26 minute read
e sistemit fashist të pushtimit
3
MeDiA Si iNStruMeNt i rëNDëSiSHëM Për iNStALiMiN e SiSteMit fASHiSt të PuSHtiMit
Advertisement
Gjithshka vinte “natyrshëm”, “ideuar”, “diskutuar”
dhe “e votuar” nga faktori shqiptar.
Një nga ambiciet kryesore të pushtuesve italianë:
fashistizimi i jetës në Shqipëri.
Fillim i ri, mbyllja e redaksive ekzistuese dhe
zëvendësimi i tyre me organe të reja.
Drejtoria e Përgjithshme për Shtypin, Propagandën
dhe Turizmin - misionare për censurën e rreptë mediatike.
”Shqipëria do të ketë një nga radiostacionet më të
fuqishme të Ballkanit!”
Ndërtimi i rendit pushtues nisi të konkretizohet me shpejtësi. Menjëherë sapo përfunduan aksionet ushtarake në shkallë të gjerë në terren, gjithshka e planifikuar nga Roma zyrtare nisi të zbatohet duke vënë në lëvizje të detyruar në rradhë të parë kontigjentin proitalian në Shqipëri. Ishte koha për të marrë feedback-un për të gjithë atë investim në para e në kohë për formimin e armatës administrative, ku po rekrutoheshin në vijim dhe ata që njiheshin si kundërshtarë të Oborrit Mbretëror, të mënjënuar nga aktiviteti politik e publik prej Ahmet Zogut. Duke futur në skenë të tillë njerëz, të cilët kishin afruar garanci dhe besnikëri se nuk mund të rezistonin, madje do të zbatonin çdo urdhër a skemë që servirej për të ngritur brenda një kohe të shkurtër institucionet politike, hapej rruga që të materializoheshin të gjitha synimet italiane për të kontrolluar çdo sektor jetik në vend.
Gjithçka që nisi të lëvizë dhe të ndryshojë u paraqit si “inciativë”, ose “nevojë jetike” e vetë shqiptarëve. U fillua me ndërtimin e organizmin e Komitetit të Përkohshëm Administrativ, në krye të të cilit u vu një ish kryeministër, ish ministër dhe kryeinspektor në Oborrin Mbretëror shqiptar, Xhafer Ypi. Në kohë rekord, për tri ditë, Komiteti i nxitur nga Roma zyrtare, mblodhi Asamblenë Kushtetuese. Kishte nevojë për ndryshime dhe vendime radikale, që do të përligjnin formën e re të regjimit, kushtetutën dhe hapat e tjerë të mëtejshëm. Duke patur një përbërje me 159 anëtarë, ish deputetë, përfaqësues të grupeve të pasura, ish ushtarakë të lartë të periudhës zogiste, Asambleja e mbledhur vetëm 5 ditë pas pushtimit shpalli rrëzimin e mbretit Zog nga froni. U abrogua kushtetuta e vitit 1928, dhe u mor vendimi për statusin e “Bashkimit Personal” mes Italisë dhe Shqipërisë. Asambleja formoi qeverinë e re kukull, me kryeministër Shefqet
Vërlacin, ish vjehrri por dhe armiku i betuar i ish mbretit shqiptar, një ndër pronarët e mëdhenj të tokave në vend.
Të gjithë këtë vendimarrje të rëndësishme e dirigjonte arkitekti i pushtimit, Konti Çiano. Ai gjendej vetë në kryeqytetin shqiptar duke i dhënë impulse të drejtëpërdrejta njerëzve besnikë që të vepronin shpejt, por dhe për të “respektuar” anën ligjore e institucionale në çdo hap që hidhej. Duke mos harruar argumentin se gjithshka vinte natyrshëm, e ideuar, e diskutuar dhe e votuar nga faktori shqiptar. Çiano e kuptonte mirë dallimin midis sjelljes shembullore të kastës politike dhe reagimeve të opinionit të gjerë. Tek njerëzit e thjeshtë gjesti i dhunshmëm i Italisë fashiste shikohej në mënyra të ndryshme: me entuziazëm e simpati, por shprehej indiferentizëm, pakënaqësi, deri dhe urrejtje. Teksa plotësonte ditarin e tij personal, Çiano nuk e mohonte se nga kontaktet direkte në terren shikonte që “ka akoma ndonjë ‘zonë’ ftohtësie e kjo ndodhet para së gjithash midis nxënësve të shkollave të mesme. Shoh se e kanë të vështirë të ngrenë dorën për përshëndetje romane dhe dikush refuzon haptaz ta bëjë, kur e ftojnë shokët e tij”. (1) Ndërsa pas një fjalimi që mbajti në Tiranë, më 12 prill 1939, ku siguronte se “vendimet e Asamblesë (Kushtetuese - AM) nuk preknin as në formë e as në përmbajtje pavarësinë e Shqipërisë”(2) shprehej se kjo u prit me sukses nga njerëzit e thjeshtë. Por kur ju kthye notave realiste në shënimet e tij në ditar, pas kthimit në Romë, Konti shkruajti se “vura re sytë e disa patriotëve të skuqeshin e lotët t’u rrëshqitnin mbi fytyrat”.(3) Dhe vazhdon më tej me pranimin e asaj që ndodhte me të vërtetë: “Shqipëri indipendente nuk ka më”. (4)
Pavarësisht këtyre reagimeve e përjetimeve u bë kujdes që procesi për instalimin e rendit pushtues të bëhej i plotë. Kështu më 16 prill një delegacion i nivelit të lartë të qeverisë së kryeministrit Shefqet Vërlaci udhëtoi drejt Romës për t’i dorëzuar kurorën
(1) Galleazzo Ciano, Ditari (1937 – 1943) - Shqipëria, faqe 42. (2) po aty (3) po aty (4) po aty
mbretit Viktor Emanueli III. Me shpalljen e Statutit themeltar të Shqipërisë pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv i takonin Mbretit italian. Mëkëmbës i tij për Shqipërinë u caktua një prej njohësve më të mirë të saj, Françesko Jakomoni, ish ambasadori italian në Shqipëri. Me dekret të Mëkëmbësit u caktuan anëtarët e Këshillit të Epërm Fashist Korporativ, me atributet e parlamentit. “Reforma” të thella u bënë dhe në sektorin ushtarak, që shikohej nga italianët si një dislokim i përqëndruar, për të qënë të gatshëm dhe për agresion në vende të tjera. U likuidua Ushtria Kombëtare Shqiptare dhe mbeturinat e saj iu bashkëngjitën ushtrisë 100 mijëshe italiane në Shqipëri, u planifikua ndërtimi dhe forcimi i infrastrukturës mbështetëse: rrugë strategjike, kazerma, baza avacioni etj. Në planin ekonomik u materializua ideja e vjetër e bashkimit doganor mes dy vendeve (22 prill 1939). Ky akt, por dhe vendimi për eskluzivitetin që çdo import do të bëhej vetëm nëpërmjet Italisë impononin inferioritet për Shqipërinë dhe nga ana tjetër favorizonin biznesin dhe kapitalin italian.
Një nga ambiciet kryesore të pushtuesve italianë ishte fashistizimi i jetës në Shqipëri. Kjo nënkuptonte ngritjen e konsolidimin e strukturave vendore, si degë të Partisë Fashiste Italiane. U bë kujdes që ky proces të mos zhvillohej vetëm në planin e vullnetarizmit, por me aderim të detyruar, ku në rradhë të parë do të përfshiheshin punonjësit e administratës, si dhe ata që ishin të arsimuar. “Zyrtarisht nuk ekzistonte ndonjë detyrim për të hyrë në parti, por atyre që nuk pranonin të aderonin, ua bënin jetën të vështirë, sidomos nëpunësve të administratës. Edhe flamurit shqiptar iu shtua emblema e fashizmit italian”. (5) Përhapja e ideve fashiste në opinionin e gjerë do të ecte krahas vendosjes së organizatave “leva”, si rinia fashiste, gratë fashiste, shoqatat sportive etj., dhe aplikimit të censurës së ashpër ndaj mjeteve të propagandës dhe të kulturës. Në këtë metamorfozë politike, sociale e psikologjike media do ta gjente veten, duke
(5) Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912 – 2000, faqe 211.
përcaktuar si mision prioritar përhapjen dhe kultivimin e ideve dhe kulturës fashiste në publik.
Në fazën e parë të pushtimit gazetat dhe reviztat ekzistuese, Radio Tirana dhe Agjensia Telegrafike Shqiptare e vetëkuptuan përmbushjen e këtij misioni. Thuajse në bllok ato mbetën më shumë në planin informues, duke botuar të plota komunikatat e njoftimet që vinin nga qeveria kukull dhe zyra e saj e shtypit. Analizat dhe komentet ishin të fokusuara më shumë në atë që konsiderohej si “nevojë e domosdoshme e brendshme” për fashistizimin e jetës shqiptare. Gazeta Shtypi e atyre ditëve botonte editorialin me titull “Shqipëria fashiste”. Duke u ndalur tek konceptet e reja që kishin filluar të hyjnë në Shqipëri, për idetë e reja dhe marrëdhëniet po të reja mes individëve e shtetit në editorial thuhej mes të tjerave dhe se: “Janë sende të reja për popullin që rronte gjer dje në një largësi të madhe me autoritetin dhe për pasojë, larg kujdesit, interesimit të afërt dhe të vazhdueshëm që në shtetin fashist janë baza e politikës shoqërore. Kjo politikë e shkathët me Italinë e Musolinit ka patur frytet e saj dhe përfundimet më të dalluara në afrimin e masave të popullit me regjimin, i cili me të drejtë quhet regjimi që buron prej popullit dhe që vete drejt nga populli”. (6)
“Shqiptarët po kërkojnë formimin e një Partie Kombëtare Fashiste Shqiptare” (7) kishte paralajmëruar e para në median shqiptare e përditshmja Gazeta Shqiptare, me një titull të madh në faqen e parë. Në përmbajtje i bëhej jehonë telegrameve të shumta “spontane” që Musolinit i kishin “mbërritur” nga qytetarë nga Shqipëria. Në njërin prej tyre, të cilin duhej ta kishin dërguar sipas gazetës një grup simpatizantësh të fashizmit nga Tirana, thuhej se ata i kërkonin Duçes që “dhe në Shqipni të formohet organizmi i rinisë dhe i popullit sipas parimeve të doktrinës fashiste. Në fakt vetëm prej kësaj doktrine mundet me i ardh popullit shqiptar, mirëqënie, drejtësi e nder”.(8) Po kjo gazetë disa javë më vonë propagandonte gjerësisht një takim me mësues
(6) Shtypi, 26 prill 1939. (7) Gazeta Shqiptare, 12 prill 1939.
