26 minute read

1. Përgatitjet për pushtim dhe ndikimi mediatik

1

PërgAtitjet Për PuSHtiM DHe NDiKiMi MeDiAtiK

Advertisement

 Kapja e Shqipërisë linte të hapura perspektiva të tjera

në territoret e Ballkanit.

 Vizita e Konti Çianos në prill të vitit 1937, preludi i

një plani të rëndësishëm strategjik.

 Roma zyrtare ishte më shumë për versionin “e të bërit

fakt” sa më shpejt të agresionit mbi Shqipërinë.

 Sjellja si “ovardarë” me honorare e rushfete të majme

për gazetarët dhe drejtuesit e redaksive.

 Heshtje mediatike për acarimin politik e diplomatik

shqiptaro - italian në prag të pushtimit.

Vendosja e regjimit fashist në Itali, pozicioni gjeografik e strategjik i fqinjit të saj të vogël, Shqipërisë, vetë kompleksiteti në zhvillimet e brendshme politike, ekonomike e sociale në hapësirën shqiptare – dukeshin si rrethana që “ushqenin” njeratjetrën se raportet mes dy vendeve duhet të ishin ndryshe. Italia e shikonte Shqipërinë si një rast të mirë në planin ekonomik e politik, pse jo për një zhvendosje territoriale më shumë në lindje, për të kapur e mirëkontrolluar bregun tjetër të Adriatikut, të cilin ajo e quante “deti ynë”. Kapja e Shqipërisë linte të hapura perspektiva të tjera në territoret e Ballkanit. Pavarësisht ulje ngritjeve në marrëdhëniet mes dy vendeve, apo tallazit të pakëndshëm për Italinë nga reagimi i shqiptarëve më 1920-n, realiteti i mëpasëm në fund të viteve ‘30 kishte krijuar një terren tjetër, disi ndryshe në marrëdhëniet mes dy vendeve, që dhe u trajtua me mjaft kujdes diplomatiko - politik e ushtarak nga Roma zyrtare.

Ajo që mund të konsiderohet dhe si fillimi i të menduarit dhe vepruarit “siç duhet” nga pala italiane “për zgjidhjen e problemit shqiptar” ishte vizita në Tiranë fund të prillit të vitit 1937 e ministrit të jashtëm të Italisë, Galeaco Çiano. Një vizitë e përgatitur deri në detaje për të qenë sa e bujshme aq dhe miqësore. Kjo u vu re dhe në gazetat kryesore që botoheshin atë periudhë në Shqipëri. Njëra prej tyre, Gazeta Shqiptare, qysh para 4 ditëve të mbërritjes së Kontit në Tiranë kishte zaptuar titujt e mëdhenj të faqes së parë, si paralajmërim publik për një dërgatë të jashtëzakonshme që do të mbërrinte nga Italia fqinje, të cilën e kryesonte një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke mbivlerësuar mysafirin e veçantë nga njera anë, gazeta që përfaqësonte hapur linjën zyrtare italiane tregoi kujdes të jashtëzakonshëm për pasqyrimin e mikpritjes shqiptare në anën tjetër.

Ndaj dhe Gazeta Shqiptare e të nesërmes së mbërritjes së Çianos në Shqipëri hapej me kryetitullin në faqen e parë: “Konti

Çiano pritet në Tiranë me brohorina enthusiastike!”. Në një korrespodencë të posaçme të drejtorit të saj, Nikolo Loruso Atoma, shkruhej me ekzaltim se: “Italia fashiste ka ndihmue me dashuni kombin shqiptar, që me ndihmën e dobishme italiane ka mund me u drejtue me të shpejtë në udhën e rilindjes”.(1) Ndërsa pak ditë pas vizitës, në kryetartikullin me titull: “Paqë n’Adriatik”, po Gazeta Shqiptare nënvizonte se diplomacia musoliniane ishte përkrahëse e miqësisë në mes të popujve të lirë që vendosin fatin e tyre, e frymëzuar nga parimi “i një bashkëpunimi konkret e pa dredhina”, (2) deri në skrupolizitet. Duke ndikuar në paqën në Europë, “kundrejt diplomacisë së vjetër që është mësuar me realizu dredhi e kurthe pas shpine”. (3)

Edhe gazeta Shtypi, (4) e cila kishte vetëm disa ditë që kishte hyrë në treg e pasqyroi me mjaft reveranca dhe i kushtoi një vëmendje të shtuar vizitës së Kontit Çiano në Shqipëri. Numri i saj i datës 29 prill hapej me titullin: “Shqipëria priti dje me brohoritje ministrin e aleates së madhe, Kontin Çiano”. (5) E gjithë faqja e parë i ishte dedikuar axhendës shqiptare të ministrit italian të jashtëm. Ndërkohë që në editorialin me titull: “Shqipëria Italia”, shkruhej: “Italia, sot një nga imperatoritë më të mëdha të botës, ka të gjithë të drejtën të lozë një rol të madh në fatin e popujve të vegjël. Ka gjithë të drejtën të zgjerojë aktivitetin e saj ekonomik në orientin e afërm dhe të largët. Këto kanë nevojë për fuqinë e

(1) Gazeta Shqiptare, 29 prill 1937. (2) Gazeta Shqiptare, 4 maj 1937. (3) Po aty. (4) Kjo gazetë nisi të botohet më 18 prill 1937, me drejtor të përgjithshëm dhe pronar Medin Kamber. Shtypi u prezantua si një gazetë politike dhe shoqërore që dilte tri herë në javë. Botuesit e saj premtonin se gazeta “…do t’i shërbejë me tërë fuqinë e forcave të veta, çështjes së lartësimit të fletorizmës shqiptare dhe kryerjes së misionit të vet në dobi të ardheut”. Në misionin e saj Shtypi kishte dhe përmirësimin e imazhit të gazetarisë, duke evituar fenomene negative të kohës. Ndaj dhe në numrin e parë shkruante: “Mjaft më me përleshje personale që helmomin guston e publikut duke demoralizuar rininë studioze. Në rradhë të parë lipset krijuar një falangë gazetarësh, mbasi, sikurse në çdo fushë të veprimit njerëzor, ashtu dhe shtypi ka më parë nevojë të elementit njeri.” (5) Shtypi, 29 prill 1937.

saj ekonomike dhe për fuqinë e saj të punës. Dhe vendi i lidhjes me këtë botë lindore është lumturisht, Shqipëria”. (6) Aq shumë e entuziazmuar e priti gazeta Shtypi këtë vizitë sa të nesërmen ajo botoi një numër jashtë rradhe, duke patur në fokus çdo detaj nga protokolli e deklaratat gjatë ndalesës së Çianos në Shqipëri. Kujdesi për pompozitet e notat e “një suksesi të padiskutueshëm” të vizitës zyrtare tri ditore të shefit të diplomacisë italiane, siç rrodhën më pas ngjarjet ishte preludi i një plani të rëndësishëm strategjik. “Ndonëse ishte mëndjelehtë dhe i paqëndrueshëm në pikpamje të politikës, ai (Çiano -AM) arriti të gjente një projekt që t’i zgjonte interesin dhe që më pas nisi ta quante si rezervatin e tij privat: Shqipërinë. Flirti i Çianos filloi menjëherë pas udhëtimit të tij të parë në Tiranë, në prill të vitit 1937”. (7) Plot mbresa e përshtypje nga vizita në Shqipëri ishte dhe vetë Konti, i cili ja transmetoi ato gati i ekzaltuar medias së vendit të tij

(6) po aty

sapo u kthye në Romë. Në aeroport ai iu tha gazetarëve italianë dhe korrespondentëve të mbledhur aty se: “druante se po vinte në një vend kundërshtar. Brenda një viti ky vend u shndërrua, përkundrazi në një mik të përzemërt” (8) - kujton më pas një personazh shumë i rëndësishëm i kohës, Françesko Jakomoni, i cili dhe e shoqëroi Çianon gjatë tri ditëve në atë vizitë. Gjithnjë sipas kujtimeve të tij edhe mikërpitësi i tij në Tiranë, Ahmet Zogu, ishte në të njëtën gjatësi vale: “se gjendja gjeografike dhe ekonomike e të dy vendeve tona i bënte të natyrshme marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy popujve”. (9)

Në mendjen e shefit të diplomacisë italiane dukej se sillej e ravijëzohej qartë një ide më e avancuar se sa thjesht “kooperimi i ngushtë mes dy fqinjëve”. Duke ja njohur mirë “mijdenë” shefit, njëkohësisht dhe të vjehërrit të tij, Musolinit, Çiano, nisi t’ia shkruante me shumë kujdes raportet për Shqipërinë. Pak kohë pas vizitës së tij mbresëlënëse ai kujton në ditarin e tij personal: “I mbusha mendjen Duçes për t’i dhënë Shqipërisë 60 milion në katër vjet për punime të ndryshme. Udhëtimi im në Tiranë më bindi për nevojën e kujdesit deri në fund në këtë sektor. Duhen krijuar sektorë të qëndrueshëm të interesave italiane. Nuk dihet se çfarë do të na rezervojë e ardhmja. Duhet të jemi gati të shfrytëzojmë okazionet që do të paraqiten. Ne nuk do të tërhiqemi, sikurse bëmë më 1920-n. Në Jug (të Italisë - A.M) kemi thithur disa qindra mijëra shqiptarë. Pse nuk mund të bëhet po kështu dhe mbi bregun tjetër të Adriatikut?”. (10)

Por më pas u pa se në terren gjërat nuk dukeshin të thjeshta. Kontrolli i pushtetit në Shqipëri nga mbreti Zog, politika me oshilacione e tij në raportet me fqinjët, shfaqja në mjaft raste

(7) Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës, 1939 – 1945, shtëpia botuese “Çabej”,

Tiranë, 1999, faqe 33. (8) Francesco Jacomoni, Politika e Italisë në Shqipëri, shtëpia botuese “55”, Tiranë, 2005, faqe 62. (9) po aty (10) Galleazzo Ciano, Ditari (1937 – 1943) - Shqipëria, shtëpia botuese “Albinform”,

Tiranë, 1994, faqe 8 – 9.

hapur e rezervave e kundërshtimeve të tij personale dhe e kastës që e rrethonte për politikën zyrtare të Romës, nuhatja dhe pragmatizmi për t’u lavdëruar për aleanca a kundërvënie në marrëdhnëiet me shtetet përreth, prezenca e qarqeve nacionaliste në rajone të ndryshme të vendit, nga ana tjetër të pakënaqurit nga qeverisja monarkike shqiptare – këto dhe të tjera përbënin një pazëll me shumë pikëpyetje, enigma e dyshime. Po t’u shtoje këtyre dhe konjukturat ndërkombëtare afër dhe larg rajonit të Ballkanit, ambiciet e njëkohshme të disa shteteve për gllabërim territoresh – kjo e bënte jo të lehtë ëndrrën e fashistëve italianë të vërshimit pushtues në Shqipëri.

Në pritje të sigurimit e argumentave pro invazionit dhe bërjes realitet të tyre, Roma zyrtare paralelisht vijonte të ndiqte një plan që kërkonte kohë e energji deri në finalizm. Pikërisht Galeaco Çiano ishte arkitekti për sendërtimin e procesit, hap pas hapi, në një program makro, që përfshinte çdo sektor kyç të jetës e shoqërisë shqiptare. Një vit më pas, më 27 prill të vitit 1938, Çiano mori pjesë në ceremoninë e martesës së mbretit Ahmet Zogu. Pas asaj atmosfere, të cilën ai e përshkruan me diferenca të thella -nga njëra anë “ceremonia u zhvillua me një seriozitet superior nga parashikimi”, (11) nga ana tjetër “populli indiferent e në kontrast dukej madje më i reckosur se zakonisht”

(12) – Konti duket më i kthjelluar dhe i bindur në idenë e tij për atë që duhej bërë me Shqipërinë.

“Zogu ishte tepër i zgjuar për të rënë në protektoratin italian nëpërmjet trysnisë ekonomike. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës Shqipëria do të bëhej me të vërtetë pjesë e Perandorisë së ringjallur Romake të Musolinit ishte pushtimi. Duke arritur në një përfundim të tillë të pakthyeshëm, Çiano dhe një numër i madh këshilltarësh dhe ekspertësh të personelit të tij përpunuan një plan të gjerë, madje qysh gjatë kohës së qëndrimit të tyre në Tiranë, i cili do t’i paraqitej Duçes për miratim”. (13) Përshpejtimi i pushtimit të Shqipërisë kishte dhe një faktor jashtë marrëdhënieve mes dy fqinjëve: frikën nga hegjemonizmi i Gjemanisë naziste në Ballkan. Për të evituar përplasjen mes dy aleatëve Roma zyrtare ishte më shumë për versionin “e të bërit fakt” sa më shpejt të agresionit mbi Shqipërinë.

Duke iu kthyer “planit Çiano”, në thelb ai propozonte për Musolinin tri opcione:

A. Italia mund të vazhdonte të forconte lidhjet e veta ekonomike me Shqipërinë. Kjo ishte një rrugë paqësore, me nënshtrimin ekonomik e financiar, e cila në fakt ishte ndjekur deri në atë kohë. Por, sipas hartuesve, ishte e qartë se sundimi politik do të vononte në kohë.

B. Copëtimi i Shqipërisë mes Italisë (që merrte “pjesën luanit”) e Jugosllavisë (ndoshta dhe fqinjit tjetër, Greqisë). Kjo ishte një rrugë e kollajtë për t’u finalizuar në planin diplomatik, pasi fqinjët mezi prisnin një zgjidhje të tillë.

C. Aneksimi i drejtëpërdrejtë i Shqipërisë, duke aplikuar të ashtuquajturën formulë e “Bashkimit Personal” me dinastinë italiane të Savojës. Çiano dhe shpurra burokratike që e këshillonte hapur parapëlqenin këtë opcion. Ata duket se e kishin të qartë dhe mënyrën e realizmit të “planit C”: duke shfrytëzuar përçarjet e

(11) Po aty në faqen 12. (12) po aty (13) Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës, 1939 – 1945, faqe 34.

brendshme mes Zogut dhe popullatës, duke nxitur një revoltë, ose stimuluar krizë në Shqipëri etj. Rrëmuja dhe paqëndrueshmëria do të ishin shkak “i natyrshëm” për ndërhyrjen e Italisë për të rivendosur rregullin dhe për të mbështetur popullatën.

Konti dhe bashkëpunëtorët ia ofruan projektin Musolinit duke e “sheqersour” me leverdinë e aneksimit të Shqipërisë, duke e përshkruar vendin dhe si një rezervat potencial dhe i pashfrytëzuar në fushën bujqësore, blegtorale, pyje, peshkimi e burime minerare. Ku mund të sistemoheshin pa problem deri dhe rreth 2 milion italianë. Kuptohet lehtë se strategjia kryesore që do ndiqej nga ai moment ishte vënia nën kontroll e të gjithë sektorëve jetikë të Shqipërisë. Do të intesifikohej depërtimi në ushtri, ekonomi, kulturë, mjetet e informimit, inspirimi i frymës italiane në rradhët e të rinjve, madje qysh tek moshat e vogla të fëmijëve, amplifikimi në publik i propagandës fashiste etj.

Në planin diplomatik ndërkombëtar Italia u fokusua në sqarimin dhe marrjen e garancive në rradhë të parë nga Gjermania, që Musolini të kishte “dorë të lirë” mbi Shqipërinë. Paralelisht duheshin qetësuar fqinjët përreth, sidomos Jugosllavia, se hapat e Italisë do të ishin të matur dhe të padëmshëm për interesat e saj, por dhe të tjerëve. Në planin e brendshëm synimi ishte thellimi i nxitjes së pakënaqësive në popull, duke shenjëzuar rolin dhe performancën e Mbretit Zog, duke mos përjashtuar dhe organizimin e komploteve për eleminimin fizik të tij. Ajo që shikohej nga italianët si gjëja e duhur ishte krijimi i trazirave të dhushme e i situatës anarkike në vend, gjë që do t’i “detyronte” italianët të ndërhynin për rivendosjen e rregullit e normalitetit. Edhe joshja e njerëzve të njohur, apo udhëheqësve të fiseve me para e premtime në këmbim të besnikërisë ishte pjesë e strategjisë së përgatitjes së terrenit për pushtim.

Sa i takon fluksit mediatik të kohës, gazetave, revistave e Radio Tiranës, pala italiane punoi më shumë për të rritur hapësirën e informimit dhe të trajtimit të temave të bashkëpunimit të pashmangshëm mes dy vendeve fqinje, të ndihmës e përkrahjes

bujare që ishte dhënë prej kohësh nga Italia për Shqipërinë dhe të tjera argumente që ishin në favor të rritjes së simpatisë në popull. Duke qënë se media në prag të pushtimit fashist vlerësohej se ishte e dominuar nga qëndrimi pro oborrit mbretëror të Ahmet Zogut, italianët nuk mund ta ndalnin këtë trend varësie. Por ata me shumë efektivitet mund të shfrytëzonin dhe të nxisnin pikërisht atë pjesë të administratës mbretërore dhe elitës intelektuale – që nuk ishte pak – që kishte afeksion dhe dobësi për Italianë, për të qenë më aktive në median e kohës për të publikar të mirat që i vinin Shqipërisë nga Italia.

Ashtu si dhe u sollën me pjesën më të mirë të kastës politike shqiptare dhe njerëzit që kishin një ndikim të madh në opinionin publik shqiptar, italianët vazhduan të tregohen “ovardarë” në dhënien e honorareve dhe rushfeteve të majme për penat më të spikatura të gazetarisë, si dhe drejtuesit kryesorë të redaksive. “Ndikimi i tyre në shtypin shqiptar nxitej e ndihmohej me forma të ndryshme, që prej afrimit të drejtuesve të gazetave kryesore shqiptare dhe më në zë, duke i dërguar në Itali për vizita pune e eskursione, private dhe zyrtare, deri dhe tek financimi i tyre”. (14) Gjithashtu italianët ishin shumë të vëmendshëm edhe kur ndesheshin me autorë kritikë ndaj tyre. “Kostë Çekrezi, i cili në gazetën e tij Telegraf kishte stigmatizuar politikën monetare italiane në Shqipëri, me urdhër të Alberto Parianit, asokohe atashe ushtarak pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, iu afrua një kredi bankare prej 10 mijë frangash pa ndonjë garanci materiale”. (15)

Synimi kryesor ishte që të paktën nga media kryesore të sigurohej indiferenca dhe “mosfutja e hundëve” për përmbajtjen e marrëdhënieve mes Tiranës e Romës, në rastin më të keq dhe heshtja dhe zhvendosja e vëmendjes diku tjetër, në rastin më

(14) Hamit Boriçi, …Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare, (1848 – 1997), enti botues poligrafik “Gjergj Fishta”, Lezhë, 1997, faqe 116. (15) po aty

të mirë. Si modeli për atë që duhej pasqyrohej nga zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare imponohej përmbajtja e të përditshmes profashiste Gazeta Shqiptare. Në faqet e gazetave kryesore, apo në transmetimet e Radio Tiranës, p.sh., nuk gjeti vend asnjë informacion apo argument nga acarimi dhe tensioni mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare në momentet e fundit para zbatimit të planit pushtues fashist.

Duke hasur një pengesë serioze te mbreti Zog, italianët nuk rreshtën së zbatuari projektin e tyre duke e shoqëruar mosbindjen e kundërshtinë e tij me presione e ultimatume. Kulmi ishte më 25 mars të vitit 1939 kur Ahmet Zogut iu dërgua një projekt pakt “për protektoratin mbi Shqipërinë”. (Dy ditë më parë Italia kishte siguruar OK e Hitlerit për pushtimin e Shqipërisë). Ky dokument në formë të hapur ultimatumi ishte hartuar nga “njeriu i Duçes për Shqipërinë”, Galeaco Çiano, së bashku me njërin prej drejtorëve të tij vartës në ministrinë e punëve të jashtme, Leonardo Viteti.

“Propozimet italiane ishin shoqëruar me besimin se Zogu do të kapitullonte dhe kështu do të realizohej plani italian për protektoratin mbi Shqipërinë. Në dokumentin e formuluar nga Çiano e Viteti kërkohej: 1-Përfundimi i një aleance mbrojtëse vetëm me Italinë; 2-Premtohej ndihma ushtarake italiane në rast kërcënimi të jashtëm ndaj territorit të shqiptar; 3–Kërkohej leja që qeveria italiane të ndërhynte për rivendosjen e rendit publik (nëse ky prishej!); 4–Dhënie e koncesionit për të përdorur në mënyrë të lirë portet, aerodromet dhe linjat e komunikacionit shtetit italian; 5–Ngritja e legatës italiane në Tiranë në rangun e një ambasade; 6–Shqipëria të pranonte ndihmës dhe këshilltarë italianë në fushën financiare, si dhe teknikë italianë në çdo ministri shqiptare; 7–Heqja e pengesave doganore midis dy vendeve; 8–Qytetarët italianë të konsideroheshin si qytetarë të Shqipërisë dhe anasjelltas”. (16)

Përballë kësaj furtune kushtesh që përligjnin cënimin e integritetit dhe humbjen e pavarësisë së Shqipërisë, mbreti Zog u vu në lëvizje duke përgatitur një paketë kundërpropozimesh. Ato kishin të bënin me statusin e ushtrisë italiane kur vepronte në territorin e Shqipërisë, me çështjen e nënshtetësisë shqiptare për italianët, për doganat, të ngarkuarit me punë në institucione etj. Por kur ai e paraqiti për diskutim këtë paketë në qeveri atje hasi në një frymë të përçarë: një pjesë e ministrave ishin pro planit italian, ndërkohë që të tjerët ishin në favor të paraqitjes së kundërpropozimeve.

Në rradhët e administratës shqiptare investimi i një kohe të gjatë i Italisë po jepte fryte konkrete. Për simpatizantët dhe të rekrutuarit “erdhi ora” e pozicionimit hapur pro pushtimit fashist. Ishte data 6 prill 1939. Nuk kishte shumë vend për negociata, pasi në territorin e fqinjit të Shqipërisë ishin “ndezur motorët” për zbatimin e udhërit të pakthyeshëm ushtarak për mësymje me formacione të rregullta nga uji, ajri dhe toka. Dhe kjo u bë fakt qysh të nesërmen herët në mëngjes.

Në të njëjtën gjatësi vale me pjesën proitaliane brenda qeverisë shqiptare dukej dhe pjesa më e madhe e gazetave. Ishte koha që ato të shfaqnin “padituri” për atë që ndodhte, duke zbatur direktivën e “qëndrimit mënjanë” nga fryma konfliktuale mes Romës dhe Tiranës. Nuk kishte vend për të riskuar duke shprehur ndonjë dyshim, pakënaqësi – dhe aq më pak kundërshti – për presionin e ashpër italian mbi autoritetet zyrtare shqiptare. Gazetaria shqiptare po sillej si e huaj me aktualitetin, pa instiktin bazë të profesionit, informimin dhe trajtimin e problemeve kryesore të ditës, pa asnjë kronikë, koment a vështrim për çfarë ndodhte në relatat mes dy vendeve fqinje. Heshtja ndaj trajtimit të tematikës mbi marrëdhëniet politike e diplomatike shqiptaro italiane u kompesua me mbushjen e hapësirave ditore me informata e kronika krejt rutinë dhe probleme anësore, qoftë në planin e

(16) Muharrem Dezhgiu, Shqipëria nën pushtimin italian (1939 – 1943), Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Historisë, Tiranë, 2005, faqe 34.

brendshëm ashtu dhe nga axhenda ndërkombëtare. Tamam për këtë tip performance ishte bërë gjithë ai investim material e ideologjik nga zbatuesit e planit të pushtimit fashist të Shqipërisë.

