“Këngët e buzëqeshjes” është ndoshta i vetmi botim që përmban aq shumë koncentrat buzëqeshje, në të gjitha format e saj: nënqeshje, buzagazje, qeshje të hareshme, qeshje hidhshëm.
Ky ribotim, i pasuruar me dorëshkrime e poezi të pabotuara më parë, vjen në këtë vjeshtë të trazuar me mjaft freski, origjinalitet në përmbajtje e formë.Gëzimi dhe buzëqeshja, humori dhe strofat “satanike” sa i takon të vërtetave të hidhura por të shkruara me finesë figurative, rrëfimet përrallore por me të vërteta të kamotshme dhe mbarënjerëzore, vargjet “naive” kushtuar fëmijëve por edhe një kambanë tingëlluese për të rriturit, epigramet aforistike që të çelin dritare meditimi, janë çka duhet vlerësuar në këtë ribotim.