16
Z. Pandeli Majko Ministër i Shtetit për Diasporën
Të nderuar pjesëmarrës, Shqiptarët migracionin e kanë një cilësi kolektive, por edhe tregues të raporteve të tyre me historinë kombëtare. Historia e migracionit shqiptar gjatë periudhës 1944-1990 përfaqëson një raport të rëndësishëm të kombit shqiptar me kohën. Ajo është ende e pashkruar. Ky vlerësim vjen edhe pse historianët kanë një prirje neglizhuese karshi së vërtetës kontroverse. Ata duan që renditja e fakteve të jetë një “prozë” me personazhe pozitive dhe negative. Më lejoni që pamjen e një historie kontroverse ta filloj me një “sekret” të familjes sime. Familja ime ishte e lidhur me LANC-in. Por në periudhën komuniste në biografinë e anëtarëve të familjes mungonte një anëtar i saj. Ai ishte xhaxhai i tim ati. Ai ishte shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm përmendja e tij anësore mund të hapte probleme të paparashikuara për familjen. Pohimi për pasjen e një familjari në Perëndim ishte thuajse një “njollë” në biografi. Komunizmi në Shqipëri në pamjen e jashtme ishte “shfaqje” e gjatë groteske. Në fund, ajo që mbeti ishte pasqyra për të parë veten.