NEXHMIE ZAIMI, GAZETARJA SHQIPTARE E MBETUR NË (DRITË) HIJET E KOHËS
Abstrakt
Sot, gruaja gëzon shumë të drejta, si dhe në mënyrë të vazhdueshme përpiqet që t’i mbrojë ato. Një ndër të drejtat më themelore, është ajo e shprehjes së mendimit nëpërmjet fjalës së lirë, e drejtë kjo që gëzon çdo njeri i thjeshtë e çdo profesionist. Për çdo individ në diktaturën komuniste e drejta e fjalës së lirë ishte e pamundur. Liri të kufizuar kishin edhe gazetarët. Ata duhej të servirin, vetëm ato informcione ose lajme që kërkonte vetë regjimi.
Hyrje
Nexhmie Zaimi, u lind më 14 maj të vitit 1917 në një familje patriote libohovite dhe u rrit në Vlorë. Familja e saj kishte gjashtë fëmijë, e kjo së bashku me një nga vëllezërit e saj u shkolluan në shkollën amerikane të Kavajës, e cila ishte një histori suksesi e arsimit gjatë viteve të para të shtetit shqiptar. E etur për dije, me guximin që e karakterizonte, largohet nga atdheu në moshën 16 vjeçare duke emigruar në vitin 1932 për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe vazhdoi studimet në Universitetin Wellesley në Boston për arte të aplikuara me rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu, ajo studioi edhe në Shkollën e Lartë të Gazetarisë të Universitetit të Kolumbias në New York. Vajza nga Shqipëria, tregon kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual dhe qytetar dhe do japë kontribute të dalluara si femër e emancipuar, gazetare investigative dhe analiste e kalibrit ndërkombëtar.1
Mjaft nga personalitetet që kanë shërbyer për mediat amerikane e përmendin herë pas here kontributin e spikatur të reporteres nga Shqipëria, ndërsa në vendin tonë, çuditërisht për
këtë zonjë të famshme e spikatur, dinë fare pak për të dhe kontributin e saj.2
Megjithëse ishte 20 vjeçe, në vitin 1937, në Amerikë ajo u bë autore e librit të saj autobiografik
“Daughter of the Eagle” i cili u bë shumë shpejt best seller, si dhe është ribotuar 4 herë dhe përkthyer në disa gjuhë të tjera. Përfshirja e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, rreshtimi i
1Nexhmije Zaimi, gazetarja e parë shqiptare që punoi për “CNN” dhe “Zërin e Amerikës”, (dokumente dhe kujtime të të birit, Erik Margolis), i disponueshëm [online] në: http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1944, tërhequr më 2 qershor 2022.
2 Po aty
saj në krahun lindor të Evropës pas mbarimit të luftës, angazhimet personale të Nexhmije Zaimit ishin “një oqean larg” vëmendjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve ndaj sukseseve të saj.
1. Rënia në kontakt të Sigurimi me Nexhmie Zaimin
Sinjalet e para për të, erdhën nga Ambasada jonë në Egjipt. Sigurimi i Shtetit Shqiptar informohet se, në Kajro ka shkuar një grua shqiptare, që punon për një organizatë amerikane për të studiuar gjendjen në vendet arabe dhe për të mbajtur më pas leksione në Amerikë. Gjithashtu u informuan se ka botuar edhe një libër rreth Shqipërisë.
Në Egjipt do të qëndronte rreth 3-4 muaj. Dhe ndër të tjera ato pyesin nëse kishte interes të lidhnin miqësi me të, që më pas të kryenin kontrollin e saj.3 Sigurimit i Shtetit udhëzonte agjentët e tyre se, ajo “paraqet shumë interes për ne, dhe se ishte e nevojsme të zbulohej nëse ishte në shërbim të zbulimit amerikan ose të ndonjë shoqërije tjetër, - më tej thuhej se “..nëse vjen, priteni mirë por ruajuni nga ndonjë provokacion dhe synimet e saj”.4 Menjëherë në Tiranë u shkruan ustanofkat* për familjarët e saj. Për të treguar se ata “rrethi i saj ishte i keq dhe i goditur. Ajo duhet të jetë zbuluese dhe ka qëllime karshi jush, prandaj mos i shkoni në shtëpi se do ju inçizojnë. ... qëllimi është ta studiojmë dhe të krijojmë kondita ta vejmë në dorën tonë...”.5
Nëpërmjet përkthyesit “Shkumbini”6 përkthehet një artikull i gazetës egjiptiane “Al Gomhuria”7 - në të cilin përshkruhej se, Nexhmie Zaimi ishte “një nga amerikanët që merret me Lindjen e Mesme”. 8 Aty Sigurimi lexon në një nga gazetat më të mëdha Egjiptiane të kohës se kush ishte Nexhmia, përveçse ajo shkrimtarja e bujshme e suksesshme, por dhe gazetarja e zonja, sa e guximshme dhe sypatrembur që i qëndronte besnike së vërtetës pa kompromise. Megjithëse znj. Zaimi ishte në një linjë paralele me politikën e jashtme shqiptare përsa i përket qëndrimit të saj ndaj politikës sioniste izraelite, ndryshe dhe nga qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë lind pyetja pse Sigurimi e mbajti në hije një aleate të natyrshme, të politikës së jashtme shqiptare? Pse ajo ishte e padëshirueshme për regjimin e Tiranës?
Sigurimi kishte bërë një panoramë të plotë për të se, - “Kishe studiuar dhe punuar pranë një konsullate të huaj? Ishe anëtar i Vatrës? Ishe i etiketuar si “agjent i vjetër i CIA-s”.9
3 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 7.
4 Po aty, fl. 8.
5 Po aty, fl. 16
6 Pseudonim.
7Al Gomhuria- një nga tre gazetat më të mëdha zyrtare në Egjipt.
8Artikulli në “Al Gomhuria” Si i trajtojnë sionistët çdo amerikan me sjelljen e tyre provokuese”.
9 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 45.
Vëllai i saj, Mehmeti ishte dënuar në vitin 1947 me 15 vjet heqje lirie për “agjitacion dhe propagandë kundër Pushtetit Popullor”. Familjes së saj i kishin sekuestruar pronat. Djali i motrës së saj Besnik Çano, 22 vjeç, ishte ekzekutuar si “eksponent” i Ballit Kombëtar nga partizanët. Dhe më kryesoresorja, ajo ishte anëtare e shoqatës të ashtuquajtur “reaksionare”
“Vatra”, që pas Luftës së Dytë Botërore.10
Për Sigurimin, ajo kishte cilësitë e të qenit “kontigjent” në të cilin duhet kërkuar veprimtaria e armikut. Po çfarë është kontigjenti si një “terren i infektuar” ku kërkohet veprimtaria e armikut? Cilat janë kriteret për të qenë i tillë?
Në definicionin e kohës, Kontigjentë quheshin, - elementet e deklasuar, ata me prejardhje, përbërje ose qëndrim të keq politik, elementet antisocialistë e keqbërës, që janë të infektuar me ideollogjinë borgjeze- revizioniste dhe të predispozuar të zhvillojnë veprimtari armiqësore ose keqbërese, ndaj të cilëve, rrjedhimisht, organet e Sigurimit të Shtetit duhet të drejtojnë vëmendjen për të filluar e vazhduar dinamikën e luftës me armikun e klasës, në kuadrin e përgjithshëm të luftës së klasave që zhvillohet aktualisht në R.P.SH 11
Ajo u trajtua si agjente e mundshme e zbulimit amerikan, e nuk mund të ndodhte ndryshe me një kontigjent si Nexhmie Zaimi. Në dosjen e saj është vendimi i arkivimit të dosjes së Nexhmije Zaimit sipas të dhënave të grumbulluara. Ndonëse se nuk vërtetohej nëse ishte në shërbim të zbulimit amerikan, në dosjen e saj thuhej se “ka dyshime të jetë në shërbim të zbulimit amerikan, prandaj me burimet tuaja dhe ato miqësore të përpunohet aktivisht me qëllim per të konkretizuar veprimtarinë e saj. Në mënyrë të veçantë, porositet të ndiqet aktiviteti i saj në organizatën “Vatra” dhe në rradhët e emigracionit”.12
2. Vatra, vatranët dhe Nexhmie Zaimi
Vatra dhe F. Noli ushqyen iluzione për Qeverinë e Enver Hoxhës të cilët erdhën në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, por siç shkruante gazeta “Dielli”: “Ne me grurë, ata me gurë”! Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u vranë, si ish editori i “Diellit”, Bahri Omari, kryetari i Vatrës Kolë
*Ustanofka- vërtetimi -është një nga llojet e punës operative- agjenturale, me anën e të cilit mblidhen materiale mbi biografinë, qëndrimin e elementeve që përpunohen të farefisit të tyre, të lidhjeve të tyre dhe të personave të tjerë që paraqesin interes për organet e punëve të brendëshme. - Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit (më tej: AIDSSH), Patforma e punës Operative e organeve të Punëve të Brendshme, V. 1958, f. 54.
10 Po aty, fl. 10-13.
11 AIDSSH, F. Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, D. 35806, fl. 80. Udhëzim i ministrit të Punëve të Brendëshme Kadri Hasbiu, nr. 01-29 datë 29.10.1974.
12 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 73.
Tromara13, Aqif Përmeti - komandanti që përgatiti, stërviti dhe udhëhoqi trupat vullnetare që
shkuan në Shqipëri në vitet ‘20 të shekullit të shkuar, burgosi e torturoi pa mëshirë ata. Dy nga delegatët themeltarë të Vatrës; Kristo Kirka dhe Koço Kosta u ndëshkuan prej regjimit vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Aqile Tasi që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i “Diellit” u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më
çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Ali Kuçi i cili i priu fushatës për Shpëtimin e Shqipërisë, vdiq në duart e hetuesve në Berat. Në burg përfundoi edhe vatrani Kolë Rodhja, Kristo Floqi e të tjerë.
Si pjesë e Vatrës, N. Zaimi ishte aktive “me grupin e intelektualëve të cilët e konsiderojnë veten të moderuar dhe përpiqen t’i japin “Vatrës” orientimin e politikës amerikane”.14 Nexhmia në vitin 1978 ishte zgjedhur nën presidente e Federatës së Përgjithshme “Vatra”. “Si shoqëri thjesht patriotike nuk ka karakter politikë, por kombëtar dhe si e tillë nuk mund të mbyllet për asnjë shqiptar pavarësisht nga bindjet politike e ideologjike”. 15
Lidhja shpirtërore me Shqipërinë ishtë në të gjitha format: ajo u mësonte fëmijëve të shqiptarëve gjuhën shqipe.16
Nexhmia kishte kërkuar shpesh të vinte në Shqipëri, por kishte marrë gjithmonë përgjigje negative.17
Në vitin 1979 i ushqyer nga e ëma me dashurinë për Shqipërinë dhe Skënderbeun, erdhi në Shqipëri djali i Nexhmies, Eric S. Margolis, si përfaqësues i një shoqërie tregëtare, por pa e ditur Sigurimi se ishte biri i saj.18 Pas vëzhgimeve ndaj tij nuk doli asgjë negative dhe ai vendosi ta lejojë Nexhmien të vinte në Shqipër (27 maj – 1 korrik 1980), pasi kishte siguruar agjenturën e nevojshme.19
Sigurimi Shtetit kishte hartuar planin e masave për survejimin e saj, - “...të aktivizohen bashkëpunëtorët që i përkasin lidhjeve të saj, të përgjohet se kush shkon dhe vjen për ta takuar, të merret nga Drejtoria e Doganave lista e sendeve që ka sjellë dhe dollarët që ka pur', të studiohet mundësia që kur takohet me persona të tjerë në rast se do t'i bëjnë në lokal, për ti dëgjuar me T.O. e të tjera si këto”. 20 Bashkëpunëtori “Volta” për të marrë gjithë infomacionin
13 Në Gjyqin Special, 1945, - Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Mirdacz, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Beqir Valteri, Javer Hrushiti, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadarja, Tahsim Bishqemi, Shyqyri Borshi, Daut Çarçani, Kol Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Tefik Mborja, u dënuan me vdekje.Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (më tej: AQFA), F. Divizioni VI Sulmues, V. 1945, D. 90, fl. 1. Buletin i jashtëzakonshëm i Divizionit të VI-të Sulmues.
14 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 64.
15 Po aty, fl. 59.
16 Po aty
17 Po aty, fl. 27.
18 Po aty, 62.
19 Po aty, fl. 30.
20 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 30.
e duhur për të patur në vëzhgim të gjitha lëvizjet e saj,21 raporton se Nexhmie Zaimi ka frikë se mos e arrestojnë. Në takimet me të ajo foli për shoqërinë “Vatra” e cila më shumë kishte
pjesëtarë nga Legaliteti të cilët ishin habitur dhe këshilluar të mos shkonte në Shqipëri pasi
“tradhëtonte organizatën” apo “do ta arrestojnë”.22 Sigurimi e udhëzon “Voltën” që ta provokojë vizitoren, me pyetje se kë njeh konkretisht nga të arratisurit, çfarë thotë për secilin, pse e kanë vënë këtë në detyra të larta e pse ka pranuar kjo, kur di që kjo organizatë vepron
kundër Shqipërisë. Këto biseda t’i bëjë jo në ambiente familjare, e të dëgjohet me T. O.23 Bashkëpunëtori krahas informacioneve shkruan se, - “Nexhmia është një grua e përgatitur dhe kërkon të mësojë shumë gjëra mbi zhvillimin e vendit tonë. Për vizitat që ka bërë ajo ka shprehur habinë për zhvillimin e vendit gjatë këtyre 40 viteve, duke thënë se këto suksese të Shqipërisë ajo do t’i tregojë anëtarëve të shoqërisë “Vatra”.24
Ajo vizitoi disa qytete, ekspozitën “Shqipëria Sot”, Muzeun e Arteve Figurative, shkollën “Qemal Stafa”, Varrezat e Dëshmorëve, etj. Nga vetë lloji i vizitave nga qytetet te galeritë apo shkollat kuptojmë sa e përmalluar dhe e etur ishte për Shqipërinë. Nexhmia pasi vjenë në vendin amë thuajse pas 48 vjetësh kërkonte të dinte gjithçka. Ajo si gazetare profesioniste, donte të merrte vesh çdo gjë për vendin e lindjes, duke parë me sytë e saj ato të cilat propaganda zyrtare botonte prej vitesh.25 Revista “Albania Today” periodike e zyrtare, që botohej në 5 gjuhët kryesore ndërkombëtare sigurisht që asaj duhet t’i kishte rënë në dorë.26
Sigurisht koha e largët e Shqipërisë së grave të mbuluara me perçe dhe analfabete nuk ishte më, por ajo, nuk kishte dëgjuar askund për shkencëtaren e parë shqiptare të masakruar pa gjyq Sabiha Kasimati apo moshataren e saj, Musine Kokalari një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate të nxjerrë jashtë ligjit. Ato ditë ajo ishte ajo vajza e vogël që plotësoi ëndrrën e saj të ishte pranë familjes. Thjesht nuk mund ta prekte realitetin shqiptar në dimensionin e katërt atë të thellësisë së errët të mendjeve të sëmura të pushtetit hoxhist. Ajo nuk donte të përjetonte izolimin që ndjenin shqiptarët, kishte merakun që të mos u hapte probleme njerëzve të saj të dashur pas largimit nga Shqipëria.
Ajo kërkoi një takim me punonjës të Ministrisë së Jashtme për të bërë ndonjë marrëveshje tregtare, por Sigurimi u kujdes të dërgonte në takim punonjësit e tij operativë të cilët e hetuan për dy orë Nexhmien për jetën dhe veprimtarinë e saj sidomos me federatën “Vatra”. Ajo “nuk ka reflektuar siç duhet në shoqatën Vatra si grua me kulturë që është” ...nuk
21 Po aty, fl. 28.
22 Po aty, fl. 34.
23 Teknikë Operative - mjete përgjimi të përdorura nga Sigurimi i Shtetit.
24 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 32, 41-42.
25 Po aty, 54.
26 https://michaelharrison.org.uk/2016/09/albania-today, tërhequr më 2 qershor 2022.
mund të sillni asnjë argument se keni vepruar dhe veproni në interes të vendit tuaj siç pretendoni”.27 Ne - tha ajo - i shërbejmë kombit tonë me ndërgjegje, pavarësisht se në rrethanat që jetojmë jemi të detyruar nën presionin dhe ndikimin e ambientit. ... për flamur të Shqipërisë dhe të Amerikës nuk kam vepruar kundër jush”.28
Sigurimi zeron punën e saj si gazetare investigative duke e cilësuar me këto fjalë: “ka patur një aktivitet të gjërë, kryesisht në fushën propadandistike. Letra e të birit Eric Margolis drejtuar udhëheqjes së qeverisë shqiptare për të mundësuar mbështetje nga SHBA në kundërpeshë me lëvizjet greke apo ruse si dhe artikulli i tij në gazetën New York Times i datës 28 prill 1982, e kishin “siguruar'” Sigurimin se, - loja qe e “padronit amerikan'”, që shkruante me dorën e Erikut por mendja ishte e Nexhmies sipas porosisë së amerikanëve.29
Bashkëpunëtorët e Sigurimit në Amerikë kishin kryer punën e tyre: helmin desinformues e kishin hedhur në komunitetin shqiptaro - amerikan, se gjoja ishte bërë “spiune e Tiranës” dhe se lavdëron Shqipërinë dhe arritjet e saj.
Në një letër të Nexhmie Zaimit të datës 16 prill 1986 drejtuar të vëllait, i shpreh atij mërzinë se, - shqiptarët e kanë izoluar për shkak të ardhjes së saj në Shqipëri në vitin 80-të dhe kanë përshtypjen se është spiune e shtetit shqiptar. Ajo i shkruan të vëllait se, - “Shqipen po e harroj, shqiptarë nuk shoh asnjë, ky izolim është shkaktuar nga ardhja ime aty, sa ata hala kanë përshtypjen se unë jam spiune e shtetit shqiptar. Dëshpërimi i Nexhmijes është i dukshëm në
letrat e saj. Ishte lënduar shumë në krenarinë kombëtare dhe me formimin e saj, ajo ka vetëm një etiketë për të gjithë ata që e quajnë “spiune”: - Injorantë. 30 Ajo vazhdoi t’i shkruajë letra vëllait, e familjarëve të tjerë në Shqipëri, por ato u çensuruan. Letrat ishin një mjet komunikimi dhe ishte e pamundur t’i shpëtonte procedurave të survejimit, i cili ishte koduar në platformat e punës operative të organeve të Punëve të Brendshme.31 Çfarë “përmbajtje kundër revolucionare” kishin kartolinat e saj të dërguara për vitin e Ri 1979 dhe 1989 familjarëve të saj? Sepse “ajo është me figurë abstrakte - THE SIGN OF THE ILLYRIAN - prandaj mendoj të ndalet”. Letrat po ashtu duhet të ishin “në rregull politikisht” që të kalonin. Dhe këto që gjenden në fashikull nuk e kalonin dot pragun
27 AIDSSH, F. Emigrantët Ekonomikë, D. 2183, fl. 70-71.
28 Po aty.
29 Po aty, fl. 56.
30 Po aty, fl. 53.
31 Patforma e punës Operative e organeve të Punëve të Brendshme, e vitit 1977, kapitulli VII: Në korrespondencën e brendshme kontrollohet, kur shihet e nevojshme, korrespondenca që zhvillojnë personat në përpunim agjentural, personat e arratisur, dënuar, internuar e dëbuar, si dhe çdo lloje korrespondence tjetër kur ka të dhëna për përmbajtje kundërrrevolucionare.
Kontrolli postar i korrespondencës së jashtme bëhet i përgjithshëm. Ai përfshin kontrollin e të gjithë korrespondencës e të gjithë kolive që qarkullohen nëpërmjet kanaleve postare e doganore të vendit tonë me shtetet e huaja (letrave, telegrameve, bisedave telefonike, pakove, kolipostave, shtypit e botimeve të ndryshme).
dhe kemi fatin që t’i shohim dhe të diskutojmë metodat primitive të kontrollit të jetëve të njerëzve dhe fateve të tyre.
Fashikulli për Nexhmie Zaimin është i rrëmujshëm përsa i përket kronologjisë. Duke mos qenë fizikisht në Shqipëri, në të u bashkangjit çdo e dhënë që ishte siguruar nga Sigurimi gjatë pothuaj 30 viteve. Gjendur në arkivin e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ishSigurimit të Shtetit, është ruajtur në gjendje të mirë, është i lidhur dhe është digjitalizuar me 128 faqe. Në këtë fashikull gjejmë ( 6 ustanovkat e familjarëve të saj, lista e lidhjeve të familjarëve, artikulli i përkthyer nga gjuha egjiptiane për Nexhmien, plane masash, vendimet për marrjen në përpunim 2/A si agjente e mundshme në shërbim të zbulimit amerikan, dy herë; njëra në 6 qershor 1980 kur ishte vizitore te familja e saj në Tiranë dhe tjetra në vitin 1982 pas botimit të artikullit të të birit Eric Margolis në gazetën New York Times, 10 informata, 6 informacione, 5 raporte të bashkëpunëtorit “Volta”, radiograma, shënime operative të ndryshme përreth 30 vjet, letra dhe kartolina të sekuestruara, lista e personave që janë njohur me dosjen dhe personat që impikohen në të, 1 vendim arshivimi, 2 formularë të kërkesës së saj për vizitë në Shqipëri pranë ambasadës shqiptare në Paris.
Përfundime
Nexhmie Zaimi është nderuar me dekoratën “Medalja e Mirënjohjes” nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Franklin D. Rusvelt, me dekoratën “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë” për ndihmën që dha gjatë Luftës së Dytë Botërore në zonën e Kalabrisë, çmime të ndryshme në fushën e publicistikës si dhe me urdhërin “Nënë Tereza” pas vdekjes nga presidenti Bamir Topi në vitin 2012. Sa qe gjallë ajo provoi suksesin, survejimin, refuzimin shtetëror, mosmirënjohjen e tij, por jo nga ata që e njohën. Ajo punoi me zell, dashuri e guxim për të drejtat e njeriut kudo në botë, veçanërisht për atdheun e lindjes dhe zemra i rrahu për të deri sa vdiq.
Na mbetet si detyrë që ta njohim dhe ta vlerësojmë siç e meriton figurën dinjitoze të shqiptares sonë Nexhmie Zaimi, si shkrimtare dhe gazetare e kalibrit botëror, që se harroi kurrë faktin e të qenit “bijë e Shqipërisë”.