13 minute read
6- Mbulimi mediatik në periudhën e fundit të pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste
6
MBuLIMI MedIAtIK Në PerIudHëN e fuNdIt të PuSHtIMIt të SHQIPërISë NgA gjerMANIA NAzISte
Advertisement
Shtypi proqeveritar thurr lavde pas rënies së kabinetit të
kryeministrit Rexhep Mitrovica: “Sinfonia e rindërtimit lehet e pambarueme.”
Linja opozitare: “Plot tetë muaj vuajtje, mjerim e zi për
popullin shqiptar. Plot tetë muaj masakra e terror mbi shqiptarët liridashës.”
Ringjallja e fushatës për afrimin e intelektualëve, “vëtëm
këta në bashkëpunim me qeverinë mund ta ndryshojnë gjendjen”.
Etiketimi i Enver Hoxhës nga zani i Atdheut si “profesor pa
diplomë”, apo “si kryetar i qeverisë sovjetike shqiptare”.
17 nëntor 1944, radio tirana humbi kontrollin total të
pushtuesve nazistë gjermanë dhe ra në duart e forcave partizane.
Shenja e parë serioze se institucionet qeverisëse shqiptare nuk arritën suksesin e parashikuar nga autoritetet gjermane ishte dorëheqja e kryeministrit Rexhep Mitrovica dhe kabinetit të tij mbrëmjen e 16 qershorit 1944. Propaganda zyrtare bëri kujdes që kjo ngjarje të kalonte me sa më pak bujë. Sipas një njoftimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, kryetari i Këshillit të Lartë të Regjencës Mehdi Frashëri “e falenderoi nxehtësisht shkëlqesën Rexhep Mitrovica për veprën naltësisht patriotike të kryeme gjatë këtyre 8 muajve, që në historinë shqiptare do të kalojë si periudha më tronditëse e jetës sonë kombëtare tue e lutë njëkohësisht me u bë interpret i këtyre ndjenjave pranë kolegëve të tjerë të kabinetit dorëheqës.”(1) Bashkimi i Kombit të nesërmen e botonte të plotë këtë njoftim të ATSH-së nën një titull të madh hapës: “Qeveria Mitrovica paraqiti dorëheqjen.”(2) Kollona e faqes së parë të asaj dite ishte shkruar nga dr. Xhelal Mitrovica, i cili edhe vetë kishte paraqitur dorëheqjen si sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Popullore. Me titullin domethënës “Sinfonia e pambarueme”, Mitrovica (Xhelal) rendiste lavde për punën dhe përpjekjet e qeverisë së Mitrovicës (Rexhep). “Qeveria që po ikën ka rindërtue atë që ka mujtë, në rrethana jashtëzakonisht të vështira tue krijue embrionin e shtetit shqiptar.”(3) Ose në një pasazh tjetër shkruhej: “Mbaron apo nuk mbaron vepra nga pikëpamja ideale, nuk ka një rëndësi të madhe, mbasi njerëz me shpirt t’epërt i shikojnë përfundimet vetëm nga qëllimet e tyne. Qëllimet e qeverisë Mitrovica janë kenë të frymëzueme në një mënyrë pozitive, veprimet janë zhvillue tue ecë në vragën e interesave të popullit shqiptar. Sinfonia e rindërtimit lehet e pambarueme.”(4)
(1) Bashkimi i Kombit, datë 17 qershor 1944, faqe 1. (2) po aty (3) po aty (4) po aty
Por Buletini i Zërit të Popullit duke njoftuar rënien e kabinetit qeveritar uronte që “së shpejti arrifshim edhe në kokën e Mehdi Beut (Frashërit – AM) me shokë të Regjencës.” (5) Duke prezantuar një bilanc negativ e tragjik të qeverisë Mitrovica shkruhej: “Plot tetë muaj vuajtje, mjerim e zi për popullin shqiptar. Plot tetë muaj masakra e terror mbi shqiptarët liridashës. Me qindra të burgosur e të internuar. Me qindra të vrarë e të terrorizuar. E dogjën, e grabitën, e plaçkitën, e çnderuan, e vranë pa mëshirë popullin tonë që rroku armët për liri. I ndoqën këmba–këmbës luftëtarët tanë trima, Ushtrinë tonë Nacionalçlirimtare partizane – vullnetare, deshën ta shpartallonin, ta zhduknin fare, por ngjau e kundërta si gjithmonë.” (6)
Historiani Xhelal Gjeçovi e ka vlerësuar krizën qeveritare të lidhur me veprimet e armatosura në konfliktin mes trupave naziste gjermane dhe atyre partizane. “Në kushtet e thellimit të pandërprerë të krizës në vend, pasi dështuan dhe dy operacionet e mëdha të Vermahtit, të dimrit 1943 – 1944 dhe të pranverës 1944, organizmat e ngritur nga pushteti po tregoheshin krejt të paafta për të përballuar situatën në vend. Në këto kushte qeveria, e mbështetur nga autoritetet e pushtimit, dukej se do të jepte shpirt shpejt, ndërsa lëvizja partizane kontrollonte zona gjithnjë e më të gjëra në vend. Frashëri dhe Deva ushtronin një qeverisje vetëm në dukje në disa qytete kryesore dhe kjo në sajë të mbështetjes ushtarake gjermane.” (7)
Kurse për studiesin e historisë Kastriot Dervishi, rënia e kabinetit qeveritar që drejtohej nga Rexhep Mitrovica ishte veç të tjerave dhe si pasojë e mosmarrëveshjeve mes institucioneve kryesore: Regjencës, Parlamentit dhe Qeverisë, pasi “në fund të pranverës së vitit 1944, një krizë e madhe do të mbërthente organet kryesore të shtetit, gjë që u duk me mbledhjen e Parlamentit, më
(5) Zëri i Popullit dhe buletinet e tij (1942 -1944), volumi III, faqe 381. (6) po aty (7) Xhelal Gjeçovi, Pushtimi gjerman në Shqipëri: 8 shtator 1943 - 29 nëntor 1944,
Botimimpex, Tiranë, 2004, faqe 42.
31 maj 1944, e cila pasqyronte një krizë të vërtetë midis Qeverisë, Parlamentit dhe Këshillit të Naltë (të Regjencës – AM). Parlamenti u mblodh vetiu, pa dekret të Këshillit të Naltë, duke kërkuar të vendoste autoritetin e tij mbi regjentët, por dhe mbi ministrat.” (8)
Rreth një muaj pasi vendi ishte me një qeveri të dorëhequr por në detyrë, autoritetet gjermane në një shenjë të nxitjes së optimizmit tek institucionet dhe popullata përhapën me bujë lajmin se të dy vendet kishin vendosur që të ngrinin në nivelin më të lartë marrëdhëniet diplomatike me ambasada në Tiranë dhe në Berlin. Si gjithmonë tek faqja e parë e Bashkimit të Kombit në vendin më të dukshëm lëshohej një njoftim me burim zyrtar nga Gjermania i titulluar “Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Reich-ut Gjerman dhe Shqipërisë”. Ja përmbajtja e plotë: “Qeveria e Reich-ut i rifilloi zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Qeverinë Shqiptare. Konsullata e Përgjithshme gjermane në Tiranë, u ngrit në Amabasadë dhe kryekonsulli, gjeneral Schlipp u emërua Ambasador i Reich-ut. Ambasadorit Rrok Gera iu besue drejtimi i Ambasadës Shqiptare në Berlin.” (9) Interesante ishte që ambasadori shqiptar Gera nuk e shijoi këtë emërim, pasi pak ditë më vonë ai ishtë në listën e kabinetit të ri në postin e ministrit të financave. Dy ditë pas njoftimit të Berlinit zyrtar, në Tiranë u njoftua formimi i qeverisë së re me kryeministër Fiqri Dinen, cili më herët, në fillim të vitit 1943, kishte kryer për më shumë se dy javë detyrën si ministër sekretar shteti për Punët e Brendshme në qeverinë e parë të Ekrem Libohovës.
Pas këtij momenti në Bashkimin e Kombit, por dhe në mediat e tjera zyrtare dhe propushtimit u ringjall fushata për afrimin e intelektualëve për kontribut dhe mbështetje për qeverinë, duke shigjetuar në të njëjtën kohë dhe pritshmërinë dhe apatinë e një pjese prej tyre. “Intelektualët dhe vëtëm këta në bashkëpunim me qeverinë mund ta ndryshojnë gjendjen. Në këtë punë mund
(8) Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912 – 2005, shtëpia botuese “55”,
Tiranë, 2006, faqe 523. (9) Bashkimi i Kombit, datë 14 korrik 1944, faqe 1.
të kenë pengesë vetëm plogëtinë dhe jo paaftësinë e tyre, ose pafatësinë e popullit tonë, i cili është gati ta mbrojë ekzistencën e tij me çdo sakrificë.” (10) shkruante Nebil Çika, i cili së bashku me Mazar Sopotin (11) e dr. Xhelal Mitrovicën kishin mbetur si bashkëpunëtorë kryesorë të Bashkimit të Kombit në atë periudhë. Pas më pak se një muaji e gjysmë kur kishte marrë votëbesimin, qeveria e kryeministrit Fiqri Dine njoftoi dorëheqjen, duke e mbajtur vendin jo vetëm në flakët e luftës, por dhe të një krize politike dyjavore, deri kur u formua qeveria e tretë nën pushtimin gjerman, ajo e kryeministrit Ibrahim Biçakçiu, (mbajti dhe postin e ministrit të brendshëm). Biçakçiu, një njeri shumë i besuar i gjermanëve qysh kur ata e ngarkuan të drejtonte qeverinë e parë provizore, (Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm) më 14 shtator 1943, fiks një vit më pas, nisi zyrtarisht punën si kryeministër, i fundit në periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania
(10) Bashkimi i Kombit, datë 16 gusht 1944, faqe 1. (11) Së bashku me dr. Xhelal Mitrovicën, Gjergj Bubanin e Mustafa Grebleshin ai ishte në grupin që kontrollonte veprimtarinë e medias shqiptare, një strukturë më vete në Ministrinë e Kulturës Popullore gjatë kohës së pushtimit nazist gjerman.
Mazar Sopoti ishte drejtor i gazetës Kosova, që botohej si organ i Komitetit
Kosovar. Bashkëpunoi me disa prej gazetave kryesore që botoheshin në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si Fashizmi, Tomori, Bashkimi i Kombit (ku kishte dhe një rubrikë të tijën) etj.
naziste.
Në pjesën e fundit të qëndrimit në Shqipëri trupat naziste publikuan dy gazeta, të cilat ishin si organe të tyre. Në verën e vitit 1944 nisi të botohet në Tiranë gazeta Lirija e Shqipnis, me karakterin e një buletini lufte, në rradhë të parë me informacion nga fronti në Shqipëri, por dhe nga rezultatet e ushtrisë gjermane në rajonet e pushtuara prej saj, ose në konfrontimet me ushtritë e Aleatëve Antifashistë. Në krah të kokës së gazetës ishte vendosur slogani: “Armiqt tuaj – armiqtë tanë”. Megjithëse kur nisi botimin Lirija e Shqipnis ishte 19 qershori i ‘44-s, dhe kur forcat gjermane nuk i kishin aspak punët mirë në operacionet ushtarake në terren, nuk munguan notat propagandistike në përshkrimin e “atmosferës optimiste”, duke treguar për sukseset e gjermanëve nga njëra anë dhe humbjet shkatërrimtare të Aleatëve Antifashistë në anën tjetër, si psh: “fillimi i grushteve kundër Anglisë”, për “humbje të përgjakshme armike në Francë”, për “robërit anglo amerikanë të tmerruar”, ose i kushtohej rëndësi përgënjeshtrimeve për informacionet dhe komentet që përhapnin stacionet e vendeve Aleate, veçanërisht Radio Londra, Radio Bari etj.
E njëjta frymë ishte dhe për zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Në një artikull informativ me titull “Një grusht i rëndë komunistëve të Shqipërisë së Jugut”, jepej bilanci shumë pozitiv i një goditjeje që nazistët gjermanë kishin bërë në disa “qendra bandash komuniste që gëzonin një simpati të dukshme nga ana e englezëve dhe amerikanëve” (12) dhe ku “rolin e kryetarit të këtyre bandave e loste shqiptari bolshevik Mehmet Shehu.” (13) Më tej jepeshin shifrat: “Rezultati i këtij grushti të papandehur kundër anglo – bolshevikëve qe me të vërtetë i tmerrshëm: Pas luftimit të rreptë dhe plot vuajtje nëpër male e gryka, bandat lanë 729 të vrarë e 393 robër, midis këtyre 104 femra.” (14) Veç amplifikimit të sukseseve dhe fitoreve të trupave gjermane ndaj njësive të armatosura të komunistëve shqiptarë, kishte dhe artikuj
(12) Lirija e Shqipnis, datë 19 qershor 1944, faqe 2. (13) po aty (14) po aty
për mënyrën sesi ishte strukturuar rezistenca kundër pushtimit, për dezertimet masive që ndodhnin nga zhgënjimi që partizanët pësonin prej drejtuesve të Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe për sjelljen miqësore që populli duhet të tregonte ndaj gjermanëve. P.sh. gazeta tregonte si sukses të menaxhimit të situatës nga ana e nazistëve gjermanë mosprekjen e tyre nga sëmundja e malarjes. Referimi ishte për periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur rreth 80 përqind e trupave austriake u prekën nga kjo sëmundje, ndërkohë që në verën e vitit 1944 në rradhët e ushtrisë gjermane “ në sajë të një ndërtimi shembullor të mbrojtjes kundra malarjes kanë pasur vetëm 2 përqind të sëmurë prej saj.” (15)
Në 10 ditët e fundit të pushtimit gjerman, në Shkodër - stacioni i fundit ku ishin tërhequr dhe përqendruar trupat naziste - nën kujdesin e Komandës së Përgjithshme filloi botimi i gazetës Zani i Atdheut. Ashtu si Lirija e Shqipnis edhe Zani i Atdheut dilte vetëm me dy fletë në gjuhën shqipe, ku autorësia ishte vetëm me pseudonime si, Kunora, Vllai, Rrushkulli i Pargoit etj. Gazeta prezantohej si “flamurtarja e nacionalizmit shqiptar” dhe duke vënë poshtë kokës sloganin: “Vetbesim, vetmohim, vetsundim.” Përmbajtja e artikujve dhe komenteve nuk fshihte notat alarmuese
(15) Lirija e Shqipnis, datë 12 tetor 1944, faqe 2.
për situatën me të cilën përballeshin trupat gjermane në Shqipëri, duke lëshuar thirrje për organizimin e popullatës për të “mos e lëshue qytetin e Teutës ndër duart e terrorizmës së kuqe”, (16) që ishte dhe si argument se përse nisi të botohet në ato momente Zani i Atdheut: “... që të trajtonte punët e qarkut, që të mendonte me i ba ballë rreziqeve, që të mbështillte rreth vedit nacionalistat e tronditur të mbarë viseve të Shqipërisë, që të përballonte me çdo kusht e sakrificë të tëra situatat e reja që mund të vijnë të krijohen; e ky organ e filloj veprën e vet në dobi të Shkodrës me male, në dobi të Shqipnis e interesave të shenjta të saj.” (17)
Në një artikull tjetër me titullin “Cilët janë komunistat?” bëhej portretizmi i veprimtarisë së tyre në Shqipëri, i drejtuesve më kryesorë, mes tyre edhe për Enver Hoxhën, që cilësohej si “profesor pa diplomë”, apo “si kryetar i qeverisë sovjetike shqiptare, titull që ia dha vetvetes në Mbledhjen e Përmetit, pa pasë pëlqimin e popullit shqiptar.” (18) Duke e përshkruar lëvizjen komuniste shqiptare para vitit 1940 të varur nga Partia Komuniste Franceze, dhe më pas si nën varësinë totale të Moskës, artikulli nënvizonte se “kryetarët e komunizmit janë njerëz të shitun tek Moska, e cila synon sovjetizimin jo vetëm të Ballkanit, por të tanë Evropës e më vonë të botës mbarë.” (19) Analizat mbi përhapjen e komunizmit në Shqipëri, Zani i Atdheut i trajtonte me sy kritik dhe nga vetë zhvillimet brenda nacionalistëve. Një arsye kryesore se përse komunizmi kishte fituar terren ishte fakti i vetë organizimit të nacionalistëve shqiptarë në mënyrë të fragmentizuar: “Nacionalistat i kanë dhanë shkasin kryesor lëvizjes komuniste me injorancën, pasigurinë e indiferentizmin e tyre në një anë, dhe në anën tjerër me përçamjen ndër grupe, organizata e parti”. (20) Pjesë e lëndës së gazetës ishin dhe urdhëresat e posaçme të komandantit
(16) Zani i Atdheut, datë 19 nëntor 1944 faqe 1. (17) po aty (18) po aty (19) po aty (20) Zani i Atdheut, datë 23 nëntor 1944, faqe 1.
të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kombëtare, Mark Gjonmarkaj, që niste me një ndëshkim kapital se “çdo ushtar armik që tue luftue kundra fuqive kombëtare kapet rob, pushkatohet në vend.” (21) Më tej vijonin dhe masa të tjera drastike, si konfiskime të pasurive, shoqërime për në shtabin e përgjithshëm etj.
Me njoftime të tilla të ashpra dhe apele të dëshpëruara për t’u bashkuar dhe për ta mbrojtur Shqipërinë nga rreziku i komunistëve ishte mbushur dhe hapësira tjetër e mediave proqeveritare që sa vinte dhe e zbehte efektin e saj për popullatën. Gazeta kryesore Bashkimi i Kombit qysh nga 8 tetori 1944 filloi nga anomalitë e botimit. Pas disa ditëve ndërprerje, siç u arsyetua nga vetë redaksia, për shkaqe ekonomike e “mungesë karburanti”, gazeta doli me gjysmën e faqeve, nga sa e kishin parë deri atëhere lexuesit e saj. Rrudhja e hapësirës u shoqërua dhe me një përmbajtje krejt telegrafike, vetëm me komunikata e njoftime zyrtare, nga zhvillimet brenda dhe jashtë vendit.
Më 17 nëntor 1944 dhe mjeti tjetër propagandistik nën kontrollin total të pushtuesve nazistë gjermanë, Radio Tirana,
(21) Zani i Atdheut, datë 19 nëntor 1944 faqe 2.
ra në duart e forcave partizane gjatë betejës që çliroi kryeqytetin. “Tri ditë më parë, Radio Tirana ishte shpëtuar nga rreziku i hedhjes në erë nga ana e nazistëve. Një kompani partizanësh e evitoi këtë veprim. Pas dhjetë ditësh nga data e çlirimit të qytetit Radio Tirana rinisi transmetimet e saj. Nis një proces që nuk ndalet. Fshihen disqet që përmbajnë kanconeta italiane dhe mbi ta incizohen këngë popullore shqiptare. Në një nga skutat e ndërtesës gjenden dy magnetofona të vjetër ushtarakë gjermanë, që peshonin thuajse nga 30 kilogramë secili dhe me ndihmën e tyre nisin të regjistrohen reportazhet e para.” (22)
Në kushtet e kontrollit të Radio Tiranës nga forcat partizane, buletinet me lajme e komente të Agjencisë Telegrafike Shqiptare nuk kishin më hapësira përdorimi, duke e bërë krejt të pavlefshëm punën e saj deri në momentin e vënies nën kontrollin e njësiteve të Nacionalçlirimtares. Në fund të nëntorit 1944, me aktin e çlirimit të Shqipërisë, në mënyrë të shpejtë kontrolli i mjeteve zyrtare të medias dhe propagandës u vu në shërbim të komunistëve dhe tërë strukturave që ata kishin ndërtuar në periudhën e luftës, të cilat i ndihmuan të vinin dhe të rrinin për një kohë të gjatë në pushtet. Modeli i tyre goditi, demotivoi dhe zhduku dhunshëm në një kohë të shkurtër çdo lloj medie tjetër alternative dhe oponente me sistemin diktatorial dhe aparatin represiv që u instalua dhe u konsolidua në Shqipëri për afër gjysmë shekulli.
(22) Artan Fuga, Monolog, mediat dhe propaganda totalitare, botimet DUDAJ, Tiranë, 2010, faqe 72.