2 minute read

PARADIGMA KULTURORE E NJË MISIONI GJETJA E COPËZAVE GATI TË HUMBURA TË NJË MOZAIKU

NGA GONXHE BOJAXHIU DERI TE NËNË TEREZA FROM GONXHE BOJAXHIU TO MOTHER THERESA

Recension:

Advertisement

PARADIGMA KULTURORE E NJË MISIONI

Libri më i ri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza – një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit” që po vjen në duart e lexuesve është botimi i radhës i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, por njëherësh edhe projekti nismëtar i Departamentit të Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezës. Ky i fundit është ngritur pikërisht si platformë idesh shkencore e hulumtuese mbi korpusin tematik e problemor të përpunimit arkivor e dokumentar të jetës, veprës dhe dimensioneve njerëzore e humane të Nënë Terezës.

Duke iu përmbajtur kësaj metodologjie hulumtuese, libri rifreskon kujtesën e lexuesit me kronologjinë e ngjarjeve e zhvillimeve që ishin pjesë e pandarë e formimit të një vetëdije kulturore e shpirtërore në Shkupin e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Mirëpo, për të vendosur komunikim diakronik me këtë periudhë të rëndësishme kohore, duhej të dokumentohej prania dhe fryma e kësaj vetëdije.

Kështu lindi edhe ideja për ta përgatitur librin e parë për “Familjet Katolike Shqiptare në Shkup”, një vepër kjo që arriti ta brendojë ITSHKSHnë si një prej institucioneve më të kualifikuara për ta deshifruar të kaluarën nën prizmin e objektivitetit dhe paanësisë, duke ruajtur të paprekur edhe autenticitetin dhe dokumentaritetin e pranisë fizike e shpirtërore të familjeve katolike shqiptare në Shkup këtu e një shekull më parë.

Figura qendrore e këtij libri është Nënë Tereza, por hulumtuesit e ITSHKSH-së janë kujdesur që peshën dhe rëndësinë historike e aktuale të kësaj figure ta vendosin në kontekstin social, kulturor, shoqëror e fetar, ku ajo u zhvillua si personalitet – që nga fëmijëria e deri sa i mbylli sytë për të fundit herë. Për këtë qëllim është themeluar në kuadër të ITSHKSH-së edhe departamenti i parë në botë që merret me trashëgiminë familjare e kulturore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, kurse libri që kemi në dorë risjell disa këndvështrime profesionale mbi rëndësinë dhe vizionin e këtij departamenti.

Koha e dëshmoi se qëllimi për hapjen e këtij departamenti, u tregua plotësisht i justifikueshëm, për arsye se disa ngjarje që ndodhën gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti, e që lidheshin drejtpërdrejt me rikthimin e dinjitetit të figurës së Nënë Terezës në sheshin e Shkupit,iu dhanë shkas drejtuesve të ITSHKSH-së, konkretisht drejtorit – dr. Skender Asanit, që të kurorëzojnë me sukses betejën kulturore për mbrojtjen e vlerave materiale e shpirtërore të figurës madhore të Nënë Terezës. Fryt i kësaj beteje, që po kurorëzohet pikërisht në 110 vjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës, është edhe vendosja e pllakës përkujtimore në vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së kësaj shkupjaneje fisnike me famë planetare.

Mbase kjo është edhe paradigma kulturore e një misioni që po ndërtohet në kuadër të përpjekjeve institucionale për më shumë dritë në syprinën e pritjeve.

Emin AZEMI Shkup, korrik 2020

This article is from: