1
„Home” – dosja e një romani Më 7 nëntor 2015, në Pallatin e Kongreseve, Akademia Kult ndau Çmimet e përvitshme, për të 11-tin vit me radhë. Shkrimtari i vitit u zgjodh Ardian-Christian Kyçyku me romanin „Home”, botuar nga sh. b. PA e Prishtinës. Shkruar shqip në Bukuresht në vitin 2005 dhe botuar në Prishtinë në vitin 2014, përmes fatit të një mërgimtari shqiptar, „Home” flet për shumë nga dhembjet dhe lartimet e mërgimit, si shndërrim vetjak, apo i bashkësish të tëra. Titulli lidhet me nofkën e protagonistit, Home Çkena, por kujton tërthorazi edhe shtëpinë, vendlindjen, qënien, gjuhën. Cilësuar nga autori si ‚roman i një brezi që s’ka ku të kthehet, por ka kur të kthehet’, „Home” është përftuar e zbërthyer nga shumë këndvështrime. “Kisha lexuar më parë romanin ‘Sy’ dhe lexova edhe romanin ‘Home’, atë udhëtim të dhimbshëm të pluhurit teksa ngjizet për t’u ribërë njeri, shtëpi, komb, një tekst i fortë që do dy palë dhëmbë, në shpirt e në mendje, për t’u bluar imët, fino, dhe kjo ndodh rrallë, aq rrallë, dhe vetëm në rastin kur letërsia bëhet mitër e jetës që ndodh pas saj”, - shprehet shkrimtari dhe botuesi Arian Leka. „Home” nis me të dhënat rreth një ankete të dyfishtë, në realitet dhe në letërsi, dhe që sqarohet në mënyrë të shkallëzuar. „Pas hulumtimeve të hollësishme, - shënon Kyçyku, - doli në pah se nuk qe fjala për një vegim, po për një truall ku vrasësit as që e ndjenin se po vrasin, kurse ata që vriteshin s'kishin si t'ia merrnin për ters ndokujt. Në thellësitë ku s’arrin përkthimi, shumica dërrmuese e tyre patën besuar, ose shpresuar, se një kohë e mbrapshtë përthith e tret të gjitha vuajtjet, zhgënjimet dhe llahtarat e mundshme, duke lënë pas vetes vetëm paqe dhe jo rrallë lumturi. Mirëpo koha e mbrapshtë që iu ra të përballnin pat thithur njëherazi me llahtarat, zhgënjimet, vuajtjet etj edhe copëza paqeje, 2
lumturie, ëndrrash fëminore, domethënë jetë. Prandaj para e pas tyre hapej e babëzitur goja e vetë Hiçit. Po shtojmë se mungesa e një pikëze dashurie falas, jo më e madhe, por as më e vogël se një pikë loti, i shtynte ta ngatërronin Hiçin me vetë Zotin. Të gjitha hollësitë e kësaj jete mbështeten mbi një libër të vërtetë”. („Home”, Nga Anketa që pason). „Home Çkena është një nga Ne, - shkruan prozatori dhe poeti i shquar Hiqmet Meçaj në një ese të posaçme. Ka pak nga të gjithë Ne. Kështu pohojnë aty nga fundi i romanit gjithë ata Ne. Home Çkena të bën për të qeshur deri sa të mos vdesësh dhe të pikëllon derisa të mos mbytesh në pikëllim. Home Çkena ka ikur nga atdheu dhe mundohet ta rikrijojë atdheun e tij atje larg. E krijon si rikujtim, si një kullë me frëngji, që të mbrohet, se Home nuk mund të rrojë dot pa kullë dhe pa u mbyllur në të. Është thelbi i qenies së tij mbrojtja nga hasmët dhe, kur nuk ka hasmër, duhet t'i rikrijojë ata, ndryshe s'ka se si të jetë nga një atdhe i kullave me frëngji pa patur hasmër. (…) Në një anketë të zhvilluar me nobelistë dhe personalitete letrarë nga e gjithë bota, u vlerësua si romani më i mirë i të gjitha kohëve Don Kishoti i Mançës. Kjo figurë është krijuar si rikujtim dhe ngjarjet brenda tij të duken aq të pavërteta sa të habisin. (…) Don Kishoti shkund pluhurin e kujtesës popullore dhe të librave, i krijon të gjitha si rikujtim. Home Çkena i Kyçykut nuk del vetëm nga kujtesa popullore dhe librat, ai jeton në një cep të Ballkanit, udhëton me kullën e vet në shpirt nëpër botë, banon në shpirtrat e të gjithëve Ne”. „I vogël për nga vëllimi, (...) por i madh, jashtëzakonisht i madh në vlerë artistike, - shënon shkrimtari i njohur Bajram Sefaj, - do të shtonim pa hezitim, është romani më i ri “Home” i shkrimtarit të shquar shqiptar Ardian-Christian Kyçykut (...) Për moshën e re që ka (...) prapë, pa fije hezitimi, mund të thuhet se ky autor me origjinë nga Pogradeci, që tani e sa vjet jeton dhe krijon në Rumani, si të thuhet pogradecari u bë bukureshtar, është më i frytshmi autor i letrave shqipe në qindvjetshin e fundit! (...) Në qendër të vëmendjes së romanit të tij më të ri është personazhi me emrin Home Çkena. Siç është edhe romani vetë, edhe 3
kryepersonazhi, - me të gjithë ata që e rrethojnë, - është misterioz dhe si i pakapshëm lehtë. Ndonëse në shikim të parë diçka më konkretë janë Suzi, Endrita - gruaja që iu vu emri “Martina”, një kullë, një tjetër kullë, një martinë…, romani “Home” është plot shtigje dhe kanale të errëta me mugëtirë misterioziteti brenda tyre. Gjithnjë është i pranishëm mërgimi, në tërë dimensionet flakëruese të tij, po aq sa është edhe Shqipëria„. “Problemi i emigracionit nuk është i ri në letërsinë tonë, - shkruan poeti dhe studjuesi Anton Çefa. E reja në romanin e Kyçykut sendërtohet në zbulimin e ‘anës tjetër të pasqyrës’, në një këndvështrim krejt të ri të këtij problemi, në absurdin e mërgimit që njëmendëson shkëputjen e të gjitha lidhjeve me atdheun dhe humbjen e vetë atdheut, çka e mundon protagonistin e romanit dhe gjithë grupin e mërgimtarëve”. Gazetarja Dhurata Hamzai e këqyr romanin nga një kënd tjetër. “E pashë të udhës se nuk duhet lënë në heshtje kaq të gjatë një personazh me shpirt i letërsisë së re shqipe, që është Home Çkena, e aq më pak romani “Home” që e mbart atë, një roman i përkthyer në mijëra vibracione stilistike, dhe ti lexon në të shpirtin e një shqiptari që endet nëpër mërgatën e tij. Një mërgatë e çuditshme, rezonancë qindravjeçare që, në vend ta pakësojë këtë vend të vogël, s’dihet se si e zmadhon, aq sa një kullë, një shtëpi, një njeri të pushtojë në mënyrë imagjinare hapësirën e tërë një kombi. Home Çkena është i tillë, për të përfaqësuar zhgënjimin e gjithë mërgatave të reja e të vjetra. Home, ky mërgimtar me vrullin e pandalshëm të Ballkanit, i gatuar prej vrerit, ngazëllimit dhe aventurës, është po aq një shpikje estetike në letërsinë e re shqipe e më gjerë. (...) Homen të duket sikur e ke njohur, diku të mbledhur grusht në ëndrrat njerëzore, në thellësitë më të fshehta të shpirtit, në thellinat e nënvetëdijës, të duket sikur e ke mbledhur pjesë-pjesë në ata njerëz tragjikë e të mirë njëherësh, e pasi largohet imazhi i tij letrar ende ai krijon tek ty një marrëdhënie familjare, një gjendje dhimbsurie, një tëhuajtje dlirësie që po bjerohet pa pushim në brendinë njerëzore të postmodernit. (...) Ndaj duhet ta njohim Home personazhin. Se ai 4
është një pesonazh i atij xhinsi siç është personazh Don Kishoti i Servantesit, siç është pesonazhi Jozef K. i Kafkës. Madje Home Çkena është edhe më i çuditshëm, se i ngjet herë Don Kishotit e herë Jozef K-së. Madje Home Çkena është heroi postmodern i kohëve moderne. I ndarë mes dy botëve, asaj shqiptare dhe metropolit europian, ky përngjasim mes të dy personazheve është i përligjur; kur Home jeton me Shqipërinë në zemër, ngjan si Don Kishot, më shpesh si Don Kishot; kur jeton mes mistereve të Europës, ngjan si Jozef K., më i përndritur se Jozef K. (...) Home personazhin, nga koha në kohë, kritika do ta dojë më tepër, do ta kërkojë, sa herë të ketë nevojë për ushqim, se ku do t’i mbështesë ajo parimet dhe kriteret e veta argumentuese?! Home i gjithi është një argument i madh letrar estetik e eseistik! Ndaj duhet lexuar Home-personazhi, se është kaq i çuditshëm e i stilizuar, këtë herë me një talent absolut e frymëzim spontan të autorit. Home është një personazh dashurie, që në ngjizjen e tij të habit edhe për faktin se si një shqiptar i Jugut e dashuron aq tepër dhe e ndjen aq thellë një shqiptar të Veriut, saqë e ngre në piedestalin e veprave të tij letrare. (...) Metafizika përshkrimore këtu sjell një stil dhe figuracion të përsosur letrar, një vibrim nëntekstual që ta bën dhimbjen edhe më të trishtë për vdekjen e heroit Home Çkena, personazhit Home Çkena, që mbart gjithë barrën e mërgimit. Home personazhi, ky Don Kishot i arratisur dhe ky Jozef K. i trishtë i Ballkanit tashmë do të jetë i gdhendur në qiejt universalë të letërsisë”. “Anketën” e romanit e hap poezia e titulluar “Sh/krim” (një metaforë mbi mënyrat se si shkrimi shmang, apo shpërbën krimin): „Na e drodhi jeta në këtë vjeshtë të vonë / Shkoqitim fjalë e ngjyra si tespije / Ia ngremë çmimin egër kokës sonë / Që myket porsi bombë, kot, në hije. // Na vanë ditët e përkora në asgjë / Mahnitemi mos vallë u lindëm sot / Ç’ish mrekulli në ëndrra u shpërbë / Ç’ish ëndërr u bë fjalë e fjala – lot. // Dhe qan e qahet vjeshta përmbi ne / Dhe qeshim ne nën vjeshtë me vetveten / Për hiç u shit ai që bënte bé / Se lotët 5
mund të vriten, por nuk treten. // Na e drodhi vjeshta në këtë jetë të vonë / Më s’dimë ku jemi, ç’jemi apo s’jemi / Trutharët dhe memecët thonë e shthonë / Kujtesën, ëndrrat, mrekullitë ne i kemi! // Ç’vegim a copëz qiell në shpirt m’u thye / Ndër ngjyra e fytyra e fatthëna / Dhe mbeta – pyetje në ca udhë pa krye / Më falte njerka e më vriste Nëna… “ “I ftohtë në kufijtë e absurdit, por çuditërisht edhe me shumë dashuri në kufijtë e së pamundurës, Kyçyku ka mundur t’i japë “pasaportë personazhi” një njeriu të zakonshëm, gati të papërfillshëm në axhendat e mendimit, - shkruan studjuesi Agim Baçi. Madje, duke e rindërtuar pas vdekjes në emër të një vdekjeje të paralajmëruar, si gjakmarrja. Por ja që Home Çkena mbart jo vetëm pikëpyetjet e veta, por edhe është një pasqyrë e pikëpyetjeve të botës përreth, sidomos të atyre që vijnë “nga gjaku i njëjtë”, siç shihen bashkatdhetarët nga njëri-tjetri. Nëse ikim diku, a mundemi të mos kemi pjesë nga ajo ku kemi qenë më parë. Thuajse çdo emigrant do të përgjigjej: kurrsesi. Edhe pse mund ta dijë se atje, në vendlindje, askush mund të mos pyesë. Sepse udhëtar-shtegtari është gjithnjë një Odise, që mban mend gjithçka përmes mallit, madje edhe përmes zmadhimit të asaj që dikur mund të ketë qenë kotësi. Ndërkohë që për to dikush mund të kujtohet përmes detajeve e pa kurrfarë malli”. “E hante për herë të parë krejt i vetëm atë zemër. Dhe fyti i qe tharë si tokë djerrë, dhe do të kish pirë gjak nga gjaku i vet, po të mos qe shpikur fërneti. Kish dalë kulle marrakëmbthi, duke dihatur i përlotur nga pesha e vet, - e cila sikur i qe trefishuar, ngaqë e kish thithur të gjithë shpirtin nga Tirana, ku Suzi këndellej klubeve me një dashnor të ri, - dhe qe ulur në një mejhane buzë portit, e nuk qe ngritur veçse pas shishes së dytë. Ishte krejt axhami, i panjollë, në botën e madhërishme dhe shkatërrimtare të pijes, prandaj edhe vetëm atëbotë pat mësuar ç’lloj dehjeje kishte. Nuk e gjetëm duke qarë, duke puthur pijetarë e pijetare të tjera, nuk e gjetëm duke mbajtur fjalime, duke 6
kënduar, sharë politikanë e jetë muti, apo duke bërë sherr në përgjithësi, me ajrin plot kripë e jod të huaj. E gjetëm me atë kokën e madhe mbështetur mbi grushtet prej muratori të lindur, symbyllur, tek përsëriste dy fjali, thelbin e të cilave e morëm vesh muaj më vonë, pasi e vetmuam (vetmohuam?) në skërkën tonë. - Urdhëroni çelësin e kullës, të dashurit e mi, - thoshte, dhe: “Kulla është plot me libra”. Pastaj na kish buzëqeshur, na kish përkëdhelur flokët, kish mbështetur atë kokën e madhe herë në gjoksin e njërit e herë në supin e tjetrit, dhe qe përmbysur nën tryezë për të nxjerrë shumë më tepër vrer nga sa bart një njeri i rëndomtë. Ishte vreri i mbledhur brenda njeriut që s’ka mundur ta nisë pijen në kohën e duhur, ose, siç ngulmoi njëri prej nesh: vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej. Nuk qe ngutur të na rrëfente lajmet e Suzit. E kish mbledhur veten mjaft shpejt pas të vjellave, kish bërë vetë pastrim nën tryezë, pastaj kishim dalë të gjithë në breg të detit, para një dielli që ulej mbi horizont si ndonjë saç i portokalltë, me prush nga ai i fëminive tona, duke zhgarravitur ëmbël hijet e anijeve dhe të zogjve të vonuar, dhe Home Çkena kish nisur një nga ata fjalimet e veta të paharrueshme. Nuk qe hera e parë që mahniteshim, flatronim në qiej të mrekullueshëm, por edhe mjeroheshim, nga gjuha e Home Çkenës. S’mund ta shpjegonim atë përzjerje heshtjesh ardhur nga kreshtat e Alpeve, me heshtje fushash, dallgëzime qeshjesh bregdetare, tingujsh Tirane, shartimesh të së folmes popullore me gjethëza filozofie të kulluar. E dinim që pat lexuar shumë, sidomos kur pat zbritur në Tiranë, kur moshatarët e mbanin larg, duke e damkosur «malok» dhe kur, që të mos vriste veten, hidhte rrënjë plot currila gjaku të padukshëm në qoshen e kuzhinës varfanjake dhe lexonte ç’të gjente, pa pushim, si në jerm, duke iu kursyer ndjeshëm prindërve ushqim e sidomos këpucë. «Nganjëherë jeta të godet si ndonjë sëpatë, na tha. Ballit, ose në zverk. Si t’ia bësh me kokën fërtele, ose pa kokë fare?! E merr kokën nën sqetull dhe e nxjerr shëtitje buzë detit… Apo 7
jo? Që të çlodhet, të kuptojë se asgjë s’marrim me vete në botën tjetër, me përjashtim, ndofta, të këtyre bukurive. E kur trupin tonë s’e marrim dot me vete, si mund të shpresojmë të marrim edhe njerëzit e dashur?! Kushedi… Mbase është më mirë që t’i humbim para kohe…”. (Pjesë nga romani) Shkrimtari dhe doktori i shkencave Riat Ajazaj shprehet: “Mrekullia e ketij romani ndjehet para së gjithash gjatë leximit të tij. Pastaj, si çdo takim i rrallë me mrekullinë, ajo ndjehet edhe më tej, mbetet poashtu gjatë në kujtesë. Por për të folur për këtë mrekulli nuk është e lehtë. (…) Një prej fillesave të mrekullisë së këtij romani të veçantë në letrat shqipe është qasja e letërsisë si lojë, një lojë e mahnitshme kuptimesh e simbolesh, që jepet me një mënyrë rrëfimi sa klasike, po aq edhe postmoderne, sa realiste po aq edhe fantastike. Në këtë qasje prej loje konstruktohet historia e një emigranti prej një ngjarjeje në tjetrën, për ta dekonstruktuar atë menjëherë pas kësaj, duke i dhënë asaj një përmasë të pashembullt kolektive dhe duke e shëndërruar atë në një prototip të emigrantit shqiptar postdiktatorial”. (…) Një element tjetër përbërës i mrekullisë së këtij romani është gjuha e simboleve. Ajo i shërben plotësimit të plot-it, por edhe shtytjes për reflektime dhe mendime më abstrakte nga ana e lexuesit. Ajo është si një përmbledhje stacionesh metafizike nëpër të cilat kalon fatum-i i emigrantit, përmbledh ngritjet dhe rënjet qoftë fizike, qoftë shpirtërore të tij”. “Disa ditë pas kësaj béje (që rëndonte më fort se beja n’gur), ai që mori nofkën Shefi i Dheut rrezikonte të binte në një grackë të policisë. Iu përgjërua Home Çkenës që ta fshihte në kullë bashkë me dy thasë me dhé për vazo lulesh. U habitëm. U detyrua të na e rrëfente tregtinë që pat vënë në vijë dhe s’na mbeti veçse të mahniteshim me xhevahiret që shpërthenin heraherës në trurin e shqipove. Ideja i pat ardhur me rastin e 8 Marsit, e vetmja ditë kur pat shquar rrugëve të metropolit më shumë lule e gra, se sa qenër, mace, derrkucë race, gjarpërinj lidhur për qafe etj. Vendasit ishin të lektisur pas kafshëve. Shefi i Dheut qe shtangur nga 8
aq lule, nga aq ngjyra, dhe shkëndritja e tyre e vakët i qe dukur si një kopje qaramane e vezullimeve tona. Kish pikasur nja dy grupe të moshuarish dhe u kish premtuar t’u tregonte një koleksion trëndafilësh si të Parajsës. Me shpejtësi rrufeje kish blerë disa tufa trëndafilësh të vakur, i kish lyer me të kuqe nga ajo që përdorej nëpër filma dhe ua kish paraqitur. Ca nga plakja e vështrimit e ca nga etja për të pasur qoftë edhe një petale të ndryshme nga të tjerët, pleqtë kishin mbledhur një shumë dollarësh dhe e kishin parapaguar të kuqen shqiptare. Shefi i Dheut nuk qe ndalur vetëm tek e kuqja. Kish filluar t’u shiste edhe thasë me tokë të bekuar, e pastaj të zhdukej me të hollat. Home Çkena, si puna e burrit që merr vesh i fundit bishtdredhjen e së shoqes, nuk dinte asgjë për këto lojna. E pranoi Shefin e Dheut në Kullë dhe, pas dy netësh, e mori mënjanë në tavernë dhe i tha: - Mos luaj me punët e tokës, se nuk jemi nëpër libra. E mos gënje, se gënjeshtra sjell vdekje. Mbrëmë mora rastësisht nja dy thërrime nga dheu i thasëve. Unë kam ngrënë dhé Shqipnie, kupton! Ndale këtë punë sa s’është vonë, se do të të prishë mallkimi i luleve dhe i gjakut. Shefi i Dheut kish ndjerë ca si pickime ndërgjegjeje. - Të betohem, Home, - qe gjegjur, - tash kam pare ta sjell dheun drejt-e nga Shqipnia! Si thua? Home Çkena ia kish prerë mendueshëm: - Ç’të them?! Kur nxjerr një lopatë dhé nga diku, ke filluar të hapësh një gropë… Mendo sikur të jetë gropa jote. Ose e imja…”(Pjesë nga romani) “Humori dhe ironia janë mjete tejet të rëndësishme stilistike në prozën e Kyçykut, - vijon Dr. Riat Ajazaj. Edhe këtu tonet e errëta dhe melankolike, që zakonisht karakterizojnë prozën e tij, përzihen me një humor herë të zi e herë të bardhë dhe krijojnë një klimë shumë tërheqëse leximi. (…) Në faqen e brendshme të kopertinës është dhënë edhe njoftimi se fotografia në ballinë eshtë fotografia e vetë autorit, e bërë në Pogradec në vitin 1972, kur ai ka qenë në moshën tre vjeçare. Poashtu edhe në fund të librit 9
është dhënë pas emrit të autorit: Home, pranverë 2005. Dhe si ta kuptojmë këtë afrim të jashtëm të autorit, qoftë me sajimin e këtillë të emrit të protagonistit dhe të jetës së tij, qoftë me të folmen tiranase dhe të vendlindjes së tij përgjithësisht? Si bisedë mes emigrantësh, si bisedë mes tyre dhe atdheut, si dhimbje për atë degradim të tillë shoqëror, si simpati për vlera të mirfillta shoqërore, si akuzë? (...) Me këtë gjetje gjeniale autori sikur ua bën një pyetje të gjithë lexuesve të tij, të tashmëve dhe të ardhmëve: “Ho me, ç’kena?” Një pyetje që sikur na çon tek sa shumë pyetje të tjera ekzistenciale, ne, gjithmonë në frymën e romanit pra, si individë dhe si kolektivitet. Dhe ato do të mund të ishin: “Ho me, e mbijetuat diktaturën?”, “Ho me, e ruajtët trupin të padëmtuar? Po shpirtin?” “Ho me, i hapët më në fund sytë, pasi e patë botën me sy? U bëtë më njerëzorë, më kafshërorë, më të dashur me njëri-tjetrin, më të butë…?!” Të gjitha këto pyetje ngacmohen nga mrekullia e romanit në fjalë dhe që e bën atë unikat, megjithatë pak më ndryshe se te grekët e vjetër, pak më ndryshe se te Toni Morrison, pak më ndryshe se te García Márquez. Krejt si në artin e mrekullueshëm të Ardian-Christian Kyçykut!”. Pas vdekjes së çuditshme të Home Çkenës, miqtë dhe bashkëvuajtësit e tij nisen ta kërkojnë, sepse nuk u vinte të bësonin që ai pat gjalluar vërtet mes tyre. “Atëhere trembëdhjetë prej nesh morën Çelësin dhe vajtën në lagjen ku Home Çkena pat kaluar ditët e mbrame të atdheut dhe përshkuan rrugicën plot hurma, limonë e portokallë, rrugicën ku dikur pat qenë edhe shtëpia e Suzit, dhe gjetën pallatin dhe gjetën katin dhe gjetën derën tashmë të blinduar të apartamentit. Dhe i ranë ziles dhe u hoqën sikur s’vunë re se nga syri magjik i mati dhe i peshoi jo pa habi një sy që dukej mjaft i njohur, mirpo s’pat qenë veçse syri i një shqiptari të zakonshëm, i cili hapi derën, i ftoi brenda për një kafe dhe filloi të lëvdonte tullat, pllakat majolike dhe tjegullat që shiste firma ku patën bujtur. Patjetër që ngrinin edhe varre. Në radhë të parë varre. Varre që ta kish lezet shpirti të banoje në ta. 10
- Home Çkena?! - u çmerit ai. Po pse, emër është ky, mor çuna?! Po talleni, më duket?! Dhe ata zbritën shkallët pa u tallur aspak, dhe përfytyruan se si shumë vite më parë, djaloshi pa emër i bjeshkëve pat zbritur në fushën e leskruar para pallatit, ku fëmijët e tjerë kullosnin gjelat e pulat e detit, po afroheshin festat e Vitit të Ri, ishte një mbrëmje e freskët, e thatë, me ngjyra që dukeshin dy herë më të dhimbsura e njëfarësoj të dashuruara me ty, djaloshi kish zbritur të ndante me ta një grusht fjalësh, - aq, sa lokja, sa baca, - një grusht fjalësh që sapo i kish mësuar, përndryshe tmerrohej se mos i mykej gjuha në gojë e zemra në lug të gjoksit. E që të dukej sa më pak i huaj, sa më pak i lëndueshëm, me atë zërin e rrallë, lindur për këngë të gjata kreshnikësh, pat përshëndetur: - Home, ç’kena? Dhe ia kishin krisur të gjithë të qeshurës, fëmijë, gjela, pula deti, plisa toke e fije bari të tharë, e yje dimri tiranas, ishin shkulur së qeshuri, jo me keqdashje, jo me epërsi, ishin shkulur së qeshuri duke parandjerë atë aq gazmend e dëshirë për jetë që ish ndryrë si plumb martine në kraharorin e të paemrit, duke shijuar atë drithërim të tij të përsosur, dhe kish qeshur edhe ai bashkë me ta, me lotë e me pak qurra të pavullnetshme, dhe kish qarë pastaj i vetëm, kërrusur në të vetmin cep që gjeti lirë në dhomë, kish qarë vetëm me veten, duke kuptuar se pat zbritur të ndante me ta një grusht fjalësh të sapomësuara, foshnjarake, dhe qe kthyer në vetminë e vet pa ato fjalë, por me një emër”. (Pjesë nga romani) “Personazhe si Home Çkena, (romani “Home”), të befasojnë, të rrëmbejnë në universin e tyre sa tragjik aq komik, duke të bërë të shikosh një pjesë të vetvetes, primtivizmin dhe trimërinë, intelegjencien e porsazgjuar dhe hutimin në metropolin e Shqipërisë e në metropolet në planet, - shkruan studjuesi dhe poeti Novruz Xh. Shehu. Tek Home (...) shihet njeriu i zbritur nga malësia, i rënë në kontakt me qytetërimin. Ai-Ne ka një kështjellë e një armë në shtatin e tij. (...) Ai është një shpat i shkëputur nga 11
majat e Alpeve, rrëshqet ndoshta si një copë akulli drejt ngrohjes globale, pranë qyteteve nëpër botë, i bindur në kullën, dashurinë, vetveten dhe emrin real të asimiluar diku”.
Botuesja Feride E. Berisha shprehet: „Duke soditur nëpër këtë Arkë të Noes (Arche Noah) të fjalëve shqipe, erdha në fund të librit dhe kisha më shumë të panjohura, sesa kur e fillova ta lexoja. Isha humbur në gjuhën e bukur dhe e kisha harruar përmbajtjen. Në mendje më kishte mbetur vetëm një përmbajtje e mjegulluar se fjala ishte për një histori mërgimi, së cilës nuk i nevojitet as vendngjarja e as kufizimi kohor. (...) Kuptimi i titullit të këtij romani mund të lakohet në shumë mënyra. Si çdo gjë që 12
shumëzohet me shumëçka, edhe titulli. Njëri nga kuptimet mund të ishte: Home Çkena është emri që ia dhanë fëmijët e kryeqytetit një djaloshi të zbritur nga fshati, sepse ai si përshëndetje u thoshte “Ho me, ç’kena”, për të cilën fjali fëmijët e përqeshnin dhe edhe ia vënë nofkën Home Çkena. Por ky do të ishte një shpjegim shumë i cekët i një libri kaq të thellë për nga domethënia. Në këtë titull ka më shumë, se sa vetëm ky shpjegim. Edhe në kopertinën e vetë librit, shihet në shkronjën O një djalosh me një plis. Kjo mund të jetë fotografia e një djaloshi në moshën e Home Ç’kenës kur ka zbritur me prindërit e tij nga fshati në qytet. Home mund të jetë shtëpia e njeriut, të cilën ai ose e ndërton fizikisht, apo tërë jetën e tij e dëshiron. Home mund të ketë domethënien e labirintit në vetvete, që çdo njeri e kalon gjatë jetë së tij. E labirinti i Home Çkenës ka shumë dalje të rrejshme dhe shumëkatëshe. Nëse shkruhet për një roman, së pari flitet për personazhet, por edhe kjo është e vështirë të përcaktohet në këtë roman. Cilët janë e cilët s’janë ata? Sa janë e sa s’janë? Autori i tejkalon të gjitha dimensionet dhe futet në një botë pa kufizime, si hapësinore, ashtu edhe kohore”.
13
Në datën 4 shtator 2014, në hapësirat e LiteraturHaus të Berlinit, në prani të autorit u zhvillua një paraqitje e romanit “Home”,. Mbrëmja letrare u organizua nga Shtëpia Botuese PA me seli në Prishtinë dhe Berlin, ndërsa pjesërisht u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani. Po rijapim copëza nga një bisede e posaçme e Ardian-Christian Kyçykut për Gazetën ‚Zëri’ të Prishtinës: Zëri: I nderuari z. Kyçyku, ju gjetëm sonte këtu në hapësirat e LiteraturHaus Berlin me rastin e paraqitjes së romanit tuaj “Home”, të cilin kësaj vere e botoi shtëpia botuese PA. Si e ndjeni veten këtu në mesin e shqiptareve që jetojnë në Berlin? Cila është përshtypja e parë? Ardian-Christian Kyçyku: U ndjeva në shqip, ose njëlloj sikur të qemë mbledhur në një libër të këndshëm. Nuk qe e rastit që pikërisht romani “Home” e krijoi këtë mundësi. Në krye të librit kam shkruar se të gjitha ngjarjet që pasojnë mbështeten në një libër të vërtetë. Gjithmonë më është dukur se, kur shumë ngjarje dynden të hyjnë në libra, disa të tjera dalin nga një libër i pashkruar i Mërgimit shqiptar dhe fitojnë njëfarë jete të mëvetësishme. Mikpritja e shqiptarëve të Berlinit, përkushtimi i botueses, zonjës Feride Berisha, bisedat, shija e takimit letrar janë mbresëlënëse, sidomos në kohëra kaq të vështira për letërsinë e mirëfilltë. Nga ana tjetër, qyteti është nga ata të paktët ku shumë shpejt bindesh se jeton prej vitesh. Si do ta përshkruanit ju vetë, si krijues i kësaj vepre romanin “Home”? Me dy tri fjalë? - Romani i një brezi që nuk ka ku të kthehet, por që ka kur të kthehet. Zhvendosja e një sasie historie dhe gjeografie në një cilësi kujtese e metafore. Me çmim gjaku, por edhe boje. 14
Simbolet si “Home”, dheu, çelësi, kulla, anketa; ju sikur luani me njëjësin dhe shumësin? Sa personazhe janë në roman, përveç të kryepersonazhit Home Çkena? - Në këtë roman ngjarjet, qëniet dhe sendet janë shumë afër simboleve që përfaqësojnë dhe që i përfaqësojnë. Në betejën e heshtur të shumësit që gjithmonë, edhe historikisht, me, ose pa vetëdijë ngulmon të zhdukë njëjësin, afrimi i mësipërm shndërrohet në një akt vetëmbrojtjeje i shpirtit. Z. Kyçyku, ju shkruani edhe ne shqip, edhe ne rumanisht. Në cilën gjuhë ju vjen me lehtë te shkruani, apo janë gjërat e ndryshme që shkruhen në gjuhë të ndryshme. A mos është gjuha shqipe, gjuha e veprave me motive të posaçme, apo si vendosni se çka do te shkruani, në cilën gjuhë? - Gjithmonë është libri ai që zgjedh gjuhën. Në prozë gjërat nuk ndodhin si në poezi, sado poetike të jetë proza. Për fat, shqipja dhe rumanishtja mbështeten dhe zbërthejnë realitete kulturore dhe jetësore të ngjashme, dhimbje apo pyetje madhore që shqetësojnë gati njëlloj, dhe të dyja gjuhët, pavarësisht nga librat, përfshijnë njëfarë rruzulli ballkanik e evropian. Mund të këqyret edhe si një sy i fshehur që sheh shumë më tepër nga sa thotë, për hir të një heshtjeje stërgjyshore që dëbon llafet. (…) Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ardian Kyçyku. A është kjo një vazhdimësi e një misioni kulturor, apo letrar, meqë prej më shumë se njëzet vjetësh edhe ju punoni që të forcohet ura mes Rumanisë dhe Shqipërisë, apo më mirë të themi mes gjuhës shqipe dhe asaj rumune? - Në letërsi asgjë nuk është e rastit, por për vazhdimësi më mirë flasin librat, se sa një autor, ose tjetri. Lasgushi dhe Mitrushi, me të cilët kam lidhje farefisnore, janë vërtet gjallë 15
në Bukureshtin tim, qytet ku gjej edhe sot e kësaj dite copëza nga Pogradeci i hershëm dhe nga bota shqiptare e viteve ‘20. Tani një pyetje nga ato që shpesh nuk u shijojnë fort autorëve, duke ju referuar përmbajtjes se romanit: një i ri mërgon nga Shqipëria në moshë të njomë. A ka në “Home” segmente autobiografike? - Besoj se është vetëm dhimbja e tmerrshme e shkëputjes nga vendlindja dhe e detyrimit që, për nuk dihet sa kohë, do ta flasësh gjuhën amtare vetëm me vete. E meqë ende nuk më qe botuar asnjë libër, unë jo vetëm flisja, por edhe shkruaja me vete, çka e bëri dhimbjen aq të thellë, sa ndoshta mu dha e drejta të shkruaj edhe për vuajtjet e atyre që nuk shkruajnë, siç është shqiptari i shumëfishtë Home Çkena. Në njërin nga studimet më të thellë të romanit, poetja e shquar Elinda Marku shkruan se ‘Home’ është ndër më të rrallët libra që lexohen shpejt, por që, ama, nuk mbaron kurrë së lexuari... Përndryshe, do ta quaja një poezi që të mbetet në mendje e, në mos në mendje, të hyn në gjak. (...) Romanin “Home” e bën poezi jo vetëm stili, mjetet artistike, metafora që nuk i ndahet fund e krye veprës, gjuha që është jo vetëm e zgjedhur dhe e pasur, por edhe e krijuar enkas prej autorit për këtë vepër. Është gjuhë që krijohet vazhdimisht bashkë me romanin. (...) Estetika e “Home” ia kalon secilës estetikë të zgjedhur e të përdorur deri më tash për prozën. Romani “Home” nuk ngarkohet me përshkrime prozaike, përkundrazi, detajet e romanit janë si sy që i dhurohen lexuesit për të parë brenda vetes. (...) Teksa lexon romanin “Home”, nëse nuk arrin të besosh se letërsia është mrekullia që ta shpëton jetën, ky roman mund të të shpëtojë shpirtin! Ndodh rrallë (nëse arrin të ndodhë) si në romanin “Home”, në të cilin ndodhia plotëson e përmbush vetveten. Edhe nëse nuk e thua, edhe nëse nuk e kupton, nuk mund të mos e ndjesh se këtë libër nuk është vetëm autori që e krijon dhe krijohet, realizon dhe realizohet, por 16
ndoshta krejt magjishëm, me lejen e me dijen e tij, është edhe lexuesi që krijohet dhe realizohet. Pse jo, lexuesi e ndjen “fajin” dhe kënaqësinë e krijimit dhe të të qenit krijues njëherësh... Në roman nuk gjejmë emra pa fund personazhesh dhe ngjarje pa lidhje, të cilat ndodhin ngjashmërisht me ngjarjet tona... Përshkrime vendesh që ngjajnë me vendet që kemi lënë e që kemi gjetur, apo ato që mund të gjejmë. Gjithë sa shikojmë, jetojmë dhe rijetojmë gjatë leximit të romanit, e bën atë një dritare nga ku shikon kujtesa jonë. E prej andej edhe ne shikojmë atë, kujtesën tonë. Matanë kësaj dritareje, nëse jemi brenda, shikojmë jashtë. Përtej kësaj dritareje, nëse jemi jashtë, shikojmë brenda, bëhemi nostalgjikë. (...) Ndihemi të jetuar e nganjëherë ndjejmë se edhe mund të jetojmë. Emrat e personazheve të librit nuk janë thjesht të gjetur e të qënë, por kemi të bëjmë me emra që autori i ka krijuar me art, sikurse edhe personazhin dhe krejt veprën e tij. (...) Nuk gjejmë një personazh kryesor e dhjetëra personazhe dytësore, që ngarkohen me misione. Në këtë roman protagonist është “Fati i njeriut”. Personazhet e tjera janë vetë lexuesit, të cilëve u mbetet të zgjedhin fatin... (...) Home Çkena nuk është “heroi” i veprës. Tashmë kemi një roman, i cili u jep fund veprave me heronj. E nëse duhet që, për të pasur një roman të mirëfilltë, ta kemi një hero, atëherë as ky i fundit nuk mungon. Po, Home Çkena është heroi! Një hero i thjeshtësisë së madhërishme. Në vazhdë të asaj çka është letërsia?! Një banesë shpirtërore. Brenda saj jetojnë të gjithë: shkrimtarët, personazhet, lexuesit... E nëse nuk duam ta besojmë këtë bashkëjetesë, na vjen të tronditemi, se romani “Home” nuk është asgjë më pak se ADN-ja e jetës sonë në të tria kohët e saj: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Të tronditemi se ky roman është ADN-ja e kujtesës sonë! Kujtesës në tri kohë: do të kujtojmë, do të kujtohemi dhe do të na kujtojnë... Shkrimtari i bën vend lexuesit në banesën e tij shpirtërore, ndërkohë që ai hyn e banon qoftë edhe përkohësisht brenda nesh. Dhe lexuesi e ndjen “peshën” e autorit, praninë e banorit më të ri brenda vetvetes. Kjo ndoshta është arsyeja që gjatë leximit të romanit “Home”, ndihesh lexues, personazh dhe autor në të njëjtën kohë”.
17
Pas marrje së Çmimit Kult ‘Libri artistik / Shkrimtari i Vitit’ për romanin “Home”, Kyçyku botoi në site-in e vet shkrimin e mëposhtëm: “Falenderoj secilin prej jush për urimet, vëmendjen dhe dashamirësinë. Shkova në Tiranë me ftesë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për të mbajtur një kumtesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Letrat shqipe dhe gjuhët e tjera të letërsisë” (9 nëntor 2015). Çmimi Kult ndodhi pikërisht në mbrëmjen kur mbusheshin plot 24 vjet nga dita kur më pat ardhur njoftimi për studimet e doktoratës në Bukuresht (7 nëntor). Shprehja ‘I erdhi letra’ qëmoti përdorej kur të rinjtë duhej të shkonin ushtarë, shoqëruar me sqarimet ‘Do ta bësh ushtrinë në (... Veri, Jug, kufi etj)’ Qysh atëhere kjo shprehje u rishqipërua brenda meje si ‘Do ta bësh rininë në gjuhë të huaj’. Nuk qe e rastit as që Çmimin e mori romani “Home”, histori e mërgimtarit të shumëfishtë Home Çkena, njëfarë hijebinjake e mjaft shqiptarëve të djeshëm e të sotëm, - që mbase shndërrohen në hije-binjake të tij në një botë tjetër, shkruar në Bukuresht gjatë vitit 2005 dhe botuar në Prishtinë. Gjatë galës aq të hijshme të Akademisë Kult ndihesha njëfarësoj edhe unë vetë, edhe hija ime, dhe disa gjëra i shihja me syrin e dukshëm, disa të tjera – me syrin e hijes. Rrallë më ka ndodhur që të dy këta sy të shohin njëlloj. Nuk arrita të bëja as çerekun e takimeve që dëshiroja prej shumë vitesh, por ritakova një Tiranë të dashur, plot përmallim e shije rinie, dhe një Pogradec si copëz parajse. As në librat që kam shkruar, qofshin shqip, qofshin rumanisht, nuk kam pasur një udhëtim të tillë. Po e mbyll me një urim të Home Çkenës: “Ju rrofshin hasmët, që t’ju shohin të lumtur!” Ardian-Christian Kyçyku, Bukuresht, pó nëntor, 2015 /
18
19