Nr. 23, Gusht 2020
Udhëtim studimor në Fermat e Qarkut Shkodër – modele të suksesshme të agrobiznesit në zonë Intervistë/ Agronomi Zef Gjeta: Fermat po bëhen lokomotiva të zhvillimit të zonave Flasin disa nga pjesëmarrësit e turit të vizitave në ferma: Përparim Laçi, Hilmi Zeneli, Altin Dycaj Njihuni me profilet e 10 fermave që u përfshinë në udhëtimin studimor: Parku i Bletëve të Jak Pacanit Ferma e Ahmet Sulejamnit Ferma e Hilmi Zenelit Ferma e Is’hak Bajramit Ferma e Mujo Tokës Vreshta e Shaqir Hysës Ferma Salvia Nord Ullishtja në Zadrimë Baxho Rapsodia Fabrika e Përpunimit të Peshkut në Shelqet
Udhëtim studimor në Fermat e Qarkut Shkodër – modele të suksesshme të agrobiznesit në zonë
Gjatë vizitës në një ullishte në Zadrimë
Më 5 Dhjetor 2014, Organizata GO2 mblodhi një grup të rinjsh që në radhët e saj, ose përmes nismave të tjera, kontribuonin në komunitet. Organizatorët e takimit ftuan profesionistin me integritet Ahmet Osja, i cili u tregua i gatshëm për t’i mbështetur të rinjtë për vazhdimin e rrugës së nisur, ashtu siç kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij me fermerët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. 6 vjet pas këtij takimi të Ditës Botërore të Vullnetarizmit të dokumentuar në Youtube-n e GO2, një pjesë e të rinjve janë jashtë vendit me studime dhe punë, e një pjesë tjetër vazhdojnë kontributin e tyre në qytet e rrethina, por ata që nuk ikën nga toka janë fermerët. Të edukuar, motivuar, nxitur dhe mbështetur me dashurinë për vendin dhe profesionin nga agronomi Osja, fermerët punojnë përditë për të rritur ekonominë familjare, duke kontribuuar njëkohësisht në komunitetet lokale. Këtë realitet dëshmoi udhëtimi studimor në ferma, i organizuar gjatë muajit Gusht 2020 nga #GO2Innovation, Qendra e Inovacionit e Organizatës GO2 në partneritet me Shkollën Profesionale “Hamdi Bushati” dhe Bashkinë Vau Dejës. Falë një agjende të larmishme nga kultivimi i perimeve dhe frutave tradicionale te bimët aromatike mjekësore dhe ato ekzotike, nga përpunimi i rrushit, qumështit dhe peshkut, gjatë këtij udhëtimi u vizituan 10 ferma të shtrira në zona të ndryshme fushore të Qarkut Shkodër dhe më gjerë, profilin e të cilave e gjeni në faqet 6-6 të gazetës VIJA. Fokusi i udhëtimit ishin disa prej krenarive të agrobiznesit në Qark, si: Ullishtet, Vreshtat, Bletaria, Perimet, Pemëtoret, Baxhot dhe Peshku. Dizajni i posterave, ngjyrat dhe vendet piktoreske të zgjedhura me kujdes, ishin si një udhëtim turistik. Megjithatë, ishte punë. Punë e dashur dhe e bukur. Për të marrë pjesë në këtë udhëtim u ftuan sipërmarrës të agrobiznesit, pjesë e rrjetit të bizneseve që po mbështeten prej 6 muajsh nga #GO2Innovation, por edhe sipërmarrës të agroturizmit. Interes të madh gjatë udhëtimit patën sidomos sipërmarrësit Kastriot Faci nga Ferma Ekosociale, Oblikë; Hilmi Zeneli nga Natyral Zeneli, Shkodër; Altin Dycaj nga Algesi Natyral, Shkrel; Përparim Laçi nga bujtina me të njëjtin emër në Pukë, Alma Bazhdari nga Shkodra Backpackers Hostel Mi Casa Es Tu Casa, Shkodër; Agim dhe Aridon Ramaj nga Salvia Nord, Koplik etj, sikurse edhe përfaqësues të Bashkisë Vau Dejës dhe të sipërmarrjeve të tjera. Ndërsa në krye të këtij udhëtimi, si konsulent i agrobiznesit, #GO2Innovation angazhoi agronomin Zef Gjeta, i cili në gjurmët e mësuesit të tij Ahmet Osja, ishte mjaft popullor në këto ferma. vijon në faqen 2
Udhëtim studimor në Fermat e Qarkut Shkodër – modele të suksesshme të agrobiznesit në zonë vijon nga faqja 1
Përparim Laçi, sipërmarrës, ferma dhe “Hani i Përparim Laçit” në Pukë
Sipërmarrësi Përparim Laçi duke vizituar pemëtoren e fermerit Ahmet Sulejmani
Sipërmarrësi Përparim Laçi ishte një nga befasitë e udhëtimit studimor në ferma. Meqenëse jeton në Pukë, ai udhëtonte çdo ditë 55 km për t’iu bashkuar grupit të fermerëve dhe po aq për t’u kthyer në qytetin e tij. Për më tepër, Përparimi angazhoi në këtë tur edhe një pjesë të stafit të fermës dhe bujtinës së tij, duke i sjellë përditë me vete me qëllimin për të përfituar sa më shumë nga mundësitë që ofroheshin për sipërmarrësit. Çfarë ishte për ju ky udhëtim studimor në ferma, që u organizua nga #GO2Innovation? Ishte një tur i shkëlqyeshëm, sepse nëpër fermat e Qarkut tonë morëm shumë përvoja të reja që nuk i dinim, si dhe na zgjuan interesa bashkëpunimi, sidomos për prodhimet bio që ka zona jonë. A ka diçka konkrete që keni përfituar nga ky udhëtim? Po, ka marrëdhënie konkrete. Me perimet. Me frutat që kishte ferma në Shtoj. Këto marrëdhënie që duhet t’i vazhdojmë në të ardhmen, janë shumë të frytshme për zhvillimin e bizneseve tona. Pra përveç njohjeve personale, ju keni hyrë edhe në marrëdhënie biznesi me fermat që vizituam? Patjeter. Përveç njohjeve personale me fermerët që vizituam, të cilët unë i quaj krenari shqiptare, ne vendosëm edhe një marrëdhënie tregëtare për të bashkëpunuar me njëritjetrin. Sa prej fermave që vizituam gjatë këtij udhëtimi ju i njihnit më parë dhe sa ishin të reja për ju? Një pjesë prej tyre i kam njohur më parë, por disa ferma ishin të panjohura më parë dhe prandaj është shumë krenari dhe kënaqësi që i njoha, u bëra pjesë e miqësisë dhe e bashkëpunimit të tyre. A mendoni se udhëtime
të tilla jënë të nevojshme herë pas here dhe a mund të ndërmerren nga vetë sipërmarësit, pa qenë nevoja e një organizatori sikurse është #GO2Innovation në këtë rast? Në fakt duhet një shëkndijë që t’i grumbullojë njerëzit, sepse të gjithë kanë dëshirë për të vizituar fermat e të gjithë Qarkut dhe të të gjithë Shqipërisë e më tëj, por të paktën të Qarkut. Këto duhet të shtrihen edhe në Pukë, në Malësi të Madhe, e pse jo edhe në Qarqet fqinje, si Kukësi, Dibra e Lezha, sepse kemi çfarë mësojmë nga njëri-tjetri. Cili është mesazhi juaj për sipërmarrësit e rrjetit të #GO2Innovation, që për arsye të ndryshme nuk iu bashkuan vizitave në ferma? Ata që nuk erdhën, kanë humbur shumë, sepse vetëm me njohje dhe duke parë në terren atë që dikush tjetër ka bërë, mund të lindin ose çohen përpara idetë për të zhvilluar diçka të ngjashme në sipërmarrjet tona. Sepse nëse dikush dëshiron të realizojjë diçka dhe nuk gjen idetë e duhura, por këto ide i merr, apo “i kopjon”, le të themi te dikush tjetër, atëherë kjo është një rrugë e sprovuar për të zhvilluar më tej biznesin e tij. Për të pasur një biznes të suksesshëm, është shumë e rëndësishme që të dish se çfarë të rrethon, dmth, se ku janë homologët e tu, të cilët sidomos në sektorin tonë, për njëri-tjetrin janë në fakt kolegë dhe jo konkurrentë.
Për një pjesë të grupit, mjeshtria e rritjes së bletëve, teknikat e kultivimit apo përpunimit të disa bimëve dhe produkteve janë po aq të panjohura sa edhe vetë fermat, por jo për agronomin Gjeta. Sikurse thotë gjatë intervistës për gazetën VIJA, ndryshimet pozitive në këto ferma janë të ndjeshme. Prandaj është i drejtë konstatimi se nëse dikur udhëtime të tilla studimore bëheshin vetëm jashtë vendit, sepse në Shqipëri mungonin fermat e vërteta, sot ky model i fermave gjendet kudo, që nga Ultësira Perëndimore deri në Alpet Shqiptare. Njerëzit punëtorë si Jak Pacani, Is’hak Bajrami, Ahmet Sulejmani, por edhe të tjerë, të cilët agimi i gjen në fusha dhe muzgu në stallë, janë modeli që po lind në një vend ku shembujt e mirë nuk mungojnë, por duhen hulumtuar dhe promovuar. Ky ishte një nga qëllimet e këtij udhëtimi studimor: njohja me modele të reja dhe të suksesshme fermash, jo vetëm për të shkëmbyer përvojë dhe mundësuar marrëdhënie bashkëpunimi mes sipërmarrësve, por edhe për të stimuluar, sidomos te të rinjtë e zonave rurale, idetë dhe dëshirën për t’i hyrë rrugës së agrobiznesit. Në këtë mënyrë ata do të hapin vende të reja pune dhe do të gjenerojnë të ardhura më të mira për veten dhe familjet e tyre, duke siguruar vazhdimin e një tradite të përcjellë ndër breza dhe njëkohësisht duke nderuar kujtimin e një promotori të zhvillimit agrar në dekadat e fundit: agronomin Ahmet Osja.
Intervistë / Zef Gjeta: Fermat po bëhen lokomotiva të zhvillimit të zonave
Eksperti Zef Gjeta gjatë vizitës në parcelat me kiwi të fermerit Mujo Toka
Pas turit të vizitave në disa nga fermat e Qarkut Shkodër, gazeta VIJA bisedoi me Prof. As. Dr. Zef Gjeta, agronomin i cili dha ekspertizën e tij në rolin e konsulentit për fermat e agroturizmit, fillimisht në leksionet e mbajtura në Shkollën “Hamdi Bushati”, e më pas në 10 fermat që u vizituan. Në intervistën që vijon, Gjeta evidenton rëndësinë dhe funksionalitetin e këtij turi, për vizitorët - fermerët e rrjetit të sipërmarrjeve që po mbështeten nga #GO2Innovation, por edhe për fermërët pritës. Duke shprehur kënaqësinë për vizitat e studimore, që dikur bëheshin vetëm jashtë vendit, por që tani mund të realizohen në Qarkun Shkodër dhe kudo gjetkë nëpër Shqipëri, eksperti i njohur thekson nevojën e promovimit të arritjeve të këtyre fermave, sikurse ngre problemin konstant të ndihmës së munguar për fermerët, që nga dokumentacioni bazë i pronësisë së tokës, e deri te mbështetja financiare. Krahas punës teorike në zyrë, #GO2Innovation e zhvendosi konsulencën e agrobiznesit në terren, përmes një turi disaditor në 10 ferma të karaktereve të ndryshme në rajonin e Shkodrës. Si e vlerësoni këtë nismë? Kjo është një nismë mjaft interesante dhe e veçantë e cila u vlerësua edhe nga pjesëmarrësit. Mendoj se kombinimi i trajnimeve në sallë me vizitat në terren, ku pjesëmarrësit kanë kontakte direkte me fermerët e suksesshëm, ku ata shikojnë konkretisht arritjet e tyre, dhe ku mund të komunikojnë, të bëjnë pyetje e të lidhin kontaktet. Janë pikërisht këto kontakte që u shërbejnë atyre në aktivitetin e përditshëm, por edhe të krijojnë një lloj “rrjeti” në fushat përkatëse. Duke marrë parasysh këto të mira që vijnë nga kontaktet e konsulenca në terren, mund të thuhet se vërtetë ishte një zgjidhje pozitive dhe interesante. A mendoni se udhëtime të tilla studimore në terren janë më të dobishme për sipërmarrësit e përfshirë në një program trajnimi/konsulence? Në fillimet e punës në drejtim të ekonomisë së tregut, menjëherë pas përmbysjes së sistemit të kaluar, në mungesë të shembujve konkretë për t’u parë në vend, fermerët i dërgonim në vendet fqinje: Itali, Francë, Greqi, etj. Pra, kaq vlerësoheshin e çmoheshin (me të drejtë) vizitat studimore dhe trajnuese në fermë, saqë harxhoheshin shumë parà për këtë qëllim. Ndërsa tani, që i kemi shembujt në vendin tonë, është mirë që të shfrytëzohen mundësitë që këto udhëtime studimore të realizohen. Shumica e sipërmarrësve që iu bashkuan turit të vizitës në ferma janë vetë fermerë. Në vëzhgimin tuaj a përfituan ato nga këto vizita? Mendoj se të gjithë pjësëmarrësit përfituar, përfshi edhe veten time edhe ju si organizatorë. Por meqënëse fokusi ishte në vizitën në ferma, jam i mendimit se fermerët pjesëmarrës ishin pikërisht ata që përfituan më shumë. Çfarë përfitimesh mund të kenë sipërmarrjet nga ture të tilla studimore në terren? Fermerët pjesëmarrës panë e dëgjuan për zgjidhje të zgjuara apo praktike, për investime efikase që ata kishin realizuar, apo edhe për orientim të orientuar nga tregu. Nëpërmjet pyetjeve që pjesëmarrësit u bënë sipërmarrësve që ne vizituam, morën përgjigje edhe për dilema apo vështirësi që ata kishin ndeshur në punën e tyre. Por unë dëshiroj që t’i vendos theksin njohjes më mirë të aktorëve që janë në treg, si dhe shkëmbimit të kontakteve dhe eksperiencave. Fermë duket një fjalë e madhe, por në të vërtetë thuajse të gjitha fermat që vizituam janë biznese të vogla, ku sipërmarrësit punojnë vetë gjithë ditën. Përveçse në ekonomitë familjare, ku tjetër e shihni kontributin e këtyre fermave në
ekonomitë lokale dhe më gjerë? Një shoku im i fakultetit ka bërë studim të thelluar në lidhje me konceptin e fermës dhe ai ka arritur në konkluzion se fermë duhet të quhet ajo sipërmarrje në bujqësi që arrin të dalë në treg me së paku 50% të prodhimit të saj. Në këtë kuptim, fermat që vizituam, e meritojnë emrin fermë, apo edhe sipërmarrje biznesi. Në kushtet e fermave tona, përveçse menaxher, pronari duhet që të punojë edhe vetë direkt në fermë. Kjo është logjike, pasi këto biznese janë në hapat e tyre të parë dhe që të rriten, kërkohet punë e madhe. Fermat që vizituam, përveç kontributit për familjet e tyre, janë bërë “lokomotiva” të zhvillimit në zonat e tyre dhe më gjerë: baxhoja mbledh qumështin dhe nxit fermerët të shtojnë numrin e krerëve, kantinat grumbullojnë rrushin dhe nxisin rritjen e sipërfaqes dhe të cilësisë, prodhimi i fidanave nxit shtimin e sipërfaqes së mbjellë me bimë mjekësore, etj. Për ju si agronom dhe njeri i terrenit, shumica e fermave të vizituara gjatë këtij turi kanë qenë të njohura. Prandaj, pyetja është se në sa prej fermave konstatuat progres dhe në ç’drejtim? Për fatin e mirë, te të gjitha fermat që vizituam pashë ndryshime pozitive. Shkalla e përmirësimit të tyre ishte e ndryshme, por secila prej tyre kishte bërë një apo disa hapa progresi, duke: përmirësuar prodhimin, rritur rendimentin, përmirësuar paketimin dhe etiketimin, shtuar investimin, rritur numrin e të punësuarve, etj. Pra, tendenca e përmirësimit dukej dhe ky është drejtimi në të cilin ato duhet të ecin. Në situatën e pandemisë aktuale, cila është ndihma më e nevojshme që mund t’u jepet fermave që u vizituan gjatë këtij turi? Për ndihmën ndaj fermave dhe fermerëve flitet shumë, por në realitet ndihmesa është shumë larg nevojave. Ndaj si në kohë normale, e aq më shumë në këtë kohë pandemie, kërkohet të shtohet ndihma konkrete dhe direkte ndaj bujqësisë dhe fermerëve, por kërkohet edhe ndihmesë indirekte si: paisja e fermerëve me dokumentacionin e pronësisë, përmirësim i klimës së biznesit, përmirësim i infrastrukturës, kredi me interesa të favorshme etj. Si profesionist por edhe si konsumator, a mendoni se produktet e fermave që u vizituan gjatë këtij turi janë të aksesueshme në treg dhe sa konkurruese janë? Një pjesë e fermave e kishin të zgjidhur problemin e daljes në treg, ndërkohë që disa prej tyre kishin akoma probleme për të arritur deri te konsumatori. Prodhimet e fermave që vizituam ishin të cilësisë të pranueshme e deri shumë të mirë, por nuk janë akoma markë, nuk njihen sa dhe si duhet nga konsumatori, si dhe ka probleme të shumta në lidhje me zinxhirin e tregut. S. P.
1. Si e keni përjetuar turin e vizitave në ferma të organizuar nga #GO2Innovation? 2. Cilat janë gjërat më të prekshme/më konkrete që keni përfituar nga ky tur? 3. Me cilat nga fermat jeni njohur gjatë këtij turi dhe në çfarë forme mund të bashkëpunoni me ta në të ardhmen? 4. Cili është mesazhi juaj për sipërmarrësit e rrjetit të #GO2Innovation, që për arsye të ndryshme nuk iu bashkuan këtyre vizitave në ferma?
Altin Dycaj, sipërmarrës, ferma e dhive alpine “Algesi Natyral”, Ducaj, Shkrel, Malësi e Madhe
Pas udhëtimit studimor në fermat e Qarkut Shkodër, gazeta VIJA bisedoi edhe me disa prej fermerëve të rrjetit të sipërmarrjeve që po mbështeten nga #GO2Innovation. Ja si iu përgjigjën pyetjeve të mëposhtme dy prej tyre:
1. Turin e vizitave në ferma e kam përjetuar shumë mirë. Ishte një periudhë shumë e bukur, frymëzuese, dhe plot emocione. 2. Gjate këtyre vizitave kemi përfituar eksperienca dhe njohuri të mëdha në ferma që kanë arritur suksesin.
Hilmi Zeneli, sipërmarrës, ferma e perimeve “Natyral Zeneli”, Bahçallëk, Shkodër
Sipërmarrësi Hilmi Zeneli në fermën e tij të perimeve
1. Vizita në ferma ka qenë një ndër turet më të bukura qe kam përjetuar deri më tani. Këto lloj turesh janë mjaft të suksesshme, sepse kemi përfituar nga të gjitha gjërat që kemi parë, të tilla, si suksesi i biznesmenëve dhe punët inovative që kanë realizuar në fermat e tyre.
Duke qenë se në këto ferma prodhohen produkte të ndryshme dhe shumë të nevojshme për aktivitetin e restoranteve, supermarketeve dhe tregjeve ushqimore, do të ishte një ide e mirë po të bashkëpunonim për të furnizuar vazhdimisht pika të ndryshme në të gjithë vendin apo edhe më gjerë.
2. Përfitimet e këtij turi kanë qenë mjaft të gjera në fushën e biznesit. Duke vëzhguar nga afër punën e bizneseve të ndryshme mund të kuptosh më mirë proceset që ata realizojnë për prodhimin e produkteve të tyre. Mekanizmat dhe teknologjia që përdoren për proceset prodhuese janë nga më të ndryshmet dhe bizneset kanë prirjen që të avancojnë sa më shumë në këtë drejtim për t’i mbajtur produktet e tyre konkurruese në treg, sigurisht duke pasur parasysh edhe analizën kosto-përfitim. Gjatë turit patëm mundësi të njihemi edhe me forma të ndryshme të menaxhimit të bizneseve, çka është një element shumë i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin dhe suksesin e një sipërmarrjeje.
4. Nisma e këtij rrjeti sipërmarrësish për të mbështetur dhe promovuar bizneset e ndryshme është shumë e rëndësishme dhe gjithashtu e nevojshme për t’i ndihmuar ato të njihen më gjerësisht dhe të zhvillohen. Kjo nismë vlen që të vazhdohet dhe të përforcohet më tej duke rritur numrin e pjesëmarrësve. Në Shkodër ka shumë biznese që prodhojnë produkte cilësore por kanë nevojë për investim në mjedisin prodhues, kështu që mbështetja dhe ndihma financiare që mund t’u jepet, është shumë e rëndesishme për zhvillimin e këtyre bizneseve.
3. Gjatë këtij turi jemi njohur me ferma të ndryshme, ku mund të përmendim vizitat në vreshtat e Kantinës Kopliku, Mujo Toka, Jak Pacani, ullishten e Zadrimës, fermën Salvia Nord, në Park Bletësh, fermën e Ahmet Sulejmanit, në fabrikë përpunim peshku, gjithashtu dhe vizitat në fermat e perimeve.
Sipërmarrësi Altin Dycaj gjatë vizitës në një fermë
3. Gjatë turit jemi njohur me fermat: kantina e verës Ersi, Agroturizëm Shega, Fabrika e perpunimit te açuges”Mare Adriatik”, Salvia Nord, Ullishtet e Zadrimës, Hilmi Zeneli, Is’hak Bajrami, Ahmet Sulejmani, baxhoja Rapsodia Zadrimë, Mujo Toka, Jak Pacani etj. Gjatë këtyre vizitave gjeta një mundësi për të bashkpunuar në të ardhmen me Baxhon Rapsodia, për t’i dërguar qumështin e dhive, pasi tregu ka shumë kërkesë. 4. Sipërmarrësit që munguan kanë humbur një mundësi që s’duhet ta kishin humbur, pasi do të përfitonin eksperiencë dhe njohuri. Mesazhi im është për çdo sipërmarrës dhe për të rinjtë, që të mos i humbin mundësite që ju ofrohen nga GO2 apo çdo organizatë tjetër, sepse sa më shumë njerëz të rinj të njohim, aq më shumë njohuri do të marrim.
10 fermat e vizituara gjatë udhëtimit studimor nga #GO2Innovation
Ekspertët e angazhuara në #GO2Innovation Prof. As. Dr. Zef Gjeta është ekspert i bujqësisë dhe zhvillimit rural me mbi 25 vjet përvojë. Ai është angazhuar si Drejtues Ekipi, Ekspert Kombëtar, Konsulent dhe Trainer nga Banka Botërore, BE, FAO, IFAD, GIZ UN dhe USAID, përgjegjës për kryerjen e studimeve, projekteve kërkimore dhe programeve trajnuese mbi bujqësinë, përfshi: përmirësimin e kulturave; sistemet e ujitjes dhe infrastrukturës bujqësore; rritjen e kapacitetit të fermerëve për planifikimin financiar dhe hyrjen në treg; mbështetjen për marketing dhe zgjerim; si dhe kryerjen e studimeve të fizibilitetit për zhvillimin specifik të nën-sektorit bujqësor. Ai është gjithashtu lektor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe specialist për Menaxhimin e Burimeve Natyrore në Institutin për Kërkime Rurale.
Parku i Bletëve të Jak Pacanit Fshati Naraç Bashkia Vau i Dejës Telefon: +355682067637
Nje fermë përfaqësuese e zonës me prodhime të larmishme, por me një përqëndrim të aktivitetit në dy drejtime kryesore: Bletari dhe Vreshtë. E nisur me 3 familje bletësh, sot ky Park ka 50 koshere dhe prodhon deri rreth 1200-2300 kg mjaltë në vit. Jak Pacani është agronom dhe aktivitetin e kultivimit të vreshtarisë e ka filluar qysh herët, ndërsa prej vitesh, ai nxjer në treg 24 mijë shishe verë nga 4 varietete rrushi të mbjellë në 5 hektarë.
Ferma e Ahmet Sulejmanit Fshati Obot, Oblikë, Bashkia Shkodër Telefon: +355673702456
Vetëm 200 m nga rruga nacionale Shkodër – Muriqan, në fshatin Obot gjendet ferma familjare e Ahmet Sulejmanit. Në këtë fermë që i ka dhënë emrin edhe strukturës akomoduese, dominon shega (si frut i freksët dhe i përpunuar në formë lëngu), e më pas mandarinat, por edhe perimet e stinës dhe frutat tradicionale. Ferma ka 200 rrënjë shegë me prodhimtari vjetore nga 10-40 kg për copë, nga i cili prodhohet vetëm rreth 150 litra lëng, ndërsa pjesa tjetër tregëtohet i freskët.
Ferma e Hilmi Zenelit Lagja Bahçallëk, Bashkia Shkodër Telefon: +355693721220
Fermeri Hilmi Zeneli është ndër të parët që ka kultivuar rukolën në Qarkun Shkodër. Ai ka dyfishuar sipërfaqen e serës për të siguruar prodhimin tre herë në vit të kësaj perimeje tepër të kërkuar nga tregu, por edhe të domateve të vogla si qershi dhe si kumbulla, majdanoz, disa lloje sallatash etj. Ky biznes familjar shtrihet në gati 2 hektarë, rreth gjysma e të cilës është me sera.
Ferma e Is’hak Bajramit Vukatanë, Guri i Zi, Bashkia Shkodër Telefon: +355672935771
Ndër fermat më të hershme në Vukatanë për prodhimin e perimeve. Si biznes familjar, kjo fermë ka nisur me kultivimin e disa lloje perimesh, por kërkesa e tregue ka bërë që Is’hak Bajrami të përqendrohet sidomos te sallata e gjelbër, bimë me të cilën mbillet gjatë gjithë vitit rreth 3500 m2 serë. Ndërsa shumica e 1500 m2 tokë është mbjellë me një shkurre të Amerikës Veriore, të natyralizuar në Europë, frutat e vogla të së cilës përmbajnë antioksidantë më shumë se asnjë bimë tjetër në planet. Është aronia.
Ferma e Mujo Tokës Fshati Shtoj i Vjetër, Njësia vendore Rrethina, Bashkia Shkodër Telefon: +355697481665
Ndër prodhuesit më të madh të kivit në zonën e Shkodrës, ferma 3.5 hektarëshe e Mujo Tokës është një biznes familjar që kultivon edhe luleshtrydhe, lajti, qershi etj. Prodhimi vjetor i lyleshtrydheve (brenda serës prej rreth 1.2 dynym) është 2.5 ton, ndërsa kivi prodhohen mbi 4 ton. Rezultate të tilla e kanë bërë këtë fermë model që po ndiqet edhe nga banorët e tjerë të fshatit Shtoj i Vjetër në Rrethinat e Shkodrës.
10 fermat e vizituara gjatë udhëtimit studimor nga #GO2Innovation
Vreshta e Shaqir Hysës Koplik, Bashkia Malësia e Madhe Telefon: +355673417354 Rrushi i mbledhur nga 6 hektarët me vreshta të familjes Hysa në Koplik është lënda e parë për prodhimin e rreth 20.000 shisheve verë në vit. 3 llojet e verës së prodhuar nga kjo vreshtë ku dominon varieteti vendas Kallmet, tregëtohen në restorante dhe markete. Megjithatë për të rritur cilësinë e verës, pronarët po mendojnë ta zëvendësojnë një lloj rrushi italian me varietete tjera të vendit.
Fabrika e Përpunimit të Peshkut “Mare Adriatik” Fshati Shelqet, Bashkia Vau i Dejës Telefon: +355693737312 Një nga sipërmarrjet që ka angazhuar më shumë fuqi punëtore në bashkinë rurale të Vau Dejësit është fabrika e përpunimit të açuges në Shelqet. 200 punëtorë kryejnë përditë procese të shumta për përpunimin e këtij peshku që vjen nga vende të largëta si Peruja e Argjentina. Edhe prodhimi final, i ambalazhuar në enë qelqi të madhësive të ndryshme, është i destinuar për tregjet e huaja, kryesisht europiane.
Ferma Salvia Nord Koplik i Sipërm, Bashkia Malësia e Madhe Telefon: +355674318313 Ndër pionieret e kultivimit të sherebelës dhe bimëve aromatike mjekësore në Malësinë e Madhe, ferma ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 hektarësh, 7 ha nga të cilët mbillen sherebelë për përpunim, 1 ha lavandë dhe 1 ha makth (helicrisium) dhe 1 ha shërben për prodhimin e fidanëve të sherebelës autoktone. Modeli i fermerit Agim Ramaj është përqafuar aq shumë nga fermerët, sa sot në Malësinë e Madhe kultivohen 3500 hektarë me sherebelë dhe rreth 600 hektarë me bimë të tjera aromatike.
Baxho “Rapsodia” Fshati Krajën, Blinisht, Bashkia Lezhë Telefon: +355682947771 Një baxho modeste prej 300 m2, e nisur rreth 10 vjet më parë, por që ka ardhur duke u rritur gradualisht, duke shtuar njëkohësisht edhe gamën e produkteve. Aktulisht kjo bazho mbledh prodhimin ditor të qumështit tërreth 200 familjeve të zonës së Zadrimës. Planet e pronarëve janë për shtimin e hapësirave dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese, që tani është rreth 4 ton qumësht në ditë.
Ullishte në Zadrimë Fshati Krajën, Njësia Vendore Blinisht, Bashkia Lezhë Në vendin ku më 1999 u pritën dhe u strehuan rreth 1000 refugjatë shqiptarë nga Kosova, janë mbjellë rreth 300 rrënjë ullinj të llojeve Kalinjot, Frantojo, Lulcin dhe i Bardhi i Shkodrës. Ullinjtë e mbledhur nga kjo ullishte, por edhe nga rreth 100 familje të tjera të Zadrimës, përpunohen me kapacitet 5kv/orë, në pikën më të afërt të prodhimit të vajit.
Nr. 23, Gusht 2020
realizuar nga Resurset në Zhvillim RiD
Resurset në Zhvillim RiD