Në përgjithësi në sjelljen mediatike vendore ecej sipas planit, pavarësisht se në një pjesë të medias së njohur ndërkombëtare po pasqyrohej një raport i acaruar mes dy vendeve, madje jepej dhe alarmi mbi planifikimin e një sulmi ushtarak italian mbi Shqipërinë. Në mënyrë të mirëorganizuar dhe të përpiktë kësaj vale mediatike iu dha përgjigje gati e sinkronizuar nga pjesa më e madhe e medias, gazetave kryesore, Radio Tirana e Agjensia Telegrafike Shqiptare. Vënia nën një kontroll të rreptë të redaksive duket qartë dhe nga mënyra se si ato e mbuluan aktualitetin në ditët e para të prillit të vitit 1939. Kështu në datën 3 prill, pra 4 ditë para bërjes fakt të pushtimit, gazeta Shtypi shkruante në një shënim të shkurtër të faqes së parë se: “Disa gazeta të huaja, si dhe persona të papërgjegjshëm kanë përhapur ndër këto ditët e fundit lajme të gënjeshtra mbi Shqipërinë dhe marëdhëniet e saj me Italinë. S’ka dyshim se këto lajme kanë për qëllim me paraqit në mënyrë të gabueme marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë”. (17)

Mbrëmjen e asaj dite radiostacioni italian Bari 1, i cili kishte edicione informative në gjuhën shqipe dhe që kapeshin nëpërmjet valëve të shkurtëra në territorin e Shqipërisë, emetoi në mënyrë të përsëritur një deklaratë mbi marrëdhëniet mes dy vendeve. E shkruar nga një dorë e stërvitur përmbajtja e komunikatës jo që nuk linte vend për dyshime në vazhdimësinë me pozitivitet të marrëdhënieve mes dy fqinjëve, por midis rradhëve ishin spërkatur dhe me doza qetësimi se qeveria italiane nuk kishte qëllim për atentat kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Përmbajtja e plotë e saj u botua të nesërmen në mëngjes në faqen e parë të Gazeta Shqiptare, vendosur nën një titull të dukshëm dhe domethënës: “Marrëdhëniet italo - shqiptare janë gjithmonë fort

(17) Shtypi, 3 prill 1939, faqe 1.

të përzemërta. Lajme tendecioze nuk mund të prekin këtë miqësi që rrënjoset sa më shumë”. (18)

Ja teksti i plotë i komunikatës: “Lajmet e përhapura përjashta rreth gjendjes dhe marrëdhënieve midis Italisë dhe Shqipërisë janë tendecioze dhe të pathemelta. Mbi kërkesë të vetëdijshme të N.M.T Mbretit Zog të Shqiptarëve, janë në vazhdim e sipër bashkëfjalimet për një forcim të aleancës defensive midis të dy vendeve. Dihet prej të gjithëve simpatia që Italia ushqen për popullin shqiptar, simpati për të cilën ky popull ka pasur prova konkrete të përsëritura. Nuk është në qëllimin e qeverisë italiane me ba atentat kundra pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipënisë”. (19)

Në kuadër të kontrollit dhe censurës që aplikohej gjatë atyre ditëve pak a shumë në të njëjtën linjë ishte dhe gazeta tjetër, Drita. (20) Kjo e përditshme preferoi të merrte njoftimin e Agjensisë Telegrafike Shqiptare. Si një institucion që ishte pro linjës zyrtare të mbretërisë shqiptare agjensia lëshoi një komunikatë me përmbajtje të thatë. Por në një lexim të vëmendshëm midis rradhëve kuptoje jo vetëm përgënjeshtrimin për atë që flitej në median ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë dhe tension e pakënaqësi: “Disa lajme të përhapura sot prej nja dy gazetash dhe radiosh të huaja rreth vendosjes së një protektorati mbi Shqipërinë, nuk i përshtaten së vërtetës, se Shqipëria nuk kishte me pranu kurrë një cënim të indipendencës dhe të integritetit të saj. Agjencia Telegrafike Shqiptare”. (21) Drita e kishte vendosur këtë njoftim në faqen e parë nën titullin: “Shqipëria nuk do të pranojë kurrë një cënim të indipendencës dhe të integritetit të saj”.

(18) Gazeta Shqiptare, 4 prill 1939, faqe 1. (19) po aty (20) Filloi të botohet në një ditë të shënuar për shqiptarët, më 28 nëndor 1936, në 24 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Drita u prezantua si një e përditshme parimesh nacionaliste duke shpjeguar në numrin e parë dhe një nga qëllimet kryesore të saj që ...”të ndriçohet dhe forcohet ideja e një bashkimi të fortë kombëtar. Duhet të rrënjoset bindja, se pa këtë ideal të lartë dhe të shenjtë, s’mund të kemi jetë as si popull vetëurdhëronjës, as si komb indipendent.” Në rreth 3 vjet të ekzistencës së saj (1936 -1939) ajo u botua në 738 numra. Drejtuesi i saj i parë ishte Mati

Logoreci, por pas vitit 1938 gazeta u drejtua nga Zoi Xoxa.

Dhe vetëm kaq për këtë çështje. Pjesa tjetër e lëndës së gazetës ishte thuajse si për një ditë të zakonshme. Jo vetëm në Drita, por dhe në gazetat e tjera të asaj dite si kryelajm ishte zhvillimi i kalendarit të veprimtarive për “Javën e Gruas Shqiptare”, nën kujdesin e princeshave të Oborrit Mbretëror Sanije, Ruhije, Myzejen dhe Maxhide. Kronika, informacione, mbresa shoqëruar me foto, duke i dhënë në media ngjyrat e një atmosfere të vërtetë “gëzimi dhe krenarie” që kishin krijuar në opinion aktivitetet e Javës.

Në datën 6 prill Gazeta Shqiptare i bënte jehonë lindjes së mbretëreshës Gerlandinë, duke e hapur faqen e parë me titullin e madh: “Shqipnia në gëzim të madh për lindjen e trashëgimtarit të fronit”, të cilat shoqëroheshin me dy foto personale të mbretit dhe të mbretëreshës. Edhe Drita në dy faqet e para të saj kishte vetëm lajme, mbresa dhe përshëndetje për trashëgimtarin e Oborrit. Kësaj ngjarje i kishte paraprirë një ditë më parë Radio Tirana, e cila thuajse të gjithë programin e saj informativ e argëtues deri në mbrëmje ja kushtonte ardhjes në jetë të trashëgimtarit. Ajo transmetoi hollësisht atmosferën festive me “jehonën e 101 topave” që përshëndetën në mëngjes herët, si dhe ceremonitë e kremtimet në sheshe publike e institucione, veçanërisht në kryeqytet.

Këto tubime dhe ceremoni me pjesmarrje masive të qytetarëve ku ishin dhe personalitete të jetës publike e politike nuk ishin të motivuara vetëm nga lindja e trashëgimtarit, por dhe nga hutimi, kurioziteti, pasiguria dhe revolta për raportet mes dy vendeve. Për fatin e marrëdhënieve dhe plotësimin e kushteve që ishin vënë nga italianët. Turmat që silleshin rreth pallatit mbretëror dhe institucioneve të tjera më 6 prill parandjenin rrezik, ndaj hapur kërkonin armë. Gjithashtu ato kërkonin “të nxirrej një shpallje zyrtare e qeverisë, ku të shpjegoheshin negociatat me Italinë dhe masat ushtarake në rast lufte”. (22) “Pa dijtë hollësinat e bisedimeve në mes të qeverive shqiptare dhe italiane, populli shqiptar e kishte kuptue me instikt se këtë herë puna nuk do të mbaronte me një

(21) Drita, 5 prill 1939, faqe 1.

kompromis. Prandaj, pleq dhe të rinj ulurinin për me u regjistrue si vullnetarë”. (23)

Por në realitet asgjë nga këto, as dhe njoftimi i Zyrës së Shtypit pranë Ministrisë së Jashtme në Tiranë i mbrëmjes së asaj dite - ku deklarohej nga mbreti dhe qeveria se “nuk do të pranohej në asnjë mënyrë që ndonjë fuqie të huaj t’i bëheshin koncesione për të vënë në rrezik pavarësinë politike dhe tërësinë tokësore të atdheut” - nuk u pasqyruan në gazetat kryesore. Përballë një gjendje të tensionuar dhe konfrontimi ende të pashpallur kishte dhe gazeta që zgjodhën mosdaljen në treg. Kështu Shtypi që prej datës 5 prill ndërpreu botimin për t’u rishfaqur në treg pas një jave, kur puna e pushtimit ishte kryer.

Por në këtë periudhë pati dhe informata e qëndrime që pasqyronin realitetin. Siç ishte rasti i Gazeta e Korçës. Numri i saj i datës 5 prill 1939 i përbante të dy zhvillimet kryesore: edhe lindjen e princit trashëgimtar edhe reagimet në opinionin korçar për situatën e krijuar. “Shqipëria nuk do të pranojë kurrë një cënim të indipendencës dhe integritetit të saj”- ishte njëri prej titujve të mëdhënj të gazetës atë ditë. Dhe po me gërma kapitale shkruhej më poshtë: “Populli i Korçës me anë të një demonstrate të madhe shfaq besimin se Mbreti Zog do ta udhëheqë me trimëri për të mbrojtur Atdheun. Të gjitha sakrificat do të bëhen për të ruajtur lirinë e Shqipërisë”. (24)

Gazeta pasi botonte variantin zyrtar të Agjensisë Telegrafike Shqiptare për lajmet që ishin përhapur “rreth vendosjes së protektoratit mbi Shqipërinë” (25) dhe hedhjes poshtë të tyre si të pavërteta, pasi “Shqipëria nuk do të pranojë kurrë një cënim të indipendencës dhe të integritetit të saj”, (26) jepej një kronikë e

(22) Muharrem Dezhgiu, Shqipëria nën pushtimin Italian (1939 – 1943), faqe 40. (23) Tahir Zavalani, Histori e Shqipnis, pjesa e dytë (1878 – 1965), botuar në Londër në 1966, faqe 226. (24) Kjo gazetë nisi të botohet në qytetin e Korçës si një organ lokal në vitin 1916. Në përmbajtjen e saj kishte dhe tema e çështje me karakter kombëtar. Pavarësisht një ndërprerje rreth dy vjeçare në periudhën mes viteve 1921 – 1923, Gazeta e

Korçës vijoi të dalë në treg deri në mes të vitit 1939. Pas pushtimit italian ajo u zëvendësua nga organi fashist i Federatës së Korçës, Liktori.

zgjeruar mbi atë që kishte ndodhur pasditen e një dite më parë në kryeqëndrën e juglindjes së vendit. Po aty bëhej me dije dhe telegrami që ishte përcjellë nga demonstrata në Korçë për Oborrin Mbretëror në Tiranë: “Ky popull dha sot besën shqiptare se do të jetë gjithmonë gati t’ju vijë pas për të shpëtuar Atdheun dhe ka besim të patundur se në këtë çast kritik për kombin tonë do ta udhëhiqni me trimërinë që ju karakterizon” (27) - thuhej mes të tjerave në telegramin e demonstruesve. Më poshtë ishte rradhitur në vijim dhe përgjigja e Ahmet Zogut që i pëlqente solidariteti, por nga ana tjetër apelonte për qetësi. “S’ka dyshim se të gjithë shqiptarët e sidomos korçarët patriotë nuk do të kursehen të bëjnë detyrën kur t’u lypet për integritetin dhe pavarësinë e shenjtë. Rini të qetë! Zog I-rë”. (28)

Në pikpamjen profesionale Gazeta e Korçës e datës 5 prill ishte me një qëndrim të balancuar në informacionin që jepte për lexuesit e saj. Ajo i linte hapësirë edhe lajmeve që vinin nga terreni për situatën e krijuar, por dhe përgënjeshtrimeve ndaj tyre nga pala shqiptare dhe ajo italiane. “Qarqet e Londrës janë tronditur shumë nga lajmet që vijnë mbi zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri. Por dy përgënjeshtrime u dhanë pasdreke, njëra nga qeveria e Tiranës dhe tjetri jo zyrtar nga gazeta e Barit, që shkruan se nuk është fjala për dërgim trupash në Shqipëri, por se po vazhdojnë bisedime për bërjen më të ngushta të marrëdhënieve midis dy vendeve”. (29)

Të nesërmen po kjo gazetë lokale kishte më shumë nota gëzimi dhe lumturie për lindjen e trashëgimtarit se sa reagime për situatën e krijuar nga marrëdhëniet shqiptaro italiane. Megjithatë në disa rradhë të editorialit të atij numri përmendej dhe gatishmëria për t’u përballur në çdo rast kur të cënohej integriteti dhe pavarësia e

(25) po aty (26) po aty (27) po aty (28) po aty (29) po aty

Atdheut. Por koha e lirisë së shprehjes dhe balancës për Gazetën e Korçës po mbaronte. Vetëm pak ditë pas pushtimit italian dhe ajo “hyri në rreshtin” e botimeve të tjera duke e përshëndetur dhe e përkrahur këtë proces.

Ndërkohë kishte dhe ndonjë gazetë si Sazani, (30) që botohej jashtë vendit, e që kishte dhënë disa muaj para 7 prillit të vitit 1939

alarmin për rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga Italia fashiste. Në kryeartikullin e numrit të parë të gazetës, në shtator të vitit 1938 shkruhej mes të tjerave: “Sot Shqipëria ndodhet përsëri para rrezikut të kolonizimit dhe të skllavërimit. Imperializmi italian ka futur në kthetrat e saj pothuaj tërë jetën ekonomike të vendit, ka në dorë kontrollin e ushtrisë kombëtare. Politika e jashtme e shtetit tonë në ditët e sotme ka humbur indipendencën e saj dhe është bërë vegël e verbër e politikës fashiste të Italisë, vegël e verbër e luftës skllavëronjëse dhe barbare që bëjnë Gjermania, Italia dhe Japonia kundra popujve të Spanjës dhe Kinës. Përfaqësuesi i Musolinit në Shqipëri fut hundët në të githa punët e brendshme të vendit tonë dhe jep urdhëra në të djathtë dhe në të mëngjër.” (31) Por gjykime të tilla nga një gazetë që ideohej e shtypej në Francë, që vinte në duart e lexuesve në Shqipëri me kopje të pakta dhe kushedi se sa kohë pas botimit, nuk mund të kishin ndonjë ndikim në opinion, e aq më pak të ndikonin tek autoritetet.

(30) Gazetë mujore në gjuhën shqipe që botohej nga studentë dhe emigrantë shqiptarë në Francë. Përmbajtja e katër fletëve të saj ishte me orientim të majtë. Qysh në shtator të vitit 1938 kur u botua numri i parë i Sazanit, ajo u shpall nga redaksia si një tribunë e lirë dhe “shtyllat e gazetës sonë janë të hapura për të gjithë ata që luftojnë kundër zgjedhës italiane dhe mbrojnë të drejtat e popullit shqiptar”.

Botimi i saj vijoi vetëm për 12 numra deri në gusht të vitit 1939. (31) Sazani, nr.1, shtator 1938

This article is from: