtë dhe unë se dija; ta shtrydhja!). Kur ata po iknin unë e shtrydha aq fort sa dhembja më goditi në kapak të kokës, por pastaj u lehtësova. E bashkova pjesën time me të tyren, hodha lopatën në sup dhe shpejtova hapat për t’i kapur në argjinaturë si ndër ethe.

5 Janar 1981 Në brigadë na ka ardhur një punëtor i ri, Qaniu. Vjen nga brigada e kodrës, mbasi u grind me brigadierin atje dhe ka rënë në ujdi me Likën qysh në vjeshtë që të futet tek shalqini në beharin që vjen, siç ka qënë atje roje rrushi. Këto transferime kombinohen lirisht mes brigadierëve për ata elementë që duan, por duhet edhe miratimi i përgjegjësit që në këtë rast ishte i garantuar. Më është afruar mjaft, kështu një pjesë e ditës e kaloj me të megjithëse nuk punojmë bashkë por afër.


192

Lekë Tasi —

Është i moshuar, bardhosh dhe i kuq, me ca qime të bardha në ballë si xhufka, mbeturinë kjo e flokëve që i kanë rënë qysh në rini; me hundë dhe mjekër të dala sidhe të përkulura njëra për poshtë e tjetra për lart; i pastër, rruhet përditë dhe është shumë sistematik. Kur ulet të hajë drekën nuk ngutet, rregullon vendin mirë pastaj hap trastën (përherë të larë), nxjerr kavanozin e fasuleve, atë të kosit e i vendos me kujdes në tokë. Kur të tjerët kanë vajtur te gjysma, atëherë ai fillon të hajë, ngadalë duke e mbështetur lugën në buzë të kavanozit mbas çdo kafshate dhe bukën e pret me thikë. Por ngadalësia e tij nuk do të thotë se është ndonjë flegmatik ose i ngathët, përkundrazi ka ca shpërthime herë-herë dhe sidomos një të folur të shpejtë (si zemreku që shkrehet) dhe jo fort të kuptueshëm. Pastërtia e tij është e skajshme, gati patologjike. Pas punës i lan çizmet mirë e mirë, por më përpara duhet të zgjedhë vendin, pellgun e ujit më të përshtatshëm (është nga ata tipa që nuk e lënë mënjanë asnjë hallkë të një proçesi të përditshëm, të cilin e kryejnë po në të njëjtën mënyrë tërë jetën). Kur sheh që unë, i ngutur për të mbaruar punë shpejt, kam gjetur një vend “jo të përshtatshëm” më vështron me mosaprovim të hapur, gati me neveri, por s’thotë gjë; shkon më tutje, gjen një vend për vete, këput një tufë bar dhe fillon të regjë baltën e çizmeve me ujë, por këtë e bën me disa lëvizje të shpejta e qesharake, sikur tani të ketë hyrë në veprim i njëjti damar në tru që i rregullon të folurin e përshpejtuar. Unë, që ndërkohë kam mbaruar punë, rri e pres pa mërzi, sepse duke e shikuar, kjo ngjashmëri e lëvizjes së duarve me të folurën e tij të shpejtë, më shkrep brenda një dëshirë të tillë për të qeshur sa them se do të bija në tokë i gajasur vetëm sa t’ja filloja. Është me origjinë nga Ardenica. E tregon shumë herë jetën e tij, flet e flet, dhe qesh shpesh nga sebepe që unë s’arrij t’i kap për shkak të asaj të folure që mbaron shpejt. Një nga muhabetet e tij të para që më bëri qé se si u nda me gruan e tij të dytë në gjyq ndërkohë që të tretën (këtë që ka sot) e mbante në gatishmëri aty në sallë. (Kurse martesën e parë, me ç’mora vesh, e pat bërë kur ishte 17 vjeç, në hekurudhë “aksion” me një vullnetare 15 vjeçe dhe mori fund shpejt). Edhe nga ndarja e dytë, si edhe nga batutat e tij me gjykatësin, gjysëm të ndrojtura e gjysëm me shakara banale meqë ia kishte futur mikun këtij gjykatësi që përpara, nuk arrita të kuptoj gjë të madhe, më shpëtuan megjithëse këtë histori


Grabjani rrëzë kodrave

193

ma ka treguar dy herë gjer sot, dhe tri herë të tjera ua ka thënë të tjerëve në sy tim. Kuptova vetëm këtë, që gjykatësi u tregua i rreptë e pak kanosës që të mos binte në sy që ia dha shpejt ndarjen.

10 Janar 1981 Qaniu ka ca ditë që vjen e më merr në shtëpi dhe shkojmë bashkë në punë. Nuk di pse ky afrim. Mund të ma kenë ngjitur. Unë e lë të flasë. E kam pyetur vetëm nja dy herë të më flasë gjerë e gjatë për fshatin e tij, për manastirin, për festat por është njeri praktik, s’më qëndron aty e del përsëri tek problemet e tij familjare, ku zgjerohet shumë. Atëherë unë zë e mendohem për punët e mia, por pa e humbur nga vizuali fillin e tregimeve të tij, që të mund, në rast nevoje t’i jap përgjigje në qoftë se më bën ndonjë pyetje.

12 Janar 1981 Ka ca javë që flitet për sëmundjen e Kalisë, një vajzë e bukur dhe e zgjuar e Shurdhaqëve: tumor në fyt. Është kthyer ditët e fundit nga spitali ku ndenji një muaj. S’i ka mbushur njëzet vjetët. Jorgji, ish brigadieri im, e ka çupë vëllai. Edhe ai vetë ka vuajtur kohët e fundit nga mëlçia e u shtrua për nja dy javë në spital. U vura vizë të vjetrave dhe i fola. Më shikoi pak i habitur, sepse gjithë këto vjet, qyshse jam larguar nga brigada e tij nuk i flisnim njëri-tjetrit.

21 Janar 1981 Sot u bë varrimi i Kalisë. Shkaktoi shumë mallëngjim punë e saj këto javët e fundit, me fazat e ndryshme që pati, përmirësimi i vogël që bëri, ngaqë të gjithë e dinin që ishte i përkohshëm, dhe tani fundi... Gjatë atrye ditëve që u ngrit nga shtrati dhe delte në rrugë e pashë një herë kur kaloi para shtëpisë sonë për të vajtur në çezmë me të motrën, në një përpjekje të fundit për ti mbushur mendjen vetes se po bëhej


194

Lekë Tasi —

mirë. Ishte e dobësuar, e zbehtë por nuk e jepte veten. U buzëqeshte njerëzve që e vështronin me simpati. Vajzat në fushë komentojnë tani çdo gjë të sajën, fjalët që u thoshte njerëzve të shtëpisë ose shoqeve që e vizituan. “Duelin” e fundit e pati me të jatin. I kërkoi një qylym (ishte e fejuar dhe vetëm qylymi i duhej për të plotësuar pajën). Kur erdhi te kjo pikë, vajza që tregonte, e ndërpreu fjalën, unë isha afër. Po bënim pushimin e drekës dhe po i dëgjoja nga vendi ku isha ulur përkëtej një tufe kallamash. Zëri iu trondit dhe pastaj preu fjalën e ngashëryer, shoqet po e vështronin edhe ato të përlotura. Pastaj ajo tha – “Miti dërgoi në Kavajë dhe ia bleu, nga më të mirët...” Përse t’ia ketë kërkuar? – rri e mendohem. Besonte vërtet se do të rronte me atë sëmundje që kishte? Apo nga dhembshuria për ti treguar babait që e ndjente veten mirë? Më tepër them do të ketë luajtur pjesën, një dredhi prej vajze... donte ta vinte në provë ndofta që të shihte sa do të tregohej i gatshëm tani që po vinte fundi. Nuk dihet, lëngata e fortë, ajo që s’të fal, i çon në stërhollime të tilla të rinjtë. Kur vjen ajo orë, e ngadalshme por e sigurt, ata revoltohen, vepron tek ata një ndejshmëri e tepruar, e alarmuar. Fundi i afërm i pezmaton, i bën të luajnë gjithfarë provokimesh. Kjo vajzë nazike dhe vërtet e zgjuar, do ta ketë bërë këtë lojë të rrezikshme mendoj, sepse s’i mbetej fushë tjetër ku të luftonte, veçse brenda dashurisë familjare. Donte të ikte të paktën me kënaqësinë që e deshën vërtet, gjer në fund ose në mos, kush e di, të gjente një shkak për të ikur e zemëruar me jetën...

20 Shkurt 1981 Elena, gruaja e Petritit është sëmurë. Mungon me ditë në apel e është dobësuar edhe më. Ndihmës mjeku që ka ardhur i ri, ka bërë një punë të mirë në krizën e saj të fundit, para një jave. I qëndroi tek koka atë natë, duke u hedhur herë pas here në telefon, ku lidhej me spitalin prej nga merrte udhëzimet për injeksionet që i duheshin bërë ose masat që duheshin marrë sipas simptomave që paraqiste e sëmura. Kjo na bëri përshtypje të mirë, si atëherë me motrën e Bardhit, që i bënin kura të shtrenjta në Tiranë, ose kur na bënë vaksinë familjarisht me rastin e Hektorit. Por kryesorja që më pëlqeu është risia, moderniteti i kësaj lloj


Grabjani rrëzë kodrave

195

ndërhyrjeje në distancë në një ambulancë fshati si kjo e jona, ku çdo gjë kishte zënë myk deri dje. Ky ndihmës mjek i ri, është një faqekuq nga Pogoni i Gjirokastrës, që ka shpëtuar nga një zonë më e thellë se kjo, dhe tani aktivizohet me mjaft energji. Një jetë me stërmundime dhe emocione kjo e kësaj gruaje. Nuk i thonë pak, 35 vjet, një shifër që të ngjall respekt vetëm ta dëgjosh, jo më ta jetosh. Për këtë kategori të internuarish, si shtresa më e thellë e këtij mademi njerëzor, edhe vetë oficerët e Degës, të vjetrit, mbajnë një tjetër qëndrim, e shoh tek syri i ndonjërit, në ndonjë rast, pa pasur nevojë të shprehet hapur. Jo se i favorizojnë meqë janë veteranë, përkundrazi! Tirana i ndalon kategorikisht t’u bëjnë lëshimin më të vogël, por prapë një farë ndjenje e masës të themi, i bën së paku të të presin ftohtë, gati me qesëndi, ty të interrnuarin e 75-ës kur guxon të avancosh ndonjë pretendim në prani të tyre. Kurse kur e kanë punën drejtpërdrejt me ta, qoftë edhe nga heshtja që mbajnë mes tyre të dy palët, duket menjëherë se “njihen” qëkuri dhe se fjalët e egra janë harxhuar prej kohësh. Problemi aktual i Merlikave, tani qëndron te pun’ e shkallëve, meqë kjo zonjë shtëpie e lodhur e me zemër të sëmurë, duhet të hipi ato shkallë të brëndëshme me dhjetra herë në ditë për gjënë më të vogël p.sh për të derdhur një legen me ujë, për të mos folur për kovat me ujë të çezmës që duhen ngjitur lart. Nusja, si e vetmja forcë pune në atë familje, del në fushë, kështu që gatimi dhe fëmijët i mbeten Elenës. Sa herë vijnë përfaqësuesit e Degës, Petriti u kërkon t’i jepet banesë tjetër përdhese ose të urdhërojnë këshillin ta lejojë të ndërtojë një kuzhinë poshtë në oborr, që të mos mundohet e shoqja poshtë e lart. Por pa rezultat. Ata i premtojnë dhe pastaj nuk bëjnë asgjë, leja s’i vjen. “Siç duket”, i thashë sot, “nuk kanë dorë për dorë ndonjë banakier për të rregulluar me shtëpi, që t’ju autorizojnë t’ia bëni gati”. Por ai nuk qeshi. Është shumë i preokupuar. Por zemra e sëmurë, pavarësisht nga përkatësia klasore e atij që e mban në kraharor, është diçka që bie në sy me anë të simptomave dhe sido që të jetë, mund të merren masa, ka raporte, spitale, barna etj, shoqëria kujdeset për të. Por ç’mund të thuash për ca zemra të tjera, që janë të shëndosha, të rregullta e megjithatë vuajnë mbase edhe më shumë, megjithëse jo fizikisht. E kam fjalën për ato subjekte me një ndjeshmëri të veçantë, dhe për të cilët gjersa të vijë dita e t’ua dëgjosh gjëmën, askush s’merr vesh


196

Lekë Tasi —

gjë për ta, se ç’bluanin në tru deri atëherë dhe ç’valë ankthi u fryhej në kafazin e kraharorit. E tërë masa tjetër, përfshi edhe ata kardiakët me kartelë, në krahasim kanë një aftësi përshtatjeje, kurse këta janë të zbuluar krejt, pa ndonje rrugëdalje për të qenë, dhe nuk është se lypet ndonjë status i lartë shoqëror e kultural për të bërë pjesë në ta, sado që një shije natyrale më e hollë të predisponon pa tjetër. Konkretisht në këtë brigadë ku kam ardhur, punon një ekzemplar i tillë, është një çobankë e re zeshkane e lezetshme, e cila deri para dy tre vjetëve tërhiqte bujshëm vëmendjen e meshkujve tek sheshi i Sektori sa herë dilte në plan, për bukurinë e saj të fantaksur. Qysh atëherë ndodhën ca gjëra. E para, e fejuan në qytet mirëpo tamam në atë moment ajo porsa kishte filluar me një djalë të racës së saj, mjaft të shkathtë dhe të mirë. Prandaj prishi fejesën dhe u rrëmbye me të. Po bëjnë dy - tre vjetë që janë martuar, por fëmija s’u ka ardhur akoma – një periudhë mjaft e shkurtër kjo sipas meje për të justifikuar transformimin e saj të fortë, sepse ajo tani gati nuk njihet, është venitur krejt. Me sa e psikologjis unë nga fytyra dhe sjellja, si dhe nga disa biseda që bën, tani që e njoh më nga afër, mendoj se kemi të bëjmë me një ankth ekzistenical të mirëfilltë, që ka arritur pikën e pjekjes në njëzet vjetët e saj. Edhe në çastet më të çakërdisura në fushë, atëherë kur shoqet e saj harbohen brenda një gëzimi të shfrenuar, kjo mezi vë buzën në gaz. Jo se s’flet e s’qesh fare, por tepër pak, kurse për të diskutuar punë pune hiç fare, rri mënjanë, pak si e harruar, më tepër psherëtin, dhe një ditë e dëgjova që u bëri shoqeve pyetjen që karakterizon kategori më të larta kulturore “pse jetojmë?” tek e cila pa tjetër ka arritur vetë pa ndihmën e askujt. Një ditë që i kalova afër në fushë, mu duk sikur po këndonte me vete. E ndërpreu ndërsa po afrohesha dhe kur e pyeta ç’kënge po thoshte, pashë që kishte zgjedhur një gjë jo fort të njohur, të huaj. Ky veçim nga shija e përgjithshme, e rëndomtë dhe më tepër sentimenti që ndihej në zërin e saj pak të dredhur, mënyra vetë e të kënduarit ma përforcuan këtë përshtypje të ndjeshmërisë së “dënuar” për të cilën fola më lart. Kam vënë re që interesi i zgjohet vetëm kur përmend qytetin ose kur flitet për filma. Ndihet e ndarë mes djalit që do këtu dhe qytetit


Grabjani rrëzë kodrave

197

që ëndërronte, megjithëse unë them se nuk do gjente përmirësim edhe po ti kishte të dyja. E po e këtij tipi pak a shumë është edhe vajza e dytë e Dumëve, gjithmonë e mërzitur, e heshtur, veçse në kushte shumë më të rënda se kjo. Ajo tani vuan nga një rënie (ose mërgim) të dyfishtë, nga Tirana e Re në Myzeqe, dhe nga Myzeqeja ne burg. Kurse shembulli i tretë që më vjen ndër mend tani nga kjo kategori është ajo vajza e bukur në Cermë, e cila paraqet edhe rastin kufizë mund të thuash, meqë e gjeti zgjidhjen para tre vjetësh në një lak litari.

30 Janar 1981 Dimrin po e kalojmë në vija kullimi. Me Qaniun jemi bërë të përditshëm, të pandashëm. Është bujk i lindur, por nuk e lodh veten fort, megjithëse siç thotë shpesh “duhet punë” për të martuar katër vajzat, veç djalit që e ka të parin e fëmijës. E thotë por e harron në çast. Është gazmor, qesh vazhdimisht me të njëjtat shaka, dhe i komenton njësoj. Punëtorët e rinj përfitojnë nga alegria e tij dhe guxojnë të bëjnë shakara të tepruara. Meqë s’punon fort e quajnë dembel ose plak, e provokojnë, por atij s’i bëhet vonë. Më pëlqen se s’ka fare sedër fallco, i duron shakatë, i digjon ato me sy të qeshur pastaj dërgon ndonjë batutë dhe çdo gjë përfundon me një shpërthim gazi të përgjithshëm, ku ka edhe tallje nga ana e tyre; ose i ndjek nga pas çunat nëpër parcelë me një shpejtësi të habitshme. Unë e mbaj mirë muhabetin me të, e digjoj sa mundem edhe me respekt, veçse, siç kam thënë më pengon shqiptimi i tij i shpejtë e me fjalë të ngrëna. Shumë herë mobilizohem ta ndjek me vëmendje, por s’arrij përherë ta kuptoj. Në këto raste kur duhet t’i jap përgjigje, kapem nga ndonjë rrokje më e theksuar që e digjoj qartë, dhe me shpejtësi i bie në të fjalës, duke u orientuar në çast se ç’ka dashur të thotë, ose dhe ia jap përgjigjen me përafërsi, me tahmi. Mirëpo ndonjëherë bie jashtë dhe shpesh ia kam mbytur tjetër për tjetër. Në keto raste ai më vështron në sy dy sekonda pa folur, gati me përçmim dhe ndërron temë.


198

Lekë Tasi —

5 Shkurt 1981 Pamja përreth tani nuk duket kaq ndrydhëse si në fillim. Sidomos kur koha është e kthjellët si këto ditë. Sot, pyjet tek kodrat e Ardenicës dukeshin jashtëzakonisht afër, të qarta dhe si në blu, me një transparence të mrekullueshme. Meleqi më tregonte kur ishim në brigadë për panairin që bëhej atje ditën e Shën Mërisë; edhe Qaniu gjithashtu. Kjo festë e krahinës ka vazhduar deri vonë, deri 20 ose 15 vjet të shkuara. Vinte popull nga tërë Myzeqeja, edhe nga më larg, panairi kishte edhe karakter tregtar, shitej gjë e gjallë, prodhime bujqësore, artikuj artizanati. Familje të tëra vinin që të djeshmen, flinin aty, kishte konakë për këtë qëllim. S’arrij ta përfytyroj! Tani është varfëruar gjithshka, ngushtuar në maksimum! Sot edhe vetëm një ditë të largohesh nga puna, të hiqet veshi. Sa të largëta duken ato kohë... më vjen keq që gjëra kaq të bukura të së kaluarës, të jetë e thënë të shkëputen prej nesh pikërisht në ditët tona, kur do të kishte mundësi të modernizoheshin, me rrugë të reja e lehtësira. E shohim veten rrënjë-dalë e të ngushtuar në të gjitha drejtimet, mu në tokën tonë. Mua personalisht më mblidhet dhe një maraz tjetër; qyteti i origjinës Përmeti, i djegur, i zhdukur me të tëra vendet e kujtimeve, rrugët e prera dhe njerëzit, e vetmja lidhje me to, larg, të mplakur o të vdekur.

1 Mars 1981 Neviti, po ia lë vendin një tjetri, një tipi që është dukur rrallëherë këtej. Për tani janë dy. Kur po kthehej Ylli nga puna, i pa të dy, dhe vazhdoi rrugën drejt, por ai e ndali dhe ia prezantoi të riun (!) pak më i vogël si trup, rrumbullak dhe ai, por bardhosh dhe më i ftohtë. Nuk na afrohet fort në apel, por kur i gjen të internuarit në Lushnjë, më thanë, i ndalon edhe pse me leje dhe i pyet me një ton shumë kërkues pse kanë dalë.


Grabjani rrëzë kodrave

199

15 Mars 1981 Komshiu ynë, Qazimi, doli në pension. Vajti në Tiranë me leje për të bërë dokumentet dhe sipas të ardhurave të regjistruara duhet ti dilte mbi 5500. ndërsa këtu i doli 3500. Veproi në këtë rast ligji sipas të cilit të internuarit dhe ish të burgosurit nuk mund të marrin asnjë lek mbi këtë shifër, edhe sikur ministra të kenë qënë më parë.

1 Prill 1981 Jemi si në fshat! Do të thuash, në fshat je... Jo! Ky nuk është fshati që dija, që e dinim të gjithë, po nganjëherë ngjan me fshat.. I hyn një rruge të ngushtë: nuk të pret era e kokërdhive, e barit të thatë, si atëherë në fëmininë tonë. Mund të thuash emblematikisht që asaj ere, si edhe asaj përzierje erërash fshatarake të çajit të malit, pelinit, të ftonjve që vareshin në trarët e tavanit, të borzilokut e të nenexhikut e plot të tjerave, ia ka zënë vendin plotësisht kundërmimi i vajgurit të djegur të furnellave. Nuk të digjon veshi një pallmë gomari a lope. Jo! Të tilla s’ka! Megjithatë, pjergulla ka, kopshtet punohen dhe tani ka filluar të ngrihet edhe ndonjë shtëpi private, si përpara. Qëkur u zhdukën sinoret në fushë dhe u shtetëzuan arat, vreshtat, fshatarët u gëzohen atyre pak metrave katrore që u kanë mbetur rreth shtëpive. I punojnë, i mbjellin dhe disa ua kanë parë hajrin mjaft për kohën që jetojnë. Por shumica nuk i kanë as ato, sepse siç dihet, 70 përqind e tyre banojnë në pallate shtetërore, dhe tani s’u lejohet të thurrin jashtë apartamentit ndonjë copë për të qenë, kanë filluar të mbajnë vetëm pak metra për dru, edhe ato me frikë. Të rrish midis dy banesave të tilla, të quajtura pallate, të duket vetja si në rrugë të periferisë më të mjerë të qyteteve. Toka e lagur, e nxirë nga ujrat që hidhen, dhe jashtë dritareve, skela prej dërrase me tela, për të varur levere, shkallët të errëta si zgavra... Por ata që kanë shtëpi të vetat siç thashë, kanë kopshte me pemë, mbajnë lepuj, kotece pulash e rosash etj. Pulat qarkullojnë kudo, bëjnë vezë dhe shtojnë mirë në peshë, sepse lëmin e kanë afër dhe qerret,


200

Lekë Tasi —

makinat që hyjnë e dalin, e mbushin vendin me ushqim. Veçse çunat, ata më horrat, që janë të shumtë, i vrasin me llastika për ti ngrënë meze. Kam dëgjuar që në këtë refenè të tyre me pula të vjedhura, marrin pjesë edhe agronomë. Sepse, në fakt, nuk është faj ose turp të hash mallin privat, tinëz qoftë ose haptas. Kur vjen koha e grurit, kjo luftë del sheshit, përligjet. Çdo behar mund të shohish rregullisht një pulë private të vrarë, varur në mes të lëmit pranë parrullës ‘Gëzuar bukën e re!” si një trofe që sektori socialist ia ka fituar rivalit të tij të pagojë. Askujt s’ia mban të ankohet, më përjashtim të një gruaje të fortë që është në parti, Gore emri i saj, dhe i mbron pulat e zogat e saj me forcë të madhe goje. Shumë më ilegale se pulat para disa vjetëve kanë qënë patat, si më të mëdha që janë. U bë një luftë e gjatë nga Sektori që të hiqeshin, kishte një armiqësi të habitshme kundra tyre (“Lufta e Patave” mund të thuash), por për ca vjet pa rezultat. Sepse të vegjëlit merrnin guxim nga të mëdhenjtë, ca zyrtarë, të cilët mbanin vetë pata. “Gjersa s’i heqin ata, do ti mbajmë edhe ne”. Tani janë zhdukur, s’ka më askush, por në fillim kur erdhëm ishin vërtet shumë. I shihje kudo, të rritura e të ushqyera mirë (në fakt ato të zgjidhnin problemin e mishit!), fluturonin në kuotë të ultë mu në sheshin e Sektorit, bënin ga –ga dhe shpesh ti duhej të ndërprisje fjalën me shokun gjersa të mbaronin ato. Ndokush që ka djalë për të martuar, mban edhe viç, gjysëm fshehurazi. Kjo nuk vonon të merret vesh, por askush nuk shqetësohet urgjentisht (ose edhe ndonjë dash) sepse të gjithë e dinë që e ka për dasmë, e mban për ta therrur; ta kishte për meshqerre (pa le lopë!) do të ishte ndryshe, atëherë duhej parë pun’ e tij, sidomos në këtë shtrëngim të tufëzimit që mbështillet përditë e më shumë. Kam thënë që Sektori është i futur në një gji kodre. Nga ana e fushës ndodhen stallat e derrave, lëmi, ofiçina, depot e plehut, karburanti dhe lart mbi karburant depoja e armëve. Kjo është qendra e çdo aktiviteti ushtarak. Disa herë në vit por jo në periudha të caktuara, bie boria dhe mblidhen burrat atje për të bërë zborin. Jo vetëm burrat, por edhe gratë. Edhe këto vishen me rroba ushtarake, rrinë aty me ditë të tëra duke dëgjuar leksione dhe duke u stërvitur, ose dalin në marshim o për qitje. Kur nisem në mëngjes për punë, ato më vijnë përballë në drejtim të kundërt. Janë mbledhur që herët dhe tani zbresin q’andej në njësh kollonë. Ndonjëra prej tyre më


Grabjani rrëzë kodrave

201

shikon nga lart poshtë, me një farë përçmimi klasor. Mbajnë kapelë dhe uniformë, por u bie mjaft rëndësia kur i sheh që kanë pushkë prej druri. Veç kësaj, gati të gjitha janë me sandale plastike ngjyrash të ndryshme, ndonjëra edhe me barrë... Këto janë nga ana e fushës. Në drejtim të përkundërt, dmth nga ana e kodrave të pyllëzuara, hapen lagjet përdhese të fshatit, në formën e fletës së hardhisë. Te sheshi i Sektorit, sa kalon dyqanin e ushqimeve nga ana e djathtë dhe çerdhen e fëmijëve nga e majta, futesh në dy zona me rrugicë të përdredhura ku ka banesa të vogla. Në fundin e këtyre dy degëve ndodhet nga një rezervuar i shterruar, të ngjeshur të dy tek sqetullat e kodrës. Përposh digave të tyre ka shtëpi të vogla me bahçe. Pronarët e tyre janë të gjithë të ardhur, kurse vendasit janë një pakicë. Të ardhurit i kanë hyrë ndërtimit gati provizorisht, me hunj të ngulur e duke përdorur kallamin për çatmà dhe baltën për mbushje. Megjithatë, kush ka këmbëngulur të qëndrojë aty, duke mos kërkuar apartament, por edhe ai që i është refuzuar ky, e ka fituar davanë. Me kohë e ka zëvendësuar kasollen me një shtëpi prej tulle, ose e ka meremetuar edhe për njëzet vjet të tjera duke ngulur shtylla të reja në vend të atyre të kalburave, si dhe duke i hedhur një suvà të re. Disa janë treguar vërtet parashikues qysh në fillim, duke mbjellë plepa që ti kenë për lëndë, dhe ca më mirë pjergulla! U është dashur të luftojnë me tundimin e provizoritetit, me shpresën për të ikur nesër, pasnesër, që i ngacmonte të mos lëshonin rrënjë, meqë një pjesë e madhe e tyre kanë qënë të prurë me zor. Por sot janë shtruar. Kanë secili nga një vresht, paçka se fare të vogël, pa llogaritur kopshtin e perimeve, pemët dhe pulat. Kurse ata që morën hyrje në ndërtesat shtetërore, u gëzuan në fillim, por tani i shikojnë me një farë pengu këto “çifliqe” të vogla të shokëve dhe janë penduar që u gënjyen nga vështirësitë e nisjes, e hynë në ato apartamente ku tjetri përgjon nga dritarja dhe të rregjistron kush hyn e kush del. Për të mos mbetur pa gjë, edhe këta mbollën gjysëm ilegalisht një o dy pjergulla nën dritare, por me heqjen e gardheve tani, rrezik t’ua vjelin bota. Nga ana tjetër, këta janë më të zhvilluar me rritjen e bletës, por në copa toke të rrezikuara. Në të ardhurit ekziston ky dallim: një palë janë ish të internuarit dhe ata që kanë ardhur thjesht të shpërngulur, por ka dhe nga ata që


202

Lekë Tasi —

kanë ardhur vetë. Ish të internuarit janë më mirë se ne të internuarit aktualë, por më mirë se këta janë ish të shpërngulurit. Këta të fundit, pavarësisht se kanë ndonjë kleçkë, mbeten anëtarë të Frontit, dhe kjo ka rëndësi, aq sa ndonjëherë, për të mbrojtur këtë anëtarësi tregohen të egër ndaj të tjerëve që s’e kanë. Se sa shumë mund të ndikojë kjo, do ta ilustroj me dy shembuj, që i marr nga kategoria e të dënuarve me gjyq, por me origjinë të ndryshme: komunist njëri dhe armik tjetri. Një familje nga kategoria e parë përbëhej nga tre vëllezërit Tarelli. Më të voglin e burgosën që në fshat (Devoll). Dy të tjerët i prunë këtu. Me punë e kursim të fortë, ata ngritën shtëpi secili. I madhi nuk arriti ta mbarojë, vdiq tamam nga lodhja. Për ta ndihmuar të shoqen, që mbeti e ve, kolektivi i ustallarëve i hodhën çatinë falas. Mirëpo ajo s’qe në gjendje të banonte në të. E shiti dhe vazhdoi në kasollen e vjetër. Ia bleu e vjehrra, një plakë e thyer në mes, që s’donte të vdiste pa iu kthyer i biri nga burgu. Ky u vonua shumë se kishte për të bërë 20 vjet plot. Më në fund doli, dhe hyri në shtëpi ku edhe është martuar. Jam njohur me të. Atje në fshat ka qënë mësues, dhe si komunist e kishin vënë edhe anëtar këshilli. Por megjithëse djal i ri, iu caktua roli të jetë kryetar i grupit të Devollit, atij komploti fiktiv anti – parti që u kurdis atëherë për të vrarë disa me qëllim terrori, dhe për larguar ca fshatra nga kufiri. Tani po suvaton shtëpinë që i siguroi e ëma, meqë nëpër kampe mësoi mirë zanatin e muratorit. Drejtoria e kampit të fundit e kishte me sy të mirë, dhe kur u lirua i ofroi ta mbante me rrogë në qytet. Mirëpo gjesti që bëri e ëma e lidhi përfundimisht këtu. Sado i munduar fati i këtij më të riut nga vëllazëria, familjen në tërësi mund ta quash mjaft të begatshme, të mëkëmbur, meqë vëllait të mesëm i ka ecur mbarë sa për tre. Me tre djem të martuar, me bahçe e shtëpi të madhe gjashtë dhomëshe. Dhe kjo mirëqënie del edhe më në pah kur bën krahasimin me familjen tjetër (Kalaja), një përqasje që na detyron si të thuash të bëjmë një kthesë nga e djathta. Edhe kjo nga Devolli, (konkretisht nga Zëmblaku), edhe ajo e përbërë nga tre vëllezër dhe me të tretin në burg, i liruar edhe ai tani vonë mbas 18 vjetësh dënimi. Babanë, si fshatar të pasur, ua kanë ekzekutuar në ’46-ën me akuzën që i kishte vënë flakën një mullari (që në fakt e kish djegur këshilli me kast). E varën në mes të fshatit, familja u hoq andej dhe mbas peripecish të shumta përfundoi këtu. Dallohen të


Grabjani rrëzë kodrave

203

tre për fytyrat e tyre tërë relieve, si skulptura, por janë tejet te vuajtur, të përndjekur (pikërisht këtu e kam fjalën për krahasimin) sepse është ndofta lodhja që ua ka bërë ato faqe të thelluara duke theksuar në maksimum efektin skulpturor. Praktikisht mjafton të thuash kaq, që i madhi i tyre ka katër vajza të rritura dhe banon në një dhomë me aneks! Vëllai i liruar e ka ngushtuar edhe më. Pallatet fillohen e mbarohen po për të nuk ka zgjerim! Me këta dy shembuj, mund të nxjerrësh përfundimin se në mes të deportuarve ka dallime të forta, sepse partia e vazhdon luftën e klasave pa pushim ndaj kategorisë së pronarëve që i quan armiq kurse pjesës me origjinë komuniste se paku ‘ua ruan kockën”.

1 Maj 1981 Qaniu ka fejuar vajzën në malësi të Gramshit, por e ka bërë me kusht që te vijë dhëndri këtu, siç kanë bërë disa me dhëndurët e tyre. Ky kusht nuk është se u pranua me vështirësi nga familja e krushkut të tij, përkundrazi u erdhi si një fat i madh, meqë atje në kooperativë heqin keq, dhe të kishte mundësi do të martoheshin të gjithë këtu për tu shkulur me rrënjë andej. Për ta lehtësuar këtë ardhje, Qaniu i ka vënë të dy të fejuarit të bëjnë celebrimin dhe pa e bërë dasmën akoma e ka marrë dhëndrin në një shtëpi miku këtu, dhe po bën përpjekje në këshill që ta fusë në punë. Mirëpo këtu ka ngecur puna. Ajo e fuqisë punëtore, tamam se e sheh në hall të madh nuk do. Ndofta i kërkon rryshfet. Qaniu mi tregon përditë hallet e tij kur shkojmë në punë ose në pushimin e drekës. Ia dëgjoj me durim planet që bën, llogaritë, grindjet e përditshme në këshill e në lokalitet (po filanit pse ia bëtë, apo se ka futur mikun? Etj etj). Dhe më kthehet prapë i nxehur : “S’ka ku të rrijë, ku të rrijë? S’ka ku të rrijë!” Për tia arritur qëllimit, është gati të përdorë çdo taktikë, mirëpo oportunizmi i tij ka një defekt të madh: ngutjen. Është i paduruar, e do rezultatin e ndërhyrjeve të miqve (ose edhe të rryshfetit) aty për aty, sa që më tepër prish punë se ndreq. Është grindur me të gjithë. Këto ditë ka qënë te krushku në malësi, dhe muhabeti i tij me mua tërë ditën ka për temën qyfyret që u thoshte atje. Është tip patriarkal me atë bujarinë e vjetër dhe me atë “inat” për ta kthyer dyfish këtu


204

Lekë Tasi —

mikpritjen që i bënë atje (njolla më e rëndë sipas tij, për një familje, është të bëjë dasmë të vogël). Por njëkohësisht këtë garë bujarie e zhvillon me një lloj harbutërie provokuese, që i shërben për të ntrashur miqësinë. P.sh atje, që të thyente akullin me miqtë e rinj, u bënte shakara të guximshme, tregohej gjoja i pakënaqur duke pretenduar më shumë. I thoshte krushkut “dua mish”, “pse me këtë gjel do të më gënjeni?”. Në fytyrën e tij duket që larg prirja e vazhdueshme për shaka të tilla. Pastaj, kur i vjen rradha të bëhet serioz, të kënaq me një gravitet prej kalamani. Më pëlqen natyrshmëria e tij aq sa nganjëherë më vjen ta përqafoj ose ta kap nga faqet, sepse spontaneiteti i tij total, zemërbardhësia e tij, tipike për popullin tonë, të bën për vete. Sot kur po kalonim anës një parcele të brigadës fqinje që e drejton një grua e afërt me Gurin duke e parë grurin me ngjyrë të errët, tha pa pasur as më të voglin qëllim për të bërë shaka “Paska grurë të mirë kjo “shurra”. Por kur ecëm edhe nja 10 minuta të mira (parcela ishte gati një kilometër) e unë i përsërita këtë fjalë me një intonacion tjetër, vetëm atëherë ai e kuptoi që kishte thënë një shaka dhe filloi të qeshte me të madhe...

9 Maj 1981 Periudha postTito, për të cilën prej kohësh flitnin radiot dhe gazetat e Evropës, filloi! E filloi Kosova! Në pjacë! Dhe me gjak! Kur mendoj fatin e Kosovës, dhe çdo gjë të sajën, më përfytyrohet si fati i dy vëllezërve nga të cilët njëri rri brenda në shtëpi, me dyer e dritare të mbërthyera, ndërsa tjetri përplaset e lufton në oborr, por pa njeri që ta mbrojë nga shpatullat. Dhe më mbetet pyetja pse s’del ky vëllai i brendshëm? ...Nga se vuan i ngrati, që ka atë çehre të mbaruar, pa gjak fare?

10 Qershor 1981 Nëna e Bardhit vdiq. Ishte një grua e madhe, e bëshme dhe e pashme. E kam thënë që nuk ngrihej kurrë nga shtrati, prej vitesh, por nga shëndeti nuk kishte ndjerë kurrë gjë shqetësuese.


Grabjani rrëzë kodrave

205

Kur rrinte ashtu e mbështetur në shtatë a tetë jastëkë, e heshtur, dukej autoritare dhe bile e rreptë, por kur fillonte të fliste, merrte përnjëherësh një shprehje të tillë ëmbëlsie e mirësjelljeje që të befasonte, sa që unë në ato momente mendoja me vete se ç’do të ndodhte në atë fytyrë kur të nxehej ose të zemërohej. I thoja mirëmbrëma, e pyesja për shëndetin dhe pastaj gjatë vizitës nuk guxoja ta vështronja më, sepse nuk dija ç’mund t’i thuhej më një monumenti të tillë madhështor që rrinte pa lëvizur dhe vetëm rrallë jepte urdhëra njerëzve të shtëpisë me shenja. Megjithëse e vuri përpara të bijën me një dhimbje të heshtur e pa lot, dhe dukej plotësisht antiteza e saj nga pamja – e madhe dhe e fortë kjo, e dobët dhe e zbehtë e delikate ajo u desh vetëm një e ftohur e thjeshtë për ta fshirë brenda tri ditëve. Dje u bë varrimi. U mblodhën përsëri po ata njerëz, shumicën e të cilëve deri para pak kohe nuk i njihja, ose ua kisha digjuar vetëm emrat. Varrimi i Bujës vjet më dha rastin t’i njoh sëpari. Si atëherë, edhe mbrëmë e gdhimë, kështu i njoha më nga afër. Kur ishim në Tiranë, emrat e tyre tingëllonin si nga brendësia e një sfere të mjegullt e internim-burgut, por edhe e arratisjeve, e ardhjeve të fshehta. I lidhja në një farë mënyre me botën matanë. Ka qënë vetëm një shoqërim i thjeshtë në trurin tim, ngaqë për çdo njërin prej tyre këtu, ke një baba ose një vëlla jashtë. Kështu “shkëlqimi” i atyre atje u vinte pakëz edhe këtyre. Në fakt është e kundërta. Nuk ka kategori më të largëta me njëra-tjetrën se këto të dyja, ata jashtë fare, këta brenda dhe thellë, as me letra nuk lidhen më mes tyre, disa bile as i dinë njerëzit e tyre i kanë gjallë a jo. Kur i njoha nga afër, ai ndijim iluzor që thashë, u zhduk menjëherë. Duart që shtrëngova, duar të regjura punëtori, fytyrat dhe gjithçka e tyre ma riformuan në çast portretin e tyre. Janë të gjithë të përqendruar tek e tashmja, te puna, te problemet konkrete, disi madje, më të rinjtë, flasin dialektin e këtushëm ose e kanë zbutur mjaft atë të origjinës. As që mora guximin t’u hap biseda të tjera, unë që në 75-ën kur erdha sefte, u gatita të regjistroj një për një historitë e tyre. S’ishte as vendi as rasti, dhe veç kësaj më mungonte edhe konfidenca për tu hapur. Nëse do të shkruaj ndonjëherë diçka për ta, kjo do të jetë kur të ma sjellë rasti, ashtu vetiu.


206

Lekë Tasi —

12 Korrik 1981 Çdo behar sjellin aksionistë. Më përpara i strehonin në kino-klub, tani kanë ndërtuar një konvikt tre-katësh me një mensë të madhe në katin e parë enkas për këto raste. Sivjet e kanë rradhën dy klasa të Universitetit. Punojnë afër nesh, por shoh një ndryshim në sjelljen e studentëve; më të shpenguar më duken se vjet. Ndihet një kohë e re. Mbasditeve kalojnë afër vendit të apelit dhe disa vajza aksioniste janë përzier me ndonjë ish të njohurën e tyre që bën pjesë aty, kurse disa të tjera kur ktheheshin nga fusha me kamion, këndonin këngë revolucionare dhe na hidhnin shikime përçmues.

16 Korrik 1981 Sot u lexua rezolucionin i Pleniumit të X. Ishim tek lugjet e vaditjes në pushimin e drekës. Përmban disa gjëra të mira, njëfarë nxitje drejt teknokratizimit, porosit t’u digjohet fjala specialistëve (organet e partisë të bëjnë siç thonë ata etj). Po të jetë se i vënë në jetë, del vetiu që praktikisht do të shfuqizohet parulla “Politika në plan të parë” dhe kështu mund të ketë ndryshime. Por aty ndodhi një gjë interesante. Gazetën e lexonte agronomi, dhe si u lodh, i tha Peçit (vëllait të ish kryetarit të këshillit) të vazhdojë. Për çudinë e të gjithëve, ai s’pranoi. Të tërë punëtorët që bënin muhabet nën zë, e prenë si me thikë dhe u bë heshtje. Kujtimi (agronomi) e vështroi i skandalizuar Peçin. ‘Si the? Nuk do ta lexosh?’ - tha i habitur dhe insistonte t’ia mbante gazetën para syve. Ai s’u tund fare. U ngrit një tjetër dhe vazhdoi leximin, por sidoqoftë incidenti bëri përshtypje se nuk i thonë shaka të mos përfillësh dokumentin e partisë. Ky djalë më ka pëlqyer gjithmone, nuk ia ul kokën atyre të partisë, nganjëherë tallet me ta, dhe sidomos spiunat i urren.

20 Korrik 1981 Jemi në stinën e gjatë dhe gjakndezur të shatës. Kur fillon rreshtin e parë në prashitje takon të jesh edhe i qetë, dhe


Grabjani rrëzë kodrave

207

sheh që puna të ka ecur mirë, por kjo është shumë e rrallë. Më tepër je i paduruar, dhe kështu të bëhet sikur mbete prapa shokëve... E tillë është natyra e punës: “Sa kam bërë? Sa vajti ora? Mos jam vonë?“ këto janë pyetjet që të shoqërojnë gjithë ditën. Shqetësohesh, shpejton ritmin dhe në bisht të syrit shikon shokët rrotull. Rreshti që ke përpara është i gjatë, të ngjan edhe më i gjatë sepse e ke mendjen aty. Përveç kësaj, nuk e heq dot mendjen nga rreshtat që të shpëtuan nga dora në mëngjes, kur u nda puna. Ah! Të kisha zënë atje përtej mendon me vete duke punuar, dhe rri duke krahasuar rreshtat e tu, ashtu si çfaqen rrugës, të mirë ose më të këqij me ata të tjetrit pranë, sepse rreshtat e tij mund të ishin të tu të po të ishe treguar ti më i shkathët në ndarjen që u bë. Ose, nga fundi i rreshtit, kur sheh barin që i del shokut, gëzohesh që të tutë s’kanë por mërzitesh që ky tjetri në krahun e majtë ecën më shpejt se e ka më të butë tokën. Me një fjalë prashitësi bëhet si fëmia që nuk kënaqet me lodrën që i dhanë sepse lakmon atë të të tjetrit që është më e bukur ose gjithsesi e ndryshme. Si do që të jetë puna, i gëzuar ose i penduar, atij një mendim do t’ja zërë patjetër trurin, se edhe me rreshta fare të mirë të ndjek lakmia të bësh sa më shumë. Ngre kokën për të marrë frymë dhe sheh tjetrin që edhe ai po ti shikon rreshtat me po të njëjtin sy. Një i tretë më tutje punon me ngulm se ha inat me shokun pranë, ose, mbasi lodhet, bën sikur s’e ka mendjen tek gara sepse e di që e ka të humbur. Pastaj kur rivali shkon të pijë ujë, e dëndëson shatën që ta arrijë. E tillë është prashitja. Të mban vazhdimisht në tension dhe them se më shumë se çdo proçes tjetër, aty punëtorët tendosen shpirtërisht. Në mëngjes i tërë ovrati tejendanë parcelës është një aradhë e gjatë me punëtorë, burra e gra. Në orën shtatë ata nisin punën së bashku, si me një sinjal, avancojnë të gjithë rëndë si guri i mullirit që nis së pari punën, dhe të duken si një zinxhir i gjallë që në të gjithë hallkat që e përbëjnë nxjerr dhëmbët e tij që shkëlqejnë në diell. Shatat punojnë me ritëm të njëjtë, tërë vrull të freskët, por me të kaluar ora e parë, simetria është prishur, hallkat më të forta, djemtë e rinj dalin me muskujt të tendosur, ngrenë e ngulin shatat më shpejt, me forcën e një pistoni. Ka inatçinj të moshave të ndryshme që u qepen pas dhe mbrapa tyre vjen masa si një kurbë tani e lakuar shumë, me cmirat e asaj të vogla , njëri


208

Lekë Tasi —

për tjetrin (ose njëra për tjetrën), si e si ta arrijnë ose ti afrohen shokut, shoqes, ose ta kalojnë; ka djem qe ulin ritmin në mënyrë që një dembele e bukur ti arrijë, së paku për një copë rrugë bashkë. Po ta shohësh nga lart varganin e gjatë të punëtorëve të ngjet me një vemje të madhe që përdridhet në sfondin e gjelbër të tokës dhe lë mbrapa leskrat e saj që s‘i duhen më, një triko këtu, një këmishë atje. Me diellin që ngrihet, trupat çvishen, muskujt shkëlqejnë nga djersa. Si kalon dhe një orë tjetër, rreshti është shkatërruar krejt, dhe tani në pika të ndryshme të parcelës sheh punëtorë që punojnë në të dy drejtimet. Mendjet e tyre bluajnë sekush llogaritë e veta, sa ka bërë, sa mund të bëjë, sa lek bëjnë kaq rreshta, po kaq, sa? Kokat e mbuluara me shami të grave, trupat e nxirë të burrave, duart e buta të vajzave nuk i ndahen rrjeshtit. Të gjithë lëvizin ritmikisht, të përkulur dhe njkohësisht mendojnë... Njeriu i papunë këtu është tamam i tepërt. Ai është i lirë të ikë e të gëzojë gjetkë lirinë e ti, të vejë në Lushnjë ose në Sektor të mbarojë punët e tij, të hajë drekë dhe të flejë gjatë, të rrijë kot ose të lozë domino në shesh sa të mërzitet, të shohë diellin që ulet ngadalë. Dhe kur të vijë përsëri këtu do ti gjejë punëtorët përsëri ashtu si i la, të përkulur mbi shatin me të vetmin ndryshim se rreshtat kanë ndërruar ngjyrë, nga të gjelbra e të kafenjta në të zeza. Ndonjëherë puntori drejton shpinën duke u shtrembëruar në fytyrë nga dhembja e mesit. Lodhja është e fshehtë dhe të del përnjëherësh. Masdite vonë disa ulen në shesh papritmas, aty ku ndodhen. Ndezin një cigare por edhe vështrojnë prapa punën e bërë me një hije shqetësimi në sy se mos u dalë ndonjë telash në matje, për një bar të lënë tek tuk. Tani që ulet dielli të gjithë pyesin njëri-tjetrin “do bësh më?”, por përgjigjet janë evazive, pa sinqeritet. Gratë sidomos, asnjëra nuk do që të mbetet prapa shoqeve, dhe shpesh ndodh që kur shumica kanë mbaruar dhe matin punën, ose dhe janë duke u nisur me trasta dhe shata në krah, një çobankë e palodhur nis një rresht të ri me goditje të shpejta, për të bërë një më tepër nga shoqet ose për mos mbetur pa bërë edhe ajo sa ato.


Grabjani rrëzë kodrave

209

23 Korrik ‚81 Gjumë Prashitim pambuk në një brigadë të largët andej nga Pluku. Vajtëm herët dhe s’po vinte brigadieri a ndonjë agronom të na caktonte parcelën ku do fillonim. Kisha rastin të flija nën hijen e një kapuli thasësh me nitrat, por s’më linin punëtorët që kalonin dhe hidhnin fjalë që më shihnin shtrirë qysh në atë orë. S’mjaftonte që isha në punën time dhe në një pikë të humbur të fushës, por duhej që edhe opinioni të ma qaste gjumin. U grumbulluan mjaft dhe kështu u çova. Të prishësh gjumin e mëngjesit është e rëndë, kudo që të jesh. Me mundim qëndrova në këmbë se më merreshin mendtë dhe më rrinin sytë mbyllur. Është behar, çohemi që para orës pesë. Duke ecur rrugës na zë gjumi. Them se të kisha një gjë ku të mbështetem, nje shpatull shoku ose një anë qerreje të ngadalëshme do të flinja vërtet, edhe duke ecur! Por, kur fillon punën, kjo përgjumje të ikën shpejt, dhe trupi fiton freskinë bashkë me lodhjen përsëri, e cila shtohet si një rezervë që në të vërtetë nuk shterron kurrë, e gatshme të të këputë në gjumë posa të rrish pak pushim. Kur më takon të rri në shtëpi, një ditë të diel, gjë e rrallë tani në verë, unë sëmurem, dhe shkaku është prishja e këtij ekuilibri. E thonë të gjithë: Jemi të sëmurë të dielave! Sepse sigurisht, edhe ata i fusin nja dy-tri orë gjumë tepër, kurse trupi do ndofta do edhe dy-tri javë pushim që të vijë në vete. (Por çudia më e madhe është kur marr vesh, se edhe disa punëtorë që i di prej çeliku renkojnë natën nga dhimbja trupit dhe e duarve). Por lodhja nuk është vetëm e trupit, muskujve; kemi të bëjmë me një kapitje më të plotë, nervore, morale, shpirtërore, nga grindjet, nga shqetësimet e vazhdueshme dhe sidomos nga zhurma. Ajo që shpresova në fillim se do të gjeja një fshat të humbur, nga ato të kohës së vjetër (e kam fjalën ku gjymi tingëllon me një jehonë të ëmbël kur e mbështet në tokë, mbrënda qetësisë së mëhallës dhe ku një e lehur e largët natën të kujton rrugët e shkreta nën yje) nuk mu vërtetua. Ky është më tepër një sektor agro-industrial prodhimi, me lëmin në mes, gjenerator zhurme nga motorrat e tharjes dhe nga makinat që venë e vijnë në çdo orë. Qysh se ngrihesh në mëngjes dhe del në plan, dhe autobuzat përreth mbushen e ngjishen me shamatë e zallahi, që atë çast je futur në një luftë


210

Lekë Tasi —

të vazhdueshme që s’rresht tërë ditën, derisa të të vijë ora të biesh në shtrat natën vonë. Këtë ethe nuk e ndjejmë vetëm ne ish qytetarët, të pamësuarit po themi. Kam parë edhe gra fshatare që humbasin toruan tek rradha e dyqanit (njërën nga Qeroset, një meso grua e zuri një e qarë nervore një ditë në mes të njerëzve). Më bëri përshtypje edhe një fjalë e Lonit, punëtorit më të fortë ndër të internuarit, dhe një ndër më të fortët në tërë Sektorin, atij që me gjallërinë dhe shakarat që bën, e sidomos me zërin e tij kumbues, që mbulon një kombajnë, mund ta marrësh me shumë të drejtë si të “aklimatizuar”. Ndofta nuk kam të drejtë të habitem dhe kaq sepse ai ka parë shumë mundime në jetën e tij veç internimit 15 vjeçar; puna është se më tha një ditë “Dua të më lënë vetëm fare, të iki larg familjes, larg çdo gjëje, andej nga pyjet e fshatit tim dhe të mos shoh njeri të gjallë për tre muaj, dhe prapë nuk di a bëhem njeri…”

25 Korrik ‚81 Dyqani i zazavateve u hoq andej. Kanë ndërtuar një të ri prej dërrase, të ndarë në dy pjesë, që të tregëtojnë dy shitëse njëkohësisht. Kjo është një gjë e mirë. Mund të lehtësohet blerja. Vetëm se qysh në projekt kanë harruar dy gjëra me rëndësi, strehën për tu mbrojtur nga shiu në dimër ata që do të presin aty jashtë, dhe tendën për të mos i zënë dielli po ata në verë. Pak kohë ka që filloi nga puna dhe ato mungesa ranë në sy menjëherë, sepse, megjithëse me dy shitëse, prapë njerëzit grumbullohen jashtë. Në fakt nuk duhen dyqanet dhe shitësat, duhet malli dhe shitja në çdo orë. Dritaret i ka me shufra hekuri nga jashtë, në këtë janë treguar parashikues, jo vetëm se ato e ruajnë nga ndonjë vjedhje por më tepër se mbrojnë xhamat nga brrylat e atyre që do të luftojnë aty. Furnizimi nga jashtë i mallit vazhdon të bëhet në kohën kur më tepër ka kërkesa për tu shitur. Kështu sa të shkarkohet malli dhe të merret në dorëzim, rradha formohet deri tek cepi. Mua më është krijuar një neveri mendore për gjithshka që ka të bëjë me këto gjëra. Kur kthehem nga puna, uroj të mos kenë ardhur patate ose qepë (që mungojnë prej javësh), por s’më vlen. Kur ato vijnë, dua s’dua, marr trastën dhe nisem si i dënuari. E di që do ta kaloj mbrëmjen


Grabjani rrëzë kodrave

211

aty.

Hapësira para banakut është e ngushtë, mbushet e tëra. Djemtë e rinj dhe ndonjë i papunë futen për të mbajtur sehir. Që të hysh tek dera, duhet të lëvizin ata që janë mbrapa saj. Hyj, zë rradhën dhe pres.

26 Korrik 1981 Thomait po i ndodhin ca ngatërresa. Brigadieri që organizoi hedhjen e gurëve, kohët e fundit, si vegël e Degës që është, po merr mbi vete shumë gjynahe. Për shkakun e tij tani së fundi, Thomai nuk del në punë. Unë e kisha dëgjuar këtë mesele por vagët. Dje po prisnim të dy me Thomanë te rradha e vajgurit dhe ma tregoi. Ky brigadier, harixhi por i bardhë nga lëkura dhe sekretar partie, i shtyrë nga dikush, sigurisht nga veglat e Degës këtu, kishte yshtur disa punëtorë, mes tyre dhe një anëtar partie, por njeri i leshtë, që të deklaronin në mbledhje se Thomai i nxiste të kundërshtojnë urdhrat e Sektorit dhe të bëjnë punë sabotuese. Këta nuk u treguan fort të gatshëm për të vepruar kështu, bilè vajtën e sinjalizuan Thomanë larg e larg. Thomai nuk u mjaftua me kaq; fjalë pas fjale ua nxorri krejt këtë prapaskenë që po gatitej nëpërmjet tyre. Por nuk ua mbushi mendjen që të venë ta denoncojnë (“Nuk u shkon mendja – më tha – që ky quhet grupazh, rrezikojnë edhe veten e tyre”) . Kjo vigjilencë e fortë e Thomait, megjithëse mund të duket e tepëruar, është plotësisht e justifikuar sepse në këta 15 vjet që ndodhet këtu i kanë bërë lloj-lloj provokimesh – mikrofona në dritare, përgjime, shpifje etj – kështu që i shkon mendja tani mos fushata po arrin kulmin dhe duan të gjejnë një sebep përfundimtar për t’ia kthyer internimin në burg. Prandaj, përveç mosparaqitjes në punë, në formë proteste të hapur, ai e ka bërë çështje me një letër dhe ngul këmbë se nuk do të dalë në punë gjersa të sqarohet kjo kurdisje. Ai është i mendimit që këto janë inisiativa të Degës së Lushnjës, prandaj duhen denoncuar në Ministri për t’ua prerë hovin. Gjatë internimit të tij të gjatë ai i ka shkruar Kadri Hazbiut për gjëra të tilla duke i thënë “mi hiq këto hafije”. Kanë qënë kolegë deri në ’48-ën dhe mendja ia do që ai ta lehtësonte shokun e vjetër nga këto bezdira. Mirëpo lojrat pezullohen ca kohë, dhe mbas pak rifillojnë.


212

Lekë Tasi —

27 Korrik 1981 Puna kolektive dhe ajo veç Sot ishim në prashtije pambuku te Sofia, lart mbi stallat. Taracat janë herë të ngushta herë zgjerohen sipas pjerrësisë së kodrës. U rreshtuam tamam si ata që do të vrapojnë në pistë, secili në rreshtin e vet. Më ra grupi të jem me të rinjtë e brigadës. Filloi puna me shakara dhe të qeshura dhe vazhduan kështu ndonjë orë. Pastaj erdhi Sofia dhe na ktheu mbrapsh për punë të keqe. Çunat e shanë nëpër dhëmbë dhe i hodhën kazmat për një copë herë. Vetvetiu puna u paralizua sepse kur punon në kolektiv je si në një avelmend, s’bën dot pa të tjerët. Zura një hije qershie dhe prita çdo të bëhej. Në raste të tilla unë mbaj qëndrim pasiv; si të vendosin ata, ashtu do të jetë edhe për mua. Kaq vjet që jam këtu, nuk bëj asgjë për ti ndikuar të tjerët, në askurrgjë, a thua se dita e sotme s’ka të bëjë me pagën që do të marr në fund të muajit. Bilé më gëzon çdo pezullim, p.sh shiu që bie, ose ndonjë anullim plani në favor të pritjes. Shkoj në fushë vetëm se duhet shkuar, punoj me tërë fuqitë dhe pa hile të ndërgjegjshme, por kur del ndonjë pengesë e pres me një lloj fatalizmi të gëzuar, sikur të më ish kërkuar pjesëmarrja në një angari, dhe ky pezullim të më ardhkësh si shpërblim për zemrën e rëndë me të cilën e prita... Puna ndryshon kur punoj si individ, dmth veç të tjrëve. Atëherë e di që s’kam asnjë lehtësim për të justifikuar shmangien, dhe i hyj punës me tërë vrullin dhe fuqinë, jo vetëm të trupit por edhe të mendjes. Atëherë fillon shqetësimi. Sepse duke qënë vetë i vetmi përgjegjës për çfarë bëj, e ndiej që jam i varur nga rasti e nga faktorët më irracionalë rreth meje, nga harresa ose mosvëmendja e brigadierit, nga kapriçoja e tij ose e normistëve... Në fakt e kam shumë të qartë që mund të punoj shumë e të marr pak. Dhe më e keqja është se për këto firo nuk interesohet njeri. Të mos kujtohesh vetë për ta kërkuar pjesën e harruar, askush s’të kujton. Përgjegjësit e punës shohin parcelën e prashitur dhe me siguri ndjehen të kënaqur që kjo punë të jetë bërë me pak lekë. Dhanë ç’dhanë atë mbrëmje, nuk duan t’u kthehen të vjetrave. Kurse lopata është më simpatike për disa arsye. Puna duket më mirë dhe prandaj është më e vështirë të ta hanë. Pastaj ajo lidhet me stinën e ftohtë. Nisemi në ora 8 të mëngjesit dhe kthehemi në orën 3 mbasdite. Brigadieri nuk të rri para-mbrapa duke të mërzitur me vëretje, jo s’i ke


Grabjani rrëzë kodrave

213

rënë rradha, jo ke lënë bar mbrapa pa prerë etj. Në vijat e kullimit çdo gjë është e thjeshtë. Shtrin spangon anës vijës dhe i hyn thellimit pa vënë merak tjetër veç që ujët që është lart të rrjedhë poshtë. Kjo mua më jep kënaqësi, dhe veç kësaj i njoh mirë fuqitë e mia që të mos gënjehem e të lakmoj më tepër siç ndodh në prashitje ose në pambuk. Bëj ato 5560 metra dhe iki. Vetëm se çizmet, lopata i do të mira e unë jam keq në këtë drejtim.

31 Korrik 1981 Mbas arrestimit të Teftës, një pjesë na e prenë dhe atë përshëndetje që kishim, por tani kanë filluar të flasin. Kurse një pjesë tjetër na përshëndesnin, por tani na janë afruar dhe më, jo haptazi por natën. Një familje vendase (Ndoni) lart në kodër mbi ofiçinë, qysh në fillim kanë pasur një sjellje të butë megjithëse distante. Tani vajzat e tyre vijnë e qepin tek mamaja në mbrëmje vonë. I puthin dorën dhe i bëjnë urimet siç i ka pasur vendi qëmoti. Duket që janë të porositura nga nënat dhe gjyshet me mesazhe të tilla miqësie. Burgosja e Teftës tanimë është larg, u asimilua si fakt nga popullata, kështu që gjendja e marrëdhënieve tona me ta po shkojnë drejt normalitetit. Me normalitet kuptoj gjendjen e përparëshme, kur disa të veçuar mbanin qëndrim armiqësor, kurse masa ishte sipas rastit indiferentë por edhe të begenisur. Ndodh nganjëherë të kujtosh se çdo gjë shkon mirë, por mjafton të bësh fjalë për diçka, dhe atëherë fillon një gjuhë e hidhur nga ana e ndonjërit, që ta kujton se sa poshtë në konsideratë të ka. Por nga ana tjetër ka që, edhe duke qënë në parti, na flasin me përzemërsi, dhe hapur, bile në shesh të Sektorit. Është për shembull familja e ish kryetarit te këshillit, Jovanit, që na flasin pa drojë, madje janë hapur me Yllin edhe për gjëra “me zarar”. Herë-herë vijnë ca periudha të çuditshme kur gati të gjithë ndryshojnë sjelljen. Asgjë konkrete në favor, por vetëm vështrojnë si me vëmendje, sidomos ata që kanë në rrethin e tyre njerëz të partisë, sikur kanë marrë vesh diçka që ua ka ndryshuar krejt opinionin. Sepse nuk ka rëndësi mendimi që kanë formuar vetë, por ka rëdnësi zëri që u flet në vesh. Këto janë periudhat e famshme të “zbutjes”. Mbajnë pak javë ose pak muaj, por në raport me një periudhë disavjeçare të egër (që ka


214

Lekë Tasi —

pasur edhe ajo ‘zbutjet’ e saj periodike) mund të flitet edhe për vjetë të buta(!). po, po, ja koha e Hrushovit, p.sh a nuk ishte një e tillë. Dhe të mos flasim për këtë vetëm banorët e qyteteve! Ka njerëz këtu që rastisën të jenë të rinj në ato vitet ’60-të dhe e ndjenë rininë e tyre, me dalje të Lushnjë për shkollën e natës, me vajtje në kinema, djem e vajza, e jo si në ato që pasuan, kur shokët e tyre duhej të ndërprisnin gjimnazin me të mbushur 16 vjetët dhe kështu të linin qytetin dhe shoqërinë e shkujdesur të tij për tu kthyer pranë familjes së internuar në fshat dhe punës në fushë.

2 Gusht 1981 Bardhi: një përgjigje e goditur Bardhit po i vijnë rrotull ta fusin brënda. Ka shenja të tilla. Këto ditë e kishin thirrur në Lushnjë. Dihet për se...ndonjë ofertë për punë të ndyra. U nis dhe vajti, por rrugës iu afrua një brigadier që e ka vëllanë në burg. Ky punon për Sigurimin, por Bardhi i ka bërë nder në disa raste. I vëllai, para se të burgosej, shoqërohej me dy spiunë që më vonë i dolën dëshmitarë. Bardhi e kishte sinjalizuar. ‘Foli tët vëllai se po hapet shumë me ta”. E bëri sepse ai ishtë djalë i mirë por edhe ngaqë edhe me këtë vetë ka pasur një farë shoqërie në punë, dhe mendoi që do t’i dhimbej i vëllai më tepër se Sigurimi. (çdo gjë ka kufi). Mirëpo tani, duke iu mbledhur laku, Bardhi po i merr në revistë rastet ku mund të ketë gabuar. Kështu, që kur e pa ish brigadierin që ktheu rrugë për ta shoqëruar në Lushnjë, gjoja rastësisht, e kuptoi që ishte i vënë për ta provokuar. Dhe në fakt rrugës, ai filloi t’i përmendte larg e larg të vetmin rast komprometues që dinte, këtë fjalë që i kishte thënë për të vëllanë. Bardhi, ndërsa ai po ia sillte rrotull me të qeshur, mendohej si të dilte nga kjo situatë, sepse çdo fjalë shpjegimi ose justifikimi do ta konfirmonte dhe një herë fjalën e thënë; prandaj gjeti një mënyrë më të mirë. Kur zbritën nga makina që s’i degjonte njeri rrotull dhe po afrohshin te hekurudha, aty ku ndahet rruga për në Degë, ndali hapat dhe e vështroi drejt në sy me një buzëqeshje të rreptë: “Unë ta thashë atë fjalë atëherë- i tha sepse doja të të ndihmoja, e bëra për të mirë. Ti mundohu tani të ma shpërblesh me të keq!”. Ai s’e priste këtë, ia nguli


Grabjani rrëzë kodrave

215

sytë një çast dhe s’i ktheu asnjë përgjigje, por kur erdhën tek kryqëzimi, i dha dorën dhe u drejtua për në stacion. Bukur ia gjeti. Nuk them se del gjë, rreziku mbetet, se edhe pa deshmi mund të ta bëjnë gjyqin, por të paktën, kur ke një padron që s’mban rregullat që i ka vënë vetë, humbur se humbur, s’të mbetet tjetër veç se të vesh në sedër veglat e tij. Edhe takimi me kryetarin pastaj, ia forcuan përshtypjen se diçka po kurdisnin. Propozime, presione... 2 Shtator 1981 Besniku vërteton emrin e tij Artani, djali i komshiut tropojas, u martua këto ditë. Një dasmë e vogël, ku as shokët e skuadrës së futbollit ku ai luan, s’i erdhën! Nga lufta e klasave... Ndërkohë, Besniku, vëllai i tij i arratisur ka dërguat fotografi nga Florida (jo drejt për drejt, por me anë të tretësh). Mbetet mister pun’e tij. Megjithëse ishte më i lidhuri me familjen, tamam ai iku nga familja. Si shpjegohet? Qarkullon fjala se e kanë dërguar ”këta”. Nuk besoj, nga të tre vëllezërit, ai i urrente më shumë. Ja ç’më ka treguar Mehmeti, i ati. Një ditë atje në Savër, e kishte porositur brigadieri të çohej herët të nesërmen që të vinin së bashku të kapnin barinjtë që kullosnin ilegalisht kopetë e tyre në disa parcela të largëta. (Kudo në Myzeqe ndodh kjo. Zbresin barinjtë nga Dibra, Kukësi me dele dhe viça e kuaj për të dimëruar. Brigadierët u kapin ndonjë dele o kalë e i çojnë në Sektorin e tyre me qëllim që pronari të detyrohet të vijë ta kërkojë, e aty ta gjobitin. Nga këto gjëra bezdisen shumë blegtorët e malësive, por prapë s’dijnë nga t’ia mbajnë, ngushtohen anës kanaleve, kalojnë më tutje, por edhe atje i pret e njëjta histori. Punëtori i fermës si rregull, po kapi një kafshë ilegale, merr ditën e punës si shpërblim, por ama ndonjëri ka ngrënë dhe dru nga të dëmtuarit. Kur e mori udhëzimin Besniku s’bëri zë. Priti sa u err, dhe u nis fshehurazi, vajti e lajmëroi barinjtë! Kështu që kur të nesërmen, shkuan të dy me brigadierin, nuk i gjetën aty. E pra them, s’pranon të bëhet vegël një djalë i tillë, sidomos kur familja e tij ka hequr kaq shumë prej tyre.


216

Lekë Tasi —

Sabria tani, e ëma, ka dhimbje të vazhdueshme në kokë. Oborri i tyre i vogël fare është ngjitur me tonin. Djemtë ia kanë thurur me kallam për ta veçuar pak nga rrëmuja e rrugës. Ajo sillet sa sillet nëpër shtëpi, e pastaj del te dera, o ulet tek pragu me duar në kokë, ose mbështet faqen në pëllëmbë. Përshendetjes tonë i përgjigjet me një zë që i del si rënkim. Kalojmë si me turp para këtij oborri. Është mbasdite, posa kemi bërë banjo, të lodhur nga fusha dhe shkojmë në televizion për të parë diçka. Ajo aty, s’lëviz fare, veç kur një erë e ngrohtë dhe e fortë fryn dhe ia çon në fytyrë pluhurin, kashtrat e qerreve. Sytë i ka si ndër ethe. Edhe pa thënë një fjalë, ecja jonë tregon respekt, vetë mënyra si e mbajmë kokën të kthyer përgjysëm nga ajo shpreh keqardhjen tonë të pafuqishme dhe një lloj faji që s’bëjmë dot asgjë për këtë grua të venitur, të tkurrur nën goditjet e një çekani të pamëshirshëm brenda në kokë. Në apel ajo nuk del më. Por nuk e lënë rehat. Përgjegjësja e apelit, Nuria, i bën fjalë Mehmetit vahdimisht,e kërkon atje, dhe kur insiston shumë, kjo detyrohet të ngrihet e të dalë, e mbështetur në krahun e të shoqit, më ecje të ngadalshme dhe kokëulur. 4 Shtator 1981 Futbolli dhe zënia e peshkut “me bllokim” janë dy sportet e rinisë këtu. Fusha e sportit ndodhet në fund të sektorit, afër një rezervuari, rrëzë pyllit. Ka dy porta të bëra me tuba gazi, por sheshi i saj është pak i pjerrët dhe jo fort i rregullt. Një top i nisur për një lojtar, po të prekë në tokë, ndryshon parabolën e tij, dhe përfundon në anë tjetër, te një lojtar tjetër (i cili, i habitur si i erdhi, ndalon vrapin dhe kthehet t’i bjerë). Ne shkojmë nganjëherë të shohim më tepër për këto gjëra. Shto pastaj dhe mënyrën fshatarake të lojës, pa organizim, po vetëm o burra t’i biem, dhe kështu kemi parë ndeshje të lezetshme... Kurse peshkun e zënë kështu: Bllokojnë kanalin në dy vende me plisa dhe kësaj magjeje të madhe që krijohet, ia heqin ujin me kova ose me lopata; pastaj futen dhe e zënë peshkun nëpër llumra, e hedhin në skarpate. Nuk është aq e lehtë. Veç që është e lodhshme, takon që edhe s’kapin fare. Por nganjëherë ndokush zë me shumicë. Me dhjetëra kile janë shitur nën dorë në Sektor, nga peshku i kapur në këtë mënyrë. Atëherë hapet fjala dhe menjëherë nis stina e peshkut!


Grabjani rrëzë kodrave

217

7 Shtator 1981 Bardhin e transferuan në Gradisht. Dega i dha tri ditë afat dhe dje i erdhi makina. Në shtëpi të tij kanë prurë një tjetër të internuar, nga Gradishta. I kanë bërë këmbim. Kur u ndamë i uruam të jetë më mirë në atë vend të ri. Por s’i ngjiti fort. Mbi këtë bartje të shpejtë rëndon një hije kërcënuese. E dëshmon renditja: futja në apel, pastaj transferimi sot heqja këtëj dhe nesër s`dihet.. Unë desha t’ia paraqes pak më pozitive tablonë, sidomos në perspektivë, arrita bile t’i them: “Duhet të keqësohet gjendja, që të përmirësohet më vonë”. Ai qeshi, ndofta iu duk sikur po luaja shah edhe unë me të, sepse nuk përjashtova edhe arrestimin e tij. Veç s’mund të më bëjë egoist ose indiferent. Kam edhe motrën brenda në këtë lojë, jo vetëm, por pres edhe për vete e për vllanë çdo gjë. Nuk di, por më duket e tepruar kjo valë terrori e shtirur, pra shenjë dobësie. Populli s’ka nevojë, e ka përvehtësuar prej kohësh mësimin, rri sus edhe pa këto arrestime. E kanë vënë me fytyrë nga muri edhe ai rri. Atëherë pse? Ç’grindje e re ka nisur atje lart, që po i ha populli goditjet kaq të dendura? Të shkon mendja se do të bjerë ndonjë kokë përsëri, o mbase një fraksion i tërë... ne s’kemi si ta dimë. Do ta lëmë të bëhet siç e kanë nisur vetë. Në dorën tonë është vetëm të vishemi trashë kur dalim në apel.

16 Shtator 1981 Tre vjet pa dalë në Lushnjë. Vajta sot për një radioskopi. Se si më dukeshin kodrat kur afrohesha sot herët në mëngjes. Isha në karrocë dhe rrija më këmbë prapa kabinës. Pastaj rruga nacionale, asfalti me vesë, hijet e eukalipteve, era e freskët që frynte nëpër degët e tyre dhe i tundte si gërsheta të gjata. Dhe më pas, lulet e verdha nën urë te hyrja e qytetit, ndërtesat dhe rrugët, të pastra e pa njeri... Kur ecja në trotuarin e Institutit (i kanë vënë shtylla betoni tani së fundmi rrethimit të tij dhe kanë sistemuar limonat, mushmollat, kopshtin e tij të madh) kaloi një makinë ushtarake e një tipi tjetër, që s’e kam parë deri sot, e re e kutisë, me një antenë të madhe elastike mbrapa


218

Lekë Tasi —

që bënte një hark të gjërë kur përkulej nga shpejtësia. Ngutja e saj mospërfillëse, verniku i saj i mbuluar pjesërisht nga pluhuri, shprehnin një arrogancë, një epërsi të tillë mbi gjithçka tonën, saqë unë e ndjeva prerazi të më zbehen parashikimet e mira, kalkulimet rreth gjendjes. Pa ndonjë arsye të veçantë, pa ndonjë shenjë tjetër, pata ndijimin se na kanë hequr fare nga lista e të gjallëve. 27 Shtator 1981 Bardh Kupin e arrestuan. Ka ndodhur këtë javë, por s’dimë se kur pikërisht, as hollësi të tjera, sepse nuk vijnë njerëz andej. Tani po del plani i tyre që e çuan atëherë në Gradisht. Atje janë Dostët. E bënë transferimin që familja e tij të ketë një mbështetje tek ata, se Bardhi i ka dhënë motrën Viktorit. Kështu kanë vepruar edhe në raste të tjera. Me Shpëtim Dvoranin p.sh, që e çuan në Çermë më 78-ën dhe pastaj i arestuan vëllanë. Jo keq, vërtet., i erdhi thjesht si një rrufë.. Kujdesen për njerëzit, veçse sipas kësaj praktike na del që njeriu bën faj atëherë kur familjen e ka të siguruar. Ose, mund të formulohet kështu: qeveria u siguron familjen disave, që ata të bëjnë faj.Cështja është ç`heqin atje brënda.. Ishte në “përpunim”. Kryetari i degës ia kishte hedhur fjalën më anën e të tjerëve, më në fund edhe vetë ai, kur e thirri muajin e shkuar, (kur u takua me brigadjerin, e kam treguar ) dhe tani po asistojmë në hakmarrjen e tij, meqë ai, s’pranoi, dhe Kapllanit “iu mbarua durimi”. Por një hakmarrje e “zbutur”me këtë kujdes që treguan për familjen. S’ka asnjë në marrëdhënie pune, përveç gruas, Lirisë. Nga fëmijët, vajza e madhe është 12 vjeçe, të tjerët më të vegjël. Por ka Dostët dhe mbështetje, dhe minus Bujën dhe Vajën që të kujdeset për to. Kjo trysni e tyre këmbëngulëse me të internuarit e “lashtë” dhe me këdo tjetër që ka pasë emër në popull, ka domethënien e vet. Zhdukja e tyre si klasë (po përdor terminologjinë e kohës) synon më tepër diskreditimin e elementëve të dalluar, jo aq eliminimin fizik të tyre! Në internim ose në burg, ata do të bien në lojën tone, thonë. Ku ka më mirë për ta sesa ta katandisin reaksionin në një grusht spiunash. Këtë duan, po a do ta arrijnë? Këtë do ta tregojë e ardhmja kur komunizmi të hajë çahirin e vet, dhe të dalin në shesh rregjistrat, tani se fundi kanë vënë në përdorim edhe borderò për shpërblimet e spiunëve – 1200 lekë në muaj.


Grabjani rrëzë kodrave

219

Për ta kryer me sukses këtë fushatë, kryetari i Degës dhe operativët nuk lënë rast pa u propozuar. Ka dy mënyra, që alternohen. Kur u drejtohen të deklasuarve, meqë presupozohet që i përkasin nacionalizmit, ata i pyesin: “A e do Shqipërinë?” duke menduar se po ta duan Shqipërinë, duhet të bëhen hafijet e tyre, mbasi Shqipëria janë ata, Sigurimi, Partia. Por kur ata s’pranojnë, atëherë fillojnë presionet, kërcënimet e hapura, i thërresin shpesh në Degë, që t`i lodhin, i fyejnë. Njërit prej këtyre, një Kalosh nga Gradishta, Abdurrahmani, siç na thoshte Bardhi, ia sollën në majë të hundës. Vetë kryetari i degës i para disa vjetëve, Nuçi, arriti t’i thotë: po të mos firmosësh deklaratën që do të punosh për ne, do të firmosësh një tjetër se je armik i pushtetit – “Bjere ta firmos!” – ia ktheu ai tërë inat. Mirëpo kryetari u tërhoq, sepse mund t’ia quanin se po provokon njerëzit (në fund të fundit duan që puna të bëhet gjoja me vullnet të lirë …). Kjo punë ka shumë vjet, atëherë këto gjëra bëheshin në fshehtësi, me një farë takti, s’donin skandale. Kurse sot janë hequr shumë delikatesa. Njërin pas tjetrit, gati të gjithë i kanë kapur e dënuar, disa për të dytën herë, por tani jo 20 vjeçarë si atëherë kur morëm dënimin e parë por 40 e 50 vjeçarë e më familje në ngarkim. Familjet i kanë lënë në gjendje të mjeruar, gratë në bujqësi, fëmijët të parritur ende, nënat plaka e të sëmura. Për fat të keq disa kanë ceduar e kanë firmosur. Është gjë e trishtuar të shohësh dikë me baba të pushkatuar, të punojë për ata që e kanë lënë jetim. Kapen ngushtë si duket në ata kurthet që u ngrene, por më tepër është miopi se sa dobësi nervash. Gjithsesi, kanë zgjedhur gabim. Dhe nuk bëjnë më mirë ata që firmosin deklaratën e pastaj nuk japin gjë. Me ndërgjegjen e tyre janë në rregull, por pastaj nis për ta një jetë e ndërlikuar, sepse, po të mos ua presesh shkurt që në fillim, ata të thërresin herë pas here, dhe duhet të japësh llogari pse nuk e vë në zbatim kontratën. Përfundon puna që ua nxjerrin namin ose dhe i burgosin po të vazhdojnë të mos japin. Morëm vesh që një djali këtu i kishin ngarkuar të ruante vajzën e Dumeve që e arrestuan në 78-ën. Nuk raportoi asgjë të keqe për të, por ata për tu hakmarrë ia nxorrënn emrin në popull se është informator dhe merr rrogë nga Dega. Më parë, aty nga 50-ta kush nuk respektonte deklaratën e firmosur, i bëhej gjyq i fshehtë dhe merrte 20 vjetshin. Ja pse duhet t’i kesh marrëdhëniet të qarta me ta.


220

Lekë Tasi —

28 Shtator 1981 Gardhin e kemi bërë përsëri, por pa shumë dëshirë. Blemë nja 20 zogj pule. Merren Ylli me mamanë me rritjen e tyre. Por na ngordhi një kone që kishim marrë për roje, dhe jemi prapë të pasigurt. Mund ta kenë helmuar.

10 Tetor 1981 Sabria, nëna e djalit të arratisur vdiq. Brenda pak orëve mori fund pun’e saj. Mbrëmë aty nga ora 9 na lajmëruan që kishte një krizë të fortë, dhe vajtëm. Kishin kërkuar ndihmës-mjekun por nuk e gjenin (ka ardhur përsëri ai indiferenti). U përhapëm për ta kërkuar, kur dikush te dyqani na tha që po pinte te një shtëpi, dhe në fakt e gjetëm aty. Ndërkohë Ylli i dha Mehmetit një ultra-korten se mos i kishte ardhur kriza nga ndonjë komplikim prej injeksionit që i kishin bërë. Erdhi infermierja dhe ia bëri. Më në fund mbërriti dhe ndihmës mjeku, buzagaz, dhe po e merrte punën lehtë se ishte çakër qejf. U bë një skenë shumë e nervozuar. Artani e mbërtheu nga jaka: “Po pësoi gje, i tha, unë të zhduk” . Po çdo gjë ishte e kotë. Lajmëruan në telefon dhe erdhi autoambulanca në ora 1 pas mesit të natës. U nisën me të i shoqi dhe Vera, komshia pranë. Mbas një dy orësh erdhi lajmi te dezhurni. Në apelin e mëngjesit u pëshpërit diçka, por ne nuk kuptuam gjë. Kur po ktheheshim, kishim Benin, djalin e vogël para nesh. I vajtëm nga pas, sepse ndihej që diçka kishte ndodhur. Ai u fut në kuzhinën e tyre, u ul në një divan dhe filloi të qante, ndërsa Artani qëndronte në këmbë te dera dhe e vështronte i përlotur duke kafshuar buzën. Që atë minutë shtëpia u hap, sikur të kish filluar një periudhë në të cilën të zotët e shtëpisë duhet të rrinë dhe komshijtë tu shërbejnë. Në fakt, nusja e Tanit, është fare e re, as muajin s’e ka mbushur këtu, s’dinte nga t’ia mbante. Zonja Fehimé, nëna e Selim Kullës erdhi dhe mori frenat e shtëpisë, ndau detyrat dhe filloi konkretisht pregatitjen e drekës, kurse Selimi u dha 20 mijë lekë dhe u kujdesua praktikisht për harxhet. Të tjerët u përhapën për formalitetet, telegramet. Qazimi pranë ofroi dhomën e vetme të tij për pritjen e burrave, kurse ne dhamë karrike,


Grabjani rrëzë kodrave

221

enë, pjata etj si dhe u morëm me pregatitjet e tjera. Mbas dy orësh kur erdhi Mehmeti, çdo gjë ishte vënë në lëvizje. Ai iu afrua Benit që qante dhe e qortoi gati me një buzëqeshje për të maskuar ngashërimin që i sillej në buzë. ‘Shuj” i tha (që në dialektin e tyre do të thotë hesht). Asnjë përqafim. I dhamë dorën, dhe ai na tha që autopsia kishte nxjerrë një tumor në trurin e vogël. Nga spitali kishte vajtur në degë për udhëzime. Aty i thanë të zgjedhë midis varrimit në Grabian dhe atij në Lushnjë, por pa e marrë të vdekurën në shtëpi siç është zakoni. Pranoi të dytën, meqë atje ka varrosur dhe t’ëmën. Kështu korteu i së shkretës Sabrie, u nis drejt nga spitali për në varreza, brenda ditës, pa mbushur as 12 orë nga çasti që dha frymën e fundit. Dreka u shtrua në ora 14. Sikur ta kishin lënë një natë, do të mund të arrinin nga Tropoja shumë nga të afërmit e tyre (fisi i saj thonë është më i madhi në Malësinë e Gjakovës, Mulosmani). S’mund ta mbante spitali apo nuk lejoi Dega? Kjo nuk dihet.

11 Tetor 1981 Ja dhe një histori për ndalesa e pengesa varrimesh (që më kujtojmë tragjedinë e moçme të Antigonës në Tebë, vetëm se në rrethana qesharake.) Kur vdiq nëna e Lolëve (Çobenë, 6 djem të martuar, të gjithë e me familje, më i madhi i tyre në burg) këshilli nuk u dha autorizim për mish, as makinë për varrim. E rregulluan me Afrimin, shoferin e karrofiçinës për ta çuar në Lushnjë. Lejohej atëkohë, para dy vjetëve, ta varrosin të vdekurin në vendin e origjinës ose aty ku i kishte familja të vdekurit e tjerë. Ta përfytyrosh arkivolin në mes të pesëdhjetë burrave me shajak të zi në atë ngushticë karrocerie... megjithatë as atë nuk ua dhanë. Sa e mori vesh Nuria, doli e i preu rrugën shoferit: “Po ta bësh këtë i tha, do ti bëj relacion komitetit të partisë që të ta heqin makinën.” Afrimi u kap keq se u kishte dhënë fjalën. Hoqi dorë mbasi e shau vençe Nurjen, por i tha Janaqit, nipit të së vdekurës “Eja në Lushnjë se të rregulloj unë makinë”. Në fakt çoi një shok të tij. Varrimi u bë në rregull, bile me një makinë më të mirë. Kur u nis kortezhi dhe familjarët po hipnin, një nëpunëse e thirri Nurien dhe doli me të shpejtë te dera e zyrës. Ua nguli sytë tërë mëri po s’pati ç’tu bënte. Tha vetëm “Se nga i


222

Lekë Tasi —

gjejnë miqtë këta çobenët” dhe u fut brenda. Flitet se paska luajtur gurët edhe atje në Lushnjë për të mos iu dhënë vend për varr por nuk i eci, se këta paskan gjetur një mik në Komitet. Dëshira e saj ishte që ata ta varrosnin aty, duke e çuar në krah lart në kodër.

4 Nëntor 1981 Diçka për marrëdhëniet mes brigadierit dhe punëtorëve, tipike në fshatin socialist. Disa prej punëtorëve, sidomos ata që janë të zotët e punës, janë edhe manovrues, ndonjëri kapadai. Është një kategori kjo e tyrja që del vetiu, në çdo brigadë, nga vetë natyra e marrëdhënieve e cila i çon të bien në një marrëveshje të heshtur mossulmimi me brigadierin, që ai të mos tu kërkojë shumë cilësi. Ky kompromis i lidh pas tij: ai u jep lekë, dhe si këmbim këta nuk i përzihen në politikën e tij ndaj brigadës, rrinë spektatorë, ose edhe i mbajnë anën. Unë së paku s’kam parë ndonjë punëtor të fortë, që të dalë në opozitë për çështje të brigadës, për interesa që s’kanë të bëjnë drejtpërdrejt me veten etij. Ky fenomen nuk është tjetër gjë veçse politika “përçaj e sundo” dhe e largon në pacaktim daljen e frymës kolektive, sindikale, nga mungesa e së cilës do të vuajë fshati edhe kur të iki kjo kolerë. Duket sikur midis të “fortëve” dhe brigadierit është vendosur një “respekt” reciprok, një klimë “serioze” që s’mund të prishet për çdo vogëlimë që ndodh (nënkuptoj shkeljen e më të ‘dobtëve”). Por kur rastis që i prishet qejfi atij vetë, të “fortit”, ai ia këput me një shamatë edhe të madhe, e s’pyet më se e prish marrëveshjen e heshtur, ndërsa për një padrejtësi flagrante që i bëhet tjetrit, s’ndihet i gjallë. Në përgjithësi, kërkesat e pretendimet kolektive rrallë arrijnë deri në shamatë të përgjithshme, në protestë të hapur, sepse çdo gjë quhet politikë, dhe brigadierët e shfrytëzojnë këtë frikë të masës, që të rrinë rehat dhe të mbarojnë të gjitha punët e komoditetet e tyre. Ata manipulojnë edhe fondin e pagës, për hatëre të ndryshme, djathas e majtas, edhe jashtë brigadës, dhe në përgjithësi punëtorët e fortë mbeten të fortë në borderò në masën që i rrijnë urt’ e butë brigadierit, përndryshe u rrezikohet çdo ditë punë nga ndonjë “harresë e tij” Një gjë tjetër: në qoftë se punëtori ngarkohet nga brigadieri me një plan të veçantë (p.sh të vejë të hapë një grykë të bllokuar, gjith-gjith


Grabjani rrëzë kodrave

223

një orë punë), ai zhduket nga qarkullimi dhe nuk i thotë as shokëve se ku punon, vetëm përpiqet të vazhdojë sa më shumë këtë veçim ku e merr ditën e punës gati pa punuar (janë ca procese të tilla “imagjinare” që krijohen apostafat për të privilegjuarit). I tërë ky organizim është një mbrapështi me themel, dhe asgjë nuk ka fuqi ta luajë, veç ti dalë era keq, dmth të thellohet edhe më. Ndaj gati-gati nuk u vë faj as brigadierëve, që fundi nuk kanë në aktivin e tyre veçse një përvojë pa liri e ligjshmëri, kështu mund edhe ta përfytyrojë veten si më të mirë se qehajai i baballarëve të tyre, jo ai real, por ai i mësuar në shkollë. Edhe ata që dalin më të dëmtuar nga këto manovrime, masa e brigadës, janë përshtatur dhe mundohen kur u vjen rasti të përfitojnë prej tyre, jo si bashkësi por edhe ata secili për vete. Së fundi çdo brigade ka një ose dy punëtorë që brigadieri i privilegjon sheshit (shokë ose farefis të tij). Të gjithë thonë që ai i “mban”, kjo është shprehja. Pavarësisht se pagat e tyre del nga puna e secilit (që “qethet” nga pak për tu formuar e tyrja), të gjithë e pranojnë këtë “taksim” pa asnjë kundërshtim. “Një – dy do t’i mbajë brigadieri” thonë si një gjë të natyrshme dhe kthehen e të pyesin: “Pse, të ishe ti brigadier, nuk do ta mbaje vëllanë ose një shok?”

26 Dhjetor 1981 Edhe Mehmeti që për kaq kohë flitej se ishte më i forti, iku. Qysh në kongres u duk kjo: i mbaruar, i prerë nga krahët. Me këtë zhdukje ridimensionohet krejt puna. Po në ç’drejtim? Ç’forca veprojnë atje brenda? Ç’bëhet në ato mbledhje e sidomos në prapaskenat e atyre mbledhjeve, në ato korridore të thellë që bashkojnë tërë nëntokën e Tiranës së Re, me telefonat sekrete që bien në mes të natës, dhe i nxjerrin tanket nga foletë? Jugosllavia ka thënë se u qëlluan me pistoleta në mbledhje! Të jetë e vërtetë? Kur doli kryekomediani në Galerinë e arteve pas ca ditëve sikur donte ta përgënjeshtëronte, por në fakt, i dha të drejtë. Dukej tamam një kufomë që i kanë bërë transfuzion. S’dihet ç’ka ndodhur. U jepte mend artistëve, dhe ata e dëgjonin me vëmendje, demek, s’ka ndodhur gjë. Tani shohim si do ta servirin. Nekrologjia qe e shkurtër, por prapë nekrologji, me të zezë. Deri sot s’ka filluar denigrimi. Në popull kanë


224

Lekë Tasi —

thënë të mos komentohet fare, as mirë as keq (që ndërkohë të mendohen çfarë do të nxjerrin).

6 Janar 1982 Viti i shtatë i internimit tonë ka filluar me kohë të keqe dhe rrebeshe të forta. Kur kthehem nga fusha nëpër shi, i hedh këmbët gati rrafsh me tokën sikur të jem me patina; sepse balta ka ca shkëlqime si të xhamit, që të përcjellin në rrëshqitje, dhe duhet të kesh gjunj të fortë që të ndalosh duke i shtangur në vend të dyja këmbët. Lagesh, por ke një gëzim përbrenda se je duke u kthyer…. Kalo këtë kanal, kujdes kur të shkelësh atë gur se mos nuk e ka bazën të sigurt; provoje, hidhu tani, ki mendjen se bregu i pjerrët matanë mund të të kthejë mbrapsht tek uji i thellë; shkel më mirë tek krëndet që janë të ashpra. Merre me vrull të përpjetën tani që ta ngjitësh me një frymë ndryshe mbetesh në mes. Dole lart, ec nëpër tragat e traktorëve, kalo me kërcim atë grykë shkarkimi, por me kujdes se balta përtej është fort e lëmuar. Kalove, tani laji çizmet në atë gropë me bar anash, por jo thellë se mos të futet uji te qafat e çara. Dole në xhade, era këtu është më e bezdishme sesa në fushë, dhe vende – vende gropat e ujit zënë krejt rrugën, hiqu mënjanë kur kalojnë makinat. Furia e shiut shtrëngoi, uji të futet në çizme nga lart, dhe ja, edhe rroba e çadrës, e grirë te kulmi po e fut shiun; currilin e tij të ftohtë e ndien në qafë... Në mes të një mjegulle uji të përhapur sa të zë syri, në mes të baltës që kërcen përpjetë nën goditjet e pikave të trasha tejpërtej, shtëpia duket nga larg, me tymin që arratiset te goja e tubit të sobës. I afrohem strehës së saj i qullur krejt. Jam si një kovë e posa dalë nga pusi. Në dritare dy koka gazmore, fëmijët, japin alarmin dhe dera hapet! Mbas pak, i ndërruar dhe i mërdhirë, ulem pranë tyre afër zjarrit duke vështruar herë-pas here se si erret përtej xhamave një copë e çatisë së lëmit dhe e rrugës të rrahura nga shiu, ndërsa xhaketa ime e kthyer mbrapsht nga gruaja nxjerr avuj, hedhur mbi tub, duke u bërë gati për nesër.


Grabjani rrëzë kodrave

225

Shkurt 1982 Vakumi që la vdekja e Mehmetit po fillon të mbushet. Kanë zënë ta shajnë, por për çudi, insistojnë që tradhtia e tij nuk ka mundur të dëmtojë punën e partisë. Mos nënkuptojnë më këtë se çdo gjë që është bërë (edhe të këqijat), përgjegjësia ësht kolektive?

Prill 1982 Zbori nuk na zë neve të internuarve, por angaria që i shërben mbrojtjes, po. Sepse nganjëherë edhe ne bëjmë aksion “për mbrojtjen“, pa shpërblim, tok me të tjerët. Herë pas here të dielave p.sh gjithë këta vjet kemi dalë në pyll jashtë sektorit për të hapur istikame. Kurse sivjet është ndryshe; hapim transhe të thella në pyll, me pagesë (që të mos i shkojë mendja ndokujt që me daljen e Mehmetit nga skena, janë lënë mënjanë këto gjëra). Por edhe koncepti strategjik është serioz, i marrim me rradhë gjithë kodrat përballë detit (nënkuptò që ta presim armikun me të zbarkuar!) por edhe pyllin më tehù nuk e lëmë pa e gërmuar (për eventualitetin, që ja, armiku e kaloi vijën e parë çfarë do bëjmë? Do dorëzohemi? Jo!). Para një jave më humbi lopata e re. Gjith’ ato ditë e merrja në shtëpi pas pune. Atë ditë se si mu mbush mendja e fsheha bashkë me të tjerët në një bunker. Do ta kenë marrë kooperativistët, që sillen andej dhe kontrollojnë. (Janë të tmerrshëm! Në parcelat e largëta të sektorit, vijnë me grupe natën dhe vjelin patatet tona. Po edhe tanët kusur s’lenë, kundërsulmojnë në ngastrat e qepëve të kooperativës dhe kthehen me thasët plot...) Sot ishim në një pllajë të pluguar shumë bukur, me detin përpara dhe me pyllin mbrapa. Na hapej përpara një pamje e gjerë me rrypin e Pishës së Divjakës e detin në sfond, mund të ishin 50 km e më horizont. Më vinte keq që s’kisha kohë të merresha më gjatë me panoramën e të ulesha në ndonjë hije për ta soditur për ndonja gjysm’ ore. Nga ora 8 erdhën të mëdhenjtë e NB-s me një gaz 69 të shoqëruar nga përgjegjësi i sektorit, por edhe ata me sy tutje duke kërkuar Kalanë e Bashtovës, një pikë që zbardhonte, mu duk mua, andej nga Veriu. Ndërkaq unë po merresha me piketimin dhe belin e parë të atyre katër metrave transhe


226

Lekë Tasi —

që më ranë, ku do të thellohesha pastaj me 5-6 bela. Pranë meje kishte zënë pjesën e saj Tushja, një grua e pakët që ka ardhur tani së fundi në brigadë. Nga vargani i puntorëve (më tepër gra e të rinj) që hapej sipas izoipsit në të dy krahët, më vinte rrëmuja e muhabetit, që veçanërisht sot kishte një prirje të fortë për thumba. Vetëm Tushja afër meje, s’fliste me njeri, megjithëse i erdhën edhe kësaj ca sponde. Në pushimin e drekës pastaj, erdhi dhe e takoi pak mënjanë një e shëndoshë e bukur që është “dorë“siç thonë. Qaniu më ra me bërryl: “Rrinë e rrinë - më tha më një të qeshur nën mustaqe - dhe hidhen gjer në Lushnjë“. Rromuzet u dendësuan veçanërisht në drejtimin e te dyjave, por ato vazhdonin sikur s’kishte gjë.“Tani po bien dakort se kur ta lënë për të vajtur.. “vazhdoi Qaniu tërë ironi duke tundur kokën. “Ç’të bëjnë fitojnë të shkretat..“ Mu duk dyshja më e paujdisur që mund të bëhet. Habitesha sepse të voglën e kam parë javët e fundit të rrijë prapa grave të brigadës, duke u mbushur ujë,e përulur e pa fjalë, tamam si ato konet e pazot që na ndjekin pas ndonjë herë në rrugë. Si mund të ishte mpleksur me atë tjetrën. Rrinte para saj si ndonjë vartëse e bindur, por dhe që ka fituar besimin në vetvete, ajo duke e porositur me gjeste të tepruara (për të maskuar motivin e takimit) e kjo duke e lojtur rolin e saj jo keq. Është grua pa burrë (e ve), me tre fëmij të vegjël. Në fushë punon pa hile, me një ngulm kalamani... Ishte dita më e bukur që kam kaluar deri sot këtu. Toka e mirë, jo shumë e fortë, moti i shkëlqyer dhe vërtet po të përjashtosh lodhjen, ishim si në piknik në një park madhështor, dhe të tërë me një gjallëri të shfrenuar; shakatë fluturonin sikur nxirrnin njëra – tjetrën, me ca thumba, sa insinuata që fërgëllonin nga zgjuarsia e batuta të gjetura për këdo që u zinte syri, por sidomos për ato të dyja që vazhdonin bisedën gjoja të shkujdesura ( përveç ndonjë shikimi të shpejtë, tërë helm të bukuroshes së madhe). Është hera e parë që dal nga tokat e Sektorit, në një vend kaq panoramik, dhe mendoj se do ta duroja me qejf edhe internimin sikur të përsëriteshin shpesh të tilla, por me gjëra të reja. Isha i eksituar sidomos nga ai fresku i pyllit që frynte, nga pamja e gjerë e detit, dhe të gjitha i shihnja brënda një spektri të butë ngjyrash, deri dhe profesionin e atyre të dyjave, sidomos kthimin e Tushes nga “fitimi” natën vonë në një dhomë përdhese pa gjësëndi brënda veç një qiriu në dysheme dhe


Grabjani rrëzë kodrave

227

një krevati me tri koka të vogla që presin me gojë të hapur si zoqtë në fole, hijet e tyre në mur.... Mund të rrezikohesha të bëhesha dhe pak teatral nga ky eksitim, por më shpëtonte fakti që ishin të gjithë në qejf. Kur mbaruam punë nga ora tre dhe u nisëm njësh-kolonë tatëpjetë monopatit nëpër pyll, doja t’i mbaja këmbët dhe i ktheja sytë shumë herë nga vëndi që lamë, me atë sfond tërë dritë e qiell. Letrat e hedhura të ushqimeve të konsumuara më dukeshin si mbeturina të dashura të një dite që s’ka për tu përsëritur më.

25 Maj 1982 Kam qënë sëmurë këtë muaj. Fillimi më erdhi kur po bënim prashitje luledielli afër stallave te Sofia. Kisha një kollë të fortë që mu dendësua në pushimin e drekës. Pastaj s’kishte më rreshta aty dhe u ngjitëm në majë të kodrës tek një parcele rrumbullake si kapaku i një qelesheje. Punova me triko veshur se frynte një erë e fortë dhe isha bërë qull në djersë. Fillova të ndjej dhembje të forta në kraharor, por s’e lija dot përgjysëm rreshtin nga frika se nuk do të merrej në dorëzim e tërë puna. Kur u ktheva në shtëpi kisha 39. Kam dy javë në shtrat, një pjesë me raport të tjerat pa rrogë. Temperatura më ra qysh ditët e para, por pata një dobësi të madhe pastaj.

30 Maj 1982 Vazhdoj të jem në krevat, por ka filluar vapa dhe era e kanalit ndihet shumë. Pneumonia do ushqim, kurse këtu ka një muaj që s’vjen mish; me bathë e makarona s’kalon. Jam ngritur nëpër shtëpi, sot vajta në mensë por bëra gabim. Zura rradhën i pari, Ismeti s’po dukej. Më zuri një dhembje e fortë në rrëzë të kokës. Salla është e madhe dhe në sportel ku prisnin mjaft të tjerë, sidomos harixhij, frynte shumë. Pastaj nga prapa kazanave doli Ismeti dhe shpalli me zë të lartë: “Mish derri me lakër!” Por para se të fillonte shërbimin u vu të shkruajë fjalën MENY në një fletë defteri. U vonua një çikë, sepse si e shkroi, nisi ta griste dhe i vajti shtrembër,


228

Lekë Tasi —

kështu zuri ta këpuste me dhëmbë pjesën e tepërt, të gjitha këto nën sytë e paduruar të klientëve. Porosita mish me lakër, pagova në arkë, por ai s’po ma nxirrte pjatën, se ndërkohë rregullonte një sallatë me graniturë estetike për një grup zyrtarësh nga Lushnja që kishin zënë një tavolinë në cep të sallës, pa u afruar fare në sportel e në arkë. Më në fund e mora pjatën dhe u ula. Mishi më doli i pazier, lakra s’vihej në gojë dhe të dyja mbanin erë tym. Hëngra sa munda, me zor dhe u ngrita me një të përzier në stomak.

