3 minute read

Përkthim - “Mbi Dëshpërimin” (Kristi Baka

Në ditët e sotme, njerëzit shpesh ndiejnë trishtim, dëshpërim, përgjumje, përtesë, plogështi dhe të gjitha gjërat satanike. Ata janë të rrënuar, të pakënaqur dhe melankolikë. Ata nuk pranojnë familjet e tyre, shpenzojnë shuma të mëdha nëpër psikanalistë dhe marrin ilaçe kundër depresionit. Njerëzit e shpjegojnë këtë si ‘pasiguri’. Besimi ynë shpjegon se këto gjendje rrjedhin nga tundimi satanik.

Dhimbja është një fuqi psikologjike, të cilën Zoti e nguliti te ne, me qëllim që të na bëjë mirë dhe të na çojë drejt dashurisë, gëzimit dhe lutjes. Në vend të kësaj, djalli ia del mbanë të marrë këtë fuqi nga bateria e shpirtit tonë dhe ta përdorë atë për të keqen. Ai e shndërron atë në depresion dhe e sjell shpirtin në një gjendje përtese dhe plogështie. Ai na mundon, na merr rob dhe na bën të sëmurë psikologjikisht.

Advertisement

Ka një sekret. Shndërroni energjinë satanike në energji të mirë. Kjo është e vështirë dhe kërkon përgatitje. Përgatitja e domosdoshme është përulësia. Me përulësi ju tërhiqni hirin e Zotit. Ju dorëzoni veten në dashurinë e Perëndisë, për të adhuruar dhe për lutje. Por edhe nëse bëni gjithçka në botë, nuk keni arritur asgjë, nëse nuk keni fituar përulësi. Të gjitha ndjenjat e liga, pasiguria, dëshpërimi dhe zhgënjimi, të cilat vijnë për të marrë nën kontroll shpirtin, zhduken me përulësi. Personit që i mungon përulësia, egoistit, nuk dëshiron që ju të merrni rrugën e dëshirave të tij, të bëni ndonjë kritikë ndaj tij ose t’i thoni çfarë të bëjë. Ai acarohet, irritohet, reagon dhunshëm dhe mposhtet nga depresioni.

Pjesë e zgjedhur nga libri “Të plagosur nga dashuria: Jeta dhe urtësia e Jerond Porfirit”

Kjo gjendje shërohet me anë të hirit. Shpirti duhet të kthehet në dashurinë e Zotit. Mjekimi do të vijë kur fillojmë ta duam me pasion Perëndinë. Shumë nga shenjtorët tanë e shndërruan depresionin në gëzim, me dashurinë e tyre për Krishtin. D.m.th. ata morën këtë fuqi të shpirtit që djalli dëshironte ta dërrmonte dhe ia dorëzuan Zotit, ata e shndërruan atë në gëzim dhe ngazëllim. Lutja dhe adhurimi gradualisht e shndërrojnë depresionin dhe e kthejnë atë në gëzim, sepse hiri i Zotit hyn në fuqi. Këtu ju nevojitet të keni forcën për të tërhequr hirin e Zotit, i cili do t’ju ndihmojë të jeni të bashkuar me Të. Arti kërkohet. Kur i jep veten Perëndisë dhe bëhesh një me Të, do të harrosh frymën e keqe që të tërheq nga pas, dhe kjo frymë, kur të përbuzet, do të largohet. Dhe sa më shumë t’i përkushtohesh Frymës së Perëndisë, aq më pak do të shikosh prapa për të parë shpirtin që po zvarritet drejt teje. Kur hiri ju tërheq, ju do të jeni të bashkuar me Perëndinë. Dhe kur keni bashkuar veten me Perëndinë dhe e lini veten tek Ai, gjithçka tjetër zhduket dhe harrohet dhe ju shpëtoheni. Arti i shkëlqyeshëm, sekreti i shkëlqyeshëm, për të hequr qafe depresionin dhe gjithçka që është negative, është t’i dorëzohesh dashurisë së Zotit.

Diçka që mund të ndihmojë një person që është në depresion është puna, interesi për jetën. Kopshti, bimët, lulet, pemët, fshati, një shëtitje në ajër të hapur - të gjitha këto gjëra shkëputin një person nga një gjendje pasiviteti dhe zgjojnë interesa të tjera. Këto veprojnë si ilaçe. Të merresh me artet, me muzikën e kështu me radhë, është shumë e dobishme. Gjëja që vendos unë në krye të listës, sidoqoftë, është interesi për Kishën, leximi i Shkrimit të Shenjtë dhe pjesëmarrja në shërbesa. Ndërsa studioni fjalët e Zotit, jeni shëruar pa qenë i vetëdijshëm për këtë. Pjesë e marrë nga libri “Wounded by Love: The Life and the Wisdom of Elder Porphyrios”, f.178-179.

Përktheu: Kristi Baka Student i vitit I Mbi Dëshpërimin

This article is from: