4 minute read
Kontribute të studiuesve dhe autorëve të ndryshëm për këtë temë
Shqipëria në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe posaçërisht pushtimi italian është trajtuar nga autorë të shumtë shqiptarë dhe të huaj. Ata janë historianë të mirëfilltë, të cilët pasqyrojnë hap pas hapi dinamikën e ngjarjeve, personazhet e protagonistët, bëjnë referenca të dokumentacionit të kohës, të vlerësimeve dhe interpretimeve të dëshmitarëve etj. Ky lexim nga literatura e bollshme dhe e pastër historike, e parë në disa këndvështrime, mendoj se ka qënë një sfond i nevojshëm për të kuptuar e fiksuar elementë thelbësorë, por dhe jo të tillë, që të ingranojnë me zinxhirin e ngjarjeve historike ashtu siç kanë ndodhur. Botime të tilla që më kanë ndihmuar në këtë aspekt kanë qënë psh., volumi katërt i Historia e popullit shqiptar (me grup autorësh); libri i përkthyer në shqip i Bernd J. Fischerit Shqipëria gjatë Luftës (1939-1945); Histori e Shqipnis e Tajar Zavalanit, (pjesa e dytë); libri i Prof. dr. Muharrem Dezhgiut Shqipëria nën pushtimin italian (1939 -1943); cikli i leksioneve të Prof. dr. Ana Lalaj për studentët e Masterit në marrëdhëniet ndërkombëtare e diplomaci,në Universitetin U.F.O, Histori e Shqipërisë 1912 – 2000, me autore Prof.dr.Valentina Duka etj.
Një pikë referimi e vlefshme janë dhe kujtimet e disa prej protagonistëve kryesorë të asaj kohe të sistemuara në botime të veçanta, siç kanë qënë psh., Politika e Italisë në Shqipëri e
Advertisement
Françesko Jakomonit; apo dhe Ditari 1937-1943, Shqipëria i Galeaco Çianos. Janë shënime e copëza që tregojnë në shumë raste thelbin e gjërave, ashtu siç ato janë projektuar për t’u realizuar, duke hedhur dritë mbi prapaskenat e vendimarrjes në momente tejet delikate dhe mjaft përcaktuese. Të gjitha burimet e mësipërme të literaturës me këndvështrimet e tyre më kanë ndihmuar në qartësimin e pjesës historike në periudhën që kam qënë më i interesuar, kryesisht nga pranvera e vitit 1939 deri në fillim të vjeshtës 1943, kur kapitullimi pa kushte i Italisë fashiste “mbylli kapitullin” e fazës së parë të pushtimit në Shqipëri. Pasi problemet e rolit të medias, të propagandës në tërësi, në këtë periudhë në botimet e mësipërme janë më tepër shpjeguese e ilustruese vetëm për faza të caktuara.
Ka patur dhe literaturë të specializuar mbi prezantimin e medias, rolit dhe ndikimit që ajo ka patur në kohën e pushtimit italian. Autorë si Prof.dr. Hamit Boriçi dhe Prof.dr. Luan Zelka janë vështrues, por dhe analizues të vëmendshëm të këtyre aspekteve. Ndërkohë që gazetari Blendi Fevziu në librin e tij Histori i shtypit shqiptar 1848-1996 është më shumë evidentues për të gjithë laryshinë e titujve të gazetave e revistave të kohës, si dhe autorëve të tyre. Në dy botimet e tij Shtypi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) dhe Mbi thirrjet dhe traktet e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, Prof.dr. Luan Zelka jep një tablo të botimeve në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Duke sjellë një panoramë të tyre të ndarë në segmente kohore, por dhe nisur nga niveli i përfaqësimit ideor e politik, duke hedhur dritë mbi linjën editoriale, mbi format më të përdorshme të të shkruarit etj., informacionin e bollshëm, por dhe arësyetimin e kontekstit kohor, statusin e çdo gazete e reviste që është botuar në kohën e pushtimit fashist italian, duke e spërkatur me dukuri e trende profesionale të gazetarisë, ka dhënë në librin e tij ...Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare (1848 -1997) Prof. dr. Hamit Boriçi.
Regjimi pushtues kishte një strategji e praktikë të posaçme për
mbajtjen nën kontroll të plotë të medias, gazetave revistave dhe stacioneve radiofonike qoftë në Tiranë a në Korçë; për ushtrimin e një censure të hapur dhe presioni për të kaluar në median e kohës vetëm lëndë profashiste. Për të zbardhur këtë mekanizëm të dukshëm a në prapaskenë, ka qënë e nevojshme që të shikohet me imtësi moria e akteve ligjore e nënligjore që miratoheshin nga autoritetet për shtypin, radiodifuzionin e botimet në përgjithësi, struktura dhe mbështetja legale që merrte e famshmja Drejtori e Përgjithshme e Shtypit, Propagandës dhe Turizmit; bërthama e gjithëpushtetshme që dirigjonte sjelljen mediatike në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste; shfletimi e mbajtja shënim në koleksionin e Fletores Zyrtare të asaj kohe. Megjithatë, ka qënë i domosdoshëm dhe udhëtimi nëpër fletët dokumentare të një sërë dosjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Së fundi por jo së paku, mund të them se kanë qënë prioritare dhe krejt të pazëvendësueshme referencat e literaturës nga leximi i drejtëpërdrejtë i koleksioneve të gazetave të kohës, kronologjia dhe mënyra se si ato mbulonin, perceptonin dhe argumentonin rrjedhën e ngjarjeve, evoluimin për çdo periudhë, në varësi të asaj që ndodhte në terren, asaj që thuhej e vendosej në institucione, asaj që përjetohej nga qytetarët e publiku i gjerë. Por dhe duke i vënë gazetat e revistat në krahasimin mes tyre, për pëmbajtjen e formën, pse jo dhe polemikat që ato zhvillonin duke ju referuar aspekteve të caktuara të realitetit.
Brenda informacionit, kronikave e analizave nga gazetat e kohës kishte dhe hapësira ku trajtoheshin dhe vetë problemet e shtypit, të rolit dhe misionit të tij parë nga kënde të ndryshme vlerësimi. Në fokus të vëzhgimit për përgatitjen e punimit kanë qënë më shumë tituj gazetash e revistash nga sa janë përmendur konkretisht. Kjo për të kuptuar jo vetëm nga organet që ishin në rolin kryesor, por dhe të tjera, të cilat ishin më me pak ndikim, disi më të distancuara nga dinamika social politike. Të tilla kanë qënë periodikët që mbulonin tema kulturore, filozofike, fetare etj.