AIDSSH, takim me Prokurorin e Përgjithshëm, për të zhdukurit në diktaturë
Më 21 tetor 2020, ekipi i AIDSSH, i përfaqësuar nga Kryetarja, znj. Gentiana Sula, Anëtari z. Simon Mirakaj dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Skënder Vrioni, zhvilloi një takim informues me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe përfaqësuesin e departamentit të koordinimit me institucionet e tjera, z. Sokol Stojani. Ndryshimet në ligjin 45/2015, nisma e Kryeministrit dhe grupi ndërinstitucional i punës i ngritur për zhvarrimet dhe identifikimin e të zhdukurve në Burrel, koordinimi mes institucioneve dhe rolet përkatëse ishin pjesë e diskutimeve. Po ashtu, shfrytëzimi i mundësive për ta çuar punën përpara për një udhëzim të Prokurorisë sa i takon kësaj çështjeje dhe krijimit të grupeve të përbashkëta të punës për qartësimin e fatit të të zhdukurve. Në zbatim në ligjit 45/2015 i ndryshuar, neni 22/1, “Bashkëpunimi për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve dhe të të ekzekutuarve, si dhe masat për ruajtjen e vendvarrimeve”, AIDSSH vijoi takimet dhe kontaktet me institucionet dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit për hartimin dhe ndjekjen e protokolleve të përshtatshme për identifikimin, gërmimin dhe zhvarrimin e të zhdukurve në diktaturë, në vendekzekutimet e raportuara.
122