Asgje e re nga .....Beogradi - Nga Armand Plaka

Page 1

34

JAVOR

REPORTAZH

* NGA ARMAND PLAKA

E SHTUNË 01.10.2011

Parlamenti i Serbisë

N

uk është e para herë, por sër ish ndien emocion të gjendesh në kryeqytetin e serbëve e aq më tepër në një kohë kur ai ekskluzivisht tashmë nuk ësh të më nën një funksion të dyfishtë, si kryeqytet i Jugosllavisë dhe njëkohësisht i Serbisë, qysh prej shpalljes apo më mirë lënies vetëm të Serbisë në vitin 2006, kur Mali i Zi i la shëndenë Unionit dhe kur Kosova në 2008, edhe “de jure” u shkëput përfundimisht prej saj. Falë një iniciative të kolegëve serbë, ish-bursantë të Bundestagut gjerman, mbështetur nga Administrata e Bundestagut Gjerman për të rimbledhur në një takim tri ditor në Beograd të ngjashmit nga rajoni i Evropës Juglindore, që nga Moldavia deri në Maqedoni, nga Sllovenia deri në Shqipëri, u ndodha nga data 22-24 shtator 2011, pikërisht në Beograd. Hoteli ku qëndronim ndodhej shumë pranë Parlamentit, dikur Federal e sot tërësisht në dispozicion të Republikës së Serbisë. Në fakt ishte hera e parë që në këtë kuadër m´u dha rasti të vizitoja deri në brendësi ambientet e tij dhe gjithashtu të njihja më mirë qytetin, ndërsa një kohë e mrekullueshme, nën një qiell të kaltër e ajër të freskët, fatmirësisht na shoqëroi gjatë gjithë kohës. Vizita në një nga qytetet më mbresëlënëse evropiane e ndoshta metropoli më i bukur në rajon, është një rast që s´duhej humbur. Sigurisht se udhëtimi pa viza ta jep në pamje të parë këtë mundësi, nëse do të flasim për terma të mirëfillta turistike, por realiteti është ndryshe, nëse mendon se si i tillë, ai, për një shqiptar zor se llogaritet. Drejt Maqedonisë, drejt Malit të Zi e Kroacisë, thuajse gjithkush tashmë në Shqipëri e merr me mend se mund të shkojë t´i vizitojë një apo disa herë, kurse udhëtimi drejt Serbisë, me ç´shihet do të vijojë të mbetet diçka e rrallë, por jo më “mollë e ndalueme”. Impakti i parë pozitiv që të shfaqet ( përtej asaj çka kundron plot kënaqësi nga ajri ndërsa avioni tenton uljen mbi aeroportin “Nikola Tesla” ) janë çmimet që të ofrojnë taksistët, të cilët distancën nga aeroporti drejt qendrës ( rreth 20 km) janë gati ta negociojnë edhe për më pak se 10 euro ( çmimi normal shkon tek 20-25 euro). Infrastruktura që të shoqëron, sigurisht është e standardeve evropiane dhe atmosfera në qytet mëse e tillë. Ndërsa kalon pranë ndërtesës së qeverisë, has në një prezencë të konsiderueshme policësh, të cilët nuk e di nëse gjenden aty gjatë shërbimit rutinë apo në prag të ndonjë evenimenti qeveritar. Në krah të saj, në anë tjetër të rrugës, fare qartë hasen pamjet e gërmadhave të ish-Ministrisë së Mbrojtjes, dëshmi të gjalla të seriozitetit të Aleancës Veriatlantike ndaj politikës së Millosheviçit, i cili deri në moment e fundit mbajti të gjallë shpresën se NATO-ja nuk do të ndërhynte kurrë për të shpëtuar “një turmë pa vlerë si shqiptarët”. Hoteli ku qëndruam, “Excelsior”, ishte konceptuar fillimisht të ishte një spital, por rrugës, gjatë viteve ´30 të shekullit të shkuar kishte ndërruar drejtim e pasi kishte njohur disa pronarë, përfshirë këtu pikësëpari vetë shtetin gjatë ish-Jugosllavisë socialiste, tashmë prej pak vitesh ishte privatizuar tërësisht, ndërkohë që një kornizë që shfaqte ishudhëheqësin karizmatik jugosllav, Josip Broz Tito qëndronte e varur në murin e restorantit përkrah pak të tjerave me motive nga qyteti. Të dalësh nga hoteli e të bësh një xhiro deri sa të vijë orari për të nisur programin zyrtar, duket qartazi se është ideja më e mirë e kjo sidomos kur me vete ke edhe gruan, e cila nuk stepet të futet në çdo butik, bonboneri apo art-shop përgjatë shëtitoreve të gjera e parqeve të gjelbëruara. Nën një temperaturë për ta pasur zili dhe gjelbërim që të rrethon ngado, ndjehesh me fat dhe instinktivisht ia nis të bësh ca shkrepje me aparatin fotografik. Sodit hapësirat pa fund e u hedh një sy monumenteve gjithashtu të shumta që përjetësojnë figura që i kanë dhënë shumë kulturës, historisë e politikës vendase, paçka se ndonjë prej tyre,

