10 minute read
Përfundime
Duke ndjekur hap pas hapi rrjedhën ngjarjeve historike në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste (1939 -1943), duke ju referuar performancës dhe ndikimit që pati media shqiptare në atë periudhë, ngjyrimet dhe këndvështrimet sipas përkatësisë politike e ideologjike të saj, mënyrës se si e instaloi kontrollin e censurën ndaj medias rregjimi i kohës – çështje të gjitha këto në fokus të këtij punimi – më në fund po parashtroj disa përfundime:
Nisur nga fakti se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste nuk ishte një vendimarrje spontane, e detyruar nga rrethana dhe nevoja për zgjidhje të momentit, por një strategji afatgjatë, për të cilën Roma zyrtare kishte kohë që punonte dhe shpenzonte energji monetare dhe njerëzore, si pjesë e saj ishte dhe faktori mediatik i brendshëm. Media shqiptare para 1939-s nuk kishte shumë hapësira për mendime e gjykime që ishin të ndryshme nga ato të regjimit monarkik autoritar të Ahmet Zogut. Vendin e debatit me pikëpamje ose ide për zhvillimet e ekonomike, politike e sociale e kishin zëvendësuar trajtimi i temave
Advertisement
rutinë, periferike, pa kurrëfarë peshe, por dhe akuzat e sharjet personale mes gazetarëve dhe redaksive. Për italianët më shumë interes në këtë periudhë kishte që në faqet e gazetave shqiptare të kishte sa më shumë lëndë informative e propagandistike për Italinë, për relatat e mira mes Tiranës dhe Romës, për projektet zhvilluese në sektorët jetikë, për kulturën, historinë e traditën italiane etj. Që të mbuloheshin me nota sa më të gëzuara dhe simpatie vajtjet – ardhjet e delegacioneve të çdo niveli nga të dy vendet.
Rezultati më i mirë i pritshëm i autoriteteve zyrtare italiane për rolin e medias shqiptare në prag të pushtimit fashist dhe në momentet e bërjes fakt të invazionit ushtarak ishte heshtja dhe indiferenca. Në një vështrim qoftë dhe të përciptë këtë e shikon qartazi në atë periudhë. Mungojnë marrëdhëniet e acaruara mes mbretit Zog dhe qeverisë italiane, apo të dërguarve të saj në Shqipëri. Nuk flitet fare për kërkesa e ultimatume që u bënë në fund të marsit dhe në fillim të prillit të vitit 1939. Media shqiptare ishte e tëra e “sygjestionuar” ndaj disa veprimtarive kulturore e artistike që bëheshin në Tiranë e rrethe, sikundër dhe nga panorama e kronikave ndërkombëtare. Ajo nuk mbajti asnjë lloj qëndrimi edhe kur në mediat e huaja kryesore nisën të jepen lajme për planet e Italisë ndaj Shqipërisë, duke përfshirë dhe skenarin e pushtimit ushtarak. U mjaftua vetëm me botimin e njoftimeve tepër të shkurtëra e të unifikuara, të cilat dukeshin hapur se ishin përgatitur nga zyrat propagandistike në Romë. Reagimet e shqetësuara për atë që e priste vendin, si dhe përjetimet e atyre momenteve në opinionin e gjerë publik, gjetën pak vend në hapësirën mediatike shqiptare si në Radio Tirana, gazetën lokale të
Korçës apo në ndonjë organ që publikohej jashtë vendit.
Gazetaria shqiptare u soll si e huaj me aktualitetin. Pa instiktin bazë të profesionit: informimin dhe trajtimin e problemeve kryesore të ditës, pa asnjë kronikë, koment a vështrim për çfarë ndodhte në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Heshtja ndaj trajtimit të tematikës mbi raportet politike e diplomatike shqiptaro – italiane u kompesua me mbushjen e hapësirave ditore me informata e kronika krejt rutinë dhe probleme anësore, qoftë në planin e brendshëm ashtu dhe nga axhenda ndërkombëtare. Tamam për këtë tip performance ishte bërë gjithë ai investim material e ideologjik nga zbatuesit e planit të pushtimit fashist të
Shqipërisë.
Investimi italian për ta patur në anën e vet median kryesore vendore dha “fryte” qysh një ditë pas pushtimit të Shqipërisë, kur me tituj patetikë në faqet e para brohoritej me ngazëllim deri në ekstazë ardhja ushtarakisht e Italisë fashiste në Shqipëri. “Të zgjuar” pas një letargjie disa ditore, redaksitë e gazetave kryesore derdhën të gjithë arsenalin e tyre me fjalorin më të zgjedhur për të lavdëruar Italinë “për nderin” që i bënte fqinjit të saj të vogël, duke e përshkruar dhe si një çlirim të popullit shqiptar nga regjimi zogist, që punonte vetëm për interesat e një grupi njërëzish që i shkonin pas. Thujase në korr, redaksi dhe gazetarë që kishin ngritur deri atëhere në qiell kontributin e mbretit Zog dhe të qeverive nën hyqmin e tij, tashmë kishin “mprehur shpatat”, duke e përçmuar me të gjitha negativitetet e mundshme regjimin monarkik shqiptar, ndërkohë që “hidhnin lule” mbi Musolinin, si shpëtimtari i kombit shqiptar. Në ditët e para të pushtimit media kryesore shqiptare ishte në të njëjtën gjatësi vale me homologët italianë dhe ata të vendeve të Boshtit kur argumentonin invazionin fashist në Shqipëri: Italia ishte pritur me gëzim dhe mirëkuptim nga popullata; ajo duhej të ndërhynte që
të shpëtonte pjesën më të madhe të shqiptarëve nga një regjim i urryer, duke mbështetur ndërtimin e një rendi të ri shoqëror dhe politik, fashizmin, që do të nxiste në mënyrë të dukshme përparimin e mbarëvajtjen në të gjithë sektorët jetikë të vendit. Italia kishte ndërmarrë aktin e pushtimit që të garantonte sigurinë e sovranitetin e perandorisë së saj nga kaosi dhe trazirat e mundshme që mund të përfshinin territorin shqiptar, si rrjedhojë e konfliktualitetit dhe mosbesimit ekstrem mes regjimit autokratik zogist dhe qytetarëve.
Media ishte një mjet i fuqishëm propagandues për instalimin e sistemit pushtues fashist. Të gjitha hapësirat e saj u përdorën për të pasqyruar çdo detaj të zbatimit të strategjisë së reformave të thella dhe të shpejta që u morën pasi përfundoi operacioni ushtarak në terren, që nga
Komiteti i Përkohshëm Administrativ e deri tek mbledhja urgjente e Asamblesë Kushtetuese që rrëzoi zyrtarisht mbretin Zog nga froni, abrogoi kushtetutën e vitit 1928, i dha dritë jeshile “Bashkimit Personal” mes dy vendeve dhe formoi qeverinë kukull të Vërlacit. Për këto dhe hapat e mëpastajmë të reformave politike e në sektorë të tjerë, media shqiptare ishte vetëm në rolin e transmetuesit dhe informuesit të gjithçkaje që mbërrinte nga qarqet zyrtare, si dhe nga agjensitë italiane të lajmeve. Për median detyra kryesore mbetej përhapja e ideologjisë fashiste. Kjo do të përshfaqej si “një kërkesë e natyrshme” e vetë qytetarëve e sidomos intelektualëve që “digjeshin nga adhurimi” për doktrinën dhe kulturën fashiste.
Roli dhe kërkesat që shtroheshin para medias në kohën e pushtimit nuk mund të realizoheshin pa një metamorfozë radikale institucionale e infrastrukturore. U krijua Drejtoria e Përgjithshme për Shtypin, Propagandën dhe
Turizmin, e cila përqëndroi hapur kontrollin dhe censurën mbi çdo organ të botuar, si dhe për transmetimet radiofonike dhe Agjensinë Telegrafike Shqiptare. Gazetat kryesore të trashëguara nga regjimi i kaluar u mbyllën, duke lënë në veprimtari vetëm tituj të periodikëve me orientim fetar dhe ndonjë që mbahej me krijimtari letrare. Në treg nisën të shfaqen gazeta të mirëfillta me frymë fashiste, madje më e madhja prej tyre që filloi të botohet në Shqipëri nuk mund të kishte emër më të përshtatshëm se sa Fashizmi. Por situata konkrete në terren, përshtatja dhe përjetimi nga opinioni i gjerë me propagandën e stilit të ri, nuk dhanë rezultate entuziaste për pushtuesit. Siç ndodhi me popullaritetin e limituar të Partisë Fashiste Shqiptare, ku vullnetarizmi u zëvendësua me rekrutimin me urdhër e me forcë, ashtu ndodhi edhe me organin kryesor të saj, Fashizmi, si dhe me “bijëzat” e veta në qytetet e tjera të vendit, që ishin si në ngërç me shpërndarjen e tirazheve minimale në publik.
Ndryshimi i emrit nga Fashizmi në Tomori, për gazetën kryesore që botohej në Shqipëri, thirrja e saj për të afruar sa më shumë intelektualë në faqet e saj, hapja e disa rubrikave për krijimtarinë, të rinjtë, artin, femrat etj., - për t’i dhënë një karakter më social dhe atraktiv asaj tek lexuesit – përbënin më shumë lëvizje të dukjes, pasi në thelb edhe Tomori dhe cilado gazetë që vijonte publikimin në atë periudhë ishte e patundur në frymën profashiste, si zëdhënëse të regjimit që amplifikonin dhe etiketonin si “vepra të fashizmit” gjithçka nga dinamika e zhvillimit ekonomik, social e kulturor në Shqipëri, si zëdhënëse të politikës së jashtme musoliniane, qoftë për rajonin ashtu dhe në planin global, në raportet me aleatët e Boshtit, në rezistencën që bënin Britania, Franca, Bashkimi Sovjetik etj.
Gazetat proregjimit fashist kishin një tipar të përbashkët: Nuk lëshonin asnjë hapësirë për të pasqyruar ose komentuar rezistencën antifashiste dhe aq më tepër të polemizonin me botimet e tyre, qofshin ato që kontrolloheshin nga strukturat e Partisë Komuniste Shqiptare, qofshin dhe ato nën drejtimin e Ballit Kombëtar. Kjo ishte në logjikën e pushtuesve që nuk pranonin publiksht asnjë lloj kundërshtie e rezistence, në një kohë që në zyrat e Ministrisë së Brendshme në Tiranë apo në prefekturat e vendit qarkullonin një lumë dokumentash me informacione të bollshme për aktivitetin subversiv të komunistëve e nacionalistëve shqiptarë, për ndjenjën antifashiste dhe për propagandën që nxiste popullin të ngrihej në luftë kundër pushtuesve italianë. Qëndrimi përjashtues i shtypit profashist shkonte deri në ekstrem: siç ishte psh rasti i heshtjes totale, duke mos përmendur asgjë në faqet e saj për ngjarjen e bujshme në mes të Tiranës, ku Mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III, iu bë një atentat gjatë vizitës disaditore në Shqipëri, në mes të muajit maj të vitit 1941.
Fluksi mediatik dhe propagandistik në Shqipëri në kohën e pushtimit italian nuk u shfaq i tëri në të njëjtin krah, vetëm si mbështetës i regjimit fashist. Deri në mes të vitit 1942, kundërshtimi dhe opozicioni politik e ideologjik bëhej herë në forma spontane dhe herë të organizuara me anë të përhapjes ilegalisht në vendet publike të trakteve e thirrjeve me përmbajtje kryesisht antifashise. Në gjysmën e dytë të vitit 1942 u shfaqën dhe organet e shtypit e buletinet informative të kundërshtarëve të regjimit. Ato ishin të kontrolluara kryesisht nga dy subjektet politike shqiptare, ose nga Partia Komuniste ose nga Organizata e Ballit Kombëtar. Të dyja llojet e botimeve periodike alternative, me frymë komuniste e nacionaliste, kishin diferenca të theksuara në formën e tyre, cilësinë e publikimit dhe inventarin teknik e teknologjik që dispononin,
në krahasim me organet që mbështeteshin nga regjimi fashist. Të shtypura me daktilografim dhe të shumëfishuara nëpërmjet metodës së prapambetur të shaptilografimit, pa variacion ilustrativ dhe të shkruara e shpërndara në kushte ilegaliteti, ato me vështirësi dhe vonesa kohore mbërrinin tek lexuesit.
Gazetat që propagandonin idetë antifashiste kishin në fokusin e tyre kryesor përhapjen në opinionin e gjerë të programit të tyre politik, veprimet dhe aksionet në terren, bilancin për dëmet e sabotimet që ju shkaktonin njësive ushtarake italiane, linin hapërsira për thirrje e apele për popullatën që t’i bashkohej rezistencës kundër pushtuesve etj. Si Zëri i Popullit, ashtu dhe Lufta e shlirimit kombëtar, a organe të tjera minore të komunistëve e ballistëve kishin karakter polemizues me artikuj, intervista ose materiale të spikatura që botoheshin në hapësirat mediatike kundërshtare.
Botimet periodike që kontrolloheshin nga komunistët, ashtu dhe ato të ballistëve, veç frymës së përbashkët çlirimtare kishin dhe dallime të thella politike dhe ideologjike mes tyre, si reflektim i ndarjes programore që përfaqësonin vetë PKSH dhe Balli Kombëtar. Në gazetat e tyre, deri para Mbledhjes së Mukjes në fillim të gushtit 1943, kjo ndasi kishte trajtë spontaniteti e pragmatizmi. Pasi të dyja palët shpresonin se do të arrinin një kompromis, meqënëse dhe të dyja pak a shumë kishin të njëjtin synimin final: Një Shqipëri të lirë, indipendente e demokratike. Por kur vendimet historike të Mukjes, sidomos ai më kryesori për krijimin e të ashtuquajturit Komiteti Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, u anuluan në mënyrë të njëanshme nga ana e komunistëve, atëhere kjo shënoi ndarjen përfundimtare të tyre, duke vijuar jo thjesht me një raport konkurues politik
e ideologjik, si dy përfaqësues të së majtës e të së djathtës, por me një luftë të ashpër në pozitat e dy subjekteve armike. Kjo u pasqyrua menjëherë dhe në përmbajtjen e gazetave e revistave që këto dy subjekte botonin. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes pasuroi spektrin politik shqiptar dhe me daljen më vete të një faktori që deri atëhere kishte vepruar i bashkuar me komunistët, në suazën e Frontit Nacionaçlirimtar qysh pas Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942. Partia Lëvizja e Legalitetit që synonte kthimin e regjimit zogist u shfaq në vjeshtën e vitit 1943, si një subjekt politik i veçantë, që disa ditë më pas nisi të botonte periodikët e vet.
Acarimi dhe raportet mes PKSH-së, Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit ishin më të qarta kur pas kapitullimit pa kushte të Italisë në fillim të shtatorit 1943 pushtuesit fashistë italianë u larguan dhe vendin e tyre e zunë formacionet ushtarake të nazistëve gjermanë.
Por kjo periudhë nuk është në fokus të këtij punimi. Kjo nuk do të thotë se vijimi i rolit të medias shqiptare edhe në kohën e pushtimit të Gjermanisë naziste do të mbetet jashtë interesit dhe vëmendjes time, për ta hulumtuar dhe studjuar edhe këtë aspekt. Për arësye të kufizimit kohor në përgatitjen e një punimi të tillë, vazhdimësia për pjesën tjetër që ka mbetur nga Lufta e Dytë Botërore – dhe kjo po kaq dinamike, interesante dhe tëheqëse sa pjesa e mëparshme – shpresoj të jetë objekt i një studimi tim monografik në një të ardhme të afërt.