1 minute read
Nënkryetar i Komunës u emërua Ivan Ivanaj
Tuz – Në seancën e tretë të Kuvendit të Komunës së Tuzit e cila u mbajt të martën (11 prill 2023), në të cilën u aprovuan dymbëdhjetë pika të rendit të ditës, u emërua për nënkryetar të Komunës së Tuzit Ivan Ivanaj. Për këtë post, që është hera e dytë që e mban, Ivanajn e propozoi kryetari i Komunës, Nik Gjeloshaj.
Për Ivanajn në postin e nënkryetarit të Komunës së Tuzit votuan 18 këshilltarë nga shumica parlamentare, ndërsa 5 këshilltarë të opozitës ishin të përmbajtur.
Advertisement
Ivanaj është kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare për Degën e Malësisë, parti e cila bën pjesë në koalicionin e Forumit Shqiptar. Në fjalimin e tij, ai premtoi se këtë detyrë do ta ushtrojë me ndërgjegje dhe përgjegjësi.
“Falënderoj subjektin tim politik, Lidhjen Demokratike Shqiptare dhe Forumin Shqiptar që më propozuan mua për postin e nënkryetarit të Komunës, të cilin do ta ushtroj me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Zyra ime do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët e Komunës së Tuzit pavarësisht bindjeve të tyre partiake, apo të tjera”, u shpreh Ivanaj.
Ivanaj duke folur për veprimtarinë e
Komunës së Tuzit gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar, tha se ata u ballafaquan me sfida të ndryshme, siç ka qenë ajo e Kovid-19.
“Por, me themelimin e institucioneve dhe zhvillimin e Malësisë hasëm edhe në barriera të tjera. Konkretisht mendoj në marrëdhëniet që kishim me kryeqytetin Podgorica. Administrata e Podgoricës u mundua të na e vështirësojë punën, sepse ashtu donte të tregonte dhe të dëshmonte politikën e tyre shumëvjeçare, se Tuzi nuk mund të mbijetojë si komunë e pavarur”, shprehet Ivanaj.
Ai më tutje tha se nevojat e Malësisë ishin të shumta, si nevojat për rrugë, ujë, etj., duke theksuar se ato i realizuan në mandatin e kaluar.
“Malësia kishte nevojë për institucione, ato i themeluam. Malësia kishte nevojë për vende të reja pune, hapja e fabrikave këtë e mundësoi. Malësia kishte nevojë për afirmimin dhe ruatjen e identitetit, dhe kjo me Forumin Shqiptar në pushtet është e sigurtë”, tha Ivanaj, duke shtuar se Komunës së Tuzit i janë vënë themelet e forta. “Dhe tani mbi ato themele Tuzin duhet ta shndërrojmë në një vend më të mirë për të jetuar”, tha ndër të tjera Ivanaj.