Pamje nga Beogradi, në sheshin para Parlamentit

duke u nisur nga konotacioni negativ që zënë në historinë e vendit tonë, nuk më bën t´i shoh domosdoshmërisht me admirim, siç është figura e Ivo Andriçit, i cili përtej faktit se ishte shkrimtar i madh me përmasa botërore, për ne do të mbahet mend edhe si ideator dhe përkrahës i idesë serbomadhe dhe i planeve për shfarosjen e shqiptarëve. Është gjithashtu interesante të hasësh monumentin me përmasa relativisht madhore të themeluesve të alfabetit cirilik, një kontribut që të gjithë sllavët, por sidomos serbët, i bën të ndjehen shumë krenarë, pasi e konsiderojnë pjesën më vitale të identitetit të tyre kombëtar. Në fakt, monumente të ngjashme të tyre, i gjen madje në përmasa edhe më të mëdha në Sofie apo dhe në Ohër, buzë liqenit, por duket se Cirili dhe Metodi aty ndjehen “më të sigurt”. Dualiteti në të shkruar (megjithëse në kushtetutën serbe, sipas atyre ç´ka më pohuan edhe vetë kolegët serbë gjatë aktivitetit, sanksionohet me ligj përparësia e cirilizmit) duket se është vetëm një anë e medaljes, ku dyjëzimi haset si një tandem që shoqëron shumë aspekte të jetës në Beograd. Kështu, aty gjen së bashku, të djeshmen dhe të sotmen, antiken dhe modernen, lindoren dhe perëndimoren, klasiken dhe socrealisten, jugun dhe veriun, nacionalen dhe multikulturalen, ballkaniken dhe evropianen, bizantinen dhe romaken. Madje aty ndjen edhe pak aromë shqiptare. Kjo sidomos të bën përshtypje kur programi ka parashikuar një darkë në “Skadarska”, rrugë në lagjen boheme të Beogradit, ku gatimi shembullor të shoqëron nën tingujt e mandolinave, kitarave e fizarmonikave që interpretojnë serenata sllave, të luaj-

tura kryesisht nga romë të veshur në kostume popullore. Por, sigurisht se kjo nuk kufizohet vetëm me kaq, “Pallata Albanija”, mbetet gjithsesi mbresëlënës, vendosur shumë pranë “Terazije”-s në një nga pjesët më të adhuruara të qytetit. Ai në fakt regjistron disa rekorde, duke nisur nga fakti se deri në fillim të viteve ´40 të shekullit të shkuar, ajo përbënte edhe ndërtesën më të lartë në rajon ndërtuar deri në atë kohë, duke marrë madje dhe namin e grataçelës së parë ballkanike. Po ashtu, një sërë rrugësh të tjera ta kujtojnë prezencën e Shqipërisë, ç´ka të bën të mendosh se Shqipëria qenkësh jo dhe aq larg vëmendjes së tyre. Gjithsesi, kjo nuk lidhet kurrsesi me „dashurinë” e serbëve ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, por ekskluzivisht me historinë e tyre, së cilës në një mënyrë shumë paradoksale e si pad ashje, i ka shërbyer në momente kulmore, vetë Shqipëria. Këto të gjitha janë bërë për të përkujtuar kalimin përmes vuajtjesh e andrallash mes tymit të Luftës së Parë Botërore ( në vjeshtë 1915), të ushtrisë dhe qeverisë serbe, e cila për disa kohë funksionoi në ekzil, duke komanduar nga ishulli i Korfuzit, derisa gjeti mundësinë , me ndihmën e aleatëve britanikë dhe të qeverisë greke, të nisej nëpërmjet Shqipërisë për të kryer misionin e saj; përzënien e austro-hungarezëve, të cilët deri në atë kohë kishin kryer inkursione shumë të suksesshme ushtarake, të shoqëruara gjithsesi me krime mbi popullsinë vendase, duke marrë namin e të pathyeshmit. Por shpejt rrota e historisë do të kthehej dhe fati do t’i ndillte serbëve, të cilët për rreth 90 vjet të tjera do të vërtiteshin mes hegjemonisë që ua mundë-

sonte tashmë zgjerimi i territoreve dhe renditja në anën e fituesve dhe frikës në pamje të parë të justifikuar rreth të ardhmes së vet në kufijtë tashmë jo perandorakë dhe të shpërndarë në disa shtete. Le të kthehemi paksa tek e sotmja për t’iu rikthyer sërish të shkruarës në një ndërthurje që ta imponon në fakt vetë ky qytet. Pikë kulmore e programit mbetet vizita në Kuvendin e Serbisë ose siç njihet më mirë atje në ‘slengun’ vendas nën emrin “Skupština”. Një ndërtesë e madhe, e restauruar, në mes të qytetit, duket se përbën edhe zgjidhjen më të mirë arkitekturore, ndërsa kupola e gjelbër dhe kolonat e gurta të sjellin ndërmend një epokë të artë në ndërtime e arkitekturën evropiane, me karakteristika austrohungareze. Gjatë guidës që na u rezervua në mjediset e Kuvendit të Serbisë, mësuam se projektimi dhe ndërtimi i godinës ia nisi nga viti 1903, vit në të cilin hyri në fuqi edhe kushtetuta e re, e cila ishte një version i përmirësuar i asaj të vitit 1888 duke e shndërruar Serbinë kësisoj në një shtet modern parlamentar, sipas standardeve të kohës. Ajo kushtetutë na u tha se nuk mori kurrë miratimin e monarkut dhe konsiderohet edhe sot si një nga më liberalet në Evropë. Po në atë kohë ndodhi edhe këmbimi i dinastive rivale për fronin e Serbisë, ku në fuqi tashmë erdhi me anë të një grushti shteti, Pjetri I, nga dera e Karagjorgjeviçëve, duke spostuar Obrenoviçët. Një moment interesant është tetori i vitit 1915, kur qyteti i Nishit u evakuua dhe e gjithë arkiva e Asamblesë Kombëtare u shkatërrua me urdhër të vetë Kryesisë së saj, për ta ruajtur nga austro-hungarezët.


JAVOR

E SHTUNË 01.10.2011

REPORTAZH 35

Asgjë e re nga…… Beogradi! Me “Aktin e Unifikimit”, më 1 dhjetor 1918 dhe krijimin e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve ( e cila zyrtarisht në vitin 1929 tashmë do të njihej edhe si Mbretëria Jugosllave), funksioni legjislativ i të gjitha trupave përfaqësuese popullore pushoi së ekzistuari. Nga ajo kohë kishin mbetur edhe sot në hyrje në Skupshtinës serbe, katër monumente të mëdhenj që paraqisnin tri figura kryesore të historisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, plus mbretin e të gjithë sllavëve të jugut. Në Parlamentin serb, ndërkohë ishin shtuar edhe 24 vende për t´u ulur deputetë që do të vinin nga territoret shqiptare të aneksuara në Kosovë e Sanxhak, qysh nga viti 1913. Në fakt është e tepërt të thuhet se të gjitha këto hapa të modernizimit të shtetit serb, rezultuan aspak frytdhënëse për fatet e shqiptarëve të përfshirë dhunshëm brenda kufijve të Serbisë apo ishMbretërisë jugosllave, pasi statusi i tyre vijoi të mbetej diskriminues dhe politika shtypëse pësoi vetëm pak makijazh, në kuadër të politikave ndaj minoriteteve. E parë në këtë kontekst hasim edhe emrin e njërit prej liderëve më të shquar të rezistencës kosovare të Pasluftës së Dytë Botërore ndaj pushtetit sllavo-komunist, Shaban Polluzha, i cili ironikisht rezulton të jetë ulur në sediljet e Skupshtinës serbe, si deputet i Kosovës gjatë periudhës së monarkisë jugosllave. E kështu, i kapluar nga emocione historike e ndjesi patriotike, m’u dha të bëja një pozë ashtu papritur m’u në foltoren e Skupshtinës serbe (dikur Parlamenti Federal ), aty nga ku ironikisht janë miratuar edhe ligje që kanë të bëjnë me ndërhyrje të dhunshme, gjendje të jashtëzakonshme apo edhe fushata të mirëfillta spastrimi ndaj vëllezërve tanë të një gjaku. Organizatorët, të cilët duhet thënë se gjatë gjithë kohës u përpoqën të ishin sa më të sjellshëm ndaj nesh dhe korrektë deri në detaje, në dukje ishin të shqetësuar për mosardhjen e delegacionit kosovar. Siç mora vesh më vonë, ish-bursantët kosovarë të Bundestagut gjerman, nuk kishin mundur dot të vinin, pasi u ishte refuzuar fillimisht alternativa për të udhëtuar me avion nëpërmjet Shkupit. Megjithëse për pjesëmarrjen e tyre në konferencë dhe udhëtimin e sigurt, ishte interesuar vetë ambasadori gjerman në Beograd, z. Wolfram Maas, i cili kishte siguruar një leje nga Ministria e Brendshme serbe që ata të kalonin me autobus përmes Sanxhakut, sërish ardhja e tyre dështoi, pasi kryetarja e delegacionit kosovar na paskësh rastësisht mbiemrin Thaçi dhe udhëtimi në mbrëmje siç mësova, ia kishte rritur frikën se mos ndodhte ndonjë situatë e paparashikuar. Ndërkohë, kolegët serbë u përpoqën gjatë gjithë kohës të na bënin të qartë se tek e fundit në atë aktivitet nuk kishin ardhur as kolegët malazezë e ata kroatë, të cilët në fakt nuk ishin gjendur aty thjesht për arsye subjektive. Konferencën, mes të tjerëve, e përshëndeti edhe zv. kryeminsitri serb, Bozhidar Djeliç, i cili gjeti rast të përmendte edhe atë që ai e quajti “heshtje dhjetëmujore” të EULEX-it për raportin e Dik Martit, duke shtuar në krahun tjetër se Serbia dëshiron raporte të mira me të gjithë fqinjët dhe duke cituar se përtej çështjes së Kosovës, sigurisht se Shqipëria dhe Serbia kanë plot çështje të tjera për të biseduar, duke sjellë në vëmendje vizitat e suksesshme të ish-zv. kryeminsitrit, Ilir Meta në Beograd e Luginë të Preshevës. Pyetjes që i bëra, nëse dialogu teknik po njihte përparim dhe se sa po zbatoheshin kompromiset e deritanishme, ai iu përgjigj: Sigurisht se dialogu është i domosdoshëm, duke u zhvendosur më pas në çështje të tjera. Përshtypje bënë mesazhet e ambasadorit gjerman në Beograd, z. Maas, i cili shprehu hapur keqardhjen