1 Qershor 1982 E para herë që rri kaq gjatë në shtrat që prej kohësh së vogëlisë, kur sëmundjet zgjasnin me javë. Jo se nuk jam sëmurur këto dekadat e ndërmjetme; çdo vit, dimër e pranverë më ka zënë ndonjë gjë, por e hiqja në pak ditë. Kurse këtë rradhë, veç zgjatjes u përsëritën dhe ca simptoma nga të asaj moshe të hershme, e njëjta ethe si atëherë, me po atë kllapi gjithë ëndrra, në mes të të cilave edhe një rul i shndritshëm, i florinjtë si diell, që më shtypte me një vibrim të tmerrshëm. Pata njëkohësisht edhe një frikë se mos më vinte fundi. Në fakt nuk do gjë të madhe ajo punë, një krizë e vogël, disi aksidentale, dhe ja ike, si një aktor që zhduket pakëz para zgjidhjes së pjesës.... Prandaj më erdhi mirë kur nisa të marr veten. Gjoksi më dhemb akoma (dhe kjo ka ndodhur edhe herë të tjera që dhembja të vazhdojë me javë të tëra. Në punë duhet të gjej një pozicion të caktuar manovrimi të shatës, si atëherë kur këput mish) por kryesorja është që ngrihem nga shtrati pa atë dobësi marramendëse, dhe kam filluar të ha radha. Dhe tani që kaloi, kam një lloj malli për atë fazën e konvaleshencës. Më është holluar shumë ndjeshmëria. Shikoja me dëshirë të madhe çdo gjë rreth meje atë ditë te mensa; kokat e klientëve, dhembin e florinjtë të arkëtares, dyshemeja më vinte herë afër e herë larg, kur ecja kisha një të ngjethur në trup sikur po kapesha me thonj pas jetës... Dhe më vinin ndër mend ca vende për çudi fare të parëndësishme, ku kam jetuar dhe doja t’i shihja pa tjetër. Tani më duket se kam filluar faqe të re dhe zotohem që çdo çast sot e mbas do më duket sikur ma kanë falur. Kam mall sidomos për ca


Grabjani rrëzë kodrave

229

mëngjese në qytete, gri – rozë, me atë erën e qymyrit të lagësht, nuk di pse, ndoshta se kanë diçka të papërcaktuar, të një jete më të gjërë.

21 Qershor 1982 Likën ka kohë që e kanë hequr, që në fillim të vitit. E kanë vënë mjeshtër, një punë e rehatshme kjo, por jo aq e sigurt, sepse kollaj mund ta kapë nesër një shkurtim fondesh. Punët nuk i ecin mirë për arsye se tani së fundi, mbas vdekjes së Mehmetit, u fol se kishte shprehur keqardhje. Ishte duke pirë në klub dhe paska thënë se “ i madhi, s’la njeri më këmbë nga shokët e tij”. Dikush e kallzoi, donin t’i bënin gjyq, ky e bëri hasha shumë herë, dhe mezi shpëtoi. Tani rri i mënjanuar, nuk e pyet kush në Sektor, megjithëse tek ne qëndron si “komunist i brigadës” dhe mjeshtër. Në vend të tij na erdhi një vajzë vendase, e sjellshme, e rregullt, por që ndenji vetëm dy muaj, si provizore, se u martua dhe iku. Tani kemi Fahrien, nga Verça, edhe kjo e re, 20 vjeçe e posa-martuar. Është e egër dhe ç’është më e keqja, nuk i jep dora, favorizon ata që do. Fondi i pagave duhet të mos tejkalohet, kjo është porosia, së cilës brigadierët i përmbahen për ta pasur mirë me Sektorin. Mirëpo edhe brenda këtij udhëzimi, brigadieri ka një marzh të mirë manovrimi, aq më tepër kur në brigadë punët shkojnë mirë dhe bëhet një tejkalim i vazhdueshëm i detyrave. Se si e përdor këtë marzh varet nga brigadieri, një pjesë e shohin punën drejt, por një pjesë tjetër e konsideron volumin si të tërë dhe e ndan jo aq sipas punës së secilit, por duke marrë nga disa e duke ua dhënë atyre që do. Edhe po qe se dikush sinjalizon veprime të tilla në Zyrën e Logarisë, nuk ndodh gjë, sepse nuk praktikohen kontrolle të befasishme për ta diktuar në flagrancë faktin e padrejtë. Kështu brigadieri mund të shpërdorojë edhe të jetë në rregull me dokumentacionin.

1 Korrik 1982 Afrimi i stinës që do vilet shalqimi i ftoh njëri me tjetrin disa nga punëtorët. Ka një rivalitet të mbuluar mes tyre. Pavarësisht se punojnë


230

Lekë Tasi —

bashkë e ndofta hanë tok në drekë, dhe pavarësisht që roja e shalqinit caktohet lart, ata fillojnë të prishen lehtë me njëri –tjetrin qysh tani për atë ofiq të privilegjuar. Në përgjithësi, ai që ka një farë shprese ta zërë atë vend, hiqet sikur s’ia ka qefi, për të mos e rrezikuar para kohe e për ti vënë në gjumë të tjerët, ndërsa ai që e ka humbur garën e dërgon thumba favoritëve ashtu kot nga smira. Qaniu i cili sivjet është krejt i sigurt, i hedh një sy të fundit të listës së haqeve që ka për të marrë. Por, prapë, s’dihet, çdo gjë mund të ndodhë! Mund të dalë një fjalë e papritur andej, që i përmbys të djeshmet, atëherë shumë të tjerë që s’kanë pasur shanse deri sot, lëvizin gurët në klub duke folur keq për rivalin më të rrezikshëm e duke dhënë një gotë aty ku duhet. Me një fjalë bëhet një luftë e shurdhët për pushtet, ndërsa në dukje, në bisedat që zhvillohen mezhdave, asnjeri nuk i jep rëndësi çështjes. Qaniu është i qetë siç thashë nga kjo anë, por sfera e preokupimeve të tij është një tjetër. Roje vihen katër veta, dy për ditën e dy për natën, dhe mes kandidatëve ka persona që miqësitë e tyre shtrihen në zona ku ky ka armiqtë e tij. Dje më bënte muhabetin e rojeve të vreshtit në kodër, të cilët ky i mbushi me rrush parvjet kur ishte roje, kurse ata nuk i dhanë asnjë kokërr kur u bënë vjet roje. “Le të vijnë po të duan të marrin shalqi, thotë tërë inat, kanë për të marrë këtë nga unë!”, dhe vuri dorën në një vend që s’thuhet.

11 Korrik 1982 Një i apelit L. (që s’po ia vë emrin të plotë meqë bën pjesë në ata që punojnë për sigurimin), më tregoi një të lezetshme. Është në marrëdhënie me ta, por është edhe i zgjuar, dhe ka të paktën kurajon t’ua thotë copë nganjëherë kur e teprojnë, siç është ky rast që do të tregoj. I kanë premtuar se do ta lirojnë për shërbimet që u ka bërë, por akoma s’po duket ajo ditë. Mirë kjo (se është në kompetencë të qeverisë), por i vjen inat që duke ia pasur në dorë fatin, kujtojnë se mund të gënjejnë haptas për çdo gjë, dhe të mos marrin përgjigje. E kishin thirrur në Degë. Cilido në vendin e tij, 15 vjet i interrnuar, do të merakosej. Ç’të jetë? Pse më thërresin? Mos më erdhi lirimi apo më hapet ndonjë havaz? (sepse ky ka kaluar edhe pesë vjet në burg). Mirëpo paturpësia e tyre


Grabjani rrëzë kodrave

231

është jashtë çdo kufiri. (Kur kanë për ti dhënë një përgjigje, ngrihen e vijnë që nga Lushnja këtu për ti thënë “hajde nesër atje të ta themi”. I shfrytëzojnë të gjitha truket për të të shtuar ankthin. Nuk shtojnë asnjë fjalë nga vetja për të dhënë të kuptosh se për se bëhet fjalë, përkundrazi, po të jetë e keqe rrinë edhe të qeshur e anasjelltas, të vrenjtur kur janë të detyruar të të kumtojnë të mirën). U nis e vajti. Në zyrën ku e drejtuan gjeti dy veta. Personi i dytë, i panjohur, duhet të ishte nga Ministria siç doli në fund, dhe sipas gjasave kishte ardhur për punë, por donte ta njihte edhe me fytyrë, dhe veç për këtë i kishte ardhur ftesa. Tani, nuk mjaftonte që e kishin lënë pa gjumë atë natë dhe që humbi ditën e punës, por prisnin që të fliste i pari ky, donin t’ia bënin përsipër se kishte ardhur me kërkesën e tij, i bindur sigurisht se nga frika ky do ta hante këtë gjë. Mirëpo s’u ndezi. Si përgjigje për këtë manovër të trashë, ky qeshi pakëz dhe u tregoi këtë histori: “Njëherë na e zuri nata një rrugëtar afër një fshati. Pa një shtëpi ndanë rrugës dhe trokiti. I zoti i shtëpisë i hapi, i tha mirëseerdhe dhe për darkë i nxorri miell misri me vaj (tarapash). Bukur fort. I shtroi pastaj për të fjetur dhe të nesërmen duke e përcjellë i solli fjalën te darka e mbrëmshme duke i thënë “besoj se je i kënaqur që të nxorra mimilike me mjell gruri dhe gjalpë. Udhëtari mbeti liksht por nuk tha gjë. Bëri një copë rrugë, por duke mos qënë nga ata që e hanë sapunin për djathë, filloi t’i vinte inat dhe në një pikë ndaloi dhe u kthye mbrapsht. Të zotin e shtëpisë e gjeti tek dera, dhe i tha menjëherë “Unë të falenderoj shumë për pritjen që më bëre dhe për darkën, por është e mira që gjërat t’i themi ashtu siç janë; ajo që hëngra mbrëmë tek ti ishte tarapash me miell misri e vaj dhe jo mimilike me miell gruri dhe gjalpë”. Ata te Deges e kuptuan ku rrihte por s` thane gje. Kurse unë qesha, por me veten time thashë: “Fajin e ke vetë që punon për ta”.

16 Korrik 1982 Para ca ditësh kur po kthehesha nga puna, ndërsa bëhesha gati të kaloj kanalin e madh, pashë një grumbull kallamash të korrura të ndera në diell për tu tharë. Pak më tej vazhdonte e po korrte një fshatar. Kur e përshëndeta, ai e la punën, u afruam e shkëmbyem dy fjalë. Ishte nga një kooperativë e largët dhe i donte kallamat për resa për tavan. I


232

Lekë Tasi —

korrin dhe, mbas disa ditësh, kur ato thahen, dërgojnë qerren i marrin. Sot kalova në të njëjtin vend, por këtë rradhë isha bashkë me djemtë e brigadës dhe fshatari s’ishte. Pak çaste më parë kishim takuar Nasin, një ndihmës shofer me drapër në dorë, që kishte dalë për të bërë resa dhe ai. Sa i panë grumbujt e resave, që ishin shtuar edhe me këto ditë, çunat filluan t’i bëjnë zë shokut të tyre, por ai ishte larguar mjaft e s’ndjeu gjë. – “Përse po e thërrisni?” i pyeta megjithëse e dija mirë arsyen. – “Ja mor, të vijë t’i marrë këto se i paska gati” më thanë dhe vazhduan të bërtasin. – “Po këto janë të një fshatari – u thashë menjëherë unë me naivitet të shtirur – e kam parë vetë pardje kur po i korrte!” – “Po pastaj? – ma kthyen ata, dhe i dërguan një të sharë s’ëmës fshatarit. Thirrën edhe ca, pastaj u kthyen e ikëm, por unë e vazhdova edhe pak me ta këtë temë rrugës, që të ma thonin më të formuluar çfarë është e drejtë e çfarë nuk është, dhe më në fund rezultoi që është e drejtë dhe mund të përfitosh lirisht nga çdo gjë që e gjen në gjendje të lirë, pavarësisht se kush është pronari dhe sa mundim ka bërë për të. Unë i pyesja urt’e butë dhe vendimet e tyre i pranonja si të vlefshme, i regjistroja me aq gatishmëri (të tepërt, të shtirur) sa që ata i ranë hiles dhe filuan të qeshin e ta teprojnë në këtë ligjvënien e tyre. Të drejtën e përvetësimit e shtrinë edhe mbi çdo gjë që del jashtë gardhit, pastaj edhe brenda tij por që rri pakëz e lirshme, derisa përfundoi puna që i vetmi kusht që ti ta gëzosh mallin tënd është ta shtrëngosh fort, me çdo farë mjeti, i pagjumë. Një debat pak a shumë i ngjashëm me këtë temë, tamam për të drejtën, sa thuhet me gojë dhe sa zbatohet ajo, ishte zhvilluar këtu e 6-7 muaj të shkuar te lugjet e vaditjes, me po këta çuna. Një pasdite, para se të niseshim për shtëpi e po laheshim, u hap puna e ryshfetit. Disa thonin që duhet dhënë, disa e kundërshtonin me forcë. Njëri prej atyre që thonin që duhet dhënë, ai që ka marrë patentën prej vitesh, por nuk i kanë dhënë akoma makinë, tregoi rastin e një shoku të tij që e ka mbaruar kursin shumë kohë pas tij, e megjithatë po bën dy vjet në timon dhe po e punon për bukuri. E pse? Sepse i pagoi njërit në komitet 15 mijë! E tregonte qetë – qetë, pa ndonjë inat. “Kur unë e kam radhën para tij, e më takon, edhe ata s’ma japin, çfarë të bëj? Do detyrohem t’i gjej anën, do mbledh ca para dhe do vete t’ia jap ndonjërit” tha më në fund me një të qeshur të tillë që mua mu duk sikur qysh tani e kishte vënë në vijë atë punë. Kurse një tjetër që s’ka dilema të tilla sepse është i internuar, dua


Grabjani rrëzë kodrave

233

të them, djali tropojas, dhe s’i jep kush gjë veç kazmës, kundërshtonte i nxehur, “Jo more, asnjë lek s’u jap qelbësirave!” Thoshte vazhdimisht, bile duke shtrënguar dhëmbët (insistoj te kjo bisedë, se më duket që inati i njërit dhe e qeshura e plogët e tjetrit tregojnë zakonisht edhe zgjidhjet që pasojnë në jetë, njëri mbetet duke shtrënguar dhëmbët, kurse tjetri zakonisht mbaron punë, edhe pa dhënë tamam pare, por si ta dojë, rasti me ujdira të tjera e miqësira). Unë, atë ditë, rrija spektator, por në këtë pikë m’u tek të ndërhyj dhe i thashë kandidatit për makinë me ton të lehtë: “Ama po ta japësh këtë ryshfet të madh, ma merr mendja që pastaj nuk do lesh kusur pa marrë për vete kur të jesh në timon...” – “Ah, jo jo” ia bëri ai gjith duke qeshur. Një i tretë, jo i internuar por as edhe me përbërje të mirë, me një farë deklasimi të lehtë në të kaluarën familjare, e kundërshtonte në parim ryshfetin, por me historinë e tij që tregoi, nxori në shesh një hall më real dhe gati ma prishi mendjen për një çast. Kishte mbaruar shkëlqyeshëm tetëvjeçaren, por s’i kishin dhënë të drejtë studimi. “Të gjithë ata që donin të vazhdonin, i gjenin miqtë e iknin me radhë njëri pas tjetrit,, tha - kjo histori po bën 6-7 vjet, po unë i ngrati, ku të qahesha që jam i ardhur, pa miq e pa para? Të kisha mundësi të paguaja, sot do të isha me shkollë të lartë, si i biri i Cacit që ishte shumë i dobët me nota. E kisha qejf shumë shkollën, më kujtohet, s’doja të dilja në fushë, qaja, po familja s’kishte ku t’i gjente paret, as që bëhej fjalë për atë punë...”

20 Korrik 1982 Në një kolibe kundruall nesh jeton një çift harixhinjsh, me 2-3 fëmijë të vegjël. Gruaja s’delte në punë fare, vidh pulat e mëhallës dhe fut në kusi. I shoqi natyrisht nuk thoshte gjë, i hante. Në kapanonin tonë me katër familje, pulat mungojnë herë tek njëri e herë tek tjetri. Por ndodhi diçka; kësaj harixhofke na iu sëmur djali i gjirit dhe iu bë për vdekje. Mbas ca ditësh e pashë në fushë, kishte dalë në punë. Dje kur kaloja në një ovrat, një shoqe e saj më thirri dhe dhe duke ma dëftyer me gisht më thotë me tonin e atij që i trembet Zotit: “E sheh, si iu ka bërë mishi? Veeerdh!!! Nga pulat tuaja! Po desh i shkoi djali ama!! (hajdutja s’fliste fare). Po ja tani doli në punë” tha më në fund, duke më bërë të kuptoj se ishte ajo vetë që ia kishte mbushur mendjen të hiqte dorë nga harrami....


234

Lekë Tasi —

Fajtorja më vështronte me një vështrim të trembur prej fëmije se s’ka as zgjuarinë ta bëjë hasha sa për formë. As shqipen s’e di mirë. I shoqi e ka rrëmbyer nga gabuxhinjtë endacakë. Po afër nesh, në ndërtesën përballë, që u ngrit parvjet, është me banim edhe një familje çobenësh, e përbërë nga nënë Lena dhe katër djemtë e saj, një i martuar dhe tre beqarë. Burrin e ka në burg, po bën 6-7 vjet. Vëllezërit e tij, dmth kunetët e Lenës i njoh, megjithatë nuk para i shoh të vijnë këtej, ose më mirë të them, s’i kam parë asnjëherë. I kanë prerë marrëdhëniet, të paktën haptazi me familjen e të vëllait të burgosur. Lena është personifikim i durimit, flet shumë pak, dhe kur flet kuptohet menjëherë origjina e saj nga shqiptimi i saj karakteristik. Herëherë i dëgjohet zëri kur i thërret mbesës së vogël, me një kthesë të gjatë në fund, dhe më kujton lagjen e çobenëve në Përmet, ku këto kurba të gjata vokale ushtonin tej e tej mëhallave në mëngjes herët. Para dy vjetësh kur kishte vajtur me djalin e vogël tek i shoqi, gardiani i burgut i tha “Panua do të dalë, dhe në vend të tij këtu do të vijë ai që e ka futur”. Kjo fjalë u dha shpresa të mëdha rrethit të tyre për atë Nëntor, e quajtën Panon të dalë! Kurse Lena nuk u duk fort e kandisur se do të ndodhte gjë, as atëherë as më vonë, nëntorët e tjerë, kur u përsërit premtimi. Koha i dha të drejtë kësaj dhe jo atyre; festat kaluan jo një herë por tri herë qysh atëherë, dhe Panua s’po duket. Unë që gabohem shpesh nga këto zëra që përhapen periodikisht, s’mund të mos ndjej një admirim për pjekurinë e kësaj gruaje të thjeshtë (“të lumtë Lenë që s’besove” them me veten time). Ajo është fare e pashkollë, megjithatë i ka rënë në të fort mirë me atë mendjen e saj serioze se ç’lloj vendi është ky. Me heshtjen e saj do të thosha mospërfillëse, duket sikur thotë tërë dinjitet dhe pa asnjë emocion: “Detyra juaj është të më gënjeni, dhe e imja të mos besoj. Ju thoni Panua do të dalë në Nëntor...Pikërisht për kët unë do ti dërgoj pallton më të trashë dhe jorganin më të ngrohtë. Për mua dimri që do të kalojë ai atje është punë me rëndësi, dhe s’lejoj njeri të tallet me hesapet e shtëpisë sime.”


Grabjani rrëzë kodrave

235

1 Gusht 1982 Eskavatori thellon kanalin e madh në kufi me brigadën e II. Plot djem të rinj dhe kalamaj të Sektorit shkulen e venë përditë për të kërkuar ngjala në shtratin e gërmuar nga kova dhe ndanë skarpatës, aty ku ajo lëshon llumrat. Lashë dhe unë punën dhe u afrova të bëj sehir. Motorri 400 kuaj fuqi bën një rropamë të tmerrshme që mbulon çdo zë, por mua më pëlqen ajo rrëmujë që formohet, krejt e shurdhët, memece, po shumë e gjallë nën atë zhurmë totale, sepse më bëjnë për të qeshur përpjekjet e alarmuara të grupeve të ndryshme të “gjuetarëve” për tu marrë vesh më njëri tjetrin, me shenja dhe me të bërtitura. Të futur gjer më gju në ujin e zi, vetëm në të mbathura, përllangur nga krahët, çunat sillen nëpër pellg duke u turrur herë këtej herë andej, kudo ku gjarpëron o shkëlqen një ngjalë. “Atje! Jo jo! Atje! Më tutje! Aty!” u çirren shokët lart nga skarpata duke nxjerrë fytin dhe ata poshtë sulen nga të gjitha anët, të gatshëm të ndërrojnë menjëherë drejtim, të zhytin duart mbas çdo grryerje të kovës. Dy prej tyre, të përlyer krejt veç kokës, kthejnë sytë nga kabina, vështrojnë si të vrarë nga dielli, mundohen të marrin me mend çfarë po u bërtet edhe eskavatoristi që u bën shenja, nevrik, kthehen përfyten dy veta në të njëjtin vend. Njëri prej tyre del me ngjalën që përdridhet, duke e shtrënguar fort në duart e tij, që me gishtat e mesit të bërë si dara s’e lënë të shpëtojë. Të tjerët kontrollojnë llumrat anash. Një harixhi i moshuar me të cilin fola, ka ditë që s’vete në punë. ”Del më mirë këtu” tha, dhe më tregoi dy ngjala të mbësthjella në një gazetë, njëra e përgjakur nga dhëmbët e kovës. Kalamajtë gjuajnë për vete, në garë me të mëdhenjtë, kurse ata më të vegjëlit, shumë seriozë dhe të egërsuar, ruajnë lart në skarpatë, gjahun e peshkuar nga shokët e tyre. Secili pastaj, ngjalat e peshqit që ka zënë, i shkon në një degë plepi me bigë dhe niset. Kushdo bën si i bëhet, jemi si në një panair. Mbasdite disa, sipas fitimit që kanë bërë, vendosin të ikin. Lahen pak më lart në kanal tek uji i paturbulluar, vishen. Më kalojnë pranë dhe duken sikur kanë dalë nga një magje, mbasi më përpara të kenë kaluar nëpër një oxhak, me ndonjë gjurmë të zezë si prej bloze në kërcell të veshit ose në bërryla. Duke ecur bisedojnë pa ndonjë entuasiazëm të veçantë, jo si çuna të eksituar, të kënaqur, po si burra që kryen një punë.


236

Lekë Tasi —

Gjersa të mbarojë kanali, kjo punë do të vazhdojë, disiplina do mbesë e shthurur. Krerët e Sektorit, janë në dijeni, por s’thonë gjë. Është si një aksion i pashpallur, privat vërtet, por fundja e dinë që një ngjalë e mirë, ndofta ajo më e trasha do tu vijë dhe atyre në tigan, sonte në darkë.

3 Gusht 1982 Mbas vdekjes së Mehmetit, po vjen vazhdimi i ndodhive irreale. Ka zbarkuar në Divjakë një komando diversantësh, po për çudi, i përbërë nga agjentë të qeverisë që punonin matanë. (S’ka si të ishte ndryshe. çdo gjë planifikohet me forcat e tyre, që të mos dalin gjëra të papritura për ta – të papriturat të jenë vetëm për ne, dhe për viktimën natyrisht) U asgjësua brenda dy ditësh. Por bëri ca viktima, ndër ta edhe një oficer policie që na kishte ardhur para ca kohe këtu për inspektim, i transferuar tani së fundi nga Korça. Na erdhi keq. Dukej i sjellshëm, shumë i pashëm, me një fjalë më i miri nga të gjithë që kanë ardhur këtu.

7 Gusht 1982 Janë bërë disa shkarkime në Degën e Lushnjës. Ismailin e kanë parë të veshur keq, që sillej rrugëve. U fol edhe për kryetarin dhe Kriston, që e shkarkuan, por nuk u vërtetua, Kapllanin e panë duke dalë me gaz nga Dega (Por kjo nuk do të thotë gjë, mund të jetë i rënë dhe të vazhdojë edhe ca kohë në zyrë). Shkaku i kësaj krize është zbarkimi i diversantëve në Divjakë. Flitet se kur i telefonuan Kryetarit natën, ai, s’paska marrë masat me urgjencë. Kurse për Kadriun flitet se akuzohet që i ka përkrahur zbarkuesit, se ishte i lidhur me ta; biles ata paskan ardhur me sinjalizimin e tij (!)

9 Gusht 1982 Sot na dhanë leje të shkojmë në Sektorin e Ri (Tri Urat). Bëjmë prerje bari në misër. Deri dje e kishim të ndaluar, qysh në kohën që u ndanë dy sektorët dhe neve na transferuan këtej. Se si mu duk kur shkela ne


Grabjani rrëzë kodrave

237

vendet e vjetra, tre vjet pa vajtur. Pata një ndjenjë të përzier, nga një anë më vinte mall, por vendi mu duk i shkatërruar, një stallë e rrethuar me baltra, ndërtuar tani së fundi. Hidrovori tutje, në vazhdim të kanalit, katërkëndëshi i tij i bardhë, i vetmuar në mes të fushës së pastër, tej e tej jonxhë, më kujtoi një kënaqësi të fillimit, të një fushe tërë dritë. Kam marë vesh se aty në hidrovor punon një mekanik që shkruan libra, të cilët pëlqehen nga rinia. Më pëlqeu kjo për një çast. Sa mirë mendova, ujë këtej, ujë andej, era e vajit, e naftës, e leshterikut nga poshtë, dhe ai me defter mbi tryezën e butonave, vetëm! Në mëngjes sidomos duhet të jetë bukur kur rri në dritare e sheh fushën e rrafshtë, të mbuluar me vesë dhe me një mjegull të shndritshme sipër. Qetësia i bën mirë për të shkruar, por prapë, po të jetë se ka një kohë të gjatë aty (dhe herët a vonë kjo do të ndodhë), ja që fillon ”mbyllja”, mërzia, dhe ka për ti rënë lapsi nga dora. (kjo më kujton, s’di pse, një hartë të botës që kemi pasur dikur, ku Shqipëria ishte sa një thua, dhe e zënë komplet nga rrumbullakja e kryeqytetit). Atëherë do fillojë të ketë zili deri edhe shoferët përtej dritares, pa le ata që çajnë detet... A bëhet romani pa lëvizur pak? Unë libra nuk lexoj më, as të vendit as të jashtme. Kurse shtypin, edhe letrar, e pres me një farë padurimi, se mos më dalë ndonjë shenjë nëpër rreshta. Por nuk ka trishtim më të madh kur më zë dora ndonjë gazetë të disa vjetëve të shkuara dhe e shfletoj. Atëherë kuptoj sa e kotë ka qënë dhe vazhdon të jetë pritja prej tyre, dhe ç’amulli e poshtër është e tërë kjo koha jonë. Vërtet s’ka ndijim më ndrydhës se ai kur mban në dorë këto gazeta të vjetra. Fletët e zverdhura të tyre janë pikërisht ditët tona, veçse pa freskinë e çasteve të atëhershëm, pa iluzionin e shpresës, tamam ditë të vajtura dëm. Ndofta një ditë do të sjellin këto gazeta edhe lajmin e shumëpritur. Atë ditë, ai që ka mbajtur koleksionin e këtyre zverdhamaneve do ta nxjerrë inatin e tërë gënjeshtrave të tyre nëpër vite, që s’mjafton që qelbeshin erë, por me një arrogancë të pafytyrë hiqeshin si të vetmet të vërteta në botë! Ajo ka për të qënë e vetmja herë që do të hyjnë në punë për diçka…. Dikush që i lexonte me vite do të dalë në ballkon me ato në dorë, i zverdhur dhe ai vetë, nga mëlçia e prishur, dhe do t’ua tundë para fytyrës tërë autorëve që do kalojnë


238

Lekë Tasi —

andej, duke klithur me tërbim: “Eh, mor qelbanikë, ç’thoni tani, ku e kini faqen?! Pa shikoni ç’kini gënjyer këtu!” Mirëpo këta, autorët, do të vuajnë nga qafa e ngrirë atë ditë, nuk do të shohin nga sytë e nuk do të dëgjojnë nga veshët, dhe do të ecin drejt, të mbrojtur siç do jenë nga lloj lloj amortizimesh që sjellin zbutjet e kohërave.

11 Gusht 1982 Vazhdojmë me misër. Sot na lagu shiu. Mu desh ta ha drekën në strehën e stallës. Më ngjiteshin robat në trup Puna ka dalë e lehtë se rreshtat janë pa bar. Bëjmë edhe 5-6 rreshta mbi normë, që i thonë një tejkalim 50-60% pa u lodhur fare. U nisa herët për t’u kthyer, se rruga është me baltë, e pagova aty fitimin e kollajshëm.

20 Gusht 1982 Vjelje shalqini Të gjithë gëzohen që vjen kjo stinë. Por atë mund ta quash njëkohësisht edhe festë të prishjes! S’dua ta përgjithësoj, por brigada jonë është vërtet kampion për të hedhur dëm. Jo vetëm burrat e pavëmëndshëm por edhe gratë, amvisat e buta, janë të pamëshirshme në vjelje, tamam si në mallin e hasmit. Ulen për të pushuar pak dhe presin aq shalqi sa veta janë! Hanë sa hanë dhe pastaj i hedhin poshtë, disa nga kokrrat, edhe të pafilluara! Kudo që të shkosh të zë syri shalqinj të çarë që kalben; era e tyre të ndjek nga pas. Lika (që e ka marrë veten kohët e fundit dhe është bërë më agresiv) gjëmon kundra shpërdorimeve, por të gjithë e dëgjojnë dhe pastaj vazhdojnë si më parë. Vetëm një pjesë u ka lezet të ngrënët, dhe këta janë dy kategori: të moshuarit dhe të deklasuarit. Të moshuarit janë në një farë mënyre të deklasuar, meqë janë rritur me ndjenjën e mallit, u dhimbset në çdo formë që u paraqitet, e kanë të rrënjosur, kurse të rinjtë dhe më tepër ata “të klasës“ nuk e kanë në fakt këtë ndjenjë dhe bilè kanë një babëzi të habitshme. Atyre u duket se vetëm duke e hedhur


Grabjani rrëzë kodrave

239

dëm, mund të nxjerrin zinë e vitit. (Këto ditë, si për ironi kalojnë një fazë egërsie të luftës se klasave dhe porosia është “ruani mallin nga armiku!“) Sot më ra puna të vjel afër grave. Bëhej muhabet i lëshuar, që herëherë shthurrej fare. Tema kryesor: plazhi, kostumet e banjos e të tjera derivate të tyre, lakuriqësia, seksi (njëra prej tyre po sa është kthyer nga Divjaka me burrin, prandaj). I kalonin kokrrat dorë pas dore, me poza sikur lonin basketboll, dhe kur u shkiste nga dora ndonjë e binte e pëlciste, të gjitha shkuleshin së qeshuri, si me “urrah“. Pastaj e lanë punën, u ulën për të bërë një nga ato pushimet e tyre me kërdi në shalqi. Shakarat e guximshme po vinin duke u shtuar, ishin “të grupit të madh“, gra rreth të 30ave, mendjemëdha, arrogante, që ndonjëherë mund të maten edhe me burra në aluzione dhe kunja, hidh e prit. Mu dukën edhe të zgjuara në batutat dhe në krahasimet që gjenin, siç ndodh gjithmonë atëherë kur ulet pakëz barriera e turpit dhe dalin ca xhevahire të ndrydhura. Dukeshin pak si të dehura, si në ndonjë bakhanal, por me ujë shalqini në vend të lëngut të rrushit. Po haja një zemër shalqini që ma dërgoi njëra aty pranë. Isha ulur as larg as fort afër tyre, dhe nganëherë vija re se si një më e re dhe e pakalitur ende kthente kokën mënjanë, me faqet të skuqura, por edhe prapë kureshtare për të dëgjuar... Në ora 12, kur lamë punën, lajmëruan se do të bëhej mbledhje. U nisa edhe unë por rrugës më thanë se mbledhja ishte për Bashkimet Profesionale. Kjo do të thotë që ne të tjerët, të internuar e të deklasuar s’pranohemi. Zura një hije plepi duke falenderuar Zotin që s’jam aq i mirë për të marrë pjesë. Po ashtu bënë edhe të tjerët të kategorisë sime, secili veç. Një grua e deklasuar që punon me dy shoqe “të mira“ erdhi e zuri plepin tjetër, ca metra më tutje. Hëngra drekë, ndërsa brigada dëgjonte zërin e partisë. Pastaj edhe ata u shpërndanë grupe-grupe. Dy shoqet e gruas së deklasuar i kaluan pranë asaj por nuk u ndalën të hanin bukë me të. (Këto të tria përbëjnë grupin më kompakt, më konstant të brigadës, i besojnë njëra-tjetrës dhe kanë të njëjtin kapacitet fizik, prandaj mirëkuptimi mes tyre nuk prishet kurrë). Kur e pashë këtë – dhe tërë sytë ishin kthyer nga dy shoqet se si do të silleshin me të diskriminuarën, e kuptova që në mbledhje u ishte hequr vërejtja pse punojnë me të deklasuarit.


240

Lekë Tasi —

Herë pas here bëhen nxitje të tilla kundra nesh, sipas orientimit që u vjen nga lart. Atëherë grupet shkatërrohen aty për aty, shoqëritë pezullohen, por pastaj rutina e përditshme fiton përsëri, lufta e klasave humbet rigorozitetin dhe mbas disa ditësh ato riformohen dhe asnjëri nuk kujtohet më për porosinë, as vetë ata që e dhanë.

6 shtator 1982 Sot në drekë Artani nxorri dy shalqinj nga një vend i fshehur dhe na e njomi gojën (Punojmë në prashitje). Na ndau nga një thelë të madhe dhe zuri duke qeshur tha: “Po të ketë Sektori, kam edhe unë!” I merr natën në parcelë. Sistemi i tij është i thjeshte:shkon vonë mbas mesit të natës, kur flenë rojet. Mbush thesin disa herë dhe i bën grumbull në një vend. Punon rehat fare, shko-e-eja disa herë, ndërsa ata vazhdojnë gjumin. Ndonjëherë u shkon aq afër dhe u flet, po ata s’përmenden edhe po ti shkundësh (I varfëri qytet, me valiumet e tua, eja këtu të kuptosh ç’është gjumi). Në Sektorin tonë ekzistojnë edhe plot të tjerë që merren me këtë lloj aktiviteti,dhe që gjallërojnë jetën e natës me bëmat e tyre. Shkurt mund të themi se të gjithë çunat që kanë mbushur një farë moshe, dua të them mosha e të mbajturit thes në kurriz, nuk rrinë pa bërë nga një inkursion andej nga parcela. Por sistemi i tyre është i ndryshëm se s’kanë durimin të presin deri vonë. Mënyra e tyre është me grupe 3-4 veta. Fshihen në kanal afër rojave dhe u hedhin gurë. Mungesa e hënës është kusht i domosdoshëm. Rojet ngrihen dhe mundohen t’i diktojnë sipas drejtimit nga u erdhi guri; por këta duke i parë siluetën e tyre, lënë njërin ti tërheqi në atë drejtim gati haptas, kurse të tjerët rrëshqasin barkas në drejtim të kundërt dhe veprojnë shpejt. Artani aktivizohet natën vonë, ora 12, sepse nata është elementi i tij. Duke qënë i kontrolluar me apel mëngjes-darkë dhe i zënë me punë gjithë ditën, vetëm ajo i mbetet për të shfryrë energjinë e tij të bollshme, por më tepër për të thyer kufizimin që e lidh pas një zgjedhe të padurueshme punë-apel-shtëpi. Ai nuk rri pa gjë edhe përtej stinës së shalqinit ose të rrushit më vonë. Gjatë tërë beharit gjuan zhaba, kurse në dimër merret me gjuetinë e rosës. Kur formohen pellgje uji në parcela, ai menjëherë sa mbaron punën dhe kur ne nisemi për në shtëpi, shkon e ngre leqet. Çdo mëngjes pastaj shkon


Grabjani rrëzë kodrave

241

dhe i kontrollon. Në apel vjen gjithmonë me vrap, dhe kurrë me trastën bosh. Ëshë shumë i shkathët. Mehmeti, i ati, më ka treguar se një herë atje në Savër, duke qënë mbi një rimorkio në ecje, vrau me llasikë një shkurtëz, kërceu poshtë kaloi kanalin me not, e mori shkurtëzën e u kthye prapë nëpër kanal dhe kapi zetorin. Futbollist i mirë, kohën e lirë që i mbetet (!) e kalon në fushën e sportit ose te oborri i shkollës duke u stërvitur, por ardhja e tij e detyruar këtu rrezikon t’ia presë këtë aktivitet. Atje në Saver, familja e tij, sado që ishin të lirë, bënte pjesë në atë gati gjysëm të popullsisë që haptas mbajnë emrin “të internuar” edhe kur janë të liruar, meqë janë ‘ish” të tillë (ardhur aty qysh nga 60). Artani, megjithëse është rritur i lirë, luante me të internuarit, dhe fitonte vazhdimisht, por këtu e ka të vështirë të inserohet me skuadrën e Sektorit, megjithëse ka një top të tipit olimpik dhe ua jep që të lozin. Një herë ata e futën në ndeshje me Plugun dhe ai bëri të vetmin gol të takimit. Rinia u entuziasmua që u erdhi një lojtar i mirë, mirëpo kur deshën që ta mbanin të përhershëm, kundërshtuan ata të partisë se “s’mund të përfaqësojë Sektorin një i internuar”. E bukura është që ia kërkojnë topin edhe mbas këtij përjashtimi, dhe ky nuk ua prish... Kurse gjendjen në Saver e tregon shumë më të mirë. Të deklasuarit përbëjnë atje siç thashë një pjesë të mirë të popullsisë, dhe ka një farë barazie me të tjerët, në disa pika e kanë fituar vetë. Pleqtë bëjnë kampionat shahu, edhe ata të ndarë në të lirë dhe të internuar zyrtarisht, veçse lufta mes tyre është tamam sportive, aspak klasore.

21 Shtator 1982 Flitet me insistim për rënien e Kadri Hazbiut. Si efekt i zbarkimit në Divjakë. Pastaj u përgënjeshtrua dhe e nxorrën në publik. Ndër ata që bien bashkë me të, përveç Kapllanit dhe Ismailit, është edhe Kristo. Në vend të tij, po duket këtej një tip tjetër, i ngrysur dhe shumë armiqësor. Axhem quhet, i gjatë, i thinjur, lab ose nga Mallakastra. Thonë se ka pësuar një atentat në Shokdër, mu në shtëpi, ngaqë sillej egër, dhe e kanë transferuar këtu, sepse ky është rrethi që mbledh skifterët sakatë. Në fakt, gjithë ata që dalin jashtë përdorimit në rrethe të tjera i sjellin këtu.


242

Lekë Tasi —

5 Tetor 1982 Idetë e Yllit nuk i bëjnë punë sistemit Misri është bërë për të vjelë, por ka rënë shi dhe nuk futet dot mjeti në parcela. Duhet të vemi dhe ta nxjerrim prodhimin në krahë me thasë, dhe jo në orvat, por deri në xhade, duke kaluar dhe një kanal. Xhadeja është paralel me rreshtat. Kush ka ardhur herët dhe ka zënë skolinat e para, përfiton shumë nga afërsia, shkon e vjen shpejt dhe mbaron herët, mbase edhe një të tretën o një të katërtën e kohës të atyre që i kanë rreshtat thellë. Kjo sa për të kuptuar se sa trashë, i pabarabartë është zbatimi unik i normës. Ne që erdhëm von dhe i kemi larg skolinat, duhet ti kalojmë tërthor rrjeshtat e të tjerëve dhe kjo të mundon kur ke thesin në kurriz. Dhe kur i kalon rreshtat, pas qindra metrash, të pret kanali! Është dy metra i thellë dhe ti i ngarkuar s’mund ta ngjitësh të përpjetën me vrullin e fituar të tatëpjetës. Ylli që ditën e parë mendoi ca ura metalike shumë të thjeshta që do mund t’i bëntë Sektori për t’i pasur sa herë paraqiten raste të tilla. Ia tha brigadierit të këtushëm (jemi afër Plugut) duke ia shpjeguar se sa e lehtë dhe me kosto të ulët mund të ndërtohen. Brigadieri u tregua i interesuar, por të nesërmen, si e raportoi në Sektor, nuk e zgjati më. Është e qartë se problemi i drejtuesve të bujqësisë sonë nuk është si tua lehtësojnë punën njerëzve, por vetëm t’u gjejnë punë! Për çdo vit hyjnë me mijra të rinj, kështu e kanë problem të madh tu hapin front, prandaj vështirësitë e ndryshme i shohin si aleat. Ekonomisti më i thjeshtë do të diktonte menjëherë që e tërë kjo është një ecje mbrapa, megjithatë gazetat janë plot me “epërsinë” e sistemit tonë. Normat i planifikojnë të mëdha pikërisht si rregullator të fitimit. Deri edhe në behar, kur ka front pune, nuk i ulin, sepse mendjen e kanë tek fondi i pagës që është ai që është për tërë vitin, dhe nuk duan ta tejkalojnë. Paga është një konstante: në qoftë se punëtori gjatë javës ka pasur proçese ku fiton, duhet pa tjetër të ketë disa të tjera ku të dali më pak. Kur u flitet përgjegjësave për lehtësimin e punës së krahut (siç bëri Ylli me anë të brigadierit) ata nuk kundërshtojnë hapur, po të lënë pa përgjigje. Duket sikur thonë: “kjo është e mirë për të shitur mend në gazetë mos djalë, por jo për këtu...” Eshtë e natyrshme që s’mund të ta thonë hapur, sepse del sheshit që socializmi priret drejt proçeseve primitive.


Grabjani rrëzë kodrave

243

8 Tetor 1982 Aksioni për mbrojtje pa pagesë. Kur është aksion pa pagesë, duhet të punojnë edhe nëpunësit, ata që kanë rrogë fikse. Mirëpo nga të gjithë të administratës, si edhe agronomë, sot vetëm dy veta punuan. Të tjerët erdhën vërdallë deri sa u ndanë pjesët e transhesë, pastaj u zhdukën. Nga ora 11 pashë dy brigadierë, njëri prej tyre Lika, që po iknin poshtë majë një rimorkioje ku kishin ngarkuar një lis të bërë copa.

9 Tetor 1982 E dyta ditë sot. E patëm me pagë dhe punuam deri në 4. Kalojmë dy kodra të pyllëzuara për të vajtur te vendi i punës. Në luginën që është në mes, rrjedh një përrua dhe pranë tij, një rrugë makine tek – tuk e lagur pak nga ndonjë rrëke që s’dimë se nga vjen (ky pyll është shumë i varfër me burime). Rruga është ndërtuar për ndërmarrjen e Gazit që i ka puset të shpërndarë nëpër pyll – një ndërmarrje fantazmë, “dejet” e së cilës i shohim ngado, tuba, saraçineska të mëdha, kabina llamarine, të gjitha të ndryshkura, hauze me ujra kaltërreme, kapanonë të zes, po punëtorë, asnjë! Shumë rrallë kalon një makinë në këtë rrugë të bukur, që i çon punëtorët nëpër puse, por pastaj sikur i përpi dheu. Sot isha vetëm dhe ndërsa kaloja përruan, një zog i vetmuar këndonte diku në degët e dushqeve të trashë, të veshur me myshk e me dredhëza të murrme, paqja ishte e plotë. Desha të ndalesha pak, të ulesha diku. Por nuk e bëra..., s’munda. Qetësia nuk vjen kaq lehtë, do një farë pregatitje, dhe përgatitja do edhe ajo një përgatitje. Kurse ne rrojmë a tamburo battente!

11 Tetor 1982 U bë falje! Tefta lirohet sipas gazetës: nenet e dekretit e përfshijnë. Ajo hyn në fuqi të nesërmen e zgjedhjeve të së dielës, por nuk dimë a do t’i përcjellin nëpër vendet e arrestimit, që të arrijnë brenda ditës, apo duhet të shkojmë ne atje. Presim të shohim.


244

Lekë Tasi —

16 Tetor 1982 Tefta u lirua! Erdhi në shtëpi! Posa kishim bërë apelin e mbrëmjes, kur erdhi një taksi dhe ndaloi te rruga midis plepave. U mblodhën njerëz. Pa arritur mirë neve aty, u dëgjua britma e Dodonës që qante duke përqafuar të bijën. Shpejtuam hapin. Tefta zbriti nga taksia dhe na doli përpara e ndryshuar, e dobësuar, me pantallona. Në dritën e pakët qëndronte para nesh, me flokë të thinjur, me një dhemb të thyer, me shpatullat e ngushta, dhe për një çast buzëqeshja e saj m’u duk e ndrojtur, sikur kërkonte një vend në kujtesën tonë. Mu mblodh një nyjë në fyt. E përqafuam dhe u kthyen të tre drejt shtëpisë. Mamanë e kishte lajmëruar ndërkohë Vera, komshia jonë, dhe po na priste përjashta tek dera. U përqafuan të dyja dhe pastaj fëmijët si fortunë nëpër këmbë, të mbledhur të gjithë rreth atyre të dyjave si dy duar që ruajnë një flakë të mos fiket, hymë brenda. Dua ti fiksoj mirë këto çaste. Dhoma përdhese me çimenton e ashpër, pa asnjë shtrojë, mu duk tani si një qoshe e sigurt, e ngrohtë, dhe mes asaj rrëmuje gazmore mendova që vetëm vuajtjet e mëdha mund të kenë shpagime të tilla. Falendërova Perëndinë jo pa i kujtuar edhe ata që pas aq rreziqesh (ose edhe më të mëdha) nuk i arritën këtij çasti. Gëzimi më i madh e ka një njollë... Festa që bënin fëmija posi flashët e fotografëve na mbajtën shumë minuta pa folur, pa i thënë njëri tjetrit as ato fjalët e para. Tefta i përkëdheli gjatë. I ka lënë fare të vegjël dhe po i gjen në kulmin e lojrave. Është liruar edhe Evgjeni (Merlika), po ashu edhe disa të tjerë për faje ordinere. Përfitoi me shlyerje të padisë edhe një djalë në brigadën time që ishte grindur me oficerin e tij në zbor.

19 Tetor 1982 Tefta po na tregon tre vjetët e saj atje, hetuesinë, gjyqin, burgun. Rrimë natën dhe na i thotë. Vetëm sot kam dalë në punë, mbasi ndenja dy ditë pa punë. Kënaqemi duke e dëgjuar dhe do t’i shkruaj të gjitha, të vogla të mëdha, ashtu siç na i rrëfen.


Grabjani rrëzë kodrave

245

Arrestimi Kur e ndanë nga ne ditën e arrestimit, e çuan në zyrën e këshillit. Atje nuk gjeti kryetarin e Degës siç na tha atë ditë Neviti, por hetuesin, atë burrin me këmishë të bardhë, që siç kam treguar, na erdhi për kontroll në shtëpi, dhe Nurien, të ulur të dy në tryeza të veçanta. Ky, hetuesi, Skënder Korriku, një tip me flokë të dendur dhe fytyrë të vrazhdë, e pyeti ”E Tefta, a je mërzitur?” – “Po, nisi të përgjigjej Tefta, nuk janë të mira këto...”. Atëherë ai u ngrit nga vendi dhe tha duke ia prerë fjalën: “Në emër të popullit je e arrestuar!”dhe i bëri shenjë një polici t’i vinte hekurat. Tefta s’foli asnjë fjalë. Pastaj ai doli nga dhoma. Kaluan disa minuta në heshtje. Nuria bënte sikur lexonte, kurse polici rrinte roje te dera e kyçur. Polici i tha disa herë “ulu”, por Tefta ia preu shkurt “Nuk ulem” dhe ai nuk insistoi më. Ishte koha kur kontrollohej shtëpia. Mbas një ore, u hap dera dhe u dha urdhri ta çonin poshtë. Punën e hekurave e kam treguar, sesi Tefta nguli këmbë që t’ia zgjidhni për të hipur në gaz. Në makinë ajo u ul midis policëve, Gëzimit (ai i dhomës) dhe Stavrit (ai që i tha përfaqësuesit të ministrisë se hedhja e gurëve “është faktuar”). Udhëtuan në heshtje, derisa Tefta, pas pak, pyeti për orën, por s’mori përgjigje. Duke menduar se nuk kishin dëgjuar nga zhurma e makinës, pas një minute përsëriti pyetjen (sepse ajo e ka zakon të tillë t’i përpikëpikësojë gjërat, por edhe për një kokëfortësi që i erdhi në kushtet e reja që ndodhej): Sa është ora ju lutem? Hetuesi ktheu kokën përgjysëm dhe tha ashpër: “Pa mbyll gojën aty, dashke dhe orën!” atëherë Tefta ngriti tonin dhe në njëjës i tha: “Kujt i flet ashtu ti? Vërtet jam e arrestuar, por do të më sillesh mirë se përndryshe nuk të përgjigjem fare në hetuesi!”. Ai s’e ktheu kokën, por mbas disa sekondash tha rëndë: “12 e gjysëm”. Incidenti u mbyll me kaq dhe deri në Lushnjë nuk ndodhi gjë tjetër. Tefta e ka këtë veti, i jep tiparet e saj që me të parën, dhe i jep qartë. Kjo sjell mendoj disa avantazhe, sepse njeriu, edhe kur është në humbje ose krejt në duart e tyre, i leverdis t’ua bëjë të kuptueshme që një farë kufiri s’mund ta kapërcejnë. Në qoftëse këtë e bën bindshëm, ka gjasë që marrëdhëniet të kalojnë në një plan më njerëzor ku ndërveprojnë


246

Lekë Tasi —

vetitë personale dhe kështu përfiton. Por që të bëhet kjo, duhet forca për të tentuar, dhe sidomos duhet që edhe ata të kenë lirinë për të reaguar pak a shumë si persona. Deri dje kjo s’ka qënë aspak e mundur, por tani megjithë valën e egër, diçka interesante po zhvillohet, shumë gjëra janë bërë të mundshme përnjëherësh – do ta tregoj të tilla plot më poshtë, të gjitha falë një indiferentizmi që përhapet brenda strukturës. Sido që të jetë puna- dhe këtë e them tani që morëm fund me kaq mundimet e saj- më vjen mirë që i ra shorti Teftës të na “përfaqësojë” atje, sepse veç të tjerash, ajo ka dhuntinë e hazër xhevapit, kjo besoj do ta bëjë mjaft interesante këtë histori, në hetuesi e më tej, në gjyq e në burg. Ne në shtëpi gjithmonë i jemi përgatitur eventualitetit të ballafaqimit me ta, dhe e dimë që ai s’vjen ndryshe i plotë veçse në formën e një arresti, me të gjitha ç’ka mbrapa... I jemi përgatitur sepse kemi dhe një përvojë të mirë nga të burgosurit e familjes, por më tepër kemi mërinë e gjatë, të cilën megjithëse ia drejtojmë atyre lart, ushqehet e ndizet përditë nga arroganca dhe huqet e të vegjëlve (të mëdhenjtë janë të fshehur, të mbyllur si në një qivur të mermertë atje lart, dhe pa dyshim më tepër se kushdo tjetër, robër të ingranazhit, ashtu të pazënë nga dielli, të lëmuar si butonë, kurse të vegjlit kanë autonomi, janë ata që i japin ngjyrën sistemit – një pjesë e madhe të vuajtjeve dhe përuljeve i kemi vetëm prej tyre). Mirëpo Tefta po na nxjerr tani gjëra të tjera, që dëftejnë se në këtë nivel (të vogël e të mesëm) janë futur gjithfarë njeriu, dhe punët sa po venë e po ndryshojnë. Ndërkaq për shpjegim dua të shtoj edhe një tipar tjetër që është rezultat i natyrës së saj spontane dhe i shkëputjes së detyrueshme nga realiteti. Në fakt, duke mos pasë qenë veç se për pak javë në marrëdhënie pune gjatë këtyre dekadave, duke qëndruar brenda në shtëpi, nuk mund ta ketë ndijimin e gjëndjes posi neve. Një shembull që e mbajmë në gojë në shtëpi dhe qeshim sa herë e tregojmë është ky: një ditë që kishte dalë në Tiranën e Re, ajo hyri pa dashur (sepse nuk e dinte që fillonte zona e ndaluar), në një rrugë të Bllokut të Udhëheqësve. Rojet natyrisht e ndalën, i drejtuan pushkët duke e shtangur në vend. Pastaj telefonuan dhe erdhi Gazi, Në Degën e Brendshme ku e çuan, ajo pranoi para hartës se në cilën rrugë kishte guxuar të hynte. Kur u sqaruan oficerët si e qysh ndodhi kjo, njëri prej tyre iu kthye shefit me një shprehje të habitur me


Grabjani rrëzë kodrave

247

fytyrën””Kjo paska vajtur deri e shtëpia e shokut Spiro!” Tefta iu kthye dhe ajo me habi: “E pastaj? Ç’u bë?” Kur u kthye në shtëpi me dhëmbje koke të fortë mbas katër orësh që e mbajtën atje, na rrëfeu këtë dialog dhe ne qeshëm me paditurinë e saj... Të hysh në Bllok! E kush është ai qytetar sot që s’e di që është e ndaluar? E pastaj, ç’u bë? Jo, nuk përgjigjet njeriu ashtu, i thamë me qortim. Por mua mu kujtua menjëherë një plak i riatdhesuar nga Amerika, që pak muaj më parë i ishte përgjigjur edhe ai me të njëjtat fjalë dhëndrit të tij kur ai i dëfteu me një farë venerate një makinë luksoze që kalonte atë çast andej: ”Ja ai është benzi i Shokut Enver! – “E pastaj? Ç’u bë?” ia pat kthyer amerikani “ më plasi mua për benzin e ...” Isha prezent në këtë skenë, te Kafe Flora. Në fakt amerikani ishte shumë qejfprishur atë mëngjes nga një hall personal: s’kishte bërë banjo akoma sepse s’u kish ardhur ujët në katin e tyre, por më tepër e irritonte kjo veneratë e dhëndrit, meqë ai vetë 40 e ca vjet atje poshtë e kishte bërë normale të priste këdo, makar dhe presidentin njësoj me të tjerët, si kamarier që ishte. Kjo farë lloj shkëputje e Teftës, si një kombinim i rrallë për sot, ca vetiu e ca nga rrethanat duhet t’i kenë dhënë dorë hetuesisë, si një grumbull shprehish, anakronike vërtet por të freskëta, kurse neve të tjerëve, jo vetëm frika që kemi të rrënjosur si më të jetuar e të “rregjur” me kohën, por edhe vetë mëria që u mbajmë na bën më të matur. Unë e kam pritur me kureshtje të madhe këtë “përplasje” të saj me këtë kategori nëpunësash, hetuesit, të cilët, përfaqësojnë majën operative të diktaturës (një kastë që paguhet që ta mbajnë me këmbë me zorr atë, ashtu të çalë e të kalbur) edhe për një arsye tjetër. Doja të shihja a janë vërtet kaq të papërshkueshëm sa u a do puna dhe sa i përfytyrojmë ne shpesh herë, apo diçka u pëshpërit edhe atyre në vesh të vërtetën e thjeshtë, që sistemi u vë për detyre ta harrojnë? Të mësuar siç janë të lozin përherë me gjithë ato pikë në avantazh, të përkëdhelur e arrogantë, a mendojnë valle për një çast se mund t’i mposhtë dikush aty mu në zyrën e tyre, dhe kështu të dalin humbës në atë ndeshje të palezet ku partia ua shtron si detyrë të jenë përherë fitimtarë? Dhe sa për të përuruar këtë sfidë, Tefta, ia nisi me një veprim fare të natyrshëm, dhe në pjesën më të madhe spontan: Fjeti në makinë. Kur arritën në Degë, ata vetë zbritën dhe siç e kanë zakon (për të shtuar ankthin e të arrestuarit) e lanë të presë aty, midis burgut që i hapej dhe lirisë


248

Lekë Tasi —

dëshpërimisht ende të pahumbur përfundimisht, a ka më keq? Por nuk u eci: sepse ajo e drobitur siç isthte nga rruga, por edhe mospërfillëse krejt për teknikat e tyre psiko-ndrydhëse, ia krisi me gjumë! Mbas ndonja çerek ore erdhën e morën dhe e çuan në zyrën e hetuesit. E ulën në një karrike prapa derës. Mbas fare pak minutash, hyri kryetari i Degës me vrull. Si nuk e pa prènë, pyeti me padurim. Ata i bënë shenjë dhe ai u kthye: “Eh, Zonja Teftë!” i tha duke ngritur vetullën. Tefta s’foli fare, por pa ia hequr sytë, atëherë burri i Mallakastrës shfreu me përbuzje mllefin e tij “Armike!” – “Jo, s’jam armike” iu përgjigj Tefta pa ndonjë pasion (duke nënkuptuar “e popullit”, të paktën jo e “popullit”...) dhe u kthye të vështroje drejt përpara. Ai u foli atyre diçka duke dhënë porositë e tij për trajtimin dhe doli me hap të rreptë. Hetuesi u ul në makinë për të bërë proces-verbalin. Aty erdhën prokurori, Thanas Çuko, që i beri përshtypjen e një nëpunësi të urtë, dhe dy policë, njëri prej të cilëve, Todi me të cilin do të kishte të bënte si përgjegjësi i birucave. Pastaj erdhi fotografi që mori dy poza dhe më në fund një nëpunëse për të bërë kontrollin. Në kontroll i gjetën ca para që i kishin mbetur në xhep, sepse atë mengjes po përgatitej që të shkonte në dyqan. I’a morën, dhe prokurori i tha se do ti ktheheshin familjes. Tefta doli me një propozim: “nëse ka mundësi, të mi blini karamele…” Pranuan, megjithëse me një farë ngurrimi, atëherë ajo bëri hapin tjetër: “Mundësisht, jo Zana, as me mente. Më mirë me limon…”Todi vështroi nga prokurori, i ngrysur. Dhe ai, pak me ironi e pak në qejf përsëriti fjalët e saj:”Jo Zana, as me mente, po me limon…” U pranua. Në momentin që ndaheshim me Teftën te gazi poshtë zyrave, i pata dhënë disa libriume dhe analgina për dhemjen e kokës që ka, të pregatitura shpejt e shprejt nga mamaja. Ia morën dhe i vunë në tryezë, për t’ia kaluar Todit në dorëzim. Piu një prej tyre dhe e çuan poshtë. Para se ta kyçte në qeli, Todi i tha: “këtu s’ka as të qara, as këngë” Tefta ia ktheu me ton të rëndomtë: “Pse ka edhe njerëz që këndojnë?” Pastaj i kërkoi një copë bukë, për të mos rënë hapja në një stomak bosh. Ai i solli një copë duke i thënë: “Më vjen keq, supa ka mbaruar”.


Grabjani rrëzë kodrave

249

IZOLIMI Biruca ishte e shtruar me dërrasa, por s’kishte dyshek. Tri batanije që gjeti ishin të konsumuara, të tejdukshme dhe tërë pluhur (asnjëherë nuk u shkundën gjatë tre muajve, s’lejohej). Palosi në katërsh njërën dhe me dy të tjerat u mbulua duke vënë kokën nga ana e derës. Vapa e stinës solli një shi të fortë dhe vërtet Ylli, të nesërmen duke i çuar ushqimet dhe ndërresat, vuajti tmerrësisht me biçikletën që iu bllokua nga balta). Fjeti mirë tri orë megjithë zhurmën metalike të sportelit që e hapte polici rojë shpesh për kontroll siç është zakon sidomos ditët e para. Kur u zgjua, polici, që bënte roje dhe ishte ai që i kishte vënë hekurat, i komunikoi rregullat sipas të cilit koka vihet nga dritarja dhe që gjatë ditës nuk lejohej as të shtrihej as të ulej. Izolimi në birucë mbajti tre muaj dhe tri ditë. Rregullat janë të rënda, më të rënda se e çdo rrethi tjetër. Qysh nga çanga e zgjimit në ora 6 të mëngjesit e deri tek ajo e gjumit në ora 10 të mbrëmjes, i burgosuri duhej të rrinte në këmbë. (Më vonë në kamp, kur secila rrëfente historitë e veta, ato që vinin nga rrethet e ndryshme habiteshin me këtë rreptësi të Lushnjës dhe tregonin se atje në degët e e tyre të Durrësit, Tiranës e kudo gjetkë, gjatë përiudhës së izolimit, kënaqeshin duke ndjenjur shtrirë mbi dysheqet e dërguar nga shtëpia, edhe gjatë ditës e duke bërë punëdore, për të mos folur për ushqimin që u lejohej i gjithllojshëm) Për të matur kohën Tefta, bëri një kalendar në mur. Si mjet për të gërvishtur suvanë, përdori një copë nga dhëmbi që iu thye qysh ditët e para. Vizat që tregonin ditët (të dielat kishin linjë më të gjatë) morën me kohë formën e një kryqi që u zmadhua mjaft dhe i ra në sy prokurorit më vonë, kur erdhi me dy të tjerë për inspektim në qeli. Ai e frikësoi se do ta bënte çështje. Tefta iu përgjigj: “Ska ndonjë gjë...ju ia keni hequr të gjitha të drejtat të burgosurit, ai bën ç’i shkon dora... Fundja dëmi s’është i madh, kur të iki këtej i jepni një bojë, dhe çdo gjë ndreqet...” E ndjente veten të qetë. Frikë nga hetimet s’kishte, madje, kur u pezulluan një herë, mezi priste të rifillonin. Ishte e qartë që do të dënohej, pra nuk ndjente atë ankth që vjen nga mëdyshja; përkundrazi donte të fliste si një që e e ka kaluar kulmin e parabolës (përderisa kishte hyrë në atë derë) dhe ka merak se i shkon kot pjesa më e mirë e këtij rasti. Por nga ana tjetër, mbante parasysh përbërjen e atyre me të cilët kishte


250

Lekë Tasi —

të bënte, hetuesit si persona, kufizimet, formimin mendor, dhe megjithë dëshirën e saj për të shprehur lirë ato që kishte për të thënë, e kuptonte që fjalët e shumta mund të krijonin përshtypjen se ajo ishte një “rast” i jashtëzakonshëm, një e “fantaksur”, “pa sensin e reales”, gjë që do tu tërhiqte vëmendjen rreth asaj vetë si person e jo mbi fjalët që donte të thoshte. Prandaj i vuri vetes qëllim të fliste thjesht, dhe vetëm në formë përgjigjesh të goditura pyetjeve të tyre, që tu tregonte se ishin ata me absurdin dhe jo ajo, e akuzuara. Kjo më tepër në gjyq, pra në këto përgjigje të përqendrohej rezistenca e gjatë e sidomos mendja e shëndoshë, që s’ka vdekur dhe askfiksuar nga shtypja e përsëritja e pashije e gënjeshtrave, të cilat duan të venitin dhe të vendosin kokëposhtë çdo gjë në trurin e një shoqërie. Tefta i quan 25 ditët e para të birucës si periudhën më të qetë në jetën e saj. Në katër vjet internim, puna e rëmujshme e shtëpisë, ngushtica, fëmijët nëpër këmbë, rradhët në dyqane, fyerjet e njerëzve, lufta e pareshtur me këdo dhe çfarëdo, i ishin bërë peshë e madhe, një nyjë që iu zgjidh menjëherë në këtë qetësi e vetmi të plotë të qelisë, sado që në kushte të rënda. Aty, megjithëse pa lajme nga shtëpia, u mësua të mos shqetësohej për asgjë. Kjo gjendje mori fund pa u mbushur mirë muaji, kur i sollën në qeli një qiraxheshë tjetër. Ishte ditë e diel mëngjes. E ardhura quhej Jorgjie, myzeqare nga rrethi i Fierit, e martuar në fshatrat e Kavajës me dy fëmijë. Ishte jetime nga nëna që në vogëli, 26 vjeçe, përsëritëse. Edhe herën e parë ishte dënuar për faje ordinere me një vit burg, të cilin s’e kishte kryer të plotë. Tefta nuk dyshoi fare se mos ia kishin futur provokuese, sepse s’kishte ndonjë inteligjencë, por edhe sepse vetë s’kishe fshehur ndonjë gjë gjatë hetuesisë, që ajo t’ia nxirrte. Mbasi qau 24 orë pa pushim, filloi të flasë. Me kalimin e ditëve i shtoi shumë fjalët, duke iu bërë e bezditshme Teftës, tani që donte qetësi për tu përqendruar tek gjyqi që afrohej (as letër as laps nuk lejohej në Lushnjë). Më vonë, kjo kontradiktë mes tyre arriti në konflikt që kulminoi në grindje, sepse ajo ngulte këmbë që Tefta ta dëgjonte dhe Tefta s’pranoi më mbas dy javëve të para. Shyqo, roja që kishte shërbimin atë ditë – ushtar nga të shërbimit të detyruar, që i merte Dega nën vartësi për dy vjet – hapi sportelin, pa gjendjen dhe lajmëroi oficerin e turnit që rastisi të jetë Ajazi, operativi që dublonte Nevitin në Grabjan. Ai erdhi me të shpejtë dhe iu drejtua Teftës tërë inat, por Shyqo i tregoi se fajin e kishte tjetra. Atëherë ai iu


Grabjani rrëzë kodrave

251

kthye Jorgjisë, i foli ashpër, dhe mbas përgjigjeve jo të shtruara të saj, e kërcënoi se do ta fuste në birucë. (Birucat kishin edhe ato birucat e tyre, fare të vogla e të ulta, ku i burgosuri mbahej i lidhur këmbë e duar. Nga një i tillë vinin natën ca klithma të tmerruara të një burri, që Jorgjia thoshte se ish i çmendur dhe që rojet i hidhnin ujë herë pas here. Këtë ajo kishte mundur ta merrte vesh nga një polic me të cilin kishte nisur muhabet të pëshpëritur në sportelin e derës). Ajazi iu kanos pra se do ta fuste në birucë, mirëpo pa ndonjë efekt, sepse ajo i jepte xhevap me një histeri të dëshpëruar: “Më fut, më fut!” Arriti puna në një pikë të vdekur, sepse ai nuk donte ta bënte këtë. Tefta ndërhyri atëherë për ta mbyllur:”Ju lutem mos e bëni, mbasi kam faj edhe unë që nuk ja zgjas dot muhabetin” Kjo mjaftoi që ai të uli tonin. Para se të ikte, për të justifikuar zbutjen e tij meqë nuk e dënoi, iu kthye Teftës dhe i tha:”Jam operativ në Grabjan, familjen e ke mirë, u kanë dhënë dhe shtëpi”. Kështu kjo zënkë u bë shkak që Tefta të merrte lajmin e parë nga ne.

Rojet Ndër ata që bënin rojë tek korridori i birucave, policë, ushtarë, Gëzimi dhe Shyqo përfaqësonin tipat ekstremë. I pari hapte sportelin, vëzhgonte me sekonda të tëra, kontrollonte gjithshka, deri edhe murin dhe dyshemenë, dhe ato që shihte i raportonte. Ishte polici tipik, por edhe i rregullt shumë, mund të thuash pedant në të gjitha. Një ditë, ngaqë i dhimbte koka, dhe në pamundësi të ulej, Tefta kishte mbështetur ballin në mur. Me tringëllimin e shulit të sportelit, ajo nuk e ndryshoi këtë pozicion siç priste ai, dhe kjo e bëri kureshtar, ngaqë nuk iu duk fort brenda rregullores ky qëndrim vërtet në këmbë, por edhe në një pikë takimi të dytë me ambientin rrethues përveç tabanit të këmbëve. Qëndroi mjaft sekonda duke vrojtuar në pritje që ajo të lëvizte, dhe si nuk ndodhi kjo, e mbylli sportelin dhe mbas pak, sigurisht i lajmëruar prej tij, ia mbërriti Todi, që në këtë rast pyeti me ton të butë “çfarë ke Tefta?” dhe pastaj i solli një hape. Shyqo, roja tjetër, ishte shkodran dhe aspak strikt. U sillej mirë të dyjave dhe s’kishte frikë, kur merrte shërbimin, tu bënte atë favor që


252

Lekë Tasi —

e shkelte tërësisht rregulloren, t’i lejonte të uleshin, duke u kujdesur natyrisht që tu jepte shenjë sa herë ndiheshin hapa... Një ditë hapi sportelin një çast të shkurtër me zë të ulët, që mos ta dëgjonte tjetra: “Ke të fala nga profesori...” Kjo i erdhi e papritur, por menjëherë i shkoi mendja se do të kish qënë me leje në Shkodër, dhe nxori përfundimin se kishte folur me mësuesin e saj të matematikës, të cilin s’e kishte parë qysh nga koha e shkollës, po për të cilin dinte se kishte bërë 10 vjet burg. (Musa Dizdari). Kështu, kur ai hapi përsëri sportelin, qëndroi gati dhe shqiptoi vetëm emrin e atij, shpejt. Ai buzëqeshi e bëri “po” me kokë. 1979a ka qënë ndofta piku i arrestimeve, dhe birucat në të dyja anët e korridorit ishin të mbushura. Shenja për ta kuptuar këtë ishin zhurmat e natës, gaze që mbërrinin, hapa në shkallë, pranga, dryna e përplasje dyersh e shulash. Veç kësaj, këtyre të dyjave si femra, u takonte angaria të lanin tasat e të arrestuarve çdo mëngjes. Për një farë kohe Tefta numëroi 28, pastaj, me gjyqet që punonin, duke i përcjellë nëpër kampe, numri ulej e më vonë shtohej përsëri.

Hetuesia Pyetjet filluan 10-12 ditë mbas arrestimit. Rregulli e do që hetimin ta kryejë po ai hetues që bën arrestimin. Por për çudi, në rastin e saj, në vend të hetuesit të parë, doli një tjetër. Ky Zamir S., durrsak, mesatar nga trupi e rrumbullak nga fytyra, i ri me flokë pak të rëna, filloi nga detyra me këto fjalë: “Unë do të jem hetuesi yt; isha i ngarkuar edhe për arrestimin, por ato ditë u ndodha me punë fizike... Sot nuk do të punojmë, vetëm do të prezantohemi, me një fjalë bisedë e lirë”. Deri këtu në rregull, por kur pak më vonë tha: “Bashkë do të shkojmë mirë, unë do të sillem mirë” atëherë Tefta kuptoi që zënka e vogël në makinë e kishte bërë efektin e vet, meqë çdo gjë raportohet. Nga kjo dhe nga shenja të tjera, mund të gjeje konfermë ai mësim që thashë më lart, dmth që e vlen të resistosh, sepse diçka mund të arrish. Me këtë nuk dua të them se nëse vihet re sot njëfarë rregulli në proçedurë, një hije e zbehtë ligjshmërie, (them nëse, sepse kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, do të tregoj raste të tjera më vonë, të një arbitrariteti të bollshëm), kjo


Grabjani rrëzë kodrave

253

nuk është aspak rezultat i rezistencës nga populli, por e presionit që u bën bota e jashtme, dhe vetëm e atij. Megjithatë, do të ishte mëkat të mos bëjmë edhe ne pjesën tonë të presionit nga poshtë në këtë ballancë. Këta, edhe sikur t’i zbusin fare ligjet, mos prit që ujku të marrë përsipër vetë mbrojtjen tënde, ose të bëhet i paanshëm. Duhet t’ia ndukësh ti hakun tënd ashtu si të mundesh, për ta lehtësuar veten, dhe të kërkosh me seriozitet të ngrysur dhe jo me lajka zbatimin e atyre që i kanë të shkruar ne letër për konsum të botës. Për fat të keq te kjo qëndron ana më e dhimbshme e gjendjes. Shumë nga ata që kapen, ndodhen në hall të madh se po i dalin përballë Partisë dhe prandaj tremben se mos ajo i akuzon që s’i besojnë drejtësisë së saj! Kështu lozin më mirë kartën e “besimit” të “sinqeritetit” që në fakt është e oportunizmit më të përulur, ose tregohen naivë” (Unë di rastin e njërit që megjithëse dëshmitarët e akuzës i tërhoqën në gjyq deponimet e tyre në hetuesi, shenjë e një zbutjeje të tyre, s’dihet pse ky, ai i akuzuari, në vend të që përfitojë dhe t’i mohojë dhe ai të tëra, i ripohoi ato që i kishin shkëputur në hetuesi me presione dhe me ndihmë të provokuesve, duke shpresuar si duket se gjykatësi do t’ia çmonte sinqeritetin (por ç’sinqeritet është të pohosh një gjë që s’është faj, por vetëm quhet i tillë?). Gjykatësi, natyrisht nuk e zgjati fort, e dënoi (kur dashke vetë, ç’të të bëj unë?). Këto tregojnë edhe se sa thellësisht i papregatitur është ai që hyn në duart e tyre, dhe sidomos se ç’dëm të madh ka bërë heqja e avokatëve, e atyre avokatëve që ne i përbuznim atëkohë, ngaqë s’na hiqej malli për drejtësinë e mëparshme dhe i akuzonim si servilë ndaj prokurorit etj. Të paktën ata do të mund të të shpëtonin nga një servilizëm i tepruar dhe i panevojshëm. Heqja e tyre pati një synim të saktë: komoditetin maksimal të gjyqit. Qysh atëherë, drejtësia jonë e ka thjeshtuar edhe më procesin, e bën atë pa pleqërime të gjata, peshorja e saj nuk ka gurë të vegjël, por vetëm të mëdhenj. Si hyrje për prezantimin, hetuesi i bëri një pyetje: “ç’mendove kur u arrestove?” Tefta u përgjegj: “Mendova se më erdhi rradha, e kini zënë me rradhë, dikur do të më vinte edhe mua” – “Sigurisht do të thuash se tani të zbuloi drejtësia...” – Tefta ia ktheu me ironi “Unë jam krejt e pa faj, s’ka ç’të zbulojë, dhe ju e dini fare mirë këtë” – “Po të jesh e pa faj, kjo do të dalë në hetim, dhe ti do të lirohesh” – Tefta qeshi “Kjo


254

Lekë Tasi —

s’ka ndodhur kurrë! Të arrestohet njeriu këtu në Shqipëri, dhe të dalë i padënuar?! Jo, kurrë. Edhe me mua kështu do të ndodhë. Ju e dinit se sa fajtore jam.. megjithatë më sollët këtu. Fajet që s’i kam bërë ju do ti gjeni vetë, për të më dënuar, dhe vendimi do të vijë nga Ministria”... “Qenke e qartë” e ndërpreu ai. – “Po, po, si të flas, si të mos flas, unë do të dënohem, e kam të qartë, vazhdoi Tefta, por meqë erdha deri këtu, do të flas se më ka ardhur në majë të hundës” pastaj me një kureshtje që ishte vetëm ironi pyeti, “Përse akuzohem?” ‘Agjitacion dhe propogandë” tha ai. – “Agjitacion në Grabjan? Me tërë mend mund të mendohet kjo? Unë s’kam bërë agjitacion në Tiranë, se ishte e kotë. Duhet ta dini tanimë se s’ka njeri nga ne të deklasuarit që mbas 35 vjetësh me këtë qeveri dhe me ato që kemi hequr, të guxojë të flasë, dhe aq më pak unë që s’më fliste njeri, sepse kishin frikë të më drejtoheshin. Veç po të jesh i marrë ose budalla. Folëm sa folëm në fillim, s’doli gjë, e mblodhëm mendjen. Kështu që për këdo që e njeh gjendjen, kjo akuzë bie poshtë. S’kam qënë as e çmendur as budallaqe të hapem në atë fshat ku na kishit futur, me gjithë ata spiuna rrotull”. Në këtë pikë, pak a shumë hynë në dhomë njëri pas tjetrit edhe hetues të tjerë, shumica të rinj. Qëndronin në heshtje, shumica në këmbë, se zyra nuk kishte karrike të tepërta, por pa ndonjë shprehje armiqësore në fytyrë. Njëri prej tyre madje, hetuesi që do të merrte më vonë në pyetje Jorgjinë, i ofroi disa herë cigare Teftës, e nxiste ta ndezë, por ajo ia refuzoi. Në këtë kohë bisedohej për anësinë e drejtësisë tonë, dhe Tefta po thoshte:”Ju nuk e dënoni tjetrin pas fajit që ka bërë, por për ato që ka në kokë, për atë që është ai vetë”. Hetuesi që sillej tutje-tëhu nëpër dhomë iu kthye për ta zgjatur pak: “Nuk kuptoj, si?” Tefta i tha: “Po ja, shembuj ka plot. Kur një komunist bën një shkelje ordinere, dhe jo vetëm ai por edhe njerëzit e rrethit të tij, ju nuk i bëni gjë, kurse të tjerët i dënoni rëndë edhe për gjërat më të vogla. Sa për të deklasuarit, s’ka nevojë të bëjmë faj; problemi juaj për ne është nëse do të na dënoni tani apo pastaj, këtë person apo atë tjetrin, cili prej të dyve ju leverdis më mirë dhe në ç’kohë. Ne në fakt s’jemi veçse rezerva juaj për rastin që do t’ju duhemi, për të shtuar radhën e të burgosurve. Të nesërmen filloi hetimi i mirëfilltë, Zamiri ishte mjaft inteligjent por kishte dhe një besim të tepruar në vete. Pranë tij rrinte një person i


Grabjani rrëzë kodrave

255

dytë, kurrë vetëm. Ata që asistonin si persona të dytë, ishte Neviti ose prokurori, herë njëri herë tjetri, dhe në rastet kur mungonin të dy, vinte një djalë i shërbimit të detyruar, Andoni. Procedura ishte me mjete primitive. Hetuesi bënte pyetjen dhe pastaj e shkruante përgjigjen me dorë. Në fund të seancës, proçes-verbali do të nënshkruhej nga hetuesi, dhe Tefta e bënte këtë pa lexuar, së pari sepse s’mendonte që hetuesi kishte nevojë të shtonte të tjera veç ato që ajo thoshte, së dyti sepse e pengonte mjaft kaligrafia e palexueshme e tij. Mirëpo kur u lexua proçes-verbali i plotë në gjyq, i dolën disa gjëra që s’i kishte thënë në hetuesi. I mohoi, dhe atëherë i tha gjykatësja: “Ti i ke firmosur”, “Jo” ia ktheu Tefta; e ajo “Pa hajde të shohësh firmën...”

AktAkuza Akuzat qenë krejt qesharake. E bënin fajtore se kishte sharë mollët e dyqanit, që gjoja s’janë as për derra, e shpifje të tilla. Tefta i kundërshtoi kështu: në këtë fshat ne kemi parë furnizim edhe më të mirë, edhe më të freskët, që edhe në Tiranë nuk e kemi pasur, pavarësisht se jo me shumicë dhe ne si familje na kanë bezdisur në radhë. Pse të shaja mallin, përderisa mërzia na vinte nga njerëzit? Në përgjithësi të gjitha akuzat iu dukën fare për të qeshur, aq sa Tefta u tall hapur që në krye me hetuesin, kur po ia komunikonte: “Si s’gjetët një gjë serioze, po mollë dhe gorrica?! Ju më fyeni me këto! Mendoja se meritoj më tepër. Kur sajoni të paktën ta kishit menduar një gjë për qenë!”. Por hetuesi nuk u fye aspak për vlerësim të dobët dhe as nga të folurit troç mbi manipulimet e tyre të shqepura. Dhe kjo indiferencë e tij vazhdoi gjatë tërë hetuesisë. Ai vetëm shkruante i qetë, si të mos ishin punë e duarve të tij këto stisje. Sipas akuzës së dytë, ajo paskësh refuzuar të bënte një hartim për djalin e Zyhdiut, të internuarit nga Mokra, ngaqë tema ishte vizita e Sh. Enver në Gjirokastër dhe Sarandë, dhe e paskësh përzënë me shkelma (!) nga shtëpia, duke i thënë: “Ik, se nga ai i kemi këto të këqia...” etj. Asaj i kujtohej një vit e ca më parë, ky Zyhdiu i ishte lutur me insistim për një hartim, dhe në fakt ia kishte shkruar, por jo për atë temë, duke hedhur në letër ca fraza për bukurinë e bregdetit e ca dokrra të tjera, por ata donin medeomos që ajo të mos e kishte shkruar, e sidomos të kishte


256

Lekë Tasi —

sharë Enverin. Prandaj u tha me ironi: “Kush guxon të flasë keq për atë? S’jam budallaqe as e çmendur, ai është Perëndia mbi tokë!”. Hetuesi pyeti: “A do të të ballafaqojmë me dëshmitarin?” – “ Posi!” i tha Tefta e habitur për këtë paturpësi, dhe një mëngjes e gjeti mokrarin në mes të dhomës, veshur me kostum të zi e me këpucë të palyera. Hetuesi, me kokë të zhytur në shkresa, e ftoi Zyhdiun të përsëriste ato që i kishte thënë atij rreth hartimit të djalit, dhe ai me një fije zëri i ripohoi ato. Tefta u ngrit në këmbë e revoltuar duke i rënë tryezës: “Ti s’je Zyhdi C. por Zyhdi nëpërka!!! Kjo është mirënjohja jotë që të ndihmova djalin?!”. Ai s’përgjigjej fare; ishte zverdhur krejt. Tefta vazhdoi: “Ç’kujton ti, të kanë premtuar se do të të lirojnë, dhe shpëtove? Të gënjejnë more! Unë do ta bëj burgun dhe do të dal faqebardhë, por ti ku vete mor qyq!” Ç’e do jetën kur t’u thonë bota fëmijëve të tu, “Ja bijtë e spiunit!” Ai vazhdonte t’i mbante sytë të kthyer andej për ndihmë, dhe Teftës iu kujtua atëherë t’u çonte edhe hetuesve një spond. Ktheu kokën tamam nga ata dhe tha me zë të ultë por shumë të qartë: “Eh Zot, në ç’poshtërsira i fusin njerëzit...”. mirëpo andej nuk erdhi ndonjë shenjë se u kap aluzioni. Pena e hetuesit vazhdonte të punonte. Të nesërmen kur u bë fjalë përsëri për këtë akuzë, Tefta u tha me një përçmim të hapur: “Ç’më flisni...ajo akuzë ra poshtë mos më keq e për tu dhimbsur”. – “Po pse? – pyeti hetuesi pak i habitur. “Po a nuk e patë që ai s’foli fare, as hapi gojën, me gjithë ato që i thashë?” Hetuesi s’pati ç’të përgjigjej, por pastaj mbasi e mendoi ca, u detyrua ta sillte edhe një herë dëshmitarin të nesërmen me qëllim që këtë radhë të reagonte. Doli një farsë edhe më e keqe. “E poshtër...” filloi të thoshte Zyhdiu me një fije zë të mekur, por pa guxuar edhe këtë radhë të kthente sytë plotësisht nga ajo. Tefta qeshi haptazi me të: “Shumë vonë, tani u kujtove të zemërohesh?! Mbasi të mësuan mirë e mirë këta? Duhet të ishe zemëruar dje, jo sot, aha je vonë!”. Atij i ishte mbaruar vrulli, dhe s’dinte si të vazhdonte më tej. Edhe hetuesi nuk nguli këmbë më. Akuza tjetër: “I ke thënë Donikës se je e pakënaqur dhe se s’ka parë një ditë të bardhë qëkur kanë ardhur komunistët, që më përpara “kam jetuar në shtëpi të mira, kurse sot jetojmë në këto baranga etj”. Donika është një grua flokëkuqe që vinte e qepte te mamaja (ajo bile i kishte dhënë gajret asaj në lidhje me Teftën, kur pati ardhur herën e fundit,


Grabjani rrëzë kodrave

257

por pastaj Dega ia përsëriti premtimin që do t’ia nxirrte burrin nga burgu, dhe kështu pranoi të dalë dëshmitare). Tefta u përgjegj “këto që thotë janë të vërteta, që s’kam parë ditë të bardhë etj, por përjashtohet absolutisht t’ia kem thënë asaj. Për arysen e thjeshtë se e dija që ishte spiune e Degës. – ‘Spiune? Ngriti kokën tamam i habitur hetuesi, “Po si e dije?” – “Po ajo ma ka thënë me gojën e vet” i tha Tefta. – “E si kështu e pyeti Zamiri me sytë e hapur nga habia. – “Po ja, të gjitha ato që qepin tek mamaja vijnë natën vonë e pa hënë, hajdutçe, kurse ajo erdhi në mes të ditës! A nuk është kjo ta thuash vetë me gojë që ‘më kanë vënë? Pastaj, s’është e vërtetë se unë s’kisha kohë të zgjatesha me muhabete; doja t’i përcillja sa më shpejt këdo që vinte, e jo me këtë që e dija ç’mall ishte... Hetuesi e mori gjoja inatçe edhe këtë radhë, meqë nuk ia përtonte teatrove, dhe kështu mbas disa ditësh një mëngjes të bukur ia solli aty dëshmitaren të veshur me të kuqe dhe të parfumuar. Kur hyri Tefta, ajo ishte kapardisur këmbë mbi këmbë ulur në karrike në mes të dhomës. Dukej mjaft e gëzuar, si duket ia kishin rifreskuar premtimin me forcë (dhe mua më kujtohet që në periudhën e mbas gjyqit të Teftës, ajo vriste e priste në brigadën e saj duke dhënë urdhra e duke futur hundët në çdo gjë. Por i shoqi nuk doli as me atë rast e as me këtë faljen e tanishme të 82-shit, kurse Zyhdiu përfitoi realisht nga ai gjyq” - e hoqën nga apeli me gjithë gruan mbas disa javësh, i dhanë dhe hyrje). Kur e pa Teftën që po hynte me hekura në duar (hekurat hiqeshin vetëm në zyrë) i ra pak krekosja dhe duke qënë mjaft më inteligjente se dëshmitari i parë, dhe më e rrahur në të kaluarën me të tilla gjëra siç duket, dinte ta lozte mirë. Tefta u nxeh me të në një farë pike të ballafaqimit, nga paturpësia e saj, i dha edhe asaj nje surrup, gjë që u bë shkak t’i vënë përsëri hekurat, por debati pati së paku njëfarë ngjashmërie me hetuesi, ngaqë ajo merrte herë pas here një pozë të përvuajtur duke mërmëritur ngadalë si me keqardhje e me qepalla të ulura: “E ke thënë Teftë, mos e moho...”. Kështu që hetuesi doli me një lloj revanshi këtë radhë. Akuza e katërt kishte të bënte me fjalën që i kishte thënë përgjegjësit (e kam për nder internimin). Tefta nuk e mohoi, por për këtë do të flas kur të tregoj gjyqin. Një ditë, prej ditësh, doli në shesh gjatë hetimit edhe letra që Tefta i dërgoi P. Nushit para se të arrestohej, por dy ditë më parë, i kishin


258

Lekë Tasi —

kërkuar të shkruante një frazë çfarëdo në një copë kartë (sigurisht për t’ia treguar grafologut të tyre, mendoi menjëherë ajo). Kështu që, kur ia nxorrën përpara letrën dhe aty pranë raportin e ekspertit, Tefta ishte pak a shumë e përgatitur, dhe e priti me të qeshur këtë zell të tepërt për t’i provuar që shkrimi ishte i saj: “Nuk ka nevojë për ekpertizë u tha, përderisa e pranoj që letra është e imja dhe e ripohoj plotësisht si përmbajtje, megjithatë më vjen mirë që kriminalistika jonë ka bërë përparime... Më mirë veç është të shihnit fjalët fyese që tha ai dhe gurët që u bë shkaktar të na hidhen...” Hetuesi nuk u përgjigj, vetëm e regjistroi.

Bisedë e lirë Tani vijmë te më e habitshmja e të gjithave. Krahas akt-akuzës, vërtet shumë të varfër, hetuesi në një farë pike filloi të zgjeronte gamën e pyetjeve edhe me tema të tjera, të natyrës politike aktuale etj, gati në formën e një ankete, por pa a garantuar më parë se s’pëson gjë prej përgjigjes që do të jepte. Kjo e habiti pak Teftën, gati iu krijua përshtypja se kishte të bënte pikërisht me një sondazh opinioni, por... në kushte burgu (!). A thua mund të mendohet një gjë e tillë? Mos ata lart, duke qënë në errësirë të plotë nga kjo anë, u ka hipur dëshira ta marrin vesh më në fund diçka edhe për atë që mban thellë në tru populli, psh si e shohin njerëzit gjendjen, sidomos a guxojnë të flasin dhe gjer në ç’pikë; dhe për këto gjëra, meqë shtypi është i vdekur e në pamundësi të ringjallet, të kenë ngarkuar degët e brendshme, si veglat më të besueshme e të fshehta që kanë? Të jetë kështu? Edhe mundet.. veçse topuzi nuk shndërrohët lehtë në mikrofon, hendeku 40 vjeçar që i ndan të dy palët nuk rrafshohet kaq lehtë. Si mund t’i hapet goja ashtu papritur atij që kur zihet ngushtë thotë me vrap “mua më ka rritur partia!” ose “unë besoj në drejtësinë e partisë”. Si mund të presësh që ai njeri rakitik politikisht të shprehë opinione. Më vonë, Tefta takoi në kamp gra që ishin dënuar thjesht sepse kishin parë televizion italian (Sandokanin dhe gjepura të tjera) dhe nuk u kishte vajtur fare në mendje që ta kundërshtonin këtë tallje të hapur. Ato me seriozitet pyesnin njëra-tjetrën: kishe Sandokan moj në akuzë? Në një kuadër të tillë, i pandehuri s’guxon të përdorë asnjë nga të drejtat e tij, s’ka vend jo për opinione, por as për debatin e


Grabjani rrëzë kodrave

259

thjeshtë “jam apo s’jam fajtor”. Ai përpëlitet vetëm rreth kësaj “ a e ka bërë apo s’e ka bërë” atë për të cilën akuzohet, pa i hyrë fare asaj që a është faj apo s’është faj kjo që ka bërë. Atë ia lë tjetër kujt ta vendosë. E megjithatë, ja tek-tuk po i futkan tani edhe këto forma, gradualisht e me lezet, por vetëm tani kohët fare të fundit, sepse nga të dënuarat para saj, që pyeti Tefta në kamp, asnjëra se kishte kaluar akoma këtë lloj interviste. Pra, pyetsorin ekstra, ta themi kështu, Teftës ia filluan kështu: “Të pëlqen muzika italiane?” U përgjigj “Më pëlqen, por jo aq sa muzika amerikane. Ajo po, muzika amerikane, më pëlqen më shumë nga çdo tjetër”, dhe filloi të përmendë këngëtarët më të mirë. Hetuesit i erdhi e papritur kjo përgjigje, dhe ngriti sytë nga defteri një çast. Vazhdoi me një “mëkat” tjetër: “Po televizion të huaj shihje?” – “Po, shihnim, por vetëm Shkupin, Italinë jo për fat të keq, nuk na e merr, se e kemi shtëpinë në gropë” dhe duke thënë kështu bëri me kokë nga Neviti për konfermë. Ai pohoi me kokë. – “Mos do të thuash vetëm muzikë? Po lajme nuk dëgjoje në radio të huaja?” – ‘Lajme? Të gjitha! Çdo gjysëm ore, më 6, 6.30, 7. me 7.30 (Në këtë pikë e pyeta Teftën si do të përgjigjej po ta pyesnin arsyen pse i dëgjonte. Mu kthye gati e nxehur: “Se më dëgjohen! Ju hapni repetitorin për lajmet e Italisë dhe pyesni pse dëgjoj stacione të huaja! Nuk ju intereson a i dëgjoj, se këtë ju e dini fort mirë, por a guxoj ta pohoj. Këtu e kini hallin. Dhe me të vërtetë, e kini çuar punën të trembet tjetri edhe për gjëra të vogla, për një këngë, një film ose një model fustani, ose dhe kot, pse pa një ëndërr. Dhe ju ia ushqeni frikën. Me një shikim kërcënues në rrugë, po edhe me ca vjet burg... Apo mos doni të thoni se nuk ju kanë prurë të tillë “fajtorë” këtu? Me ju, çfarëdo që të bëjë njeriu, asnjëherë s’bën mirë!) Ky “sondazh” vazhdoi ca. Një ditë i erdhi radha dhe pyetjes “kyç”, ballafaqimit total: “ Je kundra pushtetit, apo jo, dhe pse?” një pyetje që po ti përgjigjesh saktë, të heq mundësinë për tu kthyer prapa... Hetuesi qëndronte më këmbë dhe e hodhi atë me një parathënie shoqërore: “ Do të më thuash sinqerisht; A e do pushtetin?” por pastaj u ngut të ulej për të shkruar përgjigjen “Ç’është e vërteta, frika 40 vjeçare i ka hedhur thellë rrënjët e saj dhe të jep tani efekt të vetvetishëm, me rrënqethjen e ndijimit se po hyn në zonën e dënimeve 20 e përpjetë. Por Tefta nuk deshi as në këtë rast të përdorë avokaturë duke i rënë rrotull e rrotull. Mori një ton të lehtë gati


260

Lekë Tasi —

duke qeshur tha: “Të them se e dua, do të ishte hipokrizi, dhe e urrej hipokrizinë: Jo nuk e dua – e shqiptoi mirë- dhe arsyeja që nuk e dua është se është diktaturë, dhe shumë e egër. Hetuesi e shikoi një çast në sy, pastaj i regjistroi të gjitha. “...Të ishte ndonjë diktaturë reformatore, edhe do ta pranoja...” – hetuesi ngriti kokën: ”S’kuptoj, si cila?” – Tefta “Si ajo e Mustafa Qemalit përshembull se kemi nevojë për reforma... Kurse këtu, nuk po shohim veçse luftë klasash, asgjë tjetër”. Pa ngritur kokë ai tha “Me ç’formë regjimi do të ishe e kënaqur?” – “Demokraci parlamentare, si ajo në Angli, me të gjitha liritë, por me dy parti, jo si në Francë ku ishin gjithë ato parti dhe qeveria binte në çdo dy muaj para ca vjetëve.... “Më çfarë s’je dakort në politikën e Partisë sonë?” – “Me politikën e brendshme” – “Po pse, e jashtmja të pëlqen?” – “Fundja, me atë mund të jem pjesërisht dakort”...(Ata ngritën kokën kureshtare).. Që u prishët me Jugosllavinë mirë, që u prishët me B.S. mirë, që dolët nga Pakti i Varshavës dakort, megjithëse të gjitha me vonesë, por s’mund të jem dakort kurrë me ato që bëhen brenda: luftë klasash në fillim, luftë klasash edhe sot pas 35 vjetësh. S’ka lezet. Vetëm gjyqe, ekzekutime, internime...i kini hedhur kundërshtarët në baltë, favorizoni vetëm të pazotët, dallkaukët, se ata ju rrinë servila”. Pyetjet bëheshin në mbrëmje. Aty nga ora 6, zbriste Todi në korridorin e birucave dhe shpërndante supën e darkës. Një natë që Tefta nuk ndihej mirë, rastisi që nuk erdhën ta merrnin si zakonisht. Kur ra çanga e orës 10, piu hapin dhe ra të flejë. E zuri gjumi mënjëherë. Ndonjë orë më vonë ose dy, erdhën dy policë të panjohur, jo të zakonshmit. E çuan lart, ku e prisnin hetuesi me operativin. Periudha e hetuesisë ishte në të mbaruar, pyetjet ishin bërë të gjitha, kështu që atë natë i thanë: “Tregoje jetën tënde, fol çfarë të duash”. Tefta e mori me shumë përtim, e drobitur siç ishte nga gjumi, dhe bëri një tregim të ngathët. E nisi nga koha e shkollës, tregoi gjyqin special, ku u dënuan babai dhe xhaxhai, pastaj heqjet nga shtëpitë njëra pas tjetrës, dëbimin nga Tirana të mamasë, pastaj prejashtimin nga rinia, ndalimin e shoqeve për ti folur e për ta shoqëruar, shoqërimin që i bëja unë në pushimin e madh, pastaj presionet që ta izolonin edhe nga unë. Arrestimin e dajës, kushëririt, vëllait të madh etj, presionet e V.Mitrojorgjit për ta bërë spiune, tri ditë mbyllur në Degë, kërcënimet


Grabjani rrëzë kodrave

261

me revolver në kokë, vitet më vonë kur çdo gjë vazhdoi të shkonte ters, kur kërkonte punë dhe nuk i jepnin ose kur e gjente dhe e nxirrnin, më vonë dëbimin nga Tirana, jetën në Shkodër, ardhjet fshehurazi në shtëpi, thirrjet në polici, gjobat, përcjelljet me pahir, një histori e tërë e zbrazur nga të mirat, e mbushur me të këqia. “Të gjitha këto duhet t’i kem thënë, por s’mbaj mend asgjë të qartë prej tyre, isha e shushatur”. Përveç dy gjërave në mes të morisë së ngjarjeve, e para, rasti kur dogji këmbën me serë të nxehtë, kur mamaja ngjiti kovën e pusit në një shtëpi me oborr në rrugën e Bamit, dhe lëngimin disa muaj prej plagës, e dyta, vajtja në Ministri të Arsimit; kur me nxitjen e rektoratit të Institutit Pedagogjik kërkoi si tërë shoqet e saj të jepte orë mësimi për tu stërvitur si studente që ishte. Nënministri Shemsi Totozani, kishte nxjerrë kokën nga dera dhe i tha: “Kush të ka pranuar në Institut ty? Ti do të edukosh brezine ri?”

Provokimi dhe Mbyllja e hetimeve Gjatë hetuesisë siç e kanë zakon me këdo që hyn aty, hetuesi tentoi të bënte me Teftën, atë që quhet “rekrutim”. Kjo ofertë është tani një hallkë që s’mund të mungojë në periudhën e paraburgimit. E do praktika e tyre. Të trembin me akuza të bujshme, të nxjerrin dëshmitarë të rremë (mes tyre edhe ndonjë ish shok që të përmend faje fantastike që s’i ke parë as në ëndërr), të demoralizojnë më persperktivën e një burgu të gjatë dhe të rëndë dhe pastaj të ofrojnë një mundësi shpëtimi nëpër këtë rrugë, dmth t’u shërbesh. I arrestuari pa përvojë, kapet ngushtë sepse në dëm të tij vepron izolimi total që po kalon, si dhe paushqimi. Këtyre ata u shtojnë edhe ca teknika të tjera, trembjet dhe pyetjet në mes të natës, cedimi fiktiv i ndonjë shoku që njihet si i fortë, që ja servirin për të ndjekur edhe ky shembullin e tij. Dhe po të shkundet mirë dhe të tegohet i gatshëm të firmosë pranimin dhe e firmos, nuk është se e çojnë tek porta; jo, ai mbetet aty, vetëm se tani e mbas kthehet në informator, me disa përfitime gjatë hetimit dhe pas dënimit, si dhe me një premtim të pacaktuar që i bëhet për lirim parakohe. Dhe po të tregohet vërtet i shkathët e aktiv, ata e udhëzojnë, e instruktojnë për një veprimtari provokuese nëpër qelira, një shërbim ky që ua lehtëson punën organeve, në raste sidomos kur duhen


262

Lekë Tasi —

zbërthyer raste arratisjesh kolektive, biseda kundër pushtetit, po ndonjë herë edhe kur duan të dënojnë ndonjërin dhe s’kanë arsye, e provokator e “peshkon” në bisedë mirëbesimi aty në qeli... Por edhe kur ky u bën shërbime të shquara, lirimi vonon,sepse Dega do ta shfrytëzojë akoma. Kështu që ai shpëtim i dëshiruar, me të cilin e joshën në fillim, na del një jetë e zgjatur birucash, e angazhuar me zbirime në kurriz të shokëve. Pse pranojnë? Mendoj se është një prirje në natyrën njerëzore, që të kapet pas çdo gjëje që i del përpara, qoftë e rreme, por që premton menjëherë, në vend që të shkoje me shpresë ose thjesht të pranojë fatin siç i vjen. Jeta tregon se ka shumë të tillë, aspak budallenj, por me një mençuri tepër të rëndomtë, që e përfytyrojnë lehtë hilen të përdorur ndaj të tjerëve prej tyre, por jo të përdorur nga të tjerët ndaj atyre vetë. Por Sigurimi, për të mos e hedhur fare poshtë besueshmërinë e vet në kontratën që ka bërë me këta elementë, e lëshon pak dorën herëherë, i sugjeron Ministrisë të lirojë para kohe ndonjërin prej tyre me dekret të veçantë, dhe kështu i gabon edhe për ca kohë gjithë të tjerët. Vjen pyetja: “Pse tentuan edhe me Teftën? Ajo as nga sjellja e saj aktuale, as nga dosja në të kaluarën e saj, nuk u jepte shpresë se mund të shkëputnin gjë prej saj. Shpjegimi mendoj mund të gjëndet tek praktikat e tyre e gjatë, e cila siç thashë e parashikon detyrimisht këtë hallkë, pavarësisht nga personi. Duhet të kenë arritur tek kjo praktikë, nga përvoja e gjatë, mbasi ngulmimi sa më i gjatë, me këdo, jo rrallë ka dhënë fryte krejt të papritura. S’ka forcë fizike, karakter të hekurt, inteligjencë të mprehtë, që të mund ti besosh absolutisht, së paku, jo pa u kolauduar mirë e gjatë. Ka pasur raste që burra të vendosur, të kalitur edhe me vuajtjet e arratisë nëpër male, janë thyer aty në birucë, të tjerë që kanë kaluar birucën dhe gjyqin me dinjitet dhe pastaj burgu i gjatë i ka ligështuar, dhe bile të tjerë që mbas burgut, në jetën e lirë, janë thyer nga kanosja e një burgu të ri… Një ditë një hetues i ri, hyri në dhomë me një lajm të kësaj natyre. Pyetjes së hetuesit të Teftës, të përqendruar si duket tek një çështje që e dinin të dy, ai u përgjigj me një lloj emfaze: “Vdiq!” – “Si?! – ja bëri hetuesi i Teftës me mjaft habi, vdiq?!” – dhe qëndroi pak i menduar. Pastaj tha: “Epo, vdiq, - vdiq…- s’kemi ç’bëjmë”. Zhargoni në këtë rast nuk linte për të dyshuar: “Posa ishte dorëzuar një që kishte rezistuar gjatë.”


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.