1 minute read

Editorial (Jorgo Belul

Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës boton për herë të katërt, revistën e saj studentore me tematika dhe çështje të përgatitura nga vetë studentët apo dhe pedagogët. Ky vëllim përfshin tematika, të cilat i referohen kryesisht periudhës së Kreshmës së Madhe dhe rrugëtimit të saj deri në Ngjalljen e shenjtë të Zotit tonë, Jisu Krisht, që këtë vit u festua paksa ndryshe, për shkak të izolimit që vendi ynë pati si pasojë e përhapjes së Covid-19 në fillim të muajit mars. Që nga kjo periudhë edhe departamenti ynë ndërpreu studimet dhe, tashmë të gjendur përballë një armiku të padukshëm vazhdojmë të praktikojmë shumë procese mësimi në distancë.

Tematika të tjera i referohen jetës spirituale, ku nëpërmjet Etërve të shenjtë këshillohemi dhe mësojmë sesi ta jetojmë jetën e krishterë në përditshmërinë tonë, madje dhe në këtë epokë, ku të gjithë i ka kapluar frika, dëshpërimi, mërzitja dhe ndjenja të tjera negative. Ajo që kuptojmë më shumë sot sesa kurrë është se e rëndësisë së parë është jeta jonë dhe përkujdesja ndaj saj, si dhuratë e vetë Perëndisë; dhe më pas vijnë gjërat e tjera që kanë rol dytësor dhe na ndihmojnë që të mund të jetojmë.

Advertisement

Ne të krishterët orthodhoksë festuam Pashkën e Madhe, ngjarjen kulminante përgjatë gjithë vitit tonë kishtar, ndaj dhe dua t’ju kujtoj një shprehje domethënëse dhe shpresëdhëne të Kryepiskopit të Tiranës dhe Durrësit, imzot Anastasit:

“Meqenëse jemi në periudhën e përgatitjes për Pashkën, le të kujtojmë se Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur u dhuroi nxënësve të Tij paqen dhe lirinë nga frika, duke u premtuar atyre se Ai do të qëndronte me ta në të gjitha sprovat e mundimet deri në fund të kohëve. Ne duhet të rrisim besimin tonë në praninë e Tij dhe në faktin se Ai nuk do të na braktisë në sprovat tona. Le ta kremtojmë Pashkën të lirë nga çdo sindromë frike dhe ankthi, le të bëjmë rezistencë.

Këtë vit, ndoshta nuk do të mundim ta transmetojmë dritën paskale nga një qiri në tjetrin- siç është zakoni në Kishat Orthodhokse. Në vend të saj, le të transmetojmë nga njëra zemër në tjetrën dritën e shpresës dhe të mospasjes frikë në Zotin tonë të Ngjallur.” Editorial

Krishti u Ngjall!

Përgatiti: Jorgo Belul Student i vitit II

This article is from: