17 minute read

SEGREGIMI I FËMIJËVE ROMË DHE EGJIPTIANË NË SHKOLLAT SHQIPTARE

Të ndarë dhe të pabarabartë: Segregimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollat shqiptare

Edhe pse ligji shqiptar e ndalon segregimin e shkollave si formë diskriminimi, disa institucione publike të arsimit 9-vjeçar vazhdojnë të jenë të segreguara, duke lënë pasoja të thella për nxënësit e minoriteteve.

Advertisement

BREDI XHAVARA |BIRN | KORÇË, TIRANË DHE ELBASAN

Altin Prita, banues në lagjen ‘Kulla e Hirit’ në Korçë është babai i 8 fëmijëve, nga të cilët ‘tre çupa dhe një djalë’ shkojnë aktualisht në shkollë. Të gjithë fëmijës e Pritës kanë ndjekur shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, por jo me dëshirën e tij. “Fëmijët shkonin në shkollë, tregonin që mësueset i shanin dhe i rëndonin psikologjikisht,” kujton Altini, i cili tani është anëtar i bordit të prindërve.

“Sidomos për romët, ata nuk zhvillonin as mësimet me fëmijët, sepse nuk i donin… kam shkuar shumë herë dhe i kam gjetur mësueset në kafe duke pirë kafe në orën e mësimit,” shtoi ai.

Në vitin 2015, gati të gjithë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” vinin nga komuniteti rom dhe egjiptian, duke e bërë këtë institucion publik arsimor një nga shkollat më të segreguara në Shqipëri. Ky nivel i lartë segregimi dhe ankesat e prindërve e shtynë Qendrën Europiane për të Drejtat Rome në Budapest, ECCR, të ngrinte një padi për diskriminim në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut kundër shtetit shqiptar. “Ne duam që fëmijët të kenë as më pak, as më shumë se çfarë është e drejta e çdo qytetari në Shqipëri – një arsimim të barabartë,” tha Jonathan Lee nga Qendrën Europiane për të Drejtat Rome.“- Fakti që kjo shkollë është 99% rome dhe egjiptiane është segregim racor sipas ligjit,” shtoi ai.

Shkolla “Naim Frashër’ nuk është e vetmja shkollë e segreguar në Shqipëri dhe sipas aktivistëve të komuniteti rom dhe egjiptian, ky është një problem që haset edhe në institucione të tjera arsimore publike në Shkodër dhe Elbasan. E pyetur nga BIRN mbi shkollën “Naim Frashëri” në Korçë dhe institucione të tjera arsimore, Ministria e Arsimit deklaroi se ishin regjistruar përmirësime gjatë viteve të fundit dhe fajësoi organizatat e shoqërisë civile, duke pretenduar se ndihmat që ato kanë dhënë për shkollimin e fëmijëve romë kanë ndikuar në segregimin e shkollave ku këta fëmijë studiojnë.

Shkelje e ligjit Kuadri rregullator shqiptar parashikon mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe integrimin e tyre ne jetën sociale. Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” ndalon diskriminimin në arsim për shkak të racës apo përkatësisë etnike dhe parashikon gjithashtu sanksionet përkatëse. Megjithatë, për shkak të paragjykimeve përjashtuese ndaj komunitet rom dhe egjiptian që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare, segregimi vazhdon të jetë prezent. Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda shkolla duhet të reflektojë komunitetet që ka shoqëria, pasi kjo i ndihmon fëmijët për t’u rritur dhe për të pranuar shumëllojshmërinë e shoqërisë, si dhe për të mos diskriminuar individë apo grupe të ndryshme.

“Përqendrimi i fëmijëve të komunitetit në një institucion shkollor nuk ndihmon në gjithëpërfshirjen që do të duhet ushqejë shkolla, ky është problemi i segregimit në vetvete,” tha Gajda. “Në rastin e shkollës Naim Frashëri, por edhe në shkolla të tjera, gjëja e parë që kemi identifikuar është disporpocioni i fëmijëve që vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian dhe kjo nuk ndihmon në bashkëjetesën me të ndryshmin e tij, çka nënkupton një problem, sepse nuk lejon që fëmijët të rriten pikërisht me ketë frymën e jetesës bashkë me fëmijët e tjerë dhe në këtë rast konsiderohet diskriminim, por që vjen në formën e segregimit,” shtoi ai.

Fatmira Bedulla, një tjetër prind nga Korça i tha BIRN se në shkollën “Naim Frashëri” fëmijët e minoritetit kanë qenë jo vetëm të segreguar, por edhe të diskriminuar dhe të keqtrajtuar nga disa prej anëtarëve të stafit pedagogjik. “Fëmijët e gaxhenjve rrinin në bankat e para, fëmija im rrinte në bankën e fundit. Fëmija tonë ulej vetëm, ndërsa fëmijët e mazhorancës uleshin të dy bashkë,” tha ajo, duke shtuar se si rregull, bankat e para duhej të rezervoheshin për fëmijët me gjyslykë dhe ata shtatshkurtër. “Nuk kishin as banjo, i mbanin me çelës mësuesit; kur vinin fëmijët në shtëpi i pyesnim dhe ata na tregonin hallet në shkollë,” shtoi Bedulla.

Etleva Tare, specialiste e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë, i tha BIRN se problematika e shkollës “Naim Frashëri” ekziston për më shumë se një dekadë. Sipas Tares, kushtet e këqija të shkollës – para rikonstruksionit në vitin 2019 dhe paragjykimi ndaj komuniteteve rome dhe egjiptiane i shtynte prindërit nga komunitetet e mazhorancës t’i largonin fëmijët nga kjo shkollë. “Nuk donin të rrinin me fëmijët romë dhe egjiptianë dhe një arsye tjetër ishte dhe fakti që shkolla nuk kishte kushte, si dyer, dritare, ngrohëse, pa mure rrethues – shkolla ka qenë në kushte shumë të këqija,” tha Tare, duke shtuar se kjo shkollë vijon akoma të “ketë

Fatmira Bedulla, nënë nga Korça, fëmijët e të cilës ndjekin shkollën Naim Frashëri në Korçë Foto : Brjedon Xhavara

më shumë nga dora tonë, 75 % janë romë dhe egjiptian.”

“Nga ana psikologjike e dëmton fëmijën, ata nuk ulen me ata të mazhorancës, fëmijët nuk po integrohen sepse janë të segreguar akoma,” nënvizoi ajo. Sipas ECCR-së, padia kundër Shqipërisë në Strasburg i ka rrënjët në një takim me prindërit e shkollës “Naim Frashëri’ në vitin 2017 dhe dëshirës së tyre që fëmijët të ndiqnin shkolla të integruara. “Ne bëmë një ankesë te Komisioneri i Mbrojtjes nga Diskriminimi, i cili ra dakord që situata në shkollën ‘Naim Frashëri’ ishte segregim racial i paligjshëm,” tha Jonathan Lee.

Lee shpjegon se në vitin 2017, Ministria e Arsimit i shkroi një letër ECCR-së ku tregonte hapat që do të merrte kundër segregimin në shkolla, por nuk i zbatoi kurrë këto masa. Ai shtoi se gjykata e Strasburgut pritet të shprehet për këtë çështje deri në prill të vitit 2021. E pyetur nga BIRN, Ministria e Arsimit tha se përqindja e fëmijëve romë dhe egjiptianë si pjesë e totalit në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri’ ka ardhur duke u ulur gjatë 3 viteve të fundit, pas ngritjes së padisë në Strasburg nga Qendra Europiane për të Drejtat Rome. “Shkollës 9-vjeçare “N. Frashëri” i janë bashkuar shkollat Ravonik dhe Turan që janë 2 km larg kësaj shkolle, duke bërë të mundur që diferenca në përqindje mes nxënësve romë dhe egjiptianë në krahasim me nxënësit joromë dhe joegjiptianë në këtë shkollë të ulet me 37%,” tha Ministria e Arsimit. Ministria shtoi se kjo shkollë mbulon lagje me një përqendrim historik të komunitetit rom, ndërkohë që fajësoi edhe subvencionet nga OJF të ndryshme ndër vite për komunitetin rom me projekte për afrimin e fëmijëve të rrugës, duke u çuar atyre pako ushqimore çdo muaj ose duke i ndihmuar me mjete mësimore.

“Ndihmat ushqimore dhe mjetet shkollore vetëm për komunitetin rom dhe egjiptian ndikuan jashtë mase në largimin nga shkolla “N. Frashëri” të fëmijëve të tjerë, pasi ndiheshin Altin Pira, babai i 8 fëmijëve dhe anëtar i Bordit të Prindërve në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë | Foto : Brejdon Xhavara

të përjashtuar,” tha Ministria e Arsimit.

“Prindërit romë dhe egjiptianë nuk kanë nxjerrë në asnjë rast problemin e segregimit, pasi janë historikisht banorë të zonës që mbulon shkolla “N. Frashëri”,” shtoi ajo.

Problem kompleks Vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tregojnë se problemi i segregimit në shkollat shqiptare nuk është i kufizuar vetëm në Korçë, por shtrihet edhe në zona të tjera të Shqipërisë që kanë një përqendrim të komunitetit rom dhe egjiptian si Berati, Shkodra dhe Elbasani. “Duhet të kemi parasysh që zgjidhja e rasteve të segregimit është komplekse, sepse kërkon impenjimin e disa aktorëve dhe jo vetëm të një individi. Pra në këtë rast nuk kërkohet vetëm angazhimi i drejtorive arsimore apo Ministrisë së Arsimit, por kërkohet një impenjim i shumëfishtë – angazhimi i vetë familjeve të komuniteteve, por edhe familjeve e tjera që janë pjesë e këtij ambienti,” tha Robert Gajda.

“Por njëkohësisht edhe i organizatave të shoqërisë civile që operojnë dhe mund të bëjnë rolin e ndërmjetësit midis familjeve dhe autoriteteve,” shtoi ai. Raste të ngjashme segregimi janë regjistruar në shkollën “Avdyl Avdia” në fshatin Moravë të Beratit, në shkollat ‘Qamil Haxhihasani 2’ dhe ‘Ptoleme Xhuvani’ në Elbasan, si dhe në shkollën “Liria” dhe “Isuf Tabaku” në Shkodër”.

Ervis Çota, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Rinore Rome dhe Egjiptiane, i tha BIRN se shkollat ‘Ptoleme Xhuvani’ dhe ’ ‘Qamil Haxhihasani 2’ janë pranë një lagjeje më përqendrim të lartë të komuniteti rom dhe egjiptian në Elbasan, por nënvizoi se aktivistët kanë gjetur mirëkuptimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale.

“Kanë ndodhur raste që mazhoranca ka larguar fëmijët nga shkolla ”Ptoleme Xhuvani” sepse shkolla po shkonte drejt segregimit, por ne ndërhymë në kohën e duhur dhe u bë problematike në shkollë dhe në drejtorinë arsimore, e cila ndaloi prindërit nga mazhoranca që t’i transferonin fëmijët në shkolla të tjera,” tha ai. “Ndërkohë, një rast tjetër është shkolla pedagogjike që prindërit i transferuan në shkollën përballë saj me arsyen që dominonte më shumë fëmijët e komunitetit dhe fëmijët që ishin nga mazhoranca ishin në pakicë,” shpjegoi Çota.

Lorela Balla, nënë e dy fëmijëve 7 dhe 11

vjeç, nxënës të shkollës “Ptoleme Xhuvani” i tha BIRN se nuk kishte hasur diskriminim në këtë institucion arsimor. “Aty ka shumë, më shumë (dora jonë) ngaqë jemi në të njëjtën lagje, por edhe që t’i kemi fëmijët sa më afër është më mirë për ne – problemi është se nëse ne jemi të gjithë aty, (dora e bardhë) do të thotë përse do ta dërgoj fëmijën aty, kur janë vetëm (dora jonë) dhe normale që do shkëputet nga shkolla,” tha ajo.

Edhe Marta Meçja ka dy fëmijë, të cilët ndjekin shkollën “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan. “Te klasa e vajzës time ka vetëm fëmijë nga komuniteti dhe vetëm dy janë nga mazhoranca. Edhe tek djali që është në klasën e parë janë vetëm fëmijët e dorës sonë,” tregon ajo. “Mësuesja e djalit tim më ankohet gjithmonë për sjelljet që fëmijët bëjnë në klasë dhe gjithmonë më thotë që është e pamundur të mbaj qetësi në klasë, gjithmonë fëmijët bëjnë zhurmë, flasin fjalor të pisët, sepse jetojnë në të njëjtën lagje dhe janë rritur bashkë,” shtoi ajo.

Ministria e Arsimit i tha BIRN se segregimi në shkollat e Elbasanit vjen si pasojë e përqendrimit të madh të komuniteti rom afër tyre. Ndërsa në lidhje me shkollën “Liria” në Shkodër, Ministria nënvizoi se në përgjigje të vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ishin marrë një sërë masash nga Drejtoria Arsimore Rajonale.

“Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit ka mirëpritur çdo kërkesë të shoqatave dhe të grupeve të interesit në lidhje me arsimimin e romëve dhe egjiptianëve, ka informuar në kohë të interesuarit për të dhënat e kërkuara prej tyre, ka analizuar e ka shqyrtuar brenda afateve çdo vendim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe ka kthyer përgjigje për çdo shkresë të ardhur nga Avokatura e Shtetit,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim. Megjithë optimizmin që gjen nga reagimi i DAR në rastin e shkollës “Ptoleme Xhuvani”, Çota i tha BIRN se rreziku i segregimit mbetet i hapur, përsa kohë politikat arsimore nuk do të zbatohen siç duhen.

“Këto shkolla janë ndërtuar aty ku përqindja e komunitetit është e lartë dhe rreziku është që edhe ata pak nxënës nga mazhoranca që kanë ngelur, do të largohen nga aty,” paralajmëroi ai. “Në rast se do të respektohen ligjet dhe rregulloret nga drejtoritë arsimore dhe shkollat, atëherë ky problem do të vijë duke u ulur dhe fenomeni i segregimit do të zbutet,” parashikoi Çota.

Jeta në Bulqizë mes vdekjeve në miniera dhe padrejtësisë

Minatorët që vdesin në galeritë e kromit fajësohen shpesh për aksidentet tragjike që u marrin jetën; ndërkohë që të plagosurit dhe familjarët e viktimave përballen me kompanitë minerare dhe ato të sigurimit për dëmshpërblimet si dhe me dyert e gjykatave për drejtësinë e munguar.

Pas disa kthesave që gjarpërojnë në lagjen e Qytetit të Ri në Bulqizë, në këmbët e një pallati të vjetër të periudhës së ish-regjimit komunist, Flora Koçi ka ngritur një barakë prej llamarine ku mundohet të sigurojë të ardhura për veten dhe djalin e papunë, duke shitur mallra ushqimorë dhe kinkaleri.

“Unë isha në dyqan, erdhi një këtu tek kopshti se e kemi afër dhe më tha që burri jot është vrarë dhe po shkon tek spitali,” kujton 57-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve. “Mbrapa më morën në telefon që ka vdekur,” shtoi ajo. Ruzhdi Koçi humbi jetën në një galeri kromi në Bulqizë më 10 nëntor 2016, ku kishte punuar për më shumë se 20 vjet.Drejtuesit e minierës i thanë familjes se 55-vjeçari vdiq nga një infarkt i papritur në zemër, por bashkëshortja jeton ende me dyshime.

“Këto thanë që i ka ranë infarkt, po infarkt nuk i ka rënë se nuk ka qenë sëmurë asnjëherë, as edhe një gjilpërë s’e ka pas bërë,” shprehet Flora Koçi.

“Për me pushu çështjen edhe për mos me e zgjat më andej, ata kanë thënë që i ka rënë infarkt dhe s’kanë dash me dhënë lekë më shumë, siç i takon një punëtori kur vitet në galeri,” shtoi ajo.

Sipas të dhënave të siguruar nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, në 6 vitet e fundit, 38 punonjës humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në sektorin e minierave dhe karrierave. 27 prej viktimave i përkasin qarkut të Dibrës. Edhe pse aksidentet e regjistruara në miniera janë të shumta, ato rrallëherë sjellin pasoja penale për kompanitë minerare, që fajësojnë viktimat dhe punëtorët për aksidentet.

Minatorët e aksidentuar janë shpesh të pasiguruar. Por edhe në rastet kur viktimat janë të siguruar, familjarët përballen me procese të gjata gjyqësore kundër kompanive të sigurimit për dëmshpërblimet. GERI EMIRI, SAMI CURRI | BIRN | BULQIZË

Dyerve të gjykatave për dëmshpërblim Të gjitha subjektet që zotërojnë leje për të ushtruar veprimtari minerare brenda territorit të vendit, janë të detyruara të kryejnë sigurimin e punonjësve të tyre nga aksidentet pranë një shoqërie sigurimi.

Referuar bazës ligjore, kontrata e sigurimit mbulojnë rastet e humbjes së jetës, paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme dhe paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme dhe shuma në çdo rast është minimalisht 6 milionë lekë.

Por jo të gjithë punonjësit në sektorin minerar janë të siguruar. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018, vetëm në Bulqizë raportoheshin 283 minatorë pa siguracion jete nga një fuqi punëtore prej 3170 punonjësish. Shahin Peti humbi jetën në një aksident në minierë në vitin 2013, duke lënë pas 2 fëmijët dhe bashkëshorten. Margarita Peti kujton se në atë kohë edhe ajo punonte si seleksionuese minerali dhe kur ishte kthyer nga puna dhe po bënte gati darkën, e ëma e kishte lajmëruar se i shoqi kishte thyer këmbën. “Në moment që ka thënë burri ka thyer këmbën, i kam thënë -jo nuk është e vërtetë, ai paska vdekur se telefonin e ndez me dorë ai, jo me këmbë,” rrëfen Margarita.

Pas aksidentit, Margarita mësoi se vdekja e bashkëshortit të saj ishte tentuar të fshihej, duke e larguar trupin e pajetë nga vendi i aksidentit, me qëllim që firma ku ndodhi ngjarja të mos mbante përgjegjësi.Ajo kujton se i shoqi ishte i pasiguruar dhe e vetmja mbështetje që ka marrë nga kompania, ka qenë ‘një kafe’ prej 1.5 milionë lekësh.

“Dhe ato me thënë të drejtën, kur i kanë prurë ia kanë dhënë njerëzve të burrit, jo mua vetë, por kanë thirrur aty se kanë qenë duke pirë kafe të gjithë dhe më thanë mua një kafe,” kujton Margarita. “I kam thënë ‘unë dua të më siguroni fëmijët, nuk dua një kafe, se unë vetëm që kam bërë shpenzimet e mortit, se nuk është se paguan shpenzimet e mortit,” shtoi ajo.

Edhe në rastet kur kompanitë kanë paguar siguracion jete për viktimat, jo gjithmonë kompanitë e sigurimit janë të gatshme të paguajnë. Sipas raportit mjeko-ligjor, vdekja e Ruzhdi Koçit nuk është cilësuar si aksidentale, por si pasojë e sëmundjeve kronike. Flora nuk e ka pranuar këtë raport dhe ka hedhur në gjyq kompaninë e sigurimit, duke kërkuar dëmshpërblimin për siguracionin e jetës; megjithatë, beteja ligjore ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Pas dy vjetësh në gjyq, ajo u detyrua të pranonte një dëmshpërblim me marrëveshje prej 2 milionë lekësh.

“Çfarë vlen ajo 20 [milion lekë të vjetra], asnjë gjë,” tha Flora.“Mua ato lekë më kanë shkuar rrugëve, nëpër gjykata,” shtoi ajo.

Kontratat e punës, sigurimi shëndetësor dhe ai i jetës janë një problem që ka shoqëruar ndër vite punonjësit e nëntokës, një sektor që punëson rreth 10 mijë punonjës në të gjithë vendin. Në 6 vitet e fundit, inspektimet e Inspektorati i Punës kanë konstatuar 427 punonjës pa kontrata individuale pune dhe 391 punëtorë u identifikuan si të punësuar në mënyrë informale, ndërkohë që aksidentet dhe dëmtimet në punë vazhdojnë të jetë shpeshta.

Përgjegjësia u mbetet viktimave Në 6 vitet e fundit, Inspektorati i Punës ka kryer në subjektet me aktivitet në miniera dhe karriera 895 inspektime rutinë ose për shkak të ankesave dhe në 159 raste inspektimet janë për shkak të aksidenteve në punë. Nga numri total i aksidenteve të raportuara nga Inspektoriati i Punës, një tjetër institucion- Autoriteti Kombëtar i Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera, AKSEM ka kryer hetime për një pjesë prej tyre.

AKSEM i tha BIRN se ka hetuar 33 raste të humbjes së jetës në miniera dhe 77 aksidente të raportuara si plagosje në gjashtë vitet e fundit.Ndërkohë, vetëm 13 prej rasteve të hetuara nga AKSEM janë referuar në organet e drejtësisë për vazhdim të mëtejshëm të hetimeve, kryesisht me motivacionin për shkelje të “Rregullores së Sigurimit Teknik për Minierat dhe Karrierat”. Hetimet e Prokurorisë kanë ngarkuar me përgjegjësi kryesisht viktimat, zjarrmëtarët, drejtuesit teknikë apo brigadierët dhe vetëm në dy raste punëdhënësin.

Në total nga viti 2014 deri në tetor 2019, AKSEM ka lëshuar 266 masa administrative në sektorin minerar. Këto masa administrative përfshijnë “ndalesa të plota të aktivitetit minerar” në 20 raste, “ndalesa të pjesshme e aktivitetit minerar” në 100 raste, dhe “gjoba” në 56 raste, “vendime të ndërmjetme për masa urgjente në 16 raste dhe paralajmërime në 74 raste – për shkelje apo neglizhencën e subjekteve private. Në relacionet e mbajtura nga AKSEM për verifikimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë nëntokë rezultojnë një sërë problematikash, duke filluar që nga përgatitja e punëtorëve për përdorimin e makinerive, vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese ndaj rreziqeve në punë, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale të punës e deri te kushtet higjieno-sanitare.

Rrethi vicioz Pas vdekjes së bashkëshortit, Margarita Peti vazhdoi të punonte duke seleksionuar mineralin që atij i mori jetën për të mbështetur financiarisht familjen.Ajo punon si seleksionuese kromi në një galeri 1 orë larg apartamentit ku banon me fëmijët.Puna si seleksionuese ka rreziqe e saj. Vetëm në vitin 2018, sipas Inspektoriatit të Punës, një seleksionuese humbi jetën në Bulqizë dhe dy të tjera u aksidentuan.

“Jam e detyruar se ku do shkosh tjetër, ku do punosh?!Në Bulqizë nuk ke ku shkon,” shfajësohet Margarita me djalin 15 vjeçar dhe vajzën 13 vjeçe pranë vetes.

Megjithatë, ajo ankohet se pas kredisë për shtëpinë dhe detyrimet e tjera, paga prej 30 mijë lekësh në muaj dhe pensioni prej 7 mijë lekësh, nuk mjaftojnë as për t’u kujdesur si duhet për shëndetin e fëmijëve. “Do doja t’i bëja një kontroll të ri çunit, se unë e kam kontrolluar dhe ia kam blerë njëherë syzet,” tha ajo.“Edhe tek goca më kanë thënë për operim, por s’pata mundësi sepse më kanë thënë se ka migrenë,” shtoi Margarita.

Në anën tjetër të banakut të vogël të kioskës prej llamarine, Flora Koçi tregon se jeton me të ardhurat e pakta që nxjerr nga shitja e artikujve që tregton dhe një pension të bashkëshortit prej 6500 lekësh.

“Të punosh njëzet e ca vjet në galeri edhe të marrësh 6,500 lekë, a kalohet?!Nuk kalohet”, shfryn ajo. Ka raste që djemtë e minatorëve që humbasin jetën në minierën e Bulqizës, zëvendësojnë baballarët në galeritë e kromit, të cilin e shohin si të vetmen rrugë të ndershme për të siguruar të ardhura për familjen. Por Margarita Peti thotë se do të bëjë të pamundurën që i biri 15-vjeçar të mos përfundojë në galeritë e kromit ku humbi jetën i ati. “Që ta çoj të punojë me një vend, aty ku ka humbur jetën babi i vet, e të shkoj të çoj çunin, nuk bëhet fjalë ajo punë,” tha ajo. Megjithatë, Margarita ka frikë se varfëria mund t’i detyrojë që të bëjnë një zgjedhje të tillë. “…nuk i dihet se çfarë ndodh pastaj, se po të ngelesh pa bukë aty do shkosh ku vjen fundi,” përfundoi ajo.

*Emri është ndryshuar për të ruajtur identitetin e minatorit që kërkoi të mbetej anonim.

This article is from: