12 minute read

3- Mbështetje dhe kundërshti mediatike për administratën kukull gjatë okupacionit

Next Article
Hyrje

Hyrje

3

MBëSHtetje dHe KuNdërSHtI MedIAtIKe Për AdMINIStrAtëN KuKuLL gjAtë OKuPAcIONIt

Advertisement

 Kabineti i kryeministrit Rexhep Mitrovica angazhohet

për reforma urgjente shoqërore dhe ekonomike.

 Goditjet e artilerisë në ndërtesën ku ishte mbledhur

Asambleja Kushtetuese nxorrën në pah domosdoshmërinë e rivendosjes së rendit e qetësisë.

 Bashkimi i Kombit: “Në veprim pra, të mendojmë se një

ditë terrori, siguron dhjetë vjet qetësi.”

 Zëri i Popullit: “Terrori nuk e tremb Partinë Komuniste.

Ajo u ka qëndrue burrërisht të gjitha vuajtjeve, të gjitha krimeve dhe është forcuar në luftë kundra tyre.”

 Për Legalistët e Abaz Kupit zgjidhjet e problemeve me

të cilat përballej Shqipëria merrnin udhë vetëm me rivendosjen e regjimit monarkik.

Duke ndjekur ritmin e përshpejtuar të ndërtimit të institucioneve të shtetit kukull shqiptar, si dhe duke përdorur një formulë hibride përfaqësimi, gjermanët nxitën mbledhjen në mes të tetorit 1943 të Asamblesë Kushtetuese, që kishte barrën e marrjes së një pakete vendimesh shumë të rëndësishme për të bërë fakt ndarjen nga periudha e pushtimit italian dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të një Shqipërie sipas konceptit gjerman.

Dy vendimet më kryesore të marra me nxitim dhe padurim nga pushtuesit ishin krijimi i Këshillit të Lartë të Regjencës, dhe kabinetit qeveritar. Po t’i hidhej një sy përbërjes së tyre dallohej qartë përfaqësimi me proporcion gati laboratorik në nivel krahinor dhe besimi fetar. Në krye të Këshillit të Lartë u emërua një figurë shumë e njohur në jetën politike shqiptare, Mehdi Frashëri, një ish-student në Austri dhe që në vitin 1936 kishte arritur majën e karrierës duke u bërë kryeministër i Shqipërisë. Në ditën e pushtimit fashist italian, në një kohë që pati një rezistencë mjaft spontane dhe të zbehtë shqiptare për të ndalur zbarkimin e trupave italiane, Mehdi Frashëri dhe një grup intelektualësh përgatitën dhe përkthyen në disa gjuhë të huaja fjalime dhe thirrje patriotike, të cilat ia përcollën opinionit brenda dhe jashtë vendit dhe ku dënohej e kundërshtohej me forcë akti i pushtimit të Shqipërisë, që cënonte pavarësinë dhe integritetin e vendit. Ky qëndrim i kushtoi më pas ish-kryeministrit internimin në Itali.

Gjermanët me rikthimin e Frashërit në Shqipëri parapëlqyen që ai të ishte dhe kryeministër. Por për një 71 vjeçar që kishte provuar dhe disa vite internimi kjo ishte një ngarkesë e papërballueshme politiko-burokratike. Kryeministër i qeverisë kukull u zgjodh Rexhep Mitrovica, (1) në një kabinet ku merrnin pjesë ministra

kosovarë dhe që i plotësoi disa portofole ministrore pas më shumë se tre muajsh. Me këtë akt pushoi së funksionuari dhe Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, që ishte zgjedhur më 14 shtator 1943.

Asambleja Kushtetuese miratoi një varg ligjesh të tjera që rrëzuan shumë ligje, vendime dhe dekrete të periudhës së pushtimit italian; miratoi kuadrin e nevojshëm ligjor për rregullimin e marrëdhënieve mes institucioneve shtetërore dhe autoriteteve të ushtrisë gjermane të dislokuar në Shqipëri, (një aspekt që mbeti i mjegulluar dhe që jo pak herë më pas shkaktoi fërkime deri dhe mosmarrëveshje mes të dyja palëve); për organizimin e strukturave ushtarake shqiptare etj. “Tani kur vendi doli nga një okupacion shtypës katërvjeçar prej të huajve, nevoja e reformave shoqërore dhe ekonomike ndihet edhe më e madhe, më urgjente.” (2) Për shkak të kushteve të luftës Asambleja Kushtetuese ia delegoi pushtetin legjislativ Këshillit të Lartë, i cili ishte dhe organi më i lartë përmbarues.

Por në kohën kur filluan punimet e Asamblesë Kushtetuese më 18 tetor 1943, godina ku ishin asambleistët u sulmua me goditje artilerie nga forcat partizane, duke ndërprerë dhe shtyrë axhendën, si dhe duke alarmuar autoritetet gjermane. Kjo ngjarje dukej si një sinjal i qartë se ligjet dhe institucionet që diskutoheshin e votoheshin aty nuk kishin pëlqimin e miratimin e asaj pjese të popullatës që simpatizonte komunistët dhe luftën nacionalçlirimtare. Ky ishte gjithashtu dhe treguesi se një ndër sfidat më të rëndësishme të qeverisë së porsakrijuar të Rexhep Mitrovicës dhe komandës së trupave gjermane në Shqipëri ishte

(1) I diplomuar në Vjenë më 1916 për shkencat pedagogjike kur ishte 27 vjeç. Si një nga përfaqësuesit e Kosovës në aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Rexhep Mitrovica ka patur një angazhim të madh patriotik, si dhe një karrierë të pasur politike: deputet i Pejës dhe Gjakovës në parlamentin shqiptar, ministër i arsimit, drejtues i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” në

Mitrovicë, bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes së

Dytë të Prizrenit, për t’u ngjitur atë vjeshtë të vitit 1943 në postin e kryeministrit të parë të Shqipërisë, në kohën e pushtimit të saj nga Gjermania naziste. Rexhep

Mitrovica ishte dhe bashkëpunëtor i ngushtë i gazetës Kosova, duke publikuar në të artikuj me natyrë historike. (2) Bashkimi i Kombit, datë 12 janar 1944, faqe 1.

përballja me formacionet partizane që ishin prezente në rajone të ndryshme të vendit. Ultimatumet dhe afatet kohore që kishin përcaktuar gjermanët sapo shkelën në Shqipëri për çarmatosjen dhe mbrapsjen e grupeve që kundërshtonin pushtimin duke sulmuar efektivat e tyre kishte dhënë rezultate minimale, ndaj dhe ishte urgjente rivendosja e rendit dhe sigurisë në mjaft territore, veçanërisht në pjesën jugore dhe qendrore të vendit.

Në përmbushjen e këtij objektivi një rol aktiv do të luanin dhe mjetet e propagandës proqeveritare. Gazeta kryesore Bashkimi i Kombit nga dita në ditë forconte notat e kërcënimeve ndaj atyre që

i kundërviheshin trupave gjermane dhe institucioneve. Në artikuj të dukshëm të gazetës shprehej hapur urrejtja, dhe njëkohësisht dëshira për të ndëshkuar të gjithë ata që ishin shpallur në mbështetje të forcave Aleate Antifashiste, që me çdo mjet e mënyrë pengonin e minonin punën e qeverisë. “Këta shushunja të shoqërisë duhet të zhduken, këta parazita duhet të vriten si tradhëtarë të dyfishtë: tradhëtuan Jakomonin, që i ngopi me pare, po tradhëtojnë

shtetin shqiptar që bujarisht po i duron ende. Qeveria ka një detyrë tjetër, përveç vënies së qetësisë dhe sigurimit të jetës kombëtare: Atë që t’iu falë nga një plumb këtyre tradhëtarëve.”(3) Në analizat që bëheshin për situatën e përplasjeve të armatosura jepeshin dhe tipare të reja për ata që kishin ngritur armët kundër gjermanëve dhe qeverisë, duke bërë një krahasim në qëndrimin e tyre në dy kohë të ndryshme. “Nuk jemi më në kohën e regjimit italian kur lëvizja komuniste vepronte nën maskën e nacionalizmit, duke gënjyer botën shqiptare, duke përfituar nga ndihma e saj, duke e shtrirë propagandën e vet në sajë të dashamirësisë nacionaliste; sot jemi ndër komunista terrorista nga një anë, nacionalista nga ana tjetër. S’kemi si gënjejmë njeri - tjetrin. Kush do të ketë më tepër fuqi do të fitojë.”(4)

Rezistenca e armatosur i kishte vënë në pozitë të vështirë forcat gjermane, duke i detyruar të shtojnë edhe më shumë operacionet e luftimit dhe ndëshkimit në shkallë të gjerë. Krahas goditjeve kundër forcave partizane, në shënjestër ishin dhe civilët që dyshoheshin se bashkëpunonin ose ndihmonin grupet e rezistencës. Dhe për ta kishte ndëshkime individuale ose kolektive. Njëri prej tyre ishte më 4 shkurt 1944 në kryeqytet, kur u ekzekutuan 84 qytetarë. Gazeta Bashkimi i Kombit që shpërndahej po atë ditë në agimin e së cilës kishte ndodhur kjo masakër kishte kryeartikullin me titull: “Gjaku do gjak”. Në të mes të tjerave thuhej: “Gjaku don gjak! Terrori don terror! Nuk rimëkëmbet shteti shqiptar as me gjyqe dhe as me anketa, apo me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kapërcejë këto faza kritike vetëm duke përdorë shpatën.”(5) Dhe mbyllja e kryeartikullit e rriste dozën e hakmarrjes nëpërmjet një thirrjeje të hapur: “Në veprim pra, të mendojmë se një ditë terrori, siguron dhjetë vjet qetësi.” (6)

Por një muaj më vonë gazeta Bashkimi i Kombit në një artikull kryesor të shkruar nga Kristo Floqi, (7) me titull: “Më mirë vonë se kurrë” notat ishin më të moderuara dhe më diplomatike, duke (3) Bashkimi i Kombit, datë 16 janar 1944, faqe 2. (4) Bashkimi i Kombit, datë 30 janar 1944, faqe 1. (5) Bashkimi i Kombit, datë 4 shkurt 1944, faqe 1. (6) po aty

hyrë dhe në shtjellime psikologjike kur flitej për rezistencën e armatosur. Autori i përshkruante reagimet me pushkë të një pjese të popullatës si një çudi shqiptare: “Shqiptari mundohet ta hedhë njerën zgjedhë, që të futet në një zgjedhë tjetër. Çporr armikun okupator që të bjerë në një tjetër, ose në qoftë se nuk bie prapë nën zgjedhën e huaj duke parë se sundimin e vendit e merr një shqiptar, ky fillon pas pak kohe të mërzitet dhe menjëherë vë ndër mend ta çporrë dhe sunduesin e vet, administruesin shqiptar. Është vënë re se atëhere fillojnë e dalin në shesh ambicie personale dhe sundimtari shqiptar, sado i mirë qoftë i duket popullit si mizor, si gjakpirës etj., dhe menjeherë mendimet e tij japin e marrin se si duhet ta çporrë qafe edhe këtë, paçka se vjen një tjetër i huaj në vend të tij.” (8) Autori pas shqetësimit që shpreh për “skenat e tmerrshme të vëllavrasjeve”, veçanërisht në jug të vendit, bën thirrjen e bashkimit dhe të paqes. Ai ka një dozë shumë më të zbutur për ata që luftojnë duke shpresuar “se vëllezërit tonë, fëmijët tonë, fisi jonë do të kthehen sa më shpejt prej maleve ku jetuan kaq vjet pa një farë shprese, e ku mund të rrezikonin dhe veten e tyre. Qeveria, ne të gjithë, duhet të bëjmë detyrën tonë faqe këtyre; dhe detyra jonë është t’i harrojmë të gjitha të shkuarat e të mendohemi se si duhet të shpëtojmë.” (9)

Por vendimet e Asamblesë Kushtetuese dhe procesi i ndërtimit të administratës shqiptare dhe performanca e saj u shënjestruan dhe në mjetet propagandistike, të cilat ishin nën kontrollin e

(7) Ish-ministër i kulturës në fund të vitit 1920, në kabinetin e kryeministrit Iliaz

Vrioni. Ka lindur në Korçë më 24 maj 1872. Studimet e larta i kreu në Athinë për drejtësi. Kristo Floqi deri në moshën 33 vjeçare punoi si jurist, kur dhe emigroi jashtë vendit. Në Boston të SHBA-ve ai u angazhua me botimin e javores Dielli dhe më pas udhëhoqi botimin në Nju Jork të javores tjetër Zëri i Popullit. Pas kthimit në atdhe Kristo Floqi nisi një bashkëpunim të ngushtë me Përlindja e

Shqipërisë, gazetë pro qeverisë së Vlorës. Shkroi dhe për revistat Arbëria dhe

Agimi, kjo e fundit botohej në Shkodër, si organ i shoqërisë “Vllaznia”, më 1919.

Ai ishte aktiv në gazetën Indipendenca shqiptare, që nisi të shtypet në fillim të vitit 1925. Me Bashkimin e Kombit bashkëpunimin e nisi që në numrin e parë të saj. (8) Bashkimi i Kombit, datë 4 mars 1944, faqe 1. (9) po aty

komunistëve. Buletini i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës shkruante se Asambleja duhej të protestonte kundër pushtimit të vendit nga ushtarët gjermanë. “Kjo punë nuk u bë, pse njerëzit e grumbulluem në atë Asamble nuk përfaqësojshin vullnetin e popullit shqiptar, por përbajshin një tufë politikanësh të falimentuar, dallaveraxhinjsh, intrigantësh, arrivistash, agjentësh të Gestapos, hitlerianësh të tërbuar… Kështu që ndërsa Asambleja e prillit (1939) i fali kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit, Asambleja e Tetorit, (1943 – AM) në heshtjen e vet, legalizoi okupacionin ushtarak gjerman.” (10) Ky arsyetim në Buletin lidhej dhe me aktin e goditjes që iu bë godinës ku mbaheshin punimet e Asamblesë. “Por atë që s’bani Asambleja e bani populli shqiptar me topin që hodhi më 18 tetor në ora 10 kundër pallatit ku ajo ishte mbledhë. Topi i hedhur atë ditë është protesta solemne që populli shqiptar ka bërë para gjithë botës, kundër Asamblesë së mbledhur prej agjentëve të Raihut të Madh Gjerman, kundër

(10) Bashkimi dhe buletinet e tij, (1943 – 1944), volumi II, faqe 312.

vullnetit të tij.” (11)

Një qëndrim shumë kritik mbajti Zëri i Popullit për përbërjen e kabinetit të Rexhep Mitrovicës që u votëbesua nga Asambleja Kushtetuese. Më shumë portretizoheshin duke nxjerrë në pah negativitete nga e shkuara për ministrat e kabinetit te tij, duke e etiketuar qeverinë me një përbërje ku ishin “elementët më servilë e të degjeneruar të shqiptarizmës.” (12) “U formua me kryeministër Rexhep Mitrovicën, që hante qetësisht thelat fashiste kur fashistët therrnin foshnjat e Bihorit, më Xhafer Devën që ka marrë më qafë me mijëra kosovarë për të rritur karrierën e tij me trupat SS të Adolf Hitlerit, me Sokrat Dodbibën, funksionar mumje i çdo regjimi, me Qazim Bllacën, një nga emisarët e fashizmit në Kosovë, me Ago Again, miku i besuar i komendador Rokos, prefekt i Hitlerit në Mitrovicë, armik i deklaruar i luftës që i bënte populli ynë fashizmit italian, dhe me fytyra të egra të këtilla që kanë kullotur shumë në grazhdin gjerman…” (13)

Në vëmendje të propagandës kundër pushtimit ishin dhe aspekte të veçanta të programit dhe aktivitetit qeveritar: u kritikuan marrëveshja ekonomike mes Shqipërisë e Gjermanisë që u arrit në fund të nëntorit 1943, pas 40 ditë bisedimesh dhe që vlerësohej si inferiore për palën shqiptare; u shikua plot mosbesim e demagogji procesi i reformës agrare, u cilësua si antikombëtar riorganizimi i forcave të ushtrisë shqiptare etj. Në hapësirat mediatike dhe propagandistike të shpallura kundër pushtimit të nazistëve gjermanë nuk humbej rasti që të lëvdohej angazhimi dhe sakrificat e mëdha që bënin komunistët dhe strukturat e tyre në përfshirjen me armë në dorë kundër regjimit. “Terrori nuk e tremb Partinë Komuniste. Ajo u ka qëndrue burrërisht të gjitha vuajtjeve, të gjitha krimeve dhe është forcuar në luftë kundra tyre. Populli shqiptar e ka parë se si lufton Partia Komuniste dhe e ka ndjekë në luftë.” (14)

(11) po aty (12) Zëri të Popullit dhe buletinet e tij, (1942 – 1944), volumi II, faqe 370. (13) po aty

Situatën e krijuar në Shqipëri pas ndërtimit të institucioneve shtetërore, propaganda e Legalitetit e gjykonte nga pozitat e veta duke i mëshuar zgjidhjes së rivendosjes së një regjimi monarkik. Një pozicion që vendoste dy kushte paralele, qeverisje nga shqiptarët, por dhe luftë kundër pushtuesve. “Populli shqiptar për me pasë mundësi me jetue normalisht duhet me qënë i lirë. Për këtë qëllim është e domosdoshme që Shqipëria të qeveriset vetëm prej shqiptarëve e të mos qëndrojë nën okupacion të huaj.

Kjo imponon luftën kundër okupatorit, cilidoqoftë ky. Por kjo nuk mjafton. Shqipëria duhet që të ketë dhe regjimin e dëshiruem prej popullit shqiptar. Deri më sot ky regjim asht ai i vendosun më 1 shtator 1928.” (15) Ndryshe nga ballistët që ishin të përfaqësuar në organet qeverisëse që u krijuan pas pushtimit gjerman, dhe normalisht shprehnin hapur mbështetjen totale ndaj tyre, legalistët e Abaz Kupit të shkëputur në fillim të vjeshtës së vitit 1943 nga bashkëpunimi me Frontin Nacionalçlirimtar dhe komunistët e

(14) Zëri i Popullit, tetor 1943, faqe 17. (15) Atdheu, datë 15 janar 1944, faqe 1.

Enver Hoxhës, në fazën e parë të pushtimit gjerman dukeshin se ishin në kërkim të pozicioneve të duhura politike. Kjo dhe për shkak të diferencës që kishin ata në ndërtimin dhe shtrirjen e strukturave të partisë në terren, krahasuar me komunistët dhe ballistët.

This article is from: