11 minute read
PUSHOHEN HETIMET KUNDËR ERION VELIAJT PËR PISHAT E SHTRENJTA TË ‘FUSHËS
from Reporter.al Numri 54
by Reporter.al
Gjykata e Apelit Tiranë ka miratuar kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të bashkisë së kryeqytetit dhe kompanisë Fusha sh.p.k, të kallëzuar për prishjen e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre për një kontratë ‘pa garë’ për furnizimin dhe vendosjen e drurëve dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar.
Në mes të tetorit, Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi një vendim të Gjykatës së Tiranës për miratimin e një kërkese të prokurorisë për pushimin e një kallëzimi penal ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës, Ndërmarrjes Nr.1 të Punëtorë të Qytetit dhe kompanisë “Fusha”, për një tender me vlerë 332.5 milionë lekë (2.72 milionë euro) për blerjen dhe mbjelljen e drurëve dekorativë përgjatë autostradës Durrës-Tiranë në segmentin KamëzKashar.
Advertisement
Ky tender ishte kallëzuar nga ish-grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me pretendimin se ishte kryer me anë të një procedure konkurrimi në kundërshtim me “ligjin dhe në mungesë të çdo lloj gare, duke përzgjedhur në mënyrë selektive një operator ekonomik, i cili duket të jetë i privilegjuar në fushën e prokurimeve publike.”
Thelbi i kallëzimit të PD-së qëndronte mbi faktin se për blerjen e këtyre pishave ishte përdorur një procedurë e kufizuar prokurimi, e cila justifikohet vetëm në rastin e një nevoje ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikuara, që nuk i ngarkohen autoritetit kontraktor.
Por gjykata e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke arsyetuar se autoriteti kontraktor – Drejtoria e Punëtorëve e Përgjithshme Nr.1 e Qytetit, e ka pasur të pamundur të kryejë një procedurë të hapur prokurimi, për shkak të kohës së shkurtër që i është vënë në dispozicion nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për realizimin e tenderit, përpara se fondet të digjeshin në fund të vitit buxhetor.
“Përfundimisht provohet se autoriteti kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme nr.1 e Punëtorëve të Bashkisë Tiranë, nuk rezulton që këtë procedurë prokurimi objekt hetimi ta ketë nisur me iniciativën e vet, por provohet se ka qene Këshilli Bashkiak i Tiranës ai që e ka detyruar ketë autoritet kontraktor, me alokimin e fondeve të vëna në dispozicion për këtë procedurë prokurimi,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
“Në këto rrethana, vendimi është marrë nga një organ kolegjial,” shton gjykata. Bashkia e Tiranës dhe biznesmeni Shkëlqim Fusha nuk i përgjigjën një kërkese për koment mbi këtë hetim.Edhe prokurori i çështjes, Alket Mersini refuzoi të komentonte mbi vendimin e gjykatës. Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu – i cili bëri kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kompanisë Fusha dhe po ashtu apeloi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e hetimeve, i tha BIRN në një bisedë telefonike se nuk ishte informuar si palë e interesuar për këtë vendim. “Nuk di asgjë.Nuk kemi asnjë njoftim,” tha Balliu.
8200 euro pisha Më 23 nëntor 2017, Këshilli Bashkiak i Tiranës u mblodh dhe vendosi ndër të tjera, rishpërndarjen e fondit të shpenzimeve korrente, duke ngarkuar Drejtorinë e Punëtorëve Nr.1 të Qytetit për zbatimin e projektit për “Furnizim dhe vendosje dru dekorativ në zonën industriale Kamëz-Kashar” me një fond total prej 667,7 milionë lekësh për vitet 2017-2019. Bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit Tiranë, më datë 20 dhjetor 2017, ka ngritur një grup pune për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak. Bazuar në urdhrin e drejtorit, ky grup pune i përbërë nga ekonomistë, juristë dhe specialistë të fushës, ka hartuar një relacion duke kërkuar realizimin e procedurës së prokurimit dhe ka ngritur një komision për specifikimet teknike. Ky komision ka përllogaritur dhe fondin limit në bazë të testimit të tregut dhe sektori i prokurimeve i ka drejtuar një kërkesë drejtuesit të Drejtorisë Nr.1 që të hapte një prokurim me “negocim pa shpallje paraprake’ me vlerë 278.1 milionë lekë pa TVSH, për blerjen e drurëve dekorativë.
Referuar procesverbalit të datës 20 dhjetor 2017, njësia e prokurimit ka hartuar dhe miratuar dokumentacionin standard dhe i ka bërë ftesë 5 subjekteve. Pas 24-orësh, me datë 21 dhjetor 2017, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka proceduar me hapjen e ofertave të paraqitura nga subjektet.Vetëm kompania Fusha ka paraqitur ofertë dhe është shpallur fitues në të njëjtën datë nga KVO.
Me 22 dhjetor ose 48 orë nga ftesa fillestare për negocim, kompania Fusha ka filluar punimet. Ndërkohë, 6 ditë më vonë, me 28 dhjetor 2017, kompania Fusha i ka dërguar bashkisë Tiranë situacionin progresiv pjesor nr.1 të punimeve, duke kërkuar një pagesë prej 70.2 milionë lekësh për 60 pisha, të cilat janë likuiduar me 14 shkurt 2018 – në ditën e Shën Valentinit.
Bazuar në situacion nr.1, vlera mesatare e një pishe të blerë nga bashkia është 1.17 milionë lekë (€8200). Nëse i njëjti çmim për njësi është zbatuar për të gjitha pishat e mbjella, në total bashkia ka blerë nga Fusha 284 pisha për një vlerë totale të kontratës prej 332.56 milionë lekë me TVSH.
Në një raportim të mëparshëm mbi këtë tender, BIRN iu drejtua tre komVLADIMIR KARAJ, EDMOND HOXHAJ |BIRN | TIRANË Pisha të matrikulluara me mbishkrimin “FUS” që BIRN numëroi nga mbikalimi i Kamzës deri në atë të Kasharit. Foto: Geri Emiri.
panive që tregtojnë dru dekorativë; njëra në Kavajë dhe dy të tjerat në Tiranë dhe mësoi se çmimi i shitjes për një pishë të ngjashme në treg varion nga 700 deri në 1000 euro.
Partia Demokratike ka pretenduar në kallëzimin e saj se kompania “Fusha” nuk i ka pasur deri në janar 2018 në gjendje 60 pishat për të cilat ka lëshuar faturë mbi situacionin e parë me 28 dhjetor 2017. Megjithatë, sipas gjykatës ky fakt nuk rezulton i vërtetë. Referuar deklaratave doganore dhe faturave tatimore, gjykata shprehet se subjekti ka blerë një sasi pishash që në shkurt 2017 dhe ka pasur në gjendje 92 pisha në dhjetor 2017.
Nevoja ekstreme për pisha Kompania Fusha është kontraktori më i madh i bashkisë Tiranë dhe gjatë 3 viteve të fundit ka përfituar me shumë se 3.1 miliardë lekë për punë publike në kryeqytet. Sipas kallëzimit të Partisë Demokratike të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, pretendohet se mes bashkisë së Tiranës dhe kompanisë Fusha Sh.p.k, “ka një marrëdhënie personale, e cila vjen në kundërshtim me parimet dhe qëllimin e ligjit “Për prokurimin publik”.
Kallëzimi thekson se bashkia ka zgjedhur një procedurë prokurimi në kundërshtim me ligjin dhe në mungesë të çdo lloj gare, duke zgjedhur ne mënyrë selektive një operator ekonomik, i cili duket të jetë i privilegjuar në fushën e prokurimeve publike.
Referuar ligjit ‘Për prokurimin publik’, procedura me ‘negocim pa shpallje paraprake të njoftimit’ përdoret vetëm në raste të veçanta, kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor i parashikuar për njoftimin e kontratës për procedurat e hapura, të kufizuara ose me negocim, me publikim, nuk
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke folur gjatë një mbledhje të Këshillit Bashkiak. Foto: LSA
Pishat e buta të mbjella nga kompania “Fusha” sh.p.k në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Foto: Geri Emiri
mund të respektohet.Gjithashtu, rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga veprimi ose mosveprimi i autoritetit kontraktor.
Sipas arsyetimit të Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimeve për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe prishjes së barazisë në tendera, kjo situatë e jashtëzakonshme për Drejtorinë e Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit Tiranë, është krijuar nga vendimi i Këshillit Bashkiak për shkak të fondeve që janë rialokuar për vitin 2017 dhe pamundësisë për t’i prokuruar këto fonde brenda vitit buxhetor me procedurë të hapur. Sipas prokurorisë, një procedurë e hapur prokurimi kërkonte mbi 23 ditë, ndërkohë që Autoriteti Kontraktor ka pasur në dispozicion kohën nga data 19 deri me 31 dhjetor për ta realizuar këtë procedurë prokurimi.
“Referuar datës në të cilën Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e Tiranës kanë lejuar autoritetin kontraktor për të zhvilluar këtë procedurë prokurimi, rezulton se ka qenë e pamundur që të ndiqeshin procedurat standarde mbi ose nën kufirin e ulët monetar,” shprehet prokuroria në kërkesën për pushimin e çështjes.
Sipas prokurorit Mersini, autoriteti kontraktor “Drejtoria e Përgjithshme nr.1 e Punëtorëve të Bashkisë Tiranë,” nuk e ka nisur këtë procedurë prokurimi objekt hetimi me iniciativën e vet, por është detyruar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Ndërkohë, ai arsyeton se Këshilli Bashkiak nuk mund të mbahet përgjegjës sepse është një “organ kolegjial”.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe verifikimit të rrethanave objekt hetimi nuk rezultoi që në veprimet ose mosveprimet e të kallëzuarve të jenë konsumuar elementë të figurave të veprës penale,” shprehet prokurori Alket Mersini.
Bazuar në këtë përfundim, Mersini i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës pushimin e hetimeve. Gjykata e Tiranës, pasi ka shqyrtuar kërkesën dhe aktet e hetimit paraprak, ka dëgjuar pretendimet e palëve dhe ka arritur në konkluzionin se kërkesa e prokurorit për pushimin e çështjes penale është e drejtë, e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë, duhet pranuar. Ky vendim është lënë në fuqi nga treshja e gjyqtarëve të Apelit Tiranë, Valdete Hoxha, Astrit Haxhialushi dhe Fatmira Hajdari.
Hoteli me 5 yje në Barcelonë, Prokuroria pushon hetimin për zyrtarët e Bashkisë Tiranë
Kontraktori më i madh i Bashkisë së Tiranës, Shkëlqim Fusha pagoi fatura hoteli deri në 900 euro nata për nënkryetarin Arbjan Mazniku dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë, por tre muaj pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e tyre.
Në shtator 2019, Prokuroria e Tiranës deklaroi se po zgjeronte hetimet ndaj zyrtarëve të bashkisë së Tiranës që kishin përfituar pagesa nga biznesmeni Shkëlqim Fusha për akomodimin në një hotel luksoz në qershor 2018 në Barcelonë të Spanjës.
Por në dhjetor 2019, hetimi u kthye në një “flluskë sapuni”, ndërsa Prokuroria kërkoi në gjykatë pushimin e çështjes.
Procedimi penal u regjistrua pas publikimit në media të faturës që tregonte se biznesmeni Fusha kishte paguar 1816 euro për dy netë qëndrimi të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku në hotelin me 5 yje “Alma” në Barcelonë në qershor 2018.
Prokuroria e Tiranës regjistoi fillimisht akuzat e “korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj publikë”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por i rrëzoi ato brenda tre muajsh. Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria e Tiranës i tha BIRN se kishte depozituar më 17 dhjetor në gjykatë kërkesën për pushimin e kësaj çështjeje, pa shpjeguar arsyet. “Për çështjen penale me nr.7207…lidhur me pagesën e faturave nga administratori i kompanisë Fusha sh.p.k., Z.Shkëlqim Fusha për akomodimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Z.Arbjan Mazniku dhe të zyrtarëve të tjerë të Bashkisë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë më datë 17.12.2019 ka kërkuar në gjykatë pushimin e çështjes penale,” tha një zëdhënës i Prokurorisë së Tiranës.
Prokurori i çështjes, Alket Mersini nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet që e shtynë të kërkonte mbylljen e procedimit penal. Kërkesa e Prokurorisë nuk është shqyrtuar ende nga gjyqtari paraprak. Kompania Fusha Sh.p.k është kontraktori më i madh i bashkisë së Tiranës dhe vetëm gjatë 4 viteve të fundit – kohë kur në krye të bashkisë ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj, ka përfituar mbi 28.6 milionë euro në fonde publike nga ky institucion. EDMOND HOXHAJ,|BIRN | TIRANË
Fusha fitoi gjithashtu tenderin me vlerë 11 milionë euro për ndërtimin e sheshit Skënderbej, si e vetmja kompani konkurruese si dhe qëndron pas projektit kontrovers të partneritetit publik privat për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku nuk është zyrtari i vetëm që përfitoi pagesa prej 900 eurosh nata në hotelin luksoz nga zemërgjerësia e biznesmenit Fusha.Nga dëshmitë e dhëna në Prokurori doli që Fusha kishte paguar edhe për akomodimin e drejtorit të Urbanistikës, Ditjon Baboçi dhe anëtarë të tjerë të delegacionit. Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush e ka paguar faturën e hotelit për kryebashkiakun Veliaj.
Në një reagim për Zërin e Amerikës, Bashkia e Tiranës i justifikoi pagesat e Fushës me kursimin e fondeve publike. “Me rastin e marrjes së këtij çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin. Kompania ‘Fusha’ mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin,” deklaroi Bashkia. Ky është hetimi i dytë i pushuar brenda një kohe të shkurtër nga Prokuroria e Tiranës për çështje që lidhen me zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenin Shkëlqim Fusha. Në tetor 2019, gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet edhe për tenderin pa garë të mbjelljes së drurëve dekorativë në segmentin Kamëz-Kashar të autostradës. “Tenderi me negocim” me vlerë 332.5 milionë lekë u përdor për mbjelljen e pishave të buta përgjatë autostradës, ku vlera e një pishe rezulton të ketë kushtuar 1.17 milionë lekë (€8200).
Por gjykata argumentoi se Drejtoria e Punëtorëve nr.1 e Qytetit e kishte pasur të pamundur të kryente një procedurë të hapur prokurimi për shkak se fondet rrezikonin të digjeshin në fund të vitit, ndërsa shtoi se vendimi për alokimin e fondeve ishte marrë nga një organ kolegjial si Këshilli Bashkiak.