Loja "E Drejta Mbi Qytetin"

Page 1

RIGHT2THECITYGAME



eDrejtaMbiQytetin Punëtori me studentë të arkitekturës - anëtarë të grupimit EASA, studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nxënës shkollash, si dhe qytetarë, organizuar në qytetin e Shkodrës përgjatë muajve Maj-Qershor 2021.


Financuar nga LevizAlbania

Një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC

LEVIZ A lbania

Local Democracy in Action

RIGHT2THECITYGAME

GO2 Albania & Art Kontakt Loja “E Drejta Mbi Qytetin” Punëtori me studentë të arkitekturës - anëtarë të grupimit EASA, studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nxënës shkollash, si dhe qytetarë, organizuar në qytetin e Shkodrës përgjatë muajve Maj-Qershor 2021.

Ky botim u realizua nga GO2 dhe Art Kontakt në kuadër të projektit “Arti drejt Publikes” me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve realizues dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit. © MMXXI GO2 ALBANIA


PËRMBAJTJA

E Drejta Mbi Qytetin 9 Loja “E Drejta Mbi Qytetin” 13 Konteksti i Lojës “E Drejta Mbi Qytetin” Shkodër 19 Grupet dhe lojtarët 25 Asetet në dispozicion 31 Rregullat e përgjithshme të lojës 37 Nisja e Lojës 41 Dinamikat e ndërhyrjeve në skenar 45 Kush u përfshi në Lojë 49 Përvoja 57 Si e plotësoi Loja “E Drejta Mbi Qytetin” formimin tim për funksionimin dhe ndërlidhjen e faktorëve që formësojnë qytetet tona 59 Përshtypjet e disa prej pjesëmarrësve të tjerë, pas përfundimit të Lojës 63


LOJA EDREJTA MBIQYTETIN MBI QYTETIN MAJ-QERSHOR 2021 6


7



E DREJTA MBI QYTETIN

E Drejta mbi Qytetin është një lëvizje e lindur në fund të viteve 1960 nga sociologu dhe filozofi francez Henri Lefebvre përmes veprës me të njëtin titull, dhe më pas e përhapur në disa vende të botës, si SHBA, Gjermani, Amerikë Latine etj. Që prej disa dekadash, gjeografi ekonomik David Harvey e ka avancuar dhe zgjeruar konceptin bazë të Lefebvre, nga “kërkesa për të pasur qasje në transformimin dhe rinovimin e jetës urbane”, në një të drejtë “shumë më tepër sesa liria individuale për t’u qasur në burimet urbane”. Sipas Harvey-t kjo është një “e drejtë për të ndyshuar vetveten duke ndryshuar qytetin”, dhe për më tepër, “kjo është një e drejtë e përbashkët dhe jo individuale, sepse ky transformim varet në mënyrë të pashmangshme nga ushtrimi i fuqisë kolektive për të rimodeluar proceset e urbanizimit”. Si përfundim, ai thekson se “Liria për të bërë dhe ribërë qytetet tona dhe veten tonë, është nga më të çmuarat, por edhe më të neglizhuarat e të drejtave tona njerëzore”. 9


10


Thënë thjeshtë, qytetarët kanë të drejtë ta ndërtojnë vetë qytetin ku jetojnë, sipas nevojave dhe dëshirave të tyre. Një nga mënyrat më efikase për ushtrimin e kësaj të drejtë është përmes pjesëmarrjes në planifikim. Planifikimi me pjesëmarrje është një tjetër koncept inovativ që përfshin në vetvete pjesëmarrjen e qytetarëve që nga diskutimet për projektet zhvilluese të zonave të caktuara të qyteteve, e deri te pjesëmarrja e tyre aktive edhe në procesin e zbatimit e më tej – të qëndrueshmërisë. Mirëpo këto praktika jo gjithmonë u përshtaten interesave të autoriteteve dhe grupeve të biznesit të përfshira në projekt. Prandaj në disa vende, autoritetet mjaftohen me organizimin e dëgjesave publike, ku qytetarët ftohen të dëgjojnë dhe të diskutojnë projektet, pa u përfshirë në fazat e mëtejme. Në të tilla raste, që hasen shpesh edhe në Shqipëri, qytetarët janë të painformuar për dëgjesat, për të drejtën e tyre për të marrë pjesë në to, apo për të drejtën për të qenë pjesë aktive e këtyre dëgjesave publike. Për t’i informuar, ndërgjegjësuar dhe nxitur qytetarët për ushtrimin e kësaj të drejte, shpeshherë ndërmerren fushata mediatike nga institucionet ndërkombëtare, organizatat joqeveritare dhe autoritetet vendore. Gjithashtu një nga metodat e tjera, e dëshmuar për efektivitetin e saj në edukimin e qytetarëve dhe të vetë profesionistëve, është edhe Loja “E Drejta Mbi Qytetin”.

11



LOJA “E DREJTA MBI QYTETIN”

Lojërat janë një metodë shumë efektive e të edukuarit joformal të profesionistëve dhe qytetarëve. Përmes përfshirjes mendore, emocionale dhe fizike të pjesëmarrësve në dinamikën e lojës, arrihet ndjenja e përkatësisë së individit në një komunitet të caktuar – në këtë rast, në skuadër. Është pikërisht kjo ndjenjë përkatësie që i motivon individët dhe komunitetet në përpjekjet për arritjen e rezultateve më të mira për skuadrën, pra komunitetin. Të studiuara dhe të zhvilluara nga qendra të rëndësishme shkencore në botë, lojërat kanë dëshmuar se arrijnë rezultate më të shpejta sesa një proces i tërë formal edukativ. Në këtë kontekst kanë lindur dhe janë përsosur sidomos lojërat urbane, apo të qytetit. Këto lojëra shërbejnë për të përmirësuar praktikën e modeleve urbane tradicionale, që nga mbështetja e vendimmarrjes për dizenjimin, zbatimin dhe qëndrueshmërinë 13


14


15


e projekteve dhe deri te kontributi për zgjidhjen e konflikteve sociale që një projekt i caktuar mund të gjenerojë. Ndonëse nga studiues anë e kënd botës janë zhvilluar një gamë e gjerë lojërash urbane, me specifika dhe rregulla të ndryshme, por përgjithësisht ato kanë të përbashkët qëllimin e mësipërm. Në këtë mënyrë, lojërat kontribuojnë në dhënien fund të praktikave të vjetra të dizenjimit dhe planifikimit urban nga lart-poshtë, pra nga politikbërësisht dhe vendimmarësit drejt qytetarëve, duke i hapur rrugë një praktike të re: gjithëpërfshirjes. Planifikimi me pjesëmarrje, ose gjithëpërfshirja kërkon që në të gjitha proceset e zhvillimit të qytetit të marrin pjesë gjithnjë e më shumë grupe të ndryshme njerëzish të cilët sjellin përvojën kolektive dhe kreativitetin. Fillesat e lojrave urbane, apo qytet-krijuese datojnë rreth viteve ‘80-90 të shekullit XX, si një mjet për të përfshirë komunitetin në politikat e zhvillimit dhe dizenjimit urban të qytetit. Teorikisht kjo është një paketë aktivitetesh dhe procesesh që zhvillohen si një Lojë për zgjidhjen e një problematike reale, jo lojë. Lojërat urbane janë një praktikë relativisht e re në Shqipëri. Disa formate të tyre janë organizuar vitet e fundit në disa qendra universitare në Tiranë, ndërsa në Shkodër është hera e parë që aplikohet kjo metodë. Më parë, në vitin 2017 një variant i thjeshtuar i kësaj Loje është realizuar nga Organizata GO2 me nxënësit e Shkollës 9-vjeçare “Dom Martin Trushi” në fshatin Stajkë të Bashkisë Vau Dejës. Si të gjitha lojërat urbane, edhe Loja “E Drejta Mbi Qytetin” synon të aktivizojë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish nga komunitete të ndryshme, përfshi profesionistë, studiues dhe politikbërës, për t’i ndërgjegjësuar ata me rolet dhe me sfidat me të cilat përballen secila palë gjatë zhvillimit dhe bashkëjetesës në qytet. Për zhvillimin e lojërave urbane ndërtohet një kontekst i caktuar, i cili tenton të tërheqë vëmendjen për nevojat dhe të paraqesë për zgjidhje sfidat me të cilat përballet një 16


komunitet apo qytet i caktuar. Zhvilluesit e lojërave propozojnë ndërhyrje urbane në këto zona, duke ua lënë komuniteteve (pjesëmarrësve të lojës) opsionet për zgjidhjen më të favorshme të dizajnit. Megjithatë, edhe pse jo gjithmonë kontekstet e lojërave zgjidhen që të jenë reale, ata sigurojnë trajtimin e problemeve reale me të cilat përballen qytetet.

17



KONTEKSTI I LOJËS “E DREJTA MBI QYTETIN” SHKODËR

Konteksti i Lojës “E Drejta Mbi Qytetin” Shkodër 2021, u vendos në një zonë reale, periferike, në juglindje të qytetit të Shkodrës, me sipërfaqe 32 hektarë (Shih Foto në fq. 20). Kjo zonë e pabanuar ka një thyerje të beftë të relievit, nga shtrati i lumit me fusha të mbjella dhe toka djerrë e deri në lartësinë e disa kodrave Monumente Natyrore, të pasura me burime natyrore si ujë e diell, si dhe një biodiversitet të lavdërueshëm. Për ta konkretizuar terrenin u dizenjua dhe u realizua një maket i zonës në shkallë 1:400, i sjellë në përmasat 1x2m (Shih Maketi, në fq. 22-23 ). Ndërsa zona e ndërhyrjes është 6.25 hektarë (100 module), me objektiv dizenjimin e një Fshati Fëmijësh të shekullit XXI. Presioni i madh i ndërtimit ka sjellë reduktimin drastik të hapësirave të lira në përgjithësi dhe sidomos të hapësirave të gjelbra të dedikuara për fëmijët. Kjo është arsyeja përse GO2 dhe Art Kontakt propozojnë ideimin e një hapësire të madhe publike kushtuar 19


20


fëmijëve, ku integrohen natyra dhe arti, sportet dhe shkenca, agrikultura dhe historia. Shkodra njihet për Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë që organizohet prej gati 6 dekadash, për Festivalin e Filmit të Animuar ANIFest Rozafa që mbahet prej më shumë se 10 vjetësh, për grupet e artistëve të vegjël në pikturë, vallëzim, shah etj. Disa institucione përpiqen ta përcjellin këtë traditë, por përkushtimi për fëmijët e sotëm dhe fëmijët e së ardhmes meriton më shumë se sa ofron qyteti. Prandaj përmes Lojës “E Drejta Mbi Qytetin”, Organizatat GO2 dhe Art Kontakt mundësojnë dizenjimin e një Fshati Fëmijësh. Kjo hapësirë shumëfunksionale realizohet përmes disa qendrave edukative dhe rekreative, që të kompozuara me elementët e domosdoshëm, përfshijnë njësi akomodimi, shërbime, si dhe shumë sipërfaqe të gjelbra mjaft inovative, si labirinte të gjelbrër, muze të agrikulturës etj. Secili prej këtyre elementëve quhet aset, dhe për këtë lojë janë në dispozicion 14 asete, të ndara në 4 kategori (Shih Asetet në dispozicion, fq. 32-33 ), ndërsa vendet e cakatuara për vendosjen e aseteve u shënuan me kryqe në maket.

21


22


23 SH. 1:400

www.go2albania.org



GRUPET DHE LOJTARËT

Lojërat urbane funksionojnë përmes ndarjes së pjesëmarrësve në grupe, ku secili grup përfaqëson një palë të caktuar interesi. Këto palë janë të mishëruara në rolet e grupeve të ndryshme të lojtarëve. Në lojën “E Drejta Mbi Qytetin”, grupet pjesëmarrëse janë 6, me nga 2-5 lojtarë për secilin grup dhe me një numër mesatar lojtarësh prej 17. Numrin më të madh të pjesëtarëve e ka grupi që përfaqëson Qytetarët (5 lojtarë), ndërsa me nga 2 lojtarë janë disa grupe (Shih Grupet Pjesëmarrëse, në fq. 28-29). Secili grup ka agjendën e vet, me objektivat e caktuara nga organizatorët, si dhe një buxhet të caktuar. Grupet formohen nga përzgjedhja rastësore e kartës identitare (ID) të secilit lojtar. Më pas, lojtarët kanë formuar grupet, duke u bashkuar rreth një tryeze, bartësit e ID së njëjtë (psh, grupi Industria Kreative). Për të realizuar objektivat e agjendës së grupit, secili anëtar merr një përgjegjësi të caktuar, duke e ndjerë i detyruar të bashkërendojë vendimet dhe veprimet e veta për të mirën e përbashkët. Nga ana tjetër, edhe vetë gruipi si njësi, duhet të bashkëpunojë 25


dhe të negociojë me grupet e tjera të cilët mund të kenë objektiva të përafërt apo të njëjta. Këto negociata dhe bashkëpunime varen prej skenarëve me të cilët zhvilluesit e lojës ndërhyjnë në një situatë të caktuar, sikurse edhe prej arritjes së objektivave fikse. Për t’u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve dhe profesionistëve që të përfshihen në të, Loja “E Drejta Për Qytetin” u zhvillua përgjatë në ditë të ndryshme. Secila lojë ndahet në disa seanca, ndërsa kohëzgjatja e një loje të plotë shkon nga 2.5-3 orë.

26


GRUPET PJESËMARRËSE

Në Lojën “E Drejta Mbi Qytetin” marrin pjesë 6 grupe lojtarësh, të cilët ndihmohen, lehtësohen dhe mbikëqyren nga organizatorët dhe juria. 27


Ky grup përbëhet nga Shoqatat për të Drejtat e Fëmijëve dhe institucionet e tjera për fëmijët, të cilat zhvillojnë dhe mbrojnë të drejtat e fëmijëve, përfshi të Drejtën e Kulturës. Ky grup kërkon që hapësira publike e propozuar të përdoret për krijimin e Qendrës Shumëfunksionale të Fëmijëve. Interesi i drejtpërdrejtë i këtij grupi është që Fshati i Fëmijëve të dedikohet për aktivitete të natyrës krijuese, edukuese, artistike, sociale etj.

28

Qytetarët janë grupi që përfaqëson komunitein më të madh, prandaj ka numrin më të madh të lojtarëve. Ata ngrejnë pretendimet kryesore për përdorimin e hapësirës publike. Parimisht ky grup mbron të drejtën për një jetë cilësore aktive. Në rastin e kësaj loje, qytetarët luftojnë për shfrytëzimin e hapësirës publike të propozuar për krijimin e Fshatit të Fëmijëve për edukim, rekreacion, argëtim dhe socializim.

Bashkia është grupi i lojtarëve me detyrë menaxhimin dhe mirëmbajtjen e hapësirës publike në qytet, përfshi edhe hapësirën e propozuar për këtë lojë. Pozicioni i Bashkisë është të ruajë ekuilibrin mes grupeve të interesit, duke synuar qëndrueshmërinë e investimeve në hapësirën publike të propozuar për realizimin e Fshatit të Fëmijëve. Ajo duhet të tregohet e kujdesshme për të përkrahur projektet e zhvillimit që nuk orientohen drejt përfitimeve individuale, por drejt të mirës publike.


Ky grup përbëhet nga kompani dhe organizata të mëdha, të cilat dallohen për qasjen inovative ndaj aktiviteteve krijuese, edukative dhe argëtuese. Industritë krijuese mund të përfshijnë aktivitete, si botimet, artet pamore, median, marketingun, artin e performuar etj. Qëllimi i këtij grupi është të orientojë zhvillimin e këtij Fshati Fëmijësh drejt shkencave kompjuterike, arteve dhe përgatitjes së sipërmarrësve të rinj në fushën e agrobiznesit.

Ish-pronarët përfaqësojnë zotëruesit e tokave dhe aseteve që u shtetëzuan në periudhën 1945-1990. Gjatë 30 viteve të fundit, një pjesë e tyre i rimorën pronat dhe një pjesë u kompensuan. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe pronarët e rinj që kanë marrë tokë sipas ligjit 7501, ose kanë blerë prona nga të tjerët. Interesi i këtij grupi është të maksimizojë fitimet nga pronat e tyre, përmes zhvillimit të aseteve në pronësinë e tyre.

Këtu bëjnë pjesë ndërtuesit, spekulantët dhe grupe të tjera me interesa biznesi. Ky është grupi që kërkon ta orientojë hapësirën publike drejt privates, duke ia transformuar funksionin drejt atij ekonomik. Qëllimi i grupit është kthimi i kësaj hapësire publike në një hapësirë sërish publike, por të paguar nga qytetarët, si psh: banesa, restorante, bare, qendra tregëtare, qendra sportive etj, por edhe ura apo vepra të tjera me fonde publike.

Autoriteti me detyrë drejtimin e lojës dhe udhëzimin e pjesëmarrëse

Pjesëtarë të stafit organizues që asistojnë lojtarët për paqartësitë

Profesionistë dhe qytetarë të angazhuar në dhënien e vlerësimit për lojën 29



ASETET NË DISPOZICION

Për pjesmëmarrësit e Lojës “E Drejta Mbi Qytetin” janë në dispozicion 14 lloje të ndryshme asetesh, që ndahen në 4 kategori, si në vijim: 31


32


33


34


35



RREGULLAT E PËRGJITHSHME TË LOJËS

1. Loja fillon dhe mbyllet me njoftimin e moderatorit. 2. Loja zhvillohet në një kohëzgjatje totale 2.5-3 orë, e cila do të ndahet në 3 raunde. 3. Në fund të secilit raund organizatorët komunikojnë pikët e fituara nga grupet e lojtarëve. 4. Secili grup pjesëmarrësish luan për të realizuar objektivat e veta. 5. Secili grup lojtarësh ka një buxhet të përcaktuar nga organizatorët. Ky buxhet përdoret nga grupi për të blerë asetet e lojës në Bankën e Aseteve. Një aset përfaqëson një hapësirë prej 25x25m në përmasa reale. Sipërfaqja e një aseti në përmasa reale është 625 m2. 37


38


6. Vendosja e aseteve në Zonën e Zbatimit bëhet sipas shenjave orien­ tuese në maketin e lojës dhe përcaktohet nga interesat e secilit grup dhe/ ose në negocim me grupet e tjera. 7. Secili grup lojtarësh ka të drejtë të luajë duke përdorur mjetet e mëposhtme: negociata (bisedime), shkëmbime (asetesh, favoresh) dhe shit-blerje (asetesh). 8. Objektivat dhe buxhetet e secilit grup janë sekrete, prandaj nuk duhet lejuar që grupet e tjera të marrin këtë informacion. 9. Asnjë grup lojtarësh nuk ka të drejtë të përgjojë komunikimet apo të ndërhyjë në ecurinë e procesit dhe të taktikave të një grupi tjetër. 10. Pjesëmarrësit që kryejnë akte të pahijshme përjashton nga loja. Në këtë rast, grupi ndëshkohet me përgjysmim buxheti dhe grupi është i detyruar ta vazhdojë lojën me një pjesëtar më pak. 11. Organizatorët rezervojnë të drejtën që të ndryshojnë objektivat e grupeve gjatë lojës, si dhe për të ndaluar lojën me qëllim për të theksuar një mësim të nxjerrë nga një situatë specifike. 12. Moderatori, lehtësuesit dhe ndihmësit kanë funksion informues dhe mbikëqyrës për mbarëvajtjen e lojës. 13. Juria ka rol vëzhgues. Komunikimi ndërmjet anëtarëve të jurisë dhe anëtarëve të grupeve pjesëmarrëse në lojë është rreptësisht i ndaluar. Juria do të japë vlerësimin e saj me shkrim dhe gojë për ecurinë dhe për fituesit vetëm në fund të lojës.

39



NISJA E LOJËS

Për shkak të numrit të përcaktuar të pjesëmarrësve në grupe, në secilën lojë marrin pjesë jo më pak se 12-14 dhe jo më shumë se 20-24 lojtarë. Fillimisht pjesëtarët zgjedhin në mënyrë të rastësishme pozicionin e lojtarit e pastaj njihen me konceptin e lojës, si dhe rregullat e saj. Zhvilluesit kujdesen që brenda zarfit të secilit grup, i cili shpërndahet vetëm pës formimit të grupit, të gjenden materiale të rëndësishme, si: - Një përmbledhje e koncepteve bazë të Së Drejtës Mbi Qytetin dhe të Lojës me të njëjtin emër, - Një përmbledhje e rregullave kryesore për funksionimin e lojës (Shih “Rregullat e Përgjithshme të Lojës”, fq. 37-39); - Një agjendë e fshehtë me objektivat përkatëse; - Një buxhet i caktuar. Buxheti i grupeve është i kufizuar dhe si i tillë, i pamjaftueshëm për realizimin e të gjitha objektivave të agjendës, me qëllim që grupet të negociojnë më njëri-tjetrin në varësi të orientimeve të dhëna nga moderatori. 41


42


Nga ana e tij, moderatori ofron skenarë të ndryshëm për ditë dhe seanca të ndryshme, si psh: përmbytje nga lumi në një zonë të caktuar, tërmet, plan ndërhyrje i Bashkisë përmes rritjes së dendësisë së gjelbërimit, koncepti i përdorimit miks brenda njësisë së lagjes, daljes nga loja të disa rupevetë interesit pasi nuk kanë përmbushë objektivat e tyre etj. Pjesa më interesante e lojës mbetet negociimi dhe marrëdhëniet e fshehta që krijohen mes lojtarëve të ndryshëm, të cilët shpesh janë të detyruar të tërhiqen për shkaktë presionit të më të fortëve (psh. të Investitorëve, Industrisë Kreative, etj), ose të negociojnë fort me grupet e tjera, psh. me Bashkinë - si aktori kyç në tërë këtë sinergji. Jo pa qëllim shumica e skenarëve përpiqen të faktorizojnë Bashkinë, si institucion publik duke synuar të krijojnë imazhin pozitiv për shtëpinë e qytetarëve – pushtet edhe absolut edhe relativ.

43



DINAMIKAT E NDËRHYRJEVE NË SKENAR

Maketi mund të konsiderohet tryeza e punës, rreth së cilës mblidhen të gjithë për të parë vendin ku është propozuar Fshati i Fëmijëve. Pasi njihen me njëri-tjetrin, me grupet, me rregullat dhe me agjendat sekrete, pjesëmarrësit janë gati për fillimin e vërtetë të lojës. Ajo nis e qetë, me vëzhgime dhe hulumtime, por sapo blerjet e para në Bankën e Aseteve zënë të implementohen në parcelat e maketit, loja merr tjetër ritëm, plot aksion dhe zhurmë, emocione dhe dinamikë. Seancat i lënë radhën njëra-tjetrës, ndërsa moderatori bën bilancin e arritjeve të objektivave të secilit grup. Ndërkohë vijnë edhe ndryshimet në skenar. A luajnë rol skenarët në dinamikat e lojës? Patjetër që ndërhyrjet në skenar orientojnë të gjithë sinergjitë mes lojtarëve dhe sa më të forta cënimet e interesit, aq më shumë reagim e ndërveprim ka ndërmjet pjesëmarrësve në lojë. Nëse Bashkia vendos refuzimin e plotë të ndërtimeve në Fshatin e Fëmijëve kjo do favorizonte grupe si Qytetarët, Shoqatat e Fëmijëve, apo Industrinë Kreative, por do nxiste debat e kundërshti tek Investitorët. 45


46


Në një prej skenarëve të tjerë, lumi fryhet nga prurjet e shumta të ujit dhe përmbyt mjaft toka përgjatë shtratit. Ky fenomen detyron Bashkinë të përcaktojë mjaft zonë përgjatë shtratit dhe jo vetë, të gjelbërohen dhe të zhvendosen ndërtimet. Ky vendim ia bën më të vështirë rolin grupit të investitorëve, duke u dhënë prioritet koncepteve të rimëkëmbjes ndaj krizave natyrore. Nëse Fshati i Fëmijëve sjell një qasje edukative pro-mjedisore të një hapësire me më shumë gjelbërim, apo hapësira si ferma didaktike, muzeu agrikulturës, restoranti organik që ndryshojnë mendësinë e brezave të rinj por edhe prindërve të tyre, kjo do ishte një rrugëtim inteligjent për komunitetet tona drejt një planeti më të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

47



KUSH U PËRFSHI NË LOJË

Në mesin e pjesëmarrësve më aktivë janë disa prej studentëve shqiptarë të rrjetit të vullnetarëve Asambleja Europiane e Studentëve të Arkitekturës – EASA (European Architecture Student Assembly), disa grupe nxënësisht të Shkollës 9-vjeçare “Dëshmorët e Prishtinës”, si dhe disa studentë të Departamentit të Gjeografisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Një tjetër grup përbëhet nga një organizatë lokale e sipërmarrësve të rinj, ndërsa pjesëmarrës në lojë kishte edhe nga zonat rurale të Qarkut Shkodër, nga qyteti i Tiranës, Elbasanit, Kukësit etj. Ndonëse lojën e parë e nisin me ndrojtje, pjesëmarrësit përfshihen dhe reagojnë fort kur shohin t’u cënohen interesat e grupeve që përfaqësojnë. Shprehja “fati ndihmon guximtarët” duket se motivon disa prej pjesëmarrësve në lojë për të mos u dorëzuar përpara sfidave, por për të vazhduar përpara me besim. Për të mbrojtur këto interesa, ata debatojnë fort, negociojnë dhe arrijnë marrëveshje prej të cilave duket se të 49


50


gjithë mbeten të kënaqur. Dinamikat e lojës, të stimuluara herë nga skenarët e herë nga karakteri i fortë i disa pjesëmarrësve, reflektojnë në fakt, raportet komplekse të grupeve të ndryshme të interesit në realitetin e përditshëm. Qytetarët jo gjithmonë janë në dijeni të këtyre raporteve, e aq më pak i ndjejnë ato, por në fund, të gjithë jetojnë në hapësirat dhe qytetet e ndërtuara si pasojë e vendimeve që merren nga të tilla situata. Në këtë mënyrë, Loja “E Drejta Mbi Qytetin” i ndihmon pjesëmarrësit që t’i kuptojnë më mirë këto raporte, të cilat herë-herë paragjykohen me lehtësi prej njerëzve – për mirë ose për keq. Kjo metodë e edukimit informal kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për t’u përfshirë në vendimmarrjet për qytetin dhe për të kërkuar që sa ma shumë grupe qytetarësh, me interesa të ndryshme, të ushtrojnë të drejtën për t’u bërë pjesë e ndërtimit të së ardhmes. Të shumtë ishin qytetarët që u përfshinë në Lojën “E Drejta Mbi Qytetin” – që nga fëmijët e moshës 10-14 vjeç e deri te moshat e rritura. Të bie në sy pjesëmarrja dhe interesi i vajzave të reja, që përfshihen në lojë me entuziazëm, ndoshta nga fakti që janë ose do të bëhen nëna dhe kjo hapësira është mjaft e dashur për fëmijët e tyre dhe ato vetë që kujdesen në më të shumtën e kohës. Hapësira të tilla u mongojnë fëmijëve në qytetet tona sot, prandaj edhe të rinjtë – prindërit e ardhshëm janë të vëmendshëm.

51


52


53


54


55



PËRVOJA



SI E PLOTËSOI LOJA “E DREJTA MBI QYTETIN” FORMIMIN TIM PËR FUNKSIONIMIN DHE NDËRLIDHJEN E FAKTORËVE QË FORMËSOJNË QYTETET TONA

Klementina Kamolli Studente, EASA Në Shkurtin e vitit 2020, vendosa të aplikoj në një organizatë për studentë të arkitekturës (EASA), pas një kohe të gjatë pasiviteti. Ishte një formë aktivizimi ndaj së cilës e dija që duhet ta ekspozoja veten. Një vit e 3 muaj më vonë u shfaq mundësia e bashkëpunimit me GO2, për lojën “E Drejta Mbi Qytetin”, dhe ky ishte një moment domethënës për shkëputjen nga apatia e përditshme. Isha e emocionuar per këtë aktivitet dhe njëkohësisht fshehtazi e shqetësuar për fleksibiletin tim ndaj kësaj ideje kaq inovative përfshirjeje. Nje problematikë e hasur në përditshmërinë dhe edukimin e deritanishëm në arkitekturë është të kuptuarit mbi rolin, përgjegjësinë dhe te drejtat që kemi si arkitektë dhe qytetarë mbi qytetin. Pa marrë pjesë në këtë aktivitet nuk do ta kisha kuptuar se ekziston një mungesë formimi mbi funksionimin dhe ndërlidhjen e faktorëve të ndryshëm në planifikimin e qytetit, sa kushtëzohen nga njëri-tjetri dhe si projektohet kjo në imazhet e qyteteve që kemi aktualisht. Me këtë dua të parashtroj se përfitimi prej aktivitetit i tejkaloi pritshmëritë në mënyrën më pozitive. Një prej pikave me më shumë rëndësi është fuqizimi. Në momentin që ofrohet një 59


60


platformë vendimarrjeje për të rinjtë, ata ndihen pjesë përfshirëse e qytetit dhe se nevojat e tyre, e sidomos mendimet po merren në konsideratë. Kjo eksperiencë e brendshme, (siç e kam përjetuar personalisht gjatë 4 prej ditëve të aktivitetit ku mora pjesë) ndikon në zhvendosjen nga ana që ndjek dhe vëzhgon manifestimin e vendimeve, në anën aktive dhe mbrojtëse të të drejtave për hapësira të gjelbra dhe rekreacion. Gjithashtu, ndonjëherë dhe kur mungojnë mekanizma të drejtpërdrejtë, lipset një informim i mirë se çfarë mund të ndryshojmë apo të mos lejojmë të ndodhë me hapësirat e gjelbra në qytetin tonë. Mund të konkludohet se një qasje si “E Drejta Mbi Qytetin” përmbush njëkohësisht informimin dhe fuqizimin e aktorëve të qytetit për vendimarrje. Një tjetër pikë e rëndësishme është diversiteti. Një përballje e grupeve të ndryshme në moshë e profesione, me pikëpamje të veçanta, bëri të mundur një interaktim shume të sinqertë për mënyrën se si gjithësecili kupton përgjegjesinë dhe kërkesat e grupit të tij përfaqësues në lojë. Rjedhimisht, kjo ndihmoi në zgjerimin e këndvështrimit të secilit mbi mundësitë dhe kufijtë për veprimet lidhur me planifikimin urban. Një panoramë e tillë të rikujton se kjo lloj përfshirjeje duhet synuar edhe në realitet. Si pikë të fundit do të theksoja domosdoshmërinë që aktiviteti vuri në pah, te mjeteve/ aftësive të komunikimit si argumentimi bindës, negociimi, bashkëpunimi që një organizatë apo grup të arrijë objektivat në një arenë ku lindin konflikte interesi. Në fund të ditës ndihem më e vetëdijshme se edhe në jetën e përditshme ndryshimi i rrethanave tona kërkon përdorimin e aftësive të lartpërmendura. Për ta përmbyllur do të theksoja se nëpërmjet eksperiencës së përfituar është arritur një sensibilizim më i lartë i pjesëmarrësve – dëshmuar fillimisht te vetja. Kjo ka ndikuar në dëshirën për një aktivizëm të vijueshëm dhe në lindjen e shumë pyetjeve të reja nga perspektiva e arkitektes, se si mund të projektojmë më mirë. 61



PËRSHTYPJET E DISA PREJ PJESËMARRËSVE TË TJERË, PAS PËRFUNDIMIT TË LOJËS

Anisa Musaj / Qytetarët: Loja na bëri të kuptojmë rëndësinë e komponentëve në vendimmarrje, si psh, koha, por edhe dinamikën e madhe që ndodh në një qytet. Mevlida Hasanaj / Pronarët: Kjo është ajo që do të doja për qytetin tim. Duke parë realizimin e kësaj tabloje, mendova për qytetin tim, Shkodrën. Duke u ndalur te problemi që kemi me përmbytjet, krijova një ide se çfarë duhet të bëhet në të ardhmen. Ky projekt që bëmë sot të gjithë bashkë do të ishte ideja perfekte për qytetin tim.

63


64


Andi Tepelena / Industria Kreative: Problemi kryesor i grupit tonë gjatë Lojës ishte se ne nuk kishim partner Bashkinë. Parnetitete të tilla janë të domosdoshme, sepse mundësojnë orientimin e investimeve në drejtimet për të cilat qytetet dhe njerëzit kanë nevojë. Albana Smajlaj / Bashkia: Po ta luanim tani, do të dinim të luanim ndryshe. Gledisa Golikja / Qytetarët: Ajo që vura re – dhe që ndodh edhe në realitet, është pjesa e korrupsionit. Vura re grupe që nuk panë interesin e përbashkët, por vetëm interesin e grupit. Ata ishin gati dhe paguan edhe më shumë para për qëllimet e tyre. Kjo më bëri të reagoj mua si qytetar, sepse po ndodhte një gjë jo e mirë. Fatlinda Hasaj / Bashkia: Kjo lojë ishte një moment mësimi, ndryshe nga e përditshmja që na kaplon të gjithëve, sepse realisht kështu ndodh në qytetet tona. Esmeralda Mbrapshtia / Investitorët: Ne si investitorë kemi dalë me objektiva të realizuara nga loja. E kuptoj se në fajësojnë neve pse qyteti nuk ka dalë edhe aq i gjelbër, por është ngathtësia e grupeve të tjera që rezultati është ky. Natyrisht që e dimë se është më mirë një qytet ku mbizotëron gjelbërimi se sa kur mbizotërojnë ndërtimet, por në fund të fundit, kjo ishte një lojë dhe ne kishim objektivat tona.

65


66


67


Dorian Plepi / Industria Kreative: Loja më bëri të mendoj më gjatë për pasojat, sepse është një plan shumë i madh zhvillimi i qyteti, por kur e mendon në një stimulim të tillë, të ndërgjegjëson më shumë për rolin. Kristjan Loka / Investitorët: Kur e sheh të përfunduar këtë zonë, të duket si një vend perëndimor, një lagje perëndimore ku të gjithë ëndërrojmë të shkojmë për të jetuar, sepse ka gjithçka. Florinda Ndoj / Pronarët: Personalisht do të më pëlqente të jetoja këtu, sepse është një zonë që t’i ofron të gjitha shërbimet, ndryshe nga lagjet e tjera. Edhe si metodikë, ndryshe nga mësimi në sallë, për ne studentët e gjeografisë është më efektiv kontakti me mjedisin. Norina Perndoj / Shoqatat për Fëmijët: Organizimi i hapësirave të gjelbra në këtë projekt është bërë në mënyrë profesionale. Pasja afër e të gjitha shërbimeve është ajo që kërkon qytetari sot. Hapësirat e gjelbra janë ato që na mungojnë të gjithëve, sidomos nëpër lagje, pasi janë zaptuar të gjitha. E njëjta gjë edhe me nevojën për muzetë, teatrot dhe qendrave rekreative. Doronesto Kulla / Industria Kreative: Mesazhi që mora nga kjo lojë është, se po punuam të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ndërtojmë qytete si ky. 68


Aresa Erkoçaj / Industria Kreative: Idenë për mjedisin zakonisht e mbaj brenda vetes, por tani që e ideuam vetë këtë qytet, e shoh që është krejt ndryshe. Diana Vneshta / Investitorët: Më pëlqeu më shumë gjelbërimi në këtë Fshat, sepse na jep ajrin e pastër. Më pëlqyen edhe komplekset e lojërave dhe restoranti organik, me produkte bio, ndryshe nga restorantet e tjera që gatuajnë me shumë vajëra, të cilat nuk janë të shëndetshme. Jonisa Vukaj / Investitorët: Do të më pëlqente që ky Fshat të ishte i vërtetë, sepse është një vend ku do të doja të kalojë gjithë kohën mes aktiviteteve me shumë funksione. Xhesael Danaj / Qytetarët: Më pëlqeu shumë lidhja që bëmë mes shërbimeve dhe mjediseve të gjelbra dhe kjo është një gjë që duhet ta zbatojmë në qytetet ku jetojmë. Pavarësisht se qytetet tona janë mbushur me beton dhe pallate, një pjesë e të cilave nuk e shohin as dritën e Diellit. Prandaj e mira është që këto planifikime urbane të jena sa më të shumta. Sidomos me gjelbërimin duhet bërë punë më e madhe në lagjet e reja që ndërtohen. Dorian Plepi / Investitorët: Dua të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit e lojës së sotme, sepse arritën të krijojnë një qytet pothuajse perfekt, me shumë gjelbërim e gjithçka tjetër që u duhet, edhe pse ne si investitorë u munduam që në çdo moment t’ua prishnim planet për shkak të objektivave tonë për të betonizuar sa më shumë, por nuk ia arritëm qëllimit. Megjithatë, 69


e rëndësishme është që fitoi alternativa më e mirë për krijimin e qytetit, fitoi gjelbërimi dhe rekreacioni. Meivis Struga / Moderator: Ajo që pamë të realizojnë grupet pjesëmarrëse përgjatë disa ditëvë të Lojës “E Drejta Mbi Qytetin” duket si qytet ideal, por në të vërtetë ky është një qytet normal, sepse kështu duhet të jenë qytetet normale, njerëzore. Dhurata Pashaj, Mësuese: Personalisht nuk isha pjesë e lojës, por ju falenderoj që i mbajtët afër, i përfshitë dhe bashkëpunuat brenda grupeve tuaja me nxënësit e Shkollës “Dëshmorët e Prishtinës. Si mësuese e TIK-ut në këtë shkollë, po përsëris atë që u them shpesh nxënësve, se shekulli XXI kërkon prej secilit kompetenca dixhitale të zhvilluara. Këtë e dëshmoi edhe situata e karantinës për shkak të pandemisë. Të gjithë e dimë se mjediset e gjelbra, teatrot, kinematë, bibliotekat kanë qenë domosdoshmëri e çdo kohe, por koha e tashme kërkon edhe laboratorët e teknologjisë, të cilët i shoh të përfshirë fuqishëm në projektin që zhvilluat sot në këtë lojë.

70



72


73


74


75



Financuar nga LevizAlbania

Një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC

LEVIZ A lbania

Local Democracy in Action

RIGHT2THECITYGAME

GO2 Albania & Art Kontakt Loja “E Drejta Mbi Qytetin” Punëtori me studentë të arkitekturës - anëtarë të grupimit EASA, studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nxënës shkollash, si dhe qytetarë, organizuar në qytetin e Shkodrës përgjatë muajve Maj-Qershor 2021.

Ky botim u realizua nga GO2 dhe Art Kontakt në kuadër të projektit “Arti drejt Publikes” me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve realizues dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit. © MMXXI GO2 ALBANIA

77




RIGHT2THECITYGAME

loja e drejta mbi qytetin shkodër maj-qershor 2021 #ArtidrejtPublikes #right2thecitygame


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.