Disa nga pjesëmarrësit në aktivitetin rajonal të Beogradit, 23 shtator 2011 (djathtas dhe majtas në ekstrem, përfaqësuesit e Shqipërisë)

Godina e ish-Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Federatës Jugosllave ( jo asaj socialiste) e bombarduar nga NATO-ja gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999

Zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Djeliç dhe ambasadori gjerman në Beograd, Wolfram Maas, gjatë aktivitetit

që delegacioni kosovar nuk kishte mundur dot të merrte pjesë në atë konferencë. Nga ana tjetër, ai i cilësoi pohimet e shpeshta të serbëve lokalë se ata kurrë nuk do të lejonin të viheshin nën urdhrat e shqiptarëve d.m.th. të qeverisë së Kosovës, si tejet të papranueshme, “pasi në botën e sotme, - siç tha ai, - ndodh që një gjerman të vihet nën komandën e një polaku, një i huaj nën atë të shtetit gjerman, një shqiptar nën atë serbe, e kështu me radhë”. Ndërsa i biem qytetit kryq e tërthor, hipur në një autobus dykatësh të zbuluar, përshtatur për guida turistike, përshtypje të bëjnë njerëzit e thjeshtë nëpër rrugë e kafene, të cilët ta bëjnë me dorë, duke më kujtuar shqiptarët e fillim viteve nëntëdhjetë, të cilëve të huajt u bënin gjithnjë përshtypje. Por edhe romët, të cilët ashtu sikurse edhe në Tiranë, u afrohen automjeteve nëpër kryqëzime rrugësh për t´u pastruar xhamat, duke na bërë të mendojmë se iniciativat e shkuara apo të ardhme, të Bashkisë së Tiranës apo të qeverisë shqiptare, për t´i shmangur ato nga rrugët e kryeqytetit, bashkë me bezdinë që krijojnë , nuk mund të fitojnë ndonjë shans. Dikush më thotë se në këto 20 vjet, në Beograd s´ka ndodhur asgjë kur e krahason me ritmet e ndërtimeve dhe zhvillimin që kanë pësuar ndërkohë kryeqytetet fqinjë, si Bukureshti, Athina apo Tirana qoftë, e duke mos dashur të hyjë me në krahasime si Berlini, fjala vjen, i cili siç dihet, pas ribashkimit gjerman, ka njohur rritjen më të shpejtë në kontinent e mbase edhe në botë, brenda këtyre 20 viteve të fundit. Kalemegdani, parku i madh e shumë popullor i Beogradit të vjetër, ku kalojnë pasditet e fundjavat shumë kryeqytetas, të imponon vërtetë me shtrir-

jen e frymëmarrjen që të krijon, ashtu i vendosur përreth kalasë mesjetare të Beogradit, e cila rrënjët i ka hedhur në fillim shekullin e 15-të, porse përgjatë fundshekullit të 17-të dhe fillim shekullit të 18-të, u përsos me bastione e funksione shtesë, moderne për kohën. Gjithashtu, Sava dhe Danubi, me madhështinë e tyre, si dhe ndërtesat në të dyja anët e qytetit, harmonizuar bukur me një infrastrukturë moderne, nuk ta japin në pamje të parë idenë e shprehur nga kolegu serb mbi “mosndryshimet” në Beograd. Ndërkohë që një koleg tjetër ankohet se Beogradi tashmë është bërë kazani ku vlojnë prurjet e të gjitha skajeve më periferike të Serbisë dhe se një farë kaosi si pasojë e mbipopullimit, ka nisur ta bëjë punën e vet që pas shembjes së ish-Jugosllavisë socialiste. E meqenëse ra fjala, për këtë të fundit dukej se tashmë shumë pak flitej, duke e trajtuar thjesht si një periudhë kalimtare historike, nga e cila Titoja, marshalli dikur hijerëndë e i plotfuqishëm, thuajse zot i qytetit, thuajse ishte harruar fare. Bulevardi me emrin e tij tashmë prej vitesh ka ndërruar emër dhe kujtimi i tij shpesh vishej me konotacion negativ për të rinjtë, shumë nga të cilët, çuditërisht, madje besonin se ishin pikërisht serbët ata të cilët kishin vuajtur më shumë nga “bëmat” e tij. Ndërkohë ndonjë fasadë e nxirë dhe disa vagonë të vjetër tramvajesh në qytet, ndoshta të bëjnë t´i japësh të drejtë atij që ankohej për stanjacion të qytetit, porse kurrsesi nuk mund të ndjesh siguri në këtë ndjesi. Sidoqoftë, nën një fllad prag vjeshtor që të rreh lehtë fytyrën, të vjen instinktivisht mendimi se ky, sigurisht se duhej të ishte një qytet ku mund të

jetohej shumë këndshëm. Ndërsa kalojmë nëpër rrugë e rrugica, na shfaqen kafene e hotele, në të cilët dikur kanë bujtur politikanë, artistë e shkrimtarë të mëdhenj dhe ca anekdota mbi to na bëjnë t´i hapim mirë veshët e diku edhe të shkrihemi gazit. Por edhe se Beogradi, është qyteti i shumë festivaleve, madje ka një famë pothuajse të përafërt me Berlinin në këtë aspekt. Kështu koha kalon dhe për një çast harron se ndodhesh pikërisht m’u në zemër të “shkijeve”, atyre që për shekuj e dekada, i kemi cilësuar si një aksiomë që nuk ka nevojë për vërtetim, si “fqinjët tanë problematikë”. Edhe në momentet kur po shkruaj, ata lakohen se nuk gjejnë qetësi për të sabotuar çdo gjë që ka të bëjë me përparimin e Kosovës drejt konsolidimit të saj si shtet i pavarur. Gjithsesi, nëse do të harronim për një çast politikën, serbët në Kosovë, deklaratat, historinë, konfliktet dhe thjesht do të merreshim vetëm me qytetin me emrin Beograd, atë çka ai ofron, çka mund të na vlente, kjo do të mund të na jepte një ndjenjë relaksi. Sepse në fakt atje edhe vetë serbët e Kosovës, prej kohësh nuk përbëjnë më lajm për kryeqytetarët, siç më thanë disa kolegë serbë. Nga Beogradi nuk ka asgjë të re dhe kjo më ngjan papritur vetëm një “deja vu” e radhës. Dikur, thjesht udhëtimi drejt tij, për një shqiptar përbënte lajm, eveniment e deri në shkelje të një tabuje. Sot është ndryshe. Ndoshta bota rreth nesh po bëhet më e mirë. Padyshim, falë përpjekjeve të vetë njerëzve që jetojnë në të. *Autori është ish-bursant i Bundestagut gjerman dhe bashkëpunëtor shkencor i Fondacionit “Konrad Adenauer” në Tiranë.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.