Express arkitektura kosova & europa 031310

Page 1

22

ARTE

E shtunë, 13 mars 2010

Poeti i civilizimit Ministri Beqiri mori pjesë në Simpoziumin Mehmet Akif Ersoy “Poet i civilizimit tonë” Prishtinë, 12 mars 2010- Në këtë simpozium mori pjesë edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Mahir Yagcilar, Ambasadori i Republikës së Turqisë

në Kosovë, z. Hüsrev Űnler si dhe ekspertë të ndryshëm nga fusha e shkencës dhe e kulturës nga Kosova dhe Turqia. Në fjalën e tij të rastit, Minsitri Beqiri tha se organizimi i këtij simpoziumi me karakter shkencor do të ndihmojë në ndriçimin e figurës dhe perso-

nalitetit madhor të poetit turk me origjinë shqiptare, Mehmet Akif Ersoy, i cili me veprën e tij madhore personifikon imazhin poetik, patriotik e qyetar të Republikës së Turqisë. Gjithsesi, figura madhore e poetit Mehmet Akif Ersoy, është një re-

ferencë e çmueshme për forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve e të miqësisë tradicionale ndërmjet dy kombeve dhe dy vendeve tona, të cilat, përmes personaliteteve të këtilla të fuqishme, i kanë dhënë njëri-tjetrit ide, energji dhe kontribut të gjithanshëm në

zhvillimet e përbashkëta historike, tha Ministri Beqiri, duke përfunduar se ky simpozium me karakter shkencor do të ndriçojë edhe më tutje figurën madhore të poetit Mehmet Akif Ersoy dhe, përmes tij, do të fuqizojë lidhjet tradicionale të Kosovës me Turqinë.

ARKITEKTURA. KOS Rreth 200 arkitektë kosovarë u mblodhën në Sallën e re të Konferencave të Komunës së Prishtinës për të marrë pjesë në atë që sot përfaqëson diskurs ndërkombëtar të arkitekturës, diskurs që thërret për rivlerësim të pozitës së arkitektit në shoqëri dhe të arkitekturës si disiplinë e patjetërsueshme në përballjet me sfidat e qytetërimit të epokës sonë; që rikonfirmon vlerën e domenit publik dhe të pjesëmarrjes qytetare në proceset e planifikimit dhe të ndërtimit të qyteteve tona, si vlerë e përbashkët e qyteteve Evropiane. Florina Jerliu Më datë 25 të muajit të kaluar u mbajt “Debati në Turne – Prishtina” si pjesë e aktivitetit ndërkombëtar “NAi Debati në Turne” që organizohet nga Instituti Holandez i Arkitekturës (NAi) me qëllim të stimulimit të debatit ndërkombëtar për çështjet dhe temat universale të arkitekturës në botë. Në debatin e radhës në Prishtinë, NAI u përfaqësua nga drejtori Ole Bouman, si dhe prezantoi ekspertët holandezë të fushës së participimit qytetar në proceset e planifikimit, Marcel Musch dhe Wilma Ruis. Poashtu, në këtë debat prezantuan edhe përfaqësues të Komunës së Prishtinës, anëtarë të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës dhe të Rrjetit të Studentëve Archiedu. Ky debat do të duhej të shërbejë si një nismë e mbarë në krijimin e një platforme profesionale dhe të një diskursi të hapur për arkitekturën në Kosovë që do të duhej të ndikonte në rivlerësim të programeve qeveritare, kurrikulave universitare dhe mendësisë qytetare karshi problemeve të hapësirës në të cilën jetojmë dhe asaj që duam ta ndërtojmë në të ardhmen.

Arkitektët. Si është puna me ta? Ngjarjet si ‘NAi Debati në Prishtinë’ që nxisin diskutime profesionale dhe që ndikojnë në avancimin e disiplinave profesionale e shkencore në Kosovë dhe përtej, duket se nuk paraqesin lajm të rëndësishëm tek ne, veçanërisht nëse organizohen në orët e mbrëmjes, siç është e zakonshme në shoqëritë e përparuara. Duket që lajmi, sipas një adeti tek ne, duhet të jetë bombastik dhe mundësisht politik, për t’i bërë mediat tona që ta ndjekin atë edhe në orët e pasdites apo të mbrëmjes! Dhe kjo, mbase mund të kuptohet si mungesë e motivit apo edhe

e informatës (!!!) për rëndësinë kulturore dhe shkencore të ngjarjeve që organizohen nga qarqe elitare profesionale në botë, por edhe në vendin tonë. Duke lënë mënjanë çështjen e mosprezantimit total mediatik të këtij debati, megjithatë duhet theksuar faktin se ngjarjet që mbledhin në një vend një kategori të caktuar profesionale të shoqërisë sonë do të duhej të kuptohen si sinjal se këta njerëz kanë shumë për të thënë dhe për të dhënë në sferat e tyre profesionale. Pavarësisht prej stadit organizativ që komunitetet profesionale në Kosovën e pasluftës arritën të zhvillojnë, qoftë si pasojë e mungesës së vullnetarizmit apo margjinalizimit të skajshëm nga ana e donatorëve dhe më pas edhe e institucioneve të vendit, janë pikërisht këta njerëz që bartin kompetencën, po edhe përgjegjësinë profesionale, të cilët kanë mundësi për të promovuar strategji dhe politika që e garantojnë Kosovën evropiane (pavarësisht faktit a janë “të painkuadruar” politikisht). Janë pikërisht këto ngjarje, debate a takime, që dëshmojnë se jo detyrimisht elokuenca populiste dhe përkatësia politike krijojnë kredenciale të mjaftueshme për t’u vlerësuar si aset shtetëror. Në këtë rrafsh, adresimet e arkitektëve kosovarë, qoftë përbrenda komunitetit apo në dialog me të tjerët do të duhej përcjellë me më shumë interes, meqë arkitektura është krejt ajo që shohim e që nuk është pyll apo fushë. Ajo është formësuese e gjithë hapësirës ku ne jetojmë dhe veprojmë dhe është determinuese e imazhit që ne e përçojmë në botë për kulturën, demokracinë dhe historinë tonë si popull dhe si shoqëri. Në kontekst të ngushtë e lokal, sot janë katër arsye pse kjo disiplinë duhet të kuptohet e të trajtohet seriozisht nga të gjithë, duke filluar nga vetë ushtruesit e këtij profesioni, bartësit e institucioneve, shefat e komunave

e ministrive, zyrtarët e prokurimit e deri tek publiku i gjerë: 1) është pikërisht kjo disiplinë që në dekadën e fundit përfaqësoi veprimtarinë më të bujshme ekonomike në Kosovë (them arkitektura dhe jo ndërtimi, sepse ndërtimi është proces dhe kur procesi përfundon, krijimi që shohim është arkitekturë); 2) arkitekti i Kosovës e humbi të drejtën e licencës personale të punës në kohën e abrogimit të autonomisë në fillim të të nëntëdhjetave dhe që prej atëherë vazhdon të operojë pa licencë dhe pa vulë personale (imagjinoni një kirurg që operon pa licencë ose një pediatër që lëshon receta pa vulë). Ndërkohë që Evropa e rangon arkitekturën ndër pesë profesionet që ndërlidhen drejtpërsëdrejti me shëndetin dhe sigurinë e njerëzimit dhe sugjeron që këto profesione të rregullohen me ligj, Kosova s’ia përmend emrin pothuajse në asnjë nen të ligjeve që tërthorazi dhe vetëm pjesërisht i rregullojnë disa aspekte të këtij profesioni; 3) arkitektura e objekteve të pasluftës në qytetet tona është në shpërputhje me vlerat, normat, standardet dhe trendet e zhvillimeve në botë, sepse shumë pretendentë të arkitekturës, me ose pa diplomë, njerëz të rëndomtë e njerëz në detyrë zyrtare, e mësuan zanatin e arkitektit dhe projektuan e ndërtuan ashtu si mundën dhe ku deshën vetë, pak me arsye e shumë pa pardon. 4) arkitektura si disiplinë, e jo ndërtimi si proces “gjithëpopullor”, është zgjedhja që duhet ta bëjmë, herët a vonë, nëse dëshirojmë të krijojmë hapësira të dinjitetshme për jetën e fëmijëve tanë. Janë pikërisht këto çështje që më nxitën të provoj të shpalos pak nga ajo që u tha nga arkitektët në Debatin në Prishtinë, meqë konsideroj se shumë nga ato që u thanë janë jo vetëm në interes të komunitetit të arkitektëve, por të të gjithë atyre që e njohin faktin se prosperiteti i vendit tonë varet

nga vlerësimi i drejtë i potencialit intelektual; se vlerësimi i drejtë dhe transparent i proceseve të shtetndërtimit është kushti themelor në integrimet e dëshiruara evropiane.

Domeni publik si vlerë e përbashkët e qyteteve evropiane “Ne përfaqësojmë qytete të ndryshme dhe vështirë të krahasueshme - Prishtina, Roterdami apo Amsterdami, por që të gjithë vijmë nga qyteti evropian, dhe nëse ekziston një vlerë e vetme që ne të gjithë e përfaqësojmë, ajo është vlera themelore e qyteteve evropiane, vlera në domenin publik, vlera në shfrytëzimin e sferës publike në mënyrë të duhur.” Kjo ishte porosia themelore për Prishtinën nga drejtori i Institutit të Arkitekturës të Holandës, Ole Bouman, personalitet i njohur në diskursin ndërkombëtar të arkitekturës në botë. Sipas tij, domeni publik është baza jonë e përbashkët ku ne duhet ta mbështesim debatin për qytetet tona, ndërsa shkëmbimi i përvojave tona në këtë domen duhet të shërbejë si mesazh për ridefinimin e çështjeve që na preokupojnë, siç thotë ai, “jo duke u përpjekur që t’i zgjidhim çështjet nëpërmjet diskursit dhe instrumenteve të cilat i krijuan problemet më parë, por duke i ridefinuar cështjet me instrumente të reja, mjete dhe shkathtësi të reja të profesionit të arkitekturës”. Megjithëse vlerat e qytetit evropian janë bërë pjesë e përkufizimeve dhe vizioneve tona për qytetet në të ardhmen, ne ende nuk kemi arritur që t’i definojmë strategjitë funksionale apo siç thotë Bouman, të riprogramojmë qasjen tonë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetit sot. Në këtë kuadër, regjenerimi i qytetit duhet të kuptohet si proces afatgjatë. Poashtu, përfshirja e qytetarëve në këtë proces është përvojë e dëshmuar dhe duhet

të kuptohet si e tillë sidomos në rastet kur qyteti ka kërkesa të shumta, të cilat duket se kërkojnë të adresohen në të njëjtën kohë përnjëherë. Dhe që ky proces të zhvillohet për së mbari, sipas ekspertit holandez Marcel Musch “duhet të ekzistojë dimensioni kolektiv, veçanërisht kur kemi të bëjmë me hapësirat publike dhe me atë se çfarë hapësirash publike dëshirojmë të kemi”. Është pikërisht domeni publik si vlerë e përbashkët evropiane që u ngrit si një nga çështjet më të rëndësishme në Debatin e Prishtinës dhe me të cilin duhet të njësohemi edhe ne në Kosovë. Është dimensioni kolektiv dhe ndjeshmëria qytetare për qytetin që garanton zgjidhjen e problemeve të shumta urbane në Prishtinë dhe kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ekziston një qëllim i përbashkët, një vullnet kolektiv për t’i ndryshuar gjërat që nuk i duam në lagjen dhe në qytetin tonë. Në kontekstin global, problemet e qyteteve sa vijnë e shumëfishohen si pasojë e shfrytëzimit joracional të natyrës dhe fatkeqësive që si pasojë i sjell ajo. Dhe në këtë pikë, Prishtina është mjaft e brishtë, veçanërisht për sa i përket ndotjes së mjedisit dhe humbjes së tokës pjellore. Janë shumë alarmante faktet se gjatë dekadës së fundit toka urbane e Prishtinës është dyfishuar në dëm të tokave pjellore; se Prishtina nuk ka sistem për pastrim të ujërave të zeza dhe prandaj në fushat dhe përrenjtë (për të mos thënë, lumenjtë) e Prishtinës derdhen rreth 50.000 tonë ujëra të zeza në vit; se ndotja e ajrit sipas matjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, vetëm brenda tremujorit të parë të vitit të kaluar, e tejkaloi 18 herë limitin që me norma lejohet maksimalisht gjatë një viti dhe se ndotja e ajrit shkakton rritje të incidencës së sëmundjeve respiratore nga viti në vit.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.