Dimension 5

Page 1


Stafi i Buletinit Kryeredaktor: Darjan Konomi Koordinatore e Projektit: Elona Memetaj Anëtarë: Ziza Isufi Nikolina Guri Dorina Reçi

Adresa: Rruga “Don Bosko: nr.4, Tiranë, Shqipëri Tel: 04-2230088 Cel. 0692024596 / 0692035270 E - mail: caritasalbania@caritas.icc-al.org darikonomi@yahoo.com


Ja çfarë mund të lexoni:

Si ka ndikuar feja e krishterë në konceptimin e aftësisë së kufizuar tek unë

5

Caritas Shqiptar pranë njerëzve me aftësi ndryshe

7

Një Shqipëri ndryshe

10

Bashkëpunimi midis mësuesit dhe psikologut

14

Fusha e lojës dhe barazia njerëzore

18

Një teatër dhe shumë emocione

23

Kur ragbi ngatërrohet me basketbollin

27

Pa zë... por me ngjyra!

30

Të jesh ndryshe

32

Atëherë kur ironia të kthehet në bumerang

34

37

Darjan Konomi shprehet



Si ka ndikuar feja e krishterë në konceptimin e aftësisë së kufizuar tek unë Aleksandra META

Së pari duhet të themi se qëndrimet e fesë nuk varen nga politikat e kohës apo mbi mendësinë e individeve të veçantë që drejtojnë këto institucione fetare. Duke u mbështetur në formimin tim si një besimtare e thjeshtë mund të them që Filozofia (e vërteta) e krishterë, e themeluar nga Krishti, ka sjellë një risi në mentalitetin dhe mënyrën e konceptimit të jetës për njerëzit e asaj kohe. Nën këtë dritë përpiqen të ecin edhe besimtarët e ditëve tona. Jezusi theksoi se jeta njerëzore është një dhuratë e pazëvendësueshme, të cilën nuk ka të drejtë askush ta gjykojë, transformojë apo asgjësojë përvec krijuesit të tij. Mirëpo shpesh njeriu harron se është i kufizuar dhe me krenarinë që e karakterizon i kalon kufijtë e lirisë së tij duke thyer kështu kufijtë e lirisë së tjetrit pranë tij. Shpesh viktimat janë ata më të dobëtit se shoqeria që i rrethon, të varfrit, të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, etj. Mendjet e cekta njerëzore mendojnë se personat e “dobët” egzistojnë, që ata të tregojnë “forcën” e tyre, ndoshta po të mendonin pak më thellë do të kuptonin se kufizimet e veçanta të këtyre personave i ndihmojnë që të kuptojnë se sa e kufizuar


është qenia njerëzore në tërësi dhe nëse nuk qëndron në bashkim të vazhdueshëm me krijuesin e tij është e pamundur që të jetojë me atë dinjitet njerëzor që Jezusi pretendonte për njeriun. Jezusi nuk ishte një person që nxirrte urdhëresa apo ligje, por i mesonte të tjeret me jetën e tij. Në një episod nga jeta e Jezusit dhe predikimet e tij, dikush e pyet për një të verber që ndodhej aty pranë, “Mësues kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?” , atëherë Jezusi iu përgjigj: “nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij, ai ka lindur i tillë që në të të dëftohen veprat e Hyjit”, dhe në këtë moment Jezusi i preku sytë dhe i ktheu shikimin. Duke u nisur nga ky episod që më ka bërë të reflektoj lidhur me personat me aftësi të kufizuara, unë besoj dhe mendoj se e ashtuquajtura “aftësi e kufizuar” egziston në botë për një qëllim madhor ashtu sikurse çdo individ është thirrur në jetë për një qëllim madhor , dhe nuk është absolutisht një barrë për shoqërinë apo dënim për personin. Prandaj po të drejtohem ty lexues i këtij artikulli, s’ka rëndësi besmitar ose jo, që sa herë të përballesh me persona të tillë, mendo se ai është një individ që ka dinjitet të barabartë me ty dhe ka të drejtë të gëzojë respekt (mundësisht edhe dashuri), sepse në fund të fundit pas atij individi fshihet krijuesi që e solli në jetë me po aq dashuri sa edhe ju. Për mua personalisht kategoria e preferuar janë personat me aftësi të kufizuar mendore të cilët vërtetë më ushqejnë me ndjesi paqësore, ndryshe nga paragjykimet që i bëhen nëpër sheshe, duke i konsideruar si persona të rrezikshëm. Në fakt me to ndjehem e sigurt dhe më e mbrojtur nga intrigat apo kurthet që shpesh herë na ngre shoqeria e ashtuquajtur normale. Takimi me to është edhe një mundësi e takimit me vetveten sepse ato janë të drejtpërdrejtë dhe kjo gjë më jep kenaqësinë e një komunikimi të thjeshtë njerëzor, pa maska, pa domosdoshmërinë e fshehjes së shikimit ndaj dikujt apo ndaj vetvetes, gjë e cila është një nevojë esenciale për këdo.


Caritas Shqiptar pranë njerëzve me aftësi ndryshe Elona MEMETAJ

Caritas Shqiptar në përmbushje të misionit për të ndihmuar njerëzit në nevojë ka shfaqur një interes të veçantë për të asistuar dhe kontribuar për integrimin e personave me aftësi ndryshe. Mbështetja e Caritas-it Shqiptar ndaj kësaj kategorie është konkretizuar përmes disa nismave të implementuara me sukses si: Implementimi në vitin 2002 të projektit për ngritjen e klasës speciale në qytetin e Laçit për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore. Projekt, i cili u mundësua në bashkëpunim me Caritas–in Francez. Ky projekt u ka mundësuar çdo vit rreth 20 fëmijëve me probleme mendore një edukim bazë i cili u krijon atyre hapësira të mëtejshme për autonomi dhe integrim në komunitet. Caritas Shqiptar në bashkëpunim me Caritas-in Austriak dhe Agjencinë Austriake per Kooperim dhe Zhvillim po implementon projektin “Jetë e Çmueshme - Çmueshëm jetoj”. Përmes këtij projekti po u ofrohet asistencë mjekësore dhe sociale 60 PAK në tre qytete të vendit si në Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Publikimi i Raport Studimit: “Vëzhgim mbi gjëndjen dhe nevojat e PAK në Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë”. Përmes publikimit të raportit


u bë e mundur të bëhet identifikimi dhe monitorimi i zbatimit të Strategjisë Kombëtare për PAK. Publikimi i buletinit “Dimension”, periodike e pavarur, mundëson promovimin e vlerave të PAK duke vënë theksin njëkohësisht mbi plotësimin e nevojave bazë të tyre nga institucionet përgjegjëse si dhe mbi mundësine e ofrimit të shërbimeve integruese në nivel komunitar. Me 14 Shtator 2010 hapet Qendra Ditore ”Jetë në Zhvillim” në Arameras, Fushë-Krujë. Shërbimet sociale multifunksionale që ofrohen në qendër kontribuojne në krijimin e modelit të qëndrueshëm për transformimet sociale në funksion të përfshirjes sociale dhe integrimit të kësaj kategorie të aftësisë së kufizuar. Ngritja dhe funksioni i qendrës mundëson ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe integruese të oritentuara drejt përmbushjes së nevojave të përfituesve sipas standarteve bashkëkohore. 35 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara mendore përfitojnë shërbim të kualifikuar pranë qendrës. Qendra ofron shërbimet gjatë ditës në orarin 8.30 – 14.30, 5 ditë në javë. Stafi i cili asiston këta persona punon sipas programeve specifike të përpunuara me ekspertë ndërkombëtare, të specializuar në fushën e dhënies së shërbimeve sociale për këtë kategori. Implementimi i projektit do të influencojë drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës të 35 PAK mendore dhe në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë ne fuqizimin e ekonomisë dhe mbështetjes të familjeve të përfituesve dhe gjithë komunitetit. Implementimi i këtij projekti i iniciuar nga Caritas Shqiptar në bashkëpunim me Caritas Austria, do të nxisë përfshirjen dhe te aktorëve të tjerë social me qëllim arritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjes nga strukturat qendrore dhe për më tepër ato lokale në ngritjen e modeleve


sociale të cilat i shërbejnë qëllimit të përbashkët “Integrimi i plotë i grupeve vulnerabel në Shoqëri”. Në Janar 2011 ka startuar implementimi i projektit “Integrim dhe Gjithepërfshirje të Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore”, projekt që është mundësuar përmes financimit me Grant të AMSHC. Synimi i Projektit: Përmirësimi i cilësisë së jetës të Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore permes ndërtimit të një komuniteti gjithëpërfshirës. Përmes implementimit të projektit “Integrim dhe gjithëpërfshirje të Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore „ synohet të ofrohet një kontribut i drejtëpërdrejtë në promovimin e vlerave dhe kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara mendore si dhe të lobohet fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre si pjesë e shoqërisë përmes ndërtimit të komunitetit gjithëpërfshirës që mundëson ofrimin e shanseve të barabarta për integrimin dhe përfshirjen sociale të grupeve vulnerabel. Implementimi i projektit bazohet në dy komponente si: vlerësimi transparent dhe adresimi i problematikës komplekse që mbartin personat me aftësi të kufizuara mendore dhe familjarët e tyre në nivelet vendim-marrëse dhe ato ekzekutive. E gjithë kjo do të ndërmerret në koordimin të plotë me aktorë të tjerë socialë si dhe në bashkëpunim me OJF të njohura për kontributin e tyre në lobimin për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi ndryshe. Vënia në lëvizje e mekanizmave ndër-institucional përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e politikave sociale për aftesinë e kufizuar, do të jetë në fokus të nismave lobuese që do të ndërmerren me qëllim ofrimin e shanseve të barabarta personave me aftësi të kufizuara mendore, për tu ndjerë “Të vlefshëm për veten, për familjen dhe shoqërinë në tërësi”.


10

Një Shqipëri ndryshe Ardita KORRIKU

Çdo herë që flasim për arsimin gjithëpërfshirës në Shqipëri është një sfidë ende sot e kësaj dite pasi paragjykimet janë ende në një nivel të lartë. Por ka edhe nga ato raste pozitive të cilat “Dimension” ka pasur gjithnjë në fokusin e tij dhe që tregojnë se kur puna e arsimtarëve kryhet me dashuri dhe përkushtim atëherë edhe rezultatet mund të arrihen. Shkolla “Bajram Curri” në Tiranë është një rast konkret i një Shqipërie


11 e cila në kundërshtim me atë që ndodh në shumicën e rasteve sfidon mentalitetin dhe jep një mësim barazie. Në këtë shkollë është arritur integrimi dhe përfshirja e disa njerëzve me aftësi të kufizuara mendore. Në klasën e gjashtë të kësaj shkolle ekziston një nxënëse me prapambetje të thellë mendore. Natyrisht mësimet ajo i ndjek me vështirësi e ndoshtaa nuk ka kapacitete për të qenë konkurruese por sidoqoftë ajo ka aftësi të tjera si në sport apo balet. Në fund të fundit integrimi në shoqëri dhe përfshirja në shkollë normale është një e drejtë që i përket të gjithëve e cila parashikohet nga dispozitat ligjore dhe sidoqoftë është më e mirë se sa mungesa e impenjimit dhe qëndrimi rrugëve sipas drejtoreshës së kësaj shkolle Znj. Maria Korriku. Si keni arritur ti bindni prindërit e tjerë se arsimi është një e drejtë për të gjithë? Sipas Znj. Korriku edhe aty ka në disa raste reagime nga prindërit e fëmijëve të tjerë të cilat duhen mirëkuptuar sepse në disa raste prezenca e këtyre fëmijëve mund të sjellë pengesa por me argumentet e duhura edhe ata që janë disi dyshues apo i mungon besimi mund të binden. Përsa i përket trajtimit që i duhet bërë këtyre fëmijëve Znj. Korriku thekson se këta fëmijë kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë dhe në këtë do të ndihmonte edhe prezenca e një psikologu në shkollë gjë që aktualisht ndodh vetëm dy herë në javë. Sidoqoftë ajo që është arritur në këtë shkollë është arritur edhe krahas përkushtimit të prindërve të tyre të cilët i kanë ndihmuar fëmijët e tyre duke i ndjekur në qendra të specializuara dhe duke i dhënë mundësinë për tu integruar por edhe krahas shoqërisë e cila sipas saj në këto raste influencon shumë. Madje ajo kujton se një djalë nga Lapraka edhe pse kishte fare afër shkollën “28 Nëntori” preferoi të vinte në shkollën “Bajram Curri” pikërisht sepse aty gjeti ngrohtësinë e shokëve të klasës që e trajtonin atë si një vëlla të vogël. Ky ishte një fëmijë që nuk meritonte të


12

kalonte shkollën 9 vjeçare por sipas ligjit, personave me prapambetje mendore mund t’i lejohet që të kalojnë klasën edhe në rast se ata nuk e meritojnë. Cili është mesazhi që do t’i drejtoni kolegëve tuaj që ende ngurojnë të marrin në klasa fëmijë me aftësi ndryshe? Në disa raste vetë shkollat vendosin barriera. Po ju them se 100 metra nga shkolla jonë fëmijët romë dhe egjiptianë janë shumë pak edhe pse numri i nxënësve është shumë më i lartë se sa i shkollës tonë. Këtë e them përsa i përket barrierave që mund të krijohen ndërsa për aftësinë e kufizuar dispozitat ligjore janë të qarta dhe nuk lejojnë diskriminimin. Sidoqoftë mesazhi im është i qartë; ata fëmijë kanë të drejtë të jenë të barabartë mes të barabartëve. Por që të arrihet kjo përveç ligjeve që ekzistojnë duhet të ketë edhe një kujdes të veçantë karshi këtyre fëmijëve nga një staf i specializuar si psikolog dhe punonjës social. Gjithashtu në situata ku fëmijët vijnë nga familje me probleme duhet të ofrohet një shërbim psikologjik në mënyrë që të mund të përshtaten me ambientin shkollor sepse përndryshe rrezikohet braktisja e shkollës


13 nga ana e tyre dhe unë mendoj se kjo është diçka që duhet evituar sepse shkolla është gjithnjë më e mirë se rruga. Gjithashtu duhet që mësuesit të trajnohen mbi aftësitë dhe paaftësitë e fëmijëve në disa klasa të caktuara dhe duhet të ketë edhe testim të inteligjencës që nga klasa e parë për të parë realisht kapacitetet që një fëmijë ka. Në shumë raste ndodh që një fëmijë trajtohet si normal por ai mund të ketë probleme të pa evidentuara dhe në këtë rast ne i kërkojmë të bëjë gjera që ai nuk mund të bëjë. Prandaj mendoj që testi i inteligjencës është i domosdoshëm. Unë nga eksperienca ime si mësuese gjithnjë mbaja shënime mbi sjelljen e çdo fëmije si dhe mbi problemet që ata shfaqin gjatë ciklit 9-vjeçar dhe këtë e kërkoj edhe si drejtuese sepse kjo garanton një vazhdimësi të informacionit edhe te mësuesit pasardhës përsa i përket problemeve të këtyre fëmijëve. Sa janë rastet e fëmijëve me aftësi ndyshe që kanë mbaruar shkollën “Bajram Curri”? Rastet e evidentuara nga mësuesit dhe që kanë lidhje me probleme të shfaqura në procesin mësimor janë 82, por krahas eksperiencës së mësuesve të shkollës tonë ata menaxhohen shumë mirë. Në këtë pikë është e pa evitueshme një krahasim me raste të tjera ku edukatorët apo mësuesit evitojnë të marrin në klasa apo grupe të tyre persona me aftësi të kufizuara me justifikime nga më të ndryshmit. Në Laç një fëmijë 6 vjeç u la jashtë kopshtit sepse kishte një paaftësi fizike dhe edukatorja tha. “nuk e marr dot nuk e çoj dot në banjë. A ka ndëshkime nga ligji për këta? “Unë nuk njoh raste që janë pranuar fëmijë me aftësi të kufizuara apo të mos jenë pranuar në shkollat e tjera normale, por dua të përsëris edhe një herë se një mësues duhet të mendojë pikë së pari si një prind”.


14

Bashkëpunimi midis mësuesit dhe psikologut Eksena BASKO Psikologe Kliniciste Fjala bashkëpunim është një element i domosdoshëm në krijimin e marrëdhënieve shoqërore. Pa të nuk nuk do të kishte zhvillim e emancipim. Kjo na bën të themi se “bashkëpunimi” përbën bazën e çdo fushe veprimi. Ndër to është edhe shkolla, djepi i “diturisë”, “mënçurisë” dhe “zhvillimit”. Pikërisht këtu do të ndalemi dhe do të përqëndrojmë vëmendjen. Natyrshëm na lind pyetja: Cilët janë këta që mençurohen, zhvillohen dhe marrin dije?! Dhe fare thjesht përgjigjemi: fëmijët, nxënësit, adoleshentët, studentët. Kjo vë në dukje edhe një herë se synimi ynë janë fëmijët. Vëmendja jonë ndaj tyre duhet të jetë e kujdesur, e orientuar dhe të ketë një qëllim. Këtë punë kaq delikate dhe të vështirë e mban mbi kurriz “mësuesi”. Është ai figura kryesore e fëmijës (nxënësve në përgjithësi) për të cilin fëmija ëndërron t’i ngjajë. Shpesh dëgjojmë fëmijët të thonë: - “Mami dua të bëhëm mësues sepse dua ti ngjaj mësuese Mirës. Ajo është shumë e mirë me ne dhe na mëson shumë gjëra të reja”.


15 Nga kjo kuptojmë se mësuesi është një model kryesor që fëmija dëshiron të ndjekë. Ai është një element që ndërton dhe formon bazat e personalitetit të fëmijës. Pra mësuesi i shërben fëmijës në ndërtimin e mëtejshëm të tij. Por kjo shërbesë kaq fisnike e mësuesit ndaj nxënësit, duhet të ketë parasysh se jo të gjithë janë të “talentuar”, “të shkëlqyeshëm”, që marrin vetëm “të lumtë dora e vogël”. Vërtetë kjo është pjesa më e mirë dhe perfekte e punës së mësuesit, por për pjesën tjetër, ku mbetet ajo, regreson apo bën përpjekje të kota. Në këtë rast, por pa përjashtuar dhe rastet e tjera, kërkojnë bashkëpunim. Mësuesi, si një aktor me eksperiencë, duhet të ndërhyjë për të parë se çfarë nuk shkon më nxënësit që nuk mësojnë, që bien nga mësimet, apo fillojnë të bëjnë veprime që nuk i kishin bërë kurrë më parë. Nuk kërkojmë që mësuesi të kryejë një funksion ekstra, por ai duhet të pikasë ndryshimin, qoftë në aspektin pozitiv apo negativ. Kjo do të lehtësonte në këtë rast funksionin e psikologut shkollor, sepse ai do të kishte një informacion paraprak lidhur me problemin dhe do ta ndihmonte në punën e tij. Në ndihmën e fëmijëve psikologu është një hallkë shumë e rëndësishme në strukturën arsimore, ku në këtë rast duhet të përgëzojmë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për këtë hap kaq thelbësor që solli në ndihmë të zhvillimit arsimor e pedagogjik. Psikologu bashkëpunon me mësuesin për të përmirësuar të tashmen dhe të ardhmen e nxënësve. Të dy së bashku kanë në qëndër të vëmendjes dhe të punës së tyre “nxënësin”. Duke parë se këta dy aktorë kanë një lidhje të ngushtë midis tyre, natyrshëm lind pyetja: “Cila është ajo që i bashkon”? Së pari, mësuesi e psikologu kërkojnë dhe synojnë që nxënësit të përvetësojnë materialin, lëndën, të mos mbeten mbrapa nga të tjerët e të mos ndihen inferior dhe të ndryshëm nga të tjerët. Së dyti, ata kërkojnë që nxënësit të zhvillohen sa mirë të munden.


16 Së treti, ata kërkojnë që nxënsit të aftësohen. Së katërti, ata kërkojnë që askush të mos mbetet i pakënaqur, mbrapa. Këta elementët e të tjerë krijojnë një drejtim sa më efikas për nxënësin. Por përsëri lind pyetja: “Ku fillon puna e njërit dhe ku mbaron puna e tjetrit?” I japim rëndësi faktit, se mësuesi është personi i parë që përballet me fëmijën, ai që vëren ndryshimet e para tek nxënësi. Ai e ndjek sistematikisht nxënësin dhe ka formuar një tabllo të përgjithshme rreth karakterit, personalitetit dhe temperamentit të tij. Duke e patur në mendje këtë tabllo, mësuesi shpesh nuk di të veprojë kur diçka del nga korniza e tij. Ai mundohet shpesh të justifikojë veten: “nuk mund të bëjë më shumë, ai fëmijë më lodh shumë, nuk mund të rri tërë kohës duke u marrë vetëm me të”. Kjo është mëse normale sepse ai realisht nuk kupton se tek nxënësi diçka po ndodh, diçka që e shqetëson shumë. Në kohët e sotme ka shumë probleme (divorci, dhuna, abuzimi, etj) të cilat ndikojnë shumë tek fëmijët. Këto bëjnë që nxënësi të ndryshojë dhe të mos dojë më të mësojë, të shkojë në shkollë, etj. Atëherë mësuesi mundohet të kuptojë dhe të bëjë diçka por e ka të pamundur sepse puna e tij mbaron këtu. Në këtë rast është efikas bashkëpunimi me psikologun. Ata të dy sëbashku punojnë për të gjetur një zgjidhje për nxënësin, që ka vështirësi për asrye nga më të ndryshmet. Zgjidhja ka gjithmonë në qëndër të vëmendjes nxënësin lidhur me nevojat e tij, me faktorë që sollën dhe do të sjellin ndryshim. Atëherë të dy së bashku Mësues – Psikolog: 1. Hartojnë një program i cili i përshtatet nevojës së tij, por gjithmonë pa lënë mënjanë pjesën tjetër. 2. Ndërtojnë qëllimin dhe përfundimin.


17 3. Evidentojnë arsyet e ndryshimit ose nevojës së nxënësit. 4. Krijojnë situata në të cilat nxënësi të ndihet rehat dhe jo nën tension, duke mos e bërë tragjike faktin se diçka po ndodh tek ai, për të cilën, të gjithë janë shumë të shqetësuar. Kjo do të vinte në rrezik ndjenjat, emocionet, gjendjen e nxënësit, ai do të nënkuptonte se unë kam një gjë kaq serioze sa të gjithë janë fokusuar vetëm tek unë. 5. Bashkëpunojnë me prindërit, për ta kuptuar sa më mirë gjendjen e nxënësit dhe për ta bërë sa më efikase ndërhyrjen. Nga ky bashkëpunim i ngushtë nënkuptohet që çdo palë ka përgjegjësinë dhe kompetencën e vet. Por të dyja kanë të njëjtin objektiv “nxënësin”, zhvillimin dhe arrtijet e tija. REFERENCAT 1. Manual në ndihmë të psikologut në shkollë. Unicef. Tiranë, 2006. 2. Guidelines profesisonal practice for school psychologist. Brunswick, Education student service. June 2001. 3. Aftësimi për integrim. Edo Sherifi. Fondacioni i Anadollisë për zhvillim. Botuar në Gazetën Mësuesi


18

Fusha e lojës dhe barazia njerëzore Orjola SOTIR

Për rëndësinë e sportit, ky buletin ka folur shumë për disa arsye. Pikë së pari sepse sporti është një mjet nëpërmjet së cilit një person mund të integrohet. Shembull i mirë për këtë është Olimpiada Speciale e cila bëhet një arenë shumë e rëndësishme argëtimi dhe integrimi për të gjithë ata që në sytë e të tjerëve janë të sëmurë në shumicën e rasteve. Duke pasur të qartë rëndësinë e sportit, Caritas ndërmori edhe një hap


19

tjetër që përbën risi në Shqipëri, organizimin e një evenimenti sportiv që kishte pjesëmarrës persona “normal” dhe personave me aftësi të kufizuara. E dinim të gjithë se kjo do të ishte sfidë e madhe dhe se do të jepte brenda atyre fushave një mesazh të rëndësishëm, të gjithë kanë të drejtë për t’u argëtuar e për të bërë sport. Që ti shërbehej kësaj ideje, ne filluam në qendër stërvitjen për të qenë sa më gati dhe për të treguar se me një punë serioze edhe personat me aftësi të kufizuara mendore mund të mësonin të paktën gjërat bazë të futbollit ping pongut apo edhe vrapit. Kushtet e stërvitjes tonë nuk ishin ndoshta më të mirat të mundshme por ajo pak rëndësi kishte. Në sport gjerat arrihen edhe kur nuk ke ambientet e duhura. Për tu bindur për këtë mjafton një shëmbull nga bota e futbollit. Diego Armando Maradona është rritur në një lagje shumë të varfër të Buenos Aires atje ku luhej edhe me topa të bëra vetë, por pasioni që ishte më i rëndësishëm dominoi e pavarësisht vështirësive ekonomike dhe ai


20 u bë lojtari më i mirë i botës. Këtë mendova kur filluam përgatitjet, natyrisht jo se nga kjo qendër do të dilte ndonjë Maradonë por pasioni dhe dëshira për lojën dhe garën do të sillte rezultate edhe pse kushtet në të cilat ne stërviteshim nuk ishin më të mirat të mundshme. Në fillim vështirësitë ishin të mëdha sportistët tanë mund të thoshin se dinin futbollin por nga stërvitja rezultoi se ata fare pak e kishin idenë e këtij sporti, të vrapit apo edhe të ping pongut. Kjo për stafin që përgatiti fëmijët e qendrës jo vetëm nuk ishte dekurajuese po përkundrazi sfida për t’i përgatitur sa më shumë bëhej edhe më e madhe. Kjo ishte sfida e parë dhe mund të them se paraqitja në Tiranë ishte shumë dinjitoze. Klientët e qendrës treguan se për aq pak kohë, kishin mësuar të paktën nocionet bazë të futbollit, ping pongut dhe vrapit. Kjo ishte vetëm sfida e parë, një tjetër sfidë për ta sjellë këtë risi, sportin e integruar tjetra kishte të bënte me personat “normal” që do të merrnin pjesë në këtë aktivitet. Ne ishim koshient se kjo mund të ishte e vështirë pasi të gjithë e dimë mentalitetin ekzistues dhe paragjykimet që hasin personat me aftësi të kufizuara sidomos ata me prapambetje mendore që janë edhe klientë të qendrës tonë në Arrameras. Por duke menduar se pa provuar diçka nuk mund të thuash se nuk arrihet ne ju drejtuam gjimnazit të Fushë-Krujës duke kërkuar pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet. Edhe pse të pakët në numër u gjetën disa njerëz të cilët me pjesëmarrjen e tyre treguan se tek brezi i ri diçka ndoshta ka filluar të ndryshojë përsa i përket mentalitetit në drejtim të personave me aftësi të kufizuara. Ata erdhën luajtën vrapuan dhe morën pjesë në një aktivitet ku pjesëmarrës ishin persona me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike. Madje njëri prej tyre e fitoi garën e vrapit duke nderuar evenimentin e duke u lumturuar shumë bashkëkonkuruesit e tij, më shumë se sa do t’i lumturonte në rast se ai do të tallej e do t’i linte të tjerët që ishin me aftësi të kufizuara mendor të fitonin garën. Kjo sepse çdo njeri që merr pjesë në një garë ka nevojë përpara se të fitojë të ndihet i respektuar, të kuptojë se kundërshtari nuk po tregon lëmoshë karshi atij por po e trajton si të barabartë. Vetëm kështu


21

do të arrihej qartazi edhe ajo që ne dëshironim të tregonim atë që dëshironim realisht me atë eveniment sportiv, se të gjithë pavarësisht karakteristikave kanë të drejtë të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë. Kur mbaroi aktiviteti, në mendje më erdhi David Morris, një ndër personat e rëndësishëm të Specialit Olimpik anglez i kualifikuar për përshtatshmërinë e ambienteve për personat me aftësi të kufizuara fizike. Ai me karrocë vetë xhiroi gjithë globin si aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara sepse besonte se diversitei është vlerë se personat që janë ndryshe jo vetëm që nuk e prishin imazhin e një shoqërie por përkundrazi, e zbukurojnë atë si çdo gjë e veçantë e zbukurojnë atë. Edhe ne këtë mesazh ne e kishim dhënë duke trajtuar klientët si me aftësi të kufizuara mendore si persona që janë ndryshe por meritojnë respekt të plotë dhe duhen trajtuar si të barabartë. Dhe si për të sfiduar më qartë injorantët që trajtojnë personat me aftësi të kufizuara si ‘gjysmë’ njerëzish ne gjetëm mbështetjen e disa të rinjve pikërisht atyre që mund të bëhen ambasadorë të idesë tonë se diversiteti


22 është vlerë. Nga rinia ndryshon gjithçka dhe për mua prezenca e atyre djemve nga gjimnazi i Fushë-Krujës është inkurajuese për ndryshimet që mund të vijnë në të ardhmen për karshi. Për ta mbyllur edhe një miqësi konkrete, Ledjani një djalë i qendrës u takua me një gjimnazist dhe ndenjën bashkë gjatë gjithë rrugës si në ardhjen drejt Tiranës ashtu edhe në kthim. Ditën tjetër fola me Ledin dhe e pyeta si ju duk aktiviteti, “mirë më tha”- por ajo që kishte rëndësi nuk ishte gara por miqësia me mikun e tij nga gjimnazi i Fushë-Krujës pasi Ledi për atë miqësi kishte më tepër dëshirë për të folur. “Ai shoku im ishte shumë i mirë, ishte njësh”. Mendoj se ky shembull tregon dy gjëra; së pari sa i rëndësishëm është sporti si një mjet integrimi dhe së dyti se lumturia më e madhe për një person me aftësi të kufizuara është trajtimi i tij me respekt nga të tjerët. Injoranca u mund kësaj here!


23

Një teatër dhe shumë emocione Albina Dragusha

Rreth gjysëm viti më parë, ne nisëm një sfidë këtu në Arrameras për të krijuar trupën e parë teatrore për persona me aftësi të kufizuara mendore. Në fillim ajo dukej si një sfidë në kufijtë e utopisë por në të tilla raste, që të bëhet historia ka nevojë edhe për pak fantazi, besim dhe dalje nga konturat e logjikës. “Diamanti magjik” shfaqja e parë shkoi mirë dhe kjo ide që u cilësua si risi do të vazhdonte të ekzistonte.


24 Skenari i dytë do ishte tanimë jo një skenar sureal si i pari por do të ishte një skenar i marrë nga bota reale, një histori reale që tregonte se si një djalë me aftësi të kufizua arriti të integrohet në shoqëri e krahas dashurisë dhe mbështetjes së shoqërisë dhe dashurisë njerëzore arriti të integrohej në shoqëri si një pjesë absolutisht e barabartë. Një teknikë e re do të hynte kësaj here në teatër, përveç pantomimës do të bëheshin edhe proza disi më të zgjeruara me skena më të mëdha. Emocionet e një teatri janë gjithnjë të njëjtat por siguria kësaj here për atë që do dilte ishte më e madhe pasi që në provat e para u duk se pantomima ishte diçka të cilën aktorët tanë të veçantë e kishin mësuar dhe tanimë do ishin shtuar skenat edhe prozat. Roli i protagonistit shumë energjik dhe unë pas shumë vitesh do vija në skenë një shfaqje që edhe do të luaja por njëherazi do të isha bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët ambasador i disa mesazheve shumë të rëndësishme. Pikë së pari se çdo lloj paaftësie mundet nëse njeriu që e ka atë beson dhe e trajton veten si një njeri të barabartë me të tjerët. Por si arrihet kjo? Kjo arrihet vetëm nëpërmjet integrimit sepse vetëm nëse një njeri arrin të jetë pjesë aktive e shoqërisë vetëm atëherë ai mund të kuptoj marrdhëniet interaktive në shoqëri. Mëson të respektojë e të marrë nga dashuria e të tjerëve duke e shndërruar këtë në një forcë pozitive që e ndihmon të arrijë gjithçka. Erjoni personazhi kryesor është i rëndësishëm sepse është pjesë e një shoqërie që e integron atë dhe i jep mundësinë për të qenë pjesë aktive e saj. Erjoni merr pjesë në futboll, studion e arrin të mbarojë universitetin dhe është shumë i lumtur sepse ai ndihet i dobishëm. Erjoni tejkalon vetveten dhe këtë e arrin krahas dashurisë që gjen si në ambientin familjar ashtu edhe jashtë tij. Nga ngrohtësia e njerëzve ai provon dhe arrin gjera. Por Erjoni jo vetëm merr dashurinë, ai e kthen atë dhe e shndërron në forcë shpirtërore. Pra, mesazhi qendror i shfaqjes është se dashuria, ngrohtësia dhe respekti i njerëzve mbushin dhe shumë herë ndryshojnë rrjedhën e një jete që fillimisht duket si e destinuar për të qenë në vijë të dytë pa preokupime dhe objektiva.


25

Me të gjitha këto bëhet e qartë se kjo shfaqje tentonte të jepte një mesazh të qartë, atë se diversiteti është një vlerë e pa mohueshme në shoqëri dhe se duhet trajtuar si një fakt i tillë. Dhe mendoj se nuk kishte ambasadorë më të mirë për ta treguar këtë se sa trupa teatrore e Qendrës Ditore “Jetës në zhvillim”, e përbërë nga persona me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike të cilët me shumë entuziazëm e paraqitën këtë shfaqje në tre qytete Shkodër, Laç e Fushë-Krujë. Emocionet në backstage të njëjtat me ato të një trupe teatrore reale që ka dëshirë të kënaqë publikun dhe e respekton atë maksimalisht. Kur shkuam në Laç pamë diçka që as e kishim imagjinuar ndonjëherë, një teatër plot njerëz që priste me kuriozitet performancën tonë dhe mendoj se ne nuk i zhgënjuem pasi duartrokitja ishte aq e ngrohtë sa dukej se ishte diçka me ndjenjë dhe reale. Këtë e kuptuan edhe protagonistët tanë që në autobus nuk pushuan se falenderuari për teta Zizën e cila si përgjegjëse e çështjeve sociale në këtë bashki e kishte mbështetur këtë ide që nga fillimi i saj e deri në fund te materializimi i saj. Ata fëmijë, protagonistë të veçantë luajtën për herë të parë në një teatër të vërtetë dhe me njerëz që i panë e i duartrokitën, për herë të parë panë një backstage të vërtetë.


26 Më pas ne luajtëm në Fushë-Krujë edhe aty atmosfera ishte e njëjtë, emocione të mëdha e të hareshme. Vetëm që kësaj here kishte një diferencë të madhe, kësaj here protagonistët tanë të veçantë do luanin para qytetit të tyre dhe ky ishte një emocion i veçantë për ta. Dhe Fushë-Kruja e tyre nuk i zhgënjeu me një pritje madhështore me 220 njerëz të moshave të ndryshme, teatri afër kinemasë u mbush plot dhe entuziazmi i tyre shumë i madh dhe fakti se para gjithë qytetit do bënin krenarë prindërit e tyre shtonte emocionet e aktorëve tanë të veçantë e në fakt ashtu ndodhi, shumica e atyre respektuan djersën, ankthin dhe përpjekjet e aktorëve tanë të veçantë duke i dhënë atyre duartrokitje dhe mirënjohje përpjekjes, duke i dhuruar një moment të thjeshtë por të lumtur. Kur mbaruam shfaqjen pashë nga publiku dhe pashë se aty ishin shumë njerëz të rinj, nxënës të shkollave fillore që e panë atë shfaqje, panë se Erjoni arriti gjithçka krahas ndihmës njerëzore ata tani e panë se sa të rëndësishëm mund të bëhen thjesht duke treguar respekt sepse respekti në disa raste është lumturi dhe jetë. Ata panë gjithashtu se kjo shfaqje u vu në skenë nga persona me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike. Pra, këta të rinj panë në mënyrë konkrete se me vullnet arrihet gjithçka edhe ata me prapambetje mendore, “hunjtë” arrijnë të luajnë teatër. Në këtë pikë m’u kujtua një djalë i vogël nga liqeni ku herë pas here dal për ecje. Më pa duke ecur e filloi të qeshë por unë nuk u mërzita për këtë por për faktin se ai djalosh tregonte se edhe këta të rinj po rriten duke mos mësuar se çdo të thotë respekti për atë që është ndryshe, ai vogëlush ishte një njeri që as ja kishin thënë e as do ja thonë se çfarë është diversitet e se duhet respektuar edhe ai që është ndryshe sepse thjesht është njeri si ne. Atë që ai vogëlush nuk dinte atje te liqeni uroj ta kenë mësuar ata vogëlushë e të rinj që na panë duke bërë teatër e duke dhënë një mesazh, diversiteti është vlerë. Ata që na panë duhet të bëhen ambasadorët e këtij mesazhi në të gjithë shoqërinë, diversiteti është vlerë.


27

Kur ragbi ngatërrohet me basketbollin Darjan KONOMI

Vendimi për pjesëmarrje në Olimpiadë Speciale ishte një sfidë për gjithë stafin e Qendrës Ditore “Jetë në Zhvillim”, por për ne nuk ishte veç se sfida e radhës. Ne ja kishim dalë mbanë me teatrin dhe sporti do të ishte një sfidë më tepër. Ne e provuam dhe filluam stërvitjen. E dinim të gjithë se ashtu si ja dolëm me teatrin do mund të t’ia dilnim edhe me sportin. Sportistët tanë kishin luajtur futboll por basketbollin rrallë herë e kështu që të arrihej edhe aty një rezultat na duhej një punë e madhe me një përqendrim maksimal edhe për faktin se orët e stërvitjes në basketboll ishin të reduktuara sepse duhet të shkonim në një palestër në Fushë-Krujë. Dëshira për të mësuar ishte e madhe. Në fillim ata vraponin me topin drejt koshit por vendimi im ishte i qartë, në Olimpiadë nuk duhej thjesht tentuar fitorja, me pjesëmarrjen tonë duhet të provonim se ishim një ekip i punuar gjatë seancave stërvitore. Me këtë ishte dakord edhe bashkëpunëtori im më i afërt Sokoli. Kështu ndaluam ragbinë dhe filluam të mësonim nocionet e pasimit dhe gjuajtjes. Më pas edhe të driblimit. Sportistët tanë i dinin, nëse jo plotësisht deri diku këto nuanca dhe komplimentet e parë nuk vonuan të vinin. Ishte një vullnetar amerikan “urime ju tentoni të bëni triblimin dhe ti triblon tamam si në basketboll” i thashë se në Greqi ku jetoja unë basketbollin e kisha pasion i thashë se gjatë kohës kur isha në fillore në Greqi basketbolli ishte në modë pasi ekipet Greke mbretëronin në


28 Evropë. Olipiakos e Panathinaikos ishin në vitet ‘94, ‘95 e ‘96 në finale të kupës së kampioneve dhe në vitin 96 Panathinaikos mundte Barcelonën e fitonte. E pashmangshme këto suksese sollën një tendencë të të gjithë rinisë drejt basketbollit, kjo ndodhi edhe me mua. Tani nuk mund të tradhtoja as si lojtar as si trajner atë lojë aq të bukur që më emocionon aq shumë sa herë që e luaj. Nuk mund ta shndërroja atë në ragbi për hir të një fitoreje. Nuk mund të tallesha me ata që trajnoja duke mos tentuar ti mësoj atyre të paktën nocionet bazë të kësaj loje të bukur. Në Olimpiadë puna jonë u duk, ishim një ekip që kishte punuar, shijuam çdo moment dhe e ndjenim se stërvitja kishte sjellë frytet e saj deri në ndeshjen me Prushin. Atje u gjendëm të pa përgatitur sepse ne stërvitjen e kishim bërë për basketboll jo për ragbi. Megjithatë deri në një farë pike basketbolli po e mundte ragbinë. Deri në momentin kur ragbisti i skuadrës së Prushit filloi të kishte mbrojtjen e arbitrit jokorrekt të asaj ndeshjeje. Nuk kishim asnjë mënyrë për t’u mbrojtur veç se me dublime dhe duke bërë presion te topi. Presion në ragbi nuk bëhet veç se një lojë të fortë që nga ana jonë drejtohej vetëm te topi. Por për këtë arbitër ne luanim si “kafshë”. Kështu i tha Arbenit duke e kërcënuar se do ta nxirrte jashtë. Arbeni i habitur i tregon duart te topi që është e vërtetë ragbisti e kishte në duar por edhe Arbeni duart i kishte vetëm te topi. Nervozizmi jonë u bë akoma më i madh kur në një fazë të njëjtë topi m’u tërhoq nga duart por arbitri as që i shau lojtarët e skuadrës së Prushit “kafshë” e nuk dha as faull por xhem. Aureli tentoi ta pyesë por ai me gishtin urdhërues i tha të pushojë: - “mbylle ore se e di unë”, ndeshjen e humbëm por pak rëndësi ka, treguam se ishim një ekip i punuar. Ajo që realisht më ngacmon është fakti se nuk i jepja dot përgjigje Aurelit kur më tha pse ai arbitër na shau ‘kafshë”. Nuk i jepja dot përgjigje Arditit që më thoshte se si është e mundur që ai të njëjtën fazë e dha ndryshe për ne e ndryshe për ata. Nuk i jepja dot përgjigje Gentit kur


29 më thoshte se e gjithë stërvitja që bëmë për të mësuar pasën e triblimin shkoi kot dhe u limitua vetëm në një kompliment të një Amerikani që i pëlqeu fakti që ne u përpoqëm të nderojmë atë lojë të bukur. Pak orë më pas në hotel u mendova dhe gjeta një përgjigje. Të nesërmen i thashë: “Dëgjoni! Dje na bënë hile por në sport ka edhe hile që bëhen nga një arbitër si ai i djeshmi. Ofendimet që ai na bëri nuk janë diçka që na prekin sepse ne u përpoqëm me pasion. Nuk duhet të pendohemi për asgjë. Disa nga ju e ndjejnë se unë i dhashë më shumë rëndësi driblimit apo pasimit por unë dhe Sokoli përgatitjen e bëmë për basketboll dhe jo ragbi. Që diçka arritëm, është e pa diskutueshme, e dinë të gjithë. Një arbitër jo i drejtë si ai është shumë i vogël para fuqisë së një grupi si i yni. Falënderim për gjithçka, unë nuk pendohem për asgjë dhe as ju nuk duhet të pendoheni sepse asnjë njeri në botë nuk mund të prishë atë që jetuam”.


30

Pa zë... por me ngjyra! Dorina REÇI

Sot në Shqipëri arti nuk është se vlerësohet edhe aq shumë. Për këtë mjafton të shohim rrogat e ulëta të aktorëve tanë por edhe fakti se artit shumë pak rëndësi i kujtohet nga Media. Imagjinoni pak artin që kryhet nga persona me aftësi të kufizuara. Në një rast të këtillë dy mund të jenë mundësitë. Në rastin tonë në Arrameras dëshira për të sjellë një risi në disa raste të tjera donatorë të huaj që i japin personave ndryshe mundësinë për të aktruar. Në rastin konkret e kam fjalën për një grup aktorësh me probleme dëgjimi dhe shikimi, të cilët të ndihmuar nga M.A.G.I.S krijuan para shtatë viteve trupën e parë të shurdhmemecëve në Shqipëri. Fillimisht kjo trupë i kishte regjisorët të gjithë italianë por pas shtatë vitesh tanimë kjo trupë ka regjisorë shqiptarë dhe kjo është prova më e mirë se dhe në vendin tonë ka potenciale njerëzore për të çuar përpara idenë e barazisë. Sepse një njeri mund të quhet i barabartë nëse atij i jepet mundësia për të shprehur atë që ndjen e për të praktikuar pasionin e tij pavarësisht karakteristikave që ai ka. Ajo që realisht më ngacmon është fakti se iniciativa analoge që vinë nga të huaj në vendin tonë adhurohen si super të rëndësishme, por ne nuk kemi aftësinë të respektojmë ato iniciativa që vinë nga vetë ne. Kjo sepse kompleksi i inferioritetit që ne kemi karshi çdo të huaji dhe që pasqyrohet në shumë fusha ndikon edhe tek aftësia e kufizuar. Këta shqiptarë me probleme në dëgjim por aktorë të mëdhenj, bënë art dhe


31 ma besoni, treguan në mënyrën më të qartë të mundshme se përveç asaj Shqipërie që pret nga të huajt t’i mësojnë se si bëhen zgjedhjet e se si duhet të sillemi e të veprojmë, ekziston një Shqipëri tjetër që ndihet e barabartë me Evropën dhe botën që krijon e që është e pa kompleksuar por krenare. Kisha dëgjuar se një grup i njëjtë funksionon në Izrael dhe konsiderohej fantastik por as unë nuk e dija se ekzistonte një grup i këtillë edhe në Shqipëri që për më tepër kishte marrë duartrokitje edhe nga vende, “opinioni” i të cilëve na intereson shumë si Italia apo edhe vende të tjera evropiane. Vërtet “Magjistari i Ozit” ishte një shfaqje e luajtur pa zë por me ngjyra dhe ku dukej puna e bërë nga të gjithë faktorët e aktorët. Edhe pse ata nuk dëgjonin kryenin koreografi sikur të dëgjonin normalisht muzikën. Ishte një provë se puna e madhe mund të mposhtë paaftësinë fizike. Me sinqeritetin më të madh mund të them se nëse nuk do ta dija se ata djem edhe vajza ishin shurdhmemecë nuk do ta kisha kuptuar kurrë atë skenë ku diçka ishte e koordinuar në perfeksion, paraqitja skenike ishte shumë e bukur dhe me shumë ngjyra. Kjo është një iniciativë kulturore por ky laborator teatri që u hap me iniciativë italiane arriti pas shtatë vitesh në fundin e tij dhe tanimë varet nga ne nëse do ta mbajmë apo jo këtë trupë teatrore gjallë e nëse do ti japim atyre personave që aq shumë na dhuruan emocione mundësinë për të çuar përpara ëndrrën e jetës së tyre. Aty ishte Znj. Liri Berisha e cila i pa dhe i falënderoi për emocionet, pranoi se ajo ishte një shfaqje me ngjyra që shkaktoi emocion te spektatorët, aty ishin edhe eksponentë të lartë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve edhe ata e panë aftësinë e këtyre personave të cilëve tanimë nuk i mjaftojnë vetëm fjalët e mira.


32

Të jesh ndryshe Joana LUKA

Caritas Shqiptar në kuadër të implementimit të projektit “Jetë e Çmueshme – Çmueshëm Jetoj” në qytetet Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë ka organizuar javën e promovimit të vlerave të personave me aftësi të kufizuara si dhe për sensibilizimi i qeverisjes vendore në krijimin e hapësirave integruese duke mbështetur iniciativat promovuese në favor të tyre. Aktivitetet ndiqnin njëra tjetrën dhe dite pas dite ankthi shtohej. Qyteti i parë ku startuan aktivitetet ishte Laçi, ku u organizua një takim me pushtetin lokal mbi “Arsimimin Gjithëpërfshirës për Personat me


33 Aftësi të Veçanta”. Pjesëmarresit në takim ishin pro lëvizjeve integurese ndaj ketij target-grupi dhe mbështetjes së tyre. Duket qartë se në gjithë Shqipërinë personat me aftësi të kufizuara po marrin vëmëndjen e duhur nga strukturat vendim-marrëse si në nivel qëndror ashtu dhe nivel lokal. Më tej, takimet vazhduan në qytetin e Shkodrës me aktivitete sportive dhe promovuese të vlerave për personat me aftësi të kufizuara. Pjesemarrja ishte vërtetë e kënaqshme, çka tregonte qartë se shoqëria jonë është pro integrimit të tyre në shoqëri. Në të gjitha aktivitetet e organizuara u aktivizuan përfituesit e projektit “Jetë e Çmueshme – Çmueshëm Jetoj” të cilët performuan më së miri dhe mund të themi se aftësitë e tyre ndryshe nuk viheshin re por u përballen si të barabartë mes të barabartëve. Një tjetër aktivitet plot larmi ishte aktiviteti i titulluar “Diversiteti është vlerë’’. Gjatë këtij eventi përformoi trupa teatrale e Qendrës Ditore “Jetë në Zhvillim”, u luajtën pjesë në violonçel nga muzikantë të njohur por pjesa më e bukur ishte kur nxënës të shkollave të ndryshme kishin shprehur talentin e tyre përmes krijimeve letrare dhe vizatimeve të ndryshme me temë “Si e shohin ata aftësinë e kufizuar”. Ishte vërtetë mahnitëse të shikoje dhe të dëgjoje krijimet e tyre. Sigurisht në fund të aktivitetit u shpërndanë çmime simbolike për krijimet më të mira gjë që motivoi sadopak krijuesit e rinj dhe të talentuar. Në takimet e zhvilluara në Shkodër dhe Fushë-Krujë të organizuara me përfaqësues të pushtetit lokal dhe organizatat e shoqërisë civile ku u diskutua mbi implementimin e Strategjisë Kombëtare për aftësinë e kufizuar dhe politikat e Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për këtë kategori. Jo vetëm instancat e larta por edhe ato lokale kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë të madhe për këtë kategori. Kryesisht në qytetin e Shkodrës janë bërë shumë ndërtesa të reja me rampa duke hequr barrierat arkitektonike të personave me aftësi të kufizuara. Shpresojmë se këto aktivitete kanë vlejtur sadopak për të arritur qëllimin e Caritas-it Shqiptar në ndihmë të këtyre personave me aftësi ndryshe.


34

Atëherë kur ironia të kthehet në bumerang Erisen SALA

Historia ime me Olimpikun Special Shqiptar fillon para dy vitesh kur fillimisht si gazetar pashë nga afër emocionet që shkaktonte sporti te këta fëmijë me prapambetje mendore. Emocionet kur për herë të parë pashë nga afër olimpiadën, më kujtuan kohën kur luaja e stërvitesha edhe unë në Greqi. Ekzistonte një diferencë e madhe në vitin 1998 kur unë isha në Greqi dhe paragjykimi atje ishte shumë më i vogël ndërsa ndihma njerëzore ishte e pa diskutueshme. Pas një dite si reporter dhe pasi kisha ndjerë shumë emocione vendosa se vitin tjetër do të isha edhe unë pjesëmarrës në atë eveniment. Vendimi u bë i formës së prerë pas një bisede që unë pata me një mësuese nga Durrësi dhe që më shpjegoi se sa të lumtur ndihen këta njerëz kur luajnë. Kështu i kërkova Profesor Ismet Bellovës të më gjente një ekip për të veshur edhe njëherë atletet e kostumin sportiv. Profesori e mbajti premtimin, e një vit më pas unë kisha një ekip për të garuar në olimpiadë. Në fillim u prita ngrohtë nga të gjithë por mjaftuan disa gabime për t’u hasur me paragjykimin. Ëndrra ime u kthye në makth e nga amientet e “Don Boskos” dola i zhgënjyer, me imazhin e një të sëmuri, invalidi që nuk vrapon dot, nuk ecën dot. Trajneri im, i thënçin trajner, ishte përbuzës edhe në momentet që isha në lojë. Mbaj mend


35 kur në një ndeshje me Elbasanin isha në murin mbrojtës dhe një goditje e fortë më rrëzoi në tokë por u çova menjëherë, ironinë e tij ama nuk e shmanga dot! “E hodhi në tokë”!- tha ai tek një vullnetare që ishte aty dhe qeshi. Këto shembuj i them për të kuptuar se çfarë ndodhi vjet. Por sporti është i bukur sepse të jep mundësinë e hakmarrjes sportive, mundësinë të provosh se ata që para një viti talleshin nuk kishin të drejtë dhe unë pata fatin që këtë vit ta kem këtë mundësi. Në FushëKrujë unë ku punoj pata mundësinë të trajnoj ekipin e Qendrës Ditore “Jetë në Zhvillim” që është një qendër për persona me aftësi të kufizuara mendore. Ne arritëm rezultate shumë të mira. Vend të parë e të dytë në vrap në natyrë, kampion si ekip në të njëjtën disiplinë, dy vende të dyta në atletikë, një vend të dytë në pingpong dhe dy vende të treta në basketboll e futboll pa harruar këtu edhe një vend të dytë në bowlling dhe vendin e tretë si ekip në këtë disiplinë. Olimpiada jonë rezultoi e suksesshme dhe për këtë ne morëm urime nga të gjithë. Unë do doja të veçoja nga kjo olimpiadë disa momente. Pikë së pari ndeshjen me ekipin e atij që vjet më kishte poshtëruar, e fituam me double score 16-8 dhe ai që vjet më kishte poshtëruar sivjet do largohej i poshtëruar dhe unë do gëzoja me shpirt atë fitore që e kishga pritur e ëndërruar për plot një vit. Do isha ndoshta provokues por ashtu ndjeja dhe e meritoja shumë këtë moment që e kisha ëndërruar. Një njeri mendjemadh do detyrohej të pranonte humbjen nga një ekip që kisha stërvitur e luajtur për gjithë kohës. Një ditë më pas ai na mundi në futboll por ajo humbje ngjan si një maskaradë e shëmtuar që të humbnim u desh që të shkelej çdo normë sportive. Mendjemadhi mori një lojtar nga një shkollë speciale dhe ju lejua të luante, një lojtar që nuk e kishte në ekip në një ndeshje që emrat e atyre që luajtën nuk u shënuan kurrë. Ajo fitore për të ishte humbja e tij më e madhe, ai pranoi se ne ishim më të mirët se nuk na mundte dot pa maskaradën e lejuar padrejtësisht edhe nga arbitri. Ai “fitoi” por ne fituam respektin e të gjithëve.


36 Si për ironi të fatit u takuam edhe në garën e 100 metrave për femra ku sportistja jonë Enkelejda Kaci e mundi sportisten e tij K.M. për faktin se kjo e fundit u rrëzua. Dhe ishte po ai njeri që mua më kishte tallur vjet ai që sivjet kërkonte duke u lutur që sportistja e tij kundër çdo logjike garuese të garonte përsëri. Mundësia ju dha, e pa drejtë për Enkelejdën, që në shpirtin e të gjithëve mbetet kampione por më e rëndësishme është se ironia e vjetshme atij njëriu i ishte kthyer në bumerang, që ne nuk e përdorëm për ironi sepse për ne sporti është mbi të gjitha respekt njerëzor sidomos në një eveniment si Olimpiada Speciale.


37

Darjan Konomi shprehet Besmira RROKU

Darjan Konomi është një person me një problem të vogël fizik. Ai ka jetuar për vite me radhë në Greqi, ku edhe ka mbaruar një prej universiteteve më prestigjioze në vend atë të Panteio-s. Për shkak të një oferte të bërë nga Caritas Shqiptar Darjani vendosi të kthehej në atdhe, pas plot 18 vitesh në mërgim. Integrimi në një vend si i yni ku paragjykimet janë ende të mëdha mbetet i vështirë por Darjani krahas besimit të kolegëve ndihet përsëri shumë i dobishëm në shoqëri dhe shumë i lumtur. “Jeta është e bukur kur ti ke objektiva për të ndjekur” thotë ai. Protagonist i një risie Darjani së bashku me gjithë bashkëpunëtorët e tij krijuan një trup teatrore për persona me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike në qendrën ditore Jetë në zhvillim. Në këtë intervistë ai shpjegon se si u krijua kjo trupë cilat janë ambicjet e mëtejshme arritjet por edhe planet për më tej. Trupa e tij teatrore ka zhvilluar 6 shfaqje në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Darjan, si nisi kjo iniciativë? Nga dy gjëra, pikë së pari sepse teatrin e kam pasur gjithnjë pasion dhe doja që të vazhdoja të luaja e të bëja edhe rolin e regjisorit. Në Greqi pata fatin të luaja në disa shfaqje dhe emocionet që të jep teatri janë të hareshme. Në teatër je i varur gjithnjë edhe nga të tjerët suksesi në


38 teatër ka të bëjë edhe me të tjerët me spektatorët, është edhe subjektiv sepse e bukura në art nuk është asnjëherë objektive. Pikërisht për këtë arti dhe teatri janë të veçantë sepse gjithnjë të duket sikur është hera e parë. Ne jetën time kam luajtur ose recituar para një publiku mbi 20 herë por, gjithnjë ndihem sikur të jetë e para. Kam pasur fatin të njoh suksesin por, edhe shfaqje që nuk janë pëlqyer, të gjitha janë pjesë e lojës të gjitha duhen pranuar. Unë kam pasur fatin ti jetoj të dyja dhe nuk pendohem për asgjë me beso edhe humbja ka një shihe edhe pse e hidhur duhet provuar sepse kur humb njëherë fitorja të shijon më shumë pastaj. Përsa i përket iniciativës dua të them se çdo risi nuk është çështje e një personi por e disa personave që kanë zemër dhe i bashkon një ide e përbashkët, një ide ku të gjithë barazohen nuk ka më hierarki. Vjet pata mundesi të shkoja në javën e promovimit të Këshillit Britanik ku edhe pashë trupën e kërcimit që përbëhej nga persona normal dhe PAK që kishin të drejta dhe rroga të barabarta. Atëherë thashë se kjo ide mund të vinte edhe në Shqipëri. Diamanti magjik apo jo? ‘Diamanti magjik’ është shfaqja e parë që trupa teatrore e qendrës “Jetë në zhvillim” ngjiti në skenë por skenari i parë i shkruar është një histori reale të cilën ne e luajtëm në tre qytete me shumë sukses në tre qytete në kuadër të disa aktiviteteve promovuese për të drejtat e PAK. Cila ishte ndjesia kur filluat provat? E dinim se do ishte diçka e vështirë por asnjëri nga stafi nuk u tremb të gjithë e dinim se me vullnet arrihet gjithçka. Merita është e të gjithëve, teatri është një punë e bërë në grup dhe faktorët e suksesit apo disfatës janë të shumtë. Që të arrijë një sukses tek ‘Diamanti magjik’ punuan shumë veta. Një falënderim të veçantë meriton Albina Dragusha ajo që e para besoj se kjo ide në qendër mund të konkretizohej e më pas gjithë kolegët e tjerë pa ndihmën e të cilëve asgjë nuk arrihej.


39 Fillimi ishte shumë i vështirë pasi përdorëm teknikën e pantomimës e njohur Charli Çaplin besonte te ajo. Ne përdorëm një teknikë që kishte kryesisht pantomimë por, edhe disa poza dialogë të gjuhës teatrore. ‘Diamanti magjik’ e ka veçantinë e tij te fakti se të gjitha format e sendeve krijohen nga njerëz dhe kjo kërkon një përqendrim dhe koordinim të madh. Edhe katër personazhet kryesore duhet të koordinohen mirë gjatë udhëtimit me varkë, ku edhe do gjejnë diamantin magjik të gjitha këto ishin të vështira por, pas dy muajsh punë ne ja dolëm mban dhe më besoni, suksesi ishte i fëmijëve, i grupit dhe i të gjithëve. Cili ka qenë momenti më i bukur? Me trupën tonë teatrore kemi shkuar goxha mirë dhe momentet e punës në grup janë gjithnjë të bukura por unë do veçoja dy nga këto. Pas mbarimit të shfaqjes së parë, një prind i njërës prej protagonistëve filloi të qante nga emocionet dhe ai ishte një moment që na emocionoi edhe ne sepse kuptuam rëndësinë e asaj që po bënim. Gjithashtu shfaqja në Laç e Fushë-Krujë kishte një publik shumë entuziast dhe kjo na jepte edhe ne një entuziazëm dhe një emocion të veçantë. Aktorët tanë janë të veçantë por ndjejnë emocione ashtu si çdo aktor tjetër. Cilat janë planet e mëtejshme? Krijimi i 6 grupeve teatrore në 6 qytete të Shqipërisë. Për këtë me mbështetjen e çmuar të Caritas kam aplikuar për një projekt tek ‘Bota e ndryshimit’, program i Fondacionit Vodafone. Jemi në fazën finale dhe shpresojmë se mundësia për teatrin e integruar dhe për të shkruar një histori të bukur do na jepet. Kam kontaktuar me disa regjisorë dhe kanë ofruar mbështetje pas një viti ambicia është e qartë krijimi i grupit të parë kombëtar të integruar që do mund të përfaqësonte Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare kulturore. Nuk duroj dot një Shqipëri me kompleks inferioriteti, ajo që bëmë në Fushë-Krujë më bindi se edhe në Shqipëri ka njerëz me vizion vullnet për të lënë diçka për të ardhmen.


40 Cili është mesazhi që doni ti jepni shoqërisë? Uroj që shoqëria jonë të arrijë të kuptoj dikur se diversiteti nuk është një fatkeqësi por një vlerë shoqërore. Një shoqëri e cila do ti kishte të gjithë perfekt nuk do kishte aspak interes do ishte si një qytet ku të gjitha makinat dhe pallatet do ishin njëlloj, ju garantoj, se gjithçka do ishte e mërzitshme në një shoqëri të këtillë. Kështu edhe ata që janë ndryshe sepse kanë një paaftësi janë një kategori që i japin shoqërisë një far ngjyre dhe e bëjnë me të bukur atë. Edhe diçka tjetër, politikanët e bashkitë duhet të mbështesin iniciativa të këtilla. Ne patëm fatin si në Laç edhe në Fushë-Krujë të kemi teatrin e të luajmë dhe kjo është diçka që duhet të ndodhë me gjithë ata që si ne, luftojnë që një mentalitet paragjykues të goditet e të ndryshojë.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.