EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN “Nga kështjella shpejt ka rënë Flamuri me gjysmë-hënë Edhe populli shikon Që në vënt të tij valon Flamur’ i Skënderit n’erë Shkab’ e zezë me dy krerë.” Henry Wadsworth Longfellow (1807 - 1882)
Shqipëroi Fan Noli (1882 - 1965)
STUDIM NGA PROF. DR AGRON F. FICO, H.C. TIRANE, 2018
Eposi Folklorik per Skenderbeun Kopirajt Š 2018 nga Agron Fico. Te gjitha te drejtat e rezervuara. Asnje pjese e ketij studimi nuk mund te perdoret ose te riprodhohet ne cdo lloj forme nga kushtdo pa lejen me shkrim te autorit vec ne rastet e kuotimeve te shkurtra ne artikuj apo referenca. Per informacion kontakto: agronfico@gmail.com.
Eposi Folklorik per Skenderbeun Copyright Š 2018 by Agron Fico. All rights reserved. No part of this study may be used or reproduced in any manner whatsoever without written permission except in the case of brief quotations em- bodied in critical articles or reviews. Book and Cover design by DBMI. For information contact: agronfico@gmail.com. Tirane, Shqiperi 2018
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN Studim, TIRANE, 2018 PROF. DR AGRON F. FICO, H.C.
Epika popullore historike rreth Skënderbeut formon një kapitull me interes në fushën e folkloristikës shqiptare. Çështja e lindjes dhe e ekzistencës së një cikli këngësh popullore për Skënderbeun, arsyet e zhdukjes së tyre, lashtësia e këngëve të mbledhura përbëjnë probleme me interes për studiuesit. Populli e ka ruajtur kujtimin e heroit legjendar në letërsinë gojore popullore, legjenda, toponimi e këngë. Qëllimi i Skënderbeut ishte të rifitohej liria e grabitur nga turqit dhe mbrojtja e vendit. Fitoret që ai korri në lëmin ushtarak dhe politik e kanë burimin te përkrahja që gjeti te masat popullore, të cilat e mbështetën fuqimisht e gjer në fund heroin në luftërat e tij njëzetepesëvjeçare. Për popullin shqiptar lufta vigane e Skënderbeut kundër turqve ishte një luftë që synonte mbrojtjen e tokës, të lirisë dhe të jetës nga pushtuesit e egër osmanë. Është në natyrën e popullit tonë që çdo ngjarje të jetës e, në radhë të parë, ato me karakter historik t'i përjetësojë në format e poezisë popullore. Këtu e gjen shpjegimin fakti që kemi një fond të pasur këngësh historike, si këngët për luftën kundër pushtimit nazifashist, ciklin e këngëve për Luftën e Vlorës më 1920, ciklin e këngëve të Lëvizjes Kombëtare (1878-1912),
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
ciklin e këngëve popullore kundër Tanzimatit, ciklin e këngëve popullore për Ali Pashë Tepelenën dhe atë për Bushatllinjtë e Shkodrës. E pse do të përjashtohej nga ky ligj i përgjithshëm një periudhë aq heroike, aq e lavdishme si ajo e shekullit XV, e luftërave të ashpëra të shqiptarëve kundër turqve me në krye Skënderbeun? Konkluzioni logjik që del nga kjo e vërtetë e përgjithshme është se për “Motin e Madh” dhe Skënderbeun ka lindur dhe ka ekzistuar një cikël i tërë këngësh popullore. Një argument tjetër është edhe vetë ekzistenca e këngëve popullore të mbledhura në Shqipëri, këngët popullore për Skënderbeun nga arbëreshët e Italisë, botuar nga De Rada më 1866. Në veprat e ndryshme historike, publicistike e ditarë udhëtarësh ka të dhëna, që flasin për këngë popullore për Skënderbeun, që jetuan edhe për shumë kohë pas vdekjes së heroit tonë legjendar. Historiografi dhe humanisti i shquar shkodran, Marin Barleti (Barleci), në veprën e përmendur “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut” na flet hapur, dhe madje disa herë, se çdo fitore kthehej në një festë me këngë e valle. Një tjetër dëshmi është ajo e historianit italian, bashkëkohës i Skënderbeut, Antonio Sabeliko (1436-1506), që thotë se “populli i tij, i ushqyer nga dashuria dhe admirimi, shihte diçka që është mbinjerëzore dhe kujtimin e udhëheqësit të vet e përkujtonte me këngë. Delegati apostolik, M. Bici, pohon se këngët e Skënderbeut këndoheshin në Lezhë, mu pranë hundës së pushtuesit, akoma më 1610.
5
AGRON F. FICO
I pari folklorist vendas, Frano Bardhi, në një relacion që i dërgonte Vatikanit në qershor të vitit 1637, kur flet për malësorët e Pukës, shkruan midis të tjerave: “Sipas zakonit të të moçmëve ndër gostitjet e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me za të naltë trimnitë e burrave të tyne të mëdhenj dhe sidomos të Gjergj Kastriotit, të quajtun Skanderbeg, dhe të të shkëlqyeshmit Lekë Dukagjinit, princit dhe zotnisë së tyne...” Më 1836, dijetari francez Ami Bue, njoftonte se në Shqipëri ekzistonin këngë mbi Skënderbeun dhe Arianitin. Në Shqipëri si dhe tek arbëreshët e Italisë edhe sot e kësaj dite në folklor rron kujtimi i luftërave të lavdishme kundër “kjenit turk”. Në ato vise që kanë qenë trojet e operacioneve luftarake dhe të rezistencës së Skënderbeut, tradita poetike gojore është më e gjallë dhe më e pasur. Pse kjo traditë jetoi në këto zona? Populli luftoi kundër pushtuesve turq në vise të thepisura, në gërxhe e male, në fushë e kodra, atje ku mbrohej më mirë; kjo rrethanë shpjegon toponiminë e gjerë mbi Skënderbeun, sepse emrin e heroit luftëtarët dhe popullsia e lidhi shpeshherë me kampin e luftimit, malin e lartë, luginën e thellë, pritën e fortë, me kështjella dhe kulla, në të cilat u shkrua me gjak epopeja e lavdishme gati 25-vjeçare. Luftërat e kësaj periudhe rritën e forcuan ndjenjën e lirisë në masat dhe u bënë burim frymëzimi për këngë popullore të bukura, të cilat himnizonin burrërinë e popullit dhe ngrinin lart heroin e tij; frymëzonin luftëtarët për t'u hedhur më me guxim në zjarrin e betejave dhe përleshjeve të vazhdueshme me pushtuesit turq. 6
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Me gjithë kërkimet që janë bërë në vendin tonë, gjer sot janë gjetur fare pak këngë ose copëza këngësh popullore historike për Skënderbeun. Që të hidhet dritë për shkaqet e vërteta të këtij fenomeni, d.m.th. të arsyeve të zhdukjes së këngëve popullore për Skënderbeun, duhet të kuptohen rrethanat objektive që pasuan pushtimin e egër turk, i cili synonte të shtypte shpirtin liridashës të popullit tonë, si dhe mënyra specifike e ekzekutimit të këngës në përgjithësi dhe asaj historike në veçanti. Pushtimi ushtarak turk u shoqërua me një agresion të egër ideologjik e kulturor, që synonte të zhdukte, të fshinte nga mendja dhe zemra e shqiptarit çdo kujtim të “Motit të Madh”. Ja një fakt kuptimplotë: “Hejret, kur shifjin zebekët granitë, a burra me rrobe t'zeza, i zijin e vritjin, pse thojin “mani zi për Skënderbeun”. Nga ana tjetër turqit propagandonin dhe përhapnin islamizmin me qëllim që të shkombëtarizonin popullin shqiptar. Kënga, për karakterin e saj të hapur, nuk mund të bëjë një jetë të fshehtë, të heshtur, të padukshme; ajo është jehonë e betejave dhe heroizmit popullor, prandaj pushtuesi turk nuk mund të lejonte që këngët për trimëritë e Skënderbeut të përhapeshin e, aq më tepër, të buçisnin lirisht. Një tjetër arsye e zhdukjes së këngëve popullore për Skënderbeun është edhe koha shumë e gjatë që ka kaluar që nga lindja e tyre. Pesë shekuj nuk janë pak për kujtesën popullore, fuqia e së cilës zbehet me kalimin e shekujve, megjithëse disa krijime edhe më të hershme, si p.sh. cikli i këngëve të kreshnikëve, ka arritur gjer në ditët tona. 7
AGRON F. FICO
Një çështje tjetër është ajo e lashtësisë së këtyre këngëve. Qysh nga çasti i lindjes, kënga popullore, në shtegtimin brez pas brezi nëpër shekuj, pëson ndryshime dhe përpunime. Forma e sotme e këngës është rezultat, pra, i këtyre ndryshimeve dhe përpunimeve. Populli i thuri Kapedanit të madh vargjet dhe këngët më të bukura, sepse si dëshmon edhe Marin Barleti: “Fytyra e Kastriotit ishte ngulitur aq fort në mendjen e secilit dhe emri dhe mbretëria e tij ishte skalitur aq thellë në gjokset e të gjithëve, sa do të ishte më lehtë, siç thonë, t'i shkulje nga duart Herkulit topuzin, sesa të fshije nga zemrat e zjarrta të vegjëlisë dashamirësinë dhe dashurinë për Skënderbeun”. Pas vdekjes së Skënderbeut, më 17 janar 1468, e veçanërisht pasi ranë në duart e turqve kështjellat e fundit të rezistencës, Kruja dhe Shkodra (1478-79), ngjanë shpërngulje të mëdha për në viset e Italisë jugore; familje të tëra lanë brigjet e vendlindjes, që të mos i nënshtroheshin sundimit të egër osman. Ata që shkuan në Itali morëm me vete edhe këngët popullore epike e lirike, proverbat, përrallat, legjendat. Të gjitha këngët historike të kësaj kohe flasin për betejën titanike që Skënderbeu zhvilloi për gati 25 vjet kundër turqve, që sillnin skllavëri dhe zgjedhë të egër. Në qendër të këngëve të rezistencës kundër turqve është figura e Skënderbeut; fytyra e tij shkëlqen në shumicën e këngëve epike historike. Këto këngë sjellin ushtimën e luftërave dhe të bëmave të Skënderbeut. Me të vërtetë, figurë qendrore në këto poezi është ajo e Skënderbeut, po rreth tij dhe pranë tij veprojnë edhe heronj të tjerë, që kanë qenë shokë armësh në luftë. 8
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Të gjithë poezinë epike popullore arbëreshe e përshkon një urrejtje e egër kundër “kjenit turk”, që ka pushtuar vendin. Poeti i madh patriot, Jeronim De Rada, ishte i pari që botoi të gjitha këngët arbëreshe për Skënderbeun, në përmbledhjen me titull “Rapsodie d'un poema albanese raccolte nella colonie del Napolitano” (1866). Në të përfshihet “Canti nazionali”, që përmbante këngë mbledhur nga krahina të ndryshme me prejardhje dhe përmbajtje të ndryshme. Më pas titullin e botimit “Canti nazionali” e ndërroi në “Rapsodi nazionali”. Folkloristi ynë i shquar botoi tetë këngë, nga të cilat “Skënderbeu dhe vdekja” ishte botuar më parë nga Vinçenco Dorsa, më 1847, e përkthyer vetëm italisht. Këngët mbajnë këtë rend në librin e De Radës: 1) Trimi dhe vasha. 2) Motra e Skënderbeut. 3) Skënderbeu dhe Miloshini. 4) Martesa e Skënderbeut. 5) Skënderbeu dhe Ballabani. 6) Vjehrra e keqe. 7) Skënderbeu dhe vdekja. 8) Vdekja e Skënderbeut. Përpjekje serioze rreth përcaktimit të origjinës dhe të moshës së këtyre këngëve është bërë nga Dhimitër S. Shuteriqi, në studimin e tij “Legjenda e Skënderbeut” (1949) e në ndonjë artikull tjetër. Megjithatë, materialet dhe dokumentimet që kemi deri sot nuk na mjaftojnë ta zgjidhim njëherë e mirë çështjen nëse këngët arbëreshe vijnë apo nuk vijnë nga tradita gojore, apo vijnë nga poetë që e kanë njohur mirë frymën popullore dhe, nga këta, kanë hyrë në popull. 9
AGRON F. FICO
Është larg logjikës të thuhet që këngët, ashtu si janë te De Rada, nuk kanë pësuar limën e poetit. Emra personazhesh e vendesh, ndonjë varg a motiv në disa këngë, kuptohet se janë shtesa e përpunime të autorit, por shtrati i tyre popullor është i dukshëm. Një fakt tjetër, që duhet mbajtur fort parasysh, është edhe ky: asnjë arbëresh nuk dihet të ketë dyshuar për autencitetin e tyre popullor, dhe kjo nuk tregon vetëm se “sa popullore u bënë këto këngë dhe sa mirë e ruajtën sekretin e tyre”, por më tepër dëshmon se ato janë krijuar në bazë fragmentesh ose këngësh të plota popullore arbëreshe me karakter historiko-legjendar. Këngët mbi Skënderbeun jetojnë akoma ndër arbëreshët e Kalabrisë; në festat e tyre tradicionale i dëgjon që t'i këndojnë shpesh e t'i kërcejnë. Në epikën historike arbëreshe figura e Skënderbeut del si udhëheqës popullor, luftëtar hero dhe njeri që kujdeset për fatet e atdheut. Epika heroike-historike popullore arbëreshe e ka rrethuar “Kulçedrën e Arbërit” me plot trima dhe heronj, si: Pjetër Shini, Milo Shini, Rada Vani, Dedë Skura, Nik Peta, Pal Golemi etj., po në krye të të gjithëve shkëlqen figura e Skënderbeut, që u bë figura qendrore e asaj epoke famëmadhe. Këngët popullore, vendase dhe arbëreshe për Skënderbeun janë krijime artistike të lindura në bazë të ngjarjeve heroike të shekullit XV dhe janë ushqyer nga gurra e traditës poetike popullore shqiptare, prandaj mendimi i folkloristit sovjetik B. N. Putilov se “Në eposin për Skënderbeun ka motive, që të kujtojnë eposin për Krajleviç Markun” është pa bazë dhe nuk gjen mbështetje në materialin faktik. 10
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Putilovit po i kujtojmë se qysh më 1636, folkloristi ynë i parë, Frano Bardhi, i kishte dhënë një shuplakë të fortë peshkopit të Bosnjës, Tomeus Marnavitius, që orvatej të nxirrte Skënderbeun me origjinë boshnjake. Bardhi sjell si argument faktin që kujtimi i Heroit Kombëtar është akoma i gjallë në popullin shqiptar, që e këndon ndër këngë si një hero të vetin. “Pastaj është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë sa të jetë harruar e shlyer çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombësit tanë, sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre, ashtu si bënin të vjetrit për origjinën dhe veprat e paharruara të burrave të tyre të shkëlqyer… Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për metaforë, me emrin e shquar “Kulçedra e Arbënit”, d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë shqiptohen këto fjalë, me to kuptohet vetëm Skënderbeu vetë”. Motivet që hasen në ciklin e këngëve popullore për Skënderbeun janë brumë shqiptar dhe, ashtu siç e ka paraqitur legjenda te Barleti dhe poezia popullore, janë në vazhdë dhe unitet me traditën poetike gojore shqiptare. Po sjellim këtë fakt: “Shpata e Mujit, armët e tij në përgjithësi nuk janë të zakonshme. Si vet heroi bashkëkombës, Skënderbeu, që pret gurin me shpatë në Pazar të Varoshit (Mat), Muji bën çudira të ndryshme me të. Edhe gjogu i tij është një kalë i jashtëzakonshëm...”
11
AGRON F. FICO
Epika popullore për Skënderbeun është jo vetëm një pasqyrim artistik i disa aspekteve të luftës vigane të popullit tonë kundër atij oqeani të tërbuar barbarie, ku Skënderbeu qëndronte si shkëmb graniti me gjithë popullin e vet, por është edhe një interpretim nga pozitat popullore i ngjarjeve dhe fakteve, sepse fshatarët shqiptarë bartën mbi shpatulla të gjithë peshën e rëndë të luftës dhe i dhanë Skënderbeut përkrahjen e pakufizuar, pasi shikonin tek ai udhëheqësin trim dhe besnik në luftën kundër armiqve të huaj, feudalëve grabitqarë turq dhe kundër anarkisë feudale vendase. Gjurmët e historisë, në përgjithësi, janë të gjalla në këto këngë. Kënga “Skanderbegu nuk ka dekë” u botua për herë të parë në vëllimin “Kangë popullore gegënishte” (1911, f.98) dhe ka të ngjarë që t'i bëjë jehonë luftës së parë të rëndësishme të Skënderbeut kundër Ali Pashës, të parit komandant turk që ishte dërguar kundër forcave të Skënderbeut. Në qershor të vitit 1444, një ushtri turke prej rreth 25 mijë vetësh, e komanduar nga Ali Pasha, hyri në Shqipëri nga lugina e Drinit të Zi, në drejtim të Dibrës. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e turqve, u doli përpara me ushtrinë e re shqiptare. Të dy ushtritë u rreshtuan ballë për ballë në fushën e Dibrës. Më 29 qershor, sipas planit të Skënderbeut, ushtria shqiptare e ndarë në tri pjesë manovroi me mjeshtëri dhe u tërhoq sikur të ishte thyer, deri sa e futi ushtrinë turke në fushën e ngushtë të Torviollit, të rrethuar male e pyje. Kur Ali Pasha kujtoi se i kishte zënë shqiptarët në kurth, u gjend papritmas i rrethuar nga forcat shqiptare, që ishin fshehur në pyje, të cilët i sulmuan turqit nga të gjitha anët deri sa i shpartalluan plotësisht. 12
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Megjithëqë flitet për një Ali Pashë, elementet për të identifikuar këtë këngë me fushatën që u bë kundër tij, në vjershën popullore janë të pakta. Figura e Skënderbeut paraqitet e fuqishme dhe burrërore kur hyn në Krujë: Skanderbegu si u fut mrenda, Të tanë botës i luejti menja! Spikat në këtë këngë figura e strategut dhe luftëtarit sypatrembur, i cili i drejtohet komandantit turk me fjalë të ashpëra: Ali Pashë, a e di ç'të baj unë? Se bash me dorë kam me t'xanë! Edhe Rasë e Madhe si toponimin vlen pak, sepse historianët nuk janë të një mendjeje se ku është zhvilluar kjo betejë. Prandaj, është e zorshme të besohet se kjo këngë është mbeturinë e atyre që këndonin atëherë shqiptarët. Kjo fitore e parë u kremtua si festë, fakt që e dëshmon edhe Marin Barleti: “Ushtria si në festë, me një gëzim që s'kish të mbaruar e me shaka e me këngë njëra pas tjetrës, po vazhdonin pa ndjerë lodhjen e rrugës”. Fitorja e parë e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu tregoi jo vetëm forcën e paepur të luftës popullore, por pati edhe një jehonë të rëndësishme jashtë vendit. “Beteja e Torviollit zgjoi shpresa të mëdha për të dëbuar turqit nga Evropa”.
13
AGRON F. FICO
Në vitin 1948 inxhinier Jovan Adami mblodhi nga këngëtari popullor krutan Muharrem Tafariçi, 76 vjeçar, një këngë të panjohur për rrethimin e parë të Krujës (1450), të cilën e botoi Dhimitër S. Shuteriqi tek “Literatura jonë”, korrik 1949, f.19. Në këtë këngë gjejmë jo vetëm përshkrimin e një lufte të madhe, por edhe dashurinë e flaktë për atdheun “për të cilin kurrë nuk duhet kujtuar se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ja kalon çdo dashurie tjetër...” Në muret e Krujës matën forcat shqiptarët të udhëhequr nga Skënderbeu dhe turqit, që kishin në krye sulltan Muratin II. Ky i fundit kishte ardhur bashkë me të birin, Mehmetin, me qëllim që të zhdukte përfundimisht rezistencën heroike shqiptare. Skënderbeu la brenda në Krujë një garnizon prej 1500 burrash nën komandën e Kont Uranit, një nga komandantët e tij më të shquar. Vetë, me pjesën tjetër të ushtrisë prej gati tetë mijë vetash, qëndroi jashtë mureve të Krujës dhe si bazë të veprimeve të tij ushtarake kishte malin e Tumenishtit, në veri të qytetit (sot mali i Skënderbeut). Me gjithë rrethimin e gjatë, gati pesë muaj, e me gjithë përdorimin e mjeteve më moderne të luftës, sulltan Murati pësoi një disfatë të plotë në muret e Krujës dhe shqiptarët korrën një fitore të shkëlqyer. Lufta popullore, lufta e drejtë e shqiptarëve që kishin në krye Gjergj Kastriot-Skënderbeun, përcaktoi këtë fitore të lavdishme. “Gëzimi i zemrave -na thotë Barleti- shpërtheu sa mundi më tepër me brohori, me këngë dhe gjithë farë veglash popullore. Skënderbeu, në këngë, paraqitet njeri i veprimit, i aksionit të shpejtë: 14
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Skanderbegu, sa mur xhevapin, Meniherë ç'e njeshi shpatën. Ai u tregua jo vetëm një komandant i pajisur me aftësi të shquara ushtarake, një strateg i madh, por edhe një luftëtar i zoti; hartonte planet e luftës, udhëhiqte ushtrinë, po luftonte edhe vete: Skanderbegu me ushtrin'e vet-e, Ka dalë malit kep më kepe-e, Kep më kep e prru më prruve, Të gjithë Krastën ç'e ka rrethuve. Trimëria, patriotizmi dhe heroizmi i luftëtarëve tanë e detyrojnë sulltan Muratin që të pranojë, duke kërcitur dhëmbët: “S' asht e mundun me hy n' Kruve!” Njihet historikisht se, me disfatën e turpshme në muret e Krujës, sulltan Murati mbylli një jetë mbretërimi gati 3-vjeçare. Disa muaj më vonë, Murati II vdiq në Andrianopojë. Fitorja e madhe e forcave shqiptare kundër ushtrive turke në dyert e Krujës më 1450 e rriti autoritetin e vendit tonë. “Në vendet e tjera, populli shqiptar, fitoi respektin e përgjithshëm, kurse Skënderbeu u njoh nga opinioni evropian si një nga kapitenët më të shquar të kohës”. Ndër këngët popullore që lidhen me epokën e luftërave të popullit shqiptar të udhëhequr nga Skënderbeu kundër turqve është edhe një fragment kënge botuar së pari në revistën “Edukata e re”, Tiranë 1931, nr. 10, f. 302.
15
AGRON F. FICO
Kruja që ishte kryeqendra e rezistencës dhe vatra e flakës së lirisë, në këngën popullore paraqitet si personifikim i patriotizmit dhe heroizmit shqiptar. Zadrazemit i duket “zi” kalaja e Krujës. Rezistenca, lufta e vendosur, dashuria e flaktë për atdheun e luftëtarëve tanë, e detyrojnë agresorin osman, që të pohojë të vërtetën e hidhur: “S’kanë ç'i bajnë ksaj topat e mij”. Çdo gur e frëngji i kall datën armikut, prandaj sadrazemi “fshin lotët me shami”. Turqit donin t'i shuanin Krujës edhe emrin, dhe e pagëzuan Akhisiar. Emrat Zidoll dhe Akhisiar u përdorën prej turqve për zëvendësimin e emrave të lashtë të qyteteve tona. Por me rëndësi është se në orvatjet që t'i shlyente emrin Krujës, armiku tregoi se ka ndjerë veten keq e mos më keq përballë qëndresës së paepur të shqiptarëve; nga goja e tij kuptojmë se në ç'kondita të vështira e kishin vënë luftëtarët tanë sulmuesin e huaj. Në këngë përzihet kujtimi i Skënderbeut me atë të Ali Pashë Tepelenës dhe gruas tij të krishterë, Vasiliqisë, ndonëse me përkatësi kohësh të ndryshme. Kënga ka një sfond të fortë popullor dhe sjell jehonën e një lufte rreth mureve të Krujës. Bashkëpunëtori i jashtëm i Institutit të Folklorit, Hilmi Sadiku, në janar të 1967 në fshatin Çidhna e Poshme të rrethit të Peshkopisë, gjeti një këngë popullore që bën fjalë për luftërat e popullit shqiptar kundër turqve. “Këngën -thotë mbledhësi - e kam dëgjuar nga fshatari 80-vjeçar Ali Sufa, nga Çidhna e Poshme, i cili pretendon se kjo këngë është shumë e vjetër”. Kënga është e afërt me faktin historik dhe flet për rezistencën kundër sulltan Mehmetit. 16
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Pas disfatave të vazhdueshme që kishin pësuar pashallarët turq, Sheremet Beu, renegati Ballaban Pasha dhe Jakup Arnauti, “sulltan Mehmeti II vendosi më në fund të vinte vetë në Shqipëri. Në qershor të vitit 1466, në krye të armatës prej rreth 150 mijë vetësh të jeniçerëve dhe të ushtrive të Anadollit e të Rumelisë, duke ardhur nga Manastiri, hyri në Shqipëri”. Lufta heroike e shqiptarëve në muret e Krujës e detyroi pushtuesin e Stambollit dhe projektuesin e pushtimit të Italisë, sulltan Mehmetin II, që të ikte i turpëruar. “Në vjeshtë, pasi kishte përfunduar ndërtimin e kalasë (është fjala për kalanë e re, që u ndërtua mbi themelet e kalasë së vjetër të Valmit e që Mehmeti II e quajti Ilbasan, d.m.th. që sundon, Shën. i autorit) sulltani u largua nga Shqipëria. Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethoi dhe pushtoi qytetin e Çidhnës, ku ishin strehuar rreth 10 mijë gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore dhe, pasi e shtiu në dorë, i masakroi barbarisht si hakmarrje për disfatën e turpshme.” Pra, kënga të krijon përshtypjen se bën fjalë për ngjarjen e Çidhnës, krahinë e Dibrës në të dy anët e lumit Drin: Sulltan Mehmeti n'kamb u çue, Mexhelisit nji selam ia ka çue, Traj hordit me m”i hazrue, Se për Dibër due me i çue. Kënga është 33 vargjesh dhe ka mjaft elemente të reja (S'ep asker e s’ep vergji), por fondi themelor i saj është lufta kundër mizorive, barbarive të ushtrisë turke në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit. Kënga thotë: 17
AGRON F. FICO
Traj hordit n’Dibër paskan shkue, T'tan Çidhnën e kan rrethekue. Në krye të rezistencës së Çidhnës është Jovan Noka, personazh i mjaft gojëdhënave popullore, që në këngë del si organizator dhe luftëtar popullor: Jovan Noka a çue n' kam, T'tan Çidhnës po i ban selam. Cull e gra n' She t' Thatë t'i shtajm, Për tri vjet buk t'u çojmë. Lufta ishte e ashpër: Nisi lufta e mur gjam deti, Mur gjam deti e u shemka kepi, Tan me xhak u mushka Seta. Nisi lufta e mur xham Batafi, Traj hordit Çidhna i pikati. Konkluzione: Së pari, në këngë, afër elementeve të vona, rrinë pranë edhe elemente të hershme. Së dyti, ngjarjet që pasqyrohen në këngë, duken sikur pleksen edhe me ato të vjeshtës 1466. Së treti, qëndrimi politik i rapsodit popullor është i drejtë; lufta popullore fiton mbi gjithçka, edhe mbi ushtrinë e madhe dhe mizoritë sado barbare. Shqipëria mbeti gjithmonë një kockë e fortë për pushtuesit osmanë edhe pas vdekjes së Skënderbeut. Në këngën e bukur “Gjorgj Golemi” del qart në pah rezistenca e vendosur e shqiptarëve dhe tërbimi i sulltanit: 18
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Ky sulltani qan me lot, Kam dhe një Skënder n' Sopot. Kjo qe meritë, në radhë të parë, e luftës së masave popullore dhe në veçanti e fshatarësisë. Gratë, ashtu si burrat, luftuan me të njëjtën vendosmëri dhe guxim të madh, dhe përballuan me trimëri edhe rrebeshet e luftës: Sopotare moj të ngrata, Rrokni thika, rrokni shpata. A do ikim të shpëtojmë, A do rrimë të luftojmë? Na do rrimë të luftojmë! Gjorg Golemin s'e turpërojmë. Pra, vetë poezia popullore zbulon karakterin e thellë popullor të luftërave të shqiptarëve kundër turqve agresorë dhe tregon se Skënderbeu, në gojën dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar, në këngën dhe në legjendat e tij, është kënduar si shembull trimërie e guximi. Shtypja e egër dhe barbaritë e pushtuesve turq i detyruan shqiptarët të marrin rrugën e hidhur të mërgimit, të kërkojnë strehë larg atdheut. Ata u vendosën kryesisht në tokat e shkreta të Italisë jugore dhe në Sicili dhe morën me vete shumë kujtime të luftërave kundër turqve osmanllinj. Jehona e betejave të Skënderbeut ndihet e fuqishme në këngët e shqiptarëve të Italisë. Shekulli XV është shekulli i trimërive shqiptare kundër “kjenit turk”. Poeti popullor anonim këndoi rezistencën dhe patriotizmin e shqiptarëve. 19
AGRON F. FICO
Ngjarjet që trajtohen te këngët popullore për Skënderbeun i përkasin shekullit XV dhe u bënë të njohura me botimin e De Radës më 1866, të “Rapsodie d'un poema albanese”. Në ciklin e epikës popullore, që botoi De Rada rreth Skënderbeut, e para këngë që flet për ngjarje të jetës së heroit, është “Martesa e Skënderbeut”. Martesa e Skënderbeut, sipas këngës, është një ngjarje me rëndësi të madhe, me një rëndësi kombëtare, prandaj janë mbledhur princër e kapedanë me influencë që të zgjedhin nusen e kryetrimit. Kjo afron me atë që thotë historiani ynë, Marin Barleti: “Purpuratë e tij dhe princër fqinj e fare fis... po përpiqeshin kush e kush më parë t'i fusnin në mend idenë që të martohej”. Skënderbeu, pasi këshillohet me bujarët e tij se ku ta marrë nusen, vendosi vetë që ta marrë arbëreshe. Skënderbeu: Por di u çë kam të marrë Vashën e dua t'arbresh Glughie e zakoneshi. Dihet fakti që ai u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Kjo tregon jo vetëm dashurinë për vendin, por edhe vullnetin e Skënderbeut që të bashkohej me popullin. Kënga dëshmon për atë meritë të madhe të Skënderbeut në historinë tonë, për rolin e tij në krijimin e një pushteti të përqendruar kundër anarkisë feudale, proces ky i përgatitur nga gjithë zhvillimi ekonomik e shoqëror i mëparshëm i vendit. Ai u bë, pra, farkëtuesi i bashkimit kombëtar. Për Skënderbeun Fan Noli thotë se “jo vetëm e bëri këtë bashkim, po edhe arriti ta mbajë pothuaj njëzet e pesë vjet me radhë, në mes të furtunës së jashtme e të brendshme; kjo është një nga lavdit' e tij më të mëdha”. 20
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Në këngën me titull “E motra e Skënderbeut”, megjithëse nuk flitet drejtpërdrejt për të, ai duket i madh nga efekti që i bën emri. Në këngë rapsodi popullor tregon se një motër e Skënderbeut shpëton nga turqit vetëm se sulltani ka dëgjuar emrin e Skënderbeut dhe ka marrë vesh se vajza e zënë rob është e motra e trimit shqiptar. Ngjarja na shpie në rrethet e Petrelës, një nga kryeqendrat e rezistencës shqiptare në shekullin e XV gjatë një ekspedite të sulltanit që të shtrojë Shqipërinë. Figurën e Skënderbeut fantazia popullore në këtë këngë e ka zmadhuar në madhësi të jashtëzakonshme: Skanderbeku, burrë i keq, çë ndë vapt veries, shkuli lis e bëri hije e me shpatien ndër dorë, s'e taraksënjën ushtërorë. Në këngën “Skënderbeu dhe Miloshini” nuk është hero kryesor Skënderbeu, por Miloshini, personazh i paidentifikuar historikisht, i cili na është paraqitur me një trimëri të rrallë. Miloshini ngrihet nga sofra, shkon drejt në luftë dhe shpartallon e vë në ikje një ushtri të tërë armike. Kënga mund të sjellë kujtime të ndonjë lufte të Skënderbeut afër Ohrit më 1464. Figura e Skënderbeut del si autoritare dhe njëkohësisht popullore; është vënë mirë në dukje qëndrimi dhe sjellja vëllazërore e Skënderbeut me trimat e vet. Spikat në këngë urrejtja e papërmbajtur popullore për armikun turk: Mba tutje mos u t'vras, 21
AGRON F. FICO
Se jam gjaku e deiturith, Të gjakut të qenit turk. Figura e Skënderbeut del më e gjallë dhe më trimërore në këngën e bukur “Skënderbeu dhe Ballabani”, që shquhet për thurjen e saj, për gjallërinë dhe figurat poetike. Heroi paraqitet me cilësitë e vërteta që ka pasur, njeri i aksionit të shpejtë, luftëtar trim dhe energjik, që përgjaket me armikun në beteja të pareshtura. Skënderbeu dallohet për urrejtje dhe përbuzje ndaj tradhtarit dhe është i tmerrshëm në luftë: Nani, qeni renegat, O m'e siell, o t'e siell. Kënga popullore, ashtu si e paraqet edhe Marin Barleti, tregon se Skënderbeu kryente në mënyrë të shkëlqyer si detyrën e komandantit ashtu dhe atë të ushtarit; ishte i paepur përpara armikut. Poezia popullore është afër faktit historik. “Skënderbeu, të cilit nuk i shpëtonin pusitë, dredhitë dhe dhelpëritë barbare, ia ktheu prapa miqësinë, dhuratat dhe peshqeshet dhe, përkundrazi, i dërgoi një shatë, një pluar, një drapër dhe vegla të tjera bujqësore, me këshillën që të hiqte dorë nga punët e luftës… dhe të merrej me punët e fushës e të arave, sipas zakonit të t'et dhe të të parëve të tij”. Skënderbeu u ndesh disa herë me renegatin; në luftën e Sfetigradit (1465) Liveta, një ushtar trim, sipas Biemmit, i shpëtoi jetën atij. Figura e heroit tonë kombëtar jepet në kulmin e trimërive dhe aksioneve të guximshme, ku vepron me shpejtësinë e rrufesë: 22
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Si ziarmi ndër kallametë, Njerë çë mbioi udhë e grafoma Me krera e të vdekur. Një të vet zu e m'e la, Atë qenin rinegat. Laijmin të qellnej. Kjo pohohet edhe nga Fan S. Noli, kur Skënderbeu u thotë ushtarëve: “Lëreni të shkojë; dikush duhet të arrinjë në Stamboll i gjallë që ta lajmërojë sulltanin për vijtoret tona”. Sipas këngës, Skënderbeu nuk e vret Ballabanin, po i pret veshin, që t'i kujtojë tradhtinë dhe ashtu i poshtëruar të vejë te padroni. Kënga, si dënim për tradhtinë, na thotë se Ballabanin e vrau padroni, sulltani, por historikisht Ballabanin e vret shqiptari Gjergj Aleksi rreth mureve të Krujës; ndërsa një këngë popullore thotë se është vrarë nga Tanush Topia, kunati i Skënderbeut. Fytyra e tradhtarit, e shëmtuar dhe e përgjakur pas prerjes së veshit, nga fytyra arrogante që ishte para ndeshjes, kthehet e bëhet edhe më tepër një fytyrë e përbuzur nga të gjithë, edhe nga padronët e vet. Tradhtari i mundur dhe i poshtëruar kthet tek padroni. Lufta kundër Ballaban pashës, ashtu si lufta kundër sulltan Muratit dhe sulltan Mehmetit, në këtë këngë ruan frymën patriotike, heroizmin e shqiptarëve, që kundërshtuan dhëmb për dhëmb dhe luftuan trimërisht agresorët turq.
23
AGRON F. FICO
Një tjetër këngë që i kushtohet jetës së heroit kombëtar është edhe “Skënderbeu dhe vdekja”, në të cilën zbulohen disa cilësi të Skënderbeut. Aty Skënderbeu duket i lidhur me familjen dhe fatet e vendit, shqetësohet thellë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për këtë mbledh shpejt e shpejt këshilltarët e vet. Vdekjes i qëndron sypatrembur, por do të rrojë akoma, që të ruajë atdheun nga rreziku i ndërhyrjes së armiqve të huaj. Para vdekjes u jep porsi shokëve të luftës dhe të birit: Mbi kalin, erëvet detit, Gabëni fiamurin tim, E ndë mest fiamurit Lidh e le mahjeren time. Kur t'frinjë vorea e keqe, Murxhari në hinkëllisën, Fiamuri përgapiet E mahjeria trintëllisën Ka i vrërti qiparis; Turku i gjegjën e i trembur, Tue kulturuar vëdekien Çë fië te mahjeria ime As ju pasën nkaha vatë. Spikat fort në këto vargje patriotizmi i gjallë i Skënderbeut dhe ndjenja e lartë e përgjgjesisë për fatet e popullit dhe vendit të tij në të ardhmen. Tufa e këngëve arbëreshe botuar nga De Rada rreth emrit të Skënderbeut mbyllet me rapsodinë elegjiake “Vdekja e Skënderbeut”. Kjo është një këngë e shkurtër, në të cilën në mënyrë mjaft sintetike e me figura të gjalla dhe të forta, jepet lajmi i zi i vdekjes së Skënderbeut. 24
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN
Gjithë natyra merr pjesë në këtë fatkeqësi kombëtare; qielli është i zi sterrë nga retë e nga mjegullat e fillon shi me shtrëngatë. Kënga duket të jetë një përshtatje nga Barleti, i cili, në këtë rast, kishte përshtatur historianin e vjetër latin, Valer Maksimin. Por mënyra se si “gjamon” Lek Dukagjini të kujton plotësisht një zakon shqiptar, që ka vazhduar gjer vonë. Me vdekjen e Skënderbeut fillon tatëpjeta e rezistencës gati 25vjeçare shqiptare dhe njëkohësisht zgjerohet shpërngulja në masë, sidomos në Italinë e jugut, me qëllim që t'i shpëtonin tërbimit otoman e që të ruanin traditat e zakonet shqiptare: Por tre qint miil trima Jetin çajtin deetin, Se të bajën besëzën. Gjergj Kastrioti Skënderbeu në krye të luftës së madhe shqiptare turke u bë tmerri i Turqisë në shekullin XV dhe mburojë e qytetërimit evropian, fakt që detyrohet ta pranojë edhe sulltan Mehmeti: ”Një luan të tillë do të mos lindë më dheu kurrë!” Pastaj shtoi: “Tani Evropa dhe Azia janë të miat!” Në epikën popullore historike figura e heroit paraqitet si simbol i luftës për liri të popullit shqiptar dhe kryengritjes kundër armiqve të vendit. Skënderbeu në këngën popullore është kënduar gjithmonë si shembull trimërie, guximi e burrërie. Ai u bë frymëzim, shembull në luftën kundër turqve. 25
AGRON F. FICO
Malësorët e Veriut, në luftën kundër Hafiz pashës, i kërcënohen atij, dhe i kujtojnë se janë nipat e Skënderbeut: Afiz pashë, n'daç me hikë vorrit, S'dripi atit, hyp vaporrit. Afiz pasha po i lyp vaden, Me i ba tinzë heniqe natën, Bajnë hënek t'luftonjë mas bregut, Me të nipat e Skëndergegut. Skënderbegu rrfe prej qiellet, Pashallarve ja u njef hilet. Me kujtimin e tij në zemër bijtë e shqipes luftuan kundër skllavërisë shekullore osmane. Shembulli i tij frymëzoi rezistencë të pamposhtur, sepse ai ishte luftëtar i një çështjeje të drejtë, armik i robërisë dhe plot dashuri për popullin e vet. Kështu Gjin Leka i thotë pashës: Po thuej pashës edhe allaj begut, S'lidhen t' bijt e Skënderbegut Me shembullin e Skënderbegut, rilindasit tanë, ia ndezën popullit zjarrin e atdhedashurisë: Del steres e jo limanit, Të shoç të zot e vatanit, Bijt e Ismail Qemalit, Të Skënderbe faqebardhit.Këngët popullore për Skënderbeun rritën ndërgjegjen e p0pullite, frymën e qëndresës dhe të patriotizmit. “Shqiptarët, të ndezur nga këto këngë trimërore, e shikonin me sy hien e Skënderbeut kaluar në krye të tyre dhe luftonin si luanë me forcë të përtëritur.” 26
EPOSI FOLKLORIK PER SKENDERBEUN BIBLIOGRAFI
1. Marin Barleti: Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, përkthyer nga Stefan J. Prifti, Tiranë, 1964. 2. F. S. Noli: Historia e Skënderbeut, Boston, 1921. 3. U.SH.T: Historia e Shqipërisë I, Tiranë, 1959, f. 239-268; f.269-330. 4. Dh. S. Shuteriqi: Legjenda e Skënderbeut, “Buletini i Institutit të Shkencave”, Tiranë, 1949, vëllimi i parë. 5. Dh. S. Shuteriqi: Këngë popullore mbi Skënderbeun, “Literatura jonë”, Tiranë, korrik 1949. 6. Dh. S. Shuteriqi: Kangët arbëreshe mbi Skënderbeun, “Mësuesi”, II, 1963, nr. 3. 7. R. Sokoli: Skanderbegu ndër kangët popullore, “Arsimi popullor”, 1962 nr. 6, f. 26-36. 8. Z. Kodra: Poezia popullore arbëreshe, Tiranë, 1957, f.3-31. 9. Instituti i Shkencave: Këngë popullore historike, Tiranë, 1956. 10. U.Sh.T: Folklori shqiptar, Historia e letërsisë shqipe, Tiranë, 1959, f. 89-92. 11. G. De Rada: Rapsodie d'un poema albanese, Firenze, 1866. 12. Prof. G. Ferrari: Rapsodie e scene di vita degli albanesi di Calabria, Cosenza, 1959. 13. Visaret e Kombit, vëllimi i parë, Tiranë, 1937. 14. Instituti i Folklorit: Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1635-1912), vëllimi i parë, Tiranë, 1961. 15. A. Buda: Fytyra e Skënderbeut nën dritën e studimeve të reja, “Buletin i Institutit të Shkencave”, Tiranë, 1951, nr. 3-4. 16. B. H. Putilov: Kvoprosu ob atnashenijah epiçeskova tvorçestva sllavian i narodov jugo-vastoçnoj Evropi, Moskva, 1966. 17. Trajtimi i disa toponimeve, legjendave, e këngëve të reja rreth Skënderbeut e shokëve të tij, Buletini për Shkencat Shoqërore, nr. 3, f. 103-115, 1954.
27