Në këtë libër është marrë në shqyrtim periudha e regjimit duke u ndalur tek emigracioni politik. Në Shqipëri, drejtuesit e lartë të regjimit i konsideruan emigrantët politikë shqiptarë si “tradhtarë të atdheut”, për shkak të qëndrimeve që kishin mbajur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe për shkak të kundërshtimit të hapur ndaj regjimit totalitar të vendosur në Shqipëri. Në emigracion, shumë prej tyre u shndërruan në zëra të spikatur në jetën akademike dhe shoqërore dhe nuk reshtën duke ngritur zërin kundër totalitarizmit shqiptar, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në këtë përmbledhje do të gjeni punimet shkencore të prezantuara në konferencën me të njëjtën titull, të organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin të ish-të Përndjekurve Politikë.