15 minute read

5.2 Propaganda e organizatave nacionaliste

5.2

Propaganda e organizatave nacionaliste

Advertisement

 Prezantimi në publik i platformës politike e

ideologjike të Ballit Kombëtar.

 Mesazhi i një fronti të gjerë dhe të hapur politik, për

cilindo që e ndjente veten si antifashist, antikomunist e antizogist.

 Lufta e shlirimit kombëtar: “Të përgatitemi duke i lënë

mënjanë grindjet tona të çdo lloji për të përballuar detyrën që na bie”.

 Besimi se Marrëveshja e Mukjes mund t’i bashkonte në

luftën kundër pushtuesve “Çlirimtaren” dhe “Ballin”.

 Themelimi i Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, si forcë

kundërshtare e ashpër e Partisë Komuniste Shqiptare.

Krijimi i organizatës së Ballit Kombëtar besohet se është bërë në muajin nëntor të vitit 1942, në një moment shumë domethënës për nacionalistët dhe patriotët shqiptarë: 30 vjetorin e ngritjes së flamurit në Vlorë, që njihet si akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Një pjesë e përfaqësuesve kryesorë të kësaj organizate kanë pretenduar se ajo ka ekzistuar kohë më parë, madje qysh në ditët e para të paspushtimit fashist italian të vendit. Kjo lidhet me shpërndarjen e një trakti që kishte autorësinë e Mit’hat Frashërit vetëm një javë pas invazionit të ushtrisë italiane në Shqipëri, i quajtur “Nacionalizma shqiptare”, që ishte një reagim atdhetar plot shqetësim për atë që ndodhte me vendin, si dhe një thirrje për mobilizim e rezistencë ndaj pushtimit.

Por duke u nisur nga prezantimi në publik i platformës politike e ideologjike, nga struktura organizative, nga niveli i përfaqësimit të nacionalistëve në organizatën e tyre, si dhe nga dokumentacioni i njohur deri më sot, më afër realitetit është varianti i parë kohor i themelimit të Ballit Kombëtar, pra nëntori i vitit 1942. Këtë e përforcon dhe vetë sfondi e dinamika e ngjarjeve që janë zhvilluar në atë periudhë në Shqipëri: organizimi nga Partia Komuniste Shqiptare i Konferencës së Pezës, më 16 shtator të atij viti, ku u arrit që të krijohet një front i përbashkët kombëtar për çlirimin e vendit, në përbërje të të cilit ishin dhe përfaqësues të nacionalistëve. Pjesa tjetër maxhoritare e nacionalistëve, që nuk u përzje me vendimin e Pezës për Frontin Nacionalçlirimtar, apo që e shikonte me mosbesim e skepticizëm këtë lëvizje politike të komunistëve nuk mund të qëndronte indiferente. Ndaj dhe si reagim më i shpejtë dhe më i drejtëpërdrejtë për ta balancuar dhe amortizuar efektin e saj në opinionin publik ishte shpallja e themelimit të Ballit. “Ekzistenca e Ballit Kombëtar u bë e njohur nga Radio Londra në dhjetor 1942, kurse opinioni publik mori

vesh për krijimin e kësaj organizate në fillim të vitit 1943, kur doli trakti i parë i Ballit Kombëtar. (1)

Mit’hat Frashëri, njëri prej intelektualëve dhe patriotëve më të njohur në Shqipëri, pjesmarrës në kunvendin kombëtar të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, pas tre dekadave rikthehej si protagonist në skenën politike shqiptare. Krahas tij ishin dhe figura të tjera nacionaliste të mendimit dhe të aksionit në terren, që kishin ngritur armët kundër pushtuesve italianë, si Ali Këlcyra, Safet Butka, Hysni Lepenica, Abaz Ermenji etj. Shpallja e këtij formacioni politik, jo thjesht si një parti nga ana e themeluesve, nuk dukej si një zgjidhje rastësore. Ata synonin prezantimin në opinionin publik si një front i gjerë dhe i hapur politik, ku të afrohej dhe të kontribuonte cilido që e ndjente veten nacionalist e patriot, pavarësisht bindjeve e pikëpamjeve, duke qenë antifashist, antikomunist e antizogist.

Në ndryshim nga orientimi i Frontit Nacionalçlirimtar që ra qysh në fillim nën ndikimin komunist, ballistët përfaqësonin tashmë një alternativë jokomuniste dhe jo të majtë, duke plotësuar deri në një farë shkalle spektrin politik të Shqipërisë. Për organizatën e Ballit Kombëtar ndër detyrat kryesore ishin: rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë, që kishte rënë me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, vendosja e një regjimi demokratik dhe bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Nga pikëpamja programore Fronti dhe Balli kishin ndryshime në mënyrën e konceptimit të realitetit dhe të perspektivës së Shqipërisë pas pushtimit. Kjo reflektohej dhe tek preferencat për aleatët jashtë vendit; komunistët ishin më afër bashkëpunimit me jugosllavët e sovjektikët, ndërkohë që ballistët nuk i shikonin me sy të mirë fqinjët dhe shfaqnin simpati për mbështetje nga anglo amerikanët.

Para se të formalizohej krijimi i organizatës së Ballit nga grupe të ndryshme veprimtarësh e simpatizantësh janë shpërndarë trakte e komunikata, të cilat në thelb kishin përmbajtje atdhetare me thirrje dhe apele për të qënë të bashkuar kundër pushtuesve

(1) Histori e popullit shqiptar, volumi i katërt, faqe 58.

italianë. Veç shpërndarjes së traktit të parë me autor Mit’hat Frashërin qysh më 13 prill 1939, i cili u përmend më lart, vala propagandistike e organizatës u pikas nga autoritetet zyrtare gjatë vitit 1942 e në vijim. Madje nga funksionarët e regjimit u arrit të kapej dhe dallimi mes stilit të trakteve që shpërndanin komunistët me ato të ballistëve. Sipas dokumentave të kohës, prefekti i Shkodrës Daut Çarçani, më 7 gusht të vitit 1942 njoftonte me anë të një shkrese zyrtare Ministrinë e Punëve të Brendshme se “parmbrëmë janë hedh në këtë qytet një sasi manifestash më tepër me ngjyrë nacionaliste se sa komuniste, me anë të cilave kritikohet kryetari i qeverisë dhe anëtarët e saj. (2) Të tilla trakte e broshura të përpiluara nga nacionalistët, kryesisht ata që identifikoheshin me Ballin shpërndaheshin dhe në Vlorë, Tiranë, Peshkopi, Korçë etj.

Përmbajtja e trakteve dhe thirrjeve që shpërndaheshin nga grupet nacionaliste kishte një frymë antifashiste. Në to evidentohej gjendja e rënduar në Shqipëri pas pushtimit nga Italia fashiste dhe nevoja për bashkimin e popullit kundër zgjedhës së huaj. Gjithashtu hidheshin dhe kritika ndaj qeverisë kukull, sikundër nuk harrohej të kritikohej dhe sulmohej veprimtaria e grupeve komuniste. Por replikat që bëheshin nëpërmjet përmbajtjes së trakteve e thirrjeve që shpërndanin komunistët nga njera anë dhe nacionalistët nga ana tjetër kishin dhe elementë të dyshimtë për autorësinë e tyre. Mendohej se regjimi fashist përpiqej të stimulonte sa të mundte konflikt mes tyre duke shfrytëzuar me kujdes rivalitetin dhe dallimet ideologjike e politike mes dy grupimeve kryesore.

Ka patur dhe reagime konkrete nga përfaqësuesit e Ballit Kombëtar ndaj manovrave që përdoreshin për të krijuar një kakofoni në hartimin dhe shpërndarjen e trakteve dhe materialeve të tjera propagandistike. Kështu në nëntor të vitit 1942 është

(2) Arkivi Qëndror i Shtetit (AQSH), Fondi Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja 274, viti 1942.

lëshuar një përgënjeshtrim për broshurën e titulluar Oshëtima e së vërtetës, e cila i atribuohej për autorësi nacionalistëve të Ballit Kombëtar. Por nëpërmjet një trakti që u lëshua në këtë periudhë në kryeqytet, ata sqaruan opinionin se broshura në fjalë ishte përpiluar e shpërndarë nga vetë italianët, të cilët “donin në dëshpërim të gjenin një mënyrë efikase propagande kundër komunizmit dhe duke folur n’emër të nacionalizmit, për të kompromentuar nacionalistët dhe për të shtirë ndasi në mes të shqiptarëve”. (3)

Me krijimin e Ballit Kombëtar nisi të botohet dhe revista Lufta e shlirimin kombëtar, që njihej dhe si organi i parë zyrtar i organizatës. Duke u nisur nga karakteristikat e formës me të cilën ajo prezantohej në publik, revista e përmuajshme kishte mjaft elementë të ngjashëm me Zërin e Popullit që botonin komunistët: shtypej me makinë shkrimi dhe bëheshin kopje me metodën arkaike të shaptilografimit, përmasa e një faqe të saj ishte pak më e madhe se formati A4 që njohim sot, sasia e tyre për një numër të botuar ishte jo e fiksuar. Praktikohej dhe publikimi i dy numrave të rradhës njëherësh. Duke dalë një herë në muaj, në kushte po të ilegalitetit si periodiku i komunistëve, në përmbajtjen e Lufta e shlirimit kombëtar mungonin autorët e artikujve, përfaqësuesit e drejtuesit e redaksisë dhe vendodhja ku ajo përgatitej. Poshtë shkrimeve, informacioneve apo krijimtarisë poetike viheshin pseudonime si: “Mirëbërësi”, “Luleshitësi”, “Liridashësi”, “Vjollca”, “Admiruesi”, “Luftëtarja” etj.

Sloganet kryesore të revistës ishin po ato të organizatës së Ballit: “Shqipëria e shqiptarëve!”; “Ja vdekje – ja liri!”; “Vdekje tradhëtarëve!”. Gjithashtu e pandryshuar për disa nga numrat e parë të këtij botimi politik ishte dhe shënimi në faqen e parë se: “Kritikat e bëra me ndërgjegje të pastër kombëtare, jo vetëm se na nderojnë, por dhe i shërbejnë lëvizjes tonë që drejtohet kundër armikut. Le të punojmë nën frymën e një bashkimi të çelniktë! O

(3) AQSH, përgënjështrim i broshurës Oshëtima e së vërtetës, Fondi Ministria e

Punëve të Brendshme, Dosja 274, viti 1942.

sot o kurrë kërkojmë bashkim!”

Numri i parë i Lufta e shlirimit kombëtar u publikua në një ditë të shënuar për shqiptarët, në 30 vjetorin e festës së flamurit, më 28 nëndor 1942. Si një numër prezantues lënda kishte tematikë të përgjithshme, i kushtohej kryesisht gjendjes se ku ndodhej Shqipëria dhe thirrjeve për bashkim për të përballuar rezistencën kundër pushtuesit italian. Në kryeartikullin me titull “Lufta jonë” mes të tjerave shkruhej se: “Ata të huaj që me pretekse imperiale duan të mbajnë ngulur mbi fortesat tona flamurin e robërisë do të na shohin shpejt duke parakaluar në sy të tyre me Flamurin e Lirisë. Ata shqiptarë mohuesa të vendit dhe të gjakut që shpesh dhe me pretekse pseudo patriotike i japin dorën çdo armiku, do të shohin nga ne pa vonesë shpërblimin e atdhetarizmit të tyre të turpshëm.” (4)

Kjo në thelb pasqyronte synimet dhe objektivat politike të Ballit. Ashtu siç shkruhej me nota të theksuara patetike dhe në artikullin tjetër, po në numrin inagurues të revistës që titullohej “Detyrat tona”, duke parashtruar qartë pasojat dhe rreziqet nëse nuk do të bëhej i mundur bashkimi kundër pushtuesve. “Përpara zërit të ringjalljes të bashkohemi të tërë. Të përgatitemi duke i lënë mënjanë grindjet tona të çdo lloji për të përballuar detyrën që na bie… Ti mbledhim mendtë. Të jemi të tërë tok para çdo detyre dhe çdo rreziku. Mosbashkimi dhe përçarjet që në të shkuarën na kanë shkatërruar, këtë herë mund të shkaktojnë zhdukjen e vendit tonë nga harta e botës”. (5)

Lufta e shlirimit kombëtar trajtonte një gamë të gjerë tematike. Krahas shpalosjes së programit politik të Ballit Kombëtar, ajo informonte për zhvillimet në terren nga veprimtaria e çetave dhe njësive balliste në rezistencën dhe goditjet që i bënin pushtuesit, kishte panorama të detajuara për aksionet që zhvilloheshin sidomos në ato zona ku Balli Kombëtar kishte influencë në popull, si në Vlorë, në Mallakastër, në Tepelenë e Gjirokastër, në Skrapar,

(4) Lufta e shlirimit kombëtar, nr.1, faqe 2. (5) Lufta e shlirimit kombëtar, nr.1, faqe 4.

në Korçë e Devoll etj. Me lajme, kronika a reportazhe nga fronti i luftës, ku detajizoheshin me përshkrime e lëvdata veprimet e nacionalistëve dhe mbështetja gjithnjë e më të madhe që ata gjenin në popull. Kishte artikuj për aktivizimin e të rinjve në luftë, për gjendjen e arsimtarëve, gratë, çështjen e Kosovës, lajme ndërkombëtare etj.

Revista kishte një frymë mjaft kritike dhe replikuese ndaj qeverisë së Mustafa Krujës (por dhe të tjerat që e pasuan atë gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste), për vendimet

antishqiptare që merrte kabineti i tij i diktuar tërësisht nga Roma zyrtare. Ajo e portretizonte Mustafa Krujën si një kuisling që i linte fatet e vendit, pasuritë e burimet në duart e italianëve. Lufta e shlirimit kombëtar shigjetonte dhe propagandën profashiste, rolin që kishte media në glorifikimin e veprës së pushtuesit duke vendosur në qendër Musolinin. “Ata që kishin dijeni se në çfarë atmosfere dhe kushtesh punonte shtypi italian në vendin e vet, nuk

kishin dyshim se dhe në Shqipëri do të niste një korr i fortë dhe shurdhues, i cili do të hyjnizonte edhe ndër ne fytyrën e skalitur të Duçes së madh e do të na paraqiste si për krahasim fuqinë e jashtëzakonshme të fashizmit dhe dobësinë e varfërinë tonë, që kështu do të bënte me u falë pesë herë në ditë para ‘njeriut të pagabueshëm’, para ‘shpëtimtarit të Shqipërisë’ ”. (6)

Revista botonte herë pas here dhe krijime poetike të shkruara me ndjenjë patriotike për aktualitetin e perspektivën e Shqipërisë dhe për simbolikën kombëtare. Por nuk mungonin dhe vargjet satirizuese për pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij. Organe të rëndësishme të Ballit Kombëtar ishin dhe gazeta Rini përpara, e cila përfaqësonte strukturën rinore të kësaj organizate (filloi më 1 prill 1943), si dhe Robni o Liri, që ishte botim lokal i ballistëve shkodranë (nga 23 marsi 1943). Këto dy botime kishin thuajse të njëjtat nuanca të përmbajtjes si organi qendror ballist Lufta e shlirimit kombëtar. Ka patur dhe periodikë të tjerë të Ballit Kombëtar, të cilat i takojnë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, periudhë kohore që është jashtë fokusit të këtij punimi.

Duke iu kthyer edhe një herë revistës Lufta e shlirimit kombëtar, por dhe dy organeve të tjera të përmendura më lart, vihet re se deri para gushtit të vitit 1943, ato tregoheshin të përmbajtura në qëndrimin ndaj Frontit Nacionalçlirimtar të kontrolluar prej komunistëve. Pavarësisht diferencave ideologjike dhe politike, duke u nisur nga objektivi i përbashkët kundër pushtuesve italianë, mes dy subjekteve nuk kishte luftë a pozicionim konfliktual të hapur. Kjo ishte rrjedhojë e përpjekjeve që bënin eksponentët e Partisë Komuniste Shqiptare, nga njera anë, dhe Ballit Kombëtar nga ana tjetër, për të gjetur gjuhën e përbashkët në koordinimin e aksionit luftarak për çlirimin e vendit.

(6) Lufta e shlirimit kombëtar, nr.5-6, artikulli me titull “Shtypi fashist”, faqe 6.

Historiani Muharrem Dezhgiu duke sjellë atmosferën e relatave mes komunistëve e ballistëve në shkurt të vitit 1943 shkruan: “Të dyja forcat politike, si Fronti Nacionalçlirimtar i drejtuar nga PKSH, ashtu dhe Balli Kombëtar, me platformat e tyre politike kërkonin të arrinin të njëjtin përfundim: Shqipëri të lirë indipendente e demokratike… Megjithëse në komunikimin midis këtyre dy forcave ishte shfaqur aty këtu edhe ndonjë epitet, për të demaskuar palën tjetër, kjo dukuri nuk ishte shndërruar akoma në vijë për veprim politik. Por forcat politike, sidomos në terren, e vlerësonin njera – tjetrën përgjithësisht si aleate, me të cilën mund e duhej të bashkëpunuar dhe jo konfrontuar si armiq”.(7)

Kjo frymë e kërkimit të gjuhës së përbashkët në aksionin politik mes Frontit dhe Ballit kulmoi në përgatitjet dhe zhvillimin e Mbledhjes së Mukjes, në fillim të gushtit të vitit 1943. Vendimet historike të saj, sidomos ai për krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, si akordi i parë politik e luftarak mes dy fronteve kryesore, hapnin rrugën për bashkimin e forcave në luftë kundër pushtuesve. Revista Lufta e shlirimit kombëtar e përshkroi me mjaft optimizëm këtë moment dakordimi mes dy grupimeve kryesore politike në vend. Në artikullin me titull “Jemi vëllezër s’na ndajnë dot!” shkruhej: “Marrëveshja e ‘Ballit’ me ‘Çlirimtaren’ është vepra më e bukur, më e urtë dhe më e dobishme për shpëtimin e atdheut. Por kjo marrëveshje nuk është veçse fillimi. Nuk ka arësye që të mos bëhet më e fortë, më e sinqertë dhe më e përshtatur për kohët e sotme. Ata që mendojnë ndryshe gabohen”. (8)

Por kjo atmosferë mirëkuptimi mes komunistëve e ballistëve nuk zgjati shumë. Megjithëse në datën 3 gusht u bë dhe mbledhja e parë e të ashtuquajturit Komiteti Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, vetëm pak ditë më pas pala e PKSH-së u tërhoq nga Marrëveshja e Mbledhjes së Mukjes, duke e denoncuar dhe

(7) Prof. Dr Muharrem Dezhgiu: Shqipëria nën pushtimin italian (1939 -1943), faqe 277. (8) Lufta e shlirimit kombëtar, nr.5 – 6, faqe 3.

anatemuar atë. Një muaj më pas tërheqja e njëanshme u konfirmua zyrtarisht nga udhëheqja komuniste në vendimet e Konferencës e Dytë Nacionalçlirimtare, që u mbajt në Labinot të Elbasanit, më 4 shtator të vitit 1943. Sipas komunistëve Mukja binte ndesh me programin e me qëllimet e Frontit Nacionalçlirimtar. Në Labinot u hodh parrulla “Gjithë pushtetin këshillave nacionalçlirimtare”. Ky është dhe momenti që mes dy subjekteve të mëdha politike u rivendos raporti konkurues deri në konflikt të armiqësor, që u shoqërua dhe me një luftë të ashpër propagandistike mes tyre. P.sh në një trakt që është shpërndarë më 22 shtator të vitit 1943 në qytetin e Beratit gazeta e PKSH-së Zëri i popullit, cilësohet se “kërkon të mbrojë Shqipërinë me vëllazërinë e serbëve dhe të grekëve”.(9)

Ishte koha e zhvillimeve të vrullshme historike: Italia fashiste nga disfatat e njëpasnjëshme në frontin e luftës shpalli kapitullimin e saj pa kushte. Në Shqipëri trupat italiane u zëvendësuan nga formacionet ushtarake gjermane. Rezistenca dhe lufta e armatosur mënyra e pasqyrimit të tyre nga propaganda mediatike e kohës mori dimensione të reja, por që nuk janë objekt i këtij punimi. Marrëveshja e Mukjes ishte shkaku dhe i ndarjes mes komunistëve dhe nacionalistëve që i përkisnin organizimit politik Lëvizja e Legalitetit. Anëtarët e Legalitetit përfaqësonin nacionalistët të cilët pas çlirimit të vendit synonin rikthimin tek regjimi monarkik i Zogut dhe kushtetuta e vitit 1928. Njëri prej ithtarëve më të fuqishëm të Legalitetit, Abaz Kupi, kishte spikatur qysh më 7 prill të vitit 1939 në krye të rezistencës së armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Por në Konferencën e Pezës ai u afrua nga PKSH dhe mori post në Frontin Nacionalçlirimtar, si përfaqësues i grupimeve nacionaliste, madje më pas u zgjodh dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Por prishja e Marrëveshjes së Mukjes e shkëputi Abaz Kupin nga

(9) AQSH, Fondi Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja 270, viti 1942.

komunistët dhe ai u investua më pas në themelimin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, që u shpall si forcë kundërshtare e ashpër e PKSH-së.

Pjesmarrja e Abaz Kupit deri në mbledhjen e Mukjes në një krah me Frontin duket se i mbajti legalistët pa ndonjë ndikim të madh politik në rradhët e opinionit publik në atë kohë. Megjithatë ka gjurmë të aktivitetit propagandistik që ata bënin nëpërmjet trakteve e thirrjeve të ndryshme. Kështu duke ju referuar dokumenteve të Arkivit Qëndror të Shtetit në Tiranë, më 26 mars të vitit 1942, drejtori i përgjithshëm i policisë, Theodhor Stamati, njoftonte qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se ishin gjetur në lagjet e qytetit të Shkodrës “disa manifestina subversive shkrue me dorë me shkronja shtypi, në gjuhë shqipe, tue këndue për regjimin zogist e me shprehje të ndyta për Duçen dhe fashizmin. Fillojnë me fjalët ‘Rroftë Shqipnija Zogiste’ e mbarojnë me fjalët ‘therori ruse’. Nënshkrue: ‘Zogistat’. Si mbas dialektit lihet me mendue se autorët të jenë gjinokastritë. Hetimet vazhdojnë.” (10)

Pas krijimit të Partisë Lëvizja e Legalitetit më 18 shtator të vitit 1943, më pak se një muaj më pas filloi nga botimi organi qëndror i këtij formacioni politik, të quajtur Atdheu, si dhe botime të tjera periodike.

(10) AQSH, Fondi Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja 274, viti 1942.

This article is from: