![](https://static.isu.pub/fe/default-story-images/news.jpg?width=720&quality=85%2C50)
4 minute read
PARATHËNIE
NGA GONXHE BOJAXHIU DERI TE NËNË TEREZA FROM GONXHE BOJAXHIU TO MOTHER THERESA
Libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, përfshin një korpus materialesh arkivore mbi rrugën jetësore e familjare të Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës, disa prej të cilëve bëhen publike për herë të parë. Mbi bazën e këtyre dokumenteve mund të konkludohet se familja Bojaxhiu e kishte bartur farën e përtëritjes nga brezi në brez, nga koha në kohë, edhe atëherë kur i kanosej rreziku i harresës dhe i zhdukjes.
Advertisement
Lidhjet e Nënë Terezës me Shqipërinë dhe Kosovën ishin rezultat i rrethanave dhe kauzaliteteve që e bëjnë këtë figurë më të afërt për vrojtuesin e zakonshëm, i cili një kohë më të hershme ka mundur të jetë skeptik për sa i përket rolit dhe kontributit të Nënë Terezës në artikulimin dhe afirmimin e drejtë të kauzave humane e liridashëse të popullit të cilit i përkiste. Por, tani, në dritën e dokumenteve e dëshmive të reja. Nënë Tereza rishfaqet para syve tanë si një feniks që del pa zhurmë nga mjegullat e kohës dhe fillon t’i ndriçojë anët e padukshme të komunikimit me një pjesë të faktorëve vendimmarrës.
Një figurë që vazhdon edhe sot të jetë objekt studimesh e hulumtimesh, nuk mund të mbetet vetëm si kornizë brenda së cilës zhvillohet mendimi nacional dhe global, por edhe si emër që nderon shumë institucione, themelata, shoqata e objekte infrastrukturore. Në librin që po ia paraqesim lexuesit janë evidentuar disa nga këto emërtime që lidhen me Nënë Terezën, e që në instancë të fundit është edhe një përgjegjësi më shumë për ta çuar përpara kredon humane e shpirtërore të Nënë Terezës.
Libri ngërthen angazhimin e parë institucional nga vendlindja e saj, Shkupi, për ta paraqitur Shën Nënë Terezën sa më objektive ashtu siç meriton të trajtohet figura e saj. Vetë titulli i librit deshifron lajtmotivin që përshkon dy faza të jetës së Nënë Terezës, e cila fillon nga Gonxhja e re e Shkupit, e vazhdon me Shën Nënë Terezën e gjithë botës, lajtmotiv ky që është i lidhur me identitetin kombëtar dhe qytetin ku ajo është lindur. Ajo lindi në qytetin shpirtëror i cili, përveç që është qendër e krishterimit në siujdhesën ballkanike, aty u lindën dhe vepruan figurat e mëdha historike si perandori bizantin me prejardhje ilire Justinani, Andrea e Pjetër Bogdani, Mikel Suma, dom Ndue Bytyçi, don Lazër Mjeda, atë Zef Ramaj,
atdhetari Kolë Bojaxhiu dhe Gaspër Gjini, studiuesi e autori i librit më argumentues i autoktonisë sonë të pandërprerë iliro-arbëroro–shqiptare “ Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj”.
Gonxhe Bojaxhiu në Shkup mbaroi shkollimin në gjuhën shqipe, pranë Kishës Katolike “Zemra e Krishtit”, ku edhe ishte pagëzuar dhe do të jetë e lidhur me këtë kishë gjatë tërë fëmijërisë së saj. Ajo ishte shumë aktive në korin e kishës. Ndërkaq, ajo pothuajse tërë ditën qëndronte në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, pranë të atit i cili atëherë kishte një artari. Çarshia e Shkupit shquhej për diversitetin etnik e fetar dhe jo rastësisht ajo do të brumoset me frymën e këtij diversiteti, që më vonë do t’i ndihmojë në angazhimin për misionin e saj humanitar. Po ashtu, nga familja e mori edukatën, humanizmin, bujarinë dhe, sidomos,ndikuan zakonet (kanuni) kombëtare, që do të ngjizë tek ajo identitetin e përgatitur për të qenë një figurë me përmasa botërore. E kompletuar me këto premisa ajo do të marrë thirrjen për t’iu përkushtuar Zotit dhe misionit të shenjtë të humanitetit, që veprimtarinë e saj deri sa jetoi, e dëshmoi me punë konkrete për t’iu dalë në ndihmë atyre që ishin të braktisur nga shoqëria (bonjakët, të sëmurët dhe të gjithë të tjerët pa dallime racore, etnike e fetare). Ky angazhim pas vdekjes do të bëjë që Selia e Shenjtë të ndërmarrë hapa konkretë për ta shenjtëruar këtë figurë madhore. I ati, Kolë Bojaxhiu, qysh në moshën fëmijërore do të vërejë te Gonxhja diçka të shenjtë. Ai parandjente se do të vdesë, prandaj edhe pronësinë e shtëpisë ku kishte lindur Gonxhja, që ishte në sheshin e Shkupit, në lagjen e shqiptarëve katolikë, do t’ia bartë asaj. Ajo, gjatë fillimit të vitit 1928 kishte bërë kërkesë për t’iu përkushtuar misionit të Zotit dhe, pasi merr përgjigje pozitive, sipas rregullave të misionit, duhej të shlyente nga vetja pasurinë e patundshme që ishte në emër të saj. Sipas dokumentit zyrtar që e kemi në libër, shtëpinë që e kishte në emër të saj, e bartë në emër të së ëmës, Drane Bojaxhiu.
Libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit” është vazhdimësi e përpjekjeve tona për të ndriçuar një pjesë të historisë sonë, e cila për një kohë të gjatë ishte e privuar nga komunikimi normal me publikun e gjerë. Kësaj radhe objekt interesimi është një prej familjeve më emblematike të katolikëve të Shkupit –pra familja Bojaxhiu, nga e cila dolën emra të shquar që ua lanë brezave të ardhshëm lavdinë dhe nderin e të qenit pjesë e një plejade postrilindase, që si synim kishte largimin e errësirës nga jeta e shqiptarëve në fillim të shekullit XX.
NGA GONXHE BOJAXHIU DERI TE NËNË TEREZA FROM GONXHE BOJAXHIU TO MOTHER THERESA
Kolë Bojaxhiu, një shtyllë që e mbajti gjallë ritmin e ndryshimeve radikale në jetën kulturore, sociale, infrastrukturore të shqiptarëve dhe të gjithë bashkëqytetarëve në periudhat më dramatike të historisë, nuk do ta kishte famën dhe lavdinë e vërtetë sikur të mos kontribuonte në ngritjen shpirtërore të familjes së tij dhe të mbarë një brezi që ai i takonte. Në këtë frymë u lind dhe u rrit edhe Gonxhja, e cila më vonë do të shndërrohet në figurë me përmasa planetare që do të rrezatojë mirësi, dashuri e ngrohtësi për gjithë njerëzit me shpresa të thyera. Kjo pra ishte Nënë Tereza, jeta dhe vepra e së cilës do të vazhdojë të jetë preokupim permanent i departamentit tonë në kuadër të ITSHKSH-së.
Skender Asani Nora Maliqi Zylali Albert Ramaj Shkup, korrik 2020
~12~