NGA GONXHE BOJAXHIU DERI TE NËNË TEREZA FROM GONXHE BOJAXHIU TO MOTHER THERESA
PARATHËNIE Libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, përfshin një korpus materialesh arkivore mbi rrugën jetësore e familjare të Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës, disa prej të cilëve bëhen publike për herë të parë. Mbi bazën e këtyre dokumenteve mund të konkludohet se familja Bojaxhiu e kishte bartur farën e përtëritjes nga brezi në brez, nga koha në kohë, edhe atëherë kur i kanosej rreziku i harresës dhe i zhdukjes. Lidhjet e Nënë Terezës me Shqipërinë dhe Kosovën ishin rezultat i rrethanave dhe kauzaliteteve që e bëjnë këtë figurë më të afërt për vrojtuesin e zakonshëm, i cili një kohë më të hershme ka mundur të jetë skeptik për sa i përket rolit dhe kontributit të Nënë Terezës në artikulimin dhe afirmimin e drejtë të kauzave humane e liridashëse të popullit të cilit i përkiste. Por, tani, në dritën e dokumenteve e dëshmive të reja. Nënë Tereza rishfaqet para syve tanë si një feniks që del pa zhurmë nga mjegullat e kohës dhe fillon t’i ndriçojë anët e padukshme të komunikimit me një pjesë të faktorëve vendimmarrës. Një figurë që vazhdon edhe sot të jetë objekt studimesh e hulumtimesh, nuk mund të mbetet vetëm si kornizë brenda së cilës zhvillohet mendimi nacional dhe global, por edhe si emër që nderon shumë institucione, themelata, shoqata e objekte infrastrukturore. Në librin që po ia paraqesim lexuesit janë evidentuar disa nga këto emërtime që lidhen me Nënë Terezën, e që në instancë të fundit është edhe një përgjegjësi më shumë për ta çuar përpara kredon humane e shpirtërore të Nënë Terezës. Libri ngërthen angazhimin e parë institucional nga vendlindja e saj, Shkupi, për ta paraqitur Shën Nënë Terezën sa më objektive ashtu siç meriton të trajtohet figura e saj. Vetë titulli i librit deshifron lajtmotivin që përshkon dy faza të jetës së Nënë Terezës, e cila fillon nga Gonxhja e re e Shkupit, e vazhdon me Shën Nënë Terezën e gjithë botës, lajtmotiv ky që është i lidhur me identitetin kombëtar dhe qytetin ku ajo është lindur. Ajo lindi në qytetin shpirtëror i cili, përveç që është qendër e krishterimit në siujdhesën ballkanike, aty u lindën dhe vepruan figurat e mëdha historike si perandori bizantin me prejardhje ilire Justinani, Andrea e Pjetër Bogdani, Mikel Suma, dom Ndue Bytyçi, don Lazër Mjeda, atë Zef Ramaj,
~9~