—
Grabjani rrëzë kodrave
—
263
Hetuesi Zamir pra, ia solli fjalën rrotull e rrotull Teftës dhe ajo e kuptoi që me të parën përse ishte puna, por bëri sikur s’merrte vesh. Ai ia përsëriti ofertat, por gjithmonë me një gjuhë të mbuluar. Në fund, doli nga dhoma personi tjetër që asistone, dhe hetuesi u ngrit në këmbë. Edhe Tefta u ngrit dhe ajo dhe iu afrua duke i folur prerë: “Unë e kuptoj shumë mirë se ku e keni fjalën, por kur të flisni hapur ju, atëherë do të përgjigjem edhe une hapur”. Mbas kësaj, Zamiri u tërhoq, por që atë ditë e mbas, filluan t`i bien atij tasti, herë prokurori, herë operativi, natyrisht pa rezultat. I dyti, operativi madje, e ngriti shumë tonin duke arritur të përdorte edhe fjalën “E poshtër!”. Tefta iu përgjigj me një zë jo të lartë, por me ton serioz dhe qortues: “Mos më thoni e poshtër, se ju e dini mirë që s’jam e poshtër”, një përgjigje kjo që e bëri të heshtte. Të tre përdornin në këtë fushatë të tyre, frikësimin se burgu do të ishte i rëndë e i gjatë. Tefta u përgjigjej përherë njësoj. “E di, këtë e di që ditën që kam hyrë këtu” Megjithatë ata s’u tërhoqën. Hetuesia tani ishte nga fundi; të gjitha ishin thënë dhe stërthënë, dhe përsëri ata nuk e mbyllnin procesin, por e shtynin edhe ca, se mos kushedi, ndërronte mendje dhe pranonte. Duket e qartë se e kanë porosinë nga lart, të shfrytzojnë sidomos këtë fazën e fundit për t’ia acaruar sa më shumë dilemën të arrestuarit në prag të dënimit. Ishin të tre atë ditë, hetuesi, operativi dhe prokurori, kur e shtynë për të nesërmen mbylljen e hetuesisë, duke e vështruar njëri tjetrin në një mënyrë domethënëse. Të nesërmen, kur erdhi çasti, ishin vetëm dy të parët, disi nervozë dhe të vrenjtur. E pyetën të tensionuar: “ E mbyllim?” Tefta u përgjigj me kokë dhe e nënshkroi proçesin pa ngurrim. Por tek ngrinte sytë nga letra, kapi në shprehjen e fytyrës së operativit një shikim sikur kishte hequr një barrë. Ai mori frymë por Tefta nuk mund të dinte arsyen e këtij lehtësimi, që kishte mbaruar bezdia e një hetuesia të zgjatur, apo mos ndoshta që s’kishte “vdekur”, dhe ajo si shumë të tjerë? Nga e tërë periudha e paraburgimit, Tefta ruan edhe një kujtim të shkëlqyer, atë të një seance hetimesh që për shkaqe të panjohura, u bë në mëngjes e jo në darkë. Hyri në zyrë, dhe mbas kaq javësh errësirë dhe lagështire sfilitëse, u përfshi nga drita e fortë dhe e ngrohtë e ditës. Ishte sikur ta kishin zhytur në zemrën e diellit.