dhe intelektualë të Tiranës, duke botuar një artikull me titullin: “Ditën 7 prill mori fund Shqipëria Ballkanike, ditën 8 prill lindi Shqipëria Evropiane”.(9) Ajo citon të plotë qëndrimet e inspektorit të Partisë Fashiste, Kommendadore Xhovani Xhiro. Mes të tjerave ai deklaronte: “Ne nuk erdhëm këtu si zaptonjës, po si çlironjës. Mundësisht nuk jemi ne, po ju shqiptarët, të cilët me ndihmën tonë përmbysët një rregjim shushunjë e kriminal dhe shpëtuat këtë vend e këtë popull, i cili ka shumë merita që i japin të drejtë të rrojë në dritë dhe në diell. Fashizma është një fe universale dhe pra nuk i robëron popujt e kombet, po i do të lirë e të lumtur dhe bashkëpunëtorë në mes tyre”. (10)
Por misionin e përhapjes e propagandimit të ideve fashiste nuk mund ta përballonte infrastruktura ekzistuese mediatike. Veçanërisht rrjeti i gazetave të parapushtimit kishte krijuar një imazh pro monarkisë shqiptare, i kishte shërbyer pa asnjë rezervë asaj. “Kthimi i fletës” në një kohë të shkurtër, duke kaluar në të kundërtën, pra duke e kritikuar dhe fajësuar kohën qeverisjes zogiste ishte një argument për mosbesueshmërinë e tyre për lexuesit. Ideja e italianëve ishte më shumë për një “fillim të ri”, duke mbyllur organet ekzistuese dhe duke krijuar të reja. Paralel me këtë do të ecej dhe për të konsoliduar sistemin e kontrollit dhe censurës ndaj të gjitha botimeve, transmetimeve radiofonike, shfaqjes së filmave e dokumentarëve.
Sa i takon kuadrit ligjor të miratuar që në javët e para të pushtimit shtypi konsiderohej si një veprimtari e lirë. Por në Statusin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, të cilin Viktor Emanueli III ja dorëzoi kryeministrit Vërlaci në 3 qershor të vitit 1939, neni përkatës kishte dhe anën tjetër të medaljes që nuk lejonte shpërdorimin e shtypit. “Shtypi është i lirë, por me ligj ndalohet shpërdorimi i tij”. (11) Por një nen i tillë nuk ishte veçse
(8) po aty (9) Gazeta Shqiptare, 19 maj 1939. (10) po aty
një farsë, ashtu siç ishte i gjithë statusi i Shqipërisë, si “Bashkim Personal” me Italinë, pra si bashkim i dy vendeve të lira e të pavarura nën një kurorë të përbashkët. Ajo që ndodhi konkretisht në terren, mënyra se si u sollën pushtuesit me fluksin mediatik shqiptar ishte ushtrimi i një kontrolli të rreptë, një censure që nuk
linte vend për asnjë shprehje të lirë dhe alternative të ndryshme nga ajo Romës zyrtare dhe zbatuesve shqiptarë të vendimeve.
Me një dekret të veçantë të Mëkëmbësit, Françesko Jakomoni, në tetor të vitit 1940 u sanksionua një disiplinim i rreptë i përdorimit të aparatëve të radios duke mos u lejuar të dëgjoheshin stacionet e ndaluara. “Atyre që kanë aparate radio marrëse
(11) Fletore Zyrtare, nr. 40/10 qershor 1939, “Statuti Themeltar i Mbretërisë së
Shqipërisë”, neni 51.
u ndalohet me i përdorë këto aparate të dëgjojnë stacionet e radiopërhapjeve dhe të radiokomunikimeve armike ose asnjëanëse, ose për të përhapur lajmet e marra në çdo mënyrë. (12) Për ata që e shkelnin këtë dekret kishte gjobë “100 deri në 1000 franga shqiptare dhe aparatet konfiskohen”. (13) “Bërja zap” e informacionit që shpërndahej nëpërmjet organeve të shtypit, Radio Tiranës dhe Agjensisë Telegrafike Shqiptare ishte një strategji që u aplikua brenda një kohe të shkurtër. E cila përfshinte ndërhyrje dhe reformë të shpejtë ndaj strukturave ekzistuese dhe aplikim të disa risive.
Ndër masat e para të pushtuesve ishte riorganizimi i Zyrës së Shtypit që funksionte deri në atë kohë brenda strukturës së Ministrisë së Jashtme. Me dekret të posaçëm të Jakomonit, Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Viktor Emanuelit III, në Shqipëri më datën 10 maj 1939 u krijua nën varësinë e kryetarit të qeverisë Drejtoria e Përgjithshme për Shtypin, Propagandën dhe Turizmin, DPSHPT. Në strukturën organizative të saj përfshiheshin dy drejtori të veçanta: njëra që mbulonte shtypin e brendshëm e të jashtëm, dhe tjetra që kishte në fokus propagandën, radion, kinematografinë e teatrot. Interesant ishte emërimi i drejtuesit të këtij institucioni. Ai ishte një personazh shumë i njohur nga rradhët e komunitetit të medias: Nikolo Loruso Atoma, që kishte drejtuar që nga numri i parë profashisten Gazeta Shqiptare, botim në shqip e italisht të Gazzeta di Puglia në Bari. Ai u emërua jo pa qëllim në këtë post; ishte një njohës shumë i mirë i realitetit mediatik, me marrëdhënie e kontakte të drejtëpërdrejta me gazetarë dhe botues shqiptarë. Mbi të gjitha, puna si gazetar dhe menaxher gazete në Shqipëri prej të paktën 12 viteve e kishte familjarizuar atë me problematikën lokale politike, sociale, ekonomike, kulturore etj.
Të gjitha këto e favorizonin Atoman që të zgjidhte në ekipin e tij ata që duheshin, për të nisur menjëherë procesin “reformues” në frontin mediatik, për të përzgjedhur nga shpurra e gazetarëve
(12) Fletore Zyrtare, nr. 166 /29 tetor 1940, “Disiplinimi i shërbimeve telegrafikë, telefonikë dhe radiodëgjimet”, dekret i Mëkëmbësit nr. 453, neni 8. (13) Po ai dekret, neni 9.
dhe redaktorëve më të besuarit, për të mbajtur nën vëzhgim ata që dukeshin ende të lëkundur, ose të pakënaqur. Synimi: të rritej roli dhe të fuqizohej autoriteti i DPSHPT-së. Këtij institucioni që ishte në varësinë direkte të kryeministrit, dhe personalisht Atomas, tre muaj më pas iu dha e drejta për të firmosur edhe në emër të kryeministrit Shefqet Vërlaci, për të gjitha ato akte dhe urdhëresa që ishin brenda linjës punës. Delegimi i firmës, siç argumentohej në vendimin përkatës të kryeministrit bëhej për “të siguruar shpejtësinë më të madhe të nevojshme për funksionimin më të mirë të këtij organizmi të posaçëm”. (14)
Nuk mungonte dhe suporti financiar. Me anë të një dekreti të Mëkëmbësit të Mbretit, Françesko Jakomoni, u bënë shtesa në buxhetin e DPSHPT-së, një veprim që u përsërit dhe në vijim. Këtij institucioni të monitorimit e censurës së medias iu lejua të rekrutonte dhe personel të përkohshëm, në varësi të objektivave dhe synimeve të saj. Me dekretin e tetorit të vitit 1940, për diplinimin e shërbimeve telegrafike, telefonike dhe radiodëgjimeve, DPSHPTsë iu dha e drejta dhe e kontrollit të korrespondencës private dhe marrjes telegrafike të shtypit për të gjithë shtetasit e subjektet që ndodheshin brenda territorit të Shqipërisë. “Korrespondenca dhe marrja telegrafike e shtypit i nënshtrohen kontrollit të posaçëm nga ana e Drejtorisë për Shtypin, Propagandën dhe Turizmin... Të gjitha instalimet radiotransmetuese pivate duhet të çmontohen dhe aparatet të mbyllen në arka të vulosura” (15) për t’ja dorëzuar autoriteteve, thuhej mes të tjerave në dekretin e Mëkëmbësit Françesko Jakomoni, në tetor të vitit 1940.
Pak para pushtimit italian në Shqipëri botoheshin rreth 25 gazeta e revista. Ato që kishin në fokus aktualitetin politik e social nuk është se krijonin ndonjë kolorit në linjën editoriale. Ato ishin qartazi pro sundimit monarkik, duke e mbështjellë përmbajtjen propaganduese me qëndrime e ide nacionaliste.
(14) Fletore Zyrtare, nr. 63/ 12 gusht 1939 (15) Fletore Zyrtare, nr. 166 /29 tetor 1940,
Mungesa e pluralizmit, e shprehjes së mendimeve alternative nga ato të qeverisjes dukej se “kompesohej” së pari, me fluksin e madh të debateve mes personazheve nga rradhët e komunitetit të gazetarëve, që shpesh precipitonte si sherr i personalizuar mes tyre. Së dyti, duke vënë në qendër të hapësirave të tyre trajtimin e temave dytësore, gati periferike, shoqëruar me vëzhgime e kritika për çështje pa peshë dhe që nuk atakonin drejtëpërdrejtë qeverinë, atëherë kjo dukej si një lehtësi për menaxhim nga pushtuesit italianë. Gjëndja e medias brenda Shqipërisë deri atëhere kishte tipare të dukshme konformizmi dhe pragmatizmi en block me regjimin zogist. Kjo sa i takon gazetave kombëtare dhe lokale me natyrë politike, pasi botimet me karakter letrar e fetar ishin akoma dhe më larg zhvillimeve të aktualitetit. Këto të fundit as që u prekën nga DPSHPT –ja, por u lanë të vijonin punën e tyre. Pak javë pas pushtimit u mbyllën dy të përditshmet kryesore Drita dhe Shtypi, të konsideruara si mbetje nga regjimi i kaluar dhe nga frika e prurjeve intelektuale të mirëfillta dhe deri diku jo me simpati për Italinë. Mes redaksive që u mbyllën ishte dhe e përmuajshmja Përpjekja Shqiptare, (16) e Branko Merxhanit. Po kështu “dryni” ju vu dhe disa redaksive lokale në qytetet kryesore të vendit. “Ditën që Zyra e Shtypit dhe Propagandës ra në duart e italianëve u vendos të mbyllen fletoret që botoheshin deri atëhere”. (17) Në asnjë moment tregu i gazetave nuk mbeti i zbrazur, pasi u shfaqën titujt e rinj, fillimisht si botime lokale. E para ishte Vlora e re, që u pasua po në qytetin e Vlorës me Këmisha fashiste. Në Gjirokastër doli në qarkullim Epoka e re. Gazeta e Korçës që dilte në kryeqëndrën e juglindjes vijoi si Korça fashiste (emër që u ndryshua pas pak kohe në Liktori). Ndërkohë në kryeqendrën
(16) Revistë që nisi të botohej në vitin 1936, me frekuencë një herë në muaj, me një përmbajtje filozofiko – politike e letrare. Përpjekja Shqiptare ishte nga të paktat organe shtypi të asaj kohe që grumbulloi ndër penat më të mira brenda dhe jashtë vendit, që nxiste debate edhe për çështje që konsideroheshin ende tabu. Fakt për të cilin redaksia e saj nuk i shpëtoi dhe ndëshkimeve a paralajmërimeve për mbyllje. Siç qe dhe rasti trajtimit për konceptet dhe performancën e fesë islame.
e veriut, Shkodër, qarkullonte Rinia fashiste. Gazeta Shqiptare në numrin e saj të datës 18 maj 1939 njoftonte në faqen e parë: Gazeta Fashizmi del së shpejti në Tiranë”. (18) Ajo i referohej një mbledhjeje të Partisë Fashiste Shqiptare, më 17 maj 1939, ku ishte vendosur të botohet gazeta Fashizmi, e cila sipas njoftimit do të ishte një gazetë “në të cilën gazetarë dhe intelektualë të vyer do të japin bashkëpunim të apasionuar dhe do të përmbajë shprehjen më të thjeshtë të jetës së re shqiptare, duke ilustruar ditë për ditë etapat e procesit të shpejtë të fashistizimit të Shqipërisë”. (19)
Por Françesko Jakomoni, në një kohë që pranonte “lulëzimin e revistave dhe gazetave të reja”, (20) në periudhën menjëherë pas pushtimit, pretendonte për mosprezencë të censurës. “Nuk u botuan kurrë në Shqipëri ligje që të vendosnin një censurë parandaluese të shtypit. Ishte krijuar pranë kryesisë së Këshillit shqiptar Drejtoria e Përgjithshme e Shtypit, por ajo interesohej për çështjet që u duheshin të interesuarve”, (21) shkruante ai. Mëkëmbësi kishte të drejtë në një aspekt, pasi njësitë e reja mediatike ishin produkte të sistemit të ri që instalohej në Shqipëri dhe ato as që mund të kishin kurrëfarë problemi me pozicionin dhe idetë që shpërndanin në publik.
Një rol të madh në përhapjen e propagandës dhe ideve fashiste do të luante Radio Tirana, stacioni i vetëm zyrtar në Shqipëri. Vetëm një javë pas pushtimit të vendit autoritetet vendosën të rikthejnë shërbimin e saj botëror, kryesisht në gjuhët e rajonit. “Që sot Radio Tirana do të fillojë të japë rregullisht emisione dhe në gjuhë të ndryshme”, (22) njoftonte një javë pas pushtimit gazeta Shtypi.Gradualisht programet në gjuhët ballkanike u konsoliduan. Në mënyrë kronologjike transmetoheshin përmbajtje në turqisht, rumanisht, bullgarisht, greqisht e jugosllavisht. “Në intervale
(17) Tahir Zavalani, Histori e Shqipnis, pjesa e dytë, faqe 249. (18) Gazeta Shqiptare, datë 18 maj 1939. (19) po aty (20) Francesco Jacomoni, Politika e Italisë në Shqipëri, faqe 182. (21) po aty
kohore të caktuara ato zgjasnin në 30 minuta, ku formati ishte i njëjtë, një bllok lajmesh të përkthyera në gjuhën e vendit përkatës që shoqërohej dhe me një hapësirë muzikore”. (23) Veç këtyre kishte dhe edicione lajmesh në italisht e frëngjisht, ndërsa audiomësimi i gjuhës italiane ishte i përditshëm.
Përshtatja programore nuk mund të ishte efektive pa përmirësimin e modernizmin e sistemit teknik dhe rritjes së fuqisë së përhapjes së valëve. Suportin kryesor për këtë do t’a jepte Italia. Autoritetet zyrtare në Romë përgatitën një projektligj enkas për shtesat në kabllot telegrafike dhe telefonike italiane me Shqipërinë. Një prej linjave do të ishte shumë shpejt posaçërisht në shërbim të Radio Tiranës, “që do të lidhet me radiostacionet e Italisë për të shkëmbyer programe të tyre me qartësinë dhe fuqinë më të madhe.” (24) Ndërkohë “që prej datës 28 prill (1939 – AM) u zgjeruan me 90 minuta të dy intervalet e saj të transmemtimit, në mesditë dhe në mbrëmje”. (25)
Këto u bënë të mundura duke forcuar ndikimin italian në transmetimet e Radio Tiranës. Në fund të vitit 1939 në Tiranë u krijua i ashtuquajturi Enti Shqiptar për Audicione Radiofonike, E.S.A.R. Iniciator dhe mbështetës për këtë nismë ishte drejtëpërdrejt Enti Italian për Audicione Radiofonike, E.I.A.R. Drejtuesit kryesorë të E.I.A.R., si dhe një ekip teknikësh italianë ishin vetë prezentë në Shqipëri për të asistuar në themelimin e E.S.A.R, që u sanksionua dhe nga nënshkrimi i një konvente të posaçme, konventë për “organizimin dhe ushtrimin e shërbimeve të radiodifuzionit të Shqipërisë”. (26) Gazeta kryesore që botohej atë kohë në Shqipëri, Fashizmi, duke i bërë jehonë kësaj ngjarje shkruante të nesërmen në një vend të dukshëm të faqes së parë se: “Shqipëria do të ketë një nga radiostacionet më të fuqishme të Ballkanit”. (27)
(22) Shtypi, datë 14 prill 1939, faqe 4. (23) Revista Radioprogrami, botim periodik i Radio Tiranës, 1-15 dhjetor 1939. (24) Gazeta Shqiptare, datë 17 maj 1939. (25) Po aty
Në bazë të konventës E.I.A.R do të ishte kryesisht përgjegjës për të gjitha pajisjet e instalimet teknike e teknologjike në radiostacion. Kurse për ndërtesat e territoret që do të viheshin në dispozicion të radiostacionit do të kujdeseshin autoritetet shqiptare. Një pikë e rëndësishme e konventës ishte neni 4, që sanksiononte dhënien nga qeveria shqiptare me koncension eskluziv të ushtrimit të radiodifuzionit në të gjithë territorin e vendit për E.I.A.R dhe E.S.A.R. “Ky koncesion përmban të drejtën nga ana e konçesionarit të ngrejë po ta shohë të nevojshme dhe me kushtet që do të lidhë me qeverinë shqiptare edhe të tjera radiotransmetuese veç asaj, instalimi i së cilës formon objektin e kësaj konvente, si dhe të drejtën të ushtrojë eskluzivisht, po ashtu sa edhe në stacionet e tjerë që mund të ngrihen”. (28)
Konventa parashikonte “instalimin e një transmetuesi të madh dhe të fuqishëm në Tiranë”.(29) Ky konsiderohej dhe si hapi i parë konkret për modernizimin e Radio Tiranës. “Programi i radio edicioneve dhe të radio fletores që edhe deri më sot janë transmetuar nga Radio Tirana në të gjitha gjuhët ballkanike do të përsosen akoma më shumë si nga pikpamja teknike ashtu dhe nga ajo artistike”. (30) Të 14 nenet e konventës përveç sanksionimit të zhvillimit teknik, teknologjik e artistik të transmetimeve të Radio Tiranës, vendosnin atë dhe radiostacione të tjera që mund të krijoheshin nën kontrollin e plotë të palës italiane.
Në këtë periudhë kishte ndodhur dhe një ngjarje e rëndësishme për Radio Tiranën. Ajo nga ambjentet modeste të fillimit të transmetimit në zyrën e Bashkisë së Tiranës, kishte kaluar në një ambjent shumë më të bollshëm dhe të përshtatshëm për radiostacionin kryesor të Shqipërisë. Një vilë tre katëshe, ku mund të instalohej një inventar dhe më i madh teknik e teknologjik,
(26) Fletore zyrtare nr.7, datë 15 janar 1940. (27) Fashizmi, datë 23 dhjetor 1939. (28) Fletore zyrtare nr.7, 15 janar 1940. (29) po aty (30) Fashizmi, datë 23 dhjetor 1939.
ku mund të kishte zyra e studio për gazetarët e redaktorët, duke përfshirë dhe mjediset ndihmëse e plotësuese. Këto zhvillime ishin dhe në qendër të vëmendjes së shtypit zyrtar, që përshkruante atë që ndodhte në Radio Tirana si një “kryevepër fashiste”.
Këtë cilësim gazeta Fashizmi e përdori si titull në një reportazh të sajin ku bënte lidhjen mes dinamikës në rritje të punës në Radio Tirana me instalimin e sistemit fashist italian në Shqipëri. “Në çdo fushë të aktivitetit tonë shoqëror, ekonomik dhe shtetëror, do të gjejmë energjinë fashiste, të fortë ndërtonjëse, krijonjëse, qytetëronjëse…. Një nga provat e shumta dhe mund të themi provën më elokuente dhe më të bukur, se Fashizmi ka mundur të vendosë rregullin dhe të ndërtojë në vend të shtetit superficial, shtetin e ndërgjegjshëm dhe krijonjës, na e jep Radio Tirana”. (31) Duke iu kthyer konventës për krijimin e E.S.A.R. dhe për instalimin e transmetuesit të fuqishëm në Tiranë, reportazhi kujtonte se pas realizmit të saj, atëhere Radio Tirana “do të mund të krahasohet me stacionet më të mira radiofonike të Ballkanit”. (32)
Ideja e një radio të fuqishme rajonale ishte një refren që u
përsërit thuajse gjatë gjithë kohës së pushtimit fashist italian. Kjo dukej si një nga çështjet e fiksuara mirë në planet e Romës zyrtare, që lidhej me ambicien që nuk mund të fshihej, se invazioni në Shqipëri ishte një ndalesë nga ku mund të ecej edhe në territore të tjera ballkanike. Shumë kohë më pas gazeta profashiste Roja kombëtare (33) tërhiqte sërish vëmendjen se “Tirana do të ketë një nga stacionet më të mirat të Ballkanit”. (34) Në artikullin me titull: “Radio Tirana, dje sot e nesër” fokusi ishte ndërtimi i një transmetuesi të fuqishëm në zonën e Kasharit (12 km larg kryeqytetit): “S’andejmi zëri i Radios Shqiptare do të përhapet në të katër cepat e botës më një fuqi 50 herë më të madhe nga e sotmja”.(35) Pikërisht në ndërtesën që po ngrihej në Kashar do të instalohej transmetuesi që do të vinte nga Italia. Aty do të vendosej dhe një antenë e lartë 160 metra.
Për të zgjeruar audiencën e saj në shërbim të propagandës fashiste Radio Tirana përdori dhe mënyra të tjera komunikimi të drejtëpërdrejtë me dëgjuesit. Kështu u veprua në mes të vitit 1940, kur stacioni lançoi në programin e saj dhe formatin që quhej “Radio Fletorja”. Ai fokusohej në temat e ditës nëpërmjet intervistave e bisedave me të ftuar. Për të informuar qytetarët për hapjen e këtij programi të mirëfilltë propagandistik ajo organizoi dëgjime publike në sheshe e vendqëndrime të njohura në kryeqytet.
“Dje paradite me iniciativën e Partisë Fashiste Shqiptare dhe e organizuar prej Radio Tiranës filloi shërbimi i parë i ‘Radio
(31) Fashizmi, datë 29 dhjetor 1939. (32) po aty (33) Kjo gazetë filloi të botohet më 5 prill 1943, si një organ i përditshëm politik profashist. Këtë e pranonte redaksia qysh në numrin e parë, kur shkruante se
“në regjimin totalitar si ky i yni, një fletore politike nuk mund të ketë një program themelisht të ndryshëm nga ajo e regjimit: regjim monarkik me dinastinë e
Savojës në krye dhe regjimin totalitar i bazuar mbi doktrinën fashiste që ka krijuar gjenija e Benito Musolinit për të vajtur gjithnjë drejt popullit”. Roja kombëtare nuk pati jetë të gjatë, ajo u mbyll më 13 maj po të vitit 1943, sic njoftohej në numrin e fundit: “për shkaqe teknike”. (34) Roja kombëtare, datë 16 prill 1943. (35) po aty
Fletores’. Në sheshin para postës, si dhe në pazarin e vjetër ishin vendosur altoporlante për të dëgjuar banorët. Me anë të kësaj ‘Radio Fletore’ u transmetuan copa muzike popullore shqiptare dhe bisedime mbi argumentat e akualitetit. Kjo iniciativë u prit me kënaqësi të madhe prej popullit, Kjo ‘Radio Fletore’ do të përsëritet periodikisht”. (36) Ky format vijonte dy herë në ditë, në drekë dhe në mbrëmje. Gjithashtu për veprimtari publike shfrytëzohej dhe ekipi i këngëtarëve dhe orkestrantëve të njohur të Radio Tiranës. Një prej destinacioneve më të rëndësishme të këtij ekipi ishte dhe Spitali Qëndror i Ushtrisë në Tiranë, ku trajtoheshin shumë anëtarë të forcave ushtarake italiane. Koncertet e hapura në mjediset e spitalit ishin një mbështetje për angazhimin e luftëtarëve fashistë, të cilët ishin plagosur në fushën e betejës, si dhe një inkurajim për rritjen e moralit të tyre për t’u rikthyer sërish në vijën e frontit. Revista Vatra Shqiptare,(37) duke i bërë jehonë një koncerti të tillë në fund të qershorit 1941 në Spitalin Qendror të Ushtrisë të kryqytetit shkruante se kjo veprimtari iu “kushtohej trimave luftëtarë, të rënë dhe të plagosur në fushën e nderit, ndër luftrat e zhvilluara me aq tërbim për realizmin e idealeve tona kombëtare dhe për madhështinë e Perandorisë, në gjirin e së cilës Shqipëria jonë e ka fituar tashmë vendin e nderit”. (38) Ky përdorim i burimeve njerëzore e teknologjike të Radio Tiranës në rolin e një trupe muzikore lëvizëse të ushtrisë fashiste italiane përsëritej sa herë që nevojitej për të krijuar një atmosferë të ngritjes së moralit psikologjik në rradhët e luftëtarëve në territorin shqiptar.
Me rolin që kryente Radio Tirana në shërbim të ideologjisë fashiste, Shqipëria kishte bërë de jure dhe de facto anullimin e angazhimit të saj për të respektuar “Konventën ndërkombëtare
(36) Tomori, datë 7 qershor 1940. (37) Revistë e përmuajshme që botonte Radio Tirana. Krahas aktivitetit të këtij institucioni, Vatra Shqiptare botonte artikuj e reportazhe nga fusha e aktualitetit, diskutime të ndryshme për tematikë nga arti, kultura, teatri e kinemaja, krijime dhe përkthime të literaturës së huaj, humor etj. Ndaloi botimin në shtator të vitit 1944.
mbi përdorimin e radiostacionit në interes të paqes”. Kjo ishte nënshkruar zyrtarisht në Konferencën e Gjenevës nga përfaqësuesi shqiptar qysh më 23 shtator të vitit 1936, pra, para se vendi të kishte një radiostacion faktik në transmetim. “Ishte pragu i Luftës së Dytë Botërore. Konventa ndalonte përdorimin e Radios për qëllime dhe propagandë lufte”. (39)
Për ta zgjeruar edhe më shumë propagandën nëpërmjet transmetimeve radiofonike, autoritetet pushtuese në Shqipëri vendosën në pranverën e vitit 1942 të hapin një sinjal tjetër në juglindje të vendit. Më 27 prill të atij viti filloi zyrtarisht nga puna Radio Korça. Gazeta Tomori dy ditë më pas botoi në faqen e parë një kronikë të zgjeruar mbi një ceremoni “të thjeshtë të stilit fashist”, (40) që u zhvillua me këtë rast. Komisari i Jashtëzakonshëm i Qarkut të Korçës, Zef Kadarja, duke përshëndetur hapjen e radiostacionit të ri e lidhi atë me faktin e para disa ditëve, kur ishte arritur sipas tij dëbimi i të gjithë armiqve grekë nga Korça prej ushtrisë italiane.
“Zani i Korçës do të buçasi paskëndej anë e kënd Shqipërisë. Patriotët korçarë do të kenë mundësi të predikojnë, sot e tutje, flakën e atdhedashurisë nga ky mikrofon. Djelmëria korçare do të mund t’i dërgojë botës shqiptare shprehjen e shpirtit të saj artistik, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë me qytetërimin e përsosur të vendit”. (41) Fillimi i punës së këtij stacioni lokal ishte në kushte modeste me rreth 3 orë program ditor, në dy seksione, nga ora 12.00 deri më 13.30 dhe nga 20.00 deri më 21.15. Kryesisht me lajme në shqip dhe italisht, si dhe hapësirë muzikore, kryesisht nga fondi i Radio Tiranës. Pas disa muajsh koha në dispozicion për transmetimin e programit të Radio Korçës u zgjerua edhe më shumë, pasi u sigurua lidhja direkte me Radio Tiranën dhe Radio Romën.
(38) Vatra Shqiptare nr 21, korrik 1941. (39) Agron Çobani, Ju flet Radio Tirana… botimet Toena, Tiranë, 2010, faqe 15. (40) Tomori, datë 29 prill 1942.
Centralizimi i burimeve informative, qoftë për lajmet e brendshme si dhe ato ndërkombëtare ripozicionoi dhe rolin e Agjenisë Telegrafike Shqiptare. Në janar të vitit 1940, ATSH u vendos të kishte si burim të vetëm për lëndën e buletineve të saj informacionet që vinin nga Agjensia Italiane e Lajmeve Stefani. Kjo agjensi e vendit fqinj gradualisht kishte nisur të zinte gjithnjë e më shumë hapësira në median shqiptare të parapushtimit italian. Por qysh nga mëngjesi i 7 prillit 1939 ajo duket se kishte marrë rolin e favoritit për gjithshka që botohej jo vetëm nga kronika ndërkombëtare, por dhe ajo vendore. Statusi i ri që merrte kjo agjensi duke u bërë referenca e vetme për ATSH tregonte se kësaj të fundit tashmë i mbetej të bënte vetëm seleksionime e përkthime në shqip të pjesës kryesore të lëndës informative italiane.
(41) po aty