19 minute read

1- Nga kapitullimi i Italisë fashiste tek pushtimi i Shqipërisë nga Gjermania naziste

Next Article
Treguesit e emrave

Treguesit e emrave

1

NgA KAPItuLLIMI I ItALISë fASHISte teK PuSHtIMI I SHQIPërISë NgA gjerMANIA NAzISte

Advertisement

 Gjallërimi i rezistencës së armatosur të grupeve

komuniste e nacionaliste shqiptare në verën e vitit 1943.

 Pas anulimit të vendimeve të Mbledhjes së Mukjes,

mjetet propagandistike të PKSH-së dhe Ballit Kombëtar në sulm të ndërsjellë.

 Gjeneral Pariani: “Shqiptarë! Çasti që po kalojmë

kërkon që secili të qëndrojë i qetë e i disiplinuem në vendin e detyrës o të punës së tij”.

 “Truri” i nazistëve gjermanë në përgatitjen dhe

zbatimin e planit pushtues në Shqipëri.

 Fyhreri kërkonte një “Shqipëri të pavarur me iniciativë

të vet”.

Ushtarët e parë gjermanë mbërritën në Shqipëri qysh në verën e vitit 1943. “Aty nga mesi i gushtit, në Shqipëri ishin vendosur rreth 6 mijë trupa gjermane.” (1) Ky kontigjent kishte ardhur për të vënë nën kontroll pikat strategjike të vendit, hyrjet nga ajri e deti, si dhe disa prej akseve kryesore të rrugëve. Si mbështetje ndaj aleatëve të tyre italianë, këto pararoja të nazistëve gjermanë në Shqipëri ishin si një kundërpërgjigje ndaj avancimit të dukshëm të formacioneve të Aleatëve Antifashistë, të cilët kishin finalizuar në fillim të muajit korrik hyrjen me trupa në pjesën jugore të Italisë, duke fituar terren në një nga pozicionet më strategjike të trupave të Boshtit, duke e sjellë balancën e forcave në favor të tyre. Paralel me trupat në Shqipëri, gjermanët dërguan përforcime dhe në territorin e Greqisë. Roli i angloamerikanëve në fushën e betejës, si dhe falë propagandës efikase që ata bënin kundër Fuqive të Boshtit, kishte bërë të vetën duke ndikuar drejtpërdrejtë në trazimin e skenës politike italiane, ku opozita mori më shumë zemër. Gjithashtu veprimtaria e Partisë Komuniste Italiane, guerrilasve dhe partizanëve ishte forcuar dhe popullarizimi ishte rritur. Të gjitha këto bënë që reputacioni dhe mbështetja për Benito Musolinin të ishte më e dobët dhe më e kërcënuar se kurrë. Zëvendësimi i tij në fund të atij muaji, me një shtatmadhor të ushtrisë, me më pak peshë në jetën politike dhe shoqërore italiane, Pietro Badoglio, ishte fillimi i tatëpjetës për vetë Italinë, por dhe një çarje dhe çoroditje e jashtëzakonshme brenda rradhëve të Boshtit.

Në një tablo si kjo, Gjermania shpejtoi të ndërmarrë hapa paraprakë duke dislokuar disa trupa të saj në Shqipëri. Numri i kufizuar i ushtarëve lidhej me kujdesin që tregonin gjermanët për të mos cënuar më tej atë që kish mbetur nga prestigji i italianëve;

(1) Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës (1939-1945), Tiranë, 2000, faqe 214.

për të mos acaruar më tej raportet gjithsesi të vështira mes Berlinit dhe Romës. Ngutja për të vendosur trupa në Shqipëri kishte dhe një shkak tjetër që nuk mund të neglizhohej: situata e pafavorshme brenda vendit. Rezistenca e armatosur e grupeve komuniste dhe nacionaliste shqiptare në verën e vitit 1943 ishte gjallëruar së tepërmi. Dy operacionet në shkallë të gjerë dhe me dorë të hekurt në muajin qershor - me anë të të cilave ushtria italiane kërkonte të shkatërronte bazat më të fuqishme të rezistencës antifashiste në afërsi të Tiranës dhe në jug të vendit – nuk patën rezultatet e dëshiruara. Fashistët italianë jo vetëm që nuk arritën objektivat, por me sulmin e tyre frontal dhe të egër më shumë rritën ndjenjën e urrejtjes tek popullata, element që u shfrytëzua mjaft mirë nga PKSH dhe Fronti Nacionalçlirimitare që ajo drejtonte, për të zgjeruar bazën e përkrahjes dhe shtimit të rradhëve.

Reagimi më i fuqishëm antipushtim dukej i motivuar dhe nga një shtysë tjetër: propaganda e pandërprerë se ndërhyrja e forcave Aleate mbetej një çështje ditësh. Sulmet e formacioneve partizane e nacionaliste krijonin dëme në njerëz e materiale për fashistët italianë, thyeshin depo dhe kazerma, në një kohë që grupet ilegale vazhdonin me atentate, me sabotime, nxitje të pakënaqësisë tek popullata etj. Disa struktura të reja territoriale, të quajtura këshilla Nacionalçlirimtare, apo këshilla të Ballit Kombëtar, kishin nisur të krijonin përshtypjen e funksionimit të autoriteteve lokale, duke iu shkëputur gjithnjë e më shumë kontrollit dhe ndikimit të pushtuesve, duke nisur të luajnë rolin e tyre në menaxhimin e problematikës ekonomike dhe sociale me të cilat përballeshin njerëzit në shërimin e plagëve të luftës dhe normalizimin e jetës.

Në një gjëndje të tillë disbalance ishin dhe mediat. Ato proqeveritare, si e përditshmja Tomori, Radio Tirana, Agjencia Telegrafike Shqiptare etj., reflektonin pasigurinë dhe situatën kaotike, veçanërisht nga njoftimet që vinin nga Roma zyrtare, por dhe nga sistemi i informimit që ishin nën kontrollin, ose të afërta me qëndrimet e Aleatëve Antifashistë. Në anën tjetër makina propagandistike e grupimeve antipushtim, komuniste dhe

nacionaliste, megjithëse në kushtet e ilegalitetit, të inventarit të kufizuar të mjeteve tipografike dhe rrjetit arkaik të shpërndarjes, tregohej më e sigurtë dhe euforike në vlerësimin e situatës së brendshme në Shqipëri, në vendet e rajonit, apo gjithkund ku ishin shtrirë flakët e Luftës së Dytë Botërore.

Vetëm 3 ditë pasi Komandën e Lartë të ushtrisë italiane e mori mareshalli Badoglio, gazeta kryesore zyrtare që botohej në Shqipëri, Tomori, në numrin e datës 27 korrik 1943 hoqi nga pjesa më e dukshme e faqes së parë, në krah të kokës, postulatin e famshëm të Musolinit, i cili ishte vendosur qysh në numrin e parë të saj: “Shqipëria është në zemrën time”. Pas kësaj dite dhe deri sa u mbyll gazeta, në krahun tjetër të kokës mbeti vetëm citati i njohur i Viktor Emanuelit lll: “Fatet e Shqipërisë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me ato të Italisë”. Në numrin e asaj dite me gërma të mëdha, duke zënë thuajse gjithë ballinën e gazetës, bëhej njoftimi solemn: “Sovrani i besoi mareshallit Badoglio komandën ushtarake me fuqi të plota.” (2) Me tituj konçizë dhe me tekste të kujdesshëm dhe të përmbajtur u publikuan fjalimet e rastit të Viktor Emanuelit e të Badoglios, njoftohej mbi prezantimin e qeverisë së re italiane etj. Në qendër të faqes së parë binte në sy dhe një apel i zëvendëskryeministrit shqiptar,

(2) Tomori, datë 27 korrik 1943, faqe 1.

Iliaz Agushi (kryeministri Ekrem Libohova ishte nisur për “punë private” në Romë), që kërkonte të qetësonte opinionin se dorëheqja e Musolinit ishte një “ngjarje e brendshme italiane. Qeveria u bën apel të gjithë shqiptarëve me ndejtë të qetë, secili në krye të detyrës dhe të punës së vet. Qeveria ka marrë masat e nevojshme për sigurimin rendit dhe të qetësisë botore.” (3)

Por numri dy në Partinë Fashiste Shqiptare, Ekrem Libohova, në rolin e kryeministrit të qeverisë së pestë të periudhës së pushtimit fashist italian, vlerësohej si një zgjidhje e sforcuar. Ai në fillim të vitit 1943 kishte drejtuar një qeveri që pati vetëm 3 javë jetë. Rikthimi në këtë post në mes të majit 1943 ishte më me fat në kohëzgjatje, por thuajse po aq i dështuar sa hera e parë në përpjekjet për zbatimin e ndonjë programi a platforme reformash, për të ndikuar në stabilizimin e situatës. Thirrjet e Libohovës për unitet të popullatës dhe ruajtje të rendit dhe qetësisë me çdo kusht nuk arrinin të përcilleshin as në zyrat publike, ku nëpunësit përjetonin me tronditje dhe pasiguri informatat që mbërrinin nga përplasjet e përgjakshme mes trupave ushtarake italiane dhe njësive të rezistencës që godisnin dhe sabotonin deri në brendësi të qyteteve.

Ditët e vështira për pushtuesit italianë, për administratën zyrtare në Shqipëri kishin mbërritur në një farë mënyre dhe për Tomorin. Më 31 korrik 1943, organi më i rëndësishëm i autoriteteve pushtuese në vend përgjysmoi lëndën e përditshme duke nisur të botohet vetëm me 2 faqe, nga 4 me të cilat kishte dalë prej 3 marsit të vitit 1940, kur u shfaq për herë të parë në treg. Në një vend të dukshëm të faqes së parë të numrit të datës 31 korrik 1943, ishte botuar një mesazh i Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Perandorit Viktor Emanueli në Shqipëri, gjeneral Alberto Parianit: “Shqiptarë! Çasti që po kalojmë kërkon që secili të qëndrojë i qetë e i disiplinuem në vendin e detyrës o të punës së tij. Me lajme alarmuese, me lëvizje subversive – të ushqyeme nga propaganda

(3) po aty

armike – kërkohet me turbullue qetësinë e vendit. Me turbullue qetësinë do me thanë me vue vendin në kondita që të shkatërrohet. Cilido që dashuron vendin e tij duhet të marrë pjesë në mbajtjen e rendit e të qetësisë - tue bashkëpunue me fjalë, me shembull e me vepër – me Autoritetin. Kam urdhnue që rendi të mbahet me çdo kusht.” (4) Gjenerali, veç telasheve me shthurrjen e administratës, si dhe goditjet që kryenin njerëzit e armatosur kundër regjimit, kishte “ngritur dhe antenat” për të ndjekur lëvizjet e ushtarakëve anglezë. “Parianit iu desh të përballonte edhe britanikët – të cilët, pas thuajse dy vjetësh qysh kur qenë angazhuar herën e fundit në Shqipëri, ishin kthyer aty në përpjekje për të bashkërenduar dhe nxitur qëndresën.” (5)

Dyfletëshi i mbetur i Tomorit do ta kishte si një refren të përditshëm apelin e ruajtjes së qetësisë dhe distancimin në mënyrë të prerë nga çdo akt që i kundërvihej apo sabotonte punën e autoriteteve zyrtare dhe ushtarake të pushtimit. Gazeta kishte përfunduar në tiparet e një buletini përmbledhës komunikatash, ku për çdo ditë pjesën më të madhe e zinte hapësira ndërkombëtare, me njoftime për aktivitetin dhe bilancin megjithatë “me fitore e suksese” të formacioneve të Fuqive të Boshtit në frontin e luftës. Pjesa për zhvillimet në vend zvogëlohej e shkruhej me formate të thata, pa autorësi, madje dhe pa preferuar pseudonimet. Dukej se gjithçka ishte rutinizuar në përmbajtjen e Tomorit. Gazeta ishte përfshirë në vorbullën e inercisë së ngjarjeve ushtarake, politike, ekonomike e sociale të teatrove të mëdhenj të luftës, por që reflektoheshin dhe në Shqipëri. Trupa gazetareske kishte humbur funksionin real dhe ishte shndërruar thjesht në një pritëse dhe korrektore të përmbajtjeve të komunikatave dhe njoftimeve që mbërrinin në redaksi nga zyrat e qeverisë, apo autoritetet italiane të pushtimit.

Situatën që u krijua me rënien e Musolinit, organi kryesor i

(4) Tomori, datë 31 korrik 1943, faqe 1. (5) Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës (1939-1945), faqe 198.

komunistëve, Zëri i Popullit, e përshkruante si një grusht dërmues për Boshtin fashist, si një ndërthurrje e goditjeve që merrte armiku nga të gjitha anët, por duke mos harruar të lavdëronte dhe të nxirrte gjithmonë në pah kontributin e jashtëzakonshëm që bënin partizanët shqiptarë në këtë përballje. Në artikullin me titull “Ku po shkon fashizmi?” analizoheshin përpjekjet në dëshpërim që bënte marreshall Badoglio për të mbijetuar në front. “Lufta titanike e fuqive anglo-sovjeto-amerikane, lufta heroike nacionalçlirimtare e popujve të nënshtruar nën thundrën nazifashiste, lufta e pandërprerë e popullit tonë, e kanë prurë sot fuqinë e Boshtit në një shkallë dobësimi të atillë sa që mund të themi me plot arësye se armiqtë e gjithë njerëzimit janë shtri për vdekje”. (6) Më tutje shigjetohej qeveria shqiptare: “Lufta e drejtë e popullit shqiptar, luftë e vazhdueshme ja hodhi një herë e përgjithmonë,

(6) Zëri i Popullit, gusht 1943, faqe 7.

ashtu siç ja pat hedhë dhe qeverive kukulla, maskën poshtë tradhëtarit Eqerem Bej Libohova, përfaqësuesit të qeverisë pseudo shqiptare; ma së fundi okupatori deklaroi se i gjithë autoriteti t’i kaloj në duar ushtrisë italiane.” (7)

Gazeta Bashkimi, organ i këshillave Nacionalçlirimtare dhe në të njëjtën linjë me Zërin e Popullit, publikoi një komunikatë të lëshuar më 28 korrik 1943 në Tiranë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Ishte thirrje për mobilizim masiv të popullit në momentet që kalonte vendi. “Jashtë zaptuesi italian! Asnjë këmbë okupatori në Shqipërinë tonë! Asnjë këmbë tradhëtari të mos mbetet në truallin tonë. Armikun duhet ta luftojmë me tërbim derisa të dorëzohet pa kondita, derisa të ketë thyer zverkun përtej Adriatikut. Sabotoni, demonstroni, luftoni me tërbim okupatorin! Të gjithë në këmbë, me pushkë në dorë, goditni dhe copëtoni kudo armikun.” (8)

Në kohën kur pushtuesit italianë në Shqipëri shfaqeshin më të dobësuar, më të demotivuar dhe më të çorganizuar se asnjëherë qysh kur mbërritën më 7 prill të vitit 1939, pra atëhere kur ndihej fundi dhe shija e hidhur e humbjes; në krahun tjetër kundështar, mes komunistëve dhe nacionalistëve po bëhej një përpjekje serioze për të arritur një marrëveshje historike mes tyre. Më 2 gusht 1943 përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar dhe përfaqësuesit e Ballit Kombëtar formuan Komitetin e Shpëtimit Kombëtar, të përbërë nga 12 vetë, me numër të barabartë nga të dy palët. Mbledhja e Mukjes miratoi dhe një program për luftë të menjëhershme kundër pushtuesit, për një Shqipëri etnike dhe demokratike të pasluftës që do ta zgjidhte me plebishit formën e regjimit. Por Mbledhja e Mukjes dhe marrëveshja që ajo prodhoi nuk funksionoi. Qëndrimi i përbashkët i delegacioneve të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të Ballit Kombëtar në atë Mbledhje, si dhe vendimi për ndarjen e pushtetit mes tyre rezistoi vetëm pak

(7) po aty (8) Bashkimi dhe buletinet e tij (1943 -1944), botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988, volumi II, faqe 130.

ditë, pasi udhëheqësit e Partisë Komuniste Shqiptare e hodhën poshtë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen nën presionin e jugosllavëve. Në Konferencën e Labinotit, shtator 1943, kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar hodhi parullën: “Gjithë pushteti këshillave Nacionaçlirimtare!”, që të kujton parrullën leniniste: “Gjithë pushteti sovjetëve!”. Kjo ishte pika e kthesës në raportet e mëpasme të dy forcave kryesore politike në vend. Fërkimet dhe përplasjet e natyrshme që ekzistonin deri atëherë për shkak të diferencave programore dhe ideore të secilës palë u shndërruan menjëherë në një rivalitet si mes dy armiqsh të përbetuar, në një garë të vërtetë propagandistike për vetëmburrje të sa më shumë veprave dhe heroizmave të kryera me armë në dorë dhe me sakrifica të pashembullta gjatë luftës kundër fashistëve italianë; elemente që u shfrytëzuan disa javë më vonë mjaft mirë nga gjermanët në konkretizimin e planit të tyre të pushtimit të Shqipërisë.

Gjithashtu prishja e akordit të Mukjes nxorri në skenë dhe një grupim tjetër nacionalist. Abaz Kupi, njëri nga protagonsitët kryesorë të rezistencës me armë në ditën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, i pezmatuar dhe zemëruar nga anulimi i Marrëveshjes së Mukjes, u shkëput nga bashkëjetesa dhe bashkëpunimi me komunistët, duke grumbulluar dhe udhëhequr një lëvizje më vete që aspironte kthimin e ish-mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogu. Sipas Lëvizjes së Legalitetit vetëm një regjim monarkik, vetëm një kushtetutë si ajo e vitit 1928 ishte shpëtimi i Shqipërisë. Legalistët e Kupit ishin partia e tretë politike, duke e pasuruar më shumë spektrin pluralist shqiptar në fundin e vjeshtës së vitit 1943.

Në periudhën e fundit të qëndrimit të italianëve në Shqipëri dhe në ditët e para të okupacionit gjerman, legalistët ishin në një proces riorganizimi të tyre, për t’u shpallur zyrtarisht si parti më vete. “Ndonëse doli më vete, Legaliteti u tregua i gatshëm të bashkëpunonte me Frontin Nacionalçlirimtar, duke ruajtur identitetin e vet organizativ. Por udhëheqja e PKSH, që drejtonte Frontin, nuk pranoi një gjë të tillë. Ajo e konsideronte Legalitetin si një rival për çështjen e pushtetit, sidomos në Shqipërinë e Mesme

e të Veriut. Prandaj e shpalli forcë armike dhe Legalitetin dhe vuri si detyrë asgjesimin e tij ashtu si Ballin Kombëtar. Ndarja përfundimtare e tyre ndodhi më 7 dhjetor 1943, pas bisedimeve që bënë në Shëngjergj të Tiranës Abaz Kupi dhe Enver Hoxha.” (9)

Ndaj dhe nga fillimi i shtatorit e deri në fillim të dhjetorit 1943 grindjet dhe polemikat më të mëdha politike dhe propagandistike zhvilloheshin mes komunistëve dhe ballistëve. Në mënyrë të hapur dhe pa doreza mjetet propagandistike të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Ballit Kombëtar ia nisën me arsenalin më të “rëndë luftarak” të sulmonin njëra - tjetrën, duke fajësuar dhe akuzuar për tradhti të çështjes kombëtare. Në një trakt që u shpërnda nga ballistët në qytetin e Beratit, gazeta Zëri i Popullit u cilësua se “kërkon të mbrojë Shqipërinë me vëllazërinë e serbëve dhe të grekëve.” (10) Kurse në një komunikatë paralele të Luftës Nacionalçlirimtare nga Gjirokastra akuzoheshin elementë të Ballit Kombëtar, të cilët kishin bashkëpunuar me njësitë italiane në një aksion të partizanëve kundër një autokolone armike në aksin rrugor Vlorë – Tepelenë. Sipas komunikatës ata “sabotojnë luftën nacionalçlirimtare dhe ndihmojnë haptazi fashizmin. Ushtria fashiste me anë të këtyre elementëve ka mundur të na hapë herë pas here luftën vëllavrasëse.” (11) Në një letër porosi, më 1 tetor 1943, Enver Hoxha do të urdhëronte të gjithë komitetet qarkore të PKSH: “Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare që bën lodrën e okupatorit… Nëse ai gjen rast të vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjëherësh edhe politikisht edhe ushtarakisht kundër tij…S’ka rrugë tjetër.” (12)

Por konfliktet e brendshme që kishin nisur nuk mund të lehtësonin fatin e pushtuesit fashist italian në Shqipëri në gushtin e vitit 1943. Fryma antiitaliane në opinionin publik ishte përshkallëzuar së tepërmi, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë

(9) Muharrem Dezhgiu, Shqipëria në luftë, 1939 – 1944, Tiranë 2005, faqe 314. (10) Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi Ministria e Punëve të Brendshme, Dosja 270, viti 1942. (11) Bashkimi dhe buletinet e tij (1943 -1944), volumi II, faqe 165. (12) PPSH, dokumente kryesore, volumi 1, Tiranë 1971, faqe 206.

qëndrimin dhe lëvizjen e trupave të tyre në çdo skaj të vendit. “Vetë pushtuesi italian, në fillim të muajit gusht 1943, e vlerësonte qëndrimin e shqiptarëve ndaj tij, si ‘një lëvizje e përgjithshme revolte e përhapur në gjithë Shqipërinë, me manifestime të ndryshme sipas kushteve të zonave’.” (13) Gazeta Zëri i Popullit në muajin gusht vijonte thirrjet për mobilizmin popullor kundër pushtuesit. “Tashti në kohën e fundit dhe tamam tashti që

evenimentet po rrokullisen me shpejtësi të madhe para dëshirave të të gjithë popullit shqiptar, nevojitet që i gjithë populli të jetë i bashkuar. Që të ketë bashkim populli shqiptar lypset që armët e të gjithëve të kryqëzohen, lypset bashkimi i armëve dhe luftë të menjëhershme kundër okupatorit gjerman apo italian. Vetëm tue përzie gjakun tonë dhe tuj lidhë plagët e njeri tjetrit do të mund të merremi vesh dhe të vllazërohemi”. (14)

Më 3 shtator e përditshmja Tomori kishte si lajm kryesor largimin e Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Mbretit nga Shqipëria.

(13) Muharrem Dezhgiu, Shqipëria nën pushtimin Italian (1939 – 1943), faqe 388. (14) Tomori, datë 3 shtator 1943, faqe 1.

“Gjeneral Pariani e len Shqipërinë. Emërimi i tij si ambasador në Berlin.” (15) Pak ditë më vonë po kjo gazetë në faqen e parë botonte një proklamatë të mareshallit Badoglio, e cila ishte transmetuar një ditë më parë në të gjitha mediat italiane dhe i ishte përcjellë publikut shqiptar nëpërmjet valëve të Radio Tiranës. “Qeverija italijane duke njohur pamundësinë ta vijojë luftën e pabarabartë kundra fuqisë shumë më të madhe kundërshtare; me qëllim që t’i kursejë fatkeqësira të tjera dhe më të rënda kombit kërkoi një armëpushim gjeneralit Eisenhower, kryekomandant i fuqive Aleate anglo-amerikane. Kërkesa u pranua. Për pasojë çdo vepër armiqësije kundra fuqive anglo-amerikane duhet të pushojë nga ana e fuqive italjane në çdo vend. Por këto do të veprojnë kundra sulmesh eventuale të ardhura prej çdo ane tjetër.” (16) Gazeta e asaj dite kishte dhe shënime dhe tërheqje të vëmendjes për ruajtjen e qetësisë nga ana e qytetarëve në momentet e turbullta që kalonte vendi. Ishte data 9 shtator 1943. Në një kohë që e përditshmja Tomori shpërndahej për lexuesit e saj - mbushur me lajmet më të fundit dramatike nga Roma, ku mareshall Badoglio shpallte kapitullimin pa kushte të Italisë - formacione të ushtrisë gjermane kishin nisur qysh në orët e para të asaj dite operacionin e pushtimit të Shqipërisë në tre drejtime hyrëse: nga territori i Kosovës, nga Maqedonia dhe nga Greqia.

“Truri” i gjermanëve në përgatitjen dhe zbatimin e planit pushtues kishte tre protagonistë kryesorë, të tre të familjarizuar në mënyra të ndryshme me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit. I pari ishte konsulli i përgjithshëm i misionit diplomatik gjerman në Tiranë, Martin Shlip (Martin Schlip), i cili kishte zëvendësuar pak kohë më parë Eberhard fon Panvitz (Eberhard von Pannwitz) që e ushtronte këtë detyrë nga viti 1937. Por Panvitzi nuk shihej me sy të mirë nga italianët. “Ambasadori” Shlip iu propozoi shefave të tij në Berlin rikthimin në Tiranë për të katërtën herë të majorit në pension, Franc fon Shajger (Franz von Scheiger), i cili kishte

(15) Zëri i Popullit, gusht 1943, faqe 8. (16) Tomori, datë 9 shtator 1943, faqe 1.

qëndruar mbi 20 vite në Shqipëri me disa angazhime. Gjatë Luftës së Parë Botëtore, pa mbushur ende 25 vjeç, ai i ra kryq e tërthor vendit në përbërje të ushtrisë austro-hungareze, si oficer i shtabit të përgjithshëm. Pas luftës ai u rikthye pa uniformën ushtarake, për të ushtruar profesionin e tij si inxhinier, duke krijuar një biznes të tijin, por dhe me pasionin dhe nevojën e marrjes së mësimeve në gjuhën shqipe. Nga viti 1936 deri më 1942 Shajger ishte sërish në Shqipëri i ngarkuar me detyrën e atasheut tregtar pranë misionit gjerman.

Në fillim të shtatorit 1943, sërish me “kostumin diplomatik” ai mori detyrën të udhëtonte për në Shqipëri, për të shfrytëzuar njohjen dhe kontaktet perfekte të këtij vendi “më mirë se kushdo tjetër në Ministrinë e Jashtme, madje më mirë se kushdo tjetër në Gjermani.” (17) Këtë herë të fundit misionin duhet ta niste nga Mitrovica, e cila gjendej nën kontrollin e gjermanëve. Itinerari nuk ishte aspak rastësor a rutinor. Prej andej ai nisi ethshëm kontaktet me disa miq të tij të hershëm, figura të rëndësishme të politikës lokale në Kosovë. Një pjesë e së cilëve pak ditë më vonë do të shpalleshin publikisht në Tiranë si protagonistët e qeverisjes së parë të Shqipërisë nën pushtimin e Gjermanisë naziste.

Figura e tretë ishte në postin më të rëndësishëm të gjermanëve jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për rajonin. Ai ishte Herman Nojbaher (Hermann Neubacher), ish-kryetar i bashkisë në Vjenë në vitet 1938 - 1940, dhe ish-këshilltar ekonomik i Hitlerit për Europën Juglindore. Pesëdhjetvjeçari, një anëtar me eksperiencë i partisë naziste, kishte qenë aktiv më parë dhe në shtete të tjera të rajonit, në Rumani, Bullgari e Greqi. Nojbaher zyrtarisht e mori emërimin e ri vetëm në fund të gushtit 1943 nga shtabi i Fyherit: si i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore. “Përshkrimi i punës për detyrat në Shqipëri ishte i pazakontë, si pasojë e formulimit lakonik të tyre. Ribbentrop (ministri i jashtëm i Gjermanisë – AM) më thirri në Beograd dhe më

(17) Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës (1939-1945), faqe 215.

informoi se Fyhreri kërkonte një ‘Shqipëri të pavarur me iniciativë të vet’”, (18) ka shkruar në kujtimet e tij vite më vonë Nojbaher.

Pikërisht ky formulim konçiz ishte thelbi i planit gjerman për Shqipërinë. Kjo do të kihej parasyh në çdo hap që do të hidhej në institucionalizmin e pushtimit; në veprimet e mëpasme ushtarake, politike e diplomatike; për fluksin e argumenteve në favor të këtij akti; për të magjepsur kastën e udhëheqësve, burokratëve dhe intelektualëve shqiptarë që do të afroheshin dhe përfshiheshin në proces; për kredon me të cilën do të punonte makina propagandistike zyrtare në vijim.

(18) Texts and Documents of Albanian History – extract of Hermann Neubacher,

Sonderauftrag Südost 1940-45: Bericht eines fliegenden Diplomaten, Göttingen 1956, p. 105-121, (burimi në internet: http://www.albanianhistory.net/text20_2/

AH1956_2.html).

This article is from: