1 minute read

HYRJE

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (Autoriteti) u krijua me ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të indi-vidit, unitetit dhe pajtimit kombëtar.

Në vitin 2020, ligji funksional pësoi ndryshime që përmirësuan kuadrin ligjor të veprimtarisë së institucionit, sa i takon informimit, hulumtimit shkencor, edukimit qytetar dhe kontributit për të zhdukurit në komunizëm.

Advertisement

Autoriteti është institucion i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe për sigurimin e aksesit në ta, për të gjitha subjektet e ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, në funksion të edukimit të publikut dhe mbështetjes së vlerave demokratike të drejtësisë, së vërtetës, pajtimit dhe përgjegjësisë për gjeneratat e ardhshme.

Raporti vjetor i punës 2021 është hartuar dhe miratuar duke u mbështetur në ligjin organik nr. 45/2015, i ndryshuar dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij, që normojnë dhe rregullojnë veprimtarinë funksionale të institucionit.

Edhe gjatë 2021, vit i vështirë i pandemisë, komunikimi me të interesuarit u mbajt online dhe fizikisht, duke paraqitur qëndrueshmëri në kërkesat për informim.

Po ashtu, u nënshkruan disa marrëveshje të bashkëpunimit dhe u krye punë intensive koordinuese për të zhdukurit në diktaturë dhe për përkujtimin e nderimin e viktimave dhe të dënuarve të ndërgjegjes.

Që nga dita e parë e punës e deri në mbyllje të vitit të pestë të funksionimit të Autoritetit, 2021, institucioni u mbështet me ekspertizë nga institucionet homologe ndërkombëtare të kujtesës, si ENRS, në takime periodike vjetore, IPN polake dhe ABTL hungareze me përvojën mbi të zhdukurit, punën me arkivat dhe përkujtimin.

Në janar 2021, Autoriteti u pranua anëtar me të drejta të plota i Rrjetit Europian të Arkivave të ish-Policive Sekrete. Përgjatë 2021, institucioni konsolidoi bashkëpunimin me Prezencën e OSBE në Shqipëri për Qendrën e Drejtësisë Tranzitore dhe projektet për të zhdukurit.

Gjatë 2021, Autoriteti zbatoi me sukses një projekt të përbashkët me ICMP për rritjen e ndërgjegjësimit për të zhdukurit në komunizëm, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Qeveria e Zvicrës, i cili pati impakt të ndjeshëm në shoqëri dhe në diskursin publik për personat ende të pagjetur.

This article is from: