Plani vjetor i punës 2018, i cili është hartuar dhe miratuar duke u mbështetur në ligjin nr. 45/2015 dhe VKM nr. 98, datë 15.2.2017, ka përcaktuar drejtimet kryesore të punës së AIDSSH për vitin 2018. Sipas këtij plani, veprimtaria e institucionit për vitin 2018, më së shumti do të ishte e fokusuar në disa shtylla kryesore: konsolidimi i arkivit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, sigurimi i aksesit në dokumentet e ish-Sigurimit për të gjitha subjektet e përcaktuara në ligj, rishqyrtimi historik i veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, duke u mbështetur në kërkimin shkencor, të realizuar në bashkëpunim me institucionet kërkimore shkencore në vend dhe institucione të tjera partnere, si dhe ndërtimi i një platforme komunikimi dhe dialogimi mbarëkombëtar, në funksion të edukimit qytetar, duke organizuar tryeza pune me grupe të ndryshme interesi, seminare, ekspozita dokumentare, konferenca shkencore ndërkombëtare, etj.