4 minute read
frymëzues
“Riviera e Ulqinit”, ku filloi punën në kompleksin e njohur “Ada Bojana”, si kompleksi më tërheqës i turizmit në Ulqin, por edhe në përgjithësi në Malin e Zi. Dëshira për të mësuar më shumë bëri që ai më pas të kalojë në hotelin “Albatros”, ku drejtor ka qenë i ndjeri Filip Martinoviq, njëri prej drejtuesve më të mirë dhe më të njohur të turizmit tonë. Falë përvojës së fituar në Australi, Martinoviqi e ka ngritur ofertën e këtij hoteli në një nivel jashtëzakonisht të lartë. Krahas kësaj ai ka vendosur disiplinë të madhe në punë dhe ka grumbulluar personelin më të mirë në fushën e turizmit te ne, në mesin e të cilëve Ruzhdi Karamanagën, Refik Mollabeqirin, Gani Vogliqin, etj. Kryeshef i kuzhinës ka qenë Refik Mollabeqiri, i cili përveçqë ka qenë njëri ndër njohësit më të mirë të gastronomisë në Ulqin dhe më gjerë, ka qenë edhe mësimdhënës në Gjimnazin e Ulqinit. Kombinimi i teorisë dhe i praktikës, nën patronatin e tij, ka qenë gjëja më e mirë dhe dhunti për të gjithë ata që kanë pasur fatin të mësojnë nga ai. Ne të tjerët e kemi quajtur “doktori i Albatrosit” pasiqë gjithmonë, qoftë në hotel apo në shkollë, ka qenë i veshur në mënyrë elegante, me mantel të bardhë dhe me kollare. Kështu që Vehbiu ka pasur fat, por edhe vullnet që të mësojë dhe të punojë në hotelet më të njohura të kohës, siç ishte në ishullin Ada, pastaj në “Albatros”, më vonë në hotelin “Mediteran” dhe në disa objekte të tjera hotelierike. Pasioni për profesionin, por edhe dëshira për të kërkuar më shumë ka bërë që të fillojë edhe vetë si pronar me angazhimin e tërë familjes. Në fillim ka marrë me qera restorantin “Skenderbeg” në Katërkollë, të cilin e ka menaxhuar mbi tri vjet, pastaj “Bukuria e Ulqinit” në Plazhin e Madh për rreth gjashtë vjet. Një kohë ka punuar gjellëbërës edhe në një anije. Prandaj rrugëtimi i tij është për librin e rekordeve të Ginesit pasi ë si njeri i thjeshtë, gjellëbërës, falë punës ka arritur që sot të jetë njëri ndër pronarët dhe gastronomët më të njohur në Ulqin.
Mjeshtrin e kuzhinës, Refik Mollabeqirin, nga i cili ka mësuar shumë, nuk e harron kurrë.
Advertisement
“Edhe sot kur më shkon ndërmend puna dhe qëndrimi i këtij virtuozi të gastronomisë, ndiej respekt të madh dhe më kujtohet secila fjalë dhe recetë. Asgjë nuk ka lënë pas dore. Ka pasur dijeni, por edhe besim te nxënësit e tij. Ai ka qenë model i gastronomisë, shembull për të gjithë ne, por edhe për ata që dëshirojnë të arrijnë një nivel të lartë në gastronomi. Kurrë nuk i harroj këshillat e tij dhe i jam mirënjohës deri në fund të jetës sime”, shprehet Vehbiu.
Të rrallë janë ata njerëz që kanë pasur karizëm dhe guxim, siç e ka pasur Vehbiu. Sepse të shesësh fermën në fshat, të rrezikosh për të blerë një restorant në lumin Buna, t’i përkushtohesh plotësisht gastronomisë dhe turizmit, të fillosh punë në një konkurrencë të restoranteve me famë dhe të arrish të bëhesh njëri ndër gastronomët më të fuqishëm, është dashur të kesh një zemër të madhe. Përpos restorantit “Barakuda”, si njëri ndër restorantet më prestigjozë në lumin Buna, në pronësi të familjes së tij sot janë gjithsej tre restorante që përbëjnë një kompleks të rrallë në këtë zonë të Ulqinit.
Vehbiu është i kënaqur me punën dhe me familjen e tij, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në restorant, si dhe me personelin tjetër që gjithmonë është i sjellshëm dhe i qeshur. Ai është mikpritës dhe padyshim është shembull se si duhet të duket një punëtor i gastronomisë. Ju pret mirë dhe gjithmonë me buzëqeshje, kurse kuzhina është në nivel evropian. Ai është një burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, një figurë markante e qytetit tonë, baba, gjysh dhe padyshim një vëlla shembullor. Sipas mendimit të shumë ekspertëve të turizmit, por edhe të shumë mysafirëve që ditë për ditë e vizitojnë restorantin “Barakuda” në lumin Buna, Vehbiu është sot njëri ndër gastronomët më të mirë dhe më të suksesshëm te ne. Për këtë arsye them se ai është bërë sinonim i gastronomisë sonë. Edhe në këtë shkrim po e përsëris një mendim timin që e përdori pothuajse gjithmonë si mesazh për të gjithë ata që i lexojnë shkrimet e mia, se turizmi i periudhës ndërmjet viteve ’70 dhe ’90 të shekullit të kaluar, duhet të jetë shembull për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Për turizëm duhet të jesh i lindur, por edhe të mësosh dhe punosh. Është mirë që në mesin tonë ka njerëz që në gjakun e tyre kanë gjenet e forta për biznes. Padyshim që Vehbiu i ka të gjitha këto veti, të cilat e kanë ndihmuar për t’u bërë gastronom i suksesshëm.
Në bisedë me të më tregon se është besimtar i devotshëm, është aktiv në Xhaminë e Selitës ku është muezin dhe e thërret ezanin, një traditë e trashëguar nga paraardhësit e tij. Është po ashtu adhurues i peshkimit, e njeh mirë peshkun dhe shpeshherë dhe peshkon si zhytës.
Dhe çfarë është më e rëndësishmja për të, thotë se gjithçka e ka fituar me djersën e ballit dhe se pavarësisht rrethanave të vështira gjatë tranzicionit, kurrë nuk është marrë me punë të paligjshme. Jeton në fshatin Selitë dhe në Ulqin. Është i kënaqur me familjen e tij të ngushtë dhe restorantin e menaxhon bashkë me djemtë. Vehbiun e gjen gjithmonë në tavolinën e tij në hyrje të restorantit.
Puna dhe veprimi i tij, guximi dhe rrezikimi për të blerë një restorant të njohur në lumin Buna është një shembull i mirë frymëzyes, por edhe shikim përpara drejt së ardhmes.