
5 minute read
Jini mirënjohës
Jini mirënjohës “ Nëse bleta do të zhdukej nga sipërfaqja e tokës, njeriut do t’i mbeteshin vetëm katër vite jetë
Maurice Maeterlinck, Jeta e Bletës
Advertisement
Bletët janë shumë të rëndësishme për njerëzit: ato janë zemra e mbijetesës sonë si specie. Bletët gjenden kudo, përveç Antarktidës. Ka rreth 20,000 specie të dallueshme bletësh në botë, dhe më shumë se 2,000 vetëm në Evropë. Ne shpesh i shohim këto insekte si një kërcënim, por bletët janë përgjegjëse për një sasi të habitshme të ushqimit që ne konsumojmë. Bletët ndahen në dy lloje bazuar në sjelljen e tyre në fole: bletët e vetmuara dhe bletët shoqërore. Siç sugjeron emri i tyre, bletët shoqërore jetojnë së bashku në koloni brenda një zgjoi, duke ndjekur një strukturë hierarkale të përbërë nga një mbretëreshë, punëtorë dhe drone (bletë meshkuj). Ata dihet se bejnë mjaltë dhe dyll. Bletët më të zakonshme shoqërore janë bletët e mjaltit dhe bletët grerëz. Bletët sociale përbëjnë rreth 10 përqind të të gjithë popullatës së bletëve. Shumica e bletëve, afërsisht 90 përqind, janë të vetmuara dhe jetojnë në fole të tuneluara në tokë. Meqenëse ato nuk i përkasin një kolonie dhe nuk kanë një mbretëreshë ose një zgjua për të mbrojtur, bletët e vetmuara nuk janë agresive. Pavarësisht nëse bletët janë të egra ose të zbutura, të gjitha janë polenizues të rëndësishme. Arsyet për rëndësinë e bletëve janë të shumta. Bletët kryesisht njihen për talentet e tyre në prodhimin e mjaltit. Mjalti është produkti më i përhapur i bletës në të gjithë botën. Në vitin 2016, kishte rreth 90.5 milion koshere bletësh në botë, secila koshere prodhonte afërsisht 20 kilogramë mjaltë në vit. Prodhimi i një kilogram mjaltë kërkon një milion lule dhe 50,000 fluturime bletësh. Një bletë mjalti mund të vizitojë midis 50 dhe 1000 lule në një udhëtim. Nëse bëjmë llogaritjet, një koloni e bletëve të mjaltit që përfshin 25,000 bletë foragjere, secila që bën 10 udhëtime në ditë, mund të polenizojë deri në 250 milion lule në ditë. Kjo është një sasi marramendëse lulesh! Krahas mjaltit, këto insekte të vogla me shirita të zezë dhe të verdhë gjithashtu prodhojnë polen, propolis, dyll blete dhe helm bletësh. Këto produkte janë përdorur për qëllime terapeutike që nga kohërat antike në vende të ndryshme, si Egjipti dhe Greqia. Për shembull, propolis, i njohur gjithashtu si “zamkë bletësh”, është një substancë e ngjashme me rrëshirën e prodhuar nga bletët e mbledhur nga bimët, që përdoret për të mbrojtur dhe ruajtur integritetin strukturor të zgjoit. Është një antibiotik i fuqishëm natyror që përdoret për të trajtuar një larmi të gjerë sëmundjesh dhe gjendjesh, përfshirë laringitin dhe psoriazën. Nënprodukte të tjera që ne përdorim rregullisht, të tilla si produkte të kujdesit shëndetësor, qirinj dhe barna, gjithashtu përmbajnë produkte bletësh. Bletët kontribuojnë në një të tretën e ushqimit që hamë. Si polenizues, këto insekte të vogla fluturuese luajnë një rol të rëndësishëm në çdo aspekt të të gjithë ekosistemit dhe zinxhirit ushqimor përmes veprimit të tyre të pjalmimit. Pjalmimi është një pjesë shumë e rëndësishme e ciklit jetësor të bimëve dhe prodhimi i kulturave frutore dhe atyre me fara. Ai konsiston në transferimin e kokrrave të polenit në lule të së njëjtës specie për riprodhim seksual. Fekondimi është i mundur përmes këtij procesi dhe lulet që krijojnë frutat mund të zhvillohen. Më shumë se 80 përqind e bimëve në botë kanë nevojë për pjalmues për t’u riprodhuar. Pjalmimi i bletëve ndihmon në cilësinë dhe sasinë e të korrave. Shumë prej ushqimeve që na duhen për të mbijetuar përfitojnë nga kjo kontribut, duke përfshirë pothuajse të gjitha kulturat e frutave dhe drithërave: luleshtrydhet, avokadot, kungujt, karotat, mollët, kungujt e njomë, kastravecat, grejpfrutat dhe kakao ndër shumë të tjera. Të korrat e boronicës, bajames dhe qershisë varen plotësisht ose shumë nga pllenimi i bletëve. Në Brazil, i gjithë prodhimi vjetor i arrave braziliane - 40,000 ton në vit - varet ekskluzivisht nga bleta Euglossa. Pa këto insekte gumëzhitëse, zgjedhjet tona ushqimore do të ishin të kufizuara rrënjësisht. Bletët dhe pyjet janë të lidhura ngushtë. Rritja e pemëve dhe shumë bimëve të tjera mbështetet në pjalmimin kryq të kryer nga bletët. Lulet e pemëve pyjore furnizojnë bletët e mjaltit me ushqim, të tilla si poleni dhe nektari, ndërsa pyjet sigurojnë fizikisht strehim për kosheret e bletëve, si dhe për krijesa të tjera. Një studim i kryer në Afrikën Perëndimore ka treguar se prania e koshereve të bletëve pranë disa pemëve arrash braziliane kishte rritur rendimentin e tyre 2 deri në 3 herë. Pavarësisht nga rëndësia e bletëve, ne kemi qenë dëshmitarë të një rënieje dramatike dhe të befasishme të popullatave të bletëve në dekadat e fundit. Bletarët në të gjithë botën kanë raportuar humbje të koshereve prej 30 përqind ose më tepër çdo vit. Shkatërrimi i kolonive të bletëve përbën një kërcënim për agrikulturën globale. Nëse bletët zhduken, do të kishte një rënie masive në prodhimin e të korrave që do të ndikonte në furnizimet globale të ushqimit. Do të ndikonte gjithashtu në ekuilibrin delikat të ekosistemit të planetit. Numri i bletëve është duke u zvogëluar në një numër marramendës për shkak të një kombinimi të disa faktorëve. Ndër disa arsye të ndryshme, kimikatet, të tilla si herbicide, insekticide dhe pleh, të përdorura në agrikulturë për të kontrolluar dëmtuesit dhe sëmundjet ose për të nxitur rritjen, janë shumë të dëmshme për bletët dhe polenizuesit e tjerë. Bletët janë insekte shumë të ndjeshme dhe delikate; ato kërkojnë kushte të caktuara specifike për të lulëzuar. Pesticidet dëmtojnë sjelljen e bletëve, duke përfshirë aftësinë e tyre për të naviguar dhe për të njohur lulet ose komunikimin brenda kolonive të bletëve. Habitati i bletëve është dëmtuar gjithashtu nga ndërhyrjet njerëzore, duke përfshirë bujqësinë, nxjerrjen e burimeve dhe vendosjen njerëzore. Shpresojmë, tani se ju mund të vlerësoni bletët dhe gjithçka që ata bëjnë për ne për të mbajtur oborret tona të lulëzuara dhe për të ndihmuar bimët të na sigurojnë fruta dhe perime të shijshme.
Lucile Guéguen Përkthim: Ejona Limanaj
Burimet: http://www.helpabee.org/urban-bee-legends. html https://www.beeautiful.store/ bees-why-are-they-important-fortheenvironment/?v=551c0342d534 http://www.fao.org/3/ca4657en/ca4657en.pdf https://www.weforest.org/newsroom/what-linkbetween-bees-and-reforestation
Ju nuk do ta besoni! !
Kina është prodhuesi më i madh në botë i mjaltit, duke arritur gati 30 përqind të prodhimit global.
Sidoqoftë, teksa popullatat e bletëve bien, shumë prej mjaltit të bërë në Kinë është e falsifikuar, duke u prodhuar artificialisht me shurup sheqeri për të rritur marzhet e fitimit të prodhuesve të mjaltit. Megjithëse mjaltët aziatikë janë ndaluar nga Bashkimi Evropian, shumë mjalte të rreme ose të ndotura ende po shiten në shumë supermarkete. Kështu që gjithmonë kontrolloni origjinën e mjaltit